• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosovë-Biblioteka Kombëtare edhe me kupola dëbore

January 18, 2016 by dgreca

Foto Gazeta Dielli – Behlul Jashari: Biblioteka Kombëtare e Kosovës në mëngjesin me dëborë të 18 janarit 2016/
-Në qytete më së shumti reshi në Ferizaj, Prishtinë e Gjakovë, Biblioteka Kombëtare e Kosovës me 99 kupola të bardha të mëdha mbulohet edhe nga mijëra kupola të vockëla dëbore/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 18 Janar 2016/ Kryeqyteti i Republikës së Kosovës, Prishtina, sot në mëngjes ishte i mbuluar bardh edhe nga reshjet e reja. Biblioteka Kombëtare e Kosovës me dritare zenitale e 99 kupola të mëdha të bardha, të cilat e kanë simbolikën të veçantë arkitekturale, si plisat, nga reshjet e ditëve të fundit është mbuluar edhe me mijëra kupola të vockëla dëbore dhe ka një imazh bukurie e dimri, siç shihet edhe në foto të Gazetës DIELLI.
Në Kosovë, reshjet e dëborës që filluan gjatë natës të së premtes do të ndërpriten sot, por temperaturat minimale dhe maksimalet do të jenë në vlerat negative pothuaj gjatë gjithë javës, deklaroi Instituti Hidrometeorologjik.
Njofimi i dërguar thekson se, sipas parashikimeve të fundit gjatë javes që vjen temperaturat minimale pritet të zbresin nga -13 deri -16 gradë Celsius, kurse maksimalet pritet të lëvizin nga -3 deri 2 gradë. Shtypja atmosferike në fundjavë do të rritet dhe si rezultat i saj do të rriten temperaturat minimale.
Dëborë fjollash të lehta ka reshur edhe natën e sot në mëngjes, ndërsa sipas njoftimeve të mbrëmshme të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, sasia më e madhe e dëborës u shënua në Ferizaj 42 cm, ndërsa në Prishtinë 30 cm, në Gjakovë 28 cm, në Gjilan 18 cm, në Podujevë 17 cm, kurse në Pejë vetëm 7 cm.
Në viset malore të Kosovës trashësia e dëborës ka arritur mbi 60 cm.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, Biblioteka Kombetare, Bore, Prishtine

Kosova mbulohet nga dëbora, pritet edhe acar- 16 deri -19 gradë Celsius

January 17, 2016 by dgreca

Foto Gazeta Dielli – Behlul Jashari: Prishtina ne mengjesin e 17 janarit 2016
-Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës: Nga dita e hënë e deri të premten temperaturat minimale do të zbresin -16 deri -19 gradë Celsius/
-Në tërë Kosovën, trafiku po zhvillohet në kushte dimri, por nuk ka njoftime për rrugë të mbyllura/
PRISHTINË, 17 Janar 2016-B.Jashari/ Kosova sot është edhe më shumë e mbuluar nga dëbora që e përfshiu dje dhe reshi edhe natën, ndërsa pritet një javë edhe me acar.
Instituti Hidrometeorologjik ka paralajmërur se, në Kosovë “nga dita e hënë e deri të premten temperaturat minimale do të zbresin -16 deri -19 gradë Celsius, do të fryjë erë nga veriu dhe verilindja herë herë me vrull me shpejtësi mbi 18 metra në sekondë”.
Kryeqyteti Prishtina pas ditëve të “dimrit pranveror” përballet me ashpërsinë e motit të stinës, ndërkohë që komuna ka bërë të ditur se ka angazhuar të gjitha kapacitetet për pastrimin e rrugëve nga dëbora. Përveç 5 kompanive private të kontraktuara për pastrimin e rrugëve, është angazhuar edhe ndërmarrja publike komunale “Hortikultura”, e cila po bën pastrimin e trotuareve dhe hedhjen e kripës në rrugët kryesore të kryeqytetit. Janë 23 makina për heqjen e dëborës të angazhuara tërë kohën. Komuna e Prishtinës ka apeluar që ngasësit e makinave që të kenë kujdes të shtuar dhe të kenë pajisjet dimërore.

Në tërë Kosovën, trafiku po zhvillohet në kushte dimri, por nuk ka njoftime për rrugë të mbyllura.

Sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar të Kosovës, në kufirin Kosovë-Shqipëri, në vendkalimin kryesor nëpër autostradën e kombit, në Vërmicë-Morinë, sot, në këto momente fundjave, kalohet për 2-5 minuta, ndërsa në dy vendkalimet tjera, Qafë të Prushit dhe Qafë të Morinës për 1-3 minuta.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se referuar kushteve atmosferike me reshje dëbore dhe me qëllim të ngritjes së nivelit të sigurisë në trafik e parandalimit të aksidenteve, ka marrë masa për përforcimin e shërbimeve të Policisë së Komunikacionit Rrugor në të gjitha akset rrugore.
Policia e Kosovës kërkon nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik, e në veçanti nga drejtuesit e automjeteve, që të respektojnë shenjat e komunikacionit rrugor si dhe t’u përshtaten kushteve atmosferike me dëborë e ngrica.
Në Kosovë kanë nisur që në vjeshtë reshjet e dëborës, e cila mungonte në atmosferën e festimeve të Vitit të Ri dhe në fillimet e dimrit me kalendar.
Në mëngjesin e 27 nëntorit 2015, më pak se një muaj para ardhjes me kalendar, kryeqyteti Prishtina zbardhi me dëborën e parë të këtij dimri, të reshur edhe në anë tjera të Kosovës. Në 3 janar 2016 Kosova është mbuluar bardh nga dëbora e parë e vitit 2016 – reshjet që nisën në orët e herëshme para mëngjesit.
Në Prishtinë dëbora e parë e dimrit të kaluar ka reshur dy muaj para ardhjes me kalendar, që në vjeshtë – natën mes 22 e 23 tetorit 2014. E dëbora e fundit nisi të reshte në ditën e parë të muajit prill, në mbrëmje, pas asaj të pragfestës së Ditës së Verës – 14 marsit 2015.

****
Kosovë-Policia: Në 24 orë, 79 aksidente trafiku – 22 me të lënduar
PRISHTINË, 17 Janar 2016/ Në Kosovë, në 24 orët e kaluara kanë ndodhur 79 aksidente trafiku, në 22 prej të cilave kishte të lënduar, ndërsa në të tjerat vetëm dëme materiale.
Numri i tiketave të trafikut të shqiptuara ishin 452, bën të ditur Policia e Kosovës në raportin 24-orësh të dërguar sot.
Ndërkohë që vazhdojnë reshjet e dëborës e ngricat në Kosovë, referuar kushteve atmosferike, gjendjes së rrugëve si dhe aksidenteve të raportuara gjatë 24 orëve të fundit, Policia kërkon nga pjesëmarresit në trafik një vigjilencë të shtuar dhe vozitje më të kujdeseshme.
“Me qëllim parandalimin e aksidenteve apelojmë tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë dispozitat ligjore, të posedojnë pajisjet e nevojshme dimërore e t’iu përshtaten kushteve të rrugës dhe atmosferike”, thekson Policia e Kosovës./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, Kosova mbulohet nag bora

Kosovë-Para 25 viteve nisi të dalë gazeta e rezistencës “Bujku”

January 17, 2016 by dgreca

Foto Gazeta Dielli – Behlul Jashari në Arkivin Shtetëror të Kosovës: Ballina e numrit të parë të gazetës së rezistencës në Kosovë “Bujku”, të 18 janarit 1991/
-Nga korrespondenti në Kosovës i Gazetës Dielli, Behlul Jashari/
PRISHTINË, 17 Janar 2016/ Para çerek shekulli – 25 vitesh, në 18 janar 1991, doli numri i parë i gazetës së përditshme “Bujku”, gazetë e rezistencës, pjesë e lëvizjes gjithëpopullore të shqiptarëve në Kosovë për liri, pavarësi e demokraci, gazetë e parë e pavarur kosovare, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor, euroatlantik, të cilën e nxorën gazetarët dhe punonjësit e tjerë të gazetës Rilindja, me guxim dhe sakrifica, me standarde profesionale. Kryeredaktori i parë-themelues i gazetës “Bujku” u bë edhe themelues i bashkëpunimeve të para të mediave Kosovë-Shqipëri me këmbime shkrimesh dhe korrespondent i Agjencisë Telegrafike Shqiptare, i pari nga Kosova i një mediumi të Shqipërisë.
Ishte 17 janari 1991. Për ridaljen një herë në javë të revistës “Bujku”, ku do botoheshin edhe lajme dite, kishin dalë disa ide e propozime, edhe për fizionomi, edhe për kryeredaktor, por jo ndonjë zgjedhje e pranim detyre dhe po përfundonte mbledhja në lokalet e gazetës tradicionale Rilindja, të përditshmes së vetme në gjuhën shqipe në Kosovë, e cila që nga 7 korriku i vitit 1990 ishte ndaluar e mbyllur me dhunë nga regjimi okupues i Beogradit.
Mora ushtrimin e detyrës së kryeredaktorit, kisha idenë dhe shkasin për ta nxjerrim “Bujkun”, jo si revistë, për si gazetë dhe të përditëshme “përkohësisht”.
Atë ditë kishte nisë lufta në Gjirin Persik…Edhe me këtë shkas, shkruajta “Fjalën e Redaksisë” me titull “Përsëri ‘Bujku’…”, për faqen e parë të gazetës, ku theksoja se del si “gazetë e përkohëshme…edhe për shkak të nevojës që edhe lexuesit shqiptarë në Kosovë, në mungesë të gazetës së përditëshme, të kenë informacione sa më të gjera e me kohë në gjuhën shqipe për ngjarjen që filloi të tronditë botën – fillimin e Luftës në Gjirin Persik. Për këtë shkak edhe me fizionomi e edhe me përmbajtje ky numër është i jashtëzakonshëm”.
Me përmbajtje të ngjashme, se nga e nesërmja do dalë një gazetë në terrin informativ të Kosovës shkruajta një letër për ta njoftuar Ambasadën e SHBA në Beograd, pasi kontaktova me Ambasadën e Shqipërisë dhe ua dërgova atyre me telefax që ta përcjellnin. Ajo letër sigurisht do të ketë gjetur mbështetje për ne, pasi edhe vazhdoi të dalë gazeta, në ballinën e së cilës Bujku shkruhej me shkronja të vogla nën një B të madhe logo. Ishte si Gazeta B, që zëvendësonte Gazetën A – Rilindjen.
“Bujku” ishte një revistë e përdymuajëshme që trajtonte kryesisht tema nga bujqësia, e që nuk kishte dalë fare një kohë, dhe duke e marrë atë emër nisi gazeta e përditshme, e paregjistruar te autoritetet okupatore serbe.
“‘Me emrin ‘Bujku’, këtu dhjetë vite ka mbajur të gjallë informimin e brendshëm në Kosovë”, vlerësonte Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, në funddhjetorin e para mëse 13 viteve, në Rezidencën Presidenciale në Prishtinë në pritjen që më bëri si kryeredaktor i gazetës Rilindja, me ç’rast më dha një intervistë ekskluzive, duke i dhënë kështu edhe mbështetjen e fuqishme institucionale krijimit të mundësive dhe kushteve për rifillimin e botimit të gazetës simbol i traditës së informimit në Kosovë, të cilën administrata e UNMIK e kishte dëbuar kundërligjshëm e padrejtësisht nga Pallati Rilindja në 21 shkurt 2002, pak ditë pasi kishte festuar 57 vjetorin në 12 shkurt…
Gazeta e përditshme “Bujku” doli deri në prag të 1999-tës, të një viti tjetër të ri të luftës që po zhvillohej në Kosovë, derisa u dëbua me dhunë nga Pallati i Rilindjes nga administrata dhe forcat okupatore serbe.
Por, përsëri, gazetarët dhe punonjësit e tjerë të Rilindjes nuk u ndalën, në muajt e parë të vitit 1999, gjithnjë në kushtet e luftës, rikthyen dhe nxorën gazetën e përditshme me emrin Rilindja në Prishtinë, duke punar nëpër shtëpitë e tyre, dhe në këto rrethana përkundër rreziqeve të mëdha gazeta doli derisa gazetarët dhe punonësit e saj u dëbuan bashkë me popullin edhe nga shtëpitë e tyre dhe nga Kosova.
Ekipi i gazetës Rilindja hyri në Kosovë me tanket e para të NATO-s në 12 qershorin historik 1999, dhe të nesërmen u shpërnda në Prishtinë dhe në zona të tjera, ku po ndodhte liria, gazeta numër special e botuar në Shkup.
Ashtu siç kisha raportuar për ATSH-në një ditë më parë herët në mëngjes nga kolona e tankeve të para të forcës ushtarake më të madhe planetare, në faqen e parë të Rilindjes në kryetitull shkruhej: “Dje në orën 5.17 Trupat e NATO-s hynë në Kosovë”. Në Kosovën e lirë me popullin u kthye edhe gazeta Rilindja, që nuk u ndal edhe kur u ndalua… Gazeta “Bujku” sfidoi ndalimin…
Gazeta tradicionale e historike e Kosovës Rilindja ka nisë të dalë në Prizren para 71 vitesh, në 12 shkurt 1945, në frymën e Konferencës së Bujanit e me anagzhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja shqipe prej plumbi që u sollën me arka nga Tirana…
***
*Autori – korrespondenti në Kosovë i Gazetës Dielli, Behlul Jashari, ishte kryeredaktor i parë-themelues i Gazetës së përditshme të rezistencës “Bujku”, pjesë e lëvizjes për liri, pavarësi e demokraci

Filed Under: Histori Tagged With: 25 vite, Behlul Jashari, Gazeta Bujku

William Walker: E kam menduar një Kosovë më ndryshe

January 16, 2016 by dgreca

-Ambasadori amerikan William Walker 17 vjet pas kohës kur ishte shef i Misionit verifikues të OSBE-së gjatë luftës në Kosovë, sot në Deçan u nderua më çmimin që mbanë emrin e Heroit të Kombit Shkëlzen Haradinaj dhe me Mirënjohje Qyteti/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 16 Janar 2016/ E kam menduar një Kosovë më ndryshe, tha ambasadori William Walker 17 vjet pas kohës kur ishte shef i Misionit verifikues të OSBE-së gjatë luftës në Kosovë. Ai foli sot në Deçan, ku u nderua më çmimin që mbanë emrin e Heroit të Kombit Shkëlzen Haradinaj dhe me Mirënjohje Qyteti nga kryetari i komunës, Rasim Selmanaj.
Në njoftimin e komunës theksohet: Sot Deçani është shumë i privilegjuar sepse i pranishëm ishte njeriu i shquar,diplomati e ushtaraku, humanisti e misionari, Gjenerali dhe Ambasadori i nderuar, Wiliam Walker .
Wiliam Walker në mbamendjen tonë nacionale dhe në historinë tonë, do ngel përjetësisht emwri i cili në momente të rënda, kruciale e jetike për Kosovën, në momentet kur regjimi famëkeq vrante, digjte e masakronte çdo gjë në vendin tonë, pa kursyer as fëmijët, as gratë as pleqtë, ngriti zërin e fuqishëm dhe dërgoi mesazhin po aq të fuqishëm për gjithë botën e civilizuar, nga Reçaku, ku ishin vrarë e masakruar njerëz moshash e shtresash të ndryshme se në Kosovë po ndodh gjenocid mbi popullatën shqiptare. Ky mesazh i dërguar qartë e prerë nga Walker vuri në lëvizje gjithë diplomacinë botërore me të gjithë mekanizmat ndërkombëtar.
Kështu u tha sot në Deçan ku William Walker në Deçan, u nderua më çmimin që mbanë emrin e Heroit të Kombit Shkëlzen Haradinaj dhe me Mirënjohje Qyteti nga Kryetari i Komunës së Deçanit , Rasim Selmanaj.
Më këtë rast kryetari i komunës, Rasim Selmanaj tha se unë sot ndihem jashtëzakonisht mirë ku në mesin tonë gjendet William Walker , na nderon më prezencën e tij .
Pasi pranoi Çmimin Shkëlzen Haradinaj dhe u nderuar me Mirënjohje Qyteti, William Walker tha se në Deçan ka kalur shumë shpesh.
“Kujtoj edhe kohët më të këqija kur regjimi serb shkatërroi gjithçka por dua të them se ju jeni njerëzit më të mirë që kam njohur në gjithë vendet ku kam qenë, jeni popull i dashur, mirëpritës dhe bujar. Nuk jam këtu që të jap deklarata politike por dua të them se nuk jam i kënaqur më situatën në Kosovë. E kam menduar një Kosovë më ndryshe e jo si kjo”, tha Walker, i cituar në njoftimin e komunës.
Ambasadori amerikan William Walker, i cili ishte shef i Misionit verifikues të OSBE-së gjatë luftës në Kosovë, mbërriti në Kosovë në prag të 17 vjetorit masakrës së Reçakut.
Me homazhet në Kompleksin Përkujtimor dhe me një akademi është kujtuar në 17 vjetor masakra në Reçak, fshat i Kosovës në komunën e Shtimes, ku në 15 janarin e vitit 1999 forcat serbe rrëmbyen nga shtëpitë e tyre dhe ekzekutuan mbi 40 banorë civilë.
Me atë rast, në 15 janar 2016, u zhvillua edhe ceremonia e vendosjes së gurthemelit të shtatores së ambasadorit amerikan William Walker, që do të ndërtohet afër Kompleksit Përkujtimor në Reçak.
Pjesëmarrës në përkujtime, si edhe në vitet tjera të pasluftës, ishte edhe ambasadori amerikan William Walker, i cili derisa ishte shef i misionit verifikues të OSBE-së në Kosovë, në vizitën në vendin e masakrës e cilësoi atë krim kundër njerëzimit.
Rreth dy muaj pas masakrës së Reçakut, aviacioni i NATO-s, në ndërhyrjen shpëtimtare për popullin e Kosovës, filloi bombardimet kundër caqeve të forcave kriminale serbe, të cilat zgjatën 78 ditë, deri në kapitulimin e Slobodan Milosheviçit, kreut shtetëror në Beograd, i njohur edhe si “kasapi i Ballkanit”, i cili përfundoi në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë.
Në Kompleksi Përkujtimor Masakra e Reçakut, në Murin e Përkushtimit janë skalitur në mermer fotografitë e 44 martirëve-dëshmorëve.
Masakra e Reçakut është një nga dëshmitë rrënqethëse të krimeve në luftën e fundit në Kosovë, kur forcat serbe vranë, masakruan, por edhe zhdukën, më shumë se 12 mijë shqiptarë, e në fushatën e gjenocidit e spastrimit etnik rreth një milion i dëbuan, shumicën drejt Shqipërisë.
Në Kosovë, edhe pas mëse 17 viteve pas luftës, sipas Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, janë ende 1229 të pagjetur nga 6027 personat që nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar evidentoheshin të zhdukur, të lajmëruar nga familjarët, menjëherë pas luftës së përfunduar në 12 qershor 1999.
Të zhdukur ende të pagjetur janë 173 femra, 1056 meshkuj, 104 nën moshën 18 vjeçare, të cilët konsiderohen fëmijë sipas konventave ndërkombëtare dhe legjislacionit të Kosovës.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Behlul Jashari, nderohet Walker

Kosovë-Qeveria: 2016-ta, viti i Nënë Terezës

January 15, 2016 by dgreca

– Kryeministri Mustafa: Duke pasur parasysh që ky vit do të jetë vit i shenjtërimit të Nënë Terezës, këtë vit simbolikisht ta cilësojmë edhe si Vitin e Nënë Terezës në Kosovë, të cilin do ta shfrytëzojmë për afirmimin e humanizmit, afirmimin e mirëkuptimit, afirmimin e ndihmës, afirmimin e raporteve të mira dhe korrekte të paqes dhe dinjitetit në Kosovë/
-Qeveria e Republikës së Kosovës ka rishqyrtuar dhe miratuar Programin Legjislativ për vitin 2016 në të cilin përfshihet hartimi dhe miratimi i 87-të projektligjeve të reja dhe plotësimin dhe ndryshimin e ligjeve të vjetra/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 15 Janar 2016/ Viti 2016 është Viti i Nënë Terezës, e deklaroi sot qeveria e Republikës së Kosovës, drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, në mbledhjen e 70-të, ku rishqyrtoi programin legjislativ. Ishte kjo mbledhja e tretë në këtë vit, pas dy mbledhjeve brenda ditës së 8 janarit.
Kryeministri Mustafa, ka prezantuar iniciativën e zëvendëskryeministrit, njëherësh ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, që viti 2016 të cilësohet simbolikisht si Viti i Nënë Terezës në Kosovë. “Duke pasur parasysh që ky vit do të jetë vit i shenjtërimit të Nënë Terezës, këtë vit simbolikisht ta cilësojmë edhe si Vitin e Nënë Terezës në Kosovë, të cilin do ta shfrytëzojmë për afirmimin e humanizmit, afirmimin e mirëkuptimit, afirmimin e ndihmës, afirmimin e raporteve të mira dhe korrekte të paqes dhe dinjitetit në Kosovë”, ka thënë kryeministri Isa Mustafa.
Kabineti qeveritar unanimisht është pajtuar me këtë iniciativë.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka rishqyrtuar dhe miratuar Programin Legjislativ për vitin 2016 në të cilin përfshihet hartimi dhe miratimi i 87-të projektligjeve të reja dhe plotësimin dhe ndryshimin e ligjeve të vjetra.
Me vendimin e miratuar sot nga kabineti qeveritar është themeluar Komisioni për Planifikim Strategjik, i cili do të kryesohet nga kryeministri i Kosovës dhe që do të drejtojë procesin e Planifikimit të Integruar të Kosovës. Ky planifikim përfshin përcaktimin e prioriteteve strategjike të qeverisë, monitorimin e zbatimit të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim, monitorimin e Planit Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, strategjitë sektoriale, politikën fiskale, finalizimin e Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve, çështjet strategjike të investimeve publike dhe planin vjetor të punës së qeverisë.
Është aprovuar nisma e Ministrisë së Financave për negocimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare ndërmjet qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Gjermane për Zhvillim, KfW Frankfurt Am Main, për financimin e projektit “Largimi i Ujërave të Zeza në Jug-Perëndim të Kosovës, faza e IV”, në Komunën e Pejës. Projekti është një bashkëfinancim i fondeve të ndryshme, ndërsa marrëveshja parasheh një kontribut financiar të Bankës Gjermane për Zhvillim, KfW, në vlerë prej 9 milionë eurosh, për realizimin e këtij projekti.
Qeveria ka autorizuar Ministrinë e Financave që të bëjë transferet e mjeteve deri në vlerën prej 40 mijë eurove nga programi Shpenzimet e Paparashikuara.
Është aprovuar edhe kërkesa e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për kompensimin e shtesave dhe të stimulimit financiar për 74 gjyqtarët e krimeve të rënda për vitin 2016 në shumë prej 279,720 euro. Shtesa bruto për këta gjyqtarë është treqind euro në muaj.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin me të cilin udhëzohet Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare që të lëshojë autorizimin e përkohshëm dhe të kufizuar për operim të ndërmarrjet së re “MTS” D.O.O. Vendimi do të hyjë në fuqi ditën që autoriteti ndërkombëtar i telekomunikimeve do t’i ndaj Republikës së Kosovës kodin telefonik.
Kabineti qeveritar është informuar me Raportin mbi Performancën e të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore për vitin 2015. Raporti evidenton se gjatë viti 2015 janë realizuar të hyra buxhetore në vlerë prej 1 miliard e 452 milionë euro, që paraqet realizimin e të hyrave në masën prej 98,4% të të hyrave të projektuara, që janë 9% me të larta se vitin e kaluar. Shpenzimet në total kapin shifrën prej 1 miliard e 553 milionë euro, që është 95.2% e shpenzimeve të parashikuara, që janë 5.7% më të larta se vitin e kaluar.
Në mbledhjen e sotme është aprovuar vendimi për plotësimin dhe ndryshimin e vendimit të qeverisë së Kosovës për themelimin e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, sipas të cilit në këtë këshill do të jenë anëtarë edhe Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare dhe Këshilli i Investitorëve Evropian.
Vitin e ri qeveria e Kosovës e nisi me vendimin për rritjen e pensioneve të kontributdhënësve nga 140 në 158 euro si bazë fillestare, në mbledhjen e parë ku kryeministri Mustafa kërkoi nga ministrat dinamizim të punës së qeverisë, sidomos në Strategjinë e Zhvillimit Ekonomik, plotësimin e plotë të rekomandimeve të fundit që kanë mbetur lidhur me liberalizimin e vizave, në çështjen e zbatimit të Marrëveshjes me Bashkimin Evropian për Stabilizim Asociim, si dhe për përgatitjet e ligjit për pagat.
Në fillim të kësaj jave, kryeministri Mustafa ka mbledhur përfaqësuesit e institucioneve të ngarkuara për finalizimin e përmbushjes së rekomandimeve të fundit të Komisionit Evropian lidhur me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Përfaqësuesit e institucioneve u dakorduan që deri në ditën e sotme, 15 janar, të përgatitet raporti final lidhur me përmbushjen e rekomandimeve të fundit të Komisionit Evropian nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës, që më pas rezultatet konkrete t’i raportohen institucioneve relevante të BE-së.
“Bashkimi Evropian nuk e ka më asnjë arsye politike që Kosovës mos t’i jap liberalizimin e vizave”, tha dje kryeministri Mustafa, në takim me kryetarët e komunave.
Në dinamikën e axhendës, po dje, pasdite kreu i qeverisë kosovare zhvilloi një takim tjetër për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare asetit më të rëndësishëm strategjik të Kosovës – Trepçës, ku u shpreh “i bindur se zgjidhja e këtij problemi do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen ekonomike të Kosovës, përmes rritjes së eksporteve, përmes krijimit të një potenciali të zinxhirit prodhues, me vlerë të shtuar, të rritjes së punësimit dhe të rigjallërimit ekonomik të vendit”.
Qeveria e Kosovës, me kryeministër Isa Mustafën, e koalicionit të dy partive më të madha PDK e LDK, ku përfshihen edhe minoritetet, vazhdon punën në vitin e saj të dytë që nga zgjedhja në 9 dhjetor 2014, në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit.

Filed Under: Komente Tagged With: Behlul Jashari, qeveria, Viti i nene Terezes

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 196
  • 197
  • 198
  • 199
  • 200
  • …
  • 245
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT