-Do të arrihen edhe marrëveshjet e domosdoshme lidhur me kufirin që ndan komunën jugore e komunën veriore të Mitrovicës/
Nga Behlul Jashari/ MITROVICË, 18 Tetor 2015/ Ura e Mitrovicës mbi lumin Ibër, ku dje pasdite nisën përgatitje për punime të revitalizimit, të cilat kanë vazhduar gjatë ditës së sotme, deri në fund të qershorit 2016 parashihet që në mënyrë komplete të lëshohet në qarkullim. Në punët e para, në anën jugore të urës është vendosur një pano-bilbord që tregon se këtu është një projekt i BE-së. Punimet kanë vijuar në vënien e rrethojës që shënon vendin e punimeve, e pastaj të shtyllave të betonit në të dyja anët e urës.
Kryeministri Isa Mustafa, pas kthimit nga Brukseli, raundi i 28 i dalogut Kosovë-Serbi në nivel të lartë kryeministror, ka njoftuar në mbledhje të qeverisë dhe në konferencë shtypi për paketën e katër marrëveshjeve të 25 gushtit 2015, e cila përfshinë edhe marrëveshjen lidhur me heqjen e barrikadave nga ura e Mitrovicës.
Kryeministri i Kosovës ka theksuar se, marrëveshje është bërë edhe për heqjen e barrikadave mbi urën e lumit Ibër që ndan Mitrovicën Jugore prej asaj Veriore.
“Me marrëveshje jemi përcaktuar që me datën 15 tetor të fillojë lirimi i urës dhe ura të shndërrohet në kantier, në mënyrë që të rikonstruohet me dy rrethrrotullime, njëri në pjesën jugore, tjetri në pjesën veriore, me staza për këmbësorë dhe për biçiklistë, dhe me pjesën në të cilën do të qarkullojnë automjetet e lehta dhe të rënda. E gjithë kjo do të zgjasë deri në fund të qershorit 2016 kur parashihet që në mënyrë komplete të lëshohet në qarkullim ura mbi Ibër dhe me këtë do ta kemi lidhjen e pjesës jugore dhe pjesës veriore të Mitrovicës”, ka thënë Mustafa.
Ndërkohë, ka vijuar ai, poashtu do të arrihen edhe marrëveshjet e domosdoshme ndërmjet dy kuvendeve komunale të Mitrovicës, ndërmjet dy kryetarëve të komunave, lidhur me kufirin që ndan këto dy komuna, sepse ajo është e lidhur edhe me ndërtimet infrastrukturore dhe ndërtimet tjera që do të bëhen në atë pjesë të vendit.
Pas fillimit të punimeve në urë dje, kryeministri Mustafa e vlerësoi këtë si një hap të rëndësishëm drejt integrimit të qytetarëve të dy pjesëve të qytetit. “Mendoj se është një hap shumë i rëndësishëm i integrimit të pjesë veriore dhe jugore të Mitrovicës. Është një premtim i cili është bërë, është një marrëveshje e cila do i jap efektet dhe rezultatet e veta dhe unë mendoj se ne do ta kapërcejmë me këtë problemin e ndarjes së veriut dhe jugut”, tha Mustafa në një intervistë televizive.
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka bërë të ditur se, kontraktuesi i BE-së do të mbyllë të dy anët e urës me barriera dhe vendin e ndërtimit me gardh. Punët ndërtimore në këtë urë do të kryhen duke iu qasur vendit të punimeve përmes rrugës nga ana jugore. Gjatë kohës së revitalizimit, njëra anë e urës do të ketë qasje për kalimtarët.
Në 13 tetor, kryeministrat e Kosovës e Serbisë, Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç, ishin në një “darkw joformale” në Brusel, me ftesë të ndërmjetësueses së dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini.
Darka ishte në “kontekst të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, është theksuar në njoftimin e BE-së.
“Të dy kryeministrat patën një diskutim të hapur për gjendjen aktuale të dialogut, në veçanti sa i përket implementimit të marrëveshjeve të 25 gushtit”, thuhej në njoftim dhe shtohej se “të dy palët e kanë përsëritur përkushtimin e tyre për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri tash”.
Në urën kryesore në lumin Ibër në Mitrovicë, para katër vitesh, grupet e serbëve vendosën një barrikadë pas disa barrikadave të tjera nëpër rrugët në veri.
Kosovë-Nis revitalizimi i Urës së Mitrovicës
– Në urën kryesore në lumin Ibër në Mitrovicë, para katër vitesh, grupet e serbëve vendosën edhe një barrikadë pas disa barrikadave të tjera nëpër rrugët në veri/
Nga Behlul Jashari/ MITROVICË, 17 Tetor 2015/ Në Mitrovicë, sot pasdite, po bëhen përgatitje për nisjen e punimeve të revitalizimit të urës dhe hapësirës përreth saj. Në punët e para, në anën jugore të urës është vendosur një pano-bilbord që tregon se këtu është një projekt i BE-së.
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka bërë të ditur se, kontraktuesi i BE-së do të mbyllë të dy anët e urës me barriera dhe vendin e ndërtimit me gardh. Punët ndërtimore në këtë urë do të kryhen duke iu qasur vendit të punimeve përmes rrugës nga ana jugore.
Gjatë kohës së revitalizimit, njëra anë e urës do të ketë qasje për kalimtarët.
Samuel Zhbogar, Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuesi Special i BE-së ka lavdëruar durimin e të dyja palëve, duke veçuar kryetarët Agim Bahtiri e Goran Rakiç (të komunave në jug e veri të Mitrovicës) për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e tyre të treguar gjatë ditëve të kaluara.
Diskutimet për Memorandumin e Mirëkuptimit për Planet Zhvillimore Komunale, Hartën Komunale të Zonave dhe Planin e detajuar Rregullativ po vazhdojnë.
Zyra e BE-së në Kosovë/Përfaqësuesi Special i BE-së do të jetë në kontakt të vazhdueshëm me këto dy komuna gjatë gjithë procesit për të monitoruar dhe rishikuar zhvillimet. Ajo po ashtu do ta informojë publikun e Kosovës për çështjet përkatëse.
Revitalizimi i urës së Mitrovicës është paraparë me marrëveshjen për lirinë e lëvizjes të arritur më 25 gusht 2015 në mes të Prishtinës dhe Beogradit, përfundon njoftimi.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, dje paralajmëronte se, “barrikada në urën mbi lumin Ibër do të hiqet dhe me mbështetjen e Bashkimit Evropian, ashtu siç është paraparë, ajo do të shndërrohet në urë që lidh e jo më që ndanë qytetin e Mitrovicës”.
Në urën kryesore në lumin Ibër në Mitrovicë, para katër vitesh, grupet e serbëve vendosën edhe një barrikadë pas disa barrikadave të tjera nëpër rrugët në veri.
Në 15 shtator 2011 raportoja se, “në Mitrovicë natën e kaluar serbët kanë barrikaduar edhe urën kryesore mes veriut dhe jugut, mbi lumin Ibër, ku është ndërprerë trafiku i automjeteve, ndërsa sot kalojnë vetëm këmbësorët”.
Në 18 qershor 2014 kam raportuar se, “herët në mëngjes, serbët larguan barrikadën në anën veriore të urës mbi lumin Ibër, tre vjet pas vendosjes, e më pas po nga ajo anë e po aty vendosën në mesditë ‘Parkun e paqes’ prej fidanësh të mbjellur në vazo betoni, çka shkaktoi reagime në jug kundër rimbylljes së urës për lëvizjen e lirë me barrikadën e re në një formë tjetër”.
Kosova rrit 25 përqind asistencën sociale
-Njihet përvoja e punës për të gjithë që kanë punuar në kushte okupimi gjatë viteve të 90-ta në institucionet e Republikës së Kosovës të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut e Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990 dhe Referendumit për Pavarësi të shtatorit 1991/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 17 Tetor 2015/ Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë vendim për rritjen e asistencës sociale me 25 përqind, nga data 1 nëntor 2015, u bë e ditur sot në një konferencë për shtyp të ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, dhe ministrit të Financave, Avdullah Hoti.
“Është një vendim që përfshinë mëse 26 mijë familje me rreth 115 mijë anëtarë. Është një lajm i mirë për Kosovën, koincidon me Ditën Ndërkombëtare për Zhdukjen e Varfërisë”, theksuan ata.
Vendimi për rritjen e asistencës sociale, siç u bë e ditur në konferencën për shtyp, është rezultat i menaxhimit të mirë të skemave sociale nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe e angazhimit të vazhdueshëm të qeverisë për avancimin e politikave aktive të tregut të punës në Kosovë.
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, ka bërë të ditur se ky vendim i cili merret në ditën që ndërlidhet me luftën kundër varfërisë, është rezultat i përkushtimit maksimal të qeverisë për politika që synojnë zhdukjen e varfërisë në Kosovë.
Abrashi theksoi se ky është konkretizim i premtimit që është bërë në fillim të mandatit që përmes politikave dhe qeverisjes së mirë do të përkrahen shtresat që janë në asistencë sociale.
“Kjo ka ndodhë me zbatimin e një qeverisje më të mirë brenda sistemit aktual të listës për asistencë sociale, si edhe politikave aktive të tregut të punës ku ne përmes programeve të ndryshme të punësimit kemi targetuar këto familje. Kemi punësuar anëtarët e këtyre familjeve në treg të punës dhe është liruar edhe skema dhe kemi bërë kursime dhe realisht kemi pasur sot mundësinë që të bëjmë rritjen prej 25 përqind për këtë kategori”, tha Abrashi.
Ministri i Financave, Avdullah Hoti, e ka përgëzuar ministrin Abrashi për menaxhimin e shkëlqyer të skemave sociale dhe të skemave të tjera në ministri, duke theksuar se ky menaxhim e ka mundësuar marrjen e këtij vendimi për skemat sociale që të rriten për 25 % .
“Është rritje e konsiderueshme dhe në përputhje me nevojat e këtyre familjeve”, u shpreh ministri Hoti, duke bërë të ditur se krahasuar me tre mujorin e dytë të vitit të kaluar, nga 29 mijë familje në skemat e asistencës sociale tani janë 26 mijë familje.
Ministri Hoti po ashtu bëri të ditur se zvogëlimi i numrit të këtyre familjeve me asistencë sociale është rezultat i politikave aktive të tregut të punës dhe programeve të punësimit të cilat kanë targetuar familjet që kanë qenë pjesë e asistencës sociale, të cilave iu është mundësuar punësim i përkohshëm ose forma të tjera të punësimit të anëtarëve të këtyre të familjeve.
Ministri kosovar i Financave, po ashtu, bëri të ditur se ky menaxhim i mirë ka mundësuar që përfitimi mesatar për një familje që është me asistencë sociale të rritet nga 76 në 95 euro dhe që të rritet mesatarja, minimumi dhe maksimumi që mund të ketë një familje.
Duke iu referuar kursimit prej 2.5 milionë eurosh në skemën e asistencës sociale gjatë këtij viti, ministri i Financave, Avdullah Hoti, bëri të ditur se prej 1 nëntorit të këtij viti familjet që janë në asistencë sociale përfitimet për muajin nëntor do t’i kenë për 25 % më të larta.
“Po punojmë edhe në skemat e tjera dhe do të kemi mundësi, menjëherë në vitin e ardhshëm, t’i rishikojmë dhe që në përputhje me administrimin e mirë nga ana e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, të marrim vendime të tjera pozitive për këto skema”, u shpreh ministri Hoti.
Të pyetur nga gazetari BJ, ministrat bënë të ditur se po punohet edhe më tej për për krijimin e mundësive dhe zbatimin e Ligjit për Skemat Pensionale, përkatësisht njohjen e përvojës së punës për të gjithë ata që kanë punuar në institucionet e Republikës së Kosovës gjatë viteve të 90-ta, për çka në fund të vitit të kaluar Kuvendi i Kosovës ka miratuar amendamentin e përbashkët të qeverisë dhe Komisionit parlamentar për Buxhet.
“Të gjitha detajet sa i përket pensioneve, gjithashtu edhe përvojës së punës së punëtorëve të institucioneve të Republikës së Kosovës gjatë viteteve të ’90-ta do të bëhen të ditura brenda 2-3 javësh, derisa po punohet edhe për Buxhetin e Shtetit për vitin 2016”, ishte përgjigja në konferencën për shtyp të ministrit të Financave, Avdullah Hoti dhe ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi.
Republika e Kosovës e Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut e Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990 dhe e Referendumit për Pavarësi të shtatorit 1991, në kushte të rënda të okupimit, dhunës, terrorit e shtetrrethimit ushtarako-policor të vendosur nga regjimi i Beogradit, pas dëbimit të shqiptarëve nga puna dhe institucionet, në rezistencën dhe lëvizjen për liri e pavarësi bëri organizime të pavarua institucionale në arsim, shëndëtësi, informim, kulturë e në fusha të tjera. Ishte koha kur në mënyrë kundërkushtetuese dhe përgjakshëm me kushtetutën serbe të tankeve u rrënua autonomia që kishte Kosova me Kushtetutën e vitit 1974 element konstituiv me të drejtë vetoje i federates.
Forca e Sigurisë së Kosovës zhvillon stervitjen “Shqiponja IV”
-Me ndihmën e Zyrës për Bashkëpunim Mbrojtës të Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë (ODC)/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 16 Tetor 2015/ Forca e Sigurisë së Kosovës zhvillon ushtrimin “Shqiponja IV” me ndihmën e Zyrës për Bashkëpunim Mbrojtës të Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë (ODC). Çdo vit FSK-ja zhvillon një ushtrim të madh trajnues në shtator dhe tetor. Këtë vit “Shqiponja IV” përqëndrohet në një rast të ndihmës humanitare/reagimit ndaj fatkeqësisë, në kuadër të cilit ata do të veprojnë. Ky është viti i katërtë me radhë që Zyra për Bashkëpunim Mbrojtës e Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë e përkrahë stërvitjen “Shqiponja”. Gjatë tërë vitit ODC ka mbajtur ngjarje të shumta për të përgatitur “Shqiponja IV”, e ka mbështetur këtë ushtrim duke sjellë ekipe për të zhvilluar trajnimin për komunikim, trajnimin HAZMAT (për materiale të rrezikshme), konferenca dhe ngjarje për planifikimin e shumëfishtë, si dhe seminare. Përveç këtyre, ODC ka mbështetur stërvitjen “Shqiponja IV” të FSK-së edhe duke zhvilluar ushtrime të shumta tavoline në shtator si provë.
Dita e Vizitorëve të Dalluar u mbajt sot në zonën e ushtrimit në Ferizaj.
Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe Komandanti i KFOR-it, gjeneral major Francesco Paolo Figliuolo vizituan sot operacionet përfundimtare të Ushtrimit fushor “Shqiponja 4” të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në Jezerc të Ferizajt.
Me këtë rast, Komandantja e përgjithshme, Jahjaga pasi pa nga afër demonstrimet e njësive të specializuar u shpreh tejet e lumtur mbi të arriturat profesionale të njësive dhe pjesëtarëve gjatë zhvillimit të operacioneve, me motivimin , disiplinën dhe përkushtimin për të realizuar detyrat sipas skenarit të paraparë për ushtrim.
Presidentja Jahjaga tha se të gjithë duhet të krenohemi për të arriturat dhe për përparimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe punën e palodhshme të pjesëtarëve të kësaj force.
“Për shkak të këtyre të arriturave, për shkak të këtij përparimi dhe për shkak të këtij vullneti, duhet të arrijmë qëllimin tonë drejt transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës, proces ky i cili e përmbyll edhe infrastrukturën e sigurisë së Republikës së Kosovës dhe konsolidimin tonë si shtet”, tha Jahjaga në një prononcim për media.
Presidentja, përgëzoi Komandantin e FSK-së, Gjeneral Rrahman Ramën dhe Ministrin e FSK-së, Haki Demolli, për realizimin e suksesshëm të ushtrimit fushor.
Aktivitetet e ushtrimit i vizituan edhe ambasadorët e SHBA-ve, Shqipërisë, Turqisë, pastaj atashetë ushtarakë të vendeve partnere, gjithashtu edhe kryetarët e komunave Ferizaj dhe Suharekë si dhe oficerë nga Policia e Kosovës dhe peronalitete vendore dhe nderkombëtarë.
Në Ushtrimi fushor “Shqiponja 4” të Forcë së Sigurisë së Kosovës, i cili u zhvillua nga data 11 deri më 16 tetor 2015, në lokacionin e Jezercit , komuna e Ferizajt, ishin të angazhuar rreth 400 trupa me rreth 65 automjete.
Ushtrimi fushor i Forcës së Sigurisë së Kosovës “Shqiponja 4” ka për qëllim realizimin e operacioneve komplekse dhe përmirësimin e komunikimit dhe koordinimit në mes të të gjitha institucioneve dhe mekanizmave të sigurisë të Republikës së Kosovës.
Kosovë-Veseli: Më vështirë të fitojmë apo ta menaxhojmë lirinë
-Të hënën mbledhja e Kryesisë së Kuvendit për vazhdimin e seancës së ndërprerë me lotsjellës/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 15 Tetor 2015/Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka shkruar sot në ‘facebook’: “Pamjet e fundit në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe koha, do të dëshmojnë se a ishte më e vështirë të fitojmë lirinë apo ta menaxhojmë atë”. Ai ka ka postuar edhe katër foto nga seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës me gaz lotësjellës të hedhur nga opozita e bashkuar e tre partive, e cila ka deklaruar se, “ne jemi të vendosur në protestën tonë kundër marrëveshjeve me Serbinë dhe asaj për demarkacionin me Malin e Zi”.
Kuvendi i Kosovës pa asnjë seancë të përfunduar në sesionin vjeshtor, i bllokuar nga opozita, është mbledhur në një seancë tjetër sot të ftuar nga Kryesia me shefat e grupeve parlamentare, në mbledhjen me vetëm përfaqësuesit e subjekteve politike të koalicionit qeverisës, përballur edhe me bojkotin opozitar.
Por, që në fillim deputetët e opozitës bllokuan me “rrethim” të foltorës dhe kryesuesit, e pastaj, për të dytën herë, si edhe javën e kaluar, hodhën gaz lotësjellës dhe seanca e Kuvendit të Kosovës u ndërpre.
Derisa ndodhnin zhvillimet në seancën parlamentare dhe pas ndërprerjes së saj, në shesh para Kuvendit kosovar kishte grumbullime për protestë të aktivistëve të opozitës e qytetarëve tjerë.
“Aksionet simbolike” të opozitës, me “rrethime” të foltores e kryesuesëve, fërshëllima, gjuajtje vezësh e gazi lotësjellës në sallën e seancave të Kuvendit, janë pjesë e kundërshtimeve, edhe me protesta në rrugë dhe me një peticion me rreth 200 mijë nënshkrime deri tani, të 4 marrëveshjeve të 25 gushtit me Serbinë dhe marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.
“Protesta jonë në Kuvend nuk do të ndalet dhe nuk do të lejojmë normalizimin e ‘Zajednicës’ dhe faljen e tokave të Kosovës Malit të Zi”, paralajmëroi edhe sot opozita në deklaratën e përbashkët të tre partive, LVV, AAK e Nisma.
Opozita shprehet me fjalën serbe “Zajednica” që do të thotë “Bashkësi” dhe nënkupton Bashkësinë/Asociacionin e komunave me shumicë sebe në Kosovë.
Për të hënën, në 19 tetor, është ftuar mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës me kryetarët e grupeve parlamentare, derisa ende nuk ka datë kur do vazhdojë seanca plenare e ndërprerë sot.
“Do të diskutohet për vazhdimin e seancës plenare, të ndërprerë sot si pasojë e hedhjes së gazit lotsjellës”, bëhet e ditur në njoftimin e dërguar nga Kuvendi i Kosovës.
“Kërkojmë nga Kryesia e Kuvendit që të mos thërras më seancë plenare. Çfarëdo insistimi në këtë drejtim është provokim dhe përshkallëzim i situates në Republikën e Kosovës”, thekson deklarata e opozitës.
- « Previous Page
- 1
- …
- 215
- 216
- 217
- 218
- 219
- …
- 245
- Next Page »