• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Diplomacia e Mid’hat Frashërit shpëtoi Shqipërinë Veriore nga pushtimi serb

November 12, 2018 by dgreca

1-rafael

Nga Rafael Floqi/

image241 mithatfrasheri18 tavol Mithatimage26image27image25

Si diplomacia e Midhat Frashërit shpëtoi Shqipërinë Veriore nga pushtimi serb

 

Nga Rafael Floqi

Midhat Frashëri, delegati shqiptar, ngriti zërin e tij me një frëngjishte elokuente pa asnjë të metë. Ai me fjalë të zjarrta nga shpirti gërshetoi në paraqitjen e tij, mjerimin e madh të Shqipërisë, nga ndryshimet e vijës kufitare, nga e serbëve,  të vendosur qysh nga armëpushimi i vitit 1913, që ai e përshkroi “jo si rrugë automobilash, por vetëm si një vijë elastike, hipotetike kufiri”. Sa për Marka Gjonin, ai tha, se ai kishte hyrë në territorin shqiptar, me trupat e paguara nga qeveria serbe. “Pasi nuk ka as trupa, as fabrika Schneider në Mirditë. Atëherë, cili është burimi magjik i fuqisë së Marka Gjonit? “- Sipas shtypit francez të kohës

 

Si e zbulova Midhat Frashërin

Historia e regjimit komunist të Enver Hoxhës i kishte shlyer jo vetëm veprat, por dhe fotografitë e Midhat Frashërit nga fotoja historike të Shpalljes së Pavarësisë, në një përpjekje për t’i zhdukur atë përgjithmonë nga historia, por, megjithëkëtë veprat e tij mbetën gjithnjë të paharrueshme, sepse të tilla ishin! Sidomos kjo shihet në ballafaqimet diplomatike në mbrojtje të kufijve tanë kombëtarë, një ballafaqim të tillë jo fort të njohur në Lidhjen e Kombeve, bazuar në burimet e shtypit francez,  ndriçon më thellë një veçori të personalitetit të tij prej atdhetari, jo aq të njohur, të cilën po përpiqemi t’ia japim lexuesit të gjerë .

I rritur nën mendimin e përgjithshëm të induktuar në vite nga diktatura mbi figurën e Midhat Frashërit, si drejtues i Ballit Kombëtar,  unë u befasova pozitivisht dhe u dashurova me figurën dhe me veprën e tij, kur mu dha mundësia në vitin e vështirë 1998, të përktheja nga gjuha frënge, një nga esetë më të rëndësishme të tij, ku ai analizonte raportet mes dy kombeve më të mëdhenj të Ballkanit, shqiptarëve dhe sllavëve, të titulluar “Shqiptarë dhe Sllavë”, “Albanais et Slaves”, që qe botuar, së pari, në frëngjisht në Lozanë më 1919. (Këtu po përdor formën si e shkruante emrin e tij dhe atë që e gjeta në shtypin francez jo Mit’hat Frashëri por Midhat Frashëri, po ashtu, siç e shkruante në frëngjisht).

Ishte koha e Luftës të Kosovës, situata e impononte, por, duke punuar mbi përkthimin, mbeta i mbërthyer nga analizat e tij të thella, botëkuptimi dhe literatura, si dhe tezat e tij origjinale, për raportet mes dy kombeve të mëdhenj të Ballkanit, midis shqiptarëve dhe sllavëve. Teza të cilat kanë vlerë edhe sot kur flitet për rishikimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Ajo ese është një vepër gur themeli, ashtu si janë edhe ato për Epirin.  Kur ke mbaruar së lexuari atë vepër, të mbetet në mendje urimi dhe vlerësimi se, pikërisht, Midhat Frashëri, ky i anatemuari i madh si tradhtar, mbetet padyshim, jo vetëm një patriot i madh, por dhe ndër themeluesit tanë të historiografisë dhe të analizës historike shqiptare.

“Nëse në mjaft vepra të tij, nëse në mjaft ligjërata të mbajtura në Paris e Gjenevë tërhoqën vëmendjen e intelektualëve të viteve 20-të, kjo padyshim, vjen nga qartësia dhe pjekuria meditative e këtij apostulli të shqiptarizmës, në pasqyrimin, vlerësimin  dhe ardhmërinë e situatave tepër të vështira, “Në çdo fjalë të birit të Frashërllinjve, veçmas, në ato kundër grekëve dhe serbëve, nuk mund të gjesh askund qarje ankesa apo dënesa patetike. I madhi Midhat Frashëri e kishte kuptuar prej kohësh, se vetëm përmes dinjitetit, aktit të mençur diplomatik, dhe pse jo të trimërisë së popullit, çështja shqiptare do të mund të merrej në konsideratë prej fuqive të kohës, kjo është e vetmja rrugë e atyre popujve të vegjël që e duan lirinë, dhe në këtë rrugë ai ishte dhe mbeti kalorës nderi gjer në çastin e mbramë”, shkruante Eugen Shehu, në parathënien e tij me titull “Apostull i shqiptarizmës” për librin, në fjalë, “Shqiptarë dhe Sllavë” përkthyer prej meje dhe botuar nga shtëpia botuese “Koha” në vitin 1998.

Regjimi komunist Mithat Frashërin, këtë trashëgimtar i denjë i Rilindjes kombëtare, e ka etiketuar atë gjithnjë me njollosjen si “reaksionar”, madje edhe “tradhtar” të kombit. Dhe kë pra? Midhat Frashërin, djalin e Abdyl Frashërit! Midhat Frashërin e Kongresit të Manastirit ku së bashku me At Gjergj Fishtën vendosën themelet e alfabetit shqip! Midhat Frashërin e Konferencës së Paqes në Paris edhe aty së bashku me Mehmet Konicën, At Gjergj Fishtën e Mons. Luigj Bumçin për të mbrojtur të drejtat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve! Midhat Frashërin, i cili me fjalime e shkrime, nëpër konferenca ndërkombëtare dhe me deklaratat e tija në gjuhë të ndryshme, me fanatizëm ka mbrojtur të drejtat e Shqipërisë dhe të Kombit shqiptar! Dhe askush tjetër sa emri dhe figura e Midhat Frashërit nuk ka krijuar një dyzim në histori në politikën por edhe në letërsinë dhe filozofisë shqiptare sa ai. Shqipëria është ende e ndarë pro dhe kundër tij edhe tashmë që pritet që më 10 nëntor në SHBA dhe 14 nëntor në Tiranë të zhvillohen dy ceremonitë e zhvarrimit të eshtrave dhe të varrimit e tij në tokën për të cilin e la amanet në vitin e largët 1949.

Për të paraqitur dhe vlerësuar figurën e tij ja vlen të sqarohet qëndrimi, strategjia, inteligjenca diplomatike për të fituar me mjetet e së pamundshmes të mundshmen,  që ai mbajti në ruajtjen e kufijve kombëtarë, nga pushtimi i ndërhyrjes së Federatës-Serbo-Kroate- Sllovene, ku ushtritë serbe dhe me ndërmjetësinë e Marka Gjonit kishin hyrë thellë në Shqipërinë Veriore dhe kishin krijuar të ashtuquajturën Republikë të Mirditës. Ishte viti 1921 pas humbjes të Kosovës dhe trojeve të tjera e gjithë Shqipëria e Veriut rrezikonte të bindte në duart e serbëve por si mundi një burrë shqiptar të shpëtonte Atdheun?

 

Republika separatiste e Mirditës

Republika e Mirditës ka qene lëvizja separatiste më antishqiptare që ka ndodhur ndonjëherë mes shqiptareve. Mbas vdekjes te Preng Bib Dodë Pashës që nuk la trashëgimtar biologjik, qeverisjen politike të Mirditës e mori “kapedan” Gjon Markagjoni. Shteti Shqiptar, kishte vetëm 9 vite që kishte shpallur pavarësinë dhe ishte akoma ne procesin e njohjeve diplomatike nga shtetet e huaja. Kufiri ndarës verior i Shqipërisë që ishte caktuar nga Fuqitë e Mëdha ne vitin 1913, nuk ishte pranuar akoma nga fqinjët tanë. Serbia po bënte përpjekje maksimale për të sabotuar procesin e njohjeve diplomatike të Shqipërisë. Synimi i saj, ishte ose shkatërrimi i plotë i shtetit shqiptar dhe me mbrapa, copëtimi i Shqipërisë mes fqinjëve te saj, ose krijimi artificial i një minishteti mbi baza fetare që do ta dobësonte akoma me shume shtetin shqiptar. Kjo ishte situata politike në Shqipëri, kur në 17 Korrik të vitit 1921, Gjon Markagjoni, mblodhi në një takim krahinor në Prizren të gjithë krerët e 12 bajraqeve të Mirditës dhe shpalli Republikën Separatiste Antishqiptare të Mirditës. Sigurisht, shpallja e pavarësisë të krahinës të Mirditës, erdhi jo vetëm në një kohë të vështirë për shqiptarët, por kjo lëvizje separatiste me motive te qarta fetare, u nxit e financua edhe nga Serbia.

Republika Separatiste e Mirditës doli ne skenë në momentin më delikat për shqiptarët, se në këtë periudhë (Nëntor 1921), komuniteti ndërkombëtar po vendoste përfundimisht për kufirin zyrtar te Shqipërisë. Gjatë kësaj periudhe, Serbia e autorizuar edhe nga vetë “presidenti” Gjon Markagjonit, kishte shpallur një ofensivë diplomatike dhe denonconte Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve, me akuza absurde, sikur shteti shqiptare po u grabiste tokat katolikëve të Mirditës dhe ia dhuronte ato agallarëve myslimanë shqiptarë. Serbia ishte shprehur se; “në Shqipëri ekzistojnë dy qeveri, kurse vet shqiptarët janë të ndarë mes tyre e nuk mund të bashkëjetojnë kurrë së bashku”.

Veç interesave evropiane pas përfundimit të Luftës së Parë botërore, Evropa i druhej një zjarri të ri në Ballkan, dhe i druhej sidomos hapjes të plagëve të vjetrave pasi nuk ishin mbyllur ende plagët e Luftës së Parë Botërore. Në këtë atmosferë qeveria shqiptare paditi Mbretërinë Serbo-Kroate-Sllovene në lidhjen e Kombeve dhe një rol të pa diskutueshëm pati diplomacia që luajti Midhat Frashëri.

Midhat Frashëri dhe beteja diplomatike shqiptaro -serbe

“Një tablo të kësaj lufte diplomatike në Lidhjen e Kombeve e gjejmë në Shtypin francez të kohës, shkrimi më i plotë i kësaj ngjarjeje  tregohet në revistën e specializuar diplomatike  “ L’Europe nouvelle”,  Paris 26 nëntor 1921, me titull “L’affaire d’Albanie “  Çështja e Shqipërisë ” e cila e përkufizon këtë debat si një , ” Sesion i posaçëm i Këshillit që ishte një dramë me tre akte dhe një prelud.” Në fakt, ky ishte një gjykim në arbitrazhin e Lidhjes së Kombeve, ku vendet anëtare paraqisnin ankesat e tyre para fuqive të mëdha garantuese të Lidhjes së Kombeve.

Të mërkurën, më 16 nëntor 1921 , ishte një preludi, i cili u hap me kërkesën e z. Fisher, përfaqësuesit të Britanisë së Madhe, mbështetur nga konti Bonin-Longare, përfaqësues i Italisë, pas kësaj hyrjeje Këshilli vendosi të dalë në sesion me dyer të hapura. Të enjten në mëngjes, u mbajt sesioni i parë publik. Ku një turmë Ishte mbledhur në hotelin Petit-Luksemburg, ku u zhvillua një spektakël i ri rreth një qilimi të gjelbër, ku u ulën tetë anëtarët e Këshillit, në kolltukët  e tyre të artë; ndërsa në karriget më modeste u takuan katër paditësit, dy serbë, dhe dy shqiptarë, të ndarë në dy grupe të veçuara vetëm nga përkthyesit.”

Të gjitha këto akuza te rreme te Serbisë dhe përfaqësuesve të Gjon Markagjonit u kundërshtuan fuqishëm nga Britania e Madhe qe e revoltuar i kërkoi Serbisë të ndalte menjëherë përkrahjen diplomatike e financiare qe i jepte Republikës te Mirditës, ose në të kundërt do të përballej me sanksione te renda dhe ndoshta edhe me luftë. Ky kërcënim serioz që iu bë Serbisë nga fuqia me e madhe e kohës, e detyroi Serbinë të tërhiqej menjëherë nga përfaqësimi politik në arenën ndërkombëtare Republikës të Mirditës dhe të ndërpriste urgjentisht të gjitha ndihmat që i jepte separatistit Gjon Markagjoni. Me kërkesë e Kryeministrit Britanik, Lloyd George, Lidhja e  Kombeve u mblodh në një seancë të jashtëzakonshme dhe te gjitha shtetet pjesëmarrëse ne këtë takim, afirmuan njëzëri paprekshmërinë e kufijve të Shqipërisë, të caktuara nga Fuqitë e Mëdha ne vitin 1913. Një seri krizash të politikës së jashtme i dhanë Lloyd George, shansin e tij të fundit për të mbajtur udhëheqjen kombëtare dhe ndërkombëtare. Gjithçka shkoi keq. Lidhja e Kombeve mori një fillim të ngadalshëm dhe ishte kryesisht joefektiv. Sistemi funksionoi dobët. Asambleja e ambasadorëve u anulua në mënyrë të përsëritur dhe u shndërrua në një entitet tjetër dhe kjo shihej nga kryeministri britanik si një mundësi për të pasur në dorë frenat e politikës së jashtme pas Luftës së Parë Botërore. Këtë situatë me intuitën e tij diplomatike diti si ta kuptonte dhe ta shfrytëzonte me intuitë në favor të Shqipërisë Midhat Frashëri.

Sipas gazetës, “L’Europe Nouvelle” z. Fisher e mori fjalën që në fillim. Ai rikujtoi nenin 12 të Konventës, sipas së cilës, anëtarët e Lidhjes e kishin pranuar, nëse midis tyre u ngrihej një mosmarrëveshje që mund të shkaktonte një pushim, ose në procedurën e arbitrazhit ose në shqyrtimin nga ana e Këshillit. Ky qëndrim ishte larg nga ashpërsia e nenit 16, i cili ishte vendosur kundër serbëve z. Lloyd George  më 7 nëntor. Tani sikur ishin pajtuar, që të mos zbatohet bllokada kundër shtetit serbo-kroat -slloven. Është e vërtetë se Z. Fisher numëroi si arsye të qëndrimeve të ashpra britanike ndaj serbëve faktin, ku dukej se Beogradi dëshironte ta shkëpuste Shqipërinë e Veriut nga qeveria e Tiranës, duke inkurajuar disa udhëheqës rebelë katolikë shqiptarë, si  Marka Gjoni për të shpallur një Republikë të pavarur në Mirditë.

Te premten, më 18 nëntor, z. Boskoviç-i, (përfaqësuesi serb)në emër të Qeverisë së Serbisë, protestoi kundër procedurës së Konferencës së Ambasadorëve, e cila, sipas tij, krijoi një vijë kufitare pa u thirrur përfaqësuesit e të dy shteteve, në fjalë. Ai gjithashtu, tha se përdorimi i nenit 16-të , që ishte  përmendur, në takim ishte veçanërisht i dhimbshëm, sipas vetëvlerësimin të vendit të vet. Më pas ai u shpërndau anëtarëve të Këshillit një hartë, në të cilën paraqitej në mbështetje të tezës së tij linja e armëpushimit Franchet d’Espérey, që qe përdorur në caktimin e kufijve të vitit 1913.

Midhat Frashëri, delegati shqiptar, ngriti zërin e tij me një frëngjishte elokuente pa asnjë të metë. Ai me fjalë të zjarrta nga shpirti gërshetoi në paraqitjen e tij, mjerimin e madh të Shqipërisë, nga ndryshimet e vijës kufitare, nga ana e serbëve,  të vendosur qysh nga armëpushimi i vitit 1913, që ai e përshkroi “jo si rrugë automobilash, por vetëm si një vijë elastike, hipotetike kufiri”. Sa për Marka Gjonin, ai tha, se ai kishte hyrë në territorin shqiptar, me trupat e paguara nga qeveria serbe. “Pasi nuk ka as trupa, as fabrika Schneider në Mirditë. Atëherë, cili është burimi magjik i fuqisë së Marka Gjonit? “-

 

Pastaj M. Frashëri u ul përsëri, dhe pasi iu shpërndau anëtarëve të Këshillit një hartë në të cilën paraqiteshin kufijtë e vitit 1913, dhe linjat e armëpushimit ,etj. dhe sqaroi se ku ai e mbështeste tezën e tij”.

Ndërsa në gazetën franceze “Le Temps”  me titull “Rasti i Shqipërisë”,  Paris, 18 nëntor 1921 sqarohej qëndrimi anglez. Ambasadorët kishin paraqitur disa korrigjime miqësore brenda kufijve të Shqipërisë, të hartuara në vitin 1913, sepse kishin frikë nga mundësitë e çrregullimit në kufirin verior të Shqipërisë, për sa kohë autoriteti i qeverisë së Tiranës të ishte shtrirë plotësisht në të gjithë Shqipërinë.

Qëndrimi britanik i kryeministrit Loyjd George kundër Serbisë

Qeveria britanike, duke përmendur disa artikuj në shtypin serb në lidhje me luftimet në rajonet kufitare të Shqipërisë, arriti në përfundimin se duhet të kishte një plan serb për ta shkëputur Shqipërinë e Veriut nga qeveria e Tiranës, duke inkurajuar disa udhëheqës rebelë të fiseve të Mirditës që të revoltoheshin dhe të shpallin një Republikë të pavarur. Fisheri paraqiti provat e armatosjes së trupave në Mirditë dhe paraqiti faktin se bastisësit mirditas u larguan nga territoret të ndodhura nën pushtimin ushtarak jugosllav dhe mes tyre pati edhe trupa ruse të bardhë që qenë pjesë e kuotave të e ushtrisë Wrangelit. Nga ana tjetër, dëshmitë në duart e qeverisë britanike tregonin se masa më e madhe e popullsisë, duke përfshirë udhëheqësit e Kishës së katolike ishin në favor të një Shqipërie të bashkuar dhe se nacionalizmi shqiptar është më i fuqishëm se afinitetet fetare. Prandaj, duket, përfundonte z. Fisher, se dëshira për të krijuar një Republikë të pavarur në Mirditë është vetëm një pretekst për t’u përdorur nga serbët, kundër Shqipërisë.

  1. Fisher kritikoi sjelljen e trupave serbe në territorin që ata zunë në Shqipëri pas armëpushimit në urdhrin e komandantit të përgjithshëm të trupave aleate, dhe përmendi një telegram nga Konsulli britanik në Durrës, sipas të cilat një numër i madh fshatrash shqiptare ishin shkatërruar, nga trupat jugosllave. Në mbyllje, Z. Fisher shprehu shpresën se këto incidente mund të zgjidheshin shpejt. Ai shprehu kënaqësinë ai kishte ndjerë pasi kishte mësuar se qeveria serbe-kroate sllovene pranuan vendimin e Konferencës së Ambasadorëve për kufijtë dhe shtoi se ai kishte tërhequr shpejt dhe mjaft nga trupat jugosllave nga kufijtë e tyre”.

Jugosllavia ndoqi një politikë grabitqare ndaj Shqipërisë, dhe pasi banoret e fiseve shqiptare u përleshën me forcat serbe që kishin pushtuar pjesën veriore të vendit, trupat jugosllave pushtuan vendin, duke djegur fshatrat dhe vrarë dhe dëbuar civilët. Beogradi pastaj rekrutoi Gjon Markagjoni, i cili udhëhoqi fiset e tij katolike Mirdite në një rebelim kundër regjimit dhe parlamentit. Markagjoni shpalli themelimin e një Republike të pavarur në “Mirditë” me qendër në Prizren, i cili kishte rënë në duart e Serbisë, gjatë Luftës së Parë Ballkanike. Së fundi, në nëntor të vitit 1921, trupat jugosllave pushtuan territorin shqiptar përtej zonave që tashmë i kishin pasur pushtuar. I zemëruar nga  sulmin jugosllav të Beogradit, Lidhja e Kombeve dërgoi në komisionin e përbërë nga përfaqësues të Britanisë, Francës, Italisë dhe Japonisë që rikonfirmuan kufijtë e Shqipërisë të vitin 1913. Jugosllavia u ankua me hidhërim, por nuk kishte zgjedhje tjetër, veçse të tërhiqte trupat e saj. E ashtuquajtura Republika e Mirditës u zhduk, sipas burimeve të Bibliotekës Amerikane të Kongresit.

I madhi Midhat Frashëri e kishte kuptuar prej kohësh, ai i njihte dhe i shfrytëzoi divergjencat mes fuqive ai e dinte se në kushtet e një vendi të vogël si Shqipëria ,vetëm përmes dinjitetit, aktit të mençur diplomatik, dhe pse jo të trimërisë së popullit, çështja shqiptare do të mund të merrej në konsideratë prej fuqive të kohës, dhe kësaj teze i qëndroi gjer në fund.

Fuqitë e mëdha të lodhura me Ballkanin

“Duket se dialogu shqiptaro-serb mund të vazhdonte për një kohë të gjatë akoma. Por Z. Fisher, Markezi Imperiali, z. Leon Bourgeois flisnin vazhdimisht mes tyre. Dhe asnjë prej tyre nuk dëshironte të shikonte hartat ose të shkonte prapa.  Ndërkohë kryeministri serb Pashiç dërgoi telegraf nga Beogradi, se edhe përkundër protestave dhe kërkesave për sqarime, ai e pranonte kufirin e ri të Ambasadorëve dhe se pranonte që territoret e pushtuara nga trupat jugosllave do të evakuoheshin pa vonesë?

Ndërsa M. Bourgeois shtoi se “është e padobishme të nxiten nga hiri gacat që mund të shkaktonin, flakë pasi që të dyja palët pranonin kufijtë e Konferencës së Ambasadorëve.” Për të siguruar paqen e botës, është e nevojshme të dimë se si të ngrihesh mbi dallimet e vogla që mund të ekzistojnë midis fqinjëve.”, shtoi ai .

Akti i tretë dhe i fundit i Këshillit ishte miratimi një projekt-rezolute më 13 nëntor. Duke vënë në dukje deklaratat pajtuese nga qeveritë shqiptare dhe serbo-kroate-sllovene, që ajo i jepte Komisionit Hetimor të drejtën të dërgonte në Shqipëri një komision me udhëzimet e mëposhtme. Komisioni do të raportonte në Këshill e tërheqjen e trupave jugosllave. Nga kufiri shqiptar në të dy anët e zonës së demarkacionit të përkohshëm të parashikuar nga vendimi i Konferencës së Ambasadorëve më 18 nëntor. Komisioni do të ruante  marrëdhëniet me Komision kufitar, dhe në qoftë se ishte e dobishme, dhe do t’i  vinte në rezultatet në dispozicion të autoriteteve lokale për të lehtësuar evakuimin, në mënyrë që për të shmangur ndonjë incident. Më në fund, Komisioni do të siguronte  që asnjë ndihmë nga jashtë nuk do të vinte për të ndihmuar rebelët shqiptarë.

Arritja ne këtë përfundim, sipas “Les Temp” të datës 8 nëntor 1921 u bë pas tërheqjes së delegatit serb z. Boskoviç,( delegat i shtetit serb-kroato- slloven), që tha se trupat serbe nuk kishin tentuar ndonjëherë për të avancuar përtej vijës së demarkacionit, të asaj që ekzistonte që prej përfundimit të luftës, dhe argumentuan se iniciativa luftarake ishte marrë nga trupat shqiptare. Dhe se  z. Boskoviç e përfundonte prezantimin e tij, duke deklaruar se qeveria e tij do të kishte ishte e lumtur të shihte një farë garancie për fiset e krishtera të Shqipërisë së Veriut.

Si i mundi Midhat Frashëri diplomatët serbë

Ndërsa sipas shkrimit të gazetës së përditshme politike franceze “ La Lanterne “, Paris, 18 nëntor ,1921  me titull “Këshilli i Lidhjes së Kombeve, merret me çështjen shqiptare” shkruhej “Z. Midhat Frashëri, përfaqësues i qeverisë shqiptare, afirmoi vullnetin e Shqipërisë, …” pastaj kundërshtoi pohimet e delegacionit serb. Ai mohoi se fshatrat e shkatërruara ishin të përfshira në territorin serb, brenda së ashtuquajturës vijën të demarkacionit dhe ai pohoi se, sipas një deklarate të bërë nga një delegat në Gjenevë përpara Lidhjes së Kombeve, se këto fshatra , ishin në fakt, të vendosura përtej kësaj linje.”
Midhat Frashëri, përfaqësuesi i qeverisë shqiptare, sipas  “Les Temps” afirmoi vullnetin e” Shqipërisë, e cila është i mbuluar nga shkatërrimet e luftës edhe pse popullsia e saj është e vendosur për të jetuar në harmoni me fqinjët e saj. Qeveria e Tiranës ka dhënë shumë prova për këtë vullnet paqësor, por e sheh veten të detyruar të mendojë për parandalimin e kthimit të ngjarjeve të ngjashme me ato nga të cilat ajo ka vuajtur”. Përfaqësuesi i Shqipërisë “u shpreh i kënaqur që po dëgjonte nga qeveria në Beograd se forcat e saj do të evakuoheshin  së shpejti nga territoret shqiptare, por përvoja e hidhur e së kaluarës i çonte shqiptarët të sugjerojnë, krijimin e një komisioni të përhershëm të kufirit që do të përfshinte një zyrtar shqiptar, një serb dhe një delegat të emëruar nga Lidhja e Kombeve, dhe se misioni i të cilit do të ishte monitorimi i kufijve shqiptaro-serbë dhe parandalimi i çdo ngjarje që mund të prishte paqen. Luftimet në këto zona i kushtuan Shqipërisë 7 milionë franga ari, duke mos llogaritur humbjet (e 150 fshatrave të shkatërruara), për cilat Shqipëria rezervonte të drejtën për të kërkuar reparacione. Si rezultat qeveria jugosllave iu nënshtrua procedurës së Këshillit të Lidhjes së Kombeve.

Në takimin e mëngjesit, Konferenca e Ambasadorëve pohoi se kishte marrë një telegram nga Kryeministri i Shtetit Serbo-Kroat-Slloven, Z. Pashiç, në lidhje me vendimin e Fuqive lidhur me Shqipërinë.  Pashiçi ankohej se vendimi i kufirit shqiptar, nuk ishte marrë me pëlqimin e Qeverisë Mbretërore. dhe se  procedura e miratuar krijon një atmosferë kërcënuese të ngjashme me  ultimatumet. Në fund Z. Léon Bourgeois. mori në konsideratë, në emër të Këshillit, pranimin që dy qeveritë, që ngritën një protestë, kishin arritur me vendimit e Konferencës së Ambasadorëve.

Mbas këtij vendimi të Lidhjes se Kombeve , trupat ushtarake te Shtetit Shqiptar u dërguan menjëherë ne veriun e Shqipërisë për te shtypur me dhunë lëvizjen separatiste antishqiptare. Me mbërritjen në Mirditë të trupave ushtarake qeveritare shqiptare, Republika Separatiste Antishqiptare e Mirditës (qe pati një jetëgjatësi vetëm pesë muajshe) u shkri menjëherë, kurse të gjithë kryetaret e 12 bajraqeve u tërhoqën ne panik dhe pa luftë në shtëpitë e tyre. Sigurisht qeveria e kohës bëri disa arrestime mes titullarëve te kësaj republike, kurse vet Gjon Markagjoni ja mbathi dhe u fsheh ne Prizren i mbrojtur nga Serbia qe ai ne deklaratën e tij te turpit e quante një popull vëlla.

Përsiatje për një epilog

Midhat Frashërin e kanë akuzuar si nacionalist, por nuk duhet harruar se  kombet nacionalizmi i së cilëve është shkatërruar janë subjekte për t’u rrënuar. Por Midhati ishte patriot, pse e donte popullin e vet dhe jo nacionalist pse urrente kombet e tjera. Po e përforcoj këtë mendim me një citat të tij ,nga libri “Shqiptarë dhe sllavë “ Në se do të bazohemi në të drejtat historike, ne duhet të njohim si Shqipëri të gjithë territorin që zinin fiset iliro-epirioto– maqedone, atëherë do të duhej jo të kufizohej shtrirja e Shqipërisë, por të zmadhohej përtej kufijve që kërkojnë shqiptarët. Sepse, çfarë është në fakt e drejta e grabitur përmes një pushtimi në krahasim me të drejtën, më të madhe, më natyrale që shqiptarët kanë mbi këto vise ? Për këtë racë, e drejta historike ndodhet në harmoni me të drejtën aktuale si e shkuara me të tashmen”, “Shqiptarë dhe sllavë”, faqe 89.

Burimet

 

Mithat Frashëri “Shqiptarë e sllavë”, përkthyer nga frengjishtja “Albanais et slaves” nga Rafael Floqi, Shtëpia botuese Koha, Tiranë 1998

“ L’Europe nouvelle  Paris 26 Novembre 1921, “La question albanaise”

Le Temps,  Paris, 18 nëntor 1921

“Au Conseil de la S.D.N”, Le Petit journal, 1921/11/19 (Numéro 21492).

“Le Conseil de Société des Nations s’occupe de la question albanaise “, La Lanterne: journal politique quotidien (Paris) -18- 11- 1921

https://en.wikipedia.org/wiki/Republic_of_Mirdita

Austin, Robert Clegg (2012). Founding a Balkan State: Albania’s Experiment with Democracy, 1920-1925. Toronto: University of Toronto Press.

8  Besier, Gerhard; Stokłosa, Katarzyna (2014). European Dictatorships: A Comparative History of the Twentieth Century. Newcastle upon Tyne Cambridge   Scholars Publishing.

Pearson, Owen (2004). Albania and King Zog: Independence, republic and monarchy 1908–1939. London: Centre for Albanian Studies. ISBN 1845110137.

10 Pula, Besnik (2013). “Binding Institutions: Peasants and Nation-state rule in the Albanian highlands, 1911-1939”. In Go, Julian. Decentering Social Theory. Bingley: Emerald Group Publishing. pp. 37–72.

11 Tomes, Jason (2011). King Zog: Self-Made Monarch of Albania. Stroud: The History Press.

  1. http://countrystudies.us/albania/25.htm. Library of Congress

 

 

Filed Under: Politike Tagged With: diplomacia, e Mid'hat Frashërit shpëtoi Shqipërinë Veriore, nga pushtimi serb, Rafael Floqi

Diplomacia e batutave te kryeministrit

February 23, 2016 by dgreca

Nga Enver Bytyci/

Kryeministri yne ishte ne Londer. U lodh dhe u shplodh ne nje konference te BERZH-it kushtuar zhvillimeve ne Ballkanin Perendimor. Refreni i preferuar i tij, diplomacia e batutave. Qellimi, duke u shfaqur modern te fitoje disa pike elektorale ne sjelljen e tij hoxhiste te stilizuar.
Shkurt ai tha se “Kosoves nuk i liberalizohen vizat dhe Shqiperia nuk hap negociatat e anetaresimit ne BE, sepse ne nuk e kemi Rusine. Ndersa Serbia qe e ka Rusine i merr te gjitha”. Shumekush e ka pare dhe trajtuar kete thenie te zotit Rama si nje shfaqje te llojit te Isa Boletinit. “Ia tha, bravo”!’ “Keshtu e duan keta europianet”! “Mire ua beri”! “A nuk eshte kjo e verteta”?! Te gjitha keto u thane ose u menduan ne momentin e pare te leximit te njoftimit qe dha faqja e transparences e kryeministrise sone. Por cfare nuk u tha se?
Se pari, nuk u tha, nese e kishte seriozisht apo po bente shaka kreu yne i ekzekutivit?! Nuk u tha se me ke e kishte: Me Serbine, apo me Bashkimin Europian?! Nuk u tha se ishte i kenaqur qe Kosova dhe Shqiperia nuk mbeshteten te Rusia, apo ishte xheloz pse Serbia e perdor aq mjeshtrisht kazusin e miqesise se saj me Mosken?! Nuk u tha se cfare do te thoshte me kete, mos ia bente me sy Rusise qe te afrohej me Shqiperine, me qellim qe zoti Rama t’i beje sfide Europes?! Ku fle lepuri, apo zoti kryeminister nuk e di as vete cfare thote e cfare ben?! Ka mundesi dhe kjo, te flase si ne gjume, e pastaj te thote “Jooooo, nuk kam thene asgje, ju jeni shurdher dhe injorante, madje alpine e te pandreqshem, sepse shpikni gjera pa i thene dikush”!!!
Po deklaratat e kreut te cdo qeverie ne samite te tilla e ne takme zyrtare nuk mund te trajtohen si batuta. Ato duhet te jene serioze, pasiqe batuta nuk mund te konsiderohet e tille. Deklaratat zyrtare jane e duhet te jene serioze dhe duhet te shprehin qendimin politik e diplomatik te nje vendi. Takimet nderkombetare nuk jane tallava, sic shprehet nje miku im edhe per gjera qe nuk mund te quhen te tilla.
Megjithate ajo deklarate ka dhene mesazhin e vet. Eshte e sigurt se ky mesazh nuk shkon ne adrese dhe dem te Serbise, perkundrazi ishte dhe mbetet nje pohim, i cili e ndihemon mikun e zotit Rama, kryeministrin Vucic. Kjo deklarate nuk gudulis askend ne Bashkimin Europian, sepse ne BE e dijne se nje Republike me parlament te kriminalizuar nuk mund te ulet e barabarte me republikat demokratike te kontinentit. Batutat e zotit Rama nuk sherbejne per ta cuar Shqiperine ne tavolinen e vendeve demokratike. Ato thjesht u krijojne njerezve nje iluzion, iluzionin se “kemi nje kryeminister trim e te cartun, qe ia ben tete me dy europianeve”.
Ndoshta per zotin Rama kjo eshte e mjaftueshme. Mjafton qe shqiptaret te dehen nga diplomacia e batutave te tij dhe t’i gezohen performances se kryeministrit “lider nderkombetar”! Se shkaterrohet kryeqyteti dhe kryeministri perpiqet t’i genjeje ata me nje projekt e me nje gjerman arkitekt, se ne parlement ulen kriminele te deshmuar e ne ndjekje penale, se ngrihen taksat cdo dite, se xhepat e shqiptareve mbeten bosh e per pasoje edhe kursimet ulen vazhdimisht, se shtohen te varferit, ata qe marrin ushqime me liste, se vriten njerez, se bandat bejne ligjin dhe vendosin gjoba te pafund dhe mbrohen nga oligarkia ne pushtet, se droga dhe treafiqet bejne kerdine dhe financojne mashtrimin, krimin, oligarkine, pushtetin dhe vete shtetin, te gjitha keto nuk jane ne rendin e dites. Te gjitha i tejkalon batuta e radhes e kryeministrit tone dhe keshtu jeta na rrjedh cdo dite njesoj, pa rezistence, pa aksion e reaksion, pa levizur nga vendi, duke ngrit duart lart e duke iu bere dua batutave te kryeministrit.
Dhe e gjitha kamuflohet me “te huajt”. Ne Tirane u gjet nje arkitekt gjerman qe te justifikoje shkaterrimin ekologjik te parkut te liqenit. Ne Kosove del nje “arkitekt” gjermano-kosovar qe te justifikoje shkaterrimin e marredhenieve shqiptaro-amerikane. Gjithnje keta udheheqesit tane te ndritur gjejne nje mashe per te justifikuar te keqen. Perpiqen t’i pjekin geshtenjat me duart e tjereve. Ndersa vete merren me batuta. Kur nuk u shkojne batutat, shajne e bertasin. Kur nuk shkojne keto, atehere kercenojne. Kur nuk u trembet njeri, atehere protestuesit per te drejten e tyre i quajne vandale, si ne kohen parapluraliste te Ramiz Alise.
Disa ose shume prej nesh i duartrokasim, madje u themi “Bravo”! Se sa do te shitet sapuni per djath, kjo mbetet per t’u pare. Nje gje eshte e sigurt, batuatat e Rames do te shiten per sukses, sa kohe ne kete vend do te kemi qytetare qe jetojne me patriotizmin e rreme te kryeministrit shqiptar.

Filed Under: Analiza Tagged With: diplomacia, e batutave te kryeministrit, Enver Bytyci

Diplomacia, “shtylla kurrizore” e shtetit

July 23, 2015 by dgreca

Shkruan:MSc.Eraldo MEÇALLA/
Master i Shkencave në Marrëdhënie Ndërkombëtare/
ÇFARË ËSHTË DIPLOMACIA?/
Diplomacia përbën “shtyllën kurrizore” të shtetit dhe kombit në marrëdhëniet ndërkombëtare. Bazuar tek fjalori i Oxfordit, diplomacia konceptohet si menaxhimi i marrëdhënieve ndërkombëtare me anë të negociatave. Ndërsa diplomati brtitanik Ernest Mason Satow në librin “A Guide to Diplomatic Practice”, e përkufizon diplomacinë si: “Aplikimin e inteligjencës dhe taktit, në zhvillimin e marrëdhënieve zyrtare ndërmjet qeverive të shteteve të pavarura”. Përkufizimi më i pranuar mbi diplomacinë është: Diplomacia është arti ose praktika e realizimit të marrëdhënieve ndërkombëtare nëpërmjet negociatave, traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare. Metoda me të cilën këto marrëdhënie ndreqen dhe menaxhohen nga diplomatët pra Ambasadorët dhe të Ngarkuarit me Punë, cilësohet si puna ose zehja e një diplomati. Në këtë kuptim diplomacia është instrumenti themelor në zbatimin dhe përfaqësimin e shtetit në politikën e jashtme, kjo realizohet nga diplomati i cili përfaqëson shtetin dërgues dhe zbaton politikën e jashtme në shtetit e akredituar. Diplomati britanik dhe teoricienti Sir Harold Nicolson, deklaron: “Diplomacia nuk është shpikje e as kalim kohe për ndonjë sistem politik të veçantë, por është element thelbësor në çdo marrëdhënie të arsyeshme ndërmjet njerëzve me njerëzit dhe kombeve me kombet”.Cila është origjina e fjalës diplomaci ? Në aspektin historik fjala “diplomaci” vjen nga greqishtja e vjetër, që nënkupton një dokument me dy fletë, këtë koncept e morën dhe e zhvilluan romakët e vjetër, e cila mori formën e një leje pra dokument udhëtimi metalik i hollë i palosur në dy fletë. Kjo leje evoloi dhe u quajt “Diploma”, më vonë me ruajtjen, shpjegimin dhe arkivimin e këtyre dokumenteve vijmë në shekullin e 17-të, ku quhet “Res Diplomatica” dhe më pas në futjen e termit në diplomaci që nënkupton traktate dhe marrëveshje të ndryshme që nënshkruhen ndërmjet shteteve. Termin “Diplomaci” për herë të parë e ka përdorur në vitin 1796, Edmund Buke në Britaninë e Madhe. Ku dhe kur lindi diplomacia ? Diplomacia ka pasur një rrugëtim të gjatë historik si teori dhe praktikë që lidhet me thellësinë e shekujve e me shtetet antikë si Kina, Roma e vjetër, Greqia e lashtë. Vetë diplomacia ka lindur nga lufta, nevoja për paqe, komunikim, kompromis për çështje jetike si territoret dhe uji në komunitetet primitive parashtetërore. Ndërsa formën e saj më të qartë dhe të konsoliduar ajo e merr me krijimin e qytet-shteteve Greke, konkretisht në vitin 432 para erës së re që mund të quhet edhe si lindja e diplomacisë. Në këtë periudhë Sparta përveç luftës, përdori diplomacinë dhe krijoi aleancën e parë të quajtur “Liga e Peloponezit”, lindi lidhja shtet me shtet, bisedimi, komunikimi dhe përpjekja për ngritjen e një sitemi diplomatik. Në këtë kohë kishim edhe përfaqësuesit e parë diplomatik në Greqi në formën e lajmëtarit, negociatorit dhe konsullit që ishin: 1.) Angeles – Prezbys. 2.) Keryx. 3.) Proxenos. Zhvillimi historik i diplomacisë erdhi nga “Greqia e Lashtë”, “Roma e Vjetër” ndërsa në mesjetë kontributi erdhi nga “Perandoria Bizantine”, vazhdoi në mesjetën e vonë me “Rilindjen Europiane” që lidhet drejtëpërsëdrejti me Italinë, Fierencën dhe Milanon. Në këtë kohë lindi edhe termi “Ambasador” dhe u bë dërgimi i ambasadorit të parë nga Duka i Milanos në vitin 1455, sigurisht u zhvillua edhe teoria dhe praktika e diplomacise nga Nicolo Machiavelli i cili në vitin 1515 shkroi “Princin” dhe njihet për shprehjen “qëllimi justifikon mjetin”. Në fund të shekullit të 16 dhe fillim të shekullit 17, filloi etape e re për diplomacinë me kontributin e Francës së Luigjit 13-të dhe me Cardinalin Richalieu që njihet si sinonimi i “Raison d’etat” (Arsyeja Shtetërore). Richalieu për herë të parë krijoi institucionin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe pas Francës u krijua në Britanine e Madhe dhe SHBA. Në gjysmën e shekullit të 17 në vitin 1648 në “Kongresin e Vestfalisë” përfundoi edhe lufta 30-të vjeçare dhe u shënua fillimi i “Diplomacisë Klasike Europiane”, e cila vendosi funksionin e misionit diplomatik të përhershëm. Në vitin 1789, Franca përjetoi “Revolucionin Francez” i cili ishte në kundërshtim me parimet e “Kongresit të Vestfalisë”, ndryshimet për diplomacinë vazhduan në vitin 1850 me “Kongresin e Vjenës”, Aleancën e Shenjtë, Koncertin e Europës të cilët u përpoqën për krijimin e Rendit të Ri Europian. Shekulli i 19 ishte i qetë, por kjo mori fund me fillimin e Luftës së I-rë Botërore në vitin 1914, këtu “Diplomacia Klasike” njeh lulëzimin e saj më të madhë dhe njihet si Diplomacia e Vjetër, Tradicionale ose e Oborreve. Etapat kryesore të zhvillimit të diplomacisë janë: 1.) Diplomacia klasike nga viti 1648 me Kongresi i Vestfalisë deri në Luftën e I-rë Botërore. 2.) Diplomacia Moderne nga mbarimi i Luftës së I-rë Botërore në vitin 1918, vazhdon me Luftën e II-të Botërore në vitet 1939 – 1945 deri në fillimin e viteve 1980 – 1990 , pra me përfundimin e Luftës së Ftohtë. 3.) Diplomacia Postmoderne filloi pas vitit 1990, pikërisht me “Rendin e Ri Ndërkombëtar”. Ligji ndërkombëtar për kodifikimin e së drejtës moderne diplomatike dhe për mbrojtjen e diplomatëve u sanksionua përfundimisht në Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike e vitit 1961 dha në Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore në vitin 1963. Aty përcaktohen marrëdhëniet diplomatike ndërmjet shteteve, specifikohen priviligjet dhe imunitetet e diplomatëve dhe misionit diplomatik që të jenë të lirë në ushtrimin e profesionit. Qartësisht kjo konventë është guri themelor për diplomacinë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Tre janë kategoritë e Krerëve të Misioneve Diplomatike sipas studiuesit Ralph G. Feltham në librin “Diplomacia”, si më poshtë: 1.) Ambasadorë, nuncë apostolike krerë të tjerë misionesh në rang të njëjtë. 2.) Të dërguar, ministra të jashtëzakonshëm dhe ministra fuqiplotë. 3.) Ministra resident. 4.) I ngarkuar me punë. Këto kategori të mësipërme janë përcaktuar që nga Kongresi i Vjenës, i cili themeloi shërbimin diplomatik. Në bazë të Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike e vitit 1961, këto janë funksionet e diplomatit: 1.) Përfaqësimi i shtetit dërgues në shtetin pritës. 2.) Mbrojtja në shtetin pritës e interesave të shtetit dërgues dhe e shtetasve të tij, brënda kufijve të lejuar nga e drejta ndërkombëtare. 3.) Negocimi me qeveritë e shtetit pritës. 4.) Informimi me të gjitha mjetet e ligjshme për kushtet dhe zhvillimet në shtetin pritës dhe raportimi lidhur me ato të qeverisë së shtetit dërgues. 5.) Nxitja e marrëdhënieve miqësore ndërmjet shtetit dërgues dhe shtetit pritës, si dhe zhvillimi i marrëdhënieve të tyre ekonomike, kulturore dhe shkencore. Aparati i posacëm shtetëror për zbatimin e diplomacisë përfshinë Politikën e Jashtme të shtetit, Ministrinë e Punëve të Jashtme, Shërbimet Diplomatike dhe Shërbimet Konsullore. Format dhe llojet e diplomacisë kanë evoluar, por disa nga më të rëndësishmet janë këto: 1.) Diplomacia Klasike. 2.) Diplomacia Moderne. 3.) Diplomacia Postmoderne. 4.) Diplomacia Tradicionale. 5.) Diplomacia e Fshehtë. 6.) Diplomacia e Hapur. 7.) Diplomacia Dypalëshe.8.) Diplomacia Shumëpalëshe. 9.) Diplomacia e Samiteve. 10.) Diplomacia Bërthamore.11.) Diplomacia Ushtarake dhe e Mbrojtjes. 12.) Diplomacia Parlamentare. 13.) Diplomacia Ekonomike. 13.) Diplomacia Kulturore. 14.) Diplomacia Personale. 15.) Diplomacia Tranzitore. 16.) Diplomacia Shtërnguese. 17.) Diplomacia e Qetë. 18.) Diplomacia Zyrtare. 19.) Diplomaci Publike. 20.) Diplomaci Qytetare. Diplomati amerikan Leon B. Poullada, bënë këtë klasifikim të funksioneve të diplomacisë: 1.) Menaxhimi i konfliktit. 2.) Zgjidhja e problemeve. 3.) Ndërveprimi ndër-kulturor për një gamë të gjërë çështjesh. 4.) Negocimi dhe marrëveshja. 5.) Menaxhimi i programit dhe i vendimeve të politikës së jashtme të një shteti tjetër. Sudiuesit Hans J. Morgenthau në librin “Politika ndërmjet Kombeve” i vitit 2008, përcakton tre funksione bazë të diplomatit për qeverinë e tij përgjatë shërbimit diplomatik: 1.) Funksioni Simbolik. 2.) Funksioni Ligjor. 3.) Funksioni Politik.
Diplomati është personi që emërohet nga shteti dërgues për të përfaqësuar dhe zbatuar Politikën e Jashtme në shtetin e akredituar me mision diplomatik. Këtu përfshihen Shtetet, Organizatat Ndërkombëtare, Institucionet Ndërkombëtare, Organizatat Rajonale, Organizatat Jo-Qeveritatare dhe Organizatat e Mbrojtjes dhe Sigurisë. Për shkak të rëndësisë së detyrës diplomati duhet të posedojë dhe zotërojë njohuri shumëdimensionale në këto drejtime:1.) Njohuri eksperti për gjeografinë, historinë, kulturën, institucionet, politikën, ekonominë, demografinë, burimet njerëzore, bujqësinë, financën, industrinë. 2.) Aftësi profesionale intelektuale për analizë, raportim, bisedim, negocim, përfaqësim, drejtim misioni, komunikim, prezantim në televizione dhe gjuhën e huaj përgjatë zbatimit të politikës së jashtme. 3.) Cilësi vetjake i sjellshëm, i qetë, i përshtatshëm, kurioz, i shkathët, kërkohen cilësi dhe njohuri të rralla për të qënë një diplomat i përkryer. Konventa e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike e vitit 1961, e përcakton në këtë mënyrë përbërjen e personelit të misionit diplomatik: 1.) Kreu i misionit. 2.) Pjesëtarët e misionit. 3.) Pjesëtarët e personelit të misionit. 4.) Pjesëtarët e personelit diplomatik. 5.) Agjenti diplomatik. 6.) Pjesëtar i personelit adminisrativ dhe teknik. 7.) Pjesëtar i personelit të shërbimit. 8.) Punonjës privat.
Së fundi, mendimtarët e mëdhenj si Nicolo Machiavelli, Francesco Gurcciardini, Hugo Grotius, Cardinal Richalieu, Abraham de Wicquefort, Ernest Mason Satow, Sir Harold Nicolson dhe Henry Kissinger kanë lënë një ndikim të rëndësisë epokale për zhvillimin e diplomacisë, secili kontriboi në konceptimin teorik dhe praktik të diplomacisë. Sidoqoftë diplomacia është përshtatur, përshtatet dhe do të përshtatet me të gjitha zhvillimet dhe të papriturat që rezervon e ardhmja e marrëdhënieve ndërkombëtare. Siguria dhe paqja ndërkombëtare bazohen fortë tek diplomacia sepse me anë të diplomacisë mund të forcohet sistemi ndërkombëtar, e drejta ndërkombëtare dhe respektimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në të gjithë globin. E ardhmja e diplomacisë është Diplomacia Globale, Diplomacia Kolektive, Diplomacia e Samiteve, Diplomacia Publike gjithmonë me hapin e kohës, sepse siç shprehet Hans J. Morgenthau: “Diplomacia është truri i pushtetit shtetëror”.

Filed Under: Analiza Tagged With: diplomacia, Eraldo Mecalla, kombi, marrdheniet nderkombetare, shteti

Thaçi:Kosova ka nevojë për të menduarit si të bëhen gjërat më mirë

July 10, 2015 by dgreca

-Kryediplomati kosovar në “Croatia Forum 2015”: Zhvillimi është kusht për paqe të qëndrueshme/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 10 Korrik 2015- Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë prezantimit të tij në “Croatia Forum 2015”, në Dubrovnik, Kroaci, është shprehur se Kosova ka nevojë për përkrahje në zhvillimin ekonomik meqë ka shumë vite që ka lënë prapa fazën e krizës.
Duke folur për përvojën e Kosovës në kuadër të asistencës zhvillimore në periudhën e pasluftës, zëvendëskryeministri Thaçi tha se Kosova ka pasur fatin që ka gëzuar vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare pas viteve të luftës e represionit, gjë që ka ndihmuar në rindërtimin e vendit.
Por, sipas Thaçit, kjo asistencë ka pasur edhe mangësitë e saj, duke përfshirë mungesën e shpeshtë të bashkërendimit mes vet donatorëve.
“Mangësi tjetër ka qenë se kjo asistencë ka qenë shpeshherë e nxitur nga prioritetet e donatorëve, e jo detyrimisht nga nevojat e qytetarëve”, ka theksuar zëvendëskryeministri Thaçi, i cili shtoi se shqetësimet dhe interesat e shprehura nga komuniteti vendor janë qenësore.
Gjithashtu, zëvendëskryeministri Thaçi u shpreh se Kosova ka nevojë që qasja e bashkësisë ndërkombëtare të ndryshojë ashtu që të përqendrohet në zhvillim e jo në menaxhim krize, tani që Kosova nuk është më zonë krize.
“Ajo për çfarë ka nevojë Kosova është të menduarit se si të bëhen gjërat më mirë”, tha Thaçi, dhe nënvizoi se “zhvillimi është kusht për paqe dhe pajtim”.
Në “Croatia Forum 2015” pjesëmarrësit këtë vit diskutojnë mbi nevojën për të rimenduar asistencën zhvillimore ndërkombëtare në të mirë të zhvillimit dhe paqes së qëndrueshme. Kjo ngjarje e përvitshme mbahet në qytetin kroat të Dubrovnikut dhe në të marrin pjesë ministrat e jashtëm të vendeve më të rëndësishme të rajonit dhe botës.

Filed Under: Rajon Tagged With: Behlul Jashari, Croatia Forum 2015, diplomacia, kosova

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT