• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mustafa ne Komnferencë shtypi: Qeveri e vendimeve të mëdha

December 9, 2015 by dgreca

-Viti i parë i qeverisjes ka qenë një vit i ballafaqimit me vendime të mëdha, i fillimit të ndryshimeve të mëdha në Kosovë/

– Në vitin e dytë të qeverisë Mustafa prioritetete themelore do të jenë zhvillimi ekonomik e rritja e punësimit si dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit/

-Bashkëpunojmë me të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës,  përmbushim kriteret për integrime në BE/

Foto Gazeta Dielli – Behlul Jashari: Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa në konferencë shtypi në Prishtinë në 9 dhjetor 2015 – në njëvjetorin e qeverisë që e drejton/

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 9 Dhjetor 2015/ Në 1 vjetorin e qeverisë së zgjedhur në 9 dhjetor 2014, kryeministri Isa Mustafa tha se në vitin e dytë të qeverisjes, që nisë tash, prioritetete themelore do të jenë zhvillimi ekonomik e rritja e punësimit si dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si parakusht që Kosova të krijojë besim më të madh për ardhje të investimeve të huaja direkte.

“Tani po punohet në Planin Nacional të Zhvillimit, në fillim të vitit është aprovuar Programi i Reformave Ekonomike si pjesë e detyrimeve ndaj Bashkimit Evropian”, theksoi kryeministri i Kosovës.

Mustafa vlerësoi se viti i parë i qeverisë që e drejton  ka qenë një vit i ballafaqimit me vendime të mëdha, dhe një vit i fillimit të ndryshimeve të mëdha në Kosovë dhe se, koalicioni qeverisës i dy partive më të mëdha kosovare, ku përfshihen edhe komunitetet pakicë, ka qenë stabil.

“Është arritur që të kapërcehen të gjitha situatat e krijuara pas marrjes së disa vendimeve mjaft të ndjeshme, por që kanë qenë të dobishme për perspektivën integruese euroatlantike të Kosovës”, u shpreh ai.

Kryeministri Mustafa theksoi se, kemi qenë shumë të kujdesshëm që të vazhdojmë axhendën evropiane, të bashkëpunojmë me të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që të përmbushim kriteret për integrime në BE, për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, të cilën e konsiderojmë shumë të rëndësishme për Kosovën, sepse kemi arritur që për herë të parë të krijojmë marrëdhënie kontraktuale me BE-në.

“Po ashtu,  edhe kriteret për liberalizimin e vizave vlerësojmë se ne i kemi përmbushur dhe se vetëm presim vendimin politik të Bashkimit Evropian”, u shpreh optimist ai.

Kemi fuqizuar po ashtu edhe rolin tonë ndërkombëtar, vijoi Mustafa, sepse kemi pasur takime shumë të rëndësishme gjatë vitit me përfaqësuesit më të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me Kancelaren Merkel, me përfaqësuesit më të lartë të Bashkimit Evropian, me organizata të ndryshme rajonale dhe ndërkombëtare, dhe po ashtu me institucione financiare ndërkombëtare, të cilat na kanë ndihmuar që ne të kemi përkrahjen e tyre për zhvillimin ekonomik dhe për realizimin e axhendës sonë ekonomike.

Duke folur për përmbushjen e reformave ekonomike dhe të reformave fiskale, kryeministri Mustafa u shpreh krenar që gjatë vitit nuk ka pasur asnjë aferë të korrupsionit në dikasteret qeveritare dhe do të bëhen përpjekje maksimale që qeveria ta bëjë punën e vet në bazë të ligjit dhe që maksimalisht të minimizojmë çdo mundësi  korruptive dhe të krimit të organizuar duke përkrahur shtyllën e drejtësisë që ajo ta bëjë punën e vet maksimalisht.

“Vlerësojmë se si një e arritur e rëndësishme është edhe marrëveshja që kemi pasur gjatë këtij viti me Fondin Monetar Ndërkombëtar, e cila marrëveshje na ka mundësuar që ne të stabilizojmë tërësisht buxhetin, të krijojmë stabilitet makro-ekonomik të vendit dhe po ashtu të hapim perspektivën që Kosova të mund të merr hua ndërkombëtare dhe hua të brendshme për zhvillim ekonomik e cila do të gjeneronte vende të punës, dhe po ashtu do të mundësonte që buxheti në të ardhmen të rritet në bazë të rritjes dhe zhvillimit ekonomik, dhe jo vetëm mbi bazën e konsumit dhe mbi bazën e ngarkimit të qytetarëve tanë dhe të bizneseve me tatime dhe taksë”, tha kryeministri Mustafa.

Duke vlerësuar Marrëveshjen për Stabilizim Asociim, kryeministri Mustafa tha se ajo ka mundësuar që përpos fondeve që do të merren nga Bashkimi Evropian, që janë fonde të IPA-s deri në vitin 2020, që kapërcejnë 643 milionë euro, ajo do të mundësojë edhe qasje në tregun e Bashkimit Evropian, prej rreth 500 milionë banorëve, që është një shans shumë i mirë i prezencës së produkteve dhe shërbimeve tona në tregun e BE-së.

“Po ashtu, është një shans i mirë që ne të bëjmë reformën ekonomike, të rrisim konkurrueshmërinë e bizneseve tona, dhe të jemi konkurrentë në këtë treg të Bashkimit Evropian, që është një treg shumë i rëndësishëm për ne”, tha kreu i qeverisë së Kosovës.

Ai theksoi se ndër fushat kryesore ekonomike të cilat janë përkrahur gjatë këtij viti është bujqësia e cila është përkrahur me mbi 50 milionë euro si subvencione apo grante.

“Kjo ka mundësuar që gati të gjitha sipërfaqet tokësore të punohen këtë vit, që është një sukses shumë i madh. Mbetet që pastaj vetëm të punojmë edhe më shumë në përpunimin e produkteve bujqësore, produkteve primare bujqësore, dhe me këtë të zëvendësojmë importin me produkte vendore. Dhe, po ashtu, kemi pas përkrahje nga USAID-i dhe nga organizatat tjera ndërkombëtare, të përkrahjes së bujqësisë dhe të fushave tjera”, tha kryeministri Mustafa.

Ai theksoi edhe se, kanë vazhduar ndërtimet infrastrukturore, është investuar në autostradën për Shkup, dhe është arritur një tempo mjaft e suksesshme e punimeve në këtë autostradë.

“Kemi arrit që të inkuadrohemi si partner i barabartë me vendet në rajon, apo të Ballkanit Perëndimor, në axhendën e vendeve të Ballkanit Perëndimor, që ka filluar vitin e kaluar në Berlin, dhe kemi vazhduar sivjet në Vjenë, që do të mundësonte edhe kryerjen e projekteve tjera infrastrukturore”, tha Mustafa.

Ai bëri të ditur se është filluar tani me sigurimin e mjeteve për financim të hekurudhës dhe se dje është nënshkruar një kontratë prej mbi 43 milionë euro me Bankën Investive Evropiane.

“Kemi, po ashtu, për aq edhe përkrahjen e Komisionit Evropian. Dhe, do të vazhdojmë me nënshkrimin e kontratës me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për këtë investim që do të jetë rreth gati 200 milionë euro, dhe i cili do të krijonte kushte shumë të rëndësishme për gjenerim të zhvillimit ekonomik”, tha Mustafa.

Kryeministri i Kosovës theksoi edhe nënshkrimin e kontratës për Projektin Turistik në Brezovicë, që është me vlerë mbi 400 milionë euro.

“Presim që deri në fund të këtij muaji, të përmbushen kriteret e sigurimit të mjeteve për tre vitet e para, prej 160 milionë eurove, në mënyrë që të filloi zbatimi i këtij projekti. Në Brezovicë është planifikuar që të punësohen ndërmjet 3 mijë dhe 4 mijë punonjës, me rastin e përfundimit të përmbylljes së projektit”, tha ai.

Dhe, vijoi Mustafa, po ashtu, kemi filluar marrëveshjen me “Contour Global” të Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, në vlerë prej 1 miliard eurove, që do të krijonte kushte që të stabilizohej furnizimi me energji elektrike, pas vitit 2020-2021, por po ashtu do të gjeneronte edhe punë për të gjitha firmat kosovare dhe firmat tjera, në procesin e ndërtimit, sepse është një investim shumë i madh privat, që do të rris bruto produktin vendor, do të rris punësimin dhe do të rris gjenerimin ekonomik”, tha kryeministri kosovar.Kryeministri Mustafa, po ashtu tha se rëndësi i është dhënë edhe mirëqenies sociale gjatë kësaj periudhe.“Te mirëqenia sociale kemi siguruar rritje reale të pagave prej 6 për qind. Është fjala për zbatimin e përvojës së punës, e cila ka ngërthyer në veti edhe mjete buxhetore prej 6 për qind, si rritje mesatare e pagave të gjithë punonjësve, edhe pse ne nuk kemi shpall rritje të pagave”, tha ai.

Mustafa vijoi se, është filluar edhe me zbatimin e pensioneve për veteranët dhe se janë rritur ndihmat sociale për 25 për qind.

“Kemi rritë pensionet e kontributdhënësve, për rreth 23 milionë, që prej fillimit të vitit të ardhshëm, pensionet do të jenë shumë stabile dhe mendoj se do të arrijnë që të mbulojnë shpenzimet që i kanë qytetarët tanë si pensionistë”, tha kryeministri.

Po ashtu, vijoi Mustafa, edhe falja e borxheve të qeverisë, të kompanive publike, rreth 600 milionë euro, është një kontribut i rëndësishëm në pikëpamje sociale, edhe në pikëpamje të pastrimit të llogarive dhe të zbatimit të ligjit.

Duke folor për përkrahjen e donatorëve, kryeministri kosovar tha se vetëm në fushën e shëndetësisë janë siguruar donacione për këtë vit dhe për dy tre vitet e ardhshme, për rreth 60 milionë euro, të cilat do të ndikojnë që të ndërtohen edhe objekte të reja të shëndetësisë dhe pajisje e furnizim shumë stabil me barna.

“Në sektorët e tjera, mund të themi se është një rezultat i mirë sa i përket investimeve të huaja direkte, sepse ne kemi arritur që gjatë këtij viti të kemi investime të huaja direkte më shumë se sa në vitin 2013. Nuk po krahasohemi me vitin 2014, sepse është konsideruar se ka qenë një vit në të cilin nuk kemi pasur qeverisje stabile, kemi pasë zgjedhje, s’kemi pasë konstituim të institucioneve. Do të thotë, është diku 46 për qind më shumë se në vitin 2013, është po ashtu mbi 20 për qind më shumë se në vitin 2012, që e konsiderojmë se është rezultat i asaj që investitorët e jashtëm po e konsiderojnë se janë stabile marrëdhëniet ekonomike në të cilat ata mund të investojnë në Kosovë, pra që rrethina ekonomike është stabilizuar”, tha Mustafa.

Dhe, vijoi ai, një indikator tjetër i stabilizimit të rrethinës ekonomike është edhe ulja e normave të interesit, sepse për herë të parë kemi norma të interesit të cilat kanë arritur në mes të 6 dhe 7 për qind në Kosovë, që s’kemi pasë vite me radhë. “Normat e interesit kanë qenë mbi 10 për qind dhe kushtet e financimit të zhvillimit ekonomik kanë qenë shumë të vështira”, tha kryeministri i Kosovës, Mustafa, në konferencën për shtyp sot pasdite.

Gjatë vitit të parë, qeveria e Kosovës e drejtuar nga kryeministri Mustafa ka mbajtur 62 mbledhje të rregullta, ndërsa kishte paraparë të përgatisë dhe të dërgojë për miratim në Kuvend rreth 100 ligje. Me një mbledhje të re, të 63-tën, e nisë nesër ditën e parë të vitit të dytë qeveria e Republikës së Kosovës, e zgjedhur nga Kuvendi i konstituuar po para një viti, në 8 dhjetor 2014, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit.

“Zgjedhjet e ardhëshme parlamentare në Kosovë do jenë në vitin 2018”, u shpreh Mustafa i pyetur lidhur me deklaratat e opozitës për zgjedhje të parakohëshme në vitin 2016.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka mbajtur sot një konferencë shtypi, ku ka prezantuar të arriturat konkrete të qeverisë së Kosovës gjatë vitit të parë të qeverisjes.

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, e vendimeve të mëdha, Mustafa ne Komnferencë shtypi: Qeveri

Kosova me trashëgimi të pasur

December 9, 2015 by dgreca

-Kalaja e Prizrenit, plan menaxhimi në 2016/

-Gërmime në Kishën Katolike të Prizrenit/

 Nga Behlul Jashari/

PRIZREN- Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, bashkë me zëvendësministrin Rexhep Hoti, ka qëndruar  të Martën me 8 Dhjetornë Prizren, me ç’rast ka vizituar Kalanë e Prizrenit.Sipas dinamikës së punëve dhe projeksioneve nga Institutit Arkeologjik, Kalaja e Prizrenit, në fund te vitit 2016 do të ketë planin e menaxhimit, stazat e ecjes, ndriçime dhe shume elemente të tjera që janë në shërbim të ngritjes së turizmit kulturor dhe shtojnë kërkesat për të vizituar këtë monument të veçante të trashëgimisë kulturore të Kosovës.Ministri Shala u njoftua me procesin e gërmimeve arkeologjike dhe konservimeve që po bëhen në këtë lokalitet historik, i cili ruan thesare arkeologjike e historike mijëvjeçare.Ministri Shala u shpreh i kënaqur me ecurinë e punëve në gërmime dhe konservimeve në Kalanë e Prizrenit.Po ashtu, ministri Shala falënderoi Ambasadën Amerikanë për ndihmën dhe mbështetjen e fuqishme që i ka dhënë këtij lokaliteti të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore të Kosovës, që është shenjë e rëndësishme e identitetit kulturor të Kosovës.Po ashtu, Shala u shpreh se MKRS-ja edhe në vitin e ardhshëm do të vazhdojë të ndihmojë gërmimet arkeologjike, restaurimet dhe konservimet në Kalanë e Prizrenit.

MKRS-ja këtë vit ka ndihmuar gërmimet arkeologjike dhe konservimin në këtë kala me 200 mijë euro, ndërsa mbështetja për këtë lokalitet do të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm.

Gjatë vizitës në Prizren, ministri Kujtim Shala po ashtu vizitoi edhe Katedralen Katolike të Prizrenit “Zoja Ndihmtare”, ku u njoh për së afrimi me gërmimet arkeologjike, gjendjen e këtij objekti dhe restaurimet që po bëhen në të.

Ministri Shala u pritë nga Don Shan Zefi, kancelar i Ipeshkvisë së Kosovës, me të cilin bisedoi për rëndësinë që ka ky objekt për trashëgiminë kulturore të Kosovës.

Ministri Shala u shpreh se ky objekt është tejet i rëndësishëm për trashëgiminë kulturore dhe shpirtërore të Kosovës, dhe si i tillë do të ketë mbështetjen e MKRS-së.

VIZITË EDHE KALANË HARILAQIT

FUSHË KOSOVË, 8 Dhjetor 2015/ Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, bashkë me zëvendësministrit Rexhep Hoti dhe i shoqëruar nga kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Burim Berisha, vizitoi Kalanë e Harilaqit, ku u njoftua për së afrimi më gërmimet arkeologjike që po bëhen në këtë lokalitet me rëndësi të veçantë për trashëgiminë kulturore të Kosovës.

Me këtë rast, ministri Shala i përgëzoi arkeologët për punën që kanë bërë gjatë këtij viti në këtë lokalitet, dhe njëkohësisht u shpreh se MKRS-ja është e përkushtuar që të ndihmojë dhe të mbështesë trashëgiminë kulturore të Kosovës, si në gjurmime, po ashtu në konservim, restaurim, promovimin dhe njohjen sa më të gjerë të saj.

Ministri Shala, po ashtu u shpreh se këto gjurmime dhe gjetjet e shumta që po bëhen anë e kënd Kosovës, janë dëshmi e fuqishme se Kosova ka një trashëgimi të pasur që lidhet me kohëra të ndryshme, që nga periudha e hershme dardane, dhe si të tilla, përbëjnë vlerë të posaçme për kulturën e Kosovës.

Ministri Shala u shpreh se Kosova këto pasuri të jashtëzakonshme kulturore, të periudhave të hershme dhe atyre të mëvonshme, janë në interes të shtetit të Kosovës, prandaj nga ne kërkohet t’i ruajmë dhe promovojmë.

Po ashtu, ministri Shala vlerësoi se materialet e pasura arkeologjike që janë zbuluar në këtë lokalitet, si: thika stralli, qeramikë, vegla pune, stoli, monedha, etj., por edhe objektet sakrale dhe profane, janë dëshmi se kemi të bëjmë me një vendbanimi të hershëm e me rëndësi për kohën.

Kalaja e Harilaqit ka domethënie për identitetin kulturo e shpirtërore të Kosovës, u shpreh Shala dhe shtoi se ai dhe MKRS-ja, në synime te tij politike ka prioritet mbrojtjen dhe afirmimin e trashëgimisë së pasur kulturore, njëherësh duke çmuar, ruajtur dhe vlerësuar diversitetin e saj, si vlerë shtesë të Kosovës.

MKRS-ja gjatë këtij viti ka ndihmuar me 40 mijë euro për Kalanë e Harilaqit, dhe po aq janë të parapara për vitin e ardhshëm.

Filed Under: Kulture Tagged With: Behlul Jashari, kosova, me trashëgimi, të pasur

Kosova ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave

December 9, 2015 by dgreca

-Qeveria një vit nga zgjedhja, kryeministri Mustafa sot në konferencë shtypi/Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 9 Dhjetor 2015/Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, së bashku me ministrin e Integrimit Evropian, Bekim Çollaku,  kanë takuar sot ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian në Kosovë.Temë e takimit ka qenë përmbushja e kritereve për liberalizimin e vizave.

 Kryeministri Mustafa dhe ministri Çollaku kanë njoftuar ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian se Kosova në tërësi i ka përmbushur kriteret teknike për liberalizimin e vizave dhe se Kosova pret që BE-ja të marr vendimin e premtuar politik, i cili do të rekomandonte që nga viti i ardhshëm edhe qytetarët e Kosovës të udhëtojnë pa viza në vendet e BE-së.Qeveria e Kosovës, me kryeministër Isa Mustafën, e koalicionit të dy partive më të madha PDK e LDK, ku përfshihen edhe minoritetet, sot bëri një vit që nga zgjedhja në 9 dhjetor 2014, në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit.Gjatë vitit, qeveria kosovare ka mbajtur 62 mbledhje të rregullta, ndërsa kishte paraparë të përgatisë dhe të dërgojë për miratim në Kuvend rreth 100 ligje.Një bilanc të një viti të qeverisjes pritet ta prezantojë sot pas mesditës kryeministri Isa Mustafa në një konferencë shtypi.Qeveria e Republikës së Kosovës, në një deklaratë të dërguar javën e kaluar ka bërë të ditur se, deri më tani, gjatë këtij viti, ka miratuar 68 projektligje. Qeveria e Kosovës theksonte se, do të punojë me përkushtim maksimal deri më datë 31 dhjetor 2015, në mënyrë që të kompletohet axhenda legjislative e saj dhe që projektligjet të dërgohen në Kuvendin e Kosovës. Përpos ligjeve të miratuara, sipas evidencave të qeverisë, janë edhe 32 projektligje që duhet të kalojnë procedurat në Kuvend, meqë qeveria i ka miratuar dhe proceduar.Qeveria e Republikës së Kosovës thekson se, “e sheh të nevojshme krijimin e kushteve dhe kontributin e të gjitha subjekteve politike në Kuvend, në pozitë dhe opozitë, në mënyrë që të përmbushet  axhenda legjislative, e cila ka rëndësi themelore për vendin, si dhe që këto akte, pas shqyrtimeve dhe debatit kualitativ në Kuvend, të jenë sa më të kompletuara dhe në interes të qytetarëve dhe shtetit”.“Qeveria e Kosovës e konsideron të nevojshme dhe të domosdoshme miratimin sa më të shpejtë të këtyre akteve ligjore, të cilat kanë rëndësi parësore për zhvillimin ekonomik, proceset integruese evropiane, arsimin, sigurinë, luftën kundër korrupsionit dhe avancimin e shumë proceseve të tjera të rëndësishme për të ardhmen e vendit”, përfundohet në deklaratë.Në vitin e parë, ka pasur vetëm një ndryshim në qeveri, është zëvendësuar ministri për Komunitete dhe Kthim, pasi Aleksandar Jablanoviç nga Lista Serbe u shkarkua në 3 shkurt nga kryeministri Mustafa, pas një deklarate ku protestueset në Gjakovë, familjare të personave të zhdukur gjatë luftës, i kishte quajtur “egërsira”. Nga fillimi i vitit 2015, deklarata e minstrit serb u pasua me kërkesa për shkarkimin e tij dhe reagime tjera me protesta të opozitës, që ishin edhe të dhunëshme nga grupe protestuesish dhe me demolime edhe të ndërtesës së qeverisë, xhamat e thyer të së cilës më pas rinovuan.Edhe pas katër marrëveshjeve të 25 gushtit me Serbinë dhe marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, qeveria e Kosovës po përballet më kundërshtime të opozitës, të manifestuara në forma të ndryshme,  me bllokim të Kuvendit edhe me hedhje të gazit lotsjellës, edhe me protesta ku ka pasur edhe dhunë, të lënduar, si dhe të arrestuar, përfshirë edhe deputetë opozitarë.Në një takim me Presidenten e Republikës, Atifete Jahjaga, në fillim të kësaj jave, tre liderët opozitarë, Visar Ymeri, i VV, Ramush Haradinaj i AAK dhe Fatmir Limaj i Nisma, kanë kërkuar  anulimin e mrrëveshjeve që i vlerësojnë të dëmshme për Kosovën ose “t’i nënshtrohen votës popullore përmes referendumit”, e “nëse jo, atëherë vendi të shkojë në zgjedhje të përgjithshme”.Sipas gazetave të sotme në Prishtinë, “subjektet opozitare dhe analistët politikë kanë thënë se kjo qeveri më shumë është marrë me menaxhimin e krizave dhe me plotësimin e kushteve të vëna nga Lista Serbe, sesa me planin qeverisës”.

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, kosova, kriteret, liberalizimi i vizave

Kosova në rrjetin hekurudhor evropian “Route 10”

December 7, 2015 by dgreca

-Marrëveshja kredi  në vlerë prej 42 milionë euro për modernizimin pjesës së Kosovës në rrjetin hekurudhor evropian “Route 10” do të nënshkruhet nesër nga  ministri kosovar i Financave Avdullah Hoti dhe zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Bankës Evropiane të Investimeve Romualdo Massa Bernucci/

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 7 Dhjetor 2015/ Komisioni Evropian dhe Banka Evropiane e Investimeve do të financojnë modernizimin e hekurudhës së Kosovës me 82 milionë euro fillimisht.Një marrëveshje kredie prej 42 milionë euro për modernizimin pjesës së Kosovës në rrjetin hekurudhor evropian “Route 10” do të nënshkruhet të marten, në 8 dhjetor, nga Banka Evropiane për Investime (BEI) dhe qeveria e Kosovës.Në të njëjtën kohë, BE-ja do të mbështesë fillimisht këtë projekt me një grant prej 40 milionë eurosh për përgatitjen dhe zbatimin e projektit. Ky projekt do të integrojë rrjetin hekurudhor të Kosovës në korridorin Orient/Lindja-Mesdhetare, duke lidhur Ballkanin Perëndimor me Austrinë, Greqinë dhe Bullgarinë, si pjesë e Korridoreve të Rrjetit Kryesor të Rrjetit Trans-Evropian të Transportit.Në ambientet e qeverisë së Kosovës, Ceremona e nënshkrimit mes Romualdo Massa Bernucci, Zëvendës i Drejtorit të Përgjithshëm të BEI dhe ministrit kosovar të Financave¸ Avdullah Hoti,  që do të përcillet me deklarata të shkurtëra.Në këtë ceremoni do të merr pjesë edhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian / përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar.Në prill 2015, gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor kanë arritur një marrëveshje për rrjetin kryesor të transportit dhe në qershor 2015 kanë arritur marrëveshje për zgjerimin e tre korridoreve kryesore të Rrjeteve Trans-Evropiane të Transportit për në Ballkanin Perëndimor. Ato kanë identifikuar projektet prioritare përgjatë seksioneve të këtyre korridoreve që do të implementohen deri më 2020.Në BE, rrjeti kryesor lidh të gjitha kryeqytetet e BE-së, qendrat ekonomike kryesore dhe portet më të mëdha. Zgjerimi i korridoreve të rrjetit kryesor për në Ballkanin Perëndimor mundëson përshpejtimin e reformave politike dhe rregullative, derisa përpjekjet dhe investimet e shtuara për korridoret kryesore dhe ndërlidhjet sigurojnë integrim më të afërt me BE-në. Ato gjithashtu sigurojnë bazën për investim leverazhi në infrastrukturë, si mbështetja e BE-së përmes Kornizës Investuese të Ballkanit Perëndimor dhe mjetit për lidhjen e Evropës “Connecting Europe Facility”.

Filed Under: Ekonomi, Rajon Tagged With: “Route 10”, Behlul Jashari, kosova, në rrjetin hekurudhor evropian

Kosova, një vit nga zgjedhja e qeverisë

December 6, 2015 by dgreca

-Pas zgjedhjes, qeveria e Kosovës, e koalicionit të dy partive më të madha PDK e LDK, ku përfshihen edhe minoritetet, për vitin 2015 kishte paraparë të përgatisë dhe të dërgojë për miratim në Kuvend rreth 100 ligje/-Qeveria e dy partive më të mëdha, PDK e LDK, ku përfshihen edhe komunitetet pakicë, përballje me kundërshtimet e opozitës edhe me bllokime në Kuvend e protesta/

Behlul Jashari/ PRISHTINË, 6 Dhjetor 2015/Qeveria e re aktuale e Kosovës, me kryeministër Isa Mustafën, javën e ardhëshme bën një vit që nga zgjedhja në 9 dhjetor 2014, në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit.

Pas zgjedhjes, qeveria e Kosovës, e koalicionit të dy partive më të madha PDK e LDK, ku përfshihen edhe minoritetet, për vitin 2015 kishte paraparë të përgatisë dhe të dërgojë për miratim në Kuvend rreth 100 ligje.

Këtë javë, në 4 dhjetor, qeveria e Republikës së Kosovës, në një deklaratë të dërguar bënte të ditur se, deri më tani, gjatë këtij viti, ka miratuar 68 projektligje.

Kronologjia drejt zgjedhjes së qeverisë së re të Kosovës ishte kjo: Pas zgjedhjeve të parakohëshme të 8 qershorit, seanca konstituive e Kuvendit kishte nisur dhe ishte ndërprerë në 17 korrik, ishte rindëprerë në 18 shtator dhe shtyrë në 2 tetor, gjatë zhvillimeve kur koalicioni parazgjedhor nuk kishte numrin e mjaftueshëm të votave për të zgjedhur kryeparlamentarin, ndërsa koalicioni paszgjedhor nuk kishte të drejtën për të propozuar kandidatin, sipas aktgjykimit të Kushtetueses.

Kuvendi i Kosovës, i legjislaturës së kaluar, të katërt, u vetëshpërnda në një seancë të jashtëzakonshme në 7 maj 2014 dhe menjëherë u shpallën zgjedhjet e parakohëshme parlamentare.

Dy ditë pas zgjedhjeve, në 10 qershor u nënshkrua marrëveshja për koalicion paszgjedhor LDK-AAK-Nisma, të cilat subjekte në 10 shtator nënshkruan edhe marrëveshjen e parimeve me VV-në dhe zhvilluan disa takime së bashku, të fundit në 14 nëntor, pa marrëveshje të re.

LDK kërkonte ridizajnim të marrëveshjes së 10 qershorit, që t’i takonte asaj posti i kryeministrit, për të cilin ishte nominuar kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, pasi zbatimi i plotë i marrëveshjes u  pamundësua nga Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, i 26 gushtit 2014, e cili anuloi zgjedhjen e pas ndërprerjes së seancës konstituive të 17 korrikut të  liderit të LDK-së, Isa Mustafa, për kryeparlamentar, edhe për faktin se të drejtën për të propozuar kryetarin e Kuvendit e kishte vetëm fituesja e zgjedhjeve.

PDK, fituesja e zgjedhjeve në koalicionin parazgjedhor, nuk arriti numrat për kandidatin e saj për kryeparlamentar, Arsim Bajramin, në vazhdimin e seancës konstituive në 18 shtator, e cila u rindërpre.

Rivazhdimi i seancës konstituive i thirrur pastaj për 2 tetor me axhendë për të tretën herë zgjedhjen e Kryetarit e nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës u shty dhe nuk u thirr më nga kryesuesja, deputetja më e vjetër Flora Brovina, pa u arritur një marrëveshje mes partive nga koalicioni parazgjedhor që kishte të drejtën të propozojë kryeparlamentarin por nuk i kishte numrat dhe nga koalicioni paszgjedhor që i bëri numrat, por nuk kishte të drejtën.

Kryesuesja, në njoftimin dërguar deputetëve theksonte se shtyrja e rivazhdimit të seancës konstituive bëhej “me qëllim të krijimit të hapësirës së mjaftueshme për tejkalimin e krizës politike dhe institucionale, në mënyrë që seanca të përfundojë me sukses”.

Në këtë situatë të “ngrirjes” politike, në mbrëmjen e 19 nëntorit, dy partitë më të mëdha kosovare, PDK dhe LDK arritën pajtimin në parim për ndërtimin e koalicionit ndërpartiak që hapi mundësitë për krijimin e institucioneve të vonuara të Kosovës të zgjedhjeve 2014, të vlerësuara ndërkombëtarisht një hap përpara në konsolidimin e demokracisë.

Në Kuvendin e Kosovës 120 anëtarësh, 100 shqiptarë e 20 të komuniteteve pakicë, prej tyre 10 serbë, sipas rezultatit të zgjedhjeve të 8 qershorit 2014, grupi më i madh parlamentar doli subjekti i PDK-së dhe koalicioni i tij me 37 deputetë, i pasuar nga subjekti i LDK-së me 30, VV me 16, AAK me 11, Srpska Lista me 9, Nisma për Kosovën 6, Koalicija Vakat 2, Kosovo Demokratik Tyrk Partisi 2, ndërsa Partia Liberale Egjiptiane, Partia Demokratike e Ashkalinjëve të Kosovës, Progresivna Demokratska Stranka, Kosovski Nevi Romani Partia, Nova Demokratska Stranka, Koalicija za Gora dhe Partia e Ashkalinjëve për Integrim përfaqësohen me nga një deputet.

Qeveria e re e Kosovës, në fillim të këtij viti u përball me protesta të opozitës, që ishin edhe të dhunëshme, pasi një deklarate të ministrit për Komunitete dhe Kthim, Aleksandar Jablanoviç, nga Lista Serbe, i cili protestueset në Gjakovë, familjare të personave të zhdukur gjatë luftës, i kishte quajtur “egërsira”. Ministri Jablanoviç u shkarkua në 3 shkurt nga kryeministri Mustafa, ndërsa pasoi reagimi i Listës Serbe me vetëlargimin e  përfaqësuesëve të saj nga qeveria e Kuvendi i Kosovës deri në rikthm në fund të prillit.

Edhe pas katër marrëveshjeve të 25 gushtit me Serbinë dhe marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, qeveria e Kosovës po përballet më kundërshtime të opozitës, të manifestuara në forma të ndryshme,  me bllokim të Kuvendit edhe me hedhje të gazit lotsjellës, edhe me protesta ku ka pasur edhe dhunë, të lënduar e të arrestuar. Në këto zhvillime pati të arrestuar edhe 5 deputetë opozitarë të Kuvendit të Kosovës.

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, kosova, nga zgjedhja e qeverisë, nje vit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 205
  • 206
  • 207
  • 208
  • 209
  • …
  • 245
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT