• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Agjencia Kosovare e Privatizimit, Dëshira e President Rugovës dhe 14 vite zvarritje për RILINDJEN

December 29, 2015 by dgreca

Kosovë-AKP, 20 objektiva në Vitin e Ri 2016/

-Zëvendësdrejtori menaxhues në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Avni Jashari, aktualisht drejtuesi kryesor, prezantoi punën në 2015-tën, ndërsa theksoi përgatitjen e planit të punës lidhur me funksionimin në të ardhmen të Agjencisë në periudhën 2016-2018/

-Ndërmarrja Shoqërore Gazetare – gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja pret zgjidhjen e ligjëshme prej gati 14 vitesh/

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 29 Dhjetor 2015/ Për vitin 2016, menaxhmenti i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) ka përcaktuar 20 objektiva kryesore të punës, të cilat do të bëhen të ditura pas miratimit nga Bordi i Drejtorëve.
Në 17 dhjetor, Kuvendi i Kosovës në seancë plenare të përmbylljes së sesionit vjeshtor bëri emërimin e 8 anëtarëve-drejtorëve në Bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, pasi miratoi, me procedurë të përshpejtuar, ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për këtë agjenci.
Ndërkohë, gjatë vitit 2015 Agjencia Kosovare e Privatizimit nuk ka realizuar asnjë shitje të aseteve për shkak të mungesës së Bordit të Drejtorëve.
Në konferencën për shtyp e pritjen e fundvitit, ku ishte edhe korrespondenti në Kosovë i Gazetës Dielli, ushtruesi i detyrës së zëvendësdrejtorit menaxhues në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Avni Jashari, prezantoi punën në 2015-tën, ndërsa theksoi përgatitjen e planit të punës lidhur me funksionimin në të ardhmen të Agjencisë në periudhën 2016-2018.
“Qeveria e Republikës së Kosovës e ka përfshirë edhe Agjencinë Kosovare të Privatizimit në Planin e veprimeve 2015-2018 për zbatimin e programit qeverisës. Qeveria ka paraparë dy masa kryesore lidhur me Agjencinë Kosovare të Privatizimit: Përmbylljen e procesit të privatizimit dhe likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore dhe rishikimin e legjislacionit që rregullon funksionimin e Agjencisë për të siguruar llogaridhënie të rregullt dhe efikase”, theksoi Jashari, aktualisht drejtuesi kryesor.
Ai bëri të ditur se Agjencia Kosovare e Privatizimit ende nuk i ka shitur rreth 1500 asete të ndërmarrjeve shoqërore dhe se janë 29,373 raste në instanca të ndryshme gjyqësore.
Duke folur për sfidat kryesore në periudhën e ardhëshme, drejtuesi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Avni Jashari, theksoi, mes tjerash, përshpejtimin e procesit të shitjes dhe trajtimit të aseteve në mënyra të tjera, ndërmarrjen Trepça, pagesën e mjeteve të shpronësimit nga qeveria e Republikës së Kosovës për shpronësimet e vendosura në pronat shoqërore.
“Për asnjë ndërmarrje shoqërore nuk mund të mbyllet procesi i likuidimit pa u paguar fondet e shpronësimit, prej të cilave poashtu pritet të paguhet 20 përqindëshi për punëtorët e ndërmarrjeve shoqërore”, tha Jashari.
Që prej themelimit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit në vitin 2008 (më parë emërtohej Agjenci Kosovare e Mirëbesimit), qeveria nuk e ka paguar asnjë shpronësim për pronat shoqërore. Deri në 10 shtator 2015 janë marrë gjithësej 555 vendime për shpronësime të pronave shoqërore. Gjatë vitit 2016 parashihet që Agjencia të dërgojë letrat formale me kërkesë për pagesë të këtyre shpronësimeve.
Në 23 majin e vitit 2014, pjesë e vendimeve të qeverisë ishte edhe vendimi përfundimtar i shpronësimit për interes publik të ngastrave kadastrale në të cilën ndodhen objektet e Ndërmarrjes Shoqërore Rilindja, e në këtë kuadër Pallati Rilindja tash ndërtesë qeveritare.
“Sa i përket shpronësimit të Pallatit të Rilindjes është çështje e dakordimit të veprimit me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, sepse në atë rast ne paguajme vetëm 20 përqindëshin që u takon punëtorëve”, theksonte ministri i Financave në qeverinë e Kosovës, Avdullah Hoti, i pyetur nga korrespondenti në Kosovë i Gazetës Dielli në një konferncë shtypi në tetor.
Pas shpronësimit dhe në kuadër të procesit të ligjshëm të privatizimit pritet e kërkohet edhe ridalja e gazetës së përditëshme tradicionale të Kosovës Rilindja, e cila ka nisë të dalë në Prizren para 70 vitesh, në 12 shkurt 1945. Gazeta historike e Kosovës Rilindja, e cila ka filluar të dalë në frymën e Konferencës së Bujanit e me anagzhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana, është mbyllur detyrimisht para gati 14 vitesh me dëbim të kundërligjshëm e të padrejtë nga Pallati i saj në Prishtinë nga administrata e UNMIK në 21 shkurt 2002. Pas kësaj date gazeta Rilindja ka dalë me numra protestues të jashtëzakonshëm, të kohëpaskohshëm.
Gazeta Rilindja, kronikë e zhvillimeve historike të Kosovës, pasi doli me botime speciale edhe për ngjarjen historike të shpalljes së pavarësisë në 17 shkurt 2008 dhe për njohjet ndërkombëtare që pasuan, ka përmbyllë daljet e mëse 40 numrave protestues para 7 viteve, në 30 dhjetor 2008, me numrin e festës së Vitit të Ri 2009, me paralajmërimin në ballinë: “Duke besuar në sundimin e ligjit në shtetin e Kosovës presim që nga numri i ardhshëm Rilindja të dalë përditë”, krahas titullit “Ministri Bajrami: Qeveria do të përkujdeset për Pallatin dhe për punëtorët e Rilindjes, e gatshme ta ndihmojë daljen e gazetës”.
Ky paralajmërim ishte si rezultat i këtij premtimi dhe të drejtës së ligjëshme, duke besuar se Rilindjen do rifillojë të dalë e pёrditshme edhe para privatizimit me statusin qё ka tё ndёrmarrjes shoqёrore, pas pёrfundimt tё rinovimit tё Pallatit Rilindja qё u bё.
Me rastin e rifillimit të punëve për rinovimin e Pallatit të Rilindjes, më 7 nëntor 2008, ministri i atëhershëm i Administratёs Publike, Arsim Bajrami edhe në konferencën e shtypit me atë rast theksonte premtimin për zgjidhjen e ligjshme që do duhej të bëhej edhe për gazetën tradicinale të Kosovës Rilindja.
“Pallatin e Rilindjes përkohësisht e merr Qeveria nën pëkujdesje, ne do të kemi përkujdesje edhe ndaj punëtorëve të Rilindjes. Punëtorët e Rilindjes i kemi pasë pjesë të procesit…” , theksonte ministri Bajrami.
Punimet për rinovimin e Pallatit të Rilindjes rifilluan pasi ai ishte lënë si gërmadhë nga e ashtuquajtura “zhveshje e brendshme”, pas vendimit të qeverisë së Kosovës të datës 15 shkurt 2005 për ndërprerjen e punimeve që po zhvilloheshin – anulimin e kontratës për renovim “për shkak të paqartësive juridike në lidhje me pronësinë dhe menaxhimin e objektit”. Kjo pasoi insistimet e vazhdueshme të Rilindjes dhe të Agjencisë Kosovare të Mirbesimit (tash Agjencisë Kosovare të Privatizimit) për pronësinë, si dhe përgjigjen në letrën zyrtare të Rilindjes me shkresë poashtu zyrtare përkrahëse të kreut të UNMIK-ut, kryeadministratorit, Harri Holkeri, në 3 nëntor 2003. Holker në letërën dërguar gazetës Rilindja shkruante edhe se, “UNMIK-u do të bëjë gjithë çka është e mundur për të gjetur lokale alternative në mënyrë që kompania juaj të rifillojë punën në sektorin medial”, duke mbështetur edhe në të drejtën e pronësisë, të shkelur nga kryeadministratori para tij, Hans Haeekerup, në kohën e të cilit gazeta e përditëshme tradicionale e Kosovës Rilindja u dëbua nga Pallati i saj.
Meqë edhe pas rinovimit të Pallatit nuk u përmbushën premtimet dhe nuk u bë zgjidhja e duhur e ligjshme për Rilindjen, kjo gazetë iu drejtua atëherë zëvendëskryeministrit dhe ministrit edhe aktual të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, i cili në përgjigjen me shkresë zyrtare tё datёs 2 maj 2012, shprehte sigurime institucionale në emër të qeverisë dhe personale “pёr zgjidhje tё drejtё dhe ligjore tё problemit tё objektit dhe tё punёtorёve tё Rilindjes”.

PRESIDENTI HISTORIK I KOSOVËS, DR. IBRAHIM RUGOVA NË DHJETORIN 2002: DUHET TA AKTIVIZOJMË GAZETËN RILINDJA, QË KA NJË TRADITË

Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në funddhjetorin e para 13 viteve, priti në Rezidencën Presidenciale në Prishtinë Kryetarin e Këshillit Drejtues dhe Kryeredaktorin e gazetës Rilindja, Behlul Jashari, me ç’rast i dha një intervistë ekskluzive, duke i dhënë kështu edhe mbështetjen e fuqishme institucionale krijimit të mundësive dhe kushteve për rifillimin e botimit të gazetës simbol i traditës së informimit në Kosovë.

Intervista ekskluzive u publikua në botimin special të gazetës Rilindja në ditën e 31 dhjetorit 2002 për festën e Vitit të Ri 2003. Intervista duke nisur nga ballina me kryetitullin “Kosova e pavarur në NATO e në BE dhe në miqësi të përhershme me SHBA” u botua në 5 faqe – 1,2,3,4 dhe 5.

Intervistën me Presidentin historik Dr. Ibrahim Rugova e ka zhvilluar kryeredaktori i gazetës historike e tradicionale Rilindja, Behlul Jashari, aktualisht korrespondent në Kosovë i gazetës Dielli.

Nga intervista e gjatë, ja pyetjet-përgjigjet lidhur me gazetën Rilindja:/

RILINDJA: Z. President, falemnderit për këtë intervistë për botimin special të gazetës «Rilindja» për Vitin e Ri. Kemi edhe një falënderim të madh për Ju zoti President i Kosovës për mbështetjen dhe angazhimet për një zgjidhje institucionale për gazetën tradicionale të Kosovës «Rilindja», të cilës shpresojmë se së shpejti do t’i krijohen kushtet dhe mundësitë të rifillojë botimin e rregullt. Mendojmë që është një rast shumë i mirë që «Rilindja» të rifillojë botimin e rregullt në ditën e përvjetorit të saj të 58-të, më 12 shkurt 2003. Shfrytëzojmë rastin, dhe kemi nderin dhe kënaqësinë, që qysh tash t’Ju ftojmë në festën, në solemnitetin që do të bëjmë, edhe për Ditën e Rilindjes edhe për rifillimin e botimit të gazetës «Rilindja».
PRESIDENTI RUGOVA: Unë ju kam premtuar përkrahje edhe më herët. Duhet të shikojmë, po flas praktikisht, si ta aktivizojmë gazetën, që ka një traditë. S’po flasim më shumë, e dimë të gjithë.
Pastaj, me emrin «Bujku», këtu dhjetë vite ka mbajur të gjallë informimin e brendshëm në Kosovë, pra derisa bëmë edhe Televizionin Satelitor. Kjo ka qenë shumë e rëndësishëme. Pra, ishte një bazë e informimit në Kosovë. Dhe, një mirënjohje për ju dhe të gjithë ata që në këto vite të vështira punuan dhe mbajtën të gjallë informimin në Kosovë.
Duhet të shikojmë praktikisht si të aktivizohet gazeta «Rilindja», t’i sigurohet vendi. Duhet të bisedohet dhe të shihen mundësitë. Edhe zyra ime për informim do të interesohet për këtë çështje; besoj edhe komisioni për media i Parlamentit, që është krijuar tash së voni, edhe institucionet e tjera. Duhet parë punën e statusit të «Rilindjes». Ju mund të jeni si gazetë e pavarur, por duhet të shikojmë sa mund të ndihmoheni nga institucionet tona.Është shumë mirë që gazeta “Rilindja” edhe në këto kushte gjatë kësaj kohe të fundit ka dalë me botime të kohëpaskohshme për ngjarje e data të rëndësishme, duke vazhduar të jetë histori e shkruar e Kosovës, dhe ruan në një mënyrë vazhdimësinë deri në rifillimin e botimit të rregullt.
RILINDJA: Z. President, Ju falënderojmë shumë për këtë përkrahje të madhe për “Rilindjen”. Shfrytëzojmë rastin, kemi nderin dhe kënaqësinë, që t’ Ju urojmë: Gëzuar Vitin e Ri 2003, më shumë shëndet, mbarësi, suksese për Ju dhe për gjithë Kosovën.
PRESIDENTI RUGOVA: Urime, po ashtu, edhe Juve, me shumë suksese dhe për punën që po bëni, për “Rilindjen”, që ta kemi së shpejti përditë. Falemnderit.
…Korrespondenti në Kosovë i Gazetës Dielli, Behlul Jashari, ishte Kryeredaktor i gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja deri në numrin e fundit dhe në kohën e dëbimit të kundërligjshëm e të padrejtë nga Pallati i Rilindjes nga administrata e UNMIK-ut.
Foto Gazeta Deilli-Behlul Jashari: Konferenca vjetore për shtyp e Agjencisë Kosovare të Privatizimit

Filed Under: Analiza, Interviste Tagged With: 14 vite zvarritje, Behlul Jashari, dr. Rugova, Gazeta Rilindja

PRESIDENTI HISTORIK RUGOVA PARA 15 VITEVE PARLAJMËRONTE NJOHJEN E PAVARËSISË SË KOSOVËS

December 29, 2015 by dgreca

Në foto: Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova dhe gazetari Behlul Jashari, 29 dhjetor 2000 në Rezidencën Presidenciale në Velani – Prishtinë/
PRESIDENTI HISTORIK RUGOVA PARA 15 VITEVE PARLAJMËRONTE NJOHJEN E PAVARËSISË SË KOSOVËS/
-Dr. Ibrahim Rugova: Objektiv nacional do të jetë njohja sa më parë e pavarësisë së Kosovës/
Nga korrespondenti në Kosovë i Gazetës Dielli, Behlul Jashari/
PRISHTINË, 29 Dhjetor 2015/ Presidenti historik i Kosovës dhe kryetar i LDK-së, Dr. Ibrahim Rugova, para 15 viteve, pikërisht në 29 dhjetor 2000, gjatë pritjes së organizuar në Rezidencën Presidenciale në Velani, në Prishtinë, në prag të Vitit të Ri 2001 dhe të fillimit të Milenumit të Tretë, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetës tradicionale Rilindja – të redaktorit të saj, tash korrespondent në Kosovë i Gazetës Dielli, paralajmëronte njohjen e pavarësisë së Kosovës. “ E presim momentin më të mirë, momentin e duhur, në kohën e duhur”, theksonte Rugova duke shtuar se “vendi është, është vendi i duhur” – Kosova.

Ja shkrimi i plotë, botuar në gazetën Rilindja në Prishtinë, në numrin festiv të Vitit të Ri, në 30 dhjetor 2000:

Kryetari i LDK-së, Ibrahim Rugova, deklaron për “Rilindjen”:

PAVARËSIA E KOSOVËS DO TË NJIHET NË MOMENTIN E DUHUR DHE NË KOHËN E DUHUR

-Zgjedhjet lokale të 28 tetorit – ngjarja e Vitit 2000, ndërsa zgjedhjet nacionale parlamentare e presidenciale do të shënojnë Vitin 2001.-Për Luginën e Preshevës duhet të fillojë një dialog me palën shqiptare dhe me bashkësinë ndërkombëtare, ndërsa kërkesat e Beogradit për heqjen e zonës së sigurisë janë të paqëndrueshme dhe lojë.-Në Mitrovicë duhet të bëhet integrimi administrativ i qytetit dhe të fillojë funksionimi i asamblesë komunale unike.-Rugova përkujtoi me emocione gazetarin e “Rilindjes” Shefki Popova dhe këshilltarin e tij, Xhemajl Mustafa/
—
Për kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, ngjarje e vitit 2000 ishin zgjedhjet lokale të 28 tetorit në Kosovë, ndërsa ngjarja që do ta shënojë vitin 2001 do të jetë mbajtja e zgjedhjeve nacionale presidenciale e parlamentare.
“Të mira, të mira…”, përsëriti disa herë kryetari i LDK-së, Ibrahim Rugova, i pyetur nga “Rilindja” se cilat janë parashikimet e tij, në prag të Vitit të Ri 2001, për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Për njohjen e pavarësisë së Kosovës “e presim momentin më të mirë, momentin e duhur, në kohën e duhur”, theksoi Rugova duke shtuar se “vendi është, është vendi i duhur”.
Përgjigja u shoqërua me duartrokitje të gazetarëve të pranishëm dhe me urime, në një atmosferë të gëzuar të pritjes së organizuar në rezidencën e Rugovës në prag të Vitit të Ri 2001 dhe të fillimit të Milenumit të Tretë.
Ndërsa, duke u përgjigjur në një pyetje tjetër, Rugova tha: “Unë nuk i ndërroj fjalët shumë, por kur ndryshojnë gjërat i ndryshoj edhe fjalët. Jam duke punuar në ndryshimin e gjërave të mëdha, pra, si pavarësia, etj, që të njihen”.
Rugova falënderoi gazetarët e pranishëm në pritjen tradicionale për Vitin e Ri dhe i përgëzoi për punën e tyre.
“Ju kam ftuar në këtë pritje për t’iu shprehur respektin për punën që keni bërë gjatë vitit që po lëmë pas për rindërtimin e Kosovës, në fushën politike, ekonomike, sociale, etj. Mund të themi se gjatë këtij viti, edhe në fushën e informimit dhe të gazetarisë kemi pasur një progres të mirë, falë përpjekjeve tuaja, të bashkësisë ndërkombëtare dhe të administratës së përbashkët”, tha Rugova duke iu drejtuar gazetarëve.
“Sot, pas një viti e gjysmë të lirisë, vazhdoi ai, veprojnë disa kanale televizive, radio e gazeta të përditshme në Kosovë. Ne dëshirojmë që të konsolidohen këto mjete të informimit që veprojnë dhe të bëhen të tjera të reja. E di se keni vështirësi të shumta, por jeni treguar të fortë e të qëndrueshëm. Ju falenderoj për kontributin tuaj gjatë organizimit të zgjedhjeve lokale që ishin ngjarje e vitit. Shpresojmë se do të kontriboni më shumë edhe për zgjedhjet nacionale, presidenciale e parlamentare, që do të shënojnë vitin që po vjen. Në vitin që po vjen do të gëzoni përkrahjen tonë, do t’i kaloni vështirësitë që të keni mundësi më të mëdha se më parë. Por, sot kam një dëshirë që mjetet tona të informimit të sjellin sa më shumë informata të gjithanshme për shoqërinë kosovare, për gjithë popullin e Kosovës”.

Kryetari i LDK-së, Rugova, në vazhdim përkujtoi me pietet gazetarët e vrarë.

“Gjatë këtij viti patëm humbjen e kolegëve tuaj, gazetarit të ‘Rilindjes’ Shefki Popova dhe të këshilltarit në zyrën e LDK-së të Republikës së Kosovës Xhemajl Mustafa. Duhet të bëjmë çmos që të sigurohet jeta dhe puna juaj”, tha Rugova me shumë emocione e shprehje dhembjeje.

Në vazhdim Rugova uroi gazetarët që në vitin që po vjen të vazhdojnë veprimtarinë në ndërtimin e lirisë, demokracisë e pavarësisë së Kosovës, që të kontribuojnë në ndërtimin e kulturës shtetërore, të informimit publik e të shoqërisë civile, për ndërtimin dhe pajtimin e shoqërisë kosovare.

Rugova u shpreh për një shtyp e informim përgjithësisht të lirë e të hapur. “Informatat duhen shumë, ato janë gjithmonë të rëndësishme, komentet, analizat, dhe për këtë është liria juaj dhe përgjegjësia juaj”.

Sado që u shpreh se nuk do të dëshironte pyetje dhe se gazetarët i kishte ftuar për t’ua uruar Vitin e Ri, që të kenë pak pushim, Rugova u përgjigj edhe në dias pyetje. Situatën në Kosovë përgjithësisht e vlerësoi të mirë.

Ndërsa, për Luginën e Preshevës Rugova theksoi qëndrimin se “duhet të fillojë një dialog me palën shqiptare, me Beogradin dha bashkësinë ndërkombëtare, të çmilitarizohet rajoni”.

“Ne jemi të interesuar që të ruhet popullata në Preshevë. Ju i dini qëllimet e Beogradit që kanë qenë, pastrami i korridorit Selanik-Beograd, që është shumë i rëndësishëm. Por, janë shenjat e mira se do të kemi një dialog të përgjithshëm”, tha Rugova.

Ai shprehu qëndrimin kundër heqjes së zonës së sigurisë në kufirin midis Kosovës e Serbisë, ndërsa për kërkesat e Beogradit për heqjen e kësaj zone sigurie tha se “ato janë të paqëndrueshme, janë lojë”.

Për çështjen e Mitrovicës së ndarë Rugova tha se “kërkojmë një integrim administrative të qytetit pas zgjedhjeve që janë mbajtur”. Rugova theksoi faktin se serbët kanë deklaruar se i pranojnë zgjedhjet e Kosovës, se përfaqësuesit e tyre në asambletë komunale janë nominuar nga ana e UNMIK-ut, gjegjësisht nga administratori i OKB-së në Kosovë, Bernar Kushner, duke përfunduar se shpreson se së shpejti do të fillojë funksionimi i asamblesë komunale unike të Mitrovicës.

Behlul JASHARI

***

DR. IBRAHIM RUGOVA: OBJEKTIV NACIONAL DO TË JETË NJOHJA SA MË PARË E PAVARËSISË SË KOSOVËS

-Mesazhi drejtuar qytetarëve të Kosovës për Vitin e Ri 2001/

Prishtinë, 29 dhjetor 2000/ Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dr. Ibrahim Rugova, me rastin e Vitit të Ri 2001, u ka drejtuar qytetarëve të Kosovë një mesazh përgëzimi, në të cilin thuhet:

Viti që po lëmë mbas ishte viti i dytë i lirisë së Kosovës. Gjatë këtij viti Kosova pati një progres të madh në të gjitha fushat e jetës. U krye një pjesë e madhe e rindërtimit të vendit. U bë një ringjallje shpirtrore e morale e njerëzve dhe e jetës në përgjithësi.

Pra, gjatë vitit që po lëmë mbas u vunë bazat e jetës institucionale me funksionimin e administratës së përbashkët në rrafshin nacional e lokal. Kosova edhe këtë vit gëzoi përkrahjen ndërkombëtare dhe arriti që të krijojë gjysmën e të ardhurave kombëtare, që është një hap i madh drejt zhvillimit ekonomik e social.
Ngjarje me rëndësi për Kosovën ishin zgjedhjet lokale të mbajtura në tetor, që ishin një hap kyç në vendosjen e rendit demokratik. Me këto zgjedhje populli dhe qytetarët e Kosovës treguan se janë të aftë të udhëheqin Kosovën, se janë të përcaktuar për ndërtimin e lirisë, të paqes, të pavarësisë e të demokracisë. Me këto zgjedhje u përmirësua imazhi i Kosovës në botë, si vend që ecën drejt stabilitetit politik e demokratik.
Viti në të cilin po shkelim, pra Viti i Ri i fillimit të mijëvjeçarit të tretë i integrimeve të popujve evropianë e botërorë në planin shpirtror e ekonomik, Kosovën e gjen më të fortë, më të gatshme për t’u integruar në Evropë e në NATO. Në vitin që po vjen një prej objektivave qendrore do të jenë zgjedhjet nacionale: presidenciale e parlamentare që do të plotësojnë kuadrin shtetëror të Kosovës. Objektiv nacional si deri tash, do të jetë njohja sa më parë e pavarësisë së Kosovës, që do të qetësojë rajonin tonë. Do të punojmë në forcimin e pushtetit lokal që të jetë sa më efikas dhe më afër qytetarëve.
Objektiv tjetër do të jetë zhvillimi ekonomik, investimet, privatizimi dhe krijimi i vendeve të punës për të rinjtë si dhe sigurimi i mirëqenies sociale. Do të forcohet mbrojtja dhe integrimi i minoriteteve në jetën politike e demokratike të Kosovës.
Në të mirë të paqes, të prosperitetit e të pavarësisë së Kosovës, duhet të angazhohemi të gjithë t’u japim fund akteve të dhunës me motive të ndryshme.
Objektiv qendror do të jetë vazhdimi i bashkëpunimit me UNMIK-un, KFOR-in dhe me OSBE-në.
Në këtë ndërrim motesh, urime të përzemërta Juve dhe familjeve Tuaja për jetë më të mirë e më të lumtur.
Në këtë natë gëzimi, i përkujtojmë të gjithë ata që ranë për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës.
Urim të veçantë u bëjmë ushtarëve dhe komandatëve të KFOR-it. Po ashtu urim të përzemërt i bëjmë UNMIK-ut, OSBE-së, përfaqësive diplomatike në Prishtinë si dhe organizatave joqeveritare e agjencive ndërkombëtare në Kosovë.
Urim të përzemërt i bëjmë Presidentit Klinton, i cili e përfundoi mandatin e vet me sukses për SHBA e për botën, e sidomos për Kosovën. Ai do të mbetet hero nacional i Kosovës.
Urime më të mira Presidentit të zgjedhur Bush, Kryeministrit Bler, Presidentit Shirac dhe Kancelarit Shrëder si dhe Zonjës Ollbrajt, që do të mbetet Zonjë e Kosovës.
Gëzuar Viti i Ri 2001.
Zoti e bekoftë Kosovën.

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, paralajmeroi Pavaresine, Presidenti Historik i Kosoves

Kosova, vit me kohë të humbur

December 28, 2015 by dgreca

-Kryetari Kuvendit të Republikës, Kadri Veseli: Kosova kalon një vit të vështirë me kohë të humbur, pret një tjetër/
-Vizioni ynë është integrimi euroatlantik, ndërsa partneriteti ynë është bota perëndimore, tha në vazhdim kryetari Veseli, ndërsa shtoi se dëshmia më e mirë e kësaj janë liria, pavarësia dhe shtetndërtimi ynë/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 28 Dhjetor 2015/ Kosova ka kaluar një vit të vështirë me kohë të humbur dhe pret një tjetër, tha kryetari Kuvendit të Republikës, Kadri Veseli në pritjen e fundvitit për gazetarët e akredituar dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile.
Në pritjen ku ishte edhe korrespondenti në Kosovë i gazetës Dielli, kryeparlamentari Veseli e konsideroi vitin 2015 një vit i vështirë, si për funksionarët institucionalë, ashtu edhe për përfaqësuesit e mediave, ndërsa falënderoi për përkushtimin e dëshmuar si media të lira dhe raportimin korrekt mbi zhvillimet në vend.
“Duke lënë anash të gjitha mospajtimet politike në mes pozitës dhe opozitës, duhet të pranojmë se këtë vit, Kosova u ballafaqua me testin e funksionimit si shtet demokratik dhe ligjor. Duhet të jemi realistë, këtë test, ende nuk e kemi kaluar. Kuvendi i Kosovës u ballafaqua me një situatë të paprecedent, jo vetëm për parlamentarizmin tonë, por edhe më gjerë”, theksoi kryetari Veseli.
Ai tha se pengimi i punës së Kuvendit me veprime jo parlamentare ka shkaktuar dëme në shumë drejtime: është dëmtuar demokracia parlamentare e Kosovës, ende e brishtë, është dëmtuar imazhi i Kosovës te partnerët ndërkombëtarë dhe te qytetarët, me praktikën e thyerjes së ligjeve pikërisht në vendin ku miratohen ligjet.
“Është humbur kohë dhe energji në një axhendë tërësisht negative dhe depresive, duke lënë anash interesin më primar të qytetarëve të Kosovës – zhvillimin ekonomik, duke lëkundur, në të njëjtën kohë, partneritetin me miqtë dhe mbështetësit e shtetit tonë, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet tjera perëndimore”, u shpreh kryeparlamentari Veseli.
Është e qartë, vijoi ai, se në vitin që po vjen, duhet të bëjmë, saktësisht, të kundërtën e këtij bilanci negativ.
“Pra, jo bllokadë e pozicione rigjide, por dialog në mes pozitës dhe opozitës, për të gjitha shqetësimet e ngritura, dilemat dhe dyshimet. Jo argumente të forcës fizike, por fuqi të argumenteve politike në Kuvendin e Republikës së Kosovës, jo qëndrime arrogante karshi partnerëve ndërkombëtarë, por thellim i partneritetit me ta”, theksoi kryeparlamentari Veseli.
Vizioni ynë është integrimi euroatlantik, ndërsa partneriteti ynë është bota perëndimore, tha në vazhdim kryetari Veseli, ndërsa shtoi se dëshmia më e mirë e kësaj janë liria, pavarësia dhe shtetndërtimi ynë.
Duke folur për raportet e Kuvendit me mediat dhe publikun në përgjithësi, kryetari Veseli theksoi se që në fillim të punës së tij si kryetar i Kuvendit, është udhëhequr nga platforma e transparencës parlamentare.
“Transparenca është parim demokratik, por ky parim nuk mund të përmbushet pa punën e mediave të lira dhe organizatave të shoqërisë civile. Në këtë drejtim, raportin e Kuvendit me media dhe shoqërinë civile, e kam parë vazhdimisht si raport partneriteti. Jam i lumtur që pas 1 viti të punës, të konstatoj se zgjerimi i qasjes së mediave në punën parlamentare dhe krijimi i hapësirave të reja për prezencën e shoqërisë civile në punën e Kuvendit të Kosovës, i ka ndihmuar shumë zhvillimit të parlamentarizmit”, theksoi kryetari Veseli, duke shprehur përkushtimin që në vitin që po vjen, të ecet më tutje në këtë drejtim.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha transparenca institucionale është angazhim i përditshëm dhe ka shumë gjëra që duhen ndryshuar dhe bërë më mirë.
Në solemnitet, në emër të komunitetit të gazetarëve, foli kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Zekirja Shabani, ndërsa nga shoqëria civile, përfaqësuesi i Institutit Demokratik të Kosovës – KDI-së, Albert Krasniqi. Shabani dhe Krasniqi çmuan bashkëpunimin midis gazetarëve dhe shoqërisë civile në njërën anë, dhe Kuvendit të Kosovës, në anën tjetër, duke theksuar, njëkohësisht, përkushtimin për ta thelluar më tej këtë bashkëpunim, në funksion të kultivimit të mëtejmë të demokracisë parlamentare.
Kuvendi i Kosovës prej më shumë se tre muajsh, nga fillimi i sesionit vjeshtor me seancën e 17 shtatorit, bllokohet nga opozita, në kundërshtim të 4 marrëveshjeve të 25 gushtit me Serbinë dhe marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, edhe me gjuajtje gazi lotsjellës në seanca e jashtë tyre, pas të cilave zhvillime ka pasur edhe deputetë opozitarë të arrestuar.
Në 17 dhjetor, Kuvendi i Kosovës ka përmbyllur seancat plenare për vitin 2015 me emërimin e 8 anëtarëve-drejtorëve në Bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
“Aktulisht nuk kemi asnjë çështje në pritje për shqyrtim në seancën plenare të Kuvendit. Shkojmë në pushimin, të cilin e kemi dimëror”, është shprehur në përmbyllje të seancës së fundit në këtë vit, kryeparlamentari kosovar Veseli.
“Në të njëjtën kohë, kishim dëshiruar që të kthehet normaliteti për të gjithë deputetët në Kuvendin e Republikës së Kosovës. I përshëndesim organet e rendit dhe të drejtësisë për punën e tyre dhe shpresoj se do t’i lirojnë të kthehen në familjet e tyre, veçanërisht para festave të fundvitit, kolegët tanë deputetë”, tha kryeparlamentari Veseli në seancën në sallë alternative pa opozitën.
Pas zhvillimeve me gaz lotsjellës në Kuvend, Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se, “numri total i deputetëve opozitarë të arrestuar në datën 14 dhjetor është nëntë, ndërsa numri total i deputetëve të arrestuar është 13”.

Filed Under: Komente Tagged With: Behlul Jashari, kosova, Veseli Kadri, vit me kohe te humbur

Kosovë-Viti i Ri 2016 vjen pa dëborë e me acar

December 28, 2015 by dgreca

PRISHTINË, 28 Dhjetor 2015/ Në Kosovë Viti i Ri 2016 do të vijë pa reshje dëbore, sipas parashimit të Institutit Hidrometeorologjik.
“Masat e ftohta të ajrit të cilat priten të vijnë nga ana veriore do të ndikojnë që në natën e fundit të vitit 2015 të ketë ulje të theksuara të temperaturave të përcjellura me acar”, thekson njoftimi i dërguar.
Insituti Hidrometeorologjik thekson se, aktualisht këto ditë “derisa në viset me lartësi mbidetare mbi 850 metra po mbanë mot me rreze dielli, në viset e ulëta mbetet mjegulla e cila ka përfshirë tërë territorin e Kosovës”.
Ndërkohë, në Kosovë vazhdojnë përgatitet për pritjen e festimet e Vitit të Ri 2016, të 17-tin në vitet e lirisë e të 8-tin në vitet e pavarësisë tradicionalisht në sheshe qytetesh edhe me koncerte e fishekzjarre.
Në Prishtinë janë bërë dekorime për festat e fundvitit, bredhat me stoli janë vendosur në sheshe dhe në “porta hyrëse” të kryeqytetit të Kosovës./b.j/

Filed Under: Komente Tagged With: Behlul Jashari, Kosovë-Viti i Ri 2016 vjen, pa dëborë e me acar

Kosovë-Ëndrra dhe fantastikja e para dy dekadave

December 27, 2015 by dgreca

Foto Gazeta Dielli – Behlul Jashari: Prishtina, pamje nga kati 11 i ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, 19 dhjetor 2015/
-Reportazhi i ardhmërisë: Një ditë e një viti që vjen/
Nga Behlul Jashari/.-PRISHTINË, 27 Dhjetor 2015/ Para dy dekadave, pikërisht në 27 dhjetor, kam shkruar reportazhin futuristik “Një ditë e një viti që vjen”, ku personazhi ishte gazetari i Agjencisë Shqiptare të Lajmeve, i ardhur nga Tirana në Kosovën e lirë. Shumë nga ato që në atë reportazh dukeshin si ëndërr, që i kasha fantazuar-parashikuar, janë realizuar.
Është një nga reportazhet futuristike që i shkruaja çdo fundit, një nga shumë shkrimet që meqë nuk mund të lidhesha me Tiranën drejtpërdrejtë nga Prishtina i dërgoja me telefax në Zvicer, Gjermani, Turqi, Maqedoni, madje edhe në Australi, që t’i përcjellin.
“JU LUTEM ËPRCILLNE NË TIRANË 34230”, kam shkruar me dorë në faqen e tretë, në fund të reportazhit, të shkruar brenda ditës së para dy dekadave për të tretën herë – së fundi në kompjuter për ta nisur me telefax, po që nuk arrita të lidhem drejpërdrejtë, pasi nuk kisha arritur të lidhem as me telex, ku e kisha shkruar së dyti në një shirit të gjatë të shifruar, e pasi së pari e kisha shkruar me një makinë të vjetër shkrimi…
Për të katërtën herë e radhita-përshkrujta sot në llaptop nga dokumenti, që ka shpëtuar bashkë me ato pak gjëra që kisha arritur t’i fsheh brenda murit të banesës në Prishtinë para se unë të ikja dhe të hynte aty policia serbe në marsin 1999.
E përshkruajta krejt si është në dokument, me mbititull e titull. Në gjuhën që kam përdorur aty Telekomit i thoja Telekombi me idene e një telefonije-poste kombëtare.
Në kohën e viteve të rënda të okupimit me shkrimet futuristike e shihja dhe e përshkruaja Kosovën e së ardhmes, të lirë, shtet, të ëndërrave.
Një nga reportazhet futuristike ishte edhe “Udhëtimi për në Prizren…”, që e kam shkruar më pas, para 19 viteve, dhe është botuar në 31 dhjetor 1996. Personazhi, e nisura nga Arta, jugu i trojeve ku flitet shqip, në kërkimet e saj drejt “Mollës së Kuqe”, ku tregohet se dikur ishte kufiri verior, shkoi edhe në qytetin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku ndodhte diç e ngjashme me takimin e parë historik të qeverive të Shqipërisë e Kosovës në 11 janar 2014 pikërisht në Prizren.

Kur shkruaja reportazhet futuristike ishte koha kur mes Kosovës dhe Shqipërisë ishte “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”, si e titulloja reportazhin që u botua në 19 mars 1996, dhe kur “Sa afër e sa larg Shqipëria” shprehesha në titullin e shkrimit botuar në 11 gusht po atë vit.
Të gjitha këto shkrime i botoja edhe në Kosovë edhe në Shqipëri, duke thyer kufirin e hekurt me shkrimet shqip, dhe tituj të tyre gjejë edhe sot në “Paraqitje e shkurtër e regjistrimeve të gjetur” të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.
Ky ishte reportazh i para 2 dekadave – vitit 1995:

KOSOVË: REPORTAZHI I ARDHMËRISË

Një ditë e një viti që vjen

PRISHTINË, 27 dhjetor /ATSH-Behlul Jashari/.-Cingërron telefoni, ku ta dish për të satën herë, dhe e zgjon. “Mirëmëngjes, keni porositur zgjimin”, i thotë një zë plot gjallëri nga Telekombi i Prishtinës, pasi kishte ngritur përgjumshëm receptorin. Kishte fjetur vonë. Nuk ishte ëndërr: mbrëmë kishte parë në Teatrin e Operës e Baletit të kryeqytetit të Republikës së Kosovës “Valsin e pranverës”, pastaj me kolegët gazetarë të “Rilindjes” kishte ndejur e ngritur ndonjë gotë në restorantin “Kulla” në teracën mbi katin e gjashtëmbëdhjetë të Pallatit të Shtypit. Pastaj në dhomën e hotelit “Bozhuret” kishte shfletuar e lexuar botimin e mbrëmjes të gazetës “B” (‘Bujkut” të dikurshëm) derisa e kishte zënë gjumi. Ishte gazetar nga Tirana dhe kishte ardhë të raportojë për një kohë nga Prishtina.

Hapi televizorin. I pëlqente shumë të shikojë programin e Televizionit Shqiptar të Prishtinës që në atë orë jepte këngë dhe valle të ansamblit folklorik “Rugova”, po edhe priste padurim të shoh Teletekstin në Televizionin Shqiptar të Tiranës, ku me siguri do të emetohej lajmi i tij i parë që kishte dërguar nga Kosova nga zyrat e Agjencisë Shqiptare të lajmeve. Tek e kërkonte nëpër frekuenca kanalin e teletekstit iu kujtuan lajmet e një kohe të kaluar nga Kosova për pengesat serbe që i bëheshin depërtimit në Kosovë të sinjaleve te Radiotelevizionit Shqiptar…Nuk vonoi dhe në ekran u shfaq edhe lajmi i tij: “Në Kosovë filluan solemnisht punimet për ndërtimin e autostradës Lezhë-Prizren-Prishtinë, në shtegun e rrugës së vjetër viaignatia Lis-Dardani…”

Këtë lajm, që një ditë më parë e kishin dhënë të përsëritur disa herë radio dhe televizioni, po e përsëriste atë mëngjes edhe Televizioni Shqiptar i Shkupit, duke e plotësuar informacionin me mundësitë e lidhjes me autostradën Durrës-Shkup-Sofje-Stamboll.

Informacione të gjera për fillimin solemn të autostradës, në praninë e udhëheqësve më të lartë shtetërorë nga Tirana e Prishtina, atë ditë botonin edhe gazetat. Sapo kishte dalur nga hoteli ishte ndalur në sheshin “2 Korriku” para shtandit të gazetave, që ishte shumë i gjerë dhe me shumë gazeta e revista të Prishtinës, Tiranës, Shkupit, po edhe me gazetat e revistat kryesore të shumë vendeve të botës.
Së pari mori “Rilindjen”, botimin në Prishtinë, pastaj “Rilindjen Demokratike”, “Albaninë”, “Lajmin e Ditës” dhe ca gazeta të tjera të Tiranës, siç i merrte edhe në Tiranë, si edhe “Flakën” e Shkupit.
U kthye në teracën e hotelit, porositi kafe e konjak “Skenderbeg” të Korçës dhe filloi të shfletojë shtypin e ditës…
Nuk arriti t’i shfletojë të gjitha. Më shumë u ndal në gazetën “Flaka” që botonte lajmin ekskluziv “Shkupi heq regjimin e pasaportave për shtetasit e Kosovës”. E ngriti me fund gotën dhe niset për ta dhënë këtë lajm sa më shpejt. Derisa po mendonte se do të jetë ky lajmi më i mirë që do të hyjë edhe në “pasqyrën e shtypit shqiptar”, tek ecte si në vrap e ndaloi polici dhe e qortoi vëllazërisht pse e kishte kaluar keq rrugën e automjeteve. Ballafaqimi me policion përsëri ia kujtoi pamjet e lajmet e kohëve të shkuara nga Kosova për policët serbë me pancirë që terrorizonin shqiptarët. Po, ishte tash një imazh krejt tjetër. Polici që mbante me kreni emblemen e Ministrisë së Brendshme të Kosovës, pasi kuptoi se kend e kishte ndaluar dhe pse i ngutej, e pyeti në ka nevojë ta ndalë ndonjë automobil për ta dërguar më shpejt në zyrë…
Me të parën e mori në telefon Tiranën dhe e diktoi lajmin. Në atë orë iu kujtua se vetëm në vitin 1995 ishin bërë të mundshme, për herë të parë, lidhjet e drejtpërdrejta telefonike nga Prishtina në Tiranë. Ai telexi i vjetër, po aq i mirë, qe një kohë të gjatë ishte lidhje e vetme, edhe pse shumë e vështirë, prej nga dërgoheshin lajmet nga Kosova, i ngjante në atë moment më shumë në një rearitet muzeal.
Pasi mbaroi me lajmin që i erdhi si befasisht, nisi të mendojë për punët që i kishte paraparë: një rportazh për Prishtinën, pritjen në Ministrinë e Informatave të Republikës së Kosovës, pyetjet për intervistën me presidentin e Republikës së Kosovës…
E para ishte reportazhi, dhe një sheti nëpër Prishtinë ishte e domosdoshme. Kishin ardhë ta shoqërorin edhe kolegët nga ky qytet, dhe bashkë me ta së pari u nis të vizitojë Muzeun më të ri të kryeqytetit, ku më parë ishte selia e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, mandej e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe e Presidencës së Republikës së Kosovës, ku zhvilloheshin gjithë ato veprimtari kombëtare e atdhetare…Kishte parafytyrimin e asaj shtëpie të vogël-muze, ku janë bërë aq shumë punë të mëdha.
Rrugës i ranë në sy mbishkrimet, të vëna aq bukur e aq me përkushtim, shqip. Po, në ndonjë dyqan, a ndonjë vend tjetër, pa edhe mbishkrime në gjuhën serbe. Në Kosovë të gjithë i kanë të garantuara të gjitha të drejtat, askush nuk trajtohet si minoritet, se askujt nuk ia dëshirojmë këtë ndjenjë e këtë trajtim ne shqiptarët, që aq shumë kemi hequr e jemi diskriminuar nën etiketën e minoritetit që na e kishin vënë, edhe pse, si edhe sot, përbënim mbi nëntëdhjetë përqind të popullsisë dhe ishim autoktonë në trojet tona etnike, prandaj secili flet dhe shkruan në gjuhën e vet pa asnjë pengesë, i shpjeguan kolegët. I sugjeruan ta lexojë Kushtetutën e Kosovës.
Duke u larguar nga Muzeu ktheu aty afër në zyrat e Stadiumit të Qytetit për të marrë buletën për ndeshjen e futbollit midis ekipit kombëtar të Kosovës dhe atij të Gjermanisë, që do të luhet të nesërmen.

Tek shkonte në kuartin e ambasadave të takohet me personalin e Ambasadës së Shqipërisë në Prishtinë, e pastaj në Pallatin e Parlamentit të Republikës së Kosovës, që kishte paralajmëruar një mbledhje të rëndësishme pas tre ditësh, i bënë përshtypje të veçantë kupollat e dritshme të Bibliotekës Kombëtare në Kompleksin Universitar, ndërtesa e renovuar e Akademisë së Shkencave dhe Arteve, Përmendorja e martirëve të lirisë e demokracisë dhe Memoriali i Skenderbeut, në qendër të qytetit të Prishtinës si në sheshin e gjerë të Tiranës.
Për një çast u ndal para reklamave të kinemave dhe kur pa repertuarin fare nuk u hamend që atë mbrëmje ta shohë filmin për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, të xhiruar nga “Kosovafilmi”, me aktorë nga të gjitha hapësirat shqiptare.
Nga Pallati i Parlamentit dhe i Qeverisë doli edhe me lajmin se në minierën e “Trepçës” në Stantërg fillon eksploatimi i xehes edhe në horizontin e dymbëdhjetë dhe me paralajmërimin e projektit se Elektroekonomia e Kosovës do të ndërtojë termocentrale të reja në malin e Qyqavicës e jo në tokat e bukës siç ishin ndërtuar ato më parë.
Me parafytyrimin e thellësive me ar e të lartësive më dritë dhe të fushave det me kallinj buke shkonte të shkruajë për Kosovën, po, edhe këto, edhe jeta e njerëzit ishin Shqipëria, që do të bëhet…
Gëzuar viti që vjen dhe ajo ditë që do të vijë! Ishte ky urimi shqiptar i përsëritur nëpër vite e shekuj, që po dëgjohej edhe në atë mbrëmje gëzimi bashkë me cakërrimën e gotave në lartësinë e ‘Kullës”…

***
SHËNIM I SOTËM, 27 DHJETOR 2015: Në atë kohë të komunikimeve shumë të vështira, por edhe të ndaluara, nuk isha i sigurt nëse ka mbërritur në Tiranë dhe botuar reportazhi…Në Prishtinë u botua në fundin e dhjetorit të para dy dekadave – numrin e Vitit të Ri në gazetën e rezistencës “Bujku”, e vetme e përditshme shqipe në atë kohë në Kosovë, që ishte pjesë e lëvizjes për liri, pavarësi e demokraci, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Behlul Jashari, dhe fantastikja, e para dy dekadave, Kosovë-Ëndrra

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 201
  • 202
  • 203
  • 204
  • 205
  • …
  • 245
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT