• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kuvendi i Kosovës, seancë edhe me VV-në opozitare e pa gaz lotsjellës

June 9, 2016 by dgreca

-Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës mori pjesë edhe subjekti më i madh opozitar, Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa vazhduan me bojkotin dy partitë tjera të opozitës – AAK dhe Nisma/

-Opozitarët e Lëvizjes Vetëvendosje sot nuk hodhën gaz lotsjellës në Kuvendin kosovar, por “hodhën” deklarata e kritika të ashpëra e akuzuese/

-Gjashtë projektligje, prej tyre tre për ratifikime, në axhendën gjithësej 15 pikëshe, duke nisur me deklarimet jashtë rendit të ditës e pyetjet parlamentare/

 Nga korrespondenti në Kosovë i Gazetës DIELLI, Behlul JASHARI/

 PRISHTINË, 9 Qershor 2016/ Kuvendi i Republikës së Kosovës zhvilloi sot një seancë plenare me shqyrtim të gjashtë projektligjeve, prej tyre tre për ratifikime, me axhendë gjithësej 15 pikëshe, duke nisur me deklarimet jashtë rendit të ditës e pyetjet parlamentare.

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës mori pjesë edhe subjekti më i madh opozitar, Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa vazhduan me bojkotin dy partitë tjera të opozitës – Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën.

Në mbledhjen e djeshme të Kryesisë dhe të Grupit parlamentar të Vetëvendosjes u mor vendim që t’i kthehen punimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës “për të bërë opozitën dhe pengesën për vendimet e dëmshme”.

Këtë e theksoi edhe kryetari i Vetëvendosjes, deputeti Visar Ymeri, në fillim të seancës së sotme të Kuvendit në deklarimet jashtë rendit të ditës, duke u shprehur se Kosova “do të duhej të ishte Republikë e qytetarëve, por u shndërrua në plaçkë të pushtetarëve”. Opozitarët e Lëvizjes Vetëvendosje sot nuk hodhën gaz lotsjellës në Kuvendin kosovar, por “hodhën” deklarata e kritika të ashpëra e akuzuese.

Në vazhdim, pyetjet parlamentare disa mbetën pa përgjigje në mungesë për një kohë në seancë të kryeministrit e disa ministrave, e këtë deputetët opozitarë të Lëvizjes Vetëvendosje e quajtën edhe “bojkot i qeverisë Kuvendit” derisa ata i kishin dhënë fund bojkotit.

Të njëpasnjëshme ishin shqyrtimet e tre projektligjeve për ratifikime. Projektligji për ratifikimin e Konventës për heqjen e Kërkesës për legalizim të dokumenteve zyrtare të huaja (5 tetor 1961), i prezantuar në emër të qeverisë së Kosovës nga ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Arban Abrashi, u miratua me 83 vota pro, 1 abstenim e asnjë kundër.

Ministri Abrashi theksoi se Mbretëria e Holandës, si vendi depozitues i kërkesës, e ka miratuar kërkesën e Republikës së Kosovës dhe duhet të hyjë në fuqi në 14 korrik 2016 për aderimin në këtë Konventë.

“Anëtarësimi i Kosovës në këtë Konventë fuqizon subjektivitetin e saj në arenën ndërkombëtare. Gjithashtu, Kosova përfiton mjaft në lehtësimin e procedurave dokumentare për qytetarët dhe bizneset”, tha Abrashi.

Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për rehabilitimin e rrugëve rajonale, i prezantuar nga ministri i Financave, Avdullah Hoti, u miratua me 82 vota pro, asnjë kundër e asnjë abstenim.

Pastaj u shqyrtua Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin e Rehabilitimit të Linjës Hekurudhore 10.

Ministri kosovar i Financave, Avdullah Hoti, duke prezantuar Projektligjin bëri të ditur se Linja Hekurudhore 10 është 148 kilometërshe nga Hani i Elezit, kufiri jugor me Maqedoninë, deri në Leshak, kufiri verior me Serbinë, duke kaluar nëpër Fushë Kosovë e Mitrovicë, ndërsa është e rëndësishme edhe për rajonin. Votimi për këtë projektligj u shty për në seancën e radhës, me kërkesë të kryetarit të Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, pasi s’do mund të kishte vota të mjaftueshme për miratim, meqë grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje paralajmëroi abstenim. Dy projektigjet-ratifikimet e para u votuan pro me unanimitet edhe nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje opozitare.

Në vijim të seancës së Kuvendit, në shqyrtim të dytë u miratua projektligji për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, me 51 vota pro, 18 kundër e 7 abstenime, si dhe projektligji për Falimentimin me 67 vota pro, 2 abstenime e asnjë kundër, për të cilin VV kërkoi edhe lexim të tretë po nuk kaloi propozimi, ndërsa Projektligji për Investimet strategjike në Republikën e Kosovës, pas diskutimeve e kërkesës së kryeministrit Isa Mustafa me votim nga deputetët u kthye në rishqyrtim në komisionet përkatëse parlamentare dhe të jetë sërish në axhendë në një seancë të ardhshme.

Tre pikat vijuese ishin zgjedhja e tre anëtarëve të Bordit për Ankesa të Mediave, shqyrtimi i Propozim-vendimit të qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e anëtarëve të Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës, si dhe shqyrtimi i Propozim-vendimit për caktimin e pagës së Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës.

Në përfundim të debatit, kryesuesi i seancës, Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit, hodhi në votim propozim-vendimin e qeverisë për emërimin e Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës, me përbërje: Valon Prestreshi, kryetar, Ahmet Krasniqi zëvendëskryetar, Fatime Haziri, Muhamet Krasniqi dhe Shaqir Morina, anëtarë. Deputetët miratuan këtë propozim-vendim të qeverisë.

Seanca shqyrtoi edhe dy raporte për vitin 2015 – të punës së Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe të punës së Zyrës Rregullatore për Ujësjellës dhe Kanalizim, por nuk i miratoi në mungesë votash të mjaftueshme.

Punimet e seancës së Kuvendit para se të përmbyllen patën në axhendë edhe propozimin e grupit parlamentar të Listës Serbe për zëvendësimin e anëtarit në Komisionin për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë. Për këtë pati edhe votim formal.

Po ashtu, pati votim formal edhe për propozimet e Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje për disa ndryshime të përfaqësuesve të saj në komisionet parlamentare.

Në përfundim u paralajmërua se pikat e mbetura të sencës së sotme të Kuvendit të Kosovës do të renditen edhe në axhendën seancës pasuese plenare.

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, Kuvendi i kosoves, pa gaz lotsjellës

Kosovë-Çmime për fushën e muzikës, zhvillohet ceremonia solemne

June 8, 2016 by dgreca

 -Në një ceremoni të organizuar në ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ku ishin ministri Kujtim Shala, juria dhe laureatët u dhanë çmimet vjetore në fushën e muzikës/

-Çmimet nga fusha e kinematografisë do të ndahen në një ceremoni tjetër të veçantë në 10 qershor/

 Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 8 Qershor 2016/ Në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, në kabinetin e ministrit Kujtim Shala, sot u zhvillua ceremonia solemne për ndarjen e çmimeve laureatëve në fushën e muzikës. “Këto çmime janë një nxitje për zhvillimin e mëtutjeshëm të jetës artistike e muzikore në vend”, u shpreh ministri Shala.Çmimet në këtë fushë ndahen në bazë të Rregullores së Ministrisë për dhënien e Çmimit Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Niketë Dardani” dhe çmimeve për vepra muzikore dhe kanë vlera financiare.Në bazë të vlerësimit të jurisë profesionale në përbërje të akademik Zeqirja Ballata, kryetar i jurisë, Valton Beqiri, kompozitor dhe Baki Jashari, kompozitor e dirigjent, profesoreshat e muzikës Sevime Gjinali dhe Seniha Spahiu, janë laureate të Çmimit Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Niketë Dardani” për vitin 2015.

Vlera financiare e këtij çmimi është 5 mijë euro, ndërsa sivjet, me vendim të jurisë, çmimi është ndarë për dy laureate, që kanë marrë nga  2, 500 euro. “Çmimet Vjetore për kategorinë e veprave stilistike dhe duo” iu dha kompozitores  Dafina Zeqiri- Nushi për veprën “Fantazia e Fuga”.

Vlera e këtij çmimi është 1, 000 mijë euro.

“Çmimi vjetor për kategorinë e  veprave kamertale”  i dha kompozitorit Mendi Mengjiqi për veprën“Suitë shqiptare”.

Vlera e këtij çmimi është 3, 000 mijë euro.

 “Çmimi vjetor për kategorinë e veprave orkestrale-simfonike dhe koncertale iu dha kompozitorit Kreshnik Aliçkaj për veprën “Koncert për violinë e piano e orkestër”.

Vlera e këtij çmimi është 4, 000 mijë euro.

“Çmimi  vjetor për kategorinë e veprave vokalo-instrumentale” iu dha kompozitorit Drinor Zymberi i për veprën “Cantata Metamorphosis”.

Vlera e këtij çmimi është 5, 000 mijë euro.

Vlerësimet në emër të jurisë i lexoi akademiku Zeqirja Ballata. 

Ndërsa, çmimet nga fusha e kinematografisë do të ndahen në një ceremoni tjetër të veçantë në 10 qershor. Çmimi për Vepër Jetësore në fushën e kinematografisë “Bekim Fehmiu” i ndahet aktorit Bislim Muçaj.  Ndërsa, çmimi vjetor për kinematografi produktorit (producentit) të filmit “Shok”, Eshref Durmishit.

Juria profesionale që ka vlerësuar çmimet për kinematografi ishte në këtë përbërje: Xhevat Qorraj, aktor, Isa Qosja, regjisor, Menduh Nushi, kameraman, Igballe Qena, aktore dhe Jahi Jahiu, dramaturg.

Filed Under: Kulture Tagged With: Behlul Jashari, ceremonia, Çmime për fushën e muzikës

Kosovë-Qeveria e zgjedhjeve të para dy viteve zhvillon mbledhjen e 91-të

June 8, 2016 by dgreca

Në foto: Kryeministri Isa Mustafa, zëvendëskryeministri parë, Hajredin Kuçi dhe zëvendëskryeministri Kujtim Shala në mbledhjen e qeverisë së Kosovës, 8 qershor 2016/
-Në mbledhjen e sotme, qeveria e Kosovës ishte e kompletuar edhe me emërimin, në 2 qershor, të zëvendëskryeministrit të parë, Hajredin Kuçit, i cili vazhdon të jetë edhe ministër i Drejtësisë, dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Enver Hoxhajt, të cilat poste i mbante Hashim Thaçi deri në zgjedhjen President i Republikës në muajin shkurt/

 -Pas mbledhjes së tretë, të 3 qershorit në Prishtinë, të qeverive Kosovë-Shqipëri nis zbatimi i marrëveshjeve të reja të nënshkruara/

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 8 Qershor 2016/ Qeveria e Republikës së Kosovës, e pas zgjedhjeve të pikërisht para dy viteve – 8 qershorit 2014, zhvilloi sot mbledhjen e 91-të të rregullt, të 24-tën në vitin 2016, nën drejtimin e kryeministrit Isa Mustafa, në të cilën ka miratuar dokumente dhe vendime të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

Në mbledhjen e sotme, qeveria e Kosovës ishte e kompletuar edhe me emërimin, në 2 qershor, të zëvendëskryeministrit të parë, Hajredin Kuçit, i cili vazhdon të jetë edhe ministër i Drejtësisë, dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Enver Hoxhajt, të cilat poste i mbante Hashim Thaçi deri në zgjedhjen President i Republikës në muajin shkurt.

Në hapje të mbledhjes, kryeministri Mustafa uroi zëvendëskryeministrin e parë Kuçi dhe ministrin e Jashtëm Hoxhaj, e në vazhdim qeveria miratoi Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes Përkitazi me Themelimin e Fondit të Ballkanit Perëndimor.

Ky projektligj është hartuar pas miratimit të nismës dhe nënshkrimit të Marrëveshjes për themelimin e Fondit të Ballkanit Perëndimor nga qeveria e Republikës së Kosovës.

U miratua edhe Nisma për lidhjen e Marrëveshjes Financiare për IPA 2016, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Qeveria gjithashtu miratoi vendimin per themelimin e Grupit Ndërministror për hartimin e Strategjisë nacionale për mospërhapjen e armëve të shkatërrimit në masë dhe Planin e Veprimit, që përbëjnë edhe përmbushje të obligimeve  ndërkombëtare të Republikës së Kosovës që dalin nga Rezoluta 1540 e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe obligime tjera që dalin nga marrëveshje dhe traktate tjera ndërkombëtare.

Kabineti qeveritar mori edhe  vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për pagesën e kontributit në Fondin e Inovacionit të Mekanizmit të Zhvillimit të Ndërmarrësisë dhe Inovacionit të Ballkanit Perëndimor.

Mbledhja e sotme e qeverisë së Kosovës ishte e para pas mbledhjes së tretë të përbashkët me Këshillin e Ministrave të Shqipërisë, në Prishtinë, në 3 qershor, pas së cilës nis zbatimi i marrëveshjeve të reja të saponënshkruara.

“Thellimi i bashkëpunimit ndërmjet dy qeverive tona është në interes të qytetarëve tanë, është në interes nacional dhe shtetëror, prandaj në këtë interes dhe mbi këtë interes do të gjejmë gjithnjë gjuhën e përbashkët për të çuar proceset tona përpara”, është shprehur kryeministri kosovar në mbledhjen e përbashkët.
“Afrimi dhe bashkëpunimi ynë s’ka qenë kurrë më i mirë e më vëllazëror se sa në këtë epokë, sepse ne tani e kemi të njëjtë edhe orientimin tonë politik, atë të integrimeve euroatlantike, e kemi të njëjtë edhe gjuhën ekonomike, atë të integrimit të lirë dhe konkurrues, por edhe gjuhën shtetërore, atë të forcimit të shtetit të së drejtës, luftës kundër krimit dhe korrupsionit”, ka theksuar ai në mbledhjen e qeverive Kosovë-Shqipëri.Qeveria e Kosovës, e koalicionit të dy partive më të madha PDK e LDK, ku përfshihen edhe minoritetet, është votuar në 9 dhjetor 2014, një ditë pas konstituimit të Kuvendit të zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare që ishin mbajtur gjashtë muaj më parë – në  8 qershor.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, mbledhjen e 91-të, Qeveria e zgjedhjeve, të para dy viteve, zhvillon

Prishtina edhe kryeqytet libri, hapet panairi tradicional

June 7, 2016 by dgreca

-Menjëherë pas luftës në Kosovë në vitin 1999, nga 17-22 nëntor, është organizuar panairi i parë i librit në Prishtinë, i cili ishte ndër aktivitetet e para kulturore në liri bashkë me një koncert të mbajtur në qytetin e Prizrenit të artistëve nga Kosova e Shqipëria/

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 7 Qershor 2016/ Në Prishtinë, në Pallatin e Rinisë, u hap sonte Panairi i Librit, edicioni i 18-të, në të cilin deri në 12 qershor prezantohen mbi 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe diaspora shqiptare me mëse 1.200 tituj të rinj e rreth 4.500 të tjerë, të viteve të fundit.Në ceremoninë solemne të hapjes së panairit që e bën Prishtinën këtë javë edhe kryeqytet libri morën pjesë dhe përshëndetën edhe kryeministri i Kosovs, Isa Mustafa dhe zëvendësministri i Kulturës i Shqipërisë, Zef Çuni.

“Panairi tashmë tradicional i Prishtinës është shndërruar në ngjarje shumë të rëndësishme për Kosovën dhe për kulturën shqiptare”, u shpreh Mustafa, duke shtuar se, libri është udhërrëfyes i së ardhmes së Kosovës.

Në Panair, të vlerësuar edhe festë e librit dhe shenjë e identitetit, është tradicionale shënimi i përvjetorëve të personaliteteve të mëdha letrare shqiptare e botërore. Tradita, këtë vit, vazhdon me 450 vjetorin e lindjes së Pjetër Budit, 400 vjetorin e vdekjes së William Shakespeare, 400 vjetorin e vdekjes së Miguel Cervantesit, 150 vjetorin e lindjes së Ndre Mjedës, 150 vjetorin e lindjes së Andon Zako Çajupit, 100 vjetorin e lindjes së Mbretëreshës Geraldinë, 100 vjetorin e lindjes së Jusuf Vrionit, 100 vjetorin e lindjes së Esad Mekulit. Aktivitete i dedikohen edhe  90 vjetorit të lindjes së Kasëm Trebeshinës, 80 vjetorit të lindjes së Ismail Kadaresë, 80 vjetorit të lindjes së Rexhep Qosjes dhe 80-vjetorit të lindjes së Adem Demaçit.

Panairi, sipas organizatorit – Shoqatës së Botuesve të Kosovës, pritet të ketë mëse 38.000 vizitorë, mes të cilëve edhe personalitete të shquara nga jeta letrare, akademike e politike.

Para 17 vitesh, menjëherë pas luftës në Kosovë në vitin 1999, nga 17-22 nëntor, është organizuar panairi i parë i librit në Prishtinë, i cili ishte ndër aktivitetet e para kulturore në liri bashkë me një koncert të mbajtur në qytetin e Prizrenit të artistëve nga Kosova e Shqipëria.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Behlul Jashari, hapet panairi tradicional, Prishtina edhe kryeqytet libri

Bifurkacioni i Nerodimes, një monument shumë i veçantë për Kosovën

June 5, 2016 by dgreca

– Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në përurimin e funksionalizimit të Bifurkacionit të Nerodimës, ku u shënua edhe Dita Botërore e Mjedisit/

–Mustafa: Përveç infrastrukturës do të hapim perspektivë ekonomike në fshatrat e Ferizajt/

 FERIZAJ, 5 Qershor 2016-B.Jashari/ Bifurkacioni i Nerodimes është një monument shumë i veçantë për Kosovën, tha sot kryeministri Isa Mustafa.

“Këtu në ndarjen e këtij lumi në dy lumenj, të cilët na qesin pastaj në dy dete të ndryshëm, në Detin Egje dhe në Detin e Zi, është një rast i veçantë i cili është këtu tek ne në Kosovë. Ne kemi dëshirë që ta kultivojmë, ta mbajmë mirë, të zhvillojmë turizëm, të krijojmë kushte që njerëzit të vijnë dhe ta vizitojnë sepse vërtetë meriton vizita dhe meriton kujdes”, tha kryeministri, duke falënderuar Komunën, Ministrinë e Mjedisit dhe Komisionin Evropian për investimet.

Kryeministri Mustafa, më tej tha se këto investime tani duhet të rikthehen dhe t’u jepet vlera e tyre.

“Të punojmë dhe të japim shembull të mirë se si duhet të kujdesemi në mënyrë që mjedisin ta bëjmë më të përshtatshëm për njerëzit, për qytetarët tanë, për fëmijët tanë dhe për ardhmërinë tonë”, theksoi ai.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në përurimin e funksionalizimit të Bifurkacionit të Nerodimës, ku u shënua edhe Dita Botërore e Mjedisit.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin ministra, deputetë, kryetari i komunës së Ferizajt dhe shumë qytetarë e ambientalistë.

Kryeministri Mustafa tha se Dita Botërore e Mjedisit flet për ndërgjegjësimin e njerëzimit për kujdes ndaj planetit dhe ndaj mjedisit si dhe marrjen e përgjegjësive për mjedisin.

“Edhe motoja e kësaj dite është që ne të kujdesemi për vendin tonë, të kujdesemi për planetin dhe të marrim përgjegjësinë për të. Është edhe ditë e njerëzve sepse është në vullnetin e tyre, në përgjegjësinë e tyre, që ata të marrin masa pozitive që të përmirësojnë ambientin në të cilin jetojnë”, tha kryeministri Mustafa.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, tha se Dita Botërore e Mjedisit është një datë e veçantë për Kosovën sepse është ditë kur mund të shpalosen të gjitha vlerat e mjedisit të Kosovës, vlera të shënuara edhe në përmasa botërore e të cilat meritojnë të mbrohen në mënyrë institucionale.

Ministri Agani foli edhe për faktin se shumë prej këtyre vlerave janë të kërcënuara si pasojë e proceseve të ndryshme degraduese, duke shprehur përkushtimin e plotë të qeverisë së Kosovës për të punuar edhe më shumë që këto degradime të parandalohen dhe të ndërpriten dhe që këto vlera të mbrohen.

Ministri më tej ka folur për çështjet e shumta globale mjedisore që kanë nevojë për vëmendje urgjente siç janë ndryshimet klimatike, siguria mjedisore dhe zhvillimi i qëndrueshëm mjedisor.

Kryetari i komunës së Ferizajt, Muharrem Sfarqa tha se funksionalizimi i Bifurkacionit të Nerodimes është ngjarje shumë e rëndësishme për Ferizajn dhe Kosovën, pasi që e vendos në rrugë të mirë këtë fenomen të rrallë për të luajtur rolin që ka në pasurinë turistike e natyrore.

Sfarqa tha se funksionalizimi i Bifurkacionit paraqet një prej vendimeve më domethënëse të qeverisë për të ndihmuar Ferizajn që të realizoj synimet zhvillimore të saj.

Ai më tej tha se komuna e Ferizajt, me përkrahjen e qeverisë së Kosovës dhe institucioneve financiare ndërkombëtare, ndodhet në prag të nisjes së investimeve të rëndësishme zhvillimore.

“Këto investime pritet të përmirësojnë ndjeshëm gjendjen infrastrukturore dhe gjendjen e qytetarëve të komunës së Ferizajt dhe të rrethinës”, tha Sfarqa, duke përmendur fillimin e ndërtimit të Spitalit Rajonal në Ferizaj, zgjidhjen e problemit të hekurudhës, zgjerimin e rrugëve nacionale dhe hyrje daljet e Ferizajt, si dhe investimet në Hidrosistemin e Lepencit, që do t’ia zgjidhin Ferizajt përfundimisht problemet e ujit të pijshëm dhe të ujitjes.

 

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka vizituar sot edhe fshatrat Dardani dhe Zllatar të komunës së Ferizajt, ku mori pjesë në përurimin e rrugës së re të ndërtuar me standardet më të larta evropiane, me gjatësi 3200 metra dhe gjerësi 6 metra, që lidh këto fshatra me magjistralen Ferizaj-Gjilan.

Kryeministri Mustafa u prit nga qindra banorë të këtyre fshatrave si dhe nga kryetari i Ferizajt, Muharrem Sfarqa, deputetë të Kuvendit të Kosovës, asamblistë  komunalë dhe përfaqësues të tjerë locale.

 

Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri Mustafa tha se ndërtimi i kësaj rruge me standard, justifikohet më së miri me pjesëmarrjen e qytetarëve të saj në këtë përurim.

 

“Në qoftë se një investim nuk përjetohet nga qytetarët, nuk përjetohet nga njerëzit për të cilët bëhet dhe nuk pranohet nga ata, atëherë ai investim nuk e ka edhe vlerën e vet. Unë vlerën më të madhe të kësaj rruge e shoh në ju, në pjesëmarrjen e juaj këtu sot, në këtë numër të madh të njerëzve që e shënojnë këtë sukses, si sukses të tyre”, tha kryeministri.

 

Më tej, Mustafa tha se këtij suksesi do t’i shtohen edhe suksese të tjera.

 

“Ne do të bëjmë përpjekje maksimale që edhe zhvillimin ekonomik ta shpërndajmë kështu. Siç po ndërtojmë rrugë do të ndërtojmë edhe fabrika të vogla nëpër vendbanimet e juaja, në mënyrë që ju të gjeni punë këtu, këta të rinj dhe fëmijë që janë këtu të gjejnë ardhmërinë e tyre dhe perspektivën e tyre në këtë vend, në këto fshatra, në këtë komunë, në këtë Kosovë që e duam kaq shumë dhe që se zëvendësojmë me asnjë vend tjetër”, tha kryeministri Mustafa, duke shprehur përkrahjen për kryetarin e komunës edhe për kërkesat që i ka për rrugët e tjera.

 

Kryetari i komunës së Ferizajt, Muharrem Sfarqa, falënderoi kryeministrin Mustafa për praninë, duke theksuar se ai po i ndërron pamjen jo vetëm Ferizajt por edhe Kosovës përmes investimeve që po bën.

 

Kryetari Sfarqa tha se pas përfundimit të kësaj rruge, në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës, do të punohet që ky lokalitet të lidhet edhe me Komunat e Gjilanit dhe të Vitisë.

 

“Vetëm 3 kilometra nga këtu mund të lidhet rruga që shpie në magjistralen Gadime-Gjilan, që do ta lehtësoj qarkullimin e njerëzve dhe të mallrave që lidh komunat tona si dhe me komunën e Vitisë në fshatin Remjan”, tha Sfarqa.

 

Ai më tutje tha se banorët e këtij lokaliteti duke qenë njerëz punëtorë e të vyeshëm janë bërë pjesë e zhvillimeve dhe e realizimit të planit qeverisës të Komunës së Ferizajt dhe më gjerë.

“Komuna e Ferizajt po bën investime në të gjitha sferat infrastrukturore për t’ua lehtësuar qytetarëve jetën e tyre, për të krijuar një perspektivë për të gjithë, në mënyrë që lëvizjet që ka pas ky lokalitet nga fshati në qytet të ndërpriten sepse edhe Zllatari edhe fshatrat tjera po marrin gjithnjë e më shumë pamjen e fshatrave evropiane”, tha kryetari Sfarqa.

Filed Under: Komente Tagged With: Behlul Jashari, monument, Nerodima

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 173
  • 174
  • 175
  • 176
  • 177
  • …
  • 245
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT