• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Heshtja e gurit, koha e trurit dhe lotët e burrit për Çamërinë tonë

March 11, 2017 by dgreca

4Nue Oroshi Foto Judith HandyNga Nue Oroshi/Në heshtjen e gurit  ku na sillet vërdallë koha e trurit për t’i parë gjëmat dhe lotët e burrit për Çamerinë tonë. Çamëria sot është loti e varri i shqipes që thërret që nga bregu i pikëllimës t’i dalin zot bijtë dhe bijat e veta. Çamëria sot është plaga shekullore, testamenti i shkruar dhe i pashkruar , kaluar nëpër Konferenca Kombëtare dhe Ndërkombëtare. Çamëria nuk është vetëm çështje pronash por është tokë Arbërore e trashëguar shekuj me radhë gjatë ecjakjeve historike. Çamëria është zëri i Gjin Bua Shpatës dhe Pjetër Loshës këtyre dy viganëve Arbëror që na thërrasin që t’i dalim zot kësaj toke të bekuar. Çamët dhe Arbërorët në Çamëri u përballën me presionet dhe dhunën greke shekuj me radhë. Masakrat mbi Arbërorët e Çamërisë ishin shekullore ato asnjëherë nuk u ndalën. Ato e mbuluan edhe heshtjen e gurit prej kohërave të lashta e deri në shekullin e informatikës ku përzihen lotët e nënave arbërore të Çamërisë për bijtë dhe bijat e tyre që u vranë, u masakruan dhe u larguan nga tokat e të parëve. A e dini të nderuar lexues se Çamëria apo Principata e Artës mesjetare pas shuarjes së shtetit të Artës se  Arbërorët e Çamërisë mesjetare mërguan në viset etnike shqiptare por një pjesë e tyre mërguan edhe në Itali ku u krijuan viset me shqiptarë në Kalabri dhe në Sicilinë e sotme duke i ruajtur për pesë shekuj me radhë traditat dhe identitetin e kombit shqiptarë. E një poet do të shkruante : ’’ Atë që e bëri Kastrioti me shpatë e bëre ti me pend o i madhi De Radë.’’ Është fjala për poetin e shkrimtarin tonë të madh arbëresh themeluesin e  Rilindjes shqiptare Jeronim de Radën.

Çamëria – Kjo plagë e rëndë e Arbërisë sot është e mbështjellur dhe e ngulfatur nga shofinizmi grek. Çamëria gjaku dhe shpirti Arbëror, sot është e mbuluar me petkun e zisë. Çameria është sot loti dhe varri Arbëror që thërret që prej bregut të pikëllimes, t’i dalin zot bijtë e vet. Po ku është Çameria sot? Ku janë Çamët sot? Ku janë të shpërndarë pasardhësit e Gjin Bua Shpatës dhe të Pjetër Loshës këtyre viganeve të Arbërisë të cilët në fund të shek. XIV dhe në fillim të shek.XV e ngritën dhe e mbajtën në këmbë Principatën Arbërore të Artës.

Sot thërrasin zërat e Gjin Bua Shpatës e Pjeter Loshës ku je katandisur Arbëri. Ku i ke djemtë e tu që janë përgjumuar, i ka nxënë gjumi shekullor dhe ai mortor. Sot me zë të artë thërrasin: Arta, Janina, Ajdonati, Filati, Konica, Margëllaqi, Filipa dhe Parge, Trikalla, Preveza e Gjiri i Artës, Meçovë, Grebenë, Naselicë, Kostur, ata therrasin në ndihmë Arbërinë ngrihuni djemtë e Arbërit e na ndihmoni është koha e fundit të bëni diç për Çamërinë. Derisa Çamëria kjo plagë e hapur e Arbërisë na thërret që në çdo mënyrë të mundëshme t’i dalim zot kësaj pjese të trupit tonë, do të ishte e udhës që edhe intelektualët shqiptarë kudo qofshin dhe ngado qofshin ta humbin një pjesë të kohës së tyre të çmuar për Çamërinë.

Që në fillim dua të theksoj se sot o kurrë është koha e duhur që t’ia kthejmë borxhin shekullor Çamërisë, ta ngulitim në kokat dhe mendjet e gjeneratës së re përmes librave të shkruara se Çamëria është djepi dhe trolli Arbëror, është koha t’iu tregojmë këtyre gjeneratave se në vendin e sotëm të Çamërisë të gllabëruar nga shovinizmi shizofren grek, mu në këto themele në gjysmën e dytë të shekullit XIV, dhe në fillim te shekullit XV, ka eksistuar Principata e Artës me prijësit e saj, Gjin Bua Shpata, Pjeter Losha, Muriq Bua Shpata, Zguro Bua Shpata, Pal Bua Shpata, Jak Bua Shpata, Karull Bua Shpata, të gjithe këta prijësa Arbëror përplot dy shekuj jetë e mbajtën të gjallë Principaten Arbërore të Artës.

Intelektualë shqiptarë kudo që jeni të shpërndarë, anë e kënd botës, mblidhni fuqinë dhe ta shkruajmë dhe flasim të vërtetën e hidhur për motrën tonë Çamërinë.Shoqata e Intelektualëve Gjithshqiptarë ’’ Trojet e Arbrit ’’ më, 4 Qershor 2017  në Gjirokastër do të  mbanë sesionin shkencor me temën : ’’Çamëria dhe Marrëdheniet shqiptaro-greke nëpër shekuj .”  Intelektualë shqiptarë, kudo që jeni të shpërndarë, anë e kënd botës dhe në Trojet tona Arbërore, mblidhni fuqinë e mendjen, e lënë anash heshtjën e gurit dhe lotët e burrit por qitne në përdorim trurin tuaj dhe me duart tuaja të arta të shkruajmë e flasim të vërtetën e hidhur për motrën tonë Çamërinë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Cameria, lotet e burrit, Nua Oroshi

Dekreti i Mbretërisë së Greqisë njihte Çamërinë si pjesë e Shqipërisë

March 9, 2017 by dgreca

–*Fletorja zyrtare e Mbretërisë së Greqisë, numër 21, botuar më 20 dhjetor 1835./

*Rreth nënndarjes së Konsullatës së Epirit dhe Shqipërisë, në nënkonsullata./

1-arben-llalla-250x299

1835.fq.11835, fq.21835.fq.3Nga Arben LLALLA/

Në fletoren zyrtare të Mbretërisë së Greqisë e dhjetorit të vitit 1835 botohet dekreti rreth zonës se deri ku përfshihet veprimi i Konsullatës së Greqisë e vendosur në Janinë, Vlorë dhe Durrës Fletorja zyrtare është nxjerrë nga arkiva e Akademisë së Athinës. Lexim të këndshëm! 

 VENDIM I OBORRIT MBRETËROR PËR PUNËT E JASHTME TË SHTETIT/

Nënndarja e zonës së katërt ku zyra konsullore e Turqisë deri tani ka qenë e papërcaktuar nga nenet nga data 30 janar deri më 11 shkurt 1835. Udhëzimet konsullore shtesë u vendosën mbi propozimin e Sekretariatit si më poshtë,

Periferitë e konsullatës së Epirit dhe Shqipërisë ndarë në këto nënkonsullata:

a. Të Epirit që ka qendrën në Janinë. Kjo përfshin krahinat Zagorisë, Meçovës, Konicës dhe shtrihet në lindje deri në qytetet Grevena, Paramithi e Sul, deri në Kalarite (Artë, shën, A.Ll.), në perëndim përgjatë gjithë vijës bregdetare të Çamërisë që nis nga Butrinti dhe përmban edhe Sajadhën.

b. Të Shqipërisë së Poshtme që selinë kryesore e ka në Vlorë. Kjo nënkonsullatë përfshin tërë bregdetin perëndimor deri në Kavajë duke filluar nga Butrinti deri në kufijtë e saj në lindje në një pjesë të Konicës dhe nga ana tjetër në Berat përfshin gjithë plazhet përreth.

c. Të Shqipërisë Veriore me qendër në Durrës. Kjo nënkonsullatë shtrihet gjatë gjithë vijës bregdetare të Kavajës dhe rrethinat e këtij qyteti deri në limitet e bregdetit Austriak (Kotorr), në kufijtë e provincës së Shkodrës nga Kavaja në perëndim, deri në lindje duke përfshirë zonën e Ohrit dhe rrethinat përkatëse.

Athinë më 19 nëntor 1835.

Në Oborrin Mbretëror nga Sekretari i Punëve të Jashtme Jakov Rizos.

Filed Under: Analiza Tagged With: arben llalla, Cameria, Mbretërinë së Greqisë, shqiperia

Çamëria-genocidi i mohuar dhe “koka e strucit në rërë ” e Greqisë

October 14, 2016 by dgreca

1-rafael

Është e vërtetë që diplomacia është arti i të mundshmes dhe urtësia duhet të paraprijë në arritjen e kompromiseve, por kur pala tjetër nuk lë asnjë shteg për kompromis, kur mohon jo vetëm interpretimin, por dhe realitetin historik, nuk i lejohet kryetarit të Parlamentit shqiptar Ilir Meta të kërkojë, as më shumë dhe as më pak sesa Bashkimi Evropian/

Nga Rafael Floqi/

Një banderolë gjatë ndeshjes Shqipëri-Zvicër që kujtonte gjenocidin grek në Çamëri shkaktoi një reagimin të menjëhershëm te diplomacisë greke, ndërsa letra e fundit e komisionarit Hahn i pat dhënë zjarr një histerie të paparë diplomatike greke kundër çështjes çame. E në këtë kohë, kur siç duket ka ardhur momenti që e vërteta historike të dalë në shesh dhe alibia greke s’po mban më, deklaratat e krye parlamentarit Ilir Meta në takim me kryeministrin Cipras për përkëdhelje plagësh, nuk i shërbejnë kësaj fryme të re.

“Natyrisht, si të gjithë fqinjët, në historinë e marrëdhënieve tona kemi disa plagë, por nuk janë këto që dominojnë marrëdhëniet tona. Ato dominohen nga interesat e përbashkët, dhe dihet që një plagë edhe kur e përkëdhel, prapë e lëndon. Por unë besoj që ne me urtësi dhe me vullnet pozitiv, jo vetëm që do t’i japim një hov të ri marrëdhënieve të gjithanshme shqiptaro-greke, sepse kjo është një kërkesë e qytetarëve tanë, por dhe t’i trajtojmë në mënyrë konstruktive sipas edhe përkatësisë evropiane që na takon të gjitha çështjet e mbartura nga e kaluara.“ i tha Meta Ciprias. Dhe pse në pamje të parë kjo deklaratë mund të shihet në përputhje me stilin paqësor, në dukje të Metës për politikën e brendshme, ajo nuk mund të jenë premisë edhe për zhvillimet të reja të dyanshme pozitive mes dy shteteve, por veç për ruajtjen e status quosë.

Por pse kjo vizitë në këtë moment? Po ta shohësh cekët kjo duket si karshillëk i një rivaliteti të mbuluar mes tij dhe kryeministrit Rama i cili vizitoi Beogradin këtë javë.

Por ndërsa Rama ka deklaruar në Serbi dhe ka synuar që Kosova të njihet si shtet, Meta po përpiqet me politikën “ urtë e butë, e do të thosha dhe “bosh tiganin”, të qetësojë më tepër fqinjët, se sa të hapë premisa për një zgjidhje të problemeve që vërtet ekzistojnë në mes vendeve.

Greqia është mjaft e shqetësuar, pasi pas kaq kohësh mbulimi në hi, i çështjes çame po del në pah. Mohimi ka qenë një parim strategjik i politikës së jashtme greke, dhe fakti i kohëve të fundit që komisionari Hahn e përmendi drejt për drejt, ishte befasues dhe shkaktoi reagimin e ministrit të jashtëm grek dhe të gjithë spektrit politik opozitar në Greqi.

Por a është çështja çame vetëm një çështje që mund të mbulohet apo të bishtnohet? Apo ka dhe shumë probleme të tjera mes dy shteteve që e kanë burimin qysh 100 vjet parë, në kohën e Venizellosit dhe të gjenocidit grek në të gjithë Jugun e Shqipërisë?

Pse diplomacia shqiptare duhet të heshtë për to? Pse pala greke i kishte vënë si kusht palës shqiptare të diskutoheshin problemet e vetëm të 50 vjetëve të fundit, dhe pala shqiptare e pranoi këtë si të mirëqenë?

I ashtuquajturi “Ligji paradoksal i luftës” edhe pse i kërkuar nga pala shqiptare dhe i miratuar në zbatim nga palët greke, pa dyshim, të krahëve politikë hidhet pas krahëve sa herë kërkohet nga pala shqiptare. Pse?

Shqiptarët që kanë shkuar të kërkojnë depozitat e gjyshërve të tyre në Bankën Kombëtare greke, marrin një përgjigje mashtruese se pas shpalljes së ligjit të Luftës janë bërë zero të gjitha kontot e vjetra. Por kur u thua se avokatët kanë vërtetuar llogaritë bankare dhe se personi që ka vënë paratë ka qenë shtetas amerikan, llogaritë dalin se ekzistojnë.

Pra problemi i abrogimit të luftës nuk është vetëm çështja çame me gjithë prioritetin që ka, por edhe e drejta e pronës dhe pasurive të shqiptarëve në Greqi, çka është një nga çështjet e të drejtave të njeriut, dhe kjo nuk ka si të maskohet me gjoja vendime të gjyqeve greke dhe të gjoja kolaboracionizmit me gjermanët të çamëve. Mund të ketë pasur bashkëpunëtorë me gjermanët mes çamëve siç ka pasur edhe mes grekëve. Por kurrsesi nuk mund të fajësohet e të dëbohet një popullsi e tërë.

Ndërkohë të barazosh kërkesat e shqiptarëve me ato të grekëve siç bëri kryetari i parlamentit Ilir Meta gjatë vizitës së tij 3 ditore në Athinë me ftesë  të Presidentit të Parlamentit të Greqisë z. Nikolaos Voutsis, në rastin më të mirë është miopi e plotë diplomatike dhe mohim i interesave të shqiptarëve, ndërsa kërkesa e mefshtë e bërë për të satën herë, për heqjen e ligjit të luftës, do të harrohet sërish pasi të mbarojë vizita.

Gjatë vizitës së fundme në Shqipëri nga ministrit të Jashtëm Grek Kotzias u bënë në fakt disa propozime apo një letër, “no paper” lidhur me çështjet për t’u diskutuar mes palëve dhe u duk sikur do kishte një farë hapje për të diskutuar edhe çështje që gjer atëherë ishin tabu. Por sot i ndodhur para presionit të opozitës greke z Kotsias shprehet se ato ishin pika vetëm për shqyrtim.

Zgjidhja e çështjes çame nuk është thjesht kthimi i pronave, por rikthim i dinjitetit. Atij dinjiteti që iu mor me përdhunë qindra-mijëra çamëve nga hordhitë e Napolon Zervës, por që fatkeqësisht po vazhdon edhe sot A mund ta besojmë këtë, ndërsa vetë ai nuk pranon as ekzistencën e çështjes çame e jo më diskutimin për zgjidhjen e saj?

Madje, reagimet e ditëve të fundit po tregojnë se Greqia jo vetëm nuk dëshiron as ta njohë dhe as ta dëgjojë më çështjen çame, duke e cilësuar jo-ekzistente, por arrin edhe të dërgojë letër në formë kërcënimi për komisionarin e BE-së, z. Hahn, vetëm, sepse e përmendi këtë çështje.

Sipas ministrit të Jashtëm grek Kotzias në letrën drejtuar komisionarit Johanes Hahn lidhur me atë që Greqia e quan “keqinterpretim” të këtij të fundit lidhur me çështjen jo-ekzistente midis Greqisë dhe Shqipërisë nënvizohet fakti se për “Greqinë nuk ekziston çështje çame”

“Greqia nuk ka diskutuar çështjen” çame “nuk është duke negociuar me palët e treta vendimet e gjykatave greke ndaj atyre që bashkëpunuan me pushtuesit gjermanë. Ministria e Jashtme ndihet i detyruar për të hedhur poshtë, edhe një herë, ata që argumentojnë se “Ministria e Punëve të Jashtme ka sqaruar. Greqia ka propozuar një diskutim mbi një sërë çështjesh të pazgjidhura me autoritetet shqiptare, por jo çështjen çame.

Për më tepër, Ministria greke sqaroi, atë që diplomacia shqiptare e kish fshehur, “çamët janë përmendur vetëm “një herë” në një jo-letër, që është lëshuar në bisedimet dypalëshe me Shqipërinë. Sipas Ministrisë, termi është përdorur një herë në jo-letër, ku thuhet se “në asnjë mënyrë nuk ketë në Greqi të drejta për të ashtuquajturit çamë”.

“Jo të drejta për të ashtuquajturit çamë”. E shkruar e zezë mbi të bardhë.

Dhe kjo nga Nikos Kotzas gjyshi i të cilit Kostandin Kotzias nga viti 1934-1936, ka qenë kryetar i bashkisë së Athinës, më 1936 ministër në qeverinë Metaksas, në vitin 1950 deputet dhe më 1951 kryetar i bashkisë së Athinës. Kostandinos Kotzas ishte pro Gjermanisë naziste, ai kishte marrëdhënie të ngushta familjare me ministrin e propagandës Joseph Goebbels. Që nga viti 1934 e deri 1940 Konstandin Kotzias ka vizituar disa herë Gjermaninë naziste ku është takuar me krerët e lartë të saj. Ai gëzonte mbështetjen e qeverisë së Hitlerit për rrëzimin e kryeministrit Joani Metaksas dhe zgjedhjen e tij si kryeministër. Ky plan u zbuluan nga Joani Metaksa, me fillimin e luftës italo-greke, Kotzias iku për në Turqi i shoqëruar nga diplomatët nazist. Në biografinë e tij ministri i jashtëm i Greqisë, Nikos Panajotis Kotzias e fsheh faktin se ka gjysh Kostandin Kotzias i cili ishte pronazizmit gjerman.

Nga ana tjetër,në këtë kohë të ngarkuar të marrëdhënieve shqiptaro-greke për zgjidhjen përfundimtare të Çështjes Çame, delegacioni shqiptar përbëhet nga një shumicë deputetësh me kombësi greke.

Metën e shoqëron deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Toçi, bashkëshortja e të cilët është greke, Vangjel Tavo, deputet i LSI-së, i cili është me kombësi greke, Vangjel Dule i mirënjohur si antishqiptar, vlleh me kombësi greke, kryetar i PBDNJ, deputeti i PS, Anastas Angjeli me kombësi greke, deputeti i PD, Gjergji Papa, gjithashtu me kombësi greke.

Deri këtu nuk ka asgjë të keqe, por pse të mos integronte edhe ndonjë deputet të PDIU-së. Nëse greket kërkojnë ta fshehin çështjen çame ne nuk kemi pse t’i fshehim çamët.

Nuk kishte si të pritej ndonjë deklaratë zyrtare rreth Çështjes Çame apo pronave të shqiptarëve në Greqi, të cilat janë të sekuestruara prej vitit 1940 me dekret të Mbretërisë së Greqisë, shkruante z. Lalla. Dhe kështu ndodhi dhe është habi se ka qenë pikërisht Meta kur ka qenë kryeministër që e ka parashtruar për herë të parë në bisedime me grekët çështjen çame. Çfarë ka ndryshuar tek z Meta ?

Në letrën që ministri Kotzias i referohet z. Hahn, ku kërcënon se: “Nëse Komisioni do të miratojë argumentet nacionaliste të atyre që këmbëngulin për rikthimin e një problemi jo-ekzistent, kjo do të frymëzonte irredentizmin, duke kthyer në shumë pjesë të kontinentit evropian, çështjet e zgjidhura në mënyrë të pakthyeshme pas Luftës së Dytë Botërore”.

Politika greke me mohimin e kësaj çështjeje e ka kaluar radhën shpesh herë. Këtu kemi të bëjmë me çështje të së drejtave të njeriut dhe jo çështje ndryshimesh kufijsh. Çështje të së drejtës së pronës edhe të banorëve të tjerë shqiptarë që nuk janë me origjinë nga Çamëria si edhe të gjithë çamëve për të lëvizur lirisht.

Por për kreun e Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi letra e Shefit të Diplomacisë greke, komisionarit Hahn për çështjen çame, ishte e mbushur me kërcënime e pohime flagrante të shkeljeve të drejtave të njeriut. “Çështja çame do të ekzistojë derisa të ketë jetë e frymë dhe shqiptari i fundit, nip e stërnip Çamërie.

Nga ana tjetër Shqipëria me trajtimin e çështjes çame nuk ngre të ashtuquajturat “border dispute” si Sllovenia ndaj Kroacisë, megjithatë problemi çam është një problem i të drejtave të njeriut dhe si i tillë është në juridiksionin e Komisionarit Hahn për ta shqyrtuar.

Por kësaj here referenca e Ilir Metës me “urtësi “ do të hidhet poshtë dhe do të harrohet.Është e vërtetë që diplomacia është arti i të mundshmes dhe urtësia duhet të paraprijë në arritjen e kompromiseve, por kur pala tjetër nuk lë asnjë shteg për kompromis, kur mohon jo vetëm interpretimin, por dhe realitetin historik. Prandaj, madje dhe në emër të integrimit, flamurin e së cilës thotë se e mbart LSI-ja, nuk i lejohet kryetarit të Parlamentit shqiptar , Ilir Meta të kërkojë, as më shumë dhe as më pak sesa Bashkimi Evropian.

Për sa i përket përkëdheljes së plagëve duhet t’i kujtoja Metës atë që thoshte Horaci se “është fals turpi i të marrëve që kërkojnë të mbyllin plagët që nuk janë shëruar”.

Filed Under: Politike Tagged With: -genocidi i mohuar, Cameria, Rafael Floqi

Çamëria-ndërgjegjja e vrarë e shqiptarëve

July 4, 2016 by dgreca

Të vrarë e të dëbuar nga grekët, të fyer e të sharë jo rrallë nga bashkëkombësit, të shpërfillur nga pjesa tjetër e kombit jashtë kufirit, të shpërfytyruar nga hallet e shumta, të pambështetje nga institucionet evropiane, shqiptarët e Çamërisë e ruajtën gjuhën, traditën e kulturën shqiptare si askush tjetër./

 Nga Gani MEHMETAJ/

 Kur Armando Sadiku, lojtari i kombëtares shqiptare e dha golin kundër rumunëve, dhjetë milion shqiptarë u gëzuan si asnjëherë më parë. Të gjithë u bëmë shqiptarë krenarë, të gjithë nxituam të mburremi që jemi nipërit e Gjergj Kastriotit. Euforia zgjati tërë natën.  Por të nesërmen gdhiu një portal i cili e bëri Armando Sadikun tabelë qitje, sepse qenka çam, ndërsa shqiptarët e Çamërisë u bënë objekt i fyerjeve nga më të pistat që kam lexuar ndonjëherë në gjuhën shqipe. Grekët- xhelatët e shqiptarëve të Çamërisë nuk u përmenden më asnjë fjalë. Krimi i tyre fshihej, amnistoheshin, kurse shaheshin viktimat.

Shqiptarët e Çamërisë janë kaptina  më e dhimbshme e historisë sonë kombëtare. Një krahinë të tërë gati sa Kosova e shkombëtarizuan grekët dhe e bënë pronë të tyre. Gur mbi gur nuk lanë në qytete e katunde. Shqiptarët e Çamërisë pinjoll të njërit ndër fiset më të vjetra ilire, i shndërruan me 1945 në kolona të pafundme refugjatësh. Çamëria e sotme ishte Thesprotia e lashtë ilire, luftëtarë të përkushtuar të çështjes shqiptare, ushtarë trima të Gjin Bua Shpatës e princërve të tjerë arbëror të jugut, sot bredhin dyerve të botës nga Konispoli deri në kufinjtë më të skajshëm të Anadollit, në Eskisheher, pa të drejtën elementare-kthimin në tokat e veta.

Të vrarë e të dëbuar nga grekët, të fyer e të sharë jo rrallë nga bashkëkombësit, të shpërfillur nga pjesa tjetër e kombit jashtë kufirit, të shpërfytyruar nga hallet e shumta, të pambështetje nga institucionet evropiane, ata megjithatë e ruajtën gjuhën, traditën e kulturën shqiptare si askush tjetër, kanë muzikë e këngë që të mrekullojnë, kanë valle që të mbajnë pezull, ndërsa përpiqen ta tregojnë tragjedinë -gjenocidin e përmasave biblike, por që jo rrallë tragjedia e tyre bie në vesh të shurdhër.

Papa duhet të zbresë në Çamëri

Çamëria nuk është vetëm ndërgjegjja e vrarë e Evropës, Çamëria është edhe ndërgjegjja e vrarë e shqiptarëve. Papa duhet të zbresë një ditë në Çamëri e t’ua qajë hallin, shqiptarët duhet t’i mbështesim më shumë se sa deri me tash.  Greqia i masakroi dhe i dëboi nga territori etnik, bëri gjenocid ndaj tyre, krimin më të madh në shekullin XX, Shqipëria nuk i mbështeti, komunizmi i vuri nën dyshim e karantinë, i nëpërkëmbi e përbuzi, Kosova e kishte hallin e vet, po edhe egoizmin e madh, Turqia, ish pushtuesi mizor, i përdori për kthim resto sikurse të gjithë shqiptarët myslimanë: të jep grekët e armenët e Anadollit, i tha Greqisë, më jep shqiptarët myslimanë të Çamërisë, dhe jemi të larë.  Ushtria greke i dëboi shqiptarët e Çamërisë të besimit myslimanë në Turqi, shqiptarët ortodoks i shpërndau më kërcënime më thellë në kontinent  apo ua këputi gjuhën. Për njëqind vjet gati i shkriu më shkombëtarizim, pra i vriste në heshtje, ata që nuk arriti t’i vriste më pushkë a më bajoneta. Të tjerët i detyroi të deklaroheshin grekë. Sa herë më ka rastisur mua dhe turistëve të tjerë nga Kosova të takojmë, apo të banojmë në shtëpitë e çamëve ortodoks, të cilët na prisnin aq përmallshëm deri në përlotje, kujdeseshin si askush tjetër ndaj nesh, pikërisht sepse ishim të gjakut të tyre, na e rrëfenin tragjedinë e tyre, por gjithnjë më një sy në dritare se mos i përgjonte kush, apo me veshët nga dera se mos futej ndonjë policë i fshehtë grekë. Shqiptarë ortodoks të Çamërisë për herë të fundit kam takuam më 1991.       

Ndërkaq, shqiptarë të dëbuar të Çamërisë kam takuar pas vitit 1992, kryesisht në Shqipëri, por edhe në Francë e Turqi. Sa  brengos fakti që greku nuk i lejon të kthehen në krahinën shqiptare, po aq  brengosëse është pse një pjesë e bashkëkombësve nuk ua dinë hallin, i përbuzin e përçmojnë si të gjithë të dëbuarit, sepse ashtu i mësuan në kohën e Enver Hoxhës, ashtu po i mësojnë shtrembër edhe në kohën e demokracisë. Lobi i fuqishëm grekë në Shqipëri ka shtrirë rrënjë kudo dhe nuk i lë të ngrehin kokë, zëmër ngushtësia provinciale shqiptare është armiku tjetër, që i nxit shqiptarët kundër shqiptarëve, ashtu sikurse i nxiste dikur lobi serb shqiptarët kundër “kosovarëve”. Shqiptarët e Çamërisë ishin tragjikë në dy plane. Shqiptarët ortodoks që shpëtuan nga masakrat greke, i shkriu dhunshëm pushteti i Athinës, duke ua prerë gjuhën e traditën kombëtare, duke i kërcënuar se po dhanë shenja ringjallje do ta pësonin; shqiptarët myslimanë Greqia i dëboi një herë në Turqi, duke ua humbur farën, ndërsa pjesën tjetër i dëboi në Shqipëri, pasi masakroi pjesën më të madhe të popullatës, gra e fëmijë. Grekët nuk bënë dallime fetare, ata bënë gjenocid ndaj shqiptarëve në Çamëri.

Gjenocidi grekë është i pashembullt, vetëm gjenocidi turk kundër armenëve mund t’i afrohet, ndërsa vetë shqiptarët nuk e ngrehin zërin kundër këtij gjenocidi, ose reagimet janë të flashkëta, shpesh të pasinqerta. Kryesisht reagojnë shqiptarët e Çamërisë, por nuk reagojnë ose fare pak reagojnë shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë, Preshevës e Bujanovcit.  Secili e ka futur kokën në zhguallin e breshkës dhe nuk i intereson çfarë ngjet jashtë katundit të vet.

Si arsyetoheshin krimet greke?

“Çamët duhet të kenë bërë diçka, prandaj i dëbuan”, më tha më 1991 Llaqi, një ish pjesëtar i strukturave të Enver Hoxhës. Më la pa fjalë se si i arsyetonte krimet greke, ndërsa i fajësonte viktimat çame. Arsyetimin cinik të gjenocidit grek kundër shqiptarëve të Çamërisë e kam dëgjuar dhjetëra herë në Tiranë. Një arsyetim që s’ta kapte mendja. Gjenocidi arsyetohej me kinse bashkëpunimin më fashistët. Grekëve u lejohej bashkëpunimi më nazistët, kurse shqiptarët duhej të vriteshin e të dëboheshin. Faktet tregojnë se ishin grekët kombi më bashkëpunues më pushtuesin gjermanë në Gadishullin Ilirik. Nuk e di a e kanë shikuar mbrojtësit e gjenocidit grek kundër shqiptarëve të Çamërisë, filmin “Mediteraneo”, ku vajza e dëlirë greke, ua fal dëlirësinë e vet njëkohësisht dy ushtarëve italianë. Janë dhjetëra filma që e paraqesin këtë bashkëpunim greko-italian, apo greko-gjerman edhe në instanca më të larta dhe në shtrirje më të gjëra se sa në dashuri. Megjithatë strukturat komuniste anti kombëtarizmin e qyqarin ndaj çamëve e mbulonin me ideologji, pra çamët ishin armiq, sepse ishin bashkëpunëtorë të nazizmit, nuk i ndihmuan sepse u mbetej hatri serbëve e rusëve.

Në demokraci ka zëra e grupe që i sulmojnë e fyejnë, sepse po bashkëpunuakan më Turqinë e Arabinë Saudite, ndërsa citojnë deklarata të kreut të partisë çame. Nuk e di a duhej të formohej partia çame në Shqipëri, por duket që shpërfillja e pafalshme e shtetit ndaj çamëve mund të ketë ndikuar në formimin e partisë krahinore, ndërsa nuk përjashtohet që kjo shpërfillje cinike t’i ketë hedhur në prehrin e Turqisë e islamizmit, gjë që do të ishte tragjike për këtë komunitet. Nuk ishte më i mirë pushtuesi turk nga ai grek, prandaj është kriminale nëse i afrohen Turqisë. Po ashtu, sulmi kundër Armando Sadikut, u nis, sepse një portal shkruan që ai qenka takuar më një hoxhë- korb islamik. Takimi i një sportisti më një islamik që e ngreh gishtin si antenë televizori në një shtet laik është i dëmshëm për uniformën kuq e zi e për emrin e mirë të kombit të tij, kurse bashkëpunimi apo ndihma turke për shqiptarët e Çamërisë do të ishte fatale, sepse do t’u jepte shkas grekëve të refuzojnë çdo kërkesë çame, madje s’do ta kenë as mbështetjen perëndimore.  Kush u garanton përfaqësuesve të çamëve që nuk ka marrëveshje të fshehtë greko-turke për tregtimin e interesave çame. Do t’i shes Turqia interesat e çamëve sikurse i shet limonin  e kontaminuar të bregdetit mesdhetar.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: -ndërgjegjja e vrarë, Cameria, e shqiptareve, Gani mehmetaj

ÇAMERI…..DIKTATURA , DEMOKRACIA APO…?

October 19, 2014 by dgreca

Së pari dua të jem I qartë, nuk kam asnjë pretendim se njoh teoritë përkatëse se çfarë janë praktikisht diktaturatë ose demokracitë e sotme në botën që po jetojmë. Por nga rruga e gjate e jetes sime, ende nuk e kam shume te qarte se si duhet te zgjidhet e Drejta e Çamerise Shqiptare, atje ku kam lindur; e cila prej vitit 1913, në sajë të politikave filogreke të fuqive Europiane, vazhdon e pushtuar nga Greqia.
Faktikisht, kur isha ende 7 vjeç, shovinistat grekë, në Greqinë e sotme, mbasi masakruan dhe vranë 7 njerës të pafajshëm të families time,(I vetmi faj I tyre se ishin Shqiptare të besimit musulman lindur në shtëpijat e tyre); pa kryer asnjë shkelje të legjislacionit grek; nga mosha 2 deri në 82 vjeçarë. Vlen për tu theksuar se Shqiptarët e krishterë Çamë nuk pësuan asnjë vrasje, as u dëbuan, por edhe atyre ju është mohuar gjuha Shqipe dhe vazhdon mohimi për tu quajtur Shqiptarë. Mbas mbajtjes si të burgosur në kampin e përqëndrimit në qytetin tonë të lindjes Paramithi, në nëntor 1944, na dëbuan në Shqipërinë Nënë.
Dhe per çudi, me vone lexova se në Greqinë e lashtë paska lindur demokracia??!
U pritëm shumë ngrohtë nga vëllezërit tanë të një gjaku; megjithëse edhe në Shqipëri në ato kohëra ishin shumë shkatërime dhe mungesa nga lufta që porsa kishte mbaruar.
Ndersa qeveria komuniste nuk na trajtonte mirë sepse më 1949, dështoi në realizimin e tentativave të saj per të dërguar djemtë Çamë si ushtarë të ushtrisë komuniste greke.Faktikisht gjatë luftës djemt edhe vajza Çame u rreshtuan në batalionet Çamëria dhe Ali Demi, dhe luftuan kundër pushtuesave nazifashistë në bashkëpunim me njësitet e EAM-it të PK Greke; por kur ushtarët grekë nën komandën e gjeneralit famëkeq Zerva filluan masakrat e vrasjet ndaj popullësisë Çame, ato njësi “mike” të komunistave grekë nuk deshen te ndihmojne Camet qe po masakroheshin. Kështu edhe djemtë Çamë nuk pranuan të luftojnë atje me flamurin grek; deklaruan me ndershmëri dhe Atdhetarizëm se do shkonin të luftonin në Çamëri vetëm me Flamurin tonë Kombëtar
Qeveritarët komunista të Tiranës, si “shperblim”, të refuzimit të internacionalizmit ndaj “vëllezërve komunistë grekë”, dënoi me punë të detyruar, dhe internoi 900 burra e djem Çamë në ndërtimin e rrugës Gramsh-Lozhan. Ay keq trajtim vazhdoi duke e”mbyllur” Problemin Çam, pavarësisht se mbi 5000 Shqiptarë Çamë ishin vrarë e mbi 30.000 Çamë të tjerë, mbas dëbimit me dhunë nga trojet e tyre Shqiptare mijëravjecare, vuanin nga uria dhe sëmundjet si refugjatë në Shqipëri
Më 1971, në një kohë që në Greqi sundonte e ashtuquajtura Diktatura e kolonelëve të zinj përçudi, u lidhën marëdhanie diplomatike midis Shqipërisë komuniste dhe Greqisë diktaktoriale. Filluan shkëmbime grupesh artistike që lenin mbresa shumë mallëngjyese tek Shqiptarët Çamë të krishterë që vazhdonin të jetonin në vatrat e tyre në Çamëri. Por ajo që të le përshtypje shumë domethënëse ishte vizita e Ambasadorit Shqiptar L.Seiti në krahinën e Çamërisë. Aty, I shoqëruar edhe nga Ministri përkates Grek, bisedoi Shqip në Bashkinë e Gumenicës . Vetë kryetari I shprehte ambasadorit Shqiptar faktin se atje ka shumë fshatra që flasin Shqip, bile shumë plaka as nuk dinë të flasin greqisht; në Prevezë janë mbi 40 fshatra që flasin Shqip, ndërsa në Kastrizë me 1800 banorë flasin të gjithè vetëm shqip dhe ndigjojnë përditë me gëzim e mall Radio Tiranën!!
Këtu dua të nënvizoj se me këto të dhëna jam njohur vetëm në vitin 2002, këtu në New York gjatë promovimit të librit të Prof. Beqir Metës “Tensioni Greko Shqiptar“. Pra megjithëse njiheshin nga qeveria shqiptare, nuk i bëheshin popullit të njohura ato të dhëna. U deshën mbi 30 vjetë që Intelektuali Atdhetar Prof. B.Meta, ti nxirte nga arshivat shtetërore dhe tu bëheshin të njohura publikut të gjërë .
Megjithëse Diktatura fashiste I lejonte Ambasadës Shqiptare të Athinës të vizitonte Shqiptarët e Çamërisë, diktatura komuniste nuk I lejonte Shqiptarët e Shqipërisë të dinin se Çamëria vazhdonte të banohej nga Shqiptarë Çamë?!.
Pra diktaturat I lejonin njera tjetrës vizita në Çamëri, por në Shqipëri populli nuk kishte të drejtë të njihte realitetin e Camërisë së atëhershme
 
Tashti jetojmë në një kohë demokracie në të dyja vendet fqinje. Jo vetëm që vazhdojmë të kemi marëdhanie diplomatike, por jemi së bashku edhe antarë të NATO-s, bile kohët e fundit Shqipëria është dhe kandidate për në BE(ku Greqia është antare). Kemi nënshkruar edhe një Pakt Miqësie që nga viti 1996. Ne fjalimet e qeveritarëve të Tiranës, si në Athinë ashtu edhe në Tiranë, ndëgjojmë shpesh herë se kemi “mar♣dhanie të shkëlqyera” duke “harruar” se Greqia mban ende në fuqi Ligjin e luftës të 1940 midis dy vendeve tona fqinje.
Vecse kjo “demokraci reciproke” në shumë raste nuk vepron si democraci e vërtetë Përkundrazi ! Qeveria greke megjthëse lavdërohet se në Greqi paska lindur demokracia, nuk e njeh ate ?!.
Pavarësisht se janë pajisur me visa Shengen si shtetas Shqiptarë, me të drejtë shetitje në Të gjitha vendet e BE, Shqiptarët e lindur në Çamëri, të dëbuar prej andej kur ishin ende fëmijë, sot kur janë në mosha mbi 70 vjeçare, nuk u lejohet të vizitojnë shtëpijat dhe vatrat ku kanë lindur. Justifikim nuk japin grekët, vetëm se nuk të lejojnë të hysh atje
Megjithëse I kanë shkatërruar të gjitha varezat qindra vjecare dhe mbuluar varezat e përbashkëta të Çamëve të pushkatuar me fusha të betonuara, asnjë Çam nuk paska të drejtë simbas grekëve “demokratë” të vendosin një tufë me lule në vendet ku ishin varezat aqë më pakë të takohen e të çmallen me Çamët e krishterë që kishin bashkëjetuar ata dhe prindërit e tyre?! Tamam “demokraci greke”! Dhe qeveritarët e Tiranës vazhdojnë me shprehjen “maredhanie te shke….iera”. Si mund të kuptohen këto lloj marëdhaniesh?
A mund të shpjegohen ulërimat djallezore të ushtarëve,në parakalim para udhëheqësave grekë, kundër shqiptarëve ? A mund të shpjegohen thirrjet e neo Nazistave grekë në parlamentin e Athines? Qeveritaret e Athines thone se “nuk ekziston Problemi Çam”, por kur Parlamenti Grek ju miraton, Hebrejëve të përzën në kampet e përqëndrimit të Nazi stave, shtetësine greke më 2011, disa deputete pyesin: “Po sikur të kerkojne shtetesin Çamët, çfarë do bëhet me ta?!” Edhe atëhere kur del në qarkullim një libër për Çamërinë e Masakruar, qoftë në Kanadanë e largët, menjëherë, pa mbushur mirë java, Drejtoria e shtypit pranë qeverisë greke, nxjerr njoftimin për qarkullimin e atij libri?! Kur Presidentit të Greqisë z.Papulasit I bëhet pritje në Tiranë dhe I kujtohet se ai është ushqyer me qumështin e një nëne Çame, ai bën sikur nuk ndëgjon se ka Çamëri?! Por ditët e fundit ai “kujtohet” në zyrën e tij për gjasme “Himarën e vorioepirit?!”
Në rastin konkret, padrejtësisht, del se Diktatura qenka më e mire se “demokracia e sotme greke”
Tashti del pyetja se si do zgjidhet Problemi I Çamërisë Shqiptare. Në Programin e qeverise se z.Rama, përfshihet Problemi Çam, veçse me qenë se Kryeministrit, duke shtetitur shpesh nëper botën mbarë, nuk I tepron koha për tu ulur dhe diskutuar e zgjidhur deklaratën e tij :”zero probleme me fqinjët”
Analisti e studjuesi anglez, Prof.James Pettifer dhe njohës I historisë se Ballkanit, në studimin e publikuar nga Qendra e Studimeve dhe Kërkimeve të Konflikteve pranë Ministrisë së Mbrojtjes se Britanisë së Madhe, midis te tjerave nënvizon :
Marrëdhëniet greko-shqiptare rrezikohen seriozisht nga dështimi për të zgjidhur Çështjen Çame“ Greqia deri më sot refuzon njohjen se ky problem është për tu diskutuar.Një aspekt I rëndësishëm I këtij qëndrimi nuk janë pretendimet e Çamëve, ato janë shumë të qarta në përputhje me legjislacionin ndërkombëtar. Kjo temë më se e qartë duhet të zgjidhet përfundimisht jo vetëm për të ndihmuar zgjidhjen e Çështjes Çame, por edhe në interes të marrëdhënieve shqiptaro-greke dhe anëtarësimit të ardhshëm të Shqipërisë në BE
Zgjidhja e duhur e këtij problemi do të krijoi mundësit e nevojshme për ngritjen e urave të Miqësisë midis dy vendeve fqinje mijëra vjeçare.
S.Bollati New York, Tetor 2014.

Filed Under: Opinion Tagged With: Cameria, demokracia, diktatura, Sali bollati

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 6
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT