Ne foto: Ministri i Diasporës në qeverinë e Republikës së Kosovës, Valon Murati dhe korrespondenti në Kosovë i Gazetës Dielli, Behlul Jashari, në Prishtinë në ambientet e Ministrisë/
-Ministri i Diasporës, Valon Murati: Procesi i regjistrimit do të vazhdojë edhe në vitin 2016, për të pasur kështu një publikim përfundimtar të shifrave të detajuara në fillim të vitit 2017/
-Ministri Murati theksoi veçmas marrëveshjen Shqipëri-Kosovë nënshkruar mes dy qeverive për mësimin plotësues të gjuhës dhe kulturës shqiptare në diasporë, si dhe memorandumin e përbashkët për “Ditët e Kulturës Shqiptare në diasporë”/
-Në kornizën historike të diasporës shqiptare, personalitetet e mëdha të kombit, Fan Noli e Faik Konica, themeluesit e gazetës Dielli/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 26 Dhjetor 2015/ Ministria e Diasporës e qeverisë së Republikës së Kosovës këtë vit ka regjistruar rreth 200 mijë bashkatdhetarë në botë, tha ministri Valon Murati. Në konferencën për shtyp të fundvitit 2015 i shpalosi objektivat e arritura të Ministrisë, veçanërisht një nga projektet më të rëndësishme – procesin e regjistrimit të diasporës dhe mërgatës.
Ai tha se procesi i regjistrimit do të vazhdojë edhe në vitin 2016, për të pasur kështu një publikim përfundimtar të shifrave të detajuara në fillim të vitit 2017.
“Falë fushatës së suksesshme gjatë muajve të verës dhe punës së palodhshme, kemi arritur që t’i regjistrojmë rreth 200.000 bashkatdhetarë, por nuk do të ndalemi me kaq. Puna do të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm”, theksoi ministri Murati.
Ai paralajmëroi se në këtë proces do të përfshihen edhe ambasadat dhe konsullatat, në mënyrë që bashkatdhetarëve t’u bëhet më i lehtë regjistrimi i tyre, ndërsa në të ardhmen Ministria e Diasporës do të përqendrohet edhe në regjistrimin “online”.
Në konferencën për shtyp, ministri Murati theksoi veçmas marrëveshjen Shqipëri-Kosovë nënshkruar mes dy qeverive për mësimin plotësues të gjuhës dhe kulturës shqiptare në diasporë, si dhe memorandumin e përbashkët Kosovë-Shqipëri për “Ditët e Kulturës Shqiptare në diasporë” .
Ministri Murati e theksoi edhe tarifën për sigurimin kufitar.
“Me nismën e Ministrisë së Diasporës dhe në bashkëpunim me institucionet e tjera është arritur të bëhet ulja e tarifës për sigurimin kufitar për 50 për qind. Synimi është të zgjidhet përfundimisht ky problem, për çka do të vazhdojmë të angazhohemi edhe në vitin 2016”, u shpreh ministri Murati.
Në konferencën për shtyp, u prezantuan edhe projekte të tjera të rëndësishme, si themelimi i rrjeteve të përbashkëta të të rinjve shqiptarë dhe i atyre të bizneseve shqiptare në diasporë.
Ndërsa, sa i përket numrit të bizneseve jashtë vendit, ministri Murati tha se me inicimin e Ministrisë së Diasporës janë themeluar 20 rrjete të bizneseve në diasporë, të cilat kanë krijuar një strukturë të përbashkët, konkretisht rrjetin e përbashkët të bizneseve shqiptare në diasporë.
“Kemi vazhduar të punojmë në zgjerimin dhe forcimin e rrjeteve të bizneseve të diasporës, të jemi zëri i tyre në institucionet e shtetit. Si rezultat i angazhimit në këtë fushë, sot jemi pjesë e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, në kuadër të të cilit e udhëheqim grupin e punës për tërheqjen e investimeve nga diaspora”, tha ministri Murati.
Në konferencën me përfaqësuesit e mediave, ministri Murati kërkoi përkrahje për afirmimin e procesit të regjistrimit, si dhe sensibilizimin e bashkatdhetarëve për mësimin plotësues të gjuhës shqipe.
Në takimin me përfaqësuesit e mediave, ku ishte edhe korrespondenti në Kosovë i Gazetës Dielli, Ministria kosovare dhuroi kornizën me fotografi të personaliteteve të shquara të diasporës. Në kornizën historike të diasporës shqiptare janë edhe personalitetet e mëdha të kombit, Fan Noli e Faik Konica, themeluesit e Gazetës Dielli, më të herëshmes shqiptare, organ i Federatës Mbarëshqiptare të Amerikës Vatra, e cila në vitin e ri 2016 do festojë 107 vjetorin, e që lexohet edhe në Shqipëri, Kosovë e trojet tjera etnike dhe kudo ku ka shqiptarë në botë, si dhe nga të tjerë informacionet në anglisht.
Ministria e Diasporës e Kosovës në prag të Vitit të Ri bëri edhe lançimin e uebfaqes e re, të freskuar si për nga përmbajtja, ashtu edhe për nga dizajni.
NJË E TRETA E KOSOVARËVE JETOJNË E PUNOJNË JASHTË VENDIT
Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë, pa veriun, u numëran 1.739. 825 banorë rezidentë, 92.93 % shqiptarë. Pjesa tjetër e përqindjeve iu takon komuniteteve pakicë, 1.58% boshnjakë, 1.47 % serbë, 1.08 % turqë, etj.
Por, numri i banorëve-shtetasëve të Kosovës është më i madh, meqë regjistrimi i popullsisë nuk ka përfshirë një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit.
Përqindja e komunitetit serb do ishte më e lartë me përfshirjen e veriut në regjistrim. Në veri të Mitrovicës dhe tre komuna tjera veriore – Leposaviç, Zubin Potok e Zveçan, ku është refuzuar regjistrimi i popullsisë, sipas një shifre që e kanë përmendur autoritetet kosovare, jetojnë rreth 40 mijë serbë.
Kosova para më shumë se gjysëm shekulli arrinte numrin prej një milion banorëve. Në 6 korrikun e vitit 1962, gazeta tradicionale kosovare Rilindja shkruante se Kosova “fitoi këto ditë banorin e njimilionit…”
Sipas statistikave kosovare, në regjistrimin e popullsisë së vitit 1981, ku u përfshinë të gjitha etnitë, Kosova kishte një popullsi prej 1.584.440 banorësh.
Kosovë-Abrashi: Punësimi, prioriteti i vitit 2016
Foto Gazeta Dielli – Behlul Jashari: Ministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale të Qeverisë së Kosovës, Arban Abrashi, në konferencën për shtyp të fundvitit/
-Zgjidhje ligjore për njohjen e stazhit të punës në institucionet e Republikës së Kosovës të Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990 edhe për çështjen e pensionimit, për çka do krijohet një komision i veçantë/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 26 Dhjetor 2015/ Punësimi do jetë prioriteti i vitit 2016 i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale të Qeverisë së Kosovës, tha sot ministri Arban Abrashi, i pyetur nga korrespondenti në Prishtinë i Gazetës Dielli në konferencën për shtyp e pritjen e fundvitit, ndërsa paralajmëroi edhe zgjidhjen ligjore për njohjen e stazhit të punës në institucionet e Republikës së Kosovës të Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990 edhe për çështjen e pensionimit, për çka do krijohet një komision i veçantë.
Për vitin e punës 2015 ai ka theksuar funksionalizimin esistemit të regjistrimit të punëkërkuesve. “Janë 115, 868 punëkërkues të regjistruar – 50, 666 femra; 12, 762 vende të lira pune të identifikuara; 4,188 biznese të regjistruara; 40-100% rritje të shifrave të ndërmjetësimit dhe punësimit”, bëri të ditur ministri Abrashi.
Duke folur për aftësimet profesionale ai theksoi ndërtimin e qendrës së aftësimit profesional në Gjakovë; trajnimet për ndërmarrësi në Prishtinë, Prizren dhe Gjilan; aftësimin dhe përkrahjen në formë grantesh në Prishtinë, Mitrovicë, Ferizaj, Graçanicë, Mitrovicë, Leposaviç, Vushtrri dhe Gjilan; akreditimin e kurrikulave aktuale të programeve të aftësimit profesional si dhe programeve të reja, konform standardeve të profesionit; ofrimin e trajnimeve në qendrat korrektuese.
Ministri Abrashi më tej foli ehe për dialogun social dhe përkrahjen sociale, duke theksuar “rritjen e pagesës për asistencë sociale për 25% për rreth 26.000 familje, që ka ngritur pragun mes 40-120 euro, sa ishte, në 50-150 euro sa është tash”.
“Për herë të parë ka filluar licencimi i ofruesve të shërbimeve sociale. Janë licencuar 733 ofrues publikë dhe privatë të shërbimeve sociale. Në shumën prej 100 euro për muaj janë përkrahur 2,750 familje, që kanë fëmije me aftësi të kufizuara. Në shumën prej 150 euro për muaj, janë përkrahur 108 fëmijë të strehuar jashtë familjeve të tyre. Janë ndihmuar 243 familje me nga 100 euro 49 familje me nga 150-300 euro si ndihmë emergjente për situatë të jashtëzakonshme. Është bërë subvencionimi i energjisë elektrike për përfitues të skemës së ndihmës sociale dhe familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës, janë subvencionuar 22.669 familje nga Skema e Ndihmës Sociale dhe 11.368 familje të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës. Në total 34.037 familje me nga 130 euro në vit”, bëri të ditur ministri kosovar i Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Lidhur me legjislacionin si theksoi se është miratuar Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për aftësim, riaftësim profesional dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara, si dhe Projektligji për regjistrimin dhe ofrimin e shërbimeve dhe masave për punësim.
Ministri Abrashi ka prezantuaer raportin vjetor edhe për investimet, pensionet, uljen e informalitetit, si dhe për buxhetin me rritje për 43,536,872,00 euro.
• “Alokimi për pensionet kontribut-dhënëse ngritet nga 68.214.478,00 në 91.683.800,00; alokimi për asistencë sociale nga 25.145.593,00 në 30.500.00,00 euro”, tha ministri Abrashi, i cili në përmbyllje foli edhe për komunikimin dhe bashkëpunimin, duke theksuar se ishin 126 komunikata, 690 shkrime të evidentuara në media, 43 marrëveshje të nënshkruara.
• “Kishte takime të rregullta me grupe të margjinalizuara dhe palë tjera. Kanë marrë përgjigjeje të gjitha kërkesat për qasje në dokumente zyrtare”, tha ministri i Ministrisë kosovare të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi.
Kosovë-Qeveria: Asnjë veprim për asociacionin
-Asnjë veprim në lidhje me Marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë që kur i është dorëzuar për shqyrtim Gjykatës Kushtetuese/
PRISHTINË, 22 Dhjetor 2015-B. Jashari/ Qeveria e Kosovës deklaroi sot se nuk ka ndërmarrë asnjë veprim në lidhje me Marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, që nga 30 tetori 2015 kur kjo marrëveshje i është dorëzuar për shqyrtim Gjykatës Kushtetuese nga ana e Presidentes së Republikës.
“Duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e vendit, qeveria ka pezulluar të gjitha veprimet në lidhje me këtë marrëveshje në pritje të verdiktit të Gjykatës Kushtetuese dhe veprimet e saja të mëtejme do të jenë në përputhje me këtë verdikt”, thekson deklarata.
Bëhet e ditur se, në periudhën prej 25 gusht 2015 kur ishte arritur kjo marrëveshje në Bruksel deri më 29 tetor 2015, qeveria ka qenë e angazhuar për përgatitjen e një dekreti për procedurat e krijimit të asociacionit për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese me qëllim që të kërkojë shqyrtimin e kushtetutshmërisë së saj para se qeveria ta aprovoj një dokument të tillë, ashtu sikurse që kërkohej në pikën e dytë të Marrëveshjes për Asociacionin.
“Qeveria e Kosovës, me qëllim që të siguroj se kjo marrëveshje është në pajtim me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës, ka qenë këmbëngulëse dhe ka arritur që në Marrëveshjen për Asociacionin të përfshihet shqyrtimi i kushtetutshmërisë së kësaj marrëveshje nga ana e Gjykatës Kushtetuese në të gjitha fazat e saj, që nga vet marrëveshja, dekreti, statuti dhe çfarëdo amendamentesh të reja që do të mund të propozoheshin”, thekson deklarata.
Qeveria e Kosovës, vijohet më tej, ka respektuar plotësisht ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës në arritjen e kësaj marrëveshjeje si dhe vijat e kuqe që asociacioni nuk ka kompetenca ekzekutive dhe nuk është nivel i tretë i qeverisjes në Republikën e Kosovës.
“Dhe përderisa qeveria po bëhej gati që dekretin në fjalë, i cili përmban tekstin integral të Marrëveshjes për Asociacionin, ta dërgoj në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim, në ndërkohë Presidentja e Kosovës me 30 tetor 2015 ndërmori veprimin duke e dorëzuar pranë Gjykatës Kushtetuese për shqyrtim kushtetues këtë marrëveshje, natyrisht me qëllime pozitive në shenjë të qetësimit të situatës pas reagimeve të opozitës”, vijon deklarata.
Prandaj, shtohet më tej, konfirmojmë se që nga data 30 tetor 2015, duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet, qeveria ka pezulluar çdo veprim në lidhje me këtë marrëveshje, deri në verdiktin final nga Gjykata Kushtetuese. Veprimet e mëtejme të Qeverisë do të jenë përputhje të plotë me verdiktin e Gjykatës Kushtetuese.
“Ky sqarim për opinionin jepet si demantim ndaj disa spekulimeve mediale se gjoja qeveria nuk e ka pezulluar veprimtarinë në lidhje me këtë Marrëveshje, të cilët thirren në Raportin vjetor të qeverisë mbi gjendjen në zbatimin e marrëveshjeve të dorëzuar te BE me datën 25 nëntor 2015. Ky është një raport vjetor që përfshinë të gjitha zhvillimet në procesin e zbatimit të marrëveshjeve të Brukselit, prandaj në pjesën ku raportohet për marrëveshjen për asociacionin është pasqyruar veprimtaria prej 25 gusht deri më 30 tetor 2015 gjatë së cilës është hartuar draft dekreti për procedurat e krijimit të Asociacionit”, thuhet në deklaratë.
Në ëprfundim, jepetteksti integral për këtë çështje në raport (faqe 6 dhe 7):
1. Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe në Kosovë
-Zbatimi nuk ka filluar ende – është duke u pritur vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës mbi kushtetutshmërinë e marrëveshjes së Brukselit në këtë çështje (e arritur më 25 gusht 2015).
-Kosova ka ndërmarrë masat fillestare për zbatim, duke hartuar një dekret sa i përket pikës 2 të marrëveshjes, e cila është subjekt i shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
-Zbatimi do të ri-fillojë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
-Ekipi menaxhues po plotësohet me dy anëtarë të rinj që zëvendësojnë ata të cilët nuk mund të shërbejnë në këtë ekip për arsye objektive. Kosova ka kërkuar një karakter më përfaqësues të këtij ekipi, duke pasur parasysh se përbërja fillestare ka reflektuar vetëm katër komunat veriore.
Kosova, të gjitha rrugët drejt BE-së
-Mustafa: Në kuadër të programit me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë marrë obligime që të barazohet standardi me rrugët evropiane/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 21 Dhjetor 2015/Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, theksoi sot angazhimet e qeverisë që ndërtimi i infrastrukturës të bëhet si pjesë e krijimit të kushteve për zhvillim më të shpejtë ekonomik dhe barazimit të standardeve të rrugëve dhe hekurudhave kosovare me ato që i kërkon Bashkimi Evropian.
“Ne po vazhdojmë procesin e integrimit dhe të hapjes së të gjitha rrugëve për integrim në në Bashkimin Evropian. Në kuadër të programit me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë marrë obligime që të barazohet standardi i rrugëve me rrugët evropiane”, u shpreh ai.
Në këtë drejtim, bëri të ditur kryeministri Mustafa, po punohet edhe në dy autostradave, në vazhdimin më tej të rrugës së kombit të ndërtuar nga Durrësi në Prishtinë, në pjesën e mbetur deri në Merdare, dhe të rrugës për në Shkup.
“Kemi përgatitur të gjitha dokumentacionet dhe po ashtu kemi siguruar fondin për rikonstruimin e hekurudhës, me përkrahjen e Bankës Investive Evropiane, Bankës Evropiane për Zhvillim dhe Komisionit Evropian. Është një shumë prej 160 milionë euro, që është destinuar për të”, tha kreu i qeverisë së Kosovës.
Kryeministri Mustafa foli në një përurim sot në mesditë në rrugën nacionale Prishtinë – Mitrovicë, të segmentit Milloshevë – Stanofc.
Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, tha se përurimi i rrugës në këtë segment është vetëm njëra nga projektet e mëdha infrastrukturore që janë kryer gjatë këtij viti.
“Nga Buxheti i përgjithshëm, prej 175 milionë euro, 131 milionë i kemi pasur investime kapitale, ku një pjesë e madhe e tyre kanë shkuar për projektet e vitit të kaluar, natyrisht tani kemi filluar edhe me projektet e reja”, tha ai.
Gjatë vitit të ardhshëm, paralajmëroi ministri kosovar i Infrastrukturës, do të jenë afër 100 projekte të reja infrastrukturore në mbështetje të komunave, vlera e përgjithshme e të cilave është afër 80 milionë euro.
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës feston jubileun e 40 vjetorit
-Kosova, partneritet me faktorin ndërkombëtar, në veçanti me SHBA-në dhe BE-në/
-Pa Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, pa mendimin veprues të saj, Kosova e populli i Kosovës nuk do të ishin këtu ku janë sot/
-Akadamia e Shkencave e Shqipërisë uron në 40 vjetor Akademinë e Shkencave e të Arteve të Kosovës/
Nga BEHLUL JASHARI/ PRISHTINË, 18 DHJETOR 2015/ Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës ka festuar sot 40 vjetorin me një veprimtari solemne në Prishtinë, ku morën pjesë drejtuesit më të lartë të shtetit, kryetarë e përfaqësues të tjerë akademishë nga vendet e rajonit e më gjerë, përsonalitete të shquara.
JAHJAGA: AKADEMIA NË NDËRTIMIN E SHTETËSISË SË KOSOVËS DHE FORCIMIN E DEMOKRACISË TONË TË RE
“Ky jubile prej 40 vjetësh – i punës dhe angazhimit të palodhshëm të secilit prej jush, është më shumë se një simbolikë numrash – është përpjekje e pareshtur për të qenë në shërbim të vendit si forcë shtytëse, posaçërisht në kohë kthesash të mëdha”, tha Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.
Prandaj, vijoi ajo, kujtoj me shumë pietet dhe përkulem përpara figurave të një brezi të tërë të akademikëve të Kosovës, që i dhanë vulën një numri procesesh në vend dhe mendimit kritik – një trashëgimi e veçantë edhe e shtetbërjes dhe zhvillimit të përgjithshëm të shoqërisë tonë.
“Në këtë kohë të sfidave të mëdha e të përcaktimit të vlerave të shkencës në shoqërinë tonë, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës duhet të qëndrojë fuqishëm në rolin e saj të zhvillimit të kombit, paralelisht me atë të shkencës dhe të arteve”, theksoi Jahjaga.
Shtetbërja e Kosovës, vijoi ajo, bazohet mbi punën e përbashkët të secilës pjesë të shoqërisë sonë dhe në këtë rrafsh Akademia ka forcë dhe potencial për të dhënë kontributin e vet për zhvillimin e vendit tonë.
t“Rëndësia e inkuadrimit të Akademisë në këto procese është jetike për vendin, sepse ndërton konsensusin në shoqëri dhe sepse strategjia zhvillimore do të bazohej në vlerat e rezultatet shkencore dhe në rrethanat shoqërore”, tha Presidentja kosovare.
Akademia, vlerësoi Jahjaga, ka rol për të luajtur në ndërtimin e shtetësisë së Kosovës dhe forcimin e demokracisë tonë të re.
“Ne duhet të ndërtojmë kulturën politike të dialogut dhe ta pasurojmë diskursin në sferën tonë publike për të ardhmen tonë të përbashkët, që tejkalon ndasitë ndërmjet forcave politike. Argumenti i forcës dhe fuqia e numrave nuk mund ta zëvendësojë bashkëbisedimin!”, u shpreh ajo.
Ne, theksoi Presidentja Jahjaga, nuk guxojmë të vëmë në rrezik partneritetin me faktorin ndërkombëtar, në veçanti me SHBA-në dhe BE-në, e as t’ua zëmë frymën zhvillimeve demokratike dhe të rëndojmë jetën e qytetarëve të vendit, besimi i të cilëve në secilin prej nesh – qoftë liderë institucionalë ose partiakë – po zbehet çdo ditë e më shumë.
“Ne duhet të jemi pranë qytetarëve të vendit, sepse vota e tyre na ka zgjedhur për të qenë në shërbim të tyre dhe për t’u garantuar një të ardhme më të mirë. E kemi obligim dhe borxh ndaj gjeneratave të tëra që kanë sakrifikuar për të sotmen tonë, që ta kompletojmë dhe ta përmbyllim konsolidimin tonë si shtet”, tha ajo.
Andaj, vijoi Jahjaga, them që Akademia dhe intelektualët anëtarë të saj kanë rol për të luajtur – në kohën kur na duhet më shumë besim në vetvete se dallimet mund t’i tejkalojmë duke mësuar se dialogu është zgjidhja e vështirësive të sotme; në kohën kur duhet kuptuar se ndërtimi i shtetit të së drejtës shmang rrugën si zgjidhje dhe ofron zgjidhjet brenda institucionit; pa kushte, pa hasmëri dhe pa frikë ndaj njëri-tjetrit; në kohën kur na duhet më shumë pajtim mes nesh për rolin tonë në dialogun me Serbinë, më shumë besim se rruga jonë e bërjes së shtetit nënkupton përafrim me BE-në, një realitet që bashkon të gjithë qytetarët e vendit pa dallim.
“Por, ne sot vazhdojmë të jemi larg projektit të BE-së: jo vetëm sepse nuk kemi arritur të tejkalojmë dallimet tona të brendshme e të punojmë në strategjitë për anëtarësim, por edhe sepse nuk kemi arritur që në skenën ndërkombëtare të forcojmë më shumë argumentin e një shteti të së drejtës”, tha Jahjaga.
Megjithëkëtë, vijoi ajo, ne kemi hasur në vështirësi – sepse dialogu me Serbinë është më shumë çështje e konsensusit tonë, që duhet të prodhojë edhe stabilitet të brendshëm por edhe rezultate konkrete, që çon drejt shtetit gjithëpërfshirës por që nuk prek shtetësinë.
“Kemi hasur në vështirësi, sepse normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet shteteve tona është rrugë dykahëshe, e dy bashkëbiseduesve, që ndihmon pajtimin ndërmjet dy popujve tanë dhe që hap shtegun drejt BE-së, që duhet ta mbajë të hapur perspektivën e rajonit në përgjithësi”, tha Presidentja e Kosovës.
Andaj, vijoi ajo, Akademia ka kontribut për të dhënë në procesin historik të pajtimit të popujve, në ndihmë të korrigjimit të padrejtësive të së kaluarës, që hap rrugën e zhvillimit të përgjithshëm në mënyrë të barabartë të të gjithëve në rajonin e Ballkanit, duke siguruar paqen dhe stabilitetin.
“Të nderuar anëtarë të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Ky përvjetor dëshmon misionin tuaj për të ndërtuar ura bashkëpunimi në fusha të ndryshme e në veçanti në shkencë, me të gjithë jo vetëm në fqinjësi por edhe më gjerë.
Dhe mbi supet tuaja qëndron barra për ta bërë shkencën, artin dhe edukimin pjesë të jetës në shoqërinë tonë, duke e shndërruar në vizion të rëndësishëm për të ardhmen e gjeneratave të reja. Paqi fat!”, përfundoi Presidentja e Kosovës, Jahjaga.
KRYEMINISTRI MUSTAFA: ASHAK-U ROL ESENCIAL PËR PROGRESIN E KOSOVËS NË TË GJITHA RRAFSHET
Kryeministri Isa Mustafa, në manifestim ka përcjellë përshëndetjet dhe urimet e qeverisë së Republikës së Kosovës në këtë përvjetor të dyzet të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Kryeministri Isa Mustafa tha se duke shërbyer si prijëse e shkencës dhe dijes së dobishme, Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës ka luajtur rolin më të rëndësishëm në progresin shkencor, kulturor dhe të arteve në Kosovë.
“Në të njëjtën kohë, roli dhe aktivitetet, mendimi dhe organizimi, që kanë buruar nga Akademia jonë, janë të rëndësisë esenciale për progresin e vendit tonë në rrafshin historik, politik, ekonomik dhe social. Një gjë është e sigurt, pa Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, pa mendimin veprues të saj, Kosova e populli i Kosovës nuk do të ishin këtu ku janë sot, Kosova shtet i pavarur dhe sovran, duke ecur sigurt në rrugën e integrimeve të mëdha evropiane dhe euroatlantike, populli i Kosovës i lirë dhe i përcaktuar për demokraci, shoqëri progresive dhe zhvillim”, tha kryeministri.
Kryeministri Isa Mustafa tha se kanë qenë akademikët ata të cilët, duke ruajtur dhe kultivuar mendimin kulturor dhe politik, me dinjitetin dhe etikën më të lartë njerëzore dhe akademike, kanë përcaktuar dhe kanë bërë të mundur që kombi të mund të qëndronte fuqishëm përballë valëve të vështira të historisë.
“Si qendër dhe shoqëri e edukimit dhe shkencës, puna e Akademisë ka ndikuar dhe ka krijuar dijetarët dhe ekspertët tanë në të gjitha fushat akademike, politike, shtetformuese, qeverisëse, ekonomike dhe zhvillimore. Këta akademikë veprimtarë dhe mentorë të vyeshëm, sot këtu dhe ata që nuk janë sot me ne, janë autorët e letrave të pavarësisë, të cilët ruajtën dhe kultivuan frymën liridashëse dhe idenë e progresit”, tha kryeministri.
Mustafa, po ashtu, theksoi se në kohën e sotme të zhvillimeve globale, shkenca dhe arti, si çdo dimension tjetër jetësor, po bëhen më të afruara dhe më të lidhura globalisht.
“Si rrjedhojë, Akademia jonë po inicion gjithnjë e më shumë projekte ndërkombëtare, në fusha të ndryshme, të cilat po e bëjnë shkencën dhe dijen e Kosovës, pjesë të kulturës dhe dijes botërore, ndërsa po i bëjnë vlerat tona pjesë të humanizmit, bazuar në parimet etike. Prandaj, sot jam i lumtur që si anëtar i kësaj akademie, përcjell përkushtimin e qeverisë së Republikës së Kosovës që të përkrahë Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës për t’u bërë pjesë e rëndësishme e shkencës dhe botës shumëkulturore”, tha kryeministri.
Kryeministri Isa Mustafa ka falënderuar dhe përkujtuar me respektin më të thellë të gjithë ata studiues që për shumë dekada me punën e tyre kanë kontribuuar që shkenca, arti, dija dhe kultura e Kosovës të ndriçohet, të avancohet, dhe që këto vlera të shfaqen dhe komunikohen kudo nëpër botë.
VESELI: TË QENIT NË SHËRBIM TË LIRISË ËSHTË NDERI MË I MADH PËR NJË INSTITUCION TË SHKENCËS DHE ARTIT
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, para akademikëve dhe të ftuarve të tjerë të shumtë, tha se përvjetorët jubilarë, si ky i sotmi, janë momente të rëndësishme në jetën e një institucioni apo të një shteti, të cilat mundësojnë për të parë rrugën që është bërë në të kaluarën, e njëkohësisht, edhe momente të qartësimit të vizionit për të ardhmen.
Dyzet vitet e ekzistencës së Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, kryetari Veseli i konsideroi vite të historisë sonë më të re, të ringritjes sonë historike, politike, arsimore, kulturore, vite të rezistencës së përgjithshme kundër shtypjes politike e të rrugëtimit të pathyeshëm drejt lirisë.
“Ne sot jemi krenarë, se ia dolëm të përmbushim qëllimin më fisnik që mund të ketë një popull modern: të jetojë i lirë në tokën e tij, në gjuhën e tij, në kulturën dhe identitetin e tij. Ne sot, ndihemi krenarë, me faktin se Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, në tërë historinë e saj, ka qenë në shërbim të këtij qëllimi fisnik. Të qenit në shërbim të lirisë është nderi më i madh për një institucion të shkencës dhe artit”, tha në fjalën e tij kryetari Veseli.
Duke iu drejtuar akademikëve, kreu i Kuvendit tha se ata duhet të ndihen krenarë me punën e tyre në shërbim të së vërtetës dhe të drejtës natyrore që ka secili popull për të qenë i lirë. Sot, Kosova është e lirë, shtet i pavarur dhe sovran, shtoi Veseli. Ai tha se liria nga shtypja është vlerë themelore, por nuk mjafton dhe se duhet punuar për lirinë e kuptuar si zhvillim.
Në vazhdim, kryetari i Kuvendit foli edhe për miratimin ditë më parë nga ana e Kuvendit, të Ligjit të ri për Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
“Është një ligj që përmbush standardet më të larta bashkëkohore, që kanë të bëjnë me fushën akademike. Është një ligj që stimulon shtigje të reja të hulumtimit akademik, në kohën e sfidave globale të dijes e zhvillimit. Por, kjo nuk është e gjitha. Kuvendi i Kosovës dhe të gjithë mekanizmat përkatës shtetërorë, duhet të bëjnë prioritet nacional dijen dhe edukimin, sepse sot, edukimi cilësor dhe popullata e kualifikuar përbën kapitalin më të madh për një vend”, tha kryeparlamentari Veseli.
Në manifestimin festiv, të hapur me Himnin Kombëtar Shqiptar dhe Himnin e Shtetit të Kosovës, kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës Hivzi Islami tha se, “40 vjet histori të këtij institucioni mund të mos duken shumë në jetën e akademive me traditë të gjatë, por për ne janë si katër shekuj të përshkuar me shumë specifika, ngritje dhe rënie si rezultat i zhvillimeve të gjera politike dhe shoqërore në Kosovës dhe në vetë shtetin”.
Ai vijoi se, “kthesat e mëdha shoqërore, trysnitë, urrejtjet dhe represioni, deri te përpjekja për zhbërje biologjike, turbulencat që shembën shoqërinë kosovare dhe që më në fund sollën pavarësinë e shtetit më të ri në botë, janë ngjeshur dhe pasqyruar në ecjen tonë, në rrugën e mundimshme për të arritur këtu ku jemi”.
Kryetari Islami theksoi se, “Akademia në asnjë rast nuk mund të involvohet në diskutime të politikës së ditës, duke mbledhur rreth vetës shkencëtarët, ekspertët dhe elitën e krijimtarisë artistike, dijen dhe vizionin e tyre ajo mund t’i vërë në dispozicion të zhvillimit të mendimit kritik shkencor dhe artistik dhe të ofrojë zgjidhje për shumë çështje madhore të shoqërisë, por vetëm mbi bazë të argumenteve shkencore dhe jashtë ritmeve të ndodhive ditore”.
“Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës nuk do ta ndjekë kurrë modelin e Akademisë Serbe, e cila me veprimet e saj u shkaktoi tragjedi të mëdha miliona njerëzve”, tha Islami.
Gjatë vitit 2015, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës ka humbur akademikët Mark Krasniqin, Esat Stavilecin, Pajazit Nushin.
AKADAMIA E SHKENCAVE E SHQIPËRISË URON NË 40 VJETOR AKADEMINË E SHKENCAVE E TË ARTEVE TË KOSOVËS
Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akademik Muzafer Korkuti, në një veprimtari festive sot në Prishtinë, në praninë e drejtuesve më të lartë të shtetit kosovar, uroi Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës me rastin e 40 vjetorit të themelimit, duke theksuar rëndësinë dhe bashkëpunimet e dy institucioneve të larta kombëtare.
“Rrugëtimi, zhvillimi, rritja, konsolidimi i Akademisë së Shkenaceve dhe të Arteve të Kosovës, institucionit më të lartë shkencor e të artit të Kosovës është një eveniment i veçantë në historinë e kombit tonë, shumë të vjetër historikisht por të rinj si shtete”, u shpreh ai.
Akademik Korkuti theksoi se, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, së bashku me motrën, Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, e themeluar 43 vite më parë, janë dy shtylla, dy institucione të mirëfillta shkencore të pavarura, që kanë në themel studimet për gjuhën, historinë dhe për kulturën kombëtare.
“Themelimi i Akademisë së Shkenacave dhe të Arteve të Kosovës erdhi si rezultat i zhvillimit shkallë-shkallë të disa institucioneve pedagogjike e shkencore të kerkimeve albanologjike”, përkujtoi kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Akademik Korkuti për jubileun e 40 vjetorit të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe kryetarin e saj akademik Hivzi Islamin kishte sjellë dhuratë një komplet veprash të shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare.
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës është themeluar me Ligj të veçantë të Kuvendit kosovar në 20 dhjetor të vitit 1975, në kohën kur me Kushtetutën e vitit 1974 Kosova avancoi dhe arriti mëvetësi organizative dhe të drejtë vetoje në nivelin federal, si njësi konstituive, ashtu si edhe njësive të tjera të federatës, nga shpërbërja e së cilës janë ndarë shtatë shtete, mes të cilave Kosova me pavarësinë e shpallur në 17 shkurtin historik 2008, të njohur deri tash nga 111 shtete anëtare të OKB-së.
- « Previous Page
- 1
- …
- 202
- 203
- 204
- 205
- 206
- …
- 245
- Next Page »