• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“VATRA”GJATË LUFTËS SË DYTË BOTËRORE

April 24, 2017 by dgreca

Me rastin e 105 Vjetorit te themelimit te Vatres: 28 Prill 1912-28 Prill 2017/

15 Komisioni themelus

VEPRIMTARIA KOMBËTARE E FEDERATËS “VATRA”   GJATË  LUFTËS SË DYTË BOTËRORE/

30 Idriz LamajNGA IDRIZ LAMAJ*/Një prej njohësve më të mirë të veprimtarisë historike të “Vatrës”, i cili sherbeu në gjirin e saj 60 vjet, shkroi afër 40 vjet më parë:“ E premtja e zezë 7 Prilli 1939 i gjeti vatranët të ndarë keq: me dy Vatra dhe dy Diellë! Pasi u shkel Shqipëria prej ushtrisë italiane dhe humbi lirinë e saj kombëtare, erdhi bashkimi i të dy vatrave menjëherë dhe u bë prap një Vatër dhe me një Diell. Aherë qe shpresa e madhe për bashkimin e të gjithë Shqiptarëve patriotë të Amerikës rreth Vatrës, por më kot. Kuvendi i vitit 1940 zgjodhi Faik Konicën për kryetar të Vatrës, i cili pas zaptimit të Shqipërisë prej Italisë u lajmërua zyrtarisht nga autoritetet qeveritare të larta se detyra e tij si ministër i Shqipërisë në Washington mori funt. Për arsye jo të kthjellta mirë, Dielli organ i Vatrës, botonte kritika të ashpra kundër Mbretit Zog, i cili ishte refugjat në London me gjithë Familjen Mbretërore. Ajo gjë gëzoj armiqtë dhe dëshproj shumë Vatranë dhe Shqiptarë të mirë”. ( Refat Gurrazezi: “Atdheu”, fq. 3, gusht 1968, New York ).

Me 8 maj 1939 arrihet marrëveshja për bashkimin e të dy Vatrave. Në paragrafin e dytë të marrëveshjes shkruhet:“Duke parë rrezikun e Shqipërisë, dhe për hirin e shpetimit të atdheut t’onë nga robëria italiane, ky kuvend vendosi të thërritet një Kuvend i Përbashkët për të bashkuar gjithë vatranët dhe shqiptarët e Amerikës rreth Federatës Vatra” ( “Dielli”, 12 maj 1939 ).

Burime të ndryshme të kohës provojnë se ky bashkim ishte shumë i brishtë, ishte më tepër bashkim simbolik se sa një bashkim konkret për të kanalizuar një strtategji të vetme politike kundër pushtimit të Shqipërisë. Megjithëkëtë, përpjekja e “Vatrës” për një organizim të shpejtë politik pasqyrohet qartë në gazetën “Dielli”. Gjysma e fundit e vitit 1939 shenon për “Vatrën” një angazhim serioz propagandistik kundër pushtimit të Shqipërisë. Zhvillohen mitingje dhe konferenca nëpër degët e “Vatrës”. Faik Konica dhe Fan Noli mbajnë lidhje me miqtë e Shqipërisë në Washington, japinë intervi- sta dhe shkruajnë në disa gazeta amerikane ku denoncojnë ashpër Italinë fashiste dhe kritikojnë vendet perëndimore për qendrimin e tyre pasiv ndaj pushtimit të Shqipërisë.

Gjatë vitit 1940, “Vatra” zhvilloi një veprimtari pak më të dukshme, mbajti Kuvendin e përbashkët, emroi udhëheqjen e re dhe zgjodhi Konicën kryetar. Veprimtarinë për çlirimin e Shqipërisë e vazhdoi me protesta, memorandume dhe letra dërguar personaliteteve të ndryshme botërore, në radhë të parë presidentit dhe zyrtarëve të lartë amerikan.  Me 5 mars, Konica i shkroi një letër të gjatë ministrit të Jashtëm amerikan Cordell Hull, ku ai ankohet edhe për pezullimin e marrëdhënjeve diplomatike të qeverisë amerikane me Legatën Shqiptare në Washington. Me 2 prill 1940, zevendësministri i Jashtëm amerikan, z. Sumner Welles i përgjigjet Konicës:

“ Në të vërtetë Legata Shqiptare është mbyllur në rrethana që i dini edhe ju. Me 5 qershor 1939, Ministri i Jashtëm i Shqipërisë njoftoi ambasadorin tonë në Tiranë se qeveria shqiptare dhe ajo italiane kishin nënshkruar një marrëveshje sipas të cilës shërbimet diplomatike dhe konsullore shkriheshin në një, dhe se Ministria e Jashtme Shqiptare pushonte së vepruari. Si rezultat i këtij zhvillimi politik, qeveria amerikane tërhoqi ambasadorin e vet nga Tirana. Pak më vonë, me 24 korrik, pas bisedës tuaj me ministin e Jashtëm, z. Hull deklaroi me keqardhje se në rrethana të tilla politike, qeveria amerikane nuk mund të vazhdonte njohjen e imunitetit diplomatik për Ministrin e Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Formali- tetet dhe rregullimet teknike paraprake, nën të cilat është pezulluar veprimtaria  e Legatës Shqiptare, janë lanë plotësisht në dorën tuaj ”.

Angazhimin e Konicës në politikë e mirëpritën jo vetëm vatranët por edhe shumë atdhetarë e intelektualë të mërguar. Atij i kishin shkruar shumë miq e dashamirë të angazhohej sa më parë në politikë për hirë të Shqipërisë.Por më kot, siç duket ai kishte vendosur që, para se të hynte në politikë, të shfrynte mëllefin dhe të ngjyente pendën në acid sulfurik kundër Mbretit Zog, për arsye se, ‘kishte mbetur peng në hotel për borxhet e vjetra të tij’.

Me 12 shkurt 1940, Konica i shkruan Abdurahman Matit në Stamboll:

I dashur mik,

          Letrën t’uaj të 12 Kallnorit e mora sot, – plotërisht një muaj pasi e çuat. Gëzohem që ndodheni mirë nga shendeti, bashkë me familjen.

Miku im, fajin për mjerimet e Shqipërisë e ka Ahmed Beu, i cili nuk ka mejtuar kurrë tjatër send veç intereses së tij të qelbur.

          Thoni se Ahmed Beu është miku im. Ahmed Beu do vetëm një njeri në botë, – veten e tij. I pabesë, i shtrembër, njeri pa fjalë, atë që më bëri mua Ahmed Beu nuk e bën as një bish’ e egër.

          Ishin mbledhur këtu nj’a shtatë mijë dollarë (ose njëmij napoleona) borxhe të vjetra, borxhe të Legatës së tij, borxhe të Guvernës së tij. Me telegrafoj nga Stambolli se do t’i paguante me t’arritur në Paris. Në një telefon nga Parisi, më vërtetoj se do t’i çonte të nesërmen me telegraf. Nuk e mbajti fjalën. Më në funt, pas disa muaj, më çoj çerekun e parave që duheshin. Një njeri që për njëmijë napoleona trathton mikun më besnik të tij, jo vetëm është i lik po është dhe budalla.

Tani po shtrëngohem nga e keqja të merrem vesh me kundërshtarët, se kam mbetur peng në hotel.

          Lutem mos më flisni më për Ahmed Benë.

          Mbetem miku juaj – Faik Konica.

          Me 6 dhjetor 1940, Konica i shkruan Dervish Dumes në Londër:

“ Më vjenë keq t’ju zhgënjej por unë e shikoj veten si njeri të larguar nga politika. Tashetutje kam vendosur t’i kushtohem vetëm historisë dhe letersisë. Por, edhe sikur të isha i prirur për politikë, sigurisht nuk do ta zgjidhja këtë kohë për të”.(B. Destani: Faik Konica, Selected Correspondence 1896-1942, London, 2000, fq. 94  ).

Konica, megjithëse kishte deklaruar publikisht në Boston se nuk do të bënte më politikë me shqiptarët, detyrohet ta ndryshojë mendimin.

Me 1941 hapet një hendek i ri përçarje midis shqiptarëve të Amerikës, përçarje kjo shumë më serioze se ndarja “Vatrës” në vitin 1936. Nga mesi i atij viti ndarja bëhet fakt i kryer, formohet organizata “Shqipëria e Lirë”, e cila, fill pas themelimit, kryesohet nga Kostë Çekrezi, personalitet i njohur, por njeri i dyshimt për Nolin dhe për Konicen. Gjatë pushtimit të Shqipërisë ata e akuzuan Çekrezin si spiun të grekëve dhe të jugosllavëve, megjithëse kurrë nuk paraqitën ndonjë dokumentim bindës për këtë akuzë.

Nryshimi i rrethanave politike ndërkombëtare, zgjerimi i Luftës së Dytë Botërore, veprimtaria antishqiptare e grekëve dhe jugoslla- vëve, themelimi i kësaj organizate dhe shpresa e Nolit dhe e Konicës për përkrahjen e Mbretit Zog nga anglezët, bëjnë që Konica dhe Noli të njohin Mbretin Zog për udhëheqës të një qeverie shqiptare në mërgim. Përpjekjet e tyre për themelimin qeverisë qenë po aq serioze sa edhe vet përpjekjet e Mbretit Zog. Noli zbutë qendrimin e ashpër të Konicës kundër Mbretit.

Me 3 prill 1942, Konica i shkruan Dervish Dumes:

“ Peshkop Noli, të cilin e vizitova për disa ditë në Boston, arriti të më shkund skepticizmin.Noli beson se Zogu mund të vendos rregullin, dhe po që se mbështetet nga anglezët, mund të luaj ende rol të rëndësishëm, si simbol i lirisë shqiptare”.(Faik Konica, Vepra IV, Tiranë 2001, fq. 278).

Marrëveshja e Nolit e Konicës për formimin e qeverisë shqipta- re në mërgim nënshkruhet në Washington pas bisedimeve që zhvillu- an në ministrinë e Jashtme amerikane:

“Ne të nënshkruarit, u ftuam  prej një zyre të Guvernës së Shteteve të Bashkuara në Washington për një çkembim mendimesh mbi mënyrën më të mirë për të bërë një guvernë shqiptare në mërgim. Në bisedimet tona ngulëm këmbë mbi pikat që vazhdojnë:

1). Vetëm një ball shqiptar i bashkuar që përmbledh të gjithë personalitetet shqiptare munt të ketë ndonjë rast t’a tund popullin shqiptar përgjithërisht dhe të jetë i dobishëm për Kombet e Bashkuara.

2). Mbreti Zog është më i çquari  personalitet shqiptar i gjallë, edhe përjashtimi i tij do t’i hiqte fuqinë lëvizjes që proponohet të bëhet;

          3). Asnjë mis i ballit të bashkuar nuk do të jetë i shtërnguar të heq dorë nga mendimet politike të tija, po do të bashkëpunojë vetëm gjërsa tërsia e tokës dhe liria e Shqipërisë të shigurohen në Konferencën e Paqes, dhe pasandaj secili do të merr përsëri lirinë e tij për të vepruar;

4). Një guvernë provizore pas vijave që propozon z. Çekrezi dhe miqtë e tij do të ish më keq se e  pa dobishme; dhe nuk do t’i ndihte as Shqipërisë as Kombeve të Bashkuara, po do të përparonte vetëm qellimet e atyre fqinjëve që kanë dekllaruar zyrtarisht se duan të ndarët e Shqipërisë;

          5). Jemi gadi në çdo kohë të bashkëpunojmë me gjithë zemër me Guvernen e Shteteve të Bashkuara.”

Nënshkruar: Faik Konica e F. S. Noli, në Washington me 19 të vjeshtës së tretë, 1942. ( “ Dielli ” 28 nëntor, 1942 ) .

          Bisedimet e Nolit dhe të Konicës në ministrinë e Jashtme amerikane dhe nënshkrimi i marrëveshjes së tyre për njohjen e Mbretit Zog si udhëheqës të qeverisë shqiptare në mergim entusiazmuan “Vatrën” por shqetësuan tepër Çekrezin dhe organizatën “Shqipëria e Lirë”. Konica  i shkruan Petro Kolonjës:

“I dashur z. Kolonja,

Ju falëm nderit për të dy letrat,- të cilat ju a kthej këtu.‘Rumor’– i që dëgjuat në Southbridge më bëri të qesh. Faktet janë afro të përkundërshme.Autoritet këtu dëgjuan e kuptuan që Çekrezi s’ka rëndsinë që dëshiron t’i japë vetes. Ashtu, me hoborësi të madhe, ftuan Nolin, më ftuan dhe mua, për bisedime. Nolit (në mes t’onë) harxhet j’a hoqi Uncle Sam-i. Shpresat për shpetimin e Shqipërisë po shtohen. Juaj me besë, Faik Konitza. Me 7 të Nëndorit 1942”.

          Me 10 dhjetor 1942, Ministri i Jashtëm amerikan Cordell Hull bën këtë deklaratë:

         “Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk është e panjohur me rezistencën e vazhdueshme të popullit shqiptar kundër forcave pushtuese italiane.Përpjekjet e grupeve të rezistencës që operojnë në Shqipëri kundër armikut të përbashktë shikohen me admirim dhe janë të mirëpritura. Qeveria dhe populli amerikan pret me padurim dhënien e ndihmës ushtarake atyre trimave për të nxjerrë pushtuesin nga vatrat e tyre.

          Konsekuent me vijën e vet të drejtë politike për mosnjohjen e pushtimit të një vendi me forcë, Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kurrë nuk e ka njohur aneksimin e Shqipërisë nga Italia. Në deklaratën e përbashkët të Presidentit amerikan dhe të Kryeministrit britanik, lëshuar me 14 gusht 1941, e njohur si Karta e Atlantikut, bëhet qartë: “Respektojmë të drejtën e çdo populli për zgjedhjen e formës së qeverisjes dhe dëshirojmë rivendosjen e të drejtave sovrane – vetqeverisëse të gjithë popujve që u është mohuar liria me forcë”.

          Ndërkaq, shpresat se italianët do të bënin realitet bashkimin e territoreve etnike shqiptare, ishin ringjallur te Noli, Konica dhe “Vatra”. Konica shkruan:” Nuk  dihet se si do të vijë fati i Shqipërisë në fund të kësaj lufte, por shpresojmë që të mblidhen të gjithë shqiptarët në një shtet në bazë ethnologjike. Vendet në Greqi dhe në Jugosllavi ku shumica e popullit flet shqip ose vjen prej gjak shqiptari duhet t’i jepen Shqipërisë.” ( “ Dielli ”, 17 maj 1941 ) .

Me 15 dhjetor 1942, vdes Faik Konica. Kryetari i “Vatrës” i mbylli sytë pasi hartoi së bashkut me Nolin një platformë të drejtë politike për çështje të atdheut. Para se të mbyllte sytë përgjithmonë, ai lë një amanet trishtues si askush tjetër deri më sot:

“… nuk do të më tretë dheu, nëse ti Imzot Noli dhe gjithë ata që e quajnë vetën shqiptarë nuk do ta çojnë kufomen time të tretet në tokën mëmë…”

Amanetin e tij tronditës dukej se Imzot Noli po e ekzekutonte  në vend, pa e mbuluar kufomen e tij me dheun e huaj; Dukej se po e mbulonte me dheun e tokës mëmë m’u në  Sheshin e Flamurit tonë Kombëtar, aty ku u shpall Pavarësia e Shqipërisë. Vetëm Noli mund të shprehej kështu:

         “… Humbje me të vërtet’ e tmerruar, se sot po i bëjmë nderimet e funtme dhe i themi lamtumirë njërit prej bijve më të shkelqyer të Shqipërisë. Se Faik Konica, sikundër e dini, ka qenë nga çampionët më të mëdhenj të indipendencës kombëtare; pa dyshim, ka qenë ustaj më i madh i shkrimit të gjuhës sonë dhe veç këtyre, është njeriu që na ka zbuluar flamurin e Skënderbeut. Ja tre tituj, që nuk munt t’ja mohojnë as kundërshtarët më të egër… Pa fjalë, më tepër se cilido tjatër, Faik Konica meriton të gjenjë prehjen për jetë në tokën e atdheut, të cilit i ka sherbyer tërë jetën me aqë besnikëri, me aqë trimëri, dhe me aqë zotësi…”

         (Eulogjia oratorike e Nolit në funeral të Faik Konicës, dhjetor 1942.)

          Pas varrimit të Konicës, Noli dërgoi Petro Kolonjen  në Washington si ambasador të ri për të ndjekur të njëjtën platformë  politike që kishin hartuar me Konicën.

*Marre nga libri i Idriz Lamaj” Vatar dhe vatranet”, botim 2016

 

Filed Under: Featured Tagged With: “VATRA”GJATË LUFTËS SË DYTË, botërorë!, Idriz Lamaj

Shkodra një prej “kryeqyteteve të fotografisë” botërore

September 28, 2015 by dgreca

Kuratorja e Muzeut të Armëve të Parisit, Sylvie Le Ray – Burimi, prezantoi Shkodrën si një prej kryeqyteteve të fotografisë botërore.

Prezantimi u bë në Galerinë Colbert të Parisit, gjatë konferencës me temë “Kryeqytetet e fotografisë”, ku i ftuar ishte drejtori i Fototekës Kombëtare “Marubi”, Luçjan Bedeni dhe Ambasadori i Shqipërisë në Paris, Dritan Tola.

Eventi u organizua nga Instituti Kombëtar i Historisë së Artit (Institut National d’ Histoire de l’ Art – INHA) Në datat 17 – 18 shtator 2015, ku ligjeruan disa kuratorë dhe kritik të fotografisë mbarëbotërore, duke prezantuar qytete dhe vende të ndryshme të botës.

Falë një bashkëpunimi të ngushtë ndërmjet drejtorit të Fototekës Kombëtare “Marubi”, Bedeni dhe studiueses Leray – Burimi, për herë të parë u prezantuan fakte dhe dëshmi të reja për fillimet e para të fotografisë shqiptare nga Foto Studio “Marubbi”, e themeluar në 1856 në Shkodër.(Kortezi:ATSH)

Filed Under: Kulture Tagged With: botërorë!, një prej “kryeqyteteve të fotografisë”, shkodra

SHTYPJA E SHQIPTARËVE NË VISE TË KUMANOVËS MIDIS DY LUFTËRAVE BOTËRORE

August 11, 2015 by dgreca

Shkruan:Eugen SHEHU/
Shqiptarët e Kumanovës ato bij të denjë të arbërev të lashtë,kanë qenë dhe mbeten ende sot luftëtarë të vetegzistimit,të mbrojtjes së traditave më të vyera shqiptare,të përcjelljes së mesazhit për bashkimin natyror me shtetin amë.Fillozofia e vetëegzistimit të tyre,në thelb,është fillozofia e luftërave pa fund, e sakrificave sublime për të mos iu nënshtruar asnjë pushtesi,për të mos u asimiluar prej furive demografike,demagogjike,politike e kriminale të serbëve-bullgarëve e sllavomaqedonasve.
Kur flasim për luftërat pa fund të banorëve të këtyre trevave të Maqedonisë shqiptare,kemi parasysh një lëvizje të tërë për liri e drejtësi,në shekullin e kaluar e cila mori përmasa epokale në luftimet kundër gjonturqve serboslavëve e bullgarëve,të udhëhequr prej Bajram Vaksincës.Ky bir i fshatit Vaksinc,mundi të marrë besën e 5000 burrave të rrethinave të Kumanovës duke u bërë prita ekspeditave ushtarake pushtuese duke provuar se shqiptarët nuk lejojnë dikend mbi krye.Për disa kohë,emri i Bajram Vaksincës,u bë i njohur deri në oborrin e Sulltanit.Më tej janë Hakul Nikushta dhe Halil Breza të cilët viren në radhët e para të atyre që kundërshtojnë,të dërgojnë ushtarë në shërbim të ushtrive tjera. Batalione osmane mbrritën nga Shkupi e Manastiri,por trimat ndezën luftën dhe flaka mori qiejt e Kumanovës.Mandej tërbimi i Portës së Lartë ishte i madh,pse sipas shembullit të shqiptarëve në këtë trevë,po kundërshtonin të çonin djemtë e tyre ushtarë apo të lejonin shpërnguljet e bashkëatdhetarëve të tyre.Ende sot në vise të Kumanovës këndohen këngët e Xhem Sadrisë dhe Halit Brezës,ende sot tregohen vendet ku ata kanë luftuar me çetat e tyre,ku i kanë patur jataket,ku i kanë varrosur shokët e tyre të llogoreve,ku kanë kënduar pas fitoreve.Gjeneratat kanë përcjellë me dashuri kujtimin e tyre,të bindur se ai nuk do të shihet asnjëherë,por mesazhet do të vazhdojnë.
Mbarimi i Luftës së Parë Botërore,do të ishte për shqiptarët etnikë në Kumanovë,një rreze shprese, ashtu sikundër për gjithë shqiptarët e tjerë që u ndanë prej trungut të shtetit amë mizorisht,në vitin 1913.Ata ndiqnin me vëmendje situatën në Ballkan dhe sidomos pasojat që mund të ridhnin prej vendimeve të Konferencës së Paqës në Paris më 1919.Pa dashur të hyjë në ato vendime,mendoj se përfundimet e kësaj konference ishin tepër diskriminuese për shqiptarët.Jo vetëm që kufijtë e vitit 1913 nuk u diskutuan fare,por u bënë edhe traktattiva për coptimin e mëtejshëm të trojeve shqiptare. Nëse në vitin 1913,Shqipëria u bë preh e fqinjëve të saj,të ndihmuar prej Fuqive të Mëdha,tanimë për të,diskutohej se si të shuhej krejt nga harta e Ballkanit.Të lodhur,të sfilitur nga urrejtja e dhuna gati 6 vjeçare (1913-1919) banorët etnik shqiptarë,në Kumanovë,tashmë ndodheshin përballë rreziqeve të tjera të egzistencës fizike të tyre.Periudha që pat kaluar ishte e mbushur me malltretime prej serbëve,sllavomaqedonasve e bullgarëve,madje këta të fundit patën ndërrmarë edhe nisma konkrete për dëbimin e tyre.Vetë historianët sllav janë detyruar të pohojnë se ; “Qëndrimi ndaj kombësive të tjera, e sidomos asaj shqiptare,ishte haptazi i vrazhdë,diskriminues,likuidues”. (R.Terzievski,”Za diskrimatovska politika në bugarskiot okupator VRZ narodnostite vo Makedonija “ Faqe 159 ).
Por serbia doli e fitur nga lufta e Parë Botërore.Në konferencën e paqës në paris,ajo u mbeshtet fuqimisht edhe nga Franca e Anglia,me ç’rast jo vetëm që nuk lëshoi territore,por përkundrazi mori të tjera.Largimi i Bullgarëve nga Kumanova,ishte një shpresë shumë e përkohshme për shqiptarët e kësaj treve ngase ky largim u shoqërua me vendosjen e pushtetit të egër sllavomaqedonas.Ndonëse ishte në fillimet e organizimit të tij,ky pushtet nuk mungoi të tregonte grushtin e tij të hekurt kundër shqiptarëve të pambrojtur.Kështu,në vise të kumanovës,në fund të vitit 1919 dhe në fillim të vitit 1920,komanda e Lartë Ushtarake e Beogradit,organizoi mobilizimin e rekrutëve.Ajo që dihet ishte se këta rekrutë,të përcaktuar sipas ligjeve,do të mobilizoheshin pa dallim race,feje dhe kombësije.Për autoritetet vendore të pushtetit prej shqiptarëve të Kumanovës,qëllimi i tyre ishte tejet i qartë.Ata donin të largonin prej viseve të tyre stërgjyshore,ajkën e racës shqiptare,ata djem e burra të aftë për armë e luftë,për të pasur kësisoj ma të lehtë pushtimin fizik të trojeve tona.Është e natyrshme që shqiptarët etnik në vise të Kumanovës të kundërshtonin mobilizimin e të rinjëve për në armatën e Mbretërisë së SKS-së.Mandej shumë prej këtyre që ishin thirrur u detyruan të largohen maleve,në Kosovë apo Shqipëri.Në këtë rast,pushteti vendor administrativ vuri sanksionet tejet të rrepta.Vetë shtypi sllavomaqedonas ka shkruar tekstualisht : “Organet tona civile dhe ushtarake grinden midis tyre në mjaft raste,por ata,shumë shpejt pajtohen kur është fjala për t’i mbajtur shqiptarët,të lidhur zinxhirë”.( Gazeta “Socialistiçka Zora “ më 31 mars 1920 ).
Ngase në fillim të vitit 1920,shqiptarët përbënin një pjesë të konsiderueshme të popullsisë në Kumanovë,sllavomaqedonasit u përpoqën me çdo mjet për të bërë të padëshirueshme jetën e tyre.Por jo vetëm në Kumanovë.Ajo ishte pjesë e një strategjie të tërë në të cilën përfshihej krejt Kosova dhe Maqedonia shqiptare.Por dhuna në viset shqiptare të Kumanovës ka qenë kurdoherë më e egër,ngase këtu shqiptarët nuk kanë qenë kaq kompakt dhe dominues,si bie fjala në Kosovë,Shkup Tetovë apo Dibër e Strugë,etj.Ndonëse gjatë Luftës së parë Botërore,Serbija pat kryer në Kumanovë (si në gjithë maqedoninë shqiptare) dy mobilizime për rekrutë shqiptarë,ndonëse ajo e pat plaçkitur tri herë Kumanovën shqiptare në vitet 1913-1915 dhe 1918,sërish mizoritë sllavomaqedonase nuk patën prehje.Nëpërmjet ushtrimit të dy pushteteve,ajo detyronte tanimë banorët e Kumanovës shqiptare që të paguanin taksa të shumta dhe të heshtnin përpara padrejtësive, të zbatonin lloj-lloj urdhërash të administrastës,deri edhe të mos përdornin gjuhën e tyre.Sa i përket shkollave shqipe,në këtë periudhë as që bëhej fjalë.Mendoj se ky gjenocid fizik dhe shpirtëror,pos të tjerave, e ka zanafillën në teoritë famkeqe të B.Panjevcit i cili në ciësinë e Sekretarit të Statistikave të Përgjithshme shtetërore,potenconte në vitin 1920 se : “Është e rrezikshme vërtet,shtimi i shqiptarëve në Jug,i cili do të jetë një rrezik permanent për ne serbët.Rreziku sa vjen e bëhet më i dukshëm sepse tek shqiptarët po zgjohet ndjenja nacionale.Ky zgjim ka kushte të favorshme sepse popullata shqiptare është e banuar në vise kompakte dhe në vend që ajo të asimilohet,siç është dëshira e shtetit tonë,në realitet po ngjan e kundërta,sepse fëmijët e kolonistëve,në vend që t’iu imponojnë gjuhën serbe fëmijëve shqiptarë,po ngjan e kundërta,fëmijët serb,po mësojnë shqipen”.
( Politika e eleminimit të shqiptarëve nga trualli i Jgosllavisë së vjetër – “Përparimi”nr.5 – më 1979 , faqe 433 ).
Duke e ndjerë veten të fuqishëm për të vepruar sipas qejfit me shqiptarët,Mbretëria Serbo-Kroate-Sllovene,që në vjeshtën e vitit 1919 ndërmerr një plan të gjërë strategjik ushtarak.Madje këtij qëllimi i ka shërbyer dislokimi në Shkup i Armatës së Tretë, e cila kishte në përbërje elementë të duhur politike dhe ushtarake,me ç’rast parashihej një goditje e rreptë dhe e shpejtë kundër shqiptarëve.Veçmas në Maqedoninë shqiptare,kjo goditje të ishte tejet e rëndë po të kemi parasysh ngjarjet e vitit 1918.Ndonëse diku e kam cekur çështjen e Armatës së Tretë të Shkupit,mendoj se shtabi luftarak i saj ka patur kurdoherë si objektiv të vetin,të pdiskutueshëm,zhdukjen masive të shqiptarëve nga trojet etnike , e ndofta edhe më tej,etnocidin dhe gjenocidin ndaj shqiptarëve në gadishullin ballkanik.Ëndrat e Carëve serb për të arritur në ujrat e Adriatikut,sikur gjallëroheshin prej aradhave të inkuizicionit serb në shekullin e 20-të.Kështu që, me preteksin e mosparaqitjes në ushtri apo fare pa preteks,në vise të Kumanovës,në marsin e vitit 1921,disa xhandarë i mësynë shtëpive të shqiptarëve,në Hotlë,duke rrëmbyer bagëtinë dhe krejt sendet me vlerë.Kur dikush nga pleqtë e fshatit u foli se ky është një akt kriminal dhe vepër hajnash,xhandarët me egërsi shtinë në batare plumbash mbi 80 vjeçarin e Hotlës duke e lënë të vdekur në vend.Po në fshatin Hotël,në shtëpinë e Beqë Shabanit,kur dëgjuan një fëmijë duke përshpëritur në gjuhën shqipe,ata nuk ja kursyen plumbat e më tej i kallën zjarrin kullës.Nëse dikush nga kryefamiljarët shqiptarë në viset e Kumanovës,kish patur kundërshtime edhe me nënpunësit më të thjeshtë të administratës civile,xhandarët shkonin brenda në shtëpi dhe pasi i rrëmbenin atij gjënë e gjallë e sende të tjera me vlerë,i lidhnin dhe i shpinin në burgjet më të largëta dhe famëkeqe të Mbretërisë Jugosllave.Kështu,nga një raport sekret i komisarit të jashtëzakonshëm të Shkupit,dërguar eprorëve të vet në beograd më 11 prill 1920,thuhet pos të tjerave se në rrethin e Kumanovës ishin qëlluar e vrarë pa gjyq dy shqiptarë kryengritës,ndërsa 3 të tjerë,me gjithë familjen ishin dërguar nëpër burgje.Burgjet serbe për popullsinë e Kumanovës shqiptare,do të përbënin më tej një tjetër dimension të tragjedisë së kombit tonë.Ngase askush nuk i mbronte,shqiptarët dergjeshin aty në vite,të pafajshëm dhe vetëm kur dikush prej të afërmve paguante bakshishin ai mund të shkonte një ditë pranë shtëpisë,për të jetuar burgun e madh të dhunës dhe shovenizmit serb.Në shtatorin e vitit 1921,kur Beogradi shoven e pa se masat kolonizuese nuk mund të arrinin në mënyrë të menjëhershme objektivat,urdhëroi Komandën e Armatës së Tretë të Shkupit për kryerjen e masakrave në krejt Maqedoninë shqiptare,përfshi edhe territoret e Kumanovës.E vërteta është se kjo masakër,nis më parë në trevat e Kërçovës,Gostivarit,Tetovës e Shkupit,ku shqiptarët ishin tejet kompaktë në pikëpamje demografike.Ndërsa dy aradha të Aramtës së Shkupit,vijuan në Kumanovë një kontroll të imët nëpër fshatra duke evidentuar se ku ishin familjet shqiptare,çfar marrëdhëniesh kanë ata me pushtetin civil dhe ushtarak duke përgaditur dhunën me qetësi dhe sipas një plani të hollësishëm.Kështu,në vjeshtë të vitit 1921,në fshatrat shqiptare të Kumanovës,mësynë dy batalione të Armatës së Tretë të Shkupit,të armatosura deri në dhëmbë.Urdhëri i tyre ishte i prerë,asnjë këmbë shqiptari të mos shkele tokën e Kumanovës.Veçmas,u mësynë fshatrat në rrënzë të Karadakut siç janë ; Llojani,Likova,Sllupçani,Hotla,Matejci etj.Për ditë e netë të tëra,nuk pushonte zjarri i kullave dhe tymi përzihej me barotin e pushkëve.Serbo-sllavomaqedonasit,në tërbimin shtazarak të tyre,nuk kursenin as gratë dhe as fëmijët e djepit.Një korespondent i huaj,pjesmarrës në ato luftime,lidhur me këtë masakër shkruan : “Taktika luftarake e serbëve në Maqedoni ka marrë karakterin e një masakre të përgjithshme,pothuaj të tmerrshme.Ushtria po zbaton një taktikë shkatërimtare, barbare në kulm.Sipas tregimeve të ushtarëve dhe oficerëve,në mes të Kumanovës dhe të Shkupit janë vrarë mbi 3000 shqiptarë… Fshatrat shqiptare janë krejtësisht të djegur.Populli po gjurmohet nëpër shtëpitë e veta dhe po i vrasin si minjtë.Militaristët serb,këtë gjueti njerëzish, e kallëzojnë me një lavdatë të jashtëzakonshme”.(Arkivi Qendror i shtetit – Tiranë. Fondi “Komiteti Kombëtar i Mbrojtjes së Kosovës “,dosja 35/2 , fleta 4 ).
Edhe në dimrin e vitit 1922,dhuna serbe në kumanovë,nuk ka gjetur prehje.Aradhat e Armatës së Tretë të Shkupit,të komanduara nga kriminelët Millan Stefanoviq dhe Vojvoda Angjellkon,nën preteksin e aksionit të grumbullimit të armëve,u ranë kryq e tërthorë krejt fshatrave shqiptare në Kumanovë,me ç’rast grabitën edhe ate pak gjë të gjallë që pati dalë prej dimri.Askush tanimë nga shqiptarët etnik të Kumanovës,nuk mund të kërkonte të drejtën më të vogël.E vërteta është se qysh me aprovimin e kushtetutës së Videvdanit të 28 qershorit 1921,prej Mbretërisë serbo-kroato-sllovene,të drejtat më lelementare shqiptare merreshin nëpër këmbë në mënyrë më brutale.Kështu që në fshatin Lipkovë,në majin evitit 1922,aradha serbo-sllavomaqedonase e Millan Stefanolliqit, u mori me forcë bagëtitë,dy prej fshatarëve nën preteksin se i donte armata.Kur njëri prej këtyre fshatarëve të varfër,u tha ushtarëve se me to mbante frymën e fëmijëve,ai u qëllua menjëherë në vend,kështu duke paralajmëruar për tragjizmin e fateve të tyre nën rrobërinë e egër sllavoshovene.
Ndërsa në fshatin Hotlë,u muar i lidhur me tela,patrioti 70 vjeçar Beqë Syla.Faji i tij ishte se u pat folur fëmijëve të vet në gjuhën shqipe.Aty pran pat kaluar një fshatar maqedonas dhe i kish thënë se fliste serbisht apo maqedonisht pse këtu më nuk qenka në vend të vet.Trimi Beqë Sula i përgjigjet prerë se ai vend prej së lashti ka qenë Shqipëri dhe se ashtu do të mbesi për jetë të jetëve.Kaq është dashur,sllavomaqedonasi duke vrapuar në postëkomandën dhe Beqë Sula pasi është prurë zvarrë nëpër rrugë,është pushkatuar barabarisht në qendët të fshatit Hotël. Mandej në vitet 1923-1924,në emër gjoja të ndërtimeve që do të kryente Mbretëria serbo-kroato-sllovene,nxori ligjin famkeq për punën e detyruar,sidomos në hekurudhë.Për hir të së vërtetës,duhet thënë se listat dhe thirrjet e para të ardhura në Kumanovë,ishin ato për familjet shqiptare.Nëse këta për ndonjë arsye apo tjet¨üer,nuk do të çonin dikend nga shtëpia,atëhrë ata duhet të paguanin shuma të mëdha parash.Kësisoj fshatarët e Kumanovës shqiptare,detyroheshin të çonin në hekurudhë deri pleq e fëmijë të cilët punonin pa shpërblim për muaj të tërë.Dhe askush nuk mund të kërkonte të drejta.Shtypi shqiptar i asaj kohe,lidhur me këtë shkruante : “Këtu nuk vlejnë ligjet shtetërore por ligji i topuzit,sepse kur përmenden emrat e vojvodëve,të çetnikëve si të Tanko Trifunoviqit,Boro Millovanoviqit,Kosta Peçancit,Miliq Kërstiqit,nga vet emrat shfaqet tmerri i vërtetë”.( Gazeta ”Hak” 24 shtator 1924 ).
E vërteta është se fryma serbe ka qenë determinante në formacionet politike dhe ushtarake brenda Mbretërisë Jugosllave të viteve 20-të.Në veçanti në vitet 1925-1930,qarqe të caktuara serbe muarën kompetenca të mëdha politike,me ç’rast shtruan sërish kërkesën e shpronsimeve të shqiptarëve si edhe kolonizimin e trevave plotësisht të pastra etnikisht,me kolonë serb.Ajo çka u trumbetua me të madhe nga Beogradi si reformë thellësisht agrare,ishte në fakt një reformë dinake dhe e egër politike, e cila më pas degjeneroi në luftë të hapur,për të përzënë shqiptarët nga trojet e tyre stërgjyshore.Në Kumanovën shqiptare kjo reformë nuk pati ate përhapje aq të madhe sa në vendet e tjera të Maqedonisë shqiptare.Sidoqoftë edhe aty u ndje goditja ndaj pronarëve shqiptarë të cilët dispononin toka të konsiderueshme.Një sërë ligjesh i ngrakuan me taksa të larta këta pronarë dhe në mjaft raste tokat u muarën me forcë,gjoja për nevoja të shtetit,pa u paguar asnjë metër katrorë.Por përgjithësisht,në Kumanovën shqiptare u goditën pronarët shqiptarë të të gjitha shtresave,ngase kërkohej shkombëtarizimi sa ma i shpejtë dhe i thellë i këtyre trevave.Ajo çka vlen të mos harrohet,është fakti se partitë politike të sllavomaqedonasve në Maqedoninë shqiptare,por edhe grupimet ushtarake e të tjerë,gjendeshin në grindje të vazhdueshme midis tyre.Por gjithsesi ndonëse ata ishin të ndarë në interesat e tyre partiake,të ditës,i bashkonte kurdoherë një veprim unik në lidhje me largimin e shqiptarëve prej trojeve të tyre etnike.Jo rallë,ishin pikërisht këto organizata të cilat ndikonin drejtëpërsëdrejti që në tokat e rrëmbyera të shqiptarëve,të vendoseshin sa ma shpejtë kolonët serb.Mandej në tezat “shkencore” të akademistëve te Beogradit,të ishe kolon do të thoshte në gjuhën e tyre të ishe “patriot i madh “.Si gjithmonë edhe në këtë rast,(ndonëse SKS propagandonte një fare lirie etnike) shqiptarët shiheshin si qytetarë të dorës së fundit.Madje në këtë rrafsh,përgjigjja e ankesave merrte edhe tone qesharake. “Lidhur me ankesat e shumta të shqiptarëve të Kumanovës,të cilëve u ishte rrëmbyer padrejtësisht toka,Drejtoria Mbretërore e Banovinës së Vardarit me seli në Shkup,vendosi më 8 prill 1931 që të gjithë të ankuarve,t’u mohohet e drejta me kompesim për arsye se me kohë nuk e kishin kërkuar këtë dhe se kërkesa pas 9 vjetësh ishte e pavend dhe për këto prona të ndarë çetnikëve,shqiptarët nuk dispononin vërtetime”.
( Dr. Hakif Bajarami, “Rrethanat shoqërore dhe politike në Kosovë “ faqe 74 ).
Me banorët etnik të Kumanovës shqiptare,u manipulua shumë edhe me termin “toka të braktisura”. Dihet se sidomos fshtrat që ndodhen në rrëzë të Karadakut përcaktohen prej burimeve të vyera gjeografike,klimatike dhe sidomos blektorale.Lartësitë e Karadakut (të Kumanovës) kanë shërbyer kurdoherë si burrim i kullotave të pasura dhe mjeshtëria e punimit të bulmetit,apo rritja e bagëtive në këto treva,ka tradita të mëdha.Por kur pas sulmeve periodike të Armatës së Tretë të Shkupit,këta banorë mirrnin malet e pyjet për ti shpëtuar plumbit,atëhrë nga serbia apo maqedonia jugore nuk vononin të arrinin kolonët duke zaptuar kullat dhe arrat e bukës shqiptare.Për më tej,pati nga këta fshatarë shqiptarë të Kumanovës,të cilët e ndjenë të pamundur jetesën midis etnive të tjera dhe me gjithë rezistencën e madhe,me gjithë dhembshurinë për dheun e të parëvet të tyre,”u larguan për të mos u kthyer më në vatrat e tyre”.(Arkivi Qendror i shetit.Fondi 886,dosja 117, fleta 4 ).
Një prej elementëve zotërues,të shkombëtarizimit të shqiptarëve në përgjithësi,i përdorur prej serbo-sllavomaqedonasve,midis dy luftërave botërore,padyshim është edhe konfesioni fetar.Pas eleminimit të shkollave në gjuhën shqipe,aksioni i dytë i serbëve ka qenë pikërisht goditja e besimit fetar tek banorët shqiptarë autoktonë,me ç’rast do të ishte një “argument” më shumë për Stara Serbinë e tyre.Në fillim të shekullit të kaluar,në pjesën më të madhe të tyre,banorët e Kumanovës shqiptare i përkisnin konfesionit fetar mysliman dhe mbrenda këtij konfesioni ishin edhe përkrahës të sektit bekatshi.
Në fillim të viteve 30-të,administrata civile bënte mjaft lëshime për ata shqiptarë që shëndrroheshin në ortodoks,ose ato ortodokse shqiptarë që pranonin kishën sllavoortodokse dhe pranonin me kënqsi asimilimin e tyre duke u shëndruar në “maqedonas”,në të kundërtën,ndërrmerte masa drakoniane.Sidoqoftë banorët e Kumanovës shqiptare duruan mbi supet e tyre mjaftë zullume të qeverisë,pa e ndrruar konfesionin fetar të tyre,me përjashtim të shumë ortodoksëve shqiptarë.Me këtë rast ashtu sikundër në krejt viset e Maqedonisë shqiptare “mjaft prona të xhamive e teqeve u shpronsuan në mënyrë arbitrare dhe të dhunshme.Këtë fat e pësun edhe disa vende të quajtura “Vakëfe” (të shenjta) në vise të Kumanovës”.(A. Q. i shtetit-Tiranë,fondi 251,dosja 194, fleta 7 ).
Shpërnguljet me dhunë prej trojeve etnike,do të ishin një tjetër plagë e hapur për banorët e Kumanovës shqiptare.Një plan i detyjuar me hollësi prej Beogradit,mandej edhe në bashkëpunim me qeverinë turke të asj kohe,i degdiste shqiptarët deri në kufijtë e largëta të Azisë.Marrja me forcë e disa familjeve në fshatin Zllakuçan,në vitin 1937,bëri që revolta e shqiptarëve etnik të rritet së tepërmi deri në rrëmbimin e armëve dhe organizimin e çetave me luftëtarë të lirisë. Sidoqoftë, kjo plagë në trevën e Kumanovës nuk ishte aq e madhe sa në pjesët e tjera të Maqedonisë shqiptare apo të Kosovës.Mandej nuk duhet harruar në këtë rast edhe interesimi dhe patriotizmi i qeverisë shqiptare në vitin 1938,posaçërisht për këtë problem.Kështu një nga kushtet që Mbreti Zog,i vuri Qeverisë Jugosllave të Stojadinoviçit për nënshkrimin e një pakti miqësie e mossulmimi ishte pikërisht : “Të ndalohet shpërngulja e shqiptarëve të Kosovës e Maqedonisë në Turqi”.(Arkivi Qendror i shtetit – Tiranë, Fondi 251 , dosja 107 /2 , fleta 768 ).
Kësisoj në dy deceniet midis dy luftërave botërore,shqiptarët etnik në Kumanovë,pritën mbi supe sa e sa tallaze të tërbuara të shovenizmit sllavoortodoks.Por ata nuk u thyen,nuk u asimiluan,nuk u shuan.Ata mbijetuan falë viteve të vyera të trashëguara nga të parët e tyre me plot mesazhe e amanete për Komb e Atdhe,deri në ditët e sotme.
Bern-Zvicër

Filed Under: Featured Tagged With: botërorë!, DY LUFTËRAVE, Eugen Shehu, midis, NË VISE TË KUMANOVËS, SHTYPJA E SHQIPTARËVE

Gjuha shqipe, në degën e pemës gjuhësore botërore

January 25, 2015 by dgreca

TIRANË,25 Janar / Gjuha Shqipe gjithmonë ka qenë objekt studimi për shumë studiues në botë.
Së fundmi,gazeta prestigjoze “The Guardian” ka publikuar një ilustrim të Minna Sundberg që tregon hartën e gjuhëve që ekzistojnë sot në botë.
Në foton e botuar dallohet qartë gjuha shqipe si një degë më vete e pemës simbolike të gjuhëve botërore.
Kjo vërteton edhe njëherë se shqipja është një gjuhë unike dhe e lashtë.

Filed Under: Histori Tagged With: botërorë!, gjuha shqipe, gjuhësore, në degën e pemës

George W. Bush me 24 portrete liderësh botërorë!

April 3, 2014 by dgreca

NJU JORK– George W. Bush, si fushë të re ku të eksperimentojë ka zgjedhur pikturën, me përfundimin e 24 portreteve të liderëve botërorë, të cilat do të jenë në qendër të një ekpozite të llojit instalacion, në Librarinë e tij Presidenciale në Dallas,Texas.

Tablotë, që prezantohen publikisht nesër në një reportazh ekskluziv në NBC, do të paraqiten në Librari si pjesë e një ekspozite të re të dedikuar prodhimtarisë artistike të ish-kreut të Shtëpisë së Bardhë, ku përfshihen edhe autoportrete, panorama dhe tablo me kafshë.
Ndër liderët, të cilve u është realizuar një portret nga ish-presidenti, janë Tony Blair, Vladimir Putin dhe Dalai Lama, sipas një reportazhi të NBC.
Bush i ka deklaruar vajzës së tij Jenna, e cila drejton një program në rrjetin amerikan, që askush prej të interesuarve nuk i kishte parë ende tablotë.
Portrete të personaliteteve të tjera mund të jenë Silvio Berlusconi, Jacques Chirac, Angela Merkel.
“Besoj se do të mbeten të habitur. Me sigurinë që e dinin që po realizoja këto punime, por shpresoj të kuptojnë frymën me të cilën i kam realizuar”, u shpreh Bush.
”Kjo është një frymë miqësie dhe admirimi dhe një përpjekje që njerzit të kuptojnë çfarë mendoj për ta”, theksonte Bush./

Filed Under: Kulture Tagged With: botërorë!, George W. Bush me 24 portrete, liderësh

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT