• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosovë-Shugurohet Katedralja Nënë Tereza

July 15, 2017 by dgreca

1 Imzot Troshani-Papa Françeku emëron Kardinalin shqiptar Imzot Ernest S. Troshani të Dërguar të Veçantë për kremtimin e shugurimit/

2 Ipeshkevia

-Ipeshkvia e Kosovë shpall programin e shugurimit të Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë/

1 Katedralja ok-Gurthemeli i Katedrales në Prishtinë është vënë në 26 gusht 2005 për nder të 95 vjetorit të lindjes së Nënës Terezë nga ana e Presidentit historik Ibrahim Rugova, Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Mark Sopi dhe Kardinalit të Uashingtonit Teodor Mekkerik/

-Në 16 gusht 2016 një delegacion i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra në Ipeshkvinë e Kosovës u prit plot përzemërsi, repekt e vlerësim nga Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji,  ku u theksua se Këshilli i Fondacionit për ndërtimin e Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë, që vepron në Nju Jork dhe rrethinë, ka kontribuar për mëse 9 vite  me afër 2 milionë dollarë/

1 Behluli Dom Lushi

SPECIALE- Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

PRISHTINË, 15 Korrik 2017/ Papa Françeku ka emëruar Kardinalin shqiptar Imzot Ernest S. Troshani, të Dërguarin e Tij të Veçantë për kremtimin e shugurimit të Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë, u njoftua nga Vatikani – Selia e Shenjtë sot në nesditë, në orën 12:00.

Në të njëjtën orë në Prishtinë lajmin e gëzueshëm e përcolli Mons. Lush Gjergji, Vikari Gjaneral i Ipeshkvisë së Kosovë, në një konferencë shtypi në Rezidencën e Ipeshkvisë, pranë Katedrales Nënë Tereza, ku ishte edhe korrespondenti i Gazetës DIELLI. Me këtë rast u bë edhe përurimi i Stemës së Festës së Shugurimit të Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë.

Ipeshkvia e Kosovë shpalli sot Programin e Shugurimit të Katedrales Nënë Tereza, që do të jetë në 5 shtator 2017, ditën e 20 vjetorit të kalimit në amshim të Shenjëtëreshes Shqiptare. Kremtimi solemn i Meshës së Shugurimit do bëhet në mesditë, nga ora 11:00.

Kremtimi fillon me hapjen e Ditëve të Nënë Terezës, në ditëlindjen e saj dhe ditën e bekimit të gurthemelit të Katedralës, në 26 gusht. Në këtë ditë, nga ora 18:00, në Katedrale do ketë do ketë takim lutjeje dhe meditimi me Nënë Terezën.

Në 2 shtator bëhet hapja solemne e aktiviteteve kuturore e shpirtërore treditëshe të festës. Në 3 shtator në orën 11:00 zhvillohet meshë në Katedrale, ndërsa në 4 shtator  në ora 18:00 – Mesha, Lutja e Mbrëmësores me Lutjet e Nënë Terezës në Kishën e Shën Ndout në Prishtinë.

Në Këshillin Organizativ janë: Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, Vikari Gjaneral Mons. Lush Gjergji, Kancelari Don Shan Zefi, Famullitari i Katedrales Don Fatmir Koliqi, Sekretari i Ipeshkvit Don Meriton Dedaj, Drejtori i Caritasit Don Vitor Sopi, Ekonomi Don Kastriot Idrizi, Dekani Don Lenc Sopi.

Don Zefi ka shpjeguar simbolikën e Stemës së realizuar nga i riu Lin Halili.

“Në Stemë, Katedralja brenda dy krahëve të Shqiponjës simbolizon Popullin dhe Kishën që ka lind Shën Nënë Terezën, e cila qëndron në ballë të Katedrales, duke bekuar Vendin, Popullin dhe Kishën e vet”, u shpreh ai.

E njohur në botë si Nënë Tereza, shqiptarja Gonxhe Bojaxhiu e lindur në 26 gusht 1910 në Shkup, është shpallur e shenjtë nga Papa Françesku në 4 shtator 2016 në Vatikan.

Gurthemeli i Katedrales në Prishtinë është vënë në 26 gusht 2005 për nder të 95 vjetorit të lindjes së Nënës Terezë nga ana e Presidentit historik Ibrahim Rugova, Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Mark Sopi dhe Kardinalit të Uashingtonit Teodor Mekkerik.

“Sot është një ditë e madhe për kryeqytetin dhe për gjithë Kosovën, sepse po e bekojmë gurin e themelit të një tempulli të shenjtë, që i kushtohet Nënës së dashur shqiptaro-kosovare dhe Nënës së Njerëzimit – të lumturës Nëna Tereze – asaj që lartësoi nderin e Kosovës dhe të shqiptarëve në gjithë planetin duke i afirmuar vlerat tona dhe duke ndihmuar gjithë njerëzimin”, shprehej gjatë ceremonisë Presidenti Rugova.

Katedralja nisi të ndërtohet derisa shënohej në Kosovë edhe 600 vjetori i lindjes së kryeheroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.

 

Në ditën e 16 gushtit 2016, një delegacion i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, në Ipeshkvinë e Kosovës  dhe në Katedralen Nëna Terezë në Prishtinë u prit plot përzemërsi, repekt e vlerësim nga Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji.

Në këtë takim në verën e para një viti, edhe nga ana e delegacionit të Vatrës edhe nga ana Ipeshkvit u theksua se Këshilli i Fondacionit për ndërtimin e Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë, që vepron në Nju Jork dhe rrethinë, ka kontribuar për mëse 9 vite  me afër 2 milionë – 1.800.000 dollarë, që janë mbledhur dhe janë dorëzuar.

Me delegacionin e shqiptarëve të ardhur nga SHBA, ishin Agim Rexhaj, zv/kryetar i Vatrës, Marjan Cubi – arkëtar i Vatrës dhe kryetar i Komisionit për mbledhjen e  fondeve për ndërtimin e Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë, si dhe Laura Rexhaj, Dila Cubi, Fran Marku, Mhill Gjuraj, Pashk Maksuti, Mëhill Velaj.  Gjatë gjithë kohës isha edhe unë – korrespondent në Kosovë i Gazetës Dielli – organ i Vatrës.

Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Gjergji falënderoi dhe vlerësoi lart të gjitha kontributet dhe njoftoi delegacionin e Vatrës me të gjitha punët e kryera në Katedralen Nënë Tereza, gurthemelin e së cilës e vuri Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova dhe këtë të gjithë e kujtonim gjatë bisedës.

Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji vlerësoi lart organizimin dhe kontributet e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra,  të gjithë vatranëve.

“E vlerësoj veçantë mënyrën e organizimit tuaj, të Vatrës, nga të gjitha trojet shqiptare së bashku…Vatra është edhe vatër e të mirave dhe kontributeve të mëdha për kombin”, u shpreh Ipeshkvi i Kosovës.

Presidenca e Kosovës ka vite që ndanë dekoratën Medalja Humanitare Nëna Terezë, që u jepet personave që kontribuojnë në çështjet humanitare…

 

KARDINALI SHQIPTAR TROSHANI I DËRGUAR SPECIAL I PAPA FRANÇESKUT PËR SHUGURIMIN E KATEDRALES NËNË TEREZA

 

Në Vatikan, sot, në orën 12:00, Selia e Shenjtë ka lajmëruar se Papa Françeku ka emëruar Kardinalin shqiptar Imzot Ernest S. Troshani, të Dërguarin e Tij të Veçantë për kremtimin e shugurimit të Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë, i cili do të jetë më 5 shtator 2017. Lajmin e ka publikua edhe gazeta zyrtare e Selisë së Shenjtë “L’Osservatore Romano”.

Ipeshkvia e Kosovës, e prirë nga bariu i saj Imzot Dodë Gjergji, me moton “Vjet në Romë – sivjet në Prishtinë”, pati lajmëruar se në njëvjetorin e shenjtërimit të Nënë Terezës, do të shugurojë Kishën Katedrale, e cila i kushtohet bijës së popullit dhe kishës sonë, shenjtëreshës së dashurisë. Këtë ngjarje të madhe festive tani i jep solemnitet edhe më të madhe Papa Françesku duke e emëruar të Deleguarin e Tij të Veçantë, Eminencën e Tij Kardinal Ernest S. Troshani.

 

Kush është Kardinali Ernest Troshani?

Ernest Simoni Troshani lindi më 18 tetor 1928 në Troshan, fshat pak kilometra larg Shkodrës, në një familje thellësisht fetare. Në moshën dhjetë vjeçare hyri në kolegjin e françeskanëve, në Troshan, duke nisur kështu, udhën e studimeve, që do ta formonte si meshtar. Në vitin 1948, në kulmin e persekutimit nga ana e regjimit komunist të Enver Hoxhës, edhe kuvendi i fretërve u plaçkit dhe u shndërrua në vend torturash për të burgosurit, ndërmjet të cilëve, pothuajse të gjithë vëllezërit e vegjël shqiptarë të Shën Françeskut. Ishte 20 vjeç kur, duke dalë prej kuvendit, u caktua nga regjimi si mësues në fshatra të humbura mes malesh, ku  nisi ta shndërrojë detyrën e mësuesit, në vepër misionare dhe ungjillëzuese. Atëherë e morën ushtar: pas dy vjet shërbimi të rëndë (1953-55), përfundoi fshehurazi studimet e teologjisë  e, më 7 prill 1956, u shugurua meshtar në Shkodër. Për t’iu bindur  Ipeshkvit, u inkardinua në dioqezë, ndonëse zemra e tij mbeti për gjithë jetën françeskane.

Më 24 dhjetor, pas Meshës së Krishtlindjes, u arrestua e u mbyll në një birucë, në burgun e Shkodrës. Si u dënua me vdekje, dënimi iu kthye në 25 vjet punë të detyruar. Ndërsa kryente dënimin, u bë atë shpirtëror e pikë referimi për  bashkëvuajtësit.

Më 22 maj 1973 u dënua përsëri me vdekje, me akuzën se po përgatiste kryengritjen për rrëzimin e regjimit. Dëshmitë në favor të  tij e shpëtuan nga plumbi, por jo nga puna e detyruar. Punoi kështu 18 vjet me radhë, nga të cilat 12 në minierë. U lirua më 1981, por vijoi të shikohej si armik i popullit  e, si i tillë, u detyrua të merrej, për bukën e gojës, me pastrimin e gjirizeve të qytetit.

Ditën, pastrues i gjirizeve, natën pastrues i shpirtrave, ai vijonte shërbimin shpirtëror, atje ku ndërronte një jetë a ku lindte një jetë e re. E kështu, deri në rrëzimin e regjimit, më 1991. Që asokohe vijoi të shërbejë si meshtar në një mori fshatrash, duke punuar për pajtimin e gjaqeve e duke vijuar dëshminë ungjillore. Dëshmi, që e preku thellësisht Papën Françesku, kur vizitoi Tiranën, më 21 shtator 2014. Papa Françesku e ka krijua kardinal më 19 nëntor 2016. Troshani është kardinali i dytë i shqiptarëve, pas Kardinal Mikel Koqiqi.  (Nga Jetëshkrimi i Kardinalit i lexuar pas lutjes së Engjëllit të Tënzot të datës 09. 10. 2016.).

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Katedralja, Kosovë-Shugurohet, Nene Tereza

Kosovë-Quinti: Do të punojmë me çdo Qeveri të formuar ligjërisht

July 15, 2017 by dgreca

-Deklaratë në emër të ambasadave të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara: Ne do të punojmë me çdo Qeveri të formuar ligjërisht dhe që respekton përkushtimet e Kosovës, Axhendën Evropiane për Reformë, dhe perspektivën më të gjerë Evropiane të Kosovës/

1 Prishtina5

PRISHTINË, 14 Korrik 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/-Do të punojmë me çdo Qeveri të formuar ligjërisht, theksohet në një “deklaratë në emër të ambasadave të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara”, dërguar sot, pak më pare, nga ambasada e SHBA në Kosovë.

“Kemi parë rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ne poashtu rikujtojmë të gjeturat fillestare të Misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve dhe presim që Kuvendi i ri të vëjë si prioritet përgjigjen e vet ndaj rekomandimeve të këtij Misioni”, thuhet fillimisht.

Ne, vijohet më tej, poashtu dëshirojmë të japim qëndrimin e shteteve tona lidhur me formimin e Qeverisë. “Ashtu siç e kemi bërë të qartë vazhdimisht – qytetarët e Kosovës janë ata që zgjedhin përfaqësuesit e tyre. Vetëm këta përfaqësues janë përgjegjës për krijimin e një Qeverie të re në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës. Ne do të punojmë me çdo Qeveri të formuar ligjërisht dhe që respekton përkushtimet e Kosovës, Axhendën Evropiane për Reformë, dhe perspektivën më të gjerë Evropiane të Kosovës. Ne nxisim partitë që e formojnë qeverinë e ardhshhme që të kenë si prioritete sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në gjitha pjesët e Kosovës, në mënyrë që të tërheqen investimet aq shumë të nevojshme për krijimin e vendeve të punës dhe për rritje të qëndrueshme ekonomike”, thekson deklarata e ambasadave të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara.

“Ne poashtu nxisim Qeverinë dhe Kuvendin që të procedojnë, sa më shpejtë që është e mundshme, ratifikimin e marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi, dhe që të angazhohen seriozisht në dialogun me Serbinë për të normalizuar marrëdhëniet mes dy shteteve”, përfundon  deklarata e ambasadave të Quintit.

Filed Under: Komente Tagged With: Behlul Jashari, Kosovë-Quinti: Do të punojmë me çdo Qeveri, të formuar ligjërisht

Kosova uroi Francën

July 14, 2017 by dgreca

-Ceremoni e organizuar nga Ambasada e Francës në Kosovë, presidenti Thaçi uron popullin francez për ditën e tyre kombëtare/

1 franca

PRISHTINË, 14 Korrik 2017-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në ceremoninë e organizuar nga Ambasada e Francës në Kosovë, për ndër të 14 korrikut, Ditës Kombëtare të Francës.Presidenti Thaçi ka thënë se Dita Kombëtare e Francës, 14 korriku, shënon lindjen e vlerave të reja që promovuan lirinë, barazinë dhe vëllazërinë, jo vetëm në Francë, por shumë më gjerë.

Këto vlera, sipas presidentit Thaçi, u bënë frymëzim për shumë popuj të botës për të mposhtur frikën, për të thyer shtypjen dhe për të fituar lirinë.“Mbi këto vlera u ndërtuan shumë shtete moderne, të bazuara në vullnetin e popullit, unitetin kombëtar, qeverisjen e mirë, laicitetin, ku të gjithë qytetarët janë të barabartë para ligjit”, ka thënë presidenti Thaçi.Para të pranishmëve në këtë ceremoni, presidenti Thaçi ka theksuar se populli i Kosovës kujton me nderim këtë ngjarje, e cila ka pasur ndikim të jashtëzakonshëm emancipues anembanë Evropës.“Lufta për liri, pavarësi dhe shtetndërtimi në Kosovë ishin bashkim i aspiratave të popullit për një shtet sovran dhe i mbështetjes së fuqishme të miqve tanë ndërkombëtarë. Franca ishte shteti i parë që një ditë para shpalljes së pavarësisë futi Kosovën në hartën e shteteve të pavarura, derisa të nesërmen njohu pavarësinë tonë”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi ka theksuar se kjo është një dëshmi se rrugëtimi jonë drejt lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit ishte i përbashkët./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, Kosova uroi Francën

Kosova, integrim evropian e bashkëpunim rajonal

July 13, 2017 by dgreca

-Kryeministri Mustafa në takimin qendror të Samitit të Triestes/

ZKM-03

-Orientim shumë i qartë i qytetarëve të Republikës së Kosovës për rrugën evropiane dhe se alternativën e vetme e shohim këtë rrugë, dhe përkrahemi nga ju që ta kapërcejmë këtë rrugë.

ZKM-05

Në Trieste, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor, në praninë e personaliteteve evropiane, kanë nënshkruar Traktatin e Komunitetit të Transportit, marrëveshje me rëndësi për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit si dhe në raport me BE-në dhe shtetet e saj/
TRIESTE, 12 Korrik 2017-Gazeta DIELLI/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori sot pjesë në Samitin e Triestes ku ishin të pranishëm liderët e disa shteteve të BE-së dhe kryeministrat e shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Në takimin qendror ku Republika e Kosovës përfaqësohej nga kryeministri Isa Mustafa, ishin të pranishëm edhe kryeministri i Italisë, njëkohësisht organizatori i Samitit, Paolo Gentiloni, kancelarja gjermane Angela Merkel, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, sekretari i shtetit për Punë të Jashtme të Britanisë së Madhe, Boris Johnson, si dhe përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini e personalitete tjera.

Para të pranishmëve, kryeministri Mustafa fillimisht foli për rëndësinë e kësaj iniciative e cila ka krijuar një perspektivë të rëndësishme të bashkëpunimit dhe të komunikimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Unë shpresoj shumë që ky bashkëpunim do të na përgatis në rrugën e integrimit tonë në Bashkimin Evropian, dhe nuk e shoh në asnjë rast si formë të zëvendësimit të përkohshëm të kësaj rruge tonë”, tha kryeministri.

Kryeministri Mustafa më tej theksoi të arriturat dhe zhvillimet aktuale në Kosovë.

“Ne në Kosovë tani jemi në fazën e konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, pas zgjedhjeve të qershorit, dhe të themelimit të Qeverisë së re, por jam i kënaqur që mund të rikonfirmoj se edhe nga këto zgjedhje del një orientim shumë i qartë i qytetarëve të Republikës së Kosovës për rrugën evropiane dhe se alternativën e vetme e shohim këtë rrugë, dhe përkrahemi nga ju që ta kapërcejmë këtë rrugë.
Ne kemi arrit që gjatë kësaj periudhe të realizojmë bashkëpunim të mirë me Bashkimin Evropian, tani po punojmë në implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, po punojmë në implementimin e Marrëveshjes Kornizë për Programet e Bashkimit Evropian, kemi përmbushur 94 nga 95 kriteret për liberalizimin e vizave, dhe shpresojmë që edhe kriterin e fundit do ta përmbushim. Ky kriter nuk ka të bëjë fare me kontekstin në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, sepse Mali i Zi ka qenë shumë korrekt dhe ne jemi të bindur që puna është kryer në mënyrë korrekte, por është çështje e jona e brendshme dhe vlerësojmë se këtë proces ne do ta përfundojmë.
Ne po ashtu jemi shumë të interesuar që të qojmë përpara bashkëpunimin ekonomik të vendit tonë me vendet e Ballkanit Perëndimor. Shohim interes të madh në këtë hapësirë ekonomike rajonale, qoftë në tërheqjen e investimeve të huaja në këtë hapësirë, qoftë në zgjidhjen e problemit të papunësisë, me të cilin ne në Kosovë veçmas jemi të ballafaquar, sepse kemi papunësinë shumë të lartë sidomos të grave dhe të të rinjve. Kemi po ashtu edhe papunësinë strukturore e cila ka ndodh për shkak të ndryshimit të strukturës së ekonomisë, por mund t’ju them po ashtu që vitet e fundit kemi arrit edhe rritje relativisht të lartë të GDP-së, prej 4 për qind, për dy vitet e fundit, që siguron se ne mund të përmbajmë këtë rritje ekonomike, por edhe se duhet të kemi bashkëpunim më të mirë me vendet tjera.
Në suaza të realizimit të këtij bashkëpunimi, ne shohim nevojën që të bashkëpunojmë me Qeverinë e Bosnje dhe Hercegovinës në zgjedhjen e problemi të vizave, në mënyrë që mos të kemi pengesa në qarkullimin e njerëzve dhe të mallrave me Bosnjen. Kemi po ashtu nevojë që me Serbinë ta zgjedhim problemin sa i përket njohjes së certifikatave të mallrave fitosanitare, certifikatave të origjinës së mallit dhe certifikatave të cilësisë. Unë shfrytëzoj rastin që t’i uroj zgjedhjen kryeministres së re të Serbisë, e cila është këtu, dhe po ashtu të shpreh gatishmërinë që ne të vazhdojmë dialogun me Serbinë dhe të zgjidhim të gjitha çështjet përmes procesit të dialogut.
Kemi nevojë po ashtu që me Serbinë aktualisht të zgjedhim problemin e energjisë dhe transmisionit i cili ka mbetur i papërdorshëm dhe në të cilin kemi investime rreth 70 milionë euro me përkrahjen e qeverisë gjermane dhe  Bankës Gjermane për Zhvillim, që kemi realizuar së bashku me Shqipërinë.
Unë konsideroj se përmes këtij bashkëpunimi do të arrijmë që të zgjidhim problemin e konkurrueshmërisë, që Kosova e ka sidomos me konkurrencën në tregun e Bashkimit Evropian, për çfarë kemi nevojë që ta mbështesim njëri-tjetrin dhe të arrijmë që të kemi suksese më të larta. Sikurse e kemi përkrahur Traktatin e Komunitetit të Transportit, vlerësojmë se ky traktat do të arrij që të rris edhe më tutje konjektivitetin në mes të vendeve tona. Ne kemi investuar mjaft shumë në fushën e infrastrukturës, dëshirojmë që rrugën që e kemi ndërtuar së bashku me Shqipërinë, do ta lidhim tani me Serbinë, dhe do ta funksionalizojmë edhe në aspekt më të gjerë. Dëshirojmë të bashkëpunojmë me Maqedoninë, në mënyrë që investimet të cilat i kemi në rrugën për Shkup, po ashtu ta përmbyllim me pjesën e Maqedonisë, e cila do ta  mbështes këtë projekt, siç tha edhe kryeministri i Maqedonisë me këtë rast” tha kryeministri.

Përpos bashkëpunimit rajonal, kryeministri Mustafa ka përmendur edhe iniciativat e reja të bashkëpunimit, duke kërkuar që bashkëpunimi të vazhdoj edhe në fushën e shkencës dhe teknologjisë.

“Sa i përket Traktatit të Komunitetit të Transportit, unë dëshiroj të shpreh interesimin e Kosovës këtu, që selia e këtij traktati të jetë në Kosovë, sepse deri më tani nuk kemi arritur që të kemi asnjë seli të programeve të cilat i kemi realizuar bashkërisht në suaza të bashkëpunimit tonë me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Unë e shoh të rëndësisë mjaft të madhe vazhdimin e këtij bashkëpunimi, e shoh të rëndësisë të madhe edhe iniciativën që kancelaria Merkel sot lidhur me Samitin e IT-së, që do të marrë, sepse kemi interes që të zbatojmë teknologjinë informatike dhe të përparojmë edhe më tutje, dhe po ashtu e shoh edhe interesin e Kosovës që në suaza të bashkëpunimit tonë, të kemi edhe bashkëpunim edhe në fushën e shkencës dhe teknologjisë, në mënyrë që të arriturat evropiane dhe botërore ne të mund t’i aplikojmë edhe në vendet tona, si të arriturat në ekonomi, në mënyrë që të të ulim diferencat tona në zhvillim, të cilat aktualisht ekzistojnë në mes të vendeve tona dhe vendeve tjera të Bashkimit Evropian.
Dëshiroj që t’ju falënderoj për bashkëpunimin që kemi pasur, që t’ju bëjë ftesë që ta në përkrahni edhe më shumë në të gjitha mënyrat dhe më të gjitha instrumentet, edhe juve edhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian”, tha kryeministri Mustafa.

Sot në Trieste, kryeministri Mustafa dhe kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor, në praninë e personaliteteve evropiane, kanë nënshkruar Traktatin e Komunitetit të Transportit, marrëveshje me rëndësi për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit si dhe në raport me BE-në dhe shtetet e saj.

 

 

 

Mustafa në Samitin e Triestes takon komisioneren e BE-së për Transport, Violeta Bulc/

 

 

Trieste, 12 korrik 2017-Gazeta DIELLI/ Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, para fillimit të Samitit të Triestes, ka zhvilluar një takim bilateral me komisioneren e BE-së për Transport, Violeta Bulc.

 

Gjatë takimit është biseduar për progresin e Kosovës në fushën e transportit në të gjitha aspektet, si dhe për projektet aktuale dhe ato që planifikohen për të ardhmen.

 

Po ashtu, në takim është diskutuar edhe për Traktatin për Themelimin e Komunitetit të Transportit ndërmjet 6 vendeve të Ballkanit Perëndimore, që ka për qëllim përmirësimin e ndërlidhshmërisë në fushën e transportit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ndërlidhshmërinë me vendet e Bashkimit Evropian.

Kryeministri Mustafa, në Trieste, Itali, merr pjesë sot në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor, ku janë të pranishëm kryeministrat e vendeve të rajonit si dhe liderë të vendeve evropiane e të mekanzimave të Bashkimit Evropian, ndërsa do të zhvillojë edhe takime tjera bilaterale të nivelit të lartë.

 

Zëvendës Presidenti i Bankës Botërore Muller: Rritja ekonomike në Kosovë rezultat i lidershipit të kryeministrit Mustafa

 

Trieste, 12 korrik 2017-Gazeta DIELLI/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, sot në Trieste ka zhvilluar një takim me zëvendës presidentin e Bankës Botërore për Evropë dhe Azi Qendrore, Cyril Muller.

Gjatë takimit është diskutuar për të arriturat e Kosovës në zhvillimin ekonomik si rezultat i reformave fiskale dhe qeverisjes së fokusuar në zhvillimin ekonomik të vendit.

 

Kryeministri Mustafa ka falënderuar Bankën Botërore për mbështetjen e vazhdueshme, duke shprehur besimin se edhe më tutje Kosova do ta ketë përkrahjen e tyre në avancimin e vazhdueshëm të ambientit biznesor.

 

Nga ana e tij, zëvendës presidenti i Bankës Botërore për Evropë dhe Azi Qendrore, Cyril Muller, tha se rritja ekonomike e Kosovës është rezultat i lidershipit të kryeministrit Mustafa duke vlerësuar vendimet e marra në të mirë të zhvillimin ekonomik të Kosovës.

 

Ai ka shprehur besimin që edhe qeveritë tjera të ndjekin shembullin e Qeverisë Mustafa dhe të kujdesen për financat publike./b.j/

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Behlul Jashari, e bashkëpunim rajonal, integrim evropian, kosova

KOSOVË-MIRËSEARDHJE DIASPORËS

July 12, 2017 by dgreca

-Me moton “Ti je pjesë e atdheut” hapet panairi tradicional/

1 ok Valon murati

-Punimet dhe prodhimet e tyre i prezantojnë 55 shoqata të grave nga Kosova dhe Shqipëria/

1 Ok Panairi

-Sofra tradicionale, me rapsodë të folklorit/

PRISHTINË, 12 Korrik 2017-Gazeta DIELLI/ Organizuar nga Ministria  e Diasporës, sot në Prishtinë, në sheshin “Zahir Pajaziti”, u hap panairi me veshje kombëtare,  punime dore e ushqime tradicionale, me moton “Ti je pjesë e atdheut”. Në këtë panair, punimet dhe prodhimet e tyre i prezantojnë 55 shoqata të grave nga Kosova dhe Shqipëria.

Përmes këtij panairi, që karakterizohet për veshje kombëtare, punime dore e ushqime tradicionale,  bashkatdhetarëve do t’u prezantohet tradita shqiptare.

Hapjen e panairit e bëri ministri i Diasporës në qeverinë e Kosovës, Valon Murati, i cili tha se tashmë ky  aktivitet nga viti në vit po bëhet tradicional.

“Ky panair është pjesë e aktiviteteve tona  të mirëseardhjes për bashkatdhetarët, të cilët vijnë për pushime në atdhe. Me gjithë sfidat, bashkatdhetarët tanë janë të prirë që gjërat tradicionale, qoftë veshjet, ushqimet e shenjat kombëtare t’i kultivojnë,  ta ruajnë identitetin kombëtar e kulturor, por edhe ta promovojnë këtë kulturë e identitet edhe ne vendet ku jetojnë”, theksoi ministri Murati.

Panairi do të qëndrojë i hapur nga dita e sotme deri në 15 korrik.

Në kuadër të këtij panairi, më 14 korrik  do të zhvillohet edhe një aktivitet tjetër – sofra tradicionale, me rapsodë të folklorit./b.j/

Filed Under: Mergata Tagged With: Behlul Jashari, kosova, Ministri Murati, Mireseardhje Diaspore

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 117
  • 118
  • 119
  • 120
  • 121
  • …
  • 245
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Amerika dhe Rendi i Ri Botëror: Forca, Përgjegjësia dhe e Ardhmja e Perëndimit
  • Këmbana lufte – “Gruaja që Vinte nga Mjegulla” botohet në gjuhën angleze
  • The Last Besa…
  • FRANG BARDHI ME VEPRËN E TIJ, APOLOGJI E SKËNDERBEUT MBROJTI ME BURIME TË SHEK.XV E XVI, ORIGJINËN SHQIPTARE-ARBËRORE  TË SKËNDERBEUT
  • Ismail Qemali, 16 janar 1844 – 24 janar 1919
  • Letërsia si dëshmi e së vërtetës…
  • Mirënjohje për atin tim…
  • Isa Boletini, 15 janar 1864 – 23 janar 1916
  • “Yll’ i Mëngjezit”
  • “Histori e shtypit arbëresh: nga zanafilla deri në ditët e sotme”
  • “Personalitet Historik” – Bajram Curri: Një jetë në shërbim të çështjes kombëtare
  • Shqiptarët dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe përgjegjësia evropiane
  • Në Ditën e Gjenocidit në Kosovë, nevoja e Kualifikimi Juridik Ndërkombëtar për Krimet e Kryera në Kosovë (1998–1999)
  • FUNDI I REZISTENCËS SË NACIONALIZMËS 1946-1947
  • ZBULOHEN KONGRESET E BALLIT KOMBËTAR

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT