Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 12 Korrik 2015-Kosova po zhvillon fushatën e korrje-shirjeve në mbi 84 mijë hektarë tokë të mbjellë me grurë.Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa dhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, kanë vizituar sot nga mesdita parcelat ndërmjet fshatrave Hallaq i Madh dhe Rufc i Ri të komunës së Lipjanit, ku kanë monitoruar nga afër korrje-shirjet.
“Në Kosovë janë rreth 84 mijë hektarë të mbjella me grurë, rreth 44 mijë hektarë janë të mbuluara me subvencione, që është një kontribut shumë i madh”, tha Mustafa.
Kryeministri poashtu bëri të ditur se këtë vit janë shpërndarë subvencione në vlerë rreth 6 milionë e gjysmë vetëm për grurë, ndërsa në përgjithësi për bujqësi janë dhënë subvencione në vlerë 23 milionë, ndërsa grande edhe 20 milionë të tjera.
“Është një përkujdesje shumë e madhe e qeverisë së Republikës së Kosovës për prodhimtarinë primare bujqësore. Ne dëshirojmë që edhe më tutje të nxisim prodhimtarinë, dëshirojmë që edhe më tutje të përpunojmë produktet bujqësore, dhe të arrijmë që të zëvendësojmë për aq sa është e mundur importin me prodhimtarinë bujqësore dhe atë ushqimore vendore”, theksoi kryeministri Mustafa.
Ministri i Bujqësisë, Krasniqi tha se fushata e korrjeve ka filluar para gati dy javësh dhe besojmë që në 10-12 ditët e ardhshme do të përfundojë.
“Pritet që të kemi një rendiment në mes 3.5 deri në 4 tonë për hektar. Besojmë se do të arrijmë këtë vit që të kemi rreth 75-80 për qind të konsumit të mbuluar. Nevojat e Kosovës, sipas vlerësimeve që i bën dhe Organizata Ndërkombëtare e Ushqimit dhe Bujqësisë, janë rreth 400 mijë tonë, ndërsa ne këtë vit besoj të arrijmë së paku 300 mijë tonë ta kemi prodhimtarinë. Do të thotë, ende nuk mund ta mbulojmë 100 për qind, për këtë duhet që të kemi edhe 25 mijë hektarë shtesë me kultivim të grurit”, u shpreh ministri Krasniqi.
Kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti falënderoi kryeministrin Mustafa dhe ministrin Krasniqi për mbështetjen, duke shprehur besimin se kjo do ta fuqizojë edhe më tutje sektorin e bujqësisë.
Fermeri Mustafë Gashi, bëri të ditur se ai ka mbjellë 32 hektarë tokë dhe se mesatarja për hektar sivjet është rreth 5–6 mijë kilogramë, duke shprehur mirënjohje për subvencionimet që i janë dhënë nga Ministria e Bujqësisë.
Komisioni për monitorimin e fushatës se korrje-shirjeve do të nxjerr një raport të përgjithshëm për rendimentet dhe ecurinë e fushatës në përgjithësi.
Komisioni, i përbërë nga përfaqësues të shoqatave, drejtorive komunale dhe zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë, ka vlerësuar procedimin e pagesave për përfituesit e subvencioneve për grurë, para se të fillojnë korrje-shirjet. Në mbledhjen e Komisionit u tha se kjo ka qenë një lehtësim shtesë për fermerët, krahas rritjes së shumës së subvencionimit, nga 125 në 150 euro për hektar.
Ndihmës sekretarja Amerikane e Shtetit,Viktoria Nuland viziton Kosovën
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 11 Korrik 2015-Ndihmës sekretarja Amerikane e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Viktoria Nuland do të bëj një vizitë disaditëshe në disa vende evropiane, përfshirë edhe Kosovën, ka njoftuar Departmenti Amerikan i Shtetit.
Nga 11 deri në 14 korrik me një ekip ndërinstitucional Nuland do të vizitojë Malin e Zi, Kosovën, Maqedoninë, Shqipërinë dhe Serbinë, me udhëheqësit e të cilave dhe me pjesëtarë të shoqërisë civile do të diskutojë çështjet dypalëshe dhe rajonale, përfshirë integrimin rajonal dhe euroatlantik.
“Në Kosovë dhe në Serbi, në mënyrë të veçantë, ajo do të diskutojë dialogun Kosovë-Serbi dhe progresin në zbatimin e Marrëveshjes së 19 prillit 2013 të arritur në Bruksel mbi normalizimin e marrëdhënieve”, thuhej në një kumtesë të Departmentit Amerikan të Shtetit, cituar nga media.
Kryetari i Kuvendit Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, të dielën, në orën 15:00, do të ketë takim me Victoria Nuland, ndihmëse për çështje të Evropës dhe Azisë e Sekretarit të Shtetit, John Kerry, sapo njofton Kuvendi, ndërkohë që priten edhe njoftime të tjera për axhendën e takimeve në Prishtinë.
Në 27 shtator 2014 Presidenca kosovare njoftonte se, Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka takuar në Nju Jork Ndihmëssekretaren amerikane të Shtetit për Evropë dhe Azi, VictoriaNuland, me të cilën ka diskutuar për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe proceset nëpër të cilat po kalon vendi. Ndërsa, në 11 dhjetor Jahjaga ka zhvilluar një bisedë telefonike me Nuland.
Në 8 shkurt 2015 Kryeministria kosovare njoftonte se kryeministri Isa Mustafa ka zhvilluar një takim me Nuland, në Munih, ku ka marrë pjesë në Konferencën e 51-të të Munihut për Siguri.
Në 2 shkurt MPJ kosovare bënte të ditur se, në Uashington me Nuland ishte takuar zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi.
3 Attachments
Kosova, harmoni ndërfetare vlerash të krijuara ndër shekuj nga populli
-Kryeministri Mustafa shtroi darë iftar për përfaqësuesit e Bashkësisë Islame të Kosovës/
PRISHTINË, 11 Korrik-Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, shtroi të premten iftar për drejtuesit e Bashkësisë Islame të Kosovës, të udhëhequr nga Myftiu Naim Tërnava.
Kryeministri Mustafa, i uroi mirëseardhje mysafirëve, dhe shprehu respektin e kujdesin e institucioneve të Kosovës për komunitetin mysliman dhe të gjitha komunitetet fetare në Republikën e Kosovës.
Duke folur për vlerat që përfaqëson muaji i shenjtë i Ramazanit dhe agjërimi gjatë këtij muaji, kryeministri Mustafa theksoi se kjo është periudhë e reflektimit dhe e përkushtimit për vlerat e humanizmit, solidaritetit, paqes e tolerancës.
Kryeministri Mustafa veçoi harmoninë ndërfetare në Republikën e Kosovës, si një prej karakteristikave të shoqërisë kosovare dhe vlerave të krijuara ndër shekuj nga populli i Kosovës./B.J/
SREBRENICA NDODHTE EDHE NË KOSOVË
-Raportimi i para 17 viteve: Në Kosovë po ndodh Bosnja, në Rahovec po ndodh Srebrenica.Përkujtohen masakrat/
Ne Foto:Ticë-Rahovec-civilë të masakruar nga forcat serbe- 25 mars 1999/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 11 Korrik 2015-Masakra e Srebrenicës e para 20 viteve përkujtohet edhe në Kosovë, ku po ashtu bënë masakra, spastrim etnik e gjenocid forcat serbe të Slobodan Milosheviçit, i cili pas ndërhyrjes shpëtimtare të NATO-s, të para mëse 16 viteve, në zhvillimet e mëtejme në rajon ka përfunduar në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë.
“Në Kosovë po ndodh Bosnja, në Rahovec po ndodh Srebrenica”, ka raportuar korrespondenti i ATSH-së para 17 vitesh, në korrik të vitit 1998.
Zëvendëskryeministri i parë e ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë të ditur se do udhëtonte për në komemoracionet në Srebrenicë, por nuk është lejuar. “Përkundër ftesës zyrtare dhe vizës së rregullt të lëshuar nga autoritetet e Bosnjës e Hercegovinës, në momentet e fundit nuk u lejova të udhëtoj për të marrë pjesë në komemoracionet në Srebrenicë me arsyetimin se jam person i padëshirueshëm nga Republika Srpska”, shprehet ai.
Kosova dhe populli i saj, vijon Thaçi, me zemër e me mendje jenë me familjet që sot më në fund i varrosin familjarët e tyre që të prehen në paqe dhe me të tjerët që i përkujtojnë etërit, vëllëzërit, bijt e humbur në këtë tmerr.
“Kështu sot shënojmë 20 vjetorin e gjenocidit të forcave serbe në Srebrenicë dhe 16 vjetorin e gjenocidit të shtetit serb në Kosovë”, thekson ai.
“Populli i Kosovës gjithmonë do të jetë përkrah atyre që promovojnë lirinë, barazinë, drejtësinë dhe pajtimin”, është mesazhi i kryediplomatit kosovar Thaçi.
Në 9 korrik 2015, në seancën e Kuvendit të Kosovës kryetari Kadri Veseli, që në hapje, përkujtoi se, “20 vite më parë në verën përvluese të vitit 1995 në qytetin Srebrenica të Bosnjës u bë krimi më i madh në Evropë që pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore”.
Ai tha se në masakrën e Srebrenicës, të gjenocidit e spastrimit etnik, që tronditi botën, mbi 800 burra u masakruan barbarisht nga njësitë ushtarake të gjeneralëve serbë të Milosheviçit dhe se e njëjta barbari e forcave serbe u shfaq pastaj në fshatrat e qytetet e Kosovës.
“20 vite pas krimit në Srebrenicë, e 16 vite pas krimeve të bëra në Prekaz, Izbicë, Suharekë, Mejë, Gjakovë e vende tjera të Kosovës drejtësia nuk është përmbushur akoma. Është e domosdoshme që drejtësia të vihet në vend, sepse krimet e padënuara ndjellin vetëm kobe të reja”, u shpreh kryeparlamentari kosovar, Veseli.
“Duke iu bashkuar përkujtimit global që po i bëhet Masakrës së Srebrenicës në 20 vjetorin e saj, në nderim të viktimave ju ftoj për një minutë heshtje”, përmbylli fjalën e tij kryetari i Kuvendit të Kosovës, në fillimin e seancës plenare.
Deputeti i partisë boshnjake të Kosovës VAKAT, Qerim Bajrami nga Grupi parlamentar Gjashtë Plus, i komuniteteve pakicë, po ashtu përkujtoi masakrën e Srebrenicës, duke u shprehur se ishte dita më e zezë në historinë e popullit boshnjak në Ballkan. “Nuk ka pajtim në Ballkan pa gjykimin e drejtë të krimit”, theksoi ai, ndërsa njoftoi se në qytetin e Prizrenit për 20 vjetorin e masakrës së Srebrenicës është organizuar një marsh nga dy organizata joqeveritare të boshnjakëve përkrahur edhe nga komuna e qytetit më të madh jugor të Kosovës.
Në Kosovë, si në shumë fshatra e qytete, edhe në qytetin e Rahovecit ndodhën masakra të forcave serbe kundër civilëve shqiptarë. Para 17 viteve, në 19 korrik të vitit 1998, si pasojë e një sulmi të forcave serbe, në Rahovec pati shumë të vrarë e të plagosur. Edhe në Tehqen e Sheh Myhedinit janë masakruar shumë gra, fëmijë dhe pleq që kishin kërkuar strehim në këtë institucion fetar.
Te vendi i quajtur “Tuba” u gjetën të masakruar dy profesorë si dhe gjashtë trupa të karbonizuar, identiteti i të cilëve nuk u mësua. Gjithsej u regjistruan 150 persona të vrarë.
Dëshmitarët që kishin arritur t’i shpëtojnë këtij krimi kanë treguar se ushtria, policia dhe paramilitarët serbë kanë ekzekutuar civilë shqiptarë arbitrarisht.
Gjatë kësaj ofensive u morën peng, u rrëmbyen e u zhdukën shumë shqiptarë, për fatin e të cilëve nuk dihet asgjë. Organet e pushtetit okupues serb në Prizren, më 22 korrik 1998, në varrezat e këtij qyteti hapën dy gropa të mëdha dhe groposën shumë shqiptarë të vrarë gjatë ofensivës në Rahovec.
Në raportimet për situatën në Rahovec para 17 viteve, në 23 korrik ATSH nga korrepondenti në Kosovë, në raportin me titull “Shqiptarët e vrarë janë varrosur në dy varreza masive” bënte të ditur se, “forcat serbe kanë hapur, të mërkuren, me eskavator dy varre të perbashketa dhe kanë groposur kufomat e mbledhura nëpër rrugët e qytetit të Rahovecit, afro një orë para
ardhjes në qytet të gazetarëve dhe diplomatëve të huaj. Sipas KMLDNJ (Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut) forcat serbe kanë vrarë mbi 50 shqiptarë, ndërkohë që nuk janë identifikuar ende shumë të vrarë e të masakruar, që kanë mbetur nëpër rrugë, shtëpi, bodrume dhe fusha.
Burime të LDK-së (Lidhjes Demokratike të Kosovës) në Rahovec besojneë se janë qindra civilë të vrarë, të masakruar, të djegur dhe të plagosur. Shtypi i Kosovës dhe burime të tjera masakren e kryer nga forcat serbe në Rahovec e krahasojnë me Srebrenicën.”
Ndërsa, në 24 korrik, po para 17 viteve, korrespondenti i ATSH raportonte që në titull se “Rugova kërkon mbrojtje ndërkombetare për Kosovën”. “’Në Kosovë gjendja vazhdon të jetë e rrezikshme, çdo ditë ka sulme të policisë dhe ushtrisë serbe. Ky është një spastrim i egër etnik, që ka filluar në Kosovë’, tha të premten para gazetarëve në Prishtinë Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova. Kerkojmë ‘mbrojtje ndërkombetare për Kosovën dhe popullin e saj dhe të ndalohet përhapja e konfliktit në rajon’, theksoi Rugova.
‘Policia serbe nuk po lejon varrosjen e të vrarëve pas masakrave në Rahovec dhe as ardhjen e organizatave ndërkombëtare dhe kombëtare në Kosovë. Me mijëra shqiptarë janë larguar nga
qyteti i Rahovecit dhe rrethinat e tij’, tha Rugova, duke shtuar se edhe në rajone të tjera të Kosovës ka patur bombardime dhe të vrarë, ndërkohë që vazhdon represioni i policisë serbe.
‘Bashkësia ndërkombëtare, SHBA dhe Bashkimi Evropian, po ndërmarrin të gjitha hapat diplomatikë, por edhe ata ushtarakë, që të mos ndodhë Bosnja në Kosovë’, u shpreh Rugova, në pergjigje të pyetjes së gazetareve.
Rugova përseriti qendrimin se ‘zgjidhja më e mirë për Kosovën është Kosova e pavarur me të gjitha garancitë për serbët lokalë dhe një protektorat ndërkombëtar si fazë kalimatare’”, raportonte në korrik 1998 korrepondenti atëherë dhe i tashëm i ATSH në Kosovë.
Në Kosovë, në vitet 1998-‘99 forcat serbe në sulmet gjenocidale dëbuan mëse 1 milion shqiptarë, shumicën “përtej Bjeshkëve të Nemuna” në Shqipëri, vranë e masakruan rreth 12 mijë, e mijëra të tjerë i zhdukën duke i dërguar e groposur edhe në Serbi, apo edhe duke i djegur.
“Në Kosovë kanë ndodhur krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe akte gjenocide të forcave serbe kundër shqiptarëve”, ka deklaruar në një bisedë për ATSH eksperti i së drejtës ndërkombëtare, Prof. Dr. Zejnullah Gruda.
Ai ka folur mes mijëra e mijëra dëshmive të mbledhura gjatë viteve të okupimit e të luftës, të cilat i shpalosnim nga arkivat e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) në Prishtinë.
“Janë shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare në përgjithësi, të drejtës ndërkombëtare të luftës, të drejtës humanitare…”, ka thënë Gruda.
Profesori i të drejtës ndërkombëtare vazhdonte të flasë:
“Argumente ka sa të duash. Është një numër i madh i personave, të cilët kanë pësuar, e sipas rregullave të së drejtës ndërkombëtare është dashur të gëzojnë mbrojtje, të jenë të përjashtuar nga veprimet luftarake, dhe këta janë pjesa më e madhe e viktimave. Këtu është para së gjithash ai grupi që llogaritet si popullsi civile, në të cilin hyjnë fëmijtë, pleqtë, femrat, e kategori tjera që gëzojnë mbrojtje sipas rregullave të së drejtës ndërkombëtare.
Këtu është personali mjekësor, personeli i shoqatave ndërkombëtare humanitare për ndihmë viktimave të luftës, personeli fetar, janë të sëmurët, të plagosurit, që nuk duhet të jenë në asnjë rast objekt i veprimeve luftarake…
Në Kosova ka ndodhur, edhe është fatkeqësi e madhe, që pjesa më e madhe e viktimave u takojnë këtyre grupeve që është dashtë të jenë të mbrojtura, të përjashtuara nga veprimet luftarake. Këta janë me qinda e me mijëra e atyre që i takojnë popullsisë civile, janë pleqtë, gratë, edhe gra shtatzëna, janë fëmijë, madje edhe fëmijë nën moshën shtatëvjeçare… Vetëm në familjen Jashari në Prekaz janë nëntë fëmijë … Në asnjë rast nuk kanë guxuar të jenë objekt i sulmeve, ose objekt i vrasjeve, në asnjë moment.
Këto janë ato kategoritë, këto janë ato shkeljet e madha që bëjnë përjashtim nga rregullat e të drejtës ndërkombëtare të luftës, të cilat i ndalojnë këto veprime. Kemi pasë të vrarë edhe mjekë, edhe misionarë të organiztave humanitare, që janë marrë me ndihmë viktimave të luftës, edhe klerikë ose persona fetarë…Kemi pasë të vrarë ndër civilë edhe percona të smurë, me të meta të rënda, të verbër, të shurdhër, të paralizuar, të sëmurë mentalë. Kanë qenë objekt i sulmeve, çka është shkelje e jashtëzakonshme…”
“Edhe dhunimet, të cilat kanë ndodhur, gjithashtu janë të ndaluara me rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare. Është një prej atyre shkeljeve të rrënda”, ka thënë Gruda.
Ai ka theksuar se gjithashtu janë të dënueshme veprimet për t’i zhdukur gjurmët e krimeve, dërgimi dhe groposja e trupave të tyre në varreza masive në Serbi.
“Janë mijëra të zhdukur, për të cilët nuk ka kurrëfarë të dhëne çka ka nodhur me ta, që kanë përfunduar diku në përpjekje për t’i zhdukur gjurmët e krimeve”, ka thënë profesor Gruda.
Sipas të dhënave të asociacioneve familjare të të zhdukurve të pagjeturve, numri i tërësishëm i të zhdukurve të Kosovës pas luftës së para 16 viteve mbërrinte afër 6.000 veta, mbi 90 për qind prej tyre ishin civilë shqiptarë, të cilët u rrëmbyen, u morën të gjallë në mënyra të ndryshme nga formacionet policore-ushtarake dhe paramilitare të pushtetit okupues serb. Një numër i tyre, rreth 600 janë gjetur të gjallë nëpër burgjet në Serbi.
Thaçi:Kosova ka nevojë për të menduarit si të bëhen gjërat më mirë
-Kryediplomati kosovar në “Croatia Forum 2015”: Zhvillimi është kusht për paqe të qëndrueshme/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 10 Korrik 2015- Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë prezantimit të tij në “Croatia Forum 2015”, në Dubrovnik, Kroaci, është shprehur se Kosova ka nevojë për përkrahje në zhvillimin ekonomik meqë ka shumë vite që ka lënë prapa fazën e krizës.
Duke folur për përvojën e Kosovës në kuadër të asistencës zhvillimore në periudhën e pasluftës, zëvendëskryeministri Thaçi tha se Kosova ka pasur fatin që ka gëzuar vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare pas viteve të luftës e represionit, gjë që ka ndihmuar në rindërtimin e vendit.
Por, sipas Thaçit, kjo asistencë ka pasur edhe mangësitë e saj, duke përfshirë mungesën e shpeshtë të bashkërendimit mes vet donatorëve.
“Mangësi tjetër ka qenë se kjo asistencë ka qenë shpeshherë e nxitur nga prioritetet e donatorëve, e jo detyrimisht nga nevojat e qytetarëve”, ka theksuar zëvendëskryeministri Thaçi, i cili shtoi se shqetësimet dhe interesat e shprehura nga komuniteti vendor janë qenësore.
Gjithashtu, zëvendëskryeministri Thaçi u shpreh se Kosova ka nevojë që qasja e bashkësisë ndërkombëtare të ndryshojë ashtu që të përqendrohet në zhvillim e jo në menaxhim krize, tani që Kosova nuk është më zonë krize.
“Ajo për çfarë ka nevojë Kosova është të menduarit se si të bëhen gjërat më mirë”, tha Thaçi, dhe nënvizoi se “zhvillimi është kusht për paqe dhe pajtim”.
Në “Croatia Forum 2015” pjesëmarrësit këtë vit diskutojnë mbi nevojën për të rimenduar asistencën zhvillimore ndërkombëtare në të mirë të zhvillimit dhe paqes së qëndrueshme. Kjo ngjarje e përvitshme mbahet në qytetin kroat të Dubrovnikut dhe në të marrin pjesë ministrat e jashtëm të vendeve më të rëndësishme të rajonit dhe botës.
- « Previous Page
- 1
- …
- 238
- 239
- 240
- 241
- 242
- …
- 245
- Next Page »