• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DOKUMENTE TË REJA MBI VDEKJEN E MID’HAT FRASHËRIT

October 4, 2018 by dgreca

– Më 3 tetor 1949, ora 9.25 në hotelin Winthrop të New Yorkut, Mid’hat Frashëri vdiq papritur. Sipas të dhënave të shoqëruesit që i rrinte pranë në atë çaste dhe sipas ekspertizës mjekoligjore, rezultoi që vdekja iu shkaktua nga një infarkt i miokardit.Por nuk iu bë ekspertiza mjeko-ligjore./

1-Uran-Butka-300x225Nga Uran Butka/
Mithat Frasheri

Arritja politike më kulmore e Mid’hat Frashërit në emigracion ishte krijimi në Paris, më 26 gusht 1949, i Komitetit “Shqipëria e lirë”, me ndërmjetësinë e anglo-amerikanëve, me këtë përbërje: Mid’hat Frashëri, kryetar, Abaz Kupi, Said Kryeziu, Zef Pali dhe Nuçi Kota – anëtarë dhe me një përfaqësi të gjerë të grupimeve e të personaliteteve të ndryshme politkë të emigracionit antikomunist (Këshilli Kombëtar) me njëmbëdhjetë anëtarë: Halil Maçi, Abaz Ermenji, Vasil Andoni, Ihsan Toptani, Muharrem Bajraktari, Gaqo Gogo, Gani Tafili, Asllan Zeneli, Hysni Mulleti, Ekrem Talhaj. Krijimi i një komiteti që do t’i bashkonte shqiptarët e emigracionit në Itali, Greqi, Turqi, Francë, Amerikë, etj, dhe që do ta kishte mbështetjen te Perëndimi, një qeveri shqiptare në mërgim me kryeministër në hije, Mid’hat Frashërin . Ishte një kërkesë e kohës.

Mid’hati parashtronte disa kritere të rëndësishme, të cilave duhej t’i nënshtrohej bashkimi në një komitet nacional. “Një komitet i përbashkët do të ishte një vegël e çmueshme për të rifituar të drejtat kombëtare. Por a nuk mendoni ju, – i shkruante nga Stambolli Abaz Kupit, më 1948 – se kondita e parë e një organi që të merrte përsipër një barrë të tillë, duhet të jetë formuar prej njerëzish, mbi të cilët të mos peshojnë njolla dhe faje kundër atdheut”.

“E dini fort mirë se Shqipëria  pësoi katastrofën e 7 prillit jo vetëm prej fuqisë ushtarake të huaj, por edhe nga tradhtia e disa shqiptarëve, të cilët me liri dhe koshiencë të plotë përgatitën komplotin kundër Atdheut dhe vepruan si pararojë e fuqive okupuese… Është e tepër të përsërit se i vetmi qëllim i ndjekur në këtë përpjekje ka qenë fitimi për çështjen shqiptare dhe jo interesi i personave ose i grupeve”-  shkruante po aty Mid’hati.

Sipas tij, nuk mund të merrnin pjesë në këtë komitet kombëtar ata që ishin komprometuar si bashkëpunëtorë me okupatorët, si edhe ata mbi supet e të cilëve rrëndonin njolla dhe faje ndaj atdheut. Kësaj vije demarkacioni ai i mbeti besnik edhe në politikë, edhe në jetë, gjë që tregonte qartë moralin politik, pastërtinë dhe patriotizmin e tij të kulluar. Gjithashtu, ky kriter, rrëzonte sërish hipotezën komuniste se M. Frashëri ishte kriminel lufte dhe kolaboracionist, përndryshe nuk do të zgjidhej nga aleatët anglo-amerikanë për të kryesuar qeverinë në mërgim,  si edhe ai vetë nuk do të vendoste ato kritere përjashtimi për ata që kishin bërë krime, apo që kishin bashkëpunuar me fashistët, ndonëse ishin antikomunistë të vendosur  Mid’hat Frashëri,  zgjodhi në Komitetin “Shqipëria e Lirë” elementët më të vlefshëm dhe më të pastërt, me pëlqimin e Aleatëve Perëndimorë, dhe si përfaqësues të Kosovës zgjodhi  Said Kryeziun, luftëtar i lirisë në lëvizjen “Kryeziu” Vetë fakti që aleatët perëndimorë përzgjodhën Mid’hat Frashërin në krye të Komitetit “Shqipëria e lirë”, ishte tejet kuptimplotë.

Qëllimi i Komitetit “Shqipëria e Lirë” ishte lirimi i Shqipërisë nga diktatura komuniste dhe vendosja atje e një sistemi demokratik sipas modeleve më të përparuara perëndimore. Në programin e Komitetit theksohej se liria e Shqipërisë duhej të plotësohej me lirinë e shqiptarëve. Prandaj, as lirim për të përgatitur diktatura personash a partish, as demokraci për t’u tallur me vullnetin e popullit e për të përfituar nga vota e tij! Liria dhe demokracia, sipas programit të Komitetit “Shqipëri e Lirë” do të arriheshin e do të bëheshin të plota kur populli shqiptar i çliruar nga shtypja e mjerimi, do të zgjidhte me votën e lirë regjimin dhe përfaqësuesit e tij legjitimë, një qeveri demokratike që do t’i garantonte konkretisht liritë politike e të drejtat njerëzore, pa pranuar  më diktate e aventura”.

Në Francë, opinioni zyrtar dhe shumica e shtypit e përshëndetën komitetin “Shqipëria e Lirë”.

Gazeta“The Christian Science Monitor”, shkruante:“Sipas lajmeve të besueshme në Paris u themelua Komiteti Kombëtar Shqipëria e Lirë, i cili do të ketë selinë në Shtetet e Bashkuara. Qëllimi i tij do të jetë përfaqësimi i të gjitha shtresave shqiptare, të cilat dëshirojnë vendosjen e një qeverie, e cila respekton të drejtat dhe liritë e shtetasve të vet. Në këtë Komitet përfshihen personalitete të shquara shqiptare, në sferën shoqërore dhe politike dhe do të ketë selinë e vet në New York. Fakti që selia e këtij Komiteti të porsaformuar të jetë në Shtetet e Bashkuara, lë të kuptohet se Ministria Jashtme Amerikane e mbështet këtë përpjekje. Mit’hat Frashëri udhëheqësi i këtij grupi pritet të arrijë së shpejti në Amerikë.

Mandej, anëtarët e Komitetit u nisën për në Londër. Sir Robert Hodgson, shkruante: “…Porsa hyri në luftë Rusia, puna e Ballit Kombëtar u bë edhe më e vështirë, nënshtrimin e Shqipërisë nën influencën komuniste nuk mund ta ndalonte dhe mënyra më e mirë për t’i bërë ballë gjendjes ishte të futej në punë plani i Mid’hat Frashërit për krijimin e komitetit “Shqipëria e Lirë”.

Nga Radio Londra presidenti i pare i Komitetit “Shqipëria e Lirë”, ai u drejtoi më 6.9.1949 të gjithë shqiptarëve një mesazh historik, me të cilin zbulonte dramën e popullit shqiptar nën sundimin tiranik të qeverisë komuniste të Tiranës, satelite e Rusisë staliniste, si edhe shpaloste programin e komitetit “Shqipëria e Lirë”.

“Raca shqiptare, ajo racë që vuan, por që edhe ndjen, që ofshan, por që edhe shpreson dhe nuk harron, ajo racë themi zuri të shohë të vërtetën, të shohë rrezikun dhe fatkeqësinë në të cilën e hodhën matrapazët komunistë, po i çelte sytë dhe po e mprehte vullnetin e saj. Bash për të ndihmuar këtë zgjim të popullit dhe për të shpejtuar forcimin e ndërgjegjes së tij, është formuar Komiteti “Shqipnija e Lirë”. Vija e jonë do të jetë kurdoherë vijë e drejtë. Programi i ynë është të fitojmë indipendencën dhe të sigurojmë integritetin e vendit tonë…”.

Siç dihet tanimë, pushteti komunist i Enver Hoxhës urdhëroi të fikeshin dritat në të gjithë Shqipërinë, që të mos dëgjohej fjalimi i Mid’hat Frashërit, i transmetuar nga BBC.

Nga  Anglia ai shkoi në SHBA, në Nju Jork, ku komiteti do të kishte selinë e përhershme, si edhe një mbështetje më të madhe të qeverisë amerikane dhe të lobit shqiptar atje. Kryetari i Komitetit, M. Frashëri dhe anëtarët e tij, A. Kupi, S. Kryeziu, Z. Pali dhe N. Kota, u pritën nga Kryetari i Komitetit “Europa e Lirë”, (themeluar më 1 qershor 1949), Joseph Grew dhe më pas edhe nga zëvendësndihmës i sek.Shtetit Amerikan, Levling Thomson. “Ishte një nder i madh dhe ne ishim shumë të kënaqur, meqenëse askush nuk na kishte ftuar në Foreign Office, kur ishim në Londër, – shkruante Said Kryeziu – duhet ta kuptonit gjendjen tonë. Ishim njerëz të humbur dhe të braktisur, disa prej nesh të sapodalë nga kampet e refugjatëve. E ngriti shumë moralin tonë pritja prej një përfaqësuesi të Qeverisë Amerikane. Kjo na jepte të kuptonin se do të bëhej diçka për të çliruar vendin tonë”.

Në një pritje në Washington për nder të Komitetit “Shqipëria e lirë”, ku ndodheshin personalitete të larta amerikane dhe të organizatës “Evropa e lirë”, Mid’hat Frashëri, në fjalën e tij, ndër të tjera, tha: “Shpresojmë që t’i japim zemër popullit shqiptar në rezistencën e tij kundër tiranisë së egër komuniste dhe të ndihmojmë për të organizuar shqiptarët jashtë Shqipërisë, që ajo të ketë ndihmën e tyre të plotë në këtë luftë. Populli në Shqipëri, duhet ta dijë se kundërshtimi i shtypjes komuniste është i përbotshëm dhe se fuqia e kombeve të lirë, si dhe forca e institucioneve ndërkombëtare po shtohet dita-ditës”.

Mirëpo ndodhi fatkeqësia e papritur.

. Më 3 tetor 1949, ora 9.25 në hotelin Winthrop të New Yorkut, Mid’hat Frashëri vdiq papritur. Sipas të dhënave të shoqëruesit që i rrinte pranë në atë çaste dhe sipas ekspertizës mjekoligjore, rezultoi që vdekja iu shkaktua nga një infarkt i miokardit.Por nuk iu bë ekspertiza mjeko-ligjore.

Ekziston edhe një variant i vrasjes (shkaktimit të infarktit nëpërmjet ilaçeve apo gazit nëpërmjet agjentëve të KGB-së). Kim Philbi, agjent i dyfishtë, i cili kishte qenë në Londër në shtator të vitit 1949, kur ishte shpallur Komiteti “Shqipëria e lirë”, ndërkohë që ishte nisur në atë kohë për në SHBA, mendohet se mund të ketë vepruar bashkë me agjentët e fshehtë të KGB-së, mbi Mid’hat Frashërin për ta asgjësuar, ashtu siç kishin vepruar edhe mbi disa personalitete të tjera antikomuniste të Lindjes si Stefan Bandera, Lev Rebet, Georg Markov.

Në mbështetje të këtij varianti të vrasjes është edhe shqetësimi i madh i qeverisë komuniste të Tiranës për themelimin e veprimtarinë e Komitetit “Shqipëria e lirë” dhe të Mid’hat Frashërit. Në një dokument të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, shkruhet:

“Në Amerikë është kolonia jonë më e madhe dhe qëllimi imediat i organizatorëve të këtij komiteti, veç zhurmës me radio e shtyp kundër qeverisë sonë, është që të shkëputë koloninë shqiptare të Amerikës dhe ta lidhë me reaksionin… Të merret në shqyrtim dhe të caktohet me hollësi një politikë e jona aktive ndaj kolonisë së Amerikës. Të studiohet një e nga një çdo person dhe të bëhet diferencimi. Midhat Frashëri nuk e fut dot këmbën kollaj në koloni. Po kështu edhe të tjerët. Po këto veprime duhen bërë sa më parë”.( dokumenti i Arkivit të Ministrise se Jashtme nr 13-199, Rezervate, viti 1949)

Pra, vendimi i qeverisë shqiptare ishte qe Mid’hat Frashëri të mos e fuste këmben në koloninë shqiptare në SHBA, pra tek Panfederata atdhetare “Vatra”  Ky veprim asgjësimi ndaj Mid’hat Frasherit duhej bërë sa më parë, thuhet në këtë dokument të Ministrisë se Jashtme, e cila kishte marrë urdhrin.

Masat që mori Sigurimi i shtetit Shqiptar ishte në radhë të parë bashkëpunimi me KGB sovjetike, qe kishte forcë të vepronte edhe ne SHBA. Mendohet se me ndërmjetësinë  e Kim Filbin qe ishte emëruar titullar  në Ambasadën britanike ne SHBA dhe të agjentëve rusë në SHBA, u bë e mundur zhdukja fizike e M.Frashërit, qe ishte shpallur person i rëndësishëm nën mbrojtjen e shtetit amerikan ( Kohët e fundit ka nisur edhe një hetim i shtetit amerikan për vdekjen e dyshuar të Mid’at Frashërit)

Trupi i Mid’hat Frashërit u varros me nderime në varrezat Ferchff në New York, ku e ka edhe sot varrin. Një varr i thjeshtë, i sheshtë e në mes të barit, me mbishkrimin e vetëm: “Mid’hat Abdyl Frashëri- 1880-1949”. Fjalën e lamtumirës e mbajti Nuçi Kotta në emër të Komitetit “Shqipëria e lirë”. Bënë homazhe personalitete te SHBA dhe të organizatës “Evropa e Lirë”.

Vdekja e Mid’hatit ishte një goditje e rëndë për kombin dhe kulturën shqiptare. Një nga njerëzit e shquar kulturës, që e përjetoi më dhimbje, ishte edhe albanologu Zef Valentini. Në letrën që i dërgonte studiuesit dhe publicistit të njohur, Tajar Zavalani, më 30 tetor 1949, i shkruante se Mid’hati qëndronte me lart se kushdo tjetër për nga kultura historike, ndjesia e traditave, drejtpeshimi filozofik.

 

Është e habitshme, që lajmi i vdekjes së Mid’hat Frashërit, arriti së pari, ndofta në mënyrë të nëndheshme, në burgun e Burrelit, ku ishin mbyllur mjaft nga bashkëpunëtorët dhe ithtarët e tij. Një ndër ta, poeti Kudret Kokoshi, krijoi me mend dhe ua kumtoi të burgosurve politikë një sonet, jo me tingëllime elegjiake apo mortore, por  me nota optimiste dhe përjetësie:

 

Në dhé të huaj larg Shqipes me gjak lagur,

Që Ti me ankth kaq shum’ e dashurove,

Në dhé të largët prej fatit i përflakur,

Atdheut të vuajtur jetën i dhurove.

 

Baba i kombit, ndër beteja plakur,

Ti zemrat tona me ideal i ngrohe

Rrugës së jetës sonë të përgjakur,

Në terr, Promethe, ti na ndriçove!

 

Ndër male e fusha nga veriu në lindje,

Gjëmon jehona e thirrjes shpëtimtare:

Vrapo, vrapo Shqipëri për në Rilindje,

Vrapo nën dhé, se na prin Mid’hati!

 

Falanga e kombit po vërshon me bindje,

me idet’e Lumos, pa u trembur fare.[1]

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: Dokumente te reja, E MID’HAT FRASHËRIT, MBI VDEKJEN, Uran Butka

Zbulohen dokumente të reja të Administratës Clinton (1999): Shfaqini krimet serbe në Kosovë

March 30, 2014 by dgreca

Mediat amerikane kanë publikuar rreth 2500 dokumente nga koha kur Bill Clinton ishte president i SHBA-ve. Në mesin e tyre gjendeshin komunikimet konfidenciale me këshilltarët e tij, përkitazi me Serbinë, të quajtura “Unaza rreth Serbisë”. Telegrafi ju sjellë përmbajtjen e këtyre letrave.

Këshilltarët analizojnë televizivet lokale, të cilat ata i konsiderojnë të përshtatshme për propagandë dhe ku mund t’i investojnë paratë, meqë në këto televizione transmetohej vetëm muzika, seritë e huaja, filmat e vjetër, e asnjë program informativ.

“Plani ishte që të punësojnë dhe të paguajnë gazetarët që në këto stacione televizive të fillojnë të prodhojnë programe të lajmeve. Sinjalet e këtyre stacioneve televizive kanë mbuluar territorin Mitrovicë-Prishtinë-Ferizaj. Ato ishin në pronësi të firmave, qendrat e të cilave ishin në Beograd, ndërsa përfaqësuese ishte Dragana Dojcinovic”, thuhet në dokumente.

Në dokumente gjendet edhe komunikimi i këshilltarëve, ku përmendet xhirimi i filmit për krimet e serbëve në Kosovë. Në komunikime ka marrë pjesë edhe Mona Sutphen, ish shefe e kabinetit të presidentit Barack Obama.

Në emailin me emrin “Letër nga Levini” (Carl Levin, senator demokrat), që është dërguar nga ana e Jane Stromseth në disa adresa, e ku ishte edhe Mona Sutphen, thuhet se Jane ka biseduar me zyrën për krime lufte të Departamentit të Shtetit për idenë për një dokumentar në Kosovë.

“Departamenti i Shtetit për një kohë të gjatë është duke menduar për këtë ide. Në fillim dukej tërheqëse, por pastaj u tha se nuk është ide e mirë, për dy arsye: (1) shpenzimet janë të mëdha dhe (2) dokumentari amerikan mund të rrezikojë të shihet si propagandë, pa marrë parasysh se sa me kujdes do të punohej”, thuhet në email.

Sutphen thotë se ndoshta ndonjë OJQ do ta mbështeste filmin, dhe pyet nëse George Soros, nëse Levin ka vullnet, do të mund të siguronte fonde për këtë.

Në korrespondencë të mëtejshme, Samuel Berger, këshilltari i Clintonit për politikë të Jashtme, ka marrë një letër nga Levini me sugjerimin që SHBA-të të bëjnë dokumentar që flet për krimet në Kosovë. Në kuadër të emailave është dërguar letër tek Bergeri, tek Levini, ku Bergeri falënderon Levinin për raportin që ia ka dërguar pas vizitës së mëparshme në Kosovë.

“Mbështetja e Kongresit për politikën tonë në Kosovë është kritike për rajonin që është i rëndësishëm për vendin tonë.

Unë do ta marrë seriozisht në konsideratë konceptin e një filmi dokumentar për krime lufte në Kosovë, dhe do t’ia përcjelli stafit të gjitha informatat. Në ndërkohë mos harroni se servisi në gjuhën serbe i Zërit të Marikës, Radios Evropa e Lirë dhe ‘Unaza rreth Serbisë’ do të përcjellin lajmet, përfshirë emisionet për krimet në Kosovë.

Kemi menduar edhe në aspektin rajonal, pasi presidenti ka në plan të vizitojë një konferencë në Sarajevë javën e ardhshme (takimi i Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore). Kjo do të tregojë se klima më e mirë për investime, të drejtat e njeriut dhe demokraci mund të rezultojnë në një jetë më të mirë në rajon. Milosevici (Slobodan), natyrisht nuk do të marrë pjesë dhe mungesa e Serbisë do të forcojë izolimin e tij dhe të vizionit të tij të shterur për rajonin.

Unë pajtohem me ju se ka ende shumë për të bërë sa i përket Kosovës. Besoj se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të kapërcejnë të gjitha pengesat dhe atë me ndihmën tuaj dhe me ndihmën e Kombeve të Bashkuara dhe popujt e organizatat tjera”, thuhet në letrën drejtuar Levinit. /Telegrafi/

 

 

Filed Under: Rajon Tagged With: Dokumente te reja, Kriemt serbe, ne Kosove, te administrates Clinton

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT