• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kuvendi i Kosovës, në axhendë ratifikimi për EULEX-in

June 16, 2016 by dgreca

-Grupi parlamentar i LDK propozoi që në rend dite të hyjë sot Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë si dhe

-Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që ndërlidhen me mandatin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Republikën e Kosovës, si pika 18 e 19. Propozimi i mbështetur edhe nga grupi parlamentar i PDK u miratua me 70 vota pro, 12 kundër e 1 abstenim/

 Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 16 Qershor 2016/ Kuvendi i Kosovës po zhvillon sot seancë plenare të nisur me deklarime jashtë rendit të ditës, para së cilës në mëngjes qeveria mbajti mbledhjen e 95-të, të 27-tën në vitin 2016, pas asaj të djeshme si dhe të hënës, në të cilën ka miratuar Projektligjin për Vazhdimin e Mandatit të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, (EULEX Kosova). Ligji është proceduar në Kuvend, por ende nuk ka hyrë në axhendë seance plenare, meqë ndërkohë nuk u  mbajt mbledhja e ftuar e Kryesisë me shefat e grupeve parlamentare dhe kanë vazhduar komunikimet mes krerëve të shtetit dhe përfaqësuesëve të BE-së.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, dje në mbledhje të qeverisë ka informuar për arritjen e marrëveshjes me Bashkimin Evropian lidhur me vazhdimin e mandatit të EULEX-it, dhe ka paralajmërur se ky ky ligj do jetë në axhendën e seancës plenare të Kuvendit për shqyrtim dhe miratim, pasi kabineti qeveritar të zhvillojë edhe një takim tjetër, i cili u mbajt sot.

“Kemi pasë një takim me presidentin, me kryetarin e Kuvendit, me përfaqësuesit e institucioneve të drejtësisë dhe me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian, Samuel Zhbogar, me përfaqësues të Ambasadës Amerikane, dhe është arrit marrëveshja lidhur me EULEX-in”, tha Mustafa dje në mbledhjen e qeverisë.

“Ne presim ta marrim këmbimin e letrës nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian,  Federika Mogherini”, tha kryeministri i Kosovës.

Lidhur me këtë çështje kabinetin qeveritar e ka informuar edhe zëvendëskryeministri i pare e ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, i cili ka vlerësuar arritjen e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për mandatin e EULEX-it për dy vitet e ardhëshme.

 “Në negocimin tonë kemi pasë parasysh dy kritere: e para, që të shfrytëzohet në maksimum mundësia e institucioneve tona për ta ushtruar sovranitetin e plotë në fushën e gjyqësisë dhe prokurorisë dhe njëkohësisht kemi pasë mundësinë edhe kemi shfrytëzuar autoritetin edhe të EULEX-it për ekspertizën e tyre në dy vitet e ardhshme. Kemi arritur një marrëveshje që është në përmbajtjen e letrës së plotë të presidentit që e ka dërguar me datën 9 qershor te Mogherini”, tha ai.

“Mbrëmë e kemi marrë edhe letrën kthyese të përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, prandaj kemi proceduar edhe një herë me këto dy projektligje të cilat janë të harmonizuara me letrën e presidentit dhe me Bashkimin Evropian”, tha sot në mbledhjen e qeverisë kryeministri Mustafa.

Kabineti qeveritar fillimisht ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë.

Pas mbledhjes së sotme të qeverisë, derisa zhvillon punimet seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, deputetëve u është shpërndarë projektligji për marrëveshjen Kosovë – BE për vazhdimin e Misionit të EULEX-it deri në 15 qershor 2018 

Grupi parlamentar i LDK propozoi që në rend dite të hyjë sot Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë si dhe 

Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që ndërlidhen me mandatin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Republikën e Kosovës, si pika 18 e 19. Propozimi i mbështetur edhe nga grupi parlamentar i PDK u miratua me 70 vota pro, 12 kundër e 1 abstenim. Votim kundër këtij propozimi paralajmëroi grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, duke kërkuar kohë për shqyrtim dhe procedura për këto projektligje.

 

Kryesia e Kuvendit të Kosovës të hënën, gjatë ditës, në një mbledhje me shefat e grupeve  parlamentare ka ftuar seancën plenare për sot – në 16 qershor, por pas mbledhjes në mbrëmje të qeverisë dhe procedimit të saj të Projektligjit për vazhdimin e mandatit të EULEX një seancë tjetër plenare parlamentare urgjente pritej të mbahej më herët.

Kuvendi i Kosovës në seancën e sotme, sipas axhendës, do të votojë Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin e Rehabilitimit të Linjës Hekurudhore 10, i cili është shqyrtuar në seancën e 9 qershorit.

Votimi për këtë projektligj u shty për në seancën e radhës, me kërkesë të Grupit Parlamentar të LDK-së, pasi s’do mund të kishte vota të mjaftueshme për miratim, meqë grupi parlamentar i subjektit politik më të madh opozitar, Lëvizjes Vetëvendosje, paralajmëroi abstenim. 

Linja Hekurudhore 10 është 148 kilometërshe nga Hani i Elezit, kufiri jugor me Maqedoninë, deri në Leshak, kufiri verior me Serbinë, duke kaluar nëpër Fushë Kosovë e Mitrovicë, ndërsa është e rëndësishme edhe për rajonin. 

Kuvendi i Kosovës në seancën plenare në 16 qershor do të shqyrtojë një varg projektligjesh dhe raportesh, me axhendën e përcaktuar nga

Kryesia në mbledhjen e përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare.

Në fillimjavë, kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim lamtumirës shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, Gabriele Meucci, të cilin e falënderoi për angazhimin dhe kontributin e tij gjatë misionit, duke vlerësuar bashkëpunimin ndërmjet EULEX-it dhe institucioneve të Kosovës në avancimin e proceseve, gjatë kësaj periudhe.

 Shefi i deritashëm i EULEX-it,  Meucci, vlerësoi progresin e arritur në Kosovë, duke e falënderuar kryeministrin Mustafa për bashkëpunimin e ofruar.

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, Kuvendi i kosoves, në axhendë, ratifikimi për EULEX-in

Kosova, 8 vjet me Kushtetutën e Pavarësisë

June 15, 2016 by dgreca

Foto Gazeta DIELLI – Behlul Jashari: Kosova në festë – kryeqyteti, Prishtina/
-Kosova në rrugën drejt Pavarësisë ka një histori kushtetuese edhe para Kushtetutës së saj të parë si shtet i pavarur me njohje ndërkombëtare/
-Dekretimi i 41 ligjeve, të  dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet e ditës së hyrjes në fuqi të Kushtetutës para 8 viteve/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË,  15 Qershor 2016/ Dita e sotme, 15 qershori, shënon 8 vjetorin e hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, e cila në nenin 1 e përcakton “shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”.Kushtetuta hyri në fuqi në 15 qershor 2008, pasi u miratua nga Parlamenti i Kosovës në 9 prill, më pak se dy maj pas shpalljes së pavarësisë në 17 shkurtin historik.

Dekretimi i 41 ligjeve, të  dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet e ditës së hyrjes në fuqi të Kushtetutës para 8 viteve. Dekretimin e bëri Presidenti i afëhershëm i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, pasi ato i dërgoi në Presidencë kryeparlamentari në atë kohë, Jakup Krasniqi.

Në 8 vjetorin e hyrjes në fuqi të Kushtetutës shteti i Kosovës është i njohur nga 111 shtete anëtare të OKB-së dhe e anëtarësuar në shumë institucione e organizata ndërkombëtare, evropiane e rajonale.

Këtë vit – në 2016-ën, në 1 prill, nisi zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian, e nënshkruar në 27 tetor 2015 në Strasburg  dhe e ratifikuar në Parlamentin kosovar pas pak ditësh, në 2 nëntor. Marrëveshja për Stabilizim Asociim, e cila krijon për herë të parë marrëdhënie kontraktuale me BE-në, është vlerësuar ngjarja më e rëndësishme e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë..

Kosova në rrugën drejt pavarësisë ka një histori kushtetuese edhe para Kushtetutës së saj të parë si shtet i pavarur me njohje ndërkombëtare.

Kosova ka pasur Kushtetutën e saj prej vitit 1974, e cila i ka siguruar mëvetësi maksimale organizative dhe të drejtë vetoje në nivelin federal, si njësi konstituive, ashtu si edhe njësive të tjera të federatës, nga shpërbërja e së cilës tash janë shtatë shtete.

Kosova, në vitin 1990, pas kundërshtimeve të fuqishme institucionale e gjithëpopullore të “kushtetutës së tankeve” serbe me të cilën dhunshëm e përgjakshëm në mënyrë kundërkushtetuese i suprimohej autonomia, në rrethana të okupimit,  shpalli Deklaratën e pavarësisë në 2 korrik e më pastaj Kuvendi miratoi në 7 shtator Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Republika e Kosovës me kushtetutën e vet atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, por njihej në botë si “shteti paralel i shqiptarëve të Kosovës” për pothuaj një dekadë.

Prej vitit 2001 deri para 8 viteve, Kosova ka pasur një Kornizë Kushtetuese, e miratuar nga OKB-ja, e cila ishte dokument më shumë inicial kushtetues, por ka mundësuar zhvillimin e vendit nga një krijesë de fakto e pavarur, ndonëse nën protektorat, në një entitet shtetëror të pavarur, edhe pse nën mbikëqyrje ndërkombëtare për një kohë.

Tetëvjetori i hyrjes në fuqi të Kushtetutës së shtetit të pavarur shënohet në kohën kur nëpër qytetet kosovare festohet 17 vjetori i lirisë, e cila nisi me Ditën e Paqes e Lirisë – 12 qershorin e vitit 1999, kur forcat shpëtimtare të  NATO-s,  pas ndërhyrjes me aviacion në fushatën ajrore 78 ditëshe,  filluan të  hynin në Kosovë, nga Maqedonia, e të nesërmen edhe nga Shqipëria.

Filed Under: Editorial Tagged With: 8 vjet, Behlul Jashari, kosova, me Kushtetutën e Pavarësisë

Panairi i librit në Prishtinë, 40 mijë vizitorë

June 14, 2016 by dgreca

Foto Gazeta DIELLI – Behlul Jashari: Panairi i Librit 2016 në Prishtinë/

-Mbi 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe diaspora shqiptare morën pjesë në panair me afër 1.500 tituj të rinj  e rreth 4.500 të tjerë, të viteve të fundit/

PRISHTINË, 13 Qershor 2016-B.Jashari/ Rreth 40 mijë vizitorë, mes të cilëve edhe personalitete të shquara nga jeta letrare, akademike e politike, kishte  Panairi i Librit, edicioni i 18-të, në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, që ishte i hapur gjatë javës së kaluar, vlerëson organizatori – Shoqata e Botuesve të Kosovës.

Mbi 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe diaspora shqiptare morën pjesë në panair me afër 1.500 tituj të rinj  e rreth 4.500 të tjerë, të viteve të fundit.

Panairi që e bëri Prishtinën edhe kryeqytet libri është hapur në 7 qershor me një ceremoni solemne, ku morën pjesë dhe përshëndetën edhe kryeministri i Kosovs, Isa Mustafa dhe zëvendësministri i Kulturës i Shqipërisë, Zef Çuni.

“Panairi tashmë tradicional i Prishtinës është shndërruar në ngjarje shumë të rëndësishme për Kosovën dhe për kulturën shqiptare”, është shprehur Mustafa, duke shtuar se, libri është udhërrëfyes i së ardhmes së Kosovës.

“Ky panair afron botën shqiptare nëpërmjet bashkimit të shkrimtarëve, autorëve, nëpërmjet promovimit, takimeve me libra të rinj dhe me librat e traditës”, ka theksuar ai.

Zëvendësministri shqiptar i Kulturës, Çuni, ka thënë se Panairi i librit është festë mbarëkombëtare.

“ Jo vetëm për sa i përket dialogut ndërkulturor që ne shqiptarët kemi nevojë të njohim mirë njëri-tjetrin, por në të njëjtën kohë kemi nevojë të njohim edhe kulturën, edhe librin e huaj nëpër botë, edhe librin evropian, sepse është Evropa ajo që ne aspirojmë t’i bashkohemi”, është shprehur ai.

Në Panair, të vlerësuar edhe festë e librit dhe shenjë e identitetit, është tradicionale edhe shënimi i përvjetorëve të personaliteteve të mëdha letrare shqiptare e botërore. Tradita, këtë vit, vazhdoi me 450 vjetorin e lindjes së Pjetër Budit, 400 vjetorin e vdekjes së William Shakespeare, 400 vjetorin e vdekjes së Miguel Cervantesit, 150 vjetorin e lindjes së Ndre Mjedës, 150 vjetorin e lindjes së Andon Zako Çajupit, 100 vjetorin e lindjes së Mbretëreshës Geraldinë, 100 vjetorin e lindjes së Jusuf Vrionit, 100 vjetorin e lindjes së Esad Mekulit. Aktivitete i dedikohen edhe  90 vjetorit të lindjes së Kasëm Trebeshinës, 80 vjetorit të lindjes së Ismail Kadaresë, 80 vjetorit të lindjes së Rexhep Qosjes dhe 80-vjetorit të lindjes së Adem Demaçit.

Para 17 vitesh, menjëherë pas luftës në Kosovë në vitin 1999, nga 17-22 nëntor, është organizuar panairi i parë i librit në Prishtinë, i cili ishte ndër aktivitetet e para kulturore në liri bashkë me një koncert të mbajtur në qytetin e Prizrenit të artistëve nga Kosova e Shqipëria.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: 40 mijë vizitorë, Behlul Jashari, Panairi i librit në Prishtinë

Kosova, 17 vjet liri e paqe

June 12, 2016 by dgreca

-Para 17 viteve, Kosovës po i ndodhte liria dhe paqja, NATO nisi të hynte në mëngjesin e hershëm të 12 qershorit 1999 në ora 05 e 17 minuta/

Shkruan: Behlul JASHARI, korrespondenti në Prishtinë sot plot një vit nga 12 qershori 2015 i Gazetës DIELLI, i cili ka raportuar nga kolona e tankeve të para të NATO-s, që hynin në Kosovë/

PRISHTINË, 12 Qershor 2016/ Në Kosovë para 17 viteve nisi të ndodhte liria dhe paqja: Ishte ora 05 e 17 minuta e mëngjesit në 12 qershorin historik 1999. Në atë orë e ditë të lume tanket e para të NATO-s të përcjella nga helikopterët hynin në Kosovë.

Ishte ora kur nga kolona e tankeve të forcës më të madhe planetare, NATO-s, që kalonin kufirin e Kosovës nga Maqedonia në Bllacë-Han të Elezit, po jepja në Agjencinë Telegrafike Shqiptare – agjencinë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë (ATSH) e në Radio Televizionin Shqiptar (RTSH) lajmin e madh për të gjithë shqiptarët dhe botën.
Ishte ora kur liria po vinte e po iknin forcat serbe të kasapit të Ballkanit, Milosheviç, i cili përfundoi në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë, dhe që po linin pas luftën me një bilanc tragjik të masakrave, spastrimit etnik e gjenocidit kundër shqiptarëve: Mëse 12 mijë të vrarë, rreth 6 mijë të zhdukur,  shumë prej tyre të groposur në varreza masive, edhe të fshehura në Serbi, e afër 1 milion të dëbuar – shumica  drejt Shqipërisë…

Kosovës i vinte era tokë e djegur, ua kishin vënë flakën mëse 400  fshatrave e qyteteve, 120 mijë shtëpive të shqiptarëve…

Drejt Kosovës, qyteteve, fshatrave e shtëpive të tyre të shkretëruara e të djegura ishin nisur më këmbë refugjatët e kampit afër kufirit në Bllacë, Maqedoni. Ata njerëz, që dukeshin më të gëzuarit e gjithë botës, në qytezën kufitare kosovare Hani i Elezit binin në gjunjë, puthinin tokën e atdheut të tyre dhe tanket e misionit humanitar e shpëtimtar  të NATO-s, të cilat po u hapnin rrugën për kthimin e madh dhe lirinë e përjetshme. “Është më shumë se ëndërr, është më shumë se gëzim”, shpreheshin në atë mëngjes të dëbuarit që po ktheheheshin në shtëpitë e tokën e tyre.

Forcat serbe kishin ikur nga kufiri dhe po largoheshin nga Kosova, por kishin lënë prapa zonat e minuara, dhe dukej se për këtë zgjatnin me orë kontrollet te Ura e Kashanit mbi lumin Lepenc e te tuneli i afërt në Grykën Kaçanikut. Njësitet britanike të xhenios, ushtarë nga Nepali dhe Anglia , brenda asaj kohe zhvillonin operacionin për mënjanimin e rreziqeve nga minat dhe për t’u siguruar se mbi urë do të mund të kalojnë tanket dhe makineritë e tjera të renda luftarake. Testimi i urës u bë edhe me zbarkimin mbi të të helikopterëve, fillimisht më të lehtë e në numër më të vogël, e pastaj githnjë e më të rëndë e në numër më të madh…

Në Grykën e Kaçanikut, forcat kriminale të Milosheviçit kishin lënë prapa edhe grafite në faqe shkëmbinjësh: “Kosova zemra e Serbisë” e “Serbia deri në Durrës”, e që shkonin edhe shumë larg, “Serbia deri në Tokio”,  “ Serbia deri në Sidnei”…Gazetarët nga gjithë bota, me të cilët në kolonën e tankeve të para të NATO-s në Kosovë isha bashkë me korrespondentin nga Shkupi të gazetës kosovare Rilindja, Bedri Sadiku, ato grafite i shikonin si një çmenduri dhe qeshnin, fotografonin, filmonin, raportonin…

“Të akredituar deri natën e 11/12 qershorit,  diku pas mesnate,  ishin më shumë se 1500 gazetarë nga gjithë bota”, ka shkruar Bedriu në gazetën tradicionale të Kosovës, Rilindja.

Përtej këtyre grafiteve të përçudshme, si një përgjigje dhe ralitet se çka është Kosova u shfaq imazhi i Flamurit Kombëtar Shqiptar i ngritur si fluturim shqiponje dykrenare e si në majën më të lartë të festimeve në gjithë botën në qytetin e Kaçanikut, ku në 7 shtator 1990 ishte shpallur Republika e Kosovës dhe miratuar Kushtetuta e saj në një mbledhje historike të Kuvendit, në kushte të rënda dhe plot rreziqe okupimi. Nga Kaçaniku, nëpër Fushën e Pajtimit, në orët e pasditës, kolona e NATO-s mbërriti në qytetin e Ferizajt, mbi të cilin nga larg shiheshin re tymi.

“Forcat serbe edhe sot po e djegin Ferizajn, duan ta djegin të tërin para se të ikin. Ende nuk kanë ikur të gjitha”, tregonin shqiptarët e mbetur atje.

Ata kishin dalë për të pritur e përshendetur NATO-n me lulet që i vënin mbi tanke e shtronin rrugën, dhe me brohoritjet: “NATO, NATO”, “Kosova, Kosova”, “NATO – Kosova e Lirë”. Kishin dalë në mikprijen e madhe, me falënderimin e mirënjohjen e gjithëmonëshme.

Fëmijëve anëve të rrugës që përshëndesnin me valëvitje duarsh e plot gëzim ushtarakë të NATO-s u shpërndanin bombone (ëmbëlsira). Një vajzë, nxënëse e shkëlqyer e fillores, po shtrëngonte bombonin në grusht te zemra dhe thërriste shumë e lumtur: “Do ta ruaj tërë jetën për kujtim”.  Ishin ata fëmijtë që kishin përjetuar tmerret, e me muaj të tërë as s’kishtin parë ëmbëlsira e ishin përballur edhe me urinë në mungesë të bukës. Tregonin se kishin jetuar me shumë frikë të fshehur nëpër bodrume…

Ndërkohë që kolona kishte marshuar edhe më tej, pas ndonjë ore edhe fushat rreth qytetit të Lipjanit u mbushen tanke të NATO-s, të cilat para mbrëmjes arritën deri afër Prishtinës, por hyrja në kryeqytet dukej mbeti për të nesërmen…

“Po shkojmë në Prishtinë, të shohim si duket në natën e fundit të okupimit”, thanë disa nga gazetarët nga anë të ndryshme të botës, të cilëve iu bashkova, edhepse e dija se të shkohet para se ta marrë kontrollin NATO rreziku ishte shumë i madh, kishte shumë rreziqe nga të cilat mëzi isha larguar…

Vetëm para pak më shumë se një muaji, në 6 maj 1999, i larguar nga kryeqyteti, duke raportuar nga kufiri jugor i Kosovës, kisha dhënë lajmin në ATSH “Shqiptarët në Prishtinë – mburojë e gjallë”.

Me atë titull kisha raportuar: “Shumë banorë të Prishtinës po mbahen peng dhe po përdoren nga serbët si mburojë e gjallë. Ata janë detyruar të qëndrojnë në shtëpitë dhe banesat pranë vendeve ku janë fshehur armë dhe mjete të mekanizuara ushtarake si dhe nëpër objekte që mund të bombardohen nga NATO-ja…Shumë familje janë detyruar të qëndrojnë për disa ditë me radhë pranë postes së re të Prishtinës, në lagjen Dardania, thonë dëshmitarë okularë që kaluan kufirin Kosovë-Maqedoni. Shumica e të ardhurve janë femijë dhe gra, ndërsa burrat janë marrë nga forcat serbe. Gra nga rajoni i Llapit tregojnë për më se 200 te rinj e burra shqiptarë që i kanë ndarë nga familjet dhe i kanë marrë në rrugën midis Obiliqit dhe Prishtinës. Të deportuar nga fshati Hade i Obiliqit, tregojnë per ekzekutimin e 13 shqiptarëve. Mijërat e të dëbuarve gjatë 24 orëve të fundit janë kryesisht nga rajonet e Llapit, Prishtinës, fshatrat e Ferizajt dhe të Lipjanit”.

Kishim mbërritur në kryeqytet, Prishtinë, para mbrëmjes së 12 qershorit, duke kujtuar edhe largimin pasi në mbrëmjen e 24 marsit 1999  në kushte të pamundshme të ndërprerjes së linjave telefonike dhe dritave, me lidhje satelitore që e mundësoi vëllai Demë Jashari nga Zvicëra, nga banesa plot edhe me refugjatë në qytetin në luftë e në shtetrrethim, derisa shkallëve të ndërtesës në lagjen Ulpiana dëgjoheshin rrapllimat e zërat e forcave serbe, kisha raportuar  për ATSH-në e Radio Tiranën për goditjet e para të aviacionit të NATO-s e të nesërmën në mëngjes për “qytetin fantazmë” e masakrat e reja të forcave serbe në shtëpitë e shqiptarëve gjatë natës…

Në atë mbrëmje të 12 qershorit të para 17 viteve, në Prishtinë shihej se rreziku ishte edhe më i madh se që ishte paramenduar, në të gjitha anët kishte breshëri armësh. Kudo kishte policë, ushtarë, paramilitarë serbë, të gjithë të armatosur, shumë prej tyre edhe të dehur. Paramilitarët e Arkanit i ndoqën gazetarët ende pa hyrë në hotelin në qendër apo të sapohyrë, dhe nëpër një rrëbesh shiu që largoi njerëzit nga rruga po iknim me shpejtësi, me automjetin që udhëtonim…

Kisha dhënë edhe lajmin e parë të rikthimit në Prishtinë… Po ku ta kalonim natën, kur ende nuk mund të shkoja në banesën time ku kishin hyrë forcat serbe…

Shkojmë drejt adresës së telefonatës së 6 majit nga Prishtina, që u bë lajm…“Ai lajm na dha shpresë shpëtimi”, u shprehën me falënderim të ngujuarit atje, që na dhanë çelësin e një banese të boshatisur.

Në lajmin e 6 majit 1999, natyrisht, në rrethanat që ndodheshin të ngujuarit në Prishtinë, mes forcave kriminale, nuk përmenda burimin, telefonatën nga posta e re e Prishtinës që ishte bërë mes rreziqesh, po duke iu referuar “burimeve të ATSH-së” tregova çka po ndodhëte, që “bota ta marrë vesh”…

Në të gjitha anët në Prishtinë breshëritë e armëve vazhdonin edhe gjatë mbrëmjes së ditës kur nisi lira, edhe gjatë gjithë natës që po e kalonim në një banesë të shqiptarëve të dëbuar. Nata e fundit e forcave serbe në kryeqytetin e Kosovës ishte plot tmerre dhe ankthe, kishte disa shqiptarë të vrarë në shtëpitë e tyre, edhe shumë djegie e plaçkitje…Kishte edhe plumba qorr që binin, të shkrepur nga shumë armë serbe.

Gazetari i njohur edhe për raportimet nga Maqedonia e Lugina e Preshevës në kohë lufte të shqiptarëve për të drejtat e tyre, Bedri Sadiku, që ishte në një automjet tjetër reporterësh nga gjithë bota, ja si e përshkruan hyrjen e tij në Prishtinë dhe kryeqytetin e Kosovës në pasditën e 12 qershorit 1999, në një shkrim në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja:

“Në Prishtinë hymë gati gabimisht, dhe pastaj edhe me qëllim. Ky rrugëtim duhej të shkonte sipas porosive të NATO-s.  Konvojet e NATO-s shkuan në drejtim të Shtimes dhe Lipjanit,  kurse ne me makinën tonë shkuam drejt për në Prishtinë dhe  në Lapnasellë e Çagllavicë hasëm menjëherë në forcat policore,  ushtarake dhe paramilitare serbe…

Në afërsi të Hotel Grandit dhe para tij kishin mbërritur ekipe të gazetarëve të huaj nga Beogradi.  Me këtë rast për pak u shkaktua edhe një incident me disa gazetarë, për shkak të emblemës së Press Qendrës së NATO-s dhe shenjës së NATO-s…

Në ora 16 pa 5 minuta helikopterët e parë të NATO-s fluturuan mbi Prishtinë-paralajmëronin çlirimin e kryeqytetit të Kosovës

Pasi bëmë disa fotografi rrugëve të Prishtinës,  diku rreth orës 16 pa 5 minuta u nisëm në drejtim të Shkupit…Me t’u nisur drejt Veternikut,  dy helikopterë të NATO-s dolën mbi qiellin e Prishtinës dhe bënë disa xhiro mbi Dardani e Dragodan dhe në pjesën qëndrore të qytetit, që paralajmëronin ardhjen e forcave të NATO-s edhe në Prishtinë dhe fillimin e çlirimit nga thundra kolonialiste serbe edhe të kryeqytetit të Kosovës. Një pjesë e këtyre forcave,  që drejtoheshin nga britanikët, i ishin afruar edhe Lagjes së Spitalit, ndërsa grupe ushtarësh ishin vendosur nga gjysma e Veternikut përpjetë, si pararojë e forcave të NATO-s e të KFOR-it,  që pritej të hynin natën dhe në mëngjes në Prishtinë dhe që tashmë kishin mbërritur deri te Llugaxhia. Prishtina do ta kalonte vetëm edhe një natë nën thundrën pushtuese serbe,   në pritje të agimit të parë në liri…

Në  ditën e 13 qershorit 1999, në mëngjes, qielli mbi Prishtinë mbulohej nga helikopterët e NATO-s, ndërsa kolna e tankeve dhe makinerive tjera ushtarake shihej tek zbriste rrugës nëpër një kodrinë nga ana jugore dhe mbushte sheshet dhe rrugët e kryeqytetit të Kosovës.

Nga këto pamje, në ATSH dhe RTSH në Tiranë shkonte lajmi: “NATO po e merr kontrollin në Prishtinë dhe po detyron forcat e Milosheviçit të largohen…”

Erë shkrumbi e shtëpive e objekteve tjera të djegura ndihej në Prishtinë. Forcat serbe i kishin vënë flakën edhe selisë së Zyrës së SHBA – përfaqësisë së  parë të një shteti nga 6 qershori 1996 që shënonte vendosjen e pranisë amerikane në Kosovë në rrethana të veçanta, si dhe selisë së Presidencës dhe institucioneve tjera të Republikës së Kosovës, atëherë të panjohur ndërkombëtarisht.

Dyqanet dhe klubet ishin të mbyllura dhe të plaçkitura…

Në 13 qershor 1999, forcat e NATO-s hynë në Kosovë edhe nga Shqipëria, duke kaluar kufirin nëpër Morinë-Vërmicë, drejt Prizrenit…
Pas një nate që e përshkruaja “plot rreziqe dhe e tensionuar, me të shtëna të shumta armësh të serbëve dhe me provokacione kundër shqiptarëve dhe forcave paqësore”,  vazhdoja raportimet nga Prishtina në ATSH: “Kosova qysh dje dhe sot është e lirë në shumë pjesë të saj. Kurrë nuk janë parë njerëz më të gëzuar se sot me hyrjen triumfale të forcave të NATO-s në Kosovë dhe kryeqytetin e saj, Prishtinë. Në Prishtinë qysh sot, NATO po vendos kontrolle…”

Pasditen e 13 qershorit 1999, bashkë me korrespondentin e Zërit të Amerikës,  Isak Ramadani, e gazetarin tjetër nga Shkupi, Arben Ratkoceri, që erdhën në Prishtinë duke sjellë edhe numrin special të gazetës tradicionale kosovare Rilindja të botuar atje me raportimet për ngjarjen historike të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë,  kalova edhe një herë rrugën nga kishin hyrë forcat e para të NATO-s një ditë më parë. Edhe Rilindja në ballinë kishte te kryetitulli orën që kisha raportuar në ATSH: “Dje në orën 5.17 – Trupat e NATO-s hynë në Kosovë”.

Edhe editoriali “Normandizimi i Kosovës dhe kapitullimi serb”, shkruar nga Blerim Reka, ishte i botuar në faqen e parë të gazetës Rilindja, me foto nga ngjarja historike e ndërhyrjes shpëtimtare të NATO-s, e ku shkruhej edhe: “Qeveria e përkohshme e Kosovës punon për kthimin e popullsisë.-Kryeministri Hashim Thaçi vizitoi Austrinë”.

Dhe, vazhdoja raportimin në ATSH: “Sot duket krejt e çliruar pjesa e Kosovës nga kufiri me Maqedoninë, përgjatë rrugës që të çon në Han të Elezit, Kaçanik, Ferizaj, Lipjan e deri në kryeqytet. Në Kaçanik, Han të Elezit dhe në lokalite të tjera takuam dhe ushtarë të UÇK-së që kthenin jetën dhe rregullin.
Flamuri shqiptar – flamuri i lirisë valonte në kulmin e ndërtesës 12- katëshe në qendër të qytetit të Kaçanikut, mbi kulmin e shkollës tetëvjeçare ‘Jusuf Gërvalla’ në fshatin Nikaj dhe lokalitete të tjera.
Në vendkalimin kufitar në Bllacë ndërmjet Kosovës dhe Maqednisë sot nuk ka më flamuj serbë, të cilët janë hequr. Në kufi figurojnë marinsat amerikanë”.

Kështu ishte 17 vite më parë…

Dhe, 17 vjet pas 12 qershorit historik 1999,  Kosova feston Ditën e Lirisë – Ditën e Paqes, kur NATO nisi marshin shpëtimtar me forcat tokësore, pas ndërhyrjes me aviacion në fushatën ajrore 78 ditëshe, që kishte nisur në 24 mars, kur goditjet e para që i raportova nga Prishtina ndodhën rreth orës 20:00. Lufta përfundoi me Marrëveshjen e Kumanovës, ndërmjet NATO-s dhe RFJ-së, që u nënshkrua në 9 qershor e  hyri në fuqi në 11 qershor 1999.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s në atë kohë, Havijer Solana, në 10 qershor 1999 kishte lëshuar urdhrin për ndalimin e bombardimit dhe Këshilli i Sigurisë së OKB-së miratoi Rezolutën 1244, sipas të cilës në Kosovë u dërguan 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete.

Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it amerikan, anglez, francez, gjerman dhe italian. Michael Jackson, ishte komandanti i parë i forcës paqëruajtëse të NATO-s në Kosovë – KFOR. Aktualisht, KFOR-in e përbëjnë 5000 trupa nga 31 vende.

Në 17 vjetorin e lirisë,  Kosova me pavarësinë e shpallur në 17 shkurtin historik 2008 është e njohur nga 111 shtete anëtare të OKB-së, e anëtarësuar në shumë institucione e organizata ndërkombëtare, evropiane e rajonale dhe drejt të gjitha njohjeve.

Këtë vit – në 2016-ën, në 1 prill, nisi zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian, e nënshkruar në 27 tetor 2015 në Strasburg  dhe e ratifikuar në Parlamentin kosovar pas pak ditësh, në 2 nëntor. Marrëveshja për Stabilizim Asociim, e cila krijon për herë të parë marrëdhënie kontraktuale me BE-në, është vlerësuar ngjarja më e rëndësishme e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë.

Filed Under: Histori Tagged With: 17 vjet liri e paqe, Behlul Jashari, kosova

KUJTESE- DR. RUGOVA PER 12 QERSHORIN

June 12, 2016 by dgreca

-Arkiv-Presidenti historik Rugova: 12 Qershori, ditë e madhe që e siguroi qenien tonë nacionale e njerëzore

-Në foto: Korrespondenti në Prishtinë i Gazetës Dielli, atëherë kryeredaktori i gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja, Behlul Jashari,  për festën e Ditës së Rilindjes 12 Shkurt 2005 i dhuroi Presidentit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, Pllakatin e Jublileut të 60-vjetorit të gazetës së parë të Kosovës Rilindja/

-Mesazhi i fundit për Ditën e Lirisë – 12 Qershorin, i Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, arkitektit të Pavarësisë/

Prishtinë, 12 qershor 2005 – Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, me rastin e 12 Qershorit, Ditës së Lirisë të Kosovës, u ka drejtuar qytetarëve të Kosovës një mesazh urimi me këtë përmbajtje.

“Me rastin e 12 qershorit, 6 vjetorit të Ditës së hyrjes të trupave të NATO s në Kosovë, që është Ditë e Lirisë së vendit tonë, Ju shpreh urimet e mia të përzemërta.

Dita e 12 qershorit, pra Dita e Lirisë së Kosovës, është një ditë e madhe që e siguroi qenien tonë nacionale e njerëzore dhe të ardhmen më të lumtur për të gjithë ne.
Në këtë Ditë feste, urime të përzemërta i shprehim Komandantit të KFOR it, Gjeneralit Iv dë Kermabon dhe ushtarëve të Tij.

Njëherësh urime të sinqerta i shprehim UNMIK ut dhe OSBE së.

Urime të sinqerta po ashtu u shprehim përfaqësive diplomatike në kryeqytetin e vendit tonë, në Prishtinë.
Dhashtë Zoti që 12 Qershorin e ardhshëm, Ditën e Lirisë, ta festojmë me njohjen formale të pavarësisë së Kosovës”.

Ky ishte mesazhi i fundit për Ditën e Lirisë – 12 Qershorin, i Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, arkitektit të pavarësisë, i cili u shua para 10 vitesh, në 21 janar 2006, duke lënë me veprën e tij jetësore gjithmonë ndezur dritën e të ardhmes për Kosovën shtet euroatlantik.

 Presidenti Rugova: 12 Qershori mbetet Dita më e madhe në historinë e re të Kosovës

-“Unë insistoj në njohjen e drejtpërdrejtë të pavarësisë së Kosovës nga SHBA dhe BE sa më shpejt. Kështu Kosova si vend i pavarur e demokratik është e vendosur për integrim në BE e në NATO dhe në miqësi permanente me SHBA. Kjo do të qetësonte këtë pjesë të Europës e të botës dhe do të krijonte sigurinë e të ardhmes të të gjithë qytetarëve të Kosovës”, ritheksonte Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova në pritjen e fundit për Ditën e Lirisë – 12 Qershorin, në vitin 2005

 Prishtinë, 12 qershor 2005 – Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, në mbrëmje në Hotelin Grand në Prishtinë ka shtruar një darkë solemne për nder të 12 Qershorit – Ditës së Lirisë dhe hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë. Të ftuar ishin përfaqësues të lartë ndërkombëtarë dhe vendorë.Në këtë solemnitet Presidenti Rugova deklaroi se Kosova është e lirë falë ndihmës së NATO-s. Ai gjithashtu u shprehu mirënjohje popullit të Kosovës dhe luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për përpjekjet e bërë për lirinë dhe pavarësinë.
“Kjo do të jetë dita më e madhe në historinë e re të vendit tonë, sepse me të u kurorëzua liria e kombit tonë, që ishte ëndërr dhe përpjekje e shumë gjeneratave”, theksoi në fillim të fjalës së tij Presidenti Rugova.
Duke folur për periudhën e pasluftës, Presdenti Rugova vlerësoi se gjatë këtyre gjashtë vjetëve Kosova ka pasur një progress të madh në të gjitha fushat e jetës, të cilin e ka arritur “me NATO/KFOR in, që ka bërë dhe po bën sigurinë e Kosovës, si dhe bashkë me UNMIK un e me OSBE në në planin civil”.
Ndërsa, duke folur për momentin aktual, ai tha se institucionet po punojnë në përmbushjen e standardeve prioritare dhe në vlerësimin e progresit, që do të krijonte mundësi për pavarësinë e vendit tonë simbas rrugës ndërkombëtare.
“Por, siç e dini, unë insistoj në njohjen e drejtpërdrejtë të pavarësisë së Kosovës nga SHBA dhe BE sa më shpejt. Kështu Kosova si vend i pavarur e demokratik është e vendosur për integrim në BE e në NATO dhe në miqësi permanente me SHBA. Kjo do të qetësonte këtë pjesë të Europës e të botës dhe do të krijonte sigurinë e të ardhmes të të gjithë qytetarëve të Kosovës”, ritheksoi edhe me këtë rast Presidenti Rugova.
Në vazhdim të fjalës së tij, Presisdenti lavdëroi punën e paqeruajtësve në Kosovë, duke thënë se “NATO/KFOR-i për gjashtë vjet ka bërë një punë të shkëlqyer në sigurinë dhe mbrojtjen e vendit për të gjithë qytetarët. Kështu KFOR i mbetet forcë e dashur dhe e nderuar nga i gjithë populli i Kosovës”.
Ai u shprehu nderime e mirënjohje ushtarëve të KFOR-it, që në kryrje të detyrave humbën jetën e tyre.
“Në këtë ditë i përkujtojmë të gjithë ata që ranë për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës.

 Njëherësh i shprehim mirënjohje popullit të Kosovës dhe luftëtarëve të UÇK së për përpjekjet e bëra për lirinë dhe pavarësinë e tonë”, theksoi Presidenti Rugova, duke përshëndetur me këtë rast Presidentin Bush, Kryeministrin Bler, Presidentin Shirac, Kancelarin Shrëder dhe Kryeministrin Berluskoni, që përkrahin Kosovën.

 Poashtu ai përkujtoi me pietet të lartë Papa Gjon Palin II që ka ndihmuar lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe përshëndeti Atin e Shenjtë Benedikti XVI, me dëshirë që të lutet për njohjen formale të pavarësisë së vendit tonë.

Presidenti Rugova e lut gjeneralin Kermabon që t’ua përcjellë ushtarëve të KFOR-it urimet e tij të përzemërta dhe të popullit të Kosovës për Ditën e lirisë së Kosovës, 12 qershorin, Ditën e NATO s në Kosovë.
Komandanti i KFOR-it Iv de Kermabon theksoi se përkushtimi i NATO-s dhe bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë për ndërtimin e paqes dhe stabilitetit mbetet e i njëjtë si përpara gjashtë, kur u vendosëm në Kosovë.

“Është e rëndësishme për kujtojmë se KFOR-i nuk vepron i vetëm. Puna që ne bëjmë me komunitetin ndërkombëtar në Kosovë dhe liderët vendorë mbetet esenciale për ndërtimin e paqes. Pra partneriteti ynë nuk është vetëm ndërmjet KFOR-it dhe UNMIK-ut, por përfshinë edhe partnerët tanë vendorë dhe mbështetja e tyre është esenciale”, tha Kermabon.

Shefi i Zyrës Amerikane në Prishtinë Filip Goldberg duke folur në emër të përfaqësive diplomatike në Prishtinë theksoi se ata ndihen krenarë për atë që bënë më 1999.

“Ne jemi shumë krenarë për atë që bëmë në vitin 1999 dhe duam të mbetemi të tillë për atë që do të ndodhë vitet në vijim, që do të thotë një Kosovë, e cila do të reflektojë vlera demokratike në respektim të njëri-tjetrit, pa marrë parasysh etnitë apo besimin. Janë këto vlera që ne i sollëm më 1999”, theksoi Shefi i Zyrës së SHBA-ve në Prishtinë Filip Goldberg.

Në këtë darkë solemne Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova dekoroi ushtarët e KFOR-it me Medaljen e Sigurisë.  (Përgatiti për Gazetën DIELLI:B.Jashari)

Filed Under: Featured Tagged With: 12 Qershor 2005, Behlul Jashari, President Rugova

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 171
  • 172
  • 173
  • 174
  • 175
  • …
  • 245
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT