• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

15 SHKURT 1909- 2017, DITËLINDJA E GAZETËS “DIELLI”

February 15, 2017 by dgreca

dalip foto arkiv

Nga Dalip Greca/1 dielli flamur

Sot është Ditëlindja e Gazetës “Dielli”, e të vetmes Gazetë që vjen nga koha e Rilindjes Kombëtare, dhe që ende botohet në SHBA. Me 15 Shkurt 1909, 36 ditë pas mbylljes së Gazetës”Kombi”, e cila pushoi së botuari me 10 Janar 1909, nisi të ndricoi Dielli i  shqiptarëve të Amerikës. Gazeta “Dielli” ishte gazetë e Shoqatës Kombëtare  Besën-Besën, e themeluar me 6 Janar 1907, Shoqatë që drjetohej nga : Fan S. Noli-Kryetar, Goni Katundi-nënkryetar, Angelo Stefanson(Katundi)- arkëtar , Nini Fani Katundi- sekretar, ndërsa:John Gjoka,  Mihal Panajot Katundi, Lazo Kozma, Nisi Kozma dhe Lambi Josif, ish pleq. Shumë prej bordit drejtues ishin me origjinë nga Katundi.

Gazeta Dielli, Nentore 2016 Faqe 1

Botimi i Programit të Dielli në numrin e parë të tij nuk ishte thjesht një program gazetë, por një program i një lëvizjeje programatike mbarëkombëtare. Studiuesit që janë marrë me studimin e atij programi janë në ndarë në pikpamjen se kush ishte autori që e kishte shkruar; një pjesë këmbëngulin se autori ishet Fan S. Noli, një pjesë tjetër kanë mendimin se atë e ka shkruar Faik Konica, por ata bashkohen në vlerësimin dhe rëndësinë, duke e cilësuar si dokument historik që i parapriu Lëvizjes kombëtare në SHBA. Vetë gazeta Dielli tek e komentonte programin e vet në numrin e 50 vjetorit, e cilësonte kështu:(“Dielli, Shkëmbi i patundur i Rilindjes Kombëtare”. Ndërsa menaxheri i parë i Diellit, George Konda(Gjoleka), shkruante:”Programi i Diellit është një dokument hostorik; një trumbetë që ftonte emigrantin shqiptar analfabet të armatoseshin dhe të shpëtojnë vendin nga robëri e huaj…Autori i programit nuk i përtyp fjalët, ..S’është njeri memec. S’ka frikë. Nuk iu drodh dora kur e shkroi. Nuk iu tremb syri. Vuri në kartë ato që i ndjente zemra dhe shpirti i tij.”. Sipas Gjolekës autor i këtij programi ishte “Fan S. Noli, njeri i lindur jashtë Shqipërisë, por guxojë të kërkojë një Shqipëri për Shqiptarët”.1 dielli zog Flamur

Në numrin e vet të parë me 15 shkurt 1909, Dielli e shpallte publikisht:Kryefjala jonë është’SHQIPËRIA PËR SHQIPTARËT”. Në programin e vet Dielli kërkonte:Njohjen e kombësisë shqiptare prej qeverisë Turke. Në kombësinë Shqiptare hyjnë të gjithë ata që flasin shqip, pa vënë re cfare besimi, shkruante gazeta. Dielli kërkonte njohjen e  gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në Shqipëri. Në gjykatoret dhe sundimoret e vendit të përdoret vetëm gjuha shqipe. As një gjykatës apo sundimtar që nuk e njeh gjuhën shqipe, nuk mund të punonte në këto institucione. E njëjta gjë vlente edhe për drjetuesit e feve.

Dielli kërkonte Arsim Kombëtar Shqiptar, shkolla për djem e për vajza vetëm në gjuhën shqipe. Mësuesit të mos ishin fetarë, por të shkolluar në shkolla profesionale. Të merrej si model shkolla amerikane, ku nuk bëhen mësime fetare në shkollat fillore. Po ashtu kërkohej zhvillimi i arsimit professional , shkolla bujqësore, mjeshtrije etj. Programi i Diellit kërkonte zhvillim ekonomik Kombëtar,po ashtu kërkohej që të shkoqiteshin kufijtë e Shqipërisë. Në programin e vet me 15 Shkurt 1909, e shihet Shqipërinë autonome, që kishet të përbashkët me Turqinë vetëm ushtrinë, punët e luftës dhe punët e Jashtme. Gjithcka tjetër ishte në dorën e shqiptarëve.

Layout 1     Kur festohej 50 vjetori i gazetës Dielli, me 24 gusht 1959, editori i parë , Fan Noli, u deklaroi vatranëve: “Kur themeluam Diellin me 15 të shkurtit 1909, nuk besonim që Turqia do shkonte nga Ballkani aq shpejt, ndonëse e dinim që ditët i kishte të shkurtëra, pranadaj për atë shkak, në programin e Diellit, kërkonim nga Turqia, pikat maksimume, por jo ckëputje prej saj. Kërkonim shkolla në gjuhën tonë, kërkonim kufi të caktuara me katër vilajetet: Kosovën, Shkodrën, Janinën dhe Manastirin brenda, dhe më në fund shtonim në program-Shqipëria të mos ketë gjë të përbashkët me Turqinë, vec ushtrinë, punët e jashtme dhe punët e luftës…Sot 50 vjet më vonë, gëzojmë një Shqipëri indipendente, por jo një shtet me katër vilajetet sikundër e dëshironim neve asi kohe.Për shpëtimin e kësaj copë Shqipërie të vogël, neve shqiptarët e Amerikës, me anë të Vatrës dhe Diellit, duhet të jemi kryelartë, se me sakrificat tona, shpëtuam Shqipërinë nga copëtimi, krijuam Kishën Kombëtare, botuam libra me rëndësi letrare, kombëtare dhe kishtare, dhe me anë të Diellit muntëm të mbajmë gjuhën dhe zakonet tona të gjalla për një gjysëm shekulli.

Në mbyllje të fjalës së tij Imzot Noli uronte”Urojmë me gjithë zemër që Dielli, gazetë e parë në gjuhën shqipe , që u botua e përditme,të arrinjë të festonjë dhe njëqind vjecarin.100 vjecarin e uruar nga Noli, Dielli u ringjall, pas dy vite e gjysëm mosbotim, dhe organizoi një festim madhështor në një nga Universitetet e New York-ut, në Monroe College, që nga ajo ditë Dielli shënoi ringjallje me kontribute të vatranëve, duan apo nuk duan skeptikët ta pranojnë këtë fakt. Sot ai feston ditëlindjen e 108-të.

Dielli është cilësuar si një “Kandil kombëtar” që u ndez me 15 Shkurt 1909 dhe është mbajtë ndezë deri më sot. 29 numrat e parë të Diellit i nxori Fan S. Noli, ndërkohë që nga 22 tetori 1909 gazeta doli nën drejtimin e Faik Konicës, që u thirr nga Londra.Ftesa që Shoqata Besa-Besën i dërgoi Faikut për të ardhë në SHBA dhe për të drejtuar Gazetën Dielli, ishte një gjetje e shkëlqyer për fatet e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në SHBA, ishte dhe një fat për Diellin.Ditën, muajin, vitin, që ishte mbyllë mbyllë “Albania” e Faik Konicës, 15 Shkurt 1909, nisi ndricimi i Diellit në SHBA. Pa u mbushur një muaj nga botimi, më 14 Mars 1909, Shoqëria Besa-Besën, organ i së cilës ishte Dielli, mbajti mbledhjen në Labor Hall, Boston,për të zgjidhur zyrtarët e vitit dhe për të biseduar mbarëvajtjen e Gazetës “Dielli”. Nga rekordet e para 107 vitesh na vijnë detajet e asaj mbledhjeje, që u hap në orën 2 e 30 pasdreke me një fjalë të shkurtër prej At Fan S. Nolit, i cili tregoi shkurtazi qëllimet e asaj mbledhjeje. Pas tij folën Kristo Kirka, Nik Poçi, Efthim Naum dhe George Konda Gjoleka. Në këtë mbledhje u lexuan letrat e ardhura për Besa -Besën nga Shoqëria”Mall’ i Mëmëdheut”, James Toën NY, dhe prej disa individëve nga Sant Louis, Mo, dhe Hudsson, MA. Zyrtarë për atë vit, Besa-Besën zgjodhi: Koli Kristofor-arkëtar; Kristo Kirka- Shkronjës,Menaxher i Gazetës- George Konda Gjoleka, ndërsa Goni Adams, plak.Pikërisht në atë mbledhje u propozua nga komisioni i ri që të thirrej si drejtor i gazetës “Dielli” Faik Bej Konica, ish drejtor i Albanias, revistë që ishte mbyllë në të njëjtën ditë që nisi Dielli të ndritë. Propozimi u prit me të thirrura të përbashkëta:”Rroftë Shqipëria”; “Rroftë”Dielli”! “Rroftë Faik Bej Konitza”!

Ky njoftim u publikua nga gazeta Dielli me 23 Mars 1909. U deshën diçka më shumë se 7 muaj që Faik Bej Konica të mbërrinte në Boston. Udhëtimi i tij me anijen Ivernia, kishte nisë nga Londra. Natyrisht që pas gjithë këtij skenari, ishte Imzot Noli, i cili atë ditë të 9 tetorit 1909, kishte dalë vetë ta priste. Dielli shkroi në numrin e tij të 15 tetorit 1909:”  Vapori Ivernia arriu me 9 e 30 minuta dhe një gjysëm orë më vonë dolli jashtë atdhetari ynë i shkëlqyer i veshur me kostumin kombëtar të Shqipërisë… Menjëherë e rrethuan korrespondentët e gazetave të Boston-it, dhe dikush e merrte në fotografi, dikush e pyeste për çështjen shqiptare…. Dielli vijon shkrimin: Pasi shpëtoi prej duarëve të tyre u poq me shqiptarët që e prisnin, dhe me  një karroçë ardhë në Hotel “Ylli i Shqipërisë”, ku u poq me shqiptarët e tjerë. Por as këtu nuk e lanë të qetë reporterët. Faik Konica i çkoqiti gjërë e gjatë çështjen shqiptare një korrespondenti të Gazetës”Herald”, i cili i mori dhe 3-4 fotografi të tjera me kostumin Toskërisht…..Numri 30 i Diellit, që u printua me 22 Tetor 1909, doli nën drejtimin e Faik Konicës Editor, dhe George Konda menaxher. Faik Konica, edhe pse punoi vetëm 6 muaj, ai e futi Diellin në shinta e një gazete serioze.

Konica i dha Diellit ndriçimin e  shpirtit të tij dhe në shtyllat e gazetës hodhi farën edukimit kombëtar të shqiptarëve të Amerikës, pjesa më e madhe e të cilëve ishte e paarsimuar. Nën editimin e Konicës, përsa kohë Gazeta ishte pronë e shoqërisë Besa-Besë, dolën 47 numra të Diellit. Faiku përmes Diellit çoi më tej punën kombëtare dhe letrare të Albanisë. Ai nisi të botonte aty edhe vepra letrare siç ndodhi në numrin e shkurtit 1910 botimi i komedisë me një akt”Tregtari i Vlorës”, një përshtatje në shqip. Po në atë numër ai pat paralajmëruar se do të botonte edhe një libër me pjesë  letrare, vjersha, kallzime, përralla me autor atë vetë, madje jepej dhe titulli i përmbledhjes”Kondili i Kuq”. Vepra nuk u botua.  Kur gazeta mbushi vitin e parë, Faiku shkroi artikullin”Moti i parë”. Ky shkrim u botua në Diellin e 11 shkurtit 1910.  Shkëpusim një fargment nga ky artikull: Me këtë numër Dielli mbush motin e paër të botimit të tij. Kur bën një udhë të gjatë, udhëtari qëndron nga nonjë herë, rri mbi një gur dhe ehdh sytë pas tij. Është një çlodhje dhe një dëfrim, një kurajo për të vajtur më përpara, kur sheh se sa eci, dhe ç’mbaroi gjer atje. Ashtu edhe ne do të marrim force të re duke shikuar punët që bëmë gjer sot…”

Editori Konitza falenderon shoqërinë Besa-Besën,dhe bashkëpunëtorët më këto fjalë:”Kryetarit  atdhetar dhe të palodhur të saj(Kristo Kirka), pleqësisë së nxehtë kurdoherë gati të bëjë detyrën e saj, ana kombëtare u ka hua përhirime nga zemra…Dreqtor i DIELLIT mbush një detyrë të veçantë duke rërfyer se sa i çmon mundimet e të dashurit atdhetar, Z. G. Konda Gjoleka, i cili ka marrë përsipër sundimin e gazetës. Dhe s’mund të heshtim emrat e Z. Eftim Natsi, i cili nga atdhesia ka marrë gjurmët e të dy vëllezërve të njohur të tij, si dhe Z. Ilo Zografi. Në vende të tjera, mundet që shtypografët të vështrohen si punëtorë; po, në Përlindjen Shqiptare, roli i tyre është me rëndësi, se bashkëpunojnë për zgjimin e një Kombi. Zyra e Diellit u shtua që nga ca kohë me një sekretar, Z. Vani Çekani, puna e të cilit na solli shumë dobi dhe pemë.”

Artikulli i Konicës përfundon me  urimin: “Shprehim që Dielli të gëzojë për shumë vjet të kremten e mot-motit të tij!”…

Pakush e kishte menduar se në motmotin e parë të gazetës Konica do të divorcohej përkohësisht nga Dielli.Nuk kaluan më shumë se 2 javë,nga artikulli me frymë optimiste shkruar nga vetë Editori me rastin e përvjetorit, kur  më 25 shkurt Faik Konitza , i dërgoi Pleqësisë së Shoqërisë Besa-Besën një letër, ku njoftonte dorëheqjen e tij si Editor i Diellit. Përse? Përgjigjia ka mbetë enigmë…

Editori jetëgjatë i Diellit, për gati dy dekada, Qerim Panariti,një ndër kundërshtarët e rreptë të Faik Konicës, por që i dha dritë librit të mbetur  përgjysëm të Faikut “Shqipëria-kopështi shkëmbor i Evropës Juglindore”,  shkruan se Konica u grind me bashkëpunëtorët dhe pas 6 muajësh e la gazetën dhe iku…

Vetë Faiku nuk e jep motivin e ikjes. Veçse në letrën e tij të shkurtër informuse të 25 shkurtit 1910, nuk mund të shquash zemrim:”Është e tepër të shtoj që e quaj detyrë të mbajë vendin tim në gazetë derisa të zgjidhet dhe të vijë dreqtori i ri. Kam shpresë që me kohë gazeta të rritet dhe të forcohet shumë.Gjith’ atdhetarët e vërtetë do t’i ndihin dhe do t’a mprojnë. Vetëm të vaktit do të marrin shkak që të hiqen mënjanë.” Komisioni Besa-Besën e drejtoi Diellin pa Editor nga 25 Marsi deri në  29 prill 1910. Faik Konitza e editoi sërish për pak kohë 6 Maj-1 Korrik 1910(për kureshtarët që duan detaje, sqarojmë se ky numër i fundit i edituar nga Faik Konica,doli vetëm me 2 faqe). Nga 1 Korriku gjer Tetor 1910, Dielli u mbyll. Fan Noli e vijoi punën e editorit nga nga 7 Tetor 1910 gjer më 7 Korrik 1911, punë që e vijoi Eftim Natasi nga 13 Korriku deri 14 Shtator 1911, kohë kur do të vinte Kristo Floqi.

Po çfarë ndodhi me Faikun? Duket se fjalët e Panaritit nuk ishin fare pa bazë. Konica krijoi një fletore të përjavshme  tjetër në Sent-Luis me titullin”Trumpeta e Krujës”, që nisi të dalë në gjuhën shqipe, faqja e katër ishte anglisht. Numrin e  parë e publikoi me 20 mars 1911. Qëndrimi i tij politik është më i ashpër se sa tek Dielli tek deklaron:”Unë jam një separatist politikisht, intelektualisht dhe moralisht. Kjo do të thotë se dëshiroj që të shkëputet çfarëdo lidhje ndërmjet Shqipërisë dhe Turqisë, të zhduken sa të jetë e mundur të gjitha pasojat e pushtimit…”

Tek “Trumpeta e Krujës” ai botoi poezi lirike, por edhe me thekse politike siç ishte”Flamuri”, që ishte botuar më 1899 tek “Albania”. Në numrin e  tretë të Trumpetës botoi një himn marcial sipas metrikës së “La Marseillaise”, titulluar ‘Kushtrimi”. Mendoj se Kryengritjet shqiptare të viteve 1910-1911 kanë pasë ndikimin e vet në krijimet kushtrimore te Konicës në Trumpeta e Krujës. Ai shkruan në faqet e Trumpetës se shqiptarët e Amerikës i kanë kërkuar atij dhe Nolit që të shkojnë tek malësorët e t’I ndihin. Veç kësaj Faiku evokon bëma trimërore të Isa Boletinit me trimat e tij…Profesor Jup Kastrati shkruan se nga nëntori i vitit 1913 deri në prill 1914, Faiku vazhdoi at botojë fletoren e tij”Trumbeta e Krujës”, por kësaj radhe në Durrës, dhe pas dy numrash ia ndërroi emrin në “Ushtimi i Krujës”, e cila u drejtua fillimisht nga Konica, më pas nga Leonidha Naçe, e më në fund nga Josif Bageri.

Në shtyllat e Diellit pena e Konicës e bëri Diellin një gazetë me ndikim në botën shqiptare. Siç konstatonte Namik Resuli:Faik Konica ishte një publicist shumë i dëgjuar; gazetari e politikani më i adhuruar, por edhe më i urrejturi në Shqipëri, polemisti dhe satiriku më i fortë, më i rreptë, e më i drejtuar, por është njëkohësisht edhe shkrimtari e prozatori më i mirë, më i madh e më tërheqës i toskëve. Në kolonat e Diellit, edhe pse më pak se ç’pritej, Faik Konica solli prozë brilante. Proza e Faikut është e këndshme, e limuar, e thjeshtë, fort e rrjedhshme. Ajo zbret në zemër të lexuesit si nektari i perëndive që deh dhe ngreh shpirtin në një botë tjetër, në një botë bukurish të pasosura…

Ajo ç’ka e veçon penën e Faikut është polemika: ai ishte një polemist i rrallë- çdo gjë që ai shkroi si polemist zemroi qindra këndonjës për gjërat që thoshte por të gjithëve ua mbylli gojën për mënyrën e zotësinë e aftësisë së të shprehurit, e mënyrës se si i rëndiste fjalët dhe idetë.

Ka dhe një kuriozitet për Diellin,ku festoi përvjetorin e parë : Guverna turke e ndaloi hyrjen e tij lirisht në Turqi. Korrespondenti i Diellit në Stamboll, me pseudonimin”Liridashësi”, shkruan:”Sot pa gdhirë mirë: gazetat turqisht çpallën me bujë të veçantë ndalimin e hyrjes në Turqi të gazetës Arnautçe(Shqip) që del në Shimali(veri) Amerika….Nga 20 Qershori 1910, Dielli nisi të botohej me dy emra”Dielli dhe Flamuri”. Emri i dytë iu shtua që të hynte lirisht në Perandorine Otomane. “Flamuri” iu hoq gazetës me 28 Shtator 1911, kur Turqia hoqi ndalimin e hyrjes në vendet e PerandorisV. Ata ditë Dielli shkroi:” O vëllezërit t’anë të Shqipërisë, priteni krahapur këtë mik të vjetër që vjen përsëri sheshit t’ju bëjë vizitë. Vjen nga një vent i largmë, nga një botë tjatër, dhe nëqoftë se vjen i lodhur mos u cuditni, se udha është e gjatë dhe e mërzitshme. JU sjell një barrë përgëzimesh nga dyzet mijë shqiptarë të Amerikës, që vuajnë, që dëshirojnë, që shprehin…”

Përveç Nolit dhe Konicës, Diellin e  kanë drejtuar pena dinjitoze, intelektualë të shquar, atdhetarë të përkushtuar si: Kristo Floqi, Kostë Çekrezi, që e bëri gazetën të përditshme( 7 nëntor 1914), Andon Frashëri, Bahri Omari(1916-1919), Aqile Tasi, Refat Gurrazezi, Nelo Drizari,Peter Tikco, Qerim Panariti, Peter Prifti, Dr.Athanas Gegaj , Xhevat Kallajxhiu, Dr. Eduard Liço, Prof. Arshi Pipa, Anton Çefa etj. Poeti dhe studiuesi Anton Cefa që e drejtoi Diellin nga viti 1994 deri në vitin 2009(në fakt Dielli nuk u publikua nga mesi i vitit 2006 deri në shtator 2009), i dha Diellit një fizionomi të re duke i dhënë përparësi Letërsisë dhe studimeve, por pa e shmangur nga misioni si zëdhënës i Vatrës. Fryma kombëtare mbeti e shenjtë për Diellin e Vatrës.

Prej 8 vitesh Dielli drejtohet nga K/Redaktori Dalip Greca, duke patur një cikël të stabilizuar botimi në print dhe në Online, ndërkohë që çdo 28 Nëntor publikohet numri special me më shumë se 100 faqe.

Gazeta”Dielli” është regjistri më i vjetër i Shqiptarëve të Amerikës me një kontribut të jashtzakonshëm në historinë e shtypit shqiptar. Gazeta u kthye në një shkollë për shqiptarët e pashkolluar të Amerikës dhe mbajti ndezur idealet Kombëtare, ruajti gjuhën shqipe, traditat dhe Kulturën Kombëtare, promovoi arritjet e shqiptarëve në SHBA, dhe ndërtoi ura miqësie me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kombit Shqiptar. Dielli është vlerësuar si gazetë serioze e komuniteteve në Amerikën e Veriut, madje është edhe fituese çmimesh, siç ishte çmimi i fituar në konkursin “Common Council For American Unite”, ku morën pjesë njëmijë gazeta në gjuhë të huaja që botoheshin në SHBA në fillim vitet ’50.

Dielli ka merita të mëdha edhe në fushën e Letërsisë dhe Kritikës Letrare; në faqet e tij u botuan përkthimet e para nga klasikët e huaj, dhe u stimulua krijimtaria letrare. Gazeta”Dielli” mbetet zëdhënsja dhe misionarja më e respektuar dhe më e cmuar e shqiptarizmit në SHBA.

Dielli u predikoi mërgimtarëve detyrën kundrejt Atdheut. Gazeta u kthye në ushqim mendor dhe shpirtëror i domosdoshëm për shqiptarët e Amerikës, të cilët i mëkoi me dashurinë ndaj Atdheut.Diktatura komuniste u përpoq ta shuante Diellin, por nuk ia arriti, edhe pse i pushkatoi apo i burgosi disa nga editoret dhe menaxheret e saj si: Bahri Omari, Kristo Floqi, Kristo Kirka, Aqif Përmeti, Aqile Tasi e të tjerë.

Vatra dhe Gazeat e saj “Dielli” përbëjnë një binom të pandashëm, që i lidh e i mbanë bashkë çështja Kombëtare. Kanë thënë shpesh se Dielli dhe Vatra do të shuheshin, por jo, ato e kaluan shekullin dhe përjetojnë shekulline  dytë.Jetëgjatësia e Vatrës dhe e Diellit, sado e çuditshme që duket në sipërfaqe, nuk është mister i pazgjidhshëm(ka shkruar Peter r. Prifti).Vatra dhe Dielli kanë rrojtur dhe rrojnë mbasi janë të lidhura ngushtë me shqiptarinë.(Specialen e plote do ta lexoni ne Diellin e printuar)

Filed Under: Featured Tagged With: 15 SHKURT 1909- 2017, dalip greca, ditelindja, e Gazetes Dielli

Nexhmije Pagarusha-Bilbili i Kosovës, sot ditëlindjen e 83-të

May 7, 2016 by dgreca

Foto arkiv, maj 2010: Nexhmije Pagarusha e Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu – dorëzimi i Dekoratës Presidenciale/

-Zë i fuqishëm i shpirtit dhe vlerave estetike shqiptare/

PRISHTINË, 7 Maj 2016-B.Jashari/ Bilbili i Kosovës, Nexhmije Pagarusha, ka sot ditëlindjen e 83-të.  Me këtë rast, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka uruar ditëlindjen e këngëtares së madhe shqiptare. “‘Bilbili i Kosovës’, ‘Mbretëresha e muzikës shqiptare’, ‘Këngëtarja e Shekullit’, ‘Artiste e Merituar’ , ‘Nderi i Kombit’, janë vetëm disa prej epiteteve dhe dekoratave që këngëtarja më e madhe kosovare e të gjitha kohërave, Nexhmije Pagarusha, i ka merituar gjatë dekadave të këndimit”, ka shkruar sot Mustafa.

“Sot, Nexhmije Pagarusha feston ditëlindjen e 83-të, duke qenë idhull i të gjithë brezave të Kosovës nga viti 1948 e deri më sot. Me zërin e saj mbresëlënës, Nexhmija u shndërrua në institucion kulturor të Kosovës. Urime, edhe shumë vite të tjera.
Kosova krenohet me ty!”, është shprehur kreu i qeverisë së Kosovës.

Poashtu, ministri kosovar i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ka uruar këngëtaren e shquar shqiptare. Ai u shpreh se Pagarusha me zërin e saj të mrekullueshëm, i ka dhënë kulturës së Kosovës vlera të përhershme, duke u bërë njëherësh burim frymëzimi për breza të tërë. “Zëri i saj ka kumbuar fuqishëm përgjatë dekadave të tëra, duke na mbajtur gjallë dashurinë për kulturën, të bukurën dhe shpresën për një të ardhme ma të ndritshme”, u shpreh Shala, dhe shtoi se popujt që kanë këngëtare si Pagarusha janë të bekuar.

 Ai më tej u shpreh se arti i Pagarushës, është dëshmi e fuqishme e identitetit të Kosovës dhe një vlerë e jashtëzakonshme me të cilën krenohet vendi ynë. Po ashtu, Shala u shpreh se Institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që të përkrahin dhe ndihmojnë kulturën e pasur të Kosovës, duke e promovuar, nxitur dhe ruajtur atë si vlerë për brezat e ardhshëm.

 Shala u shpreh se artistet si Nexhmije Pagarusha na nxisin që të punojmë edhe më shumë dhe më me përkushtim për Kosovën tonë.Nexhmije Pagarusha, e njohur edhe si Bilbili i Kosovës, në maj 2010, është dekoruar nga atëherë Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, me çmimin “Artiste e Merituar” për veprimtarinë dhe kontributin e veçantë dhënë kultivimit të muzikës dhe këngës së përsosur shqipe, teatrit dhe filmit.

Dekorata është dorëzuar solemnisht në ambientet e zyrës së Presidentit të Kosovës. Në arsyetimin e dekorimit të znj. Pagarusha, Presidenti Sejdiu theksonte se “kontributi i Nexhmije Pagarushës në fushën e krijimit, kultivimit, interpretimit dhe të promovimit të artit muzikor shqiptar është i një rëndësie të jashtëzakonshme”.

“E përkushtuar gjithë jetën për të  ngritur vlerat e artit muzikor, duke krijuar identitet referues kulturor, duke qenë zë i fuqishëm i shpirtit dhe vlerave estetike shqiptare, ajo ishte dhe mbetet shenjë identifikuese  e Kosovës dhe simbol i artistit që me veprën e vet komunikon në mënyrë autentike dhe përherë frymëzuese me një audiencë të gjerë muzikore”, theksohej në arsyetim.

Po ashtu vlerësohej se Nexhmije Pagarusha “është shembulli më i mirë i personalitetit që tërë jetën ia kushtoi zhvillimit dhe ngritjes së artit dhe kulturës shqiptare dhe si e tillë ajo është frymëzim nxitës për brezat krijues dhe interpretues të artistëve”.Presidenti Sejdiu ka dekoruar znj. Pagarusha në 77-vjetorin e lindjes së saj dhe dekorimi u bë në  bazë të Nenit 84, pika 28 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe në bazë të Nenit 3, 34 dhe 49 të Rregullores mbi Dekoratat, Urdhrat dhe Titujt e Nderit të Kosovës që i jep Presidenti i Republikës së Kosovës dhe Procedurat e Dhënies së tyre.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: -Bilbili i Kosovës, ditelindja, nexhmije Pagarusha

Perparim Hysi ne Sofren e Diellit me nje poezi urimi per Faslli Halitin

December 4, 2015 by dgreca

(Poezi jubilare për 80-vjeorin e lindjes së FASLLI  HALITIT)*/

Nga Përparim  Hysi/*

Do këndoj, se ma do shpirti/

Për ty, Faslli  Haliti!/

Sapo mbushe tetë dekada/

Sikur vjen nga balada./

Flokë të bardha, zemërbardhë

Nuk di ç’të rreshtoj më parë?

Je poet dhe prozator

Publicist,edhe piktor.

 

Si përkthyes, ha bukë veç

Jam zënë ngusht me timen vjershë.

Ke kaluar të rëndë kalvar

Porse balli mbetë i  bardhë.

 

Ty ta bënë shpirtin natë

Por nga goja nxirrje mjaltë.

Kurrë kokën s’e përkule

E dëshmon e gjithë një Lushnje!

 

Hape brazda e kanale

Dhe punëtor në komunale

Të hoqën  të drejtën e profesionit

I bën gjë vesa betonit?

 

Nga gjithë vuajtjet më i  fortë

Se ke zemrën sa një botë

Ndaj me  varg dhe me shkrime

Harron vuajtje e mundime.

 

Qoftë në prozë e poezi

Ti mbjell veç dashuri

Shkrim e varg sa njerëzor

Je i thjeshtë dhe je tokësor.

 

Këto vargje dedikim

Si fjalim në atë tubim

Një tubim ekas për ty

100-vjeç, i miri FASLLI!

 

* ka lindur më 5 dhjetor 1935

** Më 5 dhjetor në Lushnjë ka një event jubilar për të ku nuk marr pjesë për arsye subjektive.
Tiranë, 4 dhjetor 2015
* Redaksia e Diellit e uron poetin dhe shkrimtarin Faslli Haliti me rastin e 80 vjetorit te Lindjes. Shume urime, shendet dhe krijimtari te metejshme. Kontributi i Faslli Halitit ne Letersine Shqipe eshet i konsiderueshem. Shkolla e Poezise Lushnjare krenohet qe ka pase ne krye nje Lider poetik, si Faslli Haliti.
Gezuar!

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: 80 vjet, ditelindja, Faslli Haliti, perparim Hysi

Ditëlindja e poetit

November 6, 2015 by dgreca

Nga Ilir Levonja/
Poezitë që kam zgjedhur, janë nga krijimtaria e poetit Faslli Haliti. Ai te Enjten, 5 Nentor*, mbushi 80 vjeç. Një arritje e madhe. Pra ka ditëlindjen. I kthehem memories. Ashtu si shumë krijues nga qyteti i Lushnjes edhe unë, kam kujtime të bukura. Në të njëjtën kohë jam pjesë e kujdesit dhe e vëmëndjes së tij. E para sepse Faslliu është ndofta nga ata persona që i përket gjithkujt nga pak edhe shumë. Ai njohu shiun poetik, diellin poetik dhe qiellin poetik. Ai është metafora e së përditshmes. Poeti i fjalës prej uji. Piktori i imazheve me fjalë plot ngjyra dhe xixa.
Për poezinë e tij është thënë shumë. Janë shkruar shumë. Përfshi edhe mua…, me disa reçensione e komente në shtypin shqiptar. Unë sot nuk do bëj analizë, por sado kohë që kalon, sërisht më forcohet në brendësi të qënies sime. Ai meditimi artistik i kahershëm se, poezia e tij është një konstatim me keqardhje. Për njeriun naivist që jeton me mendje prej mishi dhe gjaku njerëzor. Që beson thjesht, pa djallëzi. Që rritet duke të dashur, pa djallëzi. Që vlon me keqardhje se detyrat i kreu, pa djallëzi. Që nuk e di se bën faj, kur nuk të pëlqen ty. Dhe që pa djallëzisht beson se e vërteta, është si drita e diellit.
Cikli i mëposhtëm kap disa dekada nga idoma e tij artistike e këtij kapërcyelli jete në mes dy shekujve. Thjesht si memorie e bukur. Si urim dhe falenderim për këto lule poetike, me erë Myzeqeje që ai ndau me ne. Jetë e shëndet poet.
1)LAMTUMIRË
Drejtimi:
Majtas!
Unë,
Drejtë përpara.
Drejtimi:
Djathtas!
Unë,
Drejtë përpara.
Urdhri:
Prapakthehu!
Unë
Përpara, përsëri
Lamtumirë kapedanët e mi!
2)NJERIU ME KOBURE
Ai pret të fryjë era
Jo që të zhvishen pemët.
Jo që të shkunden gjethet e verdha,
Por që t’i ngrihet cepi i xhaketës,
Të duket pas brezit koburja.
Ai pret të vijë pranvera.
Jo që të mbjellë e të korrë,
Por që të zhveshë xhaketën,
T’i duket pas brezit
Koburja.
3)NATË MAJI
Hëna varet si vath në veshin e natës,
Neonet ndriçojnë me dritë dëbore,
Ne bisedojmë nën një mimozë bionde
Si nën një hënë tokësore.
Pranë nesh kalon një makinë,
Dy buqeta dritash na dhuron
Dhe ikën nëpër natë e gëzuar,
E gëzuar nga dashuria jonë.
4)KUR
50 vjet,
Na folët për dritën socialiste,
Tani na flisni për errësirën 50 ­ vjeçare.
50 vjet,
Na folët për lirinë,
50 vjet
Na folët për demokracinë e vërtetë proletare.
50 vjet
Na folët për parajsën komuniste
Tani na flisni për 50 vjet ferr komunist,
Kur na e keni thënë të vërtetën?
Dje,
Apo tani?
Ç’e pandehni ju popullin
Foshnjë,
Ç’e pandehni ju popullin
Çilimi?
5)PËRSOSJE
Ju Tregoni me gisht kriminelin tek ai,
Tek ai
Të gjithë shohin delen;
Ju tregoni me gisht hajdutin tek ai,
Por tek ai
Të gjithë shohin Nobelin;
Ju tregoni, me gisht spiunin tek ai,
Por tek ai
Të gjithë shohin besnikun;
Ju Tregoni me gisht Don Zhuanin tek ai,
Por tek ai
Të gjithë shohin familjarin;
Ju tregoni Me gisht Frikacakun tek ai,
Por tek ai
Të gjithë shohin Skënderbenë;
Rrini, pra, me gisht në gojë!”
6)KENDOVA
Zbathur
U këndova këpucëve
I leckosur
U këndova pardesyve
I uritur
U këndova drithërave
Në
Errësirë
U këndova dritave
Në
Terr
U këndova ngjyrave
Në
Zi
U këndova dasmave
Në
Pranga
I këndova lirisë.
Shpresa më mbajti ison…
* Ka nje Lapsus ne Ditelindjen e Poetit. Ai ka lindur me 5 Dhjetor. Gjithesesi nje urim i parakohshem,s’eshte gje tjeter, vecse deshire per urim. Le te jete ky urim i Ilirit, nje paralajmerim per miqte e Poetit Faslli haliti.(Dielli)

Filed Under: ESSE Tagged With: ditelindja, Faslli Haliti, Ilir Levonja

Berisha në Cras Montana dhe surpriza e miqve për ditëlindje

October 15, 2015 by dgreca

Ish-kryeministri Sali Berisha feston ditën e sotme 71-vjetorin e lindjes së tij. Ai nuk ndodhet në Shqipëri, pasi një ditë më parë është nisur për në Zvicër për të marrë pjesë në Forumin e Crans Montana-s.
Por edhe këtu miqtë dhe pjesëmarrësit i kanë përgatitur një surprizë ish-kryeministrit Sali Berisha, duke e uruar në mënyrë të veçantë për ditëlindjen.
“Gjatë drekës zyrtare në Forumin e Crans Montana-s, miqtë dhe të pranishmit festë surprizë për ditëlindje. Falënderim dhe Mirënjohje!”, -shkruan ish-kryeministri Sali Berisha në profilin e tij në Facebook, duke e shoqëruar edhe me fotot e mëposhtme.

Filed Under: Kronike Tagged With: 71 vjec, Berisha, ditelindja

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kosova pret “Defender Europe 23”
  • E KEQJA VJEN CDO DITE NGA PAK…
  • KALLUSHI, RUGOVA DHE XHEMA…
  • Rikthimi i grekoproblemit në Himarë për shkak të korrupsionit shqiptar
  • LEONARD NEWMARK OBITUARY
  • U mbajt Akademi përkujtimore dhe promovimi i librit FRROK GOJANI PEDAGOG DHE MISIONAR I DENJË I SHKOLLËS SHQIPE
  • V I K T O R G J I K A…
  • Figurat
  • SHKOLLA DHE SPITALE APO ARSIM DHE KUJDES SHËNDETËSOR?
  • Miqtë apo vartësit e Fatos Baxhakut?
  • PER KRISTAQ DHAMON…
  • TË ARRITURAT E AMBASADORËVE TË KULTURËS, GJUHËS DHE TRADITËS SHQIPTARE NË SKANDINAVI NUK KANË TË NDALURA
  • Në Prishtinë hapet Seminari i 40-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare
  • Një atentat për shqiptarët dhe një dhuratë për Serbinë !
  • Kryeministri Kurti e Presidentja Osmani pritën në takim Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT