Pergatiti:ARTUR AJAZI/
Elbasani padyshim ka rolin e tij themelor në gjithë historinë e arsimit tonë kombëtar, kjo për faktin se ky qytet, jo vetëm ka qenë qendra e zhvillimeve të rëndësishme historike, por edhe se, nga ky qytet dolën vazhdimisht emra dhe figura të shquara që kontribuan deri me jetën e tyre në periudhat e vështira të kombit. Historia e arsimit dhe ngritja e shkollave shqipe në Shqipëri, është një periudhë e mbushur me fakte të rëndësishme historike. Etapat e zhvillimit, janë të vështira dhe të lavdishme, dinjitoze, dhe tragjike. Rrugëtimi i Shqipërisë ka qenë i vështirë krahasuar në historikun e Ballkanit dhe Europës, pasi fati i kombit shqiptar, i historisë tij, ka kaluar periudha dramatike.Historia e arsimit në Shqipëri dhe veçanarisht në Elbasan, meriton një vend të veçantë për zhvillimin, kontributin, për ta ngritur e lartësuar shkollën shqipe e mendimin pedagogjik shqiptar. Profesori i UE dhe studiuesi Kujtim Bevapi mendon se “fillimet e arsimit në Elbasan, i takojnë periudhës së mesjetës dhe lidhen drejpërdrejtë me Manastirin e Shën Gjon Vladimirit, në shekullin XIV, kohë kur u ngrit ky manastir (1381).Gjuha kishtare, nën ndikimin dominues të kishës lindore dhe asaj romane, u vu në shërbim dhe si gjuhë shkrimi për administratën shtetërore”. Sipas Profesor Bevapit “bazuar tek kushtet dhe rrethanat politike, greqishtja, latinishtja dhe në pak sllavishtja (me vendosjen e sundimit serb) u përdorën si gjuhë shkrimi nga paria sunduese shqiptare, për veprimtarinë shtetërore. Rasti i Karl Topisë, dëshmon në mbishkrimet e rëndësishme të heraldikës së tij, të vendosura në 1383, në Manastirin që ngriti në Shën -Gjon në Elbasan, të shkruara në tre gjuhë. Këto gjuhë mësoheshin në shkolla, që vepronin nën mbikqyrjen e manastirit apo të kishës, pranë tyre, ku fillimisht mësimi bëhej individualisht me lexime e këngë kishtare. Manastiri Shën -Gjonit, krijoi traditë, që nga shekulli XIV e disa shekuj më pas, për arësimin e shkollën, kushte të favorshme për përdorimin e shkrimit, çka e dëshmon kohë më pas, numri i klerikëve qytetarë nga Elbasani, ata që dolën nga kjo qendër kishtare, nuk dalin jashtë kuadrit të frymës teknologjike, por ato janë të rëndësishme, sepse u shkruan nga autorë vendas të Elbasanit dhe i përkasin jo vetëm historisë së këtyre trevave, por dhe mbarë historisë së trojeve shqiptare”. Studiuesi Bevapi mendon se “krijimi i shkollës në këtë qendër është bërë me nismën e urdhërit kishtar ortodoks, apo dhe të administratës komunale e princërore të qytetit, që para se të merrte emrin Elbasan, njihej i emërtuar me emrin Valmi.Është i njohur historikisht fakti, që në mesjetën e hershme, kisha e krishterë luajti rol të rëndësishëm në veprimtarinë kulturore e arsimore. Si udhëheqës shpirtërorë, ata kishin në duar jo vetëm anën ekonomike, por dhe atë kulturore e arsimore. Manastiri i Shën- Gjon Vladimirit, ishte një qendër, jo vetëm e prapagandimit të doktrinës fetare, por dhe e propagandimit të arsimit e veprimtarive kulturore.Ishte koha, kur në shek. XIV, jepen shumë dëshmi të shkrimit të gjuhës shqipe, kur dokumentohet për herë të parë, se shqipja përdorej si gjuhë shkrimi”. Por gjuha shqipe, si gjuhë e shkruar, në këtë kohë, në Manastirin e Shën Gjon Vladimirit, apo dhe kisha të tjera, nuk ishte në gjendje t`i bënte ballë shkrimit në greqisht, latinisht apo sllavisht, gjuhë kishtare me rëndësi, që mbështeteshin nga institucionet kishtare dhe administrata shtetërore.Në shekullin XVI – XVII, e më pas, nën Perandorinë osmane, nuk u njohën kombësitë , por vetëm komunitetet fetare, myslimanët, rumët (ortodoksët) dhe latinët (katolikët). Arsimi dhe kultura lejoheshin të funksiononin në gjuhët turko– osmane, greke dhe latino-italiane. Shqiptarët u privuan nga përdorimi i gjuhës amtare shqipe në kisha e në arsim. Kjo për faktin se gjuha shqipe është shprehja më e arrirë e identitetit kombëtar dhe shkolla shqipe është institucioni, brenda të cilit ky identitet formësohet.
Xhamitë dhe shkollat në sundimin osman
Shkollat, që u ngritën gjatë periudhës së sundimit osman në Elbasan, ishin ato të komuniteteve myslimane, në gjuhët turko-osmane dhe arabe. Ndërtimi xhamive e teqeve, si “Xhamia Mbret”, “Xhamia e Nazireshës”, “Xhamia e Ballijes”, “Xhamia e Gazi Sinan Pashës”, “Xhamia Sulejmania” “Xhamia e Idrait” u shoqërua pranë tyre me hapjen e shkollave. Studiuesi Kujtim Bevapi thotë se “një shekull më pas u çelën dhe shkolla të një rangu më të lartë si medresetë, ku nxënësit krahas gjuhës, gramatikës, leksikut të arabishtes, persishtes, osmanishtes, mësonin dhe letërsinë orientale e doktrinën islame. Elbasani përvijoi një shtresë intelekualësh me arsim e kulturë islame. Shkollat mbaheshin me të ardhurat që vinin nga pasuritë e vakëfeve dhe besimtarëve myslimaë. Mësuesit ishin hoxhallarë.Një rol, jo të vogël për arsimin e shkollën në Elbasan, luajtën esnafët (korporatat), të dokumentuar në këtë qytet që në vitin 1580”. Krahas funksionit ekonomik, shoqëror, politik e ushtarak, ata kishin dhe funksioin fetar e arësimor. Esnafët e krishterë të Elbasanit dhanë 122000 akçe për ngritjen e një shkolle.Kjo për vetë faktin se shkollat e komunitetit ortodoks në Elbasan, ashtu si edhe në gjithë vendin, ishin nën mbrojtjen e Patrikanës së Stambollit dhe jeta e tyre qe më e gjatë. Mësimi në to bëhej greqisht, në gjuhën e kishës dhe fondet për mbajtjen e tyre jepeshin dhurata nga besimtarët për kishën. Nga gjysma e dytë e shekullit XVII jepnin kontribut financiar dhe esnafët ortodoksë të qytetit.Elbasani veçohet në këtë periudhë, jo vetëm për hapësirën kulturore që rrok me figura si Onufri, Kostandin Shpataraku, por dhe për lërimin e gjuhës shqipe të shkruar, arsimit, të cilat janë shumë të lidhura me njëra – tjetrën. Ai, qe ndër qytetet e mëdha e më të rëndësishme të zhvilluara në shekullin XVI – XVII, duke u bërë dhe një nga qendrat kryesore të Shqipërisë.Burimet arkivore, konsideratate udhëtarëve të huaj siçështë rasti i funksionarit të lartë perandorisë E. Çelebi (në Elbasan vjen më 1640) tregojnë se ky qytet kish bërë një hap të madh përpara, veçanërisht në atë arsimor e kulturor.Në këtë kohë (shek. XVII) Theodhor Bogomili, i njohur si “Anonimi i Elbasanit” shkroi një vepër, që përmban përkthime pjesësh të 4 ungjijve në gjuhën shqipe, me një alfabet origjinal, të veçantë, më i vjetri i njohur deri më sot për shqipen, vepra ka 60 faq, dhe një predikim të lirë fetar të ritit ortodoks. Është gjendur në Manastirin e Shën Gjonit. Më 1690, në Venedik, botohet libri i parë elbasanas mbi Shën Gjon Vladimirin, vepër në greqishte e titulluar “Akoluthi” (Jetëshkrim).Këto dëshmi tregojnë së pari se liturgjia në këtë qendër dhe në kisha ortodokse të qytetit jepej apo thuhej pjesërisht dhe në shqip, e cila vazhdoi dhe në shekullin e XVIII e më pas, ku në proçesin mësimor të shkollës të drejtuar nga kleri vendas, hynte dhe shqipja, përmes teksteve fetare, me vendin më të madh në program, por dhe lëndëve të tjera. Së dyti, tregon për dëshmi të një tradite pararendëse, e cila lidhet drejtpërdrejt jo vetëm me origjinat e shqipes së shkruar, por dhe me historinë e arësimit të Elbasanit dhe më gjerë.Elbasani, në shekullin e XVIII, ashtu si shumë qytete shqiptare, për kohën e pushtimit osman, njohu zhvillim kulturor e arësimor me vepra të arkitekturës e ngritjen e shumë shkollave. Intelektualë e klerik elbasanas , të arsimuar në atë kohë, si Theodhor Haxhi Filipi, i njohur si Dhaskal Todri, që kish mbaruar Akademinë e Re të Voskopojës, u bënë bartësit e ideve ilumuniste, duke i rënë ndesh patriarkanës, Stambollit dhe Malit të shenjtë Athos, të cilët ruanin me fanatizëm, ngulmonin në paprekshmërinë e traditave dogmatike të kishës në fushën e arsimit dhe të kulturës. Pavarësisht nga kjo, mendimet dhe idetë progresiste, përparimtare penetruan në shkollat, që erdhën duke u shtuar në Elbasan, veçanërisht tek ortodoksët e kalasë, dhe pse shkolla ishte nën drejtimin e klerit. Ky është një fenomen që vërehet ndër të krishterët e Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut. Dhaskal Todri dhe pjesa më e avancuar e klerit të qytetit, e cila duket açik një shekull më pas, i bën të vetat këto ide, luftuan dhe u rrezikuan nga kishat. Ai u bë martir për gjuhën e shkollës shqipe dhe mbeti pjesëtar aktiv në qëndresën e ortodoksëve shqiptarë kundër kishës greke. Todri qe njeri me shumë emër në komunitetin ortodoks të Elbasanit ç`ka e dëshmon mbajtja e një kodiku të kishës së Shën Mërisë së kalasë së qytetit. Ishte akti i kishës greke, e cila ishte kundër shkrimit të gjuhëve jo greke për më tepër të gjuhës shqipe, e cila nuk mund t’a lejonte kur bëhej fjalë për ngritjen e një shtypshkronje. Sipas albanologut Han (J. G. Von Hahn), Todri me përkthimet e tij në shqip si: “Dhiatën”, “Meshën e Shën Joan Gojartit” etj., vijoi traditën pararendëse duke u përpjekur të fusë shqipen në kishë dhe për mësimin e saj në shkollë. Shkroi elbasanishten e kohës dhe krijoi traditën e shkrimit të shqipes në Elbasan me alfabetin e tij të njohur, që nga fundi i shekullit të XVIII. Më 1736 në lagjen “Kala” u ngrit një shkollë greke, e cila mori emrin dhe njihej si “Shkolla e Kalasë”, ku klerikë të kohës organizonin futjen e shqipes në shërbesat fetare dhe mësimin e saj në shkollë. Ky është shekulli i përpjekjeve për gjuhën e shkollës shqipe në Elbasan e në trevat e tij për ruajtjen e identitetit, forcimin e ndjenjës kombëtare për të ruajtur gjuhën, doket dhe zakonet. Një fenomen i tillë vërehet jo vetëm në masën e gjerë të popullit, por dhe tek shtresat e larta. Madje, ndjenja kombëtare tek shqiptarët e islamizuar nuk u fashit. Po t`i referohemi statistikave të kohës, rezulton se fillimi i shekullit të XVI-të, Sanxhaku i Elbasanit kishte 8916 familje të krishtera dhe 526 myslimane, rreth 94.5% e popullsisë ishte e krishterë, ndërsa në fund të këtij shekulli ishte islamizuar rreth 79% e popullsisë. Për zona që kërcënoheshin nga sllavizimi e greqizimi, ndjenja kombëtare u fuqizua dhe më shumë .Gjatë Rilindjes Kombëtare (shekulli i XIX – XX-të), Elbasani mbetet një vatër e zjarrtë e luftës, jo vetëm për emancipimin shoqëror, politik, por dhe për atë arsimor dhe kulturor. Gjithashtu ai mbetet qendër e ideve kombëtare, vatër e rëndësishme e arsimit shqiptar dhe atyre lëvizjeve, të cilat çuan në shpalljen e Pavarësisë Kombëtare në 1912. Një nga rilindasit e shquar, që dha kontribut për shkollën e Elbasanit dhe të asaj mbarëkombëtare mbetet Kostandin Kristoforidhi, themeluesi i “Shkollës shëtitëse” shqiptare, prej të cilit shumë patriotë mësuan gjuhën shqipe. Tekstet e “Abetareve”, “Gjahu i malësorëve” etj., i shërbyen drejtpërdrejtë shkollës kombëtare. Rreth vitit 1918 depoja pranë dyqanit të bojaxhiut, dhe atdhetarit Losh Papamihalit, ishte shndërruar në një “Mësonjëtore të fshehtë”. Dyqani i Elbasanit të njohur, Osman Berberit që vete populli e “pagëzoi” Muç Shqiptari, i cili më tepër se kinkaleri ishte kthyer në një librari ilegale të librave shqip.Mësuesi i shkollës greke të kalasë, Dhimitër Pina pas orëve të mësimit greqisht, u mësonte nxënësve të besuar, abetaren e gjuhës shqipe. Çelja zyrtarisht e së parës shkollë shqipe Mars 1887 i dha një hov të mëtejshëm zhvillimit të arsimit të shkollës shqipe. Ndërkaq, patriarkana e Stambollit; kërkonte një veprim më energjik të krerëve të kishës ortodokse, për të forcuar pozitat ortodokse, në Shqipërinë e Mesme veçanërisht në Elbasan dhe në trevat e tij. U bë e mundur që përveç një shkolle greke, që funksiononte të Shtërmen (1882), në shtator 1898, filloi të funksiononte dhe shkolla greke e fshatit Valas dhe në janar 1899, shkolla greke e Shelcanit.
Zhvillimi arsimit mbi baza kombëtare
Në Elbasan, veçanërisht në zonën e Shpatit, e njohur për fenomenin e kripto- kristianizmit (Laramania fetare), shfaqet jo rastësisht Lëvizja e Uniatizmit, (1900 – 1904) që do të trondisë nga themelet botën ortodokse greko – sllave, me demonstrime të guximshme, për të kaluar në uniatizëm. Uniatizëm, do të thotë bashkim. Ndaj dhe shpatarakët, parapëlqejnë uniatizmin për fenë e tyre të krishterë, mbi baza kombëtare. Lëvizja udhëhiqej nga ati shpirtëror, kleriku i shquar elbasanas, Papa Jorgji Thehoari. Mesazhi, që ai jepte ishte “Një kishë , një komb dhe feja në shërbim të përbashkësisë kombëtare”. Duhej ndjekur udha e drejtë e mësimit të shqipes në shkolla, si gjuhë e mëmës, në institucionet fetare shqiptare.Shtypi i kohës shkruante për Shpatin se “Veç në shkollat ku mësohet shqip, është shpëtimi”. Më 1890 Abdyl Abdullah Xhinsi, i arsimuar në Stamboll, hap shkollën private turke në qytet, ku kryente dhe mësimin e gjuhës shqipe. Më 1897 një mësues i ri nga Elbasani, kish hapur një shkollë private, duke thirrur bashkëqytetarë të shkruajnë e të mësojnë në shkollë gjuhën amtare: “ Të gjith dyqanet në Elbasan, janë transformuar në shkolla….”“ Të gjithë elbasanasit e kultivojnë gjuhën e tyre….”“ Në shkollat ekzistuese turke e greke, fëmijëve u mësohej gjuhë shqipe”. Të ndodhur përballë ndjekjeve e persekutimeve, që i bëheshin mësimit e shkollës shqipe, patriotët elbasanas përpiqeshin të shfrytëzonin shkollat e huaja dhe në zonat e thyera malore, siç ishte ajo e Shpatit, i njohur ky, për tradita patriotike.Në këtë periudhë shkrimi shqip dhe shkolla shqipe në Elbasan dhe krahinat e tij bënë përparime të dukshme.Në vitet 1908 – 1912, lëvizja arsimore dhe kulturore në qytet dhe treva, karakterizohet nga një ngritje e mëtejshme e shkallës së organizimit të saj, e cila gjen shprehjen në krijimin e një rrjeti të gjerë shkollash, klubesh dhe shoqërish kombëtare. Deri në prag të shpalljes së kushtetutës Xhon Turke (korrik 1908) në qytet funksiononin disa shkolla për komunitetin mysliman dhe ortodoks, të cilat ishin shtetërore e private sipas cikleve. Në komunitetin mysliman zhvilloheshin në gjuhën turke dhe ishin iptidaije, ruzhdije, idadije. Disa nga mësuesit ishin Hafiz Sulejman Lunike, Mahmut Bobrati, Sheh Ibrahim Guma, Mustafa Qafmolla, Ali Krypa, Adem Grykshi, Hafëz Uku. Gjithsej ishin 5 shkolla private, dhe funksiononin pranë “Xhamisë së Agait” me mësues Fejzullah Guranjakun, pranë “Qoshes” (dy shkolla) me mësues Hafëz Karadakun, Ibrahim Shehun, pranë “Xhamisë Idrait”, Hafëz Gjeli, Imam Vrapi, në pjesën perëndimore të Kalasë, shkolla me mësues Mullah Tahirin.Për komunitetin ortodoks të kalasë ishte shkolla greke e kalasë me mësues Dhimitër Papariston, Simon Shuteriqin, Josif Haxhimiminë etj. Ndërsa, për atë ortodoks të lagjes “Shënkoll” funksiononte një shkollë në gjuhën rumune me mësues Jovan Dimitreskun, Prokop Demon, etj. Një rrjet i tillë shkollash shtetërore për komunitetin mysliman si fillore (Iptidajie), qytetare (ruzhdie), gjimnaze (idadije) u krijuan enkas nga Porta e Lartë, pas reformës arsimore dhe mësimet zhvilloheshin vetëm në gjuhën turke. Ndonëse, quheshin laike prej tyre në planet mësimore bënin pjesë lëndë fetare islamike. Ndërsa, hapja e shkollave në gjuhën greke bëhej nga mitropolitë ortodoksë grekë që në marrëveshje me konsuj grekë emëronin personelin e shkollës. Mjetet kryesore financiare për mbajtjen e tyre siguroheshin nga qeveria e Athinës, nëpërmjet silogut, që ishte krijuar aty për përhapjen e gjuhës dhe kulturës greke.Menjëherë pas shpalljes së Hyrjetit, në 2 gusht 1908 çelet zyrtarisht në Elbasan shkolla e parë shqipe nga Fejzullah Guranjaku me pjesëmarrjen e autoriteteve vendore. Shtypi i kohës do të informojë se: “U çel në Elbasan shkolla e parë shqipe. Ishin mbledhur mijra shqiptarë me gaz në buzë dhe me shpresë në zemër. Erdhi Mytezarifi dhe gjithë nënpunësit. U thanë një tok fjalë shqip dhe Hafëz Sulejman Efendiu (Luniku) këndoj një lutje. Pastaj për të uruar këtë ditë të bekuar dhe të madhe u shtinë 21 topa”10. Pak kohë pas fillimit të saj shumë nxënës lanë shkollat shtetërore turke dhe filluan të ndjekin mësimet në të.Ndërsa mësuesin e saj populli do ta përshëndesë dhe urojë: “Shkolla e Fejzullah Efendiut u hap dhe zunë mësimet me rregull. Me qenë që vetëm në gjuhën amtare, këtë shkollë kemi në Elbasan, gjithë çunat po urojnë njëri – tjetrin duke thënë doli shqipja. Fejzullah efendinë e urojmë dhe dëshirojmë përparim për shkollën”. Shkolla e posaçme, në një periudhë të shkurtër kohore, ndërroi disa godina dhe ndër mësuesit e parë renditen: Fejzullah Guranjaku, Hasan Graceni, Myrteza Karadaku, Haxhi Myslimi, Hysen Ceka dhe më pas (1909 – 1913) Simon Shuteriqi, Petër Dodbiba, Jovan Dimitresku, Ahmet Gathi, Mustafa Curri, Sheh Ibrahim Guma, Dhimitër Gjerga, Filip Leci, Abedin Çaushi, Mustafa Gjergji, Vasil Llapushi, Ibrahim Shëngjergji.Në Vlorë, Tiranë shkollat shqipe hapen në 7 e 8 gusht dhe në Filat e Çamërisë më 7 shtator 1908.Rrjeti i shkollave në Elbasan, ishte i tillë: 4 shkolla fillore e gjysëm të mesme në gjuhën turke, 2 shkolla fillore në gjuhën greke dhe 1 shkollë e porsaçelur shqipe.E ndodhur përballë kërkesave këmbëngulëse të popullsisë shqiptare për ngritjen e shkollave shqipe, Ministria e Arsimit Turke, nxori në tetor 1908, urdhëresën, sipas së cilës gjuha shqipe të futej si lëndë mësimi në shkollat shtetërore turke, ato fillore (mejtepe) dhe gjysëm të mesme.Vitet 1908 – 1912, për lëvizjen arsimore e kulturore, në shkollën shqipe, qenë të mbara, pavarësisht nga baticat e zbaticat e krijuara, rrjedhojë e mosmbajtjes së premtimeve nga Xhon Turqit kur hipën në fuqi. Janë të njohura në Elbasan ekspeditat ndëshkimore të gjeneralit famëkeq Shefqet Turgut Pashës, drejtuar ndaj shkollës shqipe, mësuesve të saj e shumë atdhetarëve elbasanas.Në këtë hark kohor, kjo lëvizje, gjeti shprehjen në krijimin e një rrjeti klubesh e shoqërish kulturore dhe në thirrjen e forumeve të tilla gjithshqipëtare, siç ishte “Kongresi i Elbasanit” dhe hapja e së parës shkolle të mesme kombëtare, “Shkolla Normale”.Në Elbasan radhiten :Klubi “Bashkimi”, “Vëllazëria”, shoqëritë “Afërdita”, “Drita”, “Dielli”, “Lahuta” etj.Këto klube e shoqëri u shndërruan në shkolla e qendra mësimi në gjuhën shqipe. Para tyre shtrohej si detyrë imperative: të futnin gjuhën shqipe, mësimin shqip në shkollat e huaja të qytetit e më gjerë, duke caktuar vetë ata, mësues të shqipes, si dhe ti financonin me paratë e mbledhura. Rreth 200 napolona u vunë në shërbim për shkollën shqipe të porsaçelur dhe të tjerat që do të hapeshin.15Klubet e shoqërisë, bënë përgatitjet e rastit për mësuesit shëtitës, që do të mësonin gjuhën shqipe në fshatrat e Elbasanit dhe në shkollat shqipe, që ishin piketuar enkas për t`u çelur, menjëherë pas asaj të Elbasanit. Ata caktuan kontigjentin e mësuesisë, të cilët do të bënin mësimin e gjuhës shqipe në shkollat e huaja të qytetit.Për shkollat turqisht, caktohen: Josif Haxhimima, Hysen Ceka, Fetah Ceka, Hasan Misiri. Ndërsa, në shkollat greqisht emërohen mësues të shqipes: Petër Avrami, Simos Shuteriqi, Lef Nosi dhe zonjat Parashqevi Cico e Athina Cico. Por, ndërkohë në periudhën shtator – tetor 1908 Lef Nosi hap një shkollë shqipe nate për të krishterët e kalasë, ku mësues të gjuhës shqipe qenë vetë Lefi tok me Fot Papajanin, Dhimitër Delianën. Në janar 1909, vetë klubi “Bashkimi” çel një shkollë shqipe në ambientet e tij. Në zonën e Shpatit, ndër të parët që dallohen për mësimin e shkollën shqipe ishin mësuesit Dyl Dervishi, Kodhel Dedja e Bim Panxhi. Të dhënat, janë dëshmi, për një konturim të qartë të shkollave shqipe në Elbasan e në trevat e tij, por tregojnë dhe për punën madhore të klubeve e shoqërive, në ngritjen, organizimin e financimin e këtyre shkollave. Kjo lidhet drejtpërdrejtë dhe me faktin, që në to drejtonin e organizonin figura si Aqif Pashë Biçakçiu, Lef Nosi, Emil Haxhiadem Shijaku, Alush Saraçi, Qemal Karaosmani etj. Problem i mprehtë mbetej gjithmonë emërimi i mësuesve në shkollat e hapura: Çështja e mësonjësve që do të emërohen, duhet të zgjidhen me kujdes të madh. Mësuesi përveç dijes, metodës pedagogjike, duhet të jetë atdhetar dhe i njohur si i tillë. Lipset të jemi të sinqertë, se punën e lartë, që do të marrë përsipër e ka me zemër e koshiencë për detyrat, me të cilat do të ngarkohet. Ndërsa, përsa i takon rolit të gruas si mësuese në shkollat shqipe, artikujt në shtypin e kohës, do të shënojnë se: “Mendja e gruas shqiptare mbeti virgjërisht dhe kthjelltësisht shqiptare. Shqiptarkat janë një fushë e përgatitur, për të ngritur arsimin kombëtar dhe mësonjëset shqiptare do të jenë njemijë herë më të zonjat dhe më të besës për barrën që do të marrim përsipër…. Le të harrojmë ngathtësinë origjinale, e cila na bën të besojmë se i mbaruam të gjitha, kur vetëm sa kemi vënë gurin e parë. … Le t’i gëzohemi punës së djeshme, duke përgatitur të nesërmen”. Ndërkohë, që parimet e këtyre shkollave ishin të dukshme, të prekshme, jehona dhe entuziazmi në popull, ishte i madh. Në këtë kuadër, të një mjedisi vërtet entuziast arsimor, kulturor, të progresit, përparimit, Elbasani në fillimet e këtij shekulli (XX), po gatitej të futej me një potencial të vrullshëm intelektual të kohës. Ky qytet, historikisht ishte truall i begatë, ku lindën idetë, përmes aspiratave të pashuara për liri e pavarësi, dije e kulturë, ide të cilat kishin bartësit e tyre, luftëtarët e tyre dhe shprehësit e tyre. Ndaj dhe rrezatimi i tyre nuk mbeti vetëm në suazën e Elbasanit, por u shtri në një rrafsh gjithkombëtar. Nuk është rastësi, që në këtë qytet do të kemi në rrafshin arsimor dhe një kontribut amerikan, apo një prani amerikane në këtë lëmë. Është e njohur në Korçë prania e misionarëve Kenedi, ndihma e tyre për shkollën shqipe, por pak e njohur, është në Elbasan, përkushtimi i një tjetër misionari, Thelford Erikson( Telford T. Erickson). Më 1908, kur vjen në Shqipëri, në periudhën gusht – shtator, vendoset familjarisht në Elbasan. Misionerët amerikanë, projektuan hapjen e një kolegji, në përmasa të mëdha në këtë qytet. Ndonëse, si projekt ishte Korça për disa arsye ndërron kursin dhe piketat u vendosën në Elbasan. Marrëveshja i takon periudhës maj – qershor 1909, nga ku mendohej se kolegji, mund të hapej në vjeshtë të vitit 1910. Patrioti i njohur Grigor Cilka, do të shkruajë në shtypin e kohës se: “Shumë mirë e fortë e pëlqyer do të jetë në u bëftë kjo shkollë në Elbasan…. Si do që jam korçar nuk e kam për turp se elbasanasit janë më tepër mirënjohës…. Njoh nga afër atdhetarë elbasanas dhe kam të madhen shpresë se Elbasani do të arrijë më të lartën shkollë se çdo qytet tjetër i Shqipërisë. Në një korrespondencë të kohës së Simon Shuteriqit, informohemi se përveç kolegjit do të hapej dhe një shkollë me profil bujqësor nga misionerët amerikanë. Ky lajm entuziazmoi, jo vetëm rrethin patriotik të qytetit, por dhe tërë popullin arsimdashës të Elbasanit. Klubet qendrore “Bashkimi” dhe “Vllazëria”, enkas vunë në shërbim të këtyre shkollave, për ngritjen e godinave, 100 lira turke, si fillim të punës në adresë të misionerëve amerikanë, sipas porosisë së tyre. Pritej vetëm konfirmimi nga qendra amerikane. “I detyrohemi dhe i jemi mirënjohës për jetë, misionarisë amerikane – shkruhej në shtyp – me padurim presim, që puna e bërë dhe e menduar të fillojë e të marrë mish e eshtra”. Me t’u dhënë vendimi, me fondet e misionit amerikan u ble tokë në Krastë, ku vendos të ngrihej kolegji. Fillimisht, autoritetet turke nuk kundërshtuan, por më pas nuk u lejua të ngrihej kjo shkollë. Shpronësuan truallin, me pretekste të ndryshme. Kolegji amerikan nuk arriti të hapej, kurse T. Erikson do të hapë në Elbasan një shkollë fillore.
Patriotët elbasanas dhe vendi i tyre në historinë kombëtare
Elbasani mbetet qyteti që ka nxjerrë intelektualë, mendimtarë dhe patriotë të shquar për hapin e tyre të guximshëm, duke u bërë faktor në periudha historike. Ata në 2 deri 9 shtator 1909 në Elbasan mbajnë një aktivitet i rëndësishëm, mbarëkombëtar, ngjarje e shënuar në historinë e arsimit, shkollës së kulturës shqipe, që njihet si “Kongresi i Elbasanit”, apo “Kongresi i Shkollave Shqipe”. Morën pjesë 35 përfaqësues nga 28 klube e shoqëri patriotike, brenda dhe jashtë territorit shqiptar. Kongresi parashikonte: Së pari, njohjen zyrtare të gjuhës shqipe në kulturë, në gjithë sistemin egzistues arsimor dhe përhapjen e mëtejshme të arsimit në gjuhën shqipe. Së dyti, krijimin e një shkolle të mesme në Elbasan “Shkollën Normale” . Së treti ngritjen e shkollave të tjera në gjuhën shqipe brenda vendit, krijimin e një shoqërie me qëndrim në Korçë, shoqërisë “Përparimi”, që do të përkujdesej për normalen dhe zgjedhjen e një klubi qendror, “Bashkimi” të Manastirit. Kjo shoqëri do të financonte Normalen me ndihmat, që do të grumbulloheshin, si dhe do të ndihmonte shkollat shqipe egzistuese, futjen e mësimit shqip në të gjitha shkollat e huaja të vendit dhe celjen e atyre, të reja, në shumë vise të Shqipërisë.Ndër vendimet më të rëndësishme të Kongresit, ishte hapja e shkollës Normale dhe si e para shkollë e mesme shqiptare, e cila çeli dyert e saj më 1 dhjetor 1909. Ajo nuk ishte thjesht një shkollë e mesme, por një institucion arsimor, e cila përfaqësoi dinjitetin e kombit dhe rrezatoi dritën e diturisë shqiptare, si vepër diturie e patriotizmi. Normalja shënoi krijimin e sistemit të parë arsimor në Shqipëri, që dallohet, jo vetëm për misionin historik e arsimor, por dhe për vlerat kombëtare e didaktike e pedagogjike. Mbas çeljes së saj në Shqipëri kemi një sistem arsimor me hallkat e tij: arsimin fillor e të mesëm më pas dhe arsimin parashkollor. U caktuan rregullat e drejtimit të shkollës, hartoi programet shkollore. Ajo zgjidhi problemin e përmbajtjes së shkollës në aspektin shkencor dhe pedagogjik dhe nga ana administrative filloi veprimtarinë në kërkesa të përcaktuara për numrin e klasave të nxënësve, pagat e drejtuesve, mësuesve, të drejtat dhe detyrat e nxënësve, buxhetin e shkollës etj.Normalja dhe Elbasani ishin për njëri – tjetrin. Elbasani e mbajti Normalen pse e deshi dhe Normalja qëndroi aty, pse Elbasani e mbajti. Jo rastësisht në shtypin e kohës, Normalja, citohet si Instituti i Parë Shqiptar.Viti 1910 karakterizohet nga një luftë e ashpër me reaksionin Xhon Turk në mbrojtje të shkollës e gjuhës shqipe, e cila manifestohet në protestat e mitingjet masive, kundër futjes së alfabetit arab për shkrimin e shqipes. Në shkurt 1910, në Namazgjah të qytetit, morën pjesë 7000 vetë qytetarë e fshatarë të ardhur nga zonat. Shpallja e Pavarësisë e gjen Elbasanin me disa shkolla shqipe, ndonëse Normalja pati një jetë të trazuar me hapje e mbyllje, në periudha të ndryshme kohore. Ajo zhvilloi një veprimtari kualifikuese, përmes kurseve të kualifikimit në nivel kombëtar. Më 1913 u hap për herë të parë kursi 1-vjeçar dhe më 1914 u hap një kurs i shpejtë 1-mujor me mësuesit e fshatrave të prefekturave te Beratit dhe Elbasanit. Në 1917, u bënë përpjekje nga Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit në Shkodër, për një kurs pranë Normales. Gjatë periudhës 1916 – 1918 nën okupimin austrohungarez, në Elbasan, funksiononin shkolla Fillore, Qendrore dhe Qytetëse, shkolla në lagjet “Karavelie” “Shënkoll” “Kala”, shkolla e vajzave në lagjen “Dylgjer Hysen” si dhe shkolla “Normale”, me drejtor A. Xhuvanin. Në vitet ’20 e më pas do të kemi një tjetër tablo të arsimit dhe të shkollës shqipe, e cila do të lidhej drejtpërdrejtë me ngjarje dhe situatat e reja politike të krijuara. Veç shkollës Normale, në 1923 do të krijohet shkolla ushtrimore, si laborator i saj, e cila për një periudhë të gjatë kohore, deri në vitet ’40 do të mbetet pikë referimi në të gjithë vendin për arsimin fillor. Ajo u krijua me mësues të shkolluar në perëndim si: Sulejman Harri, Fadil Gurmani, Ahmet Duhanxhiu etj. Ajo ishte një shkollë bashkohore shqiptare. Veprimtaria arsimore e pedagogjike, në përmbajtje synonte nivel shkencor, përgatitje teorike e praktike të nxënësve, duke i dhënë prioritet gjuhës shqipe, lëndëve shoqërore, baza e të cilave mbeti edukimi atdhetar. Duke qenë se mësuesit e saj u shkolluan në Evropën Perëndimore në fushën e metodave të mësimit , edukimit për shkollën fillore, ecën në arritjet e pedagogjisë bashkëkohore, me pikësynimin për ta bërë atë sa më shqiptare. Në praktikën pedagogjike të shkollës Ushtrimore, vendin e disiplinës formale, metodike në orën e mësimit e zuri metoda aktive.24. Revista “Normalisti” (1929 – 1937) është dëshmi dhe tregues i shkollës ushtrimore. Me botimin në të, të materialeve didaktike dhe pedagogjike, në ndihmë të mësuesve, kijoi vlera për vetëkualifikimin e mësuesve. Në shërbim të tyre, ajo vuri materiale si: përkthime, trajtesa për psikologjinë e nxënësit, disiplinën në shkollë, problemet të pedagogjisë së shkollës aktive etj. Si e përkohshme pedagogjike, letrare, shkencore, dilte një herë në muaj. Por, qe organi i nxënësve të shkollës “Normale”, që përfaqësoi lëvizjen pedagogjike kombëtare, prodhimi i mendjes së nxënësve, normalistë e ish normalistë. Nëpërmjet rubrikave të shumta, veçanërisht të atyre pedagogjike, krijoi vlera në këtë rrafsh dhe shërbeu si organ për kualifikimin e mësuesit e shkollave fillore. Në të njejtën kohë këto probleme, u trajtuan dhe teorikisht nga normalistët që mbaruan në Zvicër, Gjenevë, institutin e njohur “Zhan Zhak Ruso”. Në vitet ‘30 të shek. XX, këtë institut , shkollë të lartë e përfunduan dhe u diplomuan elbasanasit: Abdyl Kajanaku, Idajet Ceka, Mehmet Daiu, Mehmet Qorri, Sotir Pararisto, Skënder Sejdini, Sul Spahiu.25 Në historinë e arsimit dhe të shkollës shqipe, është i njohur merita dhe kontributi i Ernest Koliqit ( Ministër i Arsimit 1941 – 1942) në krijimin e shkollave shqiptare në Kosovë e trevat shqiptare të Maqedonisë e më gjerë. Por, në këtë kuadër nuk mund të mos prekim kontributin madhor të mësuesve elbasanas, që shkuan atje. Elbasani numëronte 130 arsimtarë, që mbajtën peshën kryesore, duke shërbyer në qytete e fshatra për hapjen e shkollave të reja, kualifikimin e mësuesve vendas etj, në çdo komunë të Kosovës dhe trevave shqiptare të Maqedonisë. Mes tyre ishin dhe 14 mësuese vajza.Elbasani, krijoi traditë në historinë e arsimit të shkollës shqipe duke nxjerrë figura që iu përkushtuan shkollës kombëtare, duke lënë një trashëgimi të vyer të cilën e kemi për mburrje ta kemi edhe sot.