• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Promovohet romani i Dine Dine “Mbi varkën e Karontit”

October 29, 2017 by dgreca

Dine Dine, një zë nga thellësitë e terrorit komunist …./

1 DineKëtë kalvar vuajtjesh, në një realizëm unik, Dine do krijonte simbolikën e varkëtarit të famshëm që kalonte shpirtrat e të vdekurve nga njëri breg i lumit në tjetrin, duke i dhënë titullin romanit të tij të tretë, pra bëhet fjalë për “Karontin e Hadit”…/

1 flet RadiDine do krijonte simbolikën e varkëtarit të famshëm që kalonte shpirtrat e të vdekurve nga njëri breg i lumit në tjetrin, duke i dhënë titullin romanit të tij të tretë, pra bëhet fjalë për “Karontin e Hadit”. Dhe ashtu si shkruan, Jozef Radi në parathënie të këtij botimi, sigurisht që “shërbimi i këtij kalimi në botën e përtejme të të vdekurve, kërkonte tre monedhat e famshme; dy në sy dhe një poshtë gjuhës!! Dhe kjo ide e kalimit të shpirtrave në botën e përtejme mbetet mesazhi më i rëndësishëm i këtij libri…”.2 agron Tufa

Vepra përfshin një periudhë të vështirë të diktaturës komuniste. Mbas prishjes me Kinën dhe rrënimit ekonomik, nisën gjyqet politike për të mbushur burgjet-miniera që bakri e kromi të çanin bllokadën, nëpër të cilat kaluan disa dhjetëra mijëra njerëz të pafajshëm…3 salle

Pjesa e parë e librit “Mbi Varkën e Karontit”, përfshin tri etapa të proceseve të montuara të dënimeve politike: arrestimin, hetuesinë dhe gjykimin; pjesa e dytë, e cila do të përfshihet në një tjetër botim, përfshin “Burgjet”. “Edhe pse me frymë përgjithësuese libri mbetet realist dhe denoncues. Gjithë personazhet e librit, nga operativi i kampit, te dëshmitarët, te shokët apo të afërmit, familja,prokurori, hetuesi, gjykatësit, dëshmitarët, përfaqësuesi i Ministrisë, gardiani i burgut, atmosfera e kohës janë të dhënë me një realizëm të pashoq, ku autori me një aftësi të rrallë ka prekur njerëzoren e secilit, pa e tepruar askund. Ajo çka të bie në sy është se të gjithë këta personazhe janë me emrat e tyre të vërtetë, çka e bën këtë vepër të rrallë në guximin dhe qytetarinë e saj…”, shkruan Radi.

1 Koktejl

“Dine Dine i përket brezit të të lindurve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Shumë nga këta djem të familjeve në zë të elitës, politikës, asaj intelektuale, hierarkisë ushtarake, tregtarëve të mesëm, po edhe familjeve me interesa të gjera kulturore, mbas ngjitjes së komunizmit në pushtet do të etiketoheshin me shprehjen tashmë shabllone, e cila do të funksiononte për më shumë se 46 vite:“Familjet e reaksionit”. Pikërisht ky brez fëmijësh do të paguante një taksë tejet të rëndë, të cilën askush s’e kish besuar se mund të ndodhte deri në kësi trajtash kaq ekstreme”.

Dine Dine edhe pse hyn te pësuesit e mëdhenj, luftoi të dalë i pacenuar në staturën e tij të dinjitetit. Radi na njeh me faktet: ai e kish nisur qysh gjashtë vjeç jetën e kampeve: prej Porto Palermos në Tepelenë, prej Savrës në Gjazë; e më pas jetën e burgjeve prej atij të Spaçit tek ai i Qafë-Barit, prej atij të Zejmenit te kompleksi sportiv “Dinamo”. Ndërsa Bilbil Cami, shkruan mbi romanin: “Përshkrimi i 100 ditëve të hetuesisë të ngërthen e të mban peshë gjer në fund.

Gjuha e natyrshme dhe shprehëse herë-herë merr tone të vrullshme si në një duel dramatik.Duhet theksuar se stili i rrëfimit është krejt I veçantë në romanin në fjalë. Ai stil i ngjeshur,intensiv, i alternuar buron nga dramaticiteti real i subjektit të romanit, nga vërtetësia e përjetimeve dramatike. Faqja e fundit e romanit, ku autori pasi merr dënimin e rëndë “10 vjet burg”, ndahet në korridorin e gjykatës nga e shoqja, me fëmijën në krah, nga nëna e mbytur në lot, nga të afërmit. Kjo tablo është e denjë për penelin e Rembrandit.(Kortezi-Mapo)

Filed Under: Politike Tagged With: “Mbi varkën e Karontit”, Dine Dine, Promovim ne UET

Fati i njeriut…

April 19, 2015 by dgreca

Tregim nga Dine Dine*/
Ishte sezon pushimesh…
Shtëpia e Kulturës në Lushnje, ato ditë ishte bosh, ndaj dhe regjizori i teatrit dhe estradës së Qytetit, Tahsin Demiraj, kish vendosë që provat t’i bënim në një prej atyre ditëve të qeta…
Kisha më se një muaj që përgatitesha thuajse çdo ditë dhe sa i përket të mësuarit përmendësh, s’e kisha problem, e gjithë çeshtja ishte interpretimi, mbasi si herë e parë, kisha mjaft emocione, aq sa nganjëherë më dukej sikur do të më deltë zemra vendit. E vetmja audiencë që më inkurajonte tek stërvitesha në shtëpi ishin kushërinjtë e mi Tomorri dhe Sazani, të cilët nganjëherë qeshnin me të madhe kur më shihnin të përpëlitesha, duke bërë ca lëvizje që të dukesha sa më aktoresk. Ndoshta qeshnin me marrëzitë e mia rinore, kur i shihnin ato përpjekje dhe entusiazmin tim, bile më bënin edhe ndonjë vërejtje, por në asnjë çast nuk donin të më lëndonin shpirtërisht. Si duket e ndjenin se isha tejet i brishtë, për të ma thyer tehun e entusiazmit, po në të njëjtën kohë, mendoja se kështu në njëfarë mënyre ata e thyenin monotoninë, mbasi vinin të lodhur nga një punë rraskapitëse…
Natën e fundit të stërvitjes, them stërvitjes, sepse provat do t’i bëja të nesërmen në Shtëpinë e Kulturës, pasi deklamova dy pjesë nga “Intrigë e dashuri” dhe “Cubat” e Shilerit (që në atë kohë ishin në modë) dhe po rropatesha me një pjesë të tretë, nga “Fati i Njeriut” e Shollohovit, kisha mësuar rreshta të tërë përmendësh, me qëllim që pjesa që do deklamoja, mos ta humbiste kuptimin dhe të ishte sa më emocionuese, natyrisht duke i qëndruar besnik tekstit të autorit. E dija që askujt s’i kish shkuar ndërmend se mund të përdorej kjo pjesë, ose së paku kështu më dukej mua. Për nga subjekti pjesa ishte mjaft dramatike, dhe kushërinjtë e mi më kishin inkurajuar së tepërmi, duke më thënë se pikërisht kjo pjesë mund të ishte edhe kyçi i suksesit tim…

…Isha në kulmin e lojës aktoriale.
Shoferi, i cili ka humbur gjithë pjestarët e familjes në luftën e Dytë Botërore, fillikat i vetëm rropatet të mbijetojë duke transportuar drithë me një kamion të shkatërruar, kur papritmas sheh një djalë të vogël e të uritur që rrinte pranë derës së lokalit ku ai po hante bukë… Ai e thërret:
“Ej Vanjushka!” – dhe vazhdon biseda me të… Një pjesë vërtet prekëse, sepse të dy, si Andrej Sokollovi dhe Vanjushka i vogël kishin mbetur pa prindër dhe pa familje.
Një fatkeqsi e tmerrshme, por në të njëjtën kohë edhe një ngushëllim i madh njohja mes tyre. Lufta kishte shkatërruar gjithçka. Por, kishte marrë mijra jetë njerëzish, duke lënë rrugëve mjaft pleq dhe fëmijë…
E pra, unë kisha marrë përsipër të luaja rolet e të dy këtyre fatkeqëve, të plakut dhe fëmijës.
Mbaj mend, që luaja pjesën e Vanjushkës, dhe për ta bërë sa më të prekëshme, po thërrisja sa kisha në kokë, kur papritur bëj një lëvizje të vrullshme dhe gishti i madh i këmbës u përpoq me cepin e dyshemesë me drrasa të pagdhendura dhe gjaku nisi të më shkojë rrëke. Meqë isha edhe disi i përkëdheluri i familjes, për të tëhequr më shumë vëmendje, e bëra qimen tra… Ndërsa përpëlitesha me zhurmë, papritmas më ndodh një incident tjetër… Tek thërrisja me “oh e ah”, duke kërcyer poshtë e përpjetë, u përula të shihja gishtin e gjakosur dhe se si e humba ekuilibrin dhe u përplasa me kokë në dysheme.
Kështu e harrova gishin e për çudi, nuk nxorra asnjë pasthirrmë, po nisa të kontrolloja hundën mos kisha pësuar ndonjë frakturë. Duke fshehur dhimbjen që po më sembonte në zemër, kthej sytë nga kushërinjtë e mi, të cilët kishin mbuluar fytyrat me duar dhe qeshnin me të madhe… Sigurisht, isha i nxehur, dhe ndjeja se mund të bëhesha edhe më qesharak, ndaj u mundova të përmbahem…
S’di pse po më vinte turp për atë që ndodhi, e që të mos mbesja si guak, ndërsa ata qeshnin me të madhe, i dhashë seriozitet vetes dhe ndërhyra me një vërejtje, duke e thyer heshtjen…
-Kur shkrova para ca muajsh atë esenë: “Edhe sjellja e zbukuron njeriun”, ndër të tjera theksoja se: kur një i ri sheh një plakë që rrëzohet, kurrë s’duket të qeshë me fatkeqsinë e saj… dhe ishit ju të dy ma aprovuat kët gjë… apo gaboj?!
-Është e vërtetë, – pohoi Tomorri – por edhe ti e di atë thënjen që “Përjashtimi përforcon rregullin”. Edhe ky rasti yt ishte një përjashtim…
Pastaj ndërhyri edhe Sazani, i cili akoma s’e kishte ndalur dot të qeshurën:
-O Dine, ky rasti yt ishte si një lloj tragjikomedie, sepse bash në kohën kur po përgjëroheshe, e në kulmin e pasionit, të ndodhi ajo që ndodhi, e që në fakt ishte tepër komike, e s-kishim si të mos qeshnim! Por, sidoqoftë, të na falësh!
Pasi më ndihmuan ta mjekoja gishtin, me ato mjete rrethanore nga më primitivet që gjendeshnin në shtëpi, u vendos që për atë natë ta linim me aq, mbasi të nesërmen ishte e djelë, dhe e kisha lënë të takohesha në Shtëpinë e Kulturës me regjisorin Tahsin Demiraj.
Edhe pse ishte thjesht një provë mes miqsh, ndjeja që kisha shumë emocione.
Të nesërmen, ndërsa i grahja biçikletës me shpejtësi, pa e ditur as vetë pse ngutesha, mbasi kohë kisha plot, për një çast e ndala vrullin dhe mendova me vete: “Po sikur ta lë fare kët gjë!?” – dhe po vetë u përgjigja – “Po ti mor hajvan, ke një muaj që rropatesh çdo ditë, që t’ia arrish këtij momenti, dhe tani për një kapriçio fëmijësh kërkon të braktisësh gjithçka?!” dhe i graha edhe më fort biçikletës drejt qytetit…
Përshkova me mendje gjithë mëngjeset, kur ngrihesha herët dhe, pasi pija një vezë të freskët, sipas “porosisë së Tahsinit” për “n’trashje zëri”, recitoja herë me mend e herë me zë, gjitha pjesët që mendoja se do të më shërbenin për të fituar në konkurs.
Isha edhe ca me fat… mbasi shtëpinë e kisha në cep të sektorit, kështuqë askush s’më shihte duke shqiptuar me zë të lartë, sa më hante fyti, zanoret me rradhë: a, e, o, u, i, y… aq sa më qe bërë ves, edhe në shtëpi mbasi mbaroja darkën, për t’u bindur nëse isha në formë a jo, dilja jashtë në oborr, dhe përsërisja me zë të lartë të njejtën gjë…
Isha në të hyrë të qytetit, dhe ashtu instinktivisht, pa vetëdije, ndjeva se po i shqiptoja zanoret një e nga një (i kisha bërë copë e thërrime), që zëri mos të më tradhëtonte në momentet e fundit! Në rrugën e drejtë që të çonte te hyrja e Shtëpisë së Kulturës, nga larg dallova katër vetë, që siç m’u duk, po flisnin me njëfarë pasioni.
Qysh më parë, kisha biseduar që vetëm Tahsini, do ta ndiqte aktrimin tim, kështu që prania e atyre tre të tjerëve, m’u duk pak si e pavend, megjithatë u afrova, lashë biçikletën, i përshëndeta dhe në fakt ndjeva që ata më pritën aq përzemrsisht, sa në çast ndryshova mendje…
Njeri prej tyre ishte nji shkodran, Leka Ndoja, dhëndër i Xhemal Brojës, athere drejtor i Teatrit Popullor dhe kryetar i Komisionit të përzgjedhjes së aktorëve, i cili qe mjaft dashamirës dhe inkurajues ndaj meje… gjë që më ngrohu mjaft, duke marrë parasysh edhe natyrën e tij prej shkodrani, që me aq lehtësi futesh gjithkund, falë edhe atij humorit karakteristik…
Sidoqoftë, krahas atyre të dyve, kishte ardhur edhe poeti Faslli Haliti dhe Vasil Noçka, një student në Shkollën e Artit Dramatik, i cili e kishte kaluar atë provë, dhe më inkurajoi duke deklamuar ai vetë nja dy pjesë nga “Intrigë dhe Dashuri”…
Pak më i çliruar, edhe unë mbas tij përsërita dy pjesët nga “Intrigë dhe dashuri” dhe “Cubat”, dhe kur mbrrita te pjesa e tretë “Fati i Njeriut” e Shollohovit, ku kisha marrë përsipër të luaja dy rolet njiherësh, atë pjesë tronditëse dhe mjaft emociuonuese, duket se ajo u bëri mjaft efekt miqve të mi, dhe kur mbarova më mbuluan me komplimente, e në veçanti Leka Ndoja, më përqafoi dhe ishte aq entuziast sa deklaroi solemnisht: “Me kët interpretimin e fundit, s’ia kisha nevojën askujt për ndihmë!!”
Të nesërmen në orën tetë, Tahsini kish marrë përsipër të fliste me operativin e zonës, Nuri Manokun, për tri ditë leje në Tiranë, ku unë do të paraqitesha për të marrë pjesë në Konkurin e Përvitshëm të Dramës, që bëhej në teatrin e Operas dhe Baletit.
Mezi prisja të mbrrija në shtëpi, për t’ua rrëfyer me gjitha hollësitë këtë sukses timin dy kushërinjve të mi, që kishin qenë edhe nxitësit kryesorë të kësaj pune: Tomorrit dhe Sazanit.
Rrugës me biçikletë ecja si i çmendur… Bëja herë mbas here ca marrëzira e akrobacira, aq sa në një çast vura në rrezik edhe veten. E kujtoj edhe sot shofer Bajramin, me atë kamionin e tij të ngadaltë, i cili frenoi nja 30 metra larg meje, mbasi gjithë ajo dalldi me biçikletë, më bëri ta shoh veten jo më larg se nji metër nga turinjtë e kamionit të tij. Dhe nëse ai s’do të kish qenë i vëmendshëm dhe i ngadaltë, shumë lehtë mund të kisha përfunduar bashkë me biçikletën dhe dalldinë e gëzimit tim nën rrotat e kamionit të tij. Ky çast më ka mbetur i ngulitur fort në kujtesë, sepse Bajrami jo vetëm s’më qortoi, por më mori me të mirë dhe më pyeti disa herë nëse isha në rregull nga trutë e kokës dhe nëse ndjehesha mirë… dhe nuk lëvizi prej aty, derisa u sigurua se unë mund t’i hypja biçikletës dhe të ecja normalisht…
Si u largova nja pedhjetë metra, ktheva kokën dhe e pashë që shofer Bajrami ma bënte me dorë që ta ulja shpejtësinë, pse si duket dalldia ende s’më kishte lëshuar…
Kur u futa në sektor, nisa të mendoj se sa do të gëzoheshin kushërinjtë e mi kur t’u tregoja për suksesin e arritur paraprakisht, pa le kur ta merrnin vesh se të nesërmen kisha edhe premtimin e regjizorit, për nji treditësh leje nga Dega, për konkurim në Tiranë!!

Në atë moshë, si duket as më shkonte mendja se “dardha e kish bishtin mbrapa”, dhe ai entuziazmi im rinor, (isha ende pa i mbushur të njëzetat), jetonte në kufijtë e marrëzisë…
Që të mos zgjatem, mbrrita në Savër, ku jetoja prej vitesh, duke gulçuar. U futa gjithë vrull në shtëpi, i bindur se do t’i gjeja gjithë njerëzit e mi, por për çudi ishte bosh… Si duket ata kishin dalë diku, dhe pashë vetëm Tomorrin, në nji qoshe me libër në dorë, të cilit me nji frymë ia derdha krejt entuziazmin, duke i treguar fill e për pe gjithë ngjarjen pa harruar asnjë prej hollësive të saj… përjashto premtimin për “leje nga Dega”, sepse mendova që ëmbëlsira duhej ruajtur për në fund, ndaj s’u nguta…
S’di pse kisha nji ndjesi, se ajo eufori e imja mund t’i shkaktonte të shkretit edhe ndonjë atak në zemër… e kur mbarova edhe së përsërituri ngjarjen, m’u duk se erdhi ai çasti, kur me fjalë disi të kujdesshme, duhej ta shpalosja “mrekullinë” që do të ndodhte të nesërmen në mëngjes…!! Ndërsa e rrëfeja atë detaj “pa shumë rëndësi”, për habinë time pashë se fytyra e tij, jo vetëm që s’shfaqi asnjë farë gëzimi, përkundrazi, mori një zymtësi të frikshme, gjë të cilën s’e kisha vënë re më parë… Befas ajo mori ngjyrë dheu, sytë iu bënë të thellë dhe seriozë dhe në dy anët e tyre u shfaqën ca rrudha të sforcuara, që nuk më ndillnin asgjë të mirë…
Nga fytyra e tij s’kuptoja më asgjë.
Heshta, dhe krejt ajo kënaqsia e të treguarit m’u tret si një grimcë sheqeri në ujë. Për pak kohë ai s’foli fare, po dukej si i trumhasur. Dikur, në fund e gjeti fjalën:
-Domethënë, ti po na bëhesh aktor?! – më tha me një zë që i doli pak si i ngjirur.
Unë pohova lehtë duke tundur kokën…
-Domethënë, ti nesër do të na paraqitesh në Degën e Brendëshme, për t’ju kërkuar një favor atyre?!
Unë e vështrova drejt e në sy dhe heshta… Ai ishte i prerë!
-A mund ta marrësh me mend, se ky favor që ti po u kërkon, ka edhe ca kleçka të tjera, që si duket ti ende s’i ke kuptuar!? Si duket ti, akoma s’e ke marrë vesh ti, që nëse këta të bëjnë nji privilegj… në një mënyrë a në një tjetër ti duhet t’ua shpërblesh?! Unë besoja se ti kaq gjë e dije… Si duket s’po merr vesh asgjë se ç’bëhet në kët botë?! Besoj se e ke dëgjuar jo pak herë atë që këta e quajnë “luftë klasash”?! Ti s’je më i vogël tani!!! Je pothuaj njëzet vjeç! dhe duhet t’i kuptosh e t’i mësosh vetë ca gjera, pse me to përballesh çdo ditë. Kjo “luftë”, për të cilën flitet gjithë ditën e ditës, nuk ështe luftë në hava, ajo bëhet haptas kundra nesh, dhe kundra krejt racës sonë në përgjithësi. Ne jemi ata “Armiqtë e Klasës” dhe askush tjetër. Unë, ti, njerëzit tonë, shokët tonë që i kanë rrasur burgjeve dhe interrnime, thjesht pse nuk mendojmë si ata: na kanë damkosur si kundërshtarë politikë, vetëm pse kemi ide të ndryshme nga të tyret… Prandaj na mbajnë të izoluar, na burgosin kur i do qejfi, dhe sa u do qejfi, na i kanë mbyllur gjithë rrugët e lëvizjes, shkollimit, krijimit të familjes dhe na kanë bërë të ndjehemi gogola. I ke parë ata dordolecat që venë në parcelat e grurit? – Unë përsëri pohova me kokë… – Ne jemi ata dordolecët që trembim harabelat…! Gjithnji na kanë në shënjestër, dhe bëjnë çmos me të gjitha mjetet dhe mënyrat të na fusin në grackë… Tamam si ata zogjtë që dikur zije edhe ti me grackat e tullave. U fusje brenda ca bukë, oriz, grurë a misër, që t’i joshje të varfërit zogj!! Të tërhequr nga ushqimi, ata mbeteshin brenda… po ta ngreje tullën shpejt, i kapje edhe të gjallë, ndonjëherë i mëshiroje dhe i lije të lirë të fluturonin, herë tjera ua këpusje kokën dhe haje me ta ndonjë darkë të shijshme… Kurse me operativët e Degës ndodh ndryshe…!! Edhe ata vetëm gracka ngrenë… ndoshta nuk të vrasin, por ama po re në kthetrat e tyre, të kanë vrarë dhjetëfish… Ushqimi që ata të ofrojnë është më i larmishëm, se ai me të cilin ti joshje zogjtë!
Ai po më fliste aq shtruar sa nuk kishte ndodhur asnjëherë. Isha gozhduar i gjithi dhe vetëm e dëgjoja!
-Është ndryshe kur ata të thërrasin, e ndryshe kur ti u paraqitesh vetë dhe u kërkon favore! Do ta shohësh edhe vetë se sa të sjellshëm e të gatshëm janë ata, kur ndodhesh përballë tyre… Kur u troket, ata e dinë mirë se tashmë u ke shkuar vetë si cjapi te kasapi, dhe mezi çe kanë pritur këtë rast, ndaj përpiqen ta shfrytëzojnë në maksimum kët rast, sepse ky është arti i tyre. Sa më shumë peshq në rrjetën e tyre, aq më të forta bëhen pozitat e tyre… Bile karriera e tyre pëson ngjitje, sa më të mëdha të jenë fatkeqsitë që na shkaktojnë neve. Nganjëherë bëhen edhe dy a tre bashkë e të gozhdojnë me fjalë me gjeste, dhe s’të lenë as të mendohesh e jo të flasësh. Të dehin me premtime të shumta, sa nuk do të habitesha që ti, t’i ngrije sytë nga tavani e të thoje: “O Zot, po ku paskam qenë deri sot dhe s’i kam kërkuar më parë këto mirësi!!! Pse ky është arti i tyre, arti i të mashtruarit të axhamive! Me të krenohen, me të ushqejnë familjet… Sa më naiv dhe idealist t’u shfaqesh ti, aq më shumë përfitojnë ata… Në fund të fundit ata s’kanë asnjë faj, je ti vetë që u ke trokitur në derë, je ti vetë që ju bie në gjunjë në emër të ndonjë privilegji. Ama kaq gjë ti duhet ta dish: që nëse atyre u kërkon nji favor sado të vogël, duhet t’ua shpërblesh me një favor jo edhe aq të vogël… Ata edhe mund të japin një leje, kjo është gjëja më e lehtë për ta, dhe sigurisht do të bindin, se ndjehen fatkeqë që s’mund të bëjnë më shumë për ty, pse ti “sinqerisht” meriton shumë më tepër, e do ta përsërisin se ti je shumë i talentuar dhe simpatik siç “edhe kanë marrë informacion”, dhe se ndjekin me vëmendje çdo ndryshim tëndin gjatë bisedës me ta. Ata s’do të harrojnë ta përsërisin se: “Partia i vlerëson pa masë talentet e reja…”, dhe jo vetëm kaq, por do të premtojnë se në të arthmen do të kesh edhe favore të tjera… në vartësi të sjelljeve të tua!
Më dukej sikur gjithçka mu nxi, dhe po e humbja durimin, por ai s’më la të flisja!
-Prit, prit se kam edhe më… Ata, do të thonë, se je edhe akrobat, nga të paktit që ka qyteti…! dhe se me akrobacitë e tua mund të mahnitësh publikun! A e kupton…?! Se të gjitha rrugët për ty janë të hapura, dhe jo vetëm kaq, po se ti ke shfaqur talent edhe për muzikën! Ti mund të jeshë edhe fizarmoniçisti i parë i qytetit, gjë për të cilën ne kemi aq shumë nevojë!!
E ndërsa m’i përmendte të gjitha këto “dhunti” të miat, zëri i tij acarohej gjithnjë e më tepër… E kisha parë gjithmonë Tomorrin si njeri të butë, të qeshur e plot humor… tani, për çudinë time po më shfaqej krejt ndryshe. Dukej sikur mllefi dhe ironia ndjehej në cdo fjalë e tingull të zërit të tij. Shpesh fjalët i shoqëronte me lëvizje të syve, duarve, kokës… Për një çast ai heshti, u bë edhe më serioz, pastaj vazhdoi.
-A e di ti, ç’kërkon Partia nga ty!?
Do të thonë se: “Ti nuk je si gjithë të tjerët! Ti je brezi i ri, i edukuar me frymën dhe mësimet e Partisë e shokut Enver, dhe kjo është shumë e rëndësishme! Ne kemi kudo armiq që s’ia duan të mirën partisë, që bëjnë propagandë kundër saj, prandaj ne duhet të jemi vigjilentë!! T’ia presim rrugën armikut të klasës! A e di ti që ne kemi armiq edhe në rradhët tona!! Po, po, edhe brenda nesh ka plot nga ata që s’ia duan të mirën Partisë sonë! Prandaj duhet t’i bëjmë veshët dhe sytë katër… Ti që je kaq i talentuar dhe inteligjent, ti duhet të dish të dallosh të mirën nga e keqja; të bardhën nga e zeza, të partishmen nga armiqësorja, duke qenë njeri që ata të besojnë e të vlerësojnë, të gjithë do ta kenë të lehtë t’i shfaqin pakënaqsitë e tyre. E merr me mend se çfarë ndihmese dhe shërbimi të madh mund t’i sjellësh partisë…?! Kudo dhe kurdoherë që të dëgjosh fjalë të dyshimta, ti duhet të vish e t’ia raportosh Partisë. Mos ki merak fare, emri yt kurrë s’do të lakohet, e askurrë s’do të dalë në shesh… Gjithçka do të ndodhë në fshehtësi të plotë! Bile për këtë mund të kesh edhe një pseudonim… fjala vjen: “Artisti”! Jo, jo, – do të tallen ata me ty, – meqë je me të vërtetë artist, mund të dekonspirohesh… ne do të gjejmë një pseudonim tjetër që edhe ty të pëlqeje, po që askush, as punonjësit e Degës, që merren me këtë punë, nuk do ta mësojnë kurrën e kurrës, se kush ky ishte ky informator, me këtë pseudonim…! Ja përshembull “Gojarti”, mendoj se është një kombinim i bukur! Apo jo!? Megjithatë, ti je i lirë ta zgjedhësh vetë sipas qejfit, sipas preferencave të tua personale, pseudonimin tënd… Kjo tregon edhe respektin që ne kemi ndaj teje…!!!”
Tomorri po me shfaqej teatral! Ai heshti dhe po më vështronte ngultas. Unë kisha ngrirë dhe më qe prerë goja. Kurrë më parë s’kisha dëgjuar fjalë të tilla. Isha në një botë krejt tjetër, krejt ndryshe prej asaj që kisha ëndërruar, deri pak orë më parë… e gjitha kjo po më zbulohesh papritmas nga një pjestar i familjes, një njeri, i cili më kishte përkedhelur e dashur, e që unë e doja aq shumë. E doja për shumë gjëra, jo vetëm për humorin e hollë që shpesh na mbante gjallë, po edhe për njohuritë e tija mbi letërsinë, muzikën, artet në përgjithësi. I binte mandolinës dhe shpesh bënim koncerte në shtëpi, e kisha parë me Thabit Rusin kur i binte kitarrës, dhe isha i bindur se kishte një vesh absolut muzike, pse këndonte jo vetëm këngë të muzikës së lehtë, po edhe këngë franceze, italiane, greke e të tjera, pa stonuar; e në të njejtën kohë, këndonte edhe arie të kolosëve të muzikës klasike. Gjithçka e bënte me vesh, pasi s’kishte asnjë lloj përgatitje teorike për muzikë.
Ai më kish treguar se në Kuç e në Radostinë, e kishte ndarë vuajtjen me profesorë të njohur, të shkolluar në Perëndim, dhe si duket, kët gjë e kishte shfrytëzuar në maksimum. Kjo ishte edhe arsyeja pse ai po më fliste lirshëm. E kisha parë që lexonte italisht, frëngjisht e greqisht dhe ankohej se “s’kishte pasur kohë aq sa duhej” të përvetësonte anglishten… Emrat e Shatobrianit, Lamartinit, Madam de Stalit, Karlajlit, e shumë e shumë të tjerëve, që në vendin tonë ishin të ndaluar, i kisha mësuar prej tij, prej tij dija plot anekdota për Napoleonin, Tylerandin, Fushenë, Madam te Stalit, që i mbaj mend edhe sot e kësaj dite…
I përmenda të gjitha këto, sepse nga që e vlerësoja aq shumë Tomorrin, e ndjeja thellë në shpirt, se ato që po më thoshte, ishin serioze dhe unë duhej t’i kisha vëth në vesh, dhe fakti që po e dëgjoja deri në fund, pa e ndërprerë, ishte leksioni më i dhimbshëm, sepse kundërshtonte ëndrrën time për t’u bërë aktor, por ama njëherësh frymëzonte edhe një qëndrim, e cili do të më orientonte në një rrugë të vështirë, ndaj unë duhej t’i bindesha pa asnjë lloj hezitimi… Fakti që aq gjatë e vështroja si një guak, pa i dhënë asnjë sinjal pozitiv, duket se e kishte irrituar pa masë. Ndërkohë unë ndjehesha tërësisht i hipnotizuar nga fjalët e tij, ndaj e gjithë qenia ime i qe nënshtruar logjikës së tij.
Si duket, ai duke e ndjekur ndërdyshjen time vazhdoi:
-Ata do të ofrojnë aq shumë gjera, sa që edhe vetë djallin do ta mashtronin… bile, në fund do të thonë: “Nuk do të bësh asgjë të madhe… Ti vetëm një firmë do të hedhësh! Krejt e thjeshtë, dhe ne bindemi, që ti do të na shërbesh me devocion…!” Dhe në çastin që ti ta kesh bërë këtë punë, gjithçka ka marrë fund! Ti s’ke nga ta lëvizësh më prapanicën… je vegël e tyre! Atëhere, me plot gojën do të jeshë një spiun i afirmuar. Kudo që të jesh: në punë, në rrugë duke folur për sportin; në pazar duke psonisur; në sallën e kinemasë duke parë ndonjë film; në sheshin e sektorit ku njerëzit mblidhen për të marrë rrogat, se helbete edhe aty shfaqen pakënaqësi… me një fjalë në çdo pozicion, ti do të shndërrohesh në sy e veshë dhe do të raportosh për gjithçka Partinë e Tyre, sepse as e Jotja dhe as e Jona ajo s’do të bëhet kurrë… Në raste grumbullimesh, ata do të dërgojnë nga pas, edhe ndonjë spiun tjetër, sepse spiunët ndër ne janë pa shpërblim, edhe ai do të hedhë andej këndej ndonjë fjalë të dyshimtë, e po qe se ti nuk e raporton, do të raportojë ai, kështuqë ti do të bëhesh i pabesueshëm! Ata, sërish do të thërrasin, do të tërheqin vërejtje, dhe po e përsërite atë gabim do ta pësosh edhe më keq.
Edhe favoret do të ofrojnë me pikatore, sepse qëllimi i tyre s’është se duan të mirën tënde, ata duan vetëm poshtërimin tënd, dhe pasi të të kenë shtrydhur si limon, apo kur të të ketë dalur boja fare, do të hedhin si një leckë të pavlerë në koshin e plehrave…! A e merr dot me mend, se kur ta kesh zbritur veten në atë pozitë kaq të ulët, ku të gjithë të të shënojnë me gisht: “Ja, ai spiuni i fëlliqur!! Ai ndyrsira!”, s’do të keshë më as shokë, as miq… bile as dinjitet…!” Edhe të afërmit e tu do të shohin me përçmim… Njerëzit në rrugë do të shmangin si të ishe lebroz, dhe do të ruhen prej teje si djalli nga temjani… e sa u përket favoreve të tyre, ato s’janë tjetër, veçse ca flluska sapuni, karrema që e joshin peshkun në grepin e tyre!! E di që u bëra i mërzitshëm, duke t’i përsëritur ato që ndoshta t’i thashë edhe më parë, po jam i sigurt se ti kurrë s’do të biesh në një grackë të tillë. Ti kurrë s’do ta lejosh veten të bëhesh nji vegël qorre në duart e tyre?!…
Dhe ai ma vuri dorën mbi sup, në shenjë përkrahjeje, ndërsa unë me një buzëqeshje të mpirë, e shumë dhimbje i pohoja me kokë…
Habitem edhe sot kur e kujtoj këtë ngjarje, se sa i lehtësuar u ndjeva ato çaste, si të isha çliruar nga një barrë e rëndë, për të cilën, s’kisha qenë aspak i vetëdijshëm, se mund ta kisha pasur mbi shpinë gjithë jetën. E megjithatë atë çast gjeta guxim dhe i bëra edhe nji shaka: “Po për këta spiunët, s’ka fare mëshirë!! Fundja fundit, edhe ata janë njerëz fatkeqë?!”
I vetëdijshëm se fjalët e tij kishin bërë efektin e duhur tek unë, m’u drejtua: “Ti s’do të keshë aspak nevojë për mëshirë, dhe për kët jam i sigurt! E që t’i japim fund kësaj historie, nesër të ngrihesh herët në mëngjes, dhe pa shkuar ora tetë, të takosh Tahsinin dhe t’i thuash se s’është aspak nevoja të ndërhyjë për leje… Po qe se një ditë lirohesh nga interrnimi, “meqë je kaq i talentuar”, kurdoherë mund t’i japësh provat. Kështu edhe atë e heq nga sikleti, edhe vetë çlirohesh njiherë e mirë nga iluzionet!
Të nesërmen, ishte vetë Tomorri, që më zgjoi më herët se duhet dhe me porositi se “Kjo është zgjidhja më e mirë!”
E prita Tahsinin, për mëse një orë te Shtëpia e Kulturës, dhe sapo u takuam ia thashë pa shumë shpjegime problemin.
Për habinë time, regjizori hapi krahët dhe duke më përqafuar ngrohtësisht më përsëriste: “Ke të drejtë… Ke të drejtë Dine… Ke shumë të drejtë… Më çlirove edhe mua nga një barrë e rëndë!! Hajde tani, ta pimë kafen e mëngjesit bashkë, se unë s’kam futur asgjë në gojë…. dhe u shtruam për shtatë palë qejfe… Dërdëllitëm jo vetëm për teatrin dhe poezinë… por edhe për shumçka me atë naivitetin e moshës që na karakterizonte, edhe pse rreth nesh, në çdo tavolinë të kafenesë, gëlonin sytë e vëmendshëm e kurreshtarë…

Kur po kthehesha, gjithë rrugës përsërisja fjalët e Tomorrit, që si duket më ishin ngulitur në mendje… “Fati i njeriut… që mund t’i sijellë atij suksesin, njëkohsisht mund t’i sjellë edhe rrënimin…!” -mendoja me vete. Edhe pse ndjeja dhimbje të thellë brenda vetes, duhej të isha krenar ndaj asaj bisede të njeriut tim të dashur, që s’më kish lënë të ndiqja instinktin e ëndrrës, të cilin gjithsesi dikur do të ma thyenin…!

***
Isha me pushime në Tiranë dhe sapo i jepja fund këtij shkrimi, të ndodhur pesëdhjetë vite te shkuara, më bie celulari: “Alo… Dine… Jam Tahsini… Tahsin Demiri! Kam ardhur mbrëmë vonë… dhe do të jem vetëm për pak ditë… Eh, sa më ka marrë mall…! Na ka marrë malli, xhan…! Me zor pres që të shihemi dhe të ndërrojmë nja dy fjalë… A do të kesh kohë për një kafe sot mbasdite… do të thërres edhe Visarin, edhe Faslliun… Po desha të sigurohem se mos ke ndonjë angazhim…
E lamë të takoheshim te “Ujvara”, në gjashtë mbasdite! Vërtet, erdhën edhe Visari edhe Faslliu me bashkëshortet. Regjizori i dikurshëm, u ul pranë meje, dhe në një çast ma vuri dorën në sup.
-Të thirra vetëm për të qarë hallet, që s’na u ndanë tërë jetën…
I tregova se sapo i kisha dhënë fund një shkrimi, historinë e të cilit ai e mbante mend mjaft mirë. Pastaj shtova: “Po sa naivë paskemi qenë, more Tahsin?!”
“Shumë… shumë… shumë…!” tha, dhe m’i nguli sytë më nji buzëqeshje të lehtë e të hidhët… Mbas nji çasti heshtjeje shtoi: “Gjela Deti!!”
* Dine Dine, ish i burgosur politik, i internuar familajrisht ne kampet e internimit. Sot jeton ne Nju Jork. Eshte anetar I Keshillit te Vatres.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Dine Dine, Fati i njeriut, Tregim

Gjyqi i Shopenhauerit…

March 29, 2015 by dgreca

rrëfim nga Dine Dine/
Kjo ngjarje ka ndodhur, pak kohë pasi e arrestuan Ahmet Kolgjinin për të dytën herë.
Ishte një e dielë vere. Gjithçka dukej frymësuese; dielli vezullues, nji fllad i ëmbël që të mbushte me frymë, lulet shumëngjyrëshe në oborr dhe flutura nga më të ndryshme në madhësi e ngjyra, që përpiqeshin të rrëmbenin nektarin e luleve, zogj të pambarim çuçurisnin aq gëzueshëmm e shpenguar në drurët plot gjelbërim të plepave aq sa pa e tepruar mund të them, se të jepnin përshtypjen e një sinfonie, plot ngjyra e nuanca. Që të jem i sinqertë, shkak i këtij frymëzimi, ishte bërë një arsimtare e hijshme, e cila një ditë papritur erdhi e u ul pranë karriges sime, ndërsa haja drekë në mencën e sektorit, pasi atë ditë nënën s’e kisha aty.
Pa u zgjatur, ajo m’u lut që të dukesha herë pas here në Shtëpinë e Kulturës, për t’i rënë fizarmonikës, duke më thënë se ishte e vetmja mundësi për t’u parë pa rënë në sy. Kur e pyeta nëse vërtet dëshironte të më shihte sa më shpesh, ajo tundi kokën me një buzëqeshje të ëmbël dhe u zhduk si nji krijesë ere… veçse emocionet që ajo më krijoi më mbetën të pashlyeshme…
Nevoja për pak dashuri të çiltër, më kishte bërë aq optimist dhe me flatra, sa atë ditë besoja se gjithçka mund të ndyshonte dhe të përbysej… kjo ishte edhe arsyeja që dola në oborr dhe nisa t’i bija muzikës së gojës, që e ruaja si sytë e ballit, atë relike të fëmijërisë, pasi në atë kohë nuk ishte e lehtë t’i gjeje në shitje. Kështuqë atë ditë kisha atë ndjenjë, që më shtynte ta shijoja natyrën në mënyrë të veçantë.
Dukej se edhe harmonika Olympia, atë ditë kishte një tingëllim ndryshe… dhe unë vazhdoja t’i bija e t’i bija… kur papritmas një zë metalik ma preu melodinë në mes… U ktheva dhe pashë përgjegjësin e sektorit, Rrapin hipur në majë të bunkerit përballë shtëpisë sime…
-O Dine! Më telefonuan para dy orësh, po unë e paskam humbur fare… Për hatrin tim, nisu sa më shpejt në Degën e Brendshme… se të presin atje.
S’e merrja vesh për ç’arsye duhej t’ia kisha hatrin atij, por sidoqoftë i thashë si me ironi, e gjysëm shakaje se: “Zakonisht, në kësi rastesh, ata s’të mundojnë, po vijnë e të marr me gaz… po kët rradhë paskan ndërruar stil, si duket!”
-Jo Dine, jo! Të ma besosh, nuk është aspak për keq. Ja kur të kthehesh, hajde dhe më tako se jam në merak!
-Vajtja dihet shoku Përgjegjës, po ardhja asnjëherë…! – ia mërmmërita jo pa ankth dhe në sy të tij i hypa menjëherë biçikletës, dhe i thashë se do të mundohem të jem atje sa më parë…
Rrugës ndërsa mendoja njëmijë rrethana, m’u kujtua një episod i ndodhur shumë vite më parë…
Ndërsa çlodhesha në nji breg kanali, dëgjoja një bilbil që ligjëronte për shtatë palë qejfe, e nuk pushonte për asnjë çast. U përpoqa ta dalloj zogun këngtar, mes gjetheve të denduara, po ato e fshihnin dhe qe e pamundur ta shihja.
“Ku e gjen gjithë atë energji… – mendoja ndërsa me sy kërkoja ta zbuloja derisa në nji moment e pikasa. E që të mos zgjatem me meditimet dhe admirimin që po përjetoja ato çaste, ndërsa dëgjoja atv çuçurimën e tij të ëmbël e melodioze, që e zotëronte përsosurisht… nxjerr instinktivisht nga xhepi llastiqet, i fus një gur zalli të vogël dhe i tërheq thjesht për ta trembur… Po do ti, shkon guri dhe e godet mu në shenjë këngëtarin e fshehur ndër gjethe dhe ai rrëzohet i pajetë te këmbët e mia…
U preka shumë, kur e pashë atë krijesë të vogël e të pafajshme, që aq mrekullisht ligjëronte pak çaste më parë, që pa trazuar askënd e kishte mbushur vendin. Ndërsa e shihja, ndjeva ta urreja veten. I zemëruar i kapa llastiqet i bëra copa copa dhe i hodha në kanal. Ky qe çasti i fundit i vrasjes së zogjve, nga ana ime, të çfardolloji. M’u kujtua pikërisht ky episod, ndërsa i bija muzikës me aq pasion, nën efektin e një dalldie dashurore, kur Përgjegjesi i sektorit, më kish ndërprerë në mes, duke më lajmëruar të shkoja në Degën e Brendshme…
Kisha kaluar Savren, dhe isha diku afër Fabrikës së Plasmasit, i përhumbur ndër mendimet, kur dikush papritur ma vuri dorën në krah.
-Po ku je ore, se kemi katër orë që të presim! Na bëre merak. Shokët e Degës janë shqetësuar, se u vonove shumë!
Ndjehesha aq i tensionuar, sa isha gati t’u përgjigjesha se: “Për shqetësimin e atyre shokëve, as po më plaste fare…”, po heshta, që mos ta acaroja edhe më tej situatën, pa e marrë vesh se pse më kishin thirrur.
Iu përgjigja shkurt se: “Nuk kishte qenë faji im, dhe se isha nisur menjëherë sa po më kishin lajmëruar!”
Dhe vazhdova me biçikletë në drejtim të qytetit, ndërsa “gazi” që ishte parkuar në cep të rrugës, më ndiqte nga pas me shpejtësinë e biçikletës sime.
Provoja një gjendje të tmerrshme tensioni, pasigurie dhe ankthi, që edhe mund edhe s’mund ta shpjegoja. Pse jo, edhe njëlloj frike, kur çoja ndërmend se më “kishin ftuar” të më arrestonin pa shumë bujë.
Ndoshta ishte më mirë kështu e pabujshme… dhe prisja që sapo të hapej dera, tre a katër prej tyre të më mbërthenin duart mbas shpine, e të më vinin prangat duke shqiptuar ato shprehjet tashmë bajate: “Në emër të Popullit, je i arrestuar” dhe kështu ankthi merrte fund njëherë e mirë!
Mendime nga më kontradiktoret më shoqëruan gjithë rrugës. Sapo iu afrova portës metalike jeshile, një person civil, që si duket qe ngarkuar të më priste, më pyeti për emrin dhe më shoqëroi sipër. Trokiti në derë, dhe vetëm pasi dëgjoi një “Hyr!”, hapi dhe mbasi mori një “Faleminderit!” u largua.
Personi që më ftoi përzemërsisht të ulesha, më prezantoi edhe dy të tjerët, që unë s’i njihja. I pari që u ngrit e më dha dorën, më tha se ishte hetuesi i Ahmet Kolgjinit, ndërsa tjetri nuk e kujtoj fort mirë se si m’u prezantua. Hetuesi i Ahmetit, kishte nji palë mustaqe të zeza, të prera me kujdes, që s’më lanë ndonjë përshtypje fort të mirë. Tjetri kishte një fytyrë të rruar e të shëndetshme, që të jepte përshtypjen e një babaxhani.
Sapo u ula, hetuesi i Ahmetit m’i nguli sytë, sikur përmes atij vështrimi do të zbulonte gjithë sekretet që mund t’i shërbenin punës së tij hetimore.
-Do t’i biem shkurt – tha Hetuesi i Ahmetit – Pasi nuk kemi shumë kohë në dispozicion! – dhe bëri ca lëvizje me duar sikur kërkonte diçka mbi tavolinë, pastaj hapi një sirtar dhe prej andej, nxorri një fletore.
E pashë që ishta fjala për nji fletrore timen dhe kur ai më pyeti me autoritetin e dokumentit ndër duar se e “Kujt ishte ajo fletore…?!” nuk hezitova të pranoj se “Ishte e imja!”
-A mund të na shpjegosh se e kujt është kjo punë, që mban emrin tënd përsipër?
Ja thashë, dhe ai pa më lënë kohë të vazhdoj m’u drejtua me gisht:
-A e di ti se Shopenhaueri është filozof pesimist dhe reaksionar, dhe se idetë e tija janë në kundërshtim të plotë me pikpamjet tona marksiste-leniniste? Po ç’të duhet ty, nji i ri, i edukuar me mësimet e Partisë dhe të shokut Enver të merresh më kësi paçavuresh, që i kanë çuar njerzit deri në vetvrasje?! Po të flas për të mirën tënde!! Më kupto drejt! Po të qe ndryshe, s’të thërrisja fare, po të linim të zhyteshe në atë batak dhe një ditë të bukur, do të vinim prangat dhe të fusnim brenda, ku e kanë vendin të gjithë ata që merren me kësi prapësish…! A më kupton?! Sot je i thirrur vetëm se ta duam të mirën tënde! Ti nuk e di se çfarë ka katranosur ai shoku yt?! Jam i sigurt se ti nuk e di aspak, sepse po ta dije, nuk do t’ia kishe dhënë kurrën e kurrës atë fletore. Ai e ka përdorur, atë fletore tënden, për të bërë agjitacion e propagandë… Hë si thua ti… mendon se unë po gënjej?!
-Unë vetëm një gjë mund ta them me siguri, që Ahmeti s’kishte nevojë që ta përdorte fletoren time për të bërë agjitacion e propagandë. Ahmeti nuk ma ka kërkuar atë fletore, dhe as e dinte që unë isha marrë me përkthimin e Shopenhauerit, dhe as besoj se “Metafizika e Dashurisë”, që kisha marrë guximin ta përktheja, mund të ishte diçka e rëndë për mua dhe për atë… Po ta dinte, sigurisht do të qeshte me të madhe, për anglishten time të varfër. Libri i Ahmetit kish mbetur aksidentalisht në shtëpinë time, prej një kohe të gjatë, mbasi atë e kishin interrnuar prej disa kohësh në Kampin e Çermës.
Një ditë kishte ardhur në Gjazë, të shihte një mikun e vet, dhe ndërsa po largohej u pamë rastësisht, dhe atij ju kujtua libri.
-Besoj se nuk të duhet, – më tha – po deshe ma kthe!
Libri, bënte gjumë prej kohësh në shtëpinë time, prandaj edhe unë nxitova, shkova në shtëpi ia mbështolla me të shpejtë me një gazetë dhe ia dhashë. Qysh prej asaj kohe s’jemi parë më… Tani që po e shoh fletoren time këtu, e kuptoj që e paskam harruar dhe gabimisht ia kam dhënë bashkë me librin. Kjo është e gjitha!
Në fakt gjithçka kisha thënë, s’përputhej me të vërtetën, pasi Ahmeti atë ditë kishte qenë për drekë në shtëpinë time, dhe kishim ndejtur pothuaj gjithë ditën bashkë.
Bile atë ditë ftova edhe kushërinjtë e mi, edhe ndonjë shok tjetër dhe hëngrëm, pimë e bëmë muhabet gjithë kohës, sigurisht duke trajtuar edhe ato tema, për të cilat rreziku i kokës ishte i pranishëm.
Hetuesi i Ahmetit, më hodhi një vështrim disi zhbirues, sikur t’i kujtohej diçka e rëndsishme, që i kish dalë nga mendja, dhe tha: “Po a e di ti se Ahmeti, ka bërë agjitacion e propagandë me Shopenhaurin tënd!?”
-Së pari ai nuk është Shopenhauri im, dhe së dyti Ahmeti nuk ka pasë nevojë të përdorë fletoren time, se e njeh anglishten më mirë se unë…
-Edhe ne e dimë kët gjë, por fakti është se ai ka përdorur pikërisht materialin tënd. Shopenhauerin e kishte idhullin e tij, dhe a e di ti pse?! Ja po ta tregoj unë: Sepse Ahmeti ishte tip thellësisht fetar. E ka pranuar vetë këtë gjë! Ai shpesh shprehte nji sentecë të Shopenhauerit që e kishte bërë të vetën: “Zoti është ideja ime!” Kuptohet që ai ishte i prekur nga ideollogjitë reaksionare, po ajo që më habit është se pse i duhej të të infektonte edhe ty… Pse duhej t’u mbushte mendjen të tjerëve se “Feja është shërim!” kur i më i madhi i doktrinës sonë ka thënë që “Feja është opium për popullin…”?! Dhe ai heshti nji çast.
Ne nuk na vjen keq për të, sepse ai tashmë e ka mbushur kupën! – Vazhdoi Hetuesi i Ahmetit, – Po të ishte ashtu do t’i vinim prangat ty! Do të mjaftonte edhe vetëm kjo fletore që ti ke përpara, e që e pranon se është e jotja, për të vënë prangat e për të rrasur në burg… sepse ke përkthyer nji libër të ndaluar, me përmbajtje reaksionare, që s’ka asgjë të përbashkët me ideollogjinë tonë përparimtare! Edhe fakti, që ai të ka besuar ty Shopenhauerin tregon se ka pasur shumë besim tek ti, si shok që të ngushtë që ishit.
Kuptohej që tani Hetuesi i Ahmetit po përdorte edhe shantazhin që të më friksonte, qoftë për të fajsuar Ahmetin, apo edhe mua që kisha rënë viktimë e një “Armiku të deklaruar”.
Heshta një hop, pastaj u shpreha se nuk kisha pasur asnjë lloj shoqërie të veçantë me të, se kisha shkuar në shtëpinë e tij si gjithë të tjerët, në ndonjë rast hidhërimi… dhe kaq…
Por ai këmbëngulte, bile më akuzoi se isha parë shpesh të shkoja në shtëpinë e Ahmetit natën. Jo vetëm kaq, po akuzohesha se rrija gjatë me të dhe kjo tregonte se më kripesh edhe muhabeti.
“Oh – ju thashë gjoja me njëfarë habie, – është e vërtetë që më keni parë të shkoj andej, por jo në shtëpinë e Ahmetit, shkoja në shtëpinë e Ismail Spahiut, sepse punoja me të dhe ai e kishte zakonin që mbante gjithnji bishta lopatash rezervë, dhe mua më ndodhte shpesh që të më thuheshin bishtat gjatë punës, dhe gjithnji gjeja derman te Ismaili. Kjo mund të jetë nji arsye që jam parë shpesh asaj rruge, po unë kthehesha në të majtë nga Ismaili dhe jo në të djathtë ku banonte Ahmeti… Kështu që mund t’tju kenë dhënë informacion të gabuar në kët rast!
Ai m’i nguli sytë me një lloj nervozizmi sikur desh të më hante, por u përmbajt, sepse donte t’ia arrinte qëllimit. Për një çast u step dhe bëri sikur u ngrit nga karrigja dhe përsëri u ul si me rrëmbim
-Sa për dijeni, ne informacionet i kemi gjithmonë të sakta, dhe që ta dish ti, Partia jonë, nuk akuzon kurrë njerëz mbi informata të rreme!
-Unë besoj është thjesht një keqkuptim – shtova me një lloj pafajsie ironike pa u zgjatur!
-Ti thua që te Ismaili rrije nga dy orë për nji bisht lopate?!
-Jo, – thashë prerë. – Ismaili ishte njeri mikpritës dhe nuk të linte t’i dilje nga shtëpia pa nji gotë raki, dhe e shoqja sapo niste rakia e bënte mezen gati… dhe kështu kalonte ora pa u ndjerë. Dhe unë që s’para pi raki, me nji gotë behesha në qejf dhe harroja se nëna bëhesh merak…
-Nejse, – më ndërpreu Hetuesi i Ahmetit – nuk na interesojnë hollësirat, por çfarë bisedonit kur bëheshe në qejf… se helbete…
-Flisnim për hudhrat, qepët, domatet, sepse edhe unë isha qejfli dhe i mbillja çdo vit në kopështin tim… ja për kësi gjërash, po edhe për problemet e ndërtimit, mbasi të dy ishim të profesionit si muratorë dhe shpesh punonim bashkë…
-Unë besoj sinqerisht se me Ismailin mund të kesh diskutuar kësi gjërash, sepse je njifarë pelivani ti, që i përshtatesh seicilit, nuk po ta them me kuptim të keq, të më besosh, por meqë ra fjala, duam të dijmë se ç’bisedoje me Ahmetin, se ai është intelektual, ka njohuri të gjera dhe kulturë të gjerë, di gjuhë të huaja, është i këndshëm në bisedë, apo jo?
Fillimisht bëra sikur buzëqesha, po ishte si një lloj ngërdheshje nga e keqja.
-E di që s’do të më besoni, po ai ishte një tifoz i sëmurë futbolli. Po të rastiste që të punonim bashkë në bujqësi, nga mëngjesi në mbrëmje bënte tifozllëk.
-Sigurisht do të ketë qenë me gjermanët – tha Hetuesi i Ahmetit, dhe unë mbeta disi i shastisur, se nuk isha i përgatitur, për kët variant gënjeshtre. Por aty për aty iu përgjigja shpejt e shpejt, se sigurisht bëhej fjalë vetëm për skuadrën e Traktorit të Lushnjes, pasi në ishim rritur në atë qytet.
Në fytyrën e Hetuesit të Ahmetit u shfaqën shenja irritimi, pasi u ngrit në këmbë dhe me gishtin tregues, m’u kërcënua plot mllef:
-Dëgjo o Dine, ndofta mendon se na mrekullove me këto pallavra që na shpike, po dije se një ditë do të bien mbi kurrizin tënd. Po të paralajmëroj, sepse vetë fakti që ke shfletuar Shopenhauerin, autorin më pesimist, më reaksionar, që është në kundërshtim flagrant me ideollogjinë tonë, objektive, optimiste, që ndërton socializmin me forcat e veta, pra vetëm ky fakt është i mjaftueshëm për të t’i futur të dyja këmbët në një këpucë. Nëse ti nuk do ta kuptosh, paç veten më qafë!
Sot, unë të kam thirrur këtu për fletoren që mban sipër emrin tënd përsiper për të na shpjeguar lidhjet e tua me Ahmet Kolgjinin, i cili e ka përdorur këtë material me dëshirën tënde, ku dhe si i ka dashur qejfi, duke abuzuar dhe bërë agjitacion e propagandë kundra pushtetit tonë popullor… Por, meqë jemi këtu te fletorja e Shopenhauerit, do të bëj edhe një pyetje tjetër, për të parë se sa i sinqertë je me ne…
Po për ato esetë e tjera që janë mbas kësaj që ke përkthyer, e që unë jam i sigurt se ti, në mos i ke lexuar, së paku i ke shfletuar të gjitha… dhe që besoj ti i mban mend mirë, çfarë mund të na thuash? Po për Gratë, për Vetvrasjet, për Zhurmat, për Letërsinë… çfarë mendimi ke… apo thjesht s’i ke lexuar dhe nuk di gjë fare për to?
Në të vërtetë unë i kisha përkthyer të gjitha ato, po vala e arrestimeve që kishte përfshirë gjithë brezin tonë, më kishte detyruar t’i digjja të gjitha… kështu që e vetmja rrugdalje ishte që mos t’i jepja asnji lloj shpjegimi të mëtejshëm për kët gjë.
Ndërsa hetuesi përpiqej me çdo kusht të më tërhiqte të pranoja se kisha dijeni edhe për esetë tjera, e në veçanti për atë “Mbi vetëvrasjen”, për një moment m’u fanit para syve portreti i shokut tim, Ahmetit. Befas shpërtheva në të shara: “Maskarenj, të paftyrë, ushtroni zanatin më të padenjë në botë, atë të mashtrimit të njerëzve të ndershëm që s’ju kanë asnjë borxh, për t’i dërguar në fund të ferrit, vetëm e vetëm pse nuk e duroni dot inteligjencën e tyre. S’e kuptoj ç’kërkoni më prej tij?! E latë tërë jetën në burg! Herën e parë e arrestuat në bangat e shkollës, kur ishte pothuaj fëmijë! Pse edhe atëhere bënte agjitacion e propagandë?! Ishte i urtë, i zgjuar ndaj ju vriste sytë. E groposët të gjallë në ferrin e burgut të Burrelit edhe pse qe pa mbushur 18 vitet! Mëkatarë të pandreqshëm! Mos u mërzisni, në këtë botë do të paguhen të gjitha! S’dini se ç’bëni! S’ju vret ndërgjegja për asgjë, dhe ndjeheni mirë vetëm duke bërë keq…!
E kisha humbur pothuaj fare… Kujtoja Ahmetin dhe më bëhej sikur e kisha para syve, me mallin që s’më ndahej asnji çast, kur ndjeva një dorë që më shtrëngoi papritur: Ej, kujt i flet kështu?! Më duket se ke lajthitur! Më qe vërsulur hetuesi i Ahmetit.
U përmenda… E ndjeva se nuk isha mirë, e megjithatë më duhej të vazhdoja…
Ai buzqeshte hidhur, dhe bënte ca ecejake para meje në pritje të ndonjë përgjigjeje dhe kur e pa që s’mori asnji lloj përgjigjeje, mori një copë letër dhe filloi të shkruaj vetë. Pasi shkroi rreth një gjysëm faqeje, me dorë, ku ndjehej vetëm zhurma e stilolapsit, ma dha ta lexoja… Unë iu ankova se asgjë prej atyre që kishte shkruar nuk ishte e vërtetë. Atëhere ai, i indinjuar thellësisht ma shtyu letrën me nervozizëm, para syve të mi dhe më ulëriti: Merre dhe shkruaj vetë çfarë të do qejfi. Me dorën që po më dridhej, mora stilolapsin dhe shkrova gjithçka që isha i bindur që s’mund ta përdornin si dëshmi kundra Ahmetit. Përsa më përkiste mua, pranova se fletorja me 44 faqe ishte e imja, dhe hodha një firmë, duke pranuar gjithçka nën përgjegjsinë time…
Pas disa muajsh më erdhi rradha edhe mua, të kem fatin e keq të Ahmetit dhe sapo u futa në sallën e gjyqit, gjykatësi Sofokli Papajani, për t’u bindur se deklaratën e kisha firmosur vetë, gjoja konfidencialisht më tha: “Gabim i madh të lexosh Shopenhauerin, sepse ka çuar me mijra vetë në vetvrasje!”
Unë vetëm heshta dhe ai s’u zgjat më tej! Emri i Hetuesit të Ahmetit, nuk u përmend askund. Pas gjithë atyre fatkeqsive të hetimit dhe gjykimit, më çuan nga Kaushi drejt e ne Spaç. Në Kampin e Spaçit më prisnin shokët e vuajtjeve nëpër kampet e Interrnimit si Qemal Dema, Lekë Mirakaj, Naim Staravecka, kushëriri im Adnan Nasufi, e shumë të tjerë me të cilët njiheshim qysh fëmijë. Pasi u përqafova me mall me të gjithë, në fund vura re fytyrën ngjyrë dheu të Ahmetit…
U përhumbëm në krahët dhe mbetëm ashtu të varur në qafat e njëri tjetri derisa dikush prej shokëve na thirri… Hej, po jemi edhe ne të tjerët këtu.
Kur u nisëm drejt mensës për darkë, pasi qe si traditë, që të burgosurit e rishtë ishin mjaft të uritur, u afruam edhe njiherë me Ahmetin… dhe i pëshpërita në vesh një thënie të Shopenhaurit që e pëlqenim të dy: “Është e vështirë që e një e keqe të vijë pa kompensimin e vet!”
Ai me një buzqeshje të dhimbsur, edhe njëherë ma hodhi krahun në qafë dhe më shtrëngoi edhe njëherë dhe u ulëm në tavolinën e bukës, duke kujtuar kohët e shkuara dhe ndarë atë të keqe ku na kishte hedhur fati e që s’dihej se kur do t’i vinte fundi…
New York , janar 2015
New York , janar 2015

Filed Under: LETERSI Tagged With: Dine Dine, Gjyqi i Shopenhauerit...

Një mbishkrim në gurin e varrit të komunizmit

February 24, 2015 by dgreca

Nga Dine Dine/*
Në vitin 1848, një grup revolucionarësh botuan në Londër një pamflet, që e atakoi Evropën si një fantazëm. Kjo pakicë njerëzish, shumica emigrantë, u nxituan të shtypin deklaratën e tyre pak para se të plasnin revoltat në Francë, Gjermani e Austri. Me pretendimin se punëtorët e industrisë trajtoheshin padrejtësisht prej sistemit që ekzistonte, komunistët argumentonin se vetëm një revolucion me dhunë mund të dërmonte strukturat ekzistuese e të fshinte nga faqja e dheut jo vetëm qeveritë, por klasa të tëra shoqërore dhe kështu të mund të krijonte një botë te drejtë. Mirëpo, më 1849, revoltat u shembën dhe Evropa përjetoi një qetësi të përkohshme. E rrethuar nga dështimet e grindjet ndërkombëtare, Lidhja Komuniste shpejt u shpërnda. Vite më pas, “fantazma e komunizmit” duhet t’u jetë dukur të gjithëve si një iluzion, përveç atij grupi fanatikësh të përkushtuar, që stërzgjateshin duke diskutuar probleme të brendshme teorike si teologët e dikurshëm të mesjetës.
Më 1898, pas shpalljes së Manifestit, shumica e njerëzve që kishin dëgjuar sadopak për të, mendonin se ideve të tij u kishte ikur koha. Punëtorët nuk po kërkonin revolucion, por pagë më të mirë e kushte të denja. Kur qeveritë u bënë më demokratike dhe kërkesat plotësoheshin në mënyrë të arsyeshme, ideja se gjithçka mund të fitohej duke shkatërruar shoqërinë në vend që ta ndërtosh atë, sërishmi e humbi shkëlqimin e saj.
Çfarë kthesash të papritura merr historia! Nëse në dekadën optimiste të viteve 1980, komunizmi dukej një ide e diskredituar, në përvjetorin e 100-të të “Manifestit Komunist”,dukej triumfues ose, së paku, mbahej si i tillë. Dhe jo vetëm në Evropë. BS me komunistët në krye mbulonte 1/6 e sipërfaqes së tokës dhe okupoi pjesën dërmuese të Evropës Lindore. Komunistët në Kinë po merrnin nën sundimin e tyre vendin më të populluar në botë. Në Shqipërinë e vogël ndodhte e njëjta gjë; komunistët sundonin me një dorë të hekurt. Fantazma e komunizmit kish sulmuar Evropën. Austriakët ishin mirënjohës për Planin Marshall dhe, të lehtësuar që shkatërrimet nga lufta po riparoheshin e Austria edhe një herë ishte indipendente. Por përsëri, dukej një forcë dinamike në botë. ShBA-të, me gjithë pasuritë e potencialin e saj dukej se ishin në mbrojtje.
Tani idetë e “Manifestit…” i janë lënë historisë. Sundimi komunist u përmbys në Evropën Lindore dhe në BS, që shihej si postëkomanda e revolucionit komunist botëror, ndërsa në Kinë është dobësuar. Aty Partia Komuniste qëndron në fuqi duke ekspozuar kapitalizmin. Korea e Veriut e Kuba janë ende nën kontrollin komunist, por situata ndër të dy vendet tregon se komunizmi është një sëmundje që i ka ardhur fundi.
Kur komunizmi filloi të përmbyset në BS, në vitet 80-të, shumë vërejtës nxituan të sugjerojnë mbishkrime për gurin e varrit. Filozofi politik i ShBA-së, Francis Fukuyama, e emërtoi përmbysjen e komunizmit “fundi i historisë”. Sipas tij, demokracia kishte provuar se asht “forma e fundit e qeverisjes njerëzore”, mbasi rivalët e saj, qoftë monarkia, diktatura fashiste apo komuniste kishin dështuar në mënyrë demonstrative e të mjerë.
Jo të gjithë ranë dakord se ideja komuniste kishte vdekur. Vështirësitë e kohëve të fundit në Rusi kanë rritur shqetësimin se përmbysja e komunizmit mund të ketë prodhuar vetëm një eklips të përkohshëm; mund të jetë herët të gjykosh; por, kur mendojmë për të ardhmen, mënyrën se si kjo ide u realizua një shekull e gjysmë më parë, mund të krijohen derivate të reja ndriçimi.
Analistë të shumtë në Shqipëri mendojnë se komunizmi është varrosur njëherë e përgjithëmonë e nuk kthehet më. Skeptikët thonë se është ende shumë aktiv e vigjilent dhe përgjon ethshëm në thellësitë e ferrit ku ka rënë. Ngjarjet e 97-ës lënë shumë për të dyshuar. Dhe të mendosh se “Manifesti…” u përpilua nga dy individë në moshë të re, Marksi e Engelsi, përkatësisht 30 e 28 vjeç. Të mendosh edhe se flisnin në emër të klasës punëtore, por që kurrë nuk i takuan asaj. Ata e kaluan tëre jetën duke zhvilluar një sistem filozofik që pretendonte të shpjegonte jo vetëm zhvillimin e historisë njerëzore, por edhe të parashikonte rezultatet e fundit të atij zhvillimi. Kështu ata përzien e gjymtuan elementët e socializmit utopist francez, analizat e ekonomistëve anglezë dhe idealizmin e mjegullt gjerman, duke i dhënë këtyre elementeve të pabarabarta shfaqjen e koherencës me supozime të guximshme e kokëkrisura.
Marksizmi pohon se është e mundur të krijohet një parajsë në tokë, ku të gjithë njerëzit të jenë të barabartë dhe të aftë të jetojnë në harmoni, pa policë, pa ushtri ose pa detyrime të çdo lloji, përderisa pa pasuri, asnjëri nuk ka përse të luftojë. Ai supozon se qeniet njerëzore janë thjesht kafshë ekonomike, kështu që e gjithë struktura e shoqërisë determinohet nga ajo forcë që zotëron mjetet e prodhimit. Për marksistët, gjëra të tilla si feja, nacionalizmi dhe psikologjia njerëzore janë mjete të armiqve borgjezë ose nocione pa vend. “Vlera” ekonomike është thjesht puna që bëhet për prodhimin e një produkti pa përfillur faktorë si skarciteti, roli i investimeve, vlera e investimit kapital ose aftësitë drejtuese. Për më tepër, ajo supozon se, megjithëse në fuqi, gjithë “proletarët” do të veprojnë si murgj asketikë me dëshirën që të prodhojnë me të gjitha aftësitë e tyre dhe të konsumojnë vetëm çka u duhet për të jetuar. Kjo hamendje i bëri marksistët e parë të besojnë që një shoqëri komuniste duhet të bazohet në rregullin “secili sipas aftësive dhe për secilin sipas nevojës”. Por marksizmi asnjëherë nuk pati kuptim si teori ekonomike. Thirrja e “Manifestit Komunist” për revolucion, imponimi i diktaturës dhe eleminimi fizik i “klasës armiqësore” borgjeze siguruan një argumentim teorik për sundimin totalitar dhe shtypjen e përgjakshme. Tashmë të gjithë e dinë se ç’krime u bënë në shoqërinë “socialiste” shqiptare, në emër të kësaj teorie.
Marksizmi është një shëmbull i përkryem i një linjeje të arsyes që fillon me një koncept (një shoqëri demokratike e të barabartëve pa klasa) dhe mbaron me një të kundërt diametrike (diktat i një njeriu të vetëm). Lenini trilloi strukturën organizative që solli këtë mishmash idesh të rezikshme në fuqi. Stalini kaloi periudha të gjata në burgjet siberiane, ku takoi kriminelë profesionistë, prej të cilëve mësoi sigurimin dhe efektivitetin e punëve të tij ilegale. Këta të dy organizuan Partinë Komuniste Ruse, që fillimisht u quajt “socialdemokrate”, sipas modelit të një gangsteri kriminel, me betime për sekretet, disiplinë absolute ndaj autoritetit më të lartë dhe një përbuzje totale për ligjëshmërinë ose moralin e saj “borgjez”.
Regjimi carist filloi të shpërbëhet gjatë Luftës I dhe më 1912, si rezultat i përmbysjeve ushtarake, çrregullimit ekonomik dhe përhapjes së urisë, i gjithë vendi u rebelua. Në këtë kaos ia mbërriti Lenini me bandën e vogël të bolshevikëve që udhëhiqte. Ndryshe nga rivalët, ata dinin ç’kërkonin (pushtet total) dhe nuk kishin brerje ndërgjegjeje për mënyrën se si do ta merrnin. Ata i bënë një shërbim të skajshëm demokracisë që të minonin regjimin e vjetër, por kur e panë se nuk mund të fitonin votat, ata shkatërruan institucionet, ku bazohej demokracia. Qëllimi final nuk ishte demokracia, por diktatura e proletariatit, të cilën e kishte parathënë “Manifesti Komunist.”
Ishte vërtet një diktaturë, por jo e proletariatit, sepse ata që e ushtronin pushtetin ishin të gjithë të vetemëruar. Në emër të proletariatit, pra të popullit, u bënë aq shumë krime si në BS, ashtu edhe në Kinë e Shqipëri dhe vende të tjera totalitare, sa popujt duhet të kenë marrë një mësim të pashlyeshëm nga historia e përgjakshme e tyre. Historianët vlerësojnë se Stalini ishte personalisht i përgjegjshëm për vdekjen e 25-30 milionë njerëzve, pa llogaritur dhjetra milionë që u zhdukën gjatë Luftës II Botërore; kurse në Kinën e Maos shifrat janë edhe më të mëdha. Për Shqipërinë e Enver Hoxhës mund të thuhet një gjë. Duke lexuar “Stalini” të Radzinskit dhe “Jetë dhe vdekje në Shangai” të kinezes Nien Ceng, bindesh se diktatori shqiptar i ka imituar deri në detaje udhëheqësit e tij shpirtërorë dhe, në mjaft aspekte, ua ka tejkaluar, duke pasur parasysh edhe popullatën e vogël të Shqipërisë. Me vdekjen e Stalinit e të Maos, terrori mori fund, por sistemi ekonomik u provua iracional. Komunistët nuk mund të konkuronin në një botë me ndryshime teknologjike të shpejta e një market global. Ideja e Marksit për luftën e klasave prodhoi një luftë të ftohtë me Perëndimin dhe një garë armatimesh që BS ishte i paaftë ta fitonte dhe e humbi në vitet 80-të. Në të vërtetë, gradualisht e një nga një, shtetet komuniste i hodhën tej mitet marksiste, që kishin mbajtur të gjallë regjimin, me shpresë që të krijonin një mirëqenie shtetërore të bazuar në parimet demokratike.
Ishte një synim i artë, por përpjekjet dështuan. Shteti i bazuar në parimet marksiste mund të mbahej vetëm me forcë dhe, kur instrumentet e represionit nuk mund të përdoreshin më, ai dështoi. Me kinezët, puna qëndron disi ndryshe. Megjithëse komunistët kanë kontrollin e shtetit, Kina e ka braktisur ekonominë marksiste dhe e ardhmja do të varet në aftësinë e saj për të stabilizuar një ekonomi tregu të shëndetshme dhe të demokratizojë sistemin politik.
Përsa i përket Shqipërisë, sado optimist të jesh, të lindin dyshime. Në Rumani dhe Bullgari fituan përsëri komunistët. Në Shqipëri shumica e zgjedhësve rrasën nëpër kutitë e votimit fletën e ish-partisë së punës. Për botën perëndimore duket paradoksale se si vendet që vuajtën aq shumë nën diktaturë si shqiptarët, rumunët e bullgarët e kanë ende shumë të vështirë të shkëputën nga e kaluara “e lavdishme” marksiste-leniniste. Era e përçarjes komuniste ndjehet edhe në Kosovën martire.
Para dy vjetësh, rastësisht takova një zyrtar të lartë socialist, një djalë i ri rreth 28 vjeç, që në atë kohë kritikohej nga konservatorët e partisë së tij. Qe një bisedë konstruktive dhe m’u duk se foli sinqerisht. Pasi mësoi diçka për odisenë time, më pyeti: “Si e ndjen veten tani?” – “Mjaft keq”, – iu përgjegja dhe i shpjegova arsyen. Ai më pyeti përsëri: “Mendon se marksizmi ka sjellë ndonjë gjë të mirë në Shqipëri?” – “Natyrisht, jo” – iu përgjegja. Dhe pastaj shtova: “Ndoshta morëm një leksion. Na mësoi e na bindi që gjëra të tilla të mos ndodhin më kurrë”.
Për sa kohë bota ta kuptojë e ta mbajë mend atë leksion, do të justifikohet thënia e Fukuyamas se e ardhmja i përket idesë së demokracisë; por, a mund të jemi të sigurt? Jo, kurrë! Njerëzimi harron dhe, nëse brezi ynë nuk do të jetë i aftë ta bëjë demokracinë të funksionojë në ato vende ku komunizmi dështoi, të pakënaqurit do të kërkojnë rrugë tjera për problemet e tyre dhe do të jenë diktatorët që do të kërkojnë mite për të justifikuar sundimin e tyre.
Pesëdhjetë vjetët e ardhshme do të jenë kritike. Në se jemi me fat, historia do të shmangë nji kthim tjetër si ai midis 1898 dhe 1948 dhe idetë e “Manifestit Komunist” do të jenë pa asnjë dyshim të vdekura e të varrosura.
Ne nuk do të jemi gjallë rreth viteve 2048, kur të vendoset se çfarë duhet të shkruhet në gurin e varrit të marksizmit, por shpresoj se brezat e ardhshëm në emrin tonë do të sugjerojnë mbishkrimin: “Këtu prehet një ide që solli te kundërtën e asaj që premtoi.”
*( Arkiv- Dielli, Janar-Mars-2000)

Filed Under: ESSE Tagged With: Dine Dine, e varrit, Një mbishkrim në gurin, të komunizmit

“AUTOKRITIKA”

November 23, 2013 by dgreca

Nga Dine Dine /New York/

“Ore, po qo ish për të vanur kujën, jo ta themi kshua, si burri burrit. Qy ish sabotim. Ke sabotur aksionin dhe e di ku të shpie qo… Qo do të thotë të çoish ujë në mullirin e armikut…”. Kështu përpiqej të imitonte myzeqarët Ahmet Kolgjini, ndërsa ishim drejtuar për në mbledhjen e Bashkimeve Profesionale për të dhënë llogari. Ndërsa Ahmeti s’ishte aspak i prirur për imitime atë natë duket se e kish kapur një lloj dalldie që e bëri të mos pushonte derisa iu afruam derës së mbledhjes. E qeshte e qeshte pa pushim duke përmendur ato dordoleca që do të përpiqeshin të na gjykonin për një mëkat që në fakt nuk e kishim bërë. Të dielën kishim qënë në aksion për krasitjen e barit të skrapatave të kolektorit. Të gjithë punonin në grupe. Unë punoja me Ahmet Kolgjinin dhe Sokol Mirakën. Megjithëse, shumë nuk ia kishim haberin bujqësisë, pasi të tre punonim në ndërtim, të shtunën në darkë më erdhi në shtëpi Xhevit Matjani e më tha që të nesërmen të merrnim edhe veglat e kalitjes sepse e gjithë skrapata e kolektorit ishte me gurë zalli. Do të na duhej që të paktën për çdo 10 minuta të kalisnim, lopatat se ndryshe do të hanim veten me dhëmbë e s’do të bënim dot asnjë punë. E kështu bëmë. Kjo gjë na e lehtësoi punën aq shumë sa që e mbaruam në një kohë rekord dhe me cilësi edhe pse pothuaj gjysma e kohës na shkoi duke kalitur lopatat. Por le të vazhdojmë të tregojmë ngjarjen ashtu si ndodhi, për ta bërë më të kuptueshëm faktin se si përfunduam të akuzuar për diçka që nuk e kishim bërë, por që na detyruan të jepnim llogari e të mbrohemi si të ishim para një gjyqi. Ditë e diel. Ishim në aksion si zakonisht. Një orë para se të mbaronte puna kur dielli ishte në perëndim, papritur u duk përgjegjësi hipur mbi një kalë. Pa i zbritur kalit, me një buzëqeshje që i dukej sheshit që nga larg, përshëndeste “vullnetarët” herë herë me kokë e herë herë me duar si të shihte Bonaparti vetë. Por në fakt ai ngjiste çuditërisht me Don Kishotin, jo vetëm fizikisht, por edhe në veprimet. Kishte edhe një dobësi që e shfaqte në çdo rrethanë: kërkonte të respektohej me çdo kusht. E po mos ti plotësohej kjo dëshirë të nesërmen në mëngjes provokonte ndonjë mbledhje. Pasi thoshte ca fjalë për mbarëvajtjen në bujqësi e planet për të ardhmen, menjëherë delte te ajo pika e dobët. Pasi kritikonte ndonjë puntor, i drejtohej i revoltuar, me një agresivitet të paskrupullt: dhe ajo që dua të shtoj është se duhet të jeni më të respektueshëm sepse gjithmonë e kam theksuar dhe ja ku po ua përsëris edhe këtu se, “një bythë duhet të ngrihet për një kokë”. Kështu edhe e mbyllte mbledhjen duke na uruar punë të mbarë. Ndërsa po kalisnim veglat e përgjegjësi po afrohej, u propozova shokëve që të paktën të ngriheshim përgjysëm e ta salutonim me kokë ose me dorë. Ahmetit i shpërtheu një e qeshur që s’po e mbante dot dhe ishte dakort që të bënte ashtu siç thashë unë, ndërsa Sokoli e kundërshtoi kategorikisht: “Pse atij palaçoje do t’i ngrihem unë?! Ne po na del shpirti këtu gjithë ditën ai, hipur në kalë kërkon që t’i ngrihemi e t’i bëjmë reverenca! Të betohem, në asnjë mënyrë nuk do t’ia jap atë kënaqësi!” -Me përgjegjësin, Sokoli i kish vringëlluar shpatat disa herë dhe mund të them pa frikë se asnjëherë nuk i kish lëshuar pe. Kjo e kish bërë përgjegjësin që të ndërzehej edhe më tepër. Të dy kishin alergji për njëri tjetrin. Para një viti, pasi i kishin konsumuar në maksimum fjalët ndaj njëri tjetrit, përgjegjësi bëri të pamundurën që ta vërviste nga ndërtimi në bujqësi, dhe ja arriti qëllimit! Por ama edhe shoku ynë nuk ia fali kurrë atë lloj hakmarrje. E injoronte totalisht. Ishte ndoshta i vetmi në sektor që s’e përshëndeste kurrë. E kjo gjë e irritonte përgjegjësin tonë në atë masë sa ia ngacmonte nervat. Një herë qëllova aty afër rastësisht kur përgjegjësi në pushimin e drekës, me fjalë të matura e me një ton dashamirës i kërkonte të shkarkonte një makinë plehu kimik që shoferi mos të vonohej. Ndoshta përgjegjësi kërkonte t’i jepte një sinjal se mund të pajtoheshin. Kjo ishte njëfarë tendence për pajtim që ai kërkonte të bënte e tani po gjente mënyrën që ta zbuste kundërshtarin duke e detyruar që t’i bindej urdhërit të tij, kështu që përsëri do të ishte ai fitimtari, sepse edhe pse nuk ishte shumë i zgjuar ndoshta e ndjente thellë. Kur u bind se Sokoli nuk po i shkonte pas avazit e humbi durimin e në çast iu kërcënua: – Të urdhëroj! – Ik ore! Nuk je ti nga ata burra që mund të më japësh urdhër mua në kohën e pushimit të drekës! – Të urdhëroj! – bërtiste me sa kishte në kokë përgjegjësi – Të urdhëroj të zbatosh urdhërin se ndryshe do të keshë pasoja!” Sokoli filloi të ngërdheshej me një farë lloj ironie sikur ia plaste në fytyrë e i thoshte hapur se as desh t’ia dinte për urdhërat e tij. Dukej që të dy e kishin humbur durimin. Përgjegjësi vazhdonte të llomotiste me zë të lartë që të kthehej e të zbatonte urdhërin, ndërsa Sokoli që kish marrë rrugën për në shtëpi i përgjigjej: “Bjeri legenit ti bjeri, se po të dëgjoj shumë!” I çmendur nga rreagimi i tij, përgjegjësi pasi llomotiti ca fjalë që ndoshta as vetë s’po i merrte vesh, me zërin të ngritur në qiell i tha: “Unë kurrë nuk i kam rënë legenit por ti do t’ia dëgjosh muzikën më vonë këtij avazi” – Në nuk i ke rënë kurrë, sot, ja ku po ta them hapur, që bash po i bie gjithë ditën! Të dy u ndanë si të kishin bërë duel njëri i lodhur nga puna e nga nervat i ish prerë edhe oreksi për të ngrënë, ndërsa tjetri për të menduar planet për një hakmarrje sa më të shpejtë. Ky incident kish ndodhur para disa javësh, ishte ende i freskët në mendjen e përgjegjësit, dhe kjo ishte arsyeja që më dukej pa kuptim që, me atë rast edhe bënim pak humor edhe përgjegjësin e lumturonim, gjë që ia kishte ënda aq shumë dhe ne nuk na kostonte asgjë. Sidoqoftë, në ato rrethana kur ai mezi priste rastin të hakmerrej, të nesërmen në mëngjes sapo dolëm për të marrë planin e punës na urdhëruan që të afroheshim pranë zyrave të sektorit se kishim mbledhje. Për fat të mirë a të keq atë ditë mbledhja nuk zgjati më shumë se 15 minuta, sepse që në batutat e para të dy palët u acaruam dhe filluam të shkëmbejmë fjalë fyese. Përgjegjësi na akuzonte ne të treve se në aksion nuk kishim realizuar normën e kishim bërë punë me cilësi të keqe do të thotë “të shpiesh ujë në mullirin e armikut”. Ishte një sllogan që përdorej dëndur nga nomeklatura komuniste. Ne ishim vetë armiqtë për të cilët ai aludonte. I pari e mori fjalën Ahmeti, duke u përpjekur t’i shpjegonte me fakte se kishim bërë sasi e cilësi të mirë e për këtë mund të thirrej Fili (shkurtimi i emrit Karafil), tekniku i kanaleve, dhe të dëshmonte të kundërtën e asaj që akuzonte përgjegjësi. Ahmeti nga që ishte mjaft i edukuar, i tha këto me një ton të ulët e të matur. Përgjegjësi s’e la as të merrte frymë. Iu përgjegj me një batare fjalësh të shpejta saqë u bind se ai kishte të drejtë pa asnjë dyshim e ne duhej të bënim autokritikë në vend para të gjithë puntorëve se vetëm ashtu mund të mbyllej ajo punë. Sokolin s’po e zinte vendi. Dukej sikur po e përpinte me sy. Unë i bëra shenjë të mos të fliste, por ai më bëri një xhest refuzimi. Edhe pse e drejta ishte me ne, dihej që s’mund të fitonim. Përgjegjësi kishte pushtetin, atë pushtet që siç e përsëriste shpesh se “e kishin fituar me gjak e me gjak do ta mbronin po të ishte nevoja…” Ti mund të kishe të drejtë, por sapo pretendoje që e drejta të ishte me ty, ajo automatikisht kalonte në anën tjetër dhe po të këmbëngulje me verbëri atëherë llogjika jote s’vlente as pesë para, sepse ajo ishte llogjika e “armikut të klasës”. Sokoli mbahej me zor. E dinte mirë që po ta fyente publikisht s’ishte gjë me mend, dhe mund të shkonte si cjapi te kasapi. Nuk donte t’ia jepte atë kënaqësi. Të dënohej për fyerje, vetëm për ca çaste që do të shfrente, ta nxirrte përjashta gjithë mllefin e mbledhur prej vitesh… S’ia vlente barra qiranë. Për ta evituar atë incident e mora fjalën unë. Me një ton krejtësisht të qetë, sigurisht të shtirë, u përpoqa t’i argumentoj se e gjithë kjo mesele kish qënë thjeshtë një keqkuptim e mund të sqarohej lehtë. Sasia dhe cilësia e punës ishin aty. Nëse s’mund t’i besohej teknikut të kanaleve që kish marrë punën në dorëzim le të krijonte vetë, përgjegjësi një komision dhe ta verifikonte në terren. Ne të tre ishim dakord. Fjala e urtë thotë: “Shurdhi më i keq është ai që s’do të dëgjojë…”. Po përgjegjesi s’hante asnjë lloj pyke. Më ndërpreu e përmendi emrat e nja tre-katër vetëve që të lëviznin e të diskutonin sepse asnjë zë nuk pipëtinte pasi 90% e punëtorëve kishin qenë në aksion me punë “vullnetare” dhe e dinin që vetëm treshes sonë e dy-tre të tjerëve u qe marrë puna në dorëzim, e nuk kishin ç’të diskutonin. I pari e mori fjalën një fshatar nga Krutja: Vendas denbabaden, ai kish pasur disa pozita në fshat si; sekretar partie, kryetar fronti, etj. Nga fundi, i kishin dalë në shesh gjithë të palarat dhe si dënim e kishin përzënë nga kooperativa dhe kishte përfunduar punëtor në fermën tonë. Duhet thënë, se ishte më mirë të ishe puntor ferme, se të kishe ndonjë lloj pozite në fshat. Këtu merrte para, ndërsa atje fitonte pikë! Pikët me parat i ndante një mal. Me pikë nuk siguroje as bukën e misrit, ndërsa me para bleje bukë gruri dhe mbaje tërë familjen. Puna e pikëve ishte si ajo puna proverbit: “Lepuri në mal e tigani në zjarr”. Nuk plotësohej plani i shtetit… dhe pikët avullonin. Kështuqë Loni i detyrohej përgjegjësit aq shumë sa s’dinte si t’ia shpërblente. Por edhe përgjegjësi, në fund të fundit kish detyrime se e kish edhe bashkëfshatar dhe kish ngrënë e kish ngritur dolli me të kushedi sa herë, sepse kishin lidhje të herëshme. Prandaj ia kish bërë atë favor. Në fund të fundit “miku i mirë në ditë të vështira”. Ishte rradha e Lonit që pa e bërë dysh t’ia shpërblente mikut. Në fund të fundit fjala s’i kushtonte para. Por në fakt, e pati të vështirë sepse fjalët s’po ii dilnin nga goja. Përtypej e mbllaçitej, dhe m’u duk se kurrizi i dalë edhe nga pleqëria i ishte bërë edhe më i madh, si një gungë deveje nga tortura nëse mund ta mbronte mikun e vet si duhej! Në çast, përgjegjësi që padyshim e humbi durimin iu gërhush me një ton të ashpër e të prerë: “Hë Lon Shtëmbari, fol se i gjithë qy milet që ke përpara pret të ngjojë fjalën tënde!” U duk sikur po i këlthiste me sa i mbanin kordat vokale: “Mos kërkon të mbrojç armikun e kllasës?! Gjer këtu ke arritur e Lon Shtëmbari!”. Pasi u mendua një hop Loni filloi: “Po qysh ta gjykonj o shokë, ja… qysh ta them. Ish e drejtë ta themi se përgjegjësi e ka gabim?! Arè, po qo ish evidente. Pse gënjeka përgjegjësi, ç’interes ka qy përgjegjësi t’kritikojë? Ai thjesht zbaton vendimet e Partisë. Pranaj e ka vënë qeverria e Partia, që të hapinj sytë e t’i çojë vendimet deri në fund. Pse kshua do ecim përpara? Jo ere, kështu nuk ecet! Përgjegjësi flet me zërin e Partisë, e zëri i partisë do ngjuar o shokë. S’ka njeri që ka lindur nga barku i nanës e t’i kundërvihet Partisë sonë! Pranaj e them dhe një herë, jam plotësisht dakord me vërejtjen që bari përgjegjësi, dhe u baj thirrje shokëve qi ta pranojnë gabimin e bile të bajnë edhe nji autokritikë se në fun të funit s’u bie rybja. Kaq kisha unë”. Sokoli qe zverdhur i tëri. Sapo desh ta hapte gojën, ndërhyra unë vetëm për mos ta lënë të fliste: “Vetëm një pyetje kisha për Lonin. Nuk dua t’i bëj biografinë. Shumica e di. Ai vetë e di mirë se përse ia dhanë shkelmin nga kooperativa. Por kjo nuk hyn në pyetjen që kërkoj t’i bëj Lonit. Dua ta pyes nëse ishte dje në aksion apo flet kuturu? Nëse kërkon t’i bëhet krah përgjegjësit, pa pasur asnjë fakt kundër nesh, kjo tingëllon thjesht hipokrizi! Por edhe hipokrizia ka një kufi. E di se mund ta dojë e bile ta adhurojë përgjegjësin, dhe kjo është e kuptueshme se kanë lidhje e miqsira të hershme… por në vend që të bëjë autokritikë për veten, që s’ka pasur vullnetin e mirë që t’i përgjigjej aksionit, vjen e na kritikon ne se s’kemi bërë punë me cilësi!… Sokolit nuk ju durua më, papritur më ndërpreu: “Ti dalësh në krah çdo njeriu qoftë ky edhe përgjegjësi, pa e ditur të vërtetën dhe pa pasur asnjë fakt, kjo është një lajthitje që edhe vetë përgjegjësin nuk e nderon. Përgjegjësi me siguri, as që e di që ti s’ke qënë fare në aksion, por edhe sikur ta dinte, vetëm fakti që asnjë puntor s’po e hap gojën, sepse e dinë të vërtetën, dhe ajo, dihet, është në anën tonë, s’duhet t’ia lejojë vetes që t’iu bëjë presion punëtorëve t’i bëjnë jehonë gënjeshtrave. Dhe gjëja më paradoksale (Sokoli përdori një fjalë që me siguri asnjëri s’ia dinte kuptimin) është se…

Përgjegjësi u tërbua. E ndërpreu Sokolin dhe deklaroi solemnisht: “Sokol Miraka, Ahmet Kolgjini dhe Dine Dine në mbrëmje të paraqiten në mbledhjen e Bashkimeve Profesionale”. Mbledhja deklarohet e mbyllur!

I zbehtë dyll, u zhduk si hije e përfundoi në zyrën që e kish aty pranë. Puntorët bashkë me brigadierët u shpërndanë për te vëndi ku shpërndahej palni i punës. Ndjehej një përshpërimë e përgjithshme, një si gumëzhimë bletësh. Po shkonte ora 7-të, kur dikush na lajmëroi se mbledhja ishte gati të fillonte. Siç e përmenda në fillim, Ahmetit i kishte hypur një frymëzim për të bërë humor, qeshnim e qeshnim e papritur Sokoli propozoi: “Ti daxha Ahmet të caktojmë si avokatin tonë, që të na mbrosh me dinjitet. Ke njohuri të gjëra, kulturë të gjërë, di gjuhë të huaja, je i martuar, ke edhe përvojë burgu, merr vesh edhe nga magjitë, kështu që mund edhe ti hipnotizosh ata lolo e t’ua qepësh gojën që mos të jenë në gjendje të na përgjigjen e të na akuzojnë. Me prezencën tënde, sidomos me vështrimin e syve që e ke disi të veçantë, do u dukesh si një qenie jashtëtokësore. Plus kësaj, do keshë rast të shpalosësh oratorinë tënde, që e mbulon vazhdimisht me heshtje. Që në fillim do t’i bindësh ata se kjo ngjarje është një absurditet që s’i lejohet askujt e në veçanti një përgjegjësi. Por ti, me siguri, meqë çështja është disi delikate, do të gjesh fjalët e duhura që ata të mos fyhen se ndryshe do të turren e ti do të humbasësh toruan fare! Aq vuxhut ke ti! Po të shkoi ndonjë fjalë e pamatur, na mori lumi. Do të të përmendin burgun, do të fusin përsëri në burg o i shkretë, e për gjithë këtë katrahurë, unë që të propozova për avokat, mbaj përgjegjësi personalisht, – pastaj përsëri shtoi: – Hajt hajt se bëj shaka, mos u frikëso se nuk je nga ta që t’a ha qeni shkopin ti!”. Ishim afruar pranë derës së sallës, o më drejtë stallës, dhe Ahmeti që kishte vetinë të mos të të ndërpriste, vetëm qeshte. Para se të shtynim derën, për një çast qëndroi dhe tha: “Me këtë leksion që më dhe, ndjehem i pazoti t’ju përfaqësoj, dhe e dyta Partia këtu te ne i ka hequr avokatët se populli din të mbrohet vetë” dhe pa e lënë Sokolin të vazhdojë humorin trokiti në derë. Stalla ishte mbushur plot. As miza nuk pipëtinte, e kjo i jepte mbledhjes një farë solemniteti. Në podium ishin ulur njëri pas tjetrit Kryetari i Këshillit, Sekretari i Partisë dhe Kryetari i Bashkimeve Profesionale që ish njëkohësisht edhe gjykatësi popullor. Fjalën e mori Kryetari i BP. Shkurtimisht ai iu referua ngjarjes në përgjithësi dhe akuzave që na bënte përgjegjësi i sektorit në veçanti, dhe kërkoi që fjalën ta merrnim ne. I pari u ngrit Ahmeti, pasi në rradhë qëndronte i pari dhe kryetari e drejtoi gishtin drejt tij. Ahmeti foli shkurt, e njoftoi presidumin se, mbrëmë tekniku i kanaleve na e mori punën në dorëzim, dhe dy tre vetave të tjerë dhe kur u largua në prezencën e të gjithë punëtorëve tha se: “Ata të ndërtimit kanë bërë punë më me cilësi se gjithë të tjerët”. Kjo është e gjithë meseleja. Unë s’di asgjë më tepër. I dyti foli Sokoli. Dukej i acaruar. Edhe pse përpiqej të mbante gjakftohtësinë e tradhëtonte fytyra. Ai akuzoi drejtëpërsëdrejti përgjegjësin si hakmarrës dhe pyeti presidiumin se si ishte e mundur që një njeri që mban një pozitë të lartë shtetërore, guxon të akuzojë pa argumenta, pa fakte vetëm e vetëm pse për një arsye a një tjetër i teket të hakmerret. Shokë – shqipëroi Sokoli jo pa një farë ironie – kjo është thjeshtë hakmarrje dhe për ta illustruar këtë mund t’ju bie dhjetra fakte, por këtu nuk është vendi për këto, prandaj informohuni mirë, bëjani përgjegjësit të kjarta faktet, sepse gjithë këta që janë prezent këtu në këtë mbledhje e dinë dhe atëhere merreni mundimin e hajdeni të na gjykoni! Ndërhyri sek. partisë duke e sugjeruar Sokolin që ta ulte pakë zërin dhe mos të përdorte fjalë të tilla si “hakmarrës”. Ai në radhë të parë mbronte interesat e Partisë e të popullit, e ata s’mund të lejonin që të përbaltej emri i tij. “Së dyti, duhet ta dini mirë që sonte jemi mbedhur që t’ju gjykojmë juve e jo përgjegjësin. Është më mirë të bëni një autokritikë e t’i japim fund kësaj mbledhje se sa të merremi me llafe e të rrimë gjithë natën duke i rënë daulles pa ardhur në asnjë përfundim. Sokolit nuk iu durua përsëri: “Po sikur t’i thuhet përgjegjësit që t’i tërheqi mbrapsht akuzat, thjeshtë, se ka qenë një keqkuptim dhe të na lejë rehat me hallet e problemet tona…”. Sekretari i partisë e pa kjartë që nuk po delnim kërkund, veçse po rrihej ujë në havan, prandaj drejtoi gishtin tek mua. U ngrita jo pa emocion, por me një vetëpërmbajtje të shtirur që ish jashtë natyrës sime, pasi Sokoli i kish shprazur bateritë të gjitha. Përsërita ato që kish thënë Ahmeti e Sokoli bashkë pa përmendur fjalët hakmarrje e as atë shprehjen që Sokoli e kish shqiptuar me një mllef të paparë, “që përgjegjësi t’i tërheqë mbrapsh akuzat” gjë që ishte absurde dhe përfundova duke u thënë se si do që të bëhej, ne të tre nuk do të bënim kurrsesi autokritikë, bile theksova që ta hidhnim çështjen në gjykatë dhe aty të ndahej shapi nga sheqeri. Po që se neve vërtetë paskemi sabotuar jemi gati të pranojmë përgjegjësitë tona, e pse jo, të bëjmë edhe një autokritikë, ashtu siç e kërkon partia. Askush s’hapte gojë. Sekretari i partisë iu drejtua të pranishmëve nëse dikush kërkon të marrë fjalën. Askush nuk e ngriti dorën. Bile, për çudinë e madhe as Feçorr Pirra, brigadier e dikur edhe sekretar partie, një nga njerëzit më negativë që kam hasur në përvojën time. Megalloman, hakmarrës, kritikues në çdo rast e ndaj cilitdo. Injorant i paprecedent. Prototip i atyre njerzve që s’dinë asgjë, e që kujtojnë se dinë shumë, cilësi këto, që e bënin të urrejshëm, dhe ai i shfaqte vend e pa vend bile dhe mburrej me to. Po çudia nuk zgjati veç pak sepse ai më në fund kërkoi të fliste. S’dua ta bezdis lexuesin me marrëzitë e tij. Foli gjithë kohën vetëm budallallëqe, por gjithmonë në emër të Partisë e të Popullit, si përfaqësues legjitim i tyre dhe kjo ishte ajo retorika që i jepte siguri dhe autoritet njëkohësisht. E gjithë fjala e tij u përqendrua tek pyetjet: Si është e mundur që të shpifë përgjegjësi?! Pse këta të tre nuk bëjnë autokritikë ashtu siç e kërkon Partia dhe t’i japim fund mbledhjes, po merren me thashetheme duke lënë pa gjumë gjithë këta puntorë të ndërgjegjshëm që nesër që në mëngjes herët do të ngrihen e të realizojnë detyrat që u ngarkon Partia për të mirën e popullit?! Sokoli e kish humbur durimin përsëri. Unë gjithashtu. U ngritëm njiherësh të dy, po Sokoli u shpreh i pari: “A e kupton se çfarë marrëzishë po nxjerr nga goja mor Feçorr? Për fat të mirë ti nuk e di, sepse do të të neveritej vetja”… Po, po mos i hap sytë hiç…!! Sekretari i partisë, që situata mos të shndrrohej në një skandal, i ndërpreu të dy, por Feçorrit që e ndjeu veten të fyer nuk iu durua e shpërtheu përsëri: “Ju kërkoni anglo-amerikanët”! -Po ç’hyjnë këtu anglo-amerikanët more hajvan! A e kupton ti se herë hap gojën nxjerr budallallëqe me thasë?… “Personaliteti” i Feçorrit u përdhos si asnjëherë!! Sekretari i partisë, edhe pse pa shkollë për hir të vërtetës, duhet të them se e kuptoj që po bëhej shumë zhurmë për asgjë, dhe deklaroi një pushim 10 minutësh. Të gjithë megjithse përgjumshëm dolëm jashtë. S’di pse, Hekurani sekretari i partisë, më thirri në veçanti në një qoshe. “Dëgjo o Dino, po të flas si burri burrit. Këto që po të them, ngelen midis nesh. Unë e di që përgjegjësi ish ofendur se ju s’u ngritët në këmbë ta përshëndesnit. Ta themi me sinqeritet… me kta shokët i verifikum të gjitha. Qemë te puna. Morëm edhe Filin me vete. Ja kshua kini të drejtë, ça t’themi. Ti je i quat. Bëje nji farë autokritike si të duash ti dhe ne da pranojmë. Vetëm të përmendet fjala autokritikë. Kimi 6 orë, o Dino. Jimi rraskapitër. T’shkojmë e t’flemë gjumë se nesër do çohmi herët. Bëja si ta kish qejf vetë, se përgjegjësi s’ka interes ta zgjasë. Ai e di ma mirë se ti e se unë që s’ka të drejtë. Pranaj futja e të hikim se jemi telekosër. Ja ku po ta thomi, da bash për muan!!” Nuk e kundërshtova, më së fundi e vendosëm dhe u futëm brenda. Të gjithë prisnin me ankth se si do të bëhej autokritika. As Ahmeti dhe as Sokoli s’e kishin idenë se çfarë biseduam me Hekuranin. Kur u ulën të gjithë, u ngrita në këmbë dhe pas një pauze, kur të gjithë prisnin se çdo të thuhej, së fundi u shpreha: “Shokë! Nuk dua të përsëris ato që u diskutuan për 6 orë rresht, sepse për të gjithë është e kjartë që ne të tre, dje në aksion kemi bërë një punë shëmbullore, që do të nderonte secilin. Kjo u vërtetua nga tekniku i kanaleve që mori punën në dorëzim, kjo u verifikua edhe nga shokët që sonte drejtojnë mbledhjen e nga të gjithë ju që qetë prezent deri në minutat e fundit kur mbaroi aksioni. Por ka edhe disa gjëra të tjera o shokë, që dikujt mund t’i duken të vogla e pa rëndësi, por që në fakt kanë edhe ato rëndësinë e vet. Unë reflektova gjatë për të kuptuar se ku qëndronte kleçka që përgjegjësi dukej aq i pakënaqur e arrogant me ne. Kur ai parakaloi, hipur mbi kalë, asnjëri prej ne të treve nuk denjoi ta përshëndeste përgjegjësin. Dhe a e dini pse? Ishim të rraskapitur dhe po kalisnim veglat, sepse e gjithë vëmëndja jonë ishte përqëndruar në cilësinë e punës, gjë që edhe e arritëm. Dhe jemi krenarë. Ja pra, kjo ishte arsyeja që ne s’arritëm as t’ia bëjmë edhe me dorë shokut përgjegjës. Kjo është e vërteta dhe në rast se kjo konsiderohet gabim edhe fjalët që shpreha duhet të konsiderohen si “Autokritikë”.

-Po ja qo ish! Qy e bari autokritikën. Me kaq mledhja maron! Kur po delnim iu afrova Ahmetit: “Doni më për Belulin?!” Ndërsa ai vazhdonte të qeshte me shpirt kushedi ç’luhej në trurin e tij. Ndoshta një ditë do t’i përshkruante këto episode tragji-komike, me saktësinë dhe urtësinë që e karakterizonte. Sidoqofë, kur u shpërndamë të gjithë ngelën të kënaqur. Përgjegjësit iu tha: “Pranun, e banë autokritikën…!” Hekurani më ishte mirënjohës për fjalën që mbajta edhe pse ajo fjalë e kish vënë në lojë përgjegjësin si Don Kishot që ishte. Sokolit s’i ra më në qafë si përpara… Ai vazhdoi të punonte në ndërtim, deri ditën që u shëmb diktatura.(Kortezi-Radiandradi.com)

Ne Foto: Dine Dine, Ahmet Kolgjini dhe Sokol Miraka mes shokëve te kampit (Naim Staravecka, Sazan Dine, Evgjen Merlika, Dine Dine, Genc Bajraktari, Ernest Dosti, Tomor Dosti, Ahmet Kola, Sokol Miraka)/

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Autokritika, Dine Dine

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT