• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Judah: Dialogu dobësohet nëse Thaçi dorëhiqet

July 1, 2020 by dgreca

THAÇI: ROLI I SHBA, BESIM DHE GARANCË PËR KOSOVËN/

-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në konferencën për shtyp në 20 Korrik 2018, ku i është përgjigjur edhe interesimeve të korrespondentit të akredituar në Kosovë të Gazetës DIELLI, organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA: Roli i SHBA-ve është besim për ne, është garancë për ne dhe është partneri ynë special apo miku ynë special

-Nga arkivi  i Gazetës DIELLI: Grupi i Unitetit dhe Deklarata e Pavarësisë së Kosovës/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 30 Qershor 2020/ Nëse akuza ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, vërtetohet dhe ai jep dorëheqje, ashtu si ka paralajmëruar, dialogu i Kosovës dhe Serbisë do të dobësohet. Kështu të paktën ka vlerësuar gazetari britanik dhe eksperti për Ballkan, Tim Judah, që ka dhënë një intervistë për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe, të cilwn e transmeton sot media në Kosovë.

Sipas Judah, nëse Thaçi jep dorëheqje, palët nuk do të kenë negociues me forcë të njëjtë. Judah ka vlerësuar se është pak e besueshme që takimi i anuluar i Uashingtonit në fund të mbahet për shkak të situatës së paqartë lidhur me Thaçin dhe pasi zgjedhjet presidenciale në SHBA po afrohen.

Presidenti Thaçi ndodhej në Vjenë kur në 24 Qershor 2020 Presidenca  kumtoi se Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas njoftimit të bërë publik nga Zyra e Prokurorit të Specializuar lidhur me inicimin e ngritjes së aktakuzës, ka ndërprerë udhëtimin zyrtar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ishte ftuar të merrte pjesë në një takim në Shtëpinë e Bardhë në 27 Qershor në kudër të procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Mundësinë e dorëheqjes Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, e ka paralajmëruar në mbrëmjen e djeshme kur nga Zyra e tij mbajti një fjalim – adresim për qytetarë, pasi javën e kaluar Zyra e Prokurorit të Specializuar publikoi njoftimin se u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës  një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku  përfshihen edhe presidenti Hashim Thaçi dhe lideri i PDK-së,  Kadri Veseli.

“Ditëve në vijim do të konsultohem me liderët politikë për hapat e mëtejmë.

Ju siguroj edhe një herë, me drejtësinë nuk do të përballem nga kjo zyrë.

Nëse aktakuza konfirmohet, unë menjëherë do të jap dorëheqje si President i juaji dhe do të përballem me akuzat”, deklaroi mes tjerash Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

“Roli i SHBA, besim dhe garancë për Kosovën”, ishte titulli i raportimit të gazetës DIELLI –  organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA. për të cilën në një konferencë shtypi para dy vitesh, në 20 Korrik 2018, ka folur Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i pyetur për dialogun nga korrespondenti në Prishtinë.

“Natyrisht, kemi pasë edhe konsulta me autoritetet amerikane paraprakisht në Bruksel”, bëri të ditur presidenti Thaçi, në konferencën për shtyp.

Presidenti i Kosovës tha se, në dialogun me Serbinë roli i Bashkimit Evropian është udhëheqës, por pa garancë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe të NATO-s natyrisht si një ekipë e përbashkët ndërkombëtare, nuk ka as marrëveshje, as funksionim, as implementim.

“Roli i SHBA-ve është besim për ne, është garancë për ne dhe është partneri ynë special apo miku ynë special”, u shpreh presidenti Thaçi. Ai theskoi se, të gjithë janë të vetëdijshëm se, normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi, ndërtimi i fqinjësisë së mirë, njohja reciproke, paraqet paqe, stabilitet dhe të ardhme të sigurtë evropiane për të dy vendet dhe gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

 PYETJA E KORRESPONDENTIT NË KOSOVË TË GAZETËS DIELLI:

Z. President pyetja vjen nga Gazeta DIELLI në SHBA, më e vjetra ne gjuhën shqipe në botë, e themeluar nga Fan Noli e Faik Konica. Po, edhe si një kronist i zhvillimeve në Kosovë shumë vite, do kujtoja fillimisht sot vitin 2005,  takimin e parë të Grupit të Unitetit më 6 tetor, ku ishte qëndrimi se i vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia…Përsëri po flitet për një kompromis, sa shoh në deklaratat nga Beogradi pretendohet zhbërja e pavarësisë së Kosovës në një proces bisedimesh. Ju vazhdimisht mbroni pavarësinë që është vullnet i shumicës së popullit të Kosovës. Keni deklaruar se ka pak hapësirë për kompromis brenda shtetit të pavarur të Kosovës, duke nënkuptu për të drejtat e serbëve të Kosovës. Si i komentoni këto qëndrime?

PËRGJIGJA E PRESIDENTIT TË KOSOVËS, HASHIM THAÇI:

Të drejtat e serbëve të Kosovës janë të garantura plotësisht me Dokumentin e Presidentit Ahtisaari, janë më të afirmuara se të çdo komuniteti tjetër në Evropë, ata janë qytetarë të Kosovës, ju kemi qëndruar dhe do të vazhdojmë të jemi afër tyre.

Kosova shumëetnike është vizioni i së ardhmes evropiane. 

Pse jemi në dialog apo në negociata. Jemi për hirë të së ardhmes evropiane, sepse është mesazh i qartë i gjithë lidershipit evropian, por edhe qëndrim i Bashkimit Evropian se pa normalizim të raporteve të vendeve përkatëse në Ballkanin Perëndimor, pa fqinjësi të mirë dhe pa i tejkaluar problematikat që i kanë, nuk mund të lëvizin asnjëra drejt Bashkimit Evropian. Dhe për Kosovën, në këtë rast, as drejt perspektivës në NATO. Prandaj, ne nuk e kemi atë luks që të rrimë, të shikojmë dhe të vazhdojmë me këtë gjendje të status quo-së.

Jemi dëshmitarë që për shkak të demarkacionit tre vite kemi pritur një lajm të mirë (për liberalizimin e vizave), lajmi i djeshëm ka mund të publikohet tre vite më herët, apo minimum dy vite e gjysmë.

Andaj, sa më tepër hezitojmë ne, sa më tepër i frikësohemi hapave të rëndësishëm çmimi bëhet edhe më i madh për Kosovën.

Tekefundit, mua më intereson dhe i gëzohem integrimit evropian të çdo vendi të Ballkanit Perëndimor, po unë përfaqësoj shtetin e Kosovës, mua më interson dhe punojmë që të lëvizim më shpejtë drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

Mirëpo, edhe në Samitin e Sofjes pozicioni i Bashkimit Evropian ishte shumë i qartë: E para, modernizimi i Bashkimit Evropian, e dyta reformimi dhe pastaj  zgjerimi. Dhe, është edhe mesazhi tjetër që ka qenë shumë i qartë, ato vende që aspirojnë të ardhmen evropiane duhet t’i zgjidhin problemet e tyre mes veti.

Tash në këtë klimë të favorshme që është krijuar në rajon, në veçanti pas marrveshjes së Maqedonisë dhe Greqisë, mendoj, dhe ju e patë, që menjëherë  pas asaj marrëveshje erdhi ftesa për Maqedonië për NATO.

Ne nuk duhet të biem viktimë e politikave ditore, e politikave elektorale, e populizmit, apo edhe e ndonjë zëri nacionalist.

Nëse është aspiratë dhe është e lidershipit të Kosovës e ardhja evropiane duhet të marrim guximin,  duhet të jemi bashkë dhe duhet të fitojmë këtë betejë për të ardhmen evropiane siç e kemi fituar lirinë dhe pavarësinë.

Nëse është vullneti i qytetarëve të Kosovës dhe është mbi 95 për qind për të ardhmen evropiane dhe NATO-n, atëherë ne nuk guxojmë si lidership ta vonojmë të ardhmen euroatlantike të vendit tonë. Nuk e kemi atë luks, duhet të marrim thjeshtë përgjegjësitë që na takojnë, për të lëvizë më shpejtë.

E di se ndokush mund të thotë se më mirë pa marrëveshje sesa me marrëveshje jo të lehtë me Serbinë. Unë mendoj se duhet të arrijmë marrëveshje në një proces të rëndë të negociimit me Serbinë. Më së lehti është me qëndru në një vend dhe me akuzu të tjerët, por sot, përgjegjësi shtetërore dhe lidershipi është me qenë aty ku zhvillohet debati, ku zhvillohet dialogu, ku zhvillohen negociatat dhe ku merren vendimet, dhe në asnjë rrethanë spaktatorë. Lehtë është të jeshë në tribuna, po shumë vështitë është të jeshë në fushë dhe në veçanti të shënosh.

Prandaj, është momenti që njerëzit me të vërtetë të zbresin nga tribunat dhe të futen në fushen e debatit, të dialogut, të negocimit dhe të marrjes së përgjegjësive.

Anëtarësimi në NATO është në interesin e të gjithëve, është në interesin e qytetarëve të Kosovës, pse ta vonojmë ne.

Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është në interesin e të gjithëve, pse ta vonojmë ne.

E ritheksoi edhe një fakt, ne kemi humbur shansin në 2014-tën për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, kur e kemi pasur pajtueshmërinë e plotë të NATO-s dhe të gjithë partnerëve, për shkak të politikave populiste apo elektorale të një spektri të caktuar politik.

Dhe shikone tash, e kemi humbë atë momentumin e mbështetjes së plotë dhe unike ndërkombëtare të miqëve tanë dhe tash as atë mbëshetje s’mund e rikthejmë, sepse bota po ndryshon. Dhe ne menojmë që gjithë bota vrapon pas nesh dhe na shikon neve dhe mendon se çka mendojmë ne.

Ne duhet të ecim me kohë dhe ndonjëherë të pretendojmë të jemi edhe më të shpejtë.

Dhe të jemi të sigurtë se nëse jemi të përgjegjshëm, nëse ne jemi unikë, nëse ne jemi ata të cilët i kryejmë obligimet që i kemi marrë para qytetarëve në përputhshmëri me vizionin tonë euroatlantik ia lehtësojmë edhe mbështetjen miqëve tonë.

Për aq sa ne ngatërrohemi këtu, atëherë edhe mbështetja ndërkombëtare do  jetë shumë më e zbehtë.

Po, një gjë është e qartë, pa normalizim të raporteve me të gjithë fqinjët, kësaj radhe me Serbinë, sikurse edhe Serbia pa normalizim me Kosovën, nuk ka të ardhme evropiane. Nuk ka marrëveshje, do jemi humbës të gjithë. Ka marrëveshje, mund të ketë kritika, po do jemi fitues të gjithë.

Tek e fundit, kritika ka pasë edhe për Rambuje, edhe për Vjenë, edhe për procesin e Brukselit. Dhe çdo marrëveshje ndërkombëtare ka opinionin kritik. Nuk ndodhë kjo vetëm në Kosovë apo në Serbi. Ka kritika edhe në Serbi në raport me presidentin Vuçiç, ka kritika edhe këtu, ka kritika edhe për marrëveshje ndërkombëtare që shtete përkatëse i bëjnë me njëra-tjetrën, ju jeni dëshmitarë vetë, por kur zgjedhesh bartës i institucioneve dhe zgjedhesh lider i një partie politike ke përgjegjësi me dalë përtej opinionit populist elektoral, me marrë vendim në interes të shtetit që përfaqëson.

 Dhe, mendoj se kjo veç po ndodhë në Kosovë, hapi i parë është bërë me prezencën e gjithë bartësve të institucioneve  të Republikës së Kosovës në Bruksel.

Unë i besoj frymës afruese, bashkuese dhe të bashkëpërgjegjësive, por në të njëjtën kohë, me ndodhjen, me arritjen e marrëveshjes dhe njohjen formale nga Serbia për Kosovën, anëtarësimin e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare, atëherë duhet të marrin kredi të gjithë, sepse të gjithë janë meritorë. Ne jemi bartësit e institucioneve, do jemi në të ardhmen e afërt edhe nëpër kryeqendrat e ndryshme  evropiane dhe botërore, kështu që do jetë një proces dinamik dhe do jetë një proces gjithpërfshirës.

NGA ARKIVI  I GAZETËS DIELLI: GRUPI I UNITETIT DHE DEKLARATA E PAVARËSISË SË KOSOVËS

 “I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, theksonte shumë prerë  Presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova në  6 tetor 2005, në takimin e parë  me Grupin Negociator, formimi i të cilit me përfaqësim nga maxhoranca e opozita dhe shoqëria civile ishte një moment me shumë rëndësi për unitetin në vend si dhe për bisedimet për statusin e Kosovës të udhëhequra nga i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, e pastaj edhe nga Treshja SHBA-BE-Rusi në angazhimet shtesë.

“Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, dhe Propozimin e tij Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës”, theksonte Deklarata e Pavarësisë, e cila hartës së botës ia shtoi një shtet, e lexuar nga atëherë kryeministri Hashim Thaçi të dielën e 17 Shkurtit historik 2008, në Kuvendin e Kosovës në mbledhjen e jashtëzakonshme solemne, të nisur në orën 15:00.

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, Hashim Thaci, Tim Judah

NË KOSOVË PARA 31 VITEVE, DAULLE LUFTE TË SERBISË

June 28, 2020 by dgreca

Gazimestani – Kosovë (foto nga media serbe)…

-Manifestime serbe në ditën e Vidovdanit – në 631 vjetorin e Betejës së Kosovës, që ka ndodhur në vitin  1389, e cila ishte humbur/

-Para 31 viteve, pikërisht në 28 qershor 1989 në ditën e Vidovdanit në fushën e Kosovës – Gazimestan kreu i atëhershëm shtetëror serb, Slobodan Milosheviç, u binte daulleve të luftës…/

 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

Gazetari Behlul Jashari në kohë lufte në Kosovë i ndaluar nga forcat serbe  në Prishtinë – kontrollohet (pamje nga një xhirim televiziv i asaj kohe.

PRISHTINË, 28 Qershor 2020/ Serbë kosovarë dhe të ardhur edhe nga Serbia festojnë Vidovdanin,  të mbledhur sot në Gazimestan, në një fushë rreth pesë kilometra në veri të Prishtinës, duke shënuar kështu 631 vjetorin e Betejës së Kosovës.

Edhe me manifestime tjera, në çdo 28 qershor serbët festojnë Vidovdanin apo Betejën e Kosovës, që ka ndodhur në vitin  1389, e cila ishte humbur.

Para 31 viteve, në 600 vjetorin e Betejës së Kosovës, kreu i atëhershëm shtetëror serb, Slobodan Milosheviç, pikërisht në 28 qershor 1989 në ditën e Vidovdanit në fushën e Kosovës – Gazimestan, u binte daulleve të luftës, e cila pastaj u ndez e përfshiu hapësirat e ish-Jugosllavisë, edhe Kosovën, luftës për Serbinë e madhe, nga më të përgjakshmet në gjithë historinë e Ballkanit, dhe që në fund e humbi e pastaj vet përfundoi në Tribunalin Ndërkombëtar për Krime Lufte në Hagë.

 “Ne ishim të guximshëm e dinjitozë. Tani, gjashtë shekuj më vonë, ne sërish jemi në betejë. Nuk janë këto beteja të armatosura, por ato nuk mund të përjashtohen”, thoshte Milosheviç në fushën e Kosovës në Gazimestan.

E “betejat” e Milosheviçit kundër Kosovës – shqiptarëve ishin të nisura. Po para 31 viteve, në rrethana tragjike terrori, Serbia në Kuvendin e saj në 28 mars të vitit 1989 miratoi “kushtetutën e tankeve”, që përgjakshëm, me forcë e në mënyrë kundërkushtetuese rrënoi autonominë që kishte Kosova me Kushtetutën e vitit 1974 si element konstituiv me të drejtë vetoje në federatën e atëhershme, nga shpërbërja e së cilës pastaj dolën 7 shtete të pavarura.

Në demonstratat  gjithëpopullore në mbrojtje të Kosovës nga sulmet e Serbisë, vetëm brenda dy ditëve, në 27 e 28 mars 1989, në shtetrrethimin e hekurt ushtarako-policor të vendosur nga Beogradi u vranë 22 shqiptarë e plagosën qindra të tjerë në Prishtinë, Podujevë, Mitrovicë, Zhur e Dushanovë afër Prizrenit, Deçan, Gjilan e në anë të tjera të Kosovës.

Edhe gjatë viteve të tjera, në ditën e Vidovdanit në Kosovë grupe ekstremiste të serbëve kanë manifestuar edhe provokacione, në forma të ndryshme. Është parë edhe se numri i pjesëmarrëve në manifestime të tilla me provokime është më i paktë nga viti në vit…

Media lokale serbe njofton se këtë vit shkaku i pandemisë numri i të ardhurve në manifestimet e Vidovdanit është më i vogël dhe me masa mbrojtëse….

Filed Under: Politike Tagged With: 31 vite, Behlul Jashari, Daulle Lufte, Sebet

HOTI:Interes i Kosovës: Dialogu me Serbinë të mbyllet sa më shpejtë…

June 27, 2020 by dgreca

-Kryeministri Hoti pas takimeve në Bruksel e anulimit të udhëtimit drejt Uashingtonit kthehet në Prishtinë, në konferencë shtypi sot deklaroi:Është me interes për shtetin e Kosovës që procesi i dialogut me Serbinë të mbyllet sa më shpejtë duke qenë se ka interesim të madh nga Bashkimi Evropian, nga vendet kyçe të tij, dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës-

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 27 Qershor 2020/ Kryeministri Avdullah Hoti sot në Prishtinë pas kthimit nga vizita zyrtare në Bruksel, tha se është me interes për shtetin e Kosovës që procesi i dialogut me Serbinë të mbyllet sa më shpejtë duke qenë se ka interesim të madh nga Bashkimi Evropian, nga vendet kyçe të tij, dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Pavarësisht ndryshimeve në axhendën e ditëve të fundit sa i përket dialogut, ne si qeveri mbesim të përkushtuar për procesin e dialogut. Besojmë thellë se dialogu nuk ka alternativë. Këtë qëndrim e kam prezantuar edhe dje te zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian dhe e njëjta gjë na është kërkuar nga ata zyrtarë me të cilët jemi takuar”, tha kryeministri i Kosovës në konferencë shtypi.

Për shkak të zhvillimeve që kanë ndodhur ditëve të fundit, vijoi kryeministri Hoti,  kemi shtyrë vizitën në Uashington.

“Unë kam pasur komunikim intensiv me të dërguarin special të Presidentit Amerikan Trump për dialog, ambasadorin Grenell. Pas diskutimeve që kam pasur me të jemi dakorduar përfundimisht që takimin ta shtyjmë për një datë tjetër, e cila duhet të ndodhë së shpejti. Axhenda e atij takimi mbetet e njëjtë prapë, që t’i japë shtysë mbështetjes së procesit të dialogut përmes një axhende të zhvillimit ekonomik që e ndryshon komplet gjendjen ekonomike në dy vendet, por edhe komplet në rajon”, theksoi Hoti.

Kryeministri Hoti tha se, tanimë janë duke u bërë aranzhimet finale për Samitin e Parisit, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Kosovës e Serbisë.

“Ne kemi dhënë dakordimin tonë si qeveri që jemi të gatshëm për të qenë pjesë e atij samiti që kryesohet nga dy shtete kryesore të BE-së. Në fakt, jemi të nderuar që kemi një fokus dhe një interesim kaq të madh të Presidentit të Francës dhe Kancelares Gjermane për këtë proces. Në ditët e ardhshme ne do të punojmë shumë brenda qeverisë për të funksionalizuar strukturat e nevojshme për procesin e dialogut përmes Këshillit të ekspertëve për dialog, të cilët do të jenë të përgatitur që të prezantojmë qëndrimin tonë për secilën prej temave që ngritën në procesin e dialogut”, u shpreh kryeministri kosovar.

Për ditën e sotme, 27 Qershor,  ishte parlajmëruar një takim në Shtëpinë e Bardhë në kudër të procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por në 24 Qershor Presidenca  kumtoi se Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas njoftimit të bërë publik nga Zyra e Prokurorit të Specializuar lidhur me inicimin e ngritjes së aktakuzës, ka ndërprerë udhëtimin zyrtar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në 25 Qershor edhe kryeministri Hoti deklaroi  se, për shkak të zhvillimeve të reja duhej të kthehej në Prishtinë për tu marrë me situatën dhe
bëri të ditur se e ka njoftuar ambasadorin Grenell se nuk mund të marrë pjesë në takimin e datës 27 Qershor në Shtëpinë e Bardhë.

    ***

KRYEMINISTRI HOTI: KOSOVA I KA PLOTËSUAR TË GJITHA KUSHTET PËR LIBERALIZIM TË VIZAVE

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, pas kthimit nga vizita zyrtare në Bruksel, sot në 27 Qershor 2020,

ka mbajtur konferencë për media, në të cilën ka njoftuar për takimet që ka zhvilluar me përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian.


Kryeministri Hoti theksoi se në këto takime janë diskutuar temat me interes vital për shtetin e Kosovës, duke filluar nga çështja e vizave, luftimi i pandemisë, rimëkëmbja ekonomike, dialogu, për zhvillimet e fundit që kanë ndodhur në Kosovë, anulimi i vizitës në Uashington dhe për përgatitjet për Samitin e Parisit.

Fjala e plotë e kryeministrit Hoti në konferencën për media

Ju falënderoj të gjithëve për prezencën, këtë ditë të shtunë!

Ju kemi ftuar për të prezantuar para jush disa çështje lidhur me vizitën në Bruksel, që mendoj se është tepër e rëndësishme për shtetin dhe Qeverinë e Kosovës.


Siç e keni parë nga agjenda e djeshme kemi pasur takime të nivelit më të lartë në kuadër të institucioneve të Bashkimit Evropian, duke filluar nga presidenti i Këshillit, Charles Michel, nga presidentja e Komisionit Evropian, znj. Von der Leyen, nga Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi dhe kryetarin e Komisionit për Politikë të Jashtme në kuadër të Parlamentit Evropian, i cili njëkohësisht është edhe nënkryetar i Partive Popullore Evropiane dhe mik i Kosovës, David McAllister.


Temat që i kemi diskutuar në këto takime, pa përjashtim të gjitha, besoj që janë tema me interes vital për shtetin e Kosovës duke filluar nga vizat. E them me kënaqësi që ka një mirëkuptim të plotë nga ana e Komisionit Evropian dhe e Parlamentit Evropian, për nevojën që ka Kosova dhe qytetarët e Kosovës që të lëvizin lirshëm sa më parë.

Pranohet nga të gjithë që Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet që i janë vendosur për liberalizim të vizave. Sigurisht, tash është obligim yni si Qeveri që t’i mirëmbajmë ato kritere që i kemi plotësuar për liberalizim të vizave.


Unë pres që disa prej vendeve anëtare që në të kaluarën kanë qenë pak skeptike në këtë drejtim, me përkushtimin e treguar nga Qeveria e re, për Agjendën e Reformës Evropiane, për zbatimin e MSA-së dhe reformat në drejtësi, të lëvizin sa më shpejt përpara në liberalizim të vizave.


Siç e keni parë, një grup i deputetëve të Parlamentit Evropian, dje i kanë shkruar Kancelares Merkel, duke qenë se Gjermania nga data 1 korrik e merr kryesimin e BE-së, deputetë nga të gjitha grupet parlamentare pa përjashtim dhe kjo neve na bën me shpresë që ka një pajtueshmëri të gjerë te të gjitha grupet e Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.


Ne do të punojmë tash në javët e ardhshme, veç e veç, me secilin prej vendeve të BE-së për të treguar përkushtimin tonë për reformat dhe për mirëmbajtje të kritereve që i kemi plotësuar tanimë për liberalizim të vizave.


Çështja e dytë për të cilën kemi biseduar është sigurisht luftimi i pandemisë. Unë i kam falënderuar Komisionin dhe institucionet e BE-së për mbështetjen që na kanë dhënë në luftimin e pandemisë, edhe financiare, edhe teknike.


Ne tash, siç po duket, duhet të bëhemi gati për valën e dytë të pandemisë dhe do të punojmë ngushtë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe me institucionet shëndetësore që të krijojmë të gjitha kapacitetet e nevojshme që të normalizojmë jetën, biznesin, arsimin dhe institucionet e tjera sa më parë dhe të mësohemi të jetojmë në kuadër të kushteve të pandemisë. Orientimi ynë si qeveri është që të zbatojmë protokollet e Komisionit Evropian sa i përket luftimit të pandemisë.


Çështja e tretë që e kemi biseduar në detaje, është rimëkëmbja ekonomike dhe mbështetja që i duhet krejt Ballkanit Perëndimor dhe Kosovës në veçanti për t’i tejkaluar pasojat ekonomike të pandemisë.


I kam njoftuar institucionet e BE-së për përpjekjet që kemi bërë deri tash, me krijimin e Fondit për rimëkëmbje ekonomike që është afër 400 milionë euro dhe jemi dakorduar që në pjesën e dytë të vitit i gjithë Ballkani Perëndimor, përfshirë edhe Kosovën, të trajtohet veçmas në një pako gjithëpërfshirëse të mbështetjes ekonomike dhe të rimëkëmbjes që jep Bashkimi Evropian për të gjitha këto vende.

Jemi dakorduar që të rishikojmë agjendën e reformave evropiane edhe një herë, bazuar në Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, por ta rishikojmë duke vendosur kritere të qarta në mënyrë që të mbesim të fokusuar drejt integrimit evropian. Kjo është e para që sot kam dashur të flas para jush dhe para qytetarëve.


E dyta, zhvillimet politike dhe zhvillimet e fundit në veçanti që kanë ndodhur në Kosovë, e kanë ndërruar pak dinamikën e agjendës sonë si qeveri, tash pas njoftimit për dorëzim të aktakuzës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Lidhur me këtë çështje më lejoni t’i them tri shtylla të qëndrimit tonë si qeveri:


E para, lufta çlirimtare e popullit të Kosovës sigurisht është arritja më e madhe e organizimit tonë për të fituar pavarësinë. Kjo luftë është e shenjtë për popullin e Kosovës, kjo luftë ka sjellë lirinë dhe pavarësinë dhe në fakt akti i shpalljes së pavarësisë që është njohur nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, plotësisht e legjitimon luftën e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi.


E dyta, duhet të pajtohemi të gjithë ta respektojmë në plotni parimin e drejtësisë që është prezumimi i pafajësisë derisa nuk ka vendim përfundimtar nga një gjykatë kompetente dhe


E treta, unë jam i bindur që të gjitha institucionet, bartësit e institucioneve në Kosovë do të tregojnë maturi në këtë situatë të re të krijuar, sikur që kemi treguar maturi në të kaluarën për të respektuar plotësisht obligimet tona kushtetuese dhe ligjore, por edhe obligimet tona ndërkombëtare që i kemi si shtet.


Çështja e fundit që dëshiroj të flas para jush është procesi i dialogut. Më lejoni edhe një herë të them para jush që pavarësisht ndryshimeve në agjendën e ditëve të fundit sa i përket dialogut, ne mbesim të përkushtuar për procesin e dialogut si qeveri. Besojmë thellë se dialogu nuk ka alternativë. Këtë qëndrim e kam prezantuar edhe dje te zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian dhe e njëjta gjë na është kërkuar nga ata zyrtarë me të cilët dje jemi takuar.


Është me interes për shtetin e Kosovës që ky proces të mbyllet sa më shpejt duke qenë se ka interesim të madh nga Bashkimi Evropian, nga vendet kyçe të BE-së dhe nga SHBA.


Për shkak të zhvillimeve që kanë ndodhur ditëve të fundit, për të cilat fola më lart, ne kemi shtyrë vizitën në Uashington. Unë kam pasur komunikim intensiv me të dërguarin special të Presidentit Trump për dialog, ambasadorin Grenell.

Pas diskutimeve që kam pasur me të jemi dakorduar përfundimisht që ta shtyjmë për një datë tjetër, e cila duhet të ndodhë së shpejti. Ju do të njoftoheni së shpejti për datën që do të caktohet për këtë takim. Agjenda e atij takimi mbetet e njëjtë prapë, që t’i japë shtysë mbështetjes së procesit të dialogut përmes një agjende të zhvillimit ekonomik që e ndryshon komplet gjendjen ekonomike në dy vendet, por edhe komplet në regjion.


Tanimë janë duke u bërë aranzhimet finale për Samitin e Parisit. Ne kemi dhënë dakordimin tonë si qeveri që jemi të gatshëm për të qenë pjesë e atij samiti që kryesohet nga dy shtete kryesore të BE-së. Në fakt, jemi të nderuar që kemi një fokus dhe një interesim kaq të madh të presidentit të Francës dhe Kancelares gjermane për këtë proces. Në ditët e ardhshme ne do të punojmë shumë brenda qeverisë për të funksionalizuar strukturat e nevojshme për procesin e dialogut përmes Këshillit të ekspertëve për dialog, të cilët do të jenë të përgatitur që të prezantojmë qëndrimin tonë për secilën prej temave që ngritën në procesin e dialogut.


Besoj që shumë shpejt agjendën për këtë Samit do ta kemi publike dhe do të njoftoheni të gjithë me kohë.

Ju falënderoj për vëmendjen!

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Dialogu me Serbine, Kryeminsitri Hoti

Kosova përmbyll me sukses kryesimin njëvjeçar të SEECP-së

June 25, 2020 by dgreca

-Kosova e përmbylli me sukses kryesimin njëvjeçar të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), me takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të shteteve anëtare të kësaj nisme. Ishte hera e parë që Kosova kryeson një forum rajonal i cili ka si anëtarë vendet e Evropës Juglindore/
PRISHTINË, 25 Qershor 2020-Gazeta DIELLI/ Kosova sot e përmbylli kryesimin njëvjeçar të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) me aktivitetin e fundit, takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të shteteve anëtare të kësaj nisme.
Kjo ishte hera e parë që Kosova kryeson një forum rajonal i cili ka si anëtarë vendet e Evropës Juglindore.
Në takimin përmbyllës të kryesimit të Kosovës me SEECP, përveç Ministrave të vendeve anëtare të kësaj organizate, ishte prezent edhe Përfaqësuesi i Komisionarit për Zgjerim, z. Olive Varheyli.
Për shkak të masave kundër pandemisë, ky takim u mbajt në formë virtuale në një videokonferencë të organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, ndërsa pas nënshkrimit të një Deklarate të Përbashkët, kryesimi i radhës me SEECP-në do t’i kalohet edhe zyrtarisht Ministrisë së Jashtme të Turqisë.
Të gjitha shtetet anëtare e vlerësuan lart përzgjedhjen e prioriteteve dhe kryesimin e Kosovës sidomos duke pasur parasysh rrethanat.
Përkundër faktit se çështja e Covid-19 ishte sfida më e madhe e këtij viti, Ministrja Meliza Haradinaj – Stublla, falënderoi Bashkimin e Evropian për ndihmën e ofruar për vendet e rajonit, si dhe bashkëpunimin në krijimin e lehtësirave gjatë kësaj kohe brenda nismës së Procesit të Bashkëpunimit të Ministrave të Jashtëm të Evropës Juglindore.
Duke i uruar suksese Turqisë në kryesimin e radhës, në këtë takim u ritheksua se bashkëpunimi në nivel të Ministrave të Jashtëm në Evropën Juglindore, është i rëndësisë së veçantë dhe si i tillë duhet të vazhdojë në të gjitha proceset.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, kosova

Kompleksi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit me Ekspozitë të Etnologjisë

June 24, 2020 by dgreca

-Ekspozita e Etnologjisë në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit do të ketë për qëllim informimin e vizitorëve për mënyrën e jetesës së popullatës të trevave shqiptare, me fokus të veçantë në artin tradicional, si dhe trajtimin e vlerave të Trashëgimisë Kulturore përmes artit tradicional. Hartohet Koncept dokumenti/

-Në këtë muaj Qershor 2020, me rastin e shënimit të 142 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren para publikut prezantoi ekspozitën tematike “Personalitetet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” të autorit Parim Kosova/

PRIZREN, 24 Qershor 2020-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren ka hartuar Koncept Dokumentin për ekspozitën etnologjike e cila së shpejti planifikohet të ridizajnohet në sektorin etnologjik të Kompleksit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Ekspozita do të ketë për qëllim informimin e vizitorëve për mënyrën e jetesës së popullatës të trevave shqiptare, me fokus të veçantë në artin tradicional, si dhe trajtimin e vlerave të Trashëgimisë Kulturore përmes artit tradicional.

Samir Hoxha, Drejtor i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore tregon se përmes këtij koncept dokumenti do të bëhet ridizajnimi i sektorit etnologjik në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, me ç’rast synohet të arrihet aplikimi i metodave të ndryshme instruktive, përmes të cilave do të përcillet tek vizitorët.

Prezantimi përveç se vizualisht në formë fizike planifikohet të përcillen edhe me video, audio (muzikë), reprodukime, teksturë (të prekshme) që mund t’u japë qasje çdo vizitori të ndjejë dhe të përjetojë artin tradicional të pasqyruar përmes kësaj ekspozite në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, thekson drejtori i këtij institucioni Samir Hoxha.

Duke u bazuar në koleksionin ekzistues të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të sektorit etnologjik vizitori mund të mësojë për artin tradicional të shprehur përmes zejeve të ndryshme. 

Koleksioni i pasur me tekstil mund të paraqesë veshje të burrave, djemve, grave, nuseve dhe vajzave myslimane, katolike dhe ortodokse nga trevat shqiptare njëkohësisht duke treguar për llojllojshmërinë e ngjyrave, mënyrës së punimit, materialit dhe formave që ato paraqesin.

Grupi punës i ekspozitës do të angazhohet në bashkëpunim me dizajnerin e enterierit, dhe të brendimit të ekspozitës  për organizmin e hapësirës në mënyrë që koncepti të jetë në përputhje me hapësirën aktuale në kuadër të Kompleksit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Në këtë muaj Qershor 2020, me rastin e shënimit të 142 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren para publikut prezantoi ekspozitën tematike “Personalitetet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” të autorit Parim Kosova.
“Figurat e shquara të lëvizjes së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit si: Iljaz Pashë Dibra, Sylejman Vokshi, Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri e shumë të tjerë, ishin dhe mbeten figura të pashlyera të kujtesës sonë historike, andaj mbetet detyrim i yni dhe brezave që do të vijnë pas nesh që personalitete kolosale dhe ngjarje të tilla madhështore të mos harrohen kurrë.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit, pati një rëndësi të madhe në historinë e popullit shqiptar. Jehona e madhe që ajo kishte për kohën i dha një shtytje të re Lëvizjes Kombëtare, duke ushtruar ndikim të madh në të gjitha luftërat e mëvonshme për liri dhe pavarësi, e deri tek lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”,  u theksua me këtë rast.

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore ka deklaruar se mbetet synim yni i përbashkët që kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ta pasurojmë me eksponate që pasqyrojnë jetën dhe veprën e heronjve tanë, t’i zgjerojmë hapësirat ekspozuese dhe muzeore, si dhe të zhvillojmë programe edukative dhe kulturore për brezat që do vijnë.

Filed Under: Kulture Tagged With: Behlul Jashari, Ekspozite Etnologjike, Kompleksi i l.Prizrenit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • …
  • 245
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NGA NJË KOLONI DE FACTO NË NJË KOLONI DE JURE
  • ADEM DEMAÇI, JO THJESHT FIGURË E REZISTENCËS, POR KATEGORI KONCEPTUALE E SHTETFORMIMIT
  • Roli i gazetës “Arnavud/Shqipëtari” në formimin e vetëdijes kombëtare te shqiptarët përballë politikave turqizuese të xhonturqve
  • Si investonte Serbia në thellimin e përçarjeve ndërmjet udhëheqësve shqiptarë dhe në shkëputjen e tyre nga ndikimi austro-hungarez
  • Marrëdhëniet e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut me Republikën e Venedikut sipas dokumenteve të Arkivit Apostolik të Vatikanit, Arkivit të Shtetit të Venedikut dhe burimeve historike botërore
  • “U SHKEPUT NJE METEOR POR ZJARRI MBETET ZJARR…!”
  • Përurim i “American Dream” në Vatër
  • Një vit që ka filluar mbarë për Vatrën në Chicago
  • Kategorizimi i qyteteve shqiptare sipas Sami Frashërit në vitin 1890
  • Abas Kupi, historia, e vërteta dhe dashuria për atdheun…
  • Kur karakteri tejkalon pushtetin
  • ABAZ KUPI DHE LUFTA ANTIFASHISTE NË SHQIPËRI
  • Fortesa Latifi: “It can be difficult to grow up when you’re constantly faced with a younger version of yourself”
  • ABAZ KUPI, I HARRUAR DHE I KEQTRAJTUAR NGA HISTORIA ZYRTARE
  • VATRA DHE FAMILJA KUPI ORGANIZUAN SIMPOZIUM SHKENCOR ME RASTIN E 50 VJETORIT TË KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT TË SHQUAR ABAS KUPI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT