• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ME 13 MARS PUSHOI ZEMRA E VIGANIT LIBERATOR, FAN S NOLI

March 13, 2014 by dgreca

Me 13 mars 1965 pushoi së rrahuri zemra e Fan S. Nolit, themeltarit dhe udhëheqësit të Kishës Autoqefale Orthodokse Shqiptare, babait të Vatrës dhe editorit të Diellit.  Në ditëvdekjen e tij natën e Verës, festës pagane shqiptare, shqiptarët e ndjenë se nuk e kishin më mes tyre atë që bëri aq shumë për kombin dhe popullin që i përkiste. Nolin e vajtuan shqiptarët kudo që ndodheshin.  Njeriu që solli frymëne re të të menduarit tek shqiptarët, njeriu që  së bashku me Konicën, diplomat dhe erudit, arritën t’i bashkojnë shqiptarët e Amerikës(edhe pse vetë u grindën për rreth 9 vjet) dhe që këndej Atlantikut përcollën ide  e mesazhe për mvetësinë e kombit dhe mbijetesën e tij.Në këtë përvjetor, po bëjmë një parakalim kronologjik nëpër vitet e jetës së Nolit, duke shfrytëzuar librin”Autobiografia e Fan S. Nolit”, përkthyer nga origjinali anglisht prej Abdullah Karjagdiu.

Jeta dhe veprimtaria e Fan S. Nolit ka kaluar përmes këtyre datave historike:U lind me 6 janar 1882 në fshatin shqiptar të Ibrik Tepesë (Qytezë) në Turqinë evropiane.  Në vitin 1900, përfundoi gjimnazin grek të Edrenesë. Është po ky vit që do të shënojë dhe largimn e tij nga vendlindja. Shkon në Athinë, ku nuk arrinë që të  përfundojë studimet universitare. Provon punë të ndryshme si: karrocier trolejbuzi, kopist, sufler teatri, aktor. Në vitin 1903 e gjejmë në Egjipt tek jep mësim në shkollën fillore greke të Shibin-el-Komit. Kjo do t’i vlejë sepse qëndrimi atje i dha mundësi lidhjeje me atdhetarët shqiptar. Së pari zi miqësi me Spiro Dinen, i cili e lidhi me atdhetarë të tjerë, që bënin pjesë në lëvizjen për çlirimin e Shqipërisë nga zgjedha osmane.

Në shtator 1905 bashkëpunon me gazetën “Drita” të Shahin Kolonjës, ku boton artikuj, kundër shovinistëve grekë. Në prill të vitit 1906 Noli propozohet prej Thanas Tashkos dhe Jani Vruhos, që të shkojë në SHBA dhe të organizojë shoqëritë atdhetare në kontinentin e  ri. Për këtë qëllim me 31 maj 1906 shkon në Bufalo, ku ishte qendra e Shoqërisë “Mall’ i Mëmëdheut”. Gjithësesi edhe këtu provoi punë krahu, si punëtor sharre. Në korrik nis punën si redakator  në gazetën”Kombi”të Sotir Pecit, që ishte gazeta e parë e shqiptarëve të Amerikës. Punoi aty deri në maj 1907. Shkrimet e tij përçohen nga mesazhi i bashkimit kombëtar për të përballuar rreziqet që i kanoseshin vendit. Ndërkohë , në vitin 1907 boton darmën në tri akte”Israelitë dhe filistinë.” Me 6 janar 1907 është themeltar i shoqërisë atdhetare”Besa-Besë” në Boston. Me 9 shkurt kryen aktin më të lartë kombëtar; merr përsipër që të themeloi Kishën Ortodokse Shqiptare. Misionin e realizon me 22 mars 1909, kur arrinë ta themelojë Kishën Shqiptare Ortodokse në Amerikë. Tashmë shqiprtarët e Amerikës e kanë pranuar si udhëheqës shpirtëror.

Paralelisht Noli nis botimin e librave me karakter fetar si:”Shërbesat e javës së madhe”-Boston 1908; “Libra e shërbesave të shenjta”- Bruksel 1909; “Libra e të Kremteve të mëdha”-Bruksel 1911 etj.

Me 15 shkurt 1909 botoi  numrin e parë të gazetës “Dielli”, e cila doli si gazetë e shoqërisë Besa-Besën dhe më vonë u bë zëdhënsja e Vatrës, pra gazeta e Federatës Panshqiptare”VATRA”, që sivjet festoi 101 vjetorin e daljes së numërit të parë.

Tashmë emri i Nolit ka marrë dhenë, është bërë i njohur në mbarë viset shqiptare dhe  në emigracion; ai përbën një shpresë të madhe për bashkimin e zgjimin e shqiptarëve. Me 10 gusht  1909 ai nis vizitat nëpër Evropë, kudo ku ka koloni shqiptare; si në  Odesë, në Bukuresht, në Brailë, në Sofje etj. Në këto koloni Noli mban edhe mesha në gjuhën shqipe.

Akti më i lartë atdhetar për bashkimin e shqiptarëve, është padyshim themelimi i Federatës Panshqiptare “Vatra”, me 31 mars 1912, vepër që ka firmën dhe mendjen e Nolit.Pa Vatrën, zor se do të ishte arritur   dhe ruajtur pavarësia e Shqipërisë. Edhe pse ishte i zënë  e shumë i ngarkuar me veprimtaritë atdhetare dhe kishtare, Noli nuk i ndërpreu përpjekjet për ngritjen  arsimore e intelektuale. Në qershor 1912 ai arrinë të përfundojë studimet universitare në Harvard, ç’ka tregon edhe një here kapacitetin e  tij intelektual.

Noli ishte një nga mendjet e ndritura të Vatrës , prandaj ajo e nisi me mision në Evropë në kohën  kur vazhdimi i Luftës Ballkanike po paraqeste rrezik për kombin shqiptar, veçanërisht për Shqipërinë  e sapo shpallur të pavarur. Kjo i takon nëntorit të vitit 1913. Është i njohur aktiviteti politik dhe atdhetar  i Fan S. Nolit  gjatë kësaj kohe në Londër, ku ishte epiqendra e diplomacisë vendimmarrëse evropiane.Ai përpiqet që t’i qëndrojë besnik platformës së Vatrës për të ruajtur pavarësinë e Shqipëris në kufijtë etnikë. Noli i dërgon dy Memorandume Minsitrisë së Punëve të Jashtme të Anglisë për këtë çështje djhe boton disa artikuj në shtypin londinez. Me 2 mars e gjejmë në Trieste, ku përpiqet që të shfrytëzojë tribunë ne Kongresit të atjeshëm kundër copëtimit të Shqipërisë. Në korrik 1913 Noli shkel për të parën herë në Shqipëri;  korrik 1913 dhe pritet me dashuri. Një pritje të nxehtë i rezervojnë atij Vlora dhe Durrësi. Themelimi i Kishës Autoqefale në  Shqipëri nuk i doli aq  lehtë siç e kishte parashikuar. Hasi në kundërshtime të ashpra. Natyrisht që Autoqefalia kundërshtohej ashpër nga kisha greke, për të cilën shqiptar orthodoks ishte grek!

Pasi qëndroi dy vjet nëpër Evropë, në maj 1915, Noli kthehet në SHBA.Në korrik 1915 zgjidhet kryetar i Federatës Panshqiptare Vatra. Fati i Shqipërisë e shqetëson për ditë e më shumë. Me 8 shkurt 1916, i revoltuar me nëpërkëmbjen e kombit shqiptar, ai boton në “Dielli” artikullin”Shqiptari i shkelmuar”, ku akuzon Fuqitë  e Mëdha për copëtimin e Shqipërisë në Konferencën e Londrës. Në korrik 1916, në emër të Kuvendit të “Vatrës”, Noli proteston pranë Fuqive të Mëdha kundër synimit për të vendosur  protektoratin Italian mbi Shqipërinë.

Më 15 mars 1918  Fan Noli, në emër të Vatrës u drejton një deklaratë disa  personaliteteve politike dhe shtetrore amerikane duke përfshirë dhe presidentin Wilson, kundër ndërhyrjes së Fuqive të Mëdha në problemin shqiptar. Përsëri me 12 korrik 1917, Noli rizgjidhet kryetar i Vatrës. Si delegat i “Vatrës” Noli mori pjesë në Kongesine  Kombeve të shtypura mbajtur në Uashington. Delegatët e kongresit përcollën presidentin Uilson tek varri i babit të Amerikës, Xhorxh Uashington në Maunt Vernon, ku ai mbajti fjalimin e tij të famshëm për të katërmbëdhjetë pikat. Fjalimi i takon 4 korrikut 1918. Fan Noli, kësaj radhe shfrytëzoi rastin të takohej me presidentin Ulson në Jahtin presidencial të “Mejfllaurit” dhe ta lusë atë që t’ia kthente pavarësinë Shqipërisë, të cilën e kishin pushtuar ushtritë e huaja gjatë Luftës së Parë Botërore. Presidenti Uilson i tha Nolit:”Kam një votë në Konferencën e Paqes dhe do ta përdor në favor të Shqipërisë.” Ai me të vërtetë e përdori ndikimin e vet për ta ndihmuar Shqipërinë në Konferencën e Paqes në Versaj. Madje më 1920 presidenti Uilson e denoncoi dhe e pengoi copëtimin e Shqipërisë, që ishte paraparë sipas Traktatit të Fshehtë të Londrës më 1915. Ai e tha qartë se qeveria amerikane nuk merrte pjesë në atë traktat dhe kurrë s’do ta pranonte si një traktat fuqiplotë. Kjo deklaratë e bëri presidentin Uilson mbrojtësin më të popullarizuar të pavarësisë shqiptare.

“Vatra” në kohën e Nolit,  shërbeu si qeveri në mërgim gjatë Luftë së Parë Botërore,  nga viti 1914- 1920, kur në Shqipëri nuk kishte qeveri për shkak të pushtimit të huaj. Ajo mblodhi fonde nga shqiptarët e Amerikës dhe mbajti përfaqësues diplomatikë në kryeqytete të ndryshme të Evropës si dhe në SHBA, si: Mehmed Konicen në Londër, dr. Mikel Turtullin në Paris, Kostandin Cekrezin në Uashington e të tjerë.

Me iniciativën e Nolit e nën drejtimin e tij, botohet në shtator 1918, numri i parë i “Revistës Adriatiku”(The Adriatic review) në mbrojtje të interesave të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Me 26 korrik 1919 organizohet ceremonia për zgjedhjen e Fan S. Nolit, peshkop.

Me 10 shtator 1919 botohet në gazetën “Dielli” intervista e Fan Nolit dhënë gazetës “Dejli Telegraf”, në të cilën denoncohej Traktati i fshehtë i Londrës për copëtimin e Shqipërisë.

Pas evakuimit italian nga Vlora, e detyruar nga forcat kryengritëse, Shqipëria duket se merr frymë lirisht. Në këtë kohë, Noli, i përcjellë nag arkimandrit Vangjel Camce nga Xhejmstauni i Nju Jorkut dhe at Vasil Marku nga Sen Luisi i Misurit, u nisën nga SHBA për t’i ofruar shërbimet e tyre qeverisë shqiptare. Shpenzimet e udhëtimit, natyrisht i hoqi “Vatra.” Arkimandrit Vangjel Camce dhe at Vasil Marku, vazhduan rrugën e tyre për në Korcë, ndërsa Fan Nolin e dërgoi qeveria në Gjenevë si kryetar i delegacionit për të kërkuar pranimin e  Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve.

Me 19 dhjetor 1920 Shqipëria pranohet anëtare e Lidhjes së Kombeve dhe merita i takon ikonës sonë kombëtare. Noli e ka cilësuar këtë akt si suksesin më të madh të arritur prej tij në karrierën diplomatike.Praimi qe unanim, njëzëri u votua për Shqipërinë. Noli diti të bëjë miq për Shqipërinë, e cila duhet t’ia dijë për nder edhe shërbimit të cmuar, që bëri Lord Robert Sesil, delegate iAfrikës së Jugut. Atë ditë Muhamed Aliu, delegate i Indisë, bëri këtë deklaratë:

” Shqipëria meriton të bëhet anëtare e Lidhjes së Kombeve, sepse është i vetmi vend në Botë, ku muslimanët, katolikët romanë dhe të  krishterët ortodoksë të Lindjes, bashkëpunojnë vëllazërisht përkundër dasive të tyre fetare.”

Në vitin 1921, nën kujdesin e shoqërisë “Arsimi” botohet në Boston “Historia e Skënderbeut”Gjergj Kastrioti” mbretit të Shqipërisë, 1412-1468” prej peshkopit Theofan (Fan S Noli).

Në prill 1921 Noli zgjidhet kryetar i partisë Popullore, e para parti politike parlamentare në Shqipëri. Në gusht 1922, me përpjekjet e vazhdueshme të Nolit, themelohet të Berat, Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare që mënjanonte Patriarkanën të ndërhynte në çështje kishtare.

Në nëntor 1923, në Kishën e Shën Gjergjit në Korçë bëhet dorëzimi dhe fronësimi i Fan Nolit si Peshkop i Durrësit, Gorës dhe Shpatit.

Në dhjetor 1923, në zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuse, Noli zgjidhet deputet i Korçës, e cila e kishte bërë edhe qytetar  të saj. Opozita demokratike, që udhëhiqej nga Fan Noli, mundi të siguronte vetëm 1/3 e vendeve në Asamble. Noli qe tepër i rreptë në oratorinë e tij. Ngjarja më e vështirë që ai përballoi me gjakftohtësi ishte atentati ndaj Ahmet Zogut.Ngjarja ndodhi me 23 shkurt 1924. Ishin bërë zgjedhjet dhe Parlamenti po kryente procedurat. Në séancën e pare do të zgjidhej kryesuesi i séances. Kandidati i Partisë Konservatore, të udhëhequr nga Ahmet Zogu, ishte Eshref Frashëri, ndërsa kandidati i Partisë Liberale të udhëhequr nga Fan Noli, ishte Ibrahim Gjindi. Në orën tre pasdite, kur Petro Poga, kryesuesi i përkohshëm, po u tërhiqte vëmendjen të pranishmëve që të mbanin qetësi, papritmas u dëgjuan disa të shtëna me revole jashtë sallës. Dy plumba, kaluan para fytyrës së Fan Nolit dhe goditën bangën e kryesuesit të séances….Pas një minute, Ahmet Zogu hyri në sallë me krahun e majtë të përgjakur dhe me revolen në dorën e djathtë. E shoqëronin garda e tij personale dhe garda e Shefqet Vërlacit, me motrën e të cilit ishte fejuar Ahmet Zogu. Të gjithë mbanin në duar revole të mëdha me vështrim nga deputetët e opozitës, tek të cilët dyshonin se e kishin kurdisur këtë komplot për vrasje.Deputetët e opozitës nuk lëvizën. Edhe ata ishin të armatosur, me përjashtim të Fan Nolit. Edhe ata i kishin nxxjerrë revolet. Të dyja palët prisnin nga shefat e tyre. Ahmet Zogu u dha shenjë të vetëe që të mos shtinin.

Ai që kishte dashur të shtinte mbi Ahmet Zogun, ishte Beqir Valteri. Ai kishte zënë një pritë strategjike në krye të shkallëve, ku e kish pritur Ahmet Zogun,. Në castin që Zogu kishte mbërritë, atentatori ia kishte drejtuar revolen në qafë dhe sigurisht që do ta vriste, në vend sikur t’ia tërhiqte këmbëzën menjëherë, mirëpo sipas traditës zakonore shqiptare, ai donte të thoshte ca fjalë para se të shtinte. Donte t’i  thoshte se po e vriste për t’ja marrë gjakun të ungjit. Fjalët e zakonshme që duhej t’i thoshte ishin”Falju me shëndet ungjit tim”! Mirëpo iu desh shumë kohë që t’i artikulontë ato pak fjalë sepse atij i mbahej goja, kështu që iu desh shumë kohë derisa i shqiptoi. Kjo cope kohë e shkurtër, qe e mjaftë për kryeminstrin, për të shpëtuar me plagë të lehta. Gjithësesi qëndrimi i kundvrshtarit të Nolit para Parlamentit ishte dinjitoz.

Ngjarja tjetër që acaroi situatën ishte vrasja e Avni Rustemit me atentat. Me 1 maj 1924, Noli merr pjesë në varrimin e Avni Rustemit në Vlorë, që u kthye në një manifestim të madh politik dhe mbajti një fjalim të zjarrtë përpara trupit të tij, që shërbeu si shkëndijë për të ndezuar atë që u quajt Revolucioni Demokratik  i Qershorit.

Në maj 1924, në Vlorë formohet Komisioni Politik Administrativ, i kryesuar nga Fan Noli, për drejtimin e lëvizjes kryengritëse, që kishin shpërthyer forcat e Bajram Currit, të shoqërisë ”Bashkimi” e të garnizoneve ushtarake të Shkodrës, Përmetit etj.

Me 10 qershor forcat kryengritëse trimufojnë dhe Noli ngarkohet të formojë Qeverinë. Me 17 qershor, kryeministri i ri shpall programin prej 20 pikash, që përbënte një shprehje të aspiratave të shtresave të gjëra të popullsisë, por që shtoi zemartën e pjesës tjetër.Ai ishte përpjekur që të ngrinte një kabinet qeveritar me ministra të aftë, sipas mendimit të tij.Qeveria përbëhej nga ; Fan Noli-kryeministër, Sulejman delvina-ministër i Punëve të Jashtme, Rexhep Shala-ministër i Punëve të Brendshme, Luigj Gurakuqi-Ministër i Financave,  Kasëm Qafzezi-Ministër i Mbrojtjes, Stavri Vinjau-ministër i Drejtësisë, dhe minister i Educates, Qazim Koculi, minister i Punëve Botore.

Me 10 shtator 1924, Noli flet ne seancën e Asamblesë të Lidhjes së Kombeve. Fjalimi i cilësuar nga shtypi i huaj si”bomba e peshkopit shqiptar”dhe “një nga fjalimet që bënë më shumë bujë”, por që pat pasoja në izolimin e qeverisë së tij. Noli demaskoi në mënyrën e  vet veprimatrinë e Lidhjes së Kombeve, se gjoja mbronte paqen apo synonte çështjen e çarmatimit.

Dihet se Fan Noli dështoi në qeverisjen e vendit dhe reformat që premtoi mbetën në letra. Në dhjetor ai e ndjeu veten të kërcënuar dhe i bëri thirrje popullit “që të rrëmbente armët për të mbrojtur fitoret e revolucionit nga ndërhyrja e bandave të armatosura, të ndihmuara materialisht dhe me trupa vrangeliste nga qeveria jugosllave.”

Me 24 dhjetor me gjithë rezistencën spontane të ushtrisë kombëtare e të forcave vullnetare, forcat e Ahmet Zogut hynë në Tiranë. Fan Noli dhe udhëheqës të tjerë u detyruan që të largohen nga Atdheu.Vite më vonë, kur Noli do të analizonte me humor humbjen e tij”ndërkohë që ushtria e kundrshtarit po hynte në Tiranë, ai vetë po i binte flautit, ndërsa ministri i tij i mbrojtjes, Qafzezi, argëtohej me kërcimet e jevgave!”

Noli nuk heq dorë nga politika. Me 25 mars 1925 forcat demokratike opozitare në emigracion themelojnë Komitetin Nacional Revlucionar (KONARE) e zgjedhin në krye Fan Nolin.

Ndërkohë për ish kryeministrin gjashtëmujorë ka filluar periudha e emigracioit nëpër Evropë. Më 1926 ai boton në Bruksel në përkthimin shqip veprat madhore të Shekspirit”Hamleti”, “Makbethi”, “Jul Qezari” dhe dramat e H. Ibsen”Armiku i Popullit” dhe “Zonja Ingra e Ostrotit”, të pajisura secila me një analizë kritike.

Më 28 nëntor 1925 në “Lirija kombëtare”, Noli boton tre nga poezitë politike më të njohura të tij”Hymni i Flamurit”,”Syrgjyn vdekur”(Elegji për Luigj Gurakuqin) dhe “Shpell’ e Dragobisë”(Elegji për Bajram Currin.)

Më 8 dhjetor 1925 Fan S Noli denoncon paktin italo-shqiptar, të ashtuquajturin Pakti i parë i Tiranës dhe e quan atë si preludin e pushtimit të Shqipërisë nga Italia Fashiste.

Më 1926 Noli boton në Vjenë versionin e  parë të “Rubairave” të Omar Khajamit dhe në Bruksel (1927) versionin e plotë të pajisur me një analizë kritike dhe shënime.

Më 15 janar 1927 në gazetën e Nju Jork-ut”Herald Tribjun” Noli u bën thirrje njerëzve paqedashës të mbarë botës për të ndaluar katastrofën që i kërcënohej Shqipërisë nga intrigat e fshehta të diplomacisë angleze e italiane për të ndezur zjarrin në Evropën Juglindore.

Në prill 1927 Noli zgjidhet kryetar i Komitetit të Çlirimit Nacional. Është ndër të parët që propagandon idenë për ta lidhur luftën e popullit shqiptar me atë të popujve të tjerë të shtypur të Ballkanit dhe të Evropës.

Me 24 prill 1927 Noli merr pjesë në hartimin e deklaratës së përbashkët të Komitetit të Çlirimit Nacional e Komitetit të Çlirimit të Kosovës.

Më 1927- 1928 boton poezitë “Marshi i Barabajt” dhe “Këngë e Monarkisë”. Në vitin 1929 e gjejmë pjesmarrës në Kongresin Ndërkombëtar Antifashist që zhvillohej në Berlin.

Në janar- shkurt 1930 boton poezitë “Moisiu në Mal”, dhe “Shën Pjetri në Mangall”. Të kësaj kohe mendohet se janë dhe poezitë “Marshi i Krishtit”, “Krishti me Kamxhikun”,”Marshi kryqësimit”, “Kirenari”, dhe “Kryqësimi”. Ndërsa dy poezitë e fuqishme”Rent, or Marthonomak” dhe “Anës së Lumenjëve”  i shkroi në prill-maj 1930.

Në maj 1930, Noli kthehet sërish në Amerikë. Miku i tij i hershëm, bashkëluftëtari i dikurshëm që shërbente si Minsitër i Mbretit në Washington, Faik Konica, përpiqet ta bindë Nolin që të heqë dorë nga rruga revolucionare.

Me 1 nëntor 1930 filloi të botojë në Boston gazetën”Republika”, ku shpalsoi prograin që i përmbahej në vija të përgjithshme KNC:Republikë, demokraci, pavarësi dhe kufi etnikë. Gazeta vazhdoi të botohej deri në vitin 1933. “Republika”  zemëroi më shumë kundërshatrët e tij në Vatër dhe Dielli nuk ia la mangët, gati në çdo numër e “masakroi”, krijuesin e vet, editorin e parë.

Në mars-shtator 1932 Noli qëndroi në Gjermani në pritje të vizës për t’u kthyer përgjithëmonë në SHBA. Në tetor arrin të kthehet, por “keqtrajtohet” nga emigracioni, që e mbanë tre ditë të bllokuar. Vetëm pas garancive që dhanë miqtë e tij amerikanë, mundo të kalonte doganën. Sëmuret rëndë nga pneumonia, detyrohet të shtrohet në spital për t’u mjekuar, me ndihmat që i dërgoi Mbreti Zog. Të hollat që ia dërgoi Mbreti Zog, i shëruan plagët e trupit, por jo ato të shpirtit. Përkrahsit e tij e kritikuan për mungesë karakteri. Por Noli ua ktheu përgjigjen se këto para nuk ia mori Mbretit George të Greqisë, as atij të Serbisë, por mbretit shqiptar, në një kohë që jeta e tij ishte vënë në pikëpyetje. Në vëitet 1932-33 përkthen pjesën e parë të romanit të Servantesit”Don Kishoti i Mançës”, të shoqëruar me një analizë kritike.

Në vitin 1934, Imzot Noli ndjehej i dobësuar nga sëmundja e rëndë; vetmia, braktisja e disa miqëve e shokëve si dhe perspektiva e paqartë  dhe e zymtë e çuan në dëshpërim të thellë. Në ato çaste ai shkroi”S’kam më as nge’; as qejf, as takat, për politikën…këlliçi im politik është varur në muze dhe nuk del s’andejmi kurrë.”

Edhe në vitin 1935, Noli kalon një jetë të vetmuar. Merret me studime nga më të ndryshmet dhe fillon mësimet në moshën 53 vjeçare në Konservatorin e muzikës të Nju –Inglendit në Boston.

Më 1936 boton pjesë muzikore liturgjike në titullin “Hymnore”. Më 1937 mbaroi Konservatorin e  Muzikës. Me 28 qershor  1937, ai i jep një intervistë gazetës “Boston Post”, ku ndërmjet  të tjerash theksonte faktin se ai nuk do të kthehej kurrë më në Shqipëri, përderisa do të ishte në fuqi Zogu.

Me 14 korrik 1937 gazeta”Dielli” boton një artikull që e kritikon ashpër këtë intervistë të Nolit.

Ne, theksonte gazeta, kishim mendimin se ai “kishte hequr dorë nga ngatërresat politike” dhe se kishte kuptuar më në fund”rëndësinë e tij si predikonjës i fjalës së perëndisë dhe, paskëtaj, nuk do të merrte pjesë kundër Mbretit as me fjalët tërthori, as me goditje drejtëpërdrejt, as me rromuze në shtyp të huaj.”

Në përgjigje të kësaj kritike, me 15 korrik, Noli u mjaftua me një deklaratë të thatë dhe evazive se “intervista e tij nuk ndiqte qëllime politike”.

Prilli 1939 e gjenë të dëshpëruar për atë ç’ka i ndodhi Shqipërisë nga fashistët  italianë.Me fillimin e Lufëts së Dytë Botërore, humbi lidhjet me Atdheun. Në maj 1943, Noli pranoi propozimin e  Mbretit shqiptar në Mërgim, që të ishte këshilltar i një qeverie në mërgim, por kundërshtoi kryesimin e  saj.

Në dhjetor 1944, me anë të një telegrami, që i drejton kryeministrit të Britanisë së Madhe, Unston Çërçill, Noli kërkon njohjen e  qeverisë demokratike provizore shqiptare.

Në vitin 1945, në moshën 63 vjeçare, Noli merr titullin,  doktor në filozofi nga Universiteti i Bostonit për desertacionin”Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, 1405-1468” (George Castrioti Scanderbeg) , që u botua më 1947.

Qeveria e Tiranës përpiqet ta joshë Nolin duke e zgjedhur në tetor si kryetar nderi të Konferencës së Lidhjes së Shkrimatrëve të Shqipërisë, me motivacionin”për kontributin e madh që ai kishte dhënë në fushën e kulturës dhe letrave shqipe”), ndërkohë ai vazhdoi t’i shërbente Shqipërisë në mënyrë e tij.

Në janar 1947 shqiptaro-amerikanët festuan  40-vjetorin e ardhjes së Nolit në SHBA. Kjo ngjarje koincidon me vënien në qarkullim të veprës së tij”Bethoveni dhe Revolucioni francez” (Beethoven and the French Revolution”).Me rastin e  40 vjetorit, Vatra i dha Nolit si dhuratë 5500 dollarë dhe ai i përdori për të botuar veprën e mësipërme si dhe ribotoi Albumin. Në fakt pjesa më e madhe e veprave të Nolit e panë dritën e botimit në saj të bujarisë së Vatrës.Një dhuratë tjetër, që i bëri “Vatra” Nolit, ishte shtëpia që bleu me dollarët që u mblodhën në fushatën e organizuar në vitin 1953. Noli bleu shtëpinë në Fort Landerdejl të Floridës. Qe një shtëpi e bukur, por që nuk është më, shqiptarët nuk arritën ta ruanin e ta kishin si shtëpi muze në kujtim të ikonës kombëtare.Shtëpia ishte e rrethuar me një livadh të bukur me plot pemë të llojllojshme me portakallë, limonë, qitro, palma, biber brazilianë dhe pemë ekzotike. Tërë kopështi ishte i rrethuar me gardhiqe shumë ngjyrëshe të hibiskusit. Fan Noli pat blerë edhe dy parcela të vogla në anën e djathtë dhe mendonte të blente akoma në anën e majtë.

Por le të ndjekim kronikën: Më 1950 Noli boton veprën”Historia e Skënderbeut, kryezotit të Arbërisë (1404-1468”, variant i ri i botimit të mëparshëm.

Në shkurt 1959, ai shkroi “Dhjatën” apo Testamentin. Një nga kërkesat e tij themelore ishte që të varrosej thjesht e pa shpenzime.

Më 1960 u botua “Pesëdhjetëvjetori i Kishës ortodokse Shqiptare”(1908- 1958) nga Metropoliti Fan S. Noli.

Tetor-nëntor 1964, Noli shtrohet në një spital të Bostonit dhe më 2 nëntor operohet pa asnjë shpresë shpëtimi.

Me 13 mars 1965, pas një sëmundje të rëndë , pushoi së rrahuri në Florida, në moshën 83-vjeçare, zemra e Nolit, që mbetet ikona e shqiptarëve të Amerikës. 45 vite më pas shqiptarët krenohen me themeluesin e Kishës Ortodokse Shqiptare, editorin e  parë të Diellit, themeluesin e Federatës”Vatra”, krenohen me shkrimtarin, poetin, muzikologun, studiuesin, përkthyesin brilant, polemistin, oratorin, ish kryeminsitrin e Shqipërisë për  6 muaj.

(Dielli- Arkiv- Përgatiti:Dalip Greca)

Filed Under: Histori Tagged With: 13 Mars 1965, dalip greca, pushoi zmera e Nolit

FERKI VELIU-BERISHA: JU TRGOJ LIDHJET E GJAKUT ME HASAN PRISHTINËN

March 4, 2014 by dgreca

Flet nga Portland-Oregon- , Ferki Veliu Berisha, njeriu që ka lidhje gjaku me Heroin Kombëtar, Hasan Prishtina. Së bashku me bashkëshorten amerikane, Patricia, ai vizitoi Shtëpinë e Vatrës dhe mori pjesë në festimet e 6 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës./

Nga Dalip Greca/

Kryetarja e degës së Vatrës në Washington DC, poetja dhe veprimtarja Merita B McCormack, përmes një emaili na njohur në distancë me Ferki Veliu-Berisha dhe bashkëshorten e tij Patricia. Vizita e tyre në Shtëpinë e Vatrës të shoqëruar nga Merita, të shunën e 15 shkurtit, ishte fare e veçantë. Ferki dhe Patricia fotografonin çdo objekt historik dhe prekën nga afër 100 vite histori të shqiptarëve të Amerikës.

Ferki mbartëte një histori interesante. Familja e tij si shumë të tjera gjatë luftës së Kosovës kishin përjetuar çaste të vështira, shtëpia ishte djegur dy herë. Shtatë vëllezërit, tri motrat, dhe prindërit, për tre muaj nuk dinin asgjë për fatin e njëri-tjetrit. Babai, së bashku me tre të afërm ishte vrarë gjatë luftës. Po cili ishte fati i Ferkit? Cilat janë lidhjet e tij me heroin e Popullit Shqiptar, Hasan Prishtina? Ku dhe si u njoh me bashkëshorten amerikane Patricia? Le të ndjekim bisedën që zhvilluam me të që nga Oregon(Portland), pas largimit nga festa e 6 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

–         Ferki, Ju vizituat Shtëpinë e Federatës Vatra së bashku me bashkëshorten amerikane, Patricia. Si u ndjetë gjatë vizitës? Çfarë ju bëri përshtypje?

-Unë u lumturova kur vizitova VATREN e t’i tregoja bashkeshortes sime  Historinë dhe Kulturen Shqiptare. U ndjeva nostalgjik tek degjoja dhe shihja  heronjtë e së kaluarës. Aty dëshmohet historia shqiptare për më shumë se 100 vjet. Jam ndjerë tepër krenar tek e kam prekur atë histori. Ju falenderoj për mikpritjen tejet të  ngrohtë e të përzemërt. Ju së bashku me zv/kryetarin Asllan Bushati dhe kryetaren e degës së Washnigtonit, zonjën Merita, u treguat shumë të dashur me ne.

Morët pjesë, besoj për të parën herë në një manifestim shqiptarësh në përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Si u ndjetë ju? Çfarë ju bëri përshtypje? Po zonjës Patricia?

-Ishte shumë e rëndësishme që ne u bëmë pjesë e  festës,që organizoi Vatra. Në fytyrat e pjesmarërsve të shumtë pamë gëzim. Ishte kënaqësi që festuam së bashku këtë ditë të shënuar, pasi njerëzit tanë kanë paguar një çmim shumë të madh për këtë ditë-dhe ne duhet të punojmë së bashku për të mbrojtur të drejtën e pavarësisë dhe vazhdimësinë e saj. Ishte kënaqësi të takoheshim me të gjithë dhe ishte kënaqësi të ndaja me Patrician,gruan time muzikën dhe kulturën time shqiptare.Ajo u kënaq shumë.

    -Ju jetoni në Portland, ku nuk besoj se ka shqiptarë. Si hytë në lidhje me Vatrën?

–         Ne po bashkëpunojmë me Merita McCormack(që është e përfshirë me VATREN) për një projekt libri. Ajo na tregoi për festën e VATARES. Duke konsideruar që libri në fjalë është per historinë e familjes sime gjatë luftës në Kosovë, bashkëshortja ime dhe unë thamë” Hajde shkojmë edhe ne e  t’i bashkohemi festimit madhor”. Jemi shumë të ëgzuar që e morëm këtë vendim.Ishte një festim shumë i bukur. U kënaqëm shumë.

Cili ishte fati i familjes tuaj gjatë Luftës së Kosovës? Diçka më shumë për familjen tuaj? Kur dhe në ç’rrethana u larguat nga Kosova, ku shkuat? Si erdhët në SHBA?

–         Lagjia, ku ne jetonim, ishte epiqendra e luftës së viteve 1998-1999 dhe familja ime vuajti shumë gjatë asaj periudhe,veçanërisht në vitin 1999 kur familja, (prindrit, shtatë vëllezër e tre motra) u nda dhe shkuam në drejtime të ndryshme.Për pothuajse tre muaj ne nuk e dinim se kush ishte gjallë apo i vdekur. Ndërkohë që të gjithë patëm disa eksperienca të vështira gjatë luftës ne mbijetuam, përveç babës sonë, Isuf Veliu, i cili u vra së bashku me tre të afërm. Askush nga ne s’donte të largohej nga Kosova, por si mund të mbijetoje? Vendosa të shkoj në Itali, ku iu bashkova dy vëllezërve të mij dhe aty u njoha me Patrician, me të cilën pas dy vitesh, u martova.Tashmë ne jetojmë në SHBA

Lexuesit tanë janë kureshtarë për lidhjet tuaja me heroin Kombëtar Hasan Prishtina. A mund të na tregoni hollësi të këtyre lidhjeve. Pra çfarë ju lidh ju me heroin Hasan Prishtina, një nga burrat që kanë lënë gjurmë në historinë tonë Kombëtare? Ndërkohë kemi dëgjuar pretendentë në median e Kosovës për trashëgimtarë të  Hasan Prishtinës.Komenti juaj?

-Pas kaq shumë brezash,jam i sigurt se ka shumë  të afërm të Hasan Prishtinës, kështu që pyetja lind vevetiu, kush janë më të afërtit, kush vjen nga vendi i tij, kush ka lidhje gjaku me të, kush mban historinë e familjes, histori të treguara brez pas brezi. Po ju tregoj se Hakan Berisha  është i afërmi më i vjetër  i Hasan Prishtinës.I afërm që jeton, dhe ai është edhe mbajtësi i arkivit e historisë së familjes.Familja ime (Berisha-Veliqi-Veliu) jeton në tokën ku baba i Hasan Prishtinës Ahmet Ali Berisha u lind e ku stergjyshi i Hasanit, Abdullah Ali Veliu është varrosur. Këto tre mbiemra:Berisha, Veliqi-Veliu, Mangjolli janë një gjak. Toka ku familja ime ka shtëpinë e ku jetojmë sot është toka e parardhësve të  Hasan Prishtinës.Në fakt, pusi origjinal që përcaktonte tokat e tij, është në pronësinë tonë.

Ne i njohim mirë si gjakun  ashtu dhe brezat e Hasan Prishtinës. Po ashtu njohim mirë historitë e vërteta lidhur me Hasan Prishtinën. P.sh  si shkoi në një peligrinazh në  Shqipëri të gjente parardhesit e tij në Shkodër,ose sa vëllezër e motra ka pasë (ka pretendime fallso nga disa); ne njohim badigardët e tij dhe historitë e tyre. Ne bile  e dimë se cila ishte pija e tij më e preferuar. Unë nuk jam historian apo politikan, dhe shumëkush në Shqipëri, njeh më mirë historinë politike të tij, natyrisht më mire se unë,-unë thjesht njoh historitë famijare rreth këtij njeriu-Hasan Prishtina-dhe kam kënaqësi t’i tregoj për ata që kanë interes. Si i thonë në anët tona, unë jam ende “një zog i ri”, ende  jam duke mësuar bëmat e Hasan Prishtinës, por “zogjtë e vjetër” ama, ç’ka ma mësuan,ma mësuan shumë mirë.

–  Jeni duke shkruar një libër, a mund ta informoni lexuesin e gazetës Dielli rreth tij?

-Po, po shkruaj librin rreth familjes sime, që jetoi në  zonën historike të Skënderajt , epiqendra e Luftës në Kosovë në 1998-1999.Në kulmin e sulmeve në vitin 1999 ,për pothuajse tre muaj, ne anëtarët e familjes Veliu (tre ishin jashtë vendit dhe nëntë brenda tij)  ishim të paqartë se kush jetonte  e kush kishte vdekur, ishim të pasigurtë se ç’po ndodhte, tek përpiqeshim t’i shpëtonim zonave të luftës.Ky libër rregjistron ngjarjet e luftës së Kosovës përmes syve të shtatë vëllezërve dhe tre motrave, ku gjithësecili kaloi përmes disa eksperiencave vdekjeprurëse, i mbijetoi pas djegies(dy herë) të shtëpisë,përjetoi maskarat gjakatare ndaj të afermeve e komshinjve, kaosin masiv dhe konfuzionin e një periudhe para telefonave mobilë, dhe më keq, akoma ekzekutimin e patriarkut të familjes, mençuria e urtë e të cilit i ndihmoi të gjithë fëmijët të shpëtonin jetët e tyre. Eshtë historia e qëndresës së familjes sime përgjatë gjithë kësaj padrejtësie që tingellon a pakuptimtë dhe së fundi,me shpresë se ky libër do të frymëzojë të tjerët nëpër botë për shpirtin e pamposhtur të shqiptarit.

–  Kur keni qenë për të fundit herë në Kosovë? A e ka vizituar Kosovën zonja juaj?Me ç’mbresa është kthyer që andej?

-Po, ishim atje së bashku me Patrician vitin që kaloi. Shkuam që ta njihja Patrician me vendin tim, kulturën tonë, historinë e familjes sonë.Ajo donte ta shihte me sytë e saj vendin dhe historinë, tokën tonë.Vizituam shtëpinë e familjes, varrezat në Palac dhe i treguam asaj disa relike të mbetura nga Lufta, varrezat e lagjes, memorialet,vizituamTrepçën, fabrikën ku punoi dikur  im atë, por  që tashmë është mbyllyr dhe qëndruam tek ura e Mitrovicës. Ajo u surpizua tek shihte rojet e tanket e ndërkombëtarve aty, dhe u deshpërua akoma më shumë tek pa një vajzë të vogël tek kalonte pranë ushtarakëve. Ajo më tha mua:  “Asnjë fëmijë s’duhet të rritet kështu”!

Vizituam familjarët në Mitrovicë, pastaj morëm rrugën për në Shqipëri, të shihnim rrënjët e familjes, duke filluar me Kukësin për të vizituar varrin e Hasan Prishtinës, pastaj në Shkodër, nga ku familja jonë ka origjinën. Vizituam Tiranën, Durrësin, Shëngjinin,u kthyem në Kosovë pastaj shkuam në Maqedoni, ku ajo u ndje se kishte një energji krejt ndryshe. Patricia më pyeste dendur se pse  kaq luftë, pse kaq konfuzion me kufijtë, pse kaq sherre për token tonë, pse nuk janë lënë shqiptarët të qetë?

A e di si i thashë? Mendo me e nda një shtrat me tre kafshë: Majmunin (Malin e Zi), Gjarprin (Serbia) dhe Tigrin (Greqia) dhe se ne kurrë s’do kemi qetësi perderisa do kemi këto tre kafshë në shtrat.Ata kanë qenë armiqësor me shqiptarët.

Personalisht ajo u prek jashtë mase nga zemërgjeresia e njerëzve tanë, nga kultura e pasur, muzika dhe historia. Planifikojmë të shkojmë sërish, shpejt besoj.

Keni ndërmend të anëtarësoheni në Vatër?

-Absolutisht po! Jam i lumtur të mbështes përparimin e vendit tonë.Ku më mirë se tek Vatra e gjejë këtë mundësi?

Faleminderit për intervistën!

-Kënaqësia ishte imja.

Ne Foto: Ferki Veliu-Berisha dhe bashkeshortja amerikane Patricia gjate vizites ne Vater

Filed Under: Interviste Tagged With: dalip greca, ferki veliu berisha, Hasan Prishtina, Patricia

ILO OXA, ARTISTI QË NJËSON PIKTURËN ME DRITËN

March 3, 2014 by dgreca

Nga Dalip GRECA/

 Ilo OXA, piktori shqiptar, që erdhi nga Italia, në SHBA, është një artist që sfidon me penel mjeshtëror. Ai erdhi këtu me synimin për ta çuar përpara mjeshtërinë e pikturimit. Oxa vjen në SHBA me një përvojë të pasur, vjen me ekspozita të suksesshme të hapura në Shqipëri, Greqi dhe Itali. Po ashtu ai kishte dhe shkollën e pikturës në Bolzano. Edhe pse ka pak kohë në SHBA, e prezantoi vetën në një ekspozitë, që u prit mjaft mirë në Aleksandria. Oxa ndjehet krenar që studio në shkollën tradicionale shqiptare, ku studimi i klasikëve të piktures, i mësuan se  përtej mjeshtërisë akademike, artisti duhet të gjejë dritën e kohës së vet.  Dhe shumë shpejt piktura e tij u njësua me dritën. Të konstrukosh në dritë është një moment lumturie,-thotë  për Diellin Ilo OXA. Piktura e Oksës i ka të gjitha elementet fondamentalë të pikturës hiperrealiste.  Konstruktimi në dritë dhe pikturimi i ajrit pa prezencën narrative të figurës njerëzore janë karakteristikë e pikturës së tij. Kritikët Suzana Varvarica nga Shqipëria, Severino Perelda dhe Arnold Tribus nga Italia, në shkrimet e tyre dedikuar pikturës së tij kanë provuar se mjeshtëria e pikturës së Oksës është pa dyshim e një niveli shumë të lartë. Por ai kërkon përsosje mjeshtërore, prandaj ka menduar të vendoset në New York, ku takimi me mjeshtrat e hiperrealizmit këtu, piktura e tij synon që të hyjë në një fazë të re. Për t’u njohur më me detaje me rrugëtimin artistik të piktorit, në mjediset e redaksisë, zhvilluam bisedën e mëposhtme:

-Prej sa kohësh ndodheni në Nju Jork?

Ilo OXA– Kjo është pyetja më e lumtur që do të ëndërronte t’i përgjigjej një ditë çdo artist që jeton në Europë. Ndoshta nga  emocionet e ditëve për realizimin e pikturave të para, takimet dhe njohja me atashe të artit e kulturës shqiptare dhe asaj amerikane si dhe mundësia për të parë dhe studjuar në origjinal pikturat e mjeshtrave të hiperrealizmit.Por kur mendoj se kanë kaluar vetëm katër muaj më duket e pa besueshme.
– Kjo është e para herë që vizitoni Amerikën?
Ilo OXA
– Edhe pse ka kaluar plot një vit, 31 Janari i vitit të shkuar do të mbetet një nga ditët më të bukura të jetës sime. Edhe në ato dy javë  New York-u ishte i mbuluar me dëborë dhe bënte shumë ftohtë, ja si tani, shkurt 2014.Munda të shikoja shumë galeri arti dhe realizova me qindra foto me rrugët e mbushura me kujtime.

  I keni vizituar galeritë e Nju Jork-ut? Nëse do të bënit ndonjë krahasim me ato të Italisë, Evropës, ku është ndryshimi?

Ilo OXA– Kujtoj: New York 1 Shkurt 2013. Vizita ime e parë në një galeri arti këtu, do të regjistrohej në kujtesën time si një mrekulli. Frank Bernarducci,drejtori i galerisë më të madhe të hiperreaizmit në botë, më ftoi me kënaqësi në një takim pune për t’i treguar pikturat e mia. Kjo nuk ndodh në Itali dhe në Europë. Këtu galeristë dhe artistë janë bashkëpunëtorë në krijimin e historisë së re të artit. Në ditët në vazhdim kam parë dhe marrë pjesë në inagurime ekspozitash shumë të rëndësishme ku kam konstatuar një entuziazëm,që në Europë tashmë nuk ekziston.

Ju keni jetuar në Itali duke bërë jetën e një artisti emigrant. E patët të vështirë që të gjenit veten si artist?

Ilo OXA– Italia si vendi i Rilindjes Europjane ishte një ënderr që flinte te unë që kur isha në vitin e parë në lice. Studimi i mjeshtrave të Rilindjes Italiane si dhe njohja më vonë me hiperrealistin Luciano Ventrone më krijuan mundësinë që piktura ime të pëlqehej nga koleksionistët italianë. Sigurisht që vështirësitë krijuan te unë një sistem pune më të organizuar dhe orët e shumta në studio dhanë rezultatet e veta.
Çfarë do të veçonit nga jeta artistike e përvojës 22 vjeçare në Itali?

Ilo OXA– Kudo që të jem, s’do ta harroj kurrë zërin e ngrohtë të një zonje që sa herë që e takoja më thoshte: Ilo, piktura jote është e admiruar prej të gjithëve. Ishte një prej koleksionisteve të mi, që kur vinin në ekspozita nuk pyesnin për çmimin, por me shumë respekt më thonin që kjo pikturë është e imja. Sikur të gjitha pikturat e mia të kenë një fat të atillë, unë do të jem shumë i lumtur.

Ndërkohë ishit dhe piktor- pedagog, çfarë do të veçonit nga ajo përvojë?

Ilo OXA– Mos prisni që artdashësit dhe koleksionistët të konsiderojnë krijimet tuaja më seriozisht se vet serioziteti juaj. Ky ishte urimi im për nxënësit e mi. Harmonia e plotë e mendimit me punën shumë shpejt instaluan mes nesh një klimë bashkëbisedimi . Realizimi dinjitoz i punëve të studentëve krijoji atmosferën e një eventi të mirëpritur të çdo fundviti. Natyrisht, punët dhe kërkesa në rritje e cilësisë krijuese e nxënësve krijuan te unë kënaqësi dhe një kujtim të pa harrueshëm.

Keni pas mundësi t’i ekspozoni pikturat tuaja këtu, e kam fjalën në SHBA?

Ilo OXA- Po. Ekspozita ime e parë në Alexandria ishte një sukses i vërtetë. Të ftuarit e shumtë komentuan me entuziazëm nivelin e lartë të shtatë pikturave të ekspozuara në Mount Vernon-Lee Chamber of Commerce . Shumë prej të ftuarve shkruajtën edhe letra mbështetëse  për qëndrimin tim këtu në USA si e vetmja mundësi për të perfeksionuar dhe çuar përpara pikturën e bukur të hiperrealizmit. Ishte një moment shumë i rëndësishëm për jetën time.Të ftuarit e shumtë  si dhe prania e familjes Angjeli krijuan atë energji aq të bukur që e bëri atë mbrëmje të pa harruar. Përshtypjet dhe bisedat me ta më krjuan besimin se piktura ime shpejt do të jetë pjesë e jetës së tyre. Alexandria është një qytet shumë i bukur dhe mikëpritës. Ishin ditë shumë intensive . Vizitova disa galeri por ajo që vlen për tu përmendur është Princiole Galeri, ku në dhjetor në ekspozitën e dimrit, do të ekspozoj edhe unë!

– Si shkoi Ilo Oxa tek peneli. E kujtoni”krijesën” e parë tuajën? Po ekspozitën e parë?

Ilo OXA– Ekspozita ime e parë është një nga kujtimet më të bukura të jetës sime. Isha vetëm katërmbëdhjet vjeç dhe për sa mund të kujtoj  ishin vetëm dhjetë vizatime të ekspozuara në hollin e shkollës. Aty më propozuan që të konkuroja në liceun artistik. Pas pushimeve verore përgjigjia e fitores së konkursit për vazhdimin e studimeve ishte më shumë se një mrekulli.

Cili është rrugëtimi juaj artistik? Formimi?

Ilo OXA– Kujtoj realizimin e një perëndimi në kodrat e Tiranës. Ishte një akuarel shumë i bukur që u pëlqye shumë. Ishte një nga buzëmbrëmjet e shtatorit të parë në Liceun Artistik Jordan Misja që paralajmëroi fatin se e gjithë jeta ime do të ishte një udhëtim në kërkim të bukurisë.Pas mbarimit me sukses të Liceut fillovastudimet në Akademinë e Arteve. Katër vite të një pune intensive krijuan te unë mundësinë për të lexuar, kuptuar dhe vënien në jetë të eksperiencës më të mirë të pikturës botërore.Studimi i mjeshtrave si Vermer, Claudio Bravo dhe tani i Bertand Meinel kanë qenë për pikturën time një mrekulli.
– Ç’vënd zë tradita në pikturën tuaj?

Ilo OXA- E quaj veten me shumë fat që studjova tetë vite në Tiranë dhe nga ajo kohë jeta ime do të ishte një udhëtim në kërkim të bukurisë dhe mjeshtërisë artistike.Studimi i klasikëve të pikturës më mësuan se  përtej mjeshtërisë akademike artisti duhet të gjejë dritën e kohës së vet. Shumë shpejt piktura ime u njësua me dritën. Të konstrukosh në dritë është një moment lumturie.

 Ju kanë epitetuar si “një ndër piktorët më në zë të”Realizmit të Ri”. Si ndjeheni nën këtë përcaktim?

Ilo OXA- Piktura realiste, historikisht është vetë piktura. Artistët më të mirë të çdo shekulli kanë krijuar një traktat bukurie. Në kohën tonë piktura e realizmit të ri apo e quajtur ndryshe si hiperrealiste është vetëm një hap përpara e asaj që kam mësuar në vitet e shkollës. Ndjehem i lumtur të kem gjetur kohën time.

– A mund ta informoni lexuesin për vlerësimin e kritikës në Shqipëri apo dhe në Itali për pikturat tuaja?

Ilo OXA– Mendoj se piktura ime ka te gjitha elementet fondamentale të pikturës hiperrealiste. Konstruktimi në dritë dhe pikturimi i ajrit pa prezencën narrative të figurës njerëzore janë karakteristikë e pikturës sime. Kritikët Suzana Varvarica për Shqipërinë, Severino Perelda dhe Arnold Tribus për Italinë në shkrimet e tyre dedikuar pikturës sime provojnë se mjeshtëria e pikturës sime është pa dyshim e një niveli shumë të lartë. Aktualisht në sajë të konfrontit direkt me  mjeshtrat e hiperrealizmit këtu në New York piktura ime ka hyrë në një moment akoma më të bukur.

 Në cilat galeri keni ekspozuar?

Ilo OXA- Pas eksperiencës se ekspozitave në Shqipëri deri në vitet nëntëdhjetë ekspozita ime e parë jashtë ka qenë ajo e vitit 1992 në Athinë ku shkruajtën edhe gazetat Greke. Po atë vit kam ekspozuar në Jezi të Italisë, në galerinë “AREARTE” Senigalia dhe më vonë në prestigjozen ” L’Incontro ” Ancona dhe një vit më vonë në Arte Fiera Ancona në një kolektive. Pas 2010 me rritjen e nivelit tim artistik kam hapë ekspozita personale në Bolzano. Në tetor 2011 e para ekspozitë personale në Tiranë me titull ” Oltre la vita non sa aspettare ” që ishte një tjetër sukses.

Filed Under: Interviste, Kulture Tagged With: artisti, dalip greca, Ilo Oxa, pikturen me driten, qe njeson

VATRA FESTOI ME MADHËSHTI 6 VJETORIN E PAVARËSISË SË KOSOVËS

February 16, 2014 by dgreca

 Nga Dalip Greca/

 Të dielën në mesditë Federata Panshqiptare e Amerikës “VATRA” dhe bashkësia Shqiptare nisën festimet e 6 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Ishte një festë  madhështore e mbushur me emocione, ku kishin ardhur jo vetëm nga Nju Jorku dhe Nju Xhersi dhe Kënektikat fqinjë, por edhe nga Uashingtoni, Virxhinia, Portland (Oregon), Çikago, madje edhe nga Kosova e Tirana. Salla e dekoruar me flamuj amerikanë, shqiptarë dhe atë të Republikës së Kosovës, hijeshohej dhe me dy figurat Simbol të Kosovës, portertet e dr. Ibrahim Rugovës dhe e heroit kombëtar Adem Jashari. Festa përcillej tek moshat përmes pjesmarrjes masive të fëmijëve dhe të rinjëve. Ishte një festim familjar përmes një familjeje të madhe siç është Vatra 102 vjeçare.

Në festimin e Vatrës ishin të pranishëm edhe shumë mysafirë si: Z. Gilbert Galanxhi, Ambasador i Jashtëzakonshëm e Fuqiplotë i R.Sh. në Sh.B.A me bashkëshorten, zv/ Shefi i Misionit Shqiptar në Kombet e Bashkuara z. Petrika Jorgji me zonjën,Konsulli i Kosovës Korab Mushkola, Minister Keshilltar ne Ambasaden e Republikes se Kosoves ne Uashington, zoti Sami Kastrati,Konsullja e Republikes se Shqiperise ne Nju Jork, zonja Irena Dai. Mysafire nderi: Prof. Jusuf Buxhovi, Profesor Muharrem Digzhiu me bashkeshorten, Pinjolli i familjes se Hasan Prishtines, Ferki Veliu me bashkeshorten Patricia. Po ashtu kishte ardhë edhe kryetarja e degës së Vatrës në Washington znj. Mertia B McCormack me bashkëshortin John e fëmijët.

Takimin e ka hapur zëvendës /kryetari i Vatrës, z. Agim Rexhaj, i cili u uroi mirëseardhjen të pranishmëve, duke uruar: Ta Gëzojmë së bashku Pavarësinë e Kosovës! Duke iu drejtuar personaliteteve diplomatike dhe përfaqësuese, dhe të gjithë pjesmarrësve, z. Rexhaj tha: Në emër të Kryetarit të Vatrës Dr. Gjon Buçaj,në emër të Kryesisë dhe të  këshillit të përgjithshëm , në emër të gjitha degëve të Vatrës në ShBA dhe Kanada Ju përshëndes dhe ju uroj Gëzuar Gjashtë vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Në këtë përvjetor por edhe përvjetorë të tjerë do të kujtojmë me nderim të madh burrin mendjendritur të idealit shqiptar Presidentin historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, arkitektin e lirisë, demokracisë dhe të pavarësisë së Kosovës, njeriun e vizionit historik për Kosovën e popullin Shqiptar, njeriun dhe heroin e paqes, simbolin e pavarësisë së Kosovës.

Në këtë përvjetor të pavarësisë, tha Rexhaj, i kujtojmë me nderim të rënët e të gjithë brezave, që u sakrifikuan për Kosovën. Sot përkulemi para kujtimit të lavdishëm të flijimit sublim të komandantit legjendar, Adem Jashari dhe familjes së tij, duke kujtuar edhe komandantët legjendar Sali Çekaj, Agim Ramadani, Zahir Pajaziti, e të tjerët.

Mirënjohje dhe falenderim të gjithë Shqiptarëve kudo që janë që e ndihmuan Kosovën në ditët më të vështira, Shqiptarët në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë, Çamëri dhe diasporë.

Mirënjohjen e thellë dhe falenderimin e madh edhe botës demokratike, mikut tonë të madh dhe të përjetëshëm SHBA, NATO-s dhe gjithë miqve tanë të shtrenjtë anekënd botës që ndihmuan Kosovën në proceset e vështira e historike të çlirimit, të vendosjes së paqes dhe të ndërtimit të demokracisë e të rimëkëmbjes pas luftës shkatërruese.

Të falenderojmë dhe të përulemi me respekt para rolit dhe kontributit të madh të shqiptarëve të Amerikës.

Fjalimin përshëndetës, zv/kryetari i Vatrës e mbylli me urimin: Uroj që të kalojmë një pasdite të gëzueshme dhe me hare; edhe me më shumë vite të tjera së bashku, në harmoni, paqe e liri me shpresën se në një të ardhme jo të largët, degët e Shqipes do të bashkohen rreth trungut Kombëtar, dhe në vitet në vijim ta festojmë, së bashku me pavarësinë e Kosovës edhe bashkimin e kombit shqiptar !Më pas ai ka prezantuar moderatoren e veprimtarisë festive, zonjën Rafaela Prifti.

Festa ka vazhduar me përcjelljen e Himneve Kombëtare të SHBA-së, Himnit Shqiptar dhe të Kosovës, që u intepretuan nga këngëtarja e re Dea Elezaj e shoqëruar nga orkestra “Alba” nën drejtimin e mjeshtrit Edmond Xhani.

Lutjen fetare e ka bërë Imam Edin Gjoni, i Qendrës Islame Shqiptare në Quins. Lutja e Imam Edin Gjoni nisi urimin:Paqa dhe Bekimi i Zotit Qoftë me Ju!Ai uroi pjesmarrësit, përfaqësuesit e diplomacisë shqiptare, kryetarin e Vatrës dhe të gjithë vatranët.

Sot, tha Imam Edin Gjoni, është dita kur kujtojmë rezistencën e parreshtur, pothuajse një shekullore të popullit kosovar, popullit dardan, kundër regjimit zullumqar të Serbisë. Në kvtë ditë tha ai, kujtojmë guximin e atij grupi të rinjësh të cilët do ta themelonin Ushtrinë Çlirimtare të Kosoëvs, për të dalë vendosmërisht përpara atij pushtuesi gjakpirës dhe përballë me të, ndonëse më të dobët me qindra herë ushtarakisht, por me mijëra herë më të fortë moralisht, të gatshëm për të dhënë edhe jetëne vet, për atë copë të shtrenjtë dhe’u, që ishte dhe është i tyre, për të ruajtur dhe për të mbrojtur nderin dhe dinjitetin njerëzor dhe Kombëtar Shqiptar, për të folur lirshëm gjuhën e vet shqipe. Për të ecur vendit të vet pa u fyer, ofenduar, rrahur, madje vrarë: Për ta besuar dhe ndjekur lirshëm fenë e vet, pa u përqeshur me të, për ta mësuar pa çensurë Letërsinë dhe Historinë e vet dhe më në fund për të vendosur vetë për fatin e vet. Mbi të gjitha, tha Imam Gjoni, kjo është edhe dita ku pikërisht para gjashtë vitesh ëndrra shekullore realizohet në një ditë të ftohtë të shkurtit, në pergamentin 700 vjeçar, u vendosen firmat për të nënshkruar njëherë e përgjithmonë, ajo që quhet ”Deklarata e Pavarësisë së Kosovës’.

Imam Edin Gjoni do ta mbyllte lutjen e tij: Ja rris Lavdinë Zotit për këtë mirësi të paskajshme që na e dha Shqipërinë dhe Kosovën!

Lavdi dëshmorëve tanë me në krye Heroin Adem Jasharin! Qofshit nën prehjen e Zotit të mëshirshëm! Ia rris nderin të gjithë shteteve mike dhe aleatëve tanë, e sidomos një miku tonë të pahile, që na përkrahu në ditët më të vështira, kur ishte çështja”Të jeshë apo të mos jeshë”!, dhe akoma vazhdon që të na ndihmojë, atë me të cilët Zoti i madhërishëm, e lidhi fatin e të qenurit tonë dhe suksesit tonë, si Komb dhe si shtet, Kosovë e Shqipëri, e kam fjalën për këtë tokë të bekuar ku jetojmë, SHBA.

Zoti e bekoftë Kosovën dhe Shqipërinë! Zoti e bekoftë popullin shqiptar kudo ku jeton, Zoti I bekoftë ët gjitëh miqtë dhe aleatët tanë!

Zoti e bekoftë SHBA!

Urime Pavarësia e Kosovës!-përfundoi Imam Edin Gjoni, i përcjellë me duartrokitje.

z. Gilbert Galanxhi, Ambasador i Jashtëzakonshëm e Fuqiplotë i R.Sh. në Sh.B.A, përshëndetjen e tij e nisi me urimin: Kosovës sonë heroike ju bëftë dita njëmijë! Gëzuar ditëlindjen Kosovë! Bekuar qoftë liria e pavarësia! Bekuar qofshin shqiptarët kudo që jetojnë e punojnë!

Për mua, tha ambasador Galanxhi, ashtu si edhe për të gjithë ju, është emocionues fakti që sot festojmë përvjetorin e pavarësisë së Kosovës këtu tek “Vatra” e shqiptarëve, tek foleja e dallëndyshes së parë shqiptare që paralajmëroi ardhjen e pranverës së lirisë e të bashkimit të kombit, tek “Vatra” e Fan Nolit dhe Faik Konicës, e Kristo Floqit dhe Llambi Chikozit, e Elia Tromarës dhe Naum Çeres, e Kosta Kottës dhe e shumë e shumë patriotëve të tjerë, që të vendosur për bashkim e veprim kombëtar, për shpëtimin e Atdheut, themeluan në 28 prill 1912 këtë fole patriotike që ka mbajtur, mban e do të mbajë gjallë shpirtin patriotik kombëtar shqiptar.

Gjashtë vjet më parë, tah ambasador Galanxhi, dëshira shekullore e pothuajse gjysmës së kombit shqiptar u bë realitet falë heroizmit të luftëtarëve të lirisë, që shtuan në Flamurin tonë kombëtar edhe gjakun e tyre, për ta bërë këtë flamur akoma më të bukur, akoma më krenar, akoma më të pavdekshëm. Përjetë i nderuar dhe i paharruar qoftë kujtimi i martirëve të Kosovës heroike!

Gjashtë vjet më parë, shteti më i ri i Europës nisi rrugëtimin e tij demokratik plot energji e besim, pasi këtë herë në timon kishin Prishtinën që i drejtoi drejt Brukselit, drejt Washingtonit, drejt botës së lirë dhe demokratike. Dhe sot, vetëm gjashtë vjet më vonë, shtetin e ri të Kosovës e kanë njohur më shumë se gjysma e shteteve të botës; dhe ajo që është më e rëndësishme është se e kanë njohur dhe mbështesin miqtë më të mirë të Kombit Shqiptar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës – Thank You U.S.A.! e kanë njohur dhe mbështesin shtetet demokratike më të rëndësishme të globit e të Bashkimit Europian, që dita-ditës po i hapin portat e mirëseardhjes e bashkëpunimit – Faleminderit të gjitha demokracive perëndimore dhe shteteve mike të Kosovës!

Embëlsira gjithmonë lihet për në fund – dhe ajo i takon Diasporës së kombit shqiptar këtu në Amerikë, që me përkushtim e patriotizëm të pashoq ka punuar e luftuar çdo minutë e çdo ditë, çdo çast e çdo vit për të ardhur kjo ditë e bekuar – dita e lirisë – që sot po festojmë. Bekuar qofshi Ju dhe para-ardhësit Tuaj fisnikë, trima e të mençur, që bënë dhe vazhdoni të bëni mrekullinë, bënë dhe bëni që Amerika da dojë Shqiptarinë.

Le ta gëzojmë këtë ditë, por të mos harrojmë se kemi akoma punë për të bërë në dobi të Kombit e Mëmëdheut.

Por, për një gjë jemi të bindur: “Ditë të mira paskëtaj vijnë; Lum kush të rrojë, ta shohë Zonjë!”

Edhe një herë: Gëzuar Pavarësinë Kosovë! , përfundoi përshëndetjen e vet ambasador Galanxhi.

Mysafiri nga Kosova Prof. Jusuf Buxhovi, autor i librit enciklopedik ”Kosova, nga Konferenca e Londrës deri tek Protektorati Ndërkombëtar” i sapo botuar ehde në gjuhën angleze, u prit me duartrokitje. Ai përcolli mesazhin e shqetësimit intelektual për gjendjen reale të Kosovës dhe rrezikun që vjen nga shmangia e intelektualëve. Ai kujtoi se ishin intelektualët ata që në hyrje të vitit ’90 me në krye presidentin historik dr. Ibrahim Rugova erdhën në Uashington dhe paraqitën kauzën e lirisë të Kosovës së robëruar. Po ku janë sot intelektualët? Ç’po ndodh sot me Kosovën, ku ushtrusja e genocidit ndaj saj, po anëtarësohet në BE? A mund të ngrihet ndonjë kurth në udhëtimin e vështirë të Kosovës, ku pavarësia të vihet në rrezik? Ai kërkoi kontributin e Shqiptarëve të Amerikës, për t’i bërë apel Amerikës, aletatit tonë besnik, që të mos rrezikohet projekti i Kosvës së lirë, që ka për arkitekt SHBA.
Nga fundi i viteve të tetëdhjeta, tha Prof. Buxhovi, kur lëvizja jonë kombëtare e drejtuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, nën moton për liri, demokraci dhe barazi nisi procesin e pandalshëm historik të shkëputjes nga pushtimi serb dhe të rrënimit të ideologjisë komuniste, ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat jo vetëm që inspiruan këtë proces historik, por u vunë në mbrojtje të tij, duke garantuar edhe sukesin e tij, po qe se shqiptarët do të silleshin në përputhje me parimet e qytetërimit perëndimor dhe të përkatësisë ndaj tij. Koha tregoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbajtën premtimin, gjë që për ta nxjerrur Kosovën nga pushtimi i gjatë serb, krahas diplomacisë, e cila nganjëherë dukej se lëshonte pe ndaj Beogradit, përdorën edhe ultima ration, siç ndodhi gjatë fushatës ajrore të mars-qershorit të vitit 1999. Shtet e Bashkuara të Amerikës, po ashtu, ishin ato që i dhanë fund gjendjes së protektoratit ndërkombëtar, duke u vu në anën e pavarësisë së Kosovës, e cila do të shpallet më 17 shkurt të viti 2008.
Por, siç po shihet, në përvjetorin e gjashtë të pavarësisë, Kosova më shumë se kurrë ka nevojë për ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të aleatit të madh, për të parandaluar procesin e degradimit të sovraniteti të saj shtetëror, që ka filluar nën trysninë e vendeve evropiane, të cilat, në emër të gjoja parimeve europiane të mbrojtjes së të drejtave të pakicave, në Kosovë,, gjithnjë e më shumë po e involvojnë interesin e Serbisë! Ky zhvillim i dëmshëm, që si po shihet, mund të prodhojë realitete të tilla politike, që mund të çojnë te ndarja e Kosovës sipas kutit serb, jo vetëm që nuk do të jetë në përputhje me të ashtuquajturën politikë të integrimeve evropiane, por për të kundërtën, ngaqë degradimi i mëtutjeshëm i sovranitetit shtetëror të Kosovës, do të çojë te kthimi i Serbisë në një faktor rajonal, pa marrë parasysh se ajo, deri më dje prodhoi luftra dhe gjenocide. Po ashtu, degradimi i sovranitet shtetëror të Kosovës në dobi të Serbisë, nuk mund të jetë as në interesin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës,të cilat, janë angzhuar aq shumë për lirine dhe pavarësinë e Kosovës.
Andaj, është koha e fundit që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të ndërhyjnë që të mos lejojnë të persëritet historia tragjike, të cilës shqiptarët u kanë paguar çmim të madh.

Kanë përcjellë përshëndetjet e tyre Konsulli i Kosovës Korab Mushkola, zv/ Shefi i Misionit Shqiptar në Kombet e Bashkuara Petrika Jorgji dhe ansambelisti i shtetit të Nju Jorkut, Mark Gjonaj.

Të pranishmit u argëtuan nga Gëzim Nika, Mithat Saliu(Kino), Kleopatra Skarço- Dokle dhe orkestra “Alba” nën drejtimin e mjeshtrit Edmon Xhani. Poeti Ilir Spata recioti një  poezi të  tij kushtuar dëshmorëve të Kombit.

 

 

 

 

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: dalip greca, festuan 6 vjetorin e pavaresise, vatar dhe bashkesia shqiptare

I AFËRMI I HASAN PRISHTINËS ME BASHKËSHORTEN AMERIKANE VIZITUAN VATRËN

February 15, 2014 by dgreca

Të shtunën me 15 Shkurt 2014, Ferki Veliu Berisha, i lindur në Kosovë, me bashkëshorten e tij amerikane, Patricia, me banim në Portland, Orgeon, të shoqëruan nga kryetarja e degës së Vatrës në Washington D.C, Zonja Merita B McCormack, vizituan Shtëpinë e Vatrës. Ata u pritën nga zv/ kryetari i Vatrës, z. Asllan Bushati dhe editori i Diellit, Dalip Greca.

Z. Bushati u uroi mirëseardhjen mysafirëve dhe u prezantoi historinë 102 vjecare të Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA”. Ai u ndal në momentet historike kryesore të Vatrës, krijimin e saj 7 muaj para se të shpallej Pavarësia e Shtetit Shqiptar, roli i saj i jashtzakonshëm gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore dhe pas saj, ku luajti rolin e shtetit të munguar, mbulimi i shërbimit diplomatik në Evropë dhe ShBA me shpenzimet e Vatrës,fushatat e madhe e Vatrës” Për Shpëtimin e Shqipërisë” me 3 qershor 1917, Lufat e Vatrës në Konferencën e Parisit, organizimin e një huaje Kombëtare në ndihmë të shtetit shqiptar në vitet 1920-23, dërgimi i Bandës muzikore të Vatrës në Shqipëri, dërgimi i Trupave vullnetare në përbërje të të cilëve ishin djemtë e vatranëve, kontributi i tyre në mbrojtjen e kufijëve jugorë si dhe pjesmarrja në Luftën e Vlorës e Bandës së Vatrës dhe Trupat vullnetare.

Z. Bushati i njohu mysafirët edhe me zhvillimet fundit në Vatër, qëndrimet e saj për cështjen kombëtare, zhvillimet demokratike në vendlindje, mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Ballkan, bashkimin Kombëtar në rrugë paqësore nën Bashkimin Europian etj.

Mysafirët bënë pyetje rreth Vatrës, të djeshmes dhe të ardhmes së saj.

Editori i Diellit prezantoi shkurtimisht historinë e Gazetës më të vjetër të Botës Shqiptare, që është ende në botim, në print dhe online, Diellit, që pikërisht, në ditën e sotme, 15 shkurt mbush 105 vjec. Mysafirët vizituan edhe ekspozitën e rrugëtimit 102 vjecar të Vatrës, bënë fotografi në mjediset e saj, morën foto nga objektet fotografike të ekspozuara etj.

Ferki Veliu Berisha tregoi shkurtazi jetën e tij, familjen, e cila ka lidhje gjaku me familjen e Hasan Prishtinës, ai tregoi edhe për projektin e librit për historinë e familjes që mendon ta botojë gjatë këtij viti.

Nesër, me 16 shkurt, ata do të ejnë pjesë e festimit të 6 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, organizuar nga Vatra dhe Bashkësia shqiptare. Ferki sjell edhe mesazhin e 83 vjecarit Hakan berisha, kusheri i Hasan Prishtines.

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: asllan Bushati, bashkeshorte, dalip greca, ferki veliu berisha, I afermi i hasan Prishtines, Merita B McCormack, Patricia

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 111
  • 112
  • 113
  • 114
  • 115
  • …
  • 135
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT