• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MESAZH ATYRE QË DUAN KUFIRIN NË MITROVICË

December 30, 2018 by dgreca

1 Rilindja 1

Nga Behlul Jashari/

Në përfundim të Vitit Historik 2008 të shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt dhe njohjes nga 53 shtete, dhe më të fuqishmet në botë, po presim gëzuar Vitin e Ri 2009 të pritjesë së anëtarësimit të shtetit tonë të ri në OKB dhe  të jubileut të 10-vjetorit të paqes e lirisë në Kosovë – të hyrjes së NATO-s, forcës më të madhe planetare.
Në Ditën e Lirisë e të Paqes, më 12 qershor 1999, kur NATO-ja hyri e nisi marshin fitimtar e çlirimtar në tokën e Kosovës për t’iu dhënë fund krimeve të tmerrshme e gjenocidit, nga kolona e tankeve të para, ku isha me ushtrinë e Aleancës Veriatlantike e gazetarë nga gjithë bota, atë mëngjes të gëzimit të madh shqiptar kemi qeshur me një grafit çmendie të shkruar nga forcat që po dëboheshin pas humbjes së luftës kundër lirisë, në një shpatull mali në Grykën e Kaçanikut: “Serbija do Tokio”.
Shkarravina, që përkthyer shqip thoshte “Serbija deri në Tokio” më rikujtoi grafitet “Shqiptarët përtej Bjeshkëve të Nemuna” dhe britmat “ikni përtej…” të atyre që me dhunën më të egër dëbuan më se një milion shqiptarë nga Kosova.
Ata me operacionin “patkoi” kishin dashur ta zhbënin Kosovën, që duke vrarë e dëbuar shqiptarët, duke ua djegur e rrënuar shtëpitë, qytetet e fshatrat, të zhvendosnin kufirin shqiptaro-serb edhe përtej Bjeshkëve të Nemuna, siç e kishin zhvendosur para më shumë se një shekulli përgjakshëm nga Molla e Kuqe e kujtesës sonë historike.
Ata edhe më tej duan t’ua vënë flakën kufijve të Kosovës si në 19 shkurtin e 2008-tës në veri, duan të copëtojnë hartën e vendit që deshën ta zhbëjnë me gjenocid dhe tokëdjegie.

Ata edhe më tej shohin ëndrra të pamundshme, tash më 9 dhjetor 2008, kur në ditën e shtrirjes së EULEX-it në gjithë Kosovën, në veri të urës mbi limin Ibër në Mitrovicë pashë grafitin që përkthyer shqip thoshte “këtu është Serbi”.
Por, edhe ata të gjithë do ta kuptojnë, shumë prej tyre e kanë kuptuar, se ka ikur përgjithmonë koha e pretendimeve dhe e ëndrrave të këqija kundër Kosovës, se Kosova është shtet.
Le të jetë 2009-ta edhe viti i vetëdijësimit e besimit edhe të asaj pjese të vogël të shtetasve të Kosovës që janë kundër këtij shteti, se Kosova është edhe shtëpia e atdheu i tyre, i lirisë, paqes, mirëqenies, prosperitetit e garancive për të gjithë, i demokracisë, standardeve dhe ecjes drejt integrimeve euroatlantike.
Le të jetë 2009-ta viti i vetëdijësimit përfundimtar edhe të fqinjit tonë verior që ka mbetur i vetmi fqinj kundër shtetit të Kosovës, se kufijtë e Kosovës janë të vendosur e të garantuar edhe ndërkombëtarisht dhe se Kosova është shtet i pavarur, sovran e demokratik.
Shtet që rrezaton paqe, stabilitet  e demokraci dhe që i ofron fqinjësi të mirë e bashkëpunim edhe shtetit nga i cili pret edhe kërkimfaljen për krimet e gjenocidin.

Grafitet, pretendimet e ëndrrat e këqija “Serbia deri në Tokio”, “Shqiptarët përtej Bjeshkëve të Nemuna”, “Kufiri në mes të Mitrovicës” e të tjera si këto e të kohëve që shkaktuan edhe tragjedi njerëzore le të mbesin përmendore të marrëzisë e të shkuarës, apo më mirë sikur të ishte e mundur le t’i fshijë përgjithmonë e bardha dëborë e dimrit që do të shkrijë derisa shkojmë drejt Vitit të Ri 2009 e pranverës së re, drejt kohëve të mira që vijnë për të gjithë.

Gëzuar!

(RILINDJA, 30 Dhjetor 2008)

* * *

SHËNIM I SOTËM, 30 DHJETOR 2018: RILINDJA DO RIDALË…

 

Shkrimi-editoriali MESAZH ATYRE QË DUAN KUFIRIN NË MITROVICË është botuar në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja pikërisht para 10 viteve – në 30 dhjetor 2008, vitin historik të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës në 17 Shkurt.

 

Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja nuk u ndal edhe kur u mbyll me dëbim dhunëshëm, kundërligjshëm e padrejtësisht, nga shtëpia e saj – Pallati Rilindja në 21 shkurt 2002 nga administrata e UNMIK-ut.

 

Në ngjarje historike të lirisë e pavarësisë Rilindja vazhdoi të jetë histori e Kosovës duke dalë me numra specialë e të jashtëzakonshëm, edhe protestues, të kohëpakohshëm.

Numri i parë i pas dëbimit –  i jashtëzakonshëm i gazetës Rilindja ka dalë në 5 mars 2002 me raportime për zgjedhjen e presidentit e qeverisë në seancën e një dite më parë të Kuvendit të Kosovës të zgjedhjeve të para në liri.


Gazeta Rilindja, kronikë e zhvillimeve historike të Kosovës, pasi doli me botime speciale edhe për ngjarjen historike të shpalljes së pavarësisë dhe njohjet ndërkombëtare që pasuan, ka përmbyllë daljet e mëse 40 numrave të jashtëzakonshëm të kohëpaskohëshëm në 30 dhjetor 2008, me numrin festiv të Vitit të Ri 2009, me paralajmërimin në ballinë: DUKE BESUAR NË SUNDIMIN E LIGJIT NË SHTETIN E KOSOVËS PRESIM QË NGA NUMRI I ARDHSHËM RILINDJA TË DALË PËRDITË.
Kryetitulli në ballinën e gazetës Rilindja ishte i ëndërres dhe i të ardhmes: KOSOVA SHTET NË OKB. Dy nga titujt tjerë në ballinë: 53 SHTETE NJOHËN SHTETIN E KOSOVËS dhe VITI 2009 I SHQIPËRISË NË NATO.
Në kalendarin e gazetës Rilindja për Vitin 2009 ishte piktuara ekskluzive, e autorit Veli Blakçori: Molla e Kuqe. Te ajo mollë, sipas kujteses historike të shqiptarëve, ishte kufiri shqiptaro-serb para dëbimit të përgjakshëm të shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit e Toplica, para mëse 130 vjetëve (sa ishin në vitin e daljes së atij numri të gazetës Rilindja). Molla e Kuqe është si një mesazh atyre që duan të vendosin kufi në Mitrovicë, se nëse ndryshon kufiri – dihet ku ishte…

 

Në 2019-tën, në 21 Shkurt, bëhen 17 vjet nga dëbimi i kundërligjshëm dhe i padrejtë i gazetës Rilindja – detyrimisht mbyllja e të përditshmes së parë shqiptare në Kosovë, e cila ka nisë të dalë para 74 viteve, në 12 Shkurt 1945 në Prizren, në frymën e Konferencës së Bujanit e me angazhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana.

 

Kaluan plot 10 vjet nga numri i fundit i jashtëzakonshëm e protestues i 30 dhjetorit 2008 i gazetës Rilindja e të drejtës së shkelur dhe pa sundim ligji në rastin e saj…Prandaj, gazeta Rilindja në këtë ndërrim motesh pritet të ridel simbolikisht (botim digjital) për PROTESTË dhe me kërkesën e përsëritur për t’u rikthyer e përditshme – për privatizim…

 

Rilindja duhet të ridalë e privatizuar, duke pasur edhe shembullin e gazetave tjera në rajon që kishin status të njejtë si ndërmarrje shoqërore, e që vazhdojnë të dalin të privatizuara…

Kërkesa për privatizim-ridalje të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja i është bërë edhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit, e cila është themeluar si një organ i pavarur publik, në bazë Ligjit të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, si pasardhëse e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit e themeluar nga Misioni  i OKB i pas luftës në Kosovë.

Behlul Jashari


Kryeredaktor i gazetës Rilindja deri në numrin e fundit dhe në kohën e dëbimit nga Pallati i Rilindjes (Ndërmarrja Shoqërore Gazetare Rilindja sipas Statutit nuk ka drejtor, por vetëm kryeredaktor i cili e menaxhon dhe përfaqëson)

 

Kryetar i Këshillit Drejtues nga zgjedhjet me votim të fshehtë-referendum të 7 Shkurtit 2002, që i mbajtëm për të krijuar legjitimitet përfaqësimi në luftën për të drejtën derisa kishim presionet e ultimatumet e UNMIK-ut për të na dëbuar nga puna dhe Pallati, që ndodhi disa ditë më vonë në 21 Shkurt 2002 dhunshëm

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Bell Jashari, kufiri ne Mitrovice, mesazh

PRESIDENTI THAÇI NE FAMILJEN RUGOVA

December 28, 2018 by dgreca

Presidenti Thaçi viziton familjen e Presidentit historik Rugova/

1 Thaci te Rugova-Uron për themelimin e Ushtrisë së Kosovës dhe për festat e fundvitit/

PRISHTINË, 28 Dhjetor 2018- Gazeta DIELLI/ Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vizituar sot familjen e Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në Rezidencën në Velani – Prishtinë.

Duke njoftuar për këtë vizitë, ku ka uruar për themelimin e Ushtrisë së Kosovës dhe për festat e fundvitit, Presidenti Thaçi shkruan:

Sot vizitova familjen e presidentit historik Ibrahim Rugova, të cilën e urova për themelimin e Ushtrisë së Kosovës dhe për festat e fundvitit. Trashëgimia shtetformuese e presidentit Rugova dhe vlerat që ka përfaqësuar ai do të jenë udhërrëfyes edhe në fazën përfundimtare të konsolidimit të shtetit tonë.

Mesazhet e përhershme për dialog, bashkëpunim e unitet të brendshëm duhet të jenë parimet bazë të veprimit të gjithë spektrit politik, bashkë me partneritetin dhe besimin tek SHBA-ja dhe partnerët evropianë.

Besoj që këto vlera e parime do të respektohen nga të gjithë edhe në këtë fazë përfundimtare të dialogut Kosovë – Serbi, që do të sjellë njohjen e Kosovës nga Serbia dhe anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Filed Under: Kronike Tagged With: Bell Jashari, e Dr. Rugoves, ne Familjen, Thaci

KOSOVA MASËN 100% IA ZGJERON SERBISË…

December 28, 2018 by dgreca

-Qeveria e Kosovës, masë 100% edhe për markat, brendet e njohura ndërkombëtare që prodhohen në Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë/

-Nismë Marrëveshje për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës dhe kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar/

1 qeveria-Mbledhja e 82-të e Qeverisë së Republikës së Kosovës, njëherit edhe e fundit për vitin 2018, ka nisur me një minutë heshtje në shenjë respekti dhe nderimi për pjesëtarin e Policisë së Kosovës, Izet Demaj/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

 

PRISHTINË, 28 Dhjetor 2018/ Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga Kryeministri Ramush Haradinaj, në mbledhjen e sotme miratoi vendimin për plotësimin dhe ndryshimin e vendimit për masën prej 100% për produktet e importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina të datës 21 nëntor 2018, nga i cili hiqet paragrafi 2 i vendimit bazë, me të cilin përjashtohen markat, brendet e njohura ndërkombëtare të vendeve tjera, të cilat prodhohen në Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë.

“Qeveria ka shprehur respekt të jashtëzakonshëm për sugjerimet e aleatëve që të mos vazhdohet me veprime të tjera, por është e papranueshme letra e kryeministres së Serbisë dërguar kryeministrave të vendeve që e kanë njohur pavarësinë që të tërheqin njohjen”, tha me këtë rast Kryeministri Haradinaj.

“Po ashtu, është e papranueshme heshtja e zyrtarëve të lartë të BE-së, në këtë rast e zonjës Mogherni dhe komisionerëve të tjerë, në ketë letër”, vijoi ai, i cituar në komunikatën nga mbledhja dërguar nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës.
“Kjo është një vepër agresioni, por edhe përkundër kësaj ne nuk do të vazhdojmë me masa tjera shtesë ndaj produkteve serbe, por do ta respektojmë masën 100 për qind, ndërsa heqja e listës së brendeve është e karakterit tjetër”, tha Kryeministri Haradinaj në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.

QEVERIA E KOSOVË, NISMË MARRËVESHJE PËR PIKA TË PËRBASHKËTA NË VENDKALIMET ME SHQIPËRINË

Qeveria kosovare në mbledhjen e sotme miratoi nismën për lidhjen e Marrëveshjes me Këshillin e Ministrave të Republikës së Shqipërisë për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës dhe kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar.

“Me këtë Marrëveshje, palët angazhohen për thjeshtësimin dhe përshpejtimin e verifikimeve kufitare, me qëllim lehtësimin e qarkullimit të shtetasve dhe mallrave”, u theksua në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj kërkoi nga organet kompetente që të nisin të gjitha procedurat për ta konkretizuar në kohë vendimin e sotëm.

Në 2018-tën, në 26 nëntor, qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë në qytetin e Pejës zhvilluan mbledhje të përbashkët, të pestën, pas të parës historike në Prizren në 11 janar 2014, të dytës në Tiranë në 23 mars 2015 , të tretës në 3 qershor 2016 në Prishtinë dhe të katërtës në 27 nëntor 2017 në Korçë.

QEVERIA NJË MINUTË HESHTJE NË SHENJË RESPEKTI DHE NDERIMI PËR PJESËTARIN E POLICISË SË KOSOVËS, IZET DEMAJ

Sot, Mbledhja e 82-të e Qeverisë së Republikës së Kosovës, njëherit edhe e fundit për vitin 2018, ka nisur me një minutë heshtje nga Kryeministri Haradinaj dhe Kabineti Qeveritar në shenjë respekti dhe nderimi për pjesëtarin e Policisë së Kosovës, Izet Demaj, i vrarë dje në mbrojtje të rendit dhe ligjit në vend, për të vazhduar me vendimin e Qeverisë, që familjes së tij, t’i ndajë 15 mijë euro.
Dje, Qeveria e Republikës së Kosovës ka dënuar ashpër vrasjen e pjesëtarit të Policisë së Kosovës në Istog, Izet Demaj dhe ka ftuar organet kompetente që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit dhe rrethanat që kanë shtyrë deri në këtë akt qyqar.

Qeveria e Kosovës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta Familjes Demaj dhe Policisë së Kosovës për humbjen e pjesëtarit të tyre.

Vepra heroike e flijimit për të shpëtuar jetët e pafajshme është dëshmi e radhës për profesionalizimin dhe humanizmin e Policisë së Kosovës dhe vecmas të pjesëtarit të saj, njëherit ish ushtarit të UÇK-së, Izet Demaj.Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh zotimin e saj se do të angazhohet me të gjitha mekanizmat për të krijuar ambient të sigurtë në Kosovë dhe se do të bëjë të pamundurën për luftimin e krimit dhe të dukurive negative në vend, duke kërkuar gjithashtu nga organet e rendit që të shtojnë masat e sigurisë që ngjarje të tilla të mos ndodhin dhe siguria e qytetarëve të jetë në nivelin e duhur.

Rastet si ky i sotmi, janë dëshmi se përkushtimi për fuqizimin e rendit dhe ligjit në vend, duhet të vazhdojë të jetë një nga prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe gjithashtu kjo vrasje nuk do të ndaloj organet e rendit që të kryejnë punët e tyre me përkushtim dhe me përgjegjësi institucionale në shërbim të të gjithëve dhe krijimit të një klime të qetë, theksohej në deklaratën e djeshme të Qeverisë së Kosovës.

PRESIDENTI SHPALL TË SHTUNËN DITË ZIE SHTETËRORE NË NDERIM TË POLICIT IZET DEMAJ

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas rënies heroike në mbrojtje të qytetarëve dhe në krye të detyrës të pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Izet Demaj, ditën e shtunë më 29 dhjetor 2018, në shenjë nderimi shtetëror e ka shpallur ditë zie në Republikën e Kosovës.Në ditën e zisë shtetërore, në shenjë respekti për aktin heroik të policit Izet Demaj, në pajtim me legjislacionin në fuqi, flamuri shtetëror ngrihet në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit.

 

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Bell Jashari, kosovo, Serbia, taksat

KOSOVA FESTON KRISHTLINDJEN E 20-të NË LIRI

December 25, 2018 by dgreca

-Kosova feston Krishtlindjen e 20-të në Liri, Ipeshkvi i Ipeshkvisë Prizren-Prishtinë, Imzot Dodë Gjergji: Pas një viti kremtimesh intensive të Vitit të Gjergj Kastriotit, edhe një herë me porosinë e përvitshme për festën e Krishtlindjes, në këtë kohë shprese dhe gëzimi/ 

1 amb usht amer

-Ambasadori i SHBA-ve në Prishtinë, Philip Kossnet, si dhe ushtarë Amerikanë të KFOR-it morën pjesë në meshën e Krishtlindjes në Katedralen Shën Nënë Tereza në kryeqytetin e Kosovës/  1 dobrusha

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari 

1 Behluli

PRISHTINË, 25 Dhjetor 2018/ Kosova feston gëzuar Krishtlindjen me urimet edhe për 2019-tën e 20 vjetorit të Lirisë e të 11 vjetorit të Pavarësisë.

1 ushtaretMesha solemne e Krishtlindjes, e udhëhequr nga Ipeshkvi i Ipeshkvisë Prizren-Prishtinë, Imzot Dodë Gjergji, u mbajt  nga mesnata në Katedralen Shën Nënë Tereza në kryeqytetin e Kosovës, të shuguruar vitin e kaluar në 5 shtator, në njëvjetorin e shenjëtërimit të shenjtëreshës shqiptare.

Ipeshkvi Gjergji, tha se pas një viti kremtimesh intensive, në kuadër të Vitit të Gjergj Kastriotit, po vinte edhe një herë me porosinë e përvitshme për festën e Krishtlindjes, në këtë kohë shprese dhe gëzimi.

“Dëshiroj që në këto ditë Krishtlindjesh të ftoj  popullin tim shqiptar, kudo që jeton, të jetë i vetëdijshëm se udhëtimi shekullor i popullit tonë drejtë kthimit në familjen e popujve të qytetëruar ka qenë tejet i vështirë. Kjo që gëzojmë sot, është arritur me mund, djersë e gjak të shumë gjeneratave”, tha ai.

Këndej, vijoi Ipeshkvi, duhet të kihet kujdes që as një dështim i yni ose padrejtësi që na bëhet, të mos e rrezikojë bashkëudhëtimin tonë drejtë të ardhmes me popujt e Evropës dhe Rajonit, sepse e dimë mirë  se si kemi  pësua kur kemi gabuar.

“Ftoj edhe popujt e Evropës, sido që janë të organizuar në institucionet shoqërore, politike dhe ekonomike, që të jenë më të drejtë dhe të kenë më shumë besim te ne shpatarët”, u shpreh Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Gjergji.

Edhe diplomatë të akredituar në Prishtinë, mes të cilëve Ambasadori i SHBA-ve Philip Kossnet, si dhe ushtarë Amerikanë të KFOR-it, morën pjesë në meshën e Krishtlindjes katolike në Katedralen përplot me qytetarë edhe të besimeve tjera të shtetit të Kosovës,  me vlerë tradicionale themeltare tolerancën dhe mirëkuptimin ndërfetar, të ndërtuar e të kultivuar ndër shekuj, të theksuar edhe në urimet e drejtuesve institucionalë, politikë e fetarë.

Në meshë ishin edhe ish-Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, aktorja Arta Dobroshi si dhe personalitete të tjera të trojeve etnike dhe diaspora shqiptare nga vende të ndryshme të botës.

Programi kremtimit të Krishtlindjes 2018 në Katedralen Shën Nënë Tereza nisi mbrëmjen e djeshme në vigjilje të Krishtlindjes me pritjen solemne në Qendrën “Bogdanipolis”, organizuar nga Ipeshkvi, ku morën pjesë e uruan edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e Kryeministri Ramush Haradinaj, duke u shprehur se Krishtlindjet janë festë e jetës, paqes dhe dashurisë mes njerëzve dhe se tek shqiptarët ndër shekuj është kultivuar tradita dhe harmonia fetare si vlerë humane dhe civilizuese. 

Ipeshkvi Gjergji bëri thirrje për dialog, paqe dhe dashuri në mes të njerëzve, ndërsa theksoi se sot festojnë të gjithë si miq dhe si besimtarë, duke përçuar mesazhin e dashurisë dhe paqes te të gjithë njerëzit në Kosovë. Para meshës solemne në Katedralen e kryeqytetit të Kosovës u mbajt  Programi i Krishtlindjes nga fëmijët e Famullisë së Prishtinës.

Sot, në Ditën e Krishtlindjes, në ora 11:00 u mbajt mesha në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë, ndërsa Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji kremtoi meshën në Katedralen Zoja Ndihmëtare në Prizren.

Në Kosovë, mesha u mbajtën edhe në kishat tjera katolike, ndërsa tradicionlisht festimet për Krishtlindjen nisin në mëngjesin e 24 dhjetorit  dhe vazhdojnë në mbrëmje nëpër familje me ritet e Buzmit bujar, një feste të lashtë iliro-shqiptare që ruhet ende në shumë vise të vendit.

Krishtlindjet në Kosovë që festohen në liri në këtë vit janë të 20-tat, ndërsa në vitin 1999 të çlirimit ishin të parat.

Krishtlindjet janë festë zyrtare e përcaktuar me Ligjin për festat zyrtare në Republikën e Kosovës miratuar në Kuvend në 21 maj 2008 – vitin e shpalljes së pavarësisë në 17 Shkurtin historik.

Dekretimi i  këtij ligji si dhe i 40 ligjeve tjera të  dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet e ditës së 15 qershorit 2008 të hyrjes në fuqi të Kushtetutës, e cila është miratuar nga Kuvendi  para  10 vitesh në 9 prill, më pak se dy maj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

POROSIA E IMZOT DODË GJERGJIT PËR KRISHTLINDJE 2018

Meshtarëve, rregulltarëve e rregulltareve,

vëllezërve e motrave në fe

dhe të gjithë njerëzve vullnetmirë! 

Të dashur vëllezër e motra,

pas një viti kremtimesh intensive, në kuadër të vitit të Gjergji Kastriotit, po vij edhe njëherë tek Ju me porosinë time të përvitshme për festën e Krishtlindjes, në këtë kohë shprese dhe gëzimi.

Njeriu, që nga zanafilla, është ndier i braktisur, i vetmuar dhe i humbur në humnerën e mëkatit të vet. Ai është detyruar të përballoj trishtimin e vetmisë në përballje me vetën, me botën, me mëkatin dhe me vdekjen; po ashtu është detyruar të përballoj vuajtjet individuale dhe kolektive gjatë shtegtimit nëpër tokë. Mu për këtë, njeriu  kurrë s’ka pushuar duke kërkuar ta rifitojë atë që ka humbur me mëkatin e vet dhe ta rigjejë Krijuesin e tij, që ta ngushëllonte dhe ta shoqëronte në ditët e jetës mbi tokë. Edhe sot, çdo njeri bartë të  fshehur në zemrën e vetë një dëshirë të mrekullueshme, që të gjejë personin i cili nuk e gjykon, por e kupton dhe i beson.

Për ne të krishterët, ky person është Foshnja e Betlehemit, Mesia, Biri i Hyjit të gjallë. Ne, Atij ia besojmë të gjitha brengat, Atij ia shpalosim të gjitha dëshirat, nëpërmjet uratës ia tregojmë të gjitha fshehtësitë tona, ia rrëfejmë mëkatet, ia besojmë jetën dhe vdekjen,  e Ai na kupton, na beson, na ngushëllon; asnjëherë nuk befasohet nga dobësitë tona,  kurrë nuk na gjykon, gjithnjë na do  e na pajton me Atin tonë qiellor.

Këndej, ne Kisha e Tij, s’pushojmë kurrë duke i ftuar të gjithë njerëzit, që të kthehen e të lejojnë që t’i shndrisë Krishti me Shpirtin e Tij të Shenjtë. Dhe atyre që përpiqen ta gjejë, iu ndihmon t’i lartësojë sytë drejt dritës që shndritë errësirën e zemrave  dhe i aftëson të ecin me gëzim ditëve të jetës. Nën shkëlqimin e kësaj drite dhe shoqërimin e Foshnjës së Betlehemit, çdonjëri prej nesh zbulon në zemrën e vet dëshirën për shenjtërim, dashurinë për çdo njeri dhe  arin të gjejë të mirën në tërësinë e gjërave që e rrethojnë, po edhe mëson të dialogon me të gjithë njerëzit me të cilët e ndanë të përkohshmen.

Me lindjen e Krishtit është hapë një proces i ri i dialogut mes Krijuesit dhe krijesës për shpëtimin e tokës dhe njerëzimit. Preambulë e kësaj marrëveshje në dialog, mes Mesisë besnik dhe popullit   që kërkon dënimin e tij,  mes dashurisë që falë dhe botës që hakmerret dhe mes pushtetit të Pilatit, që gjykon me vdekje në kryq dhe pushteti të Krishtit, që shpërblen me jetën e pasosur është Besëlidhja e vjetër. Kurse teksti i marrëveshjes  është Ungjilli dhe e tërë Besëlidhja e re. Zbatimi konkret i kësaj marrëveshje, të lidhur me Besë, siguron pajtimin përfundimtar ndërmjet Krijuesit dhe krijesës, ndërmjet njeriut dhe Hyjit.  Ky dialog dhe kjo marrëveshje i ofrohet çdo njeriu. Ai që e pranon, e nënshkruan në zemrën e vet   dhe e lejon Kishën që ta pagëzoj me ujë. Kurse Hyji, të njëjtën marrëveshje e nënshkruan me gozhdën e Kryqit dhe me gjakun e të Birit të Tij.

Vëllezër dhe motra,

nëse Hyji s’ka pasur frikë të dialogoi me botën, aq më pak duhet të kemi frik ne të dialogojmë me njëri-tjetrin, në familje e në shoqëri, ndërmjet familjeve, partive dhe popujve. Dialogu është parakusht i paqes, pajtimit dhe të mirës së përbashkët. Buron nga vullneti i mirë dhe dëshira për të ardhmen më të mirë të të gjithëve. Këndej, askush nuk duhet të ndihet i lodhur nga dialogu dhe askush nuk duhet ta keqpërdor apo ta mohoj nevojën për të.

Dëshiroj që në këto ditë Krishtlindjesh të ftoj  popullin tim shqiptar, kudo që jeton, të jetë i vetëdijshëm se udhëtimi shekullor i popullit tonë drejtë kthimit në familjen e popujve të qytetëruar ka qenë tejet i vështirë. Kjo që gëzojmë sot, është arritur me mundë, djersë e gjak të shumë gjeneratave. Këndej, duhet të kihet kujdes që as një dështim i yni ose padrejtësi që na bëhet, të mos e rrezikojë bashkëudhëtimin tonë drejtë të ardhmes me popujt e Evropës dhe Rajonit, sepse e dimë mirë  se si kemi  pësua kurë kemi gabua.

Ftoj edhe popujt e Evropës, sido që janë të organizuar në institucionet shoqërore, politike dhe ekonomike, që të jenë më të drejtë dhe të kenë më shumë besim te ne shpatarët. Ne, nuk na befason padrejtësia, sepse jemi të mësuar më të, në të kaluarën. Ne, sot shpresojmë në drejtësi dhe barazi,  në mesin e popujve. Mbi gjitha, popujt e Evropës, nuk duhet ta shohin popullin tim si rrezik, por si trashëgimi kulturore dhe shpirtërore të qytetërimit vet. Sidomos ftoj popujt e Rajonit që të mos thurin plane për të ardhmen duke na përjashtuar neve, por të përpiqen se bashku me ne, të arrijmë paqen, të ardhmen ma të birë dhe integrimin në familjen europiane.

Në fund, uroj që Krishti, Biri i Hyjit të gjallë, ditëlindjen e të cilit po e kremtojmë, t’i mbush zemrat Tuaja me dashuri, ju dhashë forcën për të përballuar vështirësitë e jetës dhe padrejtësitë e botës. Ju ngushëlloftë në pikëllim dhe Ju përcjellë me mëshirë dhe dhembshuri gjatë gjitha ditëve të vitit të ri, që do e fillojmë një javë më vonë.

Ju garantoj të gjithëve, unë dhe e gjithë kisha, se do t’Ju kemi në lutjet tona, do T’ju shërbejmë me përvujtëri dhe dashuri, ashtu si na porosit Foshnja e Betlehemit.

Për shumë mot Krishtlindja dhe Viti i Ri 2019!

Ipeshkvi Juaj, Dodë Gjergji

*Per me shume fotografi shihni ne Facebook dielli vatra

Filed Under: Featured Tagged With: Bell Jashari, Kosova feston, KRISHTLINDJEN E 20-të, NË LIRI

Ministrja Dhurata Hoxha merr titullin “Doktor Nderi” në SHBA

May 2, 2017 by dgreca

– Ministrja ka cituar presidentin Abraham Lincoln, që kishte theksuar se “Çfarëdo që të jeni, bëhu i mirë në atë drejtim”, duke i inkurajuar studentët e pranishëm që të nxjerrin më të mirën nga rruga që zgjedhin/

2 Ministrja Hoxha

  Lamoni-Iowa-ShBA, 2 Maj 2017-Gazeta DIELLI/ Ministrja e Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha, u nderua me titullin “Doktor Nderi-Honorary doctorate”, në Universitetin Graceland, në Lamoni, të shtetit Iowa-ShBA. Në këtë solemnitet morën pjesë drejtuesit e Universitetit, Graceland, John Sellars, Drejtori i bordit të Universitetit, Harry Ashenhurst, ish Ambasadori, John Menzies, personalitetet tjera akademike të këtij universiteti si dhe studentët e gjeneratës së 120-të.
Në fjalimin solemn me rastin e fillimit te vitit akademik, në prani të studentëve të vitit të parë të këtij universiteti, ministrja Hoxha theksoi se para 13 viteve ka qëndruar ulur në të njëjtin vend si studente, duke përshkruar rrugëtimin e saj, regjistrimin, rrugën pas diplomimit dhe rrethanat e Republikës së Kosovës.
“Këtu, në Lamoni, gjeta një komunitet me njerëz të mirë, vend të cilin me shumë krenari e quaj shtëpi timen të dytë, vend dhe komunitet i cili më fuqizoi vlerat e ndershmërisë, integritetit dhe respektit për komunitetin”, theksoi ministrja Hoxha, duke shtuar se kujton me krenari edhe profesorët që me plot përkushtim, promovuan vlerat më të mira që e bëjnë Amerikën të madhe.
 
Ministrja ka cituar presidentin Abraham Lincoln, që kishte theksuar se “Çfarëdo që të jeni, bëhu i mirë në atë drejtim”, duke i inkurajuar studentët e pranishëm që të nxjerrin më të mirën nga rruga që zgjedhin.
“Ndiqni ëndrrat tuaja, bëni gjithçka për to dhe unë jam e sigurt që Universiteti Graceland na ka pajisur të gjithëve neve me gjithçka që duhet për ta bërë këtë. Mos e zgjidhni temën e jetës tuaj por bëhu storja e vetvetes”, ka theksuar në fjalën solemne ministrja Hoxha.
 
Titulli Doktor nderi, i është dhënë Ministres Hoxha me motivacionin: Personalitet i merituar që ka dhënë kontribut të shquar në shoqëri, Ajo nderon Universitetin Graceland dhe është e lidhur me këtë institucion, si dhe promovon vlerat e jetës që i kultivon Universiteti Graceland për studentët e vet./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: Bell Jashari, Doctor e Nderit, kosovo, Ministry e Drejtesise, SHBA

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT