• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosovë-Bibliotekat, themeli i një shteti të shëndetshëm

April 11, 2017 by dgreca

ZKP-002ZKP- 001ZKP-006

-Në hapjen e “Javës së Bibliotekës”, ku foli kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ishin ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim shala, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Persida Asllani, si dhe profesorë e mysafirë tjerë të këtij edicioni, që sivjet ka temën “E drejta e autorit dhe biblioteka”/

ZKP- 008ZKP- 009-Është hapur edhe ekspozita e Musine Kokollarit, ndërsa për pasurimin e fondit të librave të bibliotekave në Kosovë, duke dhuruar libra dhe bibliotekat personale, janë ndarë mirënjohje të veçanta./

PRISHTINË, 11 Prill 2017-Gazeta DIELLI/

Kryeministri i Republikës së Kosovës,  Isa Mustafa, mori pjesë në hapjen e “Javës së Bibliotekës”, e cila u mbajt në hapësirat e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.Të pranishëm në hapjen e edicionit të 15-të, të hapjes së javës së Bibliotekës ishin ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim shala, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Persida Asllani, si dhe profesorë e mysafirë tjerë të këtij edicioni, që sivjet ka temën “E drejta e autorit dhe biblioteka”.Kryeministri Isa Mustafa tha se bibliotekat janë themeli i një shteti të shëndetshëm dhe u japin njerëzve mundësinë të përjetojnë idetë e reja, të bëjnë kërkime shkencore, të mbledhin e të shpërndajnë përshtypje të mrekullueshme nga përfitimet që kanë gjatë përdorimit. “Biblioteka reflekton diversitetin dhe karakterin, nevojat dhe pritjet e njerëzve tanë, hulumtuesve, profesorëve, studentëve, nxënësve. Këto janë pritjet që ne i kemi dhe i realizojmë nëpër biblioteka”, tha kryeministri Mustafa, duke theksuar se biblioteka është burim më i plotë i kërkimit të informacionit, i domosdoshëm dhe i nevojshëm për njerëzimin, jo vetëm në aspektin profesional, por edhe për familjarë e zyrtarë.Më tej, kryeministri theksoi se në botën e biznesit njerëzit i përdorin burimet e bibliotekës për të marrë vendime të mençura në fushën e tyre, për të përmirësuar aftësitë për punë, profesorët për të arritur rezultate më të larta shkencore, ndërsa studentët e nxënësit për ta forcuar dijen akademike e shkollore.Kryeministri Mustafa, po ashtu theksoi se Biblioteka Kombëtare e Kosovës, por edhe bibliotekat publike dikur dhe sot, kanë qenë dhe kanë punuar për të mbledhur, ruajtur e përpunuar trashëgiminë shkencore e kulturore, veçmas në kohë të vështira.

“Qeveria e Kosovës drejtpërdrejt apo nëpërmjet dikastereve të saj do të vazhdoj të përkrahë zhvillimin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, në veçanti dhe të bibliotekave publike në përgjithësi, ashtu siç edhe dy ministritë tona, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë po bëjnë sot në përkrahjen e kësaj biblioteke, veçmas në procesin e digjitalizimit të saj”, tha kryeministri Mustafa.Para të pranishmëve, kryeministri Mustafa theksoi përkushtimin për ndërtimin e bibliotekave, për fuqizimin e arkivave, muzeve dhe institucioneve tjera, për të përfaqësuar të gjitha etnitë që jetojnë në Kosovë, të gjitha pasuritë kulturore dhe dijet e tyre.Kryeministri Mustafa, po ashtu kërkoi nga bibliotekat e rajonit dhe më gjerë mbështetje për integrimin e Bibliotekës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Kosova e ka një orientim të qartë evropian dhe ne duam që këtë orientim të qartë ta realizojë edhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe bibliotekat tjera në Kosovë”, tha kryeministri Mustafa.

Në hapjen e edicionit të 15-të të “Javës së Bibliotekës”, kryeministri Mustafa falënderoi ambasadorin dhe Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila gjatë gjithë edicioneve ka përkrahur jo vetëm këtë veprimtari të rëndësishme, por në përgjithësi zhvillimin e dijes dhe të bibliotekave në Kosovë, si dhe ekspertët e fushave bibliotekare dhe të informacionit që kanë ardhur nga Amerika, nga vendet evropiane, Shqipëria, për ofrimin e ndihmës dhe dijes së tyre për ngritjen e Bibliotekës dhe të shërbimeve në bibliotekat e Kosovës.Kryeministri Mustafa po ashtu përgëzoi drejtuesit e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës për ndërtimin e platformës së komunikimit, si kjo e Javës së Bibliotekës së Kosovës, përmes të cilës pjesëmarrësit mund të ndajnë përvojat mes vete, ngjashmëritë dhe dallimet për një kuptim më të mirë kulturor e bibliotekar.Kryeministri Mustafa, në emër të Bibliotekës Kombëtare, i ndau Ambasadës Amerikane çmimin “Pjetër Bogdani”, çmim i pranuar nga ambasadori Delaëie.

Në arsyetimin e lexuar nga Muhamet Hamiti, kryetari i Këshillit Drejtues të kësaj biblioteke, vlerësohet kontributi i kësaj ambasade në zhvillimin e Bibliotekës por edhe të sistemit bibliotekar të Kosovës.Ambasadori Delaëie tha se do të vazhdoj të mbështes të gjitha bibliotekat në Kosovë edhe në të ardhmen, duke theksuar arsyen pse e bëjnë këtë mbështetje.“Ne besojmë se bibliotekat janë element qendror i demokracisë, dhe ata që punojnë si bibliotekar dhe që ndihmojnë qasjen në materiale bibliotekare, bëjnë punë të jashtëzakonshme në mbështetjen e demokracisë së vendit” tha ambasadori Delaëie.Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Fazli Gajraku, bëri të ditur se Java e Bibliotekës do të përfshijë shumë aktivitete, qëllimi i të cilave nuk është vetëm mbledhja e komunitetit bibliotekar, por edhe një rrjeti më të gjerë njerëzish, akademik, mësimdhënës e lexues.“Java e Bibliotekës, veprimtaria e saj ka një lidhje me idenë e ndërgjegjësimit publik për bibliotekat, si t’i motivojmë njerëzit për të lexuar, si t’i mbështesim që ata t’i përdorin bibliotekat, si t’i  bëjmë bibliotekat një mjedis banimi ku jo vetëm lexohet, studiohet e hulumtohet, por edhe krijohet” tha drejtori Gajraku.Përveç çmimit “Pjetër Bogdani”, Biblioteka ka ndarë edhe mirënjohje për kontribuuesit në zhvillimin e Bibliotekës. Mirënjohje i është ndarë Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, si donatore për projektin e digjitalizimit.Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, tha se Java e Bibliotekës është një ngjarje shumë e rëndësishme dhe se ndihet i nderuar me këtë mirënjohje.“Digjitalizimi është një proces global dhe ai ka përfshirë edhe bibliotekën e cila posedon një aset të konsiderueshëm të titujve të ndryshëm dhe padyshim qasja digjitale në regjistrin dhe indeksin e burimeve të Bibliotekës do të ndihmojë në qasjen sa më të lehtë dhe Ministria e Arsimit ka pas nderin që të ndihmoj dhe do të vazhdoj përsëri me të gjitha mundësitë e veta që të ndihmoj modernizimin e bibliotekës, këtij institucioni shumë të rëndësishëm për zhvillimin akademik, për hulumtimin dhe kërkimin shkencor. Edhe njëherë në emër të Ministrisë së Arsimit shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të mëtejshëm”, tha ministri Bajrami.

Është hapur edhe ekspozita e Musine Kokollarit, ndërsa për pasurimin e fondit të librave të bibliotekave në Kosovë, duke dhuruar libra dhe bibliotekat personale, janë ndarë mirënjohje të veçanta./b.j/

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Behlul Jashari, Kosovë-Bibliotekat, themeli i një shteti

DIASPORA-Mësimi i shqipes, interes kombëtar

April 11, 2017 by dgreca

-Ministri Valon Murati priti nxënës të mësimit plotësues nga Austria. Vizita po realizohet në kuadër të ekskursionit në Kosovë e Shqipëri/

PRISHTINË, 11 Prill 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Ministri i Diasporës në qeverinë e Kosovës, Valon Murati, bashkë me zëvendësministrin Sahit Krasniqi dhe me përfaqësues të tjerë të diasporës pritën sot një grup të mësuesve dhe të prindërve bashkë me 37 nxënës të mësimit plotësues nga Austria, të qyteteve Vjenë, Grac, Linc, Wels dhe St.Polten. Vizita e këtyre nxënësve po realizohet në kuadër të ekskursionit në Kosovë e Shqipëri, organizuar  nga Ministria e Diasporës, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit.

Ministri Murati, pasi u uroi mirëseardhje, i përgëzoi mësuesit për punën që po bëjnë në edukimin dhe nxënien e mësimit shqip. Ai foli edhe për rëndësinë që ka mësimi i gjuhës shqipe.

“Ministria e Diasporës po bën përpjekje që bashkë me mësues të shkollave  shqipe e prindër të organizojë vazhdimisht aktivitete me programe të tilla, si ekskursione, kuize të diturisë, kampe verore, që t’ju mbajë sa më afër atdheut”, tha ndër të tjera ministri Murati.

Ai  i ftoi nxënësit e mësimit plotësues që të bëhen pjesë e kampeve verore, e kuizeve të diturisë, përmes të cilave jo vetëm që fitojnë njohuri për atdheun, po krijojnë edhe miqësi të reja me moshatarët e tyre. Ministri Murati i falënderoi mësuesit, por edhe prindërit e këtyre nxënësve për punën e madhe që po bëjnë vazhdimisht për ta mbajtur gjallë gjuhën shqipe. Ai u shpreh se mësimi i shqipes nuk është vetëm interes kombëtar, po edhe interes i nxënësve, sepse, me njohjen e saj, ata mësojnë një gjuhë më shumë dhe integrohen më lehtë në shoqëritë ku jetojnë, por në të ardhmen mund të jenë edhe lidhje mes vendit ku jetojnë dhe atdheut.Ndërsa, në emër të mësuesve, Hazir Mehmeti, mësues, njëherësh kryetar i shoqatës “Naim Frashëri”, falënderoi MeD-në për gjithë punën që po bën për diasporën, në veçanti për mësimin plotësues, si një nga hallkat kryesore për ruajtjen e identitetit kombëtar.Në këtë ekskursion njohës mësimor, nxënësit shqiptarë nga diaspora do të vizitojnë vende të ndryshme në Kosovë e Shqipëri, institucione të  ndryshme arsimore e monumente historike.

Gjatë vizitës në atdhe, për nxënësit nga diaspora do të organizohen aktivitete të shumta, me tema të ndryshme në funksion të edukimit, po edhe zhvillimit të identitetit, me qëllim t’u forcohet edhe më shumë ndjenja e dashurisë për atdheun.Ekskursione të tilla do të organizohen edhe me grupe të tjera nxënësish të mësimit plotësues nga  Kroacia, Greqia, Gjermania dhe Suedia.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Behlul Jashari, DIASPORA-Mësimi i shqipes, interes kombëtar

BETEJA E KOSHARES BASHKOI SHQIPTARËT

April 9, 2017 by dgreca

1 GuriFoto Gazeta DIELLI-Behlul Jashari: Një nga gurët e rrënuar të kufirit ndërshqiptar në Betejën e Koshares është i ekspozuar në Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës Dr.Ibrahim Rugova në Prishtinë/
1 Thaci
 
BETEJA E KOSHARES BASHKOI SHQIPTARËT/
 
-Në Kosovë, në “Ditët e Shqipes” përkujtohet Beteja e Koshares, e rrënimit të gurëve të kufirit ndërshqiptar. Heqja me luftë e kufirit mes Kosovës e Shqipërisë më 9 prill 1999, një prej fitoreve më domethënese. Beteja e Koshares, kapitull i rëndësishëm i fitoreve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës/
4 Thaci
 
-Presidenti Thaçi: Kosova e ka të qartë rrugën dhe vizionin euroatlantik, si shoqëri që synon të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, NATO-s dhe OKB-së. 
-Kryeministri Mustafa: Partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët tjerë të NATO-s është garancia e realizimit të aspiratës tonë për të jetuar të lirë, për të qenë të pavarur dhe për të vendosur vet për ardhmërinë tonw/
3 Lule
 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/
2 Koshare
 
 KOSHARE, 9 Prill 2017/ Beteja e Koshares që bashkoi shqiptarët, e para 18 viteve, e vlerësuar simbol i unitetit dhe sakrificës sublime për çlirimin e Kosovës, u përkujtua sot me homazhe dëshmorëve dhe me një tubim, me pjesëmarrës edhe nga Shqipëria.
 “Ditët e Shqipes”, për nder të Betejës së Koshares, është manifestimi tradicional në përvjetorët e rrënimit të gurëve të kufirit ndërshqiptar Kosovë-Shqipëri nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës në luftën për liri e pavarësi, për dëbimin e forcave okupuese serbe.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri Isa Mustafa dhe përfaqësues të tjerë institucionalë e politikë po marrin pjesë në veprimtaritë e sotme, përfshirë akademinë përkujtimore që u zhvillua pak më parë në Koshare.
 “Para 18 viteve këtu në Koshare filloi zbatimi i fazës së parë të operacionit ushtarak ‘Shigjeta’ duke hapur një kapitull të rëndësishëm të fitoreve të ardhëshme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha presidenti Thaçi në tubimin përkujtimor, duke theksuar triumfin politiko-ushatarak të luftëtarëve për lirinë e Kosovës.
Për të ardhur deri tek një operacion i mirë studiuar, presidenti kosovar tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte kaluar nëpër sprova dhe beteja përgjatë një viti të tërë.
“Mbi të gjitha, Ushtria Çlirimtare e Kosovës si forcë e armatosur autentike arriti ta ndërkombëtarizojë në nivelin më të lartë çështjen e Kosovës”,  tha presidenti Thaçi.
Kryeministri Mustafa tha se, “heqja me luftë e kufirit mes Kosovës e Shqipërisë më 9 prill 1999 shënon një prej fitoreve më domethënese të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” dhe se “Beteja e Kosharës përbën fillimin e luftës frontale për çlirimin e Kosovës”.
Kreu i qeverisë vlerësoi lartë kontributin e jashtëzakonshëm të heronjve Agim Ramadani, Sali Çekaj, Abaz Thaçi, Xhemajl Fetahu, por edhe veprën e gjithë heronjve e dëshmorëve të Betejës së Koshares dhe betejave anekënd Kosovës.
“Po ashtu krenohemi edhe me luftëtarët e gjallë të kësaj brigade që sot janë bërë pjesë e rëndësishme e ndërtimit të Kosovës dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës”, tha kryeministri Mustafa.
 Në tubimin përkujtimor për Betejën e Kosharës, nga pjesëmarrësit e udhëheqësit e saj, foli  Rrustem Berisha, komandant i Brigades 138 “Agim Ramadani”.
“9 prilli i vitit 1999 është një nga datat më të rëndësishme të historisë së Kosovës, datë e Besëlidhjes së shqiptarëve në frontin për çlirimin e Kosovës”, theksohet në veprimtaritë e zhvilluara.
Në Betejën e Koshares  ranë heorikisht heronjtë  e popullit – komandantët Agim Ramdani dhe Sali Çekaj, si dhe 114 dëshmorë, të cilët përkujtohen këto ditë, si tradicionalisht, edhe me veprimtari të tjera, me nderimet më të larta të kombit.
Një nga gurët e rrënuar të kufirit ndërshqiptar në Betejën e Koshares është i ekspozuar në Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës Dr.Ibrahim Rugova, shtëpi-muze, në Prishtinë.

PRESIDENTI THAÇI: BETEJA E KOSHARES, KAPITULL I RËNDËSISHËM I FITOREVE TË UÇK-së
 
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në tubimin përkujtimor të betejës së Koshares, i cili u organizua në kuadër të manifestimit “Ditët e Shqipes”.
Presidenti Thaçi tha se para tetëmbëdhjetë vjetëve, në Koshare filloi zbatimi i fazës së parë të operacionit ushtarak “Shigjeta”, duke hapur kështu një kapitull të rëndësishëm të fitoreve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
 Për të ardhur deri tek një operacion i mirë studiuar, presidenti Thaçi tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte kaluar nëpër sprova dhe beteja përgjatë një viti të tërë.
Mbi të gjitha, Ushtria Çlirimtare e Kosovës si forcë e armatosur autentike, presidenti Thaçi tha se arriti ta ndërkombëtarizojë në nivelin më të lartë çështjen e Kosovës.
 “Për herë të parë në histori, Kosova ishte pjesë e tryezës diplomatike ndërkombëtare në Konferencën e Rambujesë. Nga kjo konferencë u krijua baza politike për fillimin e intervenimit të Aleancës Veriatlantike të NATO-s mbi caqet policore dhe ushtarake serbe”, tha presidenti Thaçi.
Pas fillimit të intervenimit të NATO-s, presidenti tha se në Kosovë u krijua një situatë e re.
“Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së shpalli Mobilizimin e Përgjithshëm, si një akt që vuri në lëvizje popullatën e aftë për t’u angazhuar në radhët e UÇK-së në mbrojtje të atdheut. Fushatën e bombardimeve të NATO-s, regjimi i Beogradit e shfrytëzoi si një pretekst shtesë për të dëbuar masivisht popullatën civile shqiptare nga trojet e veta. Në këto rrethana, Qeveria e Përkohshme dhe Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, me kuadrot e veta elite urdhëroi hartimin e operacionit “Shigjeta”, faza e parë e të cilit filloi këtu e 18 vjet më parë. Këtu në Koshare u dëshmua më së miri se drejtësia e kauzës dhe forca morale e një populli që lufton për lirinë e tij është më e madhe se çdo ushtri pushtuese”, u shpreh presidenti Thaçi. 
Beteja e Koshares rriti vetëbesimin e sprovuar të UÇK-së, shtoi presidenti Thaçi, duke bërë që me forcë për herë të parë të thyhet kufiri ndarës Kosovë – Shqipëri dhe të mundet ushtria serbe në kufi.
 “Beteja e Koshares ishte një triumf ushtarak i pastër dhe mesazh i qartë për popullatën e dëbuar nga Kosova, që së shpejti të zhvendosurit do të ktheheshin në vatrat e tyre. Përmes zonës së kontrolluar nga UÇK-ja do të hynin më lehtë edhe ndihmat humanitare për popullatën e zhvendosur brenda Kosovës. Thyerja e kufirit ishte mesazh se rruga e furnizimit me armatim për zonat e thella brenda Kosovës ishte i mundshme edhe në atë kohë”, tha presidenti Thaçi.
 Presidenti theksoi se operacioni “Shigjeta”, brenda planit të studiuar mirë kishte edhe misionin e bashkërendimit me ekspertët e NATO-s për të saktësuar vendndodhjen e forcave serbe në territorin e Kosovës.
“Operacioni ‘Shigjeta’ tregoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte pjekur për të ndërmarrë edhe operacione të luftës frontale me forcat serbe”, shtoi presidenti Thaçi.
Për luftën e zhvilluar në Koshare dhe në Pashtrik, presidenti tha se përpos që kanë madhështinë e idesë dhe projektit, kanë edhe përmasën e sakrificës. 
“Sot dhe përgjithmonë do t’i përkujtojmë me respekt të thellë dhe përulje komandantët dhe ushtarët e tyre, Agim Ramadanin, Sali Çekun, Xhemajl Fetahun dhe qindra dëshmorë që ranë për lirinë e Kosovës”, tha presidenti Thaçi. 
Kreu i vendit theksoi se falë sakrificës së djemve dhe vajzave më të mira të vendit tonë, të burrave dhe grave, të martirëve dhe gjithë rezistencës qytetare, sot Kosova është shtet i lirë, sovran dhe demokratik. 
“Nuk ka as shpifje, as çfarëdo qëndrimi armiqësor nga qarqe antishqiptare, që do të arrijnë ta njollosin luftën e drejtë dhe sakrificën sublime të luftëtarëve të lirisë. Institucionet e Kosovës do të jenë gardian i vlerave mbi të cilat është ngritur themeli i tyre. Kujdesi për familjet e dëshmorëve, për invalidët, për veteranët do të jetë gjithmonë institucional”, u shpreh presidenti Thaçi. 
Mbi këtë bazament, presidenti tha se Kosova e ka të qartë rrugën dhe vizionin euroatlantik, si shoqëri që synon të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, NATO-s dhe OKB-së.
 
KRYEMINISTRI MUSTAFA: BETEJA E KOSHARES VLERË DHE TRASHËGIMI PËR BREZAT QË VIJNË
 
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, bëri homazhe te varrezat e dëshmorëve në Koshare dhe mori pjesë në tubimin përkujtimor për nder të Ditës së heqjes me luftë të kufirit Kosovë-Shqipëri, në kuadër të manifestimit tradicional “Ditët e Shqipes”.

Me këtë rast kryeministri Mustafa tha se heqja me luftë e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë,  më 9 prill 1999, shënon njërën prej fitoreve më domethënëse të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Kosharja ishte dëshmia më e qartë e unitetit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe këtë rol historik e vendimtar e ka luajtur Brigada 138, e cila më vonë mori emrin e strategut të saj Agim Ramadani”, tha kryeministri Mustafa.
Para të pranishmëve, kryeministri Mustafa vlerësoi lartë kontributin e jashtëzakonshëm të heronjve Agim Ramadani, Sali Çekaj, Abaz Thaçi, Xhemajl Fetahu, por edhe veprën e gjithë heronjve e dëshmorëve të Betejës së Koshares dhe betejave anekënd Kosovës.
“Po ashtu krenohemi edhe me luftëtarët e gjallë të kësaj brigade që sot janë bërë pjesë e rëndësishme e ndërtimit të Kosovës dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës”, tha kryeministri Mustafa.
Të pranishmëve të shumtë në këtë tubim përkujtimor iu është drejtuar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Në emër të Brigadës 138 “Agim Ramadani”, të pranishmit i përshëndeti komandanti i kësaj brigade, Rrustem Berisha, në emër të familjarëve të dëshmorëve Bukurije Grajçevci, nëna e dëshmorit Burim Grajçevci, njëherit motra e dëshmorit Fitush Kukaj.
Në fund të ceremonisë u ndanë mirënjohje nga kryetari i Bashkisë së Tropojës, për komandantin e Brigadës 138, Rrustem Berisha si dhe nga Shoqata e Veteranëve të Luftës së Koshares, u ndanë mirënjohje për dy shoqatat që funksionojnë në diasporë me emrin e heroit të Kosovës, Sali Çekaj.  
 
Fjala e plotë e kryeministrit Mustafa:

Heqja me luftë e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë, më 9 prill 1999, nga Brigada 138 “Agim Ramadani” shënon njërën prej fitoreve më domethënëse të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
 Prandaj, ne të gjithë, jemi sot këtu për të dëshmuar edhe njëherë ndjenjën e mirënjohjes deri në përulje për pjesëmarrësit e Betejës më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
 Në aspektin luftarak, Beteja e Koshares përbën fillimin e luftës frontale për çlirimin e Kosovës. Kurse në aspektin ushtarak nxjerrë në pah përdorimin e shkathtësive të larta taktike dhe operative në luftë kundër një armiku numerikisht shumë të madh dhe të armatosur.
Ashtu sikurse edhe në frontet tjera anekënd Kosovës, Beteja e Koshares, deri në ditën e çlirimit, ishte aleati tokësor i betejës ajrore të NATO-së për çlirimin e Kosovës. 
Pjesëmarrës të nderuar,
Partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët tjerë të NATO-s është garancia e realizimit të aspiratës tonë për të jetuar të lirë, për të qenë të pavarur dhe për të vendosur vet për ardhmërinë tonë.
Është garanci se Republika e Kosovës, ashtu siç tha edhe presidenti, Forcën e saj të Sigurisë, do ta shndërroj në Forcë të Armatosur.
Stabiliteti jonë ekonomik dhe buxhetor, është garancia më e mirë se kemi stabilizuar financat dhe shteti jonë ka krijuar parakushte për ta financuar një ushtri moderne, partnere të denjë të NATO-s, aleancës më të fuqishme politike e ushtarake të botës.
Të nderuar pjesëmarrës,
Të nderuara familje të heronjve, dëshmorëve, veteranë dhe invalidë të luftës,
Kosharja ishte dëshmia më e qartë e unitetit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe këtë rol historik e vendimtar e ka luajtur Brigada 138, e cila më vonë mori emrin e strategut të saj Agim Ramadani.
Të gjithë ne, sot ndjehemi krenar me veprën e heronjve Agim Ramadani, Sali Çekaj, Abaz Thaçi, Xhemajl Fetahu, me veprën e gjithë heronjve e dëshmorëve të Betejës së Koshares dhe betejave anekënd Kosovës.
Por, po ashtu krenohemi edhe me luftëtarët e gjallë të kësaj brigade që sot janë bërë pjesë e rëndësishme e ndërtimit të Kosovës dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës.
Ndjenja e krenarisë për veprën e heronjve tanë, pjesëtarë të Brigadës 138 “Agim Ramadani” do të na nderojë të gjithëve dhe ne duhet të punojmë në frymën e unitetit kombëtar e qytetar, për të zhvilluar Kosovën dhe për ta bërë pjesë të familjes euroatlantike.
Ne këtë ua kemi borxh dëshmorëve të rënë në betejën e lavdishme të Koshares dhe në betejat tjera anekënd  Kosovës.
Trashëgimia e angazhimit të përbashkët për Kosovën, që na e ka lënë Beteja e Koshares, është vlerë të cilën ne duhet ta përdorim për të punuar, për ta zhvilluar  Kosovën dhe për t’i zhvilluar të gjitha vlerat si trashëgimi për brezat që vijnë.
Për të gjithë ata që u flijuan për Kosovën, përgjigja më e mirë është ndërtimi i një Kosove të fortë, të zhvilluar ekonomikisht, të aftë për të mbrojtur sovranitetin e saj shtetëror, të respektuar nga fqinjët dhe vendet tjera, si faktorë të paqes, unitetit dhe stabilitetit në rajon. Një Kosovë të dashur, të respektuar dhe të admiruar, para së gjithash nga qytetarët e saj.
Neve na takon ta duam Kosovën, sepse vetëm ashtu na respektojnë të tjerët. 
Pjesëmarrës të nderuar,
Do t’u jemi gjithmonë mirënjohës të gjithë atyre shqiptarëve, nga të gjitha trevat e Kosovës dhe trojet shqiptare, për kontributin e tyre në Betejën e Koshares dhe në beteja tjera të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
 Veçanërisht, me përulje do të përkujtojmë edhe të rënët nga vendet tjera mike.
Lavdi jetës dhe veprës së dëshmorëve të Brigadës 138 “Agim Ramadani”
Lavdi të gjithë dëshmorëve të luftës për çlirimin e Kosovës!
Zoti e bekoftë Kosovën!

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Kosharja, Mustafa, Thaci

Shqipëria, krah i fuqishëm për Kosovën

April 8, 2017 by dgreca

-Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani theksoi se Shqipëria i gëzohet progresit që po bënë Qeveria e Kosovës për të zhvilluar shtetin në planin e brendshëm dhe të jashtëm, në të mirën e gjithë qytetarëve/-Ministrja Edita Tahiri u takua me Presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani/

1 Nishani

PRISHTINË, 8 Prill 2017-Gazeta DIELLI/Ministrja për Dialog e Republikës së Kosovës,  Edita Tahiri u takua me Presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani me të cilin biseduan për zhvillimet e fundit në të dyja shtetet si dhe rritjen e bashkëpunimit në kuadër të angazhimeve të përbashkëta për integrimet euroatlantike.

Në këtë takim që u zhvillua në Stamboll me rastin e pjesëmarrjes në Samitin ekonomik euroaziatik, ministrja Edita Tahiri vlerësoi lartë mbështetjen e Shqipërisë për forcimin e shtetit të Kosovës, rritjen e njohjeve si dhe përshpejtimin e integrimit të Kosovës në strukturat euroatlantike. Ajo theksoi se Shqipëria është krah i fuqishëm për Kosovën në rrugëtimin shtetëror dhe kombëtar, ndërkaq theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit për të përballuar sfidat e reja të sigurisë për Kosovën, Shqipërinë por edhe gjithë rajonin.

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani theksoi se Shqipëria i gëzohet progresit që po bënë Qeveria e Kosovës për të zhvilluar shtetin në planin e brendshëm dhe të jashtëm, në të mirën e gjithë qytetarëve. “Përparimet e Kosovës drejt integrimit evropian, nënshkrimi i Marrëveshjes Stabilizim Asocim janë tregues që Kosova është në rrugën e drejt. Shqipëria mbështet fuqishëm perspektivën euroatlantike të Kosovës dhe ne do jemi në një bashkëpunim dhe bashkërendim të veprimtarisë tonë së bashku për realizimin e këtij qëllimi madhor” tha presidenti Nishani.

Gjatë këtij takimi u rikonformua rëndësia e bashkëpunimeve në fushat konkrete në të mirën e të dyja shteteve dhe kombit shqiptar në përgjithësi.

Gjatë qëndrimit në Stamboll, ministrja Edita Tahiri zhvilloi edhe një varg takimesh me qeveritar dhe politikan nga vende të ndryshme. Ajo u takua me Natiq Aliyev, Ministër i Energjisë së Azerbajxhanit, me ish-ministrin e Mbrojtjes së Austrisë, Werner Fasslabend, ish zëvendëskryeministrin e Malit të Zi, Jusuf Kalamperovic, me deputetin e Parlamentit të Turqisë, Selahattin Minsolmaz, me një delegacion nga India të përfaqësuar nga Këshilli Ekonomik i Bizneseve, me Aziz Sahin, President i Këshillit Evropian të Bashkëpunimit të Bizneseve të Turqisë dhe i Iniciativës për Binjakëzimin e Qyteteve, etj.

Takimi me ish-ministrin e Mbrojtjes së Austrisë, Werner Fasslabend, ishte i veçantë për faktin se ai ka qenë Ministër i mbrojtjes së Austrisë në periudhën dhjetë vjeçare të çlirimit të Kosovës , ku biseda u përqendrua në evokim kujtimesh të bashkëpunimit nga ajo kohë, ndërsa ministrja Tahiri e falënderoi atë dhe Austrinë për gjithë mbështetjen për Kosovën, duke përmendur edhe faktin se Austria kontribuoi edhe me aplikimin për kodin telefonik shtetëror për Kosovën pranë ITU-së dhe se Kosova ka tashmë kodin e vet telefonik./b.j/

Filed Under: Komente Tagged With: Behlul Jashari, bujar nishani, Minsitrja Edita Tahiri, presidenti

Kosova 9 vjet me Kushtetutë shteti të pavarur

April 8, 2017 by dgreca


1 Rugova
– Kosova shtet shënon 9 vjetorin e Kushtetutës me arritje historike, në ceremoninë solemne edhe ambasadori i SHBA-ve Greg Delawie, ambasadori i Shqipërisë Qemal Minxhozi dhe të ftuar të tjerë/

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/
 
PRISHTINË, 8 Prill 2017/ Është zhvilluar mbrëmë në Prishtinë ceremonia solemne e shënimit të përvjetorit të nëntë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, organizuar nga Ministria e Drejtësisë, ku u theksuan arritjet historike të shtetit të ri evropian.
Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, tha se Dita e Kushtetutës është një datë historike për Kosovën dhe se me Kushtetutën tonë po ecim përkrah botës së qytetëruar.
“Para nëntë vjetësh, ne, populli i Kosovës, miratuam Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ku vendosëm për të ndërtuar një ardhmëri të Kosovës si një vend i lirë, demokratik dhe paqedashës, i cili do të jetë atdhe i të gjithë qytetarëve të vet. Aty shprehëm përkushtimin për krijimin e një shteti të qytetarëve të barabartë, i cili do të garantojë të drejtat e secilit , liritë qytetare dhe barazinë e të gjithë qytetarëve para ligjit”, u shpreh presidenti Thaçi.
Kryeministri Isa Mustafa tha se mund të konstatohet me bindje të fortë se Kushtetuta e Kosovës ka qenë dhe mbetet bazë e fortë dhe e dëshmuar për qëndrueshmërinë e demokracisë dhe shtetndërtimit në Kosovë. 
 “Kushtetuta e Kosovës mbetet një busull juridike dhe politike e rrugëtimit tonë drejt vlerave perëndimore, drejt integrimeve evropiane dhe lirive universale. Me këtë Kushtetutë ne kemi arrit që të zhvillojmë të gjithë sektorët tanë, të gjitha fushat tona, të sigurojmë edhe zhvillimin ekonomik, që sot është më i larti në rajon si e vërteton edhe Banka Botërore”, theksoi kryeministri Mustafa duke shprehur përkushtimin e qeverisë që të zbatojë me përpikëri çdo shkronjë të Kushtetutes.
 Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi kujtoi punën që është bërë në përmbushjen e vullnetit të qytetarëve, por edhe obligimeve ndërkombëtare që kishte Kosova në kohen e miratimit të Kushtetutës, e cila edhe pas sfidimeve është pikë referente për të gjithë qytetarët.
“Nuk ka individ sot, edhe pozitë edhe opozitë, edhe ata që në fillim e kanë dashur më pak Kushtetutën, që nuk referojnë veprimet e tyre në Kushtetutën e Kosovës, dhe kjo na gëzon”, tha zëvendëskryeministri Kuçi.
Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, falënderoi tё pranishmit pёr pjesëmarrje nё kёtё ceremoni, duke e vlerësuar kёtё përvjetor si tё rëndësishëm pёr sistemin e drejtësisë dhe Republikën e Kosovës. 
“Në këtë përvjetor si çdo herë kujtojmë me krenari  të gjithë ata që kontribuuan dhe dhanë shumë që ne të arrijmë të kemi sot një Kushtetutë modern”, theksoi ministrja Hoxha.
Në ceremoninë solemne ishin të pranishëm edhe kryeparlamentari Kadri Veseli, ministra, deputetë, ambasadorë të akredituar në Republikën e Kosovës, mes të cilëve ambasadori i SHBA-ve Greg Delawie, ambasadori i Shqipërisë Qemal Minxhozi dhe të ftuar të tjerë.
  Kosova para 9 viteve miratoi Kushtetën e Republikës, e cila në nenin 1 e përcakton “shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”.  Ishte viti 2008 kur u miratua nga Kuvendi i Kosovës akti më i lartë  juridik i shtetit në ditën e 9 prillit, më pak se dy maj pas shpalljes së pavarësisë në 17 shkurtin historik, ndërsa ka hyrë në fuqi në 15 qershor.
Atëherë, dekretimi i 41 ligjeve, të  dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet më të rëndësishme të ditës së hyrjes në fuqi të Kushtetutës.
Ndërsa zhvillimet më të rëndësishme brenda nëntë viteve ishin në 2012-tën, kur Kuvendi, në 7 shtator,  ka miratuar amendamentimin e  Kushtetutës së Republikës lidhur me përfundimin e mbikëqyrjes  ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, ndërsa në 10 shtator pasoi vendimi i Grupit Drejtues Ndërkombëtar, i mbledhur në Prishtinë, për përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare.
Deri në 9 vjetorin e Kushtetutës Pavarësia e Kosovës është e njohur nga 114 shtete anëtare të OKB-së.
Në rrugën drejt pavarësisë Kosova ka një histori kushtetuese edhe para kushtetutës së saj të parë si shtet i pavarur me njohje ndërkombëtare.
Kosova ka pasur Kushtetutën e saj prej vitit 1974, e cila i ka siguruar mëvetësi organizative dhe të drejtë vetoje në nivelin federal, si njësi konstituive, ashtu si edhe njësive të tjera të federatës, nga shpërbërja e së cilës janë ndarë shtatë shtete.
Kosova, në vitin 1990, pas kundërshtimeve të fuqishme institucionale e gjithëpopullore të “kushtetutës së tankeve” serbe me të cilën dhunshëm e përgjakshëm në mënyrë kundërkushtetuese i suprimohej autonomia, në rrethana të okupimit,  shpalli Deklaratën e pavarësisë në 2 korrik e më pastaj Kuvendi miratoi në 7 shtator Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Republika e Kosovës me kushtetutën e vet atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, por njihej në botë si “shteti paralel i shqiptarëve të Kosovës” për pothuaj një dekadë.
Prej vitit 2001 deri para nëntë viteve, Kosova ka pasur një Kornizë Kushtetuese, e miratuar nga OKB-ja, e cila ishte dokument më shumë inicial kushtetues, por ka mundësuar zhvillimin e vendit nga një krijesë de fakto e pavarur, ndonëse nën protektorat, në një entitet shtetëror të pavarur, edhe pse nën mbikëqyrje ndërkombëtare për një kohë.
Kosova është e lirë nga 12 qershori i vitit 1999 i hyrjes së trupave të para të NATO-s në ndërhyrjen shpëtimtare për popullin kosovar.
 Dita e Kushtetutës, 9 prilli, është festë shtetërore, sipas Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, të miratuar në Kuvend në 21 maj 2008 e të  shpallur me Dekretin e Presidentit të Republikës të 15 qershorit po të atij viti.

Filed Under: Featured Tagged With: 9 vjet, Behlul Jashari, kosova, Kushtetute

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 135
  • 136
  • 137
  • 138
  • 139
  • …
  • 245
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ABAZ KUPI – NJË FIGURË QËNDRORE E MBRETËRISË SHQIPTARE
  • “Skanderbeg in American Prose and Press”
  • Reçak and the Unfinished Business Between Kosovo and Serbia
  • Boshti i Kujtesës dhe i Udhërrëfimit: Nga Skënderbeu te Gërvallët dhe Kadri Zeka
  • Kryezoti
  • Evropa përballë një realiteti të ri sigurie; gjeneralët nuk po frikësojnë – po paralajmërojnë
  • Groenlanda, nyja strategjike e sigurisë globale dhe prova e realitetit të fuqisë amerikane
  • Muzika si art i komunikimit njerëzor
  • Keqkuptimi i mendimtarëve afatgjatë nga Shqipëria
  • “KUR SHTETI SULMON ZËRIN E VET”
  • Amerika dhe Rendi i Ri Botëror: Forca, Përgjegjësia dhe e Ardhmja e Perëndimit
  • Këmbana lufte – “Gruaja që Vinte nga Mjegulla” botohet në gjuhën angleze
  • The Last Besa…
  • FRANG BARDHI ME VEPRËN E TIJ, APOLOGJI E SKËNDERBEUT MBROJTI ME BURIME TË SHEK.XV E XVI, ORIGJINËN SHQIPTARE-ARBËRORE  TË SKËNDERBEUT
  • Ismail Qemali, 16 janar 1844 – 24 janar 1919

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT