• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosovë, Kuvendi në seancën e parë të sesionit vjeshtor informohet për 4 marrëveshjet e 25 gushtit në Bruksel

September 13, 2015 by dgreca

Kryesia e Kuvendit të Kosovës me kryetarët e grupeve parlamentare mblidhen të hënën për përgatitjet e seancës plenare dhe shqyrtimin e propozimeve e kërkesave/

Kuvend-Kosove-seance-foto-ATSH-Behlul-JashariPRISHTINË, 13 Shtator /ATSH-B.Jashari/ -Kuvendi i Kosovës javën e ardhshme nis sesionin vjeshtor. Sezoni nis me mbledhjen e parë të Kryesisë me kryetarët e grupeve parlamentare nesër dhe me seancën e parë plenare, datën dhe axhendën e së cilës do të përcaktohet. Ndërkohë që tre komisione parlamentare – për integrimet evropiane,  për punët e Jashtme dhe për legjislacion kanë zhvilluar këtë javë mbledhjet e para pas pushimeve të verës.

Përgatitjet për seancë plenare dhe shqyrtimi i propozimeve e kërkesave, janë dy pikat e axehndës së të hënës të Kryesisë dhe të kryetarëve të grupeve parlamentare të Kuvendit të Kosovës.

Ndërkohë, të premtën Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka dorëzuar në Kuvend kërkesën për të informuar deputetët lidhur me marrëveshjet e arritura në 25 gusht 2015 në Bruksel, në kuadër të procesit të dialogut për normalizimin e relacioneve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga BE-ja dhe të përkrahur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kërkesa e Zyrës së Kryeministrit për të informuar Kuvendin që në seancën e parë të tij për këto marrëveshje është dorëzuar në Kuvend së bashku me tekstet e të gjitha marrëveshjeve, në tre gjuhë: shqip, serbisht dhe anglisht.

Qeveria e Republikës së Kosovës, duke ritheksuar përkushtimin e saj të plotë për transparencë, shpreh gatishmërinë për debat të hapur dhe me argumente për çdo pikë të marrëveshjeve të arritura në Bruksel, si edhe për proceset tjera të rëndësishme në Republikën e Kosovës.

Qeveria e Kosovës vlerëson se marrëveshjet e fundit të arritura në Bruksel, të mbështetura fuqishëm nga partnerët strategjikë të Kosovës, SHBA-të dhe BE-ja, janë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe me ligjet e Republikës së Kosovës dhe ato do të fuqizojnë sovranitetin dhe proceset integruese euroatlantike të Kosovës.

Pas kësaj kërkese të Kryeministrisë kosovare, seanca e parë plenare e sesionit vjeshtor e Kuvendit të Kosovës pritet të ketë në axhendë informatën e paralajmëruar edhe më parë nga qeveria kosovare për katër marrëveshjet, të cilat, në 25 gusht, janë arritur në Bruksel në raundin e 28-të të dialogut me Serbinë në nivel të lartë kryeministror.

Isa-Mustafa-dhe-Edita-Tahiri “Në seancën e parë të sesionit vjeshtor do ta informojmë Kuvendin për katër marrëveshjet, të cilat, më 25 gusht, i arritëm në Bruksel”, ka paralajmëruar kryeministri Isa Mustafa, pasi ka nënshkruar marrëveshjet.

“Presim që, në rrugë institucionale, të kemi informatat e plota zyrtare mbi procesin dhe përmbajtjet e këtyre marrëveshjeve”, ka deklaruar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Para pushimeve të verës, Kuvendi i Kosovës ka përmbyllur sesionin pranveror me seancën e jashtëzakonshme të nisur pak para mesnatës së 3 gushtit, që ishte e treta brenda ditës për ndryshimet kushtetuese dhe ligjet drejt krijimit të Gjykatës Speciale.

Derisa qeveria ka vazhduar me punë edhe gjatë verës, pas kthimit nga Brukseli, kryeministri Mustafa ka njoftuar në mbledhje të qeverisë dhe në konferencë shtypi se, “paketa e katër marrëveshjeve të 25 gushtit 2015 përfshinë: marrëveshjen për kodin telefonik, marrëveshjen lidhur me heqjen e pengesave të Serbisë në zbatimin e marrëveshjes për energjinë, parimet themelore për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe poashtu marrëveshjen lidhur me heqjen e barrikadave nga ura e Mitrovicës”.

“Marrëveshjet janë arritur dhe janë nënshkruar nga kryeministrat e të dy vendeve, nga unë dhe kryeministri i Serbisë, dhe poashtu nga përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian”, ka thënë ai.

Kreu i qeverisë së Kosovës ka theksuar se, këto marrëveshje sikurse edhe dialogu në Bruksel, janë arritur në bazë të bashkëpunimit të ngushtë për një periudhë të gjatë kohore me Bashkimin Evropian, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në bazë të një studimi të thellë që i është bërë të gjitha këtyre dokumenteve, të konsulencës dhe ekspertizës profesionale që e kemi zhvilluar këtu.

“Këto marrëveshje janë në pajtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe në pajtim të plotë me ligjet e Kosovës, ndërsa kanë të bëjnë me përmbushjen e detyrimeve tona që ne i kemi krijuar me Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë, e aprovuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2013”, është shprehur ai.

Ne, ka vijuar Mustafa, konsiderojmë se këto marrëveshje kontribuojnë për paqe, për fqinjësi të mirë, për stabilitet rajonal dhe i japin fund ndërhyrjeve të Serbisë në punët e Kosovës, përmes shuarjes së strukturat paralele në veri të vendit, përmes heqjes së pengesave për integrimin e serbëve në sistemin shtetëror të Kosovës, në ekonominë e Kosovës dhe në institucionet sociale të Kosovës dhe janë në dobi politike, ekonomike dhe të sigurisë së qytetarëve tanë.

Marrëveshja për Asociacionin, në harmoni me dokumentin gjithëpërfshirës të Martti Ahtisaarit dhe pranim faktik i këtij dokumenti nga Serbia

CNRikyXVAAAN_ls“Të gjitha parimet themelore që kanë të bëjnë me themelimin e Asociacionit janë në pajtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe në pajtim të plotë me ligjet e vendit. Mund të them poashtu se kjo marrëveshje është në harmoni me Dokumentin Gjithëpërfshirës të Martti Ahtisaarit dhe është pranim faktik i këtij dokumenti nga Serbia, më datën 25 gusht. Serbia nuk e ka pranuar këtë dokument, por përmes pranimit të kësaj, do të thotë ka pranuar elementet qenësore të këtij dokumenti”, ka theksuar kryeministri Mustafa.

Kryeministri kosovar ka shtuar se, kjo marrëveshje në gjithë rrjedhën e saj i adresohet ligjeve të Kosovës.

“Po ashtu, marrëveshja parasheh që me aktin për themelimin e asociacionit, dhe me të gjitha ndryshimet dhe plotësimet e Statutit për asociacionin, të jepet nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, gjë që prapë argumenton se pala serbe i ka pranuar ligjet e Kosovës, dhe e ka pranuar Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, sepse ka nënshkruar një marrëveshje të tillë”, ka shtuar Mustafa.

Ai ka thënë se, Asociacioni nuk ka kompetenca ekzekutive dhe nuk është nivel i tretë i qeverisjes në Republikën e Kosovës, poashtu nuk mund të ofroj shërbime për qytetarët, por vetëm ofron shërbime për komunat anëtare të këtij asociacioni.

“Është një strukturë e përbërë nga komunat me shumicë serbe, që veprojnë në pajtim të plotë me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe do të ndihmojë këto komuna në realizimin e çështjeve lokale dhe në rritjen e efiçiencës së punës së tyre. Marrëveshja mundëson integrimin e serbëve në  institucionet e Republikës së Kosovës”, është shprehur Mustafa.

Ligjet e Kosovës, ka vijuar ai, lejojnë krijimin e më shumë asociacioneve për komunat, prandaj edhe themelimi i këtij asociacioni është në harmoni të plotë me këto ligje, dhe në harmoni të plotë me Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale.

“Përmes themelimit të këtij asociacioni, Kosova e forcon sovranitetin dhe unitaritetin e vet sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, sepse Kushtetuta e Republikës së Kosovës e përkufizon sistemin politik të Kosovës me dy nivele, atij qendror dhe lokal, dhe nuk prodhohet asnjë pushtet tjetër jashtë këtyre dy pushteteve.

Asociacioni nuk do të jetë organizatë buxhetore. Ajo mund të përfitoj nga financimi i brendshëm dhe i jashtëm dhe nga anëtarësia e komunave, ashtu siç përfitojnë edhe asociacionet tjera.

Asociacioni i nënshtrohet ligjeve të Kosovës, në procedurat e auditimit dhe në procedurat e prokurimit të Republikës së Kosovës dhe çdo financim i këtij Asociacioni, pa marrë parasysh a bëhet nga brenda apo nga jashtë, duhet të bëhet në suaza të dispozitave ligjore të Republikës së Kosovës”, ka theksuar Mustafa.

Ai ka shtuar se, Asociacioni poashtu nuk ka karakter njëetnik, siç po paraqitet, sepse përbërja e këtyre komunave nuk është përbërje krejtësisht njëetnike, nga arsyeja se 15 % nga pjesëtarë të komunitetit shumicë, pra shqiptarë, jetojnë në këto komuna. “Karakteri shumetnik i këtyre komunave do të reflektojë edhe në strukturat e Asociacionit”, ka theksuar Mustafa.

Ai ka përkujtuar se, është përmend këto ditë se Asociacioni ka organet e veta, ka kryetarin e asociacionit, dikush i thotë kryetar dikush president, ka Kuvendin e asociacionit, ka Këshillin Drejtues, ka administratën, dhe këto janë organe të cilat i kanë të gjitha asociacionet tjera.

“Unë kam qenë nënkryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës, dhe ne kemi vepruar përmes këtyre organeve. Kemi pasur Statutin tonë, kemi pasur Kuvendin tonë të Asociacionit, kemi pasur Këshillin Drejtues, kemi dhe është administrata e Asociacionit”, është shprehur Mustafa.

Ai ka thënë se, objektivat e Asociacionit janë të nivelit lokal, kryesisht të përkufizuara në rritjen e demokracisë lokale, të përkufizuara në sigurimin e një pamje të plotë të Asociacionit në fushën e arsimit, në fushën e shëndetësisë, në fushën e zhvillimit ekonomik, në fushën e zhvillimit urban dhe rural.

“Dhe kjo nuk duhet ta frikësojë dhe nuk duhet ta shqetësojë asnjërin, sepse është një e drejtë e cila është shumë normale që këto komuna dhe asociacioni i tyre të kujdesen për mbarëvajtjen e tyre. Mirëpo, Asociacioni asnjëherë nuk do të marrë vendim për komunat, por komunat i marrin vendimet vet. Dhe asnjë vendim i Asociacionit nuk është vendim i obliguar dhe nuk do të detyrojë komunat që të veprojnë sipas tyre”, ka thënë Mustafa.

Sipas tij, është paraparë poashtu që Asociacioni mund të ketë pasuritë e saj të tundshme dhe të patundshme dhe mund të jetë bashkëpronar i kompanive që kryejnë shërbime lokale.

“Po e theksoj, kompanive që kryejnë shërbime lokale. Kjo nënkupton se mund të jetë bashkëpronar i kompanive që merren me pastrimin e qyteteve, fshatrave, me mbarëvajtjen e varrezave, me gjelbërim ose hortikulturë, me tregje të qytetit që ofrojnë shërbime për qytetarë, por nuk do të jetë pronare e kompanive publike e as e pasurive natyrore. Pasuritë e tundshme dhe të patundshme që i referohen këtyre parimeve kanë të bëjnë me ndërtesat administrative ose me zyrat administrative të cilat mund t’i ketë Asociacioni dhe ato mund të jenë pronë e Asociacionit, me infrastrukturën teknologjike që mund ta shfrytëzojë, por asgjë më shumë”, është shprehur Mustafa.

Ai ka vijuar se, me Ligjin mbi ndërmarrjet publike në Kosovë është paraparë që ndërmarrjet të cilat kryejnë shërbime në më shumë se tre komuna, te ato Asociacioni ka të drejtë të jap propozimin për një anëtar të bordeve, që nënkupton se edhe Asociacioni ekzistues i komunave të Republikës së Kosovës kryen përgjegjësinë e qeverisjes koorporative të ndërmarrjeve publike lokale, që nënkupton se kryen përgjegjësinë e bashkëpronësisë të ndërmarrjeve publike lokale, sepse nuk mund të kesh të drejtë në qeverisjen e tyre në qoftë se nuk e ke të drejtën e bashkëpronësisë së tyre.

Kosova me kodin telefonik shtetëror 00383

Më tej, kryeministri kosovar ka bërë të ditur se, sa i përket telekomunikacionit, Kosova me marrëveshje e ka marrë kodin telefonik shtetëror 00383 nga ana e Organizatës Ndërkombëtare të Telekomunikacionit.

“Austria do të aplikojë në emër të Kosovës për të kërkuar në ITU dhe kodi që ne e marrim do të jetë pronë e Republikës së Kosovës. Dhe me këtë do të arrihet që të gjitha kodet ekzistuese që deri më tani i kemi përdorur në Kosovë, 381, 377, 386 do të kalojnë në kodin 00383 dhe do të shlyhen të gjitha kodet tjera të cilat do të jenë të pavlefshme në të ardhmen”, ka thënë Mustafa.

Ai ka shtuar se, kemi përfitime të drejtpërdrejta nga kjo marrëveshje, sepse sipas të dhënave që ne i kemi marrë këto ditë, arritja e kësaj marrëveshje do të ndihmojë në kursimet e mjeteve financiare vjetore ndërmjet shtatë dhe tetë milionë euro, që janë kosto direkte e përdorimit të kodeve të huaja shtetërore, ku janë përfshirë edhe kostot e numeracionit dhe trafikut ndërkombëtar.

“Sipas vlerësimeve tona dhe vlerësimeve të auditimit, nga viti 2000 deri në vitin 2014 operatorët tanë, veçmas Vala, ka paguar shpenzime dhe ka regjistruar kosto operative në lartësi prej rreth 200 milionë euro. Ne i kemi shpenzuar këto kosto për përdorimin e kodeve të huaja shtetërore dhe më nuk do t’i kemi këto shpenzime në të ardhmen”, ka theksuar Mustafa.

Kufi  energjetik mes Kosovës e Serbisë

Kryeministri kosovar ka shtuar se, sa i përket marrëveshjes për energjinë, që ka të bëjë me heqjen e pengesave të Serbisë për zbatimin e marrëveshjes së energjisë, vlerësojmë se kjo marrëveshje rikonfirmon kufirin  energjetik të Kosovës me Serbinë dhe është kufi ky i përcaktuar me marrëveshjen e Brukselit për energjinë.

“Marrëveshja i jep fund çfarëdo ndërhyrje apo pretendimi të Serbisë ndaj sistemin energjetik të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

Mustafa ka pasqyruar edhe cilat janë tani përfitimete Kosovës nga kjo marrëveshje për energjinë.

“Sipas llogarive të përafërta që janë bërë nga ekspertët që mbulojnë këtë fushë,  përfitimet e drejtpërdrejta do të jenë 25 milionë euro në vitin e parë pasi të implementohet marrëveshja në tërësi dhe në vitet në vijim do të kemi çdo vit nga 5 milionë euro përfitim të drejtpërdrejtë si rezultat i zbatimit të kësaj marrëveshje. Përfitimet e tërthorta do të jenë 20 milionë euro për vitin e parë dhe rreth 8 milionë euro për çdo vit në vazhdim, që për kushtet tona flitet për mjete shumë të rëndësishme financiare, që ne, përpos pjesës politike, i kemi arritur me këto marrëveshje”, ka thënë ai.

 Heqja e barrikadave mbi urën e lumit Ibër në Mitrovicë

Kryeministri i Kosovës ka theksuar se, marrëveshje është bërë edhe për heqjen e barrikadave mbi urën e lumit Ibër që ndan Mitrovicën Jugore prej asaj Veriore.

“Me marrëveshje jemi përcaktuar që me datën 15 tetor të fillojë lirimi i urës dhe ura të shndërrohet në kantier, në mënyrë që të rikonstruohet me dy rrethrrotullime, njëri në pjesën jugore, tjetri në pjesën veriore, me staza për këmbësorë dhe për biçiklistë, dhe me pjesën në të cilën do të qarkullojnë automjetet e lehta dhe të rënda. E gjithë kjo do të zgjasë deri në fund të qershorit 2016 kur parashihet që në mënyrë komplete të lëshohet në qarkullim ura mbi Ibër dhe me këtë do ta kemi lidhjen e pjesës jugore dhe pjesës veriore të Mitrovicës”, ka thënë Mustafa.

Ndërkohë, ka vijuar ai, poashtu do të arrihen edhe marrëveshjet e domosdoshme ndërmjet dy kuvendeve komunale të Mitrovicës, ndërmjet dy kryetarëve të komunave, lidhur me kufirin që ndan këto dy komuna, sepse ajo është e lidhur edhe me ndërtimet infrastrukturore dhe ndërtimet tjera që do të bëhen në atë pjesë të vendit.

“I vlerësoi shumë të dobishme këto marrëveshje për Kosovën. Edhe njëherë po e nënvizoj se të gjitha këto marrëveshje janë në harmoni me Kushtetutën dhe me ligjet e Kosovës, dhe s’ka arsye asnjëri të shqetësohet”, ka theksuar kryeministri Mustafa.

Opozita kosovare është shprehur kritike e kundër të katër marrëveshjeve, veçmas asaj për Asociacionin/Bashkësinë e komunave me shumicë serbe në Kosovë, duke organizuar edhe “aksone simbolike” e paralajmëruar edhe protesta. Fjalori i ashpërsuar i opozitës dhe pozitës në “replikat” në distancë pritet edhe seancën e Kuvendit të Kosovës.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, informim, kater marrveshjet, Kuvendi, seanca e pare

Kosova e përfundon në nëntor “autostradën” energjetike drejt Shqipërisë

September 13, 2015 by dgreca

-Në Kosovë është realizuar mbi 80% projekti i linjës 400 kV drejt Shqipërisë/ Nga Behlul Jashari*/ PRISHTINË, 13 Shtator 2015/ Në Kosovë, fundi i nëntorit 2015 do të shënojë përfundimin e projektit të “autostradës” energjetike drejt Shqipërisë, është bërë e ditur pas një vizite inspektuese punimeve, gjatë javës. Kështu, finalizimi i projektit pritet para afatit, ndërkohë që me qëllim të krijimit të kushteve të sigurisë në punë në kuadër të projektit për ndërtimin e linjës 400 kV Kosovë-Shqipëri, ditëve të fundit ka shkyqje në disa linja lokale në rajonin e Gjakovës, në perëndim të Kosovës afër kufirit me Shqipërinë.Dy ministra të qeverisë kosovare, Blerand Stavileci – i Zhvillimit Ekonomik dhe Ferid Agani – i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, së bashku me ambasadoren e Gjermanisë në Prishtinë, Angelika Viets, si dhe anëtaren e Bordit të Drejtorëve të Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW), Ingrid Hengster, zhvilluan një vizitë inspektuese të punimeve që po zhvillohen në linjën 400 kV Kosovë-Shqipëri.

Kryeshefi ekzekutiv i Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës-KOSTT, Naim Bejtullahu, ka njofuar se në pjesën kosovare interkoneksioni 400 kV Kosovë-Shqipëri deri më tani është zbatuar më shumë se 80% e projektit. Janë montuar 215 shtylla elektrike të tipit Y, janë shtruar mbi 50 km përçues elektrik, ndërsa procesi i shpronësimeve ka përfunduar për të tre segmentet.

Para fillimit të punimeve, në fazat e përgatitjeve, burimet në Prishtinë kanë njoftuar se projekti për ndërtimin e linjës interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri konsiston në ndërtimin e një  linje te tensionit të lartë me gjatësi rreth 238 km, prej së ciles 85.5  km në territorin e Kosovës dhe 153.5 km në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Kosova dhe Shqipëria në vitin 2016 inaugurojnë “autostradën” energjetike, ka thënë kryeministri kosovar Isa Mustafa, i pyetur në konferencën e fundit për shtyp në muajin gusht, ku ka folur edhe për bashkëpunimet në fushën e energjetikës e të tjera.

“Rrjeti energjetik mendojmë se vitin e ardhshëm duhet të aktivizohet. Sivjet presim që të kryhen të gjitha punimet në pjesën tonë, edhe në pjesën e Shqipërisë kryhet vitin e ardhshëm dhe do e inaugurojmë”, ka theksuar kryeministri kosovar.

Kreu i qeverisë së Kosovës ka bërë të ditur se, është duke u punaur që të sigurohet edhe tregu i përbashkët i energjisë elektrike, që të bëhet këmbimi i saj.Në 21 dhjetor të vitit 2013, në praninë e ministrit të Energjetikës dhe Industrisë të Republikës së Shqipërisë, Damian Gjiknuri, ministrit të atëhershëm të Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Fadil Ismajli, dhe ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë në atë kohë, Peter Blomeyer, në hapësirat e Lidhjes së Shqiptare në Prizren, në një ceremoni solemne, është nënshkruar kontrata për ndërtimin e linjës interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri.

*Foto: Shtrirja e përçuesve elektrik në shtyllat nr 1 dhe 2 në linjën 400 kV në Kosovë drejt Shqipërisë

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Autostrada elektrike, Behlul Jashari, kosova, shqiperia

Kosova, përjetësisht mirënjohëse për Shtetet e Bashkuara të Amerikës

September 12, 2015 by dgreca

-Mesazh i kryeministrit kosovar Isa Mustafa në 14 vjetorin e sulmeve terroriste në SHBA/Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 11 Shtator  2015/ Kosova ka përkujtuar sot 14 vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në një mesazh thekson: Para 14 vjetësh, më 11 shtator 2001, kombi amerikan ishte cak i sulmeve më të tmerrshme terroriste që bota demokratike kishte përjetuar ndonjëherë. Mijëra njerëz të pafajshëm u vranë, objekte të rëndësishme u shkatërruan dhe bota demokratike u vu para sprovës së madhe të terrorizmit global. Sulmet e 11 shtatorit 2001 na tmerruan të gjithëve, por nuk arritën për asnjë moment të thyejnë shpirtin e paepur të kombit amerikan, i cili u ringrit edhe më i fuqishëm dhe më i vendosur kundër të keqes, duke dëshmuar fuqinë, vizionin dhe unitetin global në mbrojtje të vlerave të shenjta të lirisë dhe të civilizimit perëndimor.

 14 vjet pas këtyre akteve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mbarë bota demokratike vazhdojnë të jenë të bashkuara në luftën kundër të keqes, duke garantuar triumfin e vlerave të demokracisë përballë kërcënimit permanent terrorist.

Në këtë ditë përkujtimi dhe krenarie, qytetarët e Kosovës qëndrojnë bashkë dhe solidarizohen me familjet e viktimave dhe mbarë popullin amerikan.

Kosova dhe populli i saj janë përjetësisht mirënjohës për kontributin e pazëvendësueshëm që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë për çlirimin e Kosovës dhe për zhvillimin e gjithëmbarshëm të vendit tonë.

 Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës!

Zoti e bekoftë kombin amerikan!, shprehet Isa Mustafa,kryeministër i Republikës së Kosovës.Sot, në të gjitha kazermat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në orën 14:45, në shenjë nderimi dhe përkujtimi të viktimave të sulmeve terroriste në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të gjithë flamujt janë lëshuar në gjysmë shtize si dhe është mbajtur një minutë heshtje.Në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, për t’i nderuar viktimat e sulmit terrorist të 11 shtatorit të vitit 2001, ishte edhe Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama, i cili tha: “Jemi këtu për t’i nderuar viktimat e sulmit terrorist të 11 shtatorit, që ka ndodhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sulmi i 11 shtatorit pati tronditur jo vetëm popullin amerikan por edhe popullin shqiptar. Populli i Kosovës kurrë nuk do ta harrojë ndihmën e jashtëzakonshme që SHBA-të dhanë për lirinë e saj, prandaj edhe në këtë përvjetor shprehim falënderimin e veçantë për popullin amerikan dhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Shoqata Miqtë e Amerikës dhe Garda e Nderit e Policisë së Kosovës ngritën sot flamurin amerikan në gjysmë shtize në sheshin Bill Clinton në Prishtinë. Në këtë shesh, Rinia e PDK-së mbajti një minutë heshtje pranë flamurit të ulur në gjysmështizë pranë shtatores së ish presidentit amerikan Clinton.

Filed Under: Rajon Tagged With: Behlul Jashari, kosova, nga SHBA, perjetesisht mirenjohese

Kosova në UNESCO, betejë e përbashkët

September 10, 2015 by dgreca

Thaçi: Falënderoj Nobelistin shqiptar Dr. Ferid Muratin, Ambasadoren e Nderit Rita Orën dhe sopranon e famshme Inva Mulën që u bashkangjitën me ndihmën e tyre të drejtëpërdrejtë në lobim për anëtarësinë e Kosovës në UNESCO/

-Selimi në Romë, shprehet i bindur se Kosova do të anëtarësohet në UNESCO/ Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 10 Shtator 2015/ Thyerja e izolimit është betejë e përbashkët, shprehet zëvendëskryeministri i parë e ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, duke falënderuar e vlerësuar lobimin për anëtarësimin në UNESCO.“Falënderoj Nobelistin shqiptar Dr. Ferid Muratin, Ambasadoren e Nderit Rita Orën dhe sopranon e famshme Inva Mulën që u bashkangjitën me ndihmën e tyre të drejtëpërdrejtë në lobim për anëtarësinë e Kosovës në UNESCO”, thekson Thaçi.

“Thyrja e izolimit tonë shumëshekullor është betejë e përbashkët!”, shkruan kryediplomati kosovar në ‘facebook’.

Sopranoja me famë botërore, Inva Mula, e cila në një shkrim për prestigjiozen “La Lettre Diplomatique”, angazhohet në mbështetje të betejës së Kosovës për anëtarësim në UNESCO, të shtunën edhe qëndroi në Prishtinë me rastin e ditës ndërkombëtare të bamirësisë.

Në 5 shtator, Festa e Nënë Terezës në kryeqytetin e Kosovës  është përmbyllur me koncert në Katedralen me emrin e shenjtëreshës shqiptare, ku në mesditë u zhvillua mesha solemne. Himni i Nënës Terezë performuar nga Inva Mula përmbylli festimet.

Ndërsa, zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Petrit Selimi ka vizituar Romën dhe Vatikanin në kuadër të lobimit të shtetit kosovar për të siguruar mbështetjen nga Selia e Shenjtë dhe Italia për anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën, UNESCO.

 “Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Britania e Madhe, Gjermania dhe Italia janë në anën tonë në betejën që po zhvillojmë prej disa muajsh për t’u bërë pjesë e UNESCO-s. Beteja do të jetë e vështirë, por ne do t’ia dalim,” thotë zëvendësministri Selimi në një intervistë dhënë agjencisë së njohur italiane të lajmeve ANSA, vetëm disa ditë para mbledhjes së Bordit Ekzekutiv të kësaj agjencie të OKB-së ku do të vendoset nëse do të përfshihet kandidatura e shtetit të vogël ballkanik në rendin e ditës dhe e cila më pas do të votohet në seancën plenare në nëntor.

Selimi thekson se “më 11 shtator, ne do të mësojmë se a do të jetë kandidatura jonë pjesë e rendit të ditës së Bordit Ekzekutiv”, dhe shtoi se, në këtë fazë të parë, “kërkohen vetëm 29 nga 58 vota, pra një shumicë e thjeshtë”. Edhe pse në shikim të parë duket të jetë thjesht një teknikalitet, Kosova po lufton fort përballë kundërshtimit të Serbisë ndaj kandidaturës së saj.

Sapo të mbërrijë në Asamblenë e Përgjithshme, do të nevojitet një shumicë e kualifikuar. “Nga 195 vota, do të kërkohen të paktën dy të tretat e tyre”. Nëse nuk ia del, aplikimi do të rishqyrtohet më 2017. Për muaj me radhë, qeveria e Kosovës ka punuar pareshtur për t’i materializuar përpjekjet diplomatike në dobi të përmbushjes së synimit, por mbështetja nga kancelaritë e ndryshme nuk është edhe aq e qartë. Duke përfshirë këtu edhe atë të Romës. Italia mund të mos prononcohet mbi vendosjen e kandidaturës si pikë të rendit të ditës në Bordin Ekzekutiv, andaj mund të mos jetë e detyruar të votojë haptazi për këtë çështje. “Nuk kam asnjë arsye”, thotë Selimi, “për të menduar se Roma nuk do të votojë në favorin tonë. Në të vërtetë, unë pres pikërisht të kundërtën”. Kjo është, pranon ai, beteja më e vështirë për të cilën na është dashur të luftojmë. “Është hera e parë që ne po kërkojmë të hyjmë në një organizatë në të cilën Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk votojnë në Asamble.”

Zëvendësministri Selimi është takuar me imzot Antoine Camilleri, Nënsekretar i seksionit të Sekretarit të Shtetit për çështjet e jashtme, me delegatët e Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar si dhe me delegatët e Këshillit Papnor për Kulturën.

 Mbështetja nga ana e Selisë së Shenjtë për aplikimin për pjesëmarrje në organizatë – pavarësisht nga fakti se vendi ende nuk është njohur nga Selia e Shenjtë – do të kishte një peshë jashtëzakonisht të madhe. “Mënyra më e mirë për të mbrojtur trashëgiminë e krishterë në Kosovë është që shteti ynë të bëhet anëtar i UNESCO-s”, thekson Selimi. Zëvendësministri Selimi nënvizon se njohja e Kosovës nga Selia e Shenjtë do të vijë në kohën e duhur dhe se ne jetojmë në një botë ku të gjithë kanë një nxitim të madh. “Ne jemi të parët”. Në Vatikan, Selimi konkludon, akrepat lëvizin në një mënyrë tjetër. Nuk bëhet fjalë për “nëse” por bëhet fjalë për “kur” Kosova do të njihet zyrtarisht nga Vatikani.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, betejë e përbashkët, Kosova në UNESCO, Thaci

Kosova, marrëdhënie ndërparlamentare me Poloninë

September 10, 2015 by dgreca

-Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Veseli takime me udhëheqës të Senatit dhe Parlamentit të Polonisë/

PRISHTINË, 10 Shtator 2015/ Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot, gjatë pjesëmarrjes në Forumin e 25-të ekonomik, me temën: “Drejt një Evrope të qëndrueshme. Strategjitë për të ardhmen”, ka takuar drejtues të Senatit dhe Parlamentit të Polonisë. Në këto takime u diskutua nevoja e thellimit të bashkëpunimit ndërparlamentar dhe diplomatik të nivelit më të lartë. Gjatë ditës, Veseli ka takuar zv/kryetarin e Senatit të Polonisë, Stanislaw Karczewski, me të cilin ka diskutuar për nevojën e thellimit të bashkëpunimit në mes të dy shteteve, veçanërisht në nivel të dy Kuvendeve. Në takim, Veseli diskutoi për zhvillimet në vend dhe rajon, duke u fokusuar në axhendën e Republikës së Kosovës drejt integrimit në BE, sfidat e kësaj agjende dhe nevojën e përkrahjes nga vendet mike, si Polonia. Bashkëbiseduesit u dakorduan për mundësitë e thellimit të marrëdhënieve ekonomike dhe diplomatike me interes të të dyja vendeve.

Gjatë ditës, kryetari i Kuvendit, Veseli ka takuar edhe zv/kryetarin e Kuvendit të Polonisë, Eugeniusz Grzeszczak. Çështjet e ngritura në këtë takim ishin: zhvillimi i bashkëpunimi ndërparlmentar, vizitat reciproke dhe marrja e përvojës nga Polonia në procesin e integrimit.

Veseli theksoi rëndësinë e stabilitetit në Ballkan, bashkëpunimin rajonal, integrimit të Kosovës dhe kësaj pjese të Evropës në Bashkimin Evropian, duke kërkuar që Polonia të bëhet mbështetëse e këtij procesi.

Konkludim i përbashkët ishte se vizitat reciproke do ta ndihmonin bashkëpunimin ndërparlamenatar me fokus procesin e integrimit të Kosovës në BE.

Kryeparlamentari Veseli është i ftuar në Forumin Ekonomik në Poloni si panelist, ku marrin pjesë shtetarë, ekspertë dhe drejtues nga fusha politike, ekonomike dhe sociale nga Evropa dhe më gjerë./b.j/

Filed Under: Rajon Tagged With: Behlul Jashari, kosova, marrëdhënie ndërparlamentare, me Poloninë

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 224
  • 225
  • 226
  • 227
  • 228
  • …
  • 245
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry
  • Universiteti Shtetëror i Tetovës si Paradigmë e Arsimit të Lartë Shqiptar
  • Kujtesë e misionit profesional dhe jetësor që na bashkon…
  • LAHUTA SHQIPTARE NË DËSHMITË E HISTORIANËVE, ALBANOLOGËVE DHE STUDIUESVE EUROPIANË
  • Justina Aliaj e kthen Nënën Terezë në qytetin e saj të fëmijërisë
  • Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dega në SHBA nderoi gazetarë të shquar shqiptaro- amerikanë
  • “Sekretet” e Faik Konicës, roli si Kryetar i “Vatrës” dhe editor i “Diellit”
  • Libri “Dënesje në dru” i shkrimtarit Lazër Stani, prozë e kërkimeve absurde
  • Bashkëpunimi ruso-serb në veri të Vilajetit të Kosovës (1901)
  • Lufta hibride ruse dhe mësimi për shqiptarët
  • Paradoks gjuhësor dhe letrar
  • “Dardanët”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT