• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BIDEN, MBAS KABULIT ANKTHI I VAKSINAVE

September 11, 2021 by s p

Nga MASSIMO GAGGI

“Corriere della Sera”, 3 shtator 2021   Përktheu Eugjen Merlika  

E përfunduar – me pasoja politike, etike dhe të sigurisë që do të vazhdojnë të  peshojnë – tërheqja nga Afganistani, Joe Biden-i u kthye të merret me pandeminë, piskamën kryesore që i është dashur të përballojë që nga fillimi i mandatit të tij. Zbulon se përparësia e fituar nga Amerika me një fushatë vaksinale fillimisht shumë të shpejtë – suksesi kryesor i rish presidentit – ka mbaruar. Biden-i e dinte me kohë se qëndresa e shumëve, veçanërisht konservatorëve, për t’u vaksinuar do t’a kishte bërë të pa-arritshëm synimin e parë që ai kishte përcaktuar: 70 % të vaksinuar brënda festës kombëtare të 4 korrikut. Shpresonte gjithsesi t’arrinte ose t’i afrohej imunitetit të tufës në muajt e mëpastajmë, por tashmë, me të vaksinuarit në 61 % (mjaft më pak se sa një Evropë që e kishte filluar me vonesë e me pak serume), ky objektiv duket i pa-arritshëm. 

E nëse në Kontinentin e Vjetër jo vax-ët janë një pakicë luftarake por e kufizuar, me mbështetje politike të lëvizëshme veçanërisht nga llogari leverdie, pra të brishtë, në Shtetet e Bashkuara ndeshja ndërmjet miratuesve dhe kundërshtarëve të vaksinës dhe masave të tjera të parandalimit duke filluar nga maskat, shumë e ashpër që nga fillimi i pandemisë, është ideologjik, i hapur dhe i përhapur sepse skajorët e individualizmit gjykojnë si të papranueshëm çfarëdo caku që i vihet lirisë vetiake. Edhe përballë përparimit të shpejtë të variantit Delta dhe piskamave të reja spitalore.

Shumë guvernatorë republikanë jo vetëm nuk kanë futur detyrimin e maskave në shkolla, por tani kërcënojnë institucionet që e kanë dekretuar vetë përballë valës së infektimeve që i ka detyruar të venë nxënësit në karantinë: ai i Texasit, Greg Abbott, një trampian i bindur se mund të shpresojë në zënien e vëndit të The Donald, duke ndjekur një vijë akoma më t’ashpër, don t’i presë fondet publike  shkollave ”rebele”, edhe se ai vetë ka kaluar Covidin. I vetmi sinjal kurajues vjen nga privatët: një hulumtim Ipsos tregon se numuri i amerikanëve të vendosur për të mos u vaksinuar është ulur në 20 %, niveli më i ulët  që nga fillimi i matjeve (në prill ishin 29 %). Kundërshtimi bie kryesisht sepse rritet në vazhdimësi numuri i punëdhënësve që i kërkojnë gjithë vartësve të vaksinohen dhe venë detyrim për përdorimin e maskës.

“Corriere della Sera”, 3 shtator 2021   Përktheu Eugjen Merlika    

Filed Under: Analiza Tagged With: Biden, Corriere Della Sera, Eugjen Merlika

HIPOKRIZIA JONË E MADHE MBI TË DREJTAT E POPUJVE TË TJERË

September 3, 2021 by s p

Nga ERNESTO GALLI DELLA LOGGIA

“Corriere della Sera”, 20 gusht 2021    Përktheu: Eugjen Merlika 

            Ndërmjet justifikimeve të dëgjuara në këto orë, për të kërkuar të mos turpërohemi për sjelljen tonë në Afganistan, së bashku të marrë e të ulët, njëri meriton oskarin e hipokrizisë. Është ai, simbas të cilit do t’ishte marrëzi madje edhe e kotë  përpjekja për “të eksportuar demokracinë” në kultura të ndryshme nga e jona. (Një bisedë krejtësisht e ndryshme, edhe se shpesh dinakërisht e ngatërruar me këtë e pra të mbahet e ndarë, është ajo e mënyrave, të drejta apo të gabuara, me të cilat mund të bëhet). 

            Mbi çfarë kuptohet me demokracinë mund të rrihen mendimet me vite. Të themi, duke u kufizuar në fjalët më të thjeshta, se për demokraci kuptojmë një qeveri që në një farë mënyre i përgjigjet të qeverisurve dhe njeh e u siguron atyre vetë, si burra si gra, një farë numëri të drejtash themelore lirie (t’i quajmë madje të drejta njerëzore). Mirë: sot shumë nxitojnë të pohojnë se një regjim i tillë – që ka zanafillën nga një evolucion historik i vetë kulturës së Perëndimit – është i përshtatëshëm prandaj vetëm për popullsitë  që bashkëndajnë një kulturë të tillë e që pra, nuk mundet n’asnjë mënyrë të shartohet aty ku kjo kulturë nuk ka lëshuar rrënjë kurrë.

            Megjithatë ky pohim i prerë ngre, në mënyrë të pashmangëshme, një pyetje: kush vendos që gjërat janë vërtetë kështu? Kush vendos për vlefshmërinë e këtij lloj ligji të bronxtë të papajtueshmërisë kulturore? Kongresi Botëror i Antropologëve dhe Historianëve të mbledhur së bashku? Kush? Duket mjaft e natyrshme që ndoshta do të duhej t’a përcaktonin të interesuarit, pra vetë përkatësit e kulturës “tjetër” kundrejt sonës. Që duhej të ishin ata të thonin: “Jo faleminderit, liria e fjalës nuk na intereson e për sigurinë që të mos merremi gjatë natës nga policia madje të pushkatohemi pa gjyq mund të bëjmë edhe pa të”.

            Gjynah që në vend që t’a ngrinin argumentin e papajtueshmërisë kulturore në lidhje me demokracinë, nuk  janë rregullisht t’interesuarit e drejtpërdrejtë por vetëm e gjithmonë ata që kanë mbërritur t’i qeverisin edhe se nuk kanë marrë kurrë asnjë emërim të besueshëm e të efektëshëm. Të përvehtësojnë të drejtën për të shpallur ligjin e bronxtë të papajtueshmërisë kulturore, në fakt, janë gjithmonë e vetëm “autoritetet”, elitat qytetare, ushtarake, kulturore ose fetare, pra ato që në një farë mënyre komandojnë e drejtojnë e që është normale se kanë të gjithë interesin të vazhdojnë t’a bëjnë të patrazuar atë gjë. Natyrisht pa marrë kurrë opinionin e të interesuarve të drejtpërdrejtë. Është një histori e vërtetë që ka të bëjë edhe me ne. A nuk është e vërtetë që edhe tek ne këtu n’Evropë, në kohën e tyre qeveritarët fashistë e komunistë thonin se e kalbura dhe e korruptuara demokraci liberale nuk ishte e përshtatëshme për popujt e tyre përkatës, për kulturën e tyre, për aspiratat e tyre?

            Në këto orë , pra, një rrjeshtim i dëndur perëndimorësh shumë të ditur e të zgjuar, ose politikanësh finokë të gjithë ngjyrave përsërisin se çfarë marrëzie ka qënë ekspedita në Afganistan, që megjithatë ka patur pasojën e pashmangëshme t’i jepte për disa vjet pak liri e barazi një numëri të madh grash e burrash t’atij Vëndi. Pyes vetveten se përse kurrë nuk u ka shkuar ndërmënd vëzhguesve të mprehtë të mësipërm, se ndoshta do t’ishte e nevojshme të pyeteshin ato gra dhe ata burra, që ideja për të shkuar në Kabul për të “eksportuar demokracinë”, ishte vërtetë kaq absurde sa për t’u hedhur në kosh? Opinioni i tyre është kaq i parëndësishëm? 

            E vërteta është se ka vetëm një argument të fuqishëm në dobi të mbështetësve të papajtueshmërisë kulturore: Historia. Secili të qëndrojë në shtëpinë e tij, i nënështruar e i kënaqur për atë që e shkuara ka vendosur për të: çfarë kulture të ndjeki, nën çfarë ligji, besimi, ose regjimi politik të jetojë. E pra nëse n’atë vënd vajzave u praktikohet gjithmonë infibulacioni, ose në një krah tjetër fati i caktuar për homoseksualët është varja, oe në një tjetër anë kundërshtarët politikë kalben nëpër burgje, por nëse të gjitha këto ndodhin si nderim për ndonjë traditë, kulturë apo besim fetar, pak a shumë të ndërpretuar lirisht e të manipuluar, kush jemi ne perëndimorët për të përvehtësuar të drejtën për të ndërhyrë, për të bërë të vlefshme parimet tona duke sfiduar të Shkuarën dhe Molokun e historisë?

            Por a është vërtetë kjo që mendojnë sot demokratët italianë? E nëse realisht ata besojnë se nuk duhet as nuk mund të eksportohet demokracia, që vetëm neve mund të gëzojmë disa lloj të drejtash, përse vallë këmbëngulin për të kërkuar shëmbullin prej vitesh, që Egjypti të heqë dorë nga “kultura” e tij e të vendosë të gjykojë si duhet vrasësit e Giulio Regenit e të lirojë Patrik Zakin e shkretë? Ndoshta, marr me mënd, se mendojnë që në këtë rast nuk bëhet fjalë aspak për kulturën e egjyptianëve, por thjesht për interesat e ndyra të qeverisë së tyre. Por nëse është kështu, atëherë kush e di se në sa Vënde të botës ndodh e njëjta gjë, pra kush është pa pushtet, njerëzit e zakonshëm, do të donin të kishin pak habeas corpus e të drejta qytetare, por kush mban pushtetin ka vendosur ndryshe: e natyrisht e bën gjithmonë n’emër të Kulturës, të Historisë, të Fesë. Kushedi në sa Vënde të tjera: ndoshta edhe në Afganistan….

            Akoma: përse vallë demokratët e shtëpisë sonë, nëse me të vërtetë mendojnë se duhet t’i lemë të patrazuar Vëndet me histori të ndryshme nga ajo perëndimore, nuk humbasin rast pa përmendur vazhdimisht Kombet e Bashkuara, të cilët me vargun e gjatë të letrave e deklaratave për liritë e të drejtat janë pa dyshim organizata m’e madhe botërore për eksportimin ideologjik të demokracisë? Përse?

            E megjithatë, thuhet, se është çështje edhe e mënyrave: a mund të eksportohet vallë demokracia me luftë? Mund të ketë ndonjë dyshim për t’u përgjigjur vetëm ai që harron se prej dy shekujsh kjo gjë ka ndodhur herë të panumurta. Ka vetëm një gjë mbi të cilën nuk mund të ketë dyshime: nëse bëhet një luftë e këtillë atëherë duhet absolutisht të fitohet, me çfarëdo kushti. Por kjo, siç kuptohet,  është një tjetër bisedë.

            “Corriere della Sera”, 20 gusht 2021    Përktheu Eugjen Merlika 

Filed Under: ESSE Tagged With: Afganistan, Corriere Della Sera, Eugjen Merlika

POLITIKA E JASHTME E SHBA, HAPI MBRAPA I BIDEN-IT

August 29, 2021 by s p

Nga GIUSEPPE SARCINA

“Corriere della Sera”, 17 gusht 2021   Përktheu: Eugjen Merlika  

Për Joe Biden-in gjëja që i djeg më shumë është përqasja me Donald Trump-in. Paralelizmi po qëndron në organet e shtypit amerikan e ndërkombëtar: duke lënë mënjanë ndryshimin e stilit të dy janë të pështjellueshëm e pështjellues. Papërfillës deri në cinizëm. Në Shtëpinë e Bardhë ndruhet se tërheqja katastrofike nga Afganistani mund të fshijë përfytyresën e një Amerike “përsëri në krye të tryezës”, përsëri “fener” i botës. 

Janë ndrojtje të themelta, duke parë ato pamje të aeroportit të Kabulit; ata njerëz të rënë si pesha pa vlerë nga një aeroplan në ikje. Është e ligjëshme të pyetet nëse është kjo fytyra e vërtetë e një presidenti që kishte shkaktuar pritje të mëdha. Nëse është kjo Amerika me të cilën duhet të maten gjithë Vendet e tjera, mike apo armike qofshin.

Për rreth një vit e gjysmë Biden-i ka premtuar një kthesë etike e kulturore, më parë se politike, edhe në drejtim të punëve të jashtëme. “Doktrina” e tij mëton  t’i përgjigjet “sfidës së shekullit”: jo vetëm SHBA kundër Kinës, por, më në përgjithësi, të vërtetojë se “demokracitë janë në gjëndje të qeverisin pafundësisht më mirë se autokracitë”.

Në dukje është një qasje që huazohet nga formula e Bill Clintonit: “engagement e democratic enlargement”. Clinton-i e paraqiti për të parën herë më 1993, duke folur në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara. Washingtoni, tha, do të “zotohet” pa rezerva në marrëdhëniet ndërkombëtare, veçanërisht në krizat humanitare. Në të njëjtën kohë do të bënte të mundëshmen për të nxitur ”zgjerimin”, pra shumfishimin e kombeve të drejtuara nga qeveri demokratike.

Në fakt, Clinton-i qe i pari president i mbas-luftës së ftohtë. Mandati i tij i dyfishtë arkivoi “doktrinat”, nga Trumani deri tek Reagani, të shënuara nga nevoja  për të “përmbajtur” Bashkimin Sovjetik. Mbas Clinton-it arritën George W. Bush dhe ideologët rish konservatorë me një projekt titanik, prometean: misioni i SHBA ishte “të eksportonte demokracinë” ku t’ishte e mundur, në mënyrë që të farkëtonte planetin mbi bazën e vlerave amerikane.  

Barack Obama i tkurri planet, duke derdhur mosbesimin tipik të elitës afroamerikane mbi “parësinë morale” të Shteteve të Bashkuara. Obama shpjegoi vizionin e tij në një intervistë themelore të lëshuar në prill 2016 Jeffrey Goldberg-ut të “Atlantic”. I rrufeshëm: Lindja e Mesme? “Nuk mund të rregullohet”. Aleatët evropianë? “Qelepirxhinj, përgjegjës për shkatërrimin në Libi”. Ukraina? “Do të jetë gjithmonë e ekspozuar kërcënimeve ruse”. Por mbi të gjitha Barack Obama refuzoi hapur rolin e “xhandarit të botës” Tha: “Ka një skenar që na cakton detyrën për të ndërhyrë gjithmonë e për të zgjidhur gjithë krizat. Por un nuk e kam ndjekur e kisha të gjitha të drejtat për të vepruar kështu”.

Të gjithë këta presidentë kanë pësuar dështime e kritika të ashpra. Clinton-i për Somalinë, George W. Bush për Irakun, Obama për Sirinë. Me gjasë Biden-i ka vënë në llogari pasojat mbi Afganistanin. Megjithatë ka një kundërshti të mprehtë dhe alarmuese. Për tetë viite Biden-i qe zëvëndësi i Barackut. Por është e qartë se trashëgimia obamiane nuk mund të mjaftonte për t’i qëndruar goditjes së retorikës mizore trampiane.

Biden-i atëherë ka vendosur të ngrejë nivelin e përplasjes. Me ndihmën e historianit Xhon Meacham ka futur në valle Abraham Lincolnin dhe “betejën për shpirtin e Amerikës”. U paraqit para botës si një udhëheqës alla Franklin Delano Roosevelt: i vendosur, tërheqës, bujar. Por pastaj arriti prova e bëmave. Të vëna në rrjesht i japin një brendi të ndryshme “doktrinës Biden”. Në janar-shkurt presidenti sqaroi se SHBA nuk do të jepnin asnjë dozë vaksine jashtë: “më parë amerikanët”. Në maj administrata nuk arriti të ndalojë mësymjen e Netaniahut në rripin e Gazës e që atëherë nuk ka bërë asgjë për të filluar traktativën; në qershor zëvendësja Kamala Harris përfundoi rrethin diplomatik në Amerikën qëndrore, duke ju drejtuar kështu emigrantëve: “Mos hajdeni sepse ju kthejmë mbrapsht”; në korrik Biden-i premtoi ndihmë për kubanët në kryengritje, por bashkësia e mërgimtarëve e qortoi se kishte bërë fare pak. Së fundi Afganistani.

Epoka e vrulleve clintonianë e ambicieve të Bushit është e largët. Por Biden-i po tërhiqet edhe përtej pragmatizmit të Obamës. Mbi të gjitha po çorodit kulturën liberale të vendit të tij, të themeluar mbi gjithësinë e panegociueshme të vlerave, mbi solidaritetin pa kufinj. Mjafton të lexohen komentet e këtyre ditëve në “New York Times” ose të dëgjohen përimtimet e “Cnn”.

“Corriere della Sera”, 17 gusht 2021   Përktheu: Eugjen Merlika  

Filed Under: Analiza Tagged With: Corriere Della Sera, Eugjen Merlika, Joe Biden

MBAS KABULIT, PERËNDIMI I PANDEHUR E SHTYSAT KUNDËRAMERIKANE

August 28, 2021 by s p

Nga ANGELO PANEBIANCO /

“Corriere della Sera”, 21 gusht 2021 Përktheu: Eugjen Merlika/


Përfundimi i ngjarjes afgane nuk është vetëm humbja më rrënuese e pësuar kohët e fundit nga shoqëria perëndimore prej një lëvizjeje totalitare. Në mënyrë paradoksale ajo shënon çastin e një suksesi tejet të hidhur. Të dëshpëruarit që kacavirreshin në aeroplanët që niseshin, gratë e terrorizuara nga kthimi i barbarëve e të gjithë ata që përpiqen të shpëtojnë më parë se sa ferri t’I gëlltitë, dëshmojnë se, megjithë njëzet vitet e luftës e shumë gabimeve, perëndimorët kishin arritur t’I ndihmonin afganët të krijonin, sado pak, një embrion të një shoqërie të hijëshme. Një shoqëri në të cilën vajzat e vogla mund të shkonin në shkollë dhe të rejat në Universitet, në të cilën burrat e gratë të mund të zotoheshin në veprimtari ekonomike, që nuk qëndronin vetëm në kultivimin e opiumit, në të cilën për shumë njerëz ishte e mundur të rifillonin të jetonin, të shpresonin përsëri në t’ardhmen. Përse ndërsa komentet asgjësuese të luftës n’Afganistan, në tërësinë e saj, mbulojnë si flokët e borës mjediset mediatike, përveç gabimeve, është e rëndësishme të kujtohet edhe gjithshka e mirë që megjithatë ësh kryer? Sepse nga shumë shenja, është e dukëshme se ata, ndërmjet nesh, që gjithmonë e kanë urryer po përgatiten të hartojnë një “proçes të madh” kundër shoqërisë perëndimore, parimeve e arritjeve të saj. Politikanët si ata cilësorë si ata të rëndomtë, e kuptojnë gjithmonë në fluturim se cilët janë të fuqishmit në rënie e cilët ata në ngjitje, e i përshtasin menjëherë taktikat dhe strategjitë e tyre ndryshimeve në shpërndarjen e fuqisë, të ndjekur në këtë drejtim nga sektorë shumë a pak të gjërë të opinionit publik. Meqë udhëheqja ndërkombëtare e Shteteve të Bashkuara, që përpara në rënie, del mos më keq nga ndodhia afgane, mund të presim në muajt e vitet e ardhëshëm, një rifillim të fuqishëm të kundëramerikanizmit (nga ana tjetër, asnjëherë i shuajtur) n’Evropë. Rritja e tij është e pashmangëshme si pasojë e rënies së fuqisë amerikane, të humbjes së besueshmërisë e të namit të saj. Por kujdes, kundëramerikanizmi n’Evropë nuk ka qënë kurrë vetëm shprehje e një kundërshtie ndaj Shteteve të Bashkuara. Është shumë më tepër. As shumë e fshehur nga thirrjet kundëramerikane, ka qënë gjithmonë e mundëshme të shquhej armiqësia ndaj qytetërimit liberal perëndimor në tërësinë e tij, i të cilit nga fundi i luftës së Dytë botërore e këtej, Shtetet e Bashkuara kanë qënë drejtues e motor. Kundëramerikanizmi ishte dhe është shtresa më e sipërfaqëshme. Në shtresat më të thella, ka qënë dënimi në bllok i lirive perëndimore, politike, qytetare dhe ekonomike. Këtë e provon fakti që kundëramerikanizmi ka shkuar krah për krah, pandryshueshmërisht, me lëvdatat për regjimet autoritarë e totalitarë. Në të majtë sikurse në të djathtë. Ka qënë një kohë në të cilën kundëramerikanizmi i së majtës martohej me nderimin për Bashkimin Sovjetik e pastaj, n’epokën mbas 68, për Kinën e Maos, për Kubën e Fidel Kastros etj. Në të njëjtën periudhë, në të djathtën skajore, kundëramerikanizmi shprehte armiqësinë kundrejt atyre “demoplutokracive”, që, pikërisht n’emër të qytetërimit liberal, kishin luftuar e mundur nazizmin e fashizmin. Për fat të keq këto nuk janë faqe historie që nuk kanë të bëjnë më me ne, porse kanë të bëjnë. Meqë politika nuk pranon zbrazësira, rënia amerikane, zgjedhja e Shteteve të Bashkuara, e ripohuar tashmë nga Biden-i në vazhdimësi të përsosur me Trump-in (dhe në marrëveshje me çfarë kërkon opinioni publik amerikan), palosjen në vetvete, i le fushë të lirë fuqive të mëdha autoritare, nga Kina në Rusi dhe një morie fuqish mesatare dhe ato me karakter autoritar e njëlloj armike të shoqërisë perëndimore. Do të jenë ato pikat e reja të riferimit (me të cilët, me gjasë, do të shtrëngojnë aleanca e lidhje) të trashëgimtarëve e pasardhësve të kundëramerikanëve evropianë të së djathtës e të së majtës, që nga kohët e Luftës së ftohtë. Natyrisht, rregullat e një sistemi ndërkombëtar shumëpolësh, siç është ai në të cilin jetojmë, janë të ndryshme nga atëherë. N’epokën e Luftës së ftohtë armiku kryesor i shoqërive të lira ishte njëri. Sot shemëritë janë të shumta e të përhapura. Dikush urtësisht ka thënë se dobësia e treguar nga Shtetet e Bashkuara, mund t’a shtyjë Kinën të orvatet të kryejë një provë force mbi Taivanin shpejt a vonë. Nga ana e tyre, rusët mund të llogarisin atë dobësi për të përforcuar pozitat e tyre, sigurisht në Lindjen e Mesme e ndoshta edhe n’Evropë, në kufijtë me NATO-n. Edhe politika rish-otomane e turqëve del e ngrefosur prej ngjarjes afgane e, më parë se kështjella e letrave e ndërtuar nga Erdogani të shëmbet, mund të jemi të pranishëm në të tjera prova fuqije, në funksion kundër-evropian e kundër-perëndimor. E gjithë kjo ndërsa fitorja talebane elektrizon skajshmërinë islamike n’Azi, n’Afrikë, n’Evropë. Për evropianët gjëndja është e vështirë. Çadra amerikane mbi të cilën jemi mbështetur gjithmonë, tani është plot me vrima dhe nuk ka në këtë çast asnjë tjetër që t’a zëvendësojë. Çapëlimi ndërmjet dy shoqërive liberale,asaj evropiane dhe asaj amerikane, është i fortë tani si në kohët e Trump-it: Biden-i ka bërë zgjedhjet e tij për arsye të politikës së brëndëshme pa u shqetësuar për kundërgoditjet johenike mbi Evropën, gjë që sigurisht do të ndihmojë ushqyerjen e kundëramerikanizmit evropian. Kjo gjë, në një t’ardhme t’afërt, mund t’i japë hov e miratime forcave me tipare iliberale që, në Vënde të ndryshme evropiane dukeshin të cunguara vetëm pak javë më parë. Ndoshta demokracitë evropiane, më të qëndrueshme institucionalisht dhe në të cilat është më shumë e bashkëndarë përkrahja e parimeve liberaldemokratike, do t’i qëndrojnë më mirë trysnisë, por është e lehtë të merret me mënd se demokracitë më të brishta, si e jona, të mund të pësojnë pasojat e një gjëndjeje të re ndërkombëtare. Nëse nuk do të jemi të kujdesëshëm, nëse nuk do të jemi t’aftë të vemë në fushë kundërmasa të volitëshme, do të vijë një kohë në të cilën Italia do të bëhet truall i përplasjeve ndërmjet forcash me referentë ndërkombëtarë të ndryshëm, Evropa e Shtetet e Bashkuara nga një anë, Kina, Rusia e kushedi kush tjetër nga ana tjetër. Partia filo-kineze që tani e ka ngritur kokën: “duhet biseduar me talebanët që tani duken më të urtë se dikur”, “duhet të vendosim lidhje të qëndrueshme me Kinën” etj. Edhe miqtë italianë të Putinit, sigurisht nuk do të humbasin rastin. Ndonjë i bën thirrje Evropës. Por Evropa në të mirë a në të keqe, jemi neve. Është gjithmonë problemi se si mund të dalim nga balta duke u tërhequr vetë prej flokësh.
“Corriere della Sera”, 21 gusht 2021 Përktheu: Eugjen Merlika

Filed Under: Politike Tagged With: Afganistani, Corriere Della Sera, Eugjen Merlika

KAOS NË KABUL, FUNDI MË I KEQ

August 22, 2021 by s p

Nga MASSIMO GAGGI

“Corriere della Sera”, 17 gusht 2021  Përktheu Eugjen Merlika

            Që tërheqja nga Afganistani do t’ishte njëdështim i lajmëruar ishte e qartë që kur Donald Trump-i e vendosi vetë duke shtyrë pastaj sekretarin e Shtetit Mike Pompeo, t’u jepte talebanëve patentën e bashkëbiseduesve të besueshëm. Presidenti republican gënjehej se mund të binte perdja mbi konfliktin me goditje tweet-esh, duke ruajtur miratimin e brëndshëm e duke mos mbajtur parasysh qortimin ndërkombëtar. Pasuesi i tij demokrat, i bindur dhe ai prej 12 vitesh për dështimin e një lufte të cilën e kishte votuar ai vetë më 2001, ka ripohuar zgjedhjen e Trump-it, edhe se i vetëdijshëm për çmimin e lartë të lëshimit ndaj talebanëve. Joe Biden, presidenti me tipare atërore, simpatinë u a ruan mbi të gjitha bashkëqytetarëve të tij: mbi Afganistanin ka zgjedhur, e jo që sot, një cinizëm prej America First.

            Më 2009, sapo u bë zëvendës i Obamës, i tha të dërguarit të posaçëm të Shtëpisë së Bardhë n’Azinë Qëndrore, Richard Holbrooke, që Amerika duhej t’ikte nga Afganistani, pa u kushtëzuar nga lidhje njerëzore e nga të drejtat e grave. Simbas ditareve të diplomatit të ndjerë, as edhe fantazmae një tërheqjeje kaotike si ajo e vitit 1975 nga Saigoni e frikësonte shumë Biden-in, i bindur se Nixoni e Kissingeri kishin bërë një zgjedhje të drejtë e të guximëshme, edhe se të dhimbëshme.

            Por mënyra në të cilën kriza u rrokullis në pak orë – qeveria Ghani në ikje, avullimi i në ushtrie afgane të ndërtuar e të stërvitur në njëzet vite nga SHBA me një investim prej 83 miliard dollarësh, pamjet e civilëve që i kacavirren aeroplanëve ushtarakë amerikanë dhe bien në zbrazësirë – hap skenare shumë më dramatike se se ato që ishin vënë në llogari nga presidenti demokrat kur, 6 prillin e shkuar, urdhëroi tërheqjen e përgjithëshme në kohë të shkurtëra, duke mos pranuar kërkesën e drejtuesve ushtarakë për një zbrapsje më të shkallëzuar, duke biseduar sërish kushtet me talebanët.

            Alergjik ndaj shtyrjeve të Pentagonit, Biden-i ishte megjithatë i bindur se tërheqja mund të vinte në një mënyrë më të rregulltë. Por hija  e  Saigonit u lëndësua një herë tjetër, 46 vite më pas: një dështim politik, ushtarak e i spiunazhit amerikan me analistët që sot ndahen ndërmjet atyre që quajnë më të rënda rreziqet e kthimit të një terrorizmi skajor xhihadist që pushton një territor në të cilin krijohet një emirat islamik e atyre që gjykojnë më tërëndë humbjen e besueshmërisësë Shteteve të Bashkuara e të gjithë Perëndimit: hapet një zbrazësirë që mund të shfrytëzohet nga Irani, nga Rusia e nga Kina. Me Pekinin që sheh në tërheqjen kaotike të këtyre orëve një ripohim të tezës së tij: rënien e pakthyeshme amerikane, një kusht që mund të shtynte regjimin kinez të futej në ndonjë aventurë të rrezikshme. Ndoshta në të tjera fusha si ajo e Taivanit.

            Asgjë nuk është e sigurtë: brezi i ri i talebanëve, edhe duke mbajtur një qëndrimskajor përbrënda, mund të tregohet më i matur jashtë kufijve për të shmangur konflikte të rinj, e jo vetëm me SHBA. Të përfytyrohet një rikthim në lojën e madhe të ndërtuar nga fuqi të ndryshme për më shumë se një shekull përqark Afganistanit rrezikohet vetëm të jetëvetëm një frymëzim historik që nuk mban parasysh realitetet e reja: Kina për shembull, do të jetë e interesuar të mbushë zbrazësirën e lënë nga amerikanët, por si një Vend që shtyp në mënyrë mizore pakicën myslimane të ujgurëve, vështirë se do të jetë e lumtur të ketë një shtet islamik skajor në kufijtë perëndimorë.

            Dështimi i vërtetëështë mënyra në të cilën njëzet vite pune – më parë për të ndërtuar një digë kundër terrorizmit, më pas me synimin për të eksportuar demokracinë e për të siguruar respektin e të drejtave të grave – janë zhdukur në pak orë. Dalin copa copa shërbimet e fshehta që, edhe se të vetëdijshëm për dobësinë e qeverisë afgane, kishin përjashtuar mundësinëe një shëmbjeje tësaj para 18 muajsh. Në një epokë kur Amerika nuk dërgon më ushtarë nëpër botë dhe ushtron mbikqyrjen  e saj nëpërmjet besimit tek teknologjia e dronëve, përgjimeve telefonike dhe algoritmeve, inteligjenca është mjeti kryesor i mbrojtjes: ky dështim është pra rrënqethës. Por ka edhe më: një lloj vështrimi vetëparaqitës i botës në të cilin të gjithë – politikanë, diplomatë, ushtarakë – duket se kanë kryertë njëjtat gabime vlerësimi.

            Rënia e Kabulit është një goditje vdekjeprurëse për besueshmërinë ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara: një ngjarje nga e cila edhe Biden-i del me kryqe të thyera, në mos për tjetër sepse vetëm pesë javë më parë kishte përqeshur me tone të pakundërshtueshëm gazetarët që e pyesnin mbi tërheqjen kaotike n’atë që, e riparë sot, duket si një nga konferencat e shtypit më të sikletëshme që janë mbajtur në Shtëpinë e Bardhë. I zgjedhur si president nga amerikanët edhe për përvojën e tij të gjatë ndërkombëtare, Biden-i po jeton një çast të vështirë, por nuk është e thënë që do të humbasë besimin e amerikanëve: duke u bazuar mbi hulumtimet, shumica bashkëndan zgjedhjen e braktisjes së Afganistanit e nuk është shumë e shqetësuar për fatin e atij populli. Nëse nuk do të ketë një ashpërsim të terrorizmit (ose nëse SHBA nuk do të jenë shënjestra kryesore e xhihadizmit) presidenti, me të kaluar stuhia, mund të kërkojë meritën e mbylljes së luftës më të gjatë të historisë amerikane, një pushtim i zgjatur më shumë se ai britanik në Tetëqindin, dyfishi i atij sovjetik në vitet Tetëdhjetë.

            Në një gjë Biden-i ka të drejtë: nëse nuk mësohen t’a bëjnë vetë, afganët nuk mund të mëtojnë që të jenë fuqi të huaja t’i mbrojnë pafund nga skajshmëria islamike. Nuk është për t’u përjashtuar që xhihadistët, kompaktë në luftën kundër bashkëkohësisë perëndimore, mbasi të kenë përzënë të huajin të ndahen ndërmjet betejave teologjike e kundërshtive fisnore. Qoftë edhe me ndërhyrjet e të tjera fuqive rajonale, të tmerruara nga lindja e një kalifati sunit skajor. Për tani vetëm hamëndje e skenarë gjeostrategjikë me rrugëdalje të paparashikueshme.

            “Corriere della Sera”, 17 gusht 2021  Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Politike Tagged With: Afganistan, Corriere Della Sera, Eugjen Merlika

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT