• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

QEVERIA E KOSOVËS APROVOI PROJEKTLIGJIN PËR TREPÇËN

October 5, 2016 by dgreca

1-qeveria-kosove-5tetor2016-Qeveri e Kosovës miraton e procedon në Kuvend Projektligjin për Trepçën, të premtën seanca plenare/

-Trepça është pronë e Republikës së Kosovës dhe kjo nuk mund të negociohet/

-Projektligjin për Trepçën nuk e votuan përfaqësuesit e Listës Serbe në qeverinë e Kosovës/

-Ligji për Trepçën-falënderim në jug, kundërshtim në veri/

1-qev-treshePRISHTINË, 5 Tetor  2016-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Projektligji për Trepçën  procedohet nga qeveria, e mbledhur sot, ndërsa do jetë në axhendën e Kuvendit të Kosovës në seancën plenare të së premtës, sipas vendimit të së hënës të Kryesisë me shefat e grupeve parlamentare.

Në seancën e kaluar të Kuvendit të Kosovës, në 29 shtator, kryeministri Isa Mustafa, duke u përgjigjur në pyetjet parlamentare, paralajmëroi një Ligj për Trepçën  “në afatin që të mos rrezikohet e ardhmja e saj”.

Ndërsa, sot në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Mustafa theksoi se, “me ligj është thënë qartë se prona e Trepçës është pronë e Republikës së Kosovës dhe se kjo nuk mund të negociohet, se resurset minerare janë pronë e Kosovës”.

Ministri i zhvillimit ekonomik Blerand Stavileci ka theksuar se projektligj ka për qëllim krijimin e infrastrukturës për revitalizimin dhe investimet në Trepçë, se qeveria do  ketë 80 për qind të aksioneve ndërsa punëtorët 20 për qind.

“Gjashtë muaj më së voni nga hyrja në fuqi e këtij ligji, qeveria së bashku me Bordin Mbikëqyrës të Ndërmarrjes, do t’ia prezantojnë Kuvendit për aprovim Strategjinë Zhvillimore të Trepçës”, tha ai.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në 1 tetor, gjatë vizitën në ndërmarrjen Trepça ka paralajmëruar perspektivë dhe ecje përpara duke theksuar se, “ligji i ri do të jetë në favor të punëtorëve, pa dallim etnie dhe religjioni, si dhe në favor të shtetit tonë në përgjithësi”.

Ndërsa, sipas medias serbe, drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç ka deklaruar sot se, “autoritetet e Prishtinës përmes projektligjit për Trepçën duan ta nacionalizojnë atë kombinat, por kjo nuk do iu kalojë dhe se Beogradi do e mbrojë në çdo mënyrë”.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë së Kosovës projektligjin për Trepçën nuk e kanë votuar tre përfaqësuesit e Listës Serbe, që janë një zëvendëskryeministër e dy ministra.

Qeveria e Kosovës, e koalicionit të dy partive më të mëdha PDK e LDK, ku përfshihen edhe parti të vogëla dhe minoritetet, zhvilloi sot mbledhjen e 111-të, të 43-tën në 2016-tën, në vazhdim të punës në vitin e saj të dytë që nga zgjedhja në 9 dhjetor 2014, në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit.

RAPORTI I GJERË: QEVERIA E KOSOVËS APROVOI PROJEKTLIGJIN PËR TREPÇËN

Prishtinë, 5 tetor 2016/ Qeveria e Republikës së Kosovës mbajti mbledhjen e 111, të drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, ku ndër të tjera miratoi Projektligjin për Trepçën.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik ka prezantuar këtë Projektligj që ka për qëllim krijimin e infrastrukturës ligjore e cila synon një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik përmes hapjes së rrugës për investime, rritjen e vlerës së aseteve dhe avancimin e kapitalit tekniko-teknologjik si parakusht për vitalizmin e “Trepçës”, jetike për mirëqenien sociale të punëtorëve dhe interesin e përgjithshëm publik. Dispozitat e këtij projektligji përcaktojnë transformimin e disa njësive biznesore të Ndërmarrjes Shoqërore “Trepça” në Shoqëri Aksionare me ç‘rast Qeveria e Republikës së Kosovës do të jetë pronar i 80 për qind të këtyre aksioneve, ndërsa punëtorët pronarë të 20 për qind të aksioneve. Më detajisht dhe më saktësisht nenet tjera të kapitullit që bënë fjalë për aksionarët i rregullojnë këto çështje.

Po ashtu, ky projektligj trajton nëpërmjet kapitujve të tij, edhe këto çështje specifike: resurset minerale, bartjen e pasurive të të drejtave dhe burimeve njerëzore, statusin, regjistrimi dhe qeverisja e Shoqërisë Aksionare, mundësia e formimit edhe të njësive tjera biznesore, mundësia e pjesëmarrjes së sektorit privat, çështje sociale dhe raportin me komunitetin, pretendimet e kreditorëve si dhe dispozitat kalimtare dhe përfundimtare.

Ministri Blerand Stavileci, po ashtu, tha se ky proces nuk përfundon me kaq dhe se qysh në fillim secili prej institucioneve ka marrë detyrat e tyre: komisioni parlamentar trajtimin e disa rasteve studimore; Agjencia Kosovare e Privatizimit përgatitjen e Studimit të Fizibilitetit; dhe që pastaj hap rrugë për Strategjinë Zhvillimore të “Trepçës”.

“Edhe në ligj e kemi precizuar që gjashtë muaj më së voni nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Qeveria së bashku me Bordin Mbikëqyrës të Ndërmarrjes, do t’ia prezantojnë Kuvendit për aprovim Strategjinë Zhvillimore të saj. Duke e ditur që kjo ndërmarrje nuk është një ndërmarrje e thjeshtë dhe karakteri i punëve që janë aty ka një karakter shumë komercial, atëherë kemi dashur që shumë më shumë t’i japim trajtën e një Shoqërie Aksionare e cila i hap në të ardhmen rrugë investimeve, po ashtu edhe tek pjesa ku flet për punëtorët, një lloj kontributi i cili lidhet edhe me performancën e tyre në bazë të njësive biznesore ku ata janë të punësuar. Pra, kemi një ndërmarrje e cila në trajtën e një Shoqërie Aksionare, e cila i ka të definuara shumë mirë me parimet e qeverisjes korporative, dhe të cilat janë të përfshira edhe këtu. Jemi munduar pra që në kuadër të kapitullit të qeverisjes sa më mirë t’i specifikojmë funksionet e dy strukturave kryesore organizative të nivelit më të lartë në hierarkinë e kësaj Shoqërie, Bordit Mbikëqyrës dhe Bordit Menaxhues, dhe natyrisht që në shumë çështje tjera mbetet të precizohen nëpërmjet Statutit të saj. Po ashtu një kapitull shumë i rëndësishëm është ai i mundësisë së pjesëmarrjes së sektorit privat, që qysh tani ky aset i rëndësishëm të nis rrugën e saj të revitalizimit dhe të jetë i hapur për investime të ndryshme. Ne e dimë që sektori minerar në përgjithësi dhe fushat e veçanta të cilat i trajton në këtë rast edhe mineralet dhe xehet “Trepça”, sot për sot në botën bashkëkohore, i kemi disa modele të investimeve të cilat janë të preferuara. Ne edhe këto i kemi paraqitur, pra katër forma të mundshme të tyre: partneriteti publiko-privat; investimet private direkte; investimet e përbashkëta; po ashtu meqenëse kemi të bëjmë me një lloj shoqërie të tillë, edhe mundësia e shitjes dhe emetimit të aksioneve. Tjetër risi është edhe kapitulli për çështje sociale dhe komunitetin. Pra, kemi bërë edhe këtu në kuadër të principeve që kanë sot korporatat gjithandej, ta fusim konceptin e ri të përgjegjësisë sociale. Po ashtu edhe një përqindje e caktuar, e kemi si propozim, e rentës minerare, të jetë e dedikuar për komunitetin, në mënyrë që të mundësoj investime në fushën e infrastrukturës, mbrojtjes së mjedisit, shëndetësisë, arsimit dhe sportit”, tha ministri Stavileci.

Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu foli për Projektligjin për Trepçën.

“Ndoshta mund të jetë një mos të them problem, por pasqyrë e veçantë kjo që është përshtypja që në mënyrë të ngutshme ne po e vëmë këtë në rend dite edhe në Qeveri edhe në Kuvend. Kam parasysh edhe vërejtjet për këtë që dhanë disa anëtarë të Qeverisë, mirëpo po ashtu kam parasysh edhe një periudhë shumë të gjatë kohore, në të cilën ne kemi punuar për gjetjen e mundësive më të mira për statusin e ardhshëm të “Trepçës”. Ne e kemi themeluar me kohë një komision këtu në Qeveri, që ka pasur për detyrë të hartojë Ligjin për “Trepçën” dhe të përcaktojë statusin e saj, një komision i cili është përbërë prej ekspertëve që ne kemi menduar se janë më të mirët në këtë fushë, përfshirë edhe komunitetin serb. Kemi pasur prezantimin e pesë studimeve të rastit, që janë financuar nga Qeveria, por janë bashkërenditur nga Komisioni për Ekonomi i Kuvendit të Republikës së Kosovës, që kanë trajtuar rastet e ngjashme ose të njëjta me vendet qoftë në tranzicion ose me vendet e tjera, të cilat pastaj na kanë shërbyer që ne të marrim disa elemente shumë të rëndësishme nga ato dhe t’i inkorporojmë në këtë ligj. Agjencioni për Privatizim ka kontraktuar Studimin e Fizibilitetit, për të cilin ne jemi zotuar me këtë ligj, se rezultatet e atij studimi, do t’i aplikojmë qoftë në themelimin e njësive të pavarura të ardhshme, qoftë edhe në atraktimin e kapitalit privat në “Trepçë”.

Natyrisht se unë si Kryeministër nuk mund të konstatoj se ne me këtë kemi gjet zgjidhjen optimale edhe një zgjidhje të pëlqyeshme dhe të pranueshme për të gjithë, por jam shumë i bindur se është një zgjidhje shumë e mirë për “Trepçën”, se ky ligj për “Trepçën” është me rendësi të veçantë, duke pasur parasysh se “Trepça” paraqet një sinonim të zhvillimit ekonomik të Kosovës, por paraqet po ashtu një sinonim të sakrificës dhe flijimit për Kosovën, që nuk duhet ta lëmë anash. Por, ne me këtë ligj, si Qeveri, nuk pretendojmë në asnjë rast që ta kthejmë “Trepçën” në të kaluarën, por pretendojmë dhe kemi për qëllim që të pasqyrojmë të ardhmen dhe të hapim të ardhmen e “Trepçës”. Kjo e ardhme mendoj se është mjaft mirë e prezantuar në ligj, sepse janë konsultuar përvojat më të mira dhe rastet më të mira, të cilat na ndihmojnë që ky ligj të mbështes zhvillimin ekonomik, të respektoj kriteret e ekonomisë së tregut dhe të mbrohen interesat e punonjësve, përkatësisht minatorëve të “Trepçës”, përkatësisht të atyre që sot punojnë dhe të atyre që do të punojnë edhe në të ardhmen, sepse ligji i ofron mundësi të hapjes. Me ligj është thënë qartë se prona e “Trepçës” është pronë e Republikës së Kosovës dhe se kjo nuk mund të negociohet, se resurset minerare janë pronë e Kosovës, por po ashtu kemi hap një kapitull të ri në të cilin kemi paraparë që asetet mbitokësore të “Trepçës” janë aset mbi të cilat Qeveria e Republikës së Kosovës do të ketë aksione 80 për qind dhe 20 për qind do të jenë të punëtorëve të “Trepçës”, dhe po ashtu edhe 20 për qind nga taksat minerare do t’i ndajmë për komunat, përkatësisht për komunitetin në të cilat veprojnë njësitë organizative të “Trepçës”, në mënyrë që të ndihmojmë atje ndërtimin e infrastrukturës, ndërtimin e objekteve të arsimit, kulturës, shëndetësisë, dhe të kompensojmë të gjitha dëmet që ju krijohen vendbanimeve atje dhe ambientit në atë pjesë.Unë mendoj se organizimi i tillë e nxit frymën konkurruese, sepse kemi pjesëmarrje në aksione edhe të punëtorëve të cilët do t’i mbajnë fitimet e tyre në njësitë organizative ku ata i realizojnë këto fitime dhe nuk do të ketë derdhje të të ardhurave prej një njësie në njësinë tjetër, ndërkaq “Trepça” do të jetë organizatë unike me bilanc të konsoliduar, pra njësitë biznesore do ta kenë pavarësinë e tyre në të ardhura, në shpenzime, në identifikimin e rezultatit dhe në ndarjen e devidentit sipas rezultatit që arrihet. E tha edhe ministri gjatë prezantimit që në bazë të Studimit të Fizibilitetit, lihen mundësi të hapura për themelimin e organizatave të reja, të themi te metalurgjia e plumbit, zinkut, industria kimike, por edhe të atyre tjerave që merren me përpunimin dhe me finalizimin e produkteve, edhe për partneritet privat, qoftë përmes investimeve direkte, investimeve të përbashkëta, shitjes së aksioneve.

Unë nuk shoh asnjë arsye që ne në këtë fazë të mos e përkrahim këtë zgjidhje. Unë pajtohem që edhe gjatë procedurave të Kuvendit të mundohemi që, përmes propozimit të amendamenteve, të gjejmë zgjidhje që do të jenë të pranueshme për shumicën e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Por, mund t’ju siguroj se ligji nuk është hartuar për të mbrojtur interesa politike, sepse ne përmes “Trepçës” tani nuk do të zhvillojmë aktivitete të tilla, por është hartuar që “Trepçën” ta konstituojmë në të ardhmen si organizatë e cila do të punojë mbi bazat e ekonomisë së tregut, do të realizojë objektivat ekonomike, do t’ju ndihmojë të punësuarve atje, do të rregullojë çështjet e ambientit dhe do të ndihmojë zhvillimin ekonomik të vendit, nga e cila përfitojnë të gjithë njerëzit dhe të gjitha komunitetet, dhe ky është qëllimi ynë themelor që pretendojmë ta realizojmë edhe përmes këtij ligji. Prandaj, ju ftoj që ta përkrahim, ta votojmë dhe ta procedojmë në Kuvend, dhe po ashtu të jemi aktiv edhe në Kuvend dhe të përkrahim të gjitha iniciativat e deputetëve dhe grupeve parlamentare në Kuvend të cilat mund të përmirësojnë edhe më tutje këtë ligj”, tha kryeministri.

1-trepca-veriKOSOVË-LIGJI PËR TREPÇËN-FALËNDERIM NË JUG, KUNDËRSHTIM NË VERI

1-trepca-jug

Menaxhmenti dhe Sindikata e  Ndërmarrjes Trepça në jug në një deklaratë të dërguar falënderojnë për procedimin e ligjit për Trepçën nga qeveria e Kosovës në Kuvend.

“E falënderojmë qeverinë për këtë hap të shumëpritur  dhe paraprakisht i falënderojmë të gjitha grupet parlamentare që shpresojmë shumë se duke votuar pro ligjit për Trepçën do të bëhen pjesë e fillimit të epokës së zhvillimit për Trepçën”, thekson deklarata.

“Ne si menaxhment i Trepçës dhe sindikata e pavarur e punëtoreve të Trepçës zotohemi për marrjen e obligimeve zhvillimore të Trepçës, e që do të jenë me shumë interes për të gjithë”, përfundon deklarata.

Ndërsa, sipas medias serbe,  në veri punëtorët serbë të Trepçës kanë bllokuar sot për 15 minuta rrugën magjistrale që kalon nëpër komunën Zveçan për të kundërshtuar kështu procedimin e ligjit për Trepçën në Kuvendin e Kosovës.

 

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Behlul Jashari, për Trepçën, PROJEKT – LIGJI, qeveria e Kosoves

Speciale – Kosova para çerek shekulli votoi 99,87% për Pavarësi

September 24, 2016 by dgreca

Foto Gazeta DIELLI: Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Ramë Manaj, drejtorët Ruzhdi Panxha e Hamit Shala dhe korrespondenti në Kosovë i Gazetës Dielli, Behlul Jashari/

2-behlul

Kosova para çerek shekulli votoi 99,87% për Pavarësi

-Në Kosovë, para 25 vitesh u zhvillua shumë suksesshëm Referendumi për pavarësi. Kosovarët votuan 99,87 për qind për Kosovën shtet Sovran dhe i Pavarur në Referendumin e shpallur nga Kuvendi i saj dhe të zhvilluar nga 26 deri në 30 Shtator 1991, e që pasonte  Deklaratën Kushtetuese për Pavarësi të 2 Korrikut e Kushtetutën  e shpalljes së Republikës të 7 Shtatorit 1990, e pasohej edhe me zgjedhjet e para pluraliste, presidenciale e parlamentare të 24 Majit 1992, ku Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Republikës së Kosovës e u zgjodhën edhe deputetët e Kuvendit/

-Presidenti Rugova: Referendumi është një akt që e afirmoi tutje dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë së Kosovës, në të tashmen dhe në të ardhmen/

-Dëshmi për Referendumin e Pavarësisë – nga organizatorët, nga Arkivi Shtetëror i Kosovës që është një shtëpi e madhe-pallat dokumentesh historike, nga gazeta “Bujku” – e përditshme e rezistencës, e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi…/

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

1-rilindja

PRISHTINË, 24 Shtator 2016/ Në Arkivin Shtetëror të Kosovës që është një shtëpi e madhe-pallat dokumentesh lexojmë historinë. Në ballinat gazetës së rezistencës “Bujku” të para çerek shekulli, lexojmë kryetitujt: KOSOVA FILLOI REFERENDUMIN PËR SOVRANITET – në numrin e 27 shtatorit 1991 dhe MBI 99 PËR QIND TË VOTUESVE PËR SOVRANITETIN SHTETËROR TË KOSOVËS në numrin e 4 tetorit 1991, ku mbititulli është: Kumtesë e Komisionit Qendror për Zbatimin e Referendumit të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ndërsa, në nëntitull theksohet: Prej më se 1 milion votuesve kanë dalë në votime mbi 870 mijë veta ose rreth 85 për qind e numrit të pëgjithshem të qytetarëve me të drejtë vote. Pjesëmarrja e serbëve dhe e malazezve në referendum ishte simbolike.Më tej në kryeartikullin e gazëtës “Bujku” lexojmë:  Deri më 3.10.1991 Komisionit Qendror të Kuvendit të Republikës së Kosovës për zbatimin e referendumit për Republikën e Kosovës shtet sovran dhe i pavarur i kanë arritur rezultatet e votimeve nga të gjitha komunat e Kosovës, si edhe nga disa shtete të Evropës Perëndimore, nga SHBA-të, Australia e të tjerë. Ende nuk kanë arritur rezultatet e votimeve të qytetarëve të Kosovës që punjnë përkohësisht në disa republika të tjera në Jugosllavi, si edhe nga disa shtete të Evropës Perëndimore, e supozohet se është një numër i madh i votuesve.

Nga përpunimi i rezultateve të votimimeve që kanë arritur mund të konstatohet se në Referendum, prej më tepër se 1 milion votuesve, kanë dalë më shumë se 870.000 votues, ose afër 85 për qind të numrit të përgjithshëm të qytetarëve me të drejtë vote. Për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur janë deklaruar 99,8% të votuesve.

Rezultatat e votimeve dhanë mundësi të konstatohet se në Referendum ka dalë një numër i konsiderueshëm i myslimanëve, turqve, kroatavë, romëve e të tjerë, ndërsa pjesëmarrja e serbëve dhe e malazezve ishte simbolike.

Komisioni Qendror për zbatimin e Referendumit lut të gjitha komisionet, të cilat nuk i kanë dorëzuar ende rezultatet e votimeve, ta bëjnë këtë sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që të kumtohen rezultatet përfundimtare të Referendumit, thuhet në kumtesën e Komisionit Qendror për zbatimin e referendumit të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Kështu, në Kosovë, para 25 vitesh u zhvillua shumë suksesshëm referendumi për pavarësi. Kosovarët votuan 99,87 për qind për Kosovën shtet Sovran dhe i Pavarur në referendumin e shpallur nga Kuvendi i saj dhe të zhvilluar nga 26 deri në 30 Shtator 1991, e që pasonte  Deklaratën Kushtetuese për pavarësi të 2 Korrikut e Kushtetutën  e shpalljes së Republikës të 7 Shtatorit 1990, e pasohej edhe me zgjedhjet e para pluraliste, presidenciale e parlamentare të 24 Majit 1992, ku Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Republikës së Kosovës e u zgjodhën edhe deputetët e Kuvendit.

“Në Referendum dolën 914.802 veta ose 87,01% e 1.051.357 qytetarëve me të drejtë vote, prej tyre për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur votuan 99,87%. Kundër kishin votuar 164 veta, ndërsa të pavlefshme ishin 933 fletëvotime”, konsatonte Komisioni Qendror i Kuvendit të Republikës së Kosovës për Zbatimin e Referendumit në raportin përfundimtar.
Gjithnjë sipas rezultateve zyrtare përfundimtare të shpallura nga Komisioni, në votim, për shkaqe dhe arsye të ndryshme, nuk dolën 136.555 votues apo veç 12,99% e qytetarëve të Republikës së Kosovës me të drejtë vote.  Për realizimin e Referendumit pati 1500 vendvotime me 450 njësi votuese.

Referendumi për Pavarësinë, seancat e Kuvendit për Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut dhe për Kushtetutën e Republikës së Kosovës të 7 Shtatorit 1990, si edhe zgjedhjet e para shumëpartiake parlamentare e presidenciale të 24 Majit 1992,  janë mbajtur në rrethana të një okupimi të egër të regjimit të Beogradit dhe të një shtetrrethimi ushtarako-policor, ndërsa ishin mesazhe të fuqishme dhe të qarta të Kosovës për gjithë botën në një kohë të lëvizjes gjithëpopullore për liri, pavarësi e demokraci.

PRESIDENTI HISTORIK, DR. IBRAHIM RUGOVA: REFERENDUMI, AKT QË E AFIRMOI TUTJE DHE ËSHTË NJË GARANCI PËR REALIZIMIN E PAVARËSISË SË KOSOVËS

Referendumi i 26 deri 30 shtatorit1991 “është një akt që e afirmoi tutje dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë së Kosovës, në të tashmen dhe në të ardhmen”,  theksonte  Presidenti historik i Republikës së Kosovës,  Dr. Ibrahim Rugova

Referendumi i 26 deri 30 shtatorit1991 “është një akt që e afirmoi tutje dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë së Kosovës, në të tashmen dhe në të ardhmen”,  theksonte  Presidenti historik i Republikës së Kosovës,  Ibrahim Rugova, në intervistën e parë ekskluzive të një presidenti kosovar për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH),  që e kam zhvilluar pikërisht në shtatorin e para 22 viteve, atëherë në 3 vjetorin e ngjarjes historike të deklarimit të vullnetit kombëtar e demokratik të popullit të Kosovës.

Një nga pyetjet e intervistës me Presidentin Rugova ishte: Populli i Kosovës u deklarua për një shtet të tillë edhe me Referendumin për pavarësi, pikërisht në shtatorin e para tre vjetëve. Ju lutemi edhe për një koment në përvjetorin e kësaj ngjarje madhore.

Përgjigja e Presidentit Rugova ishte kjo: “Referendumi për Kosovën e pavarur e neutrale, që u mbajt me sukses në ditët e fundit të shtatorit të vitit 1991, është një ngjarje shumë e rëndësishme. Pas Deklaratës kushtetuese e Kushtetutës së Republikës ajo tregoi në mënyrë plebishitare vullnetin dhe dëshirën e popullit, që ishte vijëzuar në dokumentet e mëparshme. Ky referendum ka rëndësi edhe shqiptare edhe ndërkombëtare, si akt i deklarimit të popullit të Kosovës. Pas tij pasuan edhe referendumet në viset e tjera shqiptare. Pasuan edhe zgjedhjet e lira, shumëpartiake, si një materializim i pushtetit që del nga ky referendum dhe nga situata e përgjithëshme e Kosovës. Pra, është një akt që e afirmoi tutje dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë së Kosovës, në të tashmen dhe në të ardhmen.

Mbase pse jemi në situatë të rëndë, shpesh nuk po i vlerësojmë disa akte që i kemi bërë, që janë më afër. Prandaj, dua të them se me referendum, për herë të parë shqiptarët e Kosovës dhe të gjitha viseve të tjera shqiptare në ish-Jugosllavi u deklaruan para opinionit ndërkombëtar për interesat e tyre, për interesat globale, sepse asnjëherë shqiptarët nuk kanë pasur mundësi të deklarohen. Dihet se edhe më parë është biseduar për deklarime të tilla, por nuk janë lejuar nga bashkësia ndërkombatare. Për shembull, gjatë vitit 1918 e gjatë viteve që pasuan, gjatë Konferencës së Versajës, etj., kur definitivisht vihen këta kufij, që, për fat të keq, i kemi edhe tash, pastaj as në ’45-tën nuk ka pasur mundësi populli i Kosovës të deklarohet. Prandaj, këto referendume janë momente mjaft, mjaft të rëndësishme, dhe mund të them se u respektuan në Konferencën e Londrës ’92, sepse atje u thirrën shqiptarët e Kosovës si reprezentim, edhe shqiptarët e viseve të tjera. Do të thotë, ishte ai hap i vogël, por mjaft i rëndësishëm i këtyre deklarimeve që i bënë shqiptarët”.

Dhe vazhdonte intervista…

“Falënderoj Agjencinë Telegrafike Shqiptare për informimin nga Kosova e për Kosovën. Edhe kjo që pata rastin të bisedoj për këtë agjenci, që përfaqëson Shqipërinë dhe çështjen shqiptare, është një hap në politikën globale, në integrimet shqiptare”, theksonte Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova në intervistën ekskluzive që kam zhvilluar për ATSH-në, derisa bisedonim gjatë ditën e enjte të 22 shtatorit 1994, në zyrën e tij, ku sot është muzeu – Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova.
Ishte vit i kohëve të rënda të okupimit e dhunës kundër shqiptarëve të Kosovës. “Një represion masiv në Kosovë ka rritur tensionet politike këtu dhe në rajon, ndaj është e domosdoshme prania ndërkombëtare”, e përshkruante situatën dhe e kërkonte zgjidhjen Presidenti Rugova.

 

ILAZ RAMAJLI: REFERENDUMI U ORGANIZUA SHUMË MIRË, MEGJITHËSE MBAHEJ NË RRETHANA TË NJË OKUPIMI TË EGËR

Në krye të Kuvendit të Kosovës në atë kohë të vendimeve e ngjarjeve historike ishte Ilaz Ramajli. Ishin këto ngjarje e zhvillime drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, dhe një nga ato ishte Referendumi për Pavarësinë.

“Para Referendumit, edhe Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës e 7 Shtatorit 1990, jo vetëm që ishin akte kushtetuese juridike, por në kohën kur u nxorën ishin edhe akte mbrojtëse dhe pozicionuese në raport me situatën e krijuar në ish Jugosllavi”, ka theksuar Ramajli  në intervistat që kam zhvilluar.

Nga shpërbërja e ish Jugosllavisë, nga elementet konstituive të federatës, mes të cilave ishte edhe Kosova që u bë shtet, shtete të reja të rajonit dolën edhe Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Maqedona, Mali i Zi dhe Serbia.

“Si e dini, Kuvendi i Republikës së Kosovës nga data 7 shtator 1990 ka vepruar jashtë Kosovës, nga rrethanat për të cilat tanimë janë të njohura për të gjithë. Gjatë veprimit jashtë vendit Kuvendi plotësisht ka koordinuar aktivitetet e tija me subjektet politike të cilat në atë kohë ishin të organizuara dhe vepronin në Kosovë. Nisur nga rrethanat e kohës dhe ngjarjeve në hapësirat e ish Jugosllavisë si dhe në rrafshin ndërkombëtar por edhe me qëllim të rrumbullakimit të kornizës kushtetuese dhe ligjore për Kosovën shtet sovran e të pavarur e në marrëveshje me subjektet politike në Kosovë, Kuvendi në mbledhjen e 22 shtatorit 1991, mbajtur në Slloveni, nxori Vendimin për mbajtjen e Referendumit për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur i cili do të organizohej prej 26-30 shtator 1991”, ka theksuar Ilaz Ramajli në një intervistë ekskluzive që kam zhvilluar në 20-vjetorin e Referendumit.

Ai ka vlerësuar se, Referendumi u organizua shumë mirë, megjithëse mbahej në rrethana të një okupimi të egër të Serbisë në Kosovë.

“Mbajtja e referendumit dhe rezultatet e tij jo vetëm që mundësuan ndryshimet kushtetuese me të cilat Kosova u shpall shtet sovran e i pavarur dhe u rrumbulaksua korniza kushtetuese e ligjore lidhur me këtë por ishte edhe një mesazh i fortë dhe shumë i qartë për Serbinë dhe gjithë botën se populli i Kosovës më asnjëherë nuk dëshiron të jetë nën kontrollin e të tjerëve, por është përcaktuar fuqishëm që shteti i tyre, Kosova, të jetë shtet sovran dhe i pavarur”, është shprehur Ramajli, kryetar i Kuvendit të Kosovës në kohën e mbajtjes së Referendumit.

Në Arkivin Shtetëror të Kosovës do mund ta gjejmë e lexojmë edhe shkrimin ekskluziv të Ilaz Ramajlit në gazetën tradicionale të Kosovës RILINDJA – BOTIM SPECIAL I 28 NËNTORIT 2002, FESTËS SË FLAMURIT DHE 90 VJETORIT TË PAVARËSISË SHQIPTARE.

Ekskluzive: Për Kushtetutën e Republikës së Kosovës me të dhëna që për herë të parë dalin në opinion, është mbititulli, ndërsa titulli është: 7 Shtatori, Dita e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Në këtë shkrim Ramajli, mes tjerash, thekson gatishmërinë e jashtëzakonshme të delegatëve të Kuvendit të Kosovës në atë kohë pa marrë parasysh pasojat dhe tregon se si lindi ideja që në Kaçanik të shpallet Kushtetuta.

TAKIM ME  KRYESHEFIN EKZEKUTIV TË AGJENCISË SHTETËRORE TË ARKIVAVE TË KOSOVËS,RAMË MANAJ DHE DREJTORËT HAMIT SHALA E RUZHDI PANXHA

Pasditën e së enjtes së 22 shtatorit 2006 në Shtëpinë e madhe të dokumenteve, në takim me  Kryeshefin Ekzekutiv të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Ramë Manaj dhe drejtorët Hamit Shala e Ruzhdi Panxha  kemi biseduar edhe rreth kompletimit të Arkivit të Rilindjes të dërguar në Arkivin Shtetëror të Kosovës edhe me pjesët tjera të arkivit të gazetës tradicionale që ndodhen ende në Kompleksin Rilindja, ku Pallati 18 katësh është shndërruar në ndërtesë qeveritare. Në cilësinë  kryeradaktorit të gazetës tradicionale kosovare Rilindja deri në numrin e fundit që ka dalë në 30 dhjetor të vitit historik 2008 të shpalljes së pavarësisë,  në 29 janar 2007,  me një vendim të veçantë të Kryeministrit kam nënshkruar marrëveshjen e hartuar nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit, e cila poashtu është nënshkruese, me Arkivin Shtetëror të Kosovës për dërgimin atje të gjithë Arkivit të Rilindjes, i  cili edhe duhet të vlerësohet si edhe çdo pronë tjetër e Ndërmarrjes Shoqërore Gazetare Rilindja për realizimin e të drejtave të punëtorëve të saj.

MUNGESA E BOTIMEVE TË GAZETËS “BUJKU” TË DITËVE TË REFERENDUMIT TË PAVARËSISË

 

Gazeta tradicionale e historike shqiptare Rilindja, numri i parë i së cilës ka dalë në Prizren para më shumë se 71 vitesh, në 12 shkurt 1945, me përgatitje nga koha e Konferencës së Bujanit e në frymen e saj për të drejtat e shqiptarëve e të Kosovës, ka kaluar kohë të vështira, të okupimit të egër e ndalesave dhe vështirë ishte të ruhen e shpëtohen gjërat me vlerë për shqiptarët e Kosovën. Duket se është pasojë e atyre kohëve të vështira edhe mungesa që ishte në Arkivin e Rilindjes të dërguar në Arkivin Shtetëror të Kosovës në librat e lidhur të gazetës “Bujku” të ditëve të Referendumit të Pavarësisë. Të kohëve, kur regjimi i Beogradit okupoi me dhunë edhe Pallatin Rilindja,  ku ishte Arkivi i Rilindjes, e pjesë e tij edhe gazetat e ditëve të Referendumit për Pavarësinë e Kosovës.  Në Arkivin e Kosovës, në librat e lidhur të gazetave të Arkivit të Rilindjes kemi parë se mungonin pikërisht botimet e gazetës “Bujku” të ditëve të Referendumit. Ishte vetëm gazeta “Bujku” e datës 27 shtator 1991 me kryetitull “Kosova filloi Referendumin për Sovranitet” dhe…pas ditëve të mungesave është edhe gazeta “Bujku” e datës 4 tetor 1991 me kryetitullin “Mbi 99 për qind të votuesve për sovranitetin shtetëror të Kosovës”.

Meqë nuk u gjenden në Arkivin e Kosovës botimet e numrave historikë të gazetës “Bujku” të ditëve të Referendeumit, pa pasur mundësinë edhe të sjellë imazhin e tyre, do i përshkruajë si i kishim bërë e si dukeshin. Ishin “edhe gazetë edhe televizor”, si thoja atëherë, meqë në terrin informativ kur ishte i okupuar Televizioni i Prishtinës për ta “kompensuar” mungesën e televizionit botonim edhe shumë fotografi të madha nga votimet e atmosfera. Dhe e gjithë gazeta ishte referendum, me raporte të gjëra e fotografi të ekipeve të gazetarëve e korrespondentëve nga e gjithë Kosova që punonin ditë e natë e me sakrifica, duke qenë të gjitha faqet e gazetës ngjarje dite, duke hequr rubrikat e faqet e tjera të botimeve të zakonshme.

Në Arkivin e Rilindjes pasuri e madhe kombëtare, të dërguar në shtëpinë-pallatin e dokumenteve – Arkivin Shtetëror të Kosovës, mungesa e botimeve të gazetës “Bujku” të ditëve të Referendumit të Pavarësisë të fundshtatorit 1991 është  e pakompensueshme dhe e pazëvendësueshme…Urojmë të gjenden ndokund, te ndokush që ka mundur t’i ketë e ruajë ato botime historike të gazetës “Bujku” të ditëve të Referendumit të Pavarësisë, të kohës së okupimit, kur edhe në bibliotekat nën masa të dhunshme bëhej kulturocid, jo vetëm që nuk merreshin për t’u ruajtur botimet shqipe, por edhe shkatërroheshin…

Gazeta e vetme e përditshme shqipe në atë kohë në Kosovë, “Bujku”,  themelues-kryeredaktor i parë i së cilës isha, gazetë e rezistencës me orientim të fuqishëm properëndimor euroatlantik e pjesë e lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci dilte nga 18 janari i vitit 1991, pasi me dhunë ishte ndaluar gazeta tradicionale kosovare Rilindja. Që atëherë nisën edhe bashkëpunimet me ATSH-në, nga e cila merrnim e botonim informacione në gazetën “Buku” dhe kështu u themeluan bashkëpunimet e para të mediave Shqipëri-Kosovë.

EDHE DOKUMENTE TË HAPJES SË ZYRËS SË ATSH NË PRISHTINË NË ARKIVIN E KOSOVËS

Në 22 shtator 2016, në Arkivin Shtetëror të Kosovës dërgova nga arkivi personal edhe disa ekzemplarë të gazetës Rilindja botime speciale si dhe dokumente të hapjes së Zyrës së Agjencisë Telegrafike Shqitare – ATSH në Prishtinë, në ambientet që, pas përfundimit të luftës para 17 viteve mi dha me një vendim të veçantë Qeveria e Përkohshme e Kosovës.

Në vitin historik të lirisë së Kosovës 1999, në 1 tetor, Qeveria e Përkohëshme e Kosovës i dha zyrë ATSH-së edhe si shprehje vlerësimi e mirënjohje për raportimet nga Kosova në vitet e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi.

“I lejohet kësaj agjensie puna në territorin e Kosovës, si dhe vendosja e personelit të saj zyrtarisht në kryeqendrën e Kosovës”, theksohej në dokumentin e lejes së punës dhe dhënies së zyrës në aneksin e Pallatit Rilindja në Prishtinë, në një ambient ku para luftës ishte e vendosur një bankë. I nënshkruar nga ministri i Ministrisë së Informimit Publik në Qeverinë e Përkohëshme të Kosovës, Bajram Kosumi, dokumenti u dha pa asnjë pritje në të njëjtën ditë kur bëra kërkesën si korrespondent i ATSH në Prishtinë.

Para më shumë se 24 viteve, raportimet që bëja me lidhje telexi, e vetmja e mundshme atëherë nga Prishtina në Tiranë, për zgjedhjet e para pluraliste kosovare të 24 majit 1992 shënonin fillimet e korrespondenturës së ATSH në Kosovë. Zyra e telexit në Pallatin Rilinda u bë edhe zyrë e ATSH-së, prej nga raportoja ditë e natë.

Në kohën e luftës, të  dëbimit të mëse 1 milion shqiptarëve nga Kosova, për rreth dy muaj “selia” e raportimeve të mia si korrespondent i ATSH ishte kufiri jugor i Kosovës, si dhe Tetova e Shkupi. Akreditimi u dha nga Ministria e Informatave e Maqedonisë të njëjtën ditë të kërkesës dërguar me telefax nga ATSH në 5 prill 1999.

Në prag të 17 Shkurtit historik 2008 të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, ATSH  hapi zyrë në Grand Hotel Prishtina në kryeqytetin e shtetit më të ri evropian, bashkë me Dhomen e Tregtisë Tiranë.

***

Në Shtëpinë-Pallatin e dokumenteve- Arkivin Shtetëror të Kosovës mbërrita ndonjë minutë pasi kishte përfunuar aty një vizitë nga SHBA.

VIZITA E DELEGACIONIT NGA NEW YORK,SHBA

Delegacioni nga New Yorku, i kryesuar nga ish-sekretari i Komitetit “Shqipëria e lirë”, z. Idriz Lamaj,  me seli në New York, më datë 22 shtator 2016, vizitoi Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës.

Delegacioni në fjalë u prit nga Kryeshefi Ekzekutiv i ASHAK-së z. Ramë Manaj dhe bashkëpunëtorët e tij. Qëllimi i vizitës nga ish-sekretari i Komitetit “Shqipëria e lirë” ishte analizimi i mundësive për dorëzimin e materialit arkivor të veprimtarisë së Komitetit në ASHAK për ruajtje.

Filed Under: Histori Tagged With: Behlul Jashari, Kosova para çerek shekulli votoi 99, perqind per Pavaresi

Një re e zezë që mund të mënjanohet

September 22, 2016 by dgreca

-Në Prishtinë promovohet libri “E drejta penale ndërkombëtare” i Prof. Dr. Ismet Salihut – trajton Gjykatën Speciale/

-Salihu është shprehur i bindur se Gjykata Speciale asnjerin nuk do ta dënojë pa prova/

1-e-drejta-penale

1-folesi-e-drejtaPRISHTINË, 22 Shtator 2016-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/.-Gjykata Speciale paraqet një re të zezë për Kosovën. Ajo mund të mënjanohet vetëm pas përfundimit të gjykimit të krimeve të pretenduara, shumica prej të cilëve u atribuohen pjesëtarëve të UÇK-së, në bashkëpunim me mafian ndërkombëtare.

Këtë konstatim, e ka nxjerrë profesori i të drejtës penale ndërkombëtare, dr. Ismet Salihu, me rastin  e promovimit të librit “E drejta penale ndërkombëtare – Me komentarin e shkurtër të Ligjit për Gjykatën Speciale”, të enjten në UBT, në Prishtinë. Në promovim kanë marrë pjesë personalitete të shquara të fushës juridike, profesorë, studentë etj.  Salihu, pos të tjerash, ka thënë se puna e Gjykatës Speciale do të jetë një proces i rëndë, por i domosdoshëm. Sipas autorit Salihu, Gjykata Speciale do t’i gjykojë krimet e pretenduara nga Raporti i Asamblesë Parlamentare në Këshillin e Evropës, që në opinionin e Kosovës është i njohur se Raporti i senatorit Dik Marti. Pasi ka përshkruar ecurinë e përgjithshme të themelimit të Gjykatës Speciale dhe për dyshimet e shprehura në Kosovë, sidomos nga partitë opozitare, Salihu është shprehur i bindur se Gjykata Speciale asnjerin nuk do ta dënojë pa prova. “Përgjegjësia e kësaj gjykate do të jetë e madhe, mirëpo askush nuk do të dënohet pa prova e fakte”, tha Salihu.  Profesori i të drejtës penale, Salihu, ka përmendur faktin se  pas luftës së Kosovës janë vrarë qindra veta.

“Në mes periudhës së viteve 1998-2000 janë ekzekutuar dhe zhdukur 470 persona, prej të cilëve 95 janë shqiptarë, kurse të tjerët janë të pakicave të tjera, kryesisht serbë”, është shprehur ai, duke dhënë të kuptohet se dikush i ka bërë ato krime.

Për rëndësinë e librit ka folur edhe rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi.“Libri shënon një hap tutje drejt marrjes së njohurive në fushën e të drejtës penale ndërkombëtare, është vlerë e shtuar akademike, si për studentët, ashtu edhe për profesorët, të cilët janë ligjërues të lëndës përkatëse”, përfundoi Hajrizi, duke falënderuar profesor Salihun për kontributin e tij në fushën e drejtësisë.

Referuesi i librit, Lavdim Krasniqi, ka folur për biografinë dhe krijimtarinë e autorit të librit, të cilën e ka cilësuar si shumë të bujshme.

“Libri është i vlefshëm, jo vetëm për autorin, por për të gjithë njohësit e fushës”, theksoi ai, për të shtuar se libri përmbledh refleksione të jashtëzakonshme profesionale.Profesori Skender Skenderi, po ashtu, e çmoi lart kontributin e autorit Salihu, derisa evokoi kontributin e tij dhe të profesorëve të tjerë të çështjeve juridike, të dhënë me rastin e shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, në 2 korrik 1990 si dhe për Kushtetutën e Kosovës, e miratuar në të njëjtin vit, në 7 shtator në Kaçanik. Në këtë rrafsh ai ka vlerësuar e kujtuar edhe profesorët Gazmend Zajmi, Ejup Statovci etj.“Pa punën e mundimshme dhe të palodhshme të profesorit Salihu dhe kolegëve të tij, në atë kohë nuk do të kishte as Kuvend, as Kushtetutë dhe as pavarësi”, theksoi Skenderi. Kjo sepse, sipas tij,  nuk do të kishte për çka të votohej. Skenderi e ka cilësuar lart edhe presidentin dhe rektorin e UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizin, i cili ka mundësuar botimin e një libri me kaq vlera, nga një personalitet shumë i lartë.

“Zoti President, je i madh, sepse njerëzit e mëdhenj i mbledhin të mëdhenjtë”, janë fjalët me të cilat profesor Skenderi i është drejtuar rektorit Hajrizi.  Krejt në fund, profesori Salihu iu përgjigj pyetjeve të të pranishmëve, të cilët kryesisht përqendroheshin tek Gjykata Speciale.

Filed Under: Kulture Tagged With: Behlul Jashari, E drejta penale, Prof. dr. Ismet Salihu

Kosovë-Dekorohet komandanti i parë i KFOR, Gjenerali Jackson

September 20, 2016 by dgreca

  • PRESIDENTI THAÇI DEKOROI GJENERALIN SIR MICHAEL DAVID JACKSON ME MEDALJEN USHTARAKE PËR SHËRBIM NË KOSOVË/

-Gjenerali Sir Michael David Jackson sot në Prishtinë: Tani po shoh ndryshime të jashtëzakonshme në Kosovë, në krahasim me vitin 1999/-Hyrjes së KFOR në Kosovë i ka paraprirë Marrëveshja e Kumanovës  e nënshkrua në 9 qershor 1999 ndërmjet autoriteteve të NATO-s, të udhëhequra nga gjenerali  Jackson, dhe zyrtarëve serbë. Me këtë marrëveshje, Serbia është detyruar të tërheqë të gjitha forcat nga Kosova/

thaci-jackson

jackson-veseli

jackson-fsk

nato-hyrja-ne-kosove

nato-kosove-12qershor1999-hapat-e-pare-Në Kosovë para 17 viteve nisi të ndodhte liria dhe paqja: Ishte ora 05 e 17 minuta e mëngjesit në 12 qershorin historik 1999. Në atë orë e ditë të lume tanket e para të NATO-s të përcjella nga helikopterët hynin në Kosovë. Ishte ora kur nga kolona e tankeve të forcës më të madhe planetare, NATO-s, që kalonin kufirin e Kosovës nga Maqedonia në Bllacë-Han të Elezit, po jepja lajmin e madh për të gjithë shqiptarët dhe botën/

 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

nato-behlul-jashari-kosove

Ne Foto:Kartela e gazetarit Behlul Jashari dhënë nga NATO-KFOR për të hyrë në Kosovë në 12 qershor 1999 me kolonën e tankeve të para të forcës më të madhe planetare, paqeruajtëse-shpëtimtare/

PRISHTINË, 20 Shtator 2016-Gazeta DIELLI/ Gjenerali Sir Michael David Jackson për kontributin e dhënë në shërbim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë, do ta dekorohet sot pasdite me Medalje Ushtarake nga presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, në një pritje në Prishtinë.

Më parë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli priti paradite në takim gjeneralin britanik Jackson, komandant i parë i KFOR-it, nga viti 1999 i lirisë së Kosovës, i hyrjes së forcës paqeruajtëse të NATO-s.

Hyrjes i ka paraprirë Marrëveshja e Kumanovës  e nënshkrua në 9 qershor 1999 ndërmjet autoriteteve të NATO-s, të udhëhequra nga gjenerali  Jackson, dhe zyrtarëve serbë. Me këtë marrëveshje, Serbia është detyruar të tërheqë të gjitha forcat e saj policore dhe ushtarake nga Kosova.

Aktualisht Gjeneral Majori italian Giovanni Fungo është komandanti XXI i KFOR-it, i cili ka marrë detyrën në 1 shtator 2016.

VESELI: JACKSON, GJENERALI I LIRISË SË KOSOVËS

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim gjeneralin Mike Jackson, komandant i parë i KFOR-it në Kosovë.Në këtë takim miqësor, kryetari Veseli dhe gjenerali Jackson diskutuan për zhvillimet aktuale në Kosovë, situatën e sigurisë dhe proceset të cilat e presin vendin tonë në të ardhmen.Kryetari Veseli shprehu kënaqësinë e tij që pret në takim një personalitet si gjenerali Mike Jackson. Duke e quajtur ish-ushtarakun e lartë të NATO-s gjenerali i lirisë së Kosovës, kryetari i Kuvendit tha se Jackson ka barë një punë të jashtëzakonshme dhe Kosova i është mirënjohëse.

“Sot, 17 vite më pas, ne kemi shtetin tonë, me një demokraci funksionale. Kosova shumë shpejt do ta ketë ushtrinë e vet, proces ky i cili do të ndodhë në bashkëpunim me partnerët tanë perëndimorë, SHBA-në dhe NATO-n në përgjithësi. Synim yni është që shumë shpejt të lëvizim drejt anëtarësimit në NATO, ashtu siç është synim i yni edhe integrimi në Bashkimin Evropian”, theksoi kryetari i Kuvendit të Kosovës.

Ish-komandanti i KFOR-it, Mike Jackson, nga ana e tij, u shpreh i nderuar që ndodhet prapë në Kosovë, duke u pritur, gjithashtu, në takim të veçantë nga kryetari i Kuvendit të saj. Ai tha se tani po sheh ndryshime të jashtëzakonshme në Kosovë, në krahasim me vitin 1999.

Kosova ka shpallur pavarësinë e saj, shtoi gjenerali britanik, dhe është njohur nga shumë vende të botës. Ai foli po ashtu edhe për përparime të mëdha në infrastrukturë dhe në segmente të tjera zhvillimore, duke përfshirë edhe krijimin e ushtrisë së Kosovës.

KOMANDANTI I FSK-SË GJENERALLEJTËNANT RRAHMAN RAMA PRITI NË TAKIM GJENERALIN MICHAEL JACKSON

Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, priti sot në takim gjeneralin anglez në pension Michael Jackson. Pas luftës gjenerali Jeckson ka qenë drejtpërdrejt i angazhuar në transformimin e UÇK-së në Trupat  Mbrojtëse të Kosovës (TMK), e po  ashtu ka qenë edhe Komandanti i parë i KFOR-it në Kosovë, atëherë, kur janë vendosur bazat e bashkëpunimit mes KFOR-it dhe TMK-së.

Gjenerallejtënant Rrahman Rama, me këtë rast, e falënderoi gjeneralin Jackson për gjithë atë që ka bërë për Kosovën, dhe përmes tij edhe Mbretërinë e Bashkuar për ndihmën e vazhdueshme që kanë dhënë dhe po japin në ngritjen dhe profesionalizimin e FSK-së. Komandanti i FSK-së, e njoftoi gjeneralin Jackson edhe me të gjitha zhvillimet e deritashme në FSK, si shkollimet, trajnimet, bashkëpunimin rajonal, pjesëmarrjen në trajnime rajonale dhe përgatitjet e përgjithshme rreth transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës.Nga ana e tij, ish-komandanti i parë i NATO-s në Kosovë, gjenerali Jackson, e falënderoi komandantin e FSK-së për pritjen, si dhe shprehu admirimin e tij për zhvillimin dhe të arriturat e përgjithshme të FSK-së, sipas standardeve të shteteve anëtare të NATO-s. Në pritje të gjeneralit Jackson ishin edhe ambasadori i Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar,  Lirim Greiçevci, këshilltari i komandantit të FSK-së, kolonel Andy Lyton dhe majori Berat Shala.

***

Në Kosovë para 17 viteve nisi të ndodhte liria dhe paqja: Ishte ora 05 e 17 minuta e mëngjesit në 12 qershorin historik 1999. Në atë orë e ditë të lume tanket e para të NATO-s të përcjella nga helikopterët hynin në Kosovë. Ishte ora kur nga kolona e tankeve të forcës më të madhe planetare, NATO-s, që kalonin kufirin e Kosovës nga Maqedonia në Bllacë-Han të Elezit, po jepja në Agjencinë Telegrafike Shqiptare – agjencinë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë (ATSH) e në Radio Televizionin Shqiptar (RTSH) lajmin e madh për të gjithë shqiptarët dhe botën…

SHKRIM I 12 QERSHORIT 2016:

KOSOVA, 17 VJET LIRI E PAQE

-Para 17 viteve, Kosovës po i ndodhte liria dhe paqja, NATO nisi të hynte në mëngjesin e hershëm të 12 qershorit 1999 në ora 05 e 17 minuta/

Shkruan: Behlul JASHARI, korrespondenti në Prishtinë sot plot një vit nga 12 qershori 2015 i Gazetës DIELLI, i cili ka raportuar nga kolona e tankeve të para të NATO-s, që hynin në Kosovë/

PRISHTINË, 12 Qershor 2016/ Në Kosovë para 17 viteve nisi të ndodhte liria dhe paqja: Ishte ora 05 e 17 minuta e mëngjesit në 12 qershorin historik 1999. Në atë orë e ditë të lume tanket e para të NATO-s të përcjella nga helikopterët hynin në Kosovë.

Ishte ora kur nga kolona e tankeve të forcës më të madhe planetare, NATO-s, që kalonin kufirin e Kosovës nga Maqedonia në Bllacë-Han të Elezit, po jepja në Agjencinë Telegrafike Shqiptare – agjencinë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë (ATSH) e në Radio Televizionin Shqiptar (RTSH) lajmin e madh për të gjithë shqiptarët dhe botën.
Ishte ora kur liria po vinte e po iknin forcat serbe të kasapit të Ballkanit, Milosheviç, i cili përfundoi në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë, dhe që po linin pas luftën me një bilanc tragjik të masakrave, spastrimit etnik e gjenocidit kundër shqiptarëve: Mëse 12 mijë të vrarë, rreth 6 mijë të zhdukur,  shumë prej tyre të groposur në varreza masive, edhe të fshehura në Serbi, e afër 1 milion të dëbuar – shumica  drejt Shqipërisë…

Kosovës i vinte era tokë e djegur, ua kishin vënë flakën mëse 400  fshatrave e qyteteve, 120 mijë shtëpive të shqiptarëve…

Drejt Kosovës, qyteteve, fshatrave e shtëpive të tyre të shkretëruara e të djegura ishin nisur më këmbë refugjatët e kampit afër kufirit në Bllacë, Maqedoni. Ata njerëz, që dukeshin më të gëzuarit e gjithë botës, në qytezën kufitare kosovare Hani i Elezit binin në gjunjë, puthinin tokën e atdheut të tyre dhe tanket e misionit humanitar e shpëtimtar  të NATO-s, të cilat po u hapnin rrugën për kthimin e madh dhe lirinë e përjetshme. “Është më shumë se ëndërr, është më shumë se gëzim”, shpreheshin në atë mëngjes të dëbuarit që po ktheheheshin në shtëpitë e tokën e tyre.

Forcat serbe kishin ikur nga kufiri dhe po largoheshin nga Kosova, por kishin lënë prapa zonat e minuara, dhe dukej se për këtë zgjatnin me orë kontrollet te Ura e Kashanit mbi lumin Lepenc e te tuneli i afërt në Grykën Kaçanikut. Njësitet britanike të xhenios, ushtarë nga Nepali dhe Anglia , brenda asaj kohe zhvillonin operacionin për mënjanimin e rreziqeve nga minat dhe për t’u siguruar se mbi urë do të mund të kalojnë tanket dhe makineritë e tjera të renda luftarake. Testimi i urës u bë edhe me zbarkimin mbi të të helikopterëve, fillimisht më të lehtë e në numër më të vogël, e pastaj githnjë e më të rëndë e në numër më të madh…

Në Grykën e Kaçanikut, forcat kriminale të Milosheviçit kishin lënë prapa edhe grafite në faqe shkëmbinjësh: “Kosova zemra e Serbisë” e “Serbia deri në Durrës”, e që shkonin edhe shumë larg, “Serbia deri në Tokio”,  “ Serbia deri në Sidnei”…Gazetarët nga gjithë bota, me të cilët në kolonën e tankeve të para të NATO-s në Kosovë isha bashkë me korrespondentin nga Shkupi të gazetës kosovare Rilindja, Bedri Sadiku, ato grafite i shikonin si një çmenduri dhe qeshnin, fotografonin, filmonin, raportonin…

“Të akredituar deri natën e 11/12 qershorit,  diku pas mesnate,  ishin më shumë se 1500 gazetarë nga gjithë bota”, ka shkruar Bedriu në gazetën tradicionale të Kosovës, Rilindja.

Përtej këtyre grafiteve të përçudshme, si një përgjigje dhe ralitet se çka është Kosova u shfaq imazhi i Flamurit Kombëtar Shqiptar i ngritur si fluturim shqiponje dykrenare e si në majën më të lartë të festimeve në gjithë botën në qytetin e Kaçanikut, ku në 7 shtator 1990 ishte shpallur Republika e Kosovës dhe miratuar Kushtetuta e saj në një mbledhje historike të Kuvendit, në kushte të rënda dhe plot rreziqe okupimi. Nga Kaçaniku, nëpër Fushën e Pajtimit, në orët e pasditës, kolona e NATO-s mbërriti në qytetin e Ferizajt, mbi të cilin nga larg shiheshin re tymi.

“Forcat serbe edhe sot po e djegin Ferizajn, duan ta djegin të tërin para se të ikin. Ende nuk kanë ikur të gjitha”, tregonin shqiptarët e mbetur atje.

Ata kishin dalë për të pritur e përshendetur NATO-n me lulet që i vënin mbi tanke e shtronin rrugën, dhe me brohoritjet: “NATO, NATO”, “Kosova, Kosova”, “NATO – Kosova e Lirë”. Kishin dalë në mikprijen e madhe, me falënderimin e mirënjohjen e gjithëmonëshme.

Fëmijëve anëve të rrugës që përshëndesnin me valëvitje duarsh e plot gëzim ushtarakë të NATO-s u shpërndanin bombone (ëmbëlsira). Një vajzë, nxënëse e shkëlqyer e fillores, po shtrëngonte bombonin në grusht te zemra dhe thërriste shumë e lumtur: “Do ta ruaj tërë jetën për kujtim”.  Ishin ata fëmijtë që kishin përjetuar tmerret, e me muaj të tërë as s’kishtin parë ëmbëlsira e ishin përballur edhe me urinë në mungesë të bukës. Tregonin se kishin jetuar me shumë frikë të fshehur nëpër bodrume…

Ndërkohë që kolona kishte marshuar edhe më tej, pas ndonjë ore edhe fushat rreth qytetit të Lipjanit u mbushen tanke të NATO-s, të cilat para mbrëmjes arritën deri afër Prishtinës, por hyrja në kryeqytet dukej mbeti për të nesërmen…

“Po shkojmë në Prishtinë, të shohim si duket në natën e fundit të okupimit”, thanë disa nga gazetarët nga anë të ndryshme të botës, të cilëve iu bashkova, edhepse e dija se të shkohet para se ta marrë kontrollin NATO rreziku ishte shumë i madh, kishte shumë rreziqe nga të cilat mëzi isha larguar…

Vetëm para pak më shumë se një muaji, në 6 maj 1999, i larguar nga kryeqyteti, duke raportuar nga kufiri jugor i Kosovës, kisha dhënë lajmin në ATSH “Shqiptarët në Prishtinë – mburojë e gjallë”.

Me atë titull kisha raportuar: “Shumë banorë të Prishtinës po mbahen peng dhe po përdoren nga serbët si mburojë e gjallë. Ata janë detyruar të qëndrojnë në shtëpitë dhe banesat pranë vendeve ku janë fshehur armë dhe mjete të mekanizuara ushtarake si dhe nëpër objekte që mund të bombardohen nga NATO-ja…Shumë familje janë detyruar të qëndrojnë për disa ditë me radhë pranë postes së re të Prishtinës, në lagjen Dardania, thonë dëshmitarë okularë që kaluan kufirin Kosovë-Maqedoni. Shumica e të ardhurve janë femijë dhe gra, ndërsa burrat janë marrë nga forcat serbe. Gra nga rajoni i Llapit tregojnë për më se 200 te rinj e burra shqiptarë që i kanë ndarë nga familjet dhe i kanë marrë në rrugën midis Obiliqit dhe Prishtinës. Të deportuar nga fshati Hade i Obiliqit, tregojnë per ekzekutimin e 13 shqiptarëve. Mijërat e të dëbuarve gjatë 24 orëve të fundit janë kryesisht nga rajonet e Llapit, Prishtinës, fshatrat e Ferizajt dhe të Lipjanit”.

Kishim mbërritur në kryeqytet, Prishtinë, para mbrëmjes së 12 qershorit, duke kujtuar edhe largimin pasi në mbrëmjen e 24 marsit 1999  në kushte të pamundshme të ndërprerjes së linjave telefonike dhe dritave, me lidhje satelitore që e mundësoi vëllai Demë Jashari nga Zvicëra, nga banesa plot edhe me refugjatë në qytetin në luftë e në shtetrrethim, derisa shkallëve të ndërtesës në lagjen Ulpiana dëgjoheshin rrapllimat e zërat e forcave serbe, kisha raportuar  për ATSH-në e Radio Tiranën për goditjet e para të aviacionit të NATO-s e të nesërmën në mëngjes për “qytetin fantazmë” e masakrat e reja të forcave serbe në shtëpitë e shqiptarëve gjatë natës…

Në atë mbrëmje të 12 qershorit të para 17 viteve, në Prishtinë shihej se rreziku ishte edhe më i madh se që ishte paramenduar, në të gjitha anët kishte breshëri armësh. Kudo kishte policë, ushtarë, paramilitarë serbë, të gjithë të armatosur, shumë prej tyre edhe të dehur. Paramilitarët e Arkanit i ndoqën gazetarët ende pa hyrë në hotelin në qendër apo të sapohyrë, dhe nëpër një rrëbesh shiu që largoi njerëzit nga rruga po iknim me shpejtësi, me automjetin që udhëtonim…

Kisha dhënë edhe lajmin e parë të rikthimit në Prishtinë… Po ku ta kalonim natën, kur ende nuk mund të shkoja në banesën time ku kishin hyrë forcat serbe…

Shkojmë drejt adresës së telefonatës së 6 majit nga Prishtina, që u bë lajm…“Ai lajm na dha shpresë shpëtimi”, u shprehën me falënderim të ngujuarit atje, që na dhanë çelësin e një banese të boshatisur.

Në lajmin e 6 majit 1999, natyrisht, në rrethanat që ndodheshin të ngujuarit në Prishtinë, mes forcave kriminale, nuk përmenda burimin, telefonatën nga posta e re e Prishtinës që ishte bërë mes rreziqesh, po duke iu referuar “burimeve të ATSH-së” tregova çka po ndodhëte, që “bota ta marrë vesh”…

Në të gjitha anët në Prishtinë breshëritë e armëve vazhdonin edhe gjatë mbrëmjes së ditës kur nisi lira, edhe gjatë gjithë natës që po e kalonim në një banesë të shqiptarëve të dëbuar. Nata e fundit e forcave serbe në kryeqytetin e Kosovës ishte plot tmerre dhe ankthe, kishte disa shqiptarë të vrarë në shtëpitë e tyre, edhe shumë djegie e plaçkitje…Kishte edhe plumba qorr që binin, të shkrepur nga shumë armë serbe.

Gazetari i njohur edhe për raportimet nga Maqedonia e Lugina e Preshevës në kohë lufte të shqiptarëve për të drejtat e tyre, Bedri Sadiku, që ishte në një automjet tjetër reporterësh nga gjithë bota, ja si e përshkruan hyrjen e tij në Prishtinë dhe kryeqytetin e Kosovës në pasditën e 12 qershorit 1999, në një shkrim në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja:

“Në Prishtinë hymë gati gabimisht, dhe pastaj edhe me qëllim. Ky rrugëtim duhej të shkonte sipas porosive të NATO-s.  Konvojet e NATO-s shkuan në drejtim të Shtimes dhe Lipjanit,  kurse ne me makinën tonë shkuam drejt për në Prishtinë dhe  në Lapnasellë e Çagllavicë hasëm menjëherë në forcat policore,  ushtarake dhe paramilitare serbe…

Në afërsi të Hotel Grandit dhe para tij kishin mbërritur ekipe të gazetarëve të huaj nga Beogradi.  Me këtë rast për pak u shkaktua edhe një incident me disa gazetarë, për shkak të emblemës së Press Qendrës së NATO-s dhe shenjës së NATO-s…

Në ora 16 pa 5 minuta helikopterët e parë të NATO-s fluturuan mbi Prishtinë-paralajmëronin çlirimin e kryeqytetit të Kosovës

Pasi bëmë disa fotografi rrugëve të Prishtinës,  diku rreth orës 16 pa 5 minuta u nisëm në drejtim të Shkupit…Me t’u nisur drejt Veternikut,  dy helikopterë të NATO-s dolën mbi qiellin e Prishtinës dhe bënë disa xhiro mbi Dardani e Dragodan dhe në pjesën qëndrore të qytetit, që paralajmëronin ardhjen e forcave të NATO-s edhe në Prishtinë dhe fillimin e çlirimit nga thundra kolonialiste serbe edhe të kryeqytetit të Kosovës. Një pjesë e këtyre forcave,  që drejtoheshin nga britanikët, i ishin afruar edhe Lagjes së Spitalit, ndërsa grupe ushtarësh ishin vendosur nga gjysma e Veternikut përpjetë, si pararojë e forcave të NATO-s e të KFOR-it,  që pritej të hynin natën dhe në mëngjes në Prishtinë dhe që tashmë kishin mbërritur deri te Llugaxhia. Prishtina do ta kalonte vetëm edhe një natë nën thundrën pushtuese serbe,   në pritje të agimit të parë në liri…

Në  ditën e 13 qershorit 1999, në mëngjes, qielli mbi Prishtinë mbulohej nga helikopterët e NATO-s, ndërsa kolna e tankeve dhe makinerive tjera ushtarake shihej tek zbriste rrugës nëpër një kodrinë nga ana jugore dhe mbushte sheshet dhe rrugët e kryeqytetit të Kosovës.

Nga këto pamje, në ATSH dhe RTSH në Tiranë shkonte lajmi: “NATO po e merr kontrollin në Prishtinë dhe po detyron forcat e Milosheviçit të largohen…”

Erë shkrumbi e shtëpive e objekteve tjera të djegura ndihej në Prishtinë. Forcat serbe i kishin vënë flakën edhe selisë së Zyrës së SHBA – përfaqësisë së  parë të një shteti nga 6 qershori 1996 që shënonte vendosjen e pranisë amerikane në Kosovë në rrethana të veçanta, si dhe selisë së Presidencës dhe institucioneve tjera të Republikës së Kosovës, atëherë të panjohur ndërkombëtarisht.

Dyqanet dhe klubet ishin të mbyllura dhe të plaçkitura…

Në 13 qershor 1999, forcat e NATO-s hynë në Kosovë edhe nga Shqipëria, duke kaluar kufirin nëpër Morinë-Vërmicë, drejt Prizrenit…
Pas një nate që e përshkruaja “plot rreziqe dhe e tensionuar, me të shtëna të shumta armësh të serbëve dhe me provokacione kundër shqiptarëve dhe forcave paqësore”,  vazhdoja raportimet nga Prishtina në ATSH: “Kosova qysh dje dhe sot është e lirë në shumë pjesë të saj. Kurrë nuk janë parë njerëz më të gëzuar se sot me hyrjen triumfale të forcave të NATO-s në Kosovë dhe kryeqytetin e saj, Prishtinë. Në Prishtinë qysh sot, NATO po vendos kontrolle…”

Pasditen e 13 qershorit 1999, bashkë me korrespondentin e Zërit të Amerikës,  Isak Ramadani, e gazetarin tjetër nga Shkupi, Arben Ratkoceri, që erdhën në Prishtinë duke sjellë edhe numrin special të gazetës tradicionale kosovare Rilindja të botuar atje me raportimet për ngjarjen historike të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë,  kalova edhe një herë rrugën nga kishin hyrë forcat e para të NATO-s një ditë më parë. Edhe Rilindja në ballinë kishte te kryetitulli orën që kisha raportuar në ATSH: “Dje në orën 5.17 – Trupat e NATO-s hynë në Kosovë”.

Edhe editoriali “Normandizimi i Kosovës dhe kapitullimi serb”, shkruar nga Blerim Reka, ishte i botuar në faqen e parë të gazetës Rilindja, me foto nga ngjarja historike e ndërhyrjes shpëtimtare të NATO-s, e ku shkruhej edhe: “Qeveria e përkohshme e Kosovës punon për kthimin e popullsisë.-Kryeministri Hashim Thaçi vizitoi Austrinë”.

Dhe, vazhdoja raportimin në ATSH: “Sot duket krejt e çliruar pjesa e Kosovës nga kufiri me Maqedoninë, përgjatë rrugës që të çon në Han të Elezit, Kaçanik, Ferizaj, Lipjan e deri në kryeqytet. Në Kaçanik, Han të Elezit dhe në lokalite të tjera takuam dhe ushtarë të UÇK-së që kthenin jetën dhe rregullin.
Flamuri shqiptar – flamuri i lirisë valonte në kulmin e ndërtesës 12- katëshe në qendër të qytetit të Kaçanikut, mbi kulmin e shkollës tetëvjeçare ‘Jusuf Gërvalla’ në fshatin Nikaj dhe lokalitete të tjera.
Në vendkalimin kufitar në Bllacë ndërmjet Kosovës dhe Maqednisë sot nuk ka më flamuj serbë, të cilët janë hequr. Në kufi figurojnë marinsat amerikanë”.

Kështu ishte 17 vite më parë…

Dhe, 17 vjet pas 12 qershorit historik 1999,  Kosova feston Ditën e Lirisë – Ditën e Paqes, kur NATO nisi marshin shpëtimtar me forcat tokësore, pas ndërhyrjes me aviacion në fushatën ajrore 78 ditëshe, që kishte nisur në 24 mars, kur goditjet e para që i raportova nga Prishtina ndodhën rreth orës 20:00. Lufta përfundoi me Marrëveshjen e Kumanovës, ndërmjet NATO-s dhe RFJ-së, që u nënshkrua në 9 qershor e  hyri në fuqi në 11 qershor 1999.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s në atë kohë, Havijer Solana, në 10 qershor 1999 kishte lëshuar urdhrin për ndalimin e bombardimit dhe Këshilli i Sigurisë së OKB-së miratoi Rezolutën 1244, sipas të cilës në Kosovë u dërguan 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete.

Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it amerikan, anglez, francez, gjerman dhe italian. Michael Jackson, ishte komandanti i parë i forcës paqëruajtëse të NATO-s në Kosovë – KFOR. Aktualisht, KFOR-in e përbëjnë 5000 trupa nga 31 vende.

Në 17 vjetorin e lirisë,  Kosova me pavarësinë e shpallur në 17 shkurtin historik 2008 është e njohur nga 111 shtete anëtare të OKB-së, e anëtarësuar në shumë institucione e organizata ndërkombëtare, evropiane e rajonale dhe drejt të gjitha njohjeve.

Këtë vit – në 2016-ën, në 1 prill, nisi zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian, e nënshkruar në 27 tetor 2015 në Strasburg  dhe e ratifikuar në Parlamentin kosovar pas pak ditësh, në 2 nëntor. Marrëveshja për Stabilizim Asociim, e cila krijon për herë të parë marrëdhënie kontraktuale me BE-në, është vlerësuar ngjarja më e rëndësishme e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë.

***

PRESIDENTI THAÇI DEKOROI GJENERALIN SIR MICHAEL DAVID JACKSON ME MEDALJEN USHTARAKE PËR SHËRBIM NË KOSOVË

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot pasdite ka pritur në takim komandantin e parë të KFOR-it në Kosovë, gjeneralin Sir Michael David Jackson, të cilin e ka dekoruar me Medaljen Ushtarake për Shërbim në Kosovë.Gjeneralit Sir Jackson kjo medalje i është ndarë për kontributin e tij në shërbim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë gjatë mandatit të tij si komandant i KFOR-it në Kosovë.“Roli i gjeneralit Sir Jackson ka qenë i pazëvendësueshëm, i jashtëzakonshëm, historik për paqen, stabilitetin, demokracinë dhe prosperitetin në Kosovë dhe në rajon”, tha presidenti Thaçi.

“Kemi punuar në kohë sfidash bashkërisht, në procesin e kthimit të refugjatëve në shtëpitë e tyre, në tranzicionin demokratik që e kemi kaluar, në përkushtimet e përbashkëta në të gjitha organizatat ndërkombëtare”, vijoi  presidenti i Kosovës.

Nga ana tjetër, gjenerali Sir Michael David Jackson, është shprehur mirënjohës për dekoratën dhe mikpritjen që i është bërë në Kosovë.

“U ktheva në Kosovë shtatëmbëdhjetë vite që kur kisha ardhur këtu për herë të parë, kur, më duhet të them, kisha ardhur pa pasaportë. Është e mrekullueshme për të parë se sa shumë progres keni arritur që nga ajo kohë”, tha gjenerali Sir Michael David Jackson.Gjithashtu, gjenerali Sir Jackson ka kujtuar edhe ditët e rënda të pasluftës së vitit 1999.“Edhe pse ato ditë të rënda shënuan fillimin e këtij progresi, atëbotë kishte një atmosferë dhe gjendje shumë të rëndë, kurse sot gjërat kanë ndryshuar shumë”, tha komandanti i KFOR-it i përfundimit të luftës në Kosovë. Presidenti Thaçi u shpreh se, populli i Kosovës dhe mbarë bota e dinë se gjenerali Jackson është një nga njerëzit që ka jetësuar Marrëveshjen e Kumanovës për futjen e trupave të NATO-s në Kosovë.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Behlul Jashari, dekorohet ne Kosove, Gjenerali Jackson

Kosovë-Qeveria me ndryshime

September 9, 2016 by dgreca

 

qeveria-kosove-5shkurt2016-foto-gazeta-dielli-behlul-jashari-Dhe drejt “reformatimit e rekonstruimit”…/                                                                            Kabineti qeveritar 5 Shkurt 2016

-Kryeministri Mustafa pranon kërkesën e ministrit për Integrim Evropian, Bekim Çollaku, për lirim nga detyra/

-Cilat ishin ndryshimet në qeverinë e Kosovës gjatë më pak se dy viteve?/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

1-qeveria-dhjetor-2015

Kabineti qeveritar Dhjetor 2015

PRISHTINË, 9 Shtator 2016/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka pranuar sot kërkesën e ministrit për Integrim Evropian, Bekim Çollaku, për lirim nga detyra.Duke i uruar suksese në detyrat e reja, kryeministri Mustafa, ka vlerësuar lartë kontributin e ministrit Çollaku gjatë punës së tij.

Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, ka vlerësuar angazhimin e ministrit Çollaku në realizimin e prioriteteve të Programit Qeveritar duke përfshirë vendosjen e marrëdhënieve kontraktuale me Bashkimin Evropian nëpërmjet nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit si dhe përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave.Ky njoftim u dërgua sot nga Kryeministria kosovare, ndërkohë që ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, në një konferencë shtypi ka folur për largimin nga ky post.

“Unë po largohem nga kjo pozitë e po shkoj në një institucion tjetër që do të jap kontribut më të madh. Edhe pse pozita do të jetë ndryshe e do të jem vetëm një nga këshilltarët e presidentit, kontributi do të jetë edhe më i madh”, tha Çollaku.Në qeverinë e Kosovës, siç ka deklaruar kryeministri Isa Mustafa në një mbledhje të qeverisë dy javë më parë, me partnerët e koalicionit është duke u biseduar edhe për “reformatim e rekonstruim”.Në mbledhjen e qeverisë në 25 gusht, kryeministri ka njoftuar lirimin nga detyra e zëvendëskryeministrit të Kujtim Shalës, me kërkesën e tij, që t’i përkushtohet tërë kohën Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ku është ministër.

Qeveria e Kosovës, e koalicionit të dy partive më të madha, PDK e LDK, ku përfshihen edhe parti të vogëla dhe minoritetet, e cila dje ka mbajtur mbledhjen e 108-të, të 40-tën këtë vit, vazhdon punën në vitin e saj të dytë që nga zgjedhja në 9 dhjetor 2014 në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit.

Gjatë kësaj kohe në qeverinë Mustafa ka pasur edhe disa ndryshime tjera dhe më i rëndësishmi ishte dorëheqja e zëvendëskryeministrit të parë e ministrit të Jashtëm, Hashim Thaçi, pasi në 26 shkurt 2016 u zdhodh President i Republikës në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës.

Në qeveri, në vend të Thaçit, në pozitën e zëvendëskryeministrit të parë u emërua Hajredin Kuçi, e në vend të tij në krye të Ministrisë së Drejtësisë u emërua Dhurata Hoxha, ndërsa ministër i Jashtëm u emërua Enver Hoxhaj.

Në qershor të kësaj vere, kryeministri Mustafa e ka liruar nga detyra ministrin e Mjedisit e Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, me kërkesën e tij “deri në momentin e shpalljes së pafajësisë së plotë” pasi prokuroria kishte ngritur aktakuzë për korrupsion ndaj 64 personave, ku përfshihej edhe ai. Ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit e Planifikimit Hapësinor aktualisht është Ferat Shala, që ishte zëvendësministër.

Ndyshimi i parë në qeverinë Mustafa u bë më pak se dy muaj pas zgjedhjes së saj në Kuvendin e Kosovës. Në 3 shkurt 2015 kryeministri i Kosovës shkarkoi ministrin serb për Komunitete dhe Kthim, Aleksandar Jablanoviç, pasi deklarata e tij ku protestueset në Gjakovë, familjare të personave të zhdukur gjatë luftës, i kishte quajtur “egërsira” shkaktoi shumë reagime dhe protesta, madje edhe të dhunëshme. Dalibor Jevtiç, po nga Lista Serbe,  u emërua në pozitën e ministrit për Komunitete dhe Kthim në 24 prill 2015, pasi  serbët i dhanë fund bojkotit institucioneve kosovare  që po vazhdonte në muajin e tretë si reagim kundërshtimi pas shkarkimit të ministrit Jablanoviç.

Në Kosovë, një marrëveshje koalicioni e dy partive më të mëdha, në 8 e 9 dhjetor 2014, i dha fund situatës së “ngrirë” pas zgjedhjeve të 8 qershorit dhe mundësoi konstituimin e Kuvendit e zgjedhjen e qeverisë, dhe si rezultat i saj lideri i partisë së dytë sipas rezultatit zgjedhor – LDK-së, Isa Mustafa u bë kryeministër, e pas kalimit të mandatit kushtetues të Presidentes Atifete Jahjaga, lideri i partisë më të madhe fituese në zgjedhje – Hashim Thaçi u kandidua dhe zgjodh President i Kosovës ndërsa dha dorëheqje edhe nga kryetari i PDK-së, të cilën e drejtonte që nga themelimi në vitin 2000.

SHTYPI: DRIDHET KOALICIONI, PDK GATI PËR ZGJEDHJE

“Dridhet koalicioni, PDK gati për zgjedhje”, është një kryetitull balline sot në shtypine Kosovës.Gazeta Zëri shkruan se, Kosova shpejt mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Të paktën këtë ide e ka dhënë nëpërmjet  deklaratave publike shefi i ri i Grupit Parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti, duke theksuar se partia e tij është e gatshme për zgjedhje.

Share

Filed Under: Featured, Politike Tagged With: Behlul Jashari, ndryshime, qeveria e Kosoves

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 157
  • 158
  • 159
  • 160
  • 161
  • …
  • 245
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT