• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOSOVE-FESTA E KTHIMIT NË SHKOLLA

August 2, 2020 by dgreca

KOSOVA PARA 21 VITEVE, FESTA E KTHIMIT NË SHKOLLA E UNIVERSITET/

-Në vitin e madh 1999 të lirisë së Kosovës, në 2 Gusht para 21 viteve, ndodhi edhe festa e kthimit të gjysëm milion nxënësve, studentëve e mësuesve shqiptarë në shkolla dhe universitet, prej nga ishin dëbuar në fillimin e viteve të 90-ta të shekullit të kaluar/

-Gazeta e rezistencës “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha, në numrin e 3 Shtatorit 1991 në ballinë në kryetituj shkruante: “Pushteti serb pengoi fillimin e mësimit në shkollat shqipe në Kosovë”, “Serbia mbyll shkollat e shqiptarëve”/

-Edhe në Gjyqin Ndërkombëtar të Hagës, ku kishte përfunduar për krime luftë dhe krime kundër njerëzimit presidenti serb Slobodan Milosheviç – i njohur edhe si “kasapi i Ballkanit”, në Maj të vitit 2002 Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, ka folur për okupimin që iu bë Kosovës dhe dhunën e egër të forcave serbe, edhe për dëbimin e shqiptarëve nga puna, mbylljen e shkollave dhe universitetit shqip, mbylljen e Radio Televizionit të Prishtinës në gjuhën shqipe dhe ndalimin e gazetës Rilindja – të vetmes gazetë të përditshme në gjuhën shqipe në Kosovë…/

-Skica që kam shkruar para 29 viteve me titull “Na e morën shkollën…”, botuar në 3 Tetor 1991 në gazetën e rezistencës “Bujku”/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari*(Fotot i geni ne Facebook: Gazeta Dielli

PRISHTINË, 2 Gusht 2020/ Në Kosovën e pas luftës së përfunduar në Qershorin e vitit të lirisë 1999, pikërisht në 2 Gushtin e para 21 viteve, ndodhi edhe festa e kthimit të gjysëm milion nxënësve, studentëve e mësuesve shqiptarë në shkolla dhe universitet, prej nga ishin dëbuar në fillimin e viteve të 90-ta të shekullit të kaluar.

Në raportimin nga Kosova për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare në 2 Gusht 1999 theksoja se nxënësit dhe studentët shqiptarë kthehen përsëri në ndërtesat e tyre shkollore dhe se në ceremoninë në Universitetin e Prishtinës, në sheshin para Fakultetit Filologjik, u zhvillua një koncert festiv në prani të mijëra studentëve dhe qytetarëve, në një ditë kur rikthimi kishte ndodhur edhe në Telekom…

Gazeta e rezistencës “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha e që ishte pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi, që sfidonte ndalimin e dhunshëm nga pushteti okupues serb të gazetës së vetme të përditshme shqipe në Kosovë Rilindja, në numrin e 3 Shtatorit 1991 në ballinë në kryetitull shkruante se “Pushteti serb pengoi fillimin e mësimit në shkollat shqipe në Kosovë”, ku theksonte: “Për nxënësit dhe arsimtarët shqiptarë shumëkund dyert e shkollave ishin të mbyllura.-Në shkollat e mesme e fillore të Prishtinës e në shkolla të tjera të Kosovës, pos drejtorëve të dhunshëm e inspektorëve jolegjitimë, në mbikëqyrjen e situatës dhe në pengimin e mësimit u angazhuan edhe punëtorë të sigurimit shtetëror dhe milicia serbe”.

“Serbia mbyll shkollat e shqiptarëve”, ishte një nga titujt tjerë të ballinës së gazetës “Bujku”, me mbititull “Federata Ndërkombëtare mbi të Drejtat e Njeriut për Kosovën” e me nëntitull: “Në kuadrin e nënkomisionit të OKB-së kundër diskriminimit dhe për mbrojtjen e minoriteteve në Gjenevë, Federata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut u paraqit me një material të dokumentuar për format e ndryshme të diskriminimit që pushteti i Serbisë po i ushtron mbi shqiptarët”.

Në numrin vijues gazeta shkruante: “U ndalua gazeta ‘Bujku’ e 3 shtatorit (viti 1991). U ndalua sepse shkroi se policia serbe nuk lejoi nxënësit shqiptarë të hyjnë në shkolla…”. Kështu flas – lexoj nga gazeta në një dokumentar para 27 viteve, kur në Kosovë, nga 24 Maji deri në 3 Qershor 1993, zhvillohej një grevë e madhe e urisë e gazetarëve dhe shkrimtarëve shqiptarë, në kërkim të lirisë dhe në mbrojtje të fjalës shqipe, Ndërmarrjes Rilindja, në kohë të stuhishme, të rënda të pushtimit e të dhunës së egër nga regjimi okupues serb në Kosovë.

Dita e fillimit të grevës ishte pikërisht një vit pas zgjedhjeve të para pluraliste presidenciale e parlamentare të 24 Majit 1992 në kërkim të vendosjes së pushtetit të Kosovës në Kosovë, kur Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i parë i Republikës, në zhvillime historike, që pasonin Deklaratën e Pavarësisë të 2 Korrikut e Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990, si dhe Referendumin e 26 deri 30 Shtator 1991, në të cilin për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur u deklaruan 99,87 për qind e qytetarëve pjesëmarrës masivisht në votim.

Trokëllima e telexit të raportimeve, që nga dita e zgjedhjeve të para e historike pluraliste në Kosovë i bëja nga Prishtina në Tiranë, hapë filmin dokumentar të xhiruar gjatë grevës njëmbëdhjetëditëshe.

Derisa zhvillohet greva e urisë e gazetarëve e shkrimtarëve shqiptarë në Pallatin e Shtypit Rilindja në Prishtinë, flas në dokumentar: “Këtu është zyra e telexit të Rilindjes. Nga ky telex për çdo ditë dërgojmë raporte, informata për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, në Tiranë. Ja, në këto momente jemi duke u përpjekur ta marrim lidhjen…Presim… Lidhjet janë tepër të dobëta…”

Lexoj nga lajmi që sapo kisha dërguar në Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë: “Para mbrëmjes, përfaqësuesi i Misionit të KSBE-së në Kosovë erdhi në Rilindje dhe po bisedon me Këshillin Grevist. Deri tash nuk ka ende asgjë nga ajo që pritej për sot, arritja e marrëveshjes konkrete. Bisedat vazhdojnë, ndërsa vazhdon edhe dita e tetë e grevës së urisë e Adem Demaçit dhe grevistëve të tjerë për mbrojtje të lirisë dhe fjalës shqipe. Qëndrimet serbe që na i prezantoi misionari i KSBE-së janë të papranueshme për Këshillin Grevist dhe për kolektivin e Rilindjes…Tashmë janë vendosur edhe rojet e armatosura civile serbe në portën e Rilindjes…”

KSBE ishte mision evropian, që tash është OSBE. Emri zyrtar i OSBE-së para vitit 1995 ka qenë Konferenca për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (KSBE).

Në atë mbrëmje të 31 Majit 1993, të ditës së tetë të grevës së urisë, dr. Gani Demolli, themelues i shërbimit mjekësor “Nëna” në kohën e dëbimit të dhunshëm të shqiptarëve edhe nga spitalet, derisa po kujdesej për shëndetin e grevistëve duke qëndruar ditë e natë pranë tyre po bënte me kamerën e tij edhe një film dokumentar dëshmi kohe për rezistencën deri në flijim, për lëvizjen gjithëkombëtare për liri e pavarësi.

“Greva e urisë” është titulli i dokumentarit që u bë derisa ajo po zhvillohej në kundërshtim të regjimit të dhunës serbe, i cili pasi ndaloi gazetën tradicionale Rilindja, të vetmen të përditshme shqipe në Kosovë, po ia merrte për ta tjetërsuar e shndëruar në ndërmarrjen fantome “Panorama” të instaluar nga Beogradi edhe gjithë pronën, përfshirë pallatin 18 katësh në qendër të Prishtinës.

“Më 20 Maj 1993 regjimi serb me dekret të posaçëm ‘Rilindjen’ të vetmen Ndërmarrje Gazetare Botuese në gjuhën shqipe e shendërroi në ‘Panorama’”, shkruhet në fillim të filmit dokumentar.

Në dokumentarin e kohëve të kërkimit të lirisë, “Greva e urisë 1993” në Pallatin e Shtypit Rilindja në kryeqytetin e Kosovës, në ekran, shfaqen emrat e disa prej shumë grevistëve, që iu bashkuan Adem Demaçit: Ali Podrimja, Zenun Çelaj, Bardh Hamzaj, Nehat Islami, Shaip Beqiri, Idriz Ulaj, Milazim Krasniqi, Abdullah Konushevci, Bajram Kosumi, Vezir Uka, Shkëlzen Stublla, Halil Matoshi, Blerim Shala, Besim Rexhaj, Gani Gashi, Shpend Vinca, Haqif Mulliqi, Agim Zogaj, Muhamet Ahmeti…Shfaqen pamjet e njerëzve dhe kohëve të rezistencës, të lëvizjes e luftës për Kosovën e lirë e të pavarur.

Në dokumentar për kërkesat e Këshillit Grevist gjatë një konference për shtyp flet kryeredaktori i atëhershëm i revistës letrare “Fjala”, që e botonte Ndërmarrja Rilindja, Milazim Krasniqi. “Ato kërkesa janë në funksion të mbrojtjes së Institucionit të Rilindjes dhe të shtypit të lirë…”, thekson ai.

Ishte kohë okupimi, shqiptarët ishin dëbuar kolektivisht nga puna e nga institucionet, nga universiteti, edhe fëmijtë shqiptarë ishin dëbuar nga shkollat e çerdhet, foshnjoret…

Edhe në atë kohë, poeti Ali Podrimja në grevën e urisë në mbrojtje të fjalës shqipe, kishte një përjetim lirie si ëndërr në barrikadimin në Pallatin e Rilindjes. Në dokumentar shihet e degjohet tek këndon-reciton me buzët shkrumb etje e urie vargjet që sapo i krijonte:

“SHIKIMI NGA DRITARJA

Nëse shkojmë mos na vajtoni

Vetëm na këndoni

Se lirinë e përjtuam nga brenda”.

Në dokumentarin për grevën, në rrëfimin e nisur pranë telexit të raportimeve për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, në ambientet e grevës së urisë, them edhe këtë: “Grevistët e urisë në Pallatin e Shtypit, të vetmin kontakt me jashtë Pallatin e kanë shikimin në botë nga këto dritare. Ata janë ngujuar qe tetë ditë këtu, janë barrikaduar këtu, për fjalën e lirë shqipe…”

Në filimin dokumentar shihet: Data 31 Maj 1993, ora e mbrëmjes vonë, rraplloj dyerte mbyllura për shqiptarët nga serbët e armatosur, në shtëpinë tonë, të Rilindjes… Dua t’i hap…

E rezistenca, greva e urisë vazhdonte në Pallatin e Shtypit Rilindja, që nuk mbeti vetëm kështjellë e rezistencës dhe ëndërrave të mëdha: Pas luftës – në liri e pavarsi u bë ndërtesë qeveritare e shtetit të Kosovës…

Para Pallatit të Shtypit Rilindja në Prishtinë, i cili ishte edhe seli raportimesh për Agjencinë Telegrafike Shqiptare që nga fillimi nga zyrat e gazetës së rezistencës “Bujku”, në 23 Maj 2015 u ngrit dhe u përurua shtatorja e themeluesit të shtetit shqiptar, firmëtarit të parë të Deklaratës së Pavarësisë së shpallur në Vlorë para më shumë se 100 viteve, Ismail Qemalit.

Gazeta rezistencës – e vetme e përditshme shqipe në atë kohë në Kosovë, “Bujku”, dilte nga 18 Janari i vitit 1991, dhe si kryeredaktor i parë-themelues i saj nisëm e themeluam edhe bashkëpunimet e para të medias Kosovë-Shqipëri duke marrë e botuar që nga numri i parë informacionet nga Agjencia Telegrafike Shqiptare e pastaj edhe si korrespondent i saj.

Zyra e telexit në Pallatin Rilinda në ambientet e gazetës “Bujku”, prej nga raportoja ditë e natë, u bë edhe si një përfaqësi e parë e Shqipërisë në Kosovë, prej nga bëheshin edhe komunikime tjera Prishtinë-Tiranë…

Edhe në Gjyqin Ndërkombëtar të Hagës, ku kishte përfunduar për krime luftë dhe krime kundër njerëzimit presidenti serb Slobodan Milosheviç – i njohur edhe si “kasapi i Ballkanit”, në Maj të vitit 2002 Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, ka folur për okupimin që iu bë Kosovës dhe dhunën e egër të forcave serbe, edhe për dëbimin e shqiptarëve nga puna, mbylljen e shkollave dhe universitetit shqip, mbylljen e Radio Televizionit të Prishtinës në gjuhën shqipe dhe ndalimin e gazetës Rilindja – të vetmes gazetë të përditshme në gjuhën shqipe në Kosovë. Dr. Rugova ka theksuar se pas mbylljes së shkollave fillore, të mesme dhe Universitetit u organizua sistemi i mësimit në shtëpitë private që bota e ka quajtur “sistemi paralel” dhe se kjo ka vazhduar deri në vitin 1999…

“NA E MORËN SHKOLLËN…”

Para 29 viteve, në 2 Tetor 1991, kam shkruar këtë skicë me titull “Na e morën shkollën…”, botuar të nesërmen – në 3 Tetor 1991 në gazetën e rezistencës “Bujku”:

Dy tetor ’91, ora tetë e tridhjetë e pesë, gjashtë, shtatë…minuta. Përjashta shkollës fillore “Hasan Prishtina” në Prishtinë, në rrugë, shumë fëmijë – nxënës, edhe arsimtarë e prindër të fëmijëve shqiptarë. Te dyert e shkollës – policia.

Brenda në shkollë, nga dritaret e mëdha, shihen klasët e zbrazëta, edhe klasë ku mësim ka vetëm – serbisht.

Nxënësve dhe arsimtarëve shqiptarë nuk u lejohet të hyjnë në shkollë. Në sytë e fëmijëve lotët: “Na e morën edhe shkollën…”

Fëmijët serbë e malazez nga dritaret e shkollës i gërgasin fëmijët shqiptarë, ua ngrenë tre gishtërinj, i shajnë…(O zot, a edhe fëmijët i mbushën mizori, si mundet i madhi t’ia jepë të voglit atë mësim të keq?!)

Fëmijët shqiptarë as që shikojnë andej. I shikojnë punët e veta dhe protestojnë qetë, me urti. Nuk ua tremb qetësinë as aeroplani ushtarak plot zhurmë që fluturon mbi qytet, mbi kokat e tyre. Duket se asgjë më nuk u bën përshtypje, nuk i tremb, as ai “zog frikësimi” në hava.

Qëndrojnë, protestojnë, nuk pajtohen kurrësesi t’ua marrin shkollën.

Shkollën me emrin e bukur të tribunit Hasan Prishtina. Ai ua mëson nga përjetësia e librat edhe këtë trimëri të urtisë…

Filed Under: Opinion Tagged With: 21 Vite me pare, Behlul Jashari, Festa e kthimit ne Shkolla

DIALOGU ME SERBINË, PËR NJOHJEN E PAVARËSISË SË KOSOVËS

July 27, 2020 by dgreca

Presidenti Thaçi dhe Kryeministri Hoti, takime me Koordinatorin Shtetëror për Dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Skënder Hyseni: Në Bruksel do të dialogohet vetëm për njohjen ndërshtetërore/

 -Hyseni për takimin me Reeker në Bruksel: Mirëprita përkushtimin e palëkundur amerikan në përkrahje të dialogut dhe se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë me ne përgjatë gjithë këtij procesi, në përkrahje të fuqishme për një marrëveshje të drejtë, të qëndrueshme dhe gjithpërfshirëse/

PRISHTINË, 27 Korrik 2020-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot e ka pritur Koordinatorin Shtetëror për Dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Skënder Hysenin.

Presidenti Thaçi e ka uruar edhe një herë për emërimin e tij në këtë detyrë, duke shprehur besimin se me përvojën dhe angazhimin e tij z. Hyseni do e koordinojë këtë proces në mënyrën më të mirë të mundshme.

“E kam mirëpritur emërimin tuaj si koordinator për dialogun, sepse besoj fuqishëm në eksperiencën dhe qasjen tuaj gjithëpërfshirëse e përafruese mes gjithë spektrit politik në vend”, u shpreh presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit ritheksoi se në Bruksel duhet të dialogohet vetëm për marrëveshjen përfundimtare që sjellë njohjen reciproke ndërshtetërore.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi dhe koordinatori për dialog, Skënder Hyseni, kanë biseduar edhe për nevojën e mbështetjes së këtij procesi nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Presidenti Thaçi dhe koordinatori Hyseni kanë ritheksuar se krijimi i unitetit politik është përcaktues për suksesin në procesin e dialogut.

Edhe Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti është njoftuar sot nga Koordinatori shtetëror për dialogun, Skënderi Hyseni, për takimet e delegacionit të Kosovës me atë të Serbisë, në Bruksel.

Po ashtu, z. Hyseni e njoftoi kryeministrin Hoti edhe për takimet e tij të tjera të rëndësishme, ndër të cilat edhe me Asistent Sekretarin kryesor për Evropë dhe Euroazi në Departamentin Amerikan të Shtetit, Philip Reeker.

Koordinatori shtetëror për dialogun, Skënderi Hyseni, në 24 korrik 2020 nga Brukseli deklaronte:

Pata knaqësinë të takoja sot në Bruksel Asistent Sekretarin Kryesor për Evropë dhe Euroazi në Departamentin Amerikan të Shtetit, mikun tim të kahmotshëm, Philip Reeker. Gjatë këtij takimi shumë të përzemërt, me ambasadorin Reeker bëmë një bisedë të hapur rreth zhvillimeve në Kosovë dhe rajon, me theks të veçantë në dialogun e rinisur midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Krahas BE-së, theksova se roli i SHBA-ve në këtë proces është i pazëvendsueshëm. Mirëprita përkushtimin e palëkundur amerikan në përkrahje të dialogut dhe se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë me ne përgjatë gjithë këtij procesi, në përkrahje të fuqishme për një marrëveshje të drejtë, të qëndrueshme dhe gjithpërfshirëse.

HYSENI: NUK DO TË KETË MARRËVESHJE TË VEÇANTA PËRDERISA S’KA MARRËVESHJE GJITHËPËRFSHIRËSE

Hyseni me te derguarin e BE Mirosllav Lajçak.

Radio Evropa e Lirë në 23 korrik 2020 njoftonte:

Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, në nivel ekspertësh, janë takuar të enjten në Bruksel në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Koordinatori shtetëror për dialog, Skender Hyseni, pas takimit me palën serbe në Bruksel, deklaroi se “duket se ka një dozë konstruktiviteti dhe vetëdije që duhet të ecet tutje”.

Lajcak-Gjuric…

Ai, megjithatë, nuk dha detaje lidhur me temat konkrete nga takimi i së enjtes, por theksoi që ka “pajtim rreth elementëve të caktuar dhe se biseda ka qenë konstruktive”.

“Nuk ka marrëveshje për kapituj të veçantë përderisa nuk do të ketë marrëveshje gjithëpërfshirëse”, tha ai.

Sipas tij, çdo e arritur në këtë proces që mund të zbatohet dhe ka zbatueshmëri, do të ndodhë.

“Mirëpo, ky është një moment i ri. Po flasim për një përmbyllje, prandaj ky proces është skajshmërisht politik”, theksoi Hyseni.

“Nuk ka më asgjë teknike, është skajshmërisht politik. Dhe, një ditë kur elementet e marrëveshjes gjithëpërfshirëse të dakordohen në tërësi, do të shihen që janë elementë të një marrëveshjeje, së cilës i subordinohet çdo gjë tjetër. Prandaj, nuk mund ta zvarritin procesin, tash e tutje, duke trajtuar tema të ndara, të cilat mund të zbatohen dhe mund të mos zbatohen dhe që varen nga vullneti i mirë dhe i lirë i cilësdo palë. Tash po flasim për një marrëveshje ndërkombëtare ligjërisht të obligueshme, të cilën do të detyrohen të dyja palët që ta zbatojnë në terren, sepse do ta ketë vulën ndërkombëtare”.

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, më herët gjatë ditës, ka konfirmuar se ka zhvilluar takime të ndara me dy negociatorët, Skender Hysenin nga Kosova dhe Marko Gjuriqin nga Serbia.

Lajçak është shprehur i kënaqur që është takuar me Hysenin dhe Gjuriqin dhe ka thënë se “kanë vazhduar diskutimet politike në nivel ekspertësh”. Duket se Lajçak i ka zgjedhur mirë fjalët, pasi pala kosovare thotë se këto bisedime nuk janë teknike, por janë politike.

PRISHTINË, 21 KORRIK 2020: SKENDER HYSENI U EMËRUA KOORDINATOR SHTETËROR PËR DIALOG

Në 21 korrik 2020 Zyra për Komunikim Publik-Zyra e Kryeministrit të Kosovës njoftonte:

Duke u bazuar në platformën e Qeverisë së Republikës së Kosovës për dialogun me Serbinë, në mbështetje të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 1 korrik 2020, me qëllim të organizimit dhe të bashkërendimit institucional dhe ndërkombëtar të këtij procesi, kryeministri Avdullah Hoti sot ka emëruar z. Skender Hysenin Koordinator Shtetëror për Dialog.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Dialogu me Serbine

Kosova i ka plotësuar të gjitha standardet për liberalizimin e vizave

July 23, 2020 by dgreca

-Kryeministri i Kosovës, Avduallah Hoti, takim virtual me drejtuesit e  Qendrës së Politikave Evropiane (Europian Policy Centre), ku morën pjesë mbi 40 Eurodeputetë/

Prishtinë, 23 Korrik 2020-Gazeta DIELLI/

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avduallah Hoti ka realizuar sot një takim virtual me drejtuesit e  Qendrës së Politikave Evropiane (Europian Policy Centre), ku morën pjesë mbi 40 Eurodeputetë. Ndonëse në këtë bashkëbisedim janë trajtuar një varg temash, që prekin marrëdhëniet e Kosovës me Bashkimin Evropian, biseda është përqendruar sidomos te çështja e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Në fillim të këtij takimi, kryeministri Hoti i ka njoftuar bashkëbiseduesit për hapat që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës për menaxhimin e pandemisë Covid 19, si dhe për implementimin e pakos së rimëkëmbjes ekonomike të vendit, ndërsa, më pastaj, ai ka shjelluar përkushtimin e institucioneve të Kosovës për t’i përmbushur kërkesat e shtruara për liberalizimin e regjimit të vizave. 

Në këtë kontekst, kryeministri Hoti rikujtoi se Komisioni Evropian e filloi dialogun për liberalizmin e vizave me Kosovën më 19 janar 2012. Në qershor të vitit 2012, Komisioni ua dorëzoi institucioneve të Kosovës një listë kriteresh që duheshin plotësuar, të cilat identifikuan legjislacionin dhe masat institucionale që Kosova duhej të miratonte dhe të zbatonte për të përparuar drejt liberalizimit të vizave. Udhëzimi përbëhej nga 95 standarde, më shumë sesa për secilin vend tjetër të rajonit, në lidhje me migracionin, menaxhimin e kufijve, sigurinë dhe të drejtat themelore.

Gjatë viteve në vazhdim, vijoi kryeministri Hoti, Komisioni adaptoi katër raporte për dialogun për vizat në Kosovë, ndërsa në vitin 2016 ky Komision propozoi liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës pas përmbushjes së dy kritereve të fundit të mbetura, që ishin ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në korrik të vitit 2018, Komisioni konfirmoi se Kosova i ka përmbushur edhe këto dy kërkesa, duke i përmbushur të gjitha standardet e kërkuara në udhëzimet për liberalizim.

Parlamenti Evropian, më 13 shtator 2018, ra dakord për të filluar bisedimet për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës dhe këtë qëndrim e rikonfirmoi edhe më 28 mars 2019. Po ashtu, pati edhe një votim tjetër në shtator 2019, në Komitetin për Liberalizim, që votoi për fillimin e bisedimeve me Këshillin e Bashkimit Evropian. Kjo votë u konfirmua në seancën plenare të Parlamentit Evropian, më 9 tetor 2019 në Bruksel.

Por, me gjithë konfirmimin e Komisionit për përmbushjen e të gjitha kritereve lidhur me liberalizimin e vizave dhe votave pohuese të Parlamentit Evropian, procesi është ende në pritje të një vendimi nga Këshilli i Evropës. Një nga shqetësimet e shteteve anëtare është se liberalizimi i vizave për Kosovën do të shkaktojë një valë të re migracioni. Sidoqoftë, është e rëndësishme të theksohet se është arritur shumë përparim në administrimin e migracionit, ndërsa numri i kërkesave për azil nga Kosova është i papërfillshëm. 

Bazuar në të dhënat e Zyrës Evropiane për Mbështetjen e Azilit, azilkërkuesit nga Kosova nuk duhet të jenë më shqetësim për BE-në. Ndërkaq, sipas të dhënave të Eurostat-it, Kosova pati një prirje të rënies së migrimit gjatë viteve të fundit dhe në këtë pikëpamje qëndron më mirë se shumë vende të tjera të rajonit.

Filed Under: Komente Tagged With: Behlul Jashari, kosova, Kryeministri Hoti

Vizitë në Stubëll-Shkollën e parë shqipe në Kosovë

July 22, 2020 by dgreca

-Ministrja Dumoshi: Vitia, një prej vatrave të kulturës shqiptare/

PRISHTINË, 21 Korrik 2020-Gazeta DIELLI/ Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi gjatë vizitës së sotme në Komunën e Vitisë qëndroi edhe në fshatin Stubëll, në të cilin ndodhet edhe shkolla e parë shqipe në Kosovë e cila sipas shumë dokumenteve daton para pesë shekujve, por që nën udhëheqjen e Dom Mikel Tarabulluzit, në vitin 1905 themelohet si shkollë e parë shqipe.

 “Është një shtëpi muze, objekt i përhershëm i trashëgimisë kulturore. Është një monument i cili ka një histori pesë shekullore dhe ka kaluar faza të ndryshme, si ajo osmane, e pastaj tek rilindësit tanë”, u shpreh ministrja Dumoshi kur foli për shkollën e parë shqipe si pjesë të trashëgimisë tonë kulturore të cilën e kemi obligim që ta ruajmë e dokumentojmë.

Ndërsa kryetari Haliti falënderoi MKRS-në nëpërmjet ministres Dumoshi, si institucionin përgjegjës, për shndërrimin në shkollë-muze shkollën shqipe në Stubëll, duke e futur në kuadër listës së trashëgimisë si objekt e si histori. Kryetari tha se për nder të shkollës, çdo vit në Komunën e Vitisë organizohet ngjarja tradicionale “Ditët e Dom Mikelit” ku marrin pjesë intelektualë të shumtë nga të gjitha trojet shqiptare. Kësisoj, sipas Halitit, është dhënë kontributi në ruajtjen e identitetit dhe kulturës shqiptare, dhe Ministria e Kulturës ka dhënë një përkrahje të jashtëzakonshme në këtë drejtim. 

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, bashkë me zëvendësministrat Valdete Bajrami e Engelbert Zefaj dhe një pjesë të stafit të MKRS-së, kanë vizituar Komunën e Vitisë për të inspektuar investimet në këtë komunë të cilat ministria po financon.

Fillimisht, ministrja Dumoshi dhe stafi i MKRS-së u pritën në komunë nga kryetari i Vitisë, Sokol Haliti. Në takim u bisedua për projektet që financon ministria dhe bashkëpunimin me komunën. Po ashtu, u nënshkrua memorandumi për Rinovimin e Shtëpisë së Kulturës së Vitisë, në të cilin ministria do të investojë 50 mijë euro në një kohëzgjatje prej dy vitesh.

Ministrja Dumoshi me këtë rast u shpreh se Vitia ka nevojë shumë për shtëpi moderne dhe funksionale të kulturës. “Po sa e nënshkruam memorandumin për renovimin e shtëpisë së kulturës, e cila i duhet shumë Komunës së Vitisë”, tha ministrja, me ç’rast vizitoi objektin e shtëpisë së kulturës duke theksuar se është e rëndësishme që objektet e të cilat janë ndërtuar shumë vjet më parë të funksionalizohen dhe të vihen në shërbim të kulturës, artit, teatrit, galerisë e bibliotekës si hapësira që do të shfrytëzohen nga njerëzit e artit e të kulturës.

 “I bëj thirrje të gjithë organizatave të pavarura të Vitisë që të aplikojnë në grantet apo subvencionet që i shpall MKRS-ja”, tha ministrja kur foli për përkrahjen e drejtpërdrejtë që jep ministria.

Ministrja tregoi gjithashtu se me kryetarin Haliti kanë folur për projektet që janë shumë të nevojshme për Komunën e Vitisë, investimet që do të shkojnë për rininë, kulturën dhe truizmin kulturor.

 “Folëm për projekte që janë shumë të nevojshme të cilat do të parashihen në buxhetin e vitit 2021. Si ministre e kam për detyrë bashkëpunimin me të gjithë kryetarët e komunave të Kosovës”, tha ministrja mes tjerash.

Ndërsa, kryetari Haliti e falënderoi ministren dhe stafin e MKRS-së për punën dhe përkrahjen që po japin në financimin e shumë projekteve që janë të dobishme dhe në interes të qytetarëve të Komunës së Vitisë.

 “E falënderoj ministren dhe bashkëpunëtorët e saj për vazhdimin e kompletimit të shtëpisë së kulturës. Shtëpia e kulturës ka qenë gërmadhë në Viti por me investimet që po bëhen ajo do të revitalizohet”, tha Haliti.

Filed Under: Kulture Tagged With: Behlul Jashari, shkolla e pare, Viti

KUR SERBIA HUMBI GJYQIN ME KOSOVËN NË GJYKATËN NDËRKOMBËTARE TË DREJTËSISË

July 22, 2020 by dgreca

17 Shkurt 2008, Kosova u shpall Shtet i Pavarur.

-Para 10 viteve, në 22 Korrik 2010, Kosova doli fituese në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë pas një ankese që Serbia kishte dërguar kundër shpalljes së Pavarësisë në 17 Shkurtin historik 2008/

Gjykata Nderkombetare.

Kalandar-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari*

Korrespondenti i gazetes Dielli ne Kosove gazetari Behlul Jashari me ish Ministrin e Jashtem te Kosoves ne ate Kohe, z. Skender Hyseni.

PRISHTINË, 22 Korrik 2020/ Para 10 vitesh, në 22 Korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konkluduar se miratimi i Deklaratës  së Pavrësisë së Kosovës  në 17 Shkurt 2008  “nuk e ka shkelur të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, as rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit e as Kornizën Kushtetuese”.

“Prandaj, miratimi i kësaj deklarate nuk e ka shkelur asnjë rregull të aplikushme të së drejtës ndërkombëtare”, theksohej më tej.

Para 10 viteve, atëherë ministri i Jashtëm i Kosovës, Skender Hyseni, e cilësonte vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë si “të qartë” dhe që “nuk lë vend për dyshime”, se pavarësia e Kosovës është bërë në përputhje me të drejtën ndrëkombëtare.

DEKLARA E PAVARESISE SE KOSOVES.

“Gjykata konstatoi, me shumicë dërmuese, se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Mendimi i Gjykatës është eksplicit dhe i qartë, dhe nuk lë vend për dyshim”, thuhej në deklaratën e ministrit Hyseni, pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në lidhje me pavarësinë e Kosovës.

“Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka vendosur në favor të Kosovës në të gjitha pikat”, vazhdonte më tej deklarata.

“Tani presim njohje të mëtejme të Kosovës. U bëjmë thirrje shteteve që e kanë shtyrë njohjen e Republikës së Kosovës në pritje të Mendimit të Gjykatës, që tani të vendosin për njohjen (e Kosovës)”, thuhej në deklaratën e ministrit të Jashtëm të Kosovës.

Menjëherë pas këtij zhvillimi me rëndësi historike, në një deklaratë të anëtarëve të Grupit Drejtues Ndërkombëtar për mendimin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rikonfirmohej mbështetja e palëkundur për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës dhe bëhej thirrje për njohje.

“Grupi Drejtues Ndërkombëtar rikonfirmon mbështetjen e palëkundur të tij për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës demokratike dhe shumetnike në kufijtë e saj të tanishëm dhe i bën thirrje shteteve tjera që të njohin Kosovën. Ai po ashtu përshëndet përkushtimin e vazhdueshëm të Kosovës dhe progresin e konsiderueshëm në zbatimin e Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin dhe do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në punën për realizimin e perspektivës së saj evropiane”, theksohej në deklaratë.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur Pavarësinë, ishte formuar në 28 Shkurt të vitit 2008 dhe synonte të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të Kosovës, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin, bazuar në Propozimin Gjithëpërfshirës të emisarit të posaçëm të OKB-së, kryenegociatorit për statusin, Martti Ahtisaari.

Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë u dha pas një ankese që Serbia i kishte dërguar kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

ME BEOGRADIN NUK DO TË KETË BISEDIME PËR STATUSIN E KOSOVËS, NDARJE APO SHKËMBIM TERRITORESH

SONY DSC

-Ministri i Jashtëm Kosovar Skender Hyseni në intervistën ekskluzive që kam zhvilluar në ditën e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND)  para 10 viteve: Marrëdhëniet e mira me Serbinë, interes i përbashkët për integrim në BE e NATO/

Hyseni me Kryeminsitrin e sotshem Avdullah Hoti.

Opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) tregoi qartë se pavarësia e Kosovës nuk ka krijuar asnjë precedent dhe se është në interes të Ballkanit Perëndimor, deklaronte ministri i Jashtëm Kosovar Skender Hyseni në një intervistë ekskluzive që kam zhvilluar para 10 vitesh për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë. “Opinioni këshilldhëns i GJND-së, tregoi qartë se pavarësia e Kosovës, nuk ka krijuar asnjë precedent dhe se është në interes të Ballkanit Perëndimor”, tha ministri Hyseni, në intervistë telefonike nga Haga.

Ministri Hyseni në 22 Korrik 2010 ishte i pranishëm kur GJND dha mendimin këshillimor në lidhje me pavarësinë e Kosovës.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë u shpreh në favor të pavarësisë së Kosovës. Presidenti i GJND-së Hiasashio Ovada deklaroi se pavarësia nuk shkel të drejtën ndërkombëtare.

Shefi i diplomacisë kosovare tha se, “ne e dimë që Kosova dhe Serbia e kanë të ardhmen e tyre në BE dhe NATO, e për këtë arsye marrëdhëniet e mira fqinjësore janë të domosdoshme”. Ai nënvizoi se “këtë fakt, e kemi përcaktuar qartë prej kohësh, tani është në dorën e Serbisë që të tregohet në nivelin e përgjegjësive të duhura”.

 Hyseni vuri në dukje se “nga vendimi i GJND-së, nuk ka asgjë që do të mund linte mundësi sado të vogla që të hidheshin dilema rreth shtetësisë së Republikës së Kosovës”.

Ministri pohoi se normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi varet ekskluzivisht nga Serbia. “Kemi shprehur vullnetin për raporte të mira fqinjësore me Serbinë, sikurse i kemi ndërtuar me të gjithë fqinjët e tjerë por ky rast është interes i përbashkët”, tha ai.

 Hyseni rithekson faktin se me Beogradin nuk do të ketë bisedime për statusin e Kosovës, ndarje apo shkëmbim territoresh, ide rreth të cilave është spekuluar muajt e fundit. “Kosova dhe Serbia janë fqinjë të përhershëm dhe si të tillë, sot apo nesër, pas një kohe apo pas shumë kohësh, do duhet të bisedojnë për çështje të natyrës praktike që i lidhin këto vende të pavarura dhe sovrane”, tha Hyseni.

Ministri i Jashtëm kosovar, Skender Hyseni, u shpreh i sigurt se do të ketë njohje të reja për Kosovën pasi ka një numër vendesh që janë zotuar për këtë ndërsa u bëri thirrje shteteve që nuk e kanë njohur ende, e veçanërisht atyre vendeve që kanë pritur opinionin këshilldhënës të GJND-së, që ta bëjnë këtë sa më parë.

Kosova shpalli pavarësinë në 17 Shkurt 2008 dhe deri tani është njohur nga 69 shtete, theksohej në fund të intervistës së 22 Korrikut 2010.

Ndërsa, deri tani – 10 vjet pas Opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë Kosova është njohur nga 116 shtete anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

SKENDER HYSENI U EMËRUA KOORDINATOR SHTETËROR PËR DIALOG

Zyra e Kryeministrit të Kosovës në një komunikatë dje, në 21 Korrik 2020, bëri të ditur: Duke u bazuar në platformën e Qeverisë së Republikës së Kosovës për dialogun me Serbinë, në mbështetje të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 1 korrik 2020, me qëllim të organizimit dhe të bashkërendimit institucional dhe ndërkombëtar të këtij procesi, kryeministri Avdullah Hoti sot ka emëruar z. Skender Hysenin Koordinator Shtetëror për Dialog.

 GJITHMONË ISHIM DHE VAZHDOJMË TË JEMI NË TË DREJTËN TONË!

Shkruan: Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi 

Sot u bënë 10 vjet kur u vulos përfundimisht subjektiviteti ndërkombëtar i shtetit të ri të Kosovës. Ne asnjëherë nuk kishim dyshime për të drejtën tonë historike, që të jetojmë të lirë në vendin tonë të pavarur dhe sovran. Serbia pas humbjes së luftës në Kosovë, duke mos u pajtuar me këtë fakt, kishte vendosur ta dërgonte rastin e shpalljes së pavarësisë së shtetit tonë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Ne, populli ynë, gjithmonë i kemi besuar drejtësisë ndërkombëtare, përkundër faktit që ende nuk kemi drejtësi për gjenocidin e shtetit të Serbisë të kryer mbi popullatën civile shqiptare në Kosovë. I kemi besuar dhe vazhdojmë t’i besojmë drejtësisë ndërkombëtare, sepse gjithmonë ishim dhe vazhdojmë të jemi në të drejtën tonë! 

GAZETA RILINDJA PËR 17 SHKURTIN HISTORIK 2008

 Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja për 17 Shkurtin historik 2008 doli numër i jashtëzakonshëm festiv me kryetitullin me shkonja ngjyrë ari: KOSOVA SHPALLI PAVARËSINË BOTA E NJEH SHTETIN MË TË RI.

Po në ballinë, nën imazhet e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, të Flamurit e Stemës së shtetit të ri evropian dhe fishekzjarreve të festimeve në Prishtinë, Rilindja shkruante poashtu me shkronja ngjyrë ari: 17 SHKURTI 2008 DITA MË E MADHE SHQIPTARE PAS 28 NËNTORIT 1912 TË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË.

Lart te logoja po në faqen e parë shkruante: RILINDJA JU URON SHPALLJEN DHE NJOHJEN E KOSOVËS SHTET I PAVARUR.

  • Per me shume fotografi shko ne Facebook Gazeta Dielli

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Kosove-Serbi, Ne Gjykaten Nderkombetare, Para 10 vitesh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • …
  • 245
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NGA NJË KOLONI DE FACTO NË NJË KOLONI DE JURE
  • ADEM DEMAÇI, JO THJESHT FIGURË E REZISTENCËS, POR KATEGORI KONCEPTUALE E SHTETFORMIMIT
  • Roli i gazetës “Arnavud/Shqipëtari” në formimin e vetëdijes kombëtare te shqiptarët përballë politikave turqizuese të xhonturqve
  • Si investonte Serbia në thellimin e përçarjeve ndërmjet udhëheqësve shqiptarë dhe në shkëputjen e tyre nga ndikimi austro-hungarez
  • Marrëdhëniet e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut me Republikën e Venedikut sipas dokumenteve të Arkivit Apostolik të Vatikanit, Arkivit të Shtetit të Venedikut dhe burimeve historike botërore
  • “U SHKEPUT NJE METEOR POR ZJARRI MBETET ZJARR…!”
  • Përurim i “American Dream” në Vatër
  • Një vit që ka filluar mbarë për Vatrën në Chicago
  • Kategorizimi i qyteteve shqiptare sipas Sami Frashërit në vitin 1890
  • Abas Kupi, historia, e vërteta dhe dashuria për atdheun…
  • Kur karakteri tejkalon pushtetin
  • ABAZ KUPI DHE LUFTA ANTIFASHISTE NË SHQIPËRI
  • Fortesa Latifi: “It can be difficult to grow up when you’re constantly faced with a younger version of yourself”
  • ABAZ KUPI, I HARRUAR DHE I KEQTRAJTUAR NGA HISTORIA ZYRTARE
  • VATRA DHE FAMILJA KUPI ORGANIZUAN SIMPOZIUM SHKENCOR ME RASTIN E 50 VJETORIT TË KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT TË SHQUAR ABAS KUPI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT