• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOSOVE- QEVERIA, BISEDIME ME OPOZITEN PER GJYKATEN SPECIALE

June 27, 2015 by dgreca

QEVERIA E KOSOVËS PARALAJMËRON BISEDIME ME OPOZITËN DHE RIPROCEDIM NË KUVEND TË NDRYSHIMEVE KUSHTETUESE DREJT KRIJIMIT TË SPECIALES/

Nga: Behlul Jashari/

PRISHTINË, 27 Qershor.-Qeveria dhe insititucionet tjera të Republikës së Kosovës angazhohen që në asnjë rrethanë të mos krijohet hapësirë për oponentët e pavarësisë që çështja e Gjykatës Speciale të kalojë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

MUSTAFA: ËSHTË FAT I KEQ QË ËSHTË KËRKUAR QË GJYKATA TË THEMELOHET JASHTË KOSOVËS

Në një mbledhje konsultative të qeverisë, të zhvilluar sot, lidhur me hapat që do të ndërmerren për përmbushjen e obligimeve të institucioneve të Kosovës ndaj marrëveshjes ndërkombëtare që ka të bëjë me themelimin e Gjykatës Speciale, e ratifikuar me ligj të veçantë në Kuvendin e Kosovës vitin e kaluar,  kryeministri kosovar Isa Mustafa  paralajmëroi  riprocedim dhe për këtë bashkërendësim e bisedime edhe me tre partitë opozitare që nuk i votuan dje në Kuvend ndryshimet kushtetuese drejt krijimit të Speciales.“Kam ftuar këtë mbledhje konsultative të qeverisë, për të biseduar bashkërisht lidhur me hapat që do të ndërmarrim në këto ditë rreth përmbushjes së obligimeve të institucioneve tona ndaj marrëveshjeve ndërkombëtare të cilat ne i kemi ratifikuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në këtë rast ndaj marrëveshjes që ka të bëjë me themelimin e Gjykatës Speciale, që është ratifikuar në Kuvend me ligj të veçantë”, tha fillimisht Mustafa.Dje, vijoi ai, ka qenë seanca e Kuvendit të Republikës së Kosovës në të cilën është diskutuar gjatë lidhur me amendamentet kushtetuese që kanë të bëjnë lidhur me implementimin e kësaj marrëveshje.“Edhe përkundër asaj që nuk është arritur që të sigurohen votat e dy të tretave të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mënyrë evidente është realizuar vullneti i shumicës së deputetëve, dhe kjo flet për përcaktimin e shumicës që ne të ndjekim rrugën evropiane dhe euroatlantike, që ne të tregojmë seriozitetin tonë lidhur me zbatimin e të gjitha detyrimeve tona që i kemi marrë ndaj faktorit ndërkombëtar, dhe detyrimeve të cilat i kemi marrë vitin e kaluar lidhur me ligjin për ratifikimin e marrëveshjes, përkatësisht letrës e cila është këmbyer ndërmjet Presidentes së Republikës së Kosovës dhe Baroneshës Ashton, e që ka të bëjë me themelimin e dhomave të veçanta të Gjykatës Speciale”, u shpreh kryeministri kosovar.

 Në këtë rast, vijoi ai, ne konsiderojmë se duhet të bëjmë të gjitha përpjekjet, si qeveri e Republikës së Kosovës, edhe më tutje që të përmbushen detyrimet e vendit tonë, sepse kemi të bëjmë me përmbushjen e detyrimeve ndaj vënies së drejtësisë, mirëpo gjithmonë duke bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, në mënyrë që të shtrojmë një rrugë dhe një perspektivë të përbashkët të zhvillimit të vendit tone”, theksoi Mustafa.

 Ne, tha ai, mendojmë se në ditët në vijim qeveria e Republikës së Kosovës të bashkërendis aktivitetet me Kuvendin e Republikës së Kosovës, me grupet parlamentare, në mënyrë që të punojmë të gjithë së bashku, që në ditët në vijim të riprocedohet lënda e ndryshimeve kushtetuese, përkatësisht amendamenteve kushtetuese në Kuvend dhe poashtu të zhvillojmë edhe takime dhe biseda edhe me faktorin ndërkombëtar, i cili është këtu në Kosovë dhe të bashkërendisim me ta të gjitha këto punë.

 “Konsiderojmë poashtu se çështja e ndryshimeve kushtetuese dhe zbatimi i drejtësisë nuk është vetëm çështje e pozitës, përkatësisht e partive të cilat janë në pozitë, është çështje e të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, edhe deputetëve të opozitës të cilët në mandatin e kaluar e kanë votuar ratifikimin e marrëveshjes, përkatësisht letërkëmbimin ndërmjet Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe Baroneshës Catherine Ashton (përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian në atë kohë), dhe janë pjesë e ligjit mbi ratifikimin e kësaj marrëveshje. Ky ligj i detyron jo vetëm partitë që janë në pozitë, por i detyron të gjitha subjektet në Kosovë që ta bëjnë zbatimin e saj dhe ne poashtu e shohim arsyen që edhe me partitë opozitare të bashkërendisim dhe të bisedojmë, sepse çështja e vënies së drejtësisë dhe çështja e perspektives evropiane të Kosovës nuk është çështje vetëm e disa strukturave, ose e një strukture politike ose një koalicioni politik, por është çështje e shtetit të Kosovës, është çështje e qytetarëve të Kosovës dhe është çështje e ardhmërisë tone”, theksoi kryeministri Mustafa.

Ai vijoi se, të gjithë ne do të ishim të lumtur sikur kjo gjykatë me kohë të ishte themeluar në Kosovë dhe ne të përplotësonim të gjitha kushtet që një gjykatë e tillë të funksiononte këtu.

“Është fat i keq edhe për Kosovën edhe për neve që është kërkuar që gjykata të themelohet jashtë vendit. Mirëpo, ne megjithatë jemi pajtuar sepse kemi ratifikuar një marrëveshje të tillë dhe të gjithë ne e kemi marrë për obligim se ajo marrëveshje do të realizohet. Prandaj, ne shohim arsye të punojmë, të tregojmë gatishmërinë tonë dhe përcaktimin tonë që si qeveri duhet të punojmë edhe më tutje, të bashkëpunojmë me të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe suksesin tonë e shohim si sukses të të  gjithëve”, tha kryeministri.

Mustafa tha se, natyrisht se në asnjë rast nuk i gëzohemi asaj që ne të festojmë ose të manifestojmë mosvotimin e përcaktimeve tona dhe detyrimeve tona, por e shohim si sukses kur detyrimet tona arrijmë t’i bëjmë vepër dhe që zotimet tona që i kemi dhënë ndaj bashkësisë ndërkombëtare, ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ndaj Bashkimit Evropian t’i vëmë në vepër dhe të ecim në perspektiven evropiane.

“Kemi nevojë që të kemi bashkëpunim ndërkombëtar, kemi nevojë të ecim rrugës së integrimeve evropiane, sidomos të atyre që kanë të bëjnë tani me nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim, me liberalizimin e vizave, me aderimin tonë në institucionet tjera ndërkombëtare, të cilat janë të domosdoshme që aty të gjendemi dhe për këtë ne duhet të tregojmë përcaktimin dhe seriozitetin tonë ndaj të gjitha detyrimeve të cilat Kosova i ka marrë, por edhe  ndaj detyrimeve të cilat ne do t’i marrim në të ardhmen”, tha kreu i qeverisë kosovare.

Prandaj, përfundoi Mustafa, takimi i sotëm ishte i karakterit që ne të ulemi të tregojmë përcaktimin tonë dhe zotimin tonë që do të punojmë këto ditë, në mënyrë që të përmbushim detyrimet tona, do të punojmë më tërë Kuvendin, me të gjithë deputetët dhe me të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës dhe faktorin ndërkombëtar që është këtu dhe pastaj në qeveri do të marrim vendimin adekuat lidhur me riprocedimin e amendamenteve përkatësisht lëndës e cila do të mundësonte që ne të realizojmë këto detyrime.

THAÇI: GJYKATËN SPECIALE TA THEMELOJMË NË BAZË TË KUSHTETUTËS DHE LIGJEVE TË KOSOVËS, BASHKËRISHT ME PARTNERËT TANË BE-në E SHBA-të

Zëvendëskryeministri e ministri i Jashtëm i Kosovës,  Hashim Thaçi tha se mbështetë plotësisht qëndrimet që i prezantoi kryeministri Mustafa në emër të qeverisë dhe pozicionimin e qeverisë së Republikës së Kosovës edhe pas zhvillimeve të reja që kanë ndodhur dje në Kuvend. “Ajo që është me rëndësi është që shumica e deputetëve ishin në favor të përcaktimit tonë të kryerjes së këtij standardi, kriteri apo edhe obligimi karshi bashkësisë ndërkombëtare që e kemi marrë ne si shtet i Kosovës”, u shpreh ai.

 Prandaj, vijoi Thaçi, vlerësoj se riprocedimi në kohën e duhur në ditët e ardhshme nga ana e qeverisë është një vendim i drejtë, një vendim që duhet të kalojë edhe përmes një koordinimi edhe ndërpartiak, por në të njëjtën kohë edhe një konsultimi të ngushtë edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë në mënyrë që kjo çështje të përmbyllet sa më shpejtë që është e mundur dhe sa më shumë që është e mundur në kuptimin e një konsensusi edhe politik edhe qytetar edhe një bashkëpunimi të ngushtë me partnerët tanë strategjikë në mënyrë që të ruajmë hapin e perspektivës evropiane edhe në procesin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Asociimit dhe Stabilizimit, aplikimit në Këshill të Evropës si dhe rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave.

 “Prandaj, unë dëshiroj dhe në njëjtën kohë shpresoj që ne do të ngrihemi të gjithë mbi reagimet çfarë i kemi pasur edhe dje aty këtu prej deputetëve apo individëve të caktuar, në mënyrë që të marrim përgjegjësinë edhe të vlerësimit politik, edhe të votimit në kuadër të përgjegjësive më të larta tona kushtetuese, ligjore dhe të interesit shtetëror të Republikës së Kosovës. E ritheksoj edhe sot se është jetike për të ardhmen e vendit që të themelojmë ne gjykatën e veçantë, Gjykatën Speciale, në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, pra ta themelojmë bashkërisht me partnerët tanë Bashkimin Evropian dhe SHBA-të dhe në asnjë rrethanë të mos krijohet hapësirë për oponentët e pavarësisë së Kosovës që kjo çështje të kalojë në Këshillin e Sigurimit”, theksoi kryediplomati kosovar Thaçi.

Ai vijoi se, bashkërisht me partnerët tanë ne jemi të qartë se do të përmbyllet kjo çështje në periudhë shumë të shkurtër kohore 3 deri 5 vjet, ndërsa në rast të ndonjë rreziku tjetër apo lëshimi tonë kjo çështje mund të bartet në një periudhë të gjatë, me dëm të madh për shtetin e Kosovës, në periudhën 15 apo 20 vjeçare.

“Do të thotë edhe dëmi politik mund të jetë i madh, edhe dëmi i perspektivës euroatlantike por edhe një dëm i madh i sanksioneve të ndryshme për zhvillimin ekonomik dhe perspektivën e sigurt për qytetarët e Kosovës”, përfundoi Thaçi.

 Qeveria e Republikës së Kosovës në një deklaratë mbrëmë vonë vlerësi se mosmiratimi i djeshëm në Kuvendin e Kosovës i ndryshimeve kushtetuese që do të hapnin rrugë për miratimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, si dhe Ligjit për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar potencialë në Proceset Gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara, nuk i shërben interesave madhore të Kosovës.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, mbetet e përkushtuar të punojë deri në përmbushjen e plotë të detyrimeve që derivojnë nga letërkëmbimi ndërmjet Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe Baroneshës Catherine Ashton si dhe fton të gjitha institucionet që t’i kontribuojnë përmbushjes së këtij obligimi dhe të mbrojnë interesat e shtetit të Kosovës”, theksonte deklarata.

“Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se çdo dështim për përmbushjen e obligimeve nga ana e institucioneve tona, e vë në pikëpyetje seriozitetin dhe perspektivën euroatlantike të Republikës së Kosovës”, përfundon deklarata.

MUNGONIN 5 VOTA PËR MIRATIM TË NDRYSHIMEVE KUSHTETUESE PËR GJYKATËN SPECIALE

Kuvendi i Kosovës me 75 vota pro, 7 kundër, 2 abstenime nuk e miratoi propozim-amendamentin nr. 24 në Kushtetutën e Republikës, krijimin e Gjykatës Speciale. Për miratim duheshin së paku 80 vota të Kuvendit 120 anëtarësh, përfshirë këtu edhe dy të tretat e 20 deputetëve të komuniteteve pakicë.

Mungonin së paku 5 vota për miratim. Ndërsa më shumë se 5 mungonin votat pro të deputetëve nga partia më e madhe e koalicionit qeverisës, PDK – 7 ishin kundër e 2 abstenuan.

Në deklarime, dy forcat më të mëdha politike të koalicionit qeverisës që kanë 68 deputetë  (PDK 35, LDK 33) u shprehën pro, e tre të opozitës me gjithësej 31 deputetë kundër, ndërsa grupet parlamentare të komuniteteve pakicë nuk u deklaruan. Pa grup parlamentar janë 5 deputetë, 4 shqiptarë e 1 serb.

 JACOBSON: JEMI TË ZHGËNJYER THELLË NGA REZULTATI I VOTIMIT NË KUVEND

Ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, ka bërë të ditur se SHBA-ja është e zhgënjyer thellë me moskalimin e amendamenteve që hapnin rrugën e themelimit të Gjykatës Speciale, dje në Kuvendin kosovar.

Sipas shtypit të sotëm të Prishtinës, ajo ka bërë të qartë se kjo çfarë ka dëshmuar të premten Kuvendi i Kosovës është një pengesë për aspiratat euroatlantike të Kosovës. Jacobson bën sërish të ditur se Qeveria amerikane nuk do t’i bllokojë përpjekjet e vendeve që nuk e njohin Kosovën që të themelojnë Tribunalin në OKB në mungesë të themelimit të saj me lejen e Kuvendit të Kosovës.

“Ne jemi të zhgënjyer thellë nga rezultati i votimit të sotëm në Kuvend. Rezultati është një pengesë për aspiratat euroatlantike të Kosovës. Siç e kemi theksuar më parë, në mungesë të themelimit të Gjykatës Speciale, Qeveria e SHBA-së nuk do t’i bllokojë më përpjekjet e anëtarëve që s’e njohin Kosovën që të themelojnë Tribunalin në OKB”, ka thënë ambasadorja Jacobson për “Zërin”, shkruan kjo gazetë.

ZHBOGAR: BASHKIMI EVROPIAN ËSHTË NJOFTUAR PËR VOTIMIN NEGATIV TË KUVENDIT TË KOSOVË

Bashkimi Evropian është njoftuar për votimin negativ të Kuvendit të Kosovë, deklaroi mbrëmë Shefi i Zyrës së BE-së/PPBE Samuel Zhbogar lidhur me ndryshimet kushtetuese që mundësojnë themelimin e Dhomave të Posaçme.

“Jam i zhgënjyer me rezultatin e seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës. BE-ja është njoftuar për votimin negativ lidhur me ndryshimet kushtetuese të cilat do ta kishin mundësuar krijimin e Dhomave Speciale të Kosovës dhe Zyrës së Prokurorit Special. Kosova nuk ka alternativë tjetër përpos që t’i trajtojë supozimet serioze që dalin nga raporti i vitit 2011 të Këshillit të Evropës. Në këtë mënyrë BE-ja do të vazhdojë të punojë me institucionet e Kosovës përkitazi me konfirmimin e zotimeve që dalin nga Letër këmbimet 2014”, theksonte Zhbogar në deklaratën e sdërguar nga Zyra e BE në Kosovë.

SEJDIU: KOSOVËS I NEVOJITET HAP I VENDOSUR DHE I ARSYESHËM PËR TË GJETUR FORMULËN MË TË MIRË

Ish-Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka deklaruar se debati i djeshëm në Kuvendin e Kosovës dhe mosmiratimi i amendamenteve kushtetuese të propozuara nga qeveria për themelimin e Gjykatës Speciale domosdo Kosovën e fut në një fazë të re dhe jashtëzakonisht të ndjeshme.

“Megjithë zotimet e zyrtarëve më të lartë të shtetit për përfundimin e këtij procesi, sot doli një përgjigje tjetër nga Kuvendi i Kosovës. Kjo tregon se nuk kishte një përgatitje serioze dhe thellësisht të pjekur për këtë proces. Po kështu, kjo dëshmon brishtësinë e funksionimit institucional”, është shprehur ai.

“Kosovës i nevojitet hap i vendosur dhe i arsyeshëm për të gjetur formulën më të mirë të kapërcimit të kësaj situate. Sigurisht se variantet mund të jenë të shumta. Por, para së gjithash Kosovës i nevojitet një unitet nacional dhe qytetar dhe veprime shumë të vendosura për të zhvilluar partneritet të sinqertë , në radhë të parë brenda gjithë forcave politike të vendit dhe paralelisht një partneritet të fuqishëm e të sinqertë me miqtë e dëshmuar të Kosovës”, ka theksuar Fatmir Sejdiu, i cili si President i vendit ka udhëhequr Ekipin e Unitetit në negociatat për statusin e Kosovës, të ndërmjetësuara nga Kryenegociatori Martti Ahtisaari – Emisari Special i OKB-së.

KONJUFCA: LAJM I MIRË PËR KOSOVËN -MOSVOTIMI I GJYKATËS SPECIALE

Lëvizja Vetëvendosje organizoi sot konferencë për shtyp, ku kryetari i Grupit Parlamentar,  Glauk Konjufca, foli rreth mosvotimit të djeshëm të Gjykatës Speciale. Ai tha se mosvotimi i kësaj gjykate nga Kuvendi është një lajm i mirë për Kosovën. “Dje u evitua heqja e një pjese të konsiderueshme të sovranitetit republikan”, tha Konjufca.

Ai reagoi ndaj paralajmërimeve të qeverisë se këtë çështje do ta rikthejë në Kuvendin e Kosovës. “Në vend që qeveria të reflektojë pas këtij refuzimi në kuvend, ajo është përcaktuar për rrënimin total të demokracisë parlamentare”, u shpreh Konjufca. 

HARADINAJ: NE SI SHTET DUHET TË FILLOJMË TË MERREMI VETË ME TEMAT TONA

Kosova duhet të merret vet me temat e veta, tha sot Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së, një prej tre partive opozitare, që bashkë me disa deputetë të pozitës dje në Kuvendin kosovar pamundësuan miratimin e ndryshimeve kushtetuese për krijimin e Gjykatës Speciale jashtë vendit.

“Ne si shtet duhet të fillojmë të merremi vetë me temat tona, cilatdo qofshin ato. Ne jemi kundër eksperimenteve me Kosovën. Të gjithë duhet të na trajtojnë dhe të na besojnë se jemi të gatshëm me i marrë vetë përgjegjësitë”, është shprehur ai.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës,  Haradinaj, ka marrë pjesë sot në hapjen e punimeve të Kuvendit Zgjedhor të Aleancës së të Rinjve të Kosovës.

“Kosova po kalon momente të rëndësishme dhe ju rinia mund t’i vëni në shprehje aftësitë tuaja për zhvillimet dhe ndryshimet që mund të vijnë shpejtë”, është shprehur ai.

Kreu i AAK-së,  Haradinaj, ka shfrytëzuar kuvendin zgjedhor të të rinjve të partisë së tij, për të kritikuar edhe njëherë qeverinë e Kosovës që ka mbajtë mbledhje edhe sot dhe insistimin e saj për themelimin e Gjykatës Speciale.

DEDA: KOSOVËS I DUHET ALTERNATIVË PËR SPECIALEN, OPOZITA TË MOS BARRIKADOHET

 Deputeti i subjektit më të madh opozitar kosovar, Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Deda ka thënë se pa inate e pa barrikadim, të gjitha partitë politike duhet të ulen dhe të propozojnë alternativën e Kosovës për Gjykatën Speciale.

“Tash, pa inate, të gjitha partitë politike në Kuvend duhet të ulen dhe ta propozojnë alternativën e Kosovës ndaj Gjykatës Speciale që nuk kaloi dje. As nuk duhet qeveria të inatoset dhe për inat ta procedojë amandamentin e dështuar kushtetues, dhe as nuk duhet të barrikadohet opozita”, ka thënë Deda.

Ajo që duhet të ndodh tash sipas Dedës është një marrëveshje për Gjykatën e Kosovës për Krime Lufte.
“Gjykatë të njëjtë çfarë kanë Kroacia, Bosnja e Serbia. Mund ta bëjmë këtë Gjykatë të Kosovës për Krime Lufte, me seli në Prishtinë; edhe nëse është me gjykatës e prokurorë ndërkombëtarë; të bëhen gjykimet në Kosovë për çfarëdo pretendimi; dhe të pajtohemi për dëshmi dhe mbrojtje të dëshmitarëve jashtë Kosovës që janë të rrezikuar këtu”, ka thënë Deda, i cituar nga media.

“Ekziston edhe rruga e cila e sforcon shtetin tonë dhe pjekurinë politike dhe shoqërore për ballafaqim me të gjitha krimet e kryera në Kosovë, dhe jo vetëm sipas pretendimeve të Martyt. Pa inate, pa barrikadim”, është shprehur deputeti Deda.

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, Bisedime, me opoziten, qeveria e Kosoves

Kosovë –Amendamentet kushtetuese, pastaj Gjykata Speciale

June 21, 2015 by dgreca

Nga: Behlul Jashari

Në Kuvendin e Kosovës, amendamentet kushtetuese do të votohen para se të votohet për Gjykatën Speciale, drejt së cilës u bë edhe një hap tjetër në mbledhjen e  të premtës së 19 qershorit të qeverisë me miratimin unanimisht të kërkesës së Ministrisë së Drejtësisë për t’i dërguar si informatë Kuvendit Projektligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar si dhe Projektligjin për Mbrojtjen Juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencialë në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara.Duke prezantuar kërkesën, ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi, theksoi se nuk bëhet fjalë për shqyrtim të miratimit të projektligjit, por është informim me përmbajtjen e tij për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Ai prezantoi në detaje tërë procesin e trajtimit të Projektligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, i cili, sic theksoi, “është hartuar krejtësisht nga BE-ja dhe ka filluar me themelimin e grupit teknik nga presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila ka kërkuar që të shqyrtohet legjislacioni i pranuar nga Bashkimi Evropian për themelimin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”.

 “Ky është draft që nuk ka më hapësirë për negocim nga ekipi i ekspertëve”, tha ministri Kuçi, duke theksuar se, “është menduar që me përmbajtjen të njoftohet qeveria dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës, dhe më pastaj me procedura të rregullta edhe kushtetuese, edhe me rregullore të Kuvendit por edhe atë të qeverisë, të merren vendimet adekuate”.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka vlerësuar  me përkushtim shumë të madh punën e bërë nga ministri dhe grupi i ekspertëve, të cilët kanë qenë njerëz të përgjegjësisë së lartë për fushat që i kanë mbuluar në bisedimet me Brukselin, duke theksuar përpjekjet e tyre që maksimalisht ligji t’i përshtatet kushteve të Kosovës dhe të përmbajë të gjitha elementet të cilat është konsideruar se duhet t’i përmbajë një ligj i tillë.

“Përgjigja përfundimtare, edhe e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka qenë se ky është teksti i fundit në të cilin nuk ka hapësirë që të bëhen ndryshime”, bëri të ditur kryeministri kosovar.

Mustafa vlerësoi se, një kontribut i madh i grupit ka qenë edhe heqja e fjalës dhe shprehjes gjenocid nga teksti i ligjit, të cilën e ka përmbajtë në versionin e mëparshëm dhe përshtatja e ligjit me ligjet ndërkombëtare që rregullojnë këto fusha.

“Ne kemi aprovuar në qeveri ndryshimet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Për këto ndryshime është dhënë mendim pozitiv edhe nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Edhe ndryshimet kushtetuese dhe Ligji për Dhomat e Veçanta janë rrjedhojë e letërkëmbimit të Presidentes së Republikës së Kosovës me Baroneshën Ashton, që është bërë vitin e kaluar, dhe e Ligjit mbi ratifikimin e këtij letërkëmbimi që ka aprovuar Kuvendi i Kosovës me votat e mbi dy të tretat e deputetëve ”, theksoi kryeministri Mustafa.

Kryeministri po ashtu bëri të ditur se nuk ka asgjë të re në përmbajtjen e këtyre ligjeve dhe amendamenteve që nuk ka qenë pjesë e zotimit përmes Kuvendit të Republikës së Kosovës se do të përmbushen detyrimet ndaj kërkesave të komunitetit ndërkombëtar për vënien e drejtësisë së plotë, duke konsideruar se edhe ky do të jetë një kontribut i Kosovës në këtë aspekt.

“Ritheksoj se as ndryshimet kushtetuese dhe as ky ligj nuk ka të bëjë fare me kontestimin e luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ne do të mundohemi dhe do të bëjmë përpjekje maksimale që të afirmojmë dhe t’i ruajmë vlerat e UÇK-së. Por, çështja është që të zbardhet drejtësia për dyshimet ndaj individëve të caktuar, për të cilët askush nga ne nuk e din se kush janë dhe kush do të jenë, sepse janë çështje që drejtësia duhet t’i zbardhë në një proces të plotë të drejtësisë. Andaj, unë propozoj që ne t’ia dërgojmë Kuvendit të Republikës së Kosovës në këtë fazë si informim, dhe në momentin kur bëhet aprovimi i ndryshimeve të Kushtetutës, me vendim të qeverisë, projektligjet marrin formën për shqyrtim dhe aprovim në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha kryeministri Mustafa.

 Edhe zëvendëskryeministri i parë e ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, shprehu vlerësimin më të lartë për punën që ka bërë grupi punues, në krye me ministrin e Drejtësisë, Kuçi.

“Vlerësoj se, në veçanti pas tërheqjes së çështjes apo termit gjenocid që ka qenë e përfshirë në propozimet e para, ne, si qeveri e pranojmë këtë informatë për ta dërguar edhe si ekip qeveritar.  Është me interes që të pranojmë për t’ia dërguar si informatë Kuvendit të Republikës së Kosovës Projektligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”, u shpreh ai.

Gjithashtu, vijoi Thaçi, duke marrë parasysh edhe kultivimin e raporteve tona me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me këtë proces ne evitojmë edhe pretendimin e kundërshtarëve të pavarësisë që kjo çështje të shkojë në Këshill të Sigurimit.

“Prandaj, mendoj se tërheqja e termit gjenocid, domosdoshmëria e themelimit të kësaj gjykate, obligimet që dalin nga letërkëmbimi i Presidentes Jahjaga me Baroneshën Ashton, të vitit të kaluar, gjithashtu përgjegjësitë tona që kemi karshi bashkësisë ndërkombëtare dhe obligimeve ndërkombëtare dhe duke u nisur edhe prej vizionit për të ardhmen evropiane dhe perëndimore të Republikës së Kosovës, mendoj se tani ky Projektligj, e lehtëson orientimin, përcaktimin dhe votimin edhe të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, për votim pro”, tha zëvendëskryeministri Thaçi.

Po ashtu, vijoi ai, shprehu besimin që edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës do të ndërtohet një konsensus sa më i gjerë politik, në kuptimin e dërgimit të mesazhit të konsensusit qytetar, në të njëjtën kohë.

“Prandaj, vlerësoj se do të ishte mirë dhe me interes që gjithë kabineti qeveritar në mënyrë unike, t’i japë këtë mbështetje punës së grupit punues dhe natyrisht jo vetëm si partnerë të koalicionit, por shpresoj që në një bazë edhe më të gjerë politike do të kemi një mbështetje edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Tërë ky proces ka kaluar nëpër një proces të një pune të përbashkët të të gjithëve, gjithmonë duke pasur parasysh ruajtjen dhe kultivimin e vlerave të luftës së popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi, të luftës së Ushtrisë së Çlirimtare të Kosovës, por në të njëjtën kohë edhe të ruajtjes dhe kultivimit të plotë të partneritetit strategjik të Republikës së Kosovës me SHBA-të dhe Bashkimin Evropian”, theksoi zëvendëskryeministri Thaçi.

Sipas shtypit të sotëm kosovar, qeveria dhe Kuvendi kanë gjetur një zgjidhje kompromisi për mënyrën se si të zhbllokohet procesi i vendimmarrjes për amendamentet kushtetuese, të cilat krijojnë bazë për themelimin e Gjykatës Speciale.

Kuvendi është informuar me Projektligjin për këtë gjykatë, por pa të drejtën për ta vënë në votim përnjëherë me amendamente.

Rreth një muaj më parë, me propozim të subjekteve në pushtet, është shtyrë seanca për amendamentet, me arsyetimin se deputetët nuk e posedonin para vetes edhe Projektligjin për Specialen.

Ishte arsyetim formal, ngaqë shtyrja qe bërë në mungesë votash. Megjithëkëtë, Kuvendi i qëndroi pas arsyetimit dhe ishte përcaktuar që, kurdo që t’i verë amendamentet në rend dite, ta qesë para deputetëve për votim edhe Projektligjin. Qeveria nuk e ka përfillur këtë kërkesë, pasi ka vlerësuar se pa u bërë ndryshimet kushtetuese ligjërisht nuk mund ta procedojë për votim Projektligjin.

Kësisoj, të premten Projektligji nuk është proceduar për t’u votuar, por vetëm që deputetët të informohen me përmbajtjen e tij, përfundon shtypi në Prishtinë.

Axhenda e seancës vijuese plenare të Kuvendit të Kosovës vendoset nga Kryesia, mbledhja e së cilës me shefat e grupeve parlamentare nuk është ftuar ende.

Drejt projektligjit për Gjykatën Speciale, “shqyrtimi i propozim-amendamentit nr.24 në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, të propozuar nga qeveria e Republikës së Kosovës”, ishte pika e vetme e rendit të ditës në seancën e 29 majit, por u shty (me 78 vota pro, 1 kundër dhe 2 abstenime) me propozimin e koalicionit qeverisës. “Në mungesë të materialeve nuk ofrohet mundësia për deputetët për të parë se çfarë do të votojnë dhe meqë draftligji pritet të kthehet nga Brukseli, ne propozojmë që të shtyhet mbledhja, derisa të kemi materialet e nevojshme për analizim për këtë çështje”, u tha me atë rast  nga pozita.

Ndërsa, opozita tha se kishte “vetëm dy alternativa të mundshme: Gjykata Speciale ose nuk duhet të vijë fare në Kuvendin e Republikës së Kosovës ose do të duhej të shtyhej deri në pafundësi”.

Duke nisur nga ora kur ishte ftuar seanca plenare,  e edhe në  17 qershor, organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, me mbështetje edhe nga opozita, zhvilluan protesa kundër miratimit të Gjykatës Speciale, para ndërtesës së Kuvendit dhe të qeverisë së Kosovës.

Për miratimin e propozim-amendamentit duheshin dy të tretat e votave të Kuvendit 120 anëtarësh, përfshirë ato të komuniteteve pakicë që përfaqësohen me 20 deputetë.

Në mbledhjen e caktimit të axhendës, Kryesia e Kuvendit kishte kërkuar nga qeveria e Kosovës që për seancën e 29 majit të procedojë në Kuvend edhe Projektligjin për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencialë në proceset gjyqësore pranë Gjykatës Speciale.

Në 7 mars qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Propozimin për amendamentimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Me atë rast u tha se me këtë amendamentim po përmbusheshin obligimet që ka marrë qeveria nga Kuvendi i Kosovës vitin e kaluar, për themelimin e Gjykatës Speciale.

Filed Under: Analiza Tagged With: amendamentet kushtetuse, Behlul Jashari, GJYKATA SPECIALE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 240
  • 241
  • 242

Artikujt e fundit

  • PRAPË BIEN KAMBANAT NË KISHËN E CURRJAVE T’ EPËRM
  • Çerçizi…
  • BIOGRAFIA E SHKRIMTARIT DHE LETËRSIA…
  • Rrugës për sovranitet
  • #SiSot, më 18 gusht 1887, u lind një nga përfaqësuesit më të rinj të lëvizjes për pavarësi të Shqipërisë, Ferit Vokopola
  • Kujtime për xhaxhain tim Peter Prifti, 12 vjet larguar
  • Fazli Graiçevci, dëshmori i shkollës shqipe
  • TË HIQEN PËRGJITHMONË ARMËT BËRTHAMORE
  • Borrell: Nuk ka marrëveshje Kosovë – Serbi, bisedimet vazhdojnë
  • Fjala e Kryeministrit Kurti në konferencën e përbashkët me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg
  • DEKLARATË e Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, lidhur me takimin e nesërm Kurti-Vuçiq
  • DREJTËSIA DHE PASTËRTIA E LUFTËS SË UÇK-së
  • TË PIKTUROSH ATË QË NDJEN…
  • JO NDARJE, ASOCIACION, EKSTRATERRITORIALITET-JO SHAMIJA, JO PËRÇARJE DHE PIKË
  • Presidentja Osmani ia dorëzoi “Urdhrin Hero i Kosovës”, familjes së heroit Sali Çekaj

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT