• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

USNS Comfort ankorohet në New York

March 30, 2020 by dgreca

– Turmat injorojnë rregullat e ruajtjes së distancës sociale për të parë USNS Comfort, që mbërriti në Pier 90 në Manhattan në orën 10:42 am, De Blasio paralajmëroi gjobë me $500.00 për ata që nuk ruajnë distancën 6 feet.

           Anija spitalore USNS Comfort mbërriti në New York të hënën në mëngjes për të ndihmuar në luftën kundër koronavirusit.

        Anija e dërguar të Shtunën nga Presidenti Trump nga Stacioni Detar Norfolk në Virxhinia, mbërriti në Pier 90 të Manhattan në 10:42 të paradites të sotme dhe turmat kureshtare u vërsulën për të parë nga afër pa respektuar distancat e rekomanduara nga ekzekutivi.

       Anija ka një kapacitet prej 1.000 shtretërve dhe për këtë situatë është shumë e nevojshme, pasi infeksioni i COVID-19 vazhdon të tendosë kapacitetet e spitaleve.

       Guvernatori Andrew Cuomo paralajmëroi ardhjen e përforcimeve, duke përcjellë një video të xhiruar nga një anije e Policisë së Shtetit në Nju Jork, që shoqëronte Komfortin prej 70,000 tonësh.

” USNS Comfort sjell në Nju Jork 1.000 shtretër spitalorë aq shumë të nevojshëm”, ka thënë Cuomo.

Comfort është i pajisur me 12 salla operative dhe ka një staf të plotë mjekësh, infermierësh dhe specialistësh mjekësorë.

Sipas komenteve pritet që Comfort të trajtojë pacientët me lëndime dhe sëmundje të tjera, duke çliruar shtretërit spitalorë të qytetit për ata që kanë më shumë nevojë për to.

Cuomo ka thënë se NYC do të kërkojë të paktën 140,000 shtretër spitalore.

Guvernatori ka urdhëruar spitalet në mbarë vendin që të rrisin kapacitetet e tyre për një minimum prej 50 përqind, ndërkohë që qeveria federale ka ndihmuar me Javits Center, që ka një kapacitet me 1 mijë shtretër.

Ndërkohë, një organizatë e ndihmës ungjillore e krishterë të Dielën ngriti tendën e parë në kuadër të 14 të tillave që do të përbëjnë spitalin fushor në lëndinën Lindore të Central Parkut, me kapacitet 68 shtretër.

Turmat injorojnë rregullat e ruajtjes së distancës sociale për të parë USNS Comfort, De Blasio paralajmëroi gjobë me $500.00

Turmat injoruan rregullat e mbajtjes së distancës sociale të Nju Jorkut dhe mbushën anën perëndimore të Manhattan të hënën, 30 Mars, për të parë anijen spitalore të marinës amerikane, që ka mbërritur për të dhënë ndihmën e nevojshme për koronavirusin.

Njerëzit qëndronin krah për krah, madje bënin edhe fotografi pranë USNS Comfort ndërsa u tërhoqën në Pier 90 pranë Rrugës West 50 rreth orës 10:40 të mëngjesit. Disa tundnin flamuj amerikanë dhe të tjerë u afruan ngjitur me njëri tjetrin pranë skelës.

Të paktën një duzinë policësh të NYPD qëndronin pranë dhe fillimisht nuk i shpërndanë kalimtarët, duke i lënë kureshtarët të bënin fotografi.

Nga ana e tij kryebashkiaku ka paralajmëruar se shkelja e rregullave do të ndëshkohet. De Blasio ka thënë se Njujrokezët që injorojnë urdhrat nga zyrtarët e qytetit për të ruajtë distancën 6 feet mund të përballen me një gjobë prej 500 dollarësh.

“Qëllimi është vetëm t’i bëjmë njerëzit që të respektojnë sigurinë e tyre dhe sigurinë e të gjithëve,” tha de Blasio për NY1 të hënën në mëngjes.

Spitali lundrues u dërgua në Nju Jork për të lehtësuar spitalet e tejmbushur nga pacientë të prekur COVID-19. Më shumë se 1.000 njerëz në shtet kanë vdekur nga virusi, tha guvernatori Andrew Cuomo të hënën nga Spitali Javits Center, i cili tani është duke u përdorur si një spital fushor.

Cuomo përshëndeti USNS Comfort në një mesazh të hënën në mëngjes, duke shkruar se ardhja e anijes “do të mbahet mend”. “Kapaciteti spitalor që shtojmë tani do të shpëtojë jetë,” shkruajti guvernatori, duke shtuar: “Zoti e bekoftë New York-un”. USNS Comfort ëhsët para në New York për herë të fundit me rastin 11 shtatorit tragjik. Më pas Cuomo dha një konferencë shtypi.

Përgatiti:Dalip Greca

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, USNS Comfort

COVID-19:CBS NEWS VAJTON GAZETAREN MARIA MERCADER

March 29, 2020 by dgreca

GUVERNATORI CUOMO ZGJAT DERI NE 15 PRILL AFATIN E MBYLLJES PËR BIZNESET JO JETIKE/

  • “PACIENTI ZERO” DEL NGA SPITALI DHE SHKON NË SHTËPINË E TIJ NË WESTCHESTER/
  • CBS NEWS VAJTON GAZETAREN MARIA MERCADER/

      Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë që të kenë rritje të numrit të infektuarëve me 17,981 për 24 orë , me 2,469 viktima (249 për 24 orët e fundit), duke e cuar numrin e përgjithshëm të të infektuarëve në 141,559 me 4,435 të shëruar. New Yorku vazhdon që të jetë në qendër e epidemisë të COVID-19.

                       Nuk i kanë shpëtuar kësaj epidemie as bashkatdhetartë tanë, edhe pse nuk i kemi të dhënat e plota, shënojmë se: Të Dielën u shtrua me shqetësime në frymëarrje edhe një bashkatdhetar shqiptar me banim në Bronx,i moshës 79 vjeçare duke e çuar në 5 numrin e shqiptarëve në NY të identifikuar si bartës të virusit dhe me probleme.

  Edhe New Jersey, fqinjë me New Yorkun, ka filluar ta rrisë shkallën e të prekurëve dhe të viktimave. Për 24 orëshin e fundit u raportuan 2,262 të infektuar plus, duke e çuar numrin total në 13,386,i renditur i dyti në radhën e shteteve të prekur nga Coronavirusi, dhe u shënuan 21 viktima për 24 orë. Edhe Michigani i ka rritur shifrat e të infektuarëve me 836 pacientë të infektuar vetëm në 24 orët e fundit, 21 vdekje më shumë në këtë fundjavë, Illinoisi gjthashtu shënoi 18 viktima në 24 orët e fundit.

New Yorku mbanë peshën kryesore të panepidemisë. Pothuajse 60,000 raste të infektuar nga koronavirusi dhe 1.000 vdekje ishin të dokumentuara deri të dielën në të gjithë Shtetin e New York-ut, njoftoi të Dielën Guvernatori Andrew Cuomo, ndërsa zgjati deri me 15 prill afatin e mbylljes të bizneseve jo jetike në të gjithë shtetin.

“Virusi vazhdon marshimin e tij në të gjithë shtetin e Nju Jorkut,” tha Cuomo në konferencën e tij të përditshme të shtypit në Albany, duke përmendur se vetëm dy qarqe në të gjithë Shtetin deri më tani nuk kanë raste të konfirmuara të COVID-19. “Nju Jorku është epiqendra.”, përsëriti ai.

Tani shteti i New Yorkut ka regjistruar  59.648 pacientë të konfirmuar, me 965 të vdekur, theksoi Cuomo.

Kjo shifër përfshin 32308 pacientë të infektuar dhe 678 vdekje vetëm në New York City, ku një banor tani po vdes çdo 8.9 minuta, sipas statistikave të qytetit.

Me kulmin e kurbës, që end enuk ka ardhur, Cuomo zgjati urdhrin e tij “PAUSE” duke detyruar mbylljen e bizneseve jo-thelbësore në të gjithë shtetin, për të paktën deri në 15 Prill, me tendencë rishtyrje për më tutje, ndoshta edhe majin, por të kemi parasysh deklaratë e Presidentit Trump se 1 Qrshori mund të jetë data e daljes nga beteja.

Gjithësesi Cuomo paralajëmroi se ky afat kohor nuk është përfundimtar pasi po ndiqet situata çast pas çasti dhe në përshtatje me çfarë do të ndodhë do të merren edhe masat e mëtejshme.

“PACIENTI ZERO” DEL NGA SPITALI DHE SHKON NË SHTËPINË E TIJ NË WESTCHESTER

Avokati 50-vjeçar që ishte pacienti ‘zero’ në Westchester ka dalë nga spitali i shëruar dhe ka shkuar në shtëpinë e tij, njoftoi Guvernatori i shtetit të New York-ut, Andrew Cuomo të Dielën.

Eshtë fjala për avokatin Lawrence Garbuz – i cili u identifikua më 2 Mars si mbartësi i parë i virusit COVID-19 në New Rochelle, dhe më pas infektoi në mënyrë zinxhir 50 persona. Ai gati u shtrua në gjendje kome, kur e dërguan në spital, por mjeksia arriti që ta shëronte, dhe pas 27 ditësh ai u kthye në shtëpi.

Guvernatori e kishte lënë lajmin për ta bërë surprizë gjatë konferencës për shtyp kur deklaroi: “Pacienti zero ‘në Westchester, New Rochelle – i cili ishte shumë i sëmurë për një kohë shumë të gjatë, në fakt ka shkuar në shtëpi”.”Ai është jashtë spitalit,” tha guvernatori, duke mos dhënë detaje të tjera.

Garbuz – i cili udhëtoi me trenin e Metro-Northit për të arritur në firmën e tij avokatore në Manhattan – nuk kishte shkuar në ndonjë shtet tjetër jashtë SHBA ku ishinpikat e nxehta të koronavirusit, por ka të ngjarë ta ketë marrë virusin nga dikush tjetër brenda vendit.

Virusi u përhap me shpejtësi në mesin e dhjetra  personave në komunitetin e tij, duke e shtrirë veprimin e koronavirusit në sinagogën e familjes.

Cuomo të Dielën e përdori atë si një shembull se si veprimtaritë fetare kanë bukurinë e tyre, por ndodh që edhe sëmurin shumë njerëz.

CBS NEWS VAJTON GAZETAREN MARIA MERCADER

CBS News po vajton për humbjen e Maria Mercader, një veterane e gazetarisë. Ajo mbuloi lajmet e rrjetit CBS për gati tre dekada dhe ndihmoi në formimin e strategjisë për korrespondentët dhe reporterët e rrjetit.

Maria ishte 54 vjeç dhe vdiq nga koronavirusi Covid-19 në një spital të New York, edhe pse vuante nga kanceri. Ajo kishte qenë në pushim mjekësor, por që nuk lidheshin me koronavirusin, që nga muaji shkurt.

Maria luftoi kancerin për më shumë se 20 vjet, dhe ishte një frymëzim sa herë që kthehej në punë, edhe pse e dinte se sëmundja e kërcënonte t’i jepte fund jetës, por ja edhe COVID-19 e sulmoi atë.

“Më shumë sesa talent-është shprehur Susan Zirinsky, presidente CBS News-“Maria ishte pjesë e gjithë jetës sonë. Edhe kur ishte në spital, ajo do të thërriste dhe do të ndihmonte me këshilla, inkurajim dhe do të thoshte ‘ju mund ta bëni këtë.” Unë e quaja Marian një “luftëtare”. Maria ishte një dhuratë që ne e vlerësonim “….

Maria filloi në CBS News në vitin 1987.Ajo mbuloi ngjarje të mëdha kombëtare dhe ndërkombëtare, përfshirë vdekjen e Princeshës Diana dhe sulmet e 11 shtatorit. Ajo fitoi një çmim Emmy  në 2004 për punën e saj në një raport “CBS Sunday Morning”.

Maria Carla Mercader lindi në 28 nëntor 1965 në New York City. Ajo ndoqi Dominican Academy në Manhattan, dhe u diplomua në College of New Rochelle në vitin 1987.

Frymëzuar nga nëna e saj, Gladys, e cila ishte pianiste për Teatrin e Baletit Amerikan, Maria e donte muzikën dhe ishte një mbështetëse e madhe e baletit.

NJË SHËRBIM I RI URGJENCE NË MANHATTAN PËR COVID-19

Në kërkim të rritjes së kapaciteteve të shtretërve dhe hapsirës, këto ditë është duke u ndërtuar edhe një spital në terren i urgjencës në Parkun Qendror të Manhattan, njoftoi stacioni lokal i lajmeve NY1. Objekti me 68 shtretër ndodhet përtej vendndodhjes së Spitalit Mt Sinai në anën Lindore. Do të ketë një “njësi të kujdesit të frymëmarrjes me aftësi të ICU” dhe do të jetë në gadishmëri operacionale deri të martën në mëngjes, trasmetoi NY1.

Punëtorët e një organizatë të krishterë nga Karolina e Veriut kanë filluar ndërtimin e strehimoreve të përkohshme mjekësore. Dr Elliott Tenpenny, i cili drejton ekipin, tha se zyrtarët shtetërorë e hartuan planin pasi M Sinai kërkoi ndihmë.

Themelimi i një qendre të përkohshme mjekësore vjen midis tensioneve në rritje në sistemin mjekësor të qytetit të Nju Jorkut, duke filluar nga një fluks i pacientëve me koronavirus deri tek mungesa e aksesit të punonjësve të kujdesit shëndetësor në pajisjet mbrojtëse.

Përgatiti: Dalip Greca

Filed Under: Opinion Tagged With: dalip greca

DR. DETINA ZALLI MD: VAKSINA KUNDËR COVID-19 ËSHTË NË FAZËN EKSPERIMENTALE

March 28, 2020 by dgreca

  • FLET PËR DIELLIN SHKENCËTARJA SHQIPTARE QË ËSHTË E PËRFSHIRË NË EKSPERIMENTIMIN E VAKSINËS KUNDËR CORONAVIRUSIT, DR. DETINA ZALLI MD, LIGJËRUSE NË UNIVERSITETIN E OXFORDIT-/
  • Shkencëtarët po testojnë 69 ilaçe kundra koronavirusit./
  • Janë 3 prova klinike, ku do të ketë qindra pacientë që do të testohen /dhe do të ndiqen për një vit. A zhvillojnë simptoma të tjera? Si e prekin sistemin imunitar? A zhvillojnë antitrupa? etj.

NGA DALIP GRECA

Para 7 vitesh gazeta Dielli i uronte mirëseardhjen në Harvard Detina Zallit, përmes një interviste, ku u shpalos historia e veçantë e dy motrave binjake 11 vjeçare, Detinës dhe Argitës, të cilave bashkë me prindërit, kundrejt pagesës me para të marra borxh, u qe premtuar udhëtimi drejtë ëndrrës britanike me avion, por përfunuan në maune, dhe fati i ndihmoi për të mbërritur në qytetin-port Folkestone në Jug të Anglisë. Ishte viti 1999. Dielli tregonte kapërcimin e vështirësive të familjes dhe të dy motrave të cilat duke triumfuar edhe mbi racizimin ndaj emigrantëve arritën që të shkëlqenin në shkollat britanike dhe po çanin shtigjeve të shkencës. Detina kaloi 4 vjet e gjysëm në Harvard. Po ç’ndodhi gajtë atyre katër viteve e gjysëm e më pas në jetën e Detinës? Si është e përfshirë ajo sot në grupin shkencor për vaksinën kundër COVID-19, ç’mendon për Koronovirusin, për kalimin e vaksinës nga eksperimenti në prodhim e përdorim? Lexojeni të plotë intervistën e dhënë enkas, shoqëruar me nëj mesazh shumë të ngrohtë.

DIELLI: Përshëndetje Dr. Zalli. Ra ky Coronavirus dhe u pamë sërish virtualisht 7 vjet pas intervistës së parë me gazetën DIELLI, Çfarë mund të thotë rreth panepidemisë të COVID- 19 shkenctarja Detina Zalli në këtë situatë ankthi ku njerëzimi pret me padurim lajmin e vaksinës shpëtuse prej Coronavirusit? 

Dr. Detina ZALLI-COVID-19 është pjesë e një virusi të cilët bëjnë pjesë në familjen korona. Këto viruse janë të mbështjellura me proteina të jashtme të ngjashme me kurorën prandaj quhet dhe koronaviurs. Janë pikërisht këto korona që e mbrojnë virusin në një farë mënyre  dhe bëjnë që virusi të qëndrojë i paprekur në pikat mukozale në ajër dhe në sipërfaqe për disa ditë. Kjo është edhe arsyeja pse janë të rrezikshëm.

Si përmenda ka shumë viruse të tilla, por që ndryshojnë dukshëm në virulencë dhe përfshijnë ftohjen e zakonshme, gripin, poliomielitin, fruthin, hepatitin C / E, virusin Ebola. 

DIELLI:- Njerzimi po pret me ankth vaksinën.Kur mendoni se do ta kemi vaksinën e parë?

Dr. Detina ZALLI- Në fakt, Vaksina e parë ka filluar fazën e provave klinike nga kompania Moderna në Boston, por duhet kohë për të kaluar nga faza eksperimentale në fazën e prodhimit për përdorim tek njerëzit. Gjithëmonë duhet marrë në konsideratë kushti nëse del me sukses faza eksperimentale. 

Dielli: Duke qenë pjesë e eksperimtetit, nuk mund të parashikoni një afat kohor?

Dr. Detina ZALLI- Natyrisht një parashikim edhe mund të bëhet. Mendohet rreth 14-18 muaj.Jo sepse nuk duam ta përshpejtojmë procesin, por sepse eksperienca tregon se nëqoftëse vaksina nuk është e verifikuar mirë, mund të bëjë më shumë dëme sesa efekte kuruse. Duhet verifikuar se këta pacientë që po marrin doza të ndryshme vaksinimi të pergjigjen e të reagojnë mirë kundrejt vaksinës. Të krijojnë antitrupa kundër proteinës spike që ndodhet në virus dhe që infekton qelizat. 

DIELLI: Konkretisht si do të do kryhet faza eksperimentale, në sa pacientë do të eksperimentohet, çfarë do të vëzhgohet?

Dr. Detina ZALLI- Janë 3 prova klinike, ku do të ketë qindra pacientë që do të testohen dhe do të ndiqen për një vit. A zhvillojnë simptoma të tjera? Si e prekin sistemin imunitar? A zhvillojnë antitrupa? etj….Vaksina duhet të jetë e vleshme për të gjithë moshat, fëmijët, të moshuarit, personat që mund të vuajnë nga sëmundje të tjera për shembull, diabeti etj. Nuk është e lehtë ti shpejtosh të gjitha fazat. Por çdokush po bënë të pamundurën. Të gjithë duam të njëjtën gjë.

Në qoftë se nxitojmë vaksina mund të mos jetë efikase për asnjë grup moshash. Dhe mund të infektojë dhe vrasi njerëz. Asnjë nuk do ketë. Theksoj të gjithë duam të njëjtën gjë dhe shkencëntarët po luftojnë duke bashkëpunuar me njeri tjetrin kundra virusit.

DIELLI: COVID-19 – PSE KAQ I RREZIKSHEM NE KRAHASIM ME VIRUSET E TJERE

Dr. Detina ZALLI- Mendoj edhe për këto arsye: 1- Simptomat shfaqen më vonë sesa SARS- që do të thotë që njerëzit shpesh ua kalojnë të tjerëve edhe para se ta dinë se e kanë.

2- Aktivizohet shumë lehtë nga enizma FURIN që gjendet në shumë indet tona.

DIELLI: Kemi dëgjuar se në pritje të vaksinës po rekomandohen disa ilaçe kundër koronavirusit. Çfarë mendojnë shkencëtarët?

Dr. Detina ZALLI- Shkencëtarët po testojnë 69 ilaçe kundra koronavirusit.

DIELLI- Mendoni se njerzimi u ndodh i papërgatitur përballë kësaj beteje me armikun e padukshëm dhe të panjohur apo e nënvleftësoi? 

Dr. Detina ZALLI- Mendoj se shkencën dhe mjekësinë e ka gjetur të papërgatitur. Zakonisht si shkencëtarë nuk i nënvloerësojmë viruset, aq më tepër ata të panjohurat, për të cilët nuk ka ende një kurë. Megjithatë dua të theksoj që jemi të gjithë të mbledhur së bashku duke kooperuar me njeri tjetrin dhe duke ndarë të gjitha informacionet në mënyrë që të gjejmë një kurë, një vaksinë. Shkenca po përparon. Si kam përmendur në intervista të tjera ka me shumë se 45 vaksina me të cilët po punohet. Vaksina e parë që po provohet në Phase I clinical trial është në Seattle, ku janë injektuar 4 indivdët e parë gjatë javës së kauar. Ka shpresë. Jam e sigurt që do e fitojmë edhe ketë betejë, por që duhet kohë. Edhe shkenctarët edhe mjekët kanë nevojë për kohë.

DIELLI-  Si ka vepruar Dr. Detina Zalli nga momenti i shfaqjes së Panepidemisë deri në këto momente? – Shihni dritë në fund të tunelit? – Sa e gjatë mund të jetë beteja? – A ka raste të rikthimit të virusit pas shërimit tek pacientet? – Mendoni se kjo Panepidemi do të ndryshojë mënyrën e jetesës së qytetarëve? 

Dr. Detina ZALLI- Unë jam duke punuar me një grup të mrekullueshëm shkencëtarësh në Universitetet dhe laboratorët më të mirë në botë si MIT dhe Harvard , jemi duke bërë research të detajuar bazuar në gjetjet e fundit laboratorike në mënyrë që të edukojmë shkencëtarët. Qëllimi jonë është të edukojmë sa më shumë kërkues shkencorë që po merren me zhvillimin e vaksinave, apo zhvillimin e testeve të shpjeta diagnostikuse apo trajtime efektive, duke i dhënë rekomandime të sakta mbështetur nga fakte dhe burime të shëndosha shkencore dhe mjekësore. Patjetër shikoj dritë në fund të tunelit. Jam e sigurt që shkenca do përparojë si po e tregon nga faktet e fundit (zhvillimi i vaksinave apo ilacave antivirale) por që do kohë. 

Bazuar në faktet shkencore nuk mund të them me bindje të plotë që virusi nuk do kthehet përsëri tek pacientët e shëruar (që kanë kaluar virusin) sepse ende po zhvillohen shumë teste dhe kërkime për këtë por mund të them që ngjasitë më të mëdha janë që të mos kthehet duke patur parasysh që trupi i njeriut krijone antitrupa kundër virusit (në këtë rast kundër Sar-Cov2 që shkakton COVID-19) dhe që teorikisht duhet ta eliminojë menjëherë virusin në qoftë se e takon për herë të dytë.

Mendoj që kjo panepidemi do ti bëjë njerëzit më të ndjeshëm, dhe do të vlerësojnë më shumë jetën dhe marrëdhëniet me njeri tjetrin. Në të nëjjtin kohë do ti hapi horizontin, do kuptojnë që jo të gjitha gjërat janë të kontrollueshme dhe nuk i kontrollojmë dot. Gjithashtu do vlerësojnë që përgjegjësia (Të qëndrosh brenda për tu mbrojtur nga virusi) ndonjëherë është më e rëndësishme sesa liria (e të dalit jashtë). Patjetër që të gjithë do kalojnë në një farë mënyre krize ekonomike, dhe gjërat per shumë individë mund të jenë më të vështira, por që thelbi kryesor që të gjithë njerëzit po kalojnë është rëndësia e jetës, dashuria për jetën, dhe për njeri tjetrin.

DIELLI- Dr. Detina, gazeta Dielli, më e vjetra e botës shqiptare, që sapo ka festuar 111 vjetorin e numrit të parë, ka pasë nderin t’ju intervistojë para 7 vitesh, kur ju erdhët për doktoraturën në Harvard. A mundeni ta plotësoni atë intervistë me sa te mundeni? – Ç’ndodhi në ato 4 vite e gjysem që ju kaluat në Harvard? A mund të përshkruani aktivitetin tuaj të plotë atje?

Dr.Detina Zalli-Në Harvard kalova një periudhë shumë të bukur të jetës time, ku nuk u zhvillova vetëm si shkencëtarë apo pedagogë por edhe si një udhëheqëse. Bashkëpunimi me kolegët më rriti profesionalisht dhe personalisht. Ishim tamam si një familje të rrethuar nga kurioziteti dhe të uritur për njohuri. Në Harvard publikova dy gazeta të rëndësishme shkencore si edhe i drejtova shumë kurse në fushën e biologjisë mjekësore dhe biokimisë për mjekët, studentët e doktoraturës, si edhe për undergraduate students. Punova me shkencëtarët më të mirë të botës (mund të them) të cilët më inspiruan dhe mbështetën duke parë pasionin tim për pedagogji dhe urinë për njohuri.

 E inspiruar nga ish Presidenti i Amerikës Obama, u bëra pjesë edhe në Harvard Graduate Government, ku pata fatin të njihja shumë mendje të ndritura dhe u përfshiva në drejtimin e eventeve më të rëndësishme si për shembull Harvard Leadership Conference, apo isha drejtuese e Harvard Lecture That Last. Mbase momenti më krenar ka qenë zhvillimi i eventit në Univiersitetin e Harvardit për librin tonë “Good Morning Hope” që do të publikohet në 2021, në të cilën së bashku me motrën binjake, Argita Zalli, treguam historinë e jetës tonë e cila u prit me duartrokitje. (Ishte një event i vecantë sepse zakonisht universiteti i Harvard nuk bën evente dedikuar dy personave. 

DIELLI: Ç’ndodhi pas Harvardit?

Dr. Detina ZALLI-Pas Harvardit u riktheva në Londër afër familjes time, ku punova si pedagoge në fushën e biomjekësisë. Pjesa e punës time ishte të udhëtoja në Azi. Ka qenë një eksperiencë shumë e bukur dhe e veçantë sepse u takova me kultura të ndryshme të cilët më kanë zhvilluar personalisht. 

DIELLI: A ka ndryshuar statusi juaj familjar?

Dr. Detina ZALLI- Nga ana personale, kam gjetur njeriun e zemres, bashkeshortin tim Toni, dhe jam bere mami i dy femijeve te mrekullueshem, Destini dhe Dielli, te cilet me kane ndryshuar jeten duke me dhuruar akoma me shume dashuri, inspirim. Tani çdo gje qe bej eshte per ata (perveçse normalisht per prinderit e mi qe jane gjithçkaja e jetes time).

DIELLI: Diçka rreth rolit tuaj si Ligjëruese në Universitetin e Oksfordit?

Dr. Detina ZALLI– Jam duke punuar me profesorë të shkëlqyer që më inkurajojnë çdo ditë dhe që më japin mundësinë të udhëheq. Jam shumë e apasiunuar pas punës time, dhe tani jemi duke udhëhequr një kurs designed për profesionalistët e fushës shkencore dhe mjekësore, si mjek, shkencëtarë, kirurg për tu mësuar më shumë reth shkencës së kancerit dhe zhvillimit të ilaçeve. 

DIELLI: Jeni bërë figurë e njohur shkencore dhe publike, keni vizitiuar botën, ndërkohë që ju nuk i keni shkëputur lidhjet me vendlindjen. Ç’mund të thonë për këtë, çfarë ju mbanë lidhur? 

Dr. Detina ZALLI- Shqipëria është vendi më i dashur e cila më ka mbështetur, rritur (megjithëse me sakrifica), më ka mësuar mësuar të dua dhe të respektoj të tjerët. Për mua është mëse normale të kem lidhje jashtëzakonisht të afërta me shqipërinë. Ndihem shumë shqiptare. Këtë më kanë transmetuar prindërit e mi të cilët vazhdojnë të më mbështesin dhe sakrifikojnë aq shumë, dhe që më kanë folur me aq dashuri për Shqipërinë. Këtë e shikoj tek njerëzit ,shqiptarët, respekti, dashuria dhe mbështetja e tyre që nuk i krahasoj me asnjë gjë në botë. Mendoj që pasuria ime më e madhe ka qenë mundësia për ti parë këto gjëra dhe për ti vlerësuar akoma më shumë.

DIELLI: Vendlindjen tuaj, Patosin, nga ku ju u larguat fshehurazi, po Bubullimën e gjyshërve, a i keni vizituar?

 Dr. Detina ZALLI- Shpesh herë ku shkoj në Shqipëri mundohem të shkoj edhe në Patos (vendi ku kam lindur) megjithëse nuk kam më shtëpi atje, apo Bubullimë (ku janë gjyshërit e mi). Verës së kaluar kalova 2 javë në Bubullimë ku kalova shumë kohë me të afërmit e mi, apo njerëzit që gjendeshin aty (komshinjtë e lagjes). Bisedova me të gjithë dhe kalova shumë bukur. Në ato momente kupton vërtet që suksesi më i madh, pasuria më e çmuar, janë lidhjet njerëzore, dashuria dhe respekti që të rrethon, modestia dhe humaniteti. 

DIELLI: – Një mesazh për lexuesit e DIELLIT në formën e këshillave? 

Dr. Detina ZALLI– Dua tu them që të mos ndihen kurrë të moshuar (çfarë do moshe të kenë) për të patur një qëllim të ri ose për të ëndërruar një ëndërr të re. Këshillat e tjera janë thënë përmes intevistës.

DIELLI: -Shumë faleminderit Dr. Detina. E vlërsoj shumë që edhe pse shumë e mbingarkuar ju gjetët sërish kohë që t’ia kushtonit intervistës me gazetën DIELLI!

Detina ZALLI: Ju lutem, nuk ka nevojë për falenderime. Ju keni qenë të parët që më keni intervistuar në Harvard dhe prindërit më kanë mësuar çdo të thotë respekti, apo mirënjohja, kështu që e ndiej të detyrueshme moralisht t’ju përgjigjesha. Ishte kënaqësi që biseduam!

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, Dr.Detina ZALLI

NËNKRYETARI I VATRËS ERVIN DINE, I PËRFSHIRË NË BETEJËN KUNDËR KORONAVIRUSIT

March 24, 2020 by dgreca

Ervin Dine, nënkryetar i Vatrës, në bisedën online me editorin e Diellit, tregon se si po e përballon situatën e krizës të shkaktuar nga COVID-19, pasi kompania e tij është e përfshirë në listën e guvernatoreve të shteteve si “essential services”, dhe si të tillë ka kontrata me qeverine lokale dhe atë federale. Si po e përballon këtë situatë familja e tij? Po në jetën e Ervinit cfarë ka ndryshuar?  Cili është mesazhi i tij për bashkatdhetarët në Shqipëri dhe në diasporë? Ndiqeni bisedën:

Dielli: Si është gejndja shëndetsore e familjes Dine në këtë kohë të ngarkuar me shqetësim prej Coronavirusit?  

Ervin Dine: Gjëndja shëndetësore e familjes është përgjethsisht mirë. Jemi munduar të ndjekim rregullat e qeverisë lokale aq sa mundemi. Me fëmijët në shtëpi është pak më e vështirë, sepse ata kanë energji dhe nevojë për të dalë. Në këtë kohë, kur nuk ka shumë informacion rreth virusit, është më mirë të jemi të sigurt, se sa të bëjmë eksperimente.

Dielli: Janë të mbyllur familjarët tuaj apo vazhdojnë e dalin?

Ervin Dine: Si e permenda, jemi përpjekur të ndjekim rregullat aq sa kemi mundur. Fëmijët dhe babai që është në moshë, kanë qëndruar në shtepi. Ndërsa unë kam dalë më tepër për nevoja të domosdoshme, si është furnizimi me ushqim dhe për punë. 

Dielli: Tash ju jeni zhvendosur nga Connecticut në New York. Është e njëta kompani dhe çfarë ka ndryshuar në pozicionin tuaj.

Ervin Dine: Po, është e njëjta kompani. Duke qenë se kompania nuk kishte të implementuar një treg në këtë zonë, ishte përgjegjësia ime të vihesha në lëvizje me një grup njerëzish për të ndërtuar një të tillë. Ashtu si edhe dihet, Nju Jorku dhe Kalifornia kanë tregun më të madh në Amerikë, kjo sjell dhe përgjegjësi më të madhe. Së fundmi, kemi qenë në bisedim e sipër për të ripunuar kontratën me Amazonën, e cila për shkak të COVID-19, do të rishikohet mbas përmirësimit të situatës. Sidoqoft, eksperienca ime në Connecticut ka qenë e veçantë dhe sfiduese. 

Dielli: Ju jeni pjesë e betejës kundër coronavirusit, në ç’mënyrë?

Ervin Dine: Kompania jonë konsiston në transportin gjithëpërfshirës, duke filluar nga makinat me qira për përdorim personal, makina udhëtimesh për biznese të mëdha, kamiona transportues, etj. Jemi përfshirë në listën e guvernatoreve të shteteve si “essential services”, dhe si të tillë kemi kontrata me qeverine lokale dhe ate federale. Gjithashtu, kemi kontrata me kompani të mëdha për transportin e ushqimeve dhe mjeteve të domosdoshme gjatë periudhës së karantinës. Ndër të tjera, kemi filluar bisedimet me kompani shëndetësore të cilat kanë nevoja të mëdha për mjete transporti. 

Dielli: Keni në kompani raste të infektuarish apo të dyshuar si mbartës të COVID-19?

Ervin Dine: Deri në momentin që flas nuk kemi as një punonjës të infektuar. Kemi marrë të gjitha masat e njevojshme për të reduktuar ekspozimin ndaj coronavirus, përfshi dhënien e lejës për të qëndruar në shtëpi punonjësve të cilët shfaqin shenja si, temperaturë apo lodhje. Gjithashtu, po ndjekim direktivat e mjekëve për distancimn social, kemi bër dezinfektim total të ambienteve të kompanisë dhe kemi pajisur të gjithë punonjësit me Skype për të realizuar mbledhje dhe takime virtuale me klientët. Gjithashtu, kemi kërkuar nga qendrat shëndetësore të testojmë punonjësit, por ka rezultuar në kërkesë negative, pasi ata nuk kanë shfaqur shenja. Ftakeqësisht rreziku ekziston pasi çdokush mund të jetë mbartës potencial i virusit. 

Dielli: Po vetë Ervini, sa i rrezikuar ndjehet?

Ervin Dine: Pavarësiht se ndihem i shëndetshëm dhe me një sitem imun të fortë, më shqetëson fakti që mund të jem mbartës dhe shkak për infektimin e familjarëve të tjerë. Sidoqoft, situata ka shkaktuar impakt të madh psikologjik, saqë çdo dhimbje koke ose kollë e shikojmë si një shenjë të koronavirusit. 

Dielli: Duke u kthyer tek familja juaj, si ndjehen pjestarët e familjes tuaj në izolimin e diktuar, në mbylljen në shtëpi? 

Ervin Dine: Izolimi nuk është ideal për askënd, por një kohë kur rreziku është i madh, është i domozdoshmë. Problemi më i madh për familjen time janë dy vajzat e vogla, të cilat janë energjike dhe të vështira për t’u kontrolluar në ambiente shtëpie. Me mbylljen e parqeve është berë akoma edhe më e vështirë, dhe dalja në oborrin e shtëpisë është e vejtmja mundësi. 

Dielli: Te cfar forme jane kontaktet e tanishme me miqte?

Ervin Dine: Fatkeqesisht na ka limituar në përdorim telefonash dhe kamera. Pas lëvizjes sime në NY, kam gjetur gjithmonë kohën të ndaloj në Bronx dhe ndaj një kafe me miq të mirë si, editori Dalip Greca, Mark Mernacaj, Dritan Mishto, Agustin Mirakajn etj. Ndërsa me Ilirjan Blloshmin, i cili jeton në NJ, kafet kanë qenë më të shpeshta. Gjatë kësaj periudhe nuk kam mundur t’i takoj. Gjithashtu, kam qënë në kontakt të vazhdushëm më grupin që po punonë për degën e Manhattan.Telefonatat nuk kan munguar as me editorin e gazetës. 

Dielli: Së fundi, a i frikeni “armikut” të padukshëm COVID-19?

Ervin Dine: Në ushtri ekziston një thenië; “nëse një njeri të thotë nuk kam frikë, po të gënjen, sepse çdokush në mënyrën e vetë ka frikë, por e rëndësishme është si e përballon frikën”. Në këtë rast armiku është i panjohur, gjë e cila vështirëson mundësit për të krijuar strategji për ta luftuar. Strategjia më e mirë për momentin është izolimi dhe shpresa tek Zoti se, doktorët dhe shkencëtarët do munden të gjejnë kurën e duhur. 

Dielli: Çfarë do t’u këshillonit bashkatdhetarëve në përgjithësi dhe vatranëve në veçanti në këtë situatë?

Ervin Dine: Së pari, për bashkatdhetarët në Shqipëri ndjej një dhimbje të madhe, jo vetëm sepse sapo u përballën me një situatë të vështirë si ishte ajo e tërmetit, por edhe për shkak të qeverisë, e cila nuk po bën përgatitjet minimale për të përballuar situatën. Mendoj se, nuk është koha për të bërë politikë, nuk është koha për ndasime, por koha të ruajmë veten dhe familjen. Bashkatdhetarëve ju bëj thirrje të qëndrojnë brënda, të rrespektojnë rregullat të përcaktuara nga institucionet në Shqipëri, pavarsisht se kush i drejton aktualisht këto institucione. Sistemi ynë shëndetësor është në një gjëndje të mjerushme dhe nuk ka kapacitetin të përballojnë një situatë emergjencie ndërkombetare, ndaj e vetmaj zgjidhje për momentin është të qëndrojnë në shtëpi. Ndërsa për vatranët e nderuar, ju uroj shëndet dhe këshilloj të ndejkin rregulloren e vendosur nga autoritetet. Uroj që kjo situatë të përfundoj sa më shpejtën dhe të mund të shihemi sa më shpejt për mbledhjet dhe progamet e Vatrës. 

Bisedoi:Dalip GRECA

Filed Under: Opinion Tagged With: dalip greca, Ervin Dine

RAMIZ MUJAJ: SI U NDODHA PËRBALLË ME TË INFEKTUARIN NGA COVID-19

March 24, 2020 by dgreca

Poeti Ramiz Mujaj, anëtar i Këshillit të Federatës Pan Shqiptare të Amerikës VATRA, vatran për më shumë se tri dekada, është inxhinier riparus, mirëmbajtës, në një nga qendrat e mëdha të rihabilitimit në Bronks, NY- Kings Harbor Multicare Center. Për vetë natyrën e punës, Ramizi, është i ekspozuar ndaj rrezikut të infektimit nga Koronavirusi. Për të mësuar më shumë detaje nga beteja në frontin e luftës kundër Koronavirusit, Kryeredaktori i Diellit, zhvilloi bisedën e mëposhtme:

DIELLI: Përshëndetje i dashur Ramiz. Si jeni Ju dhe familja e madhe Mujaj, këndej dhe matanë oqeanit, në këtë kohë të vështirë të pandemisë së shkaktuar nga Koronavirusi?

Ramiz Mujaj: Deri tani jemi mirë, këndej dhe matanë Oqeanit.

  • Dielli: Ju vetë jeni duke punuar në këtë kohë kur njujorkezët janë të mbyllur nëpër shtëpi?

Ramiz Mujaj: -Po, punoj çdo ditë. Punon edhe bashkshortja ime Fatmirja edhe djali Besarti.

Dielli: Ndjeheni të friksuar nga rreziku i marrjes së virusit në këto kushte?

Ramiz Mujaj: Natyrisht, nuk jemi në gjendje paniku, por tregohemi të kujdesshëm dhe mbrohemi duke respektuar rregullat dhe porositë. 

Ndjehemi pak të shqetësuar për prindërit e mi, të cilët kanë ardhë më herët nga Kosova në New York. Prindërit janë të moshuar ; të dy kanë nga 85 vite, dhe ata po i ruajmë, si i thonë, si drita e syve nga frika se mos marrin infeksion. Megjithatë ndjehemi të qetë ne dhe ata, falë bashkëshortes tim Fatmirës, e cila ka studjuar mjekësi të përgjithshme dhe djalit tim Bestarit, i cili është shumë i informuar dhe përciell me shumë vëmendje ngjarjet dhe ndihmon me sa mundet. Ata e kanë kthyer shtëpinë në një farë mënyre në spital, ku nuk mungon asnjë nga mjetet mbrojtëse të rekomonaduara nga mjekësia dhe shteti.

Dielli: Sa të ekspozuar ndjeheni ndaj infeksionit?

Ramiz Mujaj: Patjetër jemi të ekspozuar sepse jemi në punë, si unë, për shkak të natyrës së punës, ashtu edhe Fatmirja, që punon në mjeksi, çdo ditë pa pushim, po ashtu edhe Bestari, i cili ndodh që ndonjë ditë punon edhe nga shtëpia .

Dielli: Si është gjendja në Kings Harbor Multicare Center?

  • Ramiz Mujaj: Unë kam 14 vjet që punoj në këtë qendër në pozicionin e inxhinierit riparues, i të gjitha pajisjeve që janë në shërbim të pacientëve dhe ndërtesave. Është një qendër relativisht me kapacitet të madh, janë 1000 pacientë dhe po kaq punëtorë(1000). I gjithë stafi punon me përkushtim e rigorozitet për të mbrojtë pacientët dhe veten.
  • Dielli: A është përgatitë personeli nga ana profesionale për ta përballuar këtë situatë dhe si janë vetëdijësuar pacientët e  shumtë që ju keni?

Ramizi: Fillimisht është kulaifikuar personeli duke zhvilluar klasa mësimore për të marrë udhëzime e për të njohur nga afër masat mbrojtëse. Punë e veçantë është bërë edhe me pacientët për ti vetdijësuar duke u treguar konkretisht si të vetëmbrohen, si të ruajnë distancën dhe si të shmangin kontaktet, dhe kemi forcuar rregullat e pastërtisë.

Dielli: Keni raste të infektuarish?

        Ramiz Mujaj: Po, fatkeqsisht kemi. Para 3 ditesh është konstatuar pacienti i parë me koronavirus. Pas tri ditësh numri u shtua, tash janë bërë 10 dhjetë pacientë të dyshuar.

  • Dielli: Pacientët e prekur nga infeksioni dhe ata të dyshuar janë izoluar apo janë dërguar në qendrat e specializuara?
  • Ramiz Mujaj: Edhe të prekurit edhe të dyshuarit po qëndrojnë në të njëjtin objekt ku kan qenë më parë vetëm se izolohen nga të tjerët duke u mbyllur dyert dhe u është vendosur një shenjë për t’i dalluar personeli që u shërben. Kur kryejnë shërbimin pejstarët e stafit të kryepunetorëve mjeksorë përgatisin mbrojtjen e tyre me maska dhe të gjitha paisjët para se të hyjë në dhomën e të prekurit. 
  • Dielli: Në këtë mjedis, ku tashmë dihet se ka të infektuar me virusin COVID-19, si ndjeheni?
  • Ramiz Mujaj: Me datën 23 mars me urdhëruan të shkoja tek një pacient i prekur nga virusi. Për mua ishte rasti i parë dhe vërtetë e prita me hezitim, pse ta fsheh,edhe pak frikë.Nuk më duket se është lojë dhe nuk e kisha provuar një situatë të atillë. Ishte diku pak para mesnatës. Gati i gjithë stafi kryesor i punëtorëve kishte shkuar në shtëpi. Në dhomën e tij duhej ndrequr një paisje. Mu desh ta bëja të madhe dhe i telefonova kryepunëtorit. Ai më tha që të prisja pak sa ta provonte stafi mjeksor nëse mund ta ndreqte, por ata nuk mundën. Pastaj stafi i punëtorëve mjeksor me përgatitën izolimin nga kontaktet me pacientin dhe pajisjet, dhe unë hyra në dhomën e tij. I infektuari ishte një aziatiko-amerikan i infektuar.

Edhe pse isha i izoluar, e ndjeja një lloj shqetësimi brengosës brenda vetes. Madje ende ndjehem i tillë. Më shqetëson mendimi se mund të kem marrë diçka prej tij. Nuk ka trimëri, e gjithë bota është e trembur, pavarësisht thirrjeve për antipanik.

-Dielli: Duke qenë se ju keni përvojën e qendrës ku punoni: Çfarë mesazhi apo këshilla keni për t’u përcjellë bashkatdhetarët në përgjithësi dhe vatranëve në veçanti?

Ramiz Mujaj: Porosia ime për të gjithë bashkatdhetarët, lexuesit e gazetës Dielli, sidomos për vatranët, të cilët për mua janë si anëtarët e familjes time u sugjeroj :Ta respektojnë distancën mes njerëzve në çdo ambient, të mos neglizhojnë pastrimin e duarëve pas çdo rasti të prekjes të çfarëdo objekti dhe ta respektojnë vendosjen e maskës dhe të dorashkave për arësye se gjatë bisedave mund të ketë spërkatje apo prekje .Nëse u mungojnë dizinfektuesi ta përdorin sapunin dhe gjithësesi duhet ti pastrojnë duart për 20 sekonda. Uroj që të gjithë ta kalojmë këtë situatë krize emergjente me sukses dhe pa viktima.(intervistoi: Dalip Greca)

Filed Under: Politike Tagged With: dalip greca

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • …
  • 135
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NGA NJË KOLONI DE FACTO NË NJË KOLONI DE JURE
  • ADEM DEMAÇI, JO THJESHT FIGURË E REZISTENCËS, POR KATEGORI KONCEPTUALE E SHTETFORMIMIT
  • Roli i gazetës “Arnavud/Shqipëtari” në formimin e vetëdijes kombëtare te shqiptarët përballë politikave turqizuese të xhonturqve
  • Si investonte Serbia në thellimin e përçarjeve ndërmjet udhëheqësve shqiptarë dhe në shkëputjen e tyre nga ndikimi austro-hungarez
  • Marrëdhëniet e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut me Republikën e Venedikut sipas dokumenteve të Arkivit Apostolik të Vatikanit, Arkivit të Shtetit të Venedikut dhe burimeve historike botërore
  • “U SHKEPUT NJE METEOR POR ZJARRI MBETET ZJARR…!”
  • Përurim i “American Dream” në Vatër
  • Një vit që ka filluar mbarë për Vatrën në Chicago
  • Kategorizimi i qyteteve shqiptare sipas Sami Frashërit në vitin 1890
  • Abas Kupi, historia, e vërteta dhe dashuria për atdheun…
  • Kur karakteri tejkalon pushtetin
  • ABAZ KUPI DHE LUFTA ANTIFASHISTE NË SHQIPËRI
  • Fortesa Latifi: “It can be difficult to grow up when you’re constantly faced with a younger version of yourself”
  • ABAZ KUPI, I HARRUAR DHE I KEQTRAJTUAR NGA HISTORIA ZYRTARE
  • VATRA DHE FAMILJA KUPI ORGANIZUAN SIMPOZIUM SHKENCOR ME RASTIN E 50 VJETORIT TË KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT TË SHQUAR ABAS KUPI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT