• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOSOVA FESTON DITËN E PAVARËSISË, 11 VJET SHTET

February 17, 2019 by dgreca

2 Pavaresia
-Ngjarjet më të rëndëishme nëpër vitet e Kosovës shtet i pavarur/
1 Udheheqja lule
-Njohjet e para Kosovës shtet iu bënë në orët e para – ditën e parë pas shpalljes së pavarësisë, nga Mbretëria e Bashkuar, Franca, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqia, Shqipëria, Afganistani dhe Kostarika/
1 Kur u shpall Pava-Njohja e Kosovës shtet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës iu bë në orët e para – ditën e parë pas shpalljes së pavarësisë, kur e njohu edhe Shqipëria…/
Newborne
SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

 PRISHTINË, 17 Shkurt 2019/  Ditë e diel dhe festë është përsëri 17 Shkurti 2019 i 11 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, si 17 Shkurti hitrorik 2008 i shpalljes së shtetit të ri,   pas Ditës së lirisë – 12 Qershorit 1999, kur nisën të hyjnë forcat paqeruajtëse shpëtimtare të NATO-s pasuar me vendosjen e Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara.

 “Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran”, theksonte Deklarata e Pavarësisë, e cila hartës së botës ia shtoi një shtet, e lexuar nga atëherë kryeministri Hashim Thaçi, tash president i Republikës, të dielën e 17 Shkurtit të para 11 viteve, në Kuvendin e Kosovës në mbledhjen e jashtëzakonshme solemne, të nisur në orën 15:00.

Pak para kësaj ore, para se 109 deputetë të pranishëm në Kuvend të votonin në unanimitet shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, presidenti i atëhershëm Fatmir Sejdiu në zyrën e tij, në afmosferë feste e përzemërsie, në intervistën ekskluzive për Agjencinë Telegrafike Shqiptare deklaronte se “ne nuk kemi frikë nga e ardhmja” dhe se “nga kjo ditë do të jetë një Kosovë e bekuar”.

17 Shkurti 2008 i Pavarësisë së Kosovës, dita më e madhe shqiptare pas 28 Nëntorit 1912 të Pavarësisë së Shqipërisë, e vlerësuar kështu në faqen e parë të botimit të jashtëzakonshëm festiv të gazetës historike Rilindja, në festën e madhe të gjithë shqiptarëve u përmbyll me fishekzjarret më të shumta e më të shkëlqyera që janë parë ndonjëherë mbi Prishtinë, kryeqytetin e shtetit të ri evropian, të saposhpallur.

Kosova deri tani është njohur nga 116 shtete, ndërsa njohjet e para iu bënë në orët e para – ditën e parë pas shpalljes së pavarësisë, nga Mbretëria e Bashkuar, Franca, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqia, Shqipëria, Afganistani dhe Kostarika.

Dy ditë para se të mbusheshin katër muaj pas 17 Shkurtit të shpalljes së Pavarësisë, në 15 Qershor 2008 hyri në fuqi Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e cila ishte miratuar në Kuvend në 9 Prill, dhe që në nenin 1 përcaktonte se,“Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”.

Flamuri shtetëror i Kosovës ishte shpalosur që në ditën e shpalljes së Pavarësisë në seancën solemne të Kuvendit, i cili në një seancë të veçantë në 11 Qershor 2008 miratoi edhe Himnin Shtetëror.

Gjatë 11 viteve, Republika e Kosova ka vendosur marrëdhënie diplomatike me mëse 90 shtete, është anëtarësuar në më shumë se 60 organizata rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare, ka hapur mëse 40 misione diplomatike dhe poste konsullore dhe ka të akredituar ambasadorë jo-rezidentë në rreth 60 shtete.

Në këto 11 vite të pavarësisë Kosova ka mbajtur edhe gjashtë palë zgjedhje të lira e demokratike, tre parlamentare dhe tre lokale.

Ndërsa, vitet më të rëndësishme e më të suksesshme të Kosovës pas shpalljes së pavarësisë ishin 2010-ta, 2012-ta, së bashku 2015-ta e 2016-ta dhe 2018-ta.

Në vitin 2010 ishin dy ngjarje shumë të rëndësishme drejt njohjes së plotë ndërkombëtare të shtetit më të ri evropian: Legjitimimi i pavarësisë së Kosovës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në 22 Korrik dhe Rezoluta e 9 Shtatorit e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e cila me respekt e merr në konsideratë opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Kuvendi i Republikës së Kosovës në seancën e veçantë të datës 23 Korrik 2010 ka miratuar solemnisht një deklaratë ku shprehte kënaqësinë dhe aprovimin për opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për legalitetin ndërkombëtar të shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe zotohej për respektimin e tij. Në 2018-tën Kosova u bë me ushtri dhe kjo ishte edhe ngjarje viti dhe shumë e rëndëishme e shtetit të pavarur gjatë 11 viteve. Pakoja e tre projektligjeve për Forcën e Sigurisë së Kosovës  Ushtri është miratuar me unanimitet në shqyrtim të dytë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës 120 anëtarsh me 107 deputetë në sallë në seancën e 14 Dhjetorit 2018.  Në 28 Dhjetor 2018 Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka dekretuar tre ligjet që e ndryshojnë mandatin dhe misionin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“ I falënderoj mbështetësit ndërkombëtarë, SHBA-në dhe të gjitha shtetet e tjera aleate në këtë ditë të rëndësishme të zyrtarizimit të Ushtrisë së Kosovës”, është shprehur me këtë rast Presidenti Thaçi.

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në 17 shkurt 2008, Forca e Sigurisë së Kosovës është aktivizuar nga janari 2009, kur u deaktivizuan Trupat Mbrojtëse të Kosovës, të cilat lindën nga transformimi i  Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe lujtën rolin e tyre shumë të rëndësishëm në nëntë vitet e pas luftës së përfunduar në qershorin 1999.

Parakalimi, nga ora 13:00 deri 14:00, në sheshet kryesore të Prishtinës  i Trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës, për herë të parë si ushtri, është një nga aktivitetet e festës ditën e sotme, të nisura me mbledhjen festive të Qeverisë në orën 08:30 e me ngritjen solemne të Flamurit të Republikës së Kosovës në orën 08:45, ndërsa seanca solemne e Kuvendit të Republikës së Kosovës mbahet nga ora 12:20  deri 13:00, sipas axhendës shtetërore, ku janë paraparë edhe veprimtari të tjera.

PRESIDENTI THAÇI: SHPALLJA E PAVARËSISË SË KOSOVËS, AKTI HISTORIK MË SUBLIM

PRISHTINË, 17 Shkurt  2019-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dejklaroi sot se shpallja e Pavarësisë së Kosovës para njëmbëdhjetë vjetëve ishte akti historik më sublim që institucionalizoi përpjekjet tona për liri.Për këtë të arritur të gjithë qytetarët tanë janë meritorë.
“I falënderojmë të gjithë miqtë tanë, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që kontribuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. U jemi mirënjohës përjetë!”, shprehet Presidenti Thaçi.

KOSOVË-HARADINAJ: PAVARËSIA JETON NË NE

PRISHTINË, 17 Shkurt 2019-Gazeta DIELLI/ Qeveria e Kosovës ka nisur aktivitetet në shënim të përvjetorit të njëmbëdhjetë të Pavarësisë së Kosovës me mbledhjen e saj solemne të drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj.

“Pavarësia jeton në ne dhe me neve dhe për Pavarësinë të gjithë kemi rrëfimin tonë”, tha ai duke shprehur konsideratën dhe vlerësimin më të lartë për përvjetorin e shënimit të ngjarjes më të madhe të Kosovës dhe popullit të saj.

 “Në këtë ditë do të shprehim gjithë falënderimin tonë për të rënët për liri, për miqtë dhe të gjithë ata që ndihmuan rrugëtimin e Kosovës drejt realizimit të aspiratave për liri dhe pavarësi. Me kujdesin më të madh jemi përballur me të gjitha temat që i kanë dalë para Kosovës, para Qeverisë, dhe njëkohësisht me respektin më të madh për interesin e qytetarëve të vendit.  Ka shumë vendime, shumë ligje, reforma, vendime të mëdha sikurse ishte ushtria, vendimet që lidhen me Trepçën, me resurset tjera ekonomike”, tha kryeministri Haradinaj në fjalën e tij para kabinetit qeveritar.

Duke folur për fillimin e dekadës së dytë të Pavarësisë së Kosovës, kryeministri Haradinaj shtoi se janë edhe më të vendosur që të ecin rrugës së konsolidimit të shtetit dhe stabilitetit të tij dhe se synojnë që në këtë vit vendimtar ta përmbyllin edhe dialogun me Serbinë, me njohjen reciproke të vendeve tona, dhe të vazhdojnë në procesin e rrugëtimit drejt anëtarësimit në NATO dhe Bashkim Evropian.

“Gjatë rrugëtimin tonë kemi hasur në sfida, jemi në sfida, do të sfidohemi në të ardhmen, por  bindja ime është që Kosova nuk e ka luksin të bëjë hapa prapa, por vetëm hapa para dhe këtë do t’ua kërkojmë dhe do t’ua shpjegojmë miqve tanë se hapat prapa e dobësojnë Kosovën,  e dobësojnë besimin e qytetarëve në shtetin e tyre”, tha kryeministri Haradinaj.

Në fund të fjalës së tij, kryeministri Ramush Haradinaj ka uruar të gjithë qytetarët e vendit për përvjetorin e njëmbëdhjetë të shpalljes së Pavarësisë. Gjithashtu, urimin e tij kryeministri e ka drejtuar edhe për të gjithë miqtë dhe aleatët e Kosovës, të prirë nga SHBA-ja, me shprehje të falënderimit dhe përkushtimit për të vazhduar rrugëtimin drejt progresit, lirisë, dhe mirëqenies së qytetarëve.

Pas mbledhjes, kabineti qeveritar ka vazhduar me aktivitetet e shënimit të përvjetorit të Pavarësisë, fillimisht me ngritjen e flamurit shtetëror në oborrin e Qeverisë, me nderimet të shtatorja e Presidentit historik Ibrahim Rugova dhe me nderimin te pllaka përkujtimore për të zhdukurit.

Kryeministri Ramush Haradinaj, i shoqëruar nga kabineti qeveritar ka vizituar kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz dhe ka bërë nderime të varrezat e të rënëve, duke rikujtuar se sakrifica dhe lufta e shenjtë e UÇK-së ishin themeli i Pavarësisë dhe lirisë së Kosovës.

VESELI: KOSOVA ËSHTË E BEKUAR NGA ZOTI DHE MIQTË E SAJ

 

PRISHTINË, 17 Shkurt 2019-Gazeta DIELLI/ Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në fjalimin e tij në seancën solemne për shënimin e 11 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, tha se shteti i Kosovës është histori e suksesit por edhe e sfidave.

Ai tha se të gjithë përfaqësuesit e institucioneve, kanë për detyrë ta ruajnë Republikën e Kosovës dhe ta bëjmë vend të begatë për qytetarët,  për të rinjtë, për punëtorët, minatorët, mjekët, arsimtarët, policët, ushtarët, shërbyesit civilë, për secilin që e ndjen Kosovën atdheun e tij.

 

“Në besimet fetare, thuhet se njeriu është i bekuar kur ka Zotin në anën e tij. Ndërkaq, në politikën globale, i bekuar është ai shtet që ka botën perëndimore në anën e tij, në veçanti Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E tillë është Kosova, vend i bekuar nga Zoti dhe miqtë”, tha ndër të tjera Kryeparlamentari Veseli.

  

Fjalimi i plotë i Kryeparlamentarit Kadri Veseli:

 

Të nderuar të pranishëm

Qytetarë të dashur

Sot është dita më e veçantë për popullin tonë. Është ditëlindja e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës.

Ne, që sot jemi në këtë sallë, përfaqësojmë brezin më fatlum të historisë sonë mbi 100 vjeçare.

Ne njohëm e përjetuam dhimbjet e vuajtjet e paraardhëseve tanë.

Por, për dallim nga ta, ne ia dolëm ta bëjmë realitet ëndrrën e tyre më të madhe: lirinë e Kosovës.

Secili prej nesh, kush më shumë e kush më pak, kemi pasur fëmijëri të vështirë, duke ballafaquar ëndrrat për të ardhmen me traumat e robërisë në të cilën u rritëm.

Edhe shtetet, në kush e di sa raste që na i tregon historia, kalojnë nëpër traumat e rritjes së vështirë.

Rritja e tyre është e mbushur me sfida dhe dyshime, por edhe me ëndrra dhe shpresa të mëdha.

As shteti ynë nuk bën përjashtim prej këtyre rasteve.

11 vjet të shtetit tonë të ri – janë 11 vjet të rritjes me vështirësi, sfida dhe suksese të mëdha.

Jam i sigurt se këto suksese, e nesërmja ka për t’i gjykuar si punë të jashtëzakonshme të brezit tonë.

Për aq sa gjykimi do të bjerë edhe mbi lëshimet e qëllimshme.

Kur ne festojmë ditëlindjen, sipas zakonit, rreth nesh mblidhen miqtë tanë më të mirë. Ata na urojnë me fjalët më të zgjedhura, për të ardhmen që kemi përpara.

Kjo gjë ndodh edhe me shtetet.

Ne jemi shtet i vogël, por kemi pasur dhe kemi miq të mëdhenj.

Përkrah nesh kanë qëndruar dhe vazhdojnë të qëndrojnë shtetet më të fuqishme të botës demokratike – Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet tjera perëndimore, Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Italia, Austria, Hungaria dhe shumë shtete të tjera.

E ne sot, të gjithë bashkë, në emër të kombit tonë, në ditëlindjen e 11-të të shtetit tonë të pavarur e sovran, u shprehim mirënjohjen më të thellë këtyre shteteve për mbështetjen e madhe që i dhanë kombit tonë, në arritjen e lirisë, pavarësisë, shtetndërtimit, dhe para dy muajsh – edhe në krijimin e Ushtrisë së Kosovës.

Në besimet fetare, thuhet se njeriu është i bekuar kur ka Zotin në anën e tij.

Ndërkaq, në politikën globale, i bekuar është ai shtet që ka botën perëndimore në anën e tij, në veçanti Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

E tillë është Kosova, vend i bekuar nga Zoti dhe miqtë.

Ndërsa ne që jemi në këtë sallë, kemi për detyrë ta ruajmë këtë pasuri dhe ta bëjmë këtë vend të begatë për qytetarët tanë, për të rinjtë tanë, për punëtorët, minatorët, mjekët, arsimtarët, policët, ushtarët, shërbyesit civilë, për secilin që e ndjen Kosovën atdheun e tij.

Të dashur qytetarë të Kosovës

Të nderuar kolegë

Personalitete të nderuara të Kosovës, ambasadorë të vendeve mike dhe mysafirë që sot na keni nderuar me pjesëmarrjen tuaj

Historia e kombit tonë është histori e popujve që kanë vuajtur gjatë dhe me sakrifica kanë arritur lirinë.

Ne e dimë të kaluarën tonë. Nuk e harrojmë atë. Por, as nuk do të lejojmë të mbetemi vetë peng i saj, e as të na mbajë dikush peng.

Ne duam të ardhmen, zhvillimin, mirëqenien, integrimin në BE, NATO, OKB, fuqizimin e partneritetit me miqtë tanë, veçanërisht me ata që na u gjenden pranë dhe na rrinë afër në çdo sfidë.

Duam edhe ndërtim urash komunikimi me ata që nuk na duan, ose kanë gjykim të gabuar për ne.

Por, mbi të gjitha, duam trajtim të dinjitetshëm dhe respekt për ne, si vend europian dhe perëndimor.

Shteti ynë dhe kombi ynë kanë orientime të qarta europiane dhe perëndimore. Dhe, askush nuk ka të drejtë të na nëpërkëmbë vetëm pse sot mendon se mund ta bëjë një gjë të tillë, ose pse ashtu dëshiron të sillet me ne.

Si vend europian, nuk e meritojmë izolimin.

E dimë se kemi të meta, gabime. E dimë se kemi shumë sfida për t’ju bashkuar vendeve të zhvilluara europiane.

Por, askush nuk mund të na i mohojë sukseset si shtet 11-vjeçar.

Me të arriturat që kemi, edhe kështu si jemi sot, Kosova lë prapa shumë nga vendet me traditë qindravjeçare shtetërore.

Nuk u marrim lakmi për mirëqenie dhe infrastrukturë as vendeve përreth.

Ashtu siç nuk jemi aq larg standardit jetësor edhe të vetë disa vendeve brenda BE-së.

Jemi të vetëdijshëm që ende kemi nevojë të përmirësohemi në funksionimin e shtetit ligjor dhe luftën kundër korrupsionit,që ende kemi shumë për të bërë për perspektiven ekonomike, inovacionin dhe ndërmarrësinë me konkurrencë të barabartë.

Askujt më shumë nuk i kushtojnë këto mangësi dhe deformime sesa shoqërisë sonë, fëmijëve tanë. Por, jemi të vendosur dhe nuk do të ndalemi derisa ta arrijmëqëllimin tonë perëndimor.

Të nderuar të pranishëm

Kosova nuk është dhe asnjëherë s’ka për të qenë strofull e krimit të organizuar, bandave dhe terrorizmit.

Për dy dekada lirie, Kosova ka dhënë shembullin e vet për këtë, duke qenë kampione e veprimit preventiv dhe neutralizues të çdo veprimi të tillë, në vend ose nga qytetarët tanë jashtë.

Kështu do të jetë edhe në të ardhmen.

Në reformat në sistemin e drejtësisë, së bashku me partnerët perëndimorë, jemi duke bërë veprimet më të duhura.

Më herët, në standardin e drejtësisë së kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare, Kosova, si vendi më i vogël, më i robëruar, me masakrat e tmerrshme të përjetuara në këtë pjesë të Europës, ka jetësuar edhe një Gjykatë Speciale – e cila do ta trajtojë çfarëdo krimi të pretenduar në luftën e fundit në baza një-etnike.

Historia mund të na gjykojë si të dojë për këtë dhe dashakëqijtë mund të flasin si të duan.

Por, po, ne e kemi bërë këtë Gjykatë. Edhe sot e them, është dashur ta bënim, sepse asnjëherë nuk do ta vinim fatin e cilitdo individ në Kosovë para interesit të shtetit.

Do ta kryejmë edhe këtë sfidë me dinjitet.

Mirëpo, një gjë duhet të mos tentohet as minimalisht të ngatërrohet: Agresori dhe krimi dihen. I dimë ne dhe gjithë bota. Ajo është veç Serbia dhe forcat e saj ushtarake.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë dhe do të mbetet forca më e pastër çlirimtare në luftën e popujve për liri dhe drejtësi.

Duke pasur parasysh këtë, edhe sot thërras të gjithë bashkëluftëtarët që t’i përgjigjen me dinjitet kësaj Gjykate, sepse më i madh se fati i secilit prej nesh është fati i kombit dhe shtetit tonë.

  

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës

Të nderuar kolegë

Në muajt e fundit, keni parë iniciativat e SHBA-së dhe BE-së për një proces përfundimtar të Dialogut.

Serbia, deri më sot, nuk ka treguar racionalitet në këto përpjekje për normalizim raportesh me Kosovën.

Dialogu me Serbinë nuk është popullor dhe u kushton politikisht atyre që përfshihen në këtë proces.

Por, tani, me kërkesën e vendosur të SHBA-ve dhe BE-së, ne duhet të vendosim drejt – mes asaj që çfarë fitojmë si parti politike dhe asaj çfarë fiton kombi dhe shteti ynë.

Çdoherë kur kemi vënë përpara interesin e vendit dhe racionalitetin shtetëror, kemi pasur sukses.

E kaluara e dëshmon më së miri këtë.

Gati 100 vjet kemi derdhur gjak, por nuk ia kemi dalë ta heqim qafesh robërinë. Nuk ia kemi dalë, sepse ishim të vetmuar, nuk kishim miq dhe zëri ynë nuk dëgjohej aty ku merreshin vendimet e mëdha politike për ne.

Gati 100 vjet kemi luftuar që të afrohemi me botën perëndimore, të jemi pjesë e aleancave të saj.

Në luftën e fundit e kemi arritur këtë.

E arritëm në Rambuje, dhe e vazhduam edhe më mirë në Vjenë – kur kurorëzuam shtetin të cilin e gëzojmë dhe për të cilin festojmë sot.

Me të tjera sjellje, a do të mund t’i arrinim këto suksese?

Përgjigjen e dimë secili prej nesh.

Të dashur qytetarë

Në Dialog nuk shkojmë vetëm për marrëveshje me Serbinë.

Ne Dialog shkojmë, sepse rruga jonë, përcaktimi ynë,ështëqë çdo mosmarrëveshja ta zgjidhim në mënyrë paqësore.

Dhe, po ashtu, si shtet i pavarur dhe sovran, marrim mbi vete edhe obligimet që përmban për ne ky sovranitet karshi rajonit dhe partnerëve tanë strategjikë si SHBA-të dhe BE.

Ideja e paqes afatgjate dhe eliminimi i ndikimit rus në rajon – nuk është interes vetëm i partnerëve tanë perëndimorë, në krye me SHBA-të, por është edhe interes strategjik yni.

Ky është orientimi ynë.

Në këtë proces, kalkulimet elektorale, qasjet individuale, protagonizmat dhe inatet – nuk po i bëjnë mirë Kosovës.

Është koha t’i lëmë këto.

Mund të fitojë individi ose partia në një moment, mbase mund të fitohet edhe pushteti, por sjelljet e tilla nuk çojnë askund. Përkundrazi, ato  rrezikojnë një komb, një shtet; në këtë rast – kombin tonë, shtetin tonë.

Është koha për vendimmarrje me mençuri dhe urtësi.

Dialogu i brendshëm dhe konsensusi – janë ligj i shteteve parlamentare.

Ne duhet të qëndrojmë të bashkuar përballë Serbisë.

Ne duhet të qëndrojmë të bashkuar përballë Serbisë, sepse përtej dallimeve të ekzagjeruara për shkaqe elektorale, ne kemi një qëllim të njëjtë:

– Fuqizimin e shtetit të pavarur e sovran të Kosovës.

– Përfundimin e mosmarrëveshjeve me Serbinë.

– Njohjen prej saj të shtetit të pavarur të Kosovës.

– Anëtarësimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

– Hapjen e perspektivës konkrete për t’u bërë pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

Mbi të gjitha, ne duhet të jemi bashkë sot përballë Serbisë – për të mos ua lënë fëmijëve tanë nesër fatin tonë të rëndë të së kaluarës.

Disa fjalë edhe për taksën…

Serbia e ka merituar dhe e meriton taksën, për shkak të sjelljeve të saj karshi nesh.

Largimi i saj është i panegociueshëm, për shumë arsye.

Por, përmbi emocionet e taksës ndaj Serbisë, dua të flas për urgjencën e racionalitetit shtetëror.

Vendimmarrja shtetërore nuk duhet të jetë as përgjegjësi dhe as kritikë individuale.

Në  vendimmarrje shtetërore, asgjë nuk duhet të ketë personale. Pra, edhe ky vendim, si çdo vendim tjetër për Kosovën, duhet të jetë shtetëror, institucional.

Duhet t’i vëmë në peshojë interesat strategjike të shtetit tonë përballë Serbisë, duke marrë parasysh edhe reflektimet për faktorët determinues të botës që na rrethon; Rusisë me aleatë në njërën anë, dhe SHBA-së e BE-së në anën tjetër.

Me SHBA-të dhe BE-në në krah, Kosova është më mirë dhe më e sigurt.

Interesat strategjike dhe gjeopolitike perëndimore dhe amerikane në Ballkan përputhen plotësisht me interesat e Kosovës dhe kombit tonë. Andaj, Kuvendi dhe Qeveria duhet t’u qëndrojnë prapa zotimeve të përbashkëta Kosovë – SHBA dhe BE.

Në të kundërtën, Kosova nuk fiton.Ndërsa, Serbia rehabilitohet.

Sa i përket kësaj situate të ndjeshme dhe ndërlidhjes së saj me mandatin e Qeverisë, dua t’i siguroj qytetarët se, si lider i koalicionit qeverisës, nuk do të lejoj për asnjë moment që relacioni ynë me Serbinë ta përcaktojë stabilitetin dhe fatin e institucioneve tona, pra as të Qeverisë së Kosovës.

Pra, Qeveria e Kosovës nuk do të bjerë për shkak të taksës. Ky është qëndrimi im i vendosur.

Qeveria dhe Kuvendi mund të bien vetëm për shkak të interesave të qytetarëve të Kosovës dhe partnerëve të tyre strategjikë si SHBA-të dhe Bashkimi Europian.

Në fund, të dashur qytetarë, duke jua uruar Festën e Pavarësisë, dua t’ju them të gjithë juve, kudo që jetoni, në atdhe e diasporë:

Në këtë botë, shumë gjëra ndryshojnë. Ndryshojmë edhe ne njerëzit. Ndryshojnë edhe idetë dhe bindjet tona.

Por, në Kosovë një gjë kurrë s’ka për të ndryshuar: VERDIKTI I 17 SHKURTIT 2008.

SHTETI I KOSOVËS KA LINDUR, SI SOT 11 VJET MË PARË, PËR TË QËNDRUAR PËRGJITHMONË GARDIAN I LIRISË DHE PAVARËSISË SË KOSOVËS.

Urime Dita e Pavarësisë.

Lavdi atyre që ranë për këtë ditë të madhe: dëshmorëve të kombit!

 KRYESIA E LDK,  HOMAZHE PRESIDENTIT HISTORIK RUGOVA

 

 

PRISHTINË, 17 Shkurt 2019-Gazeta DIELLI/ Me rastin e shënimit të 11-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, anëtarë të kryesisë së LDK-së i kanë bërë homazhe Presidentit Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.

 

LDK-ja shpreh falënderim ndaj prijësit të idealit për liri dhe pavarësi, Dr. Ibrahim Rugova dhe të gjithë atyre që ndihmuan në këtë rrugëtim drejt realizimit të ëndrrës shekullore për pavarësi.

Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri ka shprehur dhimbje për mungesën e Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova.

 

“Vërehet mungesa e Presidentit Rugova në ruajtjen e miqve që ndihmuan Kosovën në shtetoformim”, ka thënë Beqiri.

Filed Under: Featured Tagged With: 11 Vjetorin e Pavaresise, Behlul Jashari, Kosova feston

Kosovë-Shuhet Akademik Idriz Ajeti

February 13, 2019 by dgreca

-Presidenti Thaçi: Vdekja e Akademikut Idriz Ajeti është një humbje e madhe/

1 a idriz-ajeti-21 ashim Idiz A1 b Idrizi1 Idriz Qemal Minxhozi1 RD1 Intervista1 Idriz-Ajeti-11

-Kryeministri Haradinaj: Idriz Ajeti, njëri nga personalitetet më të ndritshme të historisë sonë të re/

-Në Prishtinë në  27 Janar 2017 Kosova dhe Shqipëria shënuan 100 vjetorin e lindjes së akademik Idriz Ajetit/

-Idriz Ajeti në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja, 4 Dhjetor 1952: (…) Popujt e qytetnuem çmohen edhe përkah begatia, pasunija, përkah bamunia se sa kujdes i kushtojnë gjuhës së tyne amnore. Ata kanë themelata të posaçme që ruajnë dhe shtjellojnë gjithnjishëm mundësitë e saj shprehjore…/

-31 Dhjetor 2004- Intervistë ekskluzive e gazetës Rilindja me Akademik Idriz Ajetin: SHKENCËS SË GJUHËSISË S’MUND T’I DALËSH ZOT PA NJOHUR PARIMET E SHËNDOSHA TË METODËS SHKENCORE/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 13 Shkurt 2019/ Ka ndërruar jetë më 13 shkurt 2019 në Prishtinë, në moshën 102 vjeçare, albanologu, gjuhëtari e intelektuali, pedagogu dhe veprimtari i palodhshëm në zhvillimet tona shoqërore, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe kryetar i saj në dy mandate, anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akademik Idriz Ajeti. Dijetar e erudit, personalitet shkencor, pa kontributet e të cilit studimet albanologjike në Kosovë e më gjerë nuk do të ishin këto që janë sot, akademik Ajeti ishte dhe mbetet njëra nga figurat më të ndritshme të historisë sonë të re, thekson sot në njoftim Kryesia e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Lindi në Tupallë të Jabllanicës së Epërme, me 27 janar 1917. Shkollën fillore e kreu në Banjë të Sijarinës, të mesmen në Shkup, më 1938. Po atë vit u regjistrua në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Zagrebit, në Degën e Romanistikës. Studimet i mbaroi pas lufte, më 1949 në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Beogradit. Deri në vitin 1953 ishte profesor i gjuhës shqipe në Gjimnazin e Prishtinës. Në vitet 1953-1960 punoi lektor në Degën e Albanologjisë në Beograd. Në vitin 1958 u doktorua me temën: “Zhvillimi historik i së folmes gege të shqiptarëve të Zarës së Dalmacisë”. Nga viti 1960 ka dhënë mësim në Degën e Gjuhës e të Letërsisë Shqipe në Fakultetin e Filozofisë të Prishtinës, një herë docent, pastaj profesor inordinar dhe nga viti 1968 profesor ordinar. Fushat kryesore të interesimit të tij shkencor kanë qenë studimet e dialekteve nga pikëpamja diakronike, raportet e shqipes me gjuhët fqinje, në rrafshin e studimeve ballkanologjike, trajtimi i dokumenteve të hershme gjuhësore, shkruar me alfabet arabo-turk etj. Është marrë dhe me çështje të gjuhës së sotme shqipe dhe ka organizuar takime e konsulta gjuhësore për të kërkuar zgjidhjet e përhershme rreth njësimit të gjuhës shqipe. Prof. Ajeti ka merita të veçanta në proceset e standardizimit të shqipes.

Veprimtaria  e tij shkencore është e gjerë dhe e gjithanshme. Ka botuar: Pamje historike e ligjërimit shqip të Gjakovës në fillim të shekullit XIX, (1960), Istorijski razvitak gegijskog govora Arbanasa kod Zadra (1961), Hymje në historinë e gjuhës shqipe (1963), Ortografia e gjuhës shqipe (bashkautor) (1964), Historia e gjuhës shqipe (Morfologjia historike), (1969), Probleme të historisë së gjuhës shqipe, (1971), (zgjodhi e mbarështroi), Studije iz istorije albanskog jezika (1982), Studime gjuhësore në fushë të shqipes I, (1982), II (1985), III, IV (1989), Shqiptarët dhe gjuha e tyre (1994). Në Prishtinë, Tiranë e gjetiu janë botuar vëllime me studime të zgjedhura të tij. Ka hartuar tekste shkollore për nxënës të shkollave të mesme e studentë të Degës së Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe.

Në vitet 1997-2002 Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës botoi veprën e tij të plotë në pesë vëllime.

Në bibliografinë e tij gjejmë qindra artikuj, studime, kumtesa të mbajtura në Konferenca shkencore, seminare, takime kombëtare e ndërkombëtare, të botuara në revista e periodikë në shqip, por edhe në gjermanisht, frëngjisht apo në gjuhë të tjera.

Me nismën e tij, si shef i Departamentit të Gjuhës Shqipe pas hapjes së Fakultetit në Prishtinë (1960), u nxor revista shkencore “Gjurmime albanologjike” (1962) e më 1974 u organizua Seminari i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare për të huaj.

Gjatë vitit 1969-1971 ishte drejtor i Institutit Albanologjik, më 1971-73 dekan i Fakultetit Filozofik, në vitet 1973-75 rektor i Universitetit të Prishtinës.

Anëtar i ASHAK u zgjodh me gjeneratën e parë ta akademikëve dhe menjëherë mori titullin akademik, ndërsa në vitin 1979 u zgjodh kryetar i saj deri më 1981. Më 1996 ai do të rizgjidhet kryetar dhe do ta drejtojë Akademinë deri më 1999.

Prania e Idriz Ajetit në jetën shkencore e kulturore si dhe në të gjitha zhvillimet shoqërore ka qenë e dukshme dhe thelbësore. Puna e tij është shtrirë edhe në fushën e të drejtave të njeriut dhe në veprimtarinë shoqërore. Akademik Idriz Ajeti ka qenë Kryetar i Parlamentit të Kosovës në njërën nga periudhat më të vështira të saj si dhe pjesëmarrës i Konferencës së Rambujesë.

Me vdekjen e Akademik Idriz Ajetit Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës ka humbur autoritetin nga më të mëdhenjtë të punës shkencor te ne, profesorin, veprimtarin, njeriun e urtë dhe të dijshëm.

Hollësitë rreth varrimit dhe komemoracionit do të njoftohen gjatë ditës.

27 JANAR 2017: KOSOVA DHE SHQIPËRIA SHËNOJNË 100 VJETORIN E LINDJES SË AKADEMIK IDRIZ AJETIT

Në Prishtinë në  27 Janar 2017 Kosova dhe Shqipëria shënuan 100 vjetorin e lindjes së akademik Idriz Ajetit. Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë, organizuan Konferencën jubilare-shkencore “Me rastin e 100-vjetorit të lindjes së akademik Idriz Ajetit”.

Gjatë kësaj konference, Çmimi i Karrierës Shkencore Akademike-2016, për rendin e parë të konkursit të shpallur për çmimet shkencore kombëtare vjetore iu dha akademikut Idriz Ajeti nga kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akademik Muzafer Korkuti.
Në motivacionin e këtij çmimi thuhet:…
“Dijetar me një veprimtari të gjatë dhe të frytshme akademike e universitare; i pranishëm në mënyrë të pandërprerë e të suksesshme prej shtatë dekadash në shkencat albanologjike; me kontribute origjinale e themelore në gjuhësinë historike e të krahasuar, në marrëdhëniet e shqipes me gjuhët e tjera në arealin ballkanik, në dialektologji e histori shkrimi, në procesin e njësimit të shqipes letrare; personalitet me ndikim të mirënjohur në jetën qytetare të Kosovës dhe në historinë e mendimit shqiptar; që, me modelin e urtësisë dhe ndjeshmëritë e larta ndaj së drejtës, i lartësoi dhe u dha nder përgjegjësive e detyrave të rëndësishme që ka ushtruar”. thuhej në motivacionin e këtij çmimi.

Profesori Idriz Ajeti ka tre data të lindjes të shënuara, u tha në konferencë, ndërsa u theksua se 27 janari është data e lindjes e shënuar në pasaportën e tij dhe kjo ishte zgjedhur për t’u shënuar sot 100 vjetori. Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, akademik Hivzi Islami, theksoi se kohët e shkuara të shqiptarëve ishin të rënda, por dijetarët tanë ishin njerëz të veçantë të cilët kontribuuan shumë për vendin.

“Kur përmendet emri i profesorit në mjedisin tonë akademik, kulturor dhe shoqërorë, të gjithë e dimë që bëhet fjalë për profesor Idriz Ajetin, sikur në Tiranë kur përmendet emri i Eqrem Çabej. Historia e gjuhësisë dhe shkencave albanologjike dhe e kulturës shqiptare nuk mund të merret me mend pa profesorin Ajetin”, tha akademik Islami.

Ndërsa, rektori i Universitetit të Prishtinës, Marian Dema, e vlerësoi porfesorin Ajeti si një ndër personalitetet më të shquara të shkencës, kulturës dhe arsimit në Kosovë. “Me emrin e tij lidhen një varg procesesh që janë zhvilluar pas Luftës së Dytë Botërore në Kosovë, procese këto të cilat i sigurojnë profesor Idrizit vend meritor në formimin dhe zhvillimin e institucioneve arsimore dhe shkencore. Emri i tij tashmë është i skalitur në opusin e shkencës dhe arsimit në Kosovë. Universiteti i Prishtinës e konsideron Ajetin si xhevahir të tij dhe i është skajshmërisht falënderues për punën, mundin dhe djersën e derdhur në këtë Universitet. Figura morale dhe atdhetare e tij do të shkëlqejë gjithnjë në panteonin e qytetërimit të kulturës sonë kombëtare. Lum ne që të kemi”, u shpreh rektori Dema.

Akademik Idriz Ajeti,  i lindur në katundin Tupallë të Jabllanicës së Epërme – Luginë e Preshevës, me fjalën e shkruar është shprehur:

“Nuk e kam zgjedhur unë që ta kem një shekull mbi supet e mija dhe as që e kam menduar që natyra e Zoti do të më japin këtë jetëgjatësi dhe njëkohësisht forcën që të shohë e përjetoj gjithë zhvillimin tonë si shoqëri e si shtet dhe ndjejë që përgjegjësinë për ecjen tonë si shtet e kemi pasur ne. Unë kam ardhur nga një fshatë i vogël, i gatshëm dhe i etur për të ndryshuar rrjedhat e shoqërisë. Por unë kam ardhur me idenë për të gjetur copëzat e shpërndara të gjuhës shqipe, për t’i bërë bashkë ato me një mëndje dhe një shpirt.
Unë do të ju flasë për gjuhën edhe në këtë 100 vjetorë timin dhe mbase fjalimet e mia për të edhe në këtë ditë ku së bashku po shënojmë këtë jetëgjatësi timen do të jenë të pafundme, sa i pafund është thesari i saj, sa e pafund ka qenë ideja për ta bërë një të përbashkët e të plotë. Gjuha duhet të jetë pandashmërisht pjesë e evoluimit, e përmbushjes së nevojave të një populli që flet me dialekte por që rrënjën e ka të përbashkët dhe prandaj përpjekjet tonë në shekullin e kaluar për ta bërë bashkë tani duhet të jenë përpjeke për ta përmbushur pa e tundur themelin e saj. Përparimi ynë si shtet bazohet në dije, shkencë e arsim. Jetëgjatësia më ka ofruar këtë privilegj, të qenit dëshmitar i rrjedhave të historisë”.

27 Janar 2017: PRESIDENTI THAÇI DEKORON AKADEMIK IDRIZ AJETIN NË 100 VJETORIN E LINDJES: JENI ÇABEJ I KOSOVËS!

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në 27 Janar 2017 e ka dekoruar akademik Idriz Ajetin me Medaljen Presidenciale të Meritave.

Këtë medalje, presidenti Thaçi ia ka ndarë akademik Idriz Ajetit në 100 vjetorin e lindjes për kontributin e jashtëzakonshëm në fushën e arsimit, shkencës dhe kulturës.

“Ju që këtë vit po mbushni një shekull, për mua jeni Çabej i Kosovës në fushën e studimeve albanologjike”, ka thënë presidenti Thaçi.

“Ju falënderoj për këtë nderim që po ma bëni”, u shpreh akademik Idriz Ajeti.

Me veprimtarinë e tij, akademik Idriz Ajeti ka kontribuar shumë edhe në forcimin e identitetit tonë kulturor.

13 SHKURT 2019- PRESIDENTI THAÇI: VDEKJA E AKADEMIKUT IDRIZ AJETI ËSHTË NJË HUMBJE E MADHE

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi shprehet sot, 13 Shkurt 2019: Vdekja e akademikut Idriz Ajeti është një humbje e madhe për Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe tërë shoqërinë tonë. Profesorin Idriz Ajeti do ta kujtojmë gjithmonë si një prej intelektualëve më të dalluar, që punoi shumë për albanologjinë. Ai dha kontribut të madh në jetën shkencore e kulturore në vendin tonë. Ngushëllimet më të thella për familjen Ajeti, ASHAK-un dhe gjithë kolegët e miqtë e akademikut Idriz Ajeti!

KRYEMINISTRI HARADINAJ: IDRIZ AJETI, NJËRI NGA PERSONALITETET MË TË NDRITSHME TË HISTORISË SONË TË RE

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj shprehet: Bota shqiptare humbi sot njërin nga personalitetet më të ndritshme të historisë sonë të re, albanologun e shquar Idriz Ajetin. Gjatë 70 vjet karrierë shkencore, Akademik Ajeti la gjurmë të pashlyeshme në gjuhësinë dhe zhvillimet shoqërore e politike të Kosovës. Kontributi i tij në vitet ’90 ishte i jashtëzakonshëm në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, si dhe të vërtetës së Kosovës. Kalimi i tij në amshim është humbje për shkencën dhe kulturën mbarëshqiptare. Ngushëllime të thella familjes Ajeti, komunitetit akademik dhe miqve të shumtë.

Idriz Ajeti në RILINDJA, 4 Dhjetor 1952: GJUHA AMNORE

(…) Popujt e qytetnuem çmohen edhe përkah begatia, pasunija, përkah bamunia se sa kujdes i kushtojnë gjuhës së tyne amnore. Ata kanë themelata të posaçme që ruajnë dhe shtjellojnë gjithnjishëm mundësitë e saj shprehjore… (Idriz Ajeti në RILINDJA, 4 Dhjetor 1952. Akademik, në vitet 1979-1981 dhe 1996-1999 ishte edhe kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës)

NGA GAZETA RILINDJA E 31 DHJETORIT 2004:

Intervistë ekskluzive e Rilindjes me Akademik Idriz Ajetin

SHKENCËS SË GJUHËSISË S’MUND T’I DALËSH ZOT PA NJOHUR PARIMET E SHËNDOSHA TË METODËS SHKENCORE

INTERVISTOI: SYLË OSMANAJ

Në gjuhësinë shqiptare akademik prof. dr. Idriz Ajeti është emër i shquar dhe këtë shquarësi ai e krijoi në saje të rezultateve që shënoi tash sa vjet, me disiplinë e me kriter shkencor, duke hulumtuar dhe duke studiuar refelekset e qenies së shqipes, të strukturës dhe të funksionit të saj. Në rrafsh të interesimeve ai vuri dorë të rreptë studimore në disa fusha: të dialektologjisë historike, të etimologjisë dhe të marrëdhënieve të shqipes me gjuhët e tjera të Ballkanit. Trajtoi probleme morfosintaksore, bëri kërkime në dialektet shqiptare, dha ndihmesë rreth njësimit të gjuhës letrare shqipe, studioi çështje të toponimisë dhe të onomastikës etj.  Intervista që bëmë me Të kishte për qëllim të prezentonte, aq sa ka mundësi ta bëjë një intervistë e këtij karkteri, disa nga arritjet në fushë të studimeve gjuhësore, të grishte në shkallë të provokimit të sinqertë pikat e interesimit tematik dhe përkushtimet tematike që zgjuan kërshërinë e gjuhëtarit dhe, kuptohet, të shiheshin prirjet e zhvillimit të mëtutjeshëm të studimeve të shqipes. Prekëm me këtë rast,  shtruar e qartë, edhe çështjen, sot për sot të ditës, të zbatimit të drejtë të gjuhës letrare në mediumet, të shkruara e të folura,  publike shqiptare etj.

Trajtim serioz dialektologjik i të folmes së Zarës

Mund t’i përmendni, me këtë rast, zotëri Ajeti, disa nga problemet kryesore gjuhësore që keni ndriçuar deri më tashti?

Jam marrë me gjurmimet e studimet e dialektologjisë historike të shqipes: në këtë fushë, së pari, kisha rimarrë kërkime të dialektit arbënesh të Zarës (1961) pas kërkimeve që kishin bërë para meje dy linguistë të njohur në fushën e studimeve ballkanologjike dhe albanistike: Gustav Ëeigand dhe linguisti italian Carlo Tagliavini (1937) te L’Albanese di Dalmazia, i pari pse duke qëndruar një kohë të shkurtër ndër arbëneshët e Zarës materiali dialektor, i pa verifikuar, i dilte i retushuar – i korrigjuar; ndërsa i dyti pse materialin dialektor nuk e kishte regjistruar e shënuar vetë, por gjithë punën e mbledhjes dhe të regjistrimit ua kishte lëshuar të rinjve arbëneshë të papërvojë në punë këso dore. Punimi ynë me titull: Zhvillimi historik i së folmes gege të arbëneshëve të Zarës merrte parasysh të metat e këtyre studiuesve; ky yni dallonte nga të studiuesve para meje me krahasimin që i bëja materialit dialektor, të mbledhur në Shestan – te Kraja në Mal të Zi – atdheut të hershëm të arbëneshëve të Zarës dhe materialit dialektor të qëmtuar në ishullin arbënesh pranë Zarës.

Kjo monografi dialektologjike qysh e quan edhe albanologu polak Cimochoëski në recensionin e tij të rrallë që iu soll këtij punimi shkencor, është studimi i tretë gjuhësor me pretendime shkencore që merr në vëzhgim veçoritë dialektore të kësaj enklave të vogël të shqiptarëve pranë Zarës në Dalmaci. Indoevropianisti dha albanologu profesor Henrik Bariq s’kishte qenë i kënaqur me përfundimet që u kishin dalë gjurmuesve të posazënë ngoje të këtij ligjërimi të izoluar të arbëneshëve të Zarës, prandaj, në takimin e parë, ma rekomandoi ta rimerrja edhe unë dhe ta vështroja këtë ligjërim gegë, mbartësit e të cilit ishin shkëputur nga djepi i hershëm i shqiptarëve të Brisk-Shestanit në gjysmën e parë të shek. XVIII (1726-1733). Kur bashkohen këto tri monografi që rrihnin të shpjegonin tiparet e përgjithshme dialektore të së folmes gege të oazës së vogël gjuhësore shqipe të Dalmacisë, qysh ia ka ënda ta emërtonte këtë ligjërim shqip të Dalmacisë albanologu italian Tagliavini, ne nuk mund të mos shprehim bindjen se për kohën e vet, ato japin një pasqyrë reale të së folmes së arbëneshëve të Zarës.

Një kohë jam marrë me studime dorëshkrimesh të shkruara shqip po me alfabetin arabo-turk; i pari dorëshkrim shqip me atë alfabet me titull Emni Vehbije (dhuratë) i autorit Tahir ef. Gjakova a Boshnjaku, që daton nga viti 1835, një tjetër i shkruar po me atë alfabet me titull: Divani, hartuar prej sheh Maliqit të Rahovecit (nga fundi i shekullit XIX). Autori i Vehbije-s, sikur u tha është Tahir efendi Gjakova, njeri me kulturë të gjerë teologjike dhe njohës i mirë i së folmes së vendlindjes (nga Gjakova).

Hetimi i kësaj literature ka një rëndësi të dorës së parë për kërkimet e të folmeve shqiptare në truallin gjuhësor të Kosovës. Vepra Vehbije dhe autori i saj Tahir ef. Boshnjaku, s’kishin mbetur pa u studiuar; studimeve të tyre u prin, do të thoshim ne, Hasan Kaleshi, orientalisti më i përgatitur, me njohuri të gjera të filologjisë arabe e turke, i cili te Godišnjaku – revistë e Institutit Ballkanologjik të Sarajevës në vitin 1957: Arbanaška književnost na arapskom alfabetu.

Me këtë lloj literature, në kohë të fundit, ka zënë të merret edhe zoti Muhamet Pirraku; Pirraku nuk është filolog, është historian, i cili në veprën e tij të vëllimshme, disa faqe u rezervonte veprimtarëve shqiptarë që ishin marrë me shkrime – thuaja letrare – në gjuhën shqipe me alfabetin arab.

Sipas tij, ndryshe nga të tjerët që si dokument të parë të shqipes së shkruar me alfabet arab mbajnë Vehbijen e Tahir ef. Boshnjakut, të vitit 1835, në Kosovë, shumë para Vehbijes – shkruan Pirraku, ka ekzistuar tradita e përqendruar mirë e shkrimit të gjuhës shqipe me alfabet arab.

Në kuadrin e studimeve dialektologjike shqiptare kam studiuar tekstin dorëshkrim Djali plangprishës në të folët shqip të Istrisë, i cili ishte gjetur në arkivin e Bibliotekës Ambrosiana të Milanos, duke i bërë e kryer transliterimin dhe transkriptimin të shoqëruar me shpjegime të veçorive fonetike të këtij dialekti të një grupi të shqiptarëve që jetonin dhe vepronin në Poreç të Istrisë.

Do të përmend punimin tonë: “Tiparet e l-së në dialektet shqiptare të Brisk-Shestanit – interesant nga se dialektologu i njohur Branko Miletiæ (E folmja e Crmnicës) SD Zbornik IX, 1940, i cili, gjoja, në Shestan, ndër shqiptarët e atjeshëm kishte diktuar e konstatuar në atë të folme shqipe tre tipa të tingullit l (l’, l, ll). Unë, edhe në këtë mes konstatova bindshëm se gjuha shqipe ka pasur dhe ka dy tipa të këtyre fonemave (l-ll), një palatale l dhe një tjetër velare ll.

Me rastin e vizitës sonë në Preshevë, në rrethin e saj dhe në disa fshatra të Bujanovcit, munda të shënoja karakteristikat më kryesore të të folmeve shiqiptare të këtyre trevave shqiptare.

Po të ishte e mundur që dialekteve gege të Preshevës me rrethe dhe të të folmeve shqiptare të Brisk-Shestanit t’u kthehesha edhe një herë, do të kërkoja të vërtetoja me saktësi që në ato të folme shqiptare përdorimin e zanores hundore, , sepse atëherë kur po mblidhja dhe regjistroja materialin dialektor ndër ato mjedise shqiptare nuk isha i bindur fort për praninë e kualitetit të asaj fonemeje të shqipes së atjeshme.

Në lidhje me problemin e huazimeve që shqipja ka marrë së jashtmi prej gjuhëve të tjera, nuk mund të mos theksohet një fakt që përqendron në të vërtetën se numri i leksikut të huaj i ardhur së jashtmi në gjuhën shqipe është i madh, por do të thuhet, gjithashtu se ky numër është paraqitur nga studiuesit albanologë shumë më i madh sesa ishte në të vërtetë; Albanologu i madh gjerman Gustav Meyer thoshte tekstualisht: “Mund të thuhet se vetëm me mund të madh shqipja shpëtoi nga romanizimi i plotë dhe se për pak në vend të saj një gjuhë romane do të kishim”. Është thënë megjithatë se tek një lagje albanologësh të huaj kishte një si prirje e kohës që ky numër huazimesh të shqipes të paraqitet jo realisht.

Do të pranojmë se s’janë albanistët ata që fajësohen, por (është gjendja e studimeve albanologjike e kohës fajtore) faji është tek gjendja e studimeve albanologjike e jo tek studiuesit albanologë të kohës. Albanologët e asaj kohe mbajnë përgjegjësinë, pra janë përgjegjës pse ndaj çështjes së huazimeve mbanin qëndrim shpërfillës, duke studiuar vetëm numrin e huazimeve marrëse e jo edhe ato dhënëset për të cilat përligjeshin duke pohuar se shqipja nuk ka mundur të ushtronte ndikim tek gjuhët e tjera për mungesë të një roli politik të shqiptarëve në agjendat politike ballkanike dhe evropiane.

Në trevat e viset e përziera etnikisht: me shqiptarë – serbë, në Kosovë, shqiptarë-malazezë në anën lindore të Malit të Zi, në Maqedoninë Perëndimore – jo vetëm në leksik të këtyre popujve sllavë, por edhe në toponiminë e tyre, banorët shqiptarë kanë ushtruar ndikim të dukshëm në fqinjët sllavë jo vetëm në kohë më të vona, por që në mesjetë – në Mal të Zi, sidomos në anët lindore të tij: Kuçi me fshatra përreth si dhe më thellë në atë shtet: Fundana, Krusa Glavica, Krusi dolovi, katundi Æeret në Zagaraèin e Poshtëm, Rogami Bushat, Bukëmira, Bukëmir, Koçe (Goçe) –  katuni te Kuçi, origjina e toponimeve Ligatiæi  dhe Ligate – njëri në Hercegovinë, tjetri në Bosnjë – prej të shqipes Ligatë, derivat nga lag+atë- Lëgatë, ligatë. Lopari me kuptimin e loparit “bariut t lopëve” – (lidhet me të shqipes lopë).

Qendra e Kuèit, e përmendur sipër, që nga mesjeta, përfshinte shumë katunde dhe fshatra: Pantalesh, Barzan (Bardhan), Bankeç, Bytidosi (Bythëdosë), Lazaci. Këto katune, si dhe emërtimet e tjera me origjinë shqiptare, kanë marrë prapashtesa të gjuhës serbe: Leškoviæi, Lopari, Vjeduši, Bardiæi, Kuèi, mbi të cilat kemi dhënë shpjegime në studimin tim te Gjurmimet albanologjike, seria e shkencave filologjike, IV (1974) dhe te Vepra 4 e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Prishtinë, 2001.

“Porse, për sa i përket faktit që ai pat mbiçmuar rëndësinë e elementit latin të gjuhës shqipe si dhe në përgjithësi huazimet nga gjuhë të tjera, mund të thuhet se ndërtimi i gjuhësisë historike shqiptare, është merita e tij”, te Della lingua e della letteratura albanese, Nuova antolgia, 1885, f. 592, vëll. 50, seria IV = Carlo Tagliavini, Storia della linguistica, Patron, Bologna, f. 217 (1970).

Kultivimi i kritikës shkencore e bën të pashtyshme nevojën e nxjerrjes së revistës Kritika

Një vërshim botimesh të shumëllojshme, pa farë kontrolli, redaktimi serioz dhe kritike shkencore, që për çdo ditë dalin si kërpudhat pas shiut, me të meta gjithfarësh janë të pashmangshme, natyrisht, këtu nuk mendohet vetëm për të meta të natyrës teknike, redakturë gjuhësore, por për asosh të karakterit metodologjik: shpeshherë ndeshemi me veprues diletantë të atillë që as degën shkencore së cilës duan t’i dalin zot, s’e njohin veçse sipërfaqësisht, pa zotëruar parimet e shëndosha të metodës shkencore. Një soj i tillë diletantësh dhe quasishkencëtarësh me një bagazh të varfër dijeje, shumë lehtë rrëshqasin në nacionalizëm; disi janë të prirë që çështjet t’i vështrojnë me një ngushtësi të theksuar pa u shquar nga fryma objektive.

Brezat e tjerë të rinj shkencorë e kanë kapërcyer atë stad ëarasjlemcpr. Ata sot në punën e tyre kërkimore operojnë me parime bashkëkohore, racionale. Mjerisht, me një përjashtim një gjë të tillë nuk e kemi në fusha të tjera, bie fjala, në lëmin e gjurmimeve e të hulumtimeve historike apo gjuhësore-onomastike, etj. Për fat në truallin kërkimor, studimor linguistik, ndeshen punonjës të zellshëm me reuzultate shumë të dobishme, por pa bërë bujë për çka bëjnë – puna e të cilëva ka marrë e është shtrirë gjithandej, pra, ka një lagje të mirë, të aftë studiuesish që bagazhin letrar, artistik e bëjnë më së miri e me kompetencë që nuk ia le dalë kujt në punë të tilla.

Ana e zymtë dhe e errët e kësaj gjendjeje mund të ndryshohet me masa profilaktike, parandaluese me ngritjen e nivelit shkencor e frymë objektive të punonjësit shkencor, me ngritjen e kulturës së përgjithshme të kërkimtarit e të studiuesit. Kultivimi i kritikës shkencore e dhënë gjithherë me frymë objektive, që do të ndiqte gjithë prodhimin kulturor, shkencor dhe ta thoshte fjalën e vet pa anësi, në rrethanat e gjendjes aktuale tonën, bën të pashtyshme nxjerrjen e revistës Kritika, qysh do ta quanim ne organin e ri të përhershëm shkencor. Këtë organ, këtë revistë me emrin Kritika do ta udhëhiqte ekipi prej tre vetësh që do t’i shquante guximi, drejtësia, fryma objektive në gjykimin dhe vlerësimin e çështjeve kulturore-shkencore, toleranca, sjellja (“sjellja e zbukuron njeriun”).

Po t’i vështrosh rezultatet e studimeve gjuhësore përmes metodave  krahasimtare, ç’thoni: ku qëndrojnë, aq sa keni arritur të keni ju informacione, studimet e shqipes kundruall studimeve të gjuhëve të tjera?

Sa për rezultatet e studimeve gjuhësore me anë të metodave krahasimtare se ku qëndrojnë studimet e shqipes kundruall studimeve të gjuhëve të tjera – këto të fundit janë shumë të avancuara, që është e kuptueshme, ndërsa ne jemi në fillim, porse në fillim të mbarë.

Si qëndron çështja e marrëdhënieve të shqipes me gjuhët e sotme të zhvilluara: çka i karakterizon këto marrëdhënie ndërgjuhësore?

Nëse me këtë pyetje kërkohet të dihet se çfarë marrëdhëniesh ka shqipja me gjuhët e mëdha: anglishten, gjermanishten, frengjishten etj., mund të thuhet se në shqipien aktualisht drejtpërdrejt ushtron ndikim vetëm anglishtja, sidomos në Kosovë, me të përmendurat e tjera nuk ka farë lidhjeje të pandërmjetme a të drejtpërdrejtë.

Njësimi i shqipes letrare është rezultat i natyrshëm i proceseve të zhvillura

Si e shihni ju anën e zbatimit të gjuhës së njësuar shqipe në të gjitha shkallët e saj të komunikimit, e veçanërisht në shkallë të respektimit të normës letrare në mediumet, të shkruara dhe të folura, shqiptare?Në historinë politike dhe kulturore shqiptare muaji nëntor ka marrë si një simbolikë të rëndësishme sepse gjatë atij muaji, muajit nëntor të kohëve të ndryshme janë zhvilluar ngjarje me rëndësi të madhe në populin dhe për popullin shqiptar: në vitin 1912, intelektuali shqiptar Ismail Qemali – vlonjat, shpalli pavarësinë e Shqipërisë më 28 nëntor, duke hyrë si një shtet i ri në Bashkësinë evropiane të kohës; katër vjet më parë, po në nëntor të 1908, në qytetin e Manastirit të Maqedonisë, atëherë ende nën sundimin otoman, po mbahej Kongresi i Manastirit, Kongresi i Alfabetit të gjuhës shqipe, që ka hyrë në historinë e kulturës shqiptare. Alfabeti i Stambollit përmbushte parimin e njohur shkencor: një tingull – një shkronjë, zgjidhja e të cilit e bënte këtë alfabet bazën e alfabetit të sotëm, duke caktuar kështu raportin midis shkronjave e tingujve të shqipes.

Gjuha letrare shqipe e epokës sonë të sanksionuar në Kongresin e Drejtshkrimit, e cila e stabilizuar njëherë e mirë, po zbatohet gjithandej në të gjitha kontekstet kulturore e shoqërore të mjediseve shqiptare. Këtij akti historik i kishte paraprirë Konsulta Gjuhësore e Prishtinës (1968), kur edhe aty u përsëdyt, u theksua se përpjekjet për njësimin e gjuhës letrare janë rezultat i natyrshëm i proceseve të zhvilluara, sidomos nga Rilindja e këtej. Këtu po sjellim e po kujtojmë dy “simpoziumet shkencore për problemet e kulturës së gjuhës, të mbajtura në Prishtinë e Tiranë (1980-1984) që pandehen aksioni më i madh i gjuhësisë normative pas Kongresit të Drejtshkrimit” (1972).

Përpara gjuhësisë shqiptare edhe pas fitores historike të arritur me përpjekjet e një vargu brezash veprimtarë në fushën e kulturës dhe pas një sërë botimesh, doracakë që synojnë të ndihmojnë kapjen sa më të lehtë të normës letrare shqipe, shtrohen detyra të shumëllojshme.

Norma letrare e gjuhës sonë ndryshon, natyrisht në disa nivele të strukturës së saj prej sistemit dialektor të shqipes, sidomos të gegërishtes verilindore, prandaj kërkohen përpjekje të pandërprera nga të gjithë ata që merren me shkrime të shtojnë kujdesin e tyre për gjuhën letrare, sepse studimi i gjithanshëm i saj është bërë detyra themelore e gjuhësisë sonë.

Më 11 e 12 nëntor, në 30-vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit të gjuhës shqipe, Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, në Konferencën Shkencore: “Gjuha standarde shqipe dhe shoqëria shqiptare sot”, parashtruan arritjet dhe rrahën mendime për çështje të përgjithshme e të veçanta të shqipes standarde.

U konstatua se praktika e përdorimit të shqipes standarde gjatë 30 vjetëve në të gjitha fushat e veprimtarisë zyrtare e shoqërore ka dëshmuar se zgjidhja e dhënë nga Kongresi i Drejtshkrimit i ka qëndruar provës së kohës dhe se shqipja standarde është bërë një faktor i dorës së parë për gjallërimin e jetës shoqërore e kulturore.

Në Konferencë u shpreh me theks të veçantë shqetësimi për nivelin e pakënaqshëm të kulturës gjuhësore, ndaj ndërtimeve jo të rregullta të fjalëve, shqetësime për përdorimin e tepruar të fjalëve të huaja të panevojshme, për ndikime të huaja në ndërtimin e fjalisë që dhunojnë strukturën sintaksore të shqipes.

Situata e gjuhës standarde shqipe në Kosovë është pakëz ndryshe, ajo atje, ç’është e vërteta, vuan nga po ajo dergjë veçse kronike; është fjala për trysnitë shumë dekadash sllave që ushtronin ndikim në mënyrë intensive tek shqiptarët e gjuha e tyre, sidomos në mesjetë, kur me serbët bënin jetë të përbashkët në simbiozë – që nga 1912 dyfish intensive dhe drejtpërdrejt.

Sidomos nuk mund të mbyllen sytë përpara faktit që dygjuhësia në Kosovë ka lënë gjurmët e saj (XH. Lloshi).

Gjuha standarde shqipe tashmë është shtrirë në tërë Kosovën, duke qenë e detyrueshme për të gjitha institucionet shtetërore, për shtypin, TV, për mbarë sistemin shkollor me përfshishjen e të gjitha niveleve të tij.

Po të pritet që unë të shprehem nëse studiuesit e gjukhësisë sonë normative janë të kënaqur me shkallëln e arritur të gjuhës standarde shqipe, ne do të pohonim se niveli i përdorimit të gjuhës standarde shqipe në Kosovë, përgjithësisht, mund të thuhet se është relativisht i kënaqshëm me tendencë rritjeje të vazhdueshme të tij.

Rezervat tona gjejnë mbështetjen e tyre tek pohimet e studiuesve tanë të gjuhësisë normative se nuk mund të mbyllen sytë përpara faktit që dygjuhësia në Kosovë ka lënë gjurmët e saj ku shtohet si edhe në libra të autorëve të shquar të Kosovës ndeshen ndikime të serbishtes standarde.

Në veprimtarinë e kulturës së gjuhës nuk mund të arrihet kurrfarë suksesi po s’u edukua dashuria për gjuhën amtare, ndjenja e përgjegjësisë dhe qëndrimi i ndërgjegjshëm ndaj saj. Ka plot të drejtë një autor italian kur thotë: Chiamo uomo qui e padrone della sua lingua materna (quaj njeri atë që është zot i gjuhës së vet amtare).

Analizohen proceset e zhvillimit të gjuhës me qëllim që të përparohet e të përsoset gjuha standarde

Fenomene të ndryshme për ta mbijetuar shkapërderdhjen e qenies, manifestojnë prirjen për t’iu nënshtruar proceseve integruese,  ndërkaq në gjuhësinë shqiptare, në shkallë “ndërdialektore”, vërehen tendenca “copëzimi”: si do ta shpjegonit, me mjete socio-gjuhësore dhe socio-kulturore, këtë prirje?

Një palë intelektualësh në jetën shoqërore të shtetit të mëparshëm shqiptar duke mos qenë të kënaqur me zgjidhjen e çështjes së gjuhës së përbashkët letrare, zunë të shprehnin pakënaqësinë e tyre përse në bazë të saj vihej varianti letrar toskë. Njëri prej tyre “nuk e gjente të përligjur që shqiptarët të kenë gjuhë standarde të veten, sepse, fjala e tij, nuk e paska atë asnjëri nga popujt e Ballkanit, tjetri deklaronte se ai i njihte vendimet e Kongresit të Drejtshkrimit, por nuk pajtohej me manipulimet e A. Kostallarit”. Dyshimi u përhap shpejt edhe në Kosovë, duke prekur aty-këtu edhe ndonjë individ dhe grup.

E quajmë të nevojshme të sjellim këtu mendimin dhe qëndrimin e I. Kadaresë: “Që çdo shkrimtar ka të drejtë të përdorë gjuhën, dialektin, madje nëndialektin që dëshiron, kjo hyn në lirinë e krijimit, dhe askush nuk mund t’i ndërhyjë. Që në institucionet shtetërore, në shtyp, TV, sistemin shkollor e tjerë bën të detyrueshëm gjuhën e njësuar, kjo, gjithashtu, nuk vihet në dyshim. Që ky njësim nuk prek asnjë fije traditën letrare, e cila në jetë të jetëvet do të lexohet e studiohet ashtu siç është shkruar, as për këtë nuk ka mëdyshje. Në tempull hyhet me dashuri, jo me sopatë në dorë”, Aleanca, 17 nëntor 1995.

Për Kadarenë, pra, është krejt normale që, krahas shqipes standarde, e cila është e detyrueshme për institucionet shtetëroe, të funksionojnë në letërsinë artistike edhe variante dialektore edhe nëndialektore. “Problemin e gegërishtes letrare nuk e fshijnë dot nga faqja e dheut as me njëqind intervista, as me njëmijë përbuzje. Fakti që sot e gjithë ditën ajo shkruhet edhe në Shqipëri, flet për të kundërtën. Ky variant letrar i shqipes është një pasuri e jashtëzakonshme – jo vetëm historikisht, nga që përmbledh në pesë shekuj letërsi, por edhe në gjendjen aktuale.”

E mbështesim mendimin e shkrimtarit tonë të madh – të Ismail Kadaresë, të shprehur për zgjidhjen e drejtë të shqipes sonë të përbashkët letrare, – njohës i thellë i kulturës sonë kombëtare – me porosinë që ajo të studiohet, të pasurohet, të pastrohet e të përparojë, kjo është politika jonë gjuhësore, por kurrsesi politikë për të ndërruar bazën dialektore të saj.

Kryesia e Akademisë sonë të Shkencave dhe të Arteve ka ngritur një komision të posaçëm me detyrë që të kujdeset për çështje të përgjithshme të përparimit e të përsosjes së gjuhës standarde shqipe. Siç dihet, një gjuhë standarde – edhe kjo jona nuk është dhënë si e tillë njëherë e mirë për gjithmonë; zhvillimi i saj nuk ka karakter statik, por ka një karakter dinamik. Komisioni ynë bashkëpunon me komisionin omonim të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, atje është edhe selia e komisionit qendror. Komisionet lokale ndjekin pulsin e zhvillimit të gjuhës standarde shqipe, dhe kur hetojnë se ka ardhur koha që në të mirë të përsosjes së gjuhës standarde mund të kërkojnë që për ndonjë propozim të debatohet dhe në fund të miratohet përfundimisht.

——–

 

VEPRAT KRYESORE TË IDRIZ AJETIT

  1. Pamje historike e ligjërimit të Gjakovës në fillim të shekullit XIX, Rilindja, 1960.
  2. Istorijski razvitak gegijskog govora Arbanasa kod Zadra, Balkanoloski institut, Sarajevo, 1961.
  3. Kërkime gjuhësore, Rilindja, 1978.
  4. Studime gjuhësore në fushë të shqipes I, Rilindja, Prishtinë, 1982.
  5. Studije iz istorije albanskog jezika, Akademija nauka i umetnosti Kosova, Rilindja, Prishtinë, 1982.
  6. Shqiptarët dhe gjuha e tyre, ASHAK, Prishtinë, 1994.
  7. Studime gjuhësore në fushë të shqipes II, Rilindja, Prishtinë, 1985.
  8. Studime gjuhësore në fushë të shqipes III, Rilindja, Prishtinë, 1985.
  9. Studime gjuhësore në fushë të shqipes IV, Rilindja, Prishtinë, 1989.
  10. Vepra 1, ASHAK, Prishtinë, 1997.
  11. Vepra 2, ASHAK, Prishtinë, 1998.
  12. Vepra 3, ASHAK, Prishtinë, 1998.
  13. Vepra 4, ASHAK, Prishtinë, 2001.
  14. Vepra 5, ASHAK, Prishtinë, 2002.
  15. Hyrje në historinë e albanistikës në planin përgatitor

 

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Idriz Ajeti, shuhet akademik

RILINDJA, GAZETA HISTORI E NISUR PARA 74 VITEVE

February 12, 2019 by dgreca

-Në 12 Shkurt 1945  në Prizren nisi të dalë gazeta historike e tradicionale shqiptare e Kosovës Rilindja, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana/

 1 Rugova 20056 Rilindja3 Rilindja Pavaresia4 Behluli5 Rilindja 20022 Rilindja 31 Dh 2019

 -Gazeta Rilindja në 74 vjetor, në pritje të së drejtës  e ridaljes 17 vjet pas dëbimit nga administrata e UNMIK-ut/

 -Në 23 Tetor 2018 Qeveria e Kosovës mori vendim për kryerjen e pagesës për shpronësimin e Ndërtesës së ish-Ndërmarrjes Shoqërore Rilindja. Punëtorët e gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja presin që në 2019-tën Qeveria të bëjë pagesën dhe të realizojnë të drejtat e ligjëshme…/

 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

PRISHTINË, 12 Shkurt 2019/ Në këtë 12 Shkurt 2019 gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja do të festonte 74 vjetorin në një vend normal, të lirë e demokratik, të sundimit të ligjit e të drejtësisë.

Por, në këtë Kosovë, në këtë vit të jubileut të 20 vjetorit të Lirisë e 11 vjetorit të Pavarësisë, në këtë muaj mbushen plot 17 vjet nga 21 Shkurti 2002, ditës së dëbimit prej shtëpisë së saj, të kundërligjshëm dhe të dhunëshëm, nga administrata e UNMIK  dhe detyrimisht mbylljes së gazetës historike Rilindja, e cila kërkoi të drejtën e saj edhe me padi në gjykatë e edhe duke nxjerrë rreth 40 numra protestues të jashtëzakonshëm të kohëpaskohëshëm…

Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja nisi të dalë para 74 viteve në 12 Shkurt 1945 në Prizren, në frymën e Konferencës së Bujanit – të Rezolutës për vetëvendosje e të drejtë bashkimi me Shqipërinë, me angazhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana. Si në filmin shqiptar “Udha e Shkronjave”…

“Shkronja për Rilindjen dërgoi Tirana pasi në Shtypshkronjën e  Rilindjes në Prizren nuk kishte shkronja të  mjaftueshme të derdhura në plumb për shkrim në gjuhën shqipe”, kam shkruar në shtojcën monografi të gazetës së 22 Shkurtit 2008  “Rilindja 63 vjet – Kosova në Rilindje drejt pavarësisë”.

Në monografi theksohet se, “numri i parë i gazetës Rilindja, që kishte katër faqe, u radhit me dorë për rreth 72 orë dhe për këtë u deshtën katër arka shkronja shqipe të derdhura në plumb, që u sollën nga Tirana”.

“T’i përvishemi punës…”, ishte kryeartikulli në ballinë i numrit të parë të gazetës Rilindja, që mbanë datën 12 Fruer (Shkurt) 1945 e që kishte çmimin edhe 1 Lek, e që sipas shkrimeve Kosovën e përcaktonte si një vend të veçantë.

“Jehona e vendit” ishte rubrika, ku janë të botuara 6 lajme e informata nga Kosova, e të 4 lajmet e tjera janë të jashtë vendit nga fronte të ndryshme të Luftës së Dytë Botërore, që ende vazhdonte (Froni i Lindjes, i Perëndimit, i Jugosllavisë dhe ai i Italisë).

 Numri i parë i gazetës Rilindja u shtyp në një tirazh prej mëse 3.000 ekzemplarësh dhe u shpërnda në gjithë Kosovën. Në fillimet e saj, në rrethanat e një shkalle të lartë të analfabetizmit të asaj kohe në Kosovë, gazeta Rilindja u përdor edhe për mësimin e shkronjave shqipe, shkrimit e leximit.

Shkrimtari Esad Mekuli, drejtor përgjegjës në shënimin e njëvjetorit të daljes së gazetës Rilindja më 1946, ndër të tjera, shkruante: “… ‘Rilindja’ duhet të dalë çdo javë rregullisht…duhet të bahet pasqyrë e veprimtarisë s’onë…”

Më 11 Qershor 1950,  Rilindja (që rëndom dilte një here në javë) njoftonte se, “tash e mbas del dy herë në javë, t’Ejtën dhe të Shtunen”.

Më pastaj, gazeta Rilindja shpeshtoi daljet dhe që nga fundi i nëntorit të vitit 1958 filloi të botohet përditë.

E përditshmja Rilindja me fizionomi të re, me ngjyrën e kaltërt, që iu shtua faqeve bardhezi, filloi të dalë të dielen e 17 Prillit të vitit 1966.

Gazeta historike Rilindja në 19 Nanduer  (Nëntor) 1946 jepte lajmin e madh për abetaren e parë në gjuhën shqipe të botuar në Kosovë: “Sot duel nga shtypi abetarja e parë në gjuhën shqipe e cila me punën vetmohuese të punëtorëve grafikë u shtyp, për një kohë relativisht të shkurtë…Abetarja përmbanë 58 faqe dhe asht  shtypë në 5.000 ekzemplarë”.

Rilindja lindi në një kohë kur duhej luftuar analfabetizmi. Më 23 janar 1946 kjo gazetë botonte artikullin redaksional “Analfabetizmi asht anmiku i popullit”.

Ndërsa, ndonjë ditë më vonë shkruante se “afër 20.000 burra e gra marrin pjesë në kurset për luftimin e analfabetizmit”. Rilindja e datës 14 fruer (shkurt) 1947, në një titull të madh, shkrunte se në Kosovë “Funksionojnë 2.485 kurse kundër analfabetizmit, ku janë përfshi 52.413 ndjekësa”.

Rilindja (e datës 1 janar) ka hyrë në vitin 1949 me një artikull që angazhohej për të drejtën e shqiptarëve në “përdorimin e gjuhës së tyne amnore” dhe shënon faktin se gjatë viteve 1945 -1949 në Kosovë “kanë mësue shkrim-këndim mëse 100.000 analfabetë”.

Ndërkohë, krahas luftës kundër analfabetizmit, është zhvilluar edhe aksioni për zgjerimin e rrjetit të bibliotekave. Sipas Rilindjes, në fillimin e vitit 1949 në bibliotekat e Kosovës kishte 8.230 libra e broshura në gjuhën shqipe. Kurset kundër analfabetizmit nëpër qyetet e fshatrat e Kosovës kanë qenë tema e qindëra shkrimeve në shumë numra e faqe të gazetës Rilindja. Fushata – aksioni i Rilindjes për zhdukjen e analfabetizmit filloi qysh në vitin 1945 dhe zgjati gati 7 vjet.

Më 1946 dhe 1947 Rilindja iu bashkua aksionit për emancipimin e femrës shqiptare, ndërsa në vitet 1972 – 1975 aksionit për shkollimin e femrës shqiptare.

Rilindja në 6 Gusht 1947 shkruante: “…Lufta kundër çarshafit duhet të vazhdojë deri sa të zbulohet edhe femna e fundit. Tridhjet mijë femna shqiptare të zbulueme, në interes të popullit shqiptar kërkojnë që lufta kundra çarshafit të vazhdojë deri në fund…”

Aksion tjetër i rëndësishëm në faqet e gazetës Rilindja ishte ai i huasë popullore për ndërtimin e shkollave në Kosovë gjatë viteve 1970-1972…

“Universiteti i Prishtinës do të japë dritë, shkencë e kulturë”, ishte kryetitulli në gjithë ballinën e gazetës Rilindja në 16 Shkurt 1970. Kështu gazeta historike raportonte gjerësisht për themelimin e Universitetit të Prishtinës – kryeqytetit të Kosovës.

 Festa e madhe dhe e shumëpritur e themelimit të Universitetit të Prishtinës u mbajt më 15 Shkurt 1970 me mbledhje solemne të Kuvendit të Universitetit, vetëm tre ditë pas festës së 25 vjetorit të Rilindjes, e cila në fillimet e saj kishte botuar abetaren e parë shqipe të Kosovës.

“Në Rilindja, që është edhe abetare e parë, i kanë rrënjët edhe Universiteti, edhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, edhe shumë zhvillime e aspiratat tona”, shkruan në Monografi. 

Universiteti i Prishtinës është themeluar me ligjin e miratuar nga Kuvendi i Kosovës në 18 Nëntor 1969 edhe si kërkesë e demonstratave studentore e gjithëpopullore kosovare një vit më herët – në 1968. Në prag të demonstratave shqiptare, Rilindja ditën e diel të 6 Tetorit të vitit 1968 në ballinë kishte shkrimin me titull “Përdorimi i lirë i flamujve kombëtarë”, që po riniste në Kosovë për shqiptarët…

Rilindja e datës 6 Korrik 1962 shkruante se, Kosova “fitoi këto ditë banorin e njimilionit…”

“Simbas regjistrimit të fundit të 31 marsit të vitit të kaluem, në këtë teritor ka pasë 963.551 banorë…” shkruante gazeta duke shtuar se “asht interesante” se në Kosovë “ka afër 40 mijë mashkuj ma shumë se femna”.

 Rilindja në 25 vjetorin e saj, në 12 Shkurt 1970, filloi të dalë me gjuhën e njësuar letrare shqipe. Me këtë rast, në artikullin “Të mësojmë me vullnet gjuhën letrare” bënte thirrje që gjuhës letrare t’i kushtohet kujdes më i madh nga të gjithë.

Për këtë kishte angazhime e shkrime edhe vite më herët. Në Rilindja të 4 Dhjetor 1952, Idriz Ajeti (që në vitet 1979-1981 dhe 1996-1999 ishte edhe kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës) shprehej “(…) Popujt e qytetnuem çmohen edhe përkah begatia, pasunija, përkah bamunia se sa kujdes i kushtojnë gjuhës së tyne amnore. Ata kanë themelata të posaçme që ruajnë dhe shtjellojnë gjithnjishëm mundësitë e saj shprehjore…”

Rilindja më 20 Nëntor 1971 informonte se një ditë më parë në afërsi të Stadiumit të Prishtinës me një solemnitet rasti filloi ndërtimi i Pallatit të Shtypit. Rilindja pasi kishte investuar në truallin e Pallatit filloi edhe ndërtimin e tij, duke qenë udhëheqëse e punimeve dhe investitore.

 Gazeta Rilindja në vitin 1972 (në shtator e tetor) shkruante për zgjerime bashkëpunimi të Kosovës me Shqipërinë dhe për këtë nënshkrimin në kryeqytetin shqiptar të protokolit  mes Universitetit të Tiranës dhe Universitetit të Prishtinës, bisedat në kryeqytetin kosovar  mes drejtuesve të “Kosova Filmit” dhe  delegacionit të Kinostudios “Shpiqëria e Re”, ardhjen e shkrimtarëve nga Shqipëria në Gjakovë e Prishtinë dhe bisedat për shkëmbim të botimeve mes shtëpive botuese, Shfaqjen në Teatrin Kombëtar të Prishtinës të “Gjenaralit të Ushtrisë së Vdekur”, që e solli i ardhur nga Tirana Piro Mani si autor i dramatizimit e regjisor, derisa në premierë asistoi edhe autori i romanit Ismail Kadare, siç shkruante  kritiku teatror Vehap Shita edhe në librin “Kur ndizen dritat”, botuar nga Rilindja, ku ka punuar shumë vite…

 Kosova po shkonte drejt Kushtetutës së vitit 1974,  e cila i ka siguruar mëvetësi organizative si njësi konstituive me të drejtë vetoje në federatën  e atëhershme, nga shpërbërja e së cilës dolën shtatë shtete të reja të rajonit – Kosova, Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedona…

Rilindja nuk u ndal edhe kur u ndalua me ndërhyrje ushtarako-policore në shtypshkronjë nga regjimi okupues serb në 7 Gusht 1990, edhe kur u dëbua kundërlishëm e padrejtësisht nga shtëpia e saj – Pallati i Rilindjes në 21 Shkurt 2002 nga administrata e UNMIK-ut…Nga 18 Janari 1991 doli edhe me emrin “Bujku” gazetë e rezistencës, e lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci, me përcaktim e orientim të fuqishëm properëndimor euroatlantik, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha.

Gazeta Rilindja, kryeredaktor i së cilës isha në kohën e dëbimit nga UNMIK e deri në numrin e fundit, pas datës 21 Shkurt 2002 deri kur doli përditë, doli me numra të jashtëzakonshëm të kohëpaskohshëm e protestues duke e bërë gazetën tradicionale edhe histori të Kosovës që nga koha e rreth një viti pas Konferencës së Bujanit, e nisur në 31 Dhjetor 1943 dhe e përfunduar në 2 Janar 1944,  deri në shpalljen e pavarësisë së Kosovës në 17 Shkurtin historik 2008 e njohjet ndërkombëtare…

 Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja për 17 Shkurtin historik 2008 doli numër i jashtëzakonshëm festiv me kryetitullin me shkonja ngjyrë ari: Kosova shpalli pavarësinë bota e njeh shtetin më të ri.

Po në ballinë, nën imazhet e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, të Flamurit e Stemës së shtetit të ri evropian dhe fishekzjarreve të festimeve në Prishtinë, Rilindja shkruante poashtu me shkronja ngjyrë ari: 17 Shkurti 2008 dita më e madhe shqiptare pas 28 Nëntorit 1912 të pavarësisë së Shqipërisë.

Lart te logoja po në faqen e parë shkruante: Rilindja ju uron shpalljen dhe njohjen e Kosovës shtet i pavarur.

Në këtë numër festiv të gazetës në shtojcën speciale monografi një nga titujt ishte: Presidenti Rugova: Duhet të shikojmë të gjejmë një zgjidhje për Rilindjen. Në këtë shkrim citohet një pjesë e një prej intervistave ekskluzive që kam zhvilluar me Presidentin historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, me këtë rast për gazetën Rilindja të jubileut të 60 vjetorit – të 12 Shkurtit 2005, kur në Rezidencën Presidenciale në cilësinë e kryetarit të Këshillit Drejtues dhe kryeredaktorit të Rilindjes i dhurova Pllakatin e Jubileut të 60 vjetorit të  gazetës tradicionale të Kosovës, të punar me ar e argjend nga argjendarët e Prizrenit, qytetit historik  ku ka dalë numri i parë i gazetës. Presidenti Rugova uroi për Jubileun e gazetës Rilindja gjashtë dekada në jetën dhe në familjet e kosovarëve,  duke u shprehur, mes tjerash:

“Unë Ju përgëzoj për këtë përvjetor Jubilar, pra 60 vjetorin e Rilindjes, dhe dëshirojmë që kjo gazetë sa më shpejtë të konsolidohet. Duhet të shikojmë të gjejmë një zgjidhje për Rilindjen, që të mund të vazhdojë si një gazetë tradicionale. Ne duhet të kemi edhe mjete të informimit të formave të ndryshme, mund të gjejë, ta ketë atë formën të një informacioni dhe prezentimi të çështjeve shtetërore, nëse nesër do ta pranojë Rilindja apo dikush tjetër. Dhe, gjithsesi do të gjendet në mozaikun e masmediumeve të

Kosovës. Ne do t’i shikojmë të gjitha mundësitë dhe do të ndihmojmë në këtë plan dhe do t’ju përkrahim. Rilindja është një gazetë që është një pjesë e historisë së Kosovës dhe që ka ndihmuar zhvillimin e Kosovës në përgjithësi. Natyrisht, tash edhe Rilindja duhet të gjendet në këtë çështjen e tregut të mediumeve. Dhe, duhet t’i ketë ato të drejtat që i takojnë si shtëpi botuese, ose si shtëpi informacioni. Sepse ishte një gjigant i masmediumeve, i botimeve për atë kohë, e sot, tash, duhet ta gjejë rolin e vet si gazetë, e të vazhdojë të ndihmojë zhvillimin dhe perspektivën e Kosovës. Prandaj, do të keni përkrahjen tonë dhe do të shikojmë gjitha mundësitë administrative si do të ecin.

Pra, Urime edhe një herë dhe Gëzuar!”

Gazeta Rilindja, kronikë e zhvillimeve historike të Kosovës, pasi doli me botime speciale edhe për ngjarjen historike të shpalljes së pavarësisë dhe njohjet ndërkombëtare që pasuan, ka përmbyllë daljet e mëse 40 numrave të jashtëzakonshëm të kohëpaskohëshëm në 30 Dhjetor 2008, me numrin festiv të Vitit të Ri 2009, në ballinë me kryetitullin e ëndërres dhe  të ardhëmes: Kosova shtet në OKB. Dhe me paralajmërimin: Duke besuar në sundimin e ligjit në shtetin e Kosovës presim që nga numri i ardhshëm Rilindja të dalë përditë.

 Pas 10 vitesh, gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja në ndërrim motesh – në mbrëmjen e 31 Dhjetorit  2018 të pritjes së 2019-tës, ridoli simbolikisht (botim digjital) për protestë dhe me kërkesën e përsëritur për t’u rikthyer e përditshme – për privatizim, sipas shembullit të gazetave në rajon e në botë që kishin status të njëjtë ndërmarrje shoqërore e që janë privatizuar e vazhdojnë të dalin…

Një nga titujt e kësaj ridalje simbolike të gazetës Rilindja është: “23 Tetor 2018: Lajm i mirë nga Qeveria e Kosovës – Vendimi ­ për kryerjen e pagesës për shpronësimin e Ndërtesës së ish-Ndërmarrjes Shoqërore Rilindja.

“Punëtorët e gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja presin që në 2019-tën Qeveria të bëjë pagesën për shpronësim dhe të realizojnë 20 përqindëshin, se tepër shumë gjatë presin të drejtën – 17 vjet nga dëbimi i dhunëshëm, i padrejtë e i kundërligjshëm nga adminisrata e UNMIK-ut në 21 Shkurt 2002 nga Pallati Rilindja, ku pastaj pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës ka 10 vjet që janë vendosur disa ministri të Qeverisë së Shtetit të Kosovës”, theksohet në shkrimin e gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja që ridoli simbolikisht pas 10 vitesh, botim digjital.

Kërkesa për privatizim-ridalje të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja i është bërë edhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit, e cila është themeluar si një organ i pavarur publik, në bazë Ligjit të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, si pasardhëse e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit e themeluar nga Misioni  i OKB i pas luftës në Kosovë.

Në arsyetimin e  kërkesës për privatizim theksohet edhe se emri dhe tradita e gazetës Rilindja është një vlerë shumë e madhe, e krijuar gjatë mëse shtatë dekadave, është pasuri me vlerë më të madhe se e çdo pallati,  dhe kjo duhet të vlerësohet edhe në procesin e privatizimit.

“Dhe, ai që do ta blejë gazetën Rilindja dhe natyrisht do e nxjerrë këtë të përditshme historike dhe tradicionale të Kosovës do jetë pronar i një pasurie të madhe mediale kombëtare, do të jetë trashëgimtar i ligjëshëm i firmës-emrit, traditës. Rilindja ishte, është dhe mbetet edhe si një shenjë identiteti”, theksohet në kërkesën drejtuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

 Edhe në këtë 74 vjetor e shohim të nevojshme ripërsëritjen e një sqarimi për opinionin: Ndonjë portal që ka “huazuar” emrin, po edhe logon, nuk është as nuk mund të jetë Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, e cila mund të ridalë vetëm në një proces të ligjshëm privatizimi. 

 —

(Autori – kryeradaktor i gazetës Rilindja deri në numrin e fundit dhe në kohën e dëbimit nga Pallati i Rilindjes. Kryetar i Këshillit Drejtues nga zgjedhjet me votim të fshehtë-referendum të 7 Shkurtit 2002, që i mbajtëm për të krijuar legjitimitet përfaqësimi në luftën për të drejtën derisa kishim presionet e ultimatumet e UNMIK-ut për të na dëbuar nga puna dhe Pallati, që ndodhi disa ditë më vonë në 21 Shkurt 2002 dhunëshëm)

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, GAZETA HISTORI E NISUR, PARA 74 VITEVE, Rilindja

KOSOVË-SHQIPËRI, HEQJE KONTROLLEVE NË KUFIRIN E PËRBASHKËT

February 5, 2019 by dgreca

-Drejt nënshkrimit të Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për heqjen graduale të kontrolleve në kufirin e përbashkët/

1 Qeveria.jpg

 -Projektligji për Qeverinë e Republikës së Kosovës, pjesë e Programit Legjislativ për vitin 2019/

-Qeveria e Kosovës i jep statusin investitorit të parë strategjik, investim prej 170 milionë euro/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

 PRISHTINË, 5 Shkurt 2019/ Qeveria e Republikës së Kosovës, drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, në mbledhjen e pasditës  së sotme, të 88-en, aprovoi vendimin për t’i rekomanduar Presidentit të Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit ministrit të Punëve të Brendshme për nënshkrim të Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për heqjen graduale të kontrolleve në kufirin e përbashkët.

Marrëveshja synon heqjen e pengesave për qarkullimin e lirë në kufijtë e përbashkët ndërmjet dy vendeve dhe të garantojë lirinë e kalimit të kufirit për qytetarët dhe për lëvizjen e lirë të mallrave dhe shërbimeve.

Marrëveshja do të garantojë kalimin në çdo pikë kufitare pa kryer kontrollin e personave, mirëpo në situata të kërcënimit të sigurisë apo situatave të veçanta  mund të rivendoset kontrolli përkohësisht deri në 30 ditë por që mund të zgjatet deri në rivendosjen e gjendjes normale.

Qeveria kosovare në mbledhjen e fundit të vitit 2018, në 28 dhjetor, ka miratuar nismën për lidhjen e Marrëveshjes me Këshillin e Ministrave të Republikës së Shqipërisë për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës dhe kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar.

Nënshkrimi i marrëveshjes është bërë të nesërmen, në 29 dhjetor, në pikëkalimin kufitar Morinë-Vërmicë.
“Qëllimi i Marrëveshjes është që palët të angazhohen për thjeshtësimin dhe përshpejtimin e verifikimeve kufitare, për lehtësimin e qarkullimit të shtetasve dhe mallrave”, është theksuar me këtë rast.

Në 15 janar 2019 është bërë hapja e Zyrës Doganore të Kosovës në Portin e Durrësit, e cila sic u thekua “është hapi i parë i rëndësishëm drejt bashkimit të plotë doganor mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe një stacion tjetër i rrugëtimit tonë të projektuar së bashku në mbledhjen e dy qeverive”.

Qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë, në 26 nëntor 2018,  në qytetin e Pejës zhvilluan mbledhje të përbashkët, të pestën, pas të parës historike në Prizren në 11 janar 2014, të dytës në Tiranë në 23 mars 2015 , të tretës në 3 qershor 2016 në Prishtinë dhe të katërtës në 27 nëntor 2017 në Korçë.

PROJEKTLIGJ PËR QEVERINË E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme fillimisht është informuar për statusin e hartimit të Projektligjit për Qeverinë e Republikës së Kosovës. Sipas informatës Projektligji për Qeverinë e Republikës së Kosovës është pjesë e Programit Legjislativ për vitin 2019. Me këtë Projektligj, përcaktohen parimet e punës së Qeverisë e cila në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës ushtron pushtetin ekzekutiv, bazuar në parimin e ligjshmërisë, përgjegjshmërisë, transparencës, si dhe parimin e efikasitetit dhe efektshmërisë.

Projektligji për Qeverinë e Republikës së Kosovës, përcakton përbërjen, mandatin e  Qeverisë, fillimin dhe përfundimin e mandatit të anëtarëve të Qeverisë, si dhe kufizimet në kompetencat e Qeverisë në dorëheqje. Po ashtu, me këtë Projektligj përcaktohet statusi i anëtarëve të Qeverisë si dhe aktet me të cilat vendos Qeveria.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka vlerësuar të rëndësishme aprovimin e tri ligjeve të rëndësishme për reformën e administratës publike nga Kuvendi i Kosovës:  Ligji për administratën shtetërore;   Ligji për zyrtarët publikë;  Ligji për pagat.

Me kalimin e kësaj pakoje, po e përmbyllim një punë intensive të të gjitha institucioneve të vendit, në zbatim të programit të punës së Qeverisë, Planit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së, Axhendës së Reformave Evropiane dhe Strategjisë Kombëtare për Zhvillim. Këto projektligje konsiderohen si shtyllë e shtetit dhe funksionimit të tij dhe të cilat i japin vendit qeverisje të mirë, zhvillim ekonomik dhe sundim të ligjit dhe të orientojnë shoqërinë kah Bashkimi Evropian, ku është e ardhmja jonë.

Kabineti qeveritar ka aprovuar rekomandimin e Komisionit Ndërministror për Investime Strategjike për dhënien e statusit të investitorit strategjik për subjektin investues “SOWI KOSOVO L.L.C. Vlera e kapitalit të këtij investimi strategjik është 169,093,575.00 euro.

Në mbledhjen e sotme janë miratuar nismat për:   Aderimin e Kosovës në ICMP, Komisioni Ndërkombëtarë për Persona të Zhdukur;  Për lidhjen e Marrëveshjes për Sigurime Sociale me Qeverinë e Republikës së Maqedonisë;  Për lidhjen e Marrëveshjes për sigurime sociale me Qeverinë e Republikës së Malit të Zi;   Për negocimin e marrëveshjes për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Unionin Ndërkombëtarë për Ruajtjen e Natyrës.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Behlul Jashari, HEQJE KONTROLLEVE NË, Kosovë-Shqipëri, KUFIRIN E PËRBASHKËT

Kosovë-Ekspertë Amerikanë dhe të FSK demolojnë mjete të pashpërthyera

February 1, 2019 by dgreca

-Për të përcjellë nga afër këtë operacion, prezent ishte edhe komandanti i Kampit  Amerikan “Bondsteel”, koloneli Macaraeg/

1 demolim PRISHTINË,  1 Shkurt 2019-Gazeta DIELLI/ Është zhvilluar një operacion i përbashkët i ekspertëve Amerikanë dhe të Forcës së Sigurisë së Kosovës për demolimin e mjeteve të pashpërthyera.

Në një njoftim të zyrës së shtypit të Ministrisë së Mbrojtjes, dërguar sot, bëhet e ditur se, specialistët e Ekipeve për Eliminimin e Mjeteve të Pashpërthyera Eksplozive (EOD) të Kompanisë së Deminimit të Forcës së Sigurisë të Kosovës, në bashkëpunim me specialistët e Ekipit të EOD-së, nga Kampi Amerikan “Bondsteel”, kanë realizuar një operacion të përbashkët për shkatërrimin e mjeteve eksplozive të cilat janë gjetur nga ekipet e EOD-së, në rajone të ndryshme të Kosovës.Në këtë operacion janë demoluar 16 mjete të kalibrave të ndryshëm, të cilat kanë qenë rrezik permanent për jetën e qytetarëve. Demolimet janë realizuar në fshatin Halilaq,  organizuar në dy cikle. Operacioni i demolimit ka shkuar sipas planifikimit dhe është realizuar me sukses.

Për të përcjellë nga afër këtë operacion, prezentë ishin edhe komandanti i Kampit “Bondsteel”, koloneli Macaraeg, koordinatori për Deminim nga Shtabi i Përgjithshëm i KFOR-it – Kampi “Film City” në Prishtinë,  A. Cipri,  zëvendës komandanti i Regjimentit të Mbrojtjes Civile (RMC), nënkolonel Bajram Bekteshi, si dhe komandanti i Kompanisë së Deminimit, major Gëzim Sada.

 Të pranishmit u ndanë të kënaqur me punën dhe angazhimin e ekspertëve të EOD-së dhe vlerësuan lartë bashkëpunimin e ndërsjellë në mes të FSK-së dhe KFOR-it, thekson njoftimi./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, demolishing, FSK, Specialistet amerikane

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • …
  • 245
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave
  • Fitoi Çmimin e Madh në Saint-Saëns International Music Competition, Prof. Ina Kosturi: “Shpaloseni talentin shqiptar nëpër botë e na bëni krenarë”
  • “Ëndrra Amerikane” në Washington DC
  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞
  • LËVIZJA KOMBËTARE – NGA AUTONOMIA TE PAVARËSIA E SHQIPËRISË
  • “VATRA” në Boston ju fton në “Albanian Boston Community Center” më 17 janar 2026

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT