• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Rrotacioni politik i shëndetëshëm për demokracinë

August 7, 2020 by dgreca

Në vendet demokratike me pushtet të konsoliduar rrotacioni  politik është dukuri normale, që është në favor të demokracisë dhe të pluralizmit, ndërsa përjashtim bëjnë vendet autoritare  me animozitete të brendshme jo vetëm politike, ku Mali i Zi, paraqet rast të veçantë në vendet e ish kampit socialist në  Europën Juglindore

Shkruan: Nail  Draga

Në sajë të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në çdo vend demokratik qytetarët me votën e tyre kanë  mundësi për të siguruar një ndryshim të modelit qeverisës, me qellim për të zëvendësuar modelin e vjetër, që në shumë raste është i konsumuar dhe i kompremetuar në sajë të aferave të ndryshme dhe i tejkaluar në rrethanat e reja shoqërore, duke ofruar një model të ri qeverisës me ide dhe kuadra të rinj, duke sjellur risi, shpresë dhe motivim për qytetarët e mjedisit përkatës.

Mali i Zi rast i veçantë në regjion

Nga mbajtja e zgjedhjeve të para pluraliste në Mal të Zi(9.12.1990) e deri më tash nuk ka ndryshime të pushtetit sepse ate vazhdon ta mbajë gjithnjë e njëjta parti politike(DPS), e cila është vazhdimësi e kohës së monizmit. Kemi të bëjmë me një mjedis specifik i cili veçohet nga vendet tjera të ish kampit socialist në Europën Juglindore. 

Në sajë përbërjës heterogjene të popullsisë, Mali i Zi veçohet nga vendet tjera të regjionit ku politizmi ka marrë përmasa  në shumë aspekte shoqërore. Ndonëse pluralizmi ofron mundësi optimale për zgjidhjën e çështjeve kontestuese, raportët shoqërore në Mal të Zi, kanë rikthim si para tri dekadave kur filloj falemintimi i shtetit të ish-Jugosllavisë. Dhe në këtë dimension dallohet Kisha Ortodokse Serbe(KOS), si përfaqësuese e serbëve në këtë mjedis, e cila me veprimin e saj më tepër i ngjanë ndonjë organizate politike se sa teologjike, ku si shkas është kontestimi nga ana e tyre e Ligjit për lirinë e bashkësive fetare. Organizimi i protestave enkas për këtë çështje, që ata i vlerësojnë si “shetije”, përmes retorikës dhe ikonografisë klero-fashiste,  del qartë se koncepti i politikës serbomadhe vepron në mënyrë perfide edhe në këtë mjedis, më mision ideologjik  me pasoja jo vetëm  shoqërore.

Nga një ndarje e tillë e qytetarëve në Mal të Zi, kryesisht ata të përkatësisë ortodokse dhe organizimi i zgjedhjeve parlamentare në një atmosferë të tillë, ndikon në ndarjët e vazhdueshme në skenën politike(pro malazeze dhe pro serbe), duke mbetur  dukuri e vazhdueshme në këtë mjedis, nga viti 2006 më pas!.

Parlamenti i kontestuar

Por, ky mandat parlamentar(2016-2020) mbetët i veçantë për tre çështje; e para se shumica parlamentare(42 deputet) ishte më e brishta në pluralizëm, e dyta se  me 16 tetor 2016, ditën e zgjedhjeve, sipas të dhënave të Qeverisë, nga ana e opozitës pati tentim të grushtshtetit, ku me pas   u organizu edhe një proces gjyqësor ndaj disa pjesëmarrësëve të tillë, por ende pa aktvendime gjyqësore(!?)  dhe e treta, pikërisht për këtë shkak  parlamenti u bojkotua nga partitë  opozitare(39 deputet), fillimisht nga të gjitha, ndërsa më pas disa u kthyen në parlament, duke mos i  qendruar besnik marrëveshjes, duke qenë parlamenti më i kontestuar në pluralizëm në Mal të Zi.

Opozita  e përçarë  favorizon  pushtetin 

Animoziteti brenda opozitës është njëra nder faktorët kryesor që deri më tash mungon qendrim i përbashkët për çështje madhore, sidomos kur është në pyetje angazhimi për ndryshime të pushtetit, përkatësisht rrotacionin e tij. Por, për të qenë unik duhet të  ekzistojë një platformë e përbashkët e cila mungon, në vazhdimësi në pluralizëm. Madje, nga një qasje e tillë joserioze, jep për të kuptuar se kemi të bëjmë me “profesionalizmin opozitar”, që është në favor të pushtetit aktual. 

Çështje të veçantë paraqet koncepti politik i opozitës për çështjen e pushtetit nga njëra anë dhe të shtetësisë së Malit të Zi, që vazhdon të jetë me qasje dualiste në ate proserbe dhe promalazeze. Opozita proserbe nuk paraqet befasi sepse ajo ishte e angazhuar në vitin 2006, kundër pavarësisë së Malit të Zi, ku edhe sot qendron në ato pozita. Dhe një qasje të tillë është duke e shfrytëzuar pushteti aktual, që është motiv i vazhdueshëm për të mobilizuar qytetarët, përkatësisht votuesit që kanë mbeshtetur pavarësinë e Malit të Zi. 

Nuk ka dilemë se deri sa të ekzistojë një opozitë e tillë, me qasje proserbe, e mbeshtetur nga KOS-i, me direktiva nga Beogradi kundër pushtetit  përkatësisht nënkuptohet kundër pavarësisë shtetërore, DPS-i nuk ka nevojë të shqetësohet se mund të rrezikohet, duke vazhduar dominimin në skenën politike në Mal të Zi.

Hipokrizia e politikës lokale

Dukuria e korrupcionit politik në Mal të Zi nuk është e re e as e panjohur, duke u paraqitur në forma dhe mënyra të ndryshme, varësisht prej komunave përkatësisht strukturën e tyre heterogjene nacionale e politike. Janë pikërishtet konceptet e ndryshme politike e jo ato programore që ka ndikuar  në  ndryshimin  vullnetit te qytetarëve përmes votës së lirë. Dhe diçka e tillë është duke ndodhur në pluralizëm ku akrobacionet politike, janë bërë dukuri e njohur duke bërë dekompozime në pushtetin lokal në disa komuna në Mal të Zi.

Pikërisht në këtë aspekt  tek ne, një dukuri e tillë ndodhi për të parën herë në Ulqin, kur shumica parlamentare lokale nga zgjedhjet e vitit 2006(Forca, LDMZ, PPD dhe BDSH), në vitin 2007 u dekompozua  sepse tre këshilltarë të PPD-së, dëvijuan  nga pozita lokale, duke kaluar  në radhet e opozitës(DPS, UDSH), duke formuar shumicën e re parlamentare në pushtetin lokal të Ulqinit. Dhe një veprim i tillë ndikoj në dekompozimin e skenës politike të shqiptarëve në Ulqin, me pasoja në funksionim të pushtetit lokal në sajë të interesave personale dhe ambicieve  lideriste të përfaqësuesëve të subjektëve politike. Ishte ky një veprim hipokrit  i personave të cilët politikës lokale  ia mveshën epitetin e korrupcionit politik, dukuri me pasoja  jo vetëm lokale.

Dëvijimi i votës së qytetarëve

Një veprim i tillë quhet korrupcion politik sepse votat janë marrë nga elektorati votues për të ndryshuar gjendjen ekzistuese, përkatësisht për ta dërguar në opozitë DPS-in, e jo për ta rikthyer ate në pushtet, në mënyrë klandestine. Një dukuri identike  ndodhi më parë në Kotorr, e kohë më parë edhe në Budva, ku një këshilltar, gjoja me status “të pavarur”, iu bashkua  DPS-it, dhe formoj shumicën e re parlamentare lokale, çështje e cila mori përmasa korruptive politike tre muaj para se të përfundoj mandati i pushtetit lokal.

Nga dukuria e korrupcionit politik nuk ka dielmë së përfitojnë individët, partitë politike apo klanet e ndryshme. E kundërta do të ishte që individi në këtë rast këshilltari, apo këshilltarët të pakënaqur me subjektin politik që iu përkasin  për çështje të ndryshme në pushtetin lokal të dorëzojnë mandatin, subjektit të cilit i takojnë, duke u zëvëndësuar nga kandidati i radhës, në listën zgjedhore. 

Ndërsa mbajtja e mandatit të këshilltarit përmes votës së lirë, duke u deklaruar si të „pavarur“ është mashtrim i  elektoratit votues, sepse do të ishte korrekte propozimi i shkurtimit të  mandatit dhe shpallja e zgjedhjeve te reja. 

Por, një veprim të tillë mund ta bëjnë vetëm  ata të cilët qendrojnë pas parimeve dhe kanë kapacitet demokratik, e jo ata të cilët, politikën e shohin si mundësi përfitimi personal. Ndërsa deri kur mund të veprohet në këtë mënyrë në skenën politike mbetet çështje e hapur, sepse ligji aktual zgjedhor nuk parashikon masa ndeshkuese, për devijime të tilla paszgjedhore.

Ndryshimi i pushtetit  vlerë e demokracinë

Mbajtja e zgjedhjeve parlamentare, të rregullta apo të parakohshme, paraqet ofertën për qytetarët për të ndryshuar pushtetin ekzekutiv. Dhe një dukuri e tillë ndodhë kudo në vendet demokratike, ku qytetarët  përmes votes së tyre të lirë, vendosin për fatin e tyre. Janë pikërisht zgjedhjet që përcaktojnë së kush do të jetë pozitë, apo opozitë, në sajë të ofertës programore që subjektët politike iu kanë ofruar qytetarëve  për mandatin vijues. 

Një subjekt politik, vetëm apo në koalicion me subjekte të tjera, ofertën e prezantuar, ka mundësi ta realizojë në praktikë, gjatë mandatit katërvjeçar. Dhe kemi të bëjmë me kohë të mjaftueshme për të dëshmuar rezultate në praktikë, ndërsa nëse ata mungojnë do të jenë qytetarët, përkatësisht elektorati votues që do ti ndëshkoj në votime të radhës. 

Në favor të konsolidimit të shoqërisë

Në raste të tilla, opozitës i jepët mundësia për të dëshmuar potencialin organizativ e kadrovik, madje me mundësi reale për të qenë udhëheqëse e qeverisjës. Një rrotacion i tillë i pushtetit nuk ka dilemë së është i shëndetëshëm për demokracinë në mjedisin përkatës. Sepse çdo rrotacion normal dëshmon konsolidimin e shoqërisë sikurse veprohet në vendet demokratike. 

Por,në këtë aspekt  përjashtim bëjnë vendet autokratike, me demokraci jofunksionale, përkatësisht me demokraci hibride, të cilat vazhdojnë të qeverisinë pothuaj në mënyrë identike si në kohën  e monizmit, ku përvoja tridhjetëvjeçare e pluralizmit politik  dëshmon  në mënyrë transparente një konstatim të tillë. 

(Gusht  2020)

Filed Under: Politike Tagged With: demokracia, Nail Draga, Rotacioni Politik

KËTA E KANË KAPUR PATRIOTIZMIN DHE DEMOKRACINË PËR BISHTI…

February 6, 2019 by dgreca

NGA FRANK SHKRELI/

1 Frank rama Thaci

Në foto, Presidenti Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, krye parlamentari Kadri Veseli, Kryeministri Edi Rama dhe dy zv.ministrat e Kosovës, Fatmir Limaj e Behgjet Pacolli  — Kujtojmë se kjo foto është marrë pas përplasjeve të ashpra javën që kaloi në Kuvendin e Shqipërisë dhe  pas përplasjeve mes udhëheqësve të koalicionit qeverisës në Kosovë për taksën ndaj Serbisë e Bosnjës, dhe për përplasjet Thaçi-Haradinaj për tezën e ndryshimit të kufijve me Serbinë.  Përplasje, përplasje gjithë andej, por të qeshur rreth sofrës!/

…Dhe jo vetëm patriotizmin që e kanë kapur për bishti, por edhe diplomacinë — e demokracinë, po se po.  E kam fjalën për klasën e sotëme politike udhëheqëse shqiptare.  Ka disa vite që shpesh i kam kushtuar dyzina shkrimesh modeste, zhvillimit të demokracisë ose më mirë të themi, mungesës së zhvillimit të mirëfilltë të demokracisë në trojet shqiptare.  Aq sa që një pjesë e tyre janë përmbledhur në tre vëllime me titull, “Demokracia Nuk Pret”, duke thënë terthorazi, por edhe drejtë për së drejti, se “Demokracia” me germë të madhe, nuk po ze fillë në trojet tona ashtu siç duhet dhe siç ishte kërkuar nga masat e gjëra të popullit pas shembjes së komunizmit, si dhe pas luftës për çlirimin e Kosovës nga regjimi kriminal i Serbisë.  Përfundimi është se në kohë lirie dhe paqeje, shqiptarët anë e mbanë trojeve po “votojnë me këmbë”, duke u larguar masivisht nga vendlindja.  Mungesa e demokracisë së vërtetë – ashtu si edhe në të kaluarën —  Freedom House, vendos Shqipërinë dhe Kosovën, në rreshtin e vendeve, “pjesërisht të lira”, sipas raportit të organizatës së njohur ndërkombëtare me qëndër në Washington.  Madje ky raport i botuar të martën, që i karakterizon dy shtetet shqiptare si, “pjesërisht të lira”, nuk përbën më as një lajm të rëndomt, sepse Shqipëria dhe Kosova, në atë kategori pjesërisht të lira, kanë filluar dhe aty mbeten edhe pas pothuaj 30-vjetësh post-komunizëm, është pra një lajm i vjetër që nuk nxitë më ndonjë kureshtje as interesim.Në vend numro!

I kanë kapur punët për bishti!  Gjithçka bëhet gjysëmakëshe.  Si demokracia, ashtu edhe diplomacia. Por më e rënda është kur edhe patriotizmi “kapet për bishti”, kur mundohen që darkat ku pihet vëra e kuqe dhe ku hahet mishi i dashit, të na i paraqesin si akte kombëtare dhe shfaqje patriotizmi.  Bazuar në përvojën e 30-viteve të kaluara, është e qartë për të gjithë tanimë, se klasa politike në Tiranë dhe ajo në Prishtinë, të bëjnë të dyshosh nëse ata me të vërtetë dëshirojnë që Kombi shqiptar të krijojë, më në fund, një shoqëri demokratike të bazuar në një patriotizëm të vërtetë, në një demokraci të mirëfilltë dhe cilësore të standardeve të botës së qytetëruar dhe të ndërtuar mbi baza të një shoqërie të drejtë dhe ligjore — me të drejta dhe përgjegjësi të barabarta për secilin shqiptar, pa dallim.  Nëse me të vërtetë kanë për qëllim realizimin e një jete në harmoni dhe mirëqenje për të gjithë shqiptarët pa dallim, për aq sa mund të jetë e mundur në këtë jetë, lot vuajtje e mundime.

Si është e mundur që në fillim të shekullit 21 – që duhej të ishte shekulli i shqiptarëve – sot pothuaj 30-vjet pas shembjes së komunizmit dhe mbi 10-vjet pavarësi e Kosovës — megjithëse në liri, por “pjesërisht të lira”, sipas Freedom House — Kombi shqiptar vazhdon të përballet edhe gjithnjë ndoshta me periudhën më të rrezikshme të historisë së vet, të pakën të 100-viteve të kaluar?

Fatkeqsisht, ndihet dhe shihet një “disconnect” siç thuhet në anglisht, midis shqiptarëve ose më mirë të themi midis kësaj klase politike partiake dhe shqiptarëve – një mungesë pra lidhjesh shpirtërore dhe atdhedashurie me njëri tjetrin.  Kjo klasë politike e ka provuar tanimë se është absolutisht e pa përgatitur për t’u marrë me këtë gjëndje politike, diplomatike dhe ekonomike me të cilën përballen shqiptarët sot – e të cilën e kanë krijuar vetë ata.  Shqiptarët sikur kanë ra ngusht me këtë situatë – jo të imponuar nga të huajt — por të vet-shkaktuar nga udhëheqsit e tyre politikë, megjithse janë vet të zotët e rrjedhave historike të tre dekadave të kaluara.   Me fjalë tjera, i kanë kapur punët për bishti — për të mos thënë krejt për së mbrapshti — ç’prej fillimit.

Është krijuar një mjedis ku mungesa e patriotizmit të vërtetë, e një atdhedashurie pa interesa personale dhe partiake — në kurriz të interesave kombëtare — është ajo që i shumëfishon problemet aktuale.  Në botën politike shqiptare, ekziston një mungesë cilësishë morale dhe një boshllëk i dukshëm i një kulture të mirëfilltë politike, që kohët e fundit, ka arritur kulmin në mosmarrveshjet midis partive dhe në diskursin politik në përgjithësi të klasës politike shqiptare, në të dy anët e kufirit.  Në vend të një atdhedashurie dhe patriotizmi të vërtetë, na serviret një nacionalizëm përçmues, që po na shitet me anë të fotografive darkash dhe të mbledhjeve të përbashkëta të qeverive të Shqipërisë dhe të Kosovës, që në të vërtetë nuk zgjidhin asgjë hiç.

Por, a është kjo atdhedashuri dhe patriotizëm i vërtetë, në një atmosferë politike si kjo e sotmja, nepër të cilën po kalon sot bota shqiptare, a po diçka tjetër?  Dikur patriotët, burgoseshin dhe vriteshin për kauzat e Kombit.  Fatkeqësisht, politikanët e sotëm shqiptarë e tregojnë patriotizmin e tyre me kapadaillek dhe jo me vepra heroike prej patriotësh.  Sot, fatkeqësisht edhe veprat kriminale të gangsterave konsiderohen dhe mbrohen nga politika, si vepra heroike.

Mbaj mend fjalët e një burri të vjetër i cili më pat thënë me një rast se atdhedashuria dhe patriotizmi nuk shfaqen duke thënë se “E dua Shqipërinë”, që nënkupton ndoshta Shqipërinë si një term gjeografik, por të jesh patriot i vërtetë sipas tij, nënkupton dashurinë jo vetëm për hapësirën gjeografike, por edhe për bashkatdhetarët e tu, vendasit e një gjuhe dhe të një gjaku, me të cilët ndanë përditë të mirat dhe të këqiat e përbashkëta. Nuk është patriotizëm as atdhedashuri kur përdor shpifje dhe gënjeshtra, me qëllim për të ulur nderin dhe vlerat e shqiptarit, edhe kundërshtar politikë qoftë. Kjo është diçka e papranueshme, madje edhe në botën e anarkisë aktuale politike shqiptare, në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar.

Filed Under: Politike Tagged With: demokracia, Frank shkreli, patriotizmi, per bishti

MESAZHI PËR VITIN E RI: TË MBROHET FJALA E LIRË DHE DEMOKRACIA!

December 28, 2018 by dgreca

1 Frank-shkreli-Nga Frank Shkreli/

Katër organizata ndërkombëtare mbrojtëse të të drejtave të njeriut dhe të lirisë së fjalës — i janë drejtuar Kryeministrit të Shqipërisë, Z. Edi Rama dhe Ministres së Drejtësisë së atij vendi, Z. Etilda Gjonaj, me një letër të hapur ku i kërkojnë tërheqjen nga ligji — të propozuar prej tyre — për regjistrimin, mbikëqyrjen, gjobitjen dhe mbylljen e portaleve online, njoftojnë media të ndryshme shqiptare në portalet e tyre.  Siç dihet, ky projektligj është paraqitur disa ditë më parë nga udhëheqsi i qeverisë shqiptare, të cilin ai e ka pagëzuar, si një “paketë antishpifje”.  Në letrën, një kopje e të cilës i është dërguar edhe zyrës së OSBE-së në Tiranë, katër organizatat në fjalë: Federata Europiane e Gazetarëve, Qendra Europiane për Liri të Medias dhe të Shtypit, PEN International dhe Reporterët pa Kufijë, i kanë kërkuar Ramës të tërhiqet nga konsiderimi i këtij projektligji.  Në mesazhin e tyre drejtuar Kryeministrit shqiptar, ato shprehen se, nisma e propozuar prej Z.Rama, “Është kundër rekomandimeve të OSBE-së dhe shkakton shqetësime të mëdha për ne”, theksohet në letrën e nënshkruar prej tyre, drejtuar qeverisë shqiptare.  Organizatat, të cilat njihen për veprimtarinë e tyre në mbështetjte të lirisë së fjalës dhe demokracisë anë e mbanë botës, paralajmërojnë Kryeministrin Rama se, “Nëse projektligjet e propozuara, miratohen nga parlamenti shqiptar, ato do të dëmtojnë rëndë qarkullimin e lirë të informacionit dhe do të kenë efekt pengues për median në internet dhe do të kufizojnë të drejtën e qytetarëve shqiptarë për akses në informim”, shkruhet në letrën e nënshkruar nga katër organizatat ndërkombëtare, të njohura për mbështetjen e tyre ndaj të drejtave të njeriut dhe demokracisë në botë.Përpiluesit e letrës dënojnë gjithashtu mënyrën e fshehtë se si është përgatitur dhe si është paraqitur ky projektligj, siç thonë ata, pa konsultim dhe pa asnjë informacion paraprak për publikun, ndërsa nënvijojnë moskënaqësinë e tyre me procesin e ndjekur në lidhje me këtë nismë: “Shprehim zhgënjim të thellë se ky ligj është hartuar pas dyerve të mbyllura, pa përfshirë gazetarë dhe organizata të shoqërisë civile përgjatë procesit të hartimit.  Ne ju kërkojmë të ndërprisni menjëherë iniciativën për të amenduar këto dy projektligje dhe të përfshini gazetarët, shoqërinë civile, përfaqësuesin e OSBE-së për Lirinë e Medias, Bashkimin Europian dhe Këshillin e Europës, në çfarë do lloj iniciative që prek lirinë e shprehjes, median dhe gazetarët”, theksohet më tej në letrën e tyre dërguar Kryeminsitrit Edi Rama dhe Ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj.  Në letër thuhet gjithashtu se, “Përfaqsuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias e ka bërë të qartë se, “Shtetet anëtare nuk duhet të imponojnë regjistrim të detyrueshëm për median “online”, si kusht paraprak për punën e tyre, gjë që mund të ketë një ndikim tepër negativ mbi lirinë e medias”, në përgjithsi në ato vende.

Mediat shqiptare njoftojnë se projektligji i hartuar nga qeveria e Z. Rama, propozon themelimin e një regjistri për median “online” pranë  të ashtuquajturit Autoriteti i Komunikimeve Elektronike e Postare (AKEP), përfshirë edhe vendosjen e përmbajtjes së medias “online” nën mbikëqyrjen e Autoritetit të Medias Audiovizive dhe një Këshilli Ankesash (AMA), një komision ky pranë këtij enti, i cili, nëqoftse miratohet ky projektligj, do të ketë kompetencat të gjykojë nëse media është e njëanshme apo e paanshme, nëse ajo cënon “moralin public” apo jo dhe nëse ky ent qeveritar e gjykon të arsyeshme, ai mund të vendosë gjoba deri në 8 mijë euro dhe madje të urdhërojë edhe mbylljen mediave, që ky ent vendos se kanë shkelur ligjin.

Nuk ka dyshim se nisma e Kryeministrit të Shqipërisë, Z. Edi Rama, propozimi pa këshillime me grupet e interesuara dhe paraqitja e këtij projektligji Kuvendit të Shqipërisë, ka për qëllim për të frikësuar dhe për të kontrolluar shtypin, duke kufizuar lirinë e medias – siç theksojnë edhe organizatat në fjalë në letrën drejtuar Kryeministrit shqiptar — ashtuqë nepërmjet miratimit eventual të këtij projektligji nga Kuvendi i Shqipërisë, jo vetëm të disiplinojë por edhe të dënojë median që sipas tij mund të gjykohet, si e njëanshme ose e paanashme, ose si një media që cenon “moralin publik”.  Tomas Xhefersoni, i cili konsiderohet si përpiluesi kryesor i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara ka shkruar se nëqoftse me eksperimentin e demokracisë mund të konstatojmë se njeriu mund të qeveriset nga arsyeja dhe e vërteta, atëherë duhet të lëmë të gjitha rrugët e hapura që të mundësojnë që të arrihet tek e vërteta. “Rruga më me rëndësi drejtë zbulimit të së vërtertës, është liria e shtypit”, ka shkruar ai. Prandaj, “Liria e shtypit është e para që e pëson nga ata që kanë frikë nga hetimi i veprimtarive të tyre”, ka thekësuar Xhefersoni.

Thonë se Uinston Çurçilli ka deklaruar se, “Demokracia është forma më e keqe e qeverisjes, me përjashtim të të gjitha formave të qeverisjeve që janë provuar nga koha në kohë.”  Demokracia e vërtetë është një krijesë e brishtë, por megjithë të metat e saja, është e vetmja formë qeverisjeje që parandalon ushtrimin e pushtetit të një regjimi ose të një personi me prirje autoritare, tiranike ose despotike.  Historia na mëson që të mos përulemi para dukurive të tilla kudo qoftë, por t’i kundërshtojmë, sidomos përpjekjet arbitrare dhe imponuese nga cilado qeveri ose nga cili do udhëheqës qoftë, për të kufizuar dhe për të kontrolluar lirinë e fjalës, me anë të ligjeve të imponuara pa asnjë konsultim me grupet e interesuara të shoqërisë.  Sepse siç na këshillon edhe Tomas Xhefersoni, humbja e lirisë së fjalës, pasohet edhe nga humbja e të gjitha lirive të tjera bazë të njeriut, një nga një.  Beso në të vërtetën! Beso në Demokraci! Kundërshto masat antidemokratike, sepse Demokracia nuk pret!  Thuaj JO kufizimit të lirisë së shtypit!

Filed Under: Politike Tagged With: demokracia, fjala e lire, Frank shkreli, mesazh, Viti i ri

DEMOKRACIA NËN TRYSNI SISTEMIKE

September 20, 2018 by dgreca

1 Frank shkreli (2)

Nga Frank Shkreli/

Anë e mbanë botës,15 Shtatori shënoi Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë.  Është kjo një ditë e cila festohet anë e mbanë botës, ç’prej vitit 2007, kur Asamblea e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, me një rezolutë përcaktoi këtë ditë si dita që t’i kushtohet botërisht promovimit dhe zbatimit të parimeve të demokracisë, ndërkohë që u kërkohet vendeve anëtare të OKB-së të kujtojnë këtë ditë në mënyrat më të mira dhe më të përshtatshme për promovimin e vlerave dhe parimeve të demokracisë.

Në mesazhin e tij në Ditën e Ndërkombëtare të Demokracisë, të shtunën që kaloi, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, (OKB-së) Antonio Guterres, u shpreh se, “Demokracia përballet sot me trysnitë më të mëdha se çdo herë tjetër, në dekada”. Sipas udhëheqsit të OKB-së, “Dita Ndërkombëtare e Demokracisë” ishte një rast i mirë, që vendet anëtare, anë e mbanë botës, të përpiqen të gjëjnë mënyra për të ringjallur dhe për të rifuqizuar demokracinë, duke “Kërkuar zgjidhje ndaj sfidave për ndryshime sistemike, me të cilat përballet ajo sot.”

Sipas udhëheqsit të OKB-së, këto përpjekje duhet të përfshijnë “masat për të zhdukur pa barazitë që ekzistojnë në fushën ekonomike dhe politike, me qëllim për t’i bërë demokracitë më gjithëpërfshirse, për të tërhequr të rinjtë dhe të rejat si dhe të margjinalizuarit e shoqërisë, që të bëhen pjesë e sistemit politik për t’i bërë demokracitë më novatore dhe më të përgjegjëshme ndaj sfidave të reja siç janë emigrimi dhe ndryshimet atmosferike”, ka nënvijuar Antonio Guterres i OKB-së.  Ndonëse këtë vit shënohet edhe 70-vjetori i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, Dita Ndërkombëtare e Demokracisë na jep rastin që të theksojmë vlerat e demokracisë dhe respektin për të drejtat e njeriut, si elementët bazë të një demokracie të vërtetë, ka thënë ai.

Ndërkaq, Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) në një deklaratë për medien me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë rithekson “Besimin e tij të plotë dhe të pa lëkundur në demokracinë si formën e qeverisjes me kapacitetin më të madh për të avancuar paqën, begatinë, sigurinë si dhe sistemin më të mirë për të ruajtur dhe për të mbështetur të drejtat universale të njeriut, liritë themelore dhe dinjitetin e çdo personi.”   Por, amerikanët nuk e kanë konsideruar kurrë demokracinë dhe të drejtat që ajo garanton, si diçka ekskluzive të tyre.  Në deklaratën e Departamentit Amerikan të Shtetit thuhet gjithashtu se, “Idealet demokratike janë thelbi i politikës tonë të jashtme. Vendet me demokraci funksionale janë aleatët tanë më të ngushtë dhe partnerët tanë më të fortë, në përballimin e sfidave botërore.”   Në deklaratën e zëdhënses së (DASH), Heather Nauert, thuhet se, Shtetet e Bashkuara “Nuk rrinë duarkryq kur qeveri të ndryshme kufizojnë dhe shkelin të drejtat e qytetarëve të tyre, ndërkohë që ato qeveri me veprat e tyre minojnë besimin publik ndaj proceseve dhe institucioneve demokratike. Historia është dëshmitare”, vazhdoi ajo, “se ata që rrezikojnë dhe shkelin të drejtat e popujve të vet, ka të ngjarë se heret ose vonë do të rrezikojnë edhe të drejtat e popujve të tjerë.”  Kjo është arsyeja, theksoi ajo me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë, se ne mbështesim të gjithë ata të cilët u bëjnë thirrje qeverive të tyre që të respektojnë të drejtat dhe liritë individuale, të forcojnë sundimin e ligjit, të parandalojnë dhe të luftojnë korrupcionin dhe të respektojnë votën e lirë, është shprehur zëdhënsja e DASH, Heather Nauert, në deklaratën e saj për media me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Demorkacisë. Ajo ka mbyllur deklaratën e saj duke nenvijuar qendrimin e qeverisë amerikane, se Shtetet e Bashkuara bashkohen — me qeveri dhe organizata të ndryshme dhe individë që mendojnë si ne përsa i përket demokracisë – në angazhimin e tyre të përbashkët për të promovuar, për të mbrojtur dhe për të avancuar vlerat demokratike në vendet e tyre dhe në mbarë botën.

Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë këtë vit unë e kalova në Shqipëri dhe më parë kisha vizituar Kosovën, gjithsejt qendrova në trojet shqiptare për një periudhë prej tri javësh, ku edhe promovova botimin e tre vëllimeve librit, “Demokracia Nuk Pret” kohët e fundit në Tiranë.    Gjatë kësaj kohe pata mundësinë të bisedoja me dyzina shqiptarësh nga të dyja anët e kufirit shqiptaro-shqiptar.  Nga bisedat me ta u ndesha me një pakënaqsi të gjithanëshme nga një numër dërmues i bashk-folësve, në lidhje me gjëndjen e rënduar aktuale politike dhe ekonomike —  përfaqësues dhe votues të partive në pozitë dhe në opozitë, pa përjashtim, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.  Duket se pakqënaqësia në radhët e shqiptarëve ndaj zhvillimeve në vend, kudo në trojet shqiptare, nuk përcaktohet nga mbështetjet që ata mund të kenë për një parti politike ose një tjetër.  Pakënaqsitë janë të prëgjithëshme dhe të theksuara.  Duke filluar nga kamerierët, shoferët e taksive e deri tek pronarët në gjëndje të mirë ekonomike, por sidomos të rinjtë dhe të rejat janë më të zhgënjyerit e të cilët shohin emigrimin si të vetmen alternativë për një jetë më të mirë për ta.  Të rinjtë dhe të rejat, madje edhe ata që mund të kenë një punë, ndosnëse me rroga të ulëta, e ndjejnë veten të margjinalizuar dhe të pa përsektivë për të ardhmen.  Ndërsa ata që sado në pakicë, thonë se janë pak a shumë mirë ekonomikisht shprehen se ndjehen të pasigurt, duke mos ditur se çfarë sjellë e nesërmja. Biznesi, tha njëri prej bisnezmenëve me të cilin fola, nevojitë siguri dhe përspektivë për të ardhmen.  “Ne nuk dimë se ç’do të sjellë e ardhmja, pasi edhe po të ndryshohen qeveritë, secila prej tyre sjellë njerëzit e vet në administratë dhe ndryshon ligjet e qeverisë aktuale ose të qeverive të mëparshme, duke ia filluar nga e para.”  Vura re, fatkeqsisht, jo vetëm një “trysni sistemike” – siç e ka cilësuar Sekretari i Përgjithëshëm I OKB-së — të zhvillimit të demokracisë në Shqipëri dhe në Kosovë, për të mos thënë një krizë në themel të eksperimentit me zhvillimet e demokracisë në trojet tona.

Sidoqoftë, biseda jo formale më dyzina shqiptarë të moshave dhe të profesioneve të ndryshme nuk është një anketë shkencore, por është diçka që ven në dukje mungesën e llogaridhënies, transparencës dhe të një qeverisjeje të përgjegjëshme ndaj votuesve shqiptarë kudo.  Dihet se, jo vetëm politika, por edhe faktorët ekonomikë luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e ekonomisë dhe dhe luajnë një rol kritik në zhvillimin e demokracisë në cilindo vend qoftë. Kur dështon demokracia, dështon edhe ekonomia dhe rrezikohet rëndi e qetësia. Demokracia e vërtetë nevojitë pjesëmarrjen e plotë për të pasur një zë në mënyrën se si qeveriset, me qëllim që të mbajë përgjegjëse entet qeveritare dhe politikanët që drejtojnë ato për veprimtaritë e tyre dhe të kërkojnë prej tyre llogari, pasi ideja e ekzistencës së tyre në një demokraci të vërtetë është që t’i shërbejnë nevojave të popullit, pasi financohen nga taksat e të gjithëve.  Fatkeqësisht, bazuar në bisedat me njerëz të informuar mirë të shoqërisë, si në Kosovë ashut edhe në Shqipëri, u largova nga trojet tona me ndjenjën për të cilën është folur aq shumë gjatë këtyre viteve se oligarkët (për të cilët kishte folur dikur ish-Sekretari Amerikan i Shtetit Xhon Kerry) kanë uzurpuar shtetin dhe po diskreditojnë imazhin e demokracisë në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe më gjërë, janë më evidente se kurrë sot në Shqipëri dhe në Kosovë.

Jam i vetdijshëm se pas një qëndrimi prej tri javësh në Kosovë dhe në Shqipëri, vlerësimit tim në këtë ditë të “Ditës së Demokracisë Ndërkombëtare” 2018 — gjëndjes aktuale të zhvillimit të demokracisë në trojet tona i mbetet shumë për t’u dëshiruar.  Ishte folur në fillim të këtij shekulli se shekulli 21 do të ishte, më në fund, “Shekulli i shqiptarëve”, i momentit historik, kur vet shqiptarët si kurrë më parë, do t’a kenë në dorë fatin e zhvillimit të vet demokratik, historik e natural të Kombit.  Prandaj, mesazhi në këtë ditë të demokracisë ndërkombëtare për këtë brez të politikanëve shqiptarë, duhet të jetë që me sjelljet e tyre në mbrojtje të interesave ekonomiko-financiare dhe partiake, dhe me “komeditë e tyre”, (siç i kishte cilësuar dikur Fan Noli) — pikërisht në këtë moment të historisë së Kombit shqiptar — të mos pengojnë proceset natyrore të historisë, e cila shpresojmë të ketë filluar t’i korrigjojë gabimet dhe disfatat që ka pësuar kombi shqiptar gjatë shekujsh.  Për ndryshe, ashtu siç ka paralajmëruar edhe Noli në fillim të shekullit të kaluar, “Optimizmi s’ka vend dhe trembem se diç do ngjasë”.

Shqipëria dhe Shqiptarët, që pas rënies së komunizmit dhe pas fitores historike të Pavarësisë së Kosovës, mund të thuhet se, “U ngjallën nga idealistët dhe u ruajtën nga rastet”, por siç është shprehur edhe Fan Nolit, shpresojmë që tashti të “mos vriten nga politikanët.”   Urojmë që politikanët shqiptarë kudo në trojet e veta – do të ndërpresin komeditë e tyre politike dhe do të mënjanojnë rrezikun, duke u bashkuar me vendet mike demokratike të shqiptarëve dhe të angazhohen për një demokraci të vërtetë, jo vetëm në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, por për çdo ditë të jetës së tyre publike në shërbim të popullit të vet, që u ka dhënë atyre besimin t’a udhëheqi.  Për këtë të mos kini frikë nga e ardhmja dhe mos u mbani peng nga e kaluara, por të punohet seriozisht dhe në bashkpunim me njëri tjetrin, por edhe në bashkrendim politik dhe ekonomik midis Shqipërisë dhe Kosovës si dy shtete të pavarura — për zhvillimin e një demokracie të vërtetë për Kombin shqiptar.  Për një komb shqiptar aq dinamik dhe dashamirës i pavarësisë, demokracisë dhe lirisë, i cili i ka të gjitha mundësitë dhe kapacitetet për të realizuar ëndrrën e rilindasve të shekullit të kaluar për një Shqipëri të pavarur, të bashkuar demokratike dhe në liri e paqë me veten dhe me të tjerët, sepse Demokracia nuk pret.

Filed Under: Politike Tagged With: demokracia, Frank shkreli, NËN TRYSNI SISTEMIKE

DEMOKRACIA, NJË MISION I PAPËRFUNDUAR

April 24, 2018 by dgreca

Nga Marjana Zeneli Bulku/

Për ne që e mirpritëm demokracinë si pjesë e atij brezi që jetoi 18 vjet në diktaturë, kohë kjo e mjaftueshme për të kuptuar marrëzinë e një sistemi të padrejtë diktatorial si edhe ato dhjetra arsye pse prindërit e mi, familja ime, e mijëra shqiptarë mezi e pritën demokracinë, që sot është në  emergjencë jo vetëm kombëtare, mes qindra përseve pa sepse, në një atdhe që gënjente dhe dhunonte vetveten duke na fshehur nga bota e duke pasur frikë nga civilizimi që sillte liria, demokracia sot më shumë se kurrë kërcënohet nga e kundërta e vet.  Në 28 vjetët e tjera të kësaj Odiseje ku si në të Penelopës pëlhurë thureshin e shprisheshin ëndrrat për liritë, të drejtat e munguara, mirëqenien sociale dhe atë ekonomike por edhe paqen që nuk erdhi kurrë për shkak të pajtimit me të keqen që e vret sistematikisht atë, demokracia mbeti një mision i papërfunduar, përgjysëm, peng. Po a u kuptua siç duhet ky sistem të drejtash dhe përgjegjësish?!  A ishte e përgatitur shoqëria shqiptare me intelektualët përherë në mërgim, me vlera të burgosura, dhunuara, mohuara, të ndërtonte liri mbi bazë rregullash?! Trashëgimtarët e diktaturës, ata që “ndërtuan” kopshtin shkëmbor të Evropës juglindore do të mbanin gjallë murin e izolimit edhe pse ai i Berlinit u shemb bashkë me autorët e tij, në Shqipërinë postkomuniste muri i korrupsionit na largon nga liria po aq sa ai i komunizmit që diktatura e gjatë prodhoi.  Një debat përherë i hapur që ngre dhjetra enigma të pazgjidhura, nyje të së shkuarës pa të ardhme. Ishte Vatra që na mblodhi në një bashkëbisedim mjaft të frytshëm rreth botimit më të fundit të gazetarit dhe publicistit, mendimtarit dhe refleksionistit zotit Fran Shkreli i cili nuk mungon me gjykimin plot peshë e vlerë as shtypit të Tiranës me” Demokracia nuk pret”.  Rreth Vatrës nuk mungojnë kurrë idealistët që ia mbajnë gjallë misionin për të cilin ajo u krijua. Por teksa dëgjon zërin e Dr Elez Biberaj që më shumë se zërin e Amerikës përcolli zërin e të vërtetës dhe atë të shpresës për ne shqiptarët vetmitarë e të izoluar nën dhunën e diktaturës, pohon pa mëdyshje që po, Vatra mundet që vizionin e saj ta kthejë në udhërrëfim për të ardhmen në udhëkryq.  E mendjet që i flasin botës shqiptare këtej dhe përtej me maturimin e Sami Repishtit, mprehtësinë analitike të Fran Shkrelit bëhen frymëmarrje shprese.  Dr Elez Biberaj shpalos objektivat konkrete se si dilet nga emergjenca kombëtare në të cilën është zhytur vendi në kushtet e cënimit të demokracisë dhe gangrenizimit korruptiv që vret përditë moralin kombëtar. Gazetarët e zërit të Amerikës janë vigjilentë në mbrojtje të sapolindurës së asfiksuar demokraci edhe pse me prezencën e doktor Halim Kosovës, deputet i Partisë Demokratike në Parlamentin e Republikës së Shqiperisë, ndihma më e mirë do ti vinte nga vetvetja, institucionet e konsoliduara, sistemi i pastër i gjygjësorit por edhe ai legjislativ, shoqëria civile, intelektualët, pra çdo grup interesi.

Ishte vërtetë bukur që në vatër të shikoje gazetarët e zërit të Amerikës Shkreli, Biberaj, Lamaj si një akademi e vërtetë për gazetarinë e cila ka si mision të edukojë qytetarët me liri përmes mire informimit në këtë botë të mbushur plot me lajme kaotike. Demokracia nuk pret, por demokracia len shtigje meditimi e shprese përmes vullnetesh pozitive që Vatra e mijvjeçarit të 21 çel me drejtuesin e saj zotin Dritan Mishto, gazetën e saj një shekullore Dielli si një tribun lirie dhe shprese se demokracia ka shanse për jetë kur intelektualizmi patriotik nuk mungon.

“Demokracia nuk pret”, një botim që duhet shfletuar edhe për të ushqyer përmes optimizmit objektiv por edhe kriticizmit korrekt që përcjell autori tek çdokush që prej demokracisë priti e u zhgënjye, ëndërroi e u dënua, projektoi e u arratis…por gjithmonë duke pritur para se të jetë vonë.

Dhe në pëmbyllje të këtij reflektimi modest që lind natyrshëm pas atij komunikimi të frytshëm në Vatrën gjithshqiptare, po citoj zotin Fran Shkreli përmes pyetjes retorike që mban dekadat brenda: Si do të ishte sot Shqipëria dhe shqiptarët nëse në shekullin e kaluar do të kishin fituar pikpamjet pro perëndimore të intelektualëve që u mundën prej komunizmit?!

 

Filed Under: Analiza Tagged With: demokracia, Marjana Zeneli Bulku, NJË MISION I PAPËRFUNDUAR

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT