• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHQIPTARET E AMERIKES NDERUAN SHENJTEN TEREZA NE BATTERY PARK

September 5, 2016 by dgreca

 

1 Marku OK

1 Presidiumi


Nga Dalip Greca/

Shqiptarët e Amerikës në Nju Jork, NJ dhe CT, falë kontributit të ansambleistit Mark Gjonaj, e kanë nderuar Shenjtëreshën Nënë Tereza, në Parkun më të frekuentuar të Manhattanit, në Battery Park, që ndodhet përballë Statujës së Lirisë, ku turistët janë të shumtë. Shumë prej tyre iu bashkuan festës së shqiptarëve. Që në orën 4 të Mëngjesit, tha zv/ Kryetari i Vatrës, Agim Rexhaj,kam qenë këtu për të përcjellë drejtëpësëdrejti Meshën e shenjëtrimit, së bashku me shumë bashkatdhetarë të tjerë. Përcollëm emocione të thella të krenarisë shqiptare, pavarësisht besimeve. Gonxhe Bojaxhiu, Shën Tereza e Kalkutës,  është Shënjteresha e Kombit Shqiptar dhe e gjithë Botës, tha për gazetën më të vjetër të Shqipraëve të Amerikës, ” Dielli’,z. Rexhaj.

Disa qindra familje shqiptare i ishin bashkuar kësaj feste, duke e konisderuar shënjtëreshën, bijë të Kombit të Shqipeve. Familja e Marash Mrnacaj, një nga familjet e persekutuara nacionaliste shqiptare, që e gjeti “limanin e shpëtimit” në Amerikë, familja që nxori dhe dëshmorin e Lirisë, Nick Mrnacaj, kishte ardhë e tëra në festë. I shoqëruar nga bashkëshortja Mrije, nga Mark Mrnacaj, nipi i tij, që njohu persekutimin e kampeve të internimit, Marashi, thotë se nuk mund të mungontë në këtë ditë të shenjtë për shqiptarët.

Janë të shumta familjet që i janë bashkuar kësaj feste që pat për organizator ansambleistin Mark Gjonaj, Komunitetet fetare, Federatën Vatra, dhe shuwm organizata e fondacione te komunitetit shqiptar si dhe familjet: Harry Bajraktari, Elmi Berisha me familje, Gjonaj family, Gojcaj family, Malota family, Rusi family, Gjergj Noja Vataj & Family, Benjamin Maintenence etj.

E Diela e 4 Shtatorit kishte një program të ngjeshur për shqiptarët që ishin mbledhur në Battery Park.Që në 4 të mëngjesit u ndoqën veprimtaritë e drejtëpërdrejta nga Vatikani. Më pas Parku ka ushtuar nga këngët dhe vallet e shqiptarëve.

Veprimtaritë e programuara i ka hapë Simon Vukël. Moderatore të aktivitetit ishin Drenica Qeliaj dhe Etrita Ibroci.

Zbulimi i shtatores së Nënë Terezës, vepër e skulpturore e artistit shqiptar që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vasiliev Nini, ishte moment i mbushur me emocione. Bishop Gerald Walsh bekoi shtatoren.

Hymni Amerikan u këndua nga këngëtarja Maria Cunneely, ndërsa Hymni Kombëtar Shqiptar nga këngëtari Kino Gara.

Me duartrokitje është shoqëruar egzekutimi i Himnit të Nënë Terezës prej të famshmes Soprano shqiptare Inva Mula.

Tony Dovolani i ka ngritur pjesmarrësit në këmbë tek ka përshëndetur dhe ka shprehu krenarinë për Shën Terezën e gjakut shqiptar. Ai po ashtu informoi se nuk do të jetë më pjesë e spektaklit  “Dancing With the stars”, por kontributi i tij do të shkojë së shpejti në Prishtinë.

Ansambëlmeni Mark Gjonaj, tha se shqiptarët ndjehen krenarë për Shenjtëreshën Tereza e Kalkutës, madhështia e së cilës i kalon kufijët e Kombit Shqiptar. Vepra e Nënë Terezës është e përbotshme. Ne kemi qenë shumë me fat që kemi një Shenjte, Nënë Terezën me prejardhje shqiptare.

Gati të njëzëshëm ishin klerikët që përcollën mesazhet e tyrë; Bishop Gerald Walsh, Imam Edin Gjoni dhe Fr. Nathan Preston.

Mesazhin e plotë të Imam Edin Gjonit, që zbërthen filozofinë e bashkëjetesës fetare shqiptare, lexuesit e Diellit do të lexojnë të plotë në Diellin e printuar.

Kanë përshëndetur pjesmarërsit “heroi i Recakut”, sic quhet nga Shqiptaret, Ish shefi i Misionit vëzhgues të OSBE-së, ambasadori William Walker, ambasadori i Indisë, ambasadorja e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara Besiana Kadare, Konsullja e Përgjithshme e Kosovës në Nju Jork, ambasadore Teuta Sahatcia dhe të tjerë.

Me duartrokitje të zgjatura u shoqëruar “Lutja” në gjuhën shqipe e Nënë Terezës, e incizuar nga ish gazetari i zërit të Amerikës, Gjekë Gjonlekaj.

Më pas janë recituar poezi për Nënë Terezën.

Haxhi Maqellara, ka kënduar me emocione nga reportori i tij-Këngë për Nënë Terezën, ndër të parat këngë në gjuhën shqipe.

Grupi”Votra” recitoi poezi për nënë Terezën. Po ashtu edhe Nosh Camaj ka recituar vargjet që kishte shkruar enkas për këtë ditë për Nënë Terezën.

Dy folësit për jetën dhe veprën e Nënë Terezës ishin edhe Ines Murzaku-profesore në Seton Hall University, në gjuhën angleze, dhe Profesor Gjon Ivezaj, në gjuhën shqipe.

Performimi i valltarëve të vegjël dhe të rinj të Asmblit”Rozafa”, pranë Qendrës Kulturore”Nëna Terezë” të Kishës “Zoja e Shkodrës”, me koreografe Angjelina Nika, ishte një nga pjesët më duartrokitura të programit argëtues.

Djem dhe vajza të hijshm e kanë performuar në skenë me veshjet tardicionale nga trevat shqiptare prej stilistes së njohur Bora Balaj.

Gëzim Nika, e ka ngritur parkun në këmbë me këngët e tij kushtrim, ndërkohë që në krah të tij ka kënduar edhe e mirënjohura Albërie Hadërgjonaj.

Me një prgram të vecantë  është  paraqitur edhe komuniteti indian me valle klasike, ku kanë egzekutuar Sahana Madabhushi dhe Aditi Sunil e Deeya Patel, si dhe këngë indiane nga grupiProgrami ka vijuar me Grupin Bashkimi Kombetar dhe grupet e tjera.(Një raport më të gjërë rerth kësaj veprimatrie do të lexoni në Diellin e  printuar)

Filed Under: Featured, Komunitet Tagged With: battery Park, dalip greca, Mark Gjonaj, Shenjterimi i N Terezes, Shqiptaret e Amerikes

GËZUAR 90 VJETORIN E LINDJES, Z. AGIM KARAGJOZI!

September 1, 2016 by dgreca

1 ok Karagjozi.IMG (2)VATRA URON PRESIDENTIN E NDERIT, Z. AGIM KARAGJOZI, ME RASTIN E 90 VJETORIT TË LINDJES/

1 Karagjozi Klinton

1 foto e perb ok

2 Tropoje 8 qersh 1998.IMGMe 1 Shtator 2016 z. Agim Karagjozi, President Nderi i VATRES, feston 90 Vjetorin e Lindjes. Ai u lind me 1 Shtator 1926 në Qytetin e Gjirokastrës, në një familje të pasur qytetare, që shquhej për Atdhetarizëm.

Katër klasë të arsimit fillor i bëri në qytetin e lindjes, klasën e pestë në Vlorë. Në vitet 1938 – 1944 vazhdoi shkollimin në liceun e Korçës, në gjimnazin e Gjirokastrës dhe në gjimnazin e Tiranës.

Që në moshën 16 vjeçare i riu Agim Karagjozi u përfshi në veprimtari aktive me Rininë Nacionaliste të Ballit Kombëtar. Në vitet 1943-44, ishte anëtar aktiv në rininë e Ballit Kombëtar në Gjirokastër, Vlorë e Tiranë. Në verë 1944, ishte vullnetar në batalionin “Besnik Çano” që shkoi në Kosovë për të luftuar kundër forcave të Mihajloviçit në Qafë të Morinës, ku ra dëshmor i riu Hamit Troplini.

Në moshën 18 vjeçare, nëntor 1944, së bashku me të atin dhe shumë nacionalistë të tjerë mori rrugën e mërgimit, përmes një odiseje të vështirë, me një motobarkë arritën në Itali. Saga e ikjes nuk përfundoi aty, por vazhdoi drejt Turqisë. U regjistrua dhe kreu studimet universitare për inxhinieri elektrike në Robert College të Stambollit. Ëndrra e tij ishte “Toka e Lirisë”, Amerika. Pas studimeve, më 1956 ai erdhi në Amerikë. Pa asnjë mëdyshje mori kontakte me vatranët dhe u bë pjesë aktive e Vatrës. Po mbushen 6 dekada, që është pjesë e Vatrës, duke shënuar një rekord historik të Federatës 104 vjeçare dhe duke u bërë kështu vatrani me më shumë vite aktive në Federatën Panshqiptare të Amerikës VATRA.

Inxhinier Agim Karagjozi e udhëhoqi Vatrën për dy dekada, madje në kohë shumë të vështira, nga viti 1992 deri në vitin 2010, kur dha dorëheqje për arsye shëndetsore. Për shumë kohë ai pat drejtuar edhe degën më të madhe të Vatrës, atë me nr. 29 në Nju Jork.

  1. Karagjozi së bashku me atdhetarët e tjerë nacionalistë u bënë pengesa kryesore e regjimit komunist të Tiranës, që u përpoqën ta neutralizonin veprimtarinë Kombëtare, antikomuniste të Vatrës, ndërsa pas rrëzimit të komunizmit, mbështetën forcat e reja demokratike.

Kosova e robëruar, ishte plaga që i shkatonte më së shumti dhimbje Agim Karagjozit. Ai e orientoi Vatrën kah Kosova, duke i dhënë mbështetje pa kushte drejt Lirisë. Dr. Ibrahim Rugova, tek Vatra dhe Karagjozi, shihte dritaren drejt Washingtonit.

  1. Agim Karagjozi me bashkëpunëtorë nuk kurseu asgjë për Lirinë e Kosovës. Ai e hodhi Vatrën në aksion për të mbledhur ndihma për Luftën, dhe me një delegacion, që e udhëhoqi ai, i dërguan ndihmat monetare tek përfaqësuesi i Qeverisë së Kosovës në Tiranë. Jo vetëm kaq, por së bashku me një grup vatranësh, ai shkoi deri në Tropojë, duke udhëtuar përmes Shqipërisë së rebeluar, që kishte rrëmbyer armët, dhe duke vënë jetën në rrezik,shkuan në spitalin e qytetit, takuan të plagosurit e Luftës, duke dorëzuar ndihmat që kishin marrë prej Amerike. Z. Karagjozi e ndjeu veten me fat, tek përfaqësoi Vatrën historike në takimin këshillues me Presidentin Bill Klinton, përpara se të bombardohej Serbia, ashtu si dikur, paraardhësi i tij i famshëm,ish kryetari themelues i Vatrës,  Fan S Noli, pat takuar presidentin Wilson, në takimin me përfaqësuesit e Kombeve në SHBA, dhe iu lut për shpëtimin e Pavarësisë së Shqipërisë në prag të Konferencës së Paqës.

Po ashtu, ai ndjehet me fat që në ceremoninë për pranimin e Shqipërisë në NATO,organizuar në Shtëpinë e Bardhë nën drejtimin e Presidentit George Bush,mori pjesë bashkë me një grup vatarnësh.

  1. Karagjozi do të mbahet mend edhe për faktin se ishte ai që e bëri Vatrën me një shtëpi stabël. Për rreth një shekulli Vatra ka vuajtur për ta pasur të vetën një shtëpi, por kjo u bë realitet vetëm në sajë të seriozitetit me të cilin e kreu Karagjozi detyrën e kryetarit për grumbullimin e fondeve të shtëpisë së Vatrës. Edhe pse kryetarët e Vatrës patën kërkuar me këmbëngulje që fondet të shpenzoheshin për gazetën dhe botime të tjera, apo për emërgjenca, ai kurrë nuk tha”PO”, por kundërshtoi me argumenta, dhe i sigurtë punoi dhe siguroi fondin e domosdoshëm. Po t’i shtosh këtij faktin edhe kontributin që dha i biri, Zyhdi Karagjozi, që gjeti një banesë që shitej përmes bankës, dhe duke mos marrë asnjë interes për vete, duhet thënë pa mëdyshje se vatranët u bënë me shtëpi nga Agim Karagjozi dhe i biri, Zyhdiu.

Për aktivitetin e tij atdhetar z. Agim Karagjozi është nderuar nga Qyteti i Lindjes,që e ka shpallë “Qytetar Nderi të Gjirokastrës”, është nderuar nga Presidentët e Shqipërisë me ” Shqiponjën e Artë” dhe me Urdhërin “Nder i Kombit”.

Të gjithë vatranët, Kryetari Buçaj, Kryesia dhe Këshilli i Vatrës, Gazeta Dielli, e urojnë Presidentin e Nderit të Vatrës, z. Agim Karagjozi:

GËZUAR 90 VJETORIN E LINDJES!

 

Filed Under: ESSE, Featured Tagged With: 90 - VJETORIN, dalip greca, e lindjes, Gezuar, Vatra, Z. AGIM KARAGJOZI

MISIONARI I PAQES DREJT VATIKANIT

August 31, 2016 by dgreca

TONY NDOJ PRENDUSHI, MISIONAR PAQEJE, NGA SANTA ROSA-KALIFORNIA, NE NJU JORK , DREJT VATIKANIT/

… Tony Ndoj prendushi pasi vizitoi VATRENme 28 Gusht, i shoqëruar nga dr. Skënder Murtezani, kryetar i degës së Vatrës në Queens-anëtar i Kryesisë së Vatrës, dhe nag Editori i Diellit, Dalip Greca, vendosi tufa me lule tek varri i Mithat Frashërit, dhe Prof. Zef Palit e nacionalisëtve të tjerë që pushojnë në varrezat Ferncliff, Westchester, Nju Jork./

* Turp për Demokracinë e shartuar shqiptare që për 25 vjet nuk kthen në Atdhe eshtrat e Apostullit të Shqiptarzmit, Mithat Frashëri…/

1 Ne Vater Skender

Tony Ndoj Prendushi, autor i librit “Paqe dhe Dashuni”, perkthyer edhe në gjuhën angleze”Peace and Love”-(Memoirs of a son Albania, dedicated to dhe beatification of Mother Teresa and to Ambasador of Peace, Robert H. Frowick) sot, e Mërkurë 31 Gusht niset drejt Vatikanit,ku Nëna Terezë do të shënjtërohet. Numri i shqiptarëve që udhëtojnë drejt Vatikanit është i madh. Krahas besimtarëve që janë të organizuar sipas Famullive në Nju Jork e Michigan, udhëton edhe një grup i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane nën udhëheqjen e Joe DioGuardit. Ndërsa Tony Ndoj Prendushi  udhëton më vete, ndërkohë që e presin miqtë e tij në Vatikan.

….Tony Ndoj Prendushi nuk është i panjohur as për shqiptarët e Shqipërisë dhe të Kosovës, as për  shqiptarët e Amerikës dhe të Italisë. Ai është një Misionar Paqeje, jo me fjalë. Veprat i ka të mëdha. Ishte ndër të parët që shkoi në Shqipëri pas rrëzimit të komunizmit. Krijoi një grup miqësh amerikanë me influencë dhe u kërkoi që të kontribuonin për rimëkëmbjen e Shqipërisë dhe kalimin në demokarci të saj. Ia arriti që me Kongresmenin Don Klausen, Imzot Mark Hurley, Dr. Bill Sulivan, dhe ai,Tony Ndoj Prendushi me familjen e vet, të udhëtonin drejt Shqipërisë dhe prekën realitetin mjeran. Kjo ishte vizita e parë e Toni Ndoj Prendushit me bashkëshorten Angjelinë, që prej vitit 1950 kur e patën lënë Shqipërinë. Vizituan spitale, azile pleqësh,shtëpinë e Misionares Nënë Tereza, dhe morën takime me qytetarët në Tiranë, Durrës, Shkodër, veçanërisht me ish të përndjekurit politik, por dhe shtresat e tjera të qytetarëve.

Tony e ka ndihmuar Shqipërinë me të gjitha mundësitë, ka dërgua ndihma mjeksore dhe ushqimore, ka ndihmuar për specializimin e mjekëve shqiptarë në Santa Rosa, duke i ushqyer ata në restorantin e tij, ak ndihmuar në kurimin e të sëmurëve etj.

Tony Ndoj Prendushi e pat njohur nga afër Nënë Terezën, e kishte takuar, kishte pasur letërkëmbim të rregullt me të, dhe e kishte suportuar Misionin e saj.Kështu që ai shkon me një barrë kujtimesh në ditën e shenjtë të shqiptarëve në Vatikan.

Të Hënë me 28 Gusht Tony Ndoj Prendushi vizitoi selinë e Vatrës, ku u prit nga dr. Skënder Murtezani, kryetar i degës së Vatrës në Queens-anëtar i Kryesisë së Vatrës, dhe nga Editori i Diellit, Dalip Greca.

Ai tha se ndjehej i gëzuar që vizitonte selinë e Vatrës, federatës famëmadhe të Shqipatrëve të Amerikës,themeluar nga korifejtë Fan S. Noli e Faik Konica me bashkëpunëtorë, Vatrës që ka bërë aq shumë për kombin.

Veprimtari i palodhur i çështjes shqiptare kërkoi që të vizitonte Mithat Frashërin , Zef Palin dhe nacionalistët e tjerë, që prehen në Nju Jork.

Tek varri i Mithat Frashërit, dishepulli i tij, që nuk ishet ndarë nag Partia që krijoi Apostulli i Shqiptarizmës, Tony Ndoj Prendushi, ka vepruar aktivisht, duke qenë edhe kryetar për  shtetin ku jetonte, por në vitin ’90, ai njoftoi Partinë se që nga ai moment do t’i përkushtohej bamirësisë dhe nuk kishte kohë të merrej me veprimtari politike. Duke vënë lulet mbi pllakën e mermertë, ai u përlot dhe së bashku me dr. Murtezaninin folën gjatë për kontributin e Mithat Frashërit për çështjen kombëtare. dr. Murtezani e informoi për veprimtaritë që ka organizuar ai dhe dega e Vatrës që drejton për figurën e Mithat Frashërit.

Është turp, që shteti shqiptar, edhe pse kanë kaluar 25 vjet nga rënia e komunizmit, nuk ia ka kthyer eshtrat e kolosit të madh, antikomunistit Mithat Frashëri.

Dr. Skënder Murtezani tha se ishte gati të nxirrte lejet nga shteti amerikan, të bënte gati të gjithë dokumentacionin, por do të duhej paralelisht me këtë që shteti shqiptar të marrë përsipër obligimet e veta, dhe eshtrat të kthehen në Atdhe, ashtu siç i ka hije Mithat Frashërit.

Më pas u kalua në parcelën ku prehen shumë nga nacionalistët. Një tufë lule Tony i kishte sjellë edhe për prof. Zef Pali, ish drejtori dhe profesori i tij. Duke pastruar me duar barin që kishte mbuluar pllakën e varrit, përmes emocioneev, ai na tregon rrethat e vrasjes me kasident, duket e porositur nga Shërbimet sekrete shqipatre ose Jugosllave. Profesor Zef Pali po kthehej nga Radio Vatikani, ku përgatiste emisione, kur e goditën me një makinë, që pasi e përplasi në tokë për vdekej, u zhduk me shpejtësi. Tony Ndoj Prendushi ishte në komisionin e shqiptarëve që e morën trupin nga Roma dhe e sollën në këtë varrezë të Nju Jorkut, ku prehet Apostulli i Shqiptarizmës Mithat Frashëri, por edhe të tjerë nxënës të devotshëm të Mithat Frashërit: Luan Gashi, Dr. Ali Koprencka,Ruzhdi Daca, Talat Karagjozi e të tjerë. Ata janë varrosur  në rresht njëjri pas tjetrit, pa ua ndërpreë rreshtin!

Një tufë lule mbi varrin e prof. Zef Pali duket se ia shkarkojnë emocionet atdhetarit misionar.

Më pas vizita në Kishën Katolike “Zoja e Shkodërës” dhe takimi me famullitarin don Pjetër Popaj do të mbyllte veprimtarinë e asaj dite të nxehtë gushti.Edhe pse 86 vjeçar Tony nuk jep shenja lodhjeje. Ai sot ka qetësuar shpirtin dhe u bën thirrje shqiptarëe të Amerikës të mso i harrojnë ata që punuan për Shqipërinë tonë të dashur. I mbeti peng qe nuk mundëm t’ia gjeme varrin e luftëtarit antikomunsit Kol Çuni…

Të Martën me 29 Gusht Tony Ndoj Prendushi erdhi sërish në Vatër dhe u prit nga anëtari i këshillit të Vatrës Zef Balaj dhe editori i Diellit Dalip Greca.

Ai dhuroi  për Bibliotekën e Vatrës dy libra të tij në shqip dhe anglisht. Nëse ka të interesuar për lexuesit ne kemi në Vatër rreth 20 libra të autorit, që mund t’ua dërgojmë në adresat tuaja. Çmimi për një libër është $15.00, ndërsa postimi   $3.61

Në fund të këtyre radhëve i urojmë rrugëtim të mbarë drejt Romës, Misionarit të Paqes, Tony Ndoj Prendushi.

 

Filed Under: Featured, Vatra Tagged With: dalip greca, Dr. Skender Murtezani, misionari i paqes, Tony Prendushi, Vatikan

ANTON ÇEFA, NJË LIBËR I RI PËR SHPIRTIN FISNIK TË KONICËS

August 29, 2016 by dgreca

STUDIUESI ANTON ÇEFA, NË VITIN E FAIKONICËS-SHPALLË NGA VATRA- SJELL LIBRIN- FAIK KONICA:” PËR SHPIRITËN E VATRËS JAM RESPONSIBLE UNË”/

1 dalip portretNGA DALIP GRECA/

Poeti dhe studiuesi Anton Çefa, ish editor i gazetës Dielli për 12 vite, sapo ka publikuar librin : Faik Konica: ” Për shpiritën e VATRËS jam responsible unë”. Libri studimor vjen në “Vitin e Konicës”, shpallë nga Federata Panshqiptare e Amerikës ‘VATRA”.

Duhet thënë që në krye të herës që libri sjell studime serioze të autorit rreth figurës eminente të Letrave Shqipe, Faik Konicës. Rrallë studiues të Faikut, kanë gërmuar kaq thellë në shpirtin e tij, sa Anton Çefa,  për të nxjerre fisnikërinë e shpirtit konician…

Studiuesi Çefa e hap librin me përsiatje meditative rreth dëshmisë të Faik Konicës”Për Shpiritën e Vatrës jam responsible unë”. Për studiusin kjo”responsible” është një dëshmi e gjallë e një ndërgjegjeje, që pohon, zotohet e merr përsipër pasojat deri në fund e pa asnjë kusht. Kjo përgjegjësi që merr përsipër Faik Konica, është edhe një dëshmi, siç argumentonte hartusi i së parës Histori të Vatrës, editori i ndjerë i Diellit, Refat Xh. Gurrazezi, tek fliste për kontributin parësor të Konicës në themelimin e Vatrës.

Studiuesi Anton Çefa shkruan : Është kjo responsible, me të cilën Konica shpirtësoi tek mërgimtarët shqiptarë shpirtin e bashkimit në emër të një ideali, ideali të shenjtë Kombëtar. Për studiuesin e Konicës, “Tingëllon si një Kushtrim kundër përçarjes:”Të realizojmë shpiriten e bashkimit që të mos humbasim!”.

Në këndvështrimin e autorit të librit vizioni i Konicës ishte i kthjellët. Faik Konica shpirtësoi tek shqiptarët shpirtin e demokracisë në emër të së ardhmes. Ai e sheh këtë “responsible” si dëshmi “që shkëlqen me virtytin e moralit të veprimit, veprimit të detyrës, detyrës së nganjëdhimit”. Kjo përgjegjësi e bën Konicën luftëtarin më  të zjarrtë të evropianizimit të shpirtit shqiptar, që tingëllon aq aktual në ditët tona.

Studiesi komenton pikërisht aktualizimin e parashikimeve të Konicës së madh në ditët tona, duke i etiketuar mësimet e Tij-Profetike. A nuk është profetike shprehja e Konicës?- Shqipëria”U ngjall nga idealistët, U-ruajt nga rastet, U-vra nga politikanët.” …Studiuesi Çefa komenton rreth kësaj profecie:” A nuk po e vrasin sot politikanët kuqalosha?

Intelektuali e ka për detyrë që të mos serviloset para politikanëve që e nxjerrin Shqipërinë në ankand .Faiku ishte model për kohën e vet.

Studiuesi e trajton me admirim figurën fisnike të Konicës. Madje bashkëbisedon me të në mënyrë të drejtëpërdrejtë, në vetën e dytë, duke ia njohur meritat dhe duke ia zbuluar vlerat:” Përkrah Nolit, me bashkëluftëtarë të përkushtuar si Kristo Floqi, Kristo Kirka, Paskal Aleksi, Llammbi Çikozi, Elia Tromara, Kosta Vasili,…bashkove shoqatat e Fshatrave dhe themelove VATRËN, këtë Kështjellë Kombëtare, Vatrën e dritës dhe të ngrohtësisë, dritës së shpirtit, ngrohtësisë së zemrës; Vatrën që edhe sot e kësaj dite edhe pse e plakur në moshë, është më e re se kurrë.

Studiuesi ia njeh meritën Konicës si hartues mendjendritur i Kushtetutës së VATRË-Kanunores së saj dhe ndalet në nyjen e parë, ku Faiku shënoi: ” Të rritë në mes të shqiptarëve t’Amerikës, dhe me anë të tyre në mes të Shqipëtarëve të Shqipërisë, shpiritën e ndihmës në mes të tyre dhe të dashurisë për Kombësin’ e tyre….”.

Autori përcjell edhe një mesazh për vatranët e sotëm: Në farkën e Vatrës u kalitën vargane pas varganësh luftëtarë të rinj si Kosta Kotta, Naum Çere, G. Konda Gjoleka, Efthim Natsi, Ilo Zografi, Vani Çekani, Thoma Nassi etj,.brezni pas breznie, deri në ditët tona…..Mesazhi :”Vëllezër, të mos i harrojmë këto emra, por t’i kujtojmë e t’i mbajmë në shpirt se na ndriçojnë, t’i ruajmë në zemër se na ngrohin. Këto janë të madhërishëm, t’u përulemi; janë të shkëlqyshëm, të ndriçohemi, janë të përjetshëm, t’i ndjekim…”.

Ky mesazh zbulon edhe shpirtin e vet studiuesit, konsideratën e tij për Vatrën dhe vatranët,  për themeluesit, vazhduesit, breznitë e Vatrës dhe vatranët e sotëm, me të cilët punoi për 12 vjet duke edituar Diellin. Këtë mesazh duhet ta marrin dhe shpirtëzojnë të gjithë vatranët. Në librin e Çefës, kryemjeshtri Konica, që nuk i rreshti përpjekjet për edukimin, civilizimin, europianizimin e shqiptarëve, që punoi aq fort për bashkimin e tyre, zbërthehet në shumë komponentë, dalin në dritë vlerat universale që ai mbartëte.

Në studimin”Konica, shpirti i bashkimit dhe Vatra”, hidhet dritë me argumente për luftën e parreshtur të Konicës për bashkimin e shqiptarëve. Çefa i kërkon dhe i gjenë vlerat e Faikut, që tek Albania në Europë, për të ardhur në SHBA, 9 Tetor 1909, ku e thirri shoqata Besa-Besë për të drejtuar Diellin.

Studiuesi nuk e sheh të veçuar rolin e Konicës; por ua jep vlerat dhe ua njeh kontributet edhe bashkëpunëtorëve të tij, së pari Nolit, por pa harruar edhe të tjerët:duke filluar që tek Shoqata Besa-Besën: Kristo Floqin, Marko Adams, Paskal Aleksi, Kristo Kirka, Elia Tromara,Kosta Vasil,Naum Çere, Kosta Kotta, më pas vjen kontributi i tij në krijimin e Vatrës, ku triumfoi bashkimi, duke lënë pas shoqatat e krahinave apo të fshatrave. Ai ishte një arkitekt me vizion të qartë për bashkimin e shenjtë të shqiptarëve të Amerikës, ide që e pat trajtuar edhe tek Albania, edhe në gazetën Dielli, gjatë kohës që e editoi si organ të Besa-Besës.

Autori i librit studimor konstaton se”Shpirita” që Konica shpirtësoi tek Vatranët dhe për të cilën ai ndjehej “responsible” është shumë dimensionale, por tri janë përmasat më rëndësore e më të shquara: 1- ajo e bashkimit,2- e qytetërimit dhe 3- e demokracisë perëndimore.

Çefa mendon se, fillimisht,Faikut iu desh të frymëzonte”shpiritën” e bashkimit në emër të një ideali, idealit të shenjtë kombëtar, por ideali mungonte, sepse mungonte vetëdija Kombëtare. Një pjesë e vogël e mërgimtarëve  shqiptarë të fillimit të shekullit nuk kishin as konceptin e atdheut, sepse dhe atdheu mungonte, për më tepër, emigrantët tanë të asaj kohe, nuk e dinin se ishin apo jo,shqiptarë. Siç shkruante editori i Diellit dhe sekretari i Vatrës Refat Xh. Gurrazezi:”Një shumicë shqiptarësh asi kohe nuk e kishin kuptuar mirë se ç’ishin… dhe e quanin veten Grekë e Turqë….”.

Ata ishin vëretët lëndë njerëzore me plot virtyte të fisme, por e papërpunuar në relacion me vetëdijen Kombëtare, komenton Çefa dhe shton: U deshën Sotir Peci, Fan Noli, Konica dhe pak të tjerë që numëroheshin me gishtat e dorës, numri i të cilëve erdhi duke u rritur, që t’i jepnin kësaj lënde shpirtin e nacionalizmit, si një farë e hedhur në një tokë të plleshme-se vërtetë ndërgjegja shqiptare është një tokë e tillë, humus jetdhënës.

Me ineteres të veçantë është edhe studimi”Konica, shpirti i qytetërimit dhe VATRA”. E përsëris: Rrallë studiues të Faikut, kanë gërmuar kaq thellë në shpirtin e tij, sa Anton Çefa,  për të nxjerre fisnikërinë e shpirtit konician.Antoni na merr përdore dhe na fut në minierën shpirtërore të Faik Konicës. Natyrisht që Faiku i shkolluar dhe i qytetëruar, i stërvitur me kulturën perëndimore dhe i mbrujtur me vlerat e atij qytetërimi, haste pengesën e madhe të gjendjes reale të pakulturës të popullit të vet. Stdiuesi Çefa shkruan: Konica, personaliteti më i kulturuar i kohës së tij, pa lënë mb’anesh Nolin, e pau me dhimbje krahërori gjendjen e ulët të qytetërimit të popullit tonë dhe të emigrantëve shqiptarë të Amerikës, jo vetëm në rrafshin e kulturës materiale dhe të nivelit të jetesës, por sidomos në atë të kulturës shpirtërore dhe të zhvillimit shoqëror të shoqërisë shqiptare;- e vuri në dukje në shkrimet e tij, e shqyrtoi me sytë e një sociologu, e këshilloi me zemrën e një edukatori atdhetar idealist, dhe e kritikoi ashpër, po me këtë zemër.

Konica shumë nga synimet e tij për edukimin e shqiptarëve të Amerikës i shpirtëzoi në Vatër. Madje edhe në Kanunore,po me këtë qëllim, siç konstaton Çefa,- shkroi se- Qëllimi i Federatës është:”Të përhapë në mes të shqiptarëve t’Amerikës stërvitjen dhe doktrinat morale…”. Konica së bashku me Nolin dhe atdhetarët e tjerë krijuan dhe organizuan”Vatrën” si një Institucion të edukimit kombëtar e qytetar. Studiuesi sjell shumë fakte dhe argumente rreth synimit të Konicës për ngritjen morale dhe kulturore të shqipatrëve, si në rrafshin teorik edhe në atë praktik. Vatra nuk u mor vetëm me punë Kombëtare dhe fushata ndihme për Shqipërinë, por edhe me edukimin dhe ngritjen kulturore të shqiptarëve të Amerikës. Mjafton të përmendet Banda Muzikore Vatra, që u bë themeli i Bandës Muzikore të Shtetit Shqiptar, apo  shfaqjen e Tragjedisë “Othello” që me 4 korrik 1923 në Boston, dhe e kupton sfidën që përballuan Konica dhe Noli përmes Vatrës.

Vlerat e Konicës në këtë libër plotësohen edhe me studimin” Konica, shpirti i demokracisë dhe VATRA”.  Studiuesi shkruan:” Ndërgjegja koniciane-baltë shqiptare e shpirtësuar në Europë-aq e pasur në përmbajtjen e saj, duket se një ndër dimensionet kryesore pati demokracinë: Demokracinë në ideal, demokracinë në formim, demokracinë në Veprim. Prandaj,- atdhedashës në zemër, liberal në shpirt, dhe demokrat në bindje, siç qe, Konica, e quajti veten të përgjegjshëm për të mëkuar e mbrujtur parimësinë dhe edukatën demokratike në shpirtin vatran dhe në atë shqiptar, në përgjithësi.

Anton Çefa konstaton se: Përgjegjshmërinë për të njëmendësuar shpirtin demokratik në ndërgjegjet shqiptare, Konica e realizoi në dy rrugë: në punën e drejtëpërdrejtë në gjirin e Vatrës, dhe duke ndikuar në gjendjen në Shqipëri. Konstatimi i parë i Çefës është ky:”Vatra” u konceptua dhe funksionoi si organizatë thellësisht demokratike; ajo u formësua si shkollë e mësimit dhe e stërvitjes demokartike. Qe shpirti demokratik i udhëheqësve të saj, sidomos i Nolit dhe i Konicës, që frymëzoi jetën, tharmoi bëmat, jetësoi sukseset dhe skaliti historinë e saj aq të frytshme e pozitive për historinë kombëtare. Më pas autori analizon raportet mes ligjshmërisë demokartike të sanksionuar në Kanunore dhe rregulloren e Vatrës dhe funksionimit praktik të saj në mënyrë demokratike. Çefa bashkohet me mendimin e editorit Gurrazezi, që shkruante në Diellin e v. 1974 ,”Atherë kish vërtetë rregulla parlamentare në Vatër”…

Ky studim përcjell të dhëna interesante, sjell përfundime të logjikshme, rreth demokracisë në Vatër dhe kontributit të veçantë të Faik Konicës për demokratizimin e saj.Një studiues i vëmendshëm do të gjejë lëndë të mjaftë në këtë studim të Anton Çefës për të kuptuar shpirtin demokartik të Konicës dhe funksionimin demokratik të Vatrës.

Me shumë interes është edhe studimi””Vatra”, Noli, Konica dhe Wilsoni”, ku lexuesi do të gjejë  material të bollshëm për të vlerësuar rolin e presidentit Amerikan Woodrow Wilson për shpëtimin e Shqipërisë, rolin e  Vatrës në shpëtimin e Shqipërisë, vlerësimin e Nolit dhe Konicës rreth kësaj figure të dashur për Kombin shqiptar etj. Studiuesi i jep hapësirë kontakteve të Vatrës me presidentin amerikan, sjell takimin e Nolit me Wilsonin me 4 korrik 1918, gjatë peligrinazhit të organizuar nga presidenti në Mount Vernon, vendi historik ku është varrosur presidenti i parë i Amerikës, George Washington, 14 pikat e Wilsonit, që shpëtuan Shqipërinë etj. Autori ndalet gjatë në fjalimin vlerësues të Nolit në Kuvendin Themeltar të Shqipërisë, me 11 shkurt 1924, me rastin e vdekjes të presidentit Wilson. Po ashtu, Çefa sjell edhe vlerësimin e Konicës, i cili kur vdiq presidenti, shkroi “Gjithë shqiptarët duhet t’i ngrenë Wilsonit një monument të pavdekur në zemrat e tyre. Edhe po t’ish i vogël për të tjerët, Wilsoni duhet të ishte  i madh për Shqipërinë.” Madje ai, në rolin e Kryetarit të Vatrës,  do t’i niste edhe një telegram Kuvendit Themeltar të Shqipërisë për përjetësimin e emrit të Presidentit Wilson:”Ju lutem të shtroni një proponim për kqyrjen mirëdashëse të deputetëve, pa ndryshim partie: Me vdekjen  e ish Presidentit  Wilson u cduk mbrojtësi i popujve të vegjël dhe shpëtimtari i Shqipërisë. Proponimi im është t’i jepet emri Wilsonville, ose Shën Gjergjit, ose Sarndës.

Juaji me respekt

Faik Konica

Noli, do t’i përgjegjej më 11 Gusht 1924:” Me vendim minestrial, Shën Gjini, u pagëzua Wilson”…

Nëse Konica, kur mori detyrën e  Ministrit në Washington(ambasador), nderimin e  parë e bëri tek varri i Presidentit Wilson, duke vendosur kurorën më të veçantë,më të madhe dhe shumëngjyrshe, që ra në sy të medias dhe gazeta The Washington Post, do ta veçonte, ndërsa Qeveria Komuniste, sapo mori fuqinë në Shqipëri, hoqi emrin e Wilsonit dhe ktheu Shën Gjinin!

Me interes në këtë libër është edhe studimi”Faik Konica mes himnizimit dhe kritikës së psikologjisë së popullit tonë”, “Mohimi i Kolosit”, “Shqipëria dhe shqiptarët në penën e Konicës”,”Kanë thënë për Konicën”,  si dhe pjesë nga krijimtaria e Faik Koncës.

Studiuesi meriton përgëzime për punën serioze studimore-shkencore, mbështetjen në burime të shumta referuse.

Libri është sponsorizuar nga vatrani Zef Balaj, anëtar I Kvshillit të VATRES.

Filed Under: Featured, Vatra Tagged With: Anton Cefa, dalip greca, Faik Konica, Për shpiriten e Vatrës

NËNË TEREZA NË FAQET E GAZETËS “DIELLI”

August 19, 2016 by dgreca

Nga Dalip Greca/

 Emri dhe vepra e Nënës Terezë në gazetën Dielli është përmendur shpesh. Herë ajo shfaqet me fotografi, herë me kronika dhe komente. Në shumë nga kronikat e kohës shprehet krenaria se ajo ishte bijë e gjakut shqiptar. Deri në vitin ‘1970 kemi pak informacion, ndërsa më pas ajo është e pranishme përherë e më shumë. Në numrin e 3 shkurtit 1971, botohet artikulli me titull: « Një motër nga gjaku ynë », që ka për  nëntitull : « Motër Gonxhe Bojaxhiu paraqit fisnikërinë e gruas shqiptare… »Ky artikull, me autor Dr. Athanas Gegaj, ish editorin e Diellit, që nis që në faqen 1 të gazetës Dielli, përshkruan Misionin e Bamirësisë së Nënës Terezë, ku ajo ishte themelonjëse dhe udhëheqëse. Autori informonte me emocion”Çudia është se Misioni po rritet dita-ditës. Është një shoqëri pa kuvende, pa mjete të sigurta; fillimisht një shoqëri grashë nga çdo Kombësi, që kanë zgjedhur që të jetojnë për të tjerët; më keq se të tjerët. »Artikulli është i gjatë dhe përshkrues, merr përsipër që të informojë në detaje. Në një nga mestitujt,”Kjo motër e vogël shqiptare », përshkruhet rruga që ndoqi ajo grua me shtat të vogël deri në Kalkutë- “Kjo motër e vogël shqiptare shkoi në Indi dhe u bë motër dhe nënë e të gjithëve; duke filluar nga të varfërit, nga ata që s’kishin asgjë ose që kishin humbur gjithçka… vetëm në Kalkuta kjo motër mbledh mijëra vetë…që janë duke vdekur dhe ajo me buzëqeshje e dhembshuri i kthen në jetë…Nënë Tereza ka shpirt të madh. Ajo ka dhe pushtet të fuqishëm moral. Askush nuk e kthen bosh, kur ajo shkon dhe kërkon diçka për të varfërit e saj…

Në një artikull tjetër që botohet në numrin e 10 nëntorit 1971, autori Eduard Liço, që në vitet ’80 do të ishte editor i Diellit, sillen të dhëna për famën që ka marrë Nënë Tereza ne Bote. Autori merr shkas nga një libër i botuar atë kohë në Londër. Autori i librit me titull”Something Beautiful For God” me nëntitull:” Motdher Theresa of Kalkuta”, ishte anglezi Malkolm Mëgrixh. Duke iu referuar subjektit të librit, Liço gjen momentin të përshkruaj jetën e Nënë Terezës dhe hulumtojë në origjinën e saj shqiptare. Ai sjell edhe citimet e një diplomati amerikan të asaj kohe,ambasadorit Shriver,  të cilin e  perifrazon kur thotë”Sa nder do të ishet që kjo grua e devotshme të ishte amerikane” dhe shtonte: ”Kjo është një grua revolucionare, por revolucioni i saj nuk del nga grykat e armëve; as nga iderat e ndryshme utopike të disa shkencëtarëve, ideologëve, apo studiuesëve të psikikës njerëzore, revolucioni i saj del nga dashuria e vërtetë për njerëzimin  e përvujtur.Në fund të artikullit, autori arrin në përfundimin:” Ndonëse dashuria që Nënë Tereza, tregon për njerëzimin i ka kapërcyer kufijtë e ndarjeve midis njerëzëve, që vetë njerëzit kanë krijuar, ne prapë jemi krenar që një grua e tillë ka dalë nga gjiri i popullit tonë.” Herë pas herë, gazeta Dielli sjell lutje dhe fjalë të urta të Nënë Terezës, që në esencë përbëjnë filozofinë e saj të durimit dhe vullnetit. Të tilla gjejmë në numrin e shtatorit 1997, ku urëtsia e saj shoqërohet me një fotografi që shpërndanë buzëqeshje.

  • Jam prej nji vendi me Nënë Terezën, prej Shqipnie

 Duke shfletuar koleksionin e gazetes 102 vjeçare te Federates Vatra, Në numrin e 15 shkurtit 1979, në një rrëfim plot kolorit, Lume Juka, sillte shkrimin”Festat e të vetmuemëve” . Shkrimit i paraprinte një thënie e urtë e Nënë Terezës, që i takonte dhjetorit 1978. Në të jepej ky mesazh:”Urija shpirtnore asht ma e zorshme se urija për bukë.Me e ndi veheten të hedhur e të përbuzun, asht gjaja ma e keqe që mund t’i ndodhi nji njeriu.Shkenca moderne mund të shërojë shumë sëmundje, por nuk ka , as ka me pasë kurrë, diçka që të zëvendësojë nji dorë e nji zemër që don…”.

Lume Juka përshkruan me një stil mallëngjenjës disa ditë të dhjetorit 21, 22 e 23 të vitit 1978, ku ajo si vullnetare e Misionit të Nënë Terezës, së bashku me disa murgesha dhe një grup fëmijësh, e ndriçuar nga drita ngazëllyese e Misionit Nënë Tereza, shkonte tek të varfërit, në Jugun e Bronxit ne New York, ku, siç shkruan ajo , njeriu andej pari; sidomos kur të zen nata, nuk ëset i sigurtë nëse ka me u kthye gjallë në shtepi: Vorfni, violencë, shpija të shkatërrume, xhama të thyem, zhumile gjithkund. Nji botë në vendi, që të bën me harrue se jeton në Nju Jork, qytet që strehon sa gjana të mrekullushme. Fëmijë të shumtë shihen nëpër rrugë.” Nanë Tereza thotë”N’Amerikë njerëzit nuk vuejnë për nji copë buke, por vuejnë prej urije shpirtërore të tmerrshme, e cila gjindet edhe në të pasun.”

Autorja e shkrimit, Lume Juka, përshkruan rast pas rasti se të pamundurit, ndjejnë dritën e jetës edhe në çaste e fundit, kur pranë kanë Motrat e Nënë Terezës. Më pas ajo përshkruan veten mes një grupi fëmijësh që e kanë rrethuar dhe na përcjell këtë dialog emocionues te vete Lumes me femijet amerikane:

  • A ban me shikue se çfarë keni shkruar në atë bllok?-më pyeti nji djal.

Menjiherë ia diftova shënimet.

  • “Po unë, po unë?-si e kanë zakon fëmijët. U afruan rreth meje:
  • -Kjo s’është anglisht; as spanjisht. Çfarë gjuhe është?
  • Shqip…
  • Ç’ka don me thanë shqip?
  • Asht gjuha që ka folë Nana Terezë kur ka kenë fmi.
  • Po ju ku e keni mësue?
  • Jam prej nji vendi me Nënë Terezën, prej Shqipnie.
  • Oh!-Jeni prej vendit të Nanë Terezës?-më shikuen me habi e me admirim.
  • Si i thonë në shqip”God”?
  • Zot!
  • O God
  • O Zot!
  • O God Help Us? O zot na ndihmo! Shpejt e mësuen me e shqiptue. Pak minuta zani i tyne tingëllus e i prekshëm, u ndigjonte tue thanë:
  • “O Zot na ndihmo…O Zot na ndihmo!…

Nënë Tereza : Mos bëni luftra, m’i jepni mua fondet e armatimeve… !

“Dielli” vijon ta ndjekë Nënën Terezë hap pas hapi. Në një shkrim të botuar me 16 prill 1979, përcillej kronika e marrjes së një çmimi në Itali, ku ishin të pranishëm, që nga presidentit e kryeministri deri tek diplomatët e akademikët. Korrespondenti i Diellit nga Roma jepte me detaje atmosferën e ceremonisë dhe madhështinë e Nënës Terezë, tek qëndronte përkrah presidentit Sandro Pertini dhe kryeministrit Xhulio Andreotti. Çmimi “Balzan” që iu dorëzua Nënës Terezë, konvertohej me një vlerë prej 325 mijë dollarësh.

Korrespondenti shqiptar me krenari raporton se ajo i sfidoi gazetarët tek e pyesin:

–  Ç’mendon për luftën, e pyet njeri gazetar :

Pergjigjet Nene Tereza : -Nuk e kuptoj këtë mëni e këtë luft, m’i jepni mue fondet e armatimeve që të luftoj mjerimin dhe t’u kthej dinjitein të vobegtëve…Përfundimi i korrespondencës të gazetarit shqiptar nga Roma, vjen natyrshëm:”Ne shqiptarët, edhe këtë rradhë, kemi të drejtë me u krenue e me i urue kësaj motrës sonë”Jetë të gjatë e të lumtun! E të mos harrojë të lutet edhe për Atdheun e vet, për Shqipninë e martirizueme. »

Kur Nëna Terezë u kandidua për çmimin Nobel për Paqen,më 1979, Dielli boton shkrime speciale, të shoqëruar me fotografi. Në numrin e 1 nëntorit 1979, Dielli botonte në Faqe të parë në gjuhën angleze shkrimin special, që komentonte me krenari se me fitimin e Nobelit, Nënë Tereza, do t’u kthente lavdinë shqiptarëve, lavdi të humbur 500 vite të shkuara me vdekjen e Gjergj Kastriotit Skënderbeut.Ndërsa në numrin e dhjetorit, përveç speciales në shqip, Gazeta boton edhe urimet e shqiptarëve të Amerikës dhe Kanadasë. Krahas kronikave dhe reportazheve, botohen dhe letra indinjuse që kritikojnë pasaktësitë e shtypit amerikan, një pjesë e të cilit e paraqitën Nënën Terezë si sllave. Një letër e tillë ka për autor Mahmud Cungun, që sqaron se Nëna Terezë është shqiptare, ajo lindi në Shkupin shqiptar, në kohën që nuk egzistonte shteti sllav, por Perandoria Otomane. Nënë Tereza është me kombësi shqiptare, përfundonin letra. Nga ana e saj zonja Goldi Karagjozi i dërgoi  letër nga Washingtoni Nënës Terezë në Kalkutë dhe po atë natë, që u shpall dhënia e çmimit nisi grumbullimin e të hollave për Misionin e Nënës Terezë, te holla qe ajo i mblodhi bashke me vatranet. Për një kohë të shkurtër ajo kishte mbledhur 505 dollarë dhe ia kishte nisur Misionit të Nënës Terezë. Në letrën që zonja Goldi i nisi Nënës Terezë në Kalkuta, i shprehu asaj urimin e të gjithë shqipatrëve të Amerikës dhe i premton se do të kishte ndihmën e shqiptarëve të Amerikës.Në po atë numër botohej dhe komenti”Mother Teresa, humanistja shqiptare”.Në numrin e 31 dhjetorit, Dielli sillte një speciale, që kishte botuar për Nënën Terezë  të revistës Time, duke sjellë edhe ballinën me portretin e Nënës Terezë.Nëna Terezë tashmë është si në shtëpinë e vet tek faqet e gazetës Dielli. Në numrin e 16 prillit 1980, që në faqe të parë, niste një kronikë me titull”Nënë Tereza tek Papa”.Pas fitimit të Çmimit Nobel për Paqen , Papa Gjon Pali II ka pritë në audiencë private Nënën Terezë dhe e ka përgëzuar për çfarë ka bërë me misionin e saj. Po në të njëjtën kronikë, jepet dhe një lajm i ri:Nëna Terezë ka fituar çmimin më të lartë që jepej në Indi- Bharat Ratna- ”Xhevahiri i Indisë”. Ky çmim u jepej njerëzve me merita të veçanta.Lajmi i tretë që sjell Dielli në numrin e 16 prillit 1980 është përgatitja e një filmi për Nënë Terezën nga televizoni Italian. Filmi i gazetarit Brunelo Rondi, kishte në qendër Nënë Terzën shqiptare dhe misionin e saj në Indi.

I vëllai i Nënë Terezës: Ne jemi shqiptarë, jo sllavë!

Po në këtë numër(16 prill 1980) botohet një intervistë e vëllait të Nënës Terezë, Lazër Bojaxhiu, i cili ishte intervistuar nga një gazetar Italian. Shkrimi, që zë një faqe gazetë, nis me një notë dhimbjeje:”Një dramë sekrete qëndron në jetën e Nënës Terezë të Kalkutës, dramë të cilën askush deri më sot nuk e ka dijtë e ajo vetë kurrë nuk ka dashtë me e folë:nuk ka mujtë me përqafu nanën përpara se të vdesi….Asht nji dramë që ajo e ka jetue në heshtje, duke e nda këtë vuajtje me të vetmin person që i ka mbetë prej familjes; vëllaut Lazër!.. Lazëri i deklaron gazetarit: E dij se nuk do t’i vijë mirë Nanës Tereza, kur të lexojë këtë ngjarje nëpër revista. Ajo ka qenë përherë e rezervueme, deri dhe e frigshme për me folun për familjen”Ç’ka mund të jenë vuejtjet tona të vogla përkundrejt tragjedisë së miliona njerëzve që vdesin çdo ditë nga urija? E ka respektue këtë dëshirë të saj për sa e sa vjet, e kanë respektue edhe njerëzit e politikës, të cilëve ajo u është drejtue për të ba diçka për nanën tonë, por as Presidenti Kennedy, as De Gaulle nuk mujtën me ba kurrgja.Kësaj murgeshe të vogël e të përvujtë, që ka ba aq shumë për miliona jetë të vobegtish, që u ka lehtësue dhembjet e u ka mjekue plagët; nuk mundi me ba asgjë për nanën e vet në çastin e vdekjes. E ajo grue, vdiq e dëshpërueme, duke shëtrngue në gjoks nji fotografi të vjetër të njomun me lot; kështu vdesin njerëzit në nji vend komunist…

Më pas gazetari sjell dhe dëshminë e Lazrit për kombësinë e nënë Terezës, natyrisht dhe të vetën:”Përpara çdo gjaje, dishroj me sqarue nji pikë; thotë Lazri- Na jemi shqiptarë, e jo jugosllavë, si shkruejnë gati të gjitha gazetat në botë. Keqkuptimi ka lindur nga fakti se Shkupi, qyteti ku kemi lindun, ishte ma përpara nji qytet shqiptar  e pastaj i kaloi Jugosllavisë, por na të gjithë vijojmë me folun shqip e letrat ime motër (që flet edhe anglisht e pak frëngjishten) m’i shkruen  në gjuhën shqipe.”

Në ceremoninë e Çmimit Nobël u lexua telegrami i Vatrës

Interesant është një shkrim me titull”Nana Tereza, motër e vërtetë e popullit shqiptar” botuar në numrin e 15 shtatorit 1980, ku  në krye është vednosur një fotografi me portretin e Nënës Terezë, që ka në sfond shkrimin shqip të këtij teksti”Unë gjithëmonë e kam në zemër popullin tem shqiptar. Shumë luti Zotin që paqja e tij të vijë në zemrat tona…Lutem shumë për fukaratë e mij dhe për mua dhe motrart e mija.Unë lutem për juve.Artikulli ka për autor gazetarin Gjekë Gjonlekaj. Në të përcillet mesazhi se Nënë Tereza është aq e njohur sa e nderon popullin shqiptar. Pasi rendit disa nga sukseset dhe çmimet që ka koleksionuar Nëna Terezë, pasi përcjell jehonën e veprës së saj në gazetat më prestixhioze të botës, përfshi dhe ato të Amerikës, NYT,  që botonin të zmadhuar portretin e Nënës Terezë me rastin e marrjes së Çmimit Nobel për Paqen, kritikohet ashpër gazeta”Rilindja” e Kosovës që lajmin e Çmimit nobel e botonte diku nga faqja e tretë, me një fotografi të vockël. Ndërkohë që revista Kulturore-fetare në Kosovë”Drita” , shkruante se atë ditë që mori Çmimin Nobel për Paqe, Nëna Terezë, më së tepërmi u gëzua, kur lexuan Telegramin përshëndetës nga Shqiptarët e Amerikës, i cili ishte dërguar nga Federata Pan Shqiptare e Amerikës”VATRA”. Autori përgëzonte Federatën Vatra, që në traditën e saj, kishte nisë një fushatë ndihme për Misionin e Nënë Terezës.

Çdo vizitë e Nënës Terezë në SHBA përshkruhet me detaje në faqet e Diellit. Kështu në numrin e 16 qershorit 1981, përshkrueht vizita e saj në Washington, tek përcjell mesazhin kundër abortit. Artikulli që përshkruan vizitën në Shtëpinë e Bardhë shoqërohet me një fotografi, ku Nënë Tereza qëndron mes presidnetit Regan dhe zonjës së Parë . Nënë Tereza deklaronte në Simpoziumin e organizuar enkas me 3 qershor 1981 se “Duke shkatërruar fëmijën e pa lindur, ne jemi duke shkatërruar dashurinë, jemi duke shkatërruar vetë Zotin…’. Me 4 qershor ajo ishte e ftuara e presidentit për drekë, dhe Dielli tek përshkruan vizitën dhe respektin që ajo gëzon në Shtëpinë e Bardhë, ndjehet krenar për përkatësinë shqiptare të gjakut të saj.Në numrin e  1 shtatorit 1981 përshkruhet një vizitë e Nënë Terezës në Detroit. Ndërsa në numrin e 16 shtatorit, Tom Mrijaj prezanton një nga miqtë e Nënë Terezës, filozofin dhe historianin Indian Gurudev Shri Citrabhanu. Autori sjell vlerësimet e indianit për Nënë Terezë dhe kombin shqiptar, të cilit ajo i përket, historisë së tij trimërore, bujarisë dhe traditave.

Shqiptarët e kanë shpallur të shenjtë Nënë Terezën që në vitet ’80-të

Petro Vuçani, në faqen e parë të Diellit të 1 gushtit 1983, sjell mbresat e një takimi shumë emocionues me Nënën Terezë në Itali, ku ai së bashku me dy shqiptarë të tjerë, morën pjesë në një ceremoni për shugurimin e disa murgeshave të reja, prej të cilave dhe një vashë shqiptare nga Kosova. U ndala në këtë shkrim për arsye të parashikimit intuitiv të autorit, i cili e ka titulluar shkrimin që zë gati të gjithë faqen e parë të gazetës: ”Një ditë me Shën Terezën Shqiptare”.  I vë këtë titull , që siç thotë vetë, ia vesh emnin me Shejtni. Vuçani shkruan”Në historinë Kombëtare ka pasë shumë zoja ilire, arbnore, e shqiptare, që me flijimet e veta nuk janë ma pak  shejtnesha se mjaft prej shejteve të trevave të tjera, kurse raca shqiptare me Nanë Terezën, asht tue shejtnue gjallnisht bijën e vet, që tash sa mot po habit tokë e qiell! Ndoshta duhet kohë me pritë deri kur Selia e Shenjtë ka me e përkryer këtë dëshirë e nevojë, që zakonisht , jetësohen pas vdekjes…’

Gjitëhsesi Nëna Tereza me 4 Shtator do të jetë Shën Nënë Tereza! Kombi shqiptar ndjehet krenar për Simbolin me famë botërore.

Filed Under: Featured, Histori Tagged With: dalip greca, e Gazetes Dielli, ne faqet, Nene Tereza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 77
  • 78
  • 79
  • 80
  • 81
  • …
  • 135
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Fitoi Çmimin e Madh në Saint-Saëns International Music Competition, Prof. Ina Kosturi: “Shpaloseni talentin shqiptar nëpër botë e na bëni krenarë”
  • “Ëndrra Amerikane” në Washington DC
  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞
  • LËVIZJA KOMBËTARE – NGA AUTONOMIA TE PAVARËSIA E SHQIPËRISË
  • “VATRA” në Boston ju fton në “Albanian Boston Community Center” më 17 janar 2026
  • NGA NJË KOLONI DE FACTO NË NJË KOLONI DE JURE
  • ADEM DEMAÇI, JO THJESHT FIGURË E REZISTENCËS, POR KATEGORI KONCEPTUALE E SHTETFORMIMIT
  • Roli i gazetës “Arnavud/Shqipëtari” në formimin e vetëdijes kombëtare te shqiptarët përballë politikave turqizuese të xhonturqve
  • Si investonte Serbia në thellimin e përçarjeve ndërmjet udhëheqësve shqiptarë dhe në shkëputjen e tyre nga ndikimi austro-hungarez

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT