• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Don Lush Gjergji: Të mos krijohen përçarje për bustin e Nënës Terezë

January 20, 2014 by dgreca

Me keqardhje kemi marrë lajmin për rënien e bustit të madhështores sonë, Nënë Terezes, në Mitrovicë. Dhashtë Zoti të mos jetë nga dora e njeriut, ka thënë Don Lush Gjergji.

“Ne po presim konstatimet e policisë dhe ekspertëve”, thekson Gjergji, për Presheva Jonë. Ai ka apeluar që ky rast të merret me rezerva dhe të mos shfrytëzohet nga askush për spekulime e as për përçarje.

“Ne jemi vëllezër dhe Nëna Tereze ishte e të gjithëve neve. Vepra, shëmbëlltyra dhe misioni i saj ishte i qartë dhe universal”, ka pohuar ai, duke shtuar se Kosova dhe gjithë shqiptarët Nënën Tereze e kanë në zemër dhe mendje.

Filed Under: Featured Tagged With: don Lush Gjergji, jo percarje, per bustin e Nene Terezes

ANTON ÇETTA – “Babai i Pajtimit”

June 22, 2013 by dgreca

Falja e gjakut është trimëri kulmore, kërkesë, nevojë dhe domosdoshmëri e kohës sonë, sepse pa flakjen e kësaj dukurie, kancerit shpirtëror shqiptar, nuk ka liri dhe demokraci të mirëfilltë./

Shkruan: Don Lush GJERGJI/

Me shumë bindje dhe kënaqësi mund të them se pata fatin, rastin, dhuratën dhe hirin e Zotit që të isha një ndër bashkëpunëtorët e të palodhshmit, të papritueshmit dhe të pavdekshmit prof. Anton ÇETTA në lëvizjen e madhe të pajtimit të gjaqeve. Ai gjatë tërë jetës  dhe veprimtarisë së  tij  të mëhershme ishte “Bleta” që mblodhi “nektarin” më të mirë të popullit shqiptar, me  letërsinë dhe traditën gojore, etnografike dhe folklorike, me grumbullimin dhe sistemimin e thesarit të rëndësishëm dhe të çmuar popullor për ne dhe për brezat e ardhshme. Kështu Prof. Anton Çetta  kishte zbuluar dy damarë të rëndësishëm të komunikimit me popullin shqiptar, atë të mendjes, arsyes, kulturës dhe traditës, si dhe atë të zemrës, ndjenjave, përjetimeve. Mu për këtë mendoj se ishte një ndër njohësit më të mirë të “gjakut tonë të shprishur”, si thonë Arbëreshët, të mendjes dhe zemrës arbërore.

E tërë kjo punë, lëvizje, gjurmim ndër popull dhe me popull, si duket ishte parapërgatitja ose “uvertura” për kryeveprën e tij jetësore, pajtimin e gjaqeve gjatë vitit 1990, aq sa më të drejtë mund ta quajmë,  ishte e mbetet “Babai i Pajtimit”.

Kudo që shkonim dhe  kalonim, Antoni ynë kishte ndonjë shok, mik, dashamirë, gjithnjë me ndonjë ngjarje apo përjetim nga e kaluara, me kujtime  të freskëta dhe thënie popullore, me mençuri dhe butësi shembullore, me tregime tronditëse dhe mahnitëse, të cilat bashkëbiseduesit i detyronin në vëmendje dhe heshtje, në vrojtime dhe mendime, shpesh edhe në “dorëzime”, deri te shtrirja e dorës së pajtimit.

Në shoqëri me Bacën Anton, si e thirrnim gati të gjithë me nderim dhe me dashuri, kishim çka të përjetojmë, dëgjojmë dhe mësojmë, sepse ai e krijonte ambientin e takimit, bisedës, ndejës, kënaqësisë së  shoqërisë dhe shoqërimit ndërnjerëzor, aq sa çdo herë ishim të mahnitur nga arti i tij në komunikim. Ishte vërtet Mjeshtër i Popullit dhe për Popullin!

Anton Çetta, ndoshta më mirë se askush prej nesh, e njihte fare mirë dhe për së afërmi,  në brendi e thellësi shpirtin e lënduar dhe të robëruar të popullit shqiptar nga vuajtja, skamja, kërcënimi dhe robërimi shekullor, shpesh i stërngarkuar edhe nga vetmia, izolimi, kërcënimi i gjak – hakmarrjes dhe shumë baticave dhe zbaticave tjera, veçmas i ndarjeve dhe përçarjeve, që për sundimtarët ishte arma më e lehtë e sundimit dhe robërimit tonë.

Shi për këtë ai ishte tejet i motivuar, gjithnjë i frymëzuar më tepër se kurrë në këtë nisje fatbardhe dhe të bekuar, do të thosha edhe më tepër, providenciale.

Thoshte kështu: “Populli shqiptar është i mirë dhe bujar, por ka ra pre nën ndikimin e së keqes, është robëruar nga shumëkush dhe shumëçka, e ne, bijtë dhe bijat e tij, duhet ta “zgjojmë” nga kjo kllapi, ta lirojmë nga ky robërim dhe kushtëzim i traditës së keqe, e cila nuk është e jona, mbi të gjitha është shumë e dëmshme dhe vdekjeprurëse, sepse vëllaun e shndërron në vrastar, mikun në armik, jetën në vdekje, dashurinë në urrejtje, lirinë në robëri…”.

Së bashku me rininë tonë, me botën e kulturës dhe të artit, me krijuesit e profileve të ndryshme, me hoxhallarë dhe meshtarë, me një fjalë me të gjithë, kishte krijuar një “orkestër” unik të pajtimit të gjaqeve, të cilin ai e “dirigjonte” me shumë mjeshtri dhe me dashuri.

Pranvera e madhe e vitit 1990 me Pajtimin e Gjaqeve, me Shoqatën Humanitare Bamirëse të Kosovës “Nëna Tereze”, Luftën kund Analfabetizmit, që shprehej me krijimin e sistemit paralel shkollor dhe shëndetësor, e kishte vetëm një Protagonist, Popullin Shqiptar, një Prijës dhe Frymëzues dhe Babë, Prof. Anton Çettën, një qëllim dhe përcaktim, takimin, afrimin dhe bashkimin e mbarë popullit rreth një ideje dhe ideali tejet të lartë, gati edhe mitik dhe utopik për atë kohë,  atë LIRISË DHE PAMVARËSISË.

Synimi ishte i qartë, mposhtja dhe sh’ rrënjosja e gjakmarrjes një herë e përgjithmonë, si parakusht qenësor për paqe dhe pajtim, për liri dhe demokraci, për një të tashme dhe ardhmëri më fatbardhe.

Ja si e përshkruante Anton Çetta këtë lëvizje: “Në fillim të shkurtit 1990, disa studentë të Pejës me disa mësimdhënës kishin themeluar “Këshillin e Pajtimit” për ta pajtuar popullin. Tentimi i parë ishte disi i suksesshëm, kemi pajtuar një rast vrasje, ndërsa në pesë raste tjera kemi marrë “besën” për tre muaj. Fillimi ishte në fshatin Lumbardh dhe Raushiq afër Pejës… Rinia ka punuar shumë me javë të tëra për t’i zbuluar këto raste, për t’i përgatitur njerëzit për paqe. Sipas mendimit tim janë katër arsye kryesore të pajtimit. Në rend të parë ishte një propozim human dhe kishte për qëllim kryesor “paqen mes njerëzve”. Në rend të dytë propozimi ishte në duar të njerëzve të vlefshëm, të rinisë dhe të inteligjencës… Populli fill e përqafoi këtë propozim… S’duhet harruar edhe momentin historik të ngjarjeve si dhe domosdoshmërinë e pajtimit për krijimin e shoqërisë pluraliste dhe demokratike…” (Valentino Salvoldi – Lush Gjergji, Resistenza nonviolenta nella ex-Jugoslavia, EMI, Bologna, 1993, fq. 70-71. Më gjerësisht lexo: Po aty, vep. e cit. fq. 25-80).

Ja përshkrimi i Anton Çettës i vështirësive për pajtimin e gjaqeve: “Ishin dy shkaqe kryesore të pengimit të pajtimit. I pari ishte bindja kokëforte për ruajtjen e traditës sipas Kanunit. Disa njerëz në mënyrë fanatike shkonin sipas kësaj tradite. Arsyeja tjetër ishte justifikimi i familjeve të cilat e zbatonin hakmarrjen, sepse kështu dëshironin të paraqiteshin besnike ndaj traditës…” (Giancarlo-Valentino Salvoldi – Lush Gjergji, Kosovo nonviolenza per la riconciliazione, EMI, Bologna, 1999, fq. 52. Më gjerësisht lexo: Po aty, vep. e cit. fq. 37-77).

Ja edhe shpjegimi sintetik dhe profetik i Prof. Anton Çettës për pajtimin e gjaqeve: “Ne fill e kemi përjashtuar mundësinë e dëmshpërblimit apo të pagesës së gjakut: Pajtimi i gjithmbarshëm i popullit shqiptar duhet të jetë një vepër fisnike, vetëm një gjest i përvujtërisë dhe shpirtmadhësisë së popullit tonë… Të tjerët po na vrasin vazhdimisht, a duhet atëherë edhe ne të vritemi  me njëri-tjetrin?… Jo, duhet të jemi si kurrë më parë afër dhe së bashku me njëri-tjetrin, sepse na presin sprova dhe rreziqe të ndryshme edhe më të mëdhaja…” (Giancarlo-Valentino Salvoldi – Lush Gjergji, Kosovo un popolo che perdona, EMI, Bologna, 1997, fq. 48: Më gjerësisht lexo: Po aty, vep. e cit. fq. 31-105).

Falja dhe pajtimi – parakusht jete, paqeje dhe qytetërimi

Njeriu dhe njerëzimi s’mund të jetojnë pa falje dhe pa dashuri. Falja, pajtimi dhe dashuria nuk është thjesht vepër njerëzore, çështje e arsyes, vullnetit apo përcaktimit tonë, sepse mendoj se pjesa dërmuese e njerëzimit e kupton se e keqja nuk mundet me të keqe, por vetvetiu është tejet e vështirë, mos të them e pamundshme, pasi që i tejkalon fuqitë tona njerëzore. Shi për këtë pa besim dhe pa ndihmën e Zotit dhe të rrethit, përkrahjen, pjesëmarrjen tonë vëllazërore nuk mundet e keqja e urrejtës, mënisë, gjak apo hakmarrjes.
Këtë e ka vërtetuar edhe përvoja jonë sidomos gjatë vitit 1990, ku kemi gjetur dhe përjetuar se motivet fetare dhe kombëtare dukshëm lehtësonin pajtimin, faljen, tejkalimin e çdo lloji vështirësie, si shtylla të fuqishme veprimi.
Pa këto elemente ne bëjmë “vrasje, hakmarrje apo edhe gjakmarrje” psikologjike, shpirtërore, nëpërmjet indiferentizmit, egoizmit, egocentrizmit, karrierizmit, materializmit, konsumizmit, hedonizmit, moskujdesit për të varfër dhe të mjerë si dhe shumë dukurive tjera shëmtuese, sidomos dukurisë së shtimjes, shpifjes, përgojimit, paragjykimeve, përkrahjes dhe solidaritetit për të keqe, që fatkeqësisht janë gjithnjë në rritje dhe në zhvillim të hovshëm ndër ne, edhe pas arritjes së lirisë, demokracisë dhe shtetësisë së Kosovës.
NJERIU ËSHTË NJERI AQ SA KA DASHURI, sa di dhe do të ketë mirëkuptim, dhembje, mëshirë për të tjerët, të falë dhe të kërkojë falje, pra, sa jeton me dashuri dhe për dashuri.
Kjo ndërlidhet ngushtë edhe me aspektin fetar, botëkuptimor, kombëtar, gjithë njerëzor. “Nëse ndokush thotë: “E dua Hyjin” e këndej e urren vëllanë e vet që e sheh, Hyjin që nuk e sheh, s’mund ta dojë” (1 Gjn 4, 20).
Urrejtja është djallëzore, vdekjeprurëse, vrastare, vetëvrasje, vëllavrasje, ndërsa dashuria dhe falja janë hyjnore dhe frytdhënëse. Shën Gjoni urrejtjen e krahason edhe me verbëri, terr: “Kush e urren vëllanë e vet, gjendet në errësirë dhe ecën në errësirë. Nuk di kah shkon sepse terri ia ka verbuar sytë” (1 Gjn 2, 11).
Jezusi thotë: “Por ju them juve që më dëgjoni: Doni armiqtë tuaj, bënu mire atyre që ju urrejnë, bekoni ata që ju mallkojnë, lutuni për ata që dijekeqas ju mundojnë… Si dëshironi t’ju bëjnë juve njerëzit, ashtu bëjuni edhe ju atyre… Bëhuni edhe ju të mëshirshëm sikurse /edhe/ Ati juaj është i mëshirshëm. Mos gjykoni dhe nuk do të gjykoheni. Mos dënoni dhe nuk do të dënoheni! Falni dhe do të gjeni falje!” (Lk 6, 27-28. 31. 36-37).
Pse njeriu i sotshëm, sidomos ne Shqiptarët, falim pak, vështirë, gati edhe keq, pjesërisht, vetëm në disa rrethana të rrezikimit, të luftave, si ndodhi gjatë vitit 1990?

Gabimi i parë,  më duke mua, është në edukimin e rrebtë dhe formal, që mbështetet kryesisht në urdhëra, ndalime, krijon më tepër ndjenjën e frustrimit, hurxhit dhe të paaftësisë, mbylljes, e cila shpesh shpërthen në agresivitet, sulm, urrejtje dhe në shkatërrimi, sepse familja dhe shoqëria jonë më tepër mbështet në ligje, rregullore, tradita, se në marrëdhënie ndërnjerëzore, ndërfamiljare, në përvojën e mirësisë dhe dashurisë së ndërsjellët. Ne duhet t’i zbulojmë dhe t’i përkrahim anët pozitive te vetja dhe te tjerët, sepse nëse rritet e mirja, vetvetiu pakësohet e keqja.

Gabimi i dytë është garimi i egër për punë, fitim, sukses me çdo kusht, ku njeriu nuk është më askush dhe asgjë nëse nuk punon, nuk fiton, nuk ka sukses në krahasim me të tjerët, pra, subjekti-njeriu objetivizohet apo bëhet gjësend. Në këtë “garë” të pamëshirshme dikush lodhet, ndalet, çalon, s’ka fuqi dhe mbetet i frustruar, ndihet keq, nuk e ka më mbështetjen e të tjerëve, dhe si i tillë potencialisht është “kandidat” për urrejtje ndaj vetvetes dhe ndaj të tjerëve. Bota, të tjerët janë fajtorë për fatin e keq, për mossukses, për dështime, prandaj janë psikologjikisht dhe shpirtërisht të cunguar, të anësuar, të dëmtuar dhe si të tillë në hall me vetveten dhe me të tjerët.

Gabimi i tretë është feja vetëm si njohuri, rregullore, ligj, në anën thjesht formale, pa përvojë dhe jetësim me Zotin-Dashuri dhe me vëllaun njeri. Nga përvoja e fesë së Zotit-Dashuri i cili në vazhdimësi është edhe falje, mëshirë, pajtim, ndërrim, përmirësim, mësohemi dhe aftësohemi edhe ne deri diku t’i përngjajmë atij, jemi të lumtur në falje ndaj të tjerëve.
Ne Shqiptarët sot jetojmë ose nën ndikimin e individualizmit të tepruar, bajraktarizmit, vetëm si të them unë, ose të kolektivizmit anonim, mentalitetit turmor dhe grumbullor, si thonë dhe veprojnë të tjerët, pa pasur mundësi të jemi vetvetja, pa ndonjë orientim dhe përcaktim jetësor. Ndikimi i të tjerëve, i rrethit të ngushtë apo të gjerë, ende është shumë i madh, mos të them edhe vendimtar, kryesisht negativ, duke cunguar identitetin dhe personalitetin, orjentimet, bindjet, përcaktimet, veprimet dhe jetën personale dhe familjare. Shqiptari rregulloren kryesore të jetës e ka këtë parim: Si të tjerët! Kur të tjerët falin, si ndodhi gjatë vitit 1990, atëherë edhe unë ose edhe ne…, ndërsa sot, është ndryshe.
Falja tek ne ende fatkeqësisht trajtohet si dobësi, ndërsa hakmarrja dhe gjakmarrja si trimëri, si traditë e shenjtë shqiptare, si virtyt i pamohueshëm nga rrethi familjar dhe shoqëror traditor, sipas parimit të pakuptimtë: gjaku nuk falet as nuk tretet kurrë!
Në tekstet shkollore, në literaturë, në krijimtari të ndryshme, si poezia, proza, piktura, skulptura, muzika, filmi, vlera dhe virtyti i faljes, paqes, dashurisë, strategjia paqësore dhe jodhunore gandiane, tereziane, rugoviane, bashkimi në dallime është shumë pak i pranishme.
Trimëria më e lartë është ta mundim të keqen së pari në vete, e pastaj edhe te të tjerët, sepse JEMI TË LIRË VETËM NËSE JEMI TË MIRË!
Prandaj, para çdo veprimi, pika e parë është kuptimi i gjendjes, si nga aspekti historik, ashtu edhe nga vështrimi aktual. Pika e dytë është ndarja e përvojave tona nëpërmjet bisedimeve, dialogut dhe komunikimit ndërnjerëzor dhe ndërvëllazëror, që të jemi së bashku si në të mira, ashtu edhe në të vështira. Gjendja konflikuale kërkon së pari harmonizimin e njeriut me vetveten, me atë që është dhe dëshiron të jetë, dhe vetëm pastaj mund të shkojmë kah hapi i dytë – marrëdhëniet ndërnjerëzore, që të vijmë edhe deri te ndjenja e përkatësisë së përbashkët apo gjithëshqiptare, te shoqëria.
Sot hak-marrja apo gjak-marrja duhet të ndërrohet edhe në terminologji, sepse thënë kështu duket se njeriu ka të drejtë, bile edhe detyrë, ta marrë hakun apo edhe gjakun!
ÇDO HAK APO GJAK-MARRJE  SOT ËSHTË SË PARI VETËVRASJE, PASTAJ VËLLAVRASJE DHE SË FUNDI EDHE VRASJA E TJETRIT.
Pa vetëdije të tillë s’mund ta luftojmë këtë dukuri shëmtuesi, kancerin e shoqërisë shqiptare në ditët tona.
Duhet gjithnjë ta kultivojmë KULTURËN E JETËS: nderimin, pranimin, përkrahjen dhe mbrojtjen e jetës në çdo faze, sipas parimit të njohur shqiptar: “S’ka shtëpi pa pleq dhe pa fëmijë”, dhe: “Mjerë ajo shtëpi që s’ka  pleq dhe fëmijë!”. Pse atëherë mos ta duam dhe mbrojmë jetën nga çdo rreziku apo kërcënimi, edhe nga gjakmarrja?
Kush jeton për hakmarrje, nuk jeton fare, sepse jeton vetëm për të bërë keq, kjo s’është e denjë për askënd, jeton për së gjalli në varr. Urrejtja është DIKTATORI më i keq që vetvetiu nuk vdes kurrë dhe  robëron të gjithë. Mu për këtë falja është parakusht jete, paqeje dhe qytetërimi, si përvoja më e rëndësishme dhe vendimtare në jetë, e cila mundëson të dalim prej vetvetes dhe të përqendrohemi në të tjerët për të jetuar të vëllazëruar dhe të bashkuar.
S’ka njeri të përsosur që s’ka nevojë për falje, si prej Zotit ashtu edhe prej të afërmit, por edhe për të falur. Nga kjo përvojë lindë paqja e vërtetë e cila mbështet në drejtësi, të vërtetën dhe mbi të gjitha në dashuri. Kjo e begaton kulturën e jetës me QYTETËRIMIN E DASHURISË.

Dhe së fundi disa parime të shëndosha, do të thosha edhe të shenjta, për pajtimin e gjaqeve:

Pajtimin e gjaqeve nuk e kërkonim kurrë në emër të vrastarit dhe kriminelit, por në emër të të pafajshëmve, mbi të gjitha në emër të Zotit dhe të Popullit shqiptar, të fëmijëve dhe të rinisë, për të tashmen dhe për ardhmërinë tonë.

E keqja kurrë nuk e mund të keqen, por vetëm e mirja, falja dhe pajtimi nuk lejojnë që “zinxhiri” i traditës t’na ngulfatë dhe t’na fundosë paskajshmërisht në vëllavrasje dhe vetëvrasje.

Falja e gjakut është trimëri kulmore, kërkesë, nevojë dhe domosdoshmëri e kohës sonë, sepse pa flakjen e kësaj dukurie, kancerit shpirtëror shqiptar, nuk ka liri dhe demokraci të mirëfilltë.

Me falje dhe pajtim ne më së miri i nderojmë viktimat, sepse gjaku i tyre na mundëson krijimin e ndjenjës së përbashkët me mbarë popullin tonë, si një familje e madhe, si  në gëzime, ashtu edhe në pikëllime, para sfidave dhe rreziqeve që doemos na priteshin.

Ata që falin janë “heronjtë e ditëve tona”, paralajmëruesit se jeta është më e fortë se vdekja, falja më e qëndrueshme se urrejtja, dashuria dhe vëllazëria rruga e vetme e shpëtimit

“Sofra e Pajtimit” kishte krijuar parakushtet për ngjarjet madhore të vitit 1999 dhe më vonë, si në aspektin kombëtar, ashtu edhe ndërkombëtar, për krijimin e strategjisë paqësore dhe jodhunore, për luftën e lavdishme të UÇK-së, për ndërhyrjen e NATO-s, në përforcimin e vlerave dhe virtyteve pa të cilat s’do të ishim ata që jemi dhe aty ku jemi sot, në Kosovën e lirë dhe demokratike.
Fatkeqësisht edhe pas kaq viteve ende nuk kemi asnjë studim të mirëfilltë ndërsciplinor rreth faljeve të gjaqeve gjatë vitit 1990 nga aspekti juridik, traditor, etiko-moral dhe fetar. Me pajtimet e gjaqeve është tejkaluar tradita, drejtësia, mungesa e lirisë dhe shtetësisë, është zbatuar vëllazëria, falja dhe dashuria e cila na ka afruar dhe bashkuar para rreziqeve të luftës dhe asgjësimit. Kjo përvojë duhet gjithnjë të kujtohet, studiohet, paraqitet nëpërmjet mjeteve pamoro-dëgjimore, shtypit, krijimtarisë, si vlerë dhe virtyt që duhet kultivuar gjithnjë e më shumë, si parakusht jete, paqeje, demokracie, si zhvillim i gjithanshëm i njeriut, familjes dhe shoqërisë sonë.

 

 

Disa kujtime dhe përjetime

Po iu kthehem pak disa kujtimeve. Në një rast, ishim në rrethin e Gjakovës dhe përgatiteshim për kremtimin publik të pajtimeve të gjaqeve në Smolicë, atje ku dikur ishte “mjellur” molla e sherrit për të shkaktuar konflikte ndërfetare mes shqiptarëve katolikë dhe myslimanë. Ditë e natë ishim nëpër oda, në bisedime, propozime, përgatitje. S’kishim kohë për asgjë, as për ngrënje, as për fjetje apo pushim. Dëshira e vetme ishte: të jemi me popullin tonë dhe t’ua lehtësojmë barrën e rëndë të hak apo gjakmarrjes.

Baca Anton ishte dukshëm i lodhur, por edhe i disponuar. Më tha kështu: “Don Lush, prekma pak shpinën. A kam ende shpinë?”.

Unë iu përgjigja: “Si jo, në shpinën tënde është mbarë Kosova, edhe më tepër, populli shqiptar!”.

Ai si në hoka më tha: “Nuk e di a kam më shpinë, aq jam këputur… A ka ndonjë vend ku mund të mbështetemi pak para se të dalim para popullit në kremtimin e pajtimeve të gjaqeve?”.

Dhe u mbështetem në një odë të madhe, ai me një skaj, unë dhe bashkëpunëtorët tjerë, në një skaj tjetër, diku afro një ore.

Pas këtij pushimi kaq të nevojshëm, baca Anton më tha: “Tash mund të qëndroja në bisedime edhe për ndonjë ditë dhe natë… Ja, kështu është puna me popull dhe për popull. Njeriu i tejkalon edhe nevojat biologjike, çdo pengesë… Këtë e kemi sprovuar shpeshherë gjatë pajtimeve të gjaqeve… Motivimi dhe dashuria bëjnë mrekulli!…”.

Ishte 9 maj 1990, festa e “Shën Kollit” në Sellagrazhd të Velezhës, komuna e Prizrenit. Kishim vendosur që për këtë festë të kremtonim edhe pajtimin e gjaqeve në ato hapësira, së bashku shqiptarët katolikë dhe myslimanë. Kjo e kishte “turbuar” Serbinë, sidomos pas ngjarjes historike të Verrat e Llukës /1 maj 1990/, ku NDODHI POPULLI.

Më 3 maj 1990 Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë me dekret e kishte ndaluar pajtimin e gjaqeve në Kosovë dhe më gjerë me këto arsye:

 

Sepse populli shqiptar nuk ka traditën e faljes së gjaqeve, (gjë kjo që nënkuptonte dëshirën e tyre: le ta vazhdojnë traditën e vrasjeve!  (vr. ime).

Këtë lëvizje e udhëheq Anton Çetta, me “njëfarë” prifti katolik shqiptar, Don Lush Gjergji, edhe pse shumica e shqiptarëve janë myslimanë;

E tërë kjo lëvizje është kryekëput kundër popullit serb në Kosovë dhe kundër Serbisë.

 

Prof. Anton Çettën e kishin ndalur dhe burgosur, mua më kishin kërcënuar deri me vdekje dhe me pushkatim, popullin e kishin keqtrajtuar në format më të vreshta, por kot, sepse tashmë Shqiptarët e shijonin pajtimin, vëllazërinë gjithshqiptare, bashkimin në dallime.

Meshën e kam kremtuar i rrethuar me një mori populli nga viset e ndryshme të Kosovës, ndërsa mbi kokat tona fluturonin helikopterët ushtarak, qarkullonin taksat, dëgjohej kudo fyerja dhe sharja. Populli  ishte një mendje dhe një zemre  në lutje, këndonte, falënderonte Zotin,  përjetonte praninë dhe dashurin e Tij në një qetësi dhe siguri që dukshëm shqetësonte armiqtë tanë.

Porosia e tij nga takimi im i fundit me të para se të kalonte në amshim ishte kjo: “Nëse vdes pa e parë dhe përjetuar lirinë dhe pavarësinë, së paku një gisht i imi do të jetë jashtë vorrit, mbi të. Atë ditë që do të agojë liria, eja, e shtjere edhe gishtin tim në varr, që të pushojë në qetësi në tokën time të shtrenjtë, të shenjtë dhe të lirë!”.

 

Ky gisht nuk ishte drejtuar kah të tjerët për t’i sulmuar, fajësuar, por u bë simboli i shtrirjes së dorës së pajtimit, vepër kjo pa dyshim, e pëlqyeshme para Zotit, e domosdoshme për popullin shqiptar. Me pajtimin e gjaqeve ne e përforcuam vëllazërinë tonë gjithshqiptare, krijuam kulturën e jetës dhe qytetërimin e dashurisë duke ia plotësuar testamentin e fundit Nënës Tereze.

Ajo më dorën e saj kishte shkruar këtë porosi: “Gjithmonë shpirtërisht jam e lidhun më uratë dhe në dashni me popullin tem shqiptar, sidomos në kohë të vështira. Mbas shumë hjekave dhe rreziqeve, me gëzon pamasë lajmi i pajtimeve. Urime rinisë shqiptare kosovare që e nisi kët vepër, si dhe të gjithë astyne që marrin pjesë në këtë punë të madhe dhe shenjte…

Dëshiroj  të festojmë së bashku Pajtimin e mbarë popullit tem shqiptar…” (Bukuresht, 3 maj 1990).

Prof. Anton Çetta, ishte dhe mbeti Njeriu i provanisë së Zotit dhe Popullit Shqiptar, ai i cili diti ta jepte “pjesën më të mirë të vetvetes” me shumë maturi, përkushti dhe dashuri, i cili e gjeti “damarin” e popullit për një komunikim të drejtpërdrejt në odën e madhe që ishte e tërë Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, diaspora shqiptare në Evropë dhe në Amerikë.

“Sofra e Pajtimit” kishte krijuar parakushtet për ngjarjet madhore të vitit 1999 dhe më vonë, si në aspektin kombëtar, ashtu edhe ndërkombëtar, për krijimin e strategjisë paqësore dhe jodhunore në krye me Presidentin historik të Kosovës, Dr. Ibrahim RUGOVËN, për luftën e lavdishme të UÇK-së, për ndërhyrjen e NATO-s, në përforcimin e vlerave dhe virtyteve pa të cilat s’do të ishim ata që jemi dhe aty ku jemi sot, në Kosovën e lirë, të pavarur dhe demokratike, model bashkëjetese dhe integrimin ndër ne dhe më gjerë.

Prof. Anton Çetta vuri gurthemelin e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, edhe pse ai këtë gëzim dhe ndodhi fatkeqësisht nuk e priti dhe përjetoi. Të tillë janë flijimtarët e mëdhenj dhe të mirëfilltë, që kanë jetuar dhe vepruar me përcaktime dhe vizione largpamëse, për Popullin dhe me Popullin, për të mirën e të gjithëve.

Prizren, 15 qershor 2013

Filed Under: Komente Tagged With: Anton Ceta, babai i pajtimit, don Lush Gjergji

Nene Tereza ne Torino

March 21, 2013 by dgreca

Moment i arte per Shqiperine dhe shqiptaret ne Torino: Nene Terezes i titullohet nje park i qytetit, konferenca-dialog “Nene Tereza, thesar i Shqiperise, thesar i Njerezimit” mbledh dashamires italian dhe shqiptar ne ambientet prestigjoze te Palazzo Madama, ku ne kete periudhe po shfaqet edhe ekspozita “Thesaret e pasurise kulturore shqiptare”.

Gruas me te famshme te shekullit te XX i dedikohet nje park publik ne qendren me plurietnike te qytetit te Torinos. Vendimi u mor ne 19 mars nga komisioni i toponamastikes se qytetit si rezultat i kerkeses se tre shoqatave, “Nene Tereza”, “Art@mia”, “Infiniti Mondi Onlus”, drejtuar bashkise qe emri i shenjtes shqiptare te valevitet ne nje nga rruget, parqet apo sheshet e qytetit.

Te njejtat shoqata, ne bashkepunim te ngushte me Konsullaten shqiptare te nderit ne Torino, organizuan konferencen-dialog “Nene Tereza, thesar i Shqiperise, thesar Njerezimit” ne ambientet e Palazzo Madama, ku ne kete periudhe eshte çelur ekspozita “Thesaret e pasurise kulturore shqiptare”. Dialogu pati nje vlere te veçante si per pjesemaresit ashtu dhe per publikun.

Dom Lush Gjergji, biografi i te Lumes Nene Tereza, pasqyroi ambjentin e lindjes dhe rritjes se saj dhe parashtroi, pertej bamiresise, disa aspekte me pak te njohura si aftesine e shenjtes shqiptare per te kerkuar gjithmone driten, spiritualitetin e saj sa esencial aq dhe te thelle si dhe ndjenjat e saja me intime per Zotin dhe Njeriun, sebashku me gershetimin e tyre ne menyre te pazgjidhshme ne duart punetore te Nene Terezes. Ndersa politikani i ri Stefano Lo Russo, anetar i keshillit bashkiak te qytetit, ndaloi ne pershkrimin e Torinos, ne karakteristikat e tij si historike ashtu dhe sociale: nje qytet qe ka qene ne zemren e zhvillimit industrial te Italise por dhe ka rritur ne gjirin e tij shenjtor social si Dom G. Bosko apo Dom G. Kotolengo, te njohur jo vetem nga Kisha por dhe nga mbare Bota si persona qe kane shpenzuar te gjitha energjite e tyre ne ndihme te me te varferve. Si beri Nene Tereza nje shekull me vone. Gjithashtu lo Russo vuri theksin te gjithe bashkesia shqiptare me banim ne Torino, e gjere per nga numri, dinamike per nga aktivitetet dhe ne zhvillim per nga integrimi me qytetin.

Eshte efektivisht per t’u shenuar qe gjithe bashkesia shqiptare, nepermjet individeve dhe shoqatave te ndryshme qe veprojne ne Torino, ka mirepritur e perkrahur kerkesen per t’i kushtuar Nene Terezes nje pjesez te qytetit, duke krijuar enkas grupin “Torino per Madre Teresa”. Konferenca e lartpermendur pati mundesine e mire t’i bente jehone kesaj kerkese nepermjet publikut te shumte ne salle, nepermjet pasqyrimit te konferences gjate emisioneve informative televizive lokale ne Rai 3 e Rete 7, si dhe nepermjet dokumentarit qe se shpejti do shfaqet ne rrjetin televiziv Telepace.

Shume miq te prekur nga mesazhi i Nene Terezes dhe me deshiren te ndanin ndjeshmerine e tyre me shqiptaret me banim ne Torino, kishin ardhur edhe nga qytetet e Bergamo, Lecco e Trento. Pershendeten takimin z. Braccialarghe, pergjegjes per kulturen ne bashkine e Torinos, konsulli shqiptar i nderit ne Torino Artan Doda, Dom Olivero si pergjegjes i baritores se te huajve per arqipeshkvine e Torinos dhe Dom Ferraro si pergjegjes baritor i konferences ipeshkvnore italiane per shqiptaret me banim ne Itali. Takimi perfundoi me nje interval muzikor, te interpretuar nga violinistja e talentuar shqiptare Diana Subashi si dhe harpistja e njohur italiane Stefania Saglietti,  qe sollen ne salle emocionet e muzikes se Pjeter Gacit, apo Bach, Debussy e Faurè.

Shpresa e bashkesise shqiptare ne Torino eshte qe brenda vitit, te gjithe qytetaret e Torinos te kene mundesine te pushojne ne parkun “Nene Tereza”.

Filed Under: Kronike Tagged With: don Lush Gjergji, ne Torino, Nene Tereza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 6
  • 7
  • 8

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT