

LUSHNJE- Në Divjakë ishte baza e parë e UÇK-së e cila mirëpriti oficerët e parë të NATO-s
-Kryeministri Kurti në Divjakë: Me luftën çlirimtare fituam lirinë e shumëpritur dhe miqësinë e mbështetjen e NATO-s/
Divjakë, 12 qershor 2021-Gazeta DIELLI/
Në shënim të 22- vjetorit të çlirimit të Kosovës, tri institucionet më të larta të shtetit, organizuan manifestimin në nderim të luftës çlirimtare, në Divjakë, te Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Shtabi i Përgjithshëm në Divjakë ishte baza e parë e UÇK-së e cila mirëpriti oficerët e parë të NATO-s, kur ata zbarkuan nga ajri qysh më 10 qershor 1999, që shënon një moment historik të miqësisë dhe bashkëpunimit me NATO-n.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti tha se datën 12 qershor e kujtojmë gjithmonë, dhe krenohemi përherë që për lirinë e Kosovës organizuam luftën çlirimtare duke fituar jo vetëm lirinë e shumëpritur, por edhe miqësinë dhe mbështetjen e NATO-s me të cilët u rreshtuam drejt dhe dolëm fitimtarë
“Në këtë ditë dhe në vazhdimësi i kujtojmë dhe nuk do t’i harrojmë, heronjtë dhe dëshmorët, luftëtarët dhe patriotët e të gjithë brezave e të të gjitha kohërave, të cilët na mundësuan që ne sot të gëzojmë lirinë”, tha ai.
Në këtë manifestim të organizuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, të pranishëm ishin edhe ministra të Qeverisë së Kosovës, deputetë të Kuvendit të Kosovës, luftëtarë të UÇK-së, veteranë e invalidë të luftës çlirimtare të Kosovës, të burgosur politik dhe familjarë të dëshmorëve.
Fjalimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në manifestimin në nderim të luftës çlirimtare:
E nderuara Presidente e Republikës së Kosovës, zonja Vjosa Osmani,
I nderuari Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, zotëri Glauk Konjufca,
Të nderuar gjeneralë-komandantë Agim Çeku dhe Sylejman Selimi,
I nderuari gjeneralmajor i FSK-së, zotëri Enver Cikaqi,
Të nderuar ministra e deputetë,
Të dashur luftëtarë të UÇK-së, veteranë e invalidë, familjarë të dëshmorëve,
Të dashur të burgosur politik,
Të nderuar pjesëmarrës,
Pas ofensivave të ushtrisë serbe të vjeshtës së vitit 1998, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës zhvendoset nga Likoci këtu në Divjakë. Këto vargmale, me fshatrat Divjakë, Berishë e Kleqkë, u shndërruan në bazat më të mëdha dhe më të fuqishme organizative të UÇK-së, të udhëhequra nga Shtabi i Përgjithshëm, i cili u vendos këtu. Kjo shtëpi dhe ky vend, jo rastësisht u bënë strehë e UÇK-së. Në këto vise dhe shtëpi, u strehuan dhe u zhvilluan aktivitetet e organizatave e veprimtarëve të shumtë, të cilët punonin për lirinë e atdheut, siç ishte për shembull edhe Afrim Zhitia.
Riorganizimi i Ushtrisë Çlirimtare me vendosjen e Shtabit të Përgjithshëm në Divjakë, shënoi një hap të rëndësishëm në mbajtjen e linjave komunikuese më të lehta edhe me zonat e tjera, por jo vetëm: konfiguracioni i këtij vendi si pozicion mjaft strategjik i mundësoi UÇK-së të zhvillojë një strategji luftarake sulmuese, por edhe mbrojtëse të pozicioneve të veta duke mos lejuar përparim të forcave serbe në drejtim të bazave kyçe të UÇK-së, siç ishte Shtabi i Përgjithshëm, Spitali Ushtarak, selia e Radios “Kosova e Lirë” dhe agjencisë së lajmeve “Kosovapress”.
Ky vend këtu nuk u shkel asnjëherë nga forcat serbe, edhe pse pati mësymje të shumta, jo vetëm nga këmbësoria, por edhe nga ajri. Falë rezistencës dhe luftës së organizuar të njësive të UÇK-së që vepronin në këto vargmale, siç ishte Brigada 121 “Ismet Jashari”, Njësia Speciale pranë Shtabit, Njësia e Logjistikës e të tjera, jo vetëm se mbrojtën hapësirat ku vepronin, por u bënë mburoja për qindra mijëra shqiptarë civilë që ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre dhe të cilët strehohëshin nëpër të gjitha këto gryka malesh përreth kësaj zone.
Shtabi i Përgjithshëm në Divjakë që udhëhiqej nga Shefi i Shtabit, Gjeneral Agim Çeku, i cili po e pasonte Gjeneral Sylejman Selimin, ishte baza e parë e UÇK-së e cila mirëpriti oficerët e parë të NATO-s kur ata zbarkuan nga ajri qysh më 10 qershor 1999. Ky vend dhe kjo shtëpi Shtab, shënon një moment historik të miqësisë dhe bashkëpunimit me NATO-n. Kjo shtëpi ishte e plakut Nezir Zogaj, i burgosur politik me neve të tjerëve që ishim rob lufte, edhe pas mbarimit të luftës, me Nait Hasanin, Bislim Zogajn, Enver Dugollin, e shumë e shumë të tjerë nëpër burgjet e Serbisë. Baca Nezë është i paharrueshëm edhe pas vdekjes, ashtu siç është kjo shtëpi edhe pas çlirimit.
12 Qershori, është dita e çlirimit të Kosovës, prandaj e kujtojmë gjithmonë dhe krenohemi përherë që për lirinë e Kosovës organizuam luftën çlirimtare, duke fituar jo vetëm lirinë e shumëpritur, por edhe miqësinë dhe mbështetjen e NATO-s me të cilët u rreshtuam drejt dhe dolëm fitimtarë.
Në këtë ditë dhe në vazhdimësi, i kujtojmë dhe nuk do t’i harrojmë, heronjtë dhe dëshmorët, luftëtarët dhe patriotët e të gjithë brezave e të të gjitha kohërave të cilët na mundësuan që ne sot të gëzojmë lirinë.
Lavdi të gjithë atyre!






