Foto Gazeta DIELLI: Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Ramë Manaj, drejtorët Ruzhdi Panxha e Hamit Shala dhe korrespondenti në Kosovë i Gazetës Dielli, Behlul Jashari/
Kosova para çerek shekulli votoi 99,87% për Pavarësi
-Në Kosovë, para 25 vitesh u zhvillua shumë suksesshëm Referendumi për pavarësi. Kosovarët votuan 99,87 për qind për Kosovën shtet Sovran dhe i Pavarur në Referendumin e shpallur nga Kuvendi i saj dhe të zhvilluar nga 26 deri në 30 Shtator 1991, e që pasonte Deklaratën Kushtetuese për Pavarësi të 2 Korrikut e Kushtetutën e shpalljes së Republikës të 7 Shtatorit 1990, e pasohej edhe me zgjedhjet e para pluraliste, presidenciale e parlamentare të 24 Majit 1992, ku Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Republikës së Kosovës e u zgjodhën edhe deputetët e Kuvendit/
-Presidenti Rugova: Referendumi është një akt që e afirmoi tutje dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë së Kosovës, në të tashmen dhe në të ardhmen/
-Dëshmi për Referendumin e Pavarësisë – nga organizatorët, nga Arkivi Shtetëror i Kosovës që është një shtëpi e madhe-pallat dokumentesh historike, nga gazeta “Bujku” – e përditshme e rezistencës, e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi…/
SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/
PRISHTINË, 24 Shtator 2016/ Në Arkivin Shtetëror të Kosovës që është një shtëpi e madhe-pallat dokumentesh lexojmë historinë. Në ballinat gazetës së rezistencës “Bujku” të para çerek shekulli, lexojmë kryetitujt: KOSOVA FILLOI REFERENDUMIN PËR SOVRANITET – në numrin e 27 shtatorit 1991 dhe MBI 99 PËR QIND TË VOTUESVE PËR SOVRANITETIN SHTETËROR TË KOSOVËS në numrin e 4 tetorit 1991, ku mbititulli është: Kumtesë e Komisionit Qendror për Zbatimin e Referendumit të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ndërsa, në nëntitull theksohet: Prej më se 1 milion votuesve kanë dalë në votime mbi 870 mijë veta ose rreth 85 për qind e numrit të pëgjithshem të qytetarëve me të drejtë vote. Pjesëmarrja e serbëve dhe e malazezve në referendum ishte simbolike.Më tej në kryeartikullin e gazëtës “Bujku” lexojmë: Deri më 3.10.1991 Komisionit Qendror të Kuvendit të Republikës së Kosovës për zbatimin e referendumit për Republikën e Kosovës shtet sovran dhe i pavarur i kanë arritur rezultatet e votimeve nga të gjitha komunat e Kosovës, si edhe nga disa shtete të Evropës Perëndimore, nga SHBA-të, Australia e të tjerë. Ende nuk kanë arritur rezultatet e votimeve të qytetarëve të Kosovës që punjnë përkohësisht në disa republika të tjera në Jugosllavi, si edhe nga disa shtete të Evropës Perëndimore, e supozohet se është një numër i madh i votuesve.
Nga përpunimi i rezultateve të votimimeve që kanë arritur mund të konstatohet se në Referendum, prej më tepër se 1 milion votuesve, kanë dalë më shumë se 870.000 votues, ose afër 85 për qind të numrit të përgjithshëm të qytetarëve me të drejtë vote. Për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur janë deklaruar 99,8% të votuesve.
Rezultatat e votimeve dhanë mundësi të konstatohet se në Referendum ka dalë një numër i konsiderueshëm i myslimanëve, turqve, kroatavë, romëve e të tjerë, ndërsa pjesëmarrja e serbëve dhe e malazezve ishte simbolike.
Komisioni Qendror për zbatimin e Referendumit lut të gjitha komisionet, të cilat nuk i kanë dorëzuar ende rezultatet e votimeve, ta bëjnë këtë sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që të kumtohen rezultatet përfundimtare të Referendumit, thuhet në kumtesën e Komisionit Qendror për zbatimin e referendumit të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Kështu, në Kosovë, para 25 vitesh u zhvillua shumë suksesshëm referendumi për pavarësi. Kosovarët votuan 99,87 për qind për Kosovën shtet Sovran dhe i Pavarur në referendumin e shpallur nga Kuvendi i saj dhe të zhvilluar nga 26 deri në 30 Shtator 1991, e që pasonte Deklaratën Kushtetuese për pavarësi të 2 Korrikut e Kushtetutën e shpalljes së Republikës të 7 Shtatorit 1990, e pasohej edhe me zgjedhjet e para pluraliste, presidenciale e parlamentare të 24 Majit 1992, ku Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Republikës së Kosovës e u zgjodhën edhe deputetët e Kuvendit.
“Në Referendum dolën 914.802 veta ose 87,01% e 1.051.357 qytetarëve me të drejtë vote, prej tyre për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur votuan 99,87%. Kundër kishin votuar 164 veta, ndërsa të pavlefshme ishin 933 fletëvotime”, konsatonte Komisioni Qendror i Kuvendit të Republikës së Kosovës për Zbatimin e Referendumit në raportin përfundimtar.
Gjithnjë sipas rezultateve zyrtare përfundimtare të shpallura nga Komisioni, në votim, për shkaqe dhe arsye të ndryshme, nuk dolën 136.555 votues apo veç 12,99% e qytetarëve të Republikës së Kosovës me të drejtë vote. Për realizimin e Referendumit pati 1500 vendvotime me 450 njësi votuese.
Referendumi për Pavarësinë, seancat e Kuvendit për Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut dhe për Kushtetutën e Republikës së Kosovës të 7 Shtatorit 1990, si edhe zgjedhjet e para shumëpartiake parlamentare e presidenciale të 24 Majit 1992, janë mbajtur në rrethana të një okupimi të egër të regjimit të Beogradit dhe të një shtetrrethimi ushtarako-policor, ndërsa ishin mesazhe të fuqishme dhe të qarta të Kosovës për gjithë botën në një kohë të lëvizjes gjithëpopullore për liri, pavarësi e demokraci.
PRESIDENTI HISTORIK, DR. IBRAHIM RUGOVA: REFERENDUMI, AKT QË E AFIRMOI TUTJE DHE ËSHTË NJË GARANCI PËR REALIZIMIN E PAVARËSISË SË KOSOVËS
Referendumi i 26 deri 30 shtatorit1991 “është një akt që e afirmoi tutje dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë së Kosovës, në të tashmen dhe në të ardhmen”, theksonte Presidenti historik i Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova
Referendumi i 26 deri 30 shtatorit1991 “është një akt që e afirmoi tutje dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë së Kosovës, në të tashmen dhe në të ardhmen”, theksonte Presidenti historik i Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova, në intervistën e parë ekskluzive të një presidenti kosovar për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH), që e kam zhvilluar pikërisht në shtatorin e para 22 viteve, atëherë në 3 vjetorin e ngjarjes historike të deklarimit të vullnetit kombëtar e demokratik të popullit të Kosovës.
Një nga pyetjet e intervistës me Presidentin Rugova ishte: Populli i Kosovës u deklarua për një shtet të tillë edhe me Referendumin për pavarësi, pikërisht në shtatorin e para tre vjetëve. Ju lutemi edhe për një koment në përvjetorin e kësaj ngjarje madhore.
Përgjigja e Presidentit Rugova ishte kjo: “Referendumi për Kosovën e pavarur e neutrale, që u mbajt me sukses në ditët e fundit të shtatorit të vitit 1991, është një ngjarje shumë e rëndësishme. Pas Deklaratës kushtetuese e Kushtetutës së Republikës ajo tregoi në mënyrë plebishitare vullnetin dhe dëshirën e popullit, që ishte vijëzuar në dokumentet e mëparshme. Ky referendum ka rëndësi edhe shqiptare edhe ndërkombëtare, si akt i deklarimit të popullit të Kosovës. Pas tij pasuan edhe referendumet në viset e tjera shqiptare. Pasuan edhe zgjedhjet e lira, shumëpartiake, si një materializim i pushtetit që del nga ky referendum dhe nga situata e përgjithëshme e Kosovës. Pra, është një akt që e afirmoi tutje dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë së Kosovës, në të tashmen dhe në të ardhmen.
Mbase pse jemi në situatë të rëndë, shpesh nuk po i vlerësojmë disa akte që i kemi bërë, që janë më afër. Prandaj, dua të them se me referendum, për herë të parë shqiptarët e Kosovës dhe të gjitha viseve të tjera shqiptare në ish-Jugosllavi u deklaruan para opinionit ndërkombëtar për interesat e tyre, për interesat globale, sepse asnjëherë shqiptarët nuk kanë pasur mundësi të deklarohen. Dihet se edhe më parë është biseduar për deklarime të tilla, por nuk janë lejuar nga bashkësia ndërkombatare. Për shembull, gjatë vitit 1918 e gjatë viteve që pasuan, gjatë Konferencës së Versajës, etj., kur definitivisht vihen këta kufij, që, për fat të keq, i kemi edhe tash, pastaj as në ’45-tën nuk ka pasur mundësi populli i Kosovës të deklarohet. Prandaj, këto referendume janë momente mjaft, mjaft të rëndësishme, dhe mund të them se u respektuan në Konferencën e Londrës ’92, sepse atje u thirrën shqiptarët e Kosovës si reprezentim, edhe shqiptarët e viseve të tjera. Do të thotë, ishte ai hap i vogël, por mjaft i rëndësishëm i këtyre deklarimeve që i bënë shqiptarët”.
Dhe vazhdonte intervista…
“Falënderoj Agjencinë Telegrafike Shqiptare për informimin nga Kosova e për Kosovën. Edhe kjo që pata rastin të bisedoj për këtë agjenci, që përfaqëson Shqipërinë dhe çështjen shqiptare, është një hap në politikën globale, në integrimet shqiptare”, theksonte Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova në intervistën ekskluzive që kam zhvilluar për ATSH-në, derisa bisedonim gjatë ditën e enjte të 22 shtatorit 1994, në zyrën e tij, ku sot është muzeu – Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova.
Ishte vit i kohëve të rënda të okupimit e dhunës kundër shqiptarëve të Kosovës. “Një represion masiv në Kosovë ka rritur tensionet politike këtu dhe në rajon, ndaj është e domosdoshme prania ndërkombëtare”, e përshkruante situatën dhe e kërkonte zgjidhjen Presidenti Rugova.
ILAZ RAMAJLI: REFERENDUMI U ORGANIZUA SHUMË MIRË, MEGJITHËSE MBAHEJ NË RRETHANA TË NJË OKUPIMI TË EGËR
Në krye të Kuvendit të Kosovës në atë kohë të vendimeve e ngjarjeve historike ishte Ilaz Ramajli. Ishin këto ngjarje e zhvillime drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, dhe një nga ato ishte Referendumi për Pavarësinë.
“Para Referendumit, edhe Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës e 7 Shtatorit 1990, jo vetëm që ishin akte kushtetuese juridike, por në kohën kur u nxorën ishin edhe akte mbrojtëse dhe pozicionuese në raport me situatën e krijuar në ish Jugosllavi”, ka theksuar Ramajli në intervistat që kam zhvilluar.
Nga shpërbërja e ish Jugosllavisë, nga elementet konstituive të federatës, mes të cilave ishte edhe Kosova që u bë shtet, shtete të reja të rajonit dolën edhe Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Maqedona, Mali i Zi dhe Serbia.
“Si e dini, Kuvendi i Republikës së Kosovës nga data 7 shtator 1990 ka vepruar jashtë Kosovës, nga rrethanat për të cilat tanimë janë të njohura për të gjithë. Gjatë veprimit jashtë vendit Kuvendi plotësisht ka koordinuar aktivitetet e tija me subjektet politike të cilat në atë kohë ishin të organizuara dhe vepronin në Kosovë. Nisur nga rrethanat e kohës dhe ngjarjeve në hapësirat e ish Jugosllavisë si dhe në rrafshin ndërkombëtar por edhe me qëllim të rrumbullakimit të kornizës kushtetuese dhe ligjore për Kosovën shtet sovran e të pavarur e në marrëveshje me subjektet politike në Kosovë, Kuvendi në mbledhjen e 22 shtatorit 1991, mbajtur në Slloveni, nxori Vendimin për mbajtjen e Referendumit për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur i cili do të organizohej prej 26-30 shtator 1991”, ka theksuar Ilaz Ramajli në një intervistë ekskluzive që kam zhvilluar në 20-vjetorin e Referendumit.
Ai ka vlerësuar se, Referendumi u organizua shumë mirë, megjithëse mbahej në rrethana të një okupimi të egër të Serbisë në Kosovë.
“Mbajtja e referendumit dhe rezultatet e tij jo vetëm që mundësuan ndryshimet kushtetuese me të cilat Kosova u shpall shtet sovran e i pavarur dhe u rrumbulaksua korniza kushtetuese e ligjore lidhur me këtë por ishte edhe një mesazh i fortë dhe shumë i qartë për Serbinë dhe gjithë botën se populli i Kosovës më asnjëherë nuk dëshiron të jetë nën kontrollin e të tjerëve, por është përcaktuar fuqishëm që shteti i tyre, Kosova, të jetë shtet sovran dhe i pavarur”, është shprehur Ramajli, kryetar i Kuvendit të Kosovës në kohën e mbajtjes së Referendumit.
Në Arkivin Shtetëror të Kosovës do mund ta gjejmë e lexojmë edhe shkrimin ekskluziv të Ilaz Ramajlit në gazetën tradicionale të Kosovës RILINDJA – BOTIM SPECIAL I 28 NËNTORIT 2002, FESTËS SË FLAMURIT DHE 90 VJETORIT TË PAVARËSISË SHQIPTARE.
Ekskluzive: Për Kushtetutën e Republikës së Kosovës me të dhëna që për herë të parë dalin në opinion, është mbititulli, ndërsa titulli është: 7 Shtatori, Dita e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Në këtë shkrim Ramajli, mes tjerash, thekson gatishmërinë e jashtëzakonshme të delegatëve të Kuvendit të Kosovës në atë kohë pa marrë parasysh pasojat dhe tregon se si lindi ideja që në Kaçanik të shpallet Kushtetuta.
TAKIM ME KRYESHEFIN EKZEKUTIV TË AGJENCISË SHTETËRORE TË ARKIVAVE TË KOSOVËS,RAMË MANAJ DHE DREJTORËT HAMIT SHALA E RUZHDI PANXHA
Pasditën e së enjtes së 22 shtatorit 2006 në Shtëpinë e madhe të dokumenteve, në takim me Kryeshefin Ekzekutiv të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Ramë Manaj dhe drejtorët Hamit Shala e Ruzhdi Panxha kemi biseduar edhe rreth kompletimit të Arkivit të Rilindjes të dërguar në Arkivin Shtetëror të Kosovës edhe me pjesët tjera të arkivit të gazetës tradicionale që ndodhen ende në Kompleksin Rilindja, ku Pallati 18 katësh është shndërruar në ndërtesë qeveritare. Në cilësinë kryeradaktorit të gazetës tradicionale kosovare Rilindja deri në numrin e fundit që ka dalë në 30 dhjetor të vitit historik 2008 të shpalljes së pavarësisë, në 29 janar 2007, me një vendim të veçantë të Kryeministrit kam nënshkruar marrëveshjen e hartuar nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit, e cila poashtu është nënshkruese, me Arkivin Shtetëror të Kosovës për dërgimin atje të gjithë Arkivit të Rilindjes, i cili edhe duhet të vlerësohet si edhe çdo pronë tjetër e Ndërmarrjes Shoqërore Gazetare Rilindja për realizimin e të drejtave të punëtorëve të saj.
MUNGESA E BOTIMEVE TË GAZETËS “BUJKU” TË DITËVE TË REFERENDUMIT TË PAVARËSISË
Gazeta tradicionale e historike shqiptare Rilindja, numri i parë i së cilës ka dalë në Prizren para më shumë se 71 vitesh, në 12 shkurt 1945, me përgatitje nga koha e Konferencës së Bujanit e në frymen e saj për të drejtat e shqiptarëve e të Kosovës, ka kaluar kohë të vështira, të okupimit të egër e ndalesave dhe vështirë ishte të ruhen e shpëtohen gjërat me vlerë për shqiptarët e Kosovën. Duket se është pasojë e atyre kohëve të vështira edhe mungesa që ishte në Arkivin e Rilindjes të dërguar në Arkivin Shtetëror të Kosovës në librat e lidhur të gazetës “Bujku” të ditëve të Referendumit të Pavarësisë. Të kohëve, kur regjimi i Beogradit okupoi me dhunë edhe Pallatin Rilindja, ku ishte Arkivi i Rilindjes, e pjesë e tij edhe gazetat e ditëve të Referendumit për Pavarësinë e Kosovës. Në Arkivin e Kosovës, në librat e lidhur të gazetave të Arkivit të Rilindjes kemi parë se mungonin pikërisht botimet e gazetës “Bujku” të ditëve të Referendumit. Ishte vetëm gazeta “Bujku” e datës 27 shtator 1991 me kryetitull “Kosova filloi Referendumin për Sovranitet” dhe…pas ditëve të mungesave është edhe gazeta “Bujku” e datës 4 tetor 1991 me kryetitullin “Mbi 99 për qind të votuesve për sovranitetin shtetëror të Kosovës”.
Meqë nuk u gjenden në Arkivin e Kosovës botimet e numrave historikë të gazetës “Bujku” të ditëve të Referendeumit, pa pasur mundësinë edhe të sjellë imazhin e tyre, do i përshkruajë si i kishim bërë e si dukeshin. Ishin “edhe gazetë edhe televizor”, si thoja atëherë, meqë në terrin informativ kur ishte i okupuar Televizioni i Prishtinës për ta “kompensuar” mungesën e televizionit botonim edhe shumë fotografi të madha nga votimet e atmosfera. Dhe e gjithë gazeta ishte referendum, me raporte të gjëra e fotografi të ekipeve të gazetarëve e korrespondentëve nga e gjithë Kosova që punonin ditë e natë e me sakrifica, duke qenë të gjitha faqet e gazetës ngjarje dite, duke hequr rubrikat e faqet e tjera të botimeve të zakonshme.
Në Arkivin e Rilindjes pasuri e madhe kombëtare, të dërguar në shtëpinë-pallatin e dokumenteve – Arkivin Shtetëror të Kosovës, mungesa e botimeve të gazetës “Bujku” të ditëve të Referendumit të Pavarësisë të fundshtatorit 1991 është e pakompensueshme dhe e pazëvendësueshme…Urojmë të gjenden ndokund, te ndokush që ka mundur t’i ketë e ruajë ato botime historike të gazetës “Bujku” të ditëve të Referendumit të Pavarësisë, të kohës së okupimit, kur edhe në bibliotekat nën masa të dhunshme bëhej kulturocid, jo vetëm që nuk merreshin për t’u ruajtur botimet shqipe, por edhe shkatërroheshin…
Gazeta e vetme e përditshme shqipe në atë kohë në Kosovë, “Bujku”, themelues-kryeredaktor i parë i së cilës isha, gazetë e rezistencës me orientim të fuqishëm properëndimor euroatlantik e pjesë e lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci dilte nga 18 janari i vitit 1991, pasi me dhunë ishte ndaluar gazeta tradicionale kosovare Rilindja. Që atëherë nisën edhe bashkëpunimet me ATSH-në, nga e cila merrnim e botonim informacione në gazetën “Buku” dhe kështu u themeluan bashkëpunimet e para të mediave Shqipëri-Kosovë.
EDHE DOKUMENTE TË HAPJES SË ZYRËS SË ATSH NË PRISHTINË NË ARKIVIN E KOSOVËS
Në 22 shtator 2016, në Arkivin Shtetëror të Kosovës dërgova nga arkivi personal edhe disa ekzemplarë të gazetës Rilindja botime speciale si dhe dokumente të hapjes së Zyrës së Agjencisë Telegrafike Shqitare – ATSH në Prishtinë, në ambientet që, pas përfundimit të luftës para 17 viteve mi dha me një vendim të veçantë Qeveria e Përkohshme e Kosovës.
Në vitin historik të lirisë së Kosovës 1999, në 1 tetor, Qeveria e Përkohëshme e Kosovës i dha zyrë ATSH-së edhe si shprehje vlerësimi e mirënjohje për raportimet nga Kosova në vitet e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi.
“I lejohet kësaj agjensie puna në territorin e Kosovës, si dhe vendosja e personelit të saj zyrtarisht në kryeqendrën e Kosovës”, theksohej në dokumentin e lejes së punës dhe dhënies së zyrës në aneksin e Pallatit Rilindja në Prishtinë, në një ambient ku para luftës ishte e vendosur një bankë. I nënshkruar nga ministri i Ministrisë së Informimit Publik në Qeverinë e Përkohëshme të Kosovës, Bajram Kosumi, dokumenti u dha pa asnjë pritje në të njëjtën ditë kur bëra kërkesën si korrespondent i ATSH në Prishtinë.
Para më shumë se 24 viteve, raportimet që bëja me lidhje telexi, e vetmja e mundshme atëherë nga Prishtina në Tiranë, për zgjedhjet e para pluraliste kosovare të 24 majit 1992 shënonin fillimet e korrespondenturës së ATSH në Kosovë. Zyra e telexit në Pallatin Rilinda u bë edhe zyrë e ATSH-së, prej nga raportoja ditë e natë.
Në kohën e luftës, të dëbimit të mëse 1 milion shqiptarëve nga Kosova, për rreth dy muaj “selia” e raportimeve të mia si korrespondent i ATSH ishte kufiri jugor i Kosovës, si dhe Tetova e Shkupi. Akreditimi u dha nga Ministria e Informatave e Maqedonisë të njëjtën ditë të kërkesës dërguar me telefax nga ATSH në 5 prill 1999.
Në prag të 17 Shkurtit historik 2008 të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, ATSH hapi zyrë në Grand Hotel Prishtina në kryeqytetin e shtetit më të ri evropian, bashkë me Dhomen e Tregtisë Tiranë.
***
Në Shtëpinë-Pallatin e dokumenteve- Arkivin Shtetëror të Kosovës mbërrita ndonjë minutë pasi kishte përfunuar aty një vizitë nga SHBA.
VIZITA E DELEGACIONIT NGA NEW YORK,SHBA
Delegacioni nga New Yorku, i kryesuar nga ish-sekretari i Komitetit “Shqipëria e lirë”, z. Idriz Lamaj, me seli në New York, më datë 22 shtator 2016, vizitoi Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës.
Delegacioni në fjalë u prit nga Kryeshefi Ekzekutiv i ASHAK-së z. Ramë Manaj dhe bashkëpunëtorët e tij. Qëllimi i vizitës nga ish-sekretari i Komitetit “Shqipëria e lirë” ishte analizimi i mundësive për dorëzimin e materialit arkivor të veprimtarisë së Komitetit në ASHAK për ruajtje.