• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOSOVA, ÇMIME NË DITËN BOTËRORE TË MUZIKËS

June 21, 2020 by dgreca

-Në Ditën Botërore të Muzikës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit shpall çmimet në këtë fushë. Ministrja Vlora Dumoshi, ka marrë vendim që çmimi për vepër jetësore “Niketë Dardani” t’i ndahet kompozitorit Vinçenc Gjini…/

PRISHTINË, 21 Qershor 2020-Gazeta DIELLI/ Sot, më 21 qershor, shënohet Dita Botërore e Muzikës e njohur me emrin “Fête de la Musique” (Festivali i Muzikës). Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për nder të kësaj dite, shpall laureatët e çmimeve vjetore në fushën e muzikës, konkretisht Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore “Niketë Dardani” si dhe çmimet tjera vjetore në këtë fushë.

Në bazë të vlerësimeve të Jurisë Profesionale për ndarjen e çmimeve në fushën e muzikës, ministrja Vlora Dumoshi, ka marrë vendim që çmimi për vepër jetësore “Niketë Dardani” t’i ndahet kompozitorit Vinçenc Gjini, me motivacionin e profesionistit muzikor të shumanshëm dhe kontributit gjysmë shekullor në fushën e muzikës. 

“Fillimisht dua t’i uroj të gjithë muzikantët, artistët e profesionistët muzikorë, kompozitorët dhe tërë muzikdashësit për Ditën Botërore të Muzikës. Edhe Kosova i bashkohet vendeve tjera të Botës me shënimin e kësaj dite. Të gjithë fituesve ua uroj çmimet. Këto shpërblime shtetërore të cilat ndan MKRS-ja janë një mirënjohje dhe falënderim për punën të cilët këta artistë e profesionistë të muzikës e kanë krijuar duke kontribuar në kultivimin e vlerave të mirëfillta muzikor. Gjithashtu, dua t’i falënderoj anëtarët e Jurisë Profesionale për vlerësimet e tyre, të cilët nuk e kanë pasur të lehtë të përzgjedhin më të mirët në mesin e kandidatëve”, tha ndër të tjera ministrja Dumoshi.

Çmimet tjera vjetore nga fusha e muzikës janë siç vijon: 

Çmimi për vepër vokalo-instrumentale dhe muzikore skenike i ndahet kompozitorit Valton Beqiri, për veprën “Rrugëtimi”, si vepër madhore kombëtare e cila trajton motivin e qëndresës përmes larmisë muzikore të etnosit shqiptar; 

Çmimi për vepër orkestrale-simfonike dhe koncertante i jepet kompozitorit Kreshnik Aliçkaj, për veprën “Koncert” për kitarë dhe orkestër, për marrëdhënien dinamike të vazhdueshme dhe bashkëvepruese mes instrumentit solistik dhe orkestrës; 

Çmimi për vepër kamertale i ndahet kompozitorit Drinor Zymberi për veprën “Trance” për orkestër harqesh për kompaktësinë dhe gjetjen kompozicionale; 

Çmimi për vepër korale i jepet kompozitorit Hajrullah Syla për veprën “Ubi Caritas” për kor miks për këndvështrimin origjinal të kompozimit;

Çmimi për veprat solistike dhe duo i ndahet kompozitorit Mehdi Mengjiqi për veprën “Discantus” për kontrabas solo për risjelljen e vlerave të “discantusit” në kohën moderne përmes ruajtës së kontekstit formal.

Të gjitha çmimet shpërblehen edhe me shuma financiare sipas rregullores për çmimet për muzikë. Gjithashtu, parashihet që të organizohet edhe një ceremoni solemne për ndarjen e këtyre çmimeve, por për shkak të rrethanave të pandemisë, ceremonia do të organizohet në një datë të përshtatshme.

Juria profesionale e cila ka bërë shqyrtimin dhe analizimin e veprave muzikore të paraqitura në konkurrim ka qenë në përbërje të kompozitorit Prof. Dr. Vasil S. Tole – kryetar, kompozitorit Rafet Rudit dhe kompozitorit e dirigjentit Baki Jashari – anëtarë.

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, Boterore te Muzikes, Cmime ne Diten

KOSOVA SHTET I NJOHUR NDËRKOMBËTARISHT, 12 VJET ME KUSHTETUTË

June 15, 2020 by dgreca

-Kushteta e Republikës së Kosovës të njohur ndërkombëtarisht, e cila në nenin 1 e përcakton “shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”, ka hyrë në fuqi para 12 viteve – në 15 Qershor 2008/

-Kosova në rrugën drejt pavarësisë ka një histori kushtetuese edhe para kushtetutës së saj të parë si shtet i pavarur me njohje ndërkombëtare/

-Kosova e lirë dhe e pavarur përgjithmonë shumë mirënjohëse dhe falënderuese për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gjithë botën demokratike/

KALENDAR-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 15 Qershor 2020/ Para 12 viteve, pas shpalljes së Pavarësisë në 17 Shkurtin historik, pas më pak se katër muajve – në 15 Qershor 2008, ka hyrë në fuqi Kushtetuta  që përcakton që në Nenin 1 se, “Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”. 

Nga “Kapitulli I Dispozitat Themelore” i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të njohur ndërkombëtarisht,  citojmë të plota  dy nenet e para:

“Neni 1 [Përkufizimi i Shtetit] 

1. Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm. 
2. Republika e Kosovës është shtet i shtetasve të vet. Republika e Kosovës ushtron autoritetin e 
saj bazuar në respektimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve të vet dhe të gjithë individëve 
brenda kufijve të saj. 
3. Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë 
shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti. 
Neni 2 [Sovraniteti] 
1. Sovraniteti i Republikës së Kosovës buron nga populli, i takon popullit dhe ushtrohet, në 
pajtim me Kushtetutën, nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur, me referendum, si dhe në 
forma të tjera, në pajtim me dispozitat e kësaj Kushtetute. 
2. Sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i 
patjetërsueshëm dhe i pandashëm dhe mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktuara me këtë 
Kushtetutë dhe me ligj. 
3. Republika e Kosovës, me qëllim të ruajtjes së paqes dhe mbrojtjes së interesave shtetërore, mund të marrë pjesë në sisteme të sigurisë ndërkombëtare.”

Kushtetuta, akti më i lartë  juridik i shtetit më parë ishte miratuar nga Kuvendi i Kosovës në ditën e 9 Prillit 2008.

Prej atëherë, 9 Prilli është festë shtetërore – Dita e Kushtetutës, sipas Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, të miratuar në Kuvend në 21 Maj 2008.

Dekretimi i këtij ligji dhe 40 ligjeve të tjera, të  dala nga Paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet më të rëndësishme të ditës së hyrjes në fuqi të Kushtetutës, 15 Qershorit 2008. Dekretimin e bëri presidenti i atëhershëm i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, pasi ato i dërgoi në Presidencë kryeparlamentari në atë kohë, Jakup Krasniqi.

Deri në hyrjen në fuqi të Kushtetutës ligjet e miratuara në Kuvendin e Kosovës i ka nënshkruar kryeadministratori – shefi i Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).

Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, presidenti “shpall ligjet e miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”. Poashtu,  presidenti “ka të drejtën e kthimit për rishqyrtim të ligjeve të miratuara, nëse konsideron se janë të dëmshme për interesat legjitime të Republikës së Kosovës ose të një a më shumë komuniteteve të saj”.

Zhvillimet më të rëndësishme brenda 12 viteve ishin në 2012-tën, kur Kuvendi, në 7 Shtator,  ka miratuar amendamentimin e  Kushtetutës së Republikës lidhur me përfundimin e mbikëqyrjes  ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, ndërsa në 10 Shtator pasoi vendimi i Grupit Drejtues Ndërkombëtar, i mbledhur në Prishtinë, për përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare.

“Përmbyllja e mbikëqyrjes është vlerësimi më i lartë ndërkombëtar, që i është bërë shtetit të Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë”, u vlerësua atëherë.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur pavarësinë, ishte formuar në 28 Shkurt të vitit 2008 dhe synonte të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të shtetit të ri, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin.

Deri në 12 vjetorin e hyrjes në fuqi të Kushtetutës pavarësia e Kosovës është e njohur nga 116 shtete të botës anëtare të OKB-së.

Në rrugën drejt pavarësisë Kosova ka një histori kushtetuese edhe para kushtetutës së saj të parë si shtet i pavarur me njohje ndërkombëtare.

Kosova prej vitit 1974  ka pasur Kushtetutën e vet, e cila i ka siguruar mëvetësi organizative si njësi konstituive me të drejtë vetoje në federatën  e atëhershme. Nga shpërbërja e federatës dolën shtatë shtete të reja të rajonit: Kosova – shteti më i ri evropian, si dhe Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedona.

Para 31 vitesh, në 28 Mars 1989, Serbia në Kuvendin e saj miratoi “Kushtetutën e tankeve”, që përgjakshëm, në rrethana tragjike terrori, me forcë e në mënyrë kundërkushtetuese rrënoi autonominë që kishte Kosova.

 Kundërshtimi i fuqishëm rrënimit të autonomisë në Kosovë ishin demonstratat gjithëpopullore në të cilat vetëm brenda dy ditëve, në 27 e 28 Mars 1989, në shtetrrethimin e hekurt ushtarako-policor të vendosur nga Beogradi u vranë 22 shqiptarë e plagosën qindra të tjerë në Prishtinë, Mitrovicë, Zhur e Dushanovë afër Prizrenit, Podujevë, Deçan, Gjilan e në anë të tjera të Kosovës.

Demonstratat pasonin grevën  e urisë të 1.300 minatorëve të Trepçës, nga 20 deri 28  Shkurt 1989, e cila ishte në mbrojtje nga sulmet e Serbisë kundër Kosovës e mëvetësisë së saj, rezistencë e fuqishme e përkrahur nga populli dhe në kërkim të lirisë, demokracisë e të drejtave të plota për shqiptarët.

Në vijimësi të kundërshtimeve të fuqishme gjithëpopullore dhe institucionale të “Kushtetutës së tankeve” serbe, në rrethana të okupimit, Kosova në vitin 1990 shpalli Deklaratën Kushtetuese për Pavaraësi në 2 Korrik e më pastaj Kuvendi miratoi në 7 Shtator Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Në vitin 1991, nga 26 deri në 30 Shtator u organizua edhe Referendumi ku kosovarët votuan 99,87 për qind për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur, i cili pasohej me zgjedhjet e para pluraliste, parlamentare e presidenciale të 24 Majit 1992, kur President i parë i Republikës së Kosovës u zgjodh Dr. Ibrahim Rugova.

Republika e Kosovës me Kushtetutën e vet e institucionet demokratike të zgjedhura atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, por megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit të popullit mbi 90 përqind shumicë shqiptare, si edhe pjesëtarëve të komuniteteve pakicë.

Kosova e lirë, pas përfundimit të luftës në Qershor 1999, prej vitit 2001 deri pas shpalljes së pavarësisë në 17 Shkurt 2008  ka pasur një Kornizë Kushtetuese, të miratuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, e cila ishte dokument më shumë inicial kushtetues, por ka mundësuar zhvillimin e vendit nga një krijesë defakto e pavarur, ndonëse nën protektorat, në një entitet shtetëror të pavarur, edhe pse nën mbikëqyrje ndërkombëtare për një kohë.

 Para dy vitesh, me rastin e 10 vjetorit të Ditës së Kushtetutës, 9 Prillit, hartuesit e Kushtetutës së Republikës së Kosovës janë dekoruar me Medaljen Presidenciale Jubilare të dhjetëvjetorit të pavarësisë nga presidenti  Hashim Thaçi.

Të dekoruarit janë: Prof. Dr. Arsim Bajrami. Prof. Dr. Hajredin Kuçi, Prof. Dr. Gjylieta Mushkolaj, Ilaz Ramajli, Prof. Dr. Kadri Kryeziu, Ramë Manaj, Prof. Dr. Eqrem Kryeziu, Mahir Yagcilar, Ylber Hysa,  si dhe Nekibe Kelmendi (pas vdekjes).

Dymbëdhjetëvjetori i hyrjes në fuqi të Kushtetutës së shtetit të pavarur të Kosovës po shënohet në kohën kur nëpër qytetet e fshatrat kosovare festohet 21 vjetori i lirisë, e cila nisi me Ditën e Paqes e Lirisë – 12 Qershorin e vitit 1999, kur forcat paqeruajtëse shpëtimtare të  NATO-s, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës,  filluan të  hynin në Kosovë, nga Maqedonia, e të nesërmen edhe nga Shqipëria,  pas ndërhyrjes me aviacion në fushatën ajrore 78 ditëshe të goditjes së caqeve të forcave serbe që bënin masakra e spastrim etnik duke vrarë më shumë se 12 mijë shqiptarë, zhdukur mëse 6 mijë e dëbuar rreth një milion.

Me lirinë në Kosovë ndodhi edhe kthimi i madh i shqiptarëve të dëbuar…

Kosova për lirinë dhe pavarësinë është përgjithmonë shumë mirënjohëse dhe falënderuese për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gjithë botën demokratike.

Filed Under: Analiza Tagged With: 12 Vjet Kushtetute, Behlul Jashari, kosova shtet i njohur, nderkombetarisht

KOSOVË-BURGU NË PRISHTINË BËHET MUZE

June 12, 2020 by dgreca

Kryeministri Hoti: Emocion i veçantë të vizitohet burgu i ideve/

 Prishtinë, 12 Qershor 2020-Gazeta DIELLI/

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti mori pjesë në hapjen për vizitorë të ish-Burgut të Prishtinës, i cili në të ardhmen do të shndërrohet në muze, aktivitet ky që u zhvillua në patronazhin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, me rastin e shënimit të 21-vjetorit të lirisë të Kosovës.

I shoqëruar nga anëtarë të kabinetit qeveritar, kryeministri Hoti ka vizituar qelitë nëpër të cilat kanë kaluar rreth 20 mijë burra e gra shqiptarë, të torturuar e të keqtrajtuar në mënyra të ndryshme.

Gjatë vizitës në hapësirat e ish-Burgut të Prishtinës, kryeministri Hoti ka dëgjuar nga afër rrëfimet e ish-të burgosurve politikë, të cilët u kanë mbijetuar torturave të regjimit jugosllav.

 “Është ndjejnë e veçantë dhe e përjeton plotësisht kur hyn nga një qeli në tjetrën, duke dëgjuar rrëfime të veçanta nga ministrja, familjarët e së cilës kanë kaluar nëpër këto burgje dhe nga gjithë të tjerët ish-të burgosur, veprimtarë që na rrëfejnë sot përjetimet e gjalla. Vërtet është tepër emocionuese për mua dhe për gjithë këta që janë sot prezent”, tha kryeministri Hoti, i cili ka përgëzuar ministren e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, për punën e bërë.

Kryeministri Hoti theksoi se ky është vendi, siç e kishin shkruar në njërën nga pllakatet “Burgu i ideve”, i njerëzve që e kanë brumosur së pari idenë për shtetin e pavarur të Kosovës, që ka evoluar pastaj në demonstratat e ’68, ’81, ’89, pastaj luftën e armatosur, përpjekjet për liri e pavarësi, dhe për lirinë që e gëzojmë sot.

 “Ministre ju përgëzoj sinqerisht dhe gjithë burrat e gratë që sot janë bashkë me ne për të ndarë emocionet dhe përjetimet e tyre në këtë burg. Le të jetë kjo një qendër ku qytetarët e Kosovës dhe gjithë ata që dëshirojnë ta përjetojnë atë që kanë kaluar këta burra e gra nëpër këto burgje. Janë përjetime të jashtëzakonshme”, tha kryeministri Hoti, duke thënë se të gjithë duhet të gjejnë kohë dhe ta vizitojnë këtë vend.

Më pas, kryeministri Hoti në hyrje të ish-Burgut të Prishtinës, ka vendosur mbishkrimin: “Emocion i veçantë të vizitohet burgu i ideve. 20 mijë burra e gra kanë kaluar përmes këtij burgu”.

Filed Under: Politike Tagged With: Avdulla Hoti, Behlul Jashari, Muze

SEANCË SOLEMNE E KUVENDIT TË KOSOVËS

June 12, 2020 by dgreca

-Seancë solemne e Kuvendit të Kosovës, me rastin e 12 Qershorit – Ditës së paqes. Kryeparlamentarja Osmani: Siç ishim dikur unik për lirinë si një akt sublim, sot duhet të jemi unik në idenë për paqe të qëndrueshme, duke mbrojtur sovranitetin e shtetit tonë në çdo pëllëmbë të territorit të tij/

-Video-mesazhe nga katër personalitete te njohura ndërkombëtare: ish-senatori amerikan Bob Dole, ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s George Robertson, ish-kryeministri italian Massimo D’Alema dhe komandanti i KFOR-it, Michele Risi/

-Në shenjë kujtimi për fëmijët e vrarë, në oborrin e Kuvendit mbillen 1133 lule/


PRISHTINË, 12 Qershor 2020-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ Me rastin e 21-vjetorit të çlirimit të Kosovës dhe shënimit të Ditës së Paqes, Kuvendi i Republikës së Kosovës, nën drejtimin e kryeparlamentares dr. Vjosa Osmani, u mblodh sot në seancë solemne. 

Që në hyrje të seancës, kryetarja Osmani bëri të ditur se për shkak të situatës pandemike dhe masave të ndërmarra, prezenca e mysafirëve në këtë seancë ka qenë e pamundur. 

Në vazhdim, ajo iu drejtua Kuvendit me një fjalë rasti: 

“Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Kosovës, 
Të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar!

Ndjehem tepër e nderuar që mund t’ju drejtohem sot nga foltorja e tempullit të demokracisë, Kuvendit të Republikës, dhe t’jua përcjell urimet më të mira me rastin e 12 qershorit, ditës së lirisë dhe çlirimit të shtetit tonë të dashur, Republikës së Kosovës për të gjithë qytetarët pa dallim. 

Shkaku i rrethanave të krijuara nga pandemia Covid-19 dhe duke respektuar rekomandimet e institucioneve shëndetësore për respektim të distancës sociale, na është pamundësuar që kjo seancë solemne të mbahet me mysafirë të ftuar, të shumtë, të cilët i janë gjetur vendit tonë në ditët më të vështira dhe të cilët do ta madhështonin këtë solemnitet. 

Pjesëtarët e trupave paqeruajtëse të NATO-s, sot nuk janë me ne në këtë sallë, por festojnë me ne. Ata kanë bërë shumë që ne sot të jemi këtu, të ndihemi të lirë, të jetojmë të lirë dhe ta ndërtojmë gradualisht Kosovën që e duam ne në një shtet ku sundon rendi e ligji, ku garantohet siguria humane dhe fizike në çdo cep të vendit dhe ku shteti mbi të gjitha është në shërbim të mirëqenies së qytetarëve të vet.

Të dashur qytetarë!

Si sot, 21 vjet më parë, u realizua përfundimisht ëndrra dhe përkushtimi i brezave të tërë, të cilët jo vetëm që e ëndërruan lirinë por edhe luftuan për të, të bindur se politikat shfarosëse dhe dhuna e regjimeve nuk mund ta shuajnë kurrë vullnetin e një populli për të jetuar i lirë e i mosvarmë. 

Atë ditë në Kosovë zbarkuan trupat e parë të Aleancës më të fuqishme në histori të njerëzimit- trupat e NATO-s. Pas 78 ditë bombardimesh të caqeve ushtarake jugosllave dhe të policisë serbe, shpresa ngadhënjeu. Kosova e pa dritën e lirisë, teksa qytetarët e saj morën frymë, e përjetuan atë që njihet si ditë e lirisë, apo ditë e çlirimit.

Hyrjes së trupave të NATO-s u parapriu marrëveshja e Kumanovës, e 9 qershorit, e cila i dha fund pranisë së regjimit jugosllav e serb në Kosovë. E, me hyrjen e NATO-s në Kosovë, u rilidh aleanca jonë me popujt e lirë, aleancë të cilën ne e kemi dëshmuar së paku në tri momente jetike në historinë e popullit tonë, momente që e kanë shënuar jo vetëm ekzistencën tonë, por edhe identitetin tonë pro-perëndimor, të cilit i përkasim qysh në krye të herës: projekti integrues i Skënderbeut, Lidhja e Prizrenit, 142-vjetorin e së cilës e festuam dy ditë më parë, si dhe projekti ynë nacional-kulturor i bashkimit të të gjithë shqiptarëve gjatë viteve të ’90-ta.

Projekti i parë, ai i Skënderbeut, e krijoi aleancën e përbashkët me qytetërimin perëndimor, duke e mbrojtur atë në portën hyrëse të saj, në Arbëri. Lidhja e Prizrenit e ridëshmoi përkatësinë tonë kombëtare, sensibilizoi nevojën e rizgjimit kombëtar karshi copëtimit të tokave shqiptare dhe depërtimit nga trojet tona stërgjyshore. Lëvizja për pavarësi e viteve ’90, ndërkaq, e vulosi përfundimisht orientimin tonë properëndimor dhe krijimin e miqësive dhe aleancave. Ajo ishte nismëtare e ndryshimit idelologjik në Ballkanin e trazuar dhe të stërkequr nga sistemi komunist, duke e sforcuar identitetin tonë politik e historik dhe duke e bërë të mundur jetësimin e shtetit të Kosovës. Ajo e krijoi solidaritetin e thellë e të papërsëritshëm në mes qytetarëve të këtij vendi, si dhe e ringjalli frymën e lirisë, e cila, duke u ripërtërirë, ka mbijetuar gjithmonë në shpirtin tonë. Përfundimisht, u dëshmua në Kosovë më shumë se kudo tjetër në botë se liria e jashtme mund të vijë vetëm nëse e fitojmë lirinë e brendshme. Lëvizja na mësoi që, sikur thoshte modeli filozofik i Rugovës, Pjetër Bogdani, në mundime ta shpalosim guximin, në rreziqe ta ruajmë besimin, ndërsa në turbullira të veprojmë me qetësi. Prandaj, ne u çliruam edhe sepse e fituam lirinë e brendshme, sepse guxuam të ëndërrojmë e luftojmë për liri, sepse e ruajtëm besimin dhe sepse, mbi të gjitha, këmbëngulëm në vlerat humane kur fqinjët tanë verior i shkelnin ato.

Aleancat historike të ndërtuara ndër vite ishin bazë e fortë që në orët e liga, në të cilat kaloi Kosova, të luajnë rol jo vetëm historik, por edhe ta rinisin jetën. Këto aleanca na shpëtuan nga zhbërja, prandaj sot jemi këtu në këtë përvjetor edhe falë tyre dhe u përulemi me pietet. 

Rrugëtimi ynë nuk do të përmbyllej kurrë pa përkushtimin e miqve tanë të shumtë gjithandej globit, të cilat lëvizja i krijoi dhe i ruajti me përkushtim. Te cilat populli i Kosovës në çdo cep të saj i ndërtoi e i ruan edhe sot. Ai nuk do të ishte i mundur sikur presidenti i SHBA-ve në atë kohë, presidenti Bill Clinton, të mos e dëgjonte lutjen e Nënë Terezës që ta ndihmonte dhe ta ruante popullin e saj shqiptar; pa përkushtimin e vetë Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj parimeve të lirisë dhe pa këmbënguljen e miqve tanë në kongres dhe senat, por edhe të gjitha administratave, edhe të demokratëve, dhe të republikanëve, përfshirë presidentin Bush dhe presidentët e tjerë që erdhën pas tij. Respekt e mirënjohje të pafund Kosova do të këtë edhe për sekretarën e shtetit znj. Medeleine Albright si dhe këmbënguljen e kryeministrit Blair, për këmbënguljen dhe ndihmën e kancelarit Shroeder, presidentit Shirak, kryeministrit Massimo D’alema, sekretarit gjeneral të NATO-s Javier Solana, dhe gjeneralin e NATO-s në atë kohë Ëesley Clark.  Por edhe për shumë e shumë emra të tjerë qe na u gjenden në kohërat më të rënda.

Ne do t’u jemi përjetësisht mirënjohës atyre për rreshtimin e tyre në krah të popullit të Kosovës në një moment të rëndë historik, kur shfarosja dhe dëbimi ishin bërë projekt hegjemonist, të cilin po kujdesej ta realizonte regjimi gjenocidal i Millosheviqit. Për një rrezik të tillë kanë folur edhe dy sekretarë të Përgjithshëm të NATO-s, Sekretari Stoltenberg si dhe së fundi edhe zëvendëssekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mircea Geoana. Që të dy konfirmuan që NATO-ja intervenoi në Kosovë për të parandaluar gjenocidin.

Kjo përkrahje tashmë është shndërruar në miqësi të përhershme, të cilën ne do të dimë ta kultivojmë më tej e ta ruajmë, ashtu siç na mësuan paraardhësit tanë. Sepse, është në traditën tonë që miqësitë t’i krijojmë e t’i ruajmë. 

Por, kur e kujtojmë 12 qershorin e 99-ës, ne nuk mund të mos e kthejmë vëmendjen në përpjekjet e pafundme të gjeneratave të tëra, të bijve dhe bijave të këtij vendi, të cilët, të bindur fort se liria është e arritshme, nuk pushuan kurrë së punuari e luftuari për të. Në këtë ditë, ne e kujtojmë dr. Ibrahim Rugovën, ikonën e përbashkët të lirisë, njeriun e dijeve, liderin shpirtëror të shqiptarëve, njeriun për të cilin ish-kryeministri britanik, z. Tony Blair, mes tjerash kishte thënë: “Më 1998 ai erdhi në një vizitë në Doënings Street. Ishte një person i heshtur dhe modest. Deri sa po dilte, më tha: të lutem, një gjë të vetme ta kërkoj. Mos lejo që njerëzit e mi të vuajnë më. Ndjej për ata atë që do të kishe ndjerë për popullin tënd dhe ndihmo. I thashë se Britania do të ndihmonte. Ia dhashë besën time Rugovës, fjalën e nderit, dhe e mbajta, e çliruam Kosovën”. 

Po kështu, i kujtojmë sot me pietet e me nderimet më të larta heronjtë tanë, të cilët lirinë e vendit e patën ideal jetësor. E kujtojmë komandantin legjendar të Ushtrisë Çlirimtare, Adem Jasharin, gjithë familjen Jashari, e cila dha gjithçka për Kosovën, u sakrifikuan për lirinë e vendit, dëshmorët e heronjtë e këtij vendi, dhe njëkohësisht i kujtojmë me dhimbje mbi 1.600 të pagjeturit tanë, bijtë e nënë Ferdonijes e të shumë nënave të tjera, i kemi në vëmendje vuajtjet e grave që i mbijetuan dhunës seksuale gjatë luftës, i kujtojmë martirët e shumtë, përfshirë gratë, fëmijët e pleqtë, si dhe të gjithë njerëzit e mirë të këtij vendi, të cilët sakrifikuan çdo gjë për lirinë e vendit të tyre; në këtë ditë të veçantë e nderojmë edhe gjeneratën e deputetëve të këtij kuvendi, të cilët më 1990 e shpallën Deklaratën e Pavarësisë si akt themeltar të shtetit të Kosovës dhe, më pas, Kushtetutën e parë të vendit, atë të Kaçanikut; si vullnet qytetar, i shprehur me Deklaratën e shpalljes së pavarësisë së vendit. I falënderojmë të gjitha ato gra dhe burra që e jetësuan këtë vullnet me Deklaratën e Pavarësisë të vitit 2008.

Të dashur qytetarë!

Ne e njohim mirë peshën e lirisë, sepse e kemi përjetuar për shekuj të tërë mungesën e saj. Por, po kështu, ne mund të dëshmojmë se sa e madhe është vlera e saj dhe i rëndë çmimi që kemi paguar. Pavarësia e Kosovës e ka vulosur fatin dhe lirinë e popujve në Ballkan. Ne, qytetarët e Republikës së Kosovës, e kuptojmë se çfarë do të thotë të rritesh nën një regjim shtypës, në të cilin rrënjët etnike janë argument i mjaftueshëm për të qenë i shtypur e i vrarë; ne e kemi përjetuar këtë dhe mund të dëshmojmë për të. Historinë e kemi në krah. Kosova ka numrin më të madh të fëmijëve të vrarë e të masakruar në raport me numrin e banorëve krahasuar me të gjitha luftërat në territorin e ish-Jugosllavisë.  Prandaj, dua që sot ta kthejmë vëmendjen veçanërisht kah këta 1133 fëmijë, shumë prej tyre foshnje vetëm disajavëshe ose disamuajshe, fëmijë të vegjël të cilët u vranë sepse ai regjim nuk e kursente askënd.

Në këtë Ditë të Lirisë, nga kryeqyteti i shtetit të Kosovës kemi vetëm një mesazh. Siç ishim dikur unik për lirinë si një akt sublim, sot duhet të jemi unik në idenë për paqe të qëndrueshme, duke mbrojtur sovranitetin e shtetit tonë në çdo pëllëmbë të territorit të tij. Ne jemi të gatshëm ta kultivojmë paqen e stabilitetin rajonal siç kemi bërë gjithnjë. Kjo ishte edhe porosia e presidentit Klinton në vitin e tij të parë në Ferizaj pas luftës kur tha: “Ne e fituam luftën, por tash është koha qe ju të ndërtoni paqen”. 

Por, nuk do të mund të arrijmë në këtë pikë, nëse nuk i kujtojmë të gjithë ata që sakrifikuan për këtë ditë, posaçërisht këta 1133 fëmijë e vrarë e të zhdukur gjatë luftës. Ata do të jenë peng i yni edhe për aq kohë sa nuk do të mund të zbardhet fati i secilit fëmijë të zhdukur dhe derisa akterët e këtyre vrasjeve e masakrave nuk do të përballen me drejtësinë. 

Sot i kujtojmë të gjithë në zemrat e mendjet tona. Më lejoni të ndaj vetëm disa nga storjet e ëndrrat e tyre.

Kujtojmë Burimin i cili ishte vetëm 12 vjeç. Ai kishte pasion recitimin e leximin, aq sa në oborr ruante abetaren dhe fletoren, në rast se shtëpia i digjej apo në rast se do dëboheshin. 

Kujtojmë fëmijët e familjes Muqolli të Poklekut të Vjetër, të cilët me 17 prill 1999 u masakruan e u vranë e më pastaj u djegën kufomat e tyre dhe familjarëve të tyre.

Kujtojmë fëmijët e familjes Deliu nga Abria e Epërme të cilët një ditë pasi që u strehuan në mal të gjithë e gjetën vdekjen në mënyrën më mizore më 26 shtator 1998. 

Kujtojmë Hajriun 12-vjeçar që donte të bëhej polic për t’i mbrojtur të tjerët dhe jo për t’i vrarë e dëbuar, vëllain e tij Agonin e motrën e tyre Dardanen  që donin të bëheshin mjekë. Me 12 qershor 1999 në Pejë, në mbrëmje, gjersa ishin në gjumë, një breshëri plumbash automatikësh dhe granatash ua ndërpreu atyre ëndrrat e tyre përgjithmonë.  

Kujtojmë fëmijët e vrarë të familjes Berisha në Suharekë. Kujtojmë të gjitha ata fëmijë të rënë në çdo cep të Kosovës.  

Kujtojmë fëmijët e rënë të familjes legjendare Jashari. 

Kujtojmë po ashtu Anitën, Lirijen, Çlirimtarin, Arianitin e të gjithë fëmijët që iu ndërpre jeta në një mujorin e parë.

Kujtojmë fëmijët e vrarë në bodrumin e shtëpisë së familjes Vejsa në Gjakovë. 

Kujtojmë Dafinën , foshnjën 6 muajshe të cilën forcat serbe e ekzekutuan në kraharorin e nënës dhe ajo ishte e pagjetur deri para pak vitesh kur u rivarros nga prindërit dhe familja.  

Kujtojmë secilin fëmijë që u shndërrua në lule të lirisë.

Ta kujtojmë nënën shtatzënë Lirijen, e cila, e barti barrën e së ardhmes së Kosovës në trupin e saj dhe e skaliti të ardhmen e vendit me emrin e saj. Ajo nuk arriti t’i jepte jetë foshnjës së saj, sepse atë ua ndërpreu regjimi gjenocidal serb, por arriti t’i jepte jetë dhe kuptim shtetit të ardhshëm të fëmijëve të tjerë. 

Sot shkëputa vetëm disa emra e disa rrëfime nga mijëra e mijëra familje që kanë dhënë më të shtrenjtit e tyre, por le të sigurohemi së bashku që emrat, rrëfimet  dhe ëndrrat edhe të fëmijëve të tjerë të vrarë të dëgjohen e të tregohen, sepse është më e pakta që ua kemi borxh atyre.

Për ta jetësuar këtë kujtim, i propozoj Kuvendit të Kosovës që, me mirëkuptimin e deputetëve të Republikës dhe në përputhje me procedurat e përbashkëta që i kemi, njërën nga ulëset në qendër të sallës ta mbajmë të rezervuar si dedikim fëmijëve të pafajshëm të këtij vendi, të cilëve lufta ua këputi jetën ende pa e nisur mirë. Ndonjëri prej tyre sot do të mund të ishte deputet, sepse ishte në moshën e shume prej neve. Do të mund të ishte përfaqësuese e popullit në Kuvend. Prandaj, le t’ua kushtojnë atyre një ulëse dhe t’i vendosim ata në qendër të kësaj salle, sepse ata janë epiqendra e sakrificës së popullit tonë dhe t’i mbajnë në qendër të vëmendjes sot e përherë. Kjo ulëse do të ishte thirrje e përhershme dhe reflektim për të gjithë ata që flasin nga kjo foltre, sot e kurdo, që ta kthejnë vëmendjen kah ta, ta mbajmë të freskët kujtimin për ta, e të punojmë sa duhet e si duhet për gjeneratat e ardhshme.

Sivjet ne e festuam ditëlindjen e 12-të të republikës. Por, ndërsa po i numërojmë përvjetorët e lindjes dhe të rritës së saj, ora e këtyre 1133 fëmijëve të vrarë është ndalur. Distanca mes moshës së tyre e moshës së republikës po rritet, siç po rritet edhe zbrazëtia që kanë lënë ata në familjet e tyre dhe në gjithë vendin. Fytyrat e tyre janë thirrje e përhershme për ne. Fytyrat e tyre janë thirrje e përhershme për drejtësi. Ata do të na rrijnë përballë e do të na flasin çdo ditë. Së bashku me plagën e mbetur hapur: të pagjeturit.  

Të nderuar deputetë!

Historia nuk do të na falë nëse ne nuk bëjmë përpjekje të hapim një faqe apo kapitull të ri, pa e lexuar e rilexuar me kujdes faqen e së djeshmes dhe të sotmes dhe prej saj të nxjerrim mesazhet dhe qëndrimet e duhura për të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë.
Zoti i bekoftë familjet tuaja!
Zoti i bekoftë miqtë e Kosovës!
Zoti e bekoftë Republikën tonë!”. 

Në fund, deputetët ndoqën video-mesazhet nga katër personalitete te njohura ndërkombëtare: ish-senatori amerikan Bob Dole, ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s George Robertson, ish-kryeministri italian Massimo D’Alema dhe komandanti i KFOR-it, Michele Risi. 

Kryeparlamentarja Osmani tha se mesazhe urimi janë pranuar edhe nga personalitete të tjera të rëndësishme ndërkombëtare. 
 

NË SHENJË KUJTIMI PËR FËMIJËT E VRARË, NË OBORRIN E KUVENDIT MBILLEN 1133 LULE

Pas seancës solemne të Kuvendit, kryetarja dr. Vjosa Osmani dhe deputetë të tjerë, dolën në oborrin e Kuvendit, ku, në shenjë kujtimi për fëmijët e vrarë gjatë luftës së fundit, janë mbjellë 1133 lule.

Kryeparlamentarja Osmani tha se kujtimi për 1133 fëmijët e vrarë do të jetë i përhershëm.

“Në kujtim të 1133 fëmijëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë, luleve të bardha të Kosovës, që u këputën ende pa çelur mirë, me ëndrrën e fjetur mbi ballë, por që u shndërruan në lulen e lirisë së saj. Këtu i kemi 1133 lule që do t’i mbjellim bashkë me deputetët e pranishëm, në kujtim të përhershëm të secilit prej tyre”, theksoi kryeparlamentarja Osmani.  

Filed Under: Politike Tagged With: 12 qershori, Behlul Jashari, Dita e Paqes, Seance Solemne

Në Kosovë, 12 Qershori-Dita e Lirisë me NATO-n prirë nga Amerika

June 12, 2020 by dgreca

 -Para 21 viteve, në 12 Qershor 1999, raportoja drejtpërdrejë nga kolona e tankeve të para të NATO-s që hynin në Kosovë prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke filluar nga ora 05 e 17 minuta të përcjella nga helikopterët Apaçë/

– Në Kosovë liria po vinte më pak se tre muaj pas 24 Marsit 1999 të fillimit të ndërhyrjes së aviacionit të NATO-s me bombardimin e pozicioneve të forcave kriminale serbe të kasapit të Ballkanit, Milosheviç, i cili përfundoi në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë. Lufta e përfunduar kishte bilanc tragjik të masakrave, spastrimit etnik e gjenocidit kundër shqiptarëve: Mëse 12 mijë të vrarë, mbi 6 mijë të zhdukur,  shumë prej tyre të groposur në varreza masive, edhe të fshehura në Serbi, e afër një milion të dëbuar – shumica  drejt Shqipërisë…Kosovës i vinte era tokë e djegur, ua kishin vënë flakën mëse 400  fshatrave e qyteteve, 120 mijë shtëpive të shqiptarëve…/

 -Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova me Senatorin Amerikan Robert Dole – të Dërguarin e Posaçëm për Kosovën të Presidentit të SHBA Bill Clinton, takim në Shkup, derisa konferenca ndërkombëtare për Kosovën – Konferenca e Rambujesë, e nisur në 6 Shkurt 1999,  u ndërpre në 23 Shkurt pa rezultate përfundimtare, ndërsa vazhdimi i saj u thirr për datën 15 Mars në Paris.Vetëm pas më pak se tre javësh, në 24 Mars 1999 filloi fushata ajrore e NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe në Kosovë…/

-12 Qershor 2019: Kosova 20 vjet liri, Amerika  në festën e madhe – Clinton , Albright, Palmer,…

-Raportim imi i 14 Qershorit 1999: Ëdhe pas hyrjes së NATO-s në Prishtinë forcat e kamufluara serbe vazhdojnë pnaninë e plaçkitjet/

-Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në mesazhin e urimit në vitin 2002: Ditë të Lirisë së Kosovës – 12 Qershori/

Date:12 June 1999 Location: Kosovo Photographer:Kevin Capon HELI / ROAD Paratroops of the 1st Battalion The Parachute Regiment get into ÔChalksÕ as they prepare to embark on the Chinook Helicopters of 27 Sqadron RAF. The lift was on the road to Pristina and was reminiscent of the film ÔApocolyspe NowÕ; as the noise, dust and swirling air brought a surreal quality to the occaision. Crown Copyright G3 Media Ops HQ Land Command Wilton,Wilts SP2 OAG Tel No 01722 433315 Fax No 01722433677

-Sot-12 Qershor 2020,  u bën pesë vjet dhe nis viti i gjashtë i raportimeve të mia për Gazetën DIELLI, organ i Federatës Mbarë-Shqiptare të Amerikës VATRA. Me shumë respekt e vlerësim për gazetën më të  herëshme shqiptare… /

Date:12 June 1999 Location: Kosovo Photographer:Kevin Capon HELI LANDING 2 Paratroops of the 1st Battalion The Parachute Regiment take cover as the as they prepare to embark on the Puma Helicopters of 33 Sqadron RAF. The lift was on the road to Pristina and was reminiscent of the film ÔApocolyspeÕ as the noise, dust and swirling air brought a surreal quality to the occaision. Crown Copyright G3 Media Ops HQ Land Command Wilton,Wilts SP2 OAG Tel No 01722 433315 Fax No 01722433677

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 12 Qershor  2020/ Kosova sot shënon Ditën e Paqes e të Lirisë- 12 Qershorin edhe me një seancë solemne të Kuvendit të Republikës, në oborrin e të cilit mbillen 1133 lule në shenjë kujtimi për fëmijët e vrarë gjatë luftës së përfunduar para 21 viteve.

Kosovës para 21 viteve nisi t’i ndodhte liria dhe paqja: Ishte ora 05 e 17 minuta e mëngjesit në 12 Qershorin historik 1999, kur prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës tanket e para të NATO-s të përcjella nga helikopterët Apaçë nisën tëhynin në Kosovë, kalonin kufirin nga Maqedonia në Bllacë-Han të Elezit. Lajmin e madh për gjithë shqiptarët e botën e raportoja drejt Tiranës për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare dhe Radio Televizionin Shqiptar nga kolona e tankeve të para të focës më të madhe planetare, e cila të nesërmen merrte në kontroll edhe kryeqytetin, Prishtinën, ndërsa  duke kaluar kufirin nga Shqipëria nëpër Morin-Vërmicë shkonte edhe drejt Prizrenit…

Uturima e fortë e helikopterëve Apaçë dhe e kolonës së gjatë të tankeve të NATO-s, që hyri në Kosovë në mëngjesin e hersëm të 12 Qershorit 1999 nuk kishte kend ta zgjonte në qytezën kosovare Hani i Elezit, mu në pikën e kufirit me Maqedoninë. Forca më e madhe e botës, NATO, kalonte nëpër qytezën fantazmë, të mbetur pa banorët e dëbuar, të boshatisur nga jeta, të djegur e bërë shkrum nga gjenocidi e spastrimi etnik i forcave serbe.

Me përshkrimin e kësaj pamje të tmerrshme të Kosovës së mbetur pa njerëzit e saj, por edhe me gëzimin më të madh se në atë mëngjes plot shkërqim të diellit që po lindëte kishte ardhë ajo dita e ora e madhe e ëndërrave – Dita e Lirisë së Kosovës, po vazhdoja të japë me telefon raportin e nisur në orën 05 e 17 minuta, me kryelajmin më të madh në botë:  “Taknet e para të NATO-s hynë në Kosovë, në këtë orë të lume, në këtë mëngjes të 12 Qershorit 1999, në këtë ditë të madhe historike për Kosovën dhe të gjithë shqiptarët…”

Date:13June 1999 Location:Kosovo Photographer:Kevin Capon Garry OÕBrien-Kissing Fusilier Garry OÕBrien receives a bouquet of flowers and a kiss from a grateful Kosovar girl as he drove through a ransacked village. Garry who is 21 years of age and comes from Loch Lomond near Glasgow, is a Warrior Armoured Fighting Vechicle driver with the (Princess Margrets Own Glasgow and Ayreshire) Royal Highland Fusiliers and has only been in the Balkans for two weeks. He said ÒBefore we crosssed the border we were besiged with waving cheering refugees from the camps. They mobbed the vehicles and kept giving us fruit, flowers and packets of cereal. When we drove through Skopje there were thousands of people lining the street – it was like a cup final crowdÓ. Garry who was worried about what the bombing was doing to the Kosovars, before he came out said. ÒIt all seems worth while when you seee how happy the people are they are treating us a liberators and you can see why when you drive through the trashed villgesÓ. Crown Copyright G3 Media Ops HQ Land Command Wilton,Wilts SP2 OAG Tel No 01722 433315 Fax No 01722433677

Më shumë se lajm ishte një shpërthim ndjenjash, që në reportazhin e asaj dite mundohesha t’i tregojë edhe me këto fjalë: “Çlirimi i Kosovës nuk është ëndërr, është më shumë se gëzim, po ndodhë…”

Me një ndjenjë krenarie erdhën pastaj pëshëndetjet për NATO-n në Kosovë nga një grup i luftëtarëve të lirisë, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili doli të presë e përshëndes forcen aleate. Ishin me uniformat dhe simbolet e ushtrisë me shqipnjën dykrenare, e të pa armatosur.

Uniforma të tjera dhe ushtarë të tjerë nën armë, pjesëtarë të forcave serbe, u gjetën ca më vonë në një tunel, tek në ikje minonin për t’ia mbyllë rrugën NATO-s. Ata u çarmatosën dhe u detyruan vet t’i heqin minat, dhe marshi i NATO-s vazhdoi pas një ndalje e vonese te tuneli.

Një ndalje e gjatë e kolonës, më se katër orë, ishte te Ura e Kashanit mbi lumen Lepenc në Grykën e Kaçanikut. Njësitet britanike të xhenios, ushtarë nga Nepalit dhe Anglia , brenda asaj kohe zhvilluan operacionin për mënjanimin e rreziqeve të mundshme nga minat dhe për t’u siguruar se mbi urë do të mund të kalojnë tanket dhe makineritë e tjera të renda luftarake. Testimi i urës u bë edhe me zbarkimin mbi të të helikopterëve, fillimisht më të lehtë e në numër më të vogël, e pastaj githënjë e më të rëndë e në numër më të madh…

Kishte kaluar ora 15 e pasditës dhe ura po kalohej…

 Kishte edhe rreziqe e pengesa të tjera në terrene të luftës së sapopërfunduar. “Asnjë hap jashtë asfalti”, ishte urdhëri për gazetarët që ishin në kolonën e NATO-s. Mina të vendosura nga forcat serbe mund të kishte kudo.

Në Grykën e Kaçanikut forcat serbe kishin lënë prapa edhe shumë grafite në faqe shkëmbinjësh. Për grafitin serb “Kosova është zemra e Serbisë” si një antigrafit ishte komenti i  një gazetari: “E si mund të jetë zemra jashtë trupit?!”. “Serbia deri në Durrës” ishte një nga grafitet që shkonin në të pamundurën e edhe shumë më larg: “Serbia deri në Tokio”,  “Serbia deri në Sidnei”, që pretendonin se edhe Japonia dhe Australia qenkan Serbi. Gazetarët nga gjithë bota, me të cilët në kolonën e tankeve të para të NATO-s në Kosovë isha bashkë me korrespondentin nga Shkupi të gazetës shqiptare tradicionale Rilindja, Bedri Sadiku, ato grafite i shikonin si një çmenduri serbe dhe qeshnin, fotografonin, filmonin, raportonin…

Për të hyrë me NATO-n në Kosovë “të akredituar deri natën e 11/12 Qershorit,  diku pas mesnate,  ishin më shumë se 1500 gazetarë nga gjithë bota”, ka shkruar Bedriu në gazetën tradicionale të Kosovës, Rilindja.

Përtej grafiteve të përçudshme serbe, si një përgjigje dhe realitet se çka është Kosova u shfaq imazhi i Flamurit Kombëtar Shqiptar i ngritur si fluturim shqiponje dykrenare e si në majën më të lartë të festimeve në gjithë botën në qytetin e Kaçanikut, ku në 7 Shtator 1990 ishte shpallur Republika e Kosovës dhe miratuar Kushtetuta e saj në një mbledhje historike të Kuvendit, në kushte të rënda dhe plot rreziqe okupimi.

 Një pjesë e forcave të NATO-s u ndal në Kaçanik, ndërsa kolona vazhdoi rrugën drejt Fushës së Pajtimit dhe qytetit të Ferizajt, në orët e pasditës.

 Ora 16. Mbi qytetin e Ferizajt shiheshin re tymi. Për të pritur e përshendetur NATO-n me lulet që i vënin mbi tanke e shtronin rrugën, dhe me brohoritjet “NATO, NATO”, “Kosova, Kosova”, “NATO-Kosova e Lirë”, kishin dalë ata pak banorë shqiptarë që kishin mbetur në Ferizaj. Ata kishin dalë përkundër kërcënimeve e shumë rreziqeve se ende forcat serbe nuk kishin ikur. “Forcat serbe edhe sot po e djegin Ferizajn, duan ta djegin të tërin në largim e sipër”, tregonin banorët shqiptarë.

 Në një cep të rrugës ishin ndalur ushtarakë të NATO-s dhe fëmijëve u shpërndanin bombone (ëmbëlsira). Fëmijtë ishin tërë gëzim. Një vajzë 10-vjeçare, shumë smpatike, po shtrëngonte ëmbëlsirën në grusht te zemra dhe thërriste shumë e lumtur: “Do ta ruaj tërë jetën për kujtim”. Për ta ruajtur, veç një herë e afroi te buzët bombonin ajo vajzë që muaj të tërë as s’kishte parë ëmbëlsira e kishte vujtur edhe nga urie në mungesë të bukës. Vajza tregonte se quhet Shega Asllani dhe se është nxënëse shembullore e klasës së katër të tetëvjeçares. Një e afërm e saj, Bardha Asllani, me gazetarët spanjollë fliste spanisht, ndërsa për të shprehur falenderimin e madh të gjithë fëmijët përreth brohorisinin për Solanën, atëherë Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, për Presidentin Amerikan Clinton, Kryeministrin Britanik Bler…

Pas ndonjë ore edhe fushat rreth Lipjanit u mbushen tanke të NATO-s, të cilat para mbrëmjes arrijnë deri afër Prishtinës, por hyrja në kryeqytet mbetet për të nesërmen.

Me gazetarët që nuk u pritej u nisëm për në Prishtinë edhe pse rreeziku ishte i madh para se të hynin forcat e NATO-s.

Po kthehesha në Prishtinë, para mbrëmjes së 12 Qershorit, duke kujtuar edhe largimin drejt kufirit jugor të Kosovës pasi në mbrëmjen e 24 Marsit 1999  në kushte të pamundshme të ndërprerjes së linjave telefonike dhe dritave, me lidhje satelitore që e mundësoi vëllai Demë Jashari nga Zvicëra, nga banesa plot edhe me refugjatë në qytetin në luftë e në shtetrrethim, derisa shkallëve të ndërtesës në lagjen Ulpiana dëgjoheshin rrapllimat e zërat e forcave serbe, kisha raportuar  nga Prishtina në Tiranë për goditjet e para të aviacionit të NATO-s e të nesërmën në mëngjes për “qytetin fantazmë” e masakrat e reja të forcave serbe në shtëpitë e shqiptarëve gjatë natës…

Atë parambrëmje të 12 Qershorit 1999 në qendër të kryeqytetit, te Hotel Grandi, shihej se rreziku ishte edhe më i madh se që ishte paramenduar. Në të gjitha anët kishte të shtëna armësh. Kudo kishte policë, ushtarë, paramilitarë serbë, të gjithë të armatosur, shumë prej tyre edhe të dehur…

 Edhe në atë situatë, mes shumë rreziqesh, po bëja një raportim për gazetën Rilindja, e cila pas ndalimit nga forcat serbe në Kosovë vazhdonte të dalë në Zvicër, Shqipëri…Nuk dola fare nga automjeti që u ndal para hotelit, dolën vetëm gazetarët nga bota.

 Paramilitarët serbë i ndoqën gazetarët ende pa hyrë në hotel, dhe nëpër një rrëbesh shiu që largoi njerëzit nga rruga po largoheshim me shpejtësi me automjetin ku ishim…

Po ku të shkonim, ku ta kalonim natën, kur ende nuk mund të shkoja në banesën time ku kishin hyrë forcat serbe…

Shkojmë drejt adresës së telefonatës së 6 Majit 1999 nga Prishtina, që u bë lajm…“Ai lajm na dha shpresë shpëtimi”, u shprehën me falënderim të ngujuarit atje, që na dhanë çelësin e një banese të boshatisur.

Në lajmin e 6 Majit 1999, natyrisht, në rrethanat që ndodheshin të ngujuarit në Prishtinë, mes forcave kriminale, nuk përmenda burimin, telefonatën nga posta e re e Prishtinës që ishte bërë mes rreziqesh, po duke iu referuar “burimeve” tregova çka po ndodhëte, që “bota ta marrë vesh”.

“Shqiptarët në Prishtinë – mburojë e gjallë”, ishte titulli i lajmit që kisha raportuar nga Kufiri jugor i Kosovës në 6 Maj 1999, ku theksoja: “Shumë banorë të Prishtinës po mbahen peng dhe
po përdoren nga serbët si mburojë e gjallë. Ata janë detyruar të qëndrojnë në shtëpitë dhe banesat pranë vendeve ku janë fshehur
armë dhe mjete të mekanizuara ushtarake si dhe nëper objekte që
mund të bombardohen nga NATO-ja”…

Në kryeqytetin e Kosovës edhe gjatë gjithë natës së 12-13 Qershorit 1999 breshëritë e armëve serbe vazhdonin dhe plumbat qorr binin mbi kulmin e shtëpisë së boshatisur, ku u strehuam. Nata e fundit e forcave serbe në Prishtinë ishte plot tmerre dhe ankthe, kishte shqiptarë të vranë në shtëpitë e tyre, edhe shumë djegie e plaçkitje.

Në mëngjesin e 13 Qershorit 1999 qielli mbi Prishtinë mbulohej nga helikopterët e NATO-s, ndërsa kolona e tankeve dhe makinerive tjera ushtarake shihej tek zbriste nga kodrina e Veternikut dhe mbushte sheshet dhe rrugët e Prishtinës. “NATO po e merr kontrollin në Prishtinë dhe po detyron forcat serbe të largohen…” Lajmi që po raportoja për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisëpo shkonte nga Prishtina në Tiranë me telefonin me lidhje zvicerane satelitore, sepse lidhjet tjera telefonike ishin të pamundura. Në Prishtinën e shkatërruar ndihej erë shkrumi e shtëpive e obekteve tjera të djegura. Ishin djegur edhe selia e Zyrës së SHBA-ve në Prishtinë dhe selia e Presidencës së Kosovës. Dyqanet dhe klubet të gjitha ishin të mbyllura dhe të plaçkitura. Hotel Grandi ishte i hapur, por ende jo për shqiptarët. Thuhej se bodrumet e hotelit ishin shndërruar në qendër turturash për shqiparët e rrëmbyer e të arrestuar nga forcat serbe.

Vetëm edhe një lokal-klub tjetër i vogël përball hotelit ishte i hapur. Ai ishte i mbushur plot me njerëzit që pinin kafenë e parë në Prishtinën e lirë. Në Kosovë, edhe në Prishtinë, ku po ndodhte liria…

Pas një nate që e përshkruaja “plot rreziqe dhe e tensionuar, me të shtëna të shumta armësh të serbëve dhe me provokacione kundër shqiptarëve dhe forcave paqësore”,  vazhdoja raportimet nga Prishtina: “Kosova qysh dje dhe sot është e lirë në shumë pjesë të saj. Kurrë nuk janë parë njerëz më të gëzuar se dje e sot me hyrjen triumfale të forcave të NATO-s në Kosovë dhe kryeqytetin e saj, Prishtinë. Në Prishtinë qysh sot, NATO po vendos kontrolle…”

Pasditen e 13 Qershorit 1999, bashkë me korrespondentin e Zërit të Amerikës,  Isak Ramadani, e gazetarin tjetër nga Shkupi, Arben Ratkoceri, që erdhën në Prishtinë duke sjellë edhe numrin special të gazetës tradicionale kosovare Rilindja të botuar atje me raportimet për ngjarjen historike të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë,  kalova edhe një herë rrugën nga kishin hyrë forcat e para të NATO-s një ditë më parë. Edhe Rilindja në ballinë kishte te kryetitulli orën që kisha raportuar: “Dje në orën 5.17 – Trupat e NATO-s hynë në Kosovë”.

Edhe editoriali “Normandizimi i Kosovës dhe kapitullimi serb”, shkruar nga Blerim Reka, ishte i botuar në faqen e parë të gazetës Rilindja, me foto nga ngjarja historike e ndërhyrjes shpëtimtare të NATO-s, e ku shkruhej edhe: “Qeveria e përkohshme e Kosovës punon për kthimin e popullsisë.-Kryeministri Hashim Thaçi vizitoi Austrinë”.  

Dhe, vazhdoja raportimin: “Sot duket krejt e çliruar pjesa e Kosovës nga kufiri me Maqedoninë, përgjatë rrugës që të çon në Han të Elezit, Kaçanik, Ferizaj, Lipjan e deri në kryeqytet. Në Kaçanik, Han të Elezit dhe në lokalite të tjera takuam dhe ushtarë të UÇK-së që kthenin jetën dhe rregullin.
Flamuri shqiptar – flamuri i lirisë valonte në kulmin e ndërtesës 12-katëshe në qendër të qytetit të Kaçanikut, mbi kulmin e shkollës tetëvjeçare ‘Jusuf Gërvalla’ në fshatin Nikaj dhe lokalitete të tjera.

Në vendkalimin kufitar në Bllacë ndërmjet Kosovës dhe Maqednisë sot nuk ka më flamuj serbë, të cilët janë hequr. Në kufi figurojnë marinsat amerikanë”.

Në qytetin e Kaçanikut, në jug të Kosovës, ushtarët e Ushtirisë Çlirimtare të Kosovës ishin vendosur në ndërtesën e Stacionit të Policisë, prej nga kishin ikur forcat serbe…

Kështu ishte 21 vite më parë…

 Në Kosovë liria po vinte më pak se tre muaj pas 24 Marsit 1999 të fillimit të ndërhyrjes së aviacionit të NATO-s me bombardimin e pozicioneve të forcave kriminale serbe të kasapit të Ballkanit, Milosheviç, i cili përfundoi në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë.

Lufta e përfunduar kishte bilanc tragjik të masakrave, spastrimit etnik e gjenocidit kundër shqiptarëve: Mëse 12 mijë të vrarë, mbi 6 mijë të zhdukur,  shumë prej tyre të groposur në varreza masive, edhe të fshehura në Serbi, e afër një milion të dëbuar – shumica  drejt Shqipërisë…

Kosovës i vinte era tokë e djegur, ua kishin vënë flakën mëse 400  fshatrave e qyteteve, 120 mijë shtëpive të shqiptarëve…

Lufta përfundoi me Marrëveshjen e Kumanovës, ndërmjet NATO-s dhe RFJ-së, që u nënshkrua në 9 Qershor e  hyri në fuqi në 11 Qershor 1999.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s në atë kohë, Havijer Solana, në 10 Qershor 1999 kishte lëshuar urdhrin për ndalimin e bombardimit dhe Këshilli i Sigurisë së OKB-së miratoi Rezolutën 1244, sipas të cilës në Kosovë u dërguan 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete.

Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it amerikan, anglez, francez, gjerman dhe italian. Michael Jackson, gjeneral britanik, ishte komandanti i parë i forcës paqëruajtëse të NATO-s në Kosovë – KFOR.

Ligji për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, i miratuar në Kuvend në 21 Maj 2008, i shpallur me Dekretin e Presidentit të Republikës të 15 Qershorit 2008, përcakton 12 Qershorin – Ditë të Paqes.

Dekretimi i  këtij ligji si dhe i 40 ligjeve tjera të  dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet e ditës së 15 Qershorit 2008 të hyrjes në fuqi të Kushtetutës, e cila është miratuar nga Kuvendi  poashtu para 12 vitesh në 9 Prill, më pak se dy maj pas 17 Shkurtit historik të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, të njohur deri tani nga 116 shtete të botës anëtare të OKB-së…

12 QERSHOR 2019: KOSOVA 20 VJET LIRI, NË FESTËN E MADHE AMERIKA -CLINTON , ALBRIGHT, PALMER…

 Në12 Qershor 2019 kam raportuar për Gazetën DIELLI, mes tjerash: Festë të madhe sot ka Kosova për 20 vjetorin e lirisë, është festë e gjithë shqiptarëve, urime e përgëzime vijnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të tjera të botës së lirë e demokratike. Presidenti Amerikan Bill Clinton dhe Sekretarja Amerikane e Shtetit, Madeline Albright, nga koha e luftës dhe e fitores së paqes e lirisë në Kosovë, si dhe zëvendës-ndihmës sekretari i Shtetit Amerikan, Matthew Palmer, ishin sot dhe mbajtën fjalime në Tubimin Qendror për Shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë në Sheshin “Skëndërbeu” në Prishtinë. Mes shumë pjesëmarrësve ishe edhe ish-komandanti i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, gjenerali Wesley Clark, i cili ka drejtuar ndërhyrjen shpëtimtare-humanitare në kohën e luftës në Kosovë. Në festimin madhështor ishin drejtuesit më të lartë të shtetit të Kosovës, të Shqipërisë dhe përfaqësuesit e shqiptarëve nga të gjitha trojet etnike dhe diaspora.

Më Prishtinë sot bëhet edhe përurimi i Bustit të Sekretares Amerikane të Shtetit, Madeline Albright në sheshin me emrin e saj, afër American School of Kosova – te Newborn.

Pjesë e festës, mbrëmjen e djeshme u mbajt koncerti i Filarmonisë së Kosovës, në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë.

Kosova po feston jubileun e 20 vjetorit të lirisë, përgjithmonë mirënjohëse dhe falënderuese për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gjithë botën demokratike.

CLINTON-RUGOVA-DOLE, PARALAJMËRIM LIRIE PARA 21 VITEVE

PARA 21 VITEVE, NË 5 MARS 1999, një takim i Presidentit historik të Kosovës Ibrahim Rugova me Senatorin Amerikan Robert Dole – të Dërguarin e Posaçëm për Kosovën të Presidentit të SHBA Bill Clinton, ishte edhe një paralajmërim lirie. Takimi shumë i rëndësishëm u mbajt në Shkup, pasi regjimi kriminal okupator serb e kishte pamundësuar në Prishtinë.

Ishte koha kur konferenca ndërkombëtare për Kosovën – Konferenca e Rambujesë, e nisur në 6 Shkurt 1999,  u ndërpre në 23 Shkurt pa rezultate përfundimtare, ndërsa vazhdimi i saj u thirr për datën 15 Mars në Paris.

Presidenti historik, Dr. Ibrahim Rugova,  në Prishtinë i kthyer nga Rambujeja e para nisjes përsëri për atje drejt Parasit në një konferencë shtypi në 5 Mars paralajmëronte nënshkrimin  para 15 Marsit 1999 të Marrëveshjes së Rambujesë, për të cilën një ditë më vonë dha miratimin edhe Kuvendi Republikës së Kosovës së Deklaratës së 2 Korrikut e Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990, si dhe Referendumit të 26 deri  30 Shtatorit 1991 me votim 99,87 për qind për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur. Në konferencën për shtyp ku ishte edhe korrespondenti tash i Gazetës DIELLI, Presidenti Rugova paralajmëronte edhe vendosjen e NATO-s në Kosovë…

Dhe, vetëm pas më pak se tre javësh, në 24 Mars 1999 filloi fushata ajrore e NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe në Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi, pas së cilës nga mëngjesi i  Ditës së Lirisë -12 Qershorit 1999 forcat paqeruajtëse e shpëtimtare të NATO-s nisën të hynin në Kosovë,  në vendin që në 2020-tën feston 21 vjetorin e lirisë e 12 vjetorin e pavarësisë së shpallur në 17 Shkurtin historik 2008.

Ashtu si paralajmëronte Presidenti Rugova, në mes të marsit përfaqësuesit e Kosovës nënshkruan Marrëveshjen e Rambujesë/Parisit për Kosovën, ndërsa Beogradi – pala serbe refuzoi ta nënshkruajë. Ishte hapur rruga për ndërhyrjen ushtarake për Kosovën të NATO-s, forcës më të madhe planetare, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

 Në 29 Maj 1998, Presidenti Rugova në Uashington ishte takuar me Presidentin Amerikan Bill Clinton. “Ne ritheksuam se zgjidhja më e mirë për Kosovën do të ishte shteti i pavarur”, deklaronte Presidenti Rugova pas takimit. Ndërsa, Presidenti Clinton tha se Kosova është një nga shqetësimet amerikane dhe se SHBA-të do të intensifikojnë angazhimin për zgjidhjen e çështjes së Kosovës në kuadër të Grupit të Kontaktit dhe të NATO-s…

Në mbrëmjen e 24 Marsit 1999, kur ndodhi ndërhyrja shpëtimtare e NATO-s me bombardimin e caqeve të forcave kriminale serbe, në terrin e natës dhe të okupimit të egër, drita e shpërthimeve të goditjeve nga qielli të aviacionit të forcës më të madhe planetare shihej si një shpresë e besim për të ardhmen e ëndërrave për lirinë e paqen derisa në Kosovë kishte marrë përmasa gjenocidi terrori i spastrimit etnik kundër shqiptarëve.

“Tani, bindja jonë e fortë për gjithçka që po ndodhë në Kosovë është e vetmja shpresë e popullit të Kosovës”, theksone në atë ditë e orë historike, Presidenti i SHBA-ve, Bill Clinton,  derisa nga Shtëpia e Bardhë  i drejtohej kombit amerikan, duke folur për zhvillimet tragjike në Kosovë dhe ndërhyrjen shpëtimtare të  NATO-s…

 Njëmbëdhjet vite pas takimit në Uashington, në 1 Nëntor 2009 në Kosovën e lire Presidenti Amerikan Bill Clinton, në fjalën e tij në Kuvendin e Republikës kosovare, por edhe në sheshin me emrin e shtatoren e tij në Prishtinë, ka përkujtuar Presidentin historik Ibrahim Rugova dhe një gurë kristali të cilin ai ia kishte dhuruar. 
“Ai gurë kristal të cilin ma dha Rugova i është dhuruar një universiteti, por për një kohë ai ishte i njohur edhe në SHBA me emrin ‘Guri i Rugovës’”, tha Presidenti amerikan Clinton. 
“Atëherë, ai (Rugova), më tha se duhet të na ndihmosh”,  ka përkujtuar ish-Presidenti i SHBA-ve, Clinton gjatë vizitës në Kosovë.

Presidenti amerikan Clinton me rastin e shuarjes në 21 Janar 2006 të Presidentit kosovar Rugova shprehej: “Kam pasur nderin ta mbështes luftën e tij për paqe dhe liri”…

RAPORTIM I 14 QERSHORIT 1999:

EDHE PAS HYRJES SË NATO-S NË PRISHTINË FORCAT E KAMUFLUARA SERBE VAZHDOJNË PNANINË E PLAÇKITJET

PRISHTINË, 14 QERSHOR 1999/- Edhe pas hyrjes së NATO-s në Prishtinë forca të kamufluara serbe vazhdojnë praninë dhe plaçkitjet.

Rrugëve të kryeqytetit të Kosovës edhe sot janë parë shumë njerëz të sigurimit shtetëror, të policisë sekrete, të forcave special policore, ushtarake e paraushtarake serbe të kamufluarame vëshje civile. Këto forca sërbe, siç bëhet e ditur nga shumë burime, kanë fshehur armatime nëpër shtëpia, bunkere, kisha, etj, si dhe nëpër makina me regjistrime civile, të cilatlëvizin rrugëve.

Shumë policë, ushtarakë e paraushtarakë serbë janë edhe në kolonat që inskenojnë ikjen serbe nga Kosova, në të cilët kamionët, traktorët e autoveturat janë të mbushura me plaçkitjet e mëdha që iu bënë pasurive e pronave të shqiptarëve.

Edhe gjatë natës së kaluar bandat serbe hynë nëpër shtëpitë e shqiptarëe për të plaçkitur e vodhën edhe shumë vetura nëpër rrugë e parkingje.  Ka pasur edhe shëkëmbime zjarri ndërmjet vetë serbëve që grindeshin rreth ndarjes së plaçkes. (Behlul Jashari)

VITI 2002-MESAZHI I PRESIDENTIT RUGOVA: 12 QERSHORI ËSHTË NJË NGA DITËT MË TË MËDHA NË HISTORINË E KOSOVËS

Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në mesazhin e urimit në vitin 2002 bënte të ditur se kishte vendosur të kërkoj nga Kuvendi i Kosovës që ditën e 12 Qershorit ta shpallë Ditë të Lirisë së Kosovës, që do të festohet në të gjithë vendin:

Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, me rastin e 12 Qershorit – Ditës së hyrjes së trupave të NATO-s që vlerësohet si ditë e çlirimit të Kosovës, u ka drejtuar sot një mesazh qytetarëve të Kosovës. Në këtë mesazh thuhet:



– Qyetarë të nderuar të Kosovës,


Me rastin e 12 Qershorit – Ditës së hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, që është Ditë e lirisë së Kosovës, ju shpreh urimet e mia të përzemërta.

Dita e 12 Qershorit është një nga ditët më të mëdha në historinë e Kosovës – të Dardanisë antike.

Sot, pas tri vjetësh, do pranuar se Kosova e lirë ka pasur një progres të madh në të gjitha segmentet e jetës, falë miqve tanë dhe popullit të gjallë e dinamik të Kosovës.


Prandaj, njohja formale e Pavarësisë së Kosovës shtrohet si detyrë e drejtpërdrejtë në të cilën po punojmë intensivisht.


Me këtë rast urime të ngrohta u shprehim ushtarëve dhe Komandantit të KFOR-it, gjeneralit Valenten.
Poashtu, urime të përzemërta i shprehim kryeadministratorit të Kosovës, zotit Mihael Steiner dhe OSBE-së.


Urime të sinqerta u shprehim përfaqësuesve diplomatikë në kryeqytetin e Kosovës në Prishtinë.


Në këtë ditë gëzimi të lirisë së Kosovës përshëndesim presidentin Bush, kryeministrin Bler, presidentin Shirak, kancelarin Shrëder dhe kryeministrin Berluskoni.


Përshëndetje të madhe i dërgojmë Papa Gjon Pali II për kujdesin e tij për Kosovën.


Zonja dhe zotërinj,


Dëshiroj t’ju njoftoj se sot kam vendosur të kërkoj nga Kuvendi i Kosovës që ditën e 12 Qershorit ta shpallë Ditë të Lirisë së Kosovës, që do të festohet në të gjithë vendin.


Gëzuar Dita e Lirisë.


Zoti e bekoftë Kosovën.

SOT-12 QERSHOR 2020, 5 VJET RAPORTIMI PËR GAZETËN DIELLI

PRISHTINË, 12 Qershor 2020/ Sot u bën pesë vjet dhe nis viti i gjashtë i raportimeve që bëj si korrespondent nga Kosova i Gazetës DIELLI që e njoha nga historia e kombit dhe shtypit shqiptar. E që edhe shumë vite para 12 Qershorit 2015 botonte shkrimet e mia që i merrte nga Agjencia Shtetërore-Zyrtare e Lajmeve e Shqipërisë e në shtypin shqiptar.

Raportimet për DIELLIN i nisa pikërisht në Ditën e Lirisë, në përvjetorin e 16-të të hyrjes së NATO-s në Kosovë, me një reportazh për ngjarjen historike, ku në 12 Qershor 1999 isha gazetar i akredituar në kolonën e tankeve të para të forcës më të madhe planetare që kishte nisur misionin shpëtimtar e paqerujtës…

Me shumë respekt e vlerësim për gazetën më të  herëshme shqiptare, DIELLI, që në 15 Shkurt 2020 festoi 111 vjetorin, e themeluar nga personalitetet e mëdha të kombit Fan Noli e Faik Konica, organ i Federatës Mbarë-Shqiptare të Amerikës VATRA, për të gjithë shqiptarët në SHBA që aq shumë kontribuan për Shqipërinë, Kosovën dhe të gjitha trojet tjera etnike. Falënderime e mirënjohje të përgjithëmonëshme…

Me shumë respekt,

Behlul Jashari

Filed Under: Featured Tagged With: 12 QERSHOR, Behlul Jashari, Dita e Lirise, Kosove

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • 34
  • …
  • 245
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NGA NJË KOLONI DE FACTO NË NJË KOLONI DE JURE
  • ADEM DEMAÇI, JO THJESHT FIGURË E REZISTENCËS, POR KATEGORI KONCEPTUALE E SHTETFORMIMIT
  • Roli i gazetës “Arnavud/Shqipëtari” në formimin e vetëdijes kombëtare te shqiptarët përballë politikave turqizuese të xhonturqve
  • Si investonte Serbia në thellimin e përçarjeve ndërmjet udhëheqësve shqiptarë dhe në shkëputjen e tyre nga ndikimi austro-hungarez
  • Marrëdhëniet e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut me Republikën e Venedikut sipas dokumenteve të Arkivit Apostolik të Vatikanit, Arkivit të Shtetit të Venedikut dhe burimeve historike botërore
  • “U SHKEPUT NJE METEOR POR ZJARRI MBETET ZJARR…!”
  • Përurim i “American Dream” në Vatër
  • Një vit që ka filluar mbarë për Vatrën në Chicago
  • Kategorizimi i qyteteve shqiptare sipas Sami Frashërit në vitin 1890
  • Abas Kupi, historia, e vërteta dhe dashuria për atdheun…
  • Kur karakteri tejkalon pushtetin
  • ABAZ KUPI DHE LUFTA ANTIFASHISTE NË SHQIPËRI
  • Fortesa Latifi: “It can be difficult to grow up when you’re constantly faced with a younger version of yourself”
  • ABAZ KUPI, I HARRUAR DHE I KEQTRAJTUAR NGA HISTORIA ZYRTARE
  • VATRA DHE FAMILJA KUPI ORGANIZUAN SIMPOZIUM SHKENCOR ME RASTIN E 50 VJETORIT TË KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT TË SHQUAR ABAS KUPI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT