• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

U MBLODH KOMISIONI I ORGANIZIMIT TË PROTESTËS KUNDËR KRYEPESHKOPIT JANULLATOS

January 26, 2014 by dgreca

 Nga Dalip GRECA/

New York, 26 Janar 2014. 

Të shtunën me 26 Janar 2014, në mbrëmje në mjediset e Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA në Bronx.Takimin e ka drejtuar presidenti i shoqatës rinore shqiptaro-amerikane ”Rrënjët Shqiptare”, Marko Kepi. Gjatë takimit u diskutuan modalitetet e protestës, parullat  në pankarta, argumentet se përse bëhet kjo protestë, pyetjet që mund t’i bëhen nëse realizohej një takim me Kryepeshkopin etj. Në takim, pasi kishte një orë që kishin filluar diskutimet, erdhi  me dëshirën e tij, një nga mbështetësit e Hirësisë së Tij Janullatos z. L Fundos. Ai kërkoi mirëkuptim dhe u tregoi organizatorëve se Fortlumturia e tij ka bërë shumë për Kishën shqiptare, e  ngriti atë prej rrënimit të diktaturës, u tregoi se ai ka ndërtuar shumë kisha të reja dhe ka rinovuar të tjerat, se ai nuk e ka cënuar Autoqefalinë e Kishës Orthodokse Shqiptare, se nuk është antishqiptar etj etj. Z. Fundos u propozoi një takim organizatorëve me Kryepeshkopin para se të organizohet protesta, pra të Hënën, pas marrjes se lejes nga Policia,( për lejen ofroi ndihmën e tij ish kongresisti Republikan, Presidenti vullnetar i Liges Shqiptaro-Amerikane Joe DioGuardi).

Vatra gjykoi se ky takim nuk zgjidh problemin, për arsyen e thjeshtë se Janullatos do të mbrojë pikëpamjet e veta dhe komuniteti ka qëndrimet e veta në favor të Kishës Autoqefale, vepër e patriotëve shqiptarë ortodoksë.

Në thelb të protestës ishte kundërshtimi i komunitetit shqiptar të Amerikës ndaj Kryepeshkopit grek të Shqipërisë, Anastas Janullatos, i cili në kundërshtim me Statusin e Kishës Autoqefale të Shqipërisë e ka uzurpuar atë. Për organizatorët Janullatos ka punuar për helenizimin e Kishës Autoqefale dhe në kundërshtim me nderimin, që i bëhet në Fordham University, nuk i ka shërbyer afrimit të dy popujve, përkundrazi. Ai ishte kundër intervenimit të NATOS në Kosovë gjatë gjenocidit Serb( për sqarim të lexuesit: Janullatos ka dalë publikisht kundër ndërhyrjes ushtarake/ humanitare të NATO-s për shpëtimin e popullsisë së Kosovës nga gjenocidi dhe spastrimi etnik serb,- edhe pse propoganduesit e tij kanë shkruar edhe në shtypin amerikan se ai udhëhoqi fushatën e ndihmave për kosovarët që erdhën në Shqipëri gjatë spastrimit etnik të Millosheviçit), se ai e injoron dhe nuk e njeh çështjen çame, në kundërshtim me klerikët e besimeve të tjera- nuk pranoi të ngrejë meshë për viktimat e genocidit grek kundër çamëve (e thënë shqip: ka refuzuar që të bashkohet me krerët shqiptarë të besimeve të tjera në lutje për shpirtrat e viktimave çame të gjenocidit grek), shpesh është parë më ultranacionalistë grekë që kanë ardhur në Shqipëri(shtypi i Tiranes), duke dhënë shenja se është për Vorio-Epirin. Po ashtu ai duke sponsorizuar ndërtimin e Kishave ortodokse i ka larguar ato nga trashëgimia e Kishës tradicionale Ortodokse Shqiptare, duke sjellë arkitektuarë bizantine dhe ikonografi helene. Mjafton krahasimi i dy kishave ortodokse të sotme në Korçë me fotografitë e ndërtesave të para viteve 1967, dhe shihet ndryshimi. Po ashtu meshimi në shumicë në gjuhën greke, përbën një tjetër shqetësim të komunitetit shqiptar. Injorimi i figurës së arkitetktit të Kishës Autoqefale Shqiptare, Imzot Nolit është një tjetër pakënaqësi që komuniteti shqiptar i Amerikës ka ndaj Janullatosit.

LETRAT PUBLIKE PËR PRESIDENTIN JOSEPH McSHANE

Shqiptarët e këtushëm paralajmëruan mospajtim me vendimin e Universitetit për ta nderuar kreun grek të Kishës Shqiptare me një titull honorifik. Të parët që paralajmëruan protestë kanë qenë anëtarët e organizatës rinore “Rrënjët Shqiptare”, të cilët i kanë dërguar edhe një letër të hapur z. Joseph McShane, S.J., Presidentit të Universitetit Fordham (Shih në faqen 7). Përmes Letrës publike , Rrënjët Shqiptare, kanë shprehë pakënaqësinë e komunitetit shqiptar dhe shfaqin habinë se si universiteti ka rezervuar çmimin e lartë për një njeri që nuk i shërben paqes dhe harmonisë, përkundrazi ai nën postin e lartë të kryepeshkopit i ka shërbyer helenizimit të Shqipërisë dhe veçanërisht asaj të Jugut, duke punuar nën rrogoz për Vorio-Epirin. Sipas letërshkruesëve, ai meshon në gjuhën greke duke diskrimuar gjuhën shqipe.Sipas Rrënjëve Shqiptare, kreu grek i KishësOrtodokse  Shqiptare nuk ka bërë asgjë për të afruar marrdhëniet vëllazërore mes Shqipërisë dhe Greqisë, përkundrazi dy vendet duket se janë më larg se kurrë,- ku si mur ndarës qëndron hija e Ligjit famkeq të Luftës, që nuk është aministuar nga parlamenti Grek. Asnjë kontribut nuk ka dhënë në këtë drejtim Hirësia e tij, që ka mbrojtjen, përkrahjen e Kishës dhe Qeverisë Greke. Më pas në letrën e Albanian Roots tregohen detaje nga gjenocidi i ushtruar nga shteti grek ndaj çamëve, të cilët edhe pse dikur ishin shtetas grek, janë të zhveshur nga e drejta e pronës dhe e kthimit në shtëpitë e tyre, ku kanë varret e prindërve, gjyshërve, dhe Janullatos nuk e njeh këtë gjenocid.Të rinjët shqiptarë në letrën e  tyre e cilësojnë kryepeshkopin grek të Shqipërisë një ”Kalë Troje”.

Edhe studentët shqiptarë që studiojnë në Fordham University, dhe ata që kanë studiuar atje, kanë reaguar përmes një letre që i dërguan presidentit të këtij universiteti,  z. Joseph McShane, S.J(Shih Dielli online). Studentët me prejardhje shqiptare të këtij universiteti shkruajnë se përfaqësojnë katër besime fetare kryesore në Shqipëri; katolik, Kristian ortodoks, sunitë dhe shiitë, dhe janë për marrdhënie miqësie mes dy popujve të lashtë të Ballkanit, shqiptarëve dhe grekëve. Por, siç shprehen ata, Kryepeshkopi Janullatos, nuk mëshiron vlerat më të çmuara të Shqipërisë, sidomos harmoninë ndërfetare.

Ata rëndisin një sërë faktesh që tregojnë se në misionin e tij në Shqipëri, Kryeposhkopi, po e largon Kishën Ortodokse Shqiptare nga të qënurit Autoqefale, e pavarur dhe po e orienton drejt armikes së saj shekullore, Kishës Greke.

Edhe Federata panshqiptare e Amerikës VATRA, është pozicionuar në kundërshtim të hapur me Kryepeshkopin me origjinë e kombësi greke, Anastas Janullatos. Ky pozicion i Vatrës buron nga Shkelja e Statutit të Kishës Autoqefale Shqiptare, miratuar nga Kongresi i Beratit , që zhvilloi punimet nga 10 deri më 19 shtator 1922, Kongres që njihet për shpalljen e Autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare. Pikërisht në nenin 16 të Statutit të miratuar më 1929, është sanksionuar kërkesa themelore, ku udhëheqësi i Kishës duhet të jetë , prej gjaku, gjuhe, kombësie dhe nënshtetësie- shqiptare”. Ky statut ka marrë edhe miratimin e Patriarkanës së Stambollit më 1937(Në ballafaqimin e dytë Mitropoliti Pelushi e quajti gjë të vjetër Statutin) . Pikërisht kjo kërkesë është shkelur nga Janullatos dhe prej atyre që e sollën atë në fron, duke shkelur mbi gjakun e prelatëve të Kishës Ortodokse Shqiptare të masakruar nga Kisha Ortodokse Greke. Vatra që në krye të ardhjes së Janullatosit ka qenë kundër dhe e ka shprehur publikisht mospajtimin e saj. Madje edhe 13 vite të shkuara ishte Vatra ajo që organizoi një protestë të ashpër ndaj dekorimit të Janullatosit në New York. Protesta u organizuar me 17 shkurt 2001 përballë Hotelit Hilton. Me parulla të hapura” Janullatos, uzurpator i Kishës Autoqefale shqiptare”, “primat i kishës shqiptar duhet të jetë me gjuhë e gjak Shqiptar”, “Janullatos go Home”!- u shoqërua banketi i shtruar për Janullatosin në Hilton Hotel, ku ishin të pranishëm edhe drejtuesit e Kishës shqiptare të Amerikës, që ngritën dolli me Hirësinë!Vatra ka kritika të ashpra ndaj mohimit të rolit të Fan S Nolit në krijimin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Hirësia e Tij e ka injoruar Nolin, simbolin e Kishës Autoqefale.

 

 

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: dalip greca, i proteste, Janullatos, U mblodh Komisioni

KONITZA në Nju Jork Tajmes: NUK MBULOHESHIN TË GJITHA GRATË NË SHQIPËRI

January 18, 2014 by dgreca

Faik Konica në “The New York Times”: Gratë në fshatrat e Shqipërisë nuk kanë dalë kurrë të mbuluara. Vetëm në qytete, ku në kohën e sundimit turk kish forca ushtarësh të vendosur, mbuloheshin gratë me qëllim për të shpëtuar nga syt’ e ushtarëve që mund t’u bijin në qafë…. Në Shkodër e Elbasan edhe gra katolike e ortodokse e mbajnë mbulesën e faqes…/

Ka ndodhë shpesh që të debatohet për mbulimin e femrave në Shqipëri, duke pretetenduar se kjo ka qenë traditë gjithëshqiptare, vecanërisht për fenë muslimane. Nuk pretendoj që do t’i shtoj gjë atij debati, madje e kam shmangur në gazetën Dielli dhe nuk i kam botuar shkrimet e derguara, vecanarisht ato të fanatikëve, që duan me cdo kusht, në emër të lirisë fetare, kthimin masiv të mblesës për gratë muslimane, – thjeshtë desha të sjell në origjinal reagimin e Faik Konicës ndaj gazetës prestigjioze The New York Times Times.Ishte koha kur shtypi amerikan i furnizuar nga ai ballkanik, por edhe nga korrespondentët e atjeshëm, po shkruanin për Shqipërinë si për një vend musliman fanatik. Kjo pas kryengritjes që pat ndodhë në qarkun e Gjirokastrës. Në fakt ai që u cilësua rebelim iu atribua jugorëve, por bashkë me Ethem Toton, kishte dhe ushtarakë veriorë, dy prej të cilëve u zunë të gjallë, kapitenin Ismail Gjylbegu dhe Gegë Marka Gega. Gjithësesi nuk është kryengritja objekt i këtyre radhëve, por mbulesa e grave.Shkaku i shtimit te shkrimeve kunder Shqiperise, ishte pikerisht plasja e rebelimit dhe shtypi iu lëshua Shqipërisë me të gjitha bateritë…

Në gazetën Dielli të 7 qershorit 1937, në faqen e parë, në kolonën  e mesit, botohej reagimi i Konicisë nën titullin e shkruar me shkronja kapitale: ” NUK MBULOHEN TË GJITHA GRATË”!

Editori i atëhershëm i Diellit, Nelo Drizari, shkruan në hyrje të shkrimit:”Me titullin e sipërm, Ministri i Mbretërisë Shqiptare në Washington, Faik Konitza, i shkroi një letër gazetës The New York Times në lidhje me lajmet e shtrembëruara në një pjesë të madhe të shtypit amerikan.Nga letra, botuar me 24 të muajit maj, Dielli boton pjesën e mëposhtme, shkruante Drizari:

“Munt t’ju përhiroj për kryeartikullin mi Shqipërinë? Ay që e shkruan e kupton mirë ndodhjen e vendit. Vetëm dua të bëj një përjashtim mi një pike, shkruante Faiku.

“Gratë në fshatrat e Shqipërisë nuk kanë dalë kurrë të mbuluara. Vetëm në qytete, ku në kohën e sundimit turk kish forca ushtarësh të vendosura, mbuloheshin gratë me qëllim për të shpëtuar nga syt’ e ushtarëve që mund t’u bijin në qafë….Në disa vende, si Shkodra, Elbasani, edhe gratë katolike edhe ortodokse e mbajnë mbulesën e faqes, dhe meqë e kishin bërë zakon, kjo modë arriu gjer aty’ shpejti. Munt të themi se vetëm nja 10 për qint nga gratë e Shqipërisë e kanë mbajtur mbulesën e faqes.

Me që bie fjala, i vjen njeriut për të qeshur me disa gazeta, kur këndon në faqet e tyre se gjoja shqiptarët janë “Muhamedanë fanatikë”, kurse mbajmë ment që në syt’ e Turqisë, shqiptarët ishin atheistë, të cilët kurdoherë edhe talleshin me fenë!

“Vëndi ku plasi Lëvizja kryengritëse”, vazhdon Ministri Konitza, “janë nga viset më të përparuara të Shqipërisë. Njeriu në krye të kësaj lëvizjeje qe Et’hem Totua, i cili, mjaft i mencur, nuk tregoi as gjykim as dashuri-vendi në këtë rast.”, përfundon Konitza.

Komenti është i tepërt…(d Greca)

Filed Under: Featured, Kulture Tagged With: dalip greca, Faik Konica, Grate nuk mbuloheshin, te gjitha

EDUARD NDREU VIZITOI SHTEPINE E VATRES

January 16, 2014 by dgreca

Të mërkurën në mbrëmje me 15 Janar 2014, Eduard Ndreu, njëri prej pinjollëve të familjes nacionaliste Ndreu, i lindur në kampet e internimit të diktaturës komuniste, me profesion inxhinier, për 8 vjet drejtor i portit të Durrësit, vizitoi Shtëpiën e Federatës Vatra në Bronx. Z. Ndreu, ishte i shoqëruar nga anëtari i këshillit të Vatrës, Cezar Ndreu.

Z. Eduard Ndreu, nip i vatranit të kahershëm, për rreth 30 vjet anëtar i Këshillit të Vatrës, z. Jonuz Ndreu,  u prit nga kryesia e Vatrës. Atij ia uroi mirëseradhjen zv/kryetari i Federatës panshqiptare të Amerikës ”Vatra” z. Agim Rexhaj. Ndërsa zv/Kryetari Asllan Bushati, i prezantoi mysafirit shkurtazi veprimtarinë dhe historinë e 101 vjecare të Vatrës si dhe qëndrimet e sja për cështjet Kombëtare dhe aktivitetin e tanishëm.Në takim ishin të pranishëm edhe : Marjan Cubi, Mithat Gashi, Zef Balaj dhe Zef Përndocaj dhe editori I Diellit, Dalip Greca.

Mysafiri, tha se ishte kënaqësi për të që ndodhej për herë të parë në Shtëpinë e Vatrës, Federatës, që ka bërë vepra të mëdha për Kombin. Kjo shtëpi , tha ai, është e mbushur me histori kombëtare e kontribute kombëtare. Më pas ai foli për zhvillimet politike dhe ekonomike në Shqipëri, për marrdhëniet pozitë-opozitë, për premtimet e bujshme dhe të pambajtura të qeverisë, për marshimin e krimit të organizuar, për mosmarrjen e statusit ët Kandidatit për në BE të Shqipërisë, për emergjencën e reformimit dhe organizimit të Partisë Demokratike, për organizimin e polit të së djathtës dhe përsosjen e demokracisë shqiptare etj.

Më pas, mysafiri Ndreu vizitoi ekspozitën e rrugës 101 vjecare të Vatrës, ku editori i Diellit e njohu atë me momentet kyce të historisë së Vatrës, nga mbledhjet themeluese, komisioni themelues, delegatët, aksionet e para kombëtare, fushata për shpëtimin e Shqipërisë e 3 qershorit 1917, ku u mblodhën 150 mijë dollarë nga Vatra, dërgimi i vullnetarëve të Vatrës dhe Bandës së saj muzikore në Shqipëri më 1920, fushata e Huasë Kombëtare e viteve 1921-23, Ku Vatra mblodhi 197 mijë dollar për të ndihmuar Qeverinë e dalë nga Kongresi i Lushnjës, dërgimi i më shumëse 200 mije librave për shkollat në Shqipëri, fushata për  të ndihmuar Komunitetin cam, të shpërnguliur dhunshëm nga trojet e vendlindjes pas gjenocidit të udhëhequr nga Zerva, fushata për Luftën në Kosovë qershor 1998, e deri tek fushata e viteve 2010-2011 për të ndihmuar të përmbyturit e Shkodrës.

Më pas për nder të mysafirit u shtrua një darkë në restorantin”Giovani’s” pronë  e bashkatdhetarit Gjergj Dedvukaj.

 

Filed Under: Komente Tagged With: dalip greca, Eduard Ndreu, Shtepine e Vatres, vizitoi

PËRKUJTOHET ME NDERIM ABAZ KUPI NË NEW YORK

January 12, 2014 by dgreca

Nga Dalip Greca/

Të shtunën me 11 Janar në  Kew Gardens, Queens, New York,  anëtarët e Partisë “Lëvizja e Legalitetit”, familja Kupi dhe miqtë e saj, përfaqësues të  shoqatave të komunitetit, si çdo vit, përkujtuan ditëndarjen nga jeta të Gjeneral Abaz Kupit. Veprimtaria përkujtimore nisi me një takim përkujtimor në një nga ndërtesat që ndodhet në  Maple Grove Cemetery, ne Kew Gardens. Salla për shërbime publike ishte e dekoruar me flamurin shqiptar dhe atë amerikan, portretin e heroit të 7 prillit, Gjeneral Abaz Kupi, i rrethuar nga kurora me lule shumëngjyrëshe.

Ndërsa pjesmarrësit takohen me njëri-tjetrin, pijnë kafe apo pije, më tërheq vëmendjen një voglëush, që ledhaton portretin e heroit. Ai është Abaz Kupi i ri,i  lindur në Nju Jork, i biri i djalit të Fatbardh Kupit. Kur i kërkoj vogëlushit që të qëndrojë për një fotografi aty pranë stërgjyshit hero, ai qëndron dhe pozon serioz, ndoshta pa e kuptuar ende se është para heroit antifashist, të cilit i trashëgon emrin. Veçse qëndrimi pranë portretit, përkëdhelja e tij, dhe vetëdija e vendosjes së luleve tek varri, janë shenja se gjyshi Bardhi dhe Gjyshja Liri, si dhe prindërit e tij, ia kanë spjeguar historinë e emrit që mbanë. Kësisoj përcillet historia tek brezat…

Takimin përkujtimor e ka hapur numri dy i Partisë Lëvizja e Legalitetit, dega e Amerikës, z. Ahmet Hoti, i cili u ka uruar mirëseradhjen pjesmarrësve dhe ka falenderuar familjen Kupi. Ai ka ftuar të pranishmit që të përcjellin së bashku Hymnet Kombëtare të Amerikës dhe Hymnin Kombëtar Shqiptar.

Me një minut heshtje është nderuar heroi i 7 prillit, Gjeneral Abaz Kupi. Më pas z. Hoti ka prezantuar folësin e takimit përkujtimor, z. Isuf Kurti.

GJENERAL ABAZ KUPI E KREU ME NDER DETYRËN NDAJ ATDHEUT

Përfaqësuesi i brezitë të ri të legalistëve, z.Isuf  Kurti, evokoi jetën e heroit të 7 prillit 1939, duke u ndalur në momentet kyçe të jetës së tij. Është normale, tha ai, që çdo njeri që e don Atdheun dhe Kombin e vet, bën sakrifica në momentin që i kërkohet, pa pritur urdhër. Kështu dhe  Gjeneral Abaz Kupi e udhëhoqi sulmin kundër pabesisë fashiste në të premten e zezë të 7 prillit, i prirur nga shpirti dhe vetëdija Kombëtare. Si një ushtarak dhe besnik i Mbretit Zog, heroi u gjet në vendin e duhur dhe kohën e duhur.Ai dhe forcat e organizuara prej tij e zmbrapsën ushtrinë Italiane në det për dy herë rresht.

Jeta e Abaz Kupit dhe kontributi i tij lidhen me çaste kulmore të historisë së Shqipërisë. Pas shpalljes së Pavarësisë me 28 nëntor 1912 në Vlorë, e deri në janar të vitit 1920, vendi kaloi çaste të vështira. Direkt pas Kongresit të Lushnjës dhe vendosjes së kontrollit mbi të gjithë territorin nga qeveria e dalë prej Kongresit historik,  për të parën herë në historinë e saj, Shqipëria njihet nga Lidhja e Kombeve. Folësi u ndal në konferencën e Paqes në Paris, ku dihet kontributi madhor i shqiptarëve të Amerikës, konkretisht i Vatrës, që gjeti mbështetje tek Presidenti i atëhershëm amerikan Wilson.

Të gjithë patriotët shqiptarë, duke përfshirë edhe Abaz Agën u angazhuan për t’i dalë zot atdheut në çastet e vështira. Viti 1924 u karakterizua nga një luftë e ashpër politike. Triumfi i Legalitetit i bindi, si Konicën e madh këtu në Amerikën e largët,edhe Abaz Kupin atje në Krujën e Skënderbeut, se ai djaloshi 25 vjeçar i Kongresit të Lushnjës,Ahmet Zogu, e kishte vendosë ta bënte Shqipërinë shtet, tha z. Kurti.

Kështu qeveria e Ahmet Zogut i dha mundësitë reale çdo shqiptari të punonte për Kombin. Abaz Kupi si një udhëheqës popullor dhe ushtarak i respektuar, diti t’i shërbejë Atdheut, si një nga bijtë më të mirë të tij.

Duke u ndalur në aktin më kulmor të jetës së Abaz Kupit, z. Kurti tha: Jehona e qëndresës shqiptare të 7 prillit e mahniti botën. Ai tregoi akte heroizmi në krye të forcave të organizuara nga ai vetë. Por ndeshja me ushtrinë e madhe  qe e pabarabartë. Abaz Kupi largohet përkohesisht nga vendi, familja internohet nga pushtuesit, dhe pasuria i konfiskohet. Kur vendi e kërkoi sërish, ai u kthye nga mërgimi dhe ia nisi luftës kundër pushtuesëve. Ai pranoi që të bashkohej me çdo shqiptar që e urrente fashizmin, pavarësisht nga pikpamjeve ideologjike. Në Pezë është ndër njerëzit kryesorë. Por shpejt do të dukej se komunistët kishin më për zemër sllavët se sa pjesët e Atdheut, siç ishte Kosova. Vjen Mukja e 2 Gushtit 1943 bashkë me përfaqësuesit e Ballit Kombëtar, kërkon Shqipërinë Etnike dhe çështjen e regjimit t’ia linin vullnetit të popullit. Por marrëveshja prishet nga influenca Jugosllave tek komunistët. Forcat e Abaz Kupit bashkë me nacionalistët matjanë e bajraqet e Lurës e Selitës kishin sulmuar garnizonin fashist të Burrelit vetëm dy ditë përpara Mukjes më 31 korrik. Pas prishjes me komunsitët organizon monarkistët dhe brenda dy muajësh krijon Organizatën Kombëtare Lëvizja e Legalitetit. Shumë shpejt lufta kundër pushtuesëve do të kthehet në luftë civile nga komunistët e Abaz Kupi nuk e donte një gjë të tillë, tha z. Kurti në kumtesën e tij përkujtimore.

Vjen fundi i luftës dhe Abaz Aga, duke iu shmangur luftës vëllavrasëse, largohet nga Atdheu duke u bindur se pushtimi komunist po triumfonte. Iku me mendimin për t’u rikthyer sërish duke menduar se aleatët do e ndihmonin, Shqipërinë,  iku për t’i shërbyer vendit të tij duke sakrifikuar një pjesë të familjes. Bardhit, të birit, i  kërkoi besën që  të ishte zot shtëpie e Bardhi e mbajti fjalën; megjithëse komunistët e burgosën për bindjet antikomuniste, e internuan, por ai qëndroi i papërkulur.Familja Kupi u dënua nga të dy diktaturat, nga ajo fashiste dhe diktatura komuniste. Sapo largohet hidhet në veprim në mërgim. Mbreti Zog i përdori të gjitha mundësitë për organizimin dhe bashkimin e emigracionit antikomunist. Krijimi i Komitetit Shqipëria e Lirë nën drejtimin e Mithat Frashërit, ishte një shpresë për çlirim nga diktatura komuniste. Abaz Kupi si kryetar i OKL, dhe një nga drejtuesit e Komitetit Shqipëria e Lirë, përkrahur edhe nga shteti amerikan, nuk pushoi në përpjekje për të përkrahur popullin shqiptar. Jeta e tij ishte një luftë të cilën ia vlen ta kthesh në frymëzim Kombëtar për çdo shqiptar e për çdo kohë. Kanë kaluar thuajse 70 vjet që kur Abaz Kupi e la vendin e tij, që e deshi aq shumë dhe amaneti i tij mbetet aktual: “Shqipëria ka nevojë për ju, kurrë mos e mendoni se detyrimet ndaj vendit i keni shlyer.”

ABAZ KUPI IA ZBARDHI FAQEN SHQIPËRISË

Veprimtaria përkujtimore pati si moto përfundimin e përbashkët se :Abaz Kupi me aktin e tij trimëror në 7 prill ia zbardhi faqen Shqipërisë. Vende të fuqishme të Europës nuk arritën që të zbraznin një pushkë në pushtimet rrufe të nazi-fashizmit.

Zv/ kryetari i Vatrës, z. Asllan Bushati, ishte i pari nga përfaqësuesit e komunitetit që përshëndeti pjesmarrësit, organizatorët dhe familjen Kupi.Ai tha se Gjenerali Abaz Kupi është figurë qëndrore në historinë e Shqipërisë, veçanërisht gjatë luftës së dytë Botërore. Ai analizoi figurën e Abaz Kupit, si udhëheqës i luftës për liri. Bashkëpunimi i tij me nacionalistët e tjerë dhe Frontin, pjesmarrja në Konferencës së Pezës, tregon vizionin e tij të qartë kombëtar. Distancimi nga fronti pas Konferencës së Mukjes, e qartëson akoma më shumë vizionin e tij Kombëtar. Për z. Bushati, reputacioni ushtarak i Abaz Kupit duhet të tërheqë vëmendjen e studiuesëve. Më pas ai trajtoi lidhjet e Abaz Kupit me Vatrën, të cilën vetë heroi e konsideronte –Vatër Kombëtare. Z. Bushati i ftojë legalistët e rinj, ashtu si të vjetrit t’i bashkëngjiten Vatrës, si një organizatë e sprovuar kombëtare, që ka më shumë se një shekull aktivitet e qëndresë kombëtare.

Më pas kanë shprehur opinionet dhe konsideratat e tyre rreth figures dhe kontributit të Abaz Kupit; Sali Bollati, përfaqësues i Shoqatës Çamëria, veprimtaret Merita Shkupi dhe Mimoza Dajçi, Adem Saliui si dhe editori i Diellit, Dalip Greca.

Në emër të familjes Kupi, përshëndeti nipi i Abaz Kupit, djali Fatbardh Kupit, Sokol Kupi, i cili falenderoi pjesmarrësit që patën mundësi të bëheshin pjesë e përkujtimit dhe nderimit të gjyshit të tij, Gjeneralit Abaz Kupi në këtë përvjetor të 38 të vdekjes.

 

GJANA: PËRKUJTIMI I ABAZ KUPIT MERR DIMENSION TË RI

Për këtë veprimtari përkujtimore, Kryetari i Partisë së Lëvizjes së Legalitetit,  z. Sulejman Gjana, kishte dërguar një mesazh që u duartrokit nga pjesmarrësit. Ja teksti i mesazhit:

Inderuar  Kryetar i degës PLL në ShBA, z. Hakik Mena

E nderuar familja Kupi

Ndjej keqardhje të madhe që nuk mund të jemë sot i pranishëm në mesin tuaj në ceremoninë përkujtimore të 38-vjetorit të vdekjes së heroit të rezistencës së 7 prillit 1939 dhe figurës së shkëlqyer të patriozmit shqiptar, Gjeneral Abaz Kupit. Njëherazi, ju falenderoj për ftesën tuaj, por angazhimet dhe axhenda jonë e ngarkuar në Tiranë në këtë fillim viti dhe pas Kuvendit tonë të XVIII nuk na lejuan që të jemi fizikisht në mesin tuaj, ndonëse zemra dhe mendimet tona janë gjithnjë pranë jush sidomos në këto moment që përkujtojmë humbjen e udhëheqësit historik të gjithë legalistëve dhe nacionalistëve shqiptar.

Tradita që ju keni ndjekë ndër vite duke organizuar një ceremoni tek varri i Gjeneral Abaz Kupit ju lartëson dhe është një shembull për të gjithë, aq më tepër në kushtet aktuale, kur në Shqipëri sundojnë ata që shtrembëruan historinë tonë Kombëtare. Planet e tyre të fundit për të përkujtuar sivjet 70 vjetorin e të ashtuquajturit çlirim të vendit dëshmojnë se qeveritarët aktual nuk janë shkëputur nga mentaliteti dhe praktikat sllavo-komuniste që shkaktuan një luftë civile gjatë Luftës së Dytë Botërore, e cila kishte për qëllim eliminimin e patriotëve shqiptar dhe që rezultoi në pushtimin e Shqipërisë nga diktatura më e egër dhe ideologjia komuniste.

Në këto kushte, përkujtimi i jetës dhe veprës së Gjeneral Abaz Kupit merr një dimension krejtsisht të veçantë e që na nderon pa masë, sepse u përket djemve dhe vajzave të atyre që ndërtuan shtetin shqiptar dhe e mbrojtën pavarësinë dhe nderin e Shqiptarëve që të tregojnë të vërtetën historike dhe të  mbrojnë vlerat morale, politike dhe Kombëtare për të cilat dhanë jetën mijëra dhe mijëra Shqiptarë.

Nëse ne do të dimë të ndjekim shembullin e Gjeneral Abaz Kupit dhe të patriotëve të tjerë me në krye mbretin Zog, besoj se do të kemi bërë detyrën tonë ndaj Atdheut dhe Kombit dhe do të kontribuojmë që brezat e ardhshëm të gëzojnë një Shqipëri të lirë, të sigurtë, të zhvilluar dhe të bashkuar,-atë Shqipëri për të cilën lindi dhe jetoi Gjeneral Abaz Kupi.

I paharrueshëm qoftë kujtiumi i Tij!

HOMAZHET E PËRVITSHME NDEROJNË HEROIN E 7 PRILLIT

Ka 38 vjetë që në Varrezat në Kew Gardens në Queens, New York, legalistët, familja Kupi dhe komuniteti shqiptar në New York, organizojnë homazhe në kujtim  dhe në nderim të aktit burrëror të atij, që i zbardhi faqen Shqipërisë, Abaz Kupit.

Kështu ndodhi edhe këtë herë. Pas tubimit përkujtimor pjesmarrësit shkuan tek varri i heroit dhe zhvilluan homazhe. Abazi i

vogël mban një lule simbolike dhe e vendos tek mermeri, ku është gdhendur emri i stërgjyshit. Kështu dhe familja, dhe të afërmit, legalistët, miqtë.

Pak fjalë, i thotë për heroin, legalisti dhe vatrani i kahershwm, Ndrec Gjergji, një nga të paktët, që e kanë jetuar atë ditë të përcjelljes së Abaz Agës, 38 vite të shkuara.

Sokol Kupi, sërish i falenderon ata që patën mirësinë të bëjnë homazhe tek varri i Abaz Kupit dhe ndanë me familjen Kupi këtë ditë përkujtimore. Fotografitë pranë varrit i japin fund ceremonisë.

Filed Under: Komunitet Tagged With: dalip greca, Homazhe per Abaz Kupin, ne ditendarjen, ne New York, nga jeta

PUNËT E MËDHA KOMBETARE TË FEDERATËS “ VATRA”

January 9, 2014 by dgreca

Kryeministri i Greqisë Z. Venizelos tha në Konferencën e Paqes në Paris, se të vetmin pengim serioz që gjeti në Epir Greqia, ish pengimi i vënë nga Vatra…”./

Nga Dalip GRECA/

Federata Panshqiptare e Amerikës”VATRA” erdhi në skenën e historisë sonë kombëtare në një moment  kritik, kur Kombit i ishte vënë në pikëpyetje egzistenca. Turqia po merrte tatpjetën dhe ashtu si i mbyturi, kërkonte të tërhiqte pas vetes edhe viktimën. Fqinjët kishin mprehur hanxharët dhe ishin bërë gati që ta copëtonin trupin e viseve shqiptare në copa, siç kishin bërë në kohën e prag Lidhjes së Prizrenit. Atdhetarët e kishin kuptuar rrezikun dhe i kishin paraprirë dhjetëvjeçarit të pare të shekullit njëzet me kryengritje të njëpasnjëshme, që nga Kosova, Malësia e deri në skajet jugore, kur një gjysëm Shqipërie në veri dhe një çerek Shqipërie në jug, lëngonin nën pushtime fqinjësh me vendime e kompromise  të fshehta që mbanin firmën e Europës. Kryengritjet e Kosovës, Shkupit dhe Malësisë ia dhanë shenjat Europës se nuk do ta kishin të lehtë me pasardhësit e ilirëve, që rronin moteve e shekujve  në vendin e tyre të shqiponjave.

       Pikërisht në atë trubullirë e mjegullnajë që endej në Ballkan, këtu në SHBA, lindi Vatra, që jo vetëm mblodhi djemtë e shqiptarisë, që kishin kapërcyer Atlantikun në kërkim të një jete më të mirë dhe për t’i shërbyer kombit, u hodh sinjali i kushtrimit të bashkimit të shoqatave për të krijuar Vatrën Kombëtare.

        28 prilli 1912, dita e deklarimit të themelimit të Federatës Panshqiptare të Amerikës”Vatra” mbetet një ditë e shenjtë, jo vetëm pse ajo u bekua nga një prift idealist siç ishte Fan S Noli, që kishte në krah një mendje të artë si ajo e Faik Konicës,  por edhe pse ajo dukej si dhuratë Perëndie në ato kohë kur Kombi shqiptar kishte ishte në zgrip të egzistencës.

       Shqiptarët dukeshin si të pafat në agun e lirisë pas 500 vjetëve sundimi nën Turqi, pasi nuk arritën që ta gëzonin shtetin e mosvarur shqiptar të 28 Nëntorit 1912, e cila më 1913 do të futej edhe një here në sallën e operacionit për t’i hequr pjesë të trungut, dhe mbeti ajo që sot e kësaj dite vazhdon të quhet “Shqipëria Lonineze”- dhuratë e Europës hileqare. E keqja nuk kishte të mbaruar; pasi lufta Ballkanike dhe Lufta e I Botërore e bënë vendin e shqiponjave shesh betejash. Princi që dërgoi Europa me kredencialet e Mbretit, dukej si jetim, pa përkrahje të vetë Europës dhe të shqiptarëve të dalldisur nga feja e të mashtruar nga prijsit e rrejshëm,dhe suleshin si somnanbul me hanxharë të mprehur nën thirrjen”Duam Babën!”…

    Vatra, që nga Amerika dha kushtrimin: Jo më kthim prapa!Harrojeni babën e rrejshem, shpëtoni Shqipërinë dhe drejtohuni kah Perëndimi! Pikërish që aty filluan punët e mëdha të Vatrës.Faik Konica, Fan S Noli, që së bashku me patriotët e tjerë lanë Amerikën dhe shkuan të punojnë për Shqipërinë nëpër Europë, ndërsa Vatra këtu kultivonte me Diellin dashurinë dhe përkushtimin ndaj çështjes Kombëtare. Vatra në SHBA, po llogariste fundin e Luftës së Parë Botërore dhe asaj  në Ballkan dhe fatin e Shqipërisë së mjerë, që vazhdonte të ishte e kërcënuar dhe me Pavarësi të humbur. Duheshin miq në Evropë dhe këtu në SHBA, që të shpëtonte Shqipëria.Në këto kushte Vatra mori në dorë fatet e shtetit të vdekur dhe i doli për zot Kombit. Vatranët ishin në një mendje që të financonte delegatët e saj-diplomatë në Londër, Gjenevë, Romë, Washington, me qëllim, që çështja shqiptare të kishte avokatët e saj. Natyrisht që ky shërbim diplomatik i ngritur nga Vatra e kishte koston e lartë. Gjithëçka e financonte vetë ajo, Vatra. Ata, vatranët që jetonin në kushte të vështira, 8-10 vetë në një konak, hoqën mënjanë kursimet dhe i caktuan rrogë mujore kryedelegatit të Vatrës në Londër, Mehmet Bej Konica, që mbetet një figurë e shquar diplomatike dhe që bëri aq shumë për të siguruar miq të çështjes tonë kombëtare në Londër. Nga 1300 franga në muaj, që iu caktuan më 1916, më pas shifra shkoi në 1600 franga. Edhe diplomatët e tjerë nëpër Europë, dr. Mihal Turtulli, Mithat Frashëri, Nik Kasneci e të tjerë, ishin delegatë të Vatrës në Europë dhe punuan fort për çështjen shqiptare. Po ashtu ishte një kartë e fortë diplomatike edhe miku i shtrenjtë i shqiptarëve, delegati tjetër i Vatrës, Erikson, që mbetet një shenjt i çështjes shqiptare. Të gjithë së bashku ata i dhanë zë çështjes shqiptare dhe e shpëtuan atë copëz Shqipërie të mbetur pas copëtimeve të mëparshme të fund shekullit të nëntëmbëdhjetë.

Mbetet një faqe nderi kontributi i Vatrës për shpëtimin e Shqipërisë në Konferencën e Paqes. Pikërisht para se të fillonte punimet ajo konferencë shqiptarët e Amerikës të grumbulluar rreth Vatrës, treguan se Shqipëria ishte mbi gjithçka për ta.Të frymëzuar nga poezia e Nolit” Jepni për nënën”, vatranët iu përgjigjën zemërhapur thirrjes për shpëtimine Shqipërisë. Noli, prijësi i tyrë shpirtëror, i kishte prekur atje ku nuk mund të duronin, në poshtërimin e Nënës, e cila diku, kishte qenë zonjë e rëndë, por që tani kërkonte ndihmën e bijëve, që e kishin harruar detyrën ndaj Nënës. Dhe vargjet e Nolit shkonin drejt e në zemër: Qan e lutet Nën’ e mjerë,/Kërkon vatrën edhe nderë,/Do lirinë dhe atdhenë,/ Si ç’e pat me Skënderbenë,/ Bijt’ e besës thërret pranë./ Kur i thirri dhe s’i vanë?/ Mbahu, Nëno, mos kij frikë,/ Se ke djemtë n’Amerikë…Por që të shpëtohej Nëna duhej që shqiptarët e Amerikës të boshatisnin xhepat dhe të jepnin gjithçka për shpëtim. Noli, di ku t’i prekë bijtë e shqipes: ai e bën fakt të kryer se ata nuk do të kursejnë asgjë për shpëtimin e Nënës:Sa kërkon e sa të duhen?/ Burrat nga detyra s’ndruhen!/ Trim i mirë do të japë,/ S’kursen jetën as paratë;/ Hithni, hithni tok dollarë,/ Të mos mbetemi të share/ Mbahu, Nëno, mos kij frikë./ Se ke djemtë n’Amerikë.

Dhe djemtë nuk e turpëruan Nënën. Nëse u mendua në fillim të paktën të grumbulloheshin rreth 40 mijë dollarë, vatranët dhuruan më shumë se 150 mijë dollarë, shumë që u përdor për mbrojtjen e çështjes shqiptare, mbulimin e sherbimit diplomatik, dergemin e kabllogrameve, mbajtjen e delegateve ne Konferencen e Paqes etj. Gazeta e Vatrës”Dielli” e mbajti të ndezur garën e madhe të dhurimeve duke nxjerrë në faqe të parë ata që dhuronin më shumë. Çdo dollar i dhuruar konsiderohej “plumb për armiqtë e çështjes shqiptare”. Dielli shkruante me shkronja te mëdha: “Plumbi goditi në shenjë. Ali Kuçi udhëheq garën me 750 dollarë…”

Krahas punës diplomatike në Evropë, Vatra punoi fort edhe në Washington, me qëllim që të kishte me vete edhe votën amerikane. Ishte fat, që Fan S Noli, takoi me 4 korrik 1918, presidentin Wilson,i cili i dha fjalën bashkëthemeluesit të Vatrës, se një votë që kishte do ta përdorte në favor të shqiptarëve.

Në Konferencën e Paqës, Vatra pagoi jo vetëm harxhet e delegatëve të vet, por edhe delegatëve të tjerë, përfshirë dhe atyre të kolonisë të Rumanisë.Me shpenzimet e Vatrës u mbajtën delegatët, u dërguan misione, u paguan agjensi që punuan për çështjen shqiptare, u kablluan mijëra telegrame, u percollen protesta, me një fjalë u organizua mbrojtja e Shqipërisë – dhe u organizua aq e mirë sa Kryeministri i Greqisë Z. Venizelos tha në Konferencën e Paqes në Paris, se të vetmin pengim serioz që gjeti në Epir Greqia, ish pengimi i vënë nga Vatra…”.

Misioni i vatrës nuk mbaroi me “shpëtimin e Shqipërisë” në Konferencën e Paqës, jo, vatra dërgoi djemtë e saj vullnetarë në Shqipëri në vitet 1920, dërgoi bandën muzikore Kombëtare”Vatra”, dërgoi delegatë të saj në Kongresin Kombëtar të Lushnjës, siç kishte dërguar djemtë në Luftën e Vlorës dhe mbrojtjen e kufijëve jugorë të Shqipërisë, dhe shkëlqeu sërish me bujarinë e saj, kur Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnëjs, i kërkoi ndihmë për të mbushur arkën bosh të shtetit dhe për të shpëtuar nga falimentimi financiar. Qeveria dërgoi në SHBA Mithat Frashërin që u shëtit nëpër koloni të shqiptarëe, dhe ai pa me sytë e tij, dëgjoi me veshët e tij, shqiptarët e Amerikës, që ishin gati të jepnin gjithçka për shpëtimin dhe forcimin e Shqipërisë.”Huaja Kombëtare”, e organizuar me shqiptarët e Amerikës, e shpëtoi shtetin shqiptar. Plot 197 mijë dollarë u mblodhën nga ajo hua Kombëtare.

Ndër punët e Vatrës duhet llogaritur edhe kontributi kulturor e arsimor që dha ajo. Shumë prej vatranëve shkuan në Shqipëri dhe dhanë kontribut në adminsitratën shtetërore,një pjesë edhe pse ishin antizogistë nuk e kursyen veten për t’i shërbyer shtetit. Vatra dërgoi në Shqipëri për nevojat e shkollave shqipe më shumë se 200 mijë tekste që i shtypi me harxhet e veta në shtypshkronjën e gazettes Diellit.

  Fatkeqësisht, vatranët që kishin shpëtuar Shqipërinë, u trajtuan si armiq nga sistemi komunist dhe një pjesë e tyre u shkuan në plumb, si ish editori i Diellit për tetë vjet, Bahri Omari, Aqif Përmeti, komandanti që përgatiti, stërviti dhe udhëhoqi vullnetarët që shkuan në Shqipëri në vitet ’20 të shekullit të shkuar, burgosi e torturoi pa mëshirë vatranët mëmëdhetarë.Dy nga delegatët themeltarë të Vatrës; që së bashku me komisionin e bashkimit, sollën krijimin e Federatës VATRA; Kristo Kirka dhe Koço Kosta, u ndëshkuan prej diktaturës vetëm pse nuk u bënë bashkëpunëtorë të saj. Editori i Bahri Omari u pushkatua pa iu provuar fajësia, Aqile Tasi, që për tetë vjet kishte qenë zyrtar e kryetar i Vatrës si dhe editor i Diellit, dhe pat lënë Amerikën për të pranuar detyrën e drejtorit të Bibliotekës Kombëtare në Tiranë e për të kontribuar në shtypin shqiptar, u dërgua në burgun e Burrelit duke u shpërblyer në mënyrën më çnjerëzore për atdhetarizmin e tij. Kristo Kirka, kryetar i “Besa – Besën”,krahu i djathtë i Nolit në krijimin e Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare, delegate i krijimit të Vatrës, kryetar i degës së Vatrës në Boston, nënkryetar i Federatës më 1915, manager i Diellit më 1912, deputet në Parlamentin shqiptar për katër vite, nënprefekt në Himarë dhe Bilisht, kryetar i bashkisë së Korçës, ironikisht shpërblehet duke e dërguar në qelitë e ferrit të Burrelit, ku shpirti atdhetar iu shua pa nxjerrë një shenjë pendimi për ç’kishte bërë për kombin. Tek do ta vajtonte atdhetarin e orëve të para, bashkëvuajtsi i tij, poeti Arshi Pipa,ish kryetar i Vatres, do të klithte dhimbshëm: Vdiq flamurtari i moçëm!
Çfaj kishte bërë Kolë Tromara, kryetar i “Vatrës” më 1916,  kryetari i Vatrës më  1918, kryeministri i Shqipërisë, që i kishte dhënë  Shqipërisë gjithëçka kishte të shtrenjtë? Po Andon Frashëri , editor i Diellit, Aqif  Përmeti, menaxher i Diellit, Përse u ndëshkua Ali Kuçi, ai vatrani që u printe dhurusve për çështjen shqiptare duke dhuruar më shumë se të gjithë për shpëtimin e Shqipërisë nën thirrjen e imzot Nolit: “Jepni për Nënën”? Edhe shpirti i tij u shua në qelitë e errëta të dhunës. Vatranët që kishin ndezur ëndërrën për mëvetësinë e Shqipërisë dhe kishin iluminuar shpirtrat e shqiptarëve për të ringjallur kombin e motit të  madh të Skënderbeut, u martirizuan për të mos e tradhëtuar idealin kombëtar. Në memorien e historisë ata do të mbeten martirë të iedaleve kombëtare.

Filed Under: Editorial Tagged With: dalip greca, Kombetare, punet e medha, te Federates Vatra

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 115
  • 116
  • 117
  • 118
  • 119
  • …
  • 135
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT