Në zgjedhjet e 11 qershorit në Kosovë 100 vëzhgues nga Bashkimi Evropian/
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me të gjitha votat pro, miratoi sot pasdite Memorandumin e Mirëkuptimit që do e nënshkruaj me Zyrën e Bashkimit Evropian në Prishtinë për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës në 11 qershor.
Ky Memorandum do të nënshkruhet brenda pak ditësh. Kryetarja e KQZ të Kosovës, Valdete Daka, njoftoi se do të jenë 100 vëzhgues nga Bashkimi Evropian që do të përcjellin procesin zgjedhor në Kosovë. Anëtarët e KQZ-së theksuan rëndësinë e procesit të vëzhgimit të zgjedhjeve, që do të ndikonte në integritetin dhe rritjen e besueshmërisë.
Gjatë mbledhjes, Kryeshefi Ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, Enis Halimi, bëri të ditur aktivitetet që janë duke u ndërmarrë në përgatitjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. U bë e ditur se aktualisht është duke u zhvilluar procesi i krijimit të Listës Votuese e cila bazohet në ekstraktin e Regjistrit Qendror Civil të Kosovës.
Në vazhdim të mbledhjes, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi Planin e Sigurisë për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Po ashtu, KQZ miratoi emërimin e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në 38 komunat e Kosovës.