…si zonë/bllok kontrollues i pavarur në kuadër të Zonës Sinkrone të Evropës Kontinentale/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 19 Gusht 2015/ Fillon procesi përgatitor për themelimin e KOSTT si zonë/bllok kontrollues i pavarur në kuadër të Zonës Sinkrone të Evropës Kontinentale. Me nënshkrimin e Marrëveshjes për Energji në mes të Kryeministrit të Kosovës dhe atij të Serbisë nën ndërmjetësimin e Komisionit Evropian në shtator 2013, e cila rezultoi edhe me nënshkrimin e Marrëveshjes për Operim (inter-TSO Agreement) në mes të Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe Operatorit të Sistemit të Transmisionit të Serbisë (EMS) në shtator të vitit 2014, u krijuan kushtet për fillimin e procesit të anëtarësimit të KOSTT në mekanizmat ndërkombëtar relevant siç është ENTSO-E (European Network Transmission System Operators-Electricity).
Pas aktiviteteve intenzive ndërmjet grupeve punuese të expertëve të KOSTT dhe të organizatës së Operatorëve Evropian të Sistemit të Transmisionit të energjisë elektrike (ENTSO-E), tashmë KOSTT është në proces të themelimit dhe operimit si zonë/bllok kontrollues i pavarur në kuadër të Zonës Sinkrone të Evropës Kontinentale. Operimi i pavarur i KOSTT si zonë/bllok rregullues pritet të jetësohet me nënshkrimin e Marrëveshjes për Kyçje, i cili është edhe hapi i parë drejt anëtarësimit në ENTSO-E.
Përkundër vështirësive që bëhen nga Operatori i Transmisionit të Serbisë (EMS) në proces, KOSTT dhe grupi punues i ENTSO-E janë duke punuar në procesin e vlerësimit të përmbushjes së standardeve teknike të operimit nga ana e KOSTT-it për operim si zonë/bllok i pavarur kontrollues.
Vlerësimi i përmbushjes së standardeve do t’i nënshtrohet një monitorimi gjatë muajve gusht dhe shtator dhe si kërkesë do të kenë regjime operimi që i nënshtrohen kritereve më të larta.
Gjatë këtyre regjimeve të operimit mund të paraqiten eventualisht edhe kufizime të furnizimit që mund të instruktohen nga KOSTT dhe për këtë paraprakisht kërkohet mirëkuptimi i konsumatorëve.
Njoftohet se tërë procesi është i koordinuar nga Ministria kosovare e Zhvillimit Ekonomik dhe akterët implementues përveç KOSTT janë edhe ZRRE,KEK dhe KEDS.
Në anën tjetër, KOSTT në koordinim me të gjitha palët relevante në sektorin e energjisë elektrike në Kosovë, janë duke punuar në vazhdimësi për operimin dhe balancimin e Sistemit Elektroenergjetik sipas kërkesave dhe standardeve të ENTSO-E. Njohja e KOSTT si zonë rregulluese e pavarur do të sjellë benefite si dhe obligime për të gjitha palët e sektorit të energjisë elektrike në vend.
Me finalizimin e këtij procesi, KOSTT do të mund të ushtroj mandatin e plotë si Operator i Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Republikës së Kosovës. Me këtë, KOSTT do të bëjë alokimin e kapaciteteve interkonektive (linjat ndërshtetërore), do të realizojë të hyrat nga transiti i energjisë elektrike nëpër rrjetin transmetues të Kosovës dhe do të kompensohet për humbjet në rrjetin horizontal të transmetimit të energjisë elektrike. Këto çështje të cilat kanë qenë të hapura tashmë disa vite, përfundimisht do të rezultojnë me përfitim edhe për konsumatorët e energjisë elektrike të Kosovës përmes tarifave të energjisë elektrike.
KOSTT do të vazhdojë operimin dhe balancimin e Sistemit të Transmisionit në përputhje të plotë me rregullat e përcaktuara nga ENTSO-E dhe me këtë rast edhe një herë fton të gjitha palët që të vazhdojnë bashkëpunimin në këtë drejtim.
Kjo u bë e ditur në komunikatën nga takimi që Zëvendësministrja e Zhvillimit Ekonomik Besa Zogaj-Gashi ka zhvilluar me drejtues të sektorit të energjisë në Kosovë, KOSTT, KEK, KEDS dhe ZRRE lidhur me përgatitjet për themelimin e KOSTT si zonë/bllok kontrollues i pavarur në kuadër të
ENTSO-E.
ENTSO-E është organizata e Operatorëve Evropian të Sistemit të Transmisionit të energjisë elektrike e cila përfaqëson 41 operatorë të sistemit të transmisionit (OST/TSO) nga 34 shtete të Evropës. ENTSO-E është themeluar dhe i është dhënë mandat ligjor nga Pako e 3-të Legjislative e Bashkimit Evropian për Tregun e Brendshëm të Energjisë, në vitin 2009, e cila ka për synim liberalizimin e mëtutjeshëm të tregjeve të energjisë elektrike dhe të gasit në Bashkimin Evropian.
ENTSO-E promovon bashkëpunimin më të afërt në mes të OST-ve të Evropës në mbështetje të implementimit të politikës së BE-së për energji.
PRIZREN-PËRMBYLLET DOKUFEST XIV, SHPALL FITUESIT
Nga Behlul Jashari/ Prizren 16 Gusht 2015/ Edicioni i 14 i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër dhe Dokumentar DokuFest u mbyll në mbrëmjen e 16 gushtit, në qytetin e Prizrenit, në Kosovë.
Edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga mori pjesë në përmbylljen dhe ndarjen e çmimeve. Ajo i ka përgëzuar drejtuesit e Festivalit, për punën dhe angazhimin e tyre të vazhdueshëm për organizimin e kësaj ngjarje kulturore me jehonë ndërkombëtare.
DokuFest 2015 në qendër të tij kishte temën e migrimit me filma nga e gjithë bota dhe rajoni i Ballkanit, masterklasa, punëtori, debate dhe diskutime në panel.
Rekordi i ri i shitjeve të biletave është 14,000, gjatë nëntë ditëve të festivalit. Performancat muzikore të mesnatës – DokuNights – kanë shitur një rekord prej 13,000 biletave për programin muzikor me njerëz që vallëzonin deri në agim.
Programi i filmave të këtij viti përbëhej nga 228 filma të metrazhit të gjatë dhe të shkurtë, 124 prej tyre bënin pjesë në programet garuese. Fituesit nga secila kategori garuese u shpallën sonte në Kino Lumbardhin e Prizrenit, vendin e ceremonisë së mbylljes së festivalit.
Pas ceremonisë së çmimeve, filmi përmbyllës ishte Iris nga Albert Maysles. Këtë vit DokuFest prezantoi programin homazh në kujtim të filmëbërësit legjendar Maysles dhe vëllait të tij David. Pas shfaqjes së filmit, festivali vazhdoi në Lumbardh me performancën e fundit të DokuNights me muzikë tradicionale të Nezafete Shalës dhe familjes së saj.
Filmat fitues nga çdo kategori u shfaqen edhe nga një herë në kinematë e ndryshme të festivalit përgjatë natës.
DokuFest e nisi udhën e tij në vitin 2002, me shfaqjen e një numri të madh filmash dhe me pjesëmarrjen e një publiku të gjerë, artistësh nga rajoni dhe bota, duke e shndërruar qytetin historik të Prizrenit, më të madhin jugor të Kosovës pranë kufirit me Shqipërinë, edhe në një kryeqytet filmi çdo verë.—-
Më poshtë gjeni çmimet e këtij edicioni:
ÇMIMI I PUBLIKUT: REMAKE, REMIX, RIP-OFF nga Cem Kaya
PROCREDIT EKO VIDEO:
1st Je polic i vetvetes nga Albulena Veliu
2nd Shit nga Vali Gjinali
3rd Ruaje Ambientin nga Imer Veliu
GARA KOMBËTARE – FITUES: TË PAFAJSHMIT by Amir Vitija
Juria: Izer Aliu, Delphine Jeanneret, Bujar Kabashi
Deklarata: Filmi përdor një mekanikë të vjetër kinematografike që të na mbajë pezull, dhe ngadalë zbulon një problem shoqëror që i referohet luftes pa na detyruar ta rijetojmë atë.
GARA E FILMAVE TË SHKURTËR – FITUES: LISTEN nga Hamy Ramezan dhe Rungano Nyoni
Juria: Laurence Reymond, Gunhild Enger, Diana Nenadić
Deklarata: Rreth një gruaje të gatshme për të shprehur veten, filmi përshkruan se si gjuha është një mjet paradoksi. Kjo fytyrë e paparë i bën jehonë shumë çështjeve sociale dhe politike, në një pasqyrim të shkëlqyer të “dështimit” të artit të të dëgjuarit.
GARA E FILMAVE TË SHKURTËR – ÇMIMI SPECIAL: SUPPORTING FILM nga Douwe Dijkstra
Deklarata: Një film argëtues që përdor një përzierje mbresëlënëse të teknikës për të përcjellur ndjenjën e gëzuar të të shikuarit filma.
GARA E DOKUMENTARËVE TË MJEDISIT – FITUES: VIRUNGA nga Orlando von Einsiede
Juria: Flo Stone, Vasif Kortun, Sebastian Mez
Deklarata: Ne shikuam një seri të filmave të bukur, të sofistikuar dhe gjerësisht divergjent për garën. Bërja e disa prej tyre kërkon fonde të mëdha dhe ekipe të konsiderueshme të post-prodhimit, ndërsa bërja e disa tjerave kërkon hulumtime rigoroze dhe përdorimin e ndërlikuar të arkivave të filmit. Disa ishin shumë të sinqertë në lidhje me mesazhin e tyre, të tjerët përgjigjeshin përmes mjeteve të fiksionit.
Të gjithë ata ishin të bashkuar në sensin e këmbënguljes, dëshpërimit dhe shpresës si kur jemi në përfundim të karburanteve fosile ekonomike që ne do ti shterrim vetëm nëse ato nuk i shkatërrojnë shumicën e specieve në tokë, duke përfshirë edhe ne njerëzit.
Pas një shqyrtimi të kujdesshëm ne zgjodhëm filmin “Virunga” për hetimin intensiv dhe krahasimin e tregimeve në zhvillim, për urgjencën në ndjekje të trimërisë fisnike të subjekteve të saj dhe për kompozimin e fuqishëm narrative.
GARA E DOKUMENTARËVE TË MJEDISIT – ÇMIMI SPECIAL: WHITE COAL nga Georg Tiller
Deklarata: Juria e Garës së dokumentarëve të mjedisit jep çmim special filmit “White Coal” për qetësinë e tij delikate dhe minimale, për imazhet e tij magjepsëse dhe tregimin e një historie me shumë pak fjalë.
GARA E DOKUMENTARËVE PËR TË DREJTAT E NJERIUT – FITUES: DEMOCRATS by Camilla Nielsson
Juria: Charlotte Selb, Oskar Alegria, Agon Maliqi
Deklarata: Ne kemi gjetur në filmin fitues një qasje shumë freskuese, të nuancuar dhe të ndershme për një histori tjetër shumë delikate – luftën e individëve dhe shoqërive për të arritur kompromis dhe harmoni në fytyrën e strukturave përçarëse dhe abuzive të energjisë. Nëpërmjet një kinematografie të mrekullueshme dhe redaktimit, një tregim joshës dhe mahnitës në qasje në prapaskenë. Filmi fitues portretizon funksionimet e brendshme të një procesi të rrallë për shekullin e 21 – përpjekjen e një vendi për të vendosur themelet për të drejtat e njeriut dhe institucionet e përgjegjshme dhe për të sfiduar pushtetin arbitrar të papërpunuar. Fituesi i çmimit për filmin më të mire për të Drejtat e Njeriut është “Democrats” nga Camilla Nielsson.
GARA E DOKUMENTARËVE NDËRKOMËTARË/METRAZHI I SHKURTË – FITUES: THINGS by Ben Rivers
Juria: Ben Fowlie, Thomas Logoreci, Michael Pattison, Lois Patiño, Jean Pierre Rehm
Deklarata: Çmimi i filmit më të mirë të shkurtë ndërkombëtar i dhurohet regjisorit Ben Rivers për filmin Things, për humorin e tij përmes subjketeve të ndryshme, i cili i mblodhi së bashku në mënyrë interesante dhe personale.
GARA E DOKUMENTARËVE NDËRKOMËTARË/METRAZHI I SHKURTË – ÇMIMI SPECIAL:SCRAPBOOK nga Mike Hoolboom
Deklarata: Çmimi Special shkon për filmin Scrapbook të Mike Hoolboom për trajtimin e tij të sofistikuar të një subjekti kinematografik i cili është personal dhe historik.GARA E DOKUMENTARËVE NDËRKOMËTARË/METRAZHI I GJATË – FITUES: MACHINE GUN OR TYPEWRITER nga Travis Wilkerson
Deklarata: Machine Gun or Typewriter nga Travis Wilkerson fiton çmimin e filmit më të mirë ndërkombëtar për eksplorimin e tij të gjallë politik dhe etnik të romancës dhe qytetit.
GARA E DOKUMENTARËVE NDËRKOMËTARË/METRAZHI I GJATË – ÇMIMI SPECIAL: THE ROYAL TOAD nga Jenni Olson
Deklarata: Filmi i resgjisorit Jenni Olson The Royal Road është shpërblyer me Çmimin Special për kapsulimin e një qyteti kinematografik përmes mjeteve të thella personale dhe rigjallërimit të bukur.
GARA E DOKUMENTARËVE TË BALLKANIT – BALKAN NEWCOMER: COLONY nga Gürcan Keltek
Juria: Pavel Smejkal, Iva Radivojevic, Alexei Dmitriev
Deklarata: Elementet e peisazhit të cilat nxjerrin në dritë gjurmët e ngjarjeve torturuese në këtë film lakonik dhe të ndjeshëm.
GARA E DOKUMENTARËVE TË BALLKANIT – FITUES: FLOTEL EUROPA nga Vladimir Todorovic
Deklarata: Regjisori arrin në kujtesën kolektive dhe përvojën kolektive përmes një historie shumë personale, që tejkalon veten dhe gurgulimet përmes historisë për të paraqitur një ditë. Largimi. Zhvendosja. Pritja. Një ekzistencë e lërë për të notuar në Flotel Europa.
Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, komunikim i Kosovës me gjithë botën
-Një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore dhe shkencore të Kosovës/
-Ajo që nuk e bëri që të mposhtet Kosova ishte gjuha shqipe/
-Pjesëmarrës të Seminarit edhe përfaqësuesit e arbneshëve të Zarës –Kroacisë/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 17 Gusht 2015/ Kanë mbërritur në Prishtinë, kryeqytetin e Republikës së Kosovës, më shumë se 100 studiues të albanologjisë në Seminarin XXXIV Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, i cili u hap solemnisht në ambientet universitare në ditën e sotme dhe zhvillohet deri në 28 gusht. Në hapje të Seminarit moren pjesë edhe presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, kryeministri Isa Mustafa, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve shtetërore, shkencore, kulturore e arsimore. Mes pjesëmarrëve, i nderuar e vlerësuar nga të gjithë, ishte themelues i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, akademikët Idriz Ajeti, 98-vjeçar, i lindur në katundin Tupallë të Jabllanicës së Epërme – Luginë e Preshevës, në 26.VI.1917.
Kryeministri Mustafa e ka quajtur Seminarin ambasador shumë të rëndësishëm të komunikimit kulturor të Kosovës me botën, duke vlerësuar sidomos vazhdimësinë kohore të organizimit, dimensionin e hulumtimeve shkencore të gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare, si dhe përmasat dhe pjesëmarrjen e studiuesve nga mbarë bota.
“Seminari është bërë një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore dhe shkencore të Kosovës, dhe kjo si rezultat i vazhdimësisë kohore të organizimit, dimensionit të hulumtimeve shkencore të gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare, si dhe përmasave dhe pjesëmarrjes së studiuesve nga mbarë bota dhe të gjithë atyre që po e japin kontributin e tyre. Në të gjitha këto dekada të funksionimit të tij, Seminari ka promovuar shkencën dhe kulturën shqiptare, e së fundi është bërë një prej ambasadorëve shumë të rëndësishëm të komunikimit kulturor të Kosovës me gjithë botën”, theksoi Mustafa.
Për kontributin dhe mbështetjen e përhershme dhënë Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, kreu i qeverisë së Kosovës falënderoi shtetin shqiptar dhe ambasadorin e Shqipërisë Minxhozi, i cili poashtu në fjalën e tij theksoi dhe vlerësoi bashkëpunimet, përfshirë edhe Seminarin.
“Dëshiroj të falënderoj dhe të përkujtojmë me respektin më të thellë, të gjitha ata që kanë dhënë kontributin e tyre për këtë Seminar, studiuesit shqiptarë dhe studiuesit tjerë nga bota, që për shumë dekada, me punën e tyre, kanë kontribuar që gjuha, letërsia dhe kultura shqiptare të ndriçohet, të avancohet, dhe që vlerat shqiptare të shfaqen dhe të komunikohen ndërmjet nesh dhe me botën në përgjithësi”, u shpreh kryeministri kosovar Mustafa.
Ai theksoi edhe se, qeveria kosovare do të bëjë gjithçka që Kosova të jetë pjesë e rëndësishme e botës shumëkulturore.
“Prandaj, zhvillimet tona do ta qojnë përpara edhe këtë pjesë, si pjesë të integrimeve evropiane dhe integrimeve globale”, tha kryeministri Mustafa.
Ambasadori Republikës së Shqipërisë në Prishtinë, Qemal Minxhozi në fjalën e rastit theksoi rëndësinë e gjuhës në qëndresën e Kosovës karshi okupimit shumëvjeçar.
“Gjuha mbijetoi në një vend të okupuar mizorisht për dekada. Ajo që nuk e bëri që të mposhtet Kosova ishte gjuha shqipe. Dyzetë vjet, katër dekada gjuha jo vetëm që ka mbijetuar por është zhvilluar me një ritëm shumë të shpejtë”, tha ambasadori shqiptar Minxhozi.
Drejtori i Seminarit Rrahman Paçarizi, ka kërkuar nga institucionet vendore që të njohin dhe pranojnë rezultatet e punës hulumtuese dhe shkencore që bëhet në institucionin e Seminarit.
“Duke e falënderuar kryeministrin për praninë e tij dhe fjalët që tha nga kjo tribunë dua t’i ftoj institucionet shtetërore që të sigurojnë që të sigurojnë infrastrukturën e nevojshme për komunikimin e rezultateve shkencore të albanologjisë dhe të fushave të tjera, me shkencën dhe dijen globale përmes krijimit të mundësive për anëtarësim në sistemet dhe mekanizmat e botimit, si në UNESCO, etj. Ndërsa, Ministrisë së Arsimit dhe Rektoratit i kërkojmë të njohë dhe të pranojë rezultatet e punës hulumtuese dhe shkencore që bëhet në institucionin e Seminarit, pasi në botë nuk ka një institucion më serioz që merret me shkencat albanologjike dhe nuk ka një revistë më përfaqësuese se kjo e Seminarit, ku botohen të arriturat në këto fusha”, tha drejtori Pacarizi.
Dekani i Fakultetit të Filologjisë, Sedat Kuçi përmendi qëllimet që ky Seminar përmbush përgjatë zhvillimit të tij. “Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, përveç rolit arsimor, shkencor e kulturor po vazhdon t’i përmbush edhe misionin e afirmimit të vlerave të kulturës shqiptare në botë; misionin e përhapjes së mendimit intelektual shqiptar për problem të caktuara gjuhësore, letrare e kulturore; misionin e njohjes reciproke me rezultatet ne studiuesve shqiptarë dhe të huaj në fusha të ndryshme të albanologjisë; misionin e krijimit të mundësive të reja midis studiuesve shqiptarë dhe atyre të huaj që ka një rëndësi të madhe në aspektin e bashkëpunimit ndërnjerëzor dhe ndërkombëtar midis kulturave e popujve. Duhet të theksojmë se sivjet pjesëmarrës të Seminarit do të jenë edhe përfaqësuesit e arbneshëve të Zarës; misionin e krijimit të mundësive të reja për moblitet të studentëve, të pedagogëve dhe të hulumtuesve shkencorë”, tha ai.
Tre temat bosht të Seminarit për sesionet shkencore janë: Shqipja në domenin publik, Letërsia dhe religjioni, si dhe Kultura shqiptare në tranzicion.
Axhenda e seminarit përfshinë edhe: Kurse intensive të mësimit të shqipes (tre shkallë); ligjërata të veçanta të gjuhësisë; ligjërata për letërsinë dhe për kulturën shqiptare; referime shkencore; ligjërata të përgjithshme; tryeza të rrumbullakëta; program kulturor plotësues për t’i njohur seminaristët me bukuritë natyrore, me veprimtaritë kulturore e të mira të tjera në qendra të Kosovës.
Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar pranë Fakultetit të Filologjisë (atëherë Fakulteti Filozofik) të Universitetit të Prishtinës, në vitin 1974. Ishte viti i Kushtetutës që avanconte të drejtat e shqiptarëve e të Kosovës si element konstituiv me të drejtë vetoje, i federatës së atëhershme.
Ky Seminar organizohet për studentë e studiues që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, po edhe me albanologjinë përgjithësisht.
Seminari ka zhvilluar gjithsej tridhjetë e tre sesione. Në vitin 1991 është ndërprerë veprimtaria e tij nga organet e dhunshme serbe. Në vitet 1995 e 1996 sesionet e këtij Seminari u mbajtën në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Pas çlirimit të Kosovës në qershorin 1999, nga viti 2000 Seminari zhvillohet sërish në Prishtinë. Sesionet 19 dhe 20 (2000-2001) janë organizuar në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Kosovë-Serbi, zgjatet kolona kufitare në Merdare
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 16 Gusht 2015/ Në kufirin mes Kosovës e Serbisë edhe sot paradite janë krijuar kolona më të gjata pritjesh në dalje të vendkalimeve.
Në Merdare, te Podujeva, në hyrje drejt Kosovës nuk ka pritje, por vetëm kohëzgjatja të procedurave normale, ndërsa më dalje drejt Serbisë kolona është rreth një kilometër dhe pritjet zgjasin 3 deri 4 orë, varësisht prej frekuentimit të automjeteve.
Në vendkalimet Dheu i Bardhë e Muqibabë te Gjilani ka kryesisht vetëm procedura normale dhe pritje deri 20 minuta, ndërsa në Mutivodë drejtimi i fshatit Keçekollë, rajoni i Prishtinës, në hyrje drejt Kosovës nuk ka pritje të gjata, ndërsa në dalje drejt Serbisë pritjet janë deri gjysëm ore.
Nga ana e zyrtarëve të Policisë së Kosovës në pikat kufitare me Serbinë, sipas njoftimit dërguar pak më parë, puna është duke u zhvilluar normalisht me kapacitete dhe intensitet të shtuar, mirëpo kolonat-pritjet janë nga fluksi i madh i automjeteve dhe procedurat që aplikohen gjatë plotësimit të dokumenteve-formularëve për kalim kufitar.
Policia e Kosovës thekson se për të shmangur kolonat mund të shfrytëzohen pikëkalime tjera kufitare, ku nuk ka apo ka më pak pritje.
Në 12 gusht qeveria kosovare njoftonte se nga mesnata kishte hyrë në fuqi zbatimi i Memorandumit të Mirëkuptimit për Njohjen e Reciproke të Sigurimeve të Automjeteve, të nënshkruar në Bruksel në 23 qershor 2015 në prani të kryeministrave të Republikës së Kosovës dhe Serbisë si dhe Përfaqësueses së lartë të BE-së.
“Kjo marrëveshje mundëson lirinë e lëvizjes së qytetarëve të të dyja vendeve me mjetet motorike të regjistruara në njërën nga shtetet, Kosovë ose Serbi, e që posedojnë sigurim valid për territorin e palës tjetër”, theksonte njoftimi.
Kosovë – Shuhet akademik Esat Stavileci
*Jahjaga: Esat Stavileci, njeri i shkencës dhe atdhetar i madh/
*Mustafa: Akademik Esat Stavileci ka dhënë kontribut të madh për Kosovën/
-Deklaratë e Akademisë së Shkencave dhe e Arteve të Kosovës me rastin e vdekjes së akademik Esat Stavilecit-/
PRISHTINË, 15 Gusht 2015/ Shuhet akademik Esat Stavileci. Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës njofton se sot, në orët e pasdites, në shtëpinë e tij, vdiq anëtari i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, eksperti i shquar në fushën e shkencave juridike, akademik Esat Stavileci.
Në deklaratën me rastin e vdekjes së akademik Esat Stavilecit Akademia thekson se, është kjo një humbje e madhe për familjen, shkencën dhe Akademinë, për kolegët dhe miqtë e shumtë anë e mbanë Kosovës dhe trojeve shqiptare.
Akademik Esat Stavileci lindi më 11 korrik 1942, në Gjakovë, ku e kreu shkollimin fillor dhe të mesëm, ndërsa Fakultetin Juridik në Prishtinë. Studimet pasuniversitare i vijoi dhe i mbaroi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Zagrebit. Studimet e Larta të së Drejtës Krahasimtare i vijoi në disa qendra të tjera evropiane. Doktoroi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Sarajevës në vitin 1974. Prej vitit 1965 deri në pensionim punoi profesor në Fakultetin Juridik të Prishtinës, ku edhe pas pensionimit ishte i angazhuar në studimet master dhe të doktoraturës. Krijimtaria e tij shtrihet në shumë fusha të interesimit shkencor, veçanërisht në ato juridike-kushtetuese, në fushën e sistemeve politike krahasimore, të administratës dhe të administrimit publik në përgjithësi, të metodologjisë së shkencave shoqërore dhe juridike dhe në fushën e terminologjisë juridike.
Me këtë rast, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Stavileci, miqve dhe adhuruesve të tij gjithandej Kosovës dhe botës shqiptare.
Mbledhja komemorative do të mbahet të hënën, më 17 gusht 2015, në orën 10:00, në mjediset e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa homazhet nga ora 10:30-11:30, po ashtu në Mjediset e Akademisë.
Akademik Stavileci do të varroset në varrezat e qytetit të Gjakovës në orën 17:00, më 17 gusht 2015.
Akademia përkujtimore dhe homazhet do të bëhen në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë nga ora 14:00.
BIOGRAFIA
Akademik Esat Stavileci, i lindur më 11 korrik 1942, në Gjakovë, ku ka kryer shkollimin fillor dhe të mesëm (Gjimnazin), ndërsa Fakultetin juridik në Prishtinë. Studimet pasuniversitare i vijoi dhe mbaroi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Zagrebit dhe Studimet e Larta të së Drejtës Krahasimtare në Strasburg të Francës, Pescara te Italise, Amsterdam te Hollandes dhe Caracas te Venezuelles. Titullin doktor i shkencave e mori në Fakultetin Juridik të Universitetit të Sarajevës (1974). Prej vitit 1965 punoi në Fakultetin Juridik të Prishtinës ku, megjithë pensionimin në vitin 2007, deri vone ishte i angazhuar në Programin Studimor Master ne lenden Të menduarit dhe të Shkruarit Juridik. Është anëtar i rregullt i Akademise se Shkencave dhe Arteve te Kosoves (2000).
ARSIMIMI DHE KUALIFIKIMET:
Doktor i shkencave juridike – administrative.
Diplome e Studimeve të Larta të së Drejtës Krahasimtare.
ANGAZHIME:
Mësimdhënës në Universitetin e Prishtinës dhe ligjërues në disa universitete të tjera (Universiteti Shtetëror i Tetovës, Universiteti i Evropës Juglindore në Tetovë, Universiteti i Tiranës, Universiteti i Jenës, Universiteti i Sofjes, Universiteti Amerikan në Blagoevgrad të Bullgarisë etj.).
Hulumtues në dhjetra projekte shkencore.
Studiues i sistemeve politike, juridike-kushtetuese dhe administrative, i shtetit dhe kombit, i metodologjisë dhe i terminologjisë.
Hartues i librave universitarë, studimeve shkencore dhe veprave publicistike.
Trajnues i kuadrit në administratën publike.
Eshte laureat i “Shperblimit te Dhjetorit” (1978), “Qytetar Nderi i Gjakoves” (2007), bartes i titullit “Imazhi i Intelektualit Shqiptar” (2009) etj.
PËRVOJA PROFESIONALE :
Mësimdhënie mbi dyzetë vjet në universitet.
Eksperiencë studimore në universitetet më prestigjioze të Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Përvojë praktike në institute të administratës publike.
Mbi 1000 paraqitje publike jashtë universitetit mbi Kosovën dhe çështjen shqiptare.
Pjesëmarrje në disa dhjetra konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare.
TRAJNIME TJERA:
Në fushën e mësimdhënies.
Në fushën e hartimit të ligjeve.
Në fushën e metodologjisë së hulumtimit shkencor etj.
TITUJT E PUBLIKUAR:
Nga gjithsej tridhjetekater tituj, po veçojmë ata nga fusha e specializmit:
1.Përgjegjësia politike e titullarëve të funksioneve publike dhe vetëqeverisëse, Instituti i Kërkimeve Juridike dhe Shoqërore, Fakulteti Juridik, Prishtinë, 1978.
2.E drejta administrative, Fakulteti Juridik, Prishtinë, 1981.
3.Administrata në shoqërinë vetëqeverisëse, Shoqata Krahinore për Teori dhe Praktikë Administrative, Prishtinë, 1985.
4.Elemente të së drejtës administrative, Fakulteti Juridik, Prishtinë, 1985.
5.Hyrje në shkencat administrative, Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore, Prishtinë, 1997.
6.Nocione dhe parime të administratës publike, aspekte metodologjike dhe shqyrtime krahasimtare, Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, botimi i parë, Prishtinë 2005 dhe botimi i dytë, Prishtinë, 2007.
7.Shteti- shqyrtime të përgjithshme teorike me vështrim rasti i Kosovës, Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, 2008.
8.Fjalor shpjegues i termave administrative, Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2010.
Dhjetë librat e fundit :
1. The Albanian Question At The Crossroads of Peaceful Solution, The Independent Association of Lawyers of Kosova, Prishtina, 1995 (edhe në shqip).
2. Kosova and Albanians, Between Negation and Independence, The Independent Association of Lawyers of Kosova, Prishtina, 1995.
3. Cështja e Kosovës në veprën e Gazmend Zajmit, Shoqata e Pavarur e Juristëve e Kosovës, Prishtinë, 1997.
4. Në mbrojtje të pavarësisë së Kosovës, Shoqata e Pavarur e Juristëve e Kosovës, Prishtinë, 1998.
5. Kosova nën administrimin ndërkombëtar, Forumi për Iniciativë Demokratike, Gjakovë, 2000.
6. Truths on Kosova, Albanian World Federation, Prishtina, 2000.
7. Vazhdimësia e mendimit për Kosovën dhe çështjen shqiptare, Lidhja Shqiptare në Botë, Prishtinë, Tiranë, Tetovë, 2001.
8. Kosova dhe çështja shqiptare në udhëkryqet e kohës (Political History of the Kosova Issue, Instituti për Studime Bashkëkohore, Universiteti Dardania, Prishtinë, 2005.
9. The Trouth About Kosova, Arguments and Facts in Support of Its Independence, Dardania University, Prishtina, 2007.
10. Rrugetimet dhe labirintet e Kosoves dhe te shqiptareve, Forumi per Iniciative Demokratike, Gjakove, 2009.
Jahjaga: Esat Stavileci, njeri i shkencës dhe atdhetar i madh/
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ngushëlloi sot familjen Stavileci me rastin e ndarjes nga jeta të Akademik Esat Stavilecit.
Në telegram thuhet:
E nderuara familja Stavileci,
Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të Akademik Esat Stavilecit, njeriut të shkencës dhe atdhetarit të madh.
E ndaj me Ju, e nderuara familje dhimbjen për këtë humbje të madhe për ju dhe për të gjithë ne në Kosovë duke e kujtuar me shumë respekt, punën dhe kontributin e çmuar të Akademik Esat Stavilecit.
Akademik Stavileci do të mbahet mend ndër gjenerata për kontributin e jashtëzakonshëm shkencor në fushën juridike-kushtetuese dhe për kontributin e jashtëzakonshëm për vendin e tij.
Ndarja nga jeta e Akademik Esat Stavilecit, është humbje e madhe jo vetëm për ju e nderuara familje Stavileci, por edhe për gjithë komunitetin shkencor të Kosovës, për miqtë, për bashkëpunëtorët dhe për të gjithë ata studiues që patën fatin të punojnë me të dhe të mësojnë nga ai.
Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, në emër të Institucioneve dhe në emrin tim personal, ju lutem pranoni ngushëllimet më të sinqerta.
Mustafa: Akademik Esat Stavileci ka dhënë kontribut të madh për Kosovën
-Kryeministri Isa Mustafa ngushëlloi familjen Stavileci, me rastin e ndarjes nga jeta të Akademik Esat Stavilecit/
Prishtinë, 15 gusht 2015
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ngushëlloi familjen Stavileci dhe të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës me rastin e ndarjes nga jeta të anëtarit të rregullt të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ekspertit të shquar në fushën e shkencave juridike, Akademik Esat Stavilecit.
“Me pikëllim dhe dhembje të madhe e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Akademik Esat Stavilecit. Akademik Esat Stavileci me punën, angazhimin dhe përkushtimin e tij të jashtëzakonshëm gjatë dekadave të kaluara, ka dhënë kontribut të madh për Kosovën, veçanërisht në avancimin e gjithanshëm të shkencave juridike në shtetin e Kosovës. Akademik Esat Stavileci, do të përkujtohet gjithnjë si një profesor frymëzues për breza të tërë të juristëve të Kosovës dhe për punën dhe kontributin e madh në fushën e studimeve juridike në Kosovë”, thuhet në telegramin e kryeministrit Mustafa.
Duke shprehur ngushëllimet në të sinqerta në emër të Qeverisë së Kosovës për këtë humbje të madhe, kryeministri Isa Mustafa po ashtu thekson se vdekja e Akademik Esat Stavilecit është humbje shumë e madhe për familjen, për miqtë, për kolegët dhe për Republikën e Kosovës.
Kryetarja e Komunës së Gjakovës ngushellon familjen Stavileci
E dashura familje Stavileci,
Të nderuar kolegë, intelektualë dhe miq të profesor Esat Stavilecit,
Me dhimbje dhe pikëllim të thellë, sot morrëm lajmin e hidhur për humbjen e intelektualit, juristit parimor, profesorit universitar, akademikut të shquar dhe bashkëqytetarit tonë, profesor Esat Stavileci.
Kosova dhe shiptarët në përgjithësi sot humbën një personalitet të dalluar të jurispudencës, njeriun e intelektit, autorin e shumë veprave që padyshim në çdo hap të jetës së Tij la gjurmë identifikuese për shtetin dhe të ardhmen!
Akademik Esat Stavileci ka krijuar emër të madh në shkencën Kosovare, duke na ofruar gjithmonë studim të drejtë të çështjes shqiptare.
Ne, morrëm lajmin që më së paku do të donim dhe prisnim, por vdekja nuk pyet dhe na i rrëmben edhe më të mirët, më të duhurit dhe më të nevojshmit. Andaj, duke qenë krenarë që si bashkëqytetar i ynë, profesor Esat Stavileci dha kontribut voluminoz në nivelet akademike, përherë do ndjejmë boshllëkun e krijuar nga humbja e kësaj figure të madhe të shoqërisë sonë!
Shumë të lumtur që ju patëm e jashtëzakonisht të pikëlluar që ju humbëm, profesori ynë i përjetshëm!
Me pikëllim,
Mimoza Kusari – Lila
Kryetare e Komunës së GjakovëPERGATITI: BEHLUL JASHARI/
- « Previous Page
- 1
- …
- 229
- 230
- 231
- 232
- 233
- …
- 245
- Next Page »