• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

CEREMONIA-Adem Demaçit, nderimet e gjithë kombit shqiptar

July 28, 2018 by dgreca

1 Varrimi adem

1 nderim baces adem-Nderimet më të larta të gjithë kombit shqiptar dhe shtetërore për Adem Demaçin, njeriun-simbol të rezistencës dhe luftës në Kosovë për lirinë e pavarësinë. Zhvillohet në Prishtinë ceremonia komemorative në Sheshin Skënderbeu dhe e varrimit në Kompleksin memorial të heronjëve e dëshmorëve në Velani/1 baca e skenderbeu

1 Ramushi flet-Kryeministri Haradinaj, propozim vendim për vendosjen e shtatores së Adem Demaçit në Sheshin “Adem Demaçi” në Prishtinë, emërtimin e Autostradës Prishtinë-Pejë “Autostrada Adem Demaçi” dhe për të emërtuar Parkun e Qytetit të Prishtinës “Parku Adem Demaçi”/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 28 Korrik 2018/ Me nderimet më të larta të gjithë kombit shqiptar dhe shtetërore për Adem Demaçin, njeriun-simbol të rezistencës dhe luftës në Kosovë për lirinë e pavarësinë, është zhvilluar sot në Prishtinë ceremonia komemorative në Sheshin Skënderbeu dhe e varrimit në Kompleksin memorial të heronjëve e dëshmorëve në Velani.

Në ceremoninë komemorative, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi,  tha se Adem Demaçi ishte dhe do të mbetet ndërgjegjja jonë kombëtare, simboli ynë i qëndresës ishte i burgosuri shqiptar numër Një i ndërgjegjes në ish-Jugosllavi dhe në Evropë.

“Sot, më 28 korrik, kombi shqiptar po ndahet fizikisht nga Adem Demaçi, një kolos që u vetëmohua tërë jetën për qëllimin madhor, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.Kosova dhe mbarë bota shqiptare po ndahet nga Adem Demaçi, një personalitet historik i jashtëzakonshëm  me integritet të lartë intelektual, letrar, politik dhe kombëtar. Bota po ndahet nga Mandela i Evropës”, u shpreh presidenti Thaçi.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, në fjalën e lamtumirës tha se Baca Adem, është heroi ynë i përjetshëm. “I dashur Baca Adem, jeta jote ishte luftë, por ti arrite ta fitosh sepse ti arrite të jesh Adem Demaçi i Kosovës. E gjithë bota të njohu si Mandela i Kosovës. Ti ishe mbrojtësi i flaktë i të drejtave të njeriut, pa dallim, njeriu ndryshe i nënqiellit tonë. Sot fjalët Bacë, janë të pakta për ty. I lehtë të qoftë dheu i Kosovës. Lamtumirë baca Adem Demaçi, heroi ynë i përjetshëm i përpjekjeve për liri”, u shpreh  presidenti Meta.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se Baca Adem Demaçi ishte patriot, ishte si të tjerët por i veçantë në veprën e tij, i brezit të vet, por i vetmi.

“Kur të tjerët u ndalën Bac Ti vazhdove, kur të tjerët u gëzuan me të drejtat e pjesshme, ty të mundonte padrejtësia e pjesshme. Ti ishe i vetëm për të drejtën e plotë. Kur të tjerët iu gëzuan lirisë së pjesshme, Ty të mundonte robëria e pjesshme. Ti ishe për liri dhe të drejta të plota…Ti dhe nga liria jote për lirinë tonë më së shumti nga të gjithë ne për së gjalli. Ti na mësove rrugën deri te liria. Më në fund populli yt po i bashkohet familjes së popujve të lirë. Prehu i qetë Baca i Kombit Adem Demaçi, Heroi ynë!”, tha kryeministri Haradinaj.

Para përfaqësuesve më të lartë institucionalë, të pranishmëve të shumtë dhe personaliteteve nga vendi dhe rajoni, një fjalë rasti mbajti edhe kryetari i BDI-parti shqiptare në Maqedoni, Ali Ahmeti, si dhe vajza e djali i Adem Demaçit – Abetare dhe Shqiptar Demaçi.Në ceremoninë shtetërore të varrimit në Velani të Adem Demaçit, kurora lulesh vendosën presidenti Hashim Thaçi, presidenti Ilir Meta, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, kryeministri Ramush Haradinaj, pasi i fundit me fjalë lamtumire është ndarë bashkëveprimtari i Demaçit, Selatin  Novosella. “Baca Adem sot kur po ndahemi prej teje vetëm na ngushëllon një moment se patëm fatin të jetojmë në epokën tënde”, u shpreh ai.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, sot pas ceremonisë mortore, në nderim të emrit dhe veprës së Adem Demaçit ka marrë propozim vendim për vendosjen e shtatores së Adem Demaçit në Sheshin “Adem Demaçi” në Prishtinë, emërtimin e Autostradës Prishtinë-Pejë “Autostrada Adem Demaçi” dhe propozimin për të emërtuar Parkun e Qytetit të Prishtinës “Parku Adem Demaçi”.

Vendim-propozimi do të procedohet në mbledhjen e radhës të Qeverisë së Republikës së Kosovës për respekt te emrit dhe veprës së tij, si pjesë e identitetit shpirtëror dhe politik të Kosovës, një figurë unike në përpjekjen tonë për liri.

Bashkë me vendimin do të krijohet komisioni përkatës, që do të udhëhiqet nga Zyra e Kryeministrit për të ndjekur të gjitha procedurat e nevojshme.
Zyra e Kryeministrit do të mbulojë shpenzimet e këtij vendimi.

Filed Under: Featured Tagged With: Adem Demaçit, Behlul Jashari, e gjithë kombit shqiptar, nderimet

ADEM DEMAÇI NË KËRKIM TË LIRISË

July 27, 2018 by dgreca

 

-Adem Demaçi, simbol i rezistencës shqiptare në Kosovë,  edhe me grevë urie në kërkim të lirisë dhe në mbrojtje të fjalës shqipe/

1 Adem Greca '931 Ali Pdrimja6 Greva1 Rilindja Greva.JPG2 Grand Prishtine 20025 Demaci saharov1 Perf greva 93

-Demaçi në festimin e 57-vjetorit të gazetës tradicionale të Kosovës: Rilindja arriti ta luajë një rol që ta mbante të gjallë frymën kombëtare/

-Rilindja në numrin festiv të 12 shkurtit 2002 në faqen e parë botonte editorialin e shkruar enkas nga Ambasadori Xhon Menzis, Shef i Misionit, Zyra e SHBA-ve në Prishtinë/

-Me rastin e ndarjes së Çmimit Sakharov, në 4 dhjetor 1991,  Adem Demaçi tha: Në Kosovë pushtuesit serbomëdhenj, hegjemonistë e militaristë, përmes dhunës më të egër, po i presin një nga një arteriet jetëdhënëse të popullit shqiptar…/

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI- PRISHTINË, 27 Korrik 2018/ Në Kosovë para  çerek shekulli, nga 24 maji deri në  3 qershor të vitit 1993,  u zhvillua një grevë e madhe e urisë e gazetarëve dhe shkrimtarëve shqiptarë, e nisur nga simboli i rezistencës shqiptare në Kosovë, Adem Demaçi, në kërkim të lirisë dhe në mbrojtje të fjalës shqipe, Ndërmarrjes Rilindja, në kohë të stuhishme, të rënda të pushtimit e të dhunës së egër nga regjimi serb, i cili pasi ndaloi gazetën tradicionale Rilindja, të vetmen të përditshme shqipe në Kosovë, po ia merrte për ta tjetërsuar e shndëruar në ndërmarrjen fantome “Panorama” të instaluar nga Beogradi edhe gjithë pronën, përfshirë pallatin 18 katësh në qendër të Prishtinës.

Trokëllima e telexit të raportimeve që bëja për Agjencinë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë – ATSH, duke nisur nga 24 maji 1992 i zgjedhjeve të para pluraliste në Kosovë, hapë filmin dokumentar të xhiruar gjatë grevës njëmbëdhjetëditëshe. Derisa zhvillohet greva e urisë e gazetarëve e shkrimtarëve shqiptarë në Pallatin e Shtypit Rilindja në Prishtinë, flas në dokumentar:  “Këtu është zyra e telexit të Rilindjes. Nga ky telex për çdo ditë dërgojmë raporte, informata për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, në Tiranë. Ja, në këto momente jemi duke u përpjekur ta marrim lidhjen…Presim… Lidhjet janë tepër të dobëta…”

Lexoj nga lajmi që sapo kisha dërguar nga Prishtina në Tiranë në Agjencinë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë: “Para mbrëmjes, përfaqësuesi i Misionit të KSBE-së në Kosovë erdhi në Rilindje dhe po bisedon me Këshillin Grevist. Deri tash nuk ka ende asgjë nga ajo që pritej për sot, arritja e marrëveshjes konkrete. Bisedat vazhdojnë, ndërsa vazhdon edhe dita e tetë e grevës së urisë e Adem Demaçit dhe grevistëve të tjerë për mbrojtje të lirisë dhe fjalës shqipe. Qëndrimet serbe që na i prezantoi misionari i KSBE-së janë të papranueshme për Këshillin Grevist dhe për kolektivin e Rilindjes…Tashmë janë vendosur edhe rojet e armatosura civile serbe në portën e Rilindjes…”

KSBE ishte mision  evropian, që tash është OSBE. Emri zyrtar i OSBE-së para vitit 1995 ka qenë Konferenca për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (KSBE).

Në atë mbrëmje të 31 majit 1993, të ditës së tetë të grevës së urisë, dr. Gani Demolli, themelues i shërbimit mjekësor  “Nëna” në kohën e dëbimit të dhunshëm të shqiptarëve edhe nga spitalet, derisa po kujdesej për shëndetin e grevistëve duke qëndruar ditë e natë pranë tyre po vijonte të bënte me kamerën e tij edhe një film dokumentar dëshmi kohe për rezistencën deri në flijim, për lëvizjen gjithëkombëtare për liri e pavarësi…

Në dokumentarin e kohëve të kërkimit të lirisë, “Greva e urisë 1993” në Pallatin e Shtypit Rilindja në kryeqytetin e Kosovës, në ekran, shfaqen emrat e disa prej shumë grevistëve: Ali Podrimja, Zenun Çelaj, Bardh Hamzaj, Nehat Islami, Shaip Beqiri, Idriz Ulaj, Milazim Krasniqi, Abdullah Konushevci, Bajram Kosumi, Vezir Uka, Shkëlzen Stublla,  Halil Matoshi, Blerim Shala, Besim Rexhaj, Gani Gashi, Shpend Vinca, Haqif Mulliqi, Agim Zogaj, Muhamet Ahmeti…Shfaqen pamjet e njerëzve dhe kohëve të rezistencës, të lëvizjes e luftës për Kosovën e lirë e të pavarur.

“Më 20 maj 1993 regjimi serb me dekret të posaçëm ‘Rilindjen’  të vetmen Ndërmarrje Gazetare Botuese në gjuhën shqipe e shendërroi në ‘Panorama’”, shkruhet në fillim të filmit dokumentar.

Në dokumentar për kërkesat e Këshillit Grevist gjatë një konference për shtyp flet kryeredaktori i atëhershëm i revistës letrare “Fjala”, që e botonte Ndërmarrja Rilindja, Milazim Krasniqi. “Ato kërkesa janë në funksion të mbrojtjes së Institucionit të Rilindjes dhe  të shtypit të lirë…”, thekson ai.

 

Ishte kohë okupimi, shqiptarët ishin dëbuar  kolektivisht nga puna e nga institucionet, nga universiteti, edhe fëmijtë shqiptarë ishin dëbuar nga shkollat e çerdhet, foshnjoret…

“Kjo është dëshmia: Pushteti serb pengoi fillimin e mësimit në shkollat shqipe në Kosovë… Serbia mbyll shkollat e shqiptarëve”, flas në dokumentarin e grevës së urisë në Pallatin Rilindja – lexoj titujt e mëdhenj në ballinën e gazetës së rezistencës “Bujku”.

Në atë kohë, në dokumentar flas, lexoj edhe titujt e numrit vijues të gazetës që nuk u ndal edhe kur u ndalua: “U ndalua gazeta ‘Bujku’ e 3 shtatorit (viti 1991). U ndalua sepse shkroi se policia serbe nuk lejoi nxënësit shqiptarë të hyjnë në shkolla”.

Edhe në atë kohë, poeti Ali Podrimja në grevën e urisë në mbrojtje të fjalës shqipe, kishte një përjetim lirie si ëndërr në barrikadimin në Pallatin e Rilindjes. Në dokumentar shihet e degjohet tek këndon-reciton me buzët shkrumb etje e urie vargjet që sapo i krijonte:

“SHIKIMI NGA DRITARJA

Nëse shkojmë mos na vajtoni

Vetëm na këndoni

Se lirinë e përjtuam nga brenda”.

Në dokumentarin për grevën, në rrëfimin e nisur pranë telexit të raportimeve për ATSH, në ambientet e grevës së urisë, them edhe këtë: “Grevistët e urisë në Pallatin e Shtypit, të vetmin kontakt me jashtë Pallatin e kanë shikimin në botë nga këto dritare. Ata janë ngujuar qe tetë ditë këtu, janë barrikaduar këtu, për fjalën e lirë shqipe…”

Në dokumentar shihet: data 31 maj 1993, ora e mbrëmjes vonë, rraplloj dyerte mbyllura për shqiptarët nga serbët e armatosur, në shtëpinë tonë, të Rilindjes… Dua t’i hap…

E rezistenca,  greva e urisë vazhdonte në Pallatin e Shtypit Rilindja…

Dita e fillimit të grevës ishte pikërisht një vit pas zgjedhjeve të para pluraliste presidenciale e parlamentare të 24 Majit 1992 në kërkim të vendosjes së pushtetit të Kosovës në Kosovë, në zhvillime historike, që pasonin Deklaratën e Pavarësisë të 2 Korrikut e Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990, si dhe Referendumin e 26 deri 30 shtator 1991, në të cilin për shtet sovran dhe të pavarur u deklaruan 99,87 për qind e qytetarëve pjesëmarrës masivisht në votim…

 

Para  16 viteve, në 12 shkurt 2002,  Adem Demaçi merrte pjesë në festën e 57-vjetorit të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja, kryeredaktor i së cilës isha në atë kohë dhe i kisha bërë ftesë të veçantë.

“Festimi i 57-vjetorit të ‘Rilindjes’” ishte mbititulli e “Gazetë që mbajti gjallë fryemën kombetare dhe besimin e popullit të Kosovës” ishte kryetitulli në ballinë, i nxjerrë nga fjala përshendetëse e Adem Demaçit dhe e pjesëmarrësve të tjerë, përfshirë diplomatët e përfaqësive në Prishtinë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë e Shqipërisë.  Rilindja në numrin festiv të 12 shkurtit 2002 në faqen e parë botonte editorialin me titull “‘Sundimi i Ligjit’ apo ‘Sundimi i Bandave’? Kosova Duhet të Vendosë”, të shkruar enkas nga Ambasadori Xhon Menzis, Shef i Misionit, Zyra e SHBA-ve në Prishtinë.

Adem Demaçi në manifestimin e gazetës Rilindja, mes tjarash, tha:

“Kam nderin dhe fatin që të marrë pjesë në festimin e 57-vjetorit. E di se si ka filluar nxjerrja e gazetës, ka filluar duke sjellë rrotën me dorë. Mustafa Hoxha, Haki Hoxha, Esad Mekuli kanë radhitur me dorë, i kanë nxjerrë gazetat…Falë atyre burrave që punuan në kushte të vështira, Rilindja u shndërrua në tribunë. Përveç materialeve partiake botonte edhe materiale tjera që na shtonin shpresën se një ditë do ta ndjekim sunduesin serb…Rilindja arriti ta luajë një rol që ta mbante të gjallë frymën kombëtare me kuadrot qe arritën nga Normalja e Elbasanit dhe nga shtetet fqinje, Italia e Austria”.

Në monografi kam shkruar, se para 73 viteve, në 12 Shkurt 1945, në Prizren nisi të dalë gazeta shqiptare, tradicionale e Kosovës, Rilindja me angazhimin e intelektualëve të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana, e më pas vazhdoi në dalë në kryeqytetin Prishtinë. Gazeta historike Rilindja arriti të jetë histori e Kosovës që nga koha e Konferencës së Bujanit e Rezolutës për të ardhme të vullnetit kombëtar e demokratik të popullit e deri në Pavarësinë e shpallur në 17 Shkurt 2008 e në njohjet ndërkombëtare.

Adem Demaçi,  shkrimtar shqiptar nga Kosova,  ishte 55 vjeç kur mori çmimin prestigjioz të Parlamentit Evropian për mendimin e lirë – Çmimin Sakharov. Në atë kohë ishte kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë.

Me atë rast të dorëzimit të Çmimit Sakharov, në 4 dhjetor 1991,  Adem Demaçi, mes tjerash, tha:

“Në Kosovë pushtuesit serbomëdhenj, hegjemonistë e militaristë, përmes dhunës më të egër, po i presin një nga një arteriet jetëdhënëse të popullit shqiptar duke rrënuar pa mëshirë e plotësisht sistemin informativ, arsimor, shëndetësor, kulturor, sistemin bankar-financiar, sistemin ekonomik, juridik dhe përfundimisht u gjet i rrënuar e i shkallmuar i tërë sistemi politik. E tërë Kosova është shndërruar në një megaburg ku shqiptarët nuk gëzojnë as sigurinë më të vogël fizike, as juridike.

Duke çmuar kohën tuaj, nuk mund të ndalem tani në hollësira, por Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut nga Kosova, përditë dërgon në shumë qendra të botës informata të argumentuara…”.

LIDHJA PËR DOKUMENTARIN E GREVËS SË URISË SË ADEM DEMAÇIT…:

 https://www.youtube.com/watch?v=Qn0U61s8GQo

Filed Under: Featured Tagged With: Adem Demaci, Behlul Jashari, ne Kerkim te Lirise

Shuhet simbol i rezistencës, Adem Demaçi-3 tri ditë zie

July 26, 2018 by dgreca

  • Presidenti Thaci: Ishte gjithmonë i pathyeshëm dhe i papërkulur përballë çdo sfide. Baca Adem tërë jetën ia kushtoi Kosovës !
  • Presidenti Thaçi shpall tri ditë zie për vdekjen e veprimtarit Adem Demaçi/

-Kryeministri Haradinaj-Familjes Demaçi: Rezistenca dhe kontributi juaj deri në ditët e fundit të jetës ishin dhe do të jenë frymëzim për gjeneratat e reja/

1 Adem Demaci

PRISHTINË, 26 Korrik 2018-Gazeta DIELLI/Adem Demaçi, veprimtar e simbol i rezistencës shqiptare në  Kosovës ka ndërruar jetë në moshën 82 vjeçare.Lajmi u bë i ditur sot, pak më parë, në seancën e Kuvendit të Kosovës, e cila u ndërpre pasi u mbajt një minutë heshtje.

“Ka ndërruar jetë mësuesi jonë, njeriu që i dha 28 vjet të jetës së tij nëpër kazamatet serbe. Ai ka ndërruar jetë, por vepra e tij do të lartësohet e kujtohet për sa të ketë jetë”, u shpreh nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, që po kryesonte seancën.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shkruan:Është shumë e vështirë ta pranojmë që simboli ynë i rezistencës, baca Adem, ka ndërruar jetë. Ishte gjithmonë i pathyeshëm dhe i papërkulur përballë çdo sfide. Baca Adem tërë jetën ia kushtoi Kosovës dhe ne gjithmonë do ta kujtojmë si udhërrëfyes dhe do ta kemi si zë ndërgjegjeje popullore. I lehtë i qoftë dheu i Kosovës!

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj shprehet: Prehu në paqe Baca Adem! Gjithë jetën i shërbeve dhe gjithë jetën e nderove atdheun. Përjetësisht atdheu do ta nderojë e kujtojë veprën dhe emrin tënd.

Lidhja Demokratike e Kosovës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta Familjes Demaçi dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës për ndarjen nga jeta të veprimtarit të shquar kombëtar, Adem Demaçit.

LDK thekson se, Adem Demaçi ishte simbol i rezistencës kundër regjimit të Serbisë në Kosovë, duke mos u nënshtruar asnjëherë para dënimeve drastike dhe dhunës së regjimit serb.

Qytetarët dhe populli i Kosovës do ta përkujtojnë përherë veprën kombëtare të Adem Demaçit dhe veprimtarinë e tij në shërbim të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës

***

Kryeparlamentari Veseli: Adem Demaçi, frymëzimi dhe krenaria jonë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, shkruan:Me 17 shkurt të këtij viti, isha për vizitë të Baca Adem për t’ia uruar përvjetorin e 10-të të pavarësisë. Ndonëse i sëmurë, në asnjë moment nuk tregoi shenja dobësimi. I fortë dhe plot vullnet si gjithmonë. E patëm lënë të takoheshim sërish, por kësaj here në Kuvendin e Kosovës. Fati nuk e deshi që ai të vinte. Por, Adem Demaçi do të rrojë me ne, derisa të ekzistojë edhe ky popull, për lirinë e të cilit ai barti mbi supe vuajtjet dhe përpjekjet më të mëdha.

Jo vetëm Kosova, por mbarë kombi shqiptar është i tronditur sot nga humbja e një ndër bijve më të shquar. Me kurajën, sakrificën dhe atdhedashurinë e tij të jashtëzakonshme, ai u bë simbol i rezistencës dhe përpjekjeve të shqiptarëve për liri e barazi në trojet e veta.Vepra e tij shërbeu si burim frymëzimi jo vetëm për luftën tonë të armatosur, por edhe për ndërtimin e shtetit të ri të Kosovës, në bazë të themeleve të shëndosha, të vlerave të lirisë e demokracisë.

Lamtumirë Adem Demaçi, heroi i Kosovës, frymëzimi dhe krenaria jonë.

Ngushëllime, Kosovë.

***

Haradinaj ngushëllon Familjen Demaçi

PRISHTINË, 26 Korrik 2018-Gazeta DIELLI/Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka ngushëlluar Familjen Demaçi pas ndarjes nga jeta të veprimtarit dhe simbolit të rezistencës së çështjes kombëtare, Adem Demaçi:”Me dhembje të madhe mora lajmin për ndarjen nga jeta të veprimtarit të pathyeshëm të çështjes kombëtare, simbolit të rezistencës intelektuale, Adem Demaçi.

Rezistenca dhe kontributi juaj deri në ditët e fundit të jetës ishin dhe do të jenë frymëzim për gjeneratat e reja se si duhet dhe punohet për vendin, andaj lavdi e përjetshme punës dhe veprimtarisë suaj.Në emrin tim dhe të Qeverisë së Kosovës ju shprehë ngushëllimet më të sinqerta, familjes, të afërmve dhe gjithë qytetarëve të Kosovës. Kontributi dhe sakrifica e simbolit të rezistencës Adem Demaçi, në kohërat më të vështira për Kosovën ishin frymëzim dhe guxim për arritjen e synimeve të qytetarëve për krijimin e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës”.

Ramush Haradinaj,
Kryeministër i Republikës së Kosovës

***

Presidenti Meta ngushëlloi presidentin Thaçi për vdekjen e Adem Demaçit

  Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një bisede telefonike ka pranuar ngushëllimet e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, për vdekjen e veprimtarit të shquar, Adem Demaçi.Duke vlerësuar lart figurën e Adem Demaçit, në emër të qytetarëve të Shqipërisë, presidenti Meta e ka ngushëlluar edhe tërë popullin e Kosovës.Presidenti Thaçi e ka falënderuar homologun e tij shqiptar për ngushëllimet dhe ka theksuar se Adem Demaçi ishte frymëzim i rezistencës jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri, duke u shndërruar në ndërgjegje kombëtare.

***

PDK: Adem Demaçi ishte burim frymëzimi për lirinë

Partia Demokratike e Kosovës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta Familjes Demaçi, si dhe gjithë popullit të Kosovës, për ndarjen nga jeta të veprimtarit të shquar kombëtar dhe simbolit të rezistencës, Adem Demaçi.Me atdhedashurinë e tij të jashtëzakonshme, ai nuk pushoi kurrë së angazhuari për atdheun dhe asnjëherë nuk u dorëzua përballë sfidave.Vepra e Adem Demaçit shërbeu si burim frymëzimi jo vetëm për luftën tonë të armatosur, por edhe për ndërtimin e shtetit të ri të Kosovës në bazë të themeleve të shëndosha të vlerave të lirisë e demokracisë.Trashëgimia që la pas ai, ka për të mbetur gjallë dhe do të shndrijë si pishtar për të ndriçuar rrugën e shumë brezave të tjerë.

I përjetshëm kujtimi për Adem Demaçin.

***

KOSOVA, TRE DITË ZIE PËR VDEKJEN E VEPRIMTARIT ADEM DEMAÇI

-Presidenti Thaçi shpall tri ditë zie për vdekjen e veprimtarit Adem Demaçi/

Në nderim të figurës së veprimtarit të shquar, Adem Demaçi, i cili sot ka ndërruar jetë, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, bazuar në kompetencat e tij kushtetuese dhe ligjore, i ka shpallur tri ditë zie në Kosovë, përkatësisht ditën e premte, të shtunë dhe të diel.Gjatë këtyre ditëve të zisë, flamuri shtetëror i Republikës së Kosovës do të ulet në gjysmështizë në të gjitha institucionet shtetërore brenda dhe jashtë vendit.Presidenti Thaçi e ka marrë këtë vendim duke u mbështetur në Ligjin nr. 03/L-094 për Presidentin e Republikës së Kosovës, Ligjin 03/L-132 për Protokollin e Shtetit të Republikës së Kosovës dhe në Ligjin 03/L-038 për Përdorimin e Simboleve Shtetërore të Republikës së Kosovës.Veprimtari i shquar, Adem Demaçi, do të varroset me nderimet më të larta shtetërore.

***

KUVENDI MBLIDHET NESËR NË SEANCË KOMEMORATIVE, NË NDERIM TË JETËS DHE VEPRËS SË ADEM DEMAÇIT

 Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e drejtuar nga Kadri Veseli, kryetar, sonte në orët e vona ka mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme, pas vdekjes së veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, Adem Demaçi.

Në nderim të tij, Kryesia mbajti një minutë heshtje.Kryeparlamentari Veseli, në emër të Kuvendit dhe në emrin e tij personal, u shprehu ngushëllime familjes Demaçi dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës, për humbjen e, siç e cilësoi Veseli, heroit të kombit, Adem Demaçi.Kryesia njëzëri vendosi që nesër në orën 11:00, Kuvendi të mblidhet në seancë komemorative, në nderim të jetës dhe veprës së Adem Demaçit.

Po ashtu, u vendos që seanca plenare e Kuvendit, e ndërprerë sot, të vazhdojë të hënën, në orën 10:00.

***

Lëvizja VETËVENDOSJE: Adem Demaçi, vigan në panteonin e kombit

Lëvizja VETËVENDOSJE shprehet: Ngushëllime popullit shqiptar dhe liridashësve të gjithë botës.

Vdekja e Adem Demaçit pikëllon rëndë gjithë shqiptarët, e në fakt gjithë liridashësit. Në këto momente dëshirojmë t’i gjendemi pranë sidomos familjarëve e të afërmve të familjes Demaçi. Veprimtari i cili kurrë nuk u dorëzua e nuk u thye, as prej dekadave të burgut, sot nuk është më mes nesh. Por më e pranishme se kurrë është flaka e atdhetarisë, ideali që ai ndezi në zemrat tona.

Nuk ka aktivist të Lëvizjes që nuk është edukuar në frymën dhe në shembullin e Adem Demaçit, i cili ka qenë dhe do të jetë përgjithmonë busulla dhe fari, jo vetëm për Lëvizjen VETËVENDOSJE!, por për çdo subjekt të sotëm apo të ardhshëm që synon emancipimin e popullit tonë.Adem Demaçi mishëronte si askush tjetër të gjitha virtytet e tiparet e veprimtarit që nuk reshti asnjëherë së preokupuari e angazhuari për popullin e kombin. Fjalët nuk gjenden për ta përshkruar angazhimin e tij që mbetet një simbol i pashlyer, e dhembjen e madhe, por vepra e tij monumentale do të përndritë gjithmonë shqiptarët, e shembulli i tij do të frymëzojë të gjithë ata që kombin dhe atdheun e vënë mbi vetën e gjithcka tjetër.Adem Demaçi vdiq, por ai është i pavdekshëm. Vigan në panteonin e kombit, me shpirtin e tij të fortë, me parimet e tij të panegociueshme, me vlerat e tij njerëzore e universale, ai e mposhti çdo gjakatar e çdo tiran. Qëndresa e tij do të mbetet frymëzim, vepra e tij do të jetë mësimi ynë.Je i përjetshëm në zemrat e shqiptarëve, baca Adem!

***

SHENIM: Federata Pan-Shqiptare e Amerieks VATRA i shpreh ngushellimet me te thella Familjes Demaci per humbjen e njeriut te tyre te dashur, luftetarit dhe simbolit te rezistences ne Kosoven e okupuar, luftetarit te paepur  per Liri. Pushofte ne paqe shpirti i Mandeles se Kosoves!

Filed Under: Featured Tagged With: Adem Demaci, Behlul Jashari, Shuhet simbol i rezistencës

HISTORIA- KUR Rugova kërkonte mbrojtje ndërkombëtare

July 24, 2018 by dgreca

Kosova para 20 viteve: Rugova kërkonte mbrojtje ndërkombëtare/

-Në 24 korrik 1998 me titullin “Rugova kërkon mbrojtje ndërkombëtare për Kosovën”, raportoja nga konferenca për shtyp e Presidentit historik, ndërsa një ditë më parë nga zhvillimet e luftës e të masakrave të forcave serbe kundër shqiptarëve raportoja se “në Kosovë po ndodh Bosnja, në Rahovec po ndodh Srebrenica”/

Ibrahim Rugova Konf Shtypi

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

1 Rahovec shkaterrim

PRISHTINË, 24 Korrik 2018/ Para 20 viteve, derisa forcat serbe masakronin shqiptarët, Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova, në 24 korrik 1998, kërkonte mbrojtje ndërkombetare për Kosovën dhe popullin e saj dhe të ndalohet përhapja e konfliktit në rajon. “Bashkësia ndërkombëtare, SHBA dhe Bashkimi Evropian, po ndërmarrin të gjitha hapat diplomatikë, por edhe ata ushtarakë, që të mos ndodhë Bosnja në Kosovë”, u shpreh Rugova, në pergjigje në konferncën për shtyp në kohë lufte, ku ishte edhe korrespondenti tash i Gazetës DIELLI, i cili një ditë më parë kishte raportuar se shqiptarët e vrarë në Rahovec janë groposur në dy varreza masive dhe se terrori i forcave serbe vazhdonte. Kisha raportuar edhe se, “shtypi i Kosoves dhe burime të tjera masakren e kryer nga forcat serbe në Rahovec e krahasojnë me Srebrenicën” – masakrën në Srebrenicë – Bosnjë e Hërcegovinë…

“Rugova kërkon mbrojtje ndërkombetare për Kosovën”,  ishte titulli i raportimit që bëja për Agjencinë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë-ATSH, nga konferenca për shtyp e Presidentit hitorik në 24 korrik 1998.

Ky ishte raportimi: “‘Në Kosovë gjendja vazhdon të jetë e rrezikshme, çdo ditë ka sulme të policisë dhe ushtrisë serbe. Ky është një spastrim i egër etnik, që ka filluar në Kosovë’, tha të premten para gazetarëve në Prishtinë, Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova. Kerkojmë ‘mbrojtje ndërkombëtare për Kosovën dhe popullin e saj dhe të ndalohet përhapja e konfliktit në rajon’, theksoi Rugova.

‘Policia serbe nuk po lejon varrosjen e të vrarëve pas masakrave në Rahovec dhe as ardhjen e organizatave ndërkombëtare dhe kombëtare në Kosovë. Me mijëra shqiptarë janë larguar nga qyteti i Rahovecit dhe rrethinat e tij’, tha Rugova, duke shtuar se, edhe në rajone të tjera të Kosovës ka patur bombardime dhe të vrarë, ndërkohë që vazhdon represioni i policisë serbe.

‘Bashkësia ndërkombëtare, SHBA dhe Bashkimi Evropian, po ndërmarrin të gjitha hapat diplomatikë, por edhe ata ushtarakë, që të mos ndodhë Bosnja në Kosovë’, u shpreh Rugova, në pergjigje të pyetjes së gazetareve.
Rugova përseriti qendrimin se ‘zgjidhja më e mirë për Kosovën është Kosova e pavarur me të gjitha garancitë për serbët lokalë dhe një protektorat ndërkombëtar si fazë kalimatare’”.

Ditëve para konferencës për shtyp të Presidentit Rugova në kohë lufte raportoja se, “në Kosovë po ndodh Bosnja, në Rahovec po ndodh Srebrenica”.

Në Kosovë, si në shumë fshatra e qytete, edhe në qytetin e Rahovecit ndodhën masakra të forcave serbe kundër civilëve shqiptarë. Në 19 korrik të vitit 1998, si pasojë e një sulmi të forcave serbe, në Rahovec pati shumë të vrarë e të plagosur. Edhe në Tehqen e Sheh Myhedinit janë masakruar shumë gra, fëmijë dhe pleq që kishin kërkuar strehim në këtë institucion fetar.

Te vendi i quajtur “Tuba” u gjetën të masakruar dy profesorë si dhe gjashtë trupa të karbonizuar, identiteti i të cilëve nuk u mësua. Gjithsej u regjistruan 150 persona të vrarë.

Dëshmitarët që kishin arritur t’i shpëtojnë këtij krimi kanë treguar se ushtria, policia dhe paramilitarët serbë kanë ekzekutuar civilë shqiptarë arbitrarisht.

Gjatë kësaj ofensive u morën peng, u rrëmbyen e u zhdukën shumë shqiptarë, për fatin e të cilëve nuk dihet asgjë. Organet e pushtetit okupues serb në Prizren, më 22 korrik 1998, në varrezat e këtij qyteti hapën dy gropa të mëdha dhe groposën shumë shqiptarë të vrarë gjatë ofensivës në Rahovec.

Në raportimet për situatën në Rahovec po para 20 viteve, në 23 korrik, në raportin me titull “Shqiptarët e vrarë janë varrosur në dy varreza masive” bëja të ditur se, “forcat serbe kanë hapur, të mërkuren, me eskavator dy varre të perbashketa dhe kanë groposur kufomat e mbledhura nëpër rrugët e qytetit të Rahovecit, afro një orë para ardhjes në qytet të gazetarëve dhe diplomatëve të huaj.

Sipas KMLDNJ (Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut) forcat serbe kanë vrarë mbi 50 shqiptarë, ndërkohë që nuk janë identifikuar ende shumë të vrarë e të masakruar, që kanë mbetur nëpër rrugë, shtëpi, bodrume dhe fusha.

Burime të LDK-së (Lidhjes Demokratike të Kosovës) në Rahovec besojnë se janë qindra civilë të vrarë, të masakruar, të djegur dhe të plagosur. Shtypi i Kosovës dhe burime të tjera, masakren e kryer nga forcat serbe në Rahovec, e krahasojnë me Srebrenicën”.

Në Kosovë, në vitet 1998-‘99 forcat serbe në sulmet gjenocidale dëbuan mëse 1 milion shqiptarë, shumicën “përtej Bjeshkëve të Nemuna” në Shqipëri, vranë e masakruan rreth 12 mijë, e mijëra të tjerë i zhdukën duke i dërguar e groposur edhe në Serbi, apo edhe duke i djegur.

Sipas të dhënave të bashkësive të familjarëve të të zhdukurve, të të pagjeturve, numri i tërësishëm i të zhdukurve të Kosovës pas luftës së para 19 viteve mbërrinte afër 6.000 veta, mbi 90 për qind prej tyre ishin civilë shqiptarë, të cilët u rrëmbyen, u morën të gjallë në mënyra të ndryshme nga formacionet policore-ushtarake dhe paramilitare të pushtetit okupues serb. Një numër i tyre, rreth 600 janë gjetur të gjallë nëpër burgjet në Serbi.

“Në Kosovë kanë ndodhur krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe akte gjenocide të forcave serbe kundër shqiptarëve”, ka deklaruar në një bisedë që kam zhvilluar eksperti i së drejtës ndërkombëtare, Prof. Dr. Zejnullah Gruda.

RAPORTIME TË PARA 20 VITEVE-VITIT 1998:

 http://www.hri.org/news/balkans/ata/1998/98-07-24.ata.html

[08] Rugova demands international protection for Kosova

PRISHTINE, July 24 /ATA correspondent Behlul Jashari reports: “The situation in Kosova continues to be dangerous; Serbian police and army attacks are daily. A severe ethnic cleansing has started in Kosova, ” Kosova President Ibrahim Rugova told reporters on Friday.

We want “international protection for Kosova and its people and an end to be put to the conflict’s spread in the region,” said Rugova.

The Serb police are allowing neither the burial of the killed after the massacres in Rahovec nor the arrival of international and national organisation in Kosova.

Thousands of Albanians have left the Rahovec town and its suburbs, said Rugova adding that attacks have been carried out and people killed also in other regions of Kosova, while the Serb police repression continues.

The International community, the U.S. and the European Union are undertaking all diplomatic as well as military steps not to repeat Bosnia in Kosova, said Rugova, responding to a reporter’s question.

Rugova renewed the stand that “the best solution for Kosova is independent Kosova with all guarantees for the local Serbs and an international protectorate as a transitional phase.” /p.ta/eva/lm/

Albanian Telegraphic Agency

[04] Killed Albanians buried in two mass graves

PRISHTINE, July 23/ATA correspondent Behlul Jashari reports:

Five Albanians’ names (Bekim Bugari, Sadik Shala, Destan Sharki, Muharrem Kadri, Mehmet Kadri dhe Halit Hoxha) as well as numbers 1, 4 , 8 and 10, figures of unidentified Albanians, while the number of the buried Albanians is thought to be much larger, are written on the mass graves dug by the Serbian forces on Wednesday, according to sources from the Council for the Defence of Human Rights and Freedoms in Kosova (KMLDNJ).

According to the same sources the Serbian forces on Wednesday dug by excavators two mass graves and buried the corpses gathered along the Rahovec town roads, about one hour before the arrival in the town of foreign reporters and diplomats.

According to the KMLDNJ the Serb forces have killed over 50 Albanians while many killed and massacred, who have remained in streets, houses, basements and fields have not yet been identified.

LDK sources in Rahovec believe there are hundreds of killed, massacred, burnt and injured.

The Kosova press and other sources compare the massacre committed by the Serbian forces in Rahovec with Srebrenice. /p.ta/mima/lm/

Albanian Telegraphic Agency

 https://groups.google.com/forum/#!msg/bit.listserv.albanian/iejU53985dY/YhnheFtjLeMJ

Rugova kerkon mbrojtje nderkombetare per Kosoven

PRISHTINE, 24 korrik – Korresp. i ATSH-se, Behlul Jashari,
njofton: “Ne Kosove gjendja vazhdon te jete e rrezikshme; zdo
dite ka sulme te policise dhe ushtrise serbe. Ky eshte nje
spastrim i eger etnik, qe ka filluar ne Kosove”, tha te premten
para gazetareve ne Prishtine Presidenti i Kosoves Ibrahim Rugova.
Kerkojme “mbrojtje nderkombetare per Kosoven dhe popullin e
saj dhe te ndalohet perhapja e konfliktit ne rajon “, theksoi
Rugova.
Policia serbe nuk po lejon varrosjen e te vrareve pas
masakrave ne Rahovec dhe as ardhjen e organizatave nderkombetare
dhe kombetare ne Kosoves. Me mijra shqiptare jane larguar nga
qyteti i Rahovecit dhe rrethinat e tij, tha Rugova, duke shtuar
se edhe ne rajone te tjera te Kosoves ka patur bombardime dhe te
vrare, nderkohe qe vazhdon represioni i policise serbe.
Bashkesia nderkombetare, SHBA dhe Bashkimi Evropian, po
ndermarrin te gjitha hapat diplomatike, por edhe ato ushtarake,
qe te mos ndodhe Bosnja ne Kosove, u shpreh Rugova, ne pergjigje
te pyetjes se gazetareve.
Rugova perseriti qendrimin se “zgjidhja me e mire per
Kosoven eshte Kosova e pavarur me te gjitha garancite per serbet
lokale dhe nje protektorat nderkombetar si faze kalimatare”.
/P.Ta/eva/ –


 Shqiptaret e vrare jane varrosur ne dy varreza masive

PRISHTINE, 23 korrik/-Korrespondenti i ATSH-se, Behlul
Jashari njofton: Mbi varrezat e perbashketa qe forcat serbe i
hapen te merkuren jane shkruar pese emra shqiptaresh (Bekim
Bugari, Sadik Shala, Destan Sharki, Muharrem Kadri, Mehmet Kadri
dhe Halit Hoxha) si dhe numrat  1, 4 , 8 e 10 qe jane shifra per
shqiptaret e paidentifikuar, nderkohe qe numri i shqiptareve te
varrosur mendohet te jete shume me i madh, bejne te ditur burime
te Keshillit per Mbrotjen e Lirive dhe te Drejtave te Njeriut ne
Kosove (KMLDNJ).
Sipas te njejtit burim forcat serbe kane hapur, te merkuren,
me eskavator dy varre te perbashketa dhe kane groposur kufomat e
mbledhura neper rruget e qytetit te Rahovecit, afro nje ore para
ardhjes ne qytet te gazetareve dhe diplomateve te huaj.
Sipas KMLDNJ forcat serbe kane vrare mbi 50 shqiptare,
nderkohe qe nuk jane identifikuar ende shume te vrare e te
masakruar, qe kane mbetur neper rruge, shtepi, bodrume dhe fusha.
Burime te LDK-se (Lidhjes Demokratike te Kosoves) ne Rahovec
besojne se jane qindra civile te vrare, te masakruar, te djegur
dhe te plagosur.
Shtypi i Kosoves dhe burime te tjera masakren e kryer nga
forcat serbe ne Rahoveci e krahasojne me Srebrenicen.
/P.Ta/mima/

 

 

 

 

 

 

Ne Foto: Ibrahim-Rugova-konference-shtypi-Behlul-Jashari-arkiv-i-Gazeta-DIELLI/

2- Rahoveci i shkaterruar…

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, kerkonte, Kur Rugova, mbrojtje nderkombetare

KOSOVA PROMOVOHET NË IOWA

July 22, 2018 by dgreca

-Në shtetin amerikan të Iowas promovohen mundësitë për investime në Kosovë/1 Iowa-Në hapje të këtij aktiviteti, Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Iowa Xhavit Gashi foli për zhvillimet e Kosovës, si dhe për partneritetin e veçantë shtetëror ndërmjet Kosovës dhe Iowas/

Iowa, 22 Korrik 2018-Gazeta DIELLI/ Nën organizimin e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në shtetin Amerikan të Iowas, si dhe me mbështetje të Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë promovoi në Des Moines të Iowas mundësitë për investime në Kosovë. Në këtë aktivitet morën pjesë biznese dhe shefa ekzekutivë të asociacioneve të biznesit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përfaqësues të Federatës Botërore të Odave Ekonomike, por edhe shteteve të tjera si Brazili, Australia, Franca, Ishujt Kajman, etj.Në hapje të këtij aktiviteti, Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Iowa Xhavit Gashi foli për zhvillimet e Kosovës, si dhe për partneritetin e veçantë shtetëror ndërmjet Kosovës dhe Iowas. Ai falënderoi autoritetet ushtarake, ekonomike, edukative dhe kulturore të Iowas për avancimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve në shumë fusha të tjera.

Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka tha se pavarësisht se Kosova është shtet i ri, ajo ka shënuar përparim të madh në aspektin e të bërit biznes, që është reflektuar edhe në raportin e Bankës Botërore që mat lehtësinë e të bërit biznes, por edhe atë të The Heritage Foundation i cili mat liritë ekonomike globale, i cili rendit Kosovën shumë më mirë se shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor, por edhe shumë shtete anëtare të Bashkimit Evropian. Ai njoftoi përfaqësuesit e pranishëm të bizneseve për vendimin e Qeverisë së Kosovës për themelimin e Zonës së Veçantë Ekonomike Amerikane në qytetin e Gjakovës. Ai tha se investitorëve potencialë amerikanë, brenda zonës do t’u ofrohet tokë pa pagesë, lirim nga dogana për linja të prodhimit dhe lëndë të parë, depo doganore brenda zonës, si dhe një zyrë e cila do të kryente të gjitha procedurat e aplikimit për leje ndërtimi dhe leje të tjera operative në emër të kompanive amerikane. Ai më tej shtoi se Kosova ofron një mjedis miqësor për kompanitë amerikane, ndërsa  Zona si e tillë është model unik në rajon dhe më gjerë i dedikuar për kompanitë amerikane.

Në këtë aktivitet, i pranishëm ishte edhe Gjenerali Timothy Orr, Komandanti i Gardës Nacionale të Iowas, Kim Heidemann nga organizata e Shteteve Simotra të Iowas dhe Debi Durham, Drejtore e Autoritetit të Zhvillimit Ekonomik të Iowas. Kjo e fundit, organizoi edhe një takim për kompaninë amerikane “Ideal Energy”, e cila prezantoi para Konsullit të Përgjithshëm dhe drejtorit të Odës Ekonomike Amerikane, planin e tyre për investime në gjenerimin e energjisë alternative në Kosovë./b.j/

 

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Behlul Jashari, investime, Iowa per Kosoven

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 61
  • 62
  • 63
  • 64
  • 65
  • …
  • 245
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave
  • Fitoi Çmimin e Madh në Saint-Saëns International Music Competition, Prof. Ina Kosturi: “Shpaloseni talentin shqiptar nëpër botë e na bëni krenarë”
  • “Ëndrra Amerikane” në Washington DC
  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT