Tirane- 31 dhjetor 2014/
Të dashur qytetarë të vendit tim, bashkëkombas, brenda dhe jashtë Shqipërisë!
Motra e vëllezër!
Nata tradicionale e urimeve më të përzemërta sonte na bashkon të gjithëve!
Po troket Viti i Ri dhe në cilësinë e Presidentit të Republikës, për të tretën herë, kam privilegjin e nderin t’ju përcjell urimet e mia më të ndjera, më të sinqerta për një Vit të Ri sa më afër aspiratave tuaja!
Gëzuar të gjithëve!
Gëzuar çdo qytetari shqiptar brenda dhe jashtë vendit!
Gëzuar çdo bashkëkombasi!
Gëzuar çdokujt që sonte është mik në tokën shqiptare, prania juaj na e stolis këtë natë!
Gëzuar gjithë trupit diplomatik që shërben në Shqipëri!
Paçi gjithmonë dashuri, lumturi, harmoni e shëndet në jetën tuaj: është urimi im në këtë vigjilje të ndërrimit të viteve të dashur miq.
Magjia e kësaj feste ndihet më fort tek fëmijët të cilët me ëndrrat, dëshirat e tyre plazmojnë standardet e së nesërmes, ndaj u shpreh atyre urimet më të dashura që jeta e tyre të jetë sa më e begatë.
Një shoqëri që rrit mirë fëmijët e saj përcakton që në atë moment të ardhmen e vet.
Vëllezër e motra,
Vendi ynë, ka ende shumë njerëz që për arsye të ndryshme gjenden në vështirësi shpirtërore e materiale; ndaj më shumë se kurrë, sonte, jam pranë tyre e solidar me ta!
Të moshuarve, prindërve që sonte nuk i kanë pranë bijtë e tyre, fëmijëve jetim, personave me aftësi të kufizuar, atyre që këtë natë e kalojnë në spitale, të papunëve, ju uroj një vit më të mirë duke thirrur vëmendjen e institucioneve që të jetë vërtetë i tillë.
Impenjimi i të gjithëve mund t’i zvogëlojë problemet dhe mund të rrisë zgjidhjet duke shtuar sigurinë dhe mirëqenien.
Zhvillimet tona na kanë mësuar tashmë që këtë natë ta kalojmë me telefonin pranë, me skype apo facebook, sepse shumë nga familjarët tanë e festojnë këtë natë të bukur në vende të ndryshme të botës, ku jetojnë, punojnë dhe studiojnë me dinjitet e sakrifica prej vitesh.
Ne u themi atyre Shqipëria ju pret dhe ju uron nga zemra një Vit të Ri të lumtur. Ne jemi një e të pandarë!
Si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, një urim të veçantë e kam për të gjithë ushtarakët tanë dhe familjet e tyre. Nga mot Gëzuar!
Me kontributin e tyre përkrah aleatëve, atje ku sfidat dhe vështirësitë janë të shumta po dëshmojnë se janë rojtarë të denjë të paqes, lirisë dhe sigurisë, anëtarë seriozë të NATO-s, por edhe një forcë me kontribut të vyer në çështje të mbrojtjes civile brenda vendit!
Urimit të këtij çasti të bukur i shtoj edhe mirënjohjen time për të gjithë ata që sonte janë në punë, kam parasysh forcat e rendit, personelin mjekësor, punonjësit e institucioneve të ndryshme, gazetarët në terren e shumë të tjerë. Ju faleminderit për sakrificën tuaj!
Vëllezër e motra,
Viti 2014 ishte një vit domethënës për vendin tonë, por ajo që spikat më shumë është marrja e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian.
Vëmendjes së Evropës ndaj Shqipërisë, e cila kurrë nuk ka qenë kaq e madhe përgjatë historisë, i përgjigjet dëshira e shqiptarëve për t’u integruar aty, por e tillë dhe me standardet demokratike duhet të jetë edhe sjellja e politikës shqiptare.
Uroj që gjatë këtij viti të rikthehet dialogu i munguar duke rikthyer filozofinë e bashkëpunimit dhe jo të përjashtimit, duke bërë që parlamenti të shndërrohet në zërin e të gjithëve e jo vetëm të një pjese, nga i cili të miratohen reforma themelore, të vërteta, moderne e afatgjata, produkt i vullnetit të përbashkët.
Gëzuar dhe një vit të suksesshëm për politikanët dhe politikën shqiptare, vendimmarrja e të cilëve na përket e prek të gjithë.
Ngjarje e një rëndësie historike për ne ishte vizita e Papa Françeskut në shtatorin e këtij viti që po lëmë pas.
Afria dhe mesazhet e Tij për Shqipërinë, konsideratat për harmoninë, paqen, dashurinë e shquajnë kuptimin e tyre këtë natë të bekuar më shumë se çdo herë duke na dhënë shpresë e optimizëm për të ardhmen, solidaritet si shtet e komb në udhëtimin tonë integrues drejt atdheut të përbashkët, Evropës.
Të dashur vëllezër e motra,
Të gjithë ne duhet të bashkojmë vullnetet, të shtojmë energjitë dhe përcaktojmë dëshirat tona më të spikatura, për një Vit të Ri më të mirë e të suksesshëm.
E kemi mundësinë, nuk mungon inteligjenca dhe virtytet për të ndërtuar një shoqëri më demokratike, me kohezion më të madh politik e social, në paqe e harmoni siç e kemi traditë, për sot e nesër, për fëmijët tanë, për vete dhe brezat duke synuar dhe projektuar me vetëdije vendin tonë në bashkësinë e familjes evropiane.
Së bashku me familjen time, ju urojmë Gëzuar!
Zoti e bekoftë Shqipërinë e shqiptarët!
DARKË ME PRESIDENTIN NISHANI DHE DELEGACIONET E SHQIPËRISË DHE KOSOVËS
VATRA DHE KOMUNITETI SHQIPTAR DO TË SHTROJNË DARKË PËR DELEGACIONIN E DREJTUAR NGA PRESIDENTI I SHQIPËRISË, Z. BUJAR NISHANI DHE DELEGACIONIN E KOSOVES/
Me rastin e vizitës së presidentit Bujar Nishani, Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA në bashkëpunim me Komunitetin Shqiptar në New York,në mbrëmjen e 27 shtatorit, do të shtrojnë një darkë , ku janë të ftuar edhe klerikët e të gjithë besimeve fetare.
Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA dhe Komuniteti Shqiptar ftojnë shoqatat dhe fondacionet që të bëhen pjesë e darkës që do të shtrohet në nder të delegacionit shqiptar të kryesuar nga presidenti i Republikës së Shqipërisë, zoti Bujar Nishani, i cili do të marrë pjesë në punimet e Sesionit të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, që mbahet gjatë muajit Shtator 2014.
Darka do të shtrohet Ditën e Shtunë, 27 Shtator 2014 në orën 7.00 të mbrëmjes në restorantin MAESTRO’S, që ndodhet në adresën:
1703 Bronxdale Ave, Bronx, NY 10462
Tel: (718) 792-8844
Vatranët dhe komuniteti janë të ftuar që të bëhen pjesë e kësaj darke.
Telefononi:
917-254-61-03, (718) 365-99-00, 917-848-3999, 914-316-0045; 917-669-2082, 917-355-1486, 914-772-2478, 973-819- 88-67; 914-76- 05-653
Për Shoqatën Camëria, rezervimet mund të bëhen përmes kryetarit Fuat Mamo në telefonin: 201-893-67-76, Për Legalistët rezervimet mund të bëhen përmes Ndrec Gjergji 718-347- 9472, për rezervime nga shoqatat e Malësisë mund të bëhen rezervimet tek koordinatori Esad Gjonbalaj në Tel: 914-4395798, për rezervime nga Shoqata Rugova mund të bëhen përmes telefonit të Shaban Lajcit 917- 445-4126,për rezervime nga Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane thirrni Agim Alickaj në tel:914-237-6400, për rezevime nga Bashkimi Kombëtar dhe Shkolla Shqipe telefononi tek Dede Gjonvukaj Tel- 718.933.4141 ose 718.933.4466, Për rezervime nga Shoqata e Shkrimtarëve telefononi Dede Elezaj në tel: 917-445-4126.
Mbremja eshte e hapur per Komunitetin.
Toleranca fetare, një vlerë e rrallë e shqiptarëve
Nga Bujar Nishani*/
Është një nder dhe një privilegj i madh edhe për mua të jem sot mes jush, e të marr pjesë në këtë Festë të Shenjtë. Dëshiroj të falënderoj nga zemra për ftesën drejtuesit e Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, autoritet vendore dhe e mirëprita me lumturi të veçantë pjesëmarrjen në këtë festë, që po bëhet gjithnjë e më shumë mbarëshqiptare.
Gjatë këtyre ditëve festive, ky Mal i shenjtë pret krahëhapur e shtrëngon në gjirin e tij mijëra e mijëra besimtarë bektashianë, por edhe shtegtarë të devotshëm që vijnë nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, madje edhe nga Diaspora e madhe shqiptare nëpër botë.
Bukuria mahnitëse e këtij Mali, flora dhe fauna e këtyre rrethinave sa të ashpra, aq edhe magjike, trevat që e rrethojnë përqark si diamante të një kurore xhevahiresh shqiptare, njëra më e mrekullueshme se tjetra, të banuara nga njerëz bujarë, fisnikë e mikpritës – të gjitha këto kanë lindur, frymëzuar, ushqyer poetë, luftëtarë e atdhetarë shqiptarë ndër shekuj, por kanë ngjallur edhe ndjenjat krijuese të artistëve, piktorëve e shkrimtarëve të huaj përgjatë shekujve.
Dëshiroj që të përshëndes e të vlerësoj kontributin dhe veprën e drejtuesve të nderuar bektashinj që nga Baba Abaz Aliu, Vëllezërit Frashërlinj, e deri te i ndjeri Haxhi Dede Reshat Bardhin – por, veçanërisht sot Haxhi Baba Edmond Brahimajn, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, i cili vazhdon traditën e shkëlqyer të veprimtarëve të palodhur në konsolidimin e dialogut shoqëror dhe ndërfetar.
Këtu, është gjithashtu vendi dhe momenti të përkulemi me respekt dhe të përshëndesim kontributin e dhënë nga Andon Zako Çajupi dhe shumë rilindës të tjerë, kleriku Ali Turabiu, Perikli Ikonomi apo edhe piktori i madh anglez, Eduard Lir, të cilët me veprat e tyre kanë evokuar vlerat natyrore, historike, atdhetare, fetare dhe trashëgiminë kulturore të kësaj zone të mrekullueshme.
Ashtu siç tregon dhe një nga legjendat më interesante të kësaj zone, mal më të bukur Perëndia nuk ka ditur të bëjë, dhe kur deshi të bënte një më të bukur, iu prish balta në dorë.
Jo më larg se disa më parë, Papa Françesku duke shpjeguar arsyet pse do të vizitojë vendin tonë më 21 shtator, vuri në dukje se Shqipëria ka ditur të krijojë unitetin e saj kombëtar të bazuar në vlerat e tolerancës, harmonisë, bashkëjetesës dhe respektit fetar. Përfitoj nga ky rast i bekuar për të vënë në dukje e theksuar një vlerë sa të rrallë, aq edhe të natyrshme të popullit e vendit tonë: bashkëjetesën historike e tradicionale mes feve në Shqipëri, ku pasuesit e gjashtë feve ushtrojnë krejt lirshëm e në harmoni të plotë me njëri-tjetrin besimin e tyre shpirtëror.
Kombi shqiptar e ka mbrujtur, ushqyer, ruajtur dhe përsosur këtë bashkëjetesë, harmoni dhe tolerancë fetare përgjatë shekujve. Vërtet rilindasi ynë vizionar Pashko Vasa pat shkruar vargjet legjendare: ‘’Feja e shqiptarit është shqiptaria’’, por themelet e shëndosha të bashkëjetesës sonë fetare ne kemi ditur t’i ndërtojmë duke ndërthurur tharmin e besimit që i bashkon njerëzit, pavarësisht se si i falen Zotit tonë të përbashkët, me doket dhe zakonet më të mira shqiptare të besës, mikpritjes, nderimit dhe respektit për mikun dhe tjetrin që mund të jetë ndryshe nga ne.
Kjo bashkëjetesë, harmoni e tolerancë është kontribut dhe fryt i bashkësive fetare shqiptare, i përfaqësuesve dhe drejtuesve shpirtërore, të cilët predikojnë me urtësi dhe devotshmëri mësimet e shenjta dhe parimet e shëndosha të moralit njerëzor, por mbi të gjitha, këto vlera u përkasin qytetarëve shqiptarë, të cilët i ruajnë e i lartësojnë ato dita-ditës.
Këto vlera të patjetërsueshme, këto visare të çmuara të kombit tonë ne jo vetëm do t’ua lemë trashëgim brezave të ardhshëm, por do t’i përçojmë dhe eksportojmë edhe në mozaikun e vlerave të shumëllojshme të familjes së madhe evropiane, aty ku aspirojmë të bëjmë pjesë sa më shpejt e me merita të plota edhe zyrtarisht, e jo vetëm gjeografikisht.
Fati i shkruar nganjëherë na ka vënë krah për krah apo përballë njëri-tjetrit me ide, bindje fetare apo politike të ndryshme, por duke qenë se kërkohen sakrifica të përbashkëta dhe duke pasur parasysh se që të gjithë aspirojmë një jetë më të mirë në paqe e në harmoni, kam bindjen e palëkundur dhe optimizmin e pashtershëm që do t’ua dalim mbanë bashkërisht edhe sfidave të ardhshme të integrimit dhe zhvillimit të gjithanshëm për ta konsoliduar e lartësuar akoma edhe më shumë imazhin e Shqipërisë sonë të përbashkët në të gjithë botën.
Diktatura komuniste u përpoq me çdo mjet ta shkëpuste shqiptarin nga besimi e Zoti, duke vrarë, burgosur e syrgjynosur klerikët e duke shkatërruar objektet e kultit – përpjekje që arritën kulmin absurd në vitin famëkeq 1967 kur feja u ndalua me ligj dhe Shqipëria u vetëshpall i vetmi vend ateist në rruzull.
Por ja ku jemi sot, në Teqenë e Kulmakut, në majën e shenjtë të Malit hijerëndë e kreshtathinjur, në Tomorin e lashtë, që përpos madhështisë së tij karakteristike, ofron edhe një frymëzim të pakrahasueshëm shpirtëror, artistik e natyror.
Gjatë këtyre pesë ditëve të mirësisë bektashiane, kur faleni e bëni kurban për shëndetin tuaj, për familjet, për mbarësinë, për pjellorinë dhe kohë gjithnjë e më të mira për vete, jam i sigurt që lutjet dhe urimet tuaja shkojnë edhe për Shqipërinë e shqiptarët, për të ardhmen tonë sa më të sigurt, të begatë e krenare.
Prandaj urimi im i vetëm, sot, këtu, mes jush, urimi që më del nga thellësia e zemrës, krahas mirënjohjes edhe një herë për ftesën që më bëtë, është: Paçi përpjetë ditë të tilla të hareshme e të lumtura, plot shëndet e harmoni në këtë truall të bekuar shqiptar!
Zoti e bekoftë vendin tonë! Zoti e bekoftë kombin shqiptar dhe shqiptarët kudo ku janë! Gëzuar! Mbarësi në familjet tuaja!”
*Fjalimi i Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, në ceremoninë tradicionale të pelegrinazhit bektashian në Malit e Shenjtë të Tomorit, që u zhvillua në mjediset e Teqesë së Kulmakut.
Presidentin Bujar Nishani: JAM MBI PALET POLITIKE, NUK INVESTIGOJ KESHILLTARET
Këto ditë ndodhet në Shtetet e Bashkuara Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani. Dje Presidenti Nishani mori pjesë në Mëngjesin Kombëtar të Lutjeve, një aktivitet që bashkon njerëz me besime të ndryshme. Gjatë vizitës në Washington, Presidenti Nishani ka patur takime me drejtues të Kongresit amerikan dhe me zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit. Presidenti Nishani u takua sot edhe me drejtorin e Zërit të Amerikës, David Ensor, dhe zyrtarë të tjerë, si dhe me stafin e redaksisë së gjuhës shqipe. Kolegia Rudina Dervishi intervistoi Presidentin e Republikës së Shqipërisë në emisionin televiziv Ditari.
Zëri i Amerikës: Së pari, të flasim për Mëngjesin e Lutjeve, një aktivitet mjaft tradicional këtu në Washington, ku çdo vit, që nga viti 1953, merr pjesë edhe presidenti amerikan. Ju është hera e parë që merni pjesë në të. A mund të ndani me ne përshtypjet tuaja nga kjo ngjarje?
President Bujar Nishani: Përshtypje të jashtëzakonshme, shumë të veçanta. Natyrisht, të një evenimenti që ka përmasat e të tërë botës për nga pjesëmarrja, përmes mijëra të ftuarve dhe pjesëmarrësve në këtë ceremoni, ku mesazhet që e përshkojnë këtë ceremoni, veçanërisht ato të fjalimit të Presidentit Obama, por edhe të gjithë senatorëve, kongresmenëve dhe të ftuarve të tjerë, kofusoheshin tek kontakti midis njerëzve, tek respekti për njëri tjetrin, tek respekti për atë çka përfaqëson çdo njeri, pavarësisht besimit, pavarësisht përkatësive politike, pavarësisht racës që përfaqëson; pra është një moment, i cili reflekton virtytin njerëzor, parimet mbi të cilat njeriu duhet të ndërtojë më pas të gjithë karrierën e tij, qoftë kjo politike, qoftë sociale, publike, kudo që ai të jetë. Pra, ishte një moment i jashtëzakonshëm.
Zëri i Amerikës: Pikërisht kjo frymë mirëkuptimi, që karakterizon aktivitete të tilla, duket se mungon në vendin tuaj, të paktën mes klasës politike. Sot ka tensione në rritje mes shumicës dhe opozitës. A mendoni se ju mund të luani një rol më aktiv, si një president mbi palët?
President Bujar Nishani: Kushdo ka diçka për të thënë në këtë kontekst dhe këtë ambjent që ju përmendët. Ajo që është e rëndësishme ka të bëjë me faktin, që të gjithë ne duhet të besojmë në diçka thelbësore. Pa një ambjent mirëbesimi, pa një ambjent bashkëpunimi, pa një ambjent i cili duhet të respektojë të drejtat e gjithsecilit prej nesh, është shumë e vështirë të gjenenerohet çështje të tilla, të cilat lidhen drejtpërdrejt me jetën e qytetarëve, edhe me jetën e vendit dhe të institucioneve në tërësi. Jam dhe kam qenë gjithmonë i gatshëm, përmes së pari kontributit personal, atje ku jam, në atë pozicion ku jam, të reflektoj atë që në fakt presin qytetarët shqiptarë. Edhe konteksti i mëngjesit të lutjeve, ky ishte, që pavarësisht të bindjeve politike që ne kemi, pavarësisht parimeve tek të cilat ne investojmë, duhet të vlerësojmë dhe të respektojmë njëri-tjetrin për atë çka jemi, pra mbi gjithshka, mbi objektivat dhe pasionet politike, mbi interesat e jetës sonë të përditshme, duhet të prevalojë koncepti i të qënit së bashku në një shoqëri, edhe përgjegjësia e përbashkët në një vend.
Zëri i Amerikës: Pikërisht kjo duket se mungon. Shumica, ju shikon ende të lidhur ngushtë me të djathtën. Si shembull përmendin dy këshilltarët tuaj, që janë pjesë e grupeve të punës për riorganizimin e PD-së. Si mund të ndërtohet besimi reciprok mes të dy palëve?
President Bujar Nishani: Natyrisht që koha e investigimit të jetës private tek individë të ndryshëm ka mbetur pas në Shqipëri. Ne kemi patur eksperienca shumë të hidhura kur monitorohej, investigohej, apo i kërkohej llogari tjetrit për jetën e tij private, pavarësisht se çdo sjellje ishte në respekt të ligjit; unë në kontekstin e bashkëpunëtorëve të mi kam përzgjedhur aftësitë e tyre dhe natyrisht që gjatë kohës që ata ushtrojnë detyrën e këshilltarit të presidentit të republikës, do të respektojnë dhe duhet të respektojnë gjithshka që ligji u kërkon. Por unë kurrë nuk kam ndërmend për t’u bërë pjesë e investigimit, apo ndërhyrjes në jetën dhe aktivitetin privat, jashtë atij institucional, të kujtdo qoftë ajo. Unë kurrë nuk kam ndërmend të shikoj se në cilën seli partie shkon njëri këshilltar, apo tjetri punonjës pas orarit të punës.
Zëri i Amerikës: Megjithatë ju, a keni këshilltar që i përket Partisë Socialiste,mbase këtu duhet nisur.
Presidenti Bujar Nishani:Edhe një herë, në asnjë rast nuk kam investiguar se në cilën parti shkon njëri këshilltar, apo në cilën parti shkon këshilltari tjetër, apo çfarë afilacioni politik ka njëri, apo tjetri këshilltar.Për mua është shumë e rëndësishme që ata të përmbushin detyrat e tyre kushtetuese dhe ligjore, gjatë kohës që e ushtrojnë këtë detyrë dhe këtë funksion. Është shumë e rendësishme që presidenti i republikës të qëndrojë jashtë, jo vetëm aktivitetit, por edhe ndikimit në ushtrimin e detyrës së tij, pa pasionet politike, të njërës, apo tjetrës palë. Është shumë e rëndësishme, që institucioni i presidentit të funksionojë vetëm në përputhje me kushtetutën e vendit dhe në përputhje me parimet, sipas të cilave ligjet supozojnë që institucioni i presidentit të republikës duhet të ushtrojë këtë detyrë.
Zëri i Amerikës: Nevoja për refomimin e sistemit politik duket se ka përkrahjen e të gjithë spektrit politik në Shqipëri. Ju keni qënë ministër i drejtësisë dhe tani jeni kryetar i këshillit të lartë të drejtësisë, pra e njihni mjaft mirë sistemin e drejtësisë. Sipas jush, ku duhet të përqëndrohet një reformë e tillë?
President Bujar Nishani: Së pari është shumë e rëndësishme të ritheksojmë faktin se reforma në sistemin e drejtësisë ëdhtë një nevojë e përhershme, një proces i pandalshëm, një proces i cili duhet të vijojë, për sa kohë shfaqen sfida të ndryshme përballë këtij sistemi. Nga ana tjetër duhet të kuptojmë që sistemi i drejtësisë është një pushtet më vete, që ka të bëjë me pushtetin gjyqësor, i cili i jep drejtësi dhe bën drejtësi për qytetarët shqiptarë në aspektin e jetës dhe të pronës. Unë kam qenë gjithmonë i bindur që kjo reformë duhet të shkojë përmes udhëheqjes nga vetë komuniteti i gjyqtarëve, sepse ata janë njerëzit që e njohin mirë prolematikën dhe janë njerëz të cilët kërkojnë që të angazhohen në zgjidhjen e kësaj problematike. Është i njohur fakti, që në sistemin e drejtësisë, në gjyqësor, apo prokurori, ka gjyqtarë dhe prokurorë të paaftë, ka gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar, të cilët duhte të jenë objekt i pandalshëm i investigimit dhe i penalizimit; por ne duhet të mbështetemi tek pjesa dërrmuese, e cila është me profesionistë të mirë, me njerëz me integritet, të lidhur ngushtë me profesionin e tyre dhe që duan të bëhet drejtësia në Shqipëri. Promovimi i tyre është shumë i rëndësishëm dhe pjesë thelbësore e kësaj reforme. Nga ana tjetër, me duhte t’i ikim kapjes nga ana e politikës të sistemit të drejtësisë. Në se flasim për korrupsion dhe duhet luftuar ky korrupsion, kapja nga politika është pikërisht shkalla më e lartë e korrupsionit, në se do të ndodhë. Pra, të gjithë së bashku të bëhemi barrierë e kësaj ndërhyrjeje, dhe nga ana tjetër të nxisim implementim e reformave.
Zëri i Amerikës: Ju jeni shprehur që kontrolli politik i gjyqësorit është forma më e lartë e korrupsionit, ndërkohë që shumica e majtë ju akuzon ju për ndikim politik, siç ndodhi në rastin e dy kandidaturave për në gjykatën e lartë, të cilat u rrëzuan nga Parlemanti. Ju e quajtët këtë një trust procedurial. A mund të shmangen përplasje të tilla në të ardhmen?
Presidenti Bujar Nishani: Në gjykimin tim, nuk kemi të bëjmë me një përplasje, nuk kemi të bëjmë me një ndeshje, por kemi të bëjmë pa dyshim, me një tentativë për të ndërhyrë në mënyrë të njëanshme, nga ana e shumicës qeverisëse në atributet dhe tagrin kushtetues të presidentit të republikës. Nuk ka asnjë fakt, apo arsye për të besuar përfshirjen politike, apo bekgraundin politik të të dy kandidatëve të dërguar nga Presidenti i Republikës. Jo vetëm që u respektua në mënyrë rigoroze dhe strikt ligji që paralementi vetë ka aprovuar dhe jo presidenti; procedurat krejt të paanëshme për zgjedhjen e këtyre kandidatëve, unë po ju bie juve në vemendje edhe të vetë opinionit që e ndjek këtë zë të rëndësishëm të infromacionit, që shkuan në paralement kryetari i gjykatës së apelit të krimeve të rënda të republikës, pas një karriere të gjatë në gjyqësor dhe pa asnjë akuzë politike gjatë gjithë karrierës së tij dhe kryetari i gjykatës së apelit të Durrësit, një prje gjykatave të apelit më të mëdha të apelit në vend, edhe ai pa asnjë akuzë politike dhe pa asnjë akuzë në drejtim të integritetit të tij moral. Pra, për sa kohë zgjidhen në mënyrë proceduriale korrekte dhe në respekt të plotë të ligjit dhe njerëz me integritet, unë besoj se raporti nuk është një përplasje e dyanshme, por është një tentativë e njëanshme për të ndërhyrë në atë që kushtetuta i jep presidentit të republikës.
Zëri i Amerikës: A mendoni se reforma duhet të prekë edhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë, kam parasysh këtu kritikat që ka bërë Komisioni Evropian kur thekson pak a shumë se hapësirat interpretuese për marrjen e vendimeve për emërimet e gjykatësve duhen kufizuar pasi janë shumë të gjera?
President Bujar Nishani: Pa disktutim, që duhet të ecet në atë çka sugjeron raport progresi dhe qëndrimet e komisionit evropian dhe të Këshillit të Evropës dhe natyrisht, duhet të kemi paraqysh që deklaratat i referohen një eksperience të shkuar të veprimatrisë së Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe duke nënvizuar në vijim, që hapa të rëndësishme drejt korrigjimit të tyre janë bërë vitin e fundit. Më lejoni t’ju bie në vëmendje gjithasthu një fakt të rëndësishëm, sepse në fund të fundit, faktet janë ato mbi të cilat krijohen bindjet reale. Në se gjatë 4, apo 5 vitet e fundit, kur ligji kërkonte bërjen e vlerësimeve për gjyqtarët, ishte bërë vlerësimi vetëm për 16 gjyqtarë. Ndërsa brenda një viti, ky këshill i lartë i drejtsisë ka arritur të përfundojë për gati treqind e ca gjyqtarë vlerësimin. Pra, shikohet një kontrast i madh i angazhimeve në të shkuarën dhe në të tashmen. Le të ecim me këtë mentalitet të punës, punës konkrete dhe të më pak fjalëve; por përsa i përket rekomandimeve, jam plotësisht në mbështetje të tyre, që të shkohet në drejtim të reformave të këtij lloji.
Zëri i Amerikës: Vendi juaj shpreson të marri statusin e vendit kandidat për në BE në qershor. Me këtë situatë politike, a mendoni se vendit është gati të marrë këtë status?
President Bujar Nishani: Vendi meriton të marrë statusin, Shqipëria e meriton të ketë statusin. Politika dhe lidershipi dhe instititucionet, duhet pa dyshim të japin kontributin e tyre, duke transmetuar pikërisht atë mentalitet shoqëror, politik, që presin dhe kërkojnë standartet e një vendi kadnidat për në BE.
Letër e hapur Z. BUJAR NISHANI-Presidenti i Republikës së Shqipërisë
I nderur Z. Nishani,/
Mua më quajnë Gëzim Alpion. Po ju shkruaj si një dibran i thjeshtë, për të kërkuar ndihmën tuaj për sa vijon.
I shqetësuar për prapambetjen e krahinës së Dibrës, prapambetje që ka si burim edhe rrugën aktuale torturuese Tiranë – Dibër, më 18 Mars 2013 nisa një peticion online. Peticioni mund të nënshkruhet edhe në formular, përgatitur në përputhje me ligjet e shtetit shqiptar, për ata që nuk kanë mundësi ta bëjnë këtë gjë online.
Nëpërmjet këtij peticionit do t’i kërkohet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, që do të dalë nga zgjedhjet e qershorit 2013, përfundimi i Rrugës së Arbërit sa më shpejt dhe me cilësi, në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare.
Deri tani peticioni online është nënshkruar nga mbi 2000 vetë dhe është përkrahur apo përcjellë gjerësisht nga mediat në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni dhe Diasporë: Angli, SHBA, Kanada, Zvicër, Itali, Greqi dhe Rumani. Më shumë informacion në lidhje me peticionin dhe përkrahjen e tij deri tani, mund të gjeni në fund të kësaj letre.
Unë nuk jam njeri ‘politik’, por si intelektual nuk jam ‘apolitik’. Përkundrazi, unë mendoj se intelektualët duhet të bashkëpunojnë në mënyrë transparente dhe konstruktive me qeveri që rezultojnë nga zgjedhje demokratike apo forca politike, që, për qëllim parësor, kanë mbrojtjen e interesave të vendit dhe zhvillimin e tij.
Shpreh bindjen se Ju gjithmonë e keni përkrahur ndërtimin e Rrugës së Arbërit. Megjithatë, nëpërmjet kësaj letre të hapur do t’ju lutesha që, ashtu si nënshkruesit e shumtë shqiptarë dhe të huaj nga të katër anët e globit, edhe Ju ta dëshmoni këtë përkrahje publikisht, duke e firmosur personalisht peticionin.
Po kështu, jam i bindur se Ju e kuptoni domosdoshmërinë e përfundimit të këtij projekti jo vetëm në kuadrin e rolit pozitiv që do të ketë për Dibrën dhe dibranët, por edhe për kontributin e madh që Rruga e Arbërit, kjo nyje e rëndësishme infrastrukturore në Ballkan, do të luajë për të sjellë shqiptarët më pranë jo vetëm me njëri-tjetrin, por edhe me popujt dhe vendet fqinje. Rruga e Arbërit është një investim i pallogaritshëm për integrimin e mëtejshëm të Shqipërisë dhe Ballkanit në Evropë.
Peticioni nuk ka karakter politik dhe Ju siguroj se nuk do të përdoret nga asnjë institucion shtetëror apo forcë politike para dhe pas zgjedhjeve të qershorit. Unë do t’ju jem mirënjohës për çdo përkrahje që mund t’i jepni peticionit, i cili do të mbyllet vetëm kur të inaugurohet rruga Tiranë – Dibër.
Me shpresë se do të më mirëkuptoni dhe do ta përkrahni peticionin,
Miqësisht,
Gëzim Alpion (Dr)
Birmingham, Angli
gezim.alpion@hotmail.co.uk
Shënim:
E njëjta letër u është drejtuar sot edhe personave që vijojnë:
Z. Sali Berisha, Znj. Jozefina Topalli, Z. Edi Rama, Z. Ilir Meta, Z. Shpëtim Idrizi,
Z. Bamir Topi dhe Z. Fatmir Mediu.
Kjo letër do t’u përcillet edhe mediave në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Diasporë.
Adresa e peticionit online:
http://www.change.org/en-GB/petitions/complete-the-construction-of-the-arb%C3%ABri-road-nd%C3%ABrtoni-sa-m%C3%AB-shpejt-dhe-me-standarde-rrug%C3%ABn-e-arb%C3%ABrit?utm_campaign=petition_created&utm_medium=email&utm_source=guides
Mediat që kanë përkrahur dhe përcjellë peticionin deri tani:
1. http://www.rrugaearberit.com/
2. http://gazetaditore.com/2013/03/31/ju-lutem-nenshkruani-peticionin-online-per-ndertimin-e-rruges-se-arberit/
3. http://gazetaditore.com/2013/04/01/te-gjithe-shqiptaret-jane-dibrane/
4. http://www.fjalaelire.com/biseda/18229.html
5. https://gazetadielli.com/peticioni-per-rrugen-e-arberit-firmose-edhe-ti/
6. https://gazetadielli.com/te-gjithe-shqiptaret-jane-dibrane/
7. http://www.voal-online.ch/index.php?mod=article&cat=INTERVIST%C3%8BPRESS&article=32053
8. http://www.thealbanian.co.uk/te-gjithe-shqiptaret-jane-dibrane/
9. http://revistajava.al
10. http://www.hermesnews.org/articoli/29358—.asp
11. http://www.shekulli.com.al/web/p.php?id=20118&kat=95
12. http://www.panorama.com.al/2013/04/01/peticion-nga-1-mije-banore-te-ndertohet-rruga-e-arbrit/
13. http://www.balkanweb.com/gazetav5/artikull.php?id=130012
14. http://lajme.shqiperia.com/lajme/artikull/iden/1047351243/titulli/Diaspora-peticion-per-ndertimin-e-Rruges-se-Arbrit
15. http://www.77news.al/?fq=brenda&m=shfaqart&gj=gj1&aid=16789
16. http://www.sq.kurir.mk/maqedoni/lajme/14246-peticion-per-ndertimin-e-rruges-se-arbrit
17. http://www.gazetatribuna.com/?FaqeID=6&LajmID=3156
18. http://www.nacionalalbania.al/2013/04/diaspora-peticion-per-ndertimin-e-rruges-se-arbri/
19. http://fjala.info/?p=1814
20. http://revistahaemus.blogspot.co.uk/
21. http://www.gazetarrenjet.net/gr/
22. http://www.di-tv.com/tag/dibra-tv/
23. http://tribunashqiptare.net/?p=15147
Tiranë, 3 Maj 2013