• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MËRQIA- KISHA E KUVENDIT TË ARBRIT, NË TË KALUARËN DHE SOT

July 26, 2021 by s p

Prof. Dom Nikë Ukgjini*

Nevoja e një Kuvendi Arbërorë

Ndër tiparet dalluese të marrëdhënieve të papatit në lidhje me Arbërinë ka qenë, në të gjitha kohët përpjekja  e tij për të qëndruar pranë vështirsive  e rreziqeve qe u janë kërcënuar, nga armiqtë e jashtëm e sidomos gjatë  pushtimit 500 vjeçarë të perandorisë  osmane.

Mbështetur në burimet e Selisë së Shenjte të shek.. XVI – XVIII vuajtjet më të mëdha dhe rreziqet e shpërbërjes së popullit të Arbrit ndodhnin gjatë pushtimeve osmane. Përhapja e Islamit në tokat arbërore, ishte një dukuri e shkaktuar prej bashkëveprimit të një numri faktorësh të natyrave, politike, ekonomike, kulturore e fetare. Disa aspekte të politikes së shtetit osman kundrejt vendeve të përfshira në pushtim rrjedhimisht edhe ndaj Shqipërisë, shërbyen si shkaqe të mirëfillta, që inkurajuan procesin e përhapjes së fesë islame ndaj shqiptarëve, duke përdorë forma të ndryshme nga dhuna e presionet  ekonomike e deri të joshja për islamin në forma të shumëllojshme.

Në shek. XVII arbërorët përjetonin  një përhapje tëjashtëzakonshme të Islamit i cili në Arbërinë e mesme dhe atë veriore kishte arritë në përmasën e 50% të popullatës që kishin braktisë besimin katolik e duke kaluar në besimin islam. Procesi i rrënimit dhe tkurrjes se katolicizmit, në Gegëri, (fjala është edhe për Maqedoninë e sotme)  si rrjedhojë e përparimit të procesit te islamizimit dhe ortodoksisë sllave, manifestohej gjithashtu edhe në pakësimin e numrit të dioqezave dhe të famullive, sidomos në kryedioqezën e Tivarit dhe atë të Shkupit.

Në këtë drejtim, relacionet e Imzot Pjeter Bogdanit, (1656-1877) nga gjysma e shek. XVII e në vazhdim, flasin për braktisje masive të fesë katolike dhe përqafim të islamit dhe ortodoksisë sllave në Kryedioqezën e Tivarit dhe të Shkupi dhe ku në vitin 1665, në kryedioqezën e Tivarit numëroheshin vetëm 2.400 besimtarë, ndërsa në qytetin e Tivarit nuk kishte asnjë familje katolike.

Ndryshimet në strukturën fetare të arbërorëve si rezultat i depërtimit të islamit dhe ortodoksisë sllave, u reflektuan edhe në aspektet të tjera, arkitekturës, urbanistikes se vendbanimeve, alfabetit, gjuhës e kulturës, dokeve e zakoneve etj. Një gjë e tillë, sipas studiuesit Ferid Duka,  kuptohet qartë edhe nga njoftimet që na jep në lidhje me qytetet e ndryshme të Arbërisë udhëpërshkruesi osman i gjysmës se dytë të shek.. XVII E. Çelebiu e në veçanti kur flet për Shkodrën.

Rrjedhojat e ngjarjeve politike dhe fetare, e detyruan Imzot Pjetër Bogdanin, në cilësinë e kryeipeshkvit të Shkupi,  në vitin 1689, të jetë organizator kryesor i kryengritjeve të shqiptarëve në Kosovë së bashku me gjeneralin austriak, Pikolimin, e ku në luftën e Kaçanikut, të vitit 1690, për shkak të epidemisë së kolerës, shqiptarët pësuan humbje të rëndë, çfarë ndikoj në përshpejtimin e  braktisjen e katolicizmit, përqafimin e islamit dhe ortodoksisë sllave në Maqedoninë e sotme.

Duke i referuar, barrës së rendë të shkaktuar shqiptarëve nga pushtuesit si nder faktorët qe stimulonin islamin, Arqipeshkvi i Tivarit, Imzot Vinçenc Zmajeviq, në  raportin e tij të viti 1702, parashikonte rrënimin e shpejt dhe të plotë të popullatës katolike. Më qëllim që të shpëtonte besimtaret e vet nga rreziku i mëtejshëm të mohimit të fesë katolike dhe problemit të kriptokatolicizmit, si rrjedhojë e pushtimit të egër osman, Zmajeviqi arsyetonte para Papa Klementit XI, Albanit, mbajtjen e një Kuvendi Mbarëkombëtar, si një analizë e domosdoshme dhe shumëpalëshe. Më qëllim që të ndalej tatëpjeta e Katolicizmit, si rezultat e përhapjes gjithnjë e më shumë të fesë islame dhe fenomeneve të tjera brenda kishe katolike, me nxitjen e përkrahjen  e Papa Albanit nga i cili gufonte gjaku arbërorë, u mbajt në rezidencën e ipeshkvit të Lezhës, Nikollë Vlladanjit në Mërqi, të Lezhës në vitin 1703 Kuvendi Mbarëkombëtar i Arbrit.

 Kuvendi në fjalë i kryesuar nga delegati papnore Vinçenc Zmajeviq, me praninë e të gjithë ipeshkvijve të tokës së Arbrit, vendosi si një vetëmbrojte kombëtare, midis të tjerash, që t‘i jepej fund dhe dilemave për çështjeje të kalimit të katolikëve në islam, kriptokatolizimit si fenomen tashme i përhapur në gjitha trojet shqiptare dhe përdorimit sa më shumë i gjuhës shqipe nga misionaret që vepronin në Arbëri etj..

Një pyetje e mprehetë shtrohet: si u lejua mbajtja e Kuvendit të Arbrit, kur vala e kryengritjeve  të armatosura të arbërorëve, kundër perandorisë osmane ishte e pranishme në çdo hapsirë të vendit tonë dhe vendet evropiane. Përgjigja mund të jetë se tendosja që karakterizonte në përgjithësi marrëdhëniet në mes administratës osmane dhe krerëve te Kishës Katolike Arbërore, nuk përjashtonte momentet e mirëkuptimit në mes të dyja palëve, veçanarishtë, kur në poste të rëndësishme të perandorisë qëndronin vezirët apo pashët me njëvetëdije më të lart të gjakut arbërorë. Për rastin në fjalë kemi të bëjmë me periudhat e qetësimit të gjendjës më Paqen Karlovcit 1698, prezencën në Portën e Lart të vezirit të Madh me gjak arbëror, Mustafë Qypriliu dhe pashait të Dukagjinit, Hydaverdi Pashë Begolin nga Peja me origjinë nga fshati Sumë në veri të Arbërisë i cili mbahej si Pasha i lart për gjithë Arbrin dhe konsiderohej mik i mirë i Zmajeviqit. Por, evidentimi i burrave të armatosur në veri të Arbërisë, sipas zonave dhe famullive, nga abatit i Mirditës, Gjergj Stampaneo, dërguar Selisë së Shenjtë në vitin 1685, nuk shërbeu vetëm si motiv për realizimin kryengritjeve të Imzot Pjeter Bogdanit, në Kosovë, por ishte edhe si vigjilencë e shtuar për sigurimin e mbajtës së Kuvendit të Arbrit. Në këtë kuptim duhet marrë edhe hartat e P. Coronellit, të vitit 1688 dhe Rossi-Contanelli të vitit 1689.

Por, për çdo eventualitet, për ta kuptuar rrjedhën paraprake, të gjithë kësaj ngjarje është e domosdoshme të behën kërkime për gjetjen e korrespondencës të padalë akoma në dritë, në mes Portës së Lartë dhe Romës, për të mësuar detajet e gjithë rrugëtimit të ngjarjes që solli lejimin e  mbajtjes së këtij Kuvendi.

Famullia e Mërqisë, vendi ku u mblodhën burrat e dheut

Vetë pozicioni gjeografik, politik e historik i Lezhës ka qenë arsyeja që në këtë dioqezë në momente të caktuara historike janë zhvilluar aktivitete të rëndësishme, me karakter politik, shoqëror dhe fetar, si Besëlidhja e Lezhës në vitin 1444, dhe Kuvendi i Arbrit në vitin 1703. Për dioqezën e Lezhës ka qenë dhe mbetet një nder i madh miratimi nga Papa Albani që Kuvendi i Arbrit  të mblidhej në Lezhë, në Kishën mbi një faqe mali të Mërqisë,  ku shkëlqente rezidenca  ipeshkvore më e bukura në Arbëri e ndërtuar që në vitin 1668, nga ungji i Nikollë Vlladanji, Imzot Gjergj Vlladanji.

Ky gjest i Papa Klementi si një figurë më kryesore botërore e kohës, i dha dioqezës dhe fshatit një vlerësim të jashtë zakonshëm, duke i vendosur emërtimet e tyre në analet e historisë kishtare botërore. Ndërsa mbajtja e Kuvendi i Arbit në Lezhë, në kuptimin më të përgjithshëm, tregon se shpirti i  Gjergj Kastriotit i cili mblodhi burrat e dheut në Besëlidhjen Shqiptare në Lezhë dhe po aty që varrosur në vitin 1467, “jeton i gjallë në zemrat e shqiptarëve, si brenda vendit, ashtu në ngulmimet jashtë tij”, do thoshte Mark Vuji.

Pas rënies së Lezhës në vitin 1478 nën pushtimin osman, dioqeza sipas relacioneve kishtare, nuk kishte një rezidence të fiksuar për shkak të përndjekjeve turke, por, selia ipeshkvore qarkullonte nga një famulli në tjetrën, si në Mërqi,  Velë, Dibër dhe në fund në famullinë e Kallmetit nga vitet 1845 e në vazhdim, vit ky kur qe ndertuar Katedralja e Kallmetit me iniciativën e Imzot IvanTopich.

Famullia e Mërqisë, kushtuar Shën Gjon Kryepremit, si administratë kishtare,  gjendet në verilindje të qytetit te Lezhës dhe kufizohet me famullinë e Kallmetit, Veles, Balldrenit dhe famullin e Lezhës.

Në dokumentet të deritanishme të njohura historike, emri i Mërqisë, sipas prof.. Kasem Biçokut, figuron në defterin e Sanxhaku të Ohrit të vitit 1583, dhe i përkiste krahinës së Petro Gjonimës, me 80 shtëpi, që përbenin 6.55 % banorëve të krahinës. Shquhej si prodhuese e madhe e drithërave, verës e ullinjve. Sipas Defterit një pjesë e popullatës që nga kjo kohë, kishin kaluar në besimin islam.

            Dokumentet historike, ku mund ta ndërtojmë ngrehinën e kësaj famullie në vazhdim, janë relacionet e vizitorëve Apostolik dhe relacionet e ipeshkvijve të Lezhës, drejtuar Selisë së Shenjtë në Romë.

Shënimin e parë nga relacionet dërguar Selisë së Shenjtë e shkëpusim nga delegati Apostolik, Imzot Marin Bici, i cili në vitin 1610, duke folur për gjendjen e Kishës Katolike në Arbri ndalon edhe në Mërqi. Pa dhënë shënime për Kishën si objekt, do shprehej së famullia ishte e dominuar nga ushtarët turq dhe te kroi (vraga) në Mërqi, mbaheshin kuvendet e Alibeiut dhe krerëve të popullit, e kunjë rast edhe vetë ai kishte shkuar atje me ndërmjetësimin e Ndoc Gjankut nga Merqia,  duke e marrë lejen për t’i vizituar kishat të tjera të dioqezës se Lezhës, të cilat gjendeshin të mjerueshme. Duke u shprehur për Ipeshkvin e Lezhës, Inocenti Stoiçi, (1596-1620), Bici, konstaton së ai për shkak të torturimeve turke, dioqezën udhëhiqte nga Raguza. Ky veprim për Bicin cilësohej si i pa pranueshëm.

Duke folë në vazhdim për ipeshkvin Stoiçi, shprehet se në fillimet e tij rezidencën e kishte afër një Kishe poshtë kalasë të Shën Katarines, në një shtëpi prej kashte. Ndërkohë Lezha nga një qytet më shumë lavdi, ishte shndërruar në një fshat, më shumicën e shtëpive të rrënuar e të dëmtuara keq, të banuara prej turqish që janë më të dhunshëm se në çdo vend tjetër, konstaton Bici.

Më ardhjen në selinë ipeshkvore të Benedikt Orsinit (1621-1654) dioqeza filloi të rimëkëmbej. Nga relacioni e tij vitit 1629, kuptojmë se gjatë pushtetit të tij, shumë Kisha dhe qela që ishin gjysmë të shkatërruar nga sulmet turke, qenë meremetuar. Më këtë rast përmendet edhe meremetimi i Kishës dhe qelës në Mërqi. Nga relacioni i mëvonshëm i Gjergj Vlladanjit i vitit 1663, kuptojmë së Orsini qe i pari ipeshkëv i cili rezidencën e tij e kishte vendosur në Mërqi. Orsini, meqenëse flet në vija të përgjithshme, për ndërtime dhe meremetime brenda dioqezës, dhe nga ana tjetër kuptojmë se rezidencën e kishte vendosur në Mërqi, me këtë rast, nuk përjashtohet mundësia që vet Orsini ta ketë ndërtuar Kishën e sotme të Kuvendit Arbrit. Dhe themelet e Kishës dhe qelës që sot gjenden në patologun poshtë varreve, mund të jenë të kohës para Bicit. Kjo nisur edhe nga një arsye e thjeshtë, së kroi(vraga) të cilin e veçon Bici në relacion, me pozicioni natyrore që ka, do furnizonte lirshëm me ujë më rënie të lirë të dy objektet poshtë varreve.

Nga relacioni i Ipeshkvit Gjergj Vlladanji,(1656-1689), i vitit 1663, kuptojmë se ai për një kohë të caktuar selinë e tij e kishte zhvendosur në Velë, për shkak se ishte mu në mes të besimtarëve që jetonin nëpër vargmalet e Mirditës dhe nuk ishin akoma të nënshtruar islamizimit në krahasim në pjesën fushore që kishin filluar të nënshtronte pushtetit turk, siç shprehet Vlladanji. Dhe tek në vitin 1665, me urdhrin e Selisë së Shenjtë, Vlladnji, kthehet në Mërqi, aty në vitin 1668, ndërtoi rezidencën e vet, me një materiae shumë të mirë, ku kishte 6 dhoma dhe një sallë të madhe, dhe cilësohej si ma e bukura në Arbëri. Relatori Apostolik, Stjefen Gaspri, në 1671, shprehet se Kisha e Mërqisë, ka famullitar, dom Pjeter Negrin dhe është ndërtuar me mur guri, por është në gjendje të keqe. Më këtë rast, Gaspri, për të parën herë nga gjithë relatorët jep statistikat e besimtarëve, duke thenë se famullia ka 80 shtëpi me 500 besimtar. Ndërsa Abati i Mirditës, Gjergj Stampaneo, në letrën e tij të vitit 1685 dërguar Selisë së Shenjtë, duke shprehur se  Rezidenca e ipeshkvit qëndron në Mërqi, jep edhe numrin e burrave katolik që janë të aftë për armë, në zonën e Lezhës, nga Pellana deri ne Mërqi, e ku rezultojnë së janë 1. 500 burra. Evidentimin e Mërqisë dhe Raboshtës e gjejmë edhe të harta e  P. Coronellit, të vitit 1688 ku Raboshta kishte  20 shtëpi më pak turq, kurse Mërqija kishte më shumë turq (shqiptarë të islamizuar). Edhe në hartën e Giacomo Rossi dhe Giacomo Contanelli, të vitit 1689, nxitur nga Francesk Albani si sekretar i kurjes Romake, evidentohen, Mërqia e Raboshta.

Në prag të Kuvendit të Arbrit, pasardhësi Nikollë Vlladanji (1692- 1728) në relacionin e tij të vitit 1694, shprehet se famullia e Mërqisë, përbehet nga Raboshta e Domja, dhe gjithësejt ka 60 familje 560 besimtar, më famullitar Mark Krythai cili jeton s’bashku me ipeshkvin në rezidencën e tij. Nga ky relacion kuptojmë, së Kisha është e ndërtuar prej guri, ka portikun dhe sakristin për mbajtjen rrobave të shenjta. Brenda është në rregull. Ka altarin kryesor dhe dy të vegjël dhe një kambana,  por pa kambanore  të mirëfilltë.

Në relacionin e Kuvendit të Arbrit mbajtur më 14-15 janar 1703, ku kryesues qe kryeipeshkvi i Tivarit, Vinçenc Zmajeviq, ai nder të tjera, shkroi se dioqeza e Lezhës, kishte dy rezidenca, njëra në pjesën malore të Mirditës dhe tjetrën në Mërqi. Famullia përfshinte Mërqinë e Raboshtën dhe kishte 60 shtëpi me 410 besimtar. Kisha ishte në gjendje shumë të mirë dhe kishte të gjitha pajisjet shërbestare; një kryq argjendti dhe një sakresti; altarin e madh në krye më figurën e Shën Gjon Pagëzuesin dhe një kambanë të madhe. Më tej Zmajeviq,  shprehej se rezidenca është e ndërtuar shumë mirë dhe nuk e ka shoqen në Arbri. Vendi është shumë i mirë dhe syri të shef fushën e Lezhës, Sapës, Shkodrës dhe Krujës deri në Kepin e Redonit që duket si kalorës. Famullia ka shumë tokë pune, vreshta, ullinj e livadhe. Ka famullitar Demeter Negrin (Ziun).

Në relacionet e tyre, pas Kuvendit të Arbrit, ipeshkvi Nikollë Vladanji 1710, e Gjon Gallata në vitin 1735, nuk evidentojnë ndryshime në këto mjedise. Gallata thotë së Mërqia kishte famullitar dom Simon Negri. Në vitin 1743, numëron 97 shtëpi më 869, besimtar dhe për shkak të shtimit të popullatës, kishte edhe dy priftërinj të tjerë si ndihmëse.

            Shënime me interes gjejmë te ipeshkvi Anton Kryeziu (1750-1765), në relacionin e tij 1753 i cili banonte edhe në Velë. Ai shprehet se në këtë Kishë ka qenë mbajtur Kuvendi i Arbrit me delegatin Apostolik Vinçenc Zmajeviq dhe Kisha është në gjendje të mirë, por qela e madhe e ndërtuar shumë mirë, tani është e pabanueshme për shkak të dhunimit të turqve. Kisha, shprehet Kryeziu,  ka dy kambana, njëra 50 libra peshe e tjetra 30. Kjo zyre famullitare jep ndihmë me ushqime të ndryshme edhe kishave të tjera nga pasuria që posedonte. Rektor i kësaj Kishe ishte  Dom Mark Popa dhe ndihmësit e tij dom Nikollë Negri dhe dom Pal Stambaneo. Famullia kishte 82 shtëpi me  932 besimtar dhe 20 shtëpi myslimane.

Pasardhësi, Imzot Mikel Kryeziu (1786 -1797) në relacionin e tij të vitit 1787, njofton, se Kisha e Mërqisë si shumë kisha të tjera në Zadrimë e Kurbin, ka qenë e dëmtuar keqas, gjatë luftës për një autonomi më të zgjeruar shqiptare të pashallëkut të Shkodrës, në mes Karamahmud Pashë Bushatliut dhe besnikut të sulltanit, Mehmet Pashë Çaushollit gatë viteve 1785-1796. Kryziu në vitin 1789, thotë se Kisha është aq e prishur sa duket se do të rrënohet në mos sot o nesër dhe mezi qëndron në këmbë. Popullata është varfëruar nga plaçkitjet turke dhe për ringritjen e Kishës duhet ndihma e Propagada Fide në Romë. Famullia ka 136 familje me, 886 besimtar.

 Për fillimin e rindërtimit të Kishës, dhe sfidat më të cilat ndeshet ky rindërtim, flet Kryezui në relacionin e viti 1792.

            Kryeipeshkvi i Durrësit, Tommazo Mariani, në cilësinë evizitorit, në 1795, jep informacion se, rezidenca dioqezane dhe shkolla janë akoma në Velë. Në Mërqi ku u mbajt Kuvendi i Arbrit i udhëhequr nga Zmajeviqi, qëndron një pallat i bukur ndërtuar nga Gjergj Vlladanji, por Kisha famullitare është e shembur dhe duhet rindërtuar. Selia e Shenjte ka ndarë një fond, por kërkohet ndihma edhe nga kleri dhe besimtaret. Por duhet marr licenca për rindërtim, nga kadiu i Lezhës, sepse ky objekt ka një rendësi të veçantë për shkak të Kuvendit të Arbrit, thekson Tommazo.

Imzot, Nikollë Malçi(1797- 1825), nga rezidenca në Velë, më 10 shkurt, viti 1800, flet për rindërtimin e ri të përfunduar të Kishës së Mërqisë, me ndihmën e Propaganda Fides. Por meqë nuk mjaftuan financat populli mezi arriti t’i përfundojë muret dhe çatinë e saj. Në relacionin e vitit 1801, me 4 shtator, Malçi flet se kisha ishte e ndërtuar krejtësisht e re me mure të gurit dhe e mbuluar mirë. Famullitar, kishte Dom Mark Bardhin.

Imzot Ivan Topich, (1842- 1853), administrator i Shkupit, 5 maj të vitit 1844, rrëfen në Mërqi ka 106 shtëpi më 810 besimtar. Kisha e ringritur kishte një kambanë të madhe, kurse qela është duke u rrënuar nga dhembi  kohës. Në relacionin e më vonshëm të vitit 1846, Topich, flet për zbukurimet e brendshme të Kishës, me orendi veneciane, xhama vitrat me motive të ndryshme fetare, altari dhe cibori (kelkshenjti) dhuratë nga shqiptaret e Italisë, kurse tavani i zbukuruar sipas traditës shqiptare. Zbukurimet e mëtejshme janë realizua edhe në kohen e Luigj Çurqisë ( 1853-1858), me ndihmën e Austrisë, shkruan, Pal Dodmasei, ( 1858-1868),  në vitin 1865 dhe shton se Mërqia kishte 82 shtëpi me 659 besimtarë. Dodmasej, thotë së nga Kakarqi shkova në Mërqij. Atje Kisha ishte e bukur e ndihmuar për pajisje nga brenda nga Austria, në kohën e ipeshkvit  Mons. Luigi Çurçia, në vitin 1853 dhe famullitar ishte Mark Gallat. Me këtë rast, më në fund  Kisha e Mëlqisë e kishte fituar dinjitetin e merituar.

Mërqia pas pavarësisë së vendit tonë

Por ai shkëlqim sikur nuk zgjati shumë. Në vitin 1912, e në vazhdim rifillon kalvari i ri i shkatërrimit të këtij objekti. Sipas relacionit të Luigj Bumçit,(1911-1943), famullitar ishte  dom Jak Kukulla. Qela qe djegur dhe shkatërruar me 19, mars 1912, nga turqit në ikje. Sipas delegatit Apostolik, për Shqipërinë, Ernesto Kocit në relacionin e tij vitit 1918, gjitha kishat dhe qelat në dioqezë kishin nevojë të restaurohen, sepse shumica prej tyre kanë qenë të dëmtuar nga esadistet shqiptar në vitin 1915 dhe dhembi i kohës.

Në vitet në vazhdim, këto objekte të Kuvendit të Arbrit nuk patën trazime të theksuar, pos nevojës për mirëmbajtës të zakonshëm nga degradimet e kohës.

Në regjistrin e vitit 1945, të kohës së Komunizmit, mësojmë së Mërqia kishte 440 banor dhe 78 kryefamiljar dhe famullitar ishte dom Zef Shtufi. Ndërsa në vitin 1959,kur famullitar ishte Dom Ndoc Sahatçia, famullia numëronte, 84 familje me  650 banorë. Në këtë kohë, Kisha e Mërqisë ka qenë zgjeruar në pjesën e altarit të sotëm dhe ka pasur një kambanare të gjatë në anën e majtë të hyrjes.

Me mbylljen e kishave në Shqipëri në vitin 1967, edhe këto dy objekte më rendësi historike e patën fatin e keq si shumë objekte të tjera të kultit. Kisha e qela e Kuvendit të Arbrit, për një kohë të caktuar qenë shndërruar në stallë bagëtish dhe më vonë duke i lënë në mëshirën e fatit ato u shkatërruan, e sidomos qela që mbeti nën qiellin e hapur me katër muret e saj.

Pas hyrjes së demokracisë në vitin 1991, meqenëse Dioqeza e Lezhës, si dhe të gjitha dioqezat të tjera në Shqipëri, ishte ende e pa organizuar mirë, Kisha e Mërqisë e cila ishte në gjendje rrënimi, u meremetua plotësisht nga famullitari atëhershëm, Dom Dodë Gjergji, duke u inaugurua ditën e Shën Gjon Kryepremit më 29 gushte të vitit 1996. Por, qela nga e cila kishte mbetur vetëm në muret jashtëm, nuk u arrit të meremetohet as sot e kësaj dite.

Projekti ynë

Pas sistemimit dhe restaurimit të Kishës të poetit Mjeda në Kukël, (2014), kishave mesjetar të Balldrenit (2019) dhe asaj të Pllanës, (2020), duke kuptuar rolin që ka në historinë e popullit Kuvendi i Arbrit, një grup vullnetmirë, hartuam projektin për krijimin e një qendre përkujtimore në Mërqi. Projekti i Arbrit do shtrihet në gjithë hapësirën e oborrit të Kishës ekzistuese, rehabilitimin e mureve të rrënuar të qelës si dhe rehabilitimin e pjesshëm të Kishës në fjalë. E shohim të domosdoshme, edhe kryerjen e gërmimeve në rrënojat e Kishës së vjetër poshtë varrezës, si dhe në rrënojat e Kishës paleokristine në Sukën e Gjelit, poshtë Mërqisë, të zbuluara nga arkeologet shqiptar e gjerman në vitin 2008.

* KONFERENCË SHKENCORE JUBILARE: PAPA KLEMENTI XI DHE SHQIPËRIA.

TIRANË, 15 KORRIK 2021

MBAJTUR TE AKADEMIA E SHKENCAVE E SHIQIPËRISË.

Filed Under: Histori Tagged With: dom Nike Ukgjini, Merqia, Papa Klementi

DY FJALË RRETH LIBRIT “KISHA KATOLIKE NË TREVAT SHQIPTARE NGA SHEK XI DERI SOT” TË DON NIKË UKGJINIT

August 29, 2016 by dgreca

Shkruan: Don Robert Kola*/

Ditë më parë më ra në dorë libri i dom Nikë Ukgjinit “Kisha katolike në trevat shqiptare nga shek XI deri sot”, botuar nga Qendra botuese shoqata e jezuitëve, Tiranë 2016.

Edhe lexuesin e rëndomtë libri e vë para disa dyshimeve. Zë fill nga  vetë titulli i librit: autori ka marrë përsipër një barrë tepër të rëndë, që për ta bartur – përmbushur nuk do te mjaftonte edhe një institucion i tërë i fushës përkatëse. Kjo vërehet nga periudha e gjatë, që merr në vështrim autori, po edhe nga shumësia e dukurive që shtron në të dhe synon t’i vështrojë e t’i sqarojë. Natyrisht, për t’u marrë me shumësinë e dukurive dhe të mëdyshjeve para të cilave të vë libri, në këtë shkrim të shkurtër, më tepër si reagim, po veçoj vetëm pak dukuri e të dhëna.

Në fillim me duhet të përmend faktin se libri i përmendur duhet sado pak ta trandë ndërgjegjen e shtëpisë botuese; në të nuk është e përcaktuar qartë metodologjia sado e thjeshtë e studimeve historike, të cilën jezuitët e përcjellin me përkushtim e hollësi.

Po shkëpus këtu një pohim të autorit të librit në f. 272, ku thuhet: “Yves de la Briere, në librin Etudes, (1933) dhe filozofi frëng Jacques Maritain, (1882-1973), në librin Njeriu dhe Shteti, (Chicago 1951), duke u mbështetur në mësimet e Shën Tomë Akuinit (shek XIII), do shpreheshin se‚ Shteti përbëhet nga një komb i vetëm… dhe Shtetet që përbëhen nga shumë kombe të ndryshme do të shkatërrohen”.

Njëmend e mëson shkolla jezuite këtë gjë? A thua botimet e jezuitëve duhet t’i bëjnë vend, brenda shtëpisë se tyre, një qëndrimi të tillë të përmbysur, jashtë çdo kriteri të mendimtarëve që i përmend autori i librit, i cili me hamendësim përkufizon mendimet e Tomë Akuinit dhe Jacques Maritain, mendime të cilat ndiqen me aq përpikëri nga shkollat jezuite?

Mbase dukuria e shtetit fshin dimensionin eskatologjik të historisë, ku fise, popuj e kombe të ndryshme, nga të gjitha skajet e tokës, do këndojnë këngën ngadhënjyese të Qengjit në Mbretërinë e Hyjit? Mos shteti si një përbindësh do t’i shpërlajë dhe zhbijnë kombet dhe fiset e tjera që nuk do shkrihen në një shtet të vetëm e në një komb të vetëm?  A thua shteti është hipostaza e vetme e historisë që do mbijetojë? Apo nuk janë popujt, kombet e fiset e ndryshme që përbëjnë hipostazën e vërtetë eskatologjike të historisë sipas mendësisë së krishterë?

Në rrjedhën e natyrshme të dukurive nga shtëpia botuese lexuesi pret një përgjigje rreth këtij pohimi që haset në botimin e saj.

Nga këto pyetje, natyrisht, po e kursej autorin e librit, mbasi ai nuk e merr me mend përmasën e saj.

Kërkoj një përgjigje shkencore edhe nga dy recensuesit e librit: Pëllumb Xhufit dhe Jahja Drançollit si dhe nga Atë Mario Imperatori, i cili nga ana e vet bëri një vlerësim të këtij botimi edhe me shkrim.

Po përmend këtu metodën dhe natyrën e këtij libri që mban “Kisha katolike në trevat shqiptare nga shek XI deri sot”, mbasi vetë autori ngatërrohet për të përcaktuar metodën e studimit. Në Hyrje të librit autori thekson: “Libri ka si qëllim të mbarështojë ngjarjet historike, (kursivi im) të cilat kanë të bëjnë me shqiptarët në trevat e tyre stërgjyshore dhe Institucionin e saj të pa ndashëm Kishën katolike, (kursivi im) e cila ndau fatin e popullit në të mirë dhe në të keq” (f. 21) dhe vazhdon më tutje “libri në fjalë ka këndvështrimin e vet të paraqitjes (së) të historisë kishtare” (kursivi im) (f. 22) dhe shton: ”është më i thelluar dhe më gjithëpërfshirës në zbërthimin e ngjarjeve historike që lidhen me Kishën Katolike në trevat shqiptare (kursivi im). Ky punim synon të merret në hollësi me jetën konkrete të Kishës shqiptare (kursivi im) të salvuar dhe vijimësinë e rrugës së saj për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe fetar gjatë luftërave të ashpra pushtuese sllave dhe osmane”. (f. 22)

Temat që dalin sipas Hyrjes së autorit janë: a) Kisha në trevat shqiptare; b) historia kishtare; c) ngjarjet që lidhen me Kishën katolike në trevat shqiptare; si dhe d) paraqitja në hollësi e jetës konkrete të Kishës shqiptare.

Kjo e fundit përbën një risi të padëgjuar për shkencën e historisë.

Pra, lexuesi i zakonshëm ka nevojë t’i kuptojë mirë caqet e metodës shkencore të këtij punimi. Nga një vrojtim edhe kalimthi i Hyrjes së librit arrihet të kuptohet se në këtë punim bëhet fjalë për tri fusha të kërkimit, dhe që metoda shkencore e historisë i dallon mirëfilli. Nuk kuptoj se si kjo vepër “shkencore” synon të paraqesë: historinë kishtare; Kishat në trevat shqiptare si dhe jetën konkrete të Kishës shqiptare, kur secila prej tyre kërkon qasje të ndryshme dhe vetvetiu kërkon metoda të veçanta.

Mbi të gjitha nuk e kuptoj “risinë shkencore” të autorit i cili synon të paraqesë historinë e “jetës konkrete të Kishës shqiptare.”

Ky përkufizim të rikujton periudhën e persekutimit nga sistemi i diktaturës komuniste, kur kërkohej të krijohej Kisha kombëtare dhe persekutimi i saj dhe nuk kuptoj çka më saktë autori synon të përfshijë përmes këtij nocioni.Ajo çka më intereson këtu është si përvijohet metoda shkencore për të paraqitur “jetën konkrete të Kishës shqiptare.”Për këtë arsye u drejtohem P. Xhufi-t, J. Drançolli-t dhe Atë M. Imperatorit, të shtjellojnë përvijimin e kësaj risie në shkencën e historisë si dhe metodën e saj të cilën autori e paska ndjekur më aq “rreptësi”?

  • E dergoi per Diellin, Alfons Grishaj

 

Filed Under: Histori Tagged With: dom Nike Ukgjini, Kisha Katolike, ne Trevat shqiptare, shek XI

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT