Pas 220 orë bisedimesh kryeministrat e Kosovës e Serbisë takohen sot (12.02) për të 22-tën herë në Bruksel. Suksesi i dialogut Beograd-Prishtinë është evident, siç janë evidente edhe çështjet e pazgjidhura.Raundi i sotëm i 22-të dialogut në mes të Beogradit dhe Prishtinës është vazhdim i bisedimeve të 27 janarit, kur të dy delegacionet nuk arritën të bien dakord për dy çështje kyçe të marrëveshjes së Brukselit: përfshirjen e sistemit gjyqësor të veriut, institucionet, gjykatësit dhe prokurorët serbë në një sistem unik kosovar të drejtësisë, si dhe formimin dhe funksionimin e asociacionit të komunave serbe. Bashkimi Evropian pret që edhe këtë vit të vazhdojnë negociatat për zbatimin e të gjitha çështjeve të pambyllura nga marrëveshja e prillit dhe sipas fjalëve të kryeministrit serb, Ivica Daçic, çështja e organizimit të gjykatave në veri të Kosovës është e para në rendin e ditës.”Nuk kemi arritur të biem dakord dhe ekzistojnë dallime të mëdha në qëndrime”, pati thënë Dacic pas raundit të janarit të bisedimeve në Bruksel. Ai shpjegoi se Prishtina ende këmbëngul që në juridiksionin e gjykatës komunale në Mitrovicë, përveç katër komunave serbe, të përfshihen edhe tri komunat me shumicë shqiptare në jug të lumit Ibër, gjë që në mënyrë të konsiderueshme ndryshon përbërjen etnike të rajonit në fjalë.” Qëndrimi i Beogradit është se kjo cënon direkt parimin, për të cilin është rënë dakord, përfaqësimn e policisë dhe gjyqësorit në bazë të strukturës etnike në terren.
Një çështje tjetër është krijimi i asociacionit të komunave serbe. Në Mitrovicën e Veriut me 23 shkurt pritet përsëritja e votimit për kryetar bashkie. Duhet të pasojë edhe hartimi i statutit dhe konstituimi i komunave të asociacionit serb, të cilat, sipas fjalëve të kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi, duhet të ketë formën dhe kompetencat, që dalin nga Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës. “Krerët lokalë thonë se janë të gatshëm të bashkëpunojnë dhe unë mezi pres të fillojmë të zgjidhim çështjet praktike”, tha kryeministri i Kosovës, me rastin e zgjedhjes së kryetarit të bashkisë në komunat serbe.
A do të ndryshojnë zgjedhjet dialogun mes Prishtinës e Beogradit?
Përveç përsëritjes së zgjedhjeve lokale në Mitrovicë, në Bruksel do të mund të diskutohet edhe në lidhje me zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Serbi, të planifikuara për 16 mars, mënyrën se si ata mund të ndikojnë në rrjedhën e mëtejshme dhe dinamikën e dialogut në Bruksel, por edhe për zgjedhjet parlamentare, që mund të mbahen në shtator të këtij viti në Kosovë. Kryeministri i Serbisë me këtë rast u bëri thirrje serbëve të Kosovës: “Serbët duhet të dalin në zgjedhjet parlamentare. Pyetja kryesore është se si të binden serbët në veri të Kosovës që të bëhen konstruktivë dhe se bashkëpunimi është në interesin e tyre”, tha Daçiç.
Temë e bisedimeve të sotme në mes të Beogradit dhe Prishtinës do të mund të jetë edhe arrestimi i njërit prej udhëheqësve të serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviç, që ka ndodhur pikërisht në këtë moment delikat për asociacionin e komunave serbe.
Në bisedimet në Bruksel, përveç dy kryeministrave dhe përfaqësueses së lartë i Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, duhet të marrë pjesë zëvendëskryeministrin i parë të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.