• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosovë-Maqedoni, dy marrëveshje

February 8, 2016 by dgreca

-Zëvendëskryeministri kosovar Thaçi: Marrëveshja me Maqedoninë për kalimin e kufirit me letërnjoftim, lehtësim për qytetarët dhe bizneset/
-Ministri i Jashtëm maqedonas Poposki nënvizoi se është në interes të Maqedonisë që të ketë Kosovën si një fqinj stabil dhe prosperues/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 8 Shkurt 2016/ Në Prishtinë, sot, zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur për një takim bilateral ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë, Nikolla Poposki, me të cilin kanë nënshkruar marrëveshjen ndërshtetërore për kalimin e kufirit me letërnjoftim dhe për hapjen e vendkalimit të ri kufitar Stançiq-Bellanoc.
Pas takimit, zëvendëskryeministri Thaçi u shpreh se ky është një moment i ri për të dy shtetet, duke potencuar se nga këto marrëveshje do të përfitojnë qytetarët dhe bizneset nga Kosova dhe Maqedonia dhe se ato do të ndikojnë në afrimin dhe rritjen e shkëmbimit të përvojave në mes të rinjve të të dy vendeve, në intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik dhe se do t’ua lehtësojnë qytetarëve të dy vendeve vizitat e ndërsjella familjare.
Në konferencën për shtyp të zhvilluar pas takimit, zëvendëskryeministri Thaçi dhe ministri i Jashtëm maqedonas Poposki deklaruan se tani u mbetet grupeve punuese respektive të finalizojnë detajet para hyrjes në fuqi të marrëveshjeve gjegjëse në një të ardhme të afërt.
Thaçi tha se prioritete të Kosovës janë bashkëpunimi me vendet fqinje për paqe stabilitet në rajon, si dhe integrimi i gjithë Ballkanit Perëndimor në BE dhe NATO.
“Kosova dhe Maqedonia ndajnë vlera dhe interesa të përbashkëta euroatlantike, prandaj do jemi partnerë në përpjekjet tona për t’iu bashkuar organizatave dhe mekanizmave kyçë perëndimore. Po punojmë në jetësimin e projekteve infrastrukturore, por edhe në ato në fushën e energjisë për të cilat kemi diskutuar në kuadër të Procesit të Berlinit”, theksoi Thaçi.
Zëvendëskryeministri Thaçi tha se Maqedonia është partner i rëndësishëm për Kosovën, si në rrafshin ekonomik ashtu edhe në atë politik, duke shtuar se ndërtimi i autostradës Prishtinë-Shkup do të lidhë dy vendet edhe më mirë dhe më shpejtë.
“Është në interes të rajonit, pra edhe të Kosovës, që Maqedonia sa më parë të bëhet pjesë e NATO dhe që i tërë rajoni të vazhdojë me hapa të sigurtë drejt integrimit në Bashkimin Evropian”, ka thënë Thaçi. Ai nënvizoi se Kosova e mbështet zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit.
Zëvendëskryeministri Thaçi shtoi se shteti kosovar mbetet i përkushtuar për paprekshmërinë e kujfive, do të thellojë bashkëpunimin me Shkupin zyrtar për luftimin e ekstremizmit dhe radikalizmit, si dhe se Kosova mbetet e gatshme të ndihmojë përballë sfidës së fluksit të refugjatëve, nëse një gjë e tillë do të jetë e nevojshme.
Ndërsa, ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë, Nikolla Poposki theksoi se Maqedonia dhe Kosova gëzojnë marrëdhënie të hapura dhe të përzemërta tradicionale. Poposki tha se pret që marrëveshjet e nënshkruara sot të shoqërohen më bashkëpunim edhe më intensiv në projekte të ndryshme në fushat e ekonomisë, arsimit, shkencës, sigurisë, infrastrukturës dhe kulturës, dhe se do të punohet që të sigurohen fonde nga Bashkimi Evropian dhe mekanizma të tjerë ndërkombëtarë financiarë. Ministri i Jashtëm maqedonas Poposki nënvizoi se është në interes të Maqedonisë që të ketë Kosovën si një fqinj stabil dhe prosperues.

Filed Under: Rajon Tagged With: Behlul Jashari, dy marreveshje, Kosove-Maqedoni

Kosovë-Liderët ritheksuan qëndrimet e mëparshme

February 8, 2016 by dgreca

-Në Presidencë, në tryezën e përbashkët të dialogut ishin liderët e dy partive më të mëdha të maxhorancës së koalicionit qeverisës, i LDK – kryeministri Isa Mustafa dhe i PDK – zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, dhe në këtë përpjekje të tretë të Presidentes që nga fundvera 2015, sot për herë të parë ishte edhe një nga tre liderët e opozitës, kryetari AAK-së, Ramush Haradinaj/
-Derisa nuk ishin së bashku sot në tryezën te Presidentja Jahjaga, tre subjektet opozitare dje kanë bërë një deklaratë të përbashkët, ku theksojnë se “më 17 shkurt edhe një herë qytetarët e Kosovës do të bashkohen në një protestë mbarëqytetare”/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË,8 Shkurt 2016/ Nuk ka ndonjë marrëveshje, liderët ritheksuan qëndrimet e mbajtura deri tash, edhe pasi Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga zhvilloi sot në mëngjes një takim të përbashkët me drejtuesit e subjekteve politike parlamentare, për të diskutuar tejkalimin e gjendjes së krijuar në vend. Në tryezën e përbashkët të dialogut ishin liderët e dy partive më të mëdha të maxhorancës së koalicionit qeverisës, i LDK – kryeministri Isa Mustafa dhe i PDK – zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, dhe në këtë përpjekje të tretë të Presidentes që nga fundvera 2015, sot për herë të parë ishte edhe një nga tre liderët e opozitës, kryetari AAK-së, Ramush Haradinaj. Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të subjekteve politike të komuniteteve pakicë.

Në Presidencë kanë shkuar në takim edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Greg Delawie, si edhe përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar.

“Takimi i sotëm te Presidentja, me pjesëmarrje të një prej liderëve të opozitës, ishte një zhvillim i ri, derisa situata e “ngrirë” e Kuvendit të Kosovës me bllokime nga opozita që prej fundverës 2015 vazhdon edhe këtë dimër dhe drejt pranverës.

Në dy përpjekjet e deritashme, të vitit 2015, për t’i ulur në një tryezë dialogu pozitën e opozitën, së pari në tetor, e pastaj në dhjetor presidentja e Kosovës, ka zhvilluar vetëm takime të veçanta.

“Ajo që na ndan është shumë më e vogël përballë asaj që na bashkon”, shprehej në 4 dhjetor 2015, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, duke njoftuar në konferencë shtypi se një ftesë zyrtare u kishte dërguar atë ditë drejtuesve të tre partive opozitare për një takim, i cili nuk ndodhi.

Në 22 janar 2016, Kryesia e Kuvendit të Kosovës mbajti mbledhjen e parë për sesionin pranveror, në të cilën ishin prezentë edhe kryetarët e grupeve parlamentare, por nuk u përcaktua ndonjë datë për seancë plenare. Ndërsa Kuvendin e Kosovës e presin shumë punë, përfshirë zgjedhjen e presidentit të Republikës, pasi presidentes aktuale i kalon mandati pas dy muajsh, në 6 prill, e sipas Kushtetutës “zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual”.
Opozita, e cila ka kërkesë edhe zgjedhjet e parakohëshme, ka ritheksuar se “thirrja eventuale e seancave plenare nuk i kontribuon zgjidhjes së krizës politike”, ndërsa ka paralajmëruar protestën e ardhëshme për në ditën e festës së 8 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës -17 shkurt, në Prishtinë.
Në 9 janar 2016, në protestën në Prishtinë, kundër qeverisë, sipas opozitës ishin rreth 100 mijë pjesëmarrës, ndërsa sipas Policisë së Kosovës ishin 8 mijë. Më parë, në ditën e festës së 28 nëntorit 2015, në manifestimin e opozitës në Prishtinë sipas vlerësimeve të saj ishin 35 mijë pjesëmarrës.
Derisa nuk ishin së bashku sot në tryezën te Presidentja Jahjaga, tre subjektet opozitare dje kanë bërë një deklaratë të përbashkët, ku theksojnë se “më 17 shkurt edhe një herë qytetarët e Kosovës do të bashkohen në një protestë mbarëqytetare” dhe se “zgjidhja janë zgjedhjet, jo thjesht për të ndryshuar fytyrat, por për të ndryshuar një herë e mirë mënyrën e të bërit qeverisje”.
Në kundërshtim të katër marrëveshjeve të 25 gushtit 2015 me Serbinë, veçmas asaj për asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, si dhe të marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, tre subjektet opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë dhe Nisma, me gjithësej 31 deputetë në parlamentin 120 anëtarësh, kanë organizuar protesta, aksione simbolike e manifestime, si dhe kanë bllokur Kuvendin e Kosovës edhe me hedhje gazi lotsjellës në sallën e seancave plenare e jashtë saj, ndërsa në këto zhvillime kishte edhe të arrestuar, përfshirë 13 deputetë opozitarë, të cilët ndërkohë janë liruar.

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, Liderët ritheksuan, qëndrimet e mëparshme

Kosovë- Jepni shans dialogut

February 7, 2016 by dgreca

Foto Gazeta DIELLI – Behlul Jashari: Prishtina, Sheshi Skenderbeu/
-Lëvizje drejt takimit të përbashkët të liderëve të maxhorancës e opozitës te Presidentja e Republikës/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË,7 Shkurt 2016/ Jepni shans dialogut, përgjigjuni pozitivisht ftesës së Presidentes është thirrja drejtuar të gjitha subjekteve politike kosovare nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) në një deklaratë sot ku thekson se nga afër ka përcjellë të gjitha zhvillimet në vend karshi krizës politike që tashmë po hyn në muajin e gjashtë të saj. “Funksionimi i plotë i institucioneve, veçanërisht i Kuvendit, është vitale për funksionimin e tërësishëm të shtetit. Përgjatë kësaj periudhe, vazhdimisht kemi bërë thirrje ndaj partive politike parlamentare, që të përdorin dialogun si mjet të vetëm për zgjidhjen e mospajtimeve politike. Në këtë frymë, kemi përkrahur çdo iniciativë institucionale për dalje nga gjendja e tanishme e krizës dhe hapjes rrugë zhvillimit ekonomik dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve”, shprehet KDI.
Sipas parimeve të ndarjes së pushtetit, vijon deklarata, Kushtetuta obligon kreun e shtetit të garantojë funksionimin kushtetues të institucioneve shtetërore. “Duke qenë se Presidenti përfaqëson unitetin e popullit, KDI përkrah iniciativën e Presidentes Jahjaga për dialog ndërpartiak, dhe inkurajon liderët e gjitha subjekteve politike që t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së saj”, thekson deklarata.
Më tej Instituti Demokratik i Kosovës thekson:Ne u rikujtojmë partive politike dhe udhëheqësve politikë e institucional që:
Të jenë të vetëdijshëm për sfidat me të cilat si shoqëri, si subjekte politike dhe institucione shtetërore jemi ballafaquar në vitin e fundit, të përkushtohen që bashkërisht t’i adresojnë këto sfida, në mënyrë që të mos përbëjnë kërcënim për shtetin dhe mirëqenien e qytetarëve.
Të njohin faktin se shteti ynë është ndërtuar mbi bazën e të drejtave dhe lirive qytetare, me mundin dhe jetën e shumë prej tyre, pa harruar as përkushtimin e miqve tanë ndërkombëtarë që të garantojnë një shtet me vlera demokratike, prandaj të përkushtohen që këto obligime kushtetuese t’i adresojnë përmes dialogut politik gjithëpërfshirës.
Të jenë të vendosur për të dhënë kontributin e tyre në ndërtimin e një shoqërie të lirë nga dhuna, frika, urrejtja, korrupsioni, dhe të jenë të përkushtuar për ndërtimin e një shteti dhe shoqërie e cila garanton sundimin e ligjit, lirisë së mendimit e të lëvizjes, transparencës, mirëqeverisjes, prosperitet, zhvillim, dinjitet dhe barazisë për të gjithë.
Të pajtohen të punojnë së bashku për t’i dhënë fund polarizimit politik, duke përdorur dialogun politik si themelin e demokracisë.
Të garantojnë se do të respektojnë dhe do të marrim në përgjegjësi të gjitha obligimet kushtetuese e shtetërore, të cila janë rezultat i aspiratave të qytetarëve tanë dhe mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë, për të forcuar funksionalitetin shtetëror me vlera të integrimeve properëndimore.
Të jenë vizionarë për të treguar rrugën e funksionimit të shtetit mbi bazën e dialogut për vendimet e mëdha nacionale, në përputhje me frymën dhe rendin kushtetues të Kosovës, përfundon deklarata e Institutit Demokratik të Kosovës.
Liderët e dy partive më të mëdha të maxhorancës së koalicionit qeverisës, i LDK – kryeministri Isa Mustafa dhe i PDK – zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, gjatë një konference për shtyp dje pas takimeve me përfaqësuesit e veteranëve të UÇK-së kanë shprehur gatishmërinë për të marrë pjesë dhe për të biseduar për tejkalimin e situatës në takimin e përbashkët me opizitën të ftuar për nesër nga Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga.
“Ne, njëherësh i bëjmë ftesë edhe liderëve të opozitës që ata të jenë aty, sepse ne jemi që të gjitha çështjet t’i zgjidhim me dialog, me bisedë, në bazë të argumenteve dhe assesi që zgjidhjet të bëhen përmes dhunës”, tha kryeministri Mustafa.
“Duke konfirmuar përgjigjen pozitive, në të njëjtën kohë ftojmë edhe liderët opozitarë që t’i përgjigjen ftesës pozitivisht, t’i bashkëngjiten dialogut”, tha zëvendëskryeministri Thaçi.
Nga opozita në Kosovë duket se lëvizet nga pozicioni i “ngrirë” drejt takimit të përbashkët me maxhorancën në tryezën e Presidentes së Republikës, Atifete Jahjaga, e cila për në mëngjesin e të hënës i ka ftuar të gjitha subjektet politike parlamentare “për të diskutuar tejkalimin e gjendjes së krijuar në vend”. Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është deklaruar se lideri i saj, Ramush Haradinaj, është pro mbajtjes së këtij takimi, ndërsa sot pritet një vendim nëse do shkoj vetëm apo do shkoj opozita si e bashkuar.
Ky është një zhvillim i ri, pas takimit të djeshëm të liderëve të tre partive opozitare, derisa situata e “ngrirë” e Kuvendit të Kosovës me bllokime nga opozita, edhe me hedhje gazi lotsjellës në sallën e seancave plenare e jashtë saj, që prej fundverës 2015 vazhdon edhe këtë dimër dhe drejt pranverës, e gjatë kësaj periudhe ftesa më e re e presidentes së Republikës është përpjekja e tretë për t’i ulur në një tryezë pozitën dhe opozitën, por dy herët e kaluara ka zhvilluar vetëm takime të veçanta.
Opozita, e cila ka kërkesë edhe zgjedhjet e parakohëshme, ka ritheksuar se “thirrja eventuale e seancave plenare nuk i kontribuon zgjidhjes së krizës politike”, ndërsa ka paralajmëruar protestën e ardhëshme për në ditën e festës së 8 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës -17 shkurt, në Prishtinë.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, dialogu, hapni rruge, kosova

Kosovë-Presidentja fton liderët e partive

February 6, 2016 by dgreca

-Ambasadori Delawie do të marrë pjesë në takimin e ftuar nga Jahjaga/
-Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, 2 muaj para përfundimit të mandatit, në përpjekjen e tretë për takimin maxhorancë-opozitë. Ajo ka ftuar liderët “në takim të përbashkët të të gjitha subjekteve politike parlamentare për të diskutuar tejkalimin e gjendjes së krijuar në vend”/
-Kushtetuta përcakton: Nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet President i Republikës së Kosovës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda dyzet e pesë (45) ditësh/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 6 Shkurt 2016/ Diskutimi me ftesën për të hënën të Presidentes së Kosovës për “tejkalimin e gjendjes së krijuar në vend” në një tryezë të përbashkët të liderëve të partive parlamentare të maxhorancës së koalicionit qeverisës dhe të opozitës së bashkuar, sipas reagimeve nuk do të ndodhë apo nuk do jetë i plotë me praninë. “Jemi kundër dhe nuk do t’i përgjigjemi pozitivisht ftesës së presidentes” është deklarimi nga subjekti më i madh opozitar, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës sot “gjatë ditës do të merr qëndrim nëse do të shkojë apo jo”, kundër është deklaruar edhe Nisma duke theksuar se, “nëse presidentja thërret takim me rend të ditës organizimi i zgjedhjeve të parakohshme atëherë padyshim shkojmë”.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka ftuar liderët “në takim të përbashkët të të gjitha subjekteve politike parlamentare për të diskutuar tejkalimin e gjendjes së krijuar në vend”. “Takimi do të mbahet të hënën, më 8 shkurt, në orën 09:00 në zyren e Presidentes së Republikës së Kosovës”, thuhet në ftesën e presidentes Jahjaga, të cilën media e citon nga ftesa e dërguar një prej liderëve të opozitës.
“Mbështes iniciativën e presidentes së Kosovës për të ftuar në takim të hënën. Liderët e Kosovës duhet të gjejnë gjuhë të përbashkët”, ka shkruar në Tëitter ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Greg Delaëie.
Përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, ka deklaruar se “e mirëpret nismës e presidentes së Kosovës që të ftojë të hënën liderët e partive politike, për të gjetur një mënyrë që të dalë nga kriza aktuale politike”. “Në interes të Kosovës dhe popullit të saj, u bëj thirrje partive politike që të tregojnë përgjegjësi dhe t’i përgjigjen pozitivisht ftesës. E përgëzoj presidenten Jahjaga për lidershipin që ajo tregoi për të marrë këtë nismë”, citohet Zhbogar nga një komunikatë për media.
Pas pikërisht dy muajëve, në 6 prill 2016, Presidentja Atifete Jahjaga përfundon mandatin, ndërsa sipas Kushtetutës “zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual”. Zgjedhja e Presidentit të Republikës bëhet nga Kuvendi i Kosovës, me votim të fshehtë.
Kushtetuta e Kosovës, poashtu, përcakton: “Zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave (2/3) në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjedhet President i Republikës së Kosovës. Nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet President i Republikës së Kosovës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda dyzet e pesë (45) ditësh”.
Ndërsa, situata e “ngrirë” e Kuvendit të Kosovës me bllokime nga opozita që prej fundverës 2015 vazhdon edhe këtë dimër dhe drejt pranverës, e gjatë kësaj periudhe ftesa më e re e presidentes së Republikës është përpjekja e tretë për t’i ulur në një tryezë pozitën dhe opozitën, por dy herët e kalauara ka zhvilluar vetëm takime të veçanta.
Në 22 janar 2016, Kryesia e Kuvendit të Kosovës mbajti mbledhjen e parë për sesionin pranveror, në të cilën ishin prezentë edhe kryetarët e grupeve parlamentare, por nuk u përcaktua ndonjë datë për seancë plenare. Opozita ka ritheksuar se “thirrja eventuale e seancave plenare nuk i kontribuon zgjidhjes së krizës politike”, ndërsa ka paralajmëruar protestën e ardhëshme për në ditën e festës së 8 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës -17 shkurt, në Prishtinë.
Në 9 janar 2016, në protestën në Prishtinë, kundër qeverisë, sipas opozitës ishin rreth 100 mijë pjesëmarrës, ndërsa sipas Policisë së Kosovës ishin 8 mijë. Më parë, në ditën e festës së 28 nëntorit 2015, në manifestimin e opozitës në Prishtinë sipas vlerësimeve të saj ishin 35 mijë pjesëmarrës.
Nga ana e koalicionit qeverisës, dje në një konferencë shtypi, kryeministri Isa Mustafa, tha pas një takimi se mirëpret deklarimin e anëtarëve të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës “që çështjet në Kosovë të zgjidhen me dialog, të zgjidhen në Kuvendin e Republikës së Kosovës, të zgjidhen përmes rrugëve institucionale, dhe jo me protesta të dhunëshme”. Zëvendëskryeministri i parë dhe njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, po në këtë konferencë shtypi, tha se metodat dhe kauzat e opozitës janë të gabuara, ndërsa duke theksuar se PDK dhe LDK janë partitë më të mëdha u shpreh: “Ne për dy ditë mund t’i mbledhim 1 milion njerëz në mbrojtje të Republikës në sheshet e Kosovës, dhe cila do të ishte përgjigjeja pastaj. Kështuqë, nuk do të tërhiqemi para asnjë shantazhi të kujdoqoftë”.
Në dy përpjekjet e deritashme, të vitit 2015, për t’i ulur në një tryezë dialogu pozitën e opozitën, së pari në 19 tetor, presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka zhvilluar takim me Hashim Thaçin dhe Isa Mustafën në cilësinë e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, respektivisht të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe shefat e grupeve parlamentare të këtyre dy subjekteve, Adem Grabovcin dhe Ismet Beqirin. Në takim ishte edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Ndërsa, për të nesërmen, në 20 tetor presidentja ftoi për takim kryetarët e tre subjekteve politike opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosoivës dhe Nisma për Kosovën.
Në 7 dhjetor njoftohej se, presidentja e Republikës Jahjaga priti në takim kryetarët e subjekteve politike opozitare, Visar Ymeri, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Fatmir Limaj, kryetar i Nisma për Kosovën, në përpjekje për të tejkaluar situatën e krijuar në vend.
Gjatë ditës, Presidentja ka takuar edhe kryeministrin Isa Mustafa dhe kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, bënte të ditur njoftimi dërguar në mbrëmje nga Presidenca e Kosovës, pa dhënë hollësi të tjera.
Në kundërshtim të katër marrëveshjeve të 25 gushtit 2015 me Serbinë, veçmas asaj për asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, si dhe të marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, tre subjektet opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë dhe Nisma, me gjithësej 31 deputetë në parlamentin 120 anëtarësh, kanë organizuar protesta, aksione simbolike e manifestime, si dhe kanë bllokur Kuvendin e Kosovës edhe me hedhje gazi lotsjellës në sallën e seancave plenare e jashtë saj, ndërsa në këto zhvillime kishte edhe të arrestuar, përfshirë deputetë opozitarë.
“Numri total i deputetëve opozitarë të arrestuar në datën 14 dhjetor është nëntë, ndërsa numri total i deputetëve të arrestuar është 13”, theksonte në një njoftim Lëvizja Vetëvendosje në mesnatën e mesit të dhjetorit 2015, ndërkohë që Kuvendi i Kosovës, në orët e vona të natës kishte mbajtur seancë në sallë alternative, derisa deputetët e opozitës kishin qëndruar në sallën plenare, të cilën, sipas diskutimeve të pozitës, e kishin uzurpuar dhunshëm.
Në 23 dhjetor 2015, Gjykata Kushtetuese, pas kërkesës që i është bërë nga Presidentja e Republikës të vlerësojë përputhshmërinë e dokumentit të emërtuar “Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe në Kosovë – parimet e përgjithshme/elementet kryesore”, ka vendosur se, “këto Parime nuk janë tërësisht në përputhje me standardet kushtetuese përkatëse dhe ka konkluduar se akti ligjor i qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Statuti duhet të jenë në përputhje”.
Pas këtij vendimi, qeveria e Kosovës ka siguruar se, “i tërë procesi dhe çdo akt juridik për të finalizuar asociacionin e komunave me shumicë serbe do bëhet duke u bazuar dhe respektuar konkluzionet e Gjykatës Kushtetues” dhe se “edhe Statuti i asociacionit do dërgohet në Kushtetuese”.
Në 21 dhjetor 2015, qeveria kosovare deklaronte se, “shpreh mirënjohje për punën verifikuese dhe përshëndet deklaratën e Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës lidhur me Raportin për Demarkacionin e Kufirit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi”.
“Duke pasur parasysh përkrahjen e jashtëzakonshme e të gjithanshme të SHBA-ve për Kosovën, si dhe rishikimin e detajuar të vijës kufitare nga ana e Departamentit të Shtetit, qeveria e Kosovës konsideron se qëndrimi i Departamentit Amerikan të Shtetit dëshmon se procesi i shënimit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi është kryer në përputhje me të gjitha aktet juridike dhe realitetin faktik në terren”, theksonte deklarata.
Ndërkohë, në 27 janar 2016, në Bruksel është zhvilluar raundi 30 i dialogut në nivel të lartë kryeministror me Serbinë, ku Kosova ka kërkuar krahas axhendës së hartimit të statutit të asociacionit të komunave të banuara me shumicë nga komuniteti serb edhe axhendën e zhbërjes së strukturave paralele serbe.
“Ajo çfarë ne kemi kërkuar, është që ne do ta bëjmë punën ashtu siç jemi zotuar me marrëveshje dhe siç rezulton edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë. Por, po ashtu, kemi kërkuar që krahas axhendës së hartimit të statutit të asociacionit të komunave duhet ta kemi edhe axhendën e zhbërjes së strukturave paralele të cilat veprojnë, në mënyrë që të arrihen efektet të cilat ne pastaj do t’i quanim si efekte të normalizimit, sepse duhet t’ju mundësojmë që komunat me shumicë serbe ta kryejnë në suaza të plota përgjegjësinë e tyre si ua lejon ligji në të gjitha fushat, dhe nuk kemi nevojë që më tutje të kemi struktura paralele të cilat veprojnë”, ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, pas kthimit nga Brukseli, në mbledhjen e qeverisë, në 29 janar.
Nga gjithësej 38 komuna të Kosovës, 10 janë me shumicë serbe, 5 prej tyre të reja –Graçanica, Kllokoti, Ranillugu, Parteshi dhe Mitrovica e Veriut, të formuara sipas Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të kryenegociatorit Martti Ahtisaari – emisarit special të OKB-së.
Po sipas Paketës Ahtisaari, katër komunave me shumicë serbe që ekzistonin në Kosovë, Leposaviçit, Zubin-Potokut dhe Zveçanit, që të trija në veri, dhe Shtërpcës në jug, i është shtuar edhe një tjetër – Novobërda, me zgjërimin e saj.
***
Ambasadori Delawie do të marrë pjesë në takimin e ftuar nga Jahjaga

Prishtinë, 6 shkurt 2016 – Në takimin e së hënës të liderëve politikë të Kosovës, të thirrur nga Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, do të marrë pjesë edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie.
Zëdhënësi i ambasadës amerikane, Philip Drewry, konfirmoi për Kosovapress se ambasadori Delawie është pajtuar të marrë pjesë në këtë takim.
“Ambasadori është pajtuar që të marrë pjesë në këtë takim, të thirrur nga presidentja, dhe i mbështet përpjekjet e saj që të ndihmojë partitë politike të gjejnë gjuhën e përbashkët”, tha Drewry.
Pjesëmarrjen në takim e kanë konfirmuar liderët e dy partive të koalicionit qeveritar, Kryeministri Isa Mustafa dhe zëvendësi i tij Hashim Thaçi.
Dy partitë opozitare, Vetëvendosje dhe NISMA, kanë thënë se nuk do të marrin pjesë në takim, kurse AAK ka paralajmëruar për të dielën marrjen e vendimit përfundimtar.

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, e partive, fton liderët, Kosovë-Presidentja

Mustafa e Thaçi ftojnë liderët e opozitës të jenë bashkë te Jahjaga

February 6, 2016 by dgreca

-Qeveria e Kosovës e përkushtuar për zgjidhjen e problemeve të luftëtarëve të UÇK-së/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 6 Shkurt 2016/ Liderët e dy partive më të mëdha të maxhorancës së koalicionit qeverisës, i LDK – kryeministri Isa Mustafa dhe i PDK – zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, gjatë një konference për shtyp pas takimeve me përfaqësuesit e veteranëve të UÇK-së kanë shprehur gatishmërinë për të marrë pjesë dhe për të biseduar për tejkalimin e situatës në takimin e përbashkët me opizitën të ftuar për të hënën nga Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga.
“Natyrisht se unë si kryeministër iu kam bërë ftesë edhe vetë që të takohemi. Edhe unë, po ashtu, edhe zëvendëskryeministri dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës kemi treguar interesin dhe gatishmërinë që të marrim pjesë që të dytë. Por, ne, njëherësh i bëjmë ftesë edhe liderëve të opozitës që ata të jenë aty, sepse ne jemi që të gjitha çështjet t’i zgjidhim me dialog, me bisedë, në bazë të argumenteve dhe assesi që zgjidhjet të bëhen përmes dhunës”, tha kryeministri Mustafa.
Zëvendëskryeministri i parë, Hashim Thaçi, tha se dy kryetarët e partive më të mëdha në Kosovë do t’i përgjigjen ftesës së presidentes Jahjaga për takim të hënën në ora 9:00 në Presidencë.
“Besoj që është hap i drejtë dhe një proces i konsultave të brendshme institucionale, se dialogu është procesi i vetëm përmes të cilit mund të arrihen objektivat e përbashkëta të interesit shtetëror mes pozitës dhe liderëve opozitarë dhe jo format dhe metodat tjera që nuk përkojnë me traditën e qytetarëve të Kosovës dhe filozofinë politike kosovare në këto 25 vitet e fundit”, u shpreh ai.
Prandaj, vijoi Thaçi, duke konfirmuar përgjigjen pozitive, në të njëjtën kohë ftojmë edhe liderët opozitarë që t’i përgjigjen ftesës pozitivisht, t’i bashkëngjiten dialogut. “Është zgjidhja e vetme dhe mundësia më e mirë dhe ky është edhe vullneti i qytetarëve të Kosovës, në të njëjtën kohë është edhe këshilla e bashkësisë ndërkombëtare. Ne, në çdo rrethanë duhet të ulemi, duhet të bisedojmë. E kemi axhendën e qartë të interesave të shtetit të Kosovës dhe mendoj që ky dialog tejkalon çdo interes partiak, prandaj besoj që sot do të kemi edhe përgjigje pozitive të opozitës sepse është edhe në interesin e tyre”, tha zëvendëskryeministri Thaçi.
Në 4 dhjetor 2015, kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në një konferencë shtypi ka njoftuar se një ftesë zyrtare për takim atë ditë u kishte dërguar të drejtuesit e tre partive opozitare në Kuvendin e Kosovës, Visar Ymeri nga Lëvizja Vetëvendosje, Ramush Haradinaj nga AAK-ja dhe Fatmir Limaj nga Nisma për Kosovën, si dhe zëvendëskryeministrit të parë, njëherësh kryetar i PDK-së, Hashim Thaçi.
Por, ai takim i përbashkët nuk ka ndodhur.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka zhvilluar sot takime me përfaqësuesit e veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), përkatësisht me një delegacion të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së, të kryesuar nga Xhevdet Qeriqi, si dhe një delegacion të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, të kryesuar nga Smajl Elezaj.
Në takime ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi dhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi.
Në një konferencë të mbajtur pas dy takimeve, kryeministri Isa Mustafa ka shprehur përkrahjen e mëtejshme të Qeverisë së Kosovës për veteranët e luftës së UÇK-së.
Kryeministri Mustafa tha se është biseduar për preokupimet, hallet, kërkesat dhe nevojat e veteranëve të luftës së UÇK-së.
“Treguam përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës që bashkërisht t’i zgjidhim të gjitha problemet e mundshme të cilat mund t’i zgjidhim në kohë të caktuar dhe në periudha të caktuara kohore. Ne si Qeveri kemi bërë përpjekje që të sigurojmë fondet për të përballuar pensionet për veteranët. Natyrisht se numri i veteranëve është i tillë që ne duhet të mundohemi që të plotësojmë të gjitha kërkesat e tyre sipas vendimeve të cilat janë marrë, t’i plotësojmë edhe në pikëpamje kohore, të kujdesemi edhe për invalidët e luftës të UÇK-së”, tha kryeministri.
Kryeministri Mustafa, po ashtu, falënderoi veteranët për bashkëpunimin, mirëkuptimin dhe për angazhimin e tyre që të gjitha problemet të zgjidhen përmes bisedave, përmes argumenteve dhe përmes mënyrave të bashkëpunimit.
Smajl Elezaj nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, e ka vlerësuar shumë konstruktiv takimin dhe mirëkuptimin e hasur nga kryeministri, zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale për gjetjen e rrugëve për tejkalimin e vështirësive që kanë veteranët pretendentë për invalid të luftës.
“Biseduam për verifikimin e veteranëve, për zgjatjen e verifikimit që ka zgjatë shumë, ta përfundojmë atë kapitull dhe hallet e tjera të veteranëve. Çështja e pagesës së veteranëve, që ka ankesa nga terreni dhe veteranët e luftës, dhe jemi dakorduar që prej kohës kur kanë aplikuar veteranët e luftës Qeveria e Kosovës obligohet që t’i bëjnë pagesat për veteranët e luftës”, tha Elezaj, duke shprehur besimin se ky takim do të jetë frytdhënës.
Lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë, në raportet e pozitës dhe opozitës, Elezaj ka shprehur dëshirën e luftëtarëve të UÇK-së që më të mos shihen skena si ato që janë parë lidhur me dy temat aktuale, të ngritura tash e pesë muaj në Parlamentin e Kosovës, ku është përdorur në një formë gazi lotsjellës dhe dhuna edhe në rrugët e Kosovës.
“Mendoj se duhet të mendojmë shumë më shumë për ndërtimin e Kosovës, për forcimin e institucioneve të Kosovës dhe jemi që pozita dhe opozita çdo çështje të ngritur, jo vetëm këto të dyja, të ekziston transparenca, bashkëpunimi dhe të merren vesh me dialog dhe assesi në rrugë të tjera”, tha Elezaj.

Filed Under: Politike Tagged With: bashkë te Jahjaga, Behlul Jashari, ftojnë liderët e opozitës të jenë, Mustafa e Thaçi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 190
  • 191
  • 192
  • 193
  • 194
  • …
  • 245
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT