Vatranët e përfshirë në “100 histori suksesi në 100 vjetorin e Pavarësisë” / Në prag të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë,Qendra kulturore Albania Excellence ne Tirane përgatiti një studim mbi 100 shqiptarët më të suksesshëm të viteve të fundit në gjithë fushat e dijes kudo në botë. Drejtuesja e projektit është Flora Nikolla, një nga gazetaret më të njohura të Shqipërisë.Ajo dhe bordi i qendrës vendosën lidhje me qindra shqiptarë që kanë shënuar histori suksesi në jetën e tyre të emigrimit. Studimi është botuar në një libër me titull “100 histori suksesi në 100 vjetorin e shtetit shqiptar”. Drejtuesja e projektit, gazetarja Flora Nikolla është shprehur për mediat se “Ky studim me 100 shqiptarët e suksesshëm nisi me synimin që të ruajë dhe të ngrejë lart vlerat njerëzore të shqiptarëve dhe të ndikojë sadopak në kthimin e tyre në Shqipëri apo rivendosjen e kontakteve me publikun e vet kulturor dhe shkencor”. Me këtë rast u intervistuan qindra shqiptarë dhe u zgjodhën më të susksesshmit. Fituesit në prag të 100 vjetorit u mblodhën në Tiranë dhe ceremonia u trasmetua publikisht nga Televizioni Shtetëror. Fituesit patën nderin që të priteshin edhe nga Kryeministri Sali Berisha. Për secilin nga ata ishte përgatitur si dhuratë libri me intervistat e 100 fituesëve dhe trofeu fitues. Me 26 dhjetor fituesit ishin ftuar në Prishtinë nga zv/kryeministri i Kosovës, Behget Pacolli,i cili sponsorizoi aktivitetin. Vatranët që u kualifikuan për arritjet në fushat ku kontribuojnë janë: 1- Dr. Skënder Murtezani 2- Dr. Indrit Reso 3- Menaxheri dhe Kërkuesi Shkencor, Pashko Camaj 4- Kryetarja e degës së Vatrës në Washington, Merita Bajraktari McCormack 5- Kryetari i degës së Vatrës në Michigan, Alfons Grishaj 6. Novruz Nazarko, 7- Editori i gazetës ”Dielli” Dalip Greca
LE TA DUAM MË SHUMË NJERI-TJETRIN
Mesazh i Editorit të gazetës Diellit/
Të nderuar bashkëtardhetarë/
Të nderuar vatranë/
Të nderuar bashkëpunëtorë dhe ju lexues të gazetës më të vjetër të botës shqiptare, DIELLI;/
Më lejoni që t’ju uroj : Gëzuar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri! Le të sjellë ky vit i ri që po troket gëzime e lumturi në familjet tuaja! Le të na bashkojë më shumë ky viti që po zëvendëson vitin historik të 100 vjetorit të Pavarësisë të shtetit Shqiptar.
Kemi lënë pas një vit të suksesshëm, që mbetet i pashlyer në kalendarin historik të Kombit Shqiptar. Ky qe viti i 100 vjetorit të festimeve mbarëkombëtare të një shekulli shtet i pavarur. Shqiptarët ishin më të bashkuar si asnjëherë tjetër. Politika me gjithë trillet e kurthet e saj nuk arriti që t’i përçante shqiptarët, edhe pse për faj të saj qëndrojmë prapa gardhit të Evropës së Bashkuar: Shqiptarët ishin bashkë në Vlorë, në Tiranë, në Prishtinë, në Shkup, në Times Square, në Washington, Florida, në Michigan, në Chikago, Toronto etj! Na bashkoi Flamuri ynë kuq e zi, Flamuri i Gjergj Kastriotit Skënderbeu.
Këtë vit gjakrat tanë u zbutën me gjithë presionin militant partiak. Deshëm s’deshëm, e pranuam edhe Mbretin, edhe princin; deshëm s’deshëm i afruam pranë edhe Mbretin, edhe Mithat Frashërin, edhe Hasan Prishtinën, edhe Bajram Currin, edhe Elez Isufin, Abaz Kupin, deshëm s’deshëm i nderuam bashkë të gjithë dëshmorët e Kombit; gjithësecilin që bëri detyrën sipas mënyrës së vet për Kombin. Nesër, do të pranojmë edhe kontributet e Mehdi Frashërit, Ernest Koliqit, Xhevat Korces, Xhaferr Devës, Ago Agaj, Mustafa Krujës, Kol Bib Mirakës e të tjereve shërbestarë. Dhe kur të bëhet kjo do të jemi më të çliruar, më të afërt me njëri-tjetrin.
Të dashur bashkatdhetarë të diasporës shqiptare,
Le t’i shërbejmë më shumë Kombit se sa partive këtu në mërgimin e largët. Ky vit qe i veçantë për komunitetin shqiptar të Amerikës. Festimi i 100 vjetorit të Vatrës na bashkoi bashkë dhe pavarësisht hedhjes së gurëve nga individë të pakët, festa qe gjithëshqiptare, gjithëfetare. Rreth 500 vetë në Konferencën shkencore ”Vatra, 100 vjet në shërbim të Kombit” me 28 prill 2012 dhe mbi 1100 vetë në darkën madhështore të 100 vjetorit të Vatrës me 29 prill 2012, tregoi edhe një herë se Vatra është e gjithë shqiptarëve dhe misioni i saj historik mbetet i vlerësuar dhe i patjetërsueshëm.
Gazeta Dielli, u bë tre vjet që del rregullisht e përmujshme e printuar dhe e përditshme në botimin në on line. Brenda këtij viti u bënë dy botimi me mbi 100 faqe të gazetës Dielli, plus një publikim-revistë përkujtimore speciale kushtuar 100 vjetorit të themelimit të Vatrës, po ashtu për të parën herë dolën në dritë figurat themeluse dhe shërbesat e Vatranëve në një ekspozitë të përhershme fotografike. Bashkëpunëtorët e Diellit tani i përkasin të gjithë botës shqiptare dhe asaj mërgimtare, jo vetëm nga Amerika dhe Kanadaja, por edhe Belgjika, Zvicra, Greqia, Italia, Australia, Zelanda e Re etj. E mira s’ka fund’ le të shpresojmë dhe të luftojmë që ky vit do të sjellë risi të reja.
Në vlerat e këtij viti është dhe fitimi i një vendi në Asamblenë e Shtetit të New York-ut nga bashkëkombasi ynë, Mark Gjonaj. Natyrisht që me një lule nuk vjen behari, por pas dallëndyshes së parë, të tjera dallëndyshe fluturojnë bashkë me Pranverën.
Të nderuar kolegë
Duke vlerësuar rolin e medias në bashkimin kombëtar, do t’u bëja thirrje që të heqim dorë nga amatorizmi dhe vetëlëvdatat në ekranet e TV-se apo faqet e gazetave, të heqim dorë nga përçarjet dhe sharjet, nga xhelozitë dhe mërirat, dhe le t’i shërbejmë profesionit, duke respektuar me realizëm formulën e informimit,” ku, kur dhe çfarë ndodhi”! Ekzagjerimet sipas miqësive apo grupimeve politike,sipas oreksit të organizatorëve, nuk i shërbejnë informimit real të komunitetit. Brrylat, zhvendosjet, dhe ajo ç’ka është më e padëshirueshme, keqinformimet, sharjet, krijimi i grupeve të sulmeve ndaj individëve, çojnë në përçarje. Le ta mësojmë lexuesin tonë se kur të jenë 20 vetë në një aktivitet, nuk do t’i bëjmë 200 se ashtu dëshirojnë organizatorët, nuk do të themi as dhjetëra, por do të raportojmë aq sa janë 20, 30, 50…100 etj.
Ju të nderuar bashkatdhetarë që mbani me përkushtim e shpenzime, qoftë edhe të kohës, website, lista, gazeta në on line, bëjuni bllok ndaj përçarësve, që shajnë, sajonë e shpifin dhe i kanë kthyer websitet tuaj në rrjeta merimangash të helmta që nga njëra anë rrahin gjoksin për shërbim ndaj komunitetit, fusin veten në mënyrë fallso në histori, duke pretenduar se janë të parët në hapjen e shkollave, të parët në hapjen e mediave, të parët përgjërues të Kombit…dhe nga ana tjetër kanë lënë pas me dhjetëra bashkatdhetarë të “shpuar” me shigjetat e helmatisura të shpifjeve dhe urrejtjeve. Testoni të vërtetën para se të aprovoni kalimin e një sulmi të helmatisur apo të një shpifje që nuk bëjnë gjë tjetër veçse përçajnë, mashtrojnë dhe keqinformojnë. Kompromisi me shpifësin i jep krah atij(ose asaj) të shpifë gjithë jetën.
Të nderuar veprimtarë të komunitetit shqiptar
Shërbejini dhe ju bashkimit të komunitetit dhe jo përçarjes. Nëse formacionet tuaja kanë nevojë për militantë mos i kërkoni ata duke sharë organizatat e tjera apo individët e pafajshëm. Sharja sjell përçarjen. Po ashtu i edukoni militantët tuaj që të mos shpifin, të mos sajojnë, të mos kërkojnë bashkëpunëtorë të Sigurimit me imagjinatë, por të kërkojnë nga klasa politike shqiptare që të hapen dosjet dhe sipas fajit, ata, fatzinjët bashkëpunëtorë, të gjejnë vendin.
Ka shumë çështje që na bashkojnë këtu në diapsorë, ndërsa ndarja dhe përçarja janë në dëm të çështjes Kombëtare.
Ju liderë, që keni vendosur të hyni në politikën shqiptare që nga Amerika, mos e bëni politikën me diktatin dhe mostolerancën e politikës së vjetër, por jepni shenja se jeni për politikë ndryshe. Politika inatçore nuk të çon asgjëkundi.
Le të ndjehemi të bashkuar këtu në diasporë që të ndikojmë pozitivisht tek klasa politike në vendlindje!Si mund të bashkohet Kombi kur luftojmë njëri-tjetrin, apo kur e trajtojmë njëri-tjetrin si armiq?
Sa më shumë dashuri me njëri tjetrin, sa më shumë harmoni mes vetes, aq më pak përçarje!
Editori i DIELLIT
Dalip Greca
New York, Dhjetor 2012
ENDE RRON SHPIRTI VATRAN NDËR SHQIPËTARËT E AMERIKËS
Mehmet Kadria, një vatran i kahmotshëm me shpirt, por i anëtarësuar së fundmi në Federatën Vatra, dhuroi për bibliotekën 500 libra, ndërsa nga kursimet e tij, 2 mijë dollarë. Një shembull që tregon se pasuria e shpirtit vlen më shumë se pasuritë financiare! Ky Mehmet Kadria, që as nuk e ka një punë të përhershme prej 6 vitesh, por dhuron nga shpirti bujar, u jep një leksion edhe biznesmenëve shqiptarë dorështërnguar për çështjen Kombëtare.
Nga Dalip Greca
Mehmet Kadria, një shqiptar i devotshëm dhe patriot nga Kosova, më befasoi tek më mori në telefon me 20 nëntor dhe më tha se do të donte që të vizitonte Vatrën dhe se do të sillte disa libra, pasuria më e çmuar e jetës së tij.Më përmendi dhe për pak kurisme që i kishte vënë mënjanë dhe se ato i kishte për Vatrën, kështjellën e Kombit në SHBA, siç e vlerësoi ai. Shprehja e tij se”Vatrës i duhen më shumë se mua” më tingëlloi sikur e dëgjoja për të parën herë. I thashë se ishte i mirëpritur për librat, ndërsa kursimet, t’i mbante për hallet e familjes.
Këmbëngulja e tij ishte e asaj forme që nuk pranonte kundërshtim.”E kam vendosur, më falni për vonesën, duhej të kisha ardhë më parë në Vatrën shqiptare!”
Rasti m’u duk i veçantë dhe njoftova kryesinë e Vatrës që të ishte e pranishme në kohëmbërritjen e tij. Dhe ai erdhi, ashtu siç e njohin të gjithë, i qeshur, a thua se nuk mërzitet kurrë ky burrë shpirtmirë. Kishte gjetur një mik që ia kishte transportuar librat me makinën e vet. Pas shkarkimit të librave, një bisede në zyrën e kryetarit, Mehmeti nxori zarfin me 1000 mijë dollarë.Edhe pse të gjithë e kundërshtuam, ai nuk e mblodhi dorën e zgjatur bujarisht.
Pas krmetimit të 100 vjetorit të Pavarësisë Mehmet Kadria më telefonoi sërish. Më tha se kishte gati dhe 200 libra për të sjellë në bibliotekë e Vatrës dhe më pyeti nëse ishte e mundshme të vinte të shtunën në fundjavë. E prita të shtunën. Kishte marrë një taksi me pagesë për të sjellë librat. Me gjithë këmbënguljen time nuk pranoi që t’ia paguante vatra shpenzimet e rrugës nga Bruklini në Bronx.
Pasi vendosëm librat në raft, Mehmeti nxori nga xhepi një zarf.
-Ç’ëshët ai zarf?-, e pyeta.
Me zë të butë, Mehmeti nis e më spjegon:- Kompania ku kam punuar, por që e humba punën para 6 vitesh, çdo prag Krishtlindjesh më dërgon ndonjë dhuratë, dhuruar nga banorët e pallateve që jetojnë aty. Këtë vit, Zoti i Madh, e rriti dhuratën, e bëri 3 mijë dollarë. I mbajta 2 mijë për vete, dhe 1 mijë po i dorëzoj në Vatër. Kush do ta mbaj gjalle Vatrën po nuk e mbajtëm ne shqiptaret?
Kundërshtimi im ishte i pafuqishëm përballë vendosmërisë së tij.(Më të plotë lexojeni në Diellin e printuar)
15 DHJETOR 1942-15 DHJETOR 2012- 70 VJET NGA VDEKJA E FAIK KONICES
Me 15 Dhjetor 1942, 70 vjet te shkuara, pushoi së rrahuri zemra e “njërit prej bijëve më të mëdhenj të Shqipërisë, një nga kampionët më të mëdhenj të indipendencës Kombëtare, ustait më të madh të shkrimit të gjuhës sonë, njeriut që rizbuloi Flamurin e Skënderbeut”, Faik Bej Konicës. I futëm brenda thonjëzave cilësitë që i numëroi miku dhe kundërshtari i tij i dikurshem, Fan S Noli në përcjelljen e fundit.
Në fakt Faiku ishte ndjerë keq që pasditen e së Hënës të datës 14 dhjetor, kur pësoi hemoragji cerebrale. Ai ishte rrëzuar në banjë dhe aty e kishte gjetë shërbyesja Hati Uilliams, e cila kërkoi ndihmën e sekretares së Faikut, Charlotte. Doktori Oden, mik i Faikut, erdhi pas telefonatës dhe pasi i mati tensionin pa se shifrat ishin katastrofë: 250/140. Këshilloi që të dërgohej në spital ose të merrej një infermiere. Charlotte qëndroi gjithë natën me të.
Hollësitë i ka sjellë studiuesi Ilir Ikonomi në librin “Faik Konica-Jeta në Washington”.
Charlot kishte vënë re se Faiku kishte vështirësi në frymëmarrje, por nuk dukej aq keq. Fliste përcart. Vone, sekretarja shkoi të merrte një sy gjumë në dhomën tjetër dhe u zgjua ne pesë të mëngjesit të 15 dhjetorit. Faiku dukej se flinte. Nga ora tetë Charlottë shkoi ta shohë përsëri të sëmurin. Ai nuk kishte lëvizur fare, ishte ashtu sic e kish parë ajo në 5 të mëngjesit; I shtrirë në kurriz, me krahun e majtë nën kokë. Charlotte i telefonoi Dr. Oden, që e mjekonte Faikun prej 14 vitesh dhe i tregoi gjendjen. Ai e udhëzoi që t’i prekte dorën. Dora ishte akull.E kuptoi: Faiku kishte vdekur.
Pas formaliteteve trupi i pajetë i Faikut iu përcoll Shtëpisë së Funeraleve Waterman& Sons, Inc në Boston. Trupi kishte mbërritur nga Washingtoni të shtunën në mëngjes(pat ndërruar jetë të martën). Ceremonia mortore u bë të dielën me 20 dhjetor.
Ilir Ikonomi na përcjell atë ditë pikëllimi për shqiptarët:”Jashtë binte një acar i tmerrshëm. Të ftohtët kishte thyer cdo rekord dhe temperaturat arrinin në minus 20 gradë Celsius. Megjithatë, në Boston kishin ardhur dërgata të degëve të Vatrës nga disa shtete….
Ahmet Zogu e ndjeu thellë humbjen e Faikut. Ai kishte porositur nga Londra një kurorë të madhe, madje kishte kërkuar që t’i paguante vetë shpenzimet e varrimit por Vatra nuk pranoi.
Homazhet kishin nisur në orën 11 në një nga sallat e ndërtesës New England Mutual.
Ikonomi shkruan se nuk pati ndonjë ceremoni fetare. Arkivoli ishte mbuluar me Flamurin kuq e Zi të Gjergj Kastriotit Skënderbeu, që Faiku e pat rizbuluar. Organisti lunate pjesë të zgjedhura nga Noli, që Faiku i kishte për zemër në të gjallë. Mes tyre shquante muzika e Wangnerit, sidomos dy pjesët më të pëlqyera nga i ndjeri, Marshi i madh nga opera Tannhauser dhe Marshi Funeral i Zigfridit nga Gotterdammerung…
Në orën 3 pasdite muzika pushoi dhe Fan Noli eci me hapa të ngadaltë drejt podiumit. Meqenëse në mort kishte dhe të huaj, Noli foli në fillim në anglisht. Ligjërata e tij qe e gjatë, por disa fjalë do të mbahen mend. “Faik Konica- tha ai-ishte një nga mbrojtësit më të mëdhenj të pavarësisë së Shiqpërisë. Ishte sigurisht mjeshtri më i madh i prozës shqipe. Për më tepër, ishte njeriu që rizbuloi Flamurin e vjetër shqiptar të Skënderbeut.”
Këta janë tre tituj që edhe kundërshtarët e tij më të hidhur nuk do të ëndërronin t’ia mohonin”, – tha Noli, i cili dikur kishte qenë vetë ndër ata kundërshtarë.
Më pas Noli foli shqip…
Ceremonia e varrimit nisi në orën 4 pasdite. Noli ishte në krye të kortezhit, pas tij vinte arkivoli, që mbahej nga kryetarët e degëve të Vatrës dhe gjithë të tjerët. Një varg i gjatë makinash; dy të mbushura me kurora me lule. Gjithësej 42 kurora. Kortezhi ecte ngadalë drejt për në varrezat Forest Hills të Bostonit.
(Më shumë do të lexoni në Diellin e printuar)
KRONIKE NGA KOSOVA
Kuvendi miraton buxhetin për 2013-ën/
Kuvendi i Kosovës ka miratuar sot në seancën e rregullt plenare buxhetin për vitin 2013, i cili është 1 miliard e 586 milionë euro. Për të kanë votuar 64 deputetë, 26 ishin kundër, ndërkaq 1 deputet ka abstenuar.
Në leximin e parë të projekt-buxhetit, partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, e patën kundërshtuar atë, duke e quajtur “buxhet të asfaltit dhe betonit”.
Ndryshe, buxheti i vitit 2012, i cili ka qenë 1 miliard e 520 milionë euro, e që është vetëm 4 për qind më i vogël se buxheti i vitit 2013, sipas vlerësimeve të ekspertëve, nuk ka rezultuar me zhvillim ekonomik të Kosovës, zbutje të papunësisë dhe varfërisë.
Po sot, Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 89 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, edhe ratifikimin e marrëveshjes për anëtarësimin e Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Më 16 nëntor të këtij viti, Kosovës iu konfirmua se do të jetë anëtare e BERZH-it.
BERZH është institucioni i tretë ndërkombëtar financiar, pas Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, që po anëtarësohet Kosova, e cila po has në vështirësi në anëtarësimin në mekanizmat ndërkombëtarë për shkak të mosnjohjes nga OKB-ja.
Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, BERZH, ka 65 anëtarë (Kosova është e 66-ta), kurse 29 prej tyre ende nuk e kanë njohur Kosovën si shtet.
Kosova kërkon heqjen e bllokadave serbe
Vullneti i mirë që Beogradi po dëshmon në zbatimin e marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit nuk duhet të na bëjë optimistë për qasjen që Serbia mund ta ketë në të ardhmen ndaj Prishtinës, thanë përfaqësues të qeverisë kosovare.
Në një tryezë diskutimi të organizuar nga Zyra e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian në Prishtinë, zyrtarët e ekzekutivit kërkuan që Kosovës t’i hiqen bllokadat e vëna nga Serbia në anëtarësimin e vendit në organizatat rajonale e ndërkombëtare.
Edhe pse në muajin shkurt të këtij viti palët kishin arritur marrëveshjen për bashkëpunim rajonal, përfaqësues të qeverisë së Kosovës e quajtën të pamjaftueshëm angazhimin e shtetit serb në realizmin praktik të saj.
Edon Cana, këshilltar për integrime evropiane i kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, tha se anëtarësimi i Kosovës në organizata të ndryshme vështirësohet nga pala serbe.
“Nëse e analizoni politikën e jashtme serbe, ajo nuk ka ndryshuar gjatë 20 viteve të fundit. Është logjika e njejtë. Ne, në fakt, e kemi zbatuar marrëveshjen nga ana jonë, por sa herë që kemi të bëjmë me një organizatë të re, ata gjithmonë përpiqen të na vështirësojnë punën në anëtarësim në mënyrë që ata të përfitojnë diçka”, tha Cana.
Me iniciativën e Bashkimit Evropian në marsin e vitit të kaluar Prishtina dhe Beogradi kishin nisur një dialog për normalizimin e marrëdhënieve në mes vete.
Gjatë nëntë raundeve të takimeve të mbajtura nën ndërmjetësimin e Brukselit, palët kishin konkluduar shtatë marrëveshje, në mesin e të cilave ajo për lirinë e lëvizjes, njohjen e diplomave, menaxhimin e integruar të kufirit dhe bashkëpunimin rajonal.
Zbatimi i këtyre marrëveshjeve dhe normalizimi i raporteve me Prishtinën figuron në mesin e parakushteve për Serbinë drejt marrjes së datës për nisjen e negociatave për anëtarësim në BE.
Shefi i seksionit politik, ekonomik dhe të integrimit evropian në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, Thomas Gnocchi, nuk përjashtoi mundësinë që pas marrjes së datës për nisjen e negociatave për anëtarësim në BE, Serbia të vazhdojë qasjen bllokuese në raport me Kosovën.
Por, presioni evropian ndaj Beogradit, sipas tij, nuk do të ulët në procesin e integrimit të vendit.
“Nuk mund të imagjinoni një mundësi ku ata kalojnë hapin e radhës, hiqet presioni dhe ata bllokojnë prapë. Jo, sepse ka shumë hapa të tjerë më tutje”, u shpreh ai.
Derisa Serbia synon të nis negociatat për anëtarësim me BE-në gjatë vitit të ardhshëm, Kosova përpiqet të përmbushë kriteret e vëna për nisjen e negociatave që do të çonin në nënshkrimin e marrëveshjes për Stabilizim- Asociim.
Nuk ka datë për MSA për Kosovën, por lihet e hapur mundësia
Pas dy ditësh diskutimesh në nivel ministrorë, këshilli i Bashkimit Evropian ka miratuar të martën mbrëma konkluzat për vendet e Ballkanit Perendimor dhe për shtetet tjera të përfshira në procesin e zgjerimit të BE-së.
Përmes edhe këtyre konkluzave, BE-ja ka përseritur përkushtimin për të vazdhuar procesin e zgjerimit por ka porositur kandidatët dhe kandidatët potencialë se dinamika e afrimit të tyre do të varet nga meritat individuale në përmbushjen e kritereve të nevojshme.
Diskutimet më të vështira kanë qënë rreth formulimeve të pjesës së konkluzave kushtuar Kosovës, Serbisë dhe Maqedonisë.
Për Kosovën është dashur të ketë kompromis që do t’i kënaqte si 22 shtetet që e njohin atë si shtet, ashtu edhe 5 vendet të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Për Serbinë dhe Maqedoninë disa shtete kanë kundërshtuar përmendjen e muajt qershorë të vitit 2013 si afat për të marrë vendimin për nisjen e negociatave të anëtarësimit.
Njësoj ka qënë edhe në rastin e Kosovës për nisjen eventuale të negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.
Në fund, si kompromis nuk është përmendur asnjë datë, por është lënë një kornizë kohore e cila hap mudnësinë që vendimet, nëse përmbushen kushtet, të mirren në pjesën e parë të vitit 2013.
“Këshilli merr në dijeni Studimin e Fizibilitetit për marrëveshjen Stabilizim Asicijimi (MSA) mes BE-së dhe Kosovës, pa prejudikuar qëdrimin e shteteve anëtare për statusin. Këshilli merr në dijeni se Komisioni do të propozojë direktiven për negociata për MSA kur Kosova të ketë përmbushur prioritetet afatshkurta lidhur me sundimin e ligjit, administratën publike, mbrojtjen e pakicave dhe tregtinë, të cilat janë identifikuar në Studimin e Fizibilitetit“, thuhet në konkluzat për Kosovën.
Në to më tutje thuhet se “Këshilli, në veçanti, fton Kosovën që të shtojë ritmin e reformave. Angazhime të mëdha duhen posaqërishtë për forcimin e reformës së administratës publike dhe konsolidimin e sudnimit të ligjit, në veçanti duke dhënë dëshmi për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, reformën e gjyqësorit dhe lirinë e shprehjes“.
Përmes konkluzave BE-ja i ka bërë thirrje Kosovës që të vazhdojë angazhimin konstruktiv në dialog dhe të zbatojë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash, si dhe të bashkëpunojë me misionin e BE-së në fushën e rendit dhe ligjit.
“Këshilli i bën thirrje Kosovës të bëjë progres të mëtejmë në fushat kyçe, përfshirë edhe bashkëpunimin me EULEX-in dhe punën e ekipit të posaqëm hetues të EULEX-it, të kryejë obligimet e saja“, thuhet në konkluza.
“Këshilli nënvizon rëndësinë që Kosova të ruajë bashkëpunimin e saj të ngushtë me EULEX-in duke respektuar mandatin e rivendosur të këtij misioni. Në përputhje me konkluzat relevante të Këshillit, Këshilli rikujton vullnetin e Bashkimit Evropian që të ndihmojë Kosovën në zhvillimin e saj ekonomik dhe politik përmes perspektivës evropiane, në përputhje me perspektivën evropiane të rajonit. Nënvizon nevojën që të ndërmirren hapa konkretë në këtë drejtim“, thuhet më tej.
“Me qëllim të marrjes së mundshme të vednimit për hapjen e negociatave për MSA me Kosovën, Këshilli do të shyqrtojë në bazë të raportit që do të prezantohet nga Komisioni dhe nga Përfasqësuesja e lartë – Nënkryetarja e Komisionit në pranverë të vitit 2013, progresin e arritur në të gjtiha çështjet e lartpërmendura. Këshilli do ta vlerësojë këtë raport gjatë presidencës së ardhshme. Në rast se vlerësimi është pozitiv, Këshilli do të miratojë direktivat për negociatat“, është fjalia e kompromisit për Kosovën e cila, ndonëse nuk përmend datë, lë të hapur mundësinë që kjo të ndodhë gjatë kryesimit Irlandez të BE-së në gjysëmvjetorin e parë të vitit që vjen.
Por, për këtë Kosova duhet të përmbushë më parë të gjitha kushtet dhe kjo të vërtetohet edhe nga Këshilli i BE-së.
Në Jarinë ende s’ka import malli komercial
Zbatimi i marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufijve ka filluar të zbatohet, por në vendkalimin kufitar në Jarinë aktualisht po behët vetëm evidencimi i mallrave që hyjnë në Kosovë, megjithëse këto mallra do të duhej të zhdoganoheshin në terminalin që gjendet në jug të Mitrovicës.
Të paktën kështu deklaroi njeri nga përfaqësuesit e serbëve të veriut, Millan Ivanoviq nga Këshilli Kombëtar Serb.
“Policia, përveç evidencimit të mallit, po insiston ta doganojë në terminalin, në anën jugore. Serbët po e kundërshtojnë dhe nuk e pranojnë këtë, duke pasur parasysh garancitë që i ka dhënë Qeveria e Serbisë, se për veriun e Kosovës nuk do të ketë pagesë të doganës”, ka deklaruar Ivanoviq, për të shtuar se në ditët në vijmë do të shihet se a do të funksionojë e gjithë kjo.
“Në vendkalimin, në Jarinë, në këtë moment, malli evidencohet. Pastaj, kamionët, nëse ata eventualisht vazhdojnë kah territori i Kosovës, plumbohen dhe dërgohen në terminal, me kërcënimin se do të hapet padia penale ndaj tyre, në qoftë se në afat prej 1 muaji, të ashtuquajturat obligime lidhur me pagesën e doganës dhe taksave tjera nuk plotësohen”, tha Ivanoviq.x
Ivanoviq ka deklaruar po ashtu se të ashtuquajturit deputetët e komunave në veri, bazuar në garancitë e shkruara nga Qeveria e Serbisë, se nuk do të ketë doganim, janë tërhequr përkohësisht nga protesta, por siç thotë ai, nëse nuk përmbushen premtimet e tyre, protestat do të vazhdojnë.
Nga ana tjetër, Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganave të Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë se në vendkalimin kufitar në Jarinë, që kur ka filluar zbatimi i marrëveshjes së IMB-së, nuk ka kalim të mallrave në vlerë të larë apo komerciale.
“Në Jarinë nuk ka pasur import të mallrave komerciale, ka pasur futje të mallrave të konsumit ditor, siç është qumështi apo buka e ushqime të tjera, të cilat kanë vlera minimale, kurse në Merdare ka vazhduar importi normalisht si gjithmonë”, tha Stavileci.
Stavileci ka përsëritur se zhdoganimi i mallrave që hyjnë nga vendkalimet kufitari në Merdare bëhet në Podujeve, kurse i atyre në Jarinë bëhet në jug të Mitrovicës.
“Pagesa e taksave bëhet në terminalet doganore saktësisht në terminalin e Mitrovicë, dhe saktësisht në Podujevë. Do të thotë në pikat hyrëse prej Jarinës në Mitrovicë dhe prej Merdares në Podujevë. Kjo ka qenë edhe më herët, po sidoqoftë deri me tani nuk kemi kalime të mallrave pa pagesë të taksave”, deklaroi Stavileci.
Autoritetet doganore kanë deklaruar se marrëveshja e IBM-se është duke u zbatuar pa ndonjë pengesë
Marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufirit parasheh praninë e policisë dhe doganierëve të Kosovës në vendkalimet kufitare me Serbinë, si dhe ata të Serbisë, por edhe të EULEX-it.
Marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufijve është par si mundësi e mirë për luftimin e kontrabandës dhe fenomeneve të tjera negative që kanë ndodhur në kufirin ndërshtetëror në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Doganat e Kosovës është institucioni më i rëndësishme për mbledhjen e të hyrave buxhetore. Sipas parashikimeve të Qeverisë së Kosovës, Dogana e Kosovës duhet të grumbullojë 860 milionë euro gjatë këtij viti.
Ndërkohë, që nga fillimi i këtij viti e deri më 5 dhjetor, ky institucion ka mbledhur 768 milionë euro për buxhetin e Kosovës(Kortezi Europa e Lire)