• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Prishtina para 17 viteve: Shqiptarët, mburojë e gjallë

May 6, 2016 by dgreca

Foto Gazeta Dielli-Behlul Jashari: Ndërtesa e Postës në lagjen Dardania në Prishtinë/

-Lajmi shpresë shpëtimi…Që “bota ta marrë vesh”…/

PRISHTINË,  6 Maj 2016-B.Jashari/ “Ai lajm na dha shpresë shpëtimi”, u shprehën me falënderim të ngujuarit në Prishtinë derisa në Kosovë po vinte lira, para 17 viteve. Lajmin e ATSH e kishin dëgjuar nga RTSH. Në mbrëmjen e 12 qershorit historik 1999 kisha hyrë në Prishtinë bashkë me një grup gazetarësh nga bota ende pa hyrë forcat e NATO-s, me kolonën e tankeve të para të të cilave kishim hyrë herët në mëngjes në Kosovë nëpër kufirin jugor në Han të Elezit. 

Në kërkim të një strehimi për të kaluar natën në Prishtinë, prej nga ende nuk kishin ikur forcat serbe, të cilat ende mbanin të uzurpuar edhe banesën time në lagjen Ulpiana,  mes shumë rreziqeve shkuam në lagjen Dardania, pikërisht te posta e re, prej nga në 6 maj nga “mburojat e gjalla”, me thirrje në telefonin që kisha me lidhje zvicerane, kisha marrë një informacion tronditës se çka po ndodhëte. Posta ishte mundësia për telefonatën në rrethanat kur shqiptarëve ua kishin ndërprerë telefonat…Pas raportimeve nga Prishtina për fillimin në mbremjen e 24 marsit 1999 të goditjeve të aviacionit të NATO-s mbi caqet e forcave serbe, cak i të cilave ishte edhe ndërtesa e postës së vjetër që ishte bërë edhe bazë ushtarake e që u zhbë e nuk është më e ishte pranë ndërtesës së tashme kryesore të qeverisë së Kosovës, kisha arritur të largohesha nga banesa ime para se të hynte aty policia serbe dhe raportimet për ATSH-në i vazhdoja nga kufiri jugor i Kosovës.

Në lajmin e 6 majit të para 17 viteve, natyrisht, në rrethanat që ndodheshin të ngujuarit në Prishtinë, mes forcave kriminale, nuk përmenda burimin, telefonatën nga posta e re e Prishtinës që ishte bërë mes rreziqesh, po duke iu referuar “burimeve të ATSH-së” tregova çka po ndodhëte. Që “bota ta marrë vesh” ç’po ndodhëte në Kosovë, siç shpreheshin të dëbuarit nga shtëpitë e banesat dhe vendi i tyre, që po kalonin kufirin…

Ja lajmi i 6 majit 1999:

Shqiptaret ne Prishtine – mburoje e gjalle

      KUFIRI JUGOR I KOSOVES, 6 maj- Korresp. i ATSH-se, Behlul
Jashari, njofton: Shume banore te Prishtines po mbahen peng dhe
po perdoren nga serbet si mburoje e gjalle. Ata jane detyruar te
qendrojne ne shtepite dhe banesat prane vendeve ku jane fshehur
arme dhe mjete te mekanizuara ushtarake si dhe neper objekte qe
mund te bombardohen nga NATO-ja, bejne te ditur burime te ATSH-se
ne Kosove.
Shume familje jane detyruar te qendrojne per disa dite me
radhe prane postes se re te Prishtines, ne lagjen Dardania, thone
deshmitare okulare qe kaluan dje kufirin Kosove-Maqedoni.
Shumica e te ardhurve jane femije dhe gra, ndersa burrat
jane marre nga forcat serbe. Gra nga rajoni i Llapit tregojne per
me se 200 te rinj e burra shqiptare qe i kane ndare nga familjet
dhe i kane marre ne rrugen midis Obiliqit dhe Prishtines. Te
deportuar nga fshati Hade i Obiliqit, tregojne per ekzekutimin e
13 shqiptareve. Mijrat e te debuarve gjate 24 oreve te fundit
jane krejtesisht nga rajonet e Llapit, Prishtines, fshatrat e
Ferizajt dhe te Lipjanit.
/pas/
—
Lajmi nga ajo kohe mund te gjendet edhe sot edhe ne:
https://groups.google.com/forum/#!msg/bit.listserv.albanian/mK-Kh_Wxs58/vqhG95O-gfIJ

Filed Under: Histori Tagged With: Behlul Jashari, mburojë e gjallë, Prishtina para 17 viteve: Shqiptarët

Mogherini: Kosova është Evropë, jemi duke punuar për integrimin

May 6, 2016 by dgreca

-“Kur e shoh këtë pjesë të Evropës, përkatësisht Ballkanin, e në veçanti Kosovën, më lejoni të theksoj se unë e shoh të ardhmen e Evropës dhe të Unionit Evropian”, ka thënë sot në Prishtinë Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, duke shtuar se Unioni ka të bëjë me paqen dhe stabilitetin dhe se është duke punuar së bashku për pajtimin dhe paqen e vërtetë që duhet të arrihet në Ballkan/

-Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian Mogherini tha se është e lumtur që sot ndan festën me qytetarët e Kosovës për rekomandimin nga Komisioni Evropian për liberalizimin e vizave/

Nga korrespondenti në Kosovë i Gazetës DIELLI, Behlul JASHARI/

 PRISHTINË, 5 Maj 2016/ Kosova është Evropë dhe  ajo çka jemi duke punuar ne është integrimi në Bashkimin Evropian, hap pas hapi.

Kështu tha sot në Prishtinë Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Zëvendëspresidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini, pas takimit së bashku me  Komisionerin për Migracion, Punë të Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopulos, me kryeministrin Isa Mustafa, gjatë të cilit u diskutua për proceset eurointegruese të Kosovës, një ditë pasi Komisioni Evropian propozoi heqjen e vizave për qytetarët kosovarë

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian Mogherini tha se është e lumtur që sot ndan festën me qytetarët e Kosovës për rekomandimin nga Komisioni Evropian për liberalizimin e vizave.

MUSTAFA: INTEGRIMI NË BE VLERË DREJTUESE PËR SHOQËRINË KOSOVARE
Pas një dreke pune, kryeministri Isa Mustafa dhe dy mysafirët kanë mbajtur një konferencë shtypi. Kryeministri Mustafa tha se gjatë takimit është biseduar për propozimin e Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave, për proceset tjera integruese të Kosovës, për përkushtimin në luftë kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe ekstremizmit të dhunshëm terrorizmit, për dialogun si dhe për fuqizimin e mëtejshëm të Kosovës.

“Konstatuam se e ardhmja Kosovës është në gjirin e familjes së madhe evropiane, se populli i Kosovës është i përkushtuar për vlerat perëndimore evropiane, se kosovarët e shohin Evropën si shtëpinë e tyre të përbashkët me të gjithë evropianët e tjerë”, tha kryeministri.

Sa i takon liberalizimit të vizave, kryeministri Mustafa tha se vendimi i Komisionit Evropian është një e arritur e madhe e bazuar në përmbushjen e kritereve nga ana e Kosovës dhe gatishmërinë e BE-së për ta vlerësuar këtë përmbushje.

“Ky vendim historik për neve përfundimisht e nxjerrë Kosovën nga izolimi, i hap perspektivë të fuqishme politike dhe ekonomike dhe së bashku me Marrëveshjen për Stabilizim Asociim krijon një ambient shumë më pozitiv për progres në alternativën tonë të vetme që është alternativa evropiane. Po ashtu, theksuam se liberalizimi i vizave kërkon që çdo qytetar i Kosovës të respektojë me përpikëri maksimale modalitetet e lëvizjes në Zonën Schengen”, tha kryeministri.

Mustafa, po ashtu, ka shprehur përkushtimin e Kosovës për t’i forcuar marrëdhëniet me shtetet fqinje, si faktor paqeje dhe stabiliteti duke përfshirë edhe vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Por, kryeministri Mustafa ka kërkuar që Serbia të heq dorë nga pengesat që po i bën Kosovës, në kundërshtim me dialogun e Brukselit, duke u përpjekur që ta bllokoj anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

“Integrimi në Bashkimin Evropian është vlerë drejtuese për shoqërinë kosovare. Kosova ka nevojë për Evropën por edhe Evropa do të jetë më e plotë me Kosovën”, ka thënë kryeministri Mustafa.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Politikave të Sigurisë, Federica Mogherini, tha se rekomandimi për heqjen e vizave është rezultat i një pune shumë të madhe dhe të përbashkët.

“Kemi bërë një hap shumë të rëndësishëm përpara. E di që ka qenë i shumëpritur nga kosovarët dhe do të ketë impakte pozitive në jetën e përditshme dhe në sferën politike. Kjo do të thotë se Kosova është Evropë dhe në atë çka jemi duke punuar ne është integrimi evropian i Kosovës në BE, hap pas hapi”, tha Mogherini.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së ka theksuar se Kosova ka perspektivë evropiane duke uruar edhe për suksesin në UEFA dhe të arriturat tjera.

Mogherini, po ashtu, ka thënë se liberalizimi i vizave i ka përmbushur aspirata dhe ëndrrat e qytetarëve të Kosovës për të lëvizur lirshëm në Evropë.

Sa i takon dialogut në Bruksel, Mogherini theksoi rëndësinë e implementimit të marrëveshjeve të cilat janë nënshkruar, të cilat, siç u shpreh ajo, janë shumë të rëndësishme për Kosovën, për Bashkimin Evropian dhe për rajonin.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, ka përgëzuar qytetarët e Kosovës duke theksuar se duhet të punohet edhe më shumë së bashku në rezultatet që do vijnë.

“Idealet dhe vlerat mbi të cilat është ndërtuar BE-ja janë ende gjallë, të rëndësishme për shumë evropianë brenda dhe jashtë Bashkimit Evropian, posaçërisht për gjeneratat e reja dhe kemi obligime ndaj tyre”, tha Mogherini.

Komisioneri për Migracion, Punë të Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopoulos, vlerësoi lartë dy sukseset e fundit të Kosovës, pranimin në UEFA-në dhe rekomandimin për liberalizimin e vizave.

“Jemi këtu të ndajmë këtë gëzim me ju si evropianë, pjesë e të cilës do të jeni edhe ju. Kosova është pjesë e familjes evropiane”, tha Avramopoulos, duke theksuar se në të ardhmen do të ketë rezultate tjera pozitive në fushën e përafrimit të Kosovës me BE-në.

Komisioneri Dimitris Avramopoulos tha po ashtu se Kosova ka bërë progres të theksuar dhe se propozimi i Komisionit Evropian është  rezultat direkt i punës së madhe dhe përpjekjeve të suksesshme të autoriteteve të Kosovës për të arritur progres në fushat të cilat janë përcaktuar.

“Kosova i ka përmbushur të gjitha parakushtet për liberalizimin e vizave dhe e kuptojmë gjithsesi se deri në ditën e aprovimit të këtij propozimi nga Këshilli Evropian dhe Parlamenti Evropian, Kosova do të ratifikojë Marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi dhe do të vazhdojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, tha Avramopoulos, duke folur edhe për impaktin që do të ketë liberalizimi i vizave për kosovarët.

Komisioneri Avramopoulos, po ashtu, u shpreh se lëvizja e lirë duhet të shoqërohet edhe me disa obligime dhe se tani do të fillohet me kampanjën për të mos lejuar abuzimin me lëvizjen pa viza.

Mogherini e Avramopulos zhvilluan edhe takimin me Presidentin Hashim Thaçi dhe u nisën drejt takimit me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, pas të cilit u pritën dhe u përshëndetën edhe me duartrokitje në seancën solemne.

THAÇI: KOHA TË FESTOJMË, POR EDHE TË MENDOJMË PËR PËRGJEGJËSITË TONA

 Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pasi falënderoi përfaqësuesen e BE-së për këtë vizitë të menjëhershme pas rekomandimit për liberalizimin e vizave, tha se sot jemi së bashku për të dhënë mesazhe të qarta të përgjegjësive tashmë evropiane të Kosovës.

 “Është një momentum i ri për Kosovën në këtë kohë kur kemi tejkaluar situata të pakëndshme politike. Tanimë kemi një stabilitet, një funksionim normal të institucioneve dhe natyrisht se, pas fuqizimit të MSA-së, do t’i marrim përgjegjësitë edhe sa i përket rekomandimit për liberalizimin e vizave. Është kënaqësi për ne që të jemi në fund pjesë edhe zyrtarisht e gjeografisë politike evropiane”, tha presidenti Thaçi.

 Ai theksoi se progresi i Kosovës është jashtëzakonisht i madh dhe kritere të rëndësishme edhe për rekomandimin për liberalizimin e vizave nga Komisioni Evropian, kanë qenë përpjekjet dhe puna e suksesshme në luftë kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar, nga institucionet e vendit së bashku me EULEX-in.

 “Tani mund të festojmë, por edhe duhet të mendojmë për përgjegjësitë tona. Jemi të vetëdijshëm se duhet të bëjmë edhe më tepër dhe do të bëjmë”, ka shtuar presidenti Thaçi.

 Ndërsa, përfaqësuesja e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini, tha se kjo është më të vërtetë një javë e lumtur, por tani nuk është koha vetëm për të festuar, por edhe për të shikuar përpara.

 “Ishte shumë e rëndësishme për mua ta zhvilloja këtë takim me presidentin, sepse ky është momenti kur Kosova duhet të bashkohet rreth agjendës evropiane. Kur vendi arrin të bashkohet në përgjegjësitë institucionale, atëherë arrihen rezultate për qytetarët e tij”, tha Mogherini, duke shtuar se beson që gjatë mandatit të saj “do të shohim hapa të rëndësishëm pozitivë të shteteve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së, ku në mesin e tyre është edhe Kosova”.

 Përfaqësuesja e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini, theksoi se për BE-në është shumë i rëndësishëm edhe zbatimi i të gjitha marrëveshjeve me Serbinë.

 Për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, presidenti Thaçi tha se na pret edhe shumë punë, por si parakusht gjithsesi që është implementimi i të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani, por edhe i përgjegjësive që dalin nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili obligon institucionet e Kosovës të themelojnë edhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

 VESELI: INTEGRIMI EVROPIAN ËSHTË PRIORITET KOMBËTAR I KOSOVËS

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli,  me Përfaqësuesen e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, diskutuan zhvillimet e fundit në raportet mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Mogherini theksoi se Bashkimi Evropian mbetet tërësisht i përkushtuar për të ndihmuar rrugën evropiane të Kosovës, në të gjitha proceset dhe hapat e saj. Duke vlerësuar punën e bërë nga institucionet e Kosovës Mogherini u shpreh se dhurata më e mirë që i është bërë sot në Kosovë ka qenë kur e ka parë të bashkuar të gjithë spektrin politik kosovar.

 Kryetari Veseli duke falënderuar Mogherini për përkushtimin pozitiv të BE-së ndaj Kosovës, përkushtim që rezultoi me rekomandimin pozitiv të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, theksoi se “integrimi evropian është prioritet kombëtar i Kosovës”.

“Ne do të mobilizojmë të gjitha kapacitetet dhe energjitë tona institucionale e njerëzore që Kosova të marrë vendin e saj të natyrshëm në Bashkimin Evropian”, shtoi Veseli.

MOGHERINI NË SEANCËN SOLEMNE TË KUVENDIT TË KOSOVËS: SOT E FESTOJMË FUQINË E UNITETIT

Adresimi i Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë /Zëvendës Presidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini, deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ishte e vetmja pikë në axhendën e seancës solemne të Kuvendit, ku mori pjesë edhe opozita bashkë me maxhorancën.

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Politikave të Sigurisë, Federica Mogherini, duke falënderuar deputetët që këtu sot janë të bashkuar, ashtu siç jenë duke i treguar BE-së se kemi fuqi të bashkohemi.
“Secili prej nesh, me të gjitha dallimet tona qëndrojmë të bashkuar rreth axhendës evropiane dhe na mban në bashku. Sot e festojmë fuqinë e unitetit”, ka thënë ajo, duke pohuar se kjo mund të ofrojë ndryshim, që populli i Kosovës e dëshiron, duke shprehur besimin e saj se të gjithë kosovarët janë të vetëdijshëm për këtë.“Kjo është një ditë shumë e rëndësishme për Kosovën dhe popullin e saj. Nuk do t’i marr meritat për pranimin në UEFA, por dje megjithatë në Bruksel ia kemi arritur dhe kemi bërë një hap shumë të rëndësishëm dhe e tëra është bërë duke iu falënderuar punës së secilit prej jush që e ka bërë në bashkëpunim me neve”, ka theksuar Mogherini, duke shtuar se sot nuk është një ditë vetëm për festime, është një ditë kur duhet të shikojmë të ardhmen tonë të përbashkët.

“Fillojmë të planifikojmë punën që na pret. Para një muaji e njoftuam nënshkrimin e MSA-së mes Kosovës dhe BE-së, kurse dje BE-ja propozoi që të hapet zona e Shengenit për udhëtim pa viza për kosovarët. Këto hapa janë kuptimplotë për popullin tuaj, por, më lejoni të them shumë sinqerisht se këto janë kuptimplota edhe për bashkimin tonë”, ka thënë ajo, duke shtuar se këto arritje jemi duke i festuar, jo vetëm këtu, por edhe në BE.
Duke përkujtuar se të hënën do të festohet datëlindja e BE-së, Dita e Evropës, Mogherini ka pohuar se ka shumë që besojnë se nuk kemi arsye për të festuar në këto kohëra, sepse për herë të parë Unioni Evropian rrezikon që të ec prapa, në vend se të ecë përpara – drejt zgjerimit.
“Kur e shoh këtë pjesë të Evropës, përkatësisht Ballkanin, e në veçanti Kosovën, më lejoni të theksoj se unë e shoh të ardhmen e Evropës dhe të Unionit Evropian”, ka thënë përfaqësuesja e BE-së, duke shtuar se Unioni ka të bëjë me paqen dhe stabilitetin dhe se është duke punuar së bashku për pajtimin dhe paqen e vërtetë që duhet të arrihet në Ballkan.
“BE-ja, ka të bëjë me mirëqenien e njerëzve dhe kjo është shumë e qartë kur shohim punën që jemi duke bërë, por duhet të bëjmë edhe shumë për të promovuar rritjen ekonomike, për të luftuar korrupsionin dhe për t’i ofruar popullit mundësi më të mira për të arritur aspiratat e tyre , e sidomos të rinjve” , ka theksuar ajo duke u shprehur optimiste se me punën tonë të përbashkët, e shohim Evropën me potencialin e plotë që ka.
“Është e qartë se ne duhet të bëjmë shumë më tepër që të zhvillojmë ekonominë, ta luftojmë korrupsionin dhe njerëzve t’u afrojmë perspektivë më të mirë”, theksoi ajo.
“Mos e shpërfillni dhuratën që po ua jep Bashkimi Evropian. Më lejoni të premtoj se do të vazhdojmë që ta bëjmë Kosovën më të mirë”, ka theksuar Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, duke u zotuar se ky është përkushtim i saj e duke pohuar se propozimi për lëvizje të lirë në zonën e Shengenit është një dëshmi për punën e madhe të institucioneve të Kosovës.
Mogherini ka shtuar se dialogu Prishtinë-Beograd, nën lehtësimin e saj, ka arritur që ta bëjë jetën më të mirë të qytetarëve të Kosovës, prandaj nga ky dialog nuk duhet të ketë frikë askush. Ndërsa, duke folur lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, i ka siguruar deputetët se në Kosovë nuk do të krijohet një qeveri paralele.

“Asociacioni i komunave do të fuqizojë dhe pasurojë Kosovën duke e lejuar komunitetin serb të integrohet në institucionet e Kosovës”, ka thënë Mogherini duke e theksuar prerë: “Kosova nuk duhet të bëhet Evropë. Kosova është Evropë!”.

Ajo ka thënë se në Kosovë sheh një rini evropiane, e sheh një inspirim te ata, si pas rënies së murit të Berlinit, kur gjenerata e saj gjithashtu ishin të rinj e duke i garantuar se Bashkimi Evropian ka nevojë për këtë rini.
Kryeparlamentari Veseli, duke i uruar deputetët dhe qytetarët e Kosovës për rekomandimin për liberalizimin e vizave dhe pranimin e Kosovës në UEFA,e ka përfunduar seancën e sotme solemne të Kuvendit të Kosovës me shprehjen e minatorëve: “Me fat!”.

Dy zyrtarët e lartë të BE-së mbërritën rreth mesditës në Prishtinë. Mogherini  dhe Avramopulos janë pritur në Aeroportin e Prishtinës nga Përfaqësuesi i BE në Kosovë, Samuel Zhbogar dhe ministrja e Dialogut, Edita Tahiri, me përfaqësues të tjerë të qeverisë së Kosovës.

“Krenare me propozimin për liberalizimin e vizave për Kosovën”, ka shkruar Mogherini në tëitter dje duke paralajmëruar vizitën në Prishtinë “për të festuar dhe punuar për rrugën përpara”.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Mogherini është ndërmjetësuese e udhëheqëse e dialogut të nivelit të lartë kryeministror drejt normalizimit të marrëdhënieve  Prishtinë-Beograd në Bruksel, ku janë zhvilluar 30 raunde. Ajo pason Baroneshën Catherine Ashton.

Takimi i parë kryeministror Kosovë-Serbi në Bruksel  është zhvilluar në 19 tetor 2012, ndërsa raundi i fundit në 27 janar 2016.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Mogherini: Kosova është Evropë

Festivali Folklorik “Hasi Jehon”në Kosovë përmbyllet me çmime

May 5, 2016 by dgreca

-Gjatë tre netëve të Festivalit, në sallën e shtëpisë së kulturës në fshatin Gjonaj, përmes programeve të 18 shoqërive kulturore artistike parakaloi foklori i trevave shqiptare, me veshjet karakteristike, ritet, zakonet e doket/

 Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 5 Maj 2016/ Përfundoi mbrëmë me ndarje çmimesh edicioni i 27 i Festivalit Folklorik Hasi Jehon, i nisur në 2 maj, në Kodrën e Pajtimit në fshatin Gjonaj, rajon kufitar Kosovë-Shqipëri në rrethinën e Prizrenit. 

Pjesëmarrësit ishin nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, ndërsa për paraqitjen më komplete të riteve dokeve, pjesës së folklorit burimor nga treva prej nga vjen me “Malësorin”, çmimin kryesor të festivalit, u nderua Shoqëria Kulturore Artistike “Besiana” nga Bresana, fshat në krahinën e Opojës  në malet e Sharrit në lartësi mbidetare mëse 1.000 metra, në komunën e Dragashit, më jugoren në shtetin e ri, të dytë, të shqiptarëve. 

Me çmimin “Malësorja” u nderua Shoqëria Kulturore Artistike “Ilirida” nga Shkupi, ndërsa me “Lauhtën e Festivalit Hasi Jehon 2016” u nderuan Ansambli “Bajram Shabani” nga Kumanova dhe Ansambli autokton “Rugova” nga Peja. 

Me çmimin  “Nazmije Hoxha”, që e mban emrin e këngëtares hasjane, u nderua Ganimete Asllani nga Mitrovica.

Me mirënjohje për vepër jetësore u nderua artistja hasjane Safete Rugova, të cilën drejtori i Festivalit Hasi Jehon, Haziz Hodaj, e quajti monument të kulturës hasjane. 

 “Ky festival sot quhet dasma hasjane, nëpër të cilën parakalon tradita e të gjitha viseve shqiptare, prandaj sot në Has nis dasma gjithshiptare”, është shprehur ai në fillimin e aktivitetit treditësh të Hasi Jehon.  

Gjatë tre netëve të Festivalit, në sallën e shtëpisë së kulturës në fshatin Gjonaj, përmes programeve të 18 shoqërive kulturore artistike parakaloi foklori i trevave shqiptare, me veshjet karakteristike, ritet, zakonet e doket. 

Para parakalimit në skenë të shoqërive kulturo-artistike, në sallën e shtëpisë së kulturës në Gjonaj, u hap ekspozita e prodhimeve të bukës dhe ekspozita e veshjes hasjane. Karakteristikë e këtij viti ishte demonstrimi i gatimit nga gratë hasjane si dhe përgatitja e materialit për veshjet karakteristike dhe origjinale hasjane.

Filed Under: Kulture Tagged With: Behlul Jashari, Festivali Folklorik "Hasi Jehon", ne Kosove, përmbyllet me çmime

Përfaqësuesja e Lartë BE-së Mogherini në Kosovë

May 5, 2016 by dgreca

-Vizita sot e Federica Mogherini, Përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Politikave të Sigurisë/Zëvendës Presidente e Komisionit Evropian do jetë bashkë me Dimitris Avramopulos, Komisioner për Migracion, Punë të Brendshme dhe Shtetësi/

-Përfaqësuesja e Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë \ Zëvendëspresidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini, do pritet e flasë pasditën e sotme edhe në një seancë solemne të Kuvendit të Republikës së Kosovës/

 PRISHTINË, 5 Maj 2016-B.Jashari/ Përfaqësuesja e Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë \ Zëvendëspresidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini, mbërrin sot në Kosovë, ku do takojë krerët e shtetit, një ditë pasi Komisioni Evropian propozoi heqjen e vizave për qytetarët kosovarë.

Burimet zyrtare të qeverisë theksojnë se, gjatë takimit Kryeministri Isa Mustafa dhe Mogherini do të diskutojnë për proceset eurointegruese të Kosovës dhe do t’iu adresohen qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Mogherini, do pritet e flasë pasditën e sotme edhe në një seancë solemne të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Adresimi i Përfaqësueses së Lartë të  Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë /Zëvendës Presidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini, deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, është e vetmja pikë në axhendë.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Mogherini është ndërmjetësuese e udhëheqëse e dialogut të nivelit të lartë kryeministror drejt normalizimit të marrëdhënieve  Prishtinë-Beograd në Bruksel, ku janë zhvilluar 30 raunde. Ajo pason Baroneshën Catherine Ashton.

Takimi i parë kryeministror Kosovë-Serbi në Bruksel  është zhvilluar në 19 tetor 2012, ndërsa raundi i fundit në 27 janar 2016.

Sipas njoftimit të sapodërguar Gazetes Dielli nga Qeveria e Kosovës, vizita sot e Federica Mogherini, Përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Politikave të Sigurisë/Zëvendës Presidente e Komisionit Evropian do jetë bashkë me Dimitris Avramopulos, Komisioner për Migracion, Punë të Brendshme dhe Shtetësi, ndërsa axhenda është kjo:

13.10 – Kryeministri Isa Mustafa pret Zonjën Federica Mogherini dhe Komisionerin Avramopulos.

(Vetëm Pamje)

 14:15-14:45 – Konferencë për shtyp e Kryeministrit Mustafa, Zonjës Mogherini dhe Komisionerit Avramopulos.

Vendi: Salla e konferencave për shtyp P38,

 15:00-15:40 – Takim me Presidentin Hashim Thaçi.

Vendi: Ndërtesa e Kuvendit të Kosovës,

 15:45-16:15 – Takim me Kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli.

Vendi: Zyra e kryetarit, kati 1, Kuvendi

(Vetëm Pamje)

 16:15-17:00 – Fjalimi i Zonjës Mogherini në Kuvend.

Vendi: Salla e seancave Plenare

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, Mogherini, ne Kosove, Përfaqësuesja e Lartë BE-së

Kryeministri Mustafa: Liberalizimi i vizave, perspektivë eurointegruese

May 4, 2016 by dgreca

-Mustafa: Republika e Kosovës ka bërë një hap tjetër shumë të rëndësishëm në procesin e integrimit evropian, ndërsa për qytetarët dhe shtetin tonë tashmë është hapur një perspektivë shumë e fuqishme politike, ekonomike dhe demokratike/

-Zhbogar: Kjo është një prej ditëve që kujtohen gjithmonë. E përgëzoj popullin e Kosovës për këtë të arritur/

-Çollaku: Vendimi i sotëm i Komisionit Evropian është fillimi i hapjes së dyerve të Bashkimit Evropian për popullin e shtetit më proevropian/

 PRISHTINË, 4 Maj 2016-B.Jashari/ Liberalizimi i vizave dëshmon perspektivën e pakthyeshme eurointegruese të Kosovës, tha sot pasdite kryeministri Isa Mustafa. Ai deklaroi kështu në një konferencë shtypi të mbajtur menjëherë pasi në një takim pranoi nga shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë/përfaqësues Special i BE-së, Samuel Zhbogar rekomandimin e Komisionit Evropian për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

 Kryeministri Mustafa tha se kjo është një ditë e madhe për Kosovën dhe për qytetarët e saj.

“Rekomandimi i Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën është një vendim me rëndësi shumëdimensionale për vendin tonë. Republika e Kosovës ka bërë një hap tjetër shumë të rëndësishëm në procesin e integrimit evropian, ndërsa për qytetarët dhe shtetin tonë tashmë është hapur një perspektivë shumë e fuqishme politike, ekonomike dhe demokratike”, tha kryeministri.

 Mustafa, po ashtu, tha se arritja e këtij suksesi kulmor është rezultat i përkushtimit të qytetarëve, i punës së madhe të të institucioneve dhe i përkrahjes së parezervë të partnerëve ndërkombëtarë.

“Kosova i plotësoi kushtet që qytetarët e saj sikurse edhe qytetarët e tjerë të këtij kontinenti të udhëtojnë pa viza në vendet e Bashkimit Evropian. Institucionet e Bashkimit Evropian përkundër ashpërsimit të kritereve vendosen sipas meritës për Kosovën sot”, tha kryeministri.

 Më tej, Mustafa tha se liberalizmi i vizave dëshmon në vepër perspektiven e pakthyeshme eurointegruese të Kosovës dhe është një konfirmim i madh për qytetarët optimistë të Kosovës dhe mesazh po ashtu i qartë për ndonjë pesimist të izoluar brenda dhe jashtë saj.

 Kryeministri Mustafa, po ashtu, ka shprehur përkushtimin e Kosovës që t’i përmbahet në mënyrë strikte të gjitha rregullave të Bashkimit Evropian në këtë proces.

“Duke respektuar, pa asnjë ekuivok, çdo pikë dhe çdo rregull të këtij procesi, ne do t’ia hapim vetes rrugën e ecjes më tutje në rrugën evropiane”, tha kryeministri, duke falënderuar të gjitha institucionet për punën e bërë në këtë proces gjatë katër viteve të fundit.

 Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësues Special i BE-së, Samuel Zhbogar, tha se kjo është një prej ditëve që kujtohen gjithmonë.

“E përgëzoj popullin e Kosovës për këtë të arritur. Duke qenë në Kosovë që kur ka filluar procesi i liberalizimit të vizave në vitin 2012, ndaj ndjenjën e satisfaksionit dhe përmbushjes. Tani varet nga shtetet anëtare të BE-së, përkatësisht nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Ministrave të Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme, që të vendosin për afatet kohore të heqjes së vizave. Ne shpresojmë se kjo do të ndodh sa më shpejtë që të jetë e mundur”, theksoi Zhbogar.

 Ministri kosovar për Integrim Evropian, Bekim Çollaku, ka uruar të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për propozimin e Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave duke thënë se me këtë vendim Komisioni Evropian ka vulosur faktin që përpjekjet e qeverive të Kosovës për më shumë se katër vite kanë përmbushur me sukses kriteret e procesit.

“Vendimi i sotëm i Komisionit Evropian është fillimi i hapjes së dyerve të Bashkimit Evropian për popullin e shtetit më proevropian. Ky veprim sinjalizon përfundimin e izolimit të evropianëve të rinj dhe trajtimin e tyre të barabartë me të gjithë popujt e rajonit”, theksoi ai. Rekomandimi i sotëm, vijoi Çollaku, është vendimtar në mundësimin e udhëtimit pa viza në vendet e zonës Schengen për qytetarët e Kosovës.

“Tani që procedura e vendimmarrjes është nisur, ne do të dinamizojmë edhe më shumë punën me Parlamentin Evropian dhe me shtetet anëtare të BE-së në mënyrë që vendimi përfundimtar pozitiv të merret sa më shpejtë. Besoj fuqishëm se kjo do të ndodhë shpejtë, dhe vendimi i Komisionit sot vetëm më përforcon bindjen se lëvizja e qytetarëve pa viza do të bëhet këtë vit”, tha ministri Çollaku në konferencën për shtyp.

Filed Under: Komente Tagged With: Behlul Jashari, Kryeministri Mustafa, liberalizimi i vizave, perspektivë eurointegruese

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 177
  • 178
  • 179
  • 180
  • 181
  • …
  • 245
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT