• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosovë-Serbi, 3 vjet nga marrëveshja e parë dhe 30 takime kryeministrore në Bruksel

April 19, 2016 by dgreca

-Për Asociacionin/Bashkësinë e komunave me shumicë serbe, çka thuhet në marrëveshjen e 19 prillit 2013 e të 25 gushtit 2015?/

 -Çka thuhet për marrëveshjen për Asociacionin… në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të 23 dhjetorit 2015?/

-Sa banorë të komunitetit pakicë serb dhe sa komuna me shumicë serbe ka në Kosovë?/

-Kosova dhe Serbia në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA, takimin e parë kryeministror në Bruksel e kanë zhvilluar në 19 tetor 2012/

 Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 19 Prill 2016/ Para tre vitesh, në 19 prill 2013, në Bruksel, Kosova dhe Serbia  – kryeministrat e atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, në raundin e 10-të të dialogut,  kanë parafuar Marrëveshjen e Parë për Normalizimin e Marrëdhënieve, të vlerësuar historike. Marrëveshja 15 pikëshe, në 6 pikat e para  ka Asoaciacionin apo Bashkësinë e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Në tekstin e Marrëveshjes, nën një, përcaktohej: “Do të ketë një Asociacion / Bashkësi e komunave të banuara me shumicë serbe në Kosovë. Anëtarësimi do të jetë i hapur për cilëndo komunë, me kusht që anëtarët pajtohen”.

Asociacioni i komunave me shumicë sebe në Kosovë është një nga katër marrëveshjet Prishtinë-Beograd të nënshkruara nga krerët e dy qeverive, Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç, në mbrëmjen e 25 gushtit 2015 në Bruksel, në raunin e 28 të dialogut në nivel kryeministrash, ndërsa kundërshtohet nga opozita kosovare.

Në marrëveshje, e para pikë është kjo: “Asociacioni/Bashkësia i komunave me shumicë serbe në Kosovë themelohet si një Asociacion/Bashkësi i komunave siç parashihet me Marrëveshjen e Parë, Ligjin mbi Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë dhe Ligjet e Kosovës”.Mes tjerash, në marrëveshje, te “Objektiva” thuhet se Asociacioni “vendos marrëdhënie dhe hyn në marrëveshje bashkëpunimi me asociacionet tjera të komunave, vendore dhe ndërkombëtare”.

Ndërsa, te “Buxheti dhe përkrahja”  theksohen “kontributet, grantet, donacionet si dhe përkrahja financiare nga asociacionet dhe organizatat tjera vendore dhe ndërkombëtare si dhe nga Republika e Serbisë”.

Në 23 dhjetor 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, pas kërkesës që i është bërë nga Presidentja e Republikës të vlerësojë përputhshmërinë e dokumentit të emërtuar “Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe në Kosovë – parimet e përgjithshme/elementet kryesore”, ka vendosur se, “këto Parime nuk janë tërësisht në përputhje me standardet kushtetuese përkatëse dhe ka konkluduar se akti ligjor i qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Statuti duhet të jenë në përputhje”.

Pas këtij vendimi, qeveria e Kosovës ka siguruar se, “i tërë procesi dhe çdo akt juridik për të finalizuar asociacionin e komunave me shumicë serbe do bëhet duke u bazuar dhe respektuar konkluzionet e Gjykatës Kushtetues” dhe se “edhe Statuti i asociacionit do dërgohet në Kushtetuese”.

Në raundin e fundit, të 30-të, kryeministror në Bruksel, në 27 janar 2016,  ku është biseduar për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani dhe rrugën përpara në dialog, temë kryesore ka qenë zbatimi i marrëveshjes për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, por nuk ka pasur ndonjë dakordim për afat kohor dhe kryeminsitri kosovar Mustafa dhe ai serb  Vuçiç kishin “qëndrime të kundërta rreth vendimeve të Kushtetueses” së Kosovës.

Ky ishte raundi i shtatë i takimeve në Bruksel i kryeministrave Mustafa e Vuçiç, i pari në vitin 2016, ndërsa nuk dihet kur do mbahet raundi i ardhshëm ndërkohë që në Serbi pritet qeveria e re e zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare që mbahen në fund të kësaj jave – në 24 prill.

Kosova dhe Serbia, në Bruksel, kanë zhvilluar 30 raunde të dialogut në nivel të lartë kryeministror, në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA.

 Takimet në nivel të lartë në Bruksel të kryeministrave aktualë Mustafa e Vuçiç, të qeverive të zgjedhjeve 2014 në të dy shtetet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë, pasojnë 23 raundet e zhvilluara nga kryeministrat e mëparshëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, të cilët në shtatë raundet tjera ishin pjesëmarrës delegacionesh në këtë dialog si ministra të punëve të jashtëme.

Ndërkohë, Thaçi është zgjedhur President i Kosovës dhe nuk do jetë pjesë e tryezës së dialogut në Bruksel të qeverive Prishtinë-Beograd, ndërsa kush do e përfaqësojë më tej qeverinë e Serbisë në vazhdimin e bisedimeve varet nga rezultati i zgjedhjeve atje dhe përbërja e qeverisë së re.

Edhe në Kosovë ka kërkesa për zgjedhje të parakohëshme, nga ana e opozitës, e cila nuk është më e bashkuar, pasi dje nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi vetëm AAK e Nisma – dy nga tre partitë opozitare, pa më të madhen -Vetëvendosjen.

 Kosova dhe Serbia në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA, takimin e parë kryeministror në Bruksel e kanë zhvilluar në 19 tetor 2012.

Bisedimet në nivel kryeministrash kanë pasuar dialogun teknik, të filluar në 8 mars 2011, po ashtu në Bruksel, ku në krye të delegacionit kosovar ishte Edita Tahiri atëherë zëvendëskryeministre, tani ministre e Dialogut.

Kosova dhe Serbia janë në bisedime edhe sot në Bruksel, ku ministrja për Dialog e qeverisë kosovare, Tahiri, merr pjesë në takimin e ftuar nga Bashkimi Evropian në lidhje me çështjet urgjente në Dialogun  e Brukselit, mes Kosovës e Serbisë.

“Temat për diskutim janë ajo për njohjen reciproke të certifikatave për transportin e mallrave të rrezikshme të njohura si ADR, shkeljet e marrëveshjes për vizitat zyrtare nga ana e zyrtarëve të Serbisë duke hyrë edhe ilegalisht në Kosovë si dhe për ndalimin e vazhdimit të lëshimit të letërnjoftimeve nga strukturat paralele për qytetarët e Kosovës nga ana e qeverisë së Serbisë”, bëjnë të ditur burimet zyrtare të qeverisë kosovare.

Bëhet e ditur se, sa i takon masave ndaluese për hyrje dhe dalje në Kosovë me leje ilegale të njoftimit, qeveria e Kosovës me kërkesën e Ambasadës amerikane në Prishtinë dhe BE-së ka vendosur që zbatimin e vendimit ta shtyjë deri në mbajtjen e takimit sot në Bruksel.

Tre vjet pas Marrëveshjes së parë, ende nuk dihet  kur do formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Po, në Kosovën e pavarur edhe para formimit të Asociacionit komunat serbe kanë përgjegjësitë nga Paketa Ahtisaari e procesi i decentralizimit, i nisur para tetë viteve e zhvilluar më tej.

Në Kosovë, Mitrovica e Veriut është komuna më e re, e 38-ta, e 10-ta me shumicë serbe, e 5-ta pas Graçanicës, Kllokotit, Ranillugut e Parteshit, të formuara sipas Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të kryenegociatorit Ahtisaari – emisarit special të OKB-së.

Po sipas Paketës Ahtisaari, katër komunave me shumicë serbe që ekzistonin në Kosovë, Leposaviçit, Zubin-Potokut dhe Zveçanit, që të trija në veri, dhe Shtërpcës në jug, i është shtuar edhe një tjetër – Novobërda, me zgjërimin e saj.

Procesi i decentralizimit në Kosovë ka nisur zyrtarisht në shtator 2008 – vitin historik të shpalljes së pavarësisë në 17 shkurt.

Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë, pa veriun, u numëran 1.739. 825  banorë rezidentë,  92.93 % shqiptarë. Pjesa tjetër e përqindjeve iu takon komuniteteve pakicë, 1.58% boshnjakë, 1.47 %  serbë, 1.08 % turqë, etj.

Por, numri i banorëve-shtetasëve të Kosovës është më i madh, meqë regjistrimi i popullsisë nuk ka përfshirë një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit.

Përqindja e komunitetit serb do ishte më e lartë me përfshirjen e veriut në regjistrim. Në veri të Mitrovicës dhe tre komuna tjera veriore – Leposaviç, Zubin Potok e Zveçan, ku është refuzuar regjistrimi i popullsisë, sipas një shifre që e kanë përmendur autoritetet kosovare, jetojnë rreth 40 mijë serbë.

PËRMBAJTJA E TEKSTIT TË MARRËVESHJES KOSOVË – SERBI, TË PARAFUAR NË 19 PRILL 2013:

1. Do të ketë një Asociacion / Bashkësi të komunave të banuara me shumicë serbe në Kosovë. Anëtarësimi do të jetë i hapur për cilëndo komunë, me kusht që anëtarët të pajtohen.

2. Bashkësia / Asociacioni do të krijohet me statut. Zhbërja e tij/saj mund të ndodhë vetëm me një vendim të komunave pjesëmarrëse. Garancitë ligjore do të sigurohen përmes ligjit në fuqi dhe ligjit kushtetues (përfshirë 2/3 e shumicës së trupit vendimmarrës).

3. Strukturat e Asociacionit / Bashkësisë do të themelohen mbi po të njëjtat baza sikurse statuti ekzistues i Asociacionit të Komunave të Kosovës, si për shembull, kryetari, zëvendëskryetari, Asambleja, Këshilli.

4. Në pajtim me përgjegjësitë e ofruara nga Karta Evropiane për Vetëqeverisje Lokale dhe ligjin e Kosovës, komunat pjesëmarrëse do të kenë mundësi të bashkëpunojnë për të ushtruar fuqinë e tyre në gjithë Bashkësinë / Asociacionin. Asociacioni/Bashkësia do të ketë qasje të plotë në fushat e zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural.

5. Asociacion / Bashkësia do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore.

6. Bashkësia / Asociacioni do të ketë një rol përfaqësimi te autoritetet qendrore dhe për këtë qëllim do të ketë një ulëse në këshillin konsultativ për komunitete. Në përputhje me këtë, është paraparë një funksion vëzhgues.

7. Do të ketë një forcë policore në Kosovë, që quhet Policia e Kosovës. Të gjithë policët në veri të Kosovës do të jenë të integruar brenda kuadrit të Policisë së Kosovës. Pagat do të jepen vetëm nga Policia e Kosovës (PK).

8. Pjesëtarëve të strukturave serbe të sigurimit do t’iu ofrohet nga një vend në strukturat përkatëse të Kosovës.

9. Do të ketë një komandant Rajonal të Policisë për katër komunat me shumicë serbe (Mitrovica e veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq) . Komandant i këtij rajoni do të jetë një serb i Kosovës, i emëruar nga Ministria e Punëve të Brendshme, nga një listë që do të sigurohet nga katër kryebashkiakët, në emër të Asociacionit/Bashkësisë. Përbërja e PK-së në veri do të pasqyrojë përbërjen e popullatës së katër komunave. (Do të ketë edhe një komandant tjetër rajonal për komunat e Mitrovicës, Skënderajt dhe Vushtrrisë). Komandanti rajonal i katër komunave në veri do të bashkëpunojë me komandantët e tjerë rajonalë.

10. Autoritetet gjyqësore do të jenë të integruara dhe do të veprojnë brenda kuadrit ligjor të Kosovës. Gjykata e Apelit në Prishtinë do të krijojë një panel shumica e gjykatësve të të cilit do të jenë serbë të Kosovës, për t’u marrë me të gjitha komunat me shumicë serbe në Kosovë. Një sektor i kësaj Gjykate të Apelit, e përbërë nga stafi administrativ dhe gjyqësor, do të qëndrojë përherë në veri të Mitrovicës (Gjykata e Qarkut në Mitrovicë). Shumica e secilit panel të sektorit të mësipërm do të përbëhet nga gjykatës serbë të Kosovës. Vendqëndrimi i gjykatësve respektivë do të varet nga natyra e rasteve në të cilat janë të përfshirë.

11. Zgjedhjet komunale në komunat e veriut do të organizohen në vitin 2013, me ndihmën e OSBE-së, në përputhje me ligjin e Kosovës, dhe me standardet ndërkombëtare.

12. Një plan zbatimi, përfshirë edhe kuadrin kohor, do të hartohet më 26 prill. Për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, do të adresohet parimi i fondit transparent.

13. Diskutimet lidhur me energjinë dhe telekomin do të intensifikohen nga të dyja palët, dhe do të përfundojnë deri më 15 qershor.

14. Është arritur pajtimi që asnjëra palë të mos e bllokojë, apo inkurajojë të tjerët për të bllokuar përparimin e palës tjetër në rrugëtimin drejt BE-së.

15. Me ndihmën e BE-së, nga të dyja palët do të krijohet një Komitet i Zbatimit.

DATAT E TË GJITHA TAKIMEVE KRYEMINISTRORE KOSOVË-SERBI NË BRUKSEL:

Thaçi-Daçiç:

Viti 2012:

Raundi 1 – në 19 tetor
Raundi 2 – në 7 nëntor
Raundi 3 – në 4 dhjetor

Viti 2013:

Raundi 4 – në 17 janar
Raundi 5 – në 19-20 shkurt
Raundi 6 – në 4 mars
Raundi 7 – në 20 mars
Raundi 8 – në 2 prill
Raundi 9 – në 17 prill
Raundi 10 – në 19 prill
Raundi 11 – në 21 maj
Raundi 12 – në 20-21 qershor
Raundi 13 – në 8 korrik
Raundi 14 – në 24 korrik
Raundi 15 – në 27 gusht
Raundi 16 – në 8 shtator
Raundi 17 – në 7 tetor
Raundi 18 – në 6 nëntor
Raundi 19 – në 5 dhjetor

Raundi 20 – në 13 dhjetor

Viti 2014:

Raundi 21 – në 27 janar
Raundi 22 – në 12 shkurt
Raundi 23 – në 31 mars

Mustafa-Vuçiç:

Viti 2015:

Raundi 24 – në 9-10 shkurt

Raundi 25 – në 21 prill

Raundi 26 – në 23 qershor

Raundi 27 – në 29 qershor

Raundi 28 –  në 25 gusht

Raundi 29 – në 13 tetor

Viti 2016:

Raundi 30 – në 27 janar

Filed Under: Analiza Tagged With: 3 vjet nga amrreveshja e pare, 30 takime, Behlul Jashari, Kosove-Serbi

Kosovë-Çmime për esetë “Çfarë do të thotë BE për mua”

April 12, 2016 by dgreca

-“Është e vështirë të flasësh për diçka të cilën nuk e ke provuar ose nuk ke qenë asnjëherë pjesë e saj.”/PRISHTINË, 12 Prill 2016-B.Jashari/ Në Kososvë, Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së (EUICC) në Prishtinë shpërblen finalistët e garës për esenë më të mire. Në një ceremoni dhe koktej rasti, sot,  në ambientet e Qendrës Informative dhe Kulturore të BE-së u mirëpritën nxënës, prindër arsimtarë të dhjetë aplikantëve më të mirë të gares “Çfarë do të thotë BE për mua”. “Është me te vërtetë një pyetje shumë e vështirë për t’u përgjigjur. Është e vështirë të flasësh për diçka të cilën nuk e ke provuar ose nuk ke qenë asnjëherë pjesë e saj. Është sikur një Siberian të flas për një ditë të nxehtë në plazhë, të cilën ka mundur ta shoh vetëm në televizor”. Kështu e kishte filluar esenë e sajë Bardha Çitaku. nxënëse e shkollës “Frang Bardhi” nga Mitrovica, së cilës i takoi çmimi i parë në këtë garë.

Esea e Jasmina Krama, nxënëse e klasës së 12-të nga Mitrovica e Veriut u cilësua si shkrimi i tretë më i mirë, ndërsa me vendin e dytë në këtë garë u shperblye Rona Roka nga Gjakova.

Në fjalën e saj Dinka Zivalj zëdhënëse e Zyrës së BE-së u shpreh të jetë e befasuar me pjekurinë në të menduar të nxënësve pjesmarrës në këtë garë. Për të gjitha pikat që ju keni folur në esetë tuaja, janë pikërisht ato tema për të cilat BE vazhdimisht flet nëpër evente dhe debate të ndryshme, sepse sundimi i ligjit, edukimi dhe tema të tjera si këto BE konsideron si kruciale për vendin”, tha ajo.

Gara për esenë më të mirë me temën “Çfarë do të thotë BE për mua?” ishte gara e parë e EUICC-së për këtë vit. Në ndërkohë EUICC shpejt do të lansojë edhe garatjera si ajo për projektin më të mirë për ambientin si dhe atë për filmin e shkurtër më të mirë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Behlul Jashari, do të thotë BE, Kosovë-Çmime për esetë “Çfarë, për mua”

Java e Bibliotekës në Kosovë 2016

April 11, 2016 by dgreca

Foto Gazeta Dielli – Behlul Jashari: Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, në Prishtinë/

-Organizime së bashku Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë/

-Edicioni XIV: Biblioteka dhe dokumentimi i realitetit historik të Kosovës/

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 11 Prill 2016/ Java e Bibliotekës në Kosovë 2016 hapet solemnisht nesër, në 12 prill, me një veprimtari të zhvilluar në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani”, në Prishtinë, ku do marrë pjesë e flasë edhe Persida Asllani, drejtore e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.Sipas axhendës së dërguar, fjalë rasti do mbajnë edhe Fazli Gajraku, drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” dhe Mark R. Naylor, zëvendësdrejtor për marrëdhënie me publikun në Ambasadën Amerikane në Prishtinë. Dhënia e mirënjohjeve dhe e shpërblimeve është poashtu në axhendën e hapjes së edicionit XIV me temën “Biblioteka dhe dokumentimi i realitetit historik të Kosovës”.

Në vazhdim mbahet konferencë shkencore me temë “Ismail Kadare – leximi dhe interpretimi”, organizuar nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, e më pas zhvillohet prezantimi “Një rol i ri për bibliotekat: mbledhja, ruajtja dhe shkëmbimi i rrëfimeve gojore të bashkësisë”, ku referues do jetë Alexandra Kelly nga Biblioteka Publike e Nju Jorkut.

Ekspozita “Qytetet e Kadaresë” organizuar nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë pasohet edhe me aktivitetet tjera të saj me promovime botimesh profesionale dhe bibliografike.

Në 13 prill, aktivitetetet në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës nisin me prezantimin “Hartimi i projekteve në fushën e rrëfimeve gojore në bashkësi: mjetet dhe praktikat më të mira”, ndërsa vazhdojnë me tre sesionet – “Dokumentimi i realitetit historik në Kosovë: qasje antropologjike dhe sociologjike”, “Metodologjia e mbledhjes dhe angazhimi i bashkësisë në projektet e rrëfimeve gojore” dhe “Dokumentimi i realitetit historik të Kosovës – e tashmja dhe perspektiva”.

Ndërsa, në Ferizaj, organizuar nga Biblioteka Rajonale hapet ekspozita “Ferizaj në shkrimet e viteve 1990-1999”.

Në 14 prill, në Prizren, organizuar nga Biblioteka Rajonale zhvillohet prezantimi “Metodologjia e mbledhjes dhe angazhimi i bashkësisë në projektet e rrëfimeve gojore” dhe  sesioni “Dokumentimi vizual i traditave dhe i ngjarjeve historike”. Një aktivitet tjetër është “Dhjetëvjetori i Këndit Amerikan në Prizren”.Në 15 prill, “Dita e Donacioneve” zhvillohet në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Në Pejë, organizuar nga Biblioteka Rajonale, zhvillohet sesioni “Bibliotekat, sfidat dhe e ardhmja e tyre”, e më pas hapet Biblioteka e Shkollës së Mesme Teknike “Shaban Spahiu”.

Në 16 prill, zhvillohen aktivitete të organizuara nga Këndi Amerikan në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës: “Punëtori mbi të drejtat pronësore të gruas në Kosovë”, sesionet “Hulumtimi antropologjik në Kosovë – pikëpamja e antropologut vendas dhe e antropologut të huaj”  dhe “Narracionet për monumente: rrëfime dhe legjenda”. Në përfundim bëhet përmbyllja e Javës së Bibliotekës në Kosovë 2016.

Filed Under: Kulture Tagged With: Behlul Jashari, Java e Bibliotekës, në Kosovë 2016

Dita e Kushtetutës së Kosovës

April 9, 2016 by dgreca

Foto nga arkivi i Gazetes Dielli: Miratimi Kushtetutes se Republikes se Kosoves ne seancen e Kuvendit – 9 prill 2008 -Kosova, 8 vjet me Kushtetutën e Republikës së njohur ndërkombëtarisht/

-Veseli:Më shumë se kurrë, sot, na duhen energji të shtuara ta jetësojmë Kushtetutën tonë/

-Ministria e Drejtësisë organizon ceremoninë për nder të Ditës së Kushtetutës/

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 9 Prill 2016/ Kosova para 8 viteve miratoi Kushtetën e Republikës, e cila në nenin 1 e përcakton “shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”.  Ishte viti 2008 kur u miratua nga Kuvendi i Kosovës akti më i lartë  juridik i shtetit në  9 prill 2008, më pak se dy maj pas shpalljes së pavarësisë në 17 shkurtin historik, ndërsa ka hyrë në fuqi në 15 qershor.

Atëherë, dekretimi i 41 ligjeve, të  dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet më të rëndësishme të ditës së hyrjes në fuqi të Kushtetutës.

Ndërsa zhvillimet më të rëndësishme brenda tetë viteve ishin në 2012-tën, kur Kuvendi, në 7 shtator,  ka miratuar amendamentimin e  Kushtetutës së Republikës lidhur me përfundimin e mbikëqyrjes  ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, ndërsa në 10 shtator pasoi vendimi i Grupit Drejtues Ndërkombëtar, i mbledhur në Prishtinë, për përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare.

Deri sot, në ditën e  8 vjetorit të Kushtetutës Pavarësia e Kosovës është e njohur nga 111 shtete anëtare të OKB-së.

Kosova në rrugën drejt pavarësisë ka një histori kushtetuese edhe para kushtetutës së saj të parë si shtet i pavarur me njohje ndërkombëtare.

Kosova ka pasur Kushtetutën e saj prej vitit 1974, e cila i ka siguruar mëvetësi organizative dhe të drejtë vetoje në nivelin federal, si njësi konstituive, ashtu si edhe njësive të tjera të federatës, nga shpërbërja e së cilës janë ndarë shtatë shtete.

Kosova, në vitin 1990, pas kundërshtimeve të fuqishme institucionale e gjithëpopullore të “kushtetutës së tankeve” serbe me të cilën dhunshëm e përgjakshëm në mënyrë kundërkushtetuese i suprimohej autonomia, në rrethana të okupimit,  shpalli Deklaratën e pavarësisë në 2 korrik e më pastaj Kuvendi miratoi në 7 shtator Kushtetutën e Republikës së Kosovës.Republika e Kosovës me kushtetutën e vet atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, por njihej në botë si “shteti paralel i shqiptarëve të Kosovës” për pothuaj një dekadë.

Prej vitit 2001 deri para tetë viteve, Kosova ka pasur një Kornizë Kushtetuese, e miratuar nga OKB-ja, e cila ishte dokument më shumë inicial kushtetues, por ka mundësuar zhvillimin e vendit nga një krijesë de fakto e pavarur, ndonëse nën protektorat, në një entitet shtetëror të pavarur, edhe pse nën mbikëqyrje ndërkombëtare për një kohë.

Kosova është e lirë nga 12 qershori i vitit 1999 i hyrjes së trupave të para të NATO-s në ndërhyrjen shpëtimtare për popullin kosovar.

Dita e Kushtetutës, 9 Prilli, është festë shtetërore, sipas Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës të miratuar në Kuvend me 21 maj 2008 e të  shpallur me Dekretin e Presidentit të Republikës të 15 qershorit po të atij viti.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka uruar sot të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, për Ditën e Kushtetutës, që shënon edhe 8-vjetorin e miratimit të saj nga Kuvendi.

“Gëzuar Dita e Kushtetutës! Kushtetuta, për ne, qytetarët e Republikës së Kosovës, është më shumë se akt juridik. Është simbol unik i shtetësisë dhe synimeve tona shekullore për shtet”, shprehet ai në deklaratë.

Kushtetuta, vijon Veseli, në vete përmban thellësisht mundësitë tona për sovranitet, integritet dhe barazi, duke pasqyruar sakrificat për themelimin e shtetit, promovimin e vlerave demokratike si dhe funksionimin e baraspeshuar të pushteteve.

“Më shumë se kurrë, sot, na duhen energji të shtuara ta jetësojmë Kushtetutën tonë, ta bëjmë dinamike, frymëzim për çdo qytetar, për jetë dinjitoze në Republikën e Kosovës. Gëzuar!”, thekson në urim kryeparlamentari Veseli.Me rastin e shënimit të 8 vjetorit të miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Ministria e Drejtësisë organizon ceremoninë për nder të Ditës së Kushtetutës.

Filed Under: Histori Tagged With: Behlul Jashari, Dita e Kushtetutës, se Kosoves

Beteja e Koshares, simbol i unitetit dhe sakrificës sublime për çlirimin e Kosovës

April 9, 2016 by dgreca

-Kryeministri Isa Mustafa: 9 prilli i vitit 1999 është një nga datat më të rëndësishme të historisë së Kosovës, datë e Besëlidhjes së shqiptarëve në frontin për çlirimin e Kosovës. Është data e fillimit të partneritetit strategjik të shqiptarëve me aleatët e tyre natyrorë, të angazhuar nën ombrellën e NATO-s/

 PRISHTINË, 9 Prill 2016-B.Jashari/ Beteja e Koshares është simbol i unitetit dhe sakrificës sublime për çlirimin e Kosovës,tha sot kryeministri Isa Mustafa. Ai bëri homazhe te varrezat e dëshmorëve në Koshare dhe mori pjesë në tubimin përkujtimor për nder të Ditës së heqjes me luftë të kufirit Kosovë-Shqipëri, në kuadër të manifestimit tradicional “Ditët e Shqipes”. Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri Mustafa, tha se 9 prilli i vitit 1999 është një nga datat më të rëndësishme të historisë së Kosovës, datë e Besëlidhjes së shqiptarëve në frontin për çlirimin e Kosovës.“9 prilli i vitit 1999 është data e fillimit të partneritetit strategjik të shqiptarëve me aleatët e tyre natyrorë, të angazhuar nën ombrellën e NATO-s, Aleancës më të fuqishme ushtarake e politike të historisë së njerëzimit. Kjo betejë ishte njëra ndër fitoret me të rëndësishme të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha kryeministri.

 Ndjenja e krenarisë me veprën e luftëtarëve të Brigadës 138 “Agim Ramadani”, sipas kryeministrit Isa Mustafa, duhet dhe do të nderohet duke punuar në frymën e unitetit kombëtar e qytetar, për ta zhvilluar Kosovën dhe për ta bërë atë pjesë të familjes euroatlantike.

“Ne këtë ua kemi borxh dëshmorëve të rënë në këtë Betejë të lavdishme dhe nëpër të gjitha betejat tjera për çlirimin e Kosovës. Trashëgimia e angazhimit të përbashkuar për Kosovën, që na e ka lënë Beteja e Koshares, është vlerë të cilën ne duhet ta përdorim për të punuar për zhvillimin e Kosovës sonë dhe vlerë të cilën duhet ta zhvillojmë dhe ta trashëgojmë ne dhe brezat e ri”, tha kryeministri Mustafa.

 Të pranishmit në këtë tubim përkujtimor me nga një fjalë rasti i kanë përshëndetur kryetari i Bashkisë së Tropojës, Besnik Dushaj, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, në emër të brigadës 138 “Agim Ramadani”, Ragip Sadiku, ndërsa në emër të familjarëve të dëshmorëve të pranishmit i ka përshëndetur Arbër Morina.

“Ditët e Shqipes”, për nder të Betejës së Koshares, është manifestimi tradicional në përvjetorët e rrënimit të gurëve të kufirit ndërshqiptar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës në luftën për liri e pavarësi, për dëbimin e forcave okupuese serbe.

FJALA E PLOTË E KRYEMINISTRIT MUSTAFA NË AKADEMINË PËRKUJTIMORE./

 Të nderuara familje të heronjve dhe dëshmorëve,

Të çmuar pjesëmarrës të Betejës së Koshares,

Të nderuar pjesëmarrës të këtij manifestimi,

I nderuar komandant Rrustem Berisha,

I nderuar kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, z.Haradinaj,

I nderuar komandant i FSK-së,

Të gjithë ju pjesëmarrës që jeni sot këtu.

 Jemi mbledhur sot të shënojmë një ngjarje historike të kombit tonë e cila ngjarje ka ndryshuar jo vetëm historinë e vendit, por edhe historinë e Ballkanit Perëndimor.

 9 prilli i vitit 1999 është një nga datat më të rëndësishme të historisë së Kosovës. Kjo është data e Besëlidhjes së shqiptarëve në frontin për çlirimin e Kosovës. 9 prilli i vitit 1999 është data e fillimit të partneritetit strategjik të shqiptarëve me aleatët e tyre natyrorë, të angazhuar nën ombrellën e NATO-s, Aleancës më të fuqishme ushtarake e politike të historisë së njerëzimit.Kjo betejë ishte njëra ndër fitoret me të rëndësishme të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.Në Koshare, padrejtësia historike mbi njëshekullore po ndalej dhe ndëshkohej në mënyrën më meritore. Atë ditë, më mirë se kurrë më parë, pushtuesit e kuptuan pafuqinë e tyre dhe gjithashtu kuptuan fuqinë e gatishmërisë së djemve e bijave tona për t’u sakrifikuar për liri e pavarësi.Në Koshare u gërshetua disiplina ushtarake me profesionalizmin e prijësve të kësaj beteje, guximi me gatishmërinë për të mos kursyer asgjë për çlirimin e Kosovës.

Të nderuar të pranishëm.

 Kosharja ishte prova më e qartë e unitetit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe këtë rol historik e vendimtar e ka luajtur Brigada 138 e cila më vonë mori emrin e strategut të saj Agim Ramadani dhe kjo u vulos me shënimin e luftës së heronjve Sali Çekaj, Abaz Thaçi, Xhemajl Fetahu dhe të gjithë heronjve e dëshmorëve dhe veteranëve të kësaj brigade.Porosinë për unitet dhe tolerancë vëllazërore si kusht për të korrë fitore dhe për të qenë të suksesshëm e gjejmë te kjo betejë si mësim kuptimplotë nga historia për të sotmen dhe të ardhmen e vendit tonë.Prandaj, të dashura familje të dëshmorëve dhe të heronjve, të gjithë ne, sot ndjehemi krenarë me veprën e heronjve dhe dëshmorëve të Betejës së Koshares.Ndjenjën e krenarisë me veprën e luftëtarëve tanë, pjesëtarë të Brigadës 138 “Agim Ramadani” ne duhet dhe do ta nderojmë duke punuar në frymën e unitetit kombëtar e qytetar, për ta zhvilluar Kosovën dhe për ta bërë atë pjesë të familjes euroatlantike.Ne këtë ua kemi borxh dëshmorëve të rënë në këtë Betejë të lavdishme dhe nëpër të gjitha betejat tjera për çlirimin e Kosovës. Trashëgimia e angazhimit të përbashkuar për Kosovën, që na e ka lënë Beteja e Koshares është vlerë të cilën ne duhet ta përdorim për të punuar për zhvillimin e Kosovës sonë dhe vlerë të cilën duhet ta zhvillojmë dhe ta trashëgojmë ne dhe brezat e ri.Beteja e Koshares ashtu si e gjithë lufta jonë e drejtë për çlirimin nga pushtimi njëshekullor paraqet një inspirim të jashtëzakonshëm për të gjithë ne dhe për gjeneratat që vijnë.Pjesëmarrës të nderuar të kësaj akademie përkujtimore.

 Heronjtë dhe dëshmorët e Betejës së Koshares u flijuan për të ardhmen e lirë të Kosovës ndërsa ne si qytetarë dhe si institucione të Republikës së Kosovës, ua kemi borxh atyre të punojmë me tërë dijen dhe me tërë përkushtimin tonë për të jetësuar ëndrrat dhe idealet e tyre, Kosovën e integruar në familjen e madhe të kombeve të lira dhe qytetëruara euroatlantike.Ne do t’u jemi tërë jetën mirënjohës të gjithë atyre shqiptarëve nga të gjitha trevat e Kosovës dhe trojet shqiptare, për kontributin e tyre në Betejën e Koshares dhe betejat tjera të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Të gjithë ata do të trajtohen me respekt dhe me dinjitet.

 Veçanërisht, ne do të kujtojmë me përulje veprën e miqve tanë, francezit Paillard Arnaud Piere, algjerianit Murad Muhamed Ali e italianit Françesko Gjuzepe Bider, që dhanë jetën në këtë betejë të lavdishme.

Ndërsa, me admirim të veçantë dua t’i drejtohem një bashkëluftëtari Tuaj, britanikut Xhon Harrison, i cili ka luftuar si vullnetar në Brigadën 138 “Agim Ramadani” në Koshare dhe i cili tashmë është i dekoruar me urdhrin “Adem Jashari”.

 Xhon Harrison është shembull i gjallë i mishërimit të botës së civilizuar me luftën tonë çlirimtare, por edhe vendosmërisë për të përballuar kryelartë çdo sfidë që i del përpara këtij mishërimi.

 Lavdi jetës dhe veprës së dëshmorëve të Brigadës 138 “Agim Ramadani”,

Lavdi të gjithë dëshmorëve të luftës për çlirimin e Kosovës,

Zoti e bekoftë Kosovën,

Zoti e bekoftë kombin shqiptar,

Zoti i bekoftë miqtë tanë dhe aleatët tanë,

Zoti i bekoftë heronjtë dhe dëshmorët e Koshares dhe gjithë Kosovën.

Filed Under: Histori, Komente Tagged With: Behlul Jashari, beteja e Koshares, Isa Mustafa

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 179
  • 180
  • 181
  • 182
  • 183
  • …
  • 245
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT