• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Në Trepçë u mbrojt Kosova

February 20, 2016 by dgreca

-27 vjetori i grevës së madhe të minatorëve të Trepçës të vitit 1989 në mbrojtje të Kosovës-/

-Në javën e Minatorëve, drejt një strategjie e ligji për Trepçën-/

-Si u arrestova pse botova në gazetën tradicionale e historike Rilindja shkrimet për grevën e minatorëve të Trepçës në mbrojtje të Kosovës/

 Nga Behlul JASHARI/ MITROVICË, 20 Shkurt 2016/ Në Stanterg të Mitrovicës mbahet sot manifestimi qëndror i Javës së Minatorëve në 27 vjetorin e grevës së madhe të minatorëve të Trepçës të vitit 1989 në mbrojtje të Kosovës.Për tetë ditë me radhë, aq sa kishte zgjatur greva e urisë,  tradicionalisht zhvillohen veprimtari përkujtimi dhe vlerësimi, ndërkohë që këtë vit qeveria e Kosovës, është e fokusuar në zgjidhjen përfundimtare të çështjes së asetit më të rëndësishëm strategjik të Kosovës, Trepçës.

Në këtë muaj shkurti, qeveria e Kosovës ka miratuar  vendimin për sigurimin e buxhetit për angazhimin e ekspertëve për studime rasti lidhur me përvojat ndërkombëtare në rastet e ngjashme me Ndërmarrjen Trepça. Kjo do të shërbejë në hartimin e Strategjisë dhe të Ligjit për Trepçën, gjigantin e ekonomisë kosovare.

Greva  e urisë e 1.300 minatorëve të Trepçës, nga 20 deri 28  shkurt 1989, ishte në mbrojtje nga sulmet e Serbisë, rezistencë e fuqishme kundër rrënimit të dhunëshëm dhe kundërkushtetues të autonomisë që kishte Kosova si element konstituiv me të drejtë vetoje i federatës, me Kushtetutën e vitit 1974.

Greva minatorëve, e përkrahur nga populli dhe në kërkim të lirisë, demokracisë e të drejtave të plota për shqiptarët,  u pasua me demonstratat e gjithëpopullore të po të para 27 vjetëve, në të cilat vetëm brenda dy ditëve, në 27 e 28 mars 1989, në shtetrrethimin e hekurt ushtarako-policor të vendosur nga Beogradi u vranë 22 shqiptarë e plagosën qindra të tjerë në Prishtinë, Podujevë, Mitrovicë, Zhur e Dushanovë afër Prizrenit, Deçan, Gjilan e në anë të tjera të Kosovës.

Në këto rrethana tragjike terrori, Serbia në Kuvendin e saj në 28 mars të vitit 1989 miratoi “kushtetutën e tankeve”, që përgjakshëm, me forcë e në mënyrë kundërkushtetuese rrënoi autonominë që kishte Kosova.

Trepça, me minera plumbi, zingu, argjendi e ari, ka pasur mëse 22 mijë punëtorë deri në vitin 1990, kur administrata e dhunëshme e instaluar nga Beogradi dëboi shqiptarët nga puna. Përfundimi i luftës para afër 17 viteve Trepçën e gjeti me shkatërrime të mëdha nga shfrytëzimi kolonial.

Në Trepçë, në dy miniera – Stantërg dhe Artanë, me rritje të prodhimit të xehes dhe koncentratit mbi 20%, viti 2014 shënonte prodhim rekord që nga viti 1999 i përfundimit të luftës dhe i fillimit të lirisë së Kosovës.

Ditë më parë, një delegacion i Fakultetit të Gjeoshkencave në kuadër të Universitetit  Politeknik të Tiranës, gjatë qëndrimit në Mitrovicë, ka vizituar edhe minierën e Trepçës në Stantërg.

 SHËNIM I SOTËM, 20 SHKURT 2016: SI U ARRESTOVA PSE BOTOVA NË GAZETËN TRADICIONALE E HISTORIKE RILINDJA SHKRIMET PËR GREVËN E MINATORËVE TË TREPÇËS NË MBROJTJE TË KOSOVËS

Në kohën e grevës së minatorëve të Trepçës në shkurt 1989, para 27 viteve, isha redaktor – shef i deskut (për ngjarjet e ditës) në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja. Thuaja gjithë gazetën e mbushnim me raportimet e gjera të ekipeve speciale të gazetarëve e të korrespondentëve për grevën e minatorëve e kërkesat e tyre në mbrojtje të Kosovës, për liri e demokraci, për përkrahjen gjithëpopullore.Pas grevës kishte arrestime, së pari arrestuan gazetarin e redaktorin shumëvjeçar të Rilindjes, Zenun Çelaj, i cili gjatë gjithë kohës së grevës ka raporuar në krye të ekipit nga miniera e Trepçës në Stantërg…

Mua më arrestuan pse si redaktor i gazetës Rilindja kam botuar shkrimet për grevën, kërkesat e minatorëve e përkrahjen.

Ishte ditë e diel, 17 janar 1993. Shkova në Pallatin Rilindja në zyrat e gazetës, nuk bëja asnjë ditë pushim për raportimet për ATSH, nga telexi, e vetmja lidhje e mundëshme në atë kohë nga Kosova në Shqipëri…Kur sapo dola, derisa po ecja fill vetëm një rrugice të afërt nëpër lagjen e Pejton të Prishtinës, policët serbë që kishin dalë në pritë më rrëmbyen, arrestuan… “Kaherë të kërkojmë…”, më thanë. Kishte kohë të gjatë që nuk u përgjigjesha ftesave të gjykatës serbe.

Gazeta e rezistencës “Bujku”, e datës 19 janar 1993, me titullin “U arrestua gazetari i ‘Rilindjes’ Behlul Jashari”, ka shkruar  se  veprimtari i njohur i Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut “avokati Bajram Kelmendi kuptoi se klienti i tij u mor në polici lidhur me një proces gjyqësor që zgjat që nga viti 1989 e që ka të bëjë me shkrimet e ‘Rilindjes’ në shkurt të atij viti për grevën e njohur të minatorëve të ‘Trepçës’”.

Gazeta shkruante se pasi më kishin mbajtur “deri dje në orën 8 të mëngjesit në një qeli të ftohtë” më dërguan në Gjykatën Komunale, e cila më liroi pasi “gjyqi caktoi seancën gjyqësore për 29 janar”.

“Protestë e gazetarëve të ‘Rilindjes’” ishte titulli tjetër i gazetës, e ku theksohej se protestohej kundër arrestimit tim dhe “përgjithësisht kundër respresionit të pushtetit serb ndaj gazetarëve dhe informimit shqiptar” dhe shprehej zotimi se “edhe në këto kushte të rënda do të vazhdojnë misionin”…

Kujtoj sot se kur më dërguan me pranga policia serbe, në Gjykatë pash se në mbështetje për lirimin tim bashkë me avokatin e veprimtarin për të drejtat e liritë njerëzore Bajram Kelmendi, të cilin me dy bijtë e tij në mars 1999 në Prishtinë  forcat serbe i rrëmbyn në shtëpi dhe i ekzekutuan, ishte edhe shkrimtari i njohur shqiptar Azem Shkreli. I kujtoj edhe sot e gjithmonë me shumë vlerësim e respekt.

Filed Under: Histori Tagged With: Behlul Jashari, mbrojti Kosoven, Trepca

Kosovë-Kuvendi vazhdon seancën pa opozitën e përjashtuar

February 19, 2016 by dgreca

-Pas tre ndërprerjeve me gaz lotsjellës gjatë ditës së sotme-

 Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 19 Shkurt 2016/ Kuvendi i Kosovës sapo nisi vazhdimin e seancës plenare, pak pas orës 15:00, pa deputetët e opozitës të përjashtuar e të larguar me dhunë nga salla plenare, derisa gjatë këtyre zhvillimeve një deputete është lënduar e tre deputetë opozitarë janë arrestuar. Një deputet i opozitës, Ilir Deda i VV është brenda vazhdimit të seancës dhe në fjalën që iu dha po bën apel për tejkalimin e situatës së përplasjeve politike në Kosovë, për të parandaluar zhvillimet e mëtejme në dëm të Kosovës. Deputeti Deda pas deklaratës u largua nga seanca, ndërsa në diskutimet brenda seancës ka angazhime të deputetëve të pozitës për dialog me opozitën.Kuvendi paradite nuk nisi në kohën e paracaktuar, sot në orën 10:00, seancën e parë plenare në sesionin pranveror, me 22 pika në axhendë, e cila pas një vonese është ndërprerë që në fillim dhe tre herë radhaz me hedhje gazi lotsjellës nga opozita deri rreth mesditës.

Deputetët kanë shkuar drejt sallës plenare duke kaluar kontrolle të rrepta në hyrje, ndërsa brenda e jashtë Kuvendit kishte forca të shtuara të sigurisë, përfshirë Policinë Speciale, e rreth Kuvendit grumbullime qytetarësh në përkrahje të opozitës.

Gazi lotsjellës i opozitës “shpërtheu” në sallën plenare që në fillim të seancës plenare të Kuvendit të Kosovës, ku nëpër tym, sipas kryetarit Kadri Veseli, u miratua një deklaratë kundër dënimit nga organet gjyqësore serbe

 të e eprorëve të UÇK-së,  ndër të cilët edhe dy deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Anton Çuni dhe Rrustem Berisha. Në votimin që u bë në rrethana të jashtëzakonshme në sallën plenare nëpër mjegullën e lotsjellësit deklarata u miratua me 79 vota pro, sipas kryeparlamentarit Veseli.

Pasoi ndërprerja e parë e seancës, e që në fillim të saj, kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, nga foltorja e Kuvendit të Kosovës lexoi një deklaratë me qëndrimet e opozitës për dorëheqjen e largimin e qeverisë dhe për zgjedhje të jashtëzakonshme.

“205 mijë qytetarë të peticionit, qindra mijëra qytetarë të protestave, shoqëria civile, intelektualët, i kanë shpallur ‘Zajednicën’ e demarkacionin të vdekura.
Gjykata Kushtetuese e ka shpallur këtë regjim antikushtetutes”, është shprehur kryetari i VV, Ymeri.

“Deputetët në shërbim të Republikës dhe të vullnetit të qytetarëve të shprehur në protesta. Nuk lejohet të mbahet as kjo seancë”, deklaroi në ato momente Lëvizja Vetëvendosje, sibjekti më i madh opozitar.

Kryetari i PDK-së, i partisë më të madhe të koalicionit qeverisës, zëvendëskryministri Hashim Thaçi, në një deklaratë po në ato momente jashtë sallës së Kuvendit tha se për vazhdimin e seancës së ndërprerë nga lotsjellësi i opozitës vendos Kryesia e Kuvendit me kryetarët e grupeve parlamentare. “Askush nuk mund ta ndërpresë punën e Kuvendit të Kosovës”, u shpreh ai, ndërsa theksoi se, “zgjedhja e Presidentit të Republikës do  bëhet në afatin kishtetues e ligjor”.

Ndërsa, lideri i AAK-së, deputeti Ramush Haradinaj, poashtu jashtë sallës plenare të Kuvendit të mbushur tym lotsjellësi, deklaroi për median se, “ky regjim është i shkarkuar dhe s’mund të vazhdojë të punojë më”.

“Situata politike në Kosovë nuk ka qenë asnjëherë më e komplikuar. Nuk është Kosova sot, sikur para 5-6 muajsh. Qeveria nuk mund të bëhët sikur nuk ka ndodhur asgjë dhe të vazhdojnë me improvizime e me provokime për t’i mbrojtur pozicionet e tyre, sepse kjo nuk është e mundur më”, është shprehur Haradinaj në një deklaratë më shkrim të dërguar.

Deputetët u rikthyen në sallën plenare pas ajrosjes –largimit të gazit lotsjellës. Por, gaz lotsjellës u hodh sërish per herë të dytë sot nga opozita, në përpjekjen për vazhdim të seancës së Kuvendit, ndërsa kryetari Kadri Veseli kërkoi ventilim-ajrosje dhe të qëndrojnë në sallë ata deputetë që munden për të vazhduar me axhendën. “Pesë minuta pauzë. Ventilatorët le të punojnë. Dhe do vazhdojmë pastaj”, u shpreh Veseli.

Kryetari Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj, në deklaratë jashtë sallës plenare të Kuvendit u shpreh se, “populli po kërkon zgjedhje”.

“Zgjedhjet i zgjidhin të gjitha problemet. Nuk ka më legjitimitet kjo qeveri, as ky Kuvend”, tha ai duke shtuar se, “kërkesa e opozitës për zgjedhje është demokratike”.

Pas pauzës së zgjatur, deputetët u ftuan sërisht të kthehen në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës. Kryeparlamentari Kadri Veseli tendoi të vazhdojë me seancën, por për herë të tretë u hodh gaz lotsjellës. U hodhën dy bombola gazi lotsjellës, e kryeparlamentari që kishte vënë maskë për ta përballuar vazhdonte seancën. Në pamundësi për të vazhduar derisa deputetët po largoheshin dha edhe një pauzë tjetër “pesë minuta”.

Por, seanca e Kuvendit të Kosovës e ndërprerë tre herë sot me gaz losjellës të hedhur nga opozita pritet të vazhdojë pa deputetët opozitarë.

Njofimi zyrtar nga Kuvendi thekson se, “pas zhvillimeve të ndodhura në seancën e sotme, si pasojë e veprimeve të opozitës, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka dhënë një pauzë. Seanca do të vazhdojë me punimet e saj në orën 15:00”.

AAK njoftoi se janë arrestuar  dy deputetë opozitarë, ndërsa të deputetët e opozitës deklaruan se të gjithë janë nxjerrë me dhunë jashtë sallës plenare të Kuvendit të Kosovës.

 “Policia e Kosovës ka arrestuar deputetët e AAK-së Donika Kadaj Bujupi, shefe e grupit parlamentar të AAK-së dhe deputetin Pal Lekaj. Ata në këto momente po mbahen në departamentin e krimeve të rënda në Prishtinë”, thekson AAK në njoftimin e dërguar.

“Të gjithë deputetët e opozitës janë nxjerrë nga salla në mënyrë të dhunëshme”, tha Visar Ymeri, lideri i VV, subjektit më të madh opozitar, ndërsa nga Kuvendi është njoftuar zyrtarisht përjashtimi i 18 deputetëve të opozitës.

“Nëntë deputetë largohen nga pjesëmarrja në seancën e sotme plenare” dhe  “Largohen nga pjesëmarrja në seancën e sotme edhe nëntë deputetë të tjerë”, janë dy njoftimet zyrtare të Kuvendit. “Largohen nga pjesëmarrja në seancën plenare me 19 shkurt 2016, për shkak se me sjelljet dhe veprimet e tyre e pamundësuan zhvillimin e punimeve të seancës plenare”, theksojnë njoftimet zyrtare nga Kuvendi i Kosovës.

Zgjedhja e Presidentit të Kosovës nuk është në axhendën e njoftuar nga Kuvendi. Por, opozita ka ftuar protestuesit  në shesh para Kuvendit për të kundërshtuar zgjedhjen e Presidentit të Kosovës. Opozita ka paralajmëruar se edhe vazhdimin e bllokimit, të nisur prej pesë mujash, të Kuvendit të Kosovës duke ritheksuar se “thirrja e seancave plenare nuk i kontribuon zgjidhjes së krizës politike”.

Ndërsa Kuvendin e Kosovës, me shumë humbje kohe, e presin shumë punë, përfshirë zgjedhjen e Presidentit të Republikës, pasi presidentes aktuale i kalon mandati pas rreth një muaj e gjysmë, në 6 prill.

Sipas Kushtetutës, “zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual”. Kushtetuta përakton edhe se, “nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet President i Republikës së Kosovës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda dyzet e pesë (45) ditësh”.

Në kundërshtim të katër marrëveshjeve të 25 gushtit 2015 me Serbinë, veçmas asaj për asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, si dhe të marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, tre subjektet opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë dhe Nisma, me gjithësej 31 deputetë në parlamentin 120 anëtarësh, kanë organizuar protesta, aksione simbolike e manifestime, si dhe kanë bllokur Kuvendin e Kosovës edhe me hedhje gazi lotsjellës në sallën e seancave plenare e jashtë saj, ndërsa në këto zhvillime kishte edhe të arrestuar, përfshirë deputetë opozitarë, të cilët më pas janë liruar.

Ndërkohë, ka pasur edhe disa arrestime tjera,  së fundi  në prag të protesës opozitare të 17 shkurtit i kryetarit të grupit parlamentar të VV, Glauk Konjufca, jo për zhvillimet e muajëve të fundit në Kuvend, por për një protestë, ku kishte edhe rrokullisje veturash, vite më parë, në 2009-tën.

Sipas opozitës së bashkuar, në protestën kundër qeverisë të pasditës së ditëfestës së Pavarësisë së Kosovës, 17 shkurtit, në Prishtinë, ishin mbi 100 mijë pjesëmarrës, e sipas Policisë kosovare rreth 15 mijë, ndërsa vlerësimi i përbashkët ishte se protesta ishte paqësore, e qetë dhe pa asnjë incident.

Opozita kërkon dorëheqjen e qeverisë dhe zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë,  ka dhënë afat 10 ditë dhe nëse nuk ndodh kjo ka paralajmëtuar protestën e ardhëshme në 27 shkurt.

 “Nëse nuk shpallen zgjedhjet, më 27 shkurt do të jemi edhe më shumë, edhe më fort”, paralajmëron opozita.

“Zgjedhjet mbahen në 10 qershor 2018”,  të rregullta sipas Kushtetutës së Kosovës, ishte përgjigja e qeverisë në një konferencë shtypi pas protestës së opozitës, ku u shpreh e palëkundur në punën e saj, “duke respektuar votuesin dhe ata që u kanë dhënë mandatit që janë mbi 200 mijë votues të LDK-së dhe mbi 230 mijë të PDK-së dhe mijëra tjerë të partive tjera të koalicionit”.

Qeveria e Kosovës, me kryeministër Isa Mustafën, e koalicionit të dy partive më të madha PDK e LDK, ku përfshihen edhe minoritetet, vazhdon punën në vitin e saj të dytë që nga zgjedhja në 9 dhjetor 2014, në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit. Për dallim nga Kuvendi, i cili deri sot nuk ka mbajtur asnjë seancë plenare në 2016-tën, qeveria e Kosovës zhvilloi dje mbledhjen e tetë në këtë vit.

 Policia e Kosovës kumtoi pak më parë se, “referuar rrethanave dhe situatës së krijuar sot në ambientet e Kuvendit të Republikës së Kosovës, dhe jashtë tij, Policia e Kosovës gjatë realizimit të detyrave dhe autorizimeve ligjore  për garantimin e rendit dhe sigurisë, ka ndërmarr veprimet e nevojshme ligjore për identifikimin e personave përgjegjës për kryerjen e veprimeve të kundërligjshme dhe në këtë kontekst për intervistim në polici sipas procedurave ligjore janë shoqëruar gjashtë (6) persona të dyshuar, tre (3) prej tyre deputet të kuvendit të RKS-së, të cilët dyshohen për kryerje te veprës penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armeve” (gazit lotsjellës), nga  neni 374 i  Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

 Të gjitha veprimet policore janë ndërmarr dhe po ndërmerren në konsultim me prokurorin kompetent”.

 DY NJOFTIMET NGA KUVENDI:

Nëntë deputetë largohen nga pjesëmarrja në seancën e sotme plenare.

Pas zhvillimeve të sotme në Kuvendin e Kosovës, Kryetari i Kuvendit, në mbështetje të nenit 67.7 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe të nenit 41, paragrafi 3, pika c. të Rregullores së Kuvendit, lidhur me sjelljen dhe veprimet e disa deputetëve të opozitës, në seancën plenare më 19 shkurt 2016, të cilët penguan zhvillimin e punimeve të seancës plenare, ka marrë vendim që deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës: Shqipe Pantina, Salih Salihu, Mytaher Haskuka, Visar Ymeri, Aida Dërguti, Albin Kurti, Enver Hoti, Fisnik Ismajli dhe Faton Topalli, të largohen nga pjesëmarrja në seancën plenare me 19 shkurt 2016, për shkak se me sjelljet dhe veprimet e tyre e pamundësuan zhvillimin e punimeve të seancës plenare.

Largohen nga pjesëmarrja në seancën e sotme edhe nëntë deputetë të tjerë

Pas përsëritjes së veprimeve të njëjta në vazhdimin e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës, Kryetari i Kuvendit, në mbështetje të nenit 67.7 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe të nenit 41, paragrafi 3, pika c. të Rregullores së Kuvendit, lidhur me sjelljen dhe veprimet e disa deputetëve të opozitës në seancën plenare më 19 shkurt 2016, të cilët penguan zhvillimin e punimeve të seancës plenare, ka marrë vendim që deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës: Rexhep Selimi, Ismajl Kurteshi, Teuta Haxhiu, Daut Haradinaj, Besnik Bislimi, Albulena Haxhiu, Zafir Berisha, Pal Lekaj dhe Shukrije Bytyqi, të largohen nga pjesëmarrja në seancën plenare më 19 shkurt 2016, për shkak se me sjelljet dhe veprimet e tyre e pamundësuan zhvillimin e punimeve të seancës plenare.

Filed Under: Komente Tagged With: Behlul Jashari, Kuvendi vazhdon, opozita e perjashtuar

SEJDIU: NE NUK KEMI FRIKË NGA E ARDHMJA

February 18, 2016 by dgreca

Foto: Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, në 17 Shkurt 2008 pak para shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, me drejtorin e përgjithshëm të ATSH në atë kohë, Artur Kopani, dhe korrespondentin në Kosovë, Behlul Jashari/

 17 Shkurt 2008: PRESIDENTI SEJDIU: NE NUK KEMI FRIKË NGA E ARDHMJA/

-Presidenti i Republikës së Kosovës flet ekskluzivisht për ATSH-në pak minuta para se Kuvendi të miratonte shpalljen e pavarësisë-/

PRISHTINË, 17 Shkurt/ATSH-Artur Kopani/- Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, në një intervistë ekskluzive dhënë për ATSH-në, pak para se 109 deputetë të pranishëm në Kuvend të votonin në unanimitet shpalljen e pavarësisë së shtetit të ri të Kosovës, deklaroi se “ne nuk kemi frikë nga e ardhmja”./

Zoti President, faleminderit që na pritet në këtë orë historike për Kosovën dhe pranuat intervistën me Agjencinë Telegrafike Shqiptare. Fillimisht, si po ecet me axhendën e Pavarësisë së Kosovës?

Presidenti Fatmir Sejdiu: Janë bërë të gjitha përgatitjet institucionale dhe pak me parë mbaruam një seancë të kryesisë së parlamentit, ku ishin dhe shefat e grupeve parlamentare. Ishte një iniciativë e përbashkët e imja dhe e Kryeministrit Thaçi që të thirret seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit. Ishte miratim i rendit të ditës që e kishim propozuar si ide dhe do të procedojmë më vonë me seancën solemne që do të jetë seancë historike për Kosovën, që natyrisht ndan një kufi shumë të qartë me të kaluarën që ka qenë e dhimbshme, e vështirësive të shumta dhe hapjes së një kapitulli të ri të zhvillimit tonë dhe ecjes së Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur, të mbështetjes së Kosovës edhe nga miqtë e saj të mëdhenj që ka patur në këtë proces të madh që kemi kapërcyer për të përmbushur ambicjen tonë dhe natyrisht udhëtimin tonë suksesshëm, besoj me qasje të përbashkëta dhe ndihmë po kështu drejt procesit të integrimeve euroatlantike. Ajo është po ashtu synimi jonë që Kosova, bashkë me vendet e tjera të rajonit, shumë shpejt të jetë në kulmin e këtyre integrimeve.

A keni marrë një konfirmim sa vende do të jenë në valën  e parë që do ta njohin pavarësinë e Kosovës?

Unë them se do të jenë shumë vende. Unë që mbrëmë edhe sot kam punuar gjithë ditën që të bëjë letrat me nënshkrimet, ku do t’ju adresoj shteteve, udhëheqësve të shteteve, të qeverive të tyre, në një pjesë të nënshkruara bashkë me Kryeministrin Thaçi, po një pjesë nga unë, natyrisht sipas protokolleve që duhet respektuar. Dhe, mendoj se do të jetë një fluks i madh pozitiv i vendeve që do të na mbështesin. Eshtë shumë e rëndësishme që do të jenë në radhë të parë gjithë këto vende që kanë qenë prijetare në proceset e mëdha, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet kyçe të Bashkimit Evropian. Po edhe shumë vende të botës demokratike s’do të mungojnë në këtë qasje dhe kujtoj ndonjë prej vendeve që ka pasur ndonjë hezitim të deritashëm do të jetë në kuadër të kompozicionit të përbashkët. Vlerësoj shumë lart rolin e Shqipërisë për pavarësinë e Kosovës

     A jeni në kontakt me autoritetet shqiptare dhe çfarë ndihme po ju ofrojnë ata në këto momente?

      Këto janë kontakte shumë korrekte, shumë të thella. Unë dëshiroj edhe një herë të vlerësoj shumë lart qasjen që ka patur Shqipëria, institucionet e saj, presidenti, kryeministri, parlamenti, pozitë dhe opozitë dhe në të gjitha kohërat. Që nga koha kur Kosova ka hyrë në një rrugë dinamike të zhvillimeve, që nga fundi i viteve ’80 të një procesi institucional, por edhe të rezistencës. Dhe mendoj një përkujdes i natyrshëm për të dhënë ndihma të veçanta edhe në rrjetin diplomatik, për të ndihmuar çështjen e Kosovës, për të arsyetuar ato argumenta që i kemi shtruar dhe janë të natyrshme, që janë pasqyruar gjithashtu edhe nga rrjeti diplomatik, por edhe në mënyra të tjera me angazhimet e drejtëpërdrejta që ka patur qoftë përmes kryeministrit, presidentit, kryetarit të parlamentit, si edhe drejtuesve të tjerë në pozitë dhe opozitë, përmes rezolutave të rëndësishme që ka mirtatuar Kuvendi i Shqipërisë.

      Çfarë dimensioni ka për ju pavarësia e Kosovës, parë në rrafshin kombëtar?

Unë mendoj se është përmbushje e një ambicje të madhe që shqiptarët në Kosovë, si shumicë, të jetojnë të lirë, të kenë respekt ndaj pakicave që i kemi brenda, si një larmi etnike. Është shumë e rëndësishme se ne do të shpejtojmë hapin tonë në ndihmë reciproke për të ecur në rrugën drejt Bashkimit Europian dhe NATO, për të dhënë një shembull të jashtëzakonshëm të asaj që shquhet në identitetin tonë, të respektit të të drejtave dhe lirive njerëzore, të raporteve të mira që duhet t’i kemi me fqinjët, po ashtu edhe në një ndihmë të mirë të përvojave që kanë kapërcyer Shqipëria, por edhe vendet e tjera të rajonit për të shpejtuar edhe Kosova hapin e saj drejt integrimit dhe zhvillimit.
Prandaj unë me këtë rast dëshiroj të përgëzoj njëherësh të gjithë mbështetësit e Kosovës, gjithë Shqipërinë, që ka qenë në të gjitha kohërat ndihmë e veçantë për ecjen tonë, që është edhe ambicja e të gjithë qytetarëve të Shqipërisë për të patur këtë ditë për Kosovën dhe të bëhet gjithashtu edhe pjesë e përkushtimit edhe e vendeve të tjera që nuk na janë ndarë edhe në kohët më të vështira.

A ka Presidenti i Kosovës ndonjë frikë sot?

      Jo unë kam një gërshet emocionesh, siç është tek çdo qytetar i Kosovës në këtë ditë historike. Ne nuk kemi frikë nga e ardhmja. Kemi punuar për të hyrë në këtë kapitull të jetës. Të gjithë sëbashku kemi një krenari të veçuar për të mbajtur me nderim edhe në vertikale ecjen tonë, dhe po ashtu një respekt të vecantë për të gjithë ata njerëz që kanë sakrifikuar veten e tyre për Kosovën, edhe në luftën e armatosur, edhe në lëvizjen e fuqishme politike, që është bërë  dhe ka qenë një kombinim i mirë në ecjen në kohë të vështira, në orët e liga që kemi patur.
Natyrisht dua të çmoj në veçanti këtë pjekuri, këtë maturi, durim dhe kulturë politike dhe shtetformuese që kanë qytetarët e Kosovës. Ndaj, kjo na bën të fortë, na bën që të besojmë në perspektivën tonë, kjo na bën që të reflektojmë me urti edhe me serbët dhe komunitetet e tjera që i kemi në Kosovë, si edhe për ata që mund të kenë një drojë të veçantë rreth këtyre proceseve në këtë kapitull të ri ku po hyjmë. Kosova do të jetë e qytetarëve të saj. Kosova do të shprehë identitetin e vet shtetëror në këtë ecje të suksesshme në trendet e reja që do të ecë dhe shansin e madh e ka. Nga kjo ditë do të jetë një Kosovë e bekuar. Flas edhe në kuptimin ndërkombëtar, sepse vetë populli i Kosovës e ka bekuar me vullnetin e vet të lirë.

Në këtë ditë mungojnë shumë nga ata që kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për Kosovën. Mungon Ibrahim Rugova dhe luftëtarë të shumtë që kanë dhënë edhe jetën e tyre?

      Janë të shumtë ata që mungojnë. Na mungon Presidenti Rugova, na mungon Adem Jashari, gjithë plejada e luftëtarëve të lirisë, që siç thashë edhe më herët, kanë patur një gërshet të fuqishëm të ambicjes politike, për ecjen politike, por edhe të rezistencës, për të qëndruar në kohët e vështira që kemi patur. Gjithashtu na mungojnë edhe shumë e shumë breza që kanë dhënë edhe veten e tyre për Kosovën. Ideja e pavarësisë dhe lirisë së Kosovës nuk ka qenë asnjëherë ide e tëhujësuar, apo jashtë genit, jashtë shpirtit, jashtë idesë themelore të artikuluar, që ka patur një kontinuitet për të patur këtë ditë. Pra, një kontinuitet të organizimeve politike. Ka shumë njerëz që kanë shkuar me syçelë për të parë Kosovën e lirë. Eshtë fat i kësaj gjenerate, pavarësisht moshës, fati i këtyre njerëzve që ta gëzojnë këtë që mbështetet në tabanin e gjithë kësaj të kaluare të lavdishme dhe njëkohësisht që të japë një garanci për të patur një Kosovë të mirë, një Kosovë europiane, një Kosovë që vjen në djepin e vet, pjesë e civilizimit antik të një Dardanie që ka qenë thellësisht e njohur me vlerat e saj. Dhe kjo gjakon në ecjen tonë, në shpirtin tonë.

Rreth muajit qershor është lajmëruar mbajtja e një konference ndërkombëtare të donatorëve. A janë të përgatitura institucionet e Kosovës për të prezantuar projektet e tyre të zhvillimit dhe për të orientuar mbështetjen financiare ndërkombëtare?

Ka një projekt që është bërë më parë nga qeveria paraardhëse. Mendoj se në kontinuitet është marrë hapi që të përfundohet me ekipin aktual të qeverisjes së Kosovës, në një bashkëpunim shumë të thellë me Bankën Botërore dhe me mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë. Ne mendojmë se do të jetë një përkushtim i veçantë i vendeve në këtë konferencë për të ndihmuar me një inxheksion të parë Kosovën, por në të njëjtën kohë e kemi thënë se do të jemi të përkushtuar që këto mjete, këto para që do t’i jepen Kosovës nuk do të harxhohen kot së koti, por do të jenë mjete që do të investohen në projekte kapitale për të nxjerrë ciklin e rëndësishëm të zhvillimeve tona. Prandaj ne e besojmë këtë konferencë, e besojmë ndihmën e shumë vendeve që edhe ashtu Kosovës i janë gjendur pranë, pa ndërpreje ne projekte të shumta.
Po ashtu, besojmë se do të kemi edhe shumë qasje të tjera paralele, se Kosova do të ketë një mundësi shumë më të madhe të operimit të saj, si vend i njohur ndërkombëtarisht, që të hyjë në fondacione monetare ndërkombëtare, që të hapë portën e investimeve të guximshme dhe me garanci në Kosovë për investitorët e huaj dhe për diasporën shqiptare, që të jetë shfytëzuese me prioritet e pasurive të shumta që i ka falë zoti. Një basen, apo shumë basene të pashtershme të mineraleve që i ka, të një toke të plleshme dhe të bukur, në kuptimin e bonitetit të saj, sepse nevojiten investime për teknologji moderne për të pasur artikujt ushqimorë të industrisë ushqimore, të agrikulturave që Kosova mund t’i ketë brenda vetvetes dhe të gjejë një shtrat të fuqishëm të veprimit dhe të inkorporimit të kësaj popullsie të re që është një begati e jona. Ne kemi rreth 60 përqind të popullsisë të Kosovës nën moshën 30 vjeçare. Ata njerëz kërkojnë punë, sepse ka një shkallë të papunësisë mbi 40 përqind. Ata njerëz duhet ta kenë shansin e vet.

Ndërkohë që Serbia ka paralajmëruar një bllokadë, a mendoni se Kosova është pak e vonuar në investimet për rrugën Prishtinë-Morinë, ndërsa qeveria e Tiranës ka angazhuar shumë fonde dhe mjete për të ndërtuar këtë rrugë në një kohë rekord?

      Unë mund të them se nuk mund të ketë bllokadë ndaj shtetit të Kosovës. Mund të ketë në kuptimin e një presioni politik, sepse fundja edhe ata që duan të bëjnë bllokadë, sigurisht bëjnë bllokadë edhe ndaj vetvetes.
Së dyti, ne kemi një raport ekzistues, të shkëlqyeshëm të marrëdhënieve të mira me Maqedoninë, me Shqipërinë dhe Malin e Zi, por edhe me vendet e tjera të rajonit dhe do të lëvizim fuqishëm.
Së treti, që është shumë e rëndësishme, mendoj se rruga ka marrë kahun e vet dinamik të përfundimit. Ne na kujtohet Presidenti Rugova kur ka pas dhënë idenë e parë, që të ringjallim këtë rrugë të komunitetit, prej antikitetit, dhe të marrë fuqinë e vet të investimeve dhe është shumë mirë që qeveria shqiptare ka bërë këto veprime kaq të rëndësishme, që kushtojnë, por që nuk kanë aspak peshën e asaj dobie të madhe që do të ketë bota shqiptare, që do të ketë Shqipëria, që do të ketë Kosova me komunkime të tilla. Mendoj se nga ana e Kosovës do të punohet shumë shpejt. Është një rrugë që megjithatë mund të lëvizet mirë, sepse nuk ka ndonjë problematikë të posaçme, sepse është rrugë e kalueshme, që nuk ka probleme të mëdha për të investuar, për të patur magjistralen e re dhe do të bëhet shumë shpejt.

Shumë faleminderit, zoti President dhe urime!

Ju përshëndes dhe urime edhe ju!/klod/s.s./

Filed Under: Interviste Tagged With: 17 Shkurt 2008: PRESIDENTI SEJDIU:, Behlul Jashari, NE NUK KEMI FRIKË, NGA E ARDHMJA

Kosova në ditëfeste për 8 vjetorin e Pavarësisë …edhe Protestë

February 17, 2016 by dgreca

Nga Behlul Jashari*/ PRISHTINË, 17 Shkurt 2016/ Kosova po feston sot ditën e  8 vjetorit të Pavarësisë së shpallur në 17 shkurtin histotik 2008, të njohur deri tash nga 111 shtete të OKB-së dhe që nga orët e para tregim suksi i përbashkët i kosovarëve e aleatëve, i mbështjtjes së botës së lirë e demokratike, për të cilën përjetshëm është falënderuese dhe mirënjohëse.

“Secili qytetar i Republikës së Kosovës, do t’i jetë përgjithmonë mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Shqipërisë, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë, Austrisë dhe të gjitha shteteve tjera të Bashkimit Evropian e vendeve tjera që e mbështetën dhe po e mbështesin në rrugëtimin e saj. Kjo mbështetje është garanci se Kosova ka të ardhmen e saj”, është shprehur kryeministri Isa Mustafa në pritjen zyrtare për korin diplomatik dhe përfaqësuesit e institucioneve, me rastin e tetë vjetorit të Pavarësisë, të organizuar së bashku me presidenten e Republikës, Atifete Jahjaga.

Presidentja e Shtetit të ri evropian, është shprehur se, “padyshim, Dita e Pavarësisë duhet të jetë ditë reflektimi, por, mbi të gjitha ajo është ditë feste, ditë gëzimi kur kthejmë kokën prapa dhe ndihemi krenarë për të arriturën tonë më të madhe këtë shekull, bërjen e Kosovës shtet”. 

“E ndajmë këtë ditë me më të dashurit tanë për të festuar dashurinë tonë më të madhe – dashurinë tonë për Kosovën, këtë ëndërr brezash që ne kemi fatin dhe përgjegjësinë ta jetësojmë”, është shprehur Jahjaga.

Përfaqësuesit institucionalë e politikë kosovarë si dhe të pranisë ndërkombëtare gjatë ditës së sotme të festimeve ishin së bashku edhe në parakalimin e kuadrateve të FSK-së dhe njësive të Policisë së Kosovës. 

Në kryeqytet, Prishtinë, pak pas orës 10:00 nisi parakalimi i kuadrateve të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe njësive të Policisë së kosovare. Parakalimi, mes mijëra njerëzve në festë, ku ishin edhe liderët shtetërorë e politikë të Kosovës e përfaqësues të pranisë ndërkombëtare, u përcoll edhe me aktivitete të tjera akrobatike të kadetëve në shesh si dhe nga bendi muzikor i FSK-së. Manifestimi nisi me Himnin Shtetëror të Kosovës dhe me një fjalë të Presidentes së Republikës, Atifete Jahjaga, e cila theksoi se “Kosova është një realitet i pakthyeshëm dhe një paqe e fituar”. Kryeministri Isa Mustafa, poashtu foli në hapje të parakalimit festiv duke theksuar se, “kjo ditë është kurorëzim i aspiratës për liri, pavarësi e demokraci”.

Po nga ora 10:00, Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” hapi ekspozitën e librit “Kosova në Udhën e Pavarësisë”.

Homazhe, në orën 11:00, në Prishtinë, iu bëne Presidentit historik të Kosovës Ibrahim Rugova, ndërsa në orën 12:00 Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe të rënëve të tjerë të familjes Jashari në Prekaz.

 Në orën 12:00, Ansambli Shota defiloi në Prishtinë  në sheshet Zahir Pajaziti, Nënë Tereza dhe Ibrahim Rugova.

Në ora 20:00, Baleti Kombëtar i Kosovës në Teatrin Kombëtar shfaq baletin “Dasma” me regji e koreografi të Mehmet Ballkan.

Organizime të festës së 8 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës ka edhe nëpër komuna, mes të cilave në qytetin e Mitrovicës, në ambientet e Muzeut, sot do të hapet ekspozita “103 telegrame”, lidhur me Pavarësinë e Shqipërisë nga viti 1912 deri në vitin 1914. Ekspozita hapet në mesditë pas nënshkrimit të Protokollit për binjakëzim të Muzeut të Mitrovicës me Muzeun e Vlorës.

Tradicionalisht, në çdo 17 shkurt ka edhe koncerte dhe njerëzit në festë mbushin sheshet e rrugët me defilime për Lirinë dhe Pavarësinë, për të shprehur edhe falënderimin e mirënjohjen e përjetëshme për të gjithë kontribuesit në botë, ndërkohë që sot po mban mot pranvere në dimër.

Në këtë ditë feste në Kosovë ka edhe orë proteste opozitare nga 14:00 në Prishtinë. Opozita e bashkuar, e cila kërkon edhe shpërndarjen e parlamentit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme ka paralajmëruar se “protesta e 17 shkurit, do të jetë ndër më të mëdhatë të organizuara deri me tash”.

Në 9 janar 2016, në protestën në Prishtinë, kundër qeverisë, sipas opozitës ishin rreth 100 mijë pjesëmarrës, ndërsa sipas Policisë së Kosovës  ishin 8 mijë.  Më parë, në ditën e festës së 28 nëntorit 2015, në manifestimin e opozitës në Prishtinë sipas vlerësimeve të saj ishin 35 mijë pjesëmarrës. “Protesta e 17 shkurtit do të jetë qytetare dhe paqësore”, paralajmëron opozita.

*Foto: Prishtine 17 Shkurt 2016. Foto nga Behlul Jashari, Gazeta Dielli/

Filed Under: ESSE Tagged With: Behlul Jashari, Kosova në ditëfeste për 8 vjetorin e Pavarësisë ...edhe Protestë

Mustafa: Kosovës vlerat e lirisë e demokracisë nuk mund t’ia rrënojë askush

February 17, 2016 by dgreca

– Kryeministri Isa Mustafa: Jemi të lumtur se Pavarësia e Kosovës tashmë është realitet, të cilin e kanë pranuar 111 vende, pjesë e të cilave janë vendet më të fuqishme, më demokratike e më të zhvilluara të globit-  /

Nga Behlul Jashari/ Prishtinë, 17 Shkurt 2016/

 Republika e Kosovës i ka përvetësuar vlerat e lirisë dhe të demokracisë të cilat nuk mund t’i rrënojë askush. Për këtë siguroi kryeministri i Republikë së Kosovës, Isa Mustafa, duke folur në ditëfeste, në parakalimin e kuadrateve të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe njësive të Policisë së Kosovës, me rastin e shënimit të 8-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Para të pranishmëve, kryeministri Mustafa tha se kjo ditë është kurorëzim i aspiratës për liri, pavarësi dhe demokraci, është ditë e përkujtimit të sakrificës së shumë gjeneratave që u flijuan për këtë ide dhe dëshmorëve e martirëve të vendit të bekuar.  “Republika e Kosovës po e shënon Ditën e Pavarësisë në sheshin e komandantit të UÇK-së, Zahir Pajaziti, këtu pranë Ibrahim Rugovës, që me simbolikën e hapit të tij, shënon vizionin e ecjes përpara të këtij vendi, shënon rrugëtimin e vështirë por të vendosur të këtij populli, shënon miqësinë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe orientimin euroatlantik të qytetarëve të Kosovës”, theksoi kreu i qeverisë kosovare.Kryeministri Mustafa u shpreh se, është kjo ecje mbi vështirësitë kah një e ardhme e sigurt.

 “Jemi të lumtur se Pavarësia e Kosovës tashmë është realitet, të cilin e kanë pranuar 111 vende, pjesë e të cilave janë vendet më të fuqishme, më demokratike e më të zhvilluara të globit.

 Jemi krenarë që Republika e Kosovës është shtet i gjithë qytetarëve të saj, është shtet i vlerave dhe përkushtimit të tyre, është një sukses i përbashkët i kosovarëve dhe aleatëve të tyre”, tha kryeministri kosovar.

 Të gjithë, theksoi Mustafa, se bashku do t’i jemi përgjithmonë mirënjohës aleatëve perëndimor për përkrahjen e tyre për liri dhe shtetndërtimin tonë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, Kryeministri Mustafa, rrenimi, Vlerat e Lirise

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 187
  • 188
  • 189
  • 190
  • 191
  • …
  • 245
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT