• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dom Lush Gjergji: Çetta ishte kirurg shpirtëror i mbarë shqiptarëve

August 8, 2018 by dgreca

1 dom Lushi

“Ne duhet ta gjejmë damarin e komunikimit. Në pajtimin e gjaqeve ia gjetëm damarin, ia gjetëm zemrën popullit, dhe populli na u përgjigj dhe na e dhuroi zemrën. Sot, fatkeqësisht, s’po ka liderë të tillë, s’po ka lëvizje të tilla për t’ia gjetur zemrën popullit dhe për t’i thënë: o popull, nuk dëshirojmë asgjë tjetër përpos të mirën, të drejtën, të vërtetën, dashurinë dhe jetën tuaj”, thekson dom Lush Gjergji, i cili ishte pjesë e Lëvizjes për pajtimin e gjaqeve, të prirë prej Anton Çettës/ 1 Anton Çeta

Ne Foto: Anton Çetta/

Nga Rexhep Maloku/Dom Lush Gjergji i konsideron heronj të gjallë të gjithë ata që në emër të popullit falën gjakun e më të dashurve të tyre në fillim të viteve nëntëdhjetë. Shpreh keqardhje se ata njerëz janë lënë anash, megjithëse falja e rreth 1200 gjaqeve ndali vëllavrasjen në kohën kur regjimi brutal i Slobodan Milosheviqit nisi zbatimin e masave represive pas suprimimit të autonomisë. Gjergji, pjesë e Lëvizjes për pajtimin e gjaqeve, të prirë prej Anton Çettës, thotë se pa ndaljen e vëllavrasjes nuk do të kishin sukses as lëvizjet për liri.

“Anton Çetta mbetet një figurë në mendjen dhe zemrën e popullit shqiptar. Dhe është fatkeqësi që nuk kemi ditur ta shprehim një nderim dhe falënderim jo ndaj tij, por ndaj Lëvizjes dhe fenomenit të pajtimit të gjaqeve. Fatkeqësia është që nuk gjendet kurrkund e shënuar as në libra shkollorë. Fatkeqësia është se ne e kemi kujtesën shumë të shkurtër, dhe të mirën po e zhvlerësojmë dhe po e harrojmë”, thekson Gjergji, vikar i përgjithshëm i Kishës Katolike të Kosovës, në një intervistë rreth Lëvizjes për pajtimin e gjaqeve dhe refuzimin e Institutit Albanologjik të Kosovës që shtatorja e Çettës të vendoset para institucionit ku i kishte prirë seksionit të folklorit.

Gjergji, anëtar i Këshillit organizativ për vendosjen e shtatores së Çettës, e përshkruan si zotni plakun e urtë që për dekada me radhë kishte mbledhur folklorin shqiptar. “Ishte një njeri i cili e donte mbi të gjitha popullin e vet dhe të mirën e popullit të tij. Prandaj do të thosha, një kirurg shpirtëror i mbarë popullit shqiptar”, thekson Gjergji. “Ishte ai i cili e hetoi, mbase më mirë se askush se kanceri më i madh i shoqërisë shqiptare është hakmarrja, siç e kam definuar unë, si vetëvrasje, vëllavrasje dhe vrasje”.

KD: Çka ju shkon ndërmend kur dëgjoni emrin e Anton Çettës, sidomos kohëve të fundit pas përplasjes për lokacionin e shtatores së tij?

Gjergji: Anton Çetta, një njeri i mrekullueshëm i traditës, i kulturës dhe i qytetërimit tonë ilir arbëror dhe shqiptar. Një njeri që e kemi definuar, të gjithë ata që e njohim, zotni, në kuptimin e fjalës, i kompletuar për sa i përket aspektit intelektual, për sa i përket aspektit shpirtëror. Ishte një njeri i cili e donte mbi të gjitha popullin e vet dhe të mirën e popullit të tij. Prandaj do të thosha, një kirurg shpirtëror i mbarë popullit shqiptar. Ishte ai i cili e hetoi, mbase më mirë se askush, se kanceri më i madh i shoqërisë shqiptarë është hakmarrja, siç e kam definuar unë, si vetëvrasje, vëllavrasje dhe vrasje. Dhe për ta vetëdijesuar popullin për këtë nuk ishte lehtë. Antoni ishte njeri i provanisë së Zotit. Ai me hulumtimet që i bëri rreth thesarit popullit, rreth frazeologjisë, rreth kulturës dhe qytetërimit, 20 vjet, ishte një lloj përgatitjeje për veprën e tij hyjnore, sepse kudo që shkonim me bacën Anton, kishte njerëz që ai i njihte. Madje ishte legjendare kur shkonim para tridhjetë, katërdhjetë vjetëve, kam qenë në këtë shtëpi dhe më kujtohet atë natë kur kemi biseduar për kulturën, për traditën, për popullin shqiptar, dhe ka lindur një fëmijë. Madje i kujtohej edhe emri i njeriut tri-katërdhjetëvjeçar, dhe ai thoshte: baca Anton ai jam unë. Prandaj krijonte një atmosferë unike. Para Anton Çettës ka qenë shumë e vështirë të thuash jo. Dhe ne kemi punuar shumë rreth vetëdijesimit, sepse pa u ndryshuar vetëdijesimi nuk ka ndryshim. Populli në fillim bëri një rezistencë të jashtëzakonshme, por më vonë e kuptoi se ne nuk donim asgjë, pos që populli të jetë i lirë dhe i mirë. I lirë dhe i mirë, pa falje, është e pamundshme. E kam definuar edhe këtë: Kush urren, jeton për të bërë keq. Krejt fuqinë e jetës së vet e drejton gabimisht. Prandaj të jetosh si individ, si familje dhe si shoqëri nuk është e drejtë. Robëria më e madhe e një populli është pikërisht robëria e së keqes. Dhe gjakmarrja ose hakmarrja ka qenë një fenomen i tillë.

 

Mst: Fatkeqësisht, shpejt i harrojmë të mirat

 

KD: Një fjalë e urtë popullore kanunore thotë se “shpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”. Megjithatë, çka tregon fakti se Instituti Albanologjik nuk i bën konak, le të themi kushtimisht, birit të tij?

 

Lushi: Pa shikoni, ato janë çështje të vendimeve dhe përcaktimeve të tyre, dhe unë nuk do të ndërhyja assesi, por Anton Çetta është meritor edhe për themelimin e Institutit Albanologjik, edhe për seksionin i cili është marrë me të, edhe për shumëçka tjetër. Le ta vlerësojnë njerëzit që janë ekspertë për këtë, por një gjë është e sigurt: Anton Çetta mbetet një figurë në mendjen dhe zemrën e popullit shqiptar. Dhe është fatkeqësi që nuk kemi ditur ta shprehim një nderim dhe falënderim jo ndaj tij, por ndaj Lëvizjes dhe fenomenit të pajtimit të gjaqeve. Fatkeqësia është që nuk gjendet askund i shënuar as në libra shkollorë. Fatkeqësia është se ne e kemi kujtesën shumë të shkurtër dhe të mirën po e zhvlerësojmë dhe po e harrojmë. Dhe figura e Anton Çettës e vërteton edhe një herë këtë qëndrim.

 

KD: Në Këshillin organizativ për shtatoren jeni ju dhe mulla Xhevat Kryeziu. Me aq sa kemi lexuar, nuk keni pasur dilema

 

Gjergji: Absolutisht, nëse dikush meriton të njihet si njeri i popullit, një kirurg i shpirtit të popullit prej kancerit që është hakmarrja, atëherë kuptohet se merita nuk është as e Antonit, as e dom Lushit, as e Xhevatit, as e të ndjerëve Zekeria Canës, as e hoxhë Kokrrukut. Populli doli në sipërfaqe dhe populli e pranoi pajtimin si parakusht për çdo lëvizje tjetër. Pa pajtim të të gjithë shqiptarëve nuk do të kishim as liri, as demokraci, as shtet, as asgjë ….

 

KD: Më falni që ju ndërhyj, por institucionet shtetërore, si Instituti, pavarësisht se janë shkencore, por që financohen nga taksat e shtetit, ndryshe, ta zëmë prej Kishës apo Bashkësisë Islame, nuk po arrijnë të gjejnë gjuhë të përbashkët

 

Gjergji: … Ne si bashkësi fetare, që është Bashkësia Islame e Kosovës dhe Kisha Katolike në Kosovë, absolutisht sikur atëherë që kemi bashkëpunuar, edhe hoxhë, edhe prift, edhe në kishë, edhe në xhami, edhe në lëndina, edhe në livadhe, e rastësishme ka qenë të ndodhë pajtimi e jo ku. Dhe kjo e ka bashkuar popullin shqiptar edhe më tepër. Populli shqiptar edhe një herë e ka dhënë një dëshmi para botës se është një popull paqedashës, liridashës dhe e bëri një katarzë, një pastrim të brendshëm shpirtëror. Nuk fajëson të tjerët, por dëshiron faljen, lëshimin, apo gabimisht, apo traditën e mbrapshtë, që ishte gjakmarrëse, apo hakmarrëse. Ne kemi ndërruar edhe shprehjen, sepse kur thua gjakmarrës, ose hakmarrës, sikur kishte të drejtë, ndërsa jeta e njeriut është e pacenueshme, sepse e dhuron Zoti dhe e merr Zoti. Dhe ne atyre që kanë bërë krime nuk u kemi thënë që ata t’i falim, por t‘i lirojmë njerëzit që kanë pësuar dhe të dalin prej urrejtjes, që është diktatori më i madhi i njerëzimit dhe që nuk vdes kurrë. Krejt diktatorët e tjerë vdesin ose dikush i largon, por diktatorin e urrejtjes apo së keqes duhet ta vrasim dhe ta flakim ne prej shpirtit dhe zemrës sonë. Prandaj Lëvizja për pajtimin gjithëshqiptar ka qenë një lëvizje preludi ….

 

Mst: Dora e zezë e armikut

 

KD: Por si nisi, sepse mbase ka pasur pajtime, nëse mund të themi sporadike?

 

Gjergji: Lëvizja jonë ka nisur me studentët, me të rinjtë, sidomos me ish të burgosurit, sepse ata nëpër burgje kanë thënë: Ne nuk mund t’i hakmerremi një shteti, një sistemi. Shteti na burgos, na vret, na i bën të gjitha të zezat, na dhunon, na përjashton, megjithatë ne nuk kemi çfarë të bëjmë. Pse atëherë ne trimërinë e vëllazërinë të mos i aplikojmë ne një sistem, që, ngadalë, të shohim që armikun, kundërshtarin dhe vrastarin ta bëjmë vëlla, sepse nuk kemi vëllezër tepër që të shkojnë në drejtime të kundërta dhe që të jenë shpeshherë të manipuluar për ekzistim. Mos harroni se në shumë raste e kemi hetuar dorën e zezë të sistemit, sepse ata janë munduar të na bindin ne: t’u japim armë, sepse e dimë se shqiptarët vrasin, e dimë se shqiptarët nuk falin. Edhe nëse ka ndodhur çfarëdo kontestimi, i kanë thënë: vraje. Ia kanë dhënë edhe armën, disa vjet shkon në burg në Serbi mëson një zanat dhe kthehesh. Kjo ishte dredhia. Andaj ne i falënderojmë për këtë edhe rininë, ish të burgosurit politikë, intelektualët e profileve të ndryshme, përfaqësuesit e bashkësive fetare, Kishën Katolike ….. Prandaj ne kemi krijuar një ideal rreth pajtimit ku ishin të gjithë. Andaj kanë dalë njerëzit me emra eminentë para popullit dhe kur kanë kërkuar një gjë, nuk kanë mundur t’u thonë jo. Në pajtimin e gjaqeve ne kemi mbledhur elitën më të mirën ekzistuese atëherë dhe ajo ka qenë përkrahëse e këtij ideali dhe kjo na ka ndihmuar shumë që populli ta kuptojë për së drejti, që ne nuk kërkojmë asgjë, por kërkojmë prej tyre lirinë.

 

Mst: Kthesë e madhe

 

KD: Megjithatë, studiues të huaj dhe shqiptarë kanë shkruar shumë për kokëfortësinë e shqiptarit, andaj a kishit ndonjë strategji, meqë ishte një ndryshim radikal në kuptimin e thyerjes së forcës së traditës dhe kanunit. A ishte e vështirë të bindeshin familjet, sepse kishte raste mospajtimesh ndërmjet familjarëve se a duhej të falej gjaku?

 

Gjergji: Në fillim ka qenë shumë e vështirë, sepse logjika e popullit ka qenë e ngulitur në dy procese: Gjaku nuk falet dhe gjaku nuk tretet, apo nuk humb. Ne kemi thënë se nderi më i madh që mund t’iu bëhet të vrarëve është pikërisht kjo: populli shqiptar me gjakun e tyre ta gjejë fuqinë e pajtimit dhe të faljes. Kur populli e ka përkrahur dhe Lëvizja filloi të jetë popullore dhe gjithëpopullore, atëherë njerëzit kanë qenë të gatshëm të falin. Andaj fuqia ishte në popull, ishte në njerëz. Aktivistët kryesorë ishin ata që kanë falur gjakun. Në momente të caktuara ata kanë thënë: më fal, por nëse unë kam gjakun e babës, vëllait, shokut, mikut e të tjerë, nuk janë ata njerëz që mund t’i gjejmë në kopsht dhe t’i mbjellim, e kemi falur dhe jemi të lumtur që e kemi falur, dhe bëjeni edhe ju këtë gjë. Unë në një fjalim, ndër shumë fjalime të asaj kohe, i kam quajtur heronj të ditëve tona. Dhe kam kërkuar t’i shkruajmë në mesin e heronjve të ditëve tona. Dikur heronjtë i kemi kërkuar nëpër arkiva, nëpër histori, nëpër legjenda,sot heronjtë i kemi në mesin tonë.

 

KD: Çka tregon për një shoqëri pothuajse njëzet vjet pas luftës mospërfshirja e këtyre heronjve, siç thatë ju, as në tekste shkollore?

 

Gjergji: Një shoqëri që nuk di të vlerësojë vetveten, Lëvizjen …. dhe dhuratën më të madhe që populli shqiptar ia ka bërë vetvetes dhe dëshmia më e madhe për bashkësinë ndërkombëtare, është një lëshim vetëvrasës. Dikur na kanë vrarë të tjerët, sot po bëjmë vetëvrasje me qëndrime të tilla dhe me shumëçka tjetër.

 

Mst: Nuk ka mbetur thuajse asgjë gjithëshqiptare

 

KD: T’i kthehemi edhe një herë përplasjes për shtatoren. Ju gjatë kohës së faljes së gjaqeve keni shkuar te familjet me sloganin “falja gjakun kombit”, mirëpo sot pse institucionet nuk po arrijnë të pajtohen për lokacionin e shtatores së figurës që nuk e kontestoi askush sa ishte gjallë. Çka dëshmon kjo për shoqërinë tonë?

 

Gjergji: Kjo dëshmon se më nuk ka pothuajse asgjë që është gjithëshqiptare dhe grupet e ndryshme, partitizmi – nuk është më parti, është partitizëm – copëtimi i popullit në grupe, grupacione, parti, fatkeqësisht është sëmundje e re e popullit shqiptar, sidomos në Kosovë, mirëpo fenomeni është i pranishëm edhe në Shqipëri, dhe thuajse nuk ka asgjë të përbashkët që ta kemi si konsensus dhe të themi: Kjo është e përbashkët. E shihni edhe në bisedime me serbët, edhe në çdo çështje. Nuk kemi më pikë të përbashkët orientimi, dhe kjo e dëshmon varfërinë e mjerimin shpirtëror në të cilin jemi sot. Partitë jo që ta shërbejnë popullin, kanë arritur ta ndajnë dhe përçajnë atë. Dhe populli si i tillë, në prizmin e kësaj; grupeve, grupacioneve e partitizmit, e sheh me syze jo më me syrin e vet, por me syze që ia imponon dikush.

 

KD: Shqiptarët nuk janë më të lirë, nëse marrim parasysh Shqipërinë dhe Kosovën si shtete të lira, por edhe të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni. Megjithatë, pas kësaj që thatë, i bie se shqiptaria është në krizë më të madhe tani kur shqiptarët kanë liri më të madhe?

 

Gjergji: Jemi në kuptimin e krizës së rrënimit të një sistemi të vjetër, të cilin me një mënyrë, rrethanat ndërkombëtare, sidomos ndërhyrja e NATO-s, shuarja e Jugosllavisë, rënia e sistemit të komunizmit dhe ateizmit, e ka përshpejtuar. Ne s’kemi qenë dhe s’jemi të gatshëm për ecje të re. Ecja e re e lirisë, e demokracisë, e paqes dhe e pajtimit kërkon dy-tri elemente që po na mungojnë: identiteti dhe personeli ynë ilir, arbëror dhe shqiptar. Ne kemi problem edhe me histori, kemi problem edhe me aktualitet, e sidomos kemi problem me projektimin e së ardhmes. Derisa një popull i tillë që nuk di se kush, që nuk di çka do dhe që nuk di si do ta arrijë atë, janë tri probleme themelore të identitetit dhe personelit, atëherë bredh në këtë formë prej skajshmërisë në skajshmëri, herë majtas e herë djathtas, e populli ka thënë mbaje mesin se vetëm në mes mund ta gjesh shpëtimin.

 

KD: Por a ka shpresë që të mos e mbyllim me pesimizëm?

 

Gjergji: Absolutisht, unë besoj në Zot dhe derisa besoj në Zot, besoj edhe në popullin dhe në njeriun. Ne duhet ta gjejmë damarin e komunikimit. Në pajtimin e gjaqeve ia gjetëm damarin, ia gjetëm zemrën popullit, dhe populli na u përgjigj dhe na e dhuroi zemrën. Sot, fatkeqësisht, s’po ka liderë të tillë, s’po ka lëvizje të tilla për t’ia gjetur zemrën popullit dhe për t’i thënë: o popull, nuk dëshirojmë asgjë tjetër, përpos të mirën, të drejtën, të vërtetën, dashurinë dhe jetën tuaj.

 

© KOHA Ditore

 

Fotolegjenda: Dom Lush Gjergji: “Anton Çetta është meritor edhe për themelimin e Institutit Albanologjik, edhe për seksionin i cili është marrë me të, edhe për shumëçka tjetër. Le ta vlerësojnë njerëzit që janë ekspertë për këtë, por një gjë është e sigurt: Anton Çetta mbetet një figurë në mendjen dhe zemrën e popullit shqiptar. Dhe është fatkeqësi që nuk kemi ditur ta shprehim një nderim dhe falënderim jo ndaj tij, por ndaj Lëvizjes dhe fenomenit të pajtimit të gjaqeve”

Filed Under: Interviste Tagged With: Anton Ceta, dom Lush Gjergji, Rexhep Maloku

ANTON ÇETTA – “Babai i Pajtimit”

June 22, 2013 by dgreca

Falja e gjakut është trimëri kulmore, kërkesë, nevojë dhe domosdoshmëri e kohës sonë, sepse pa flakjen e kësaj dukurie, kancerit shpirtëror shqiptar, nuk ka liri dhe demokraci të mirëfilltë./

Shkruan: Don Lush GJERGJI/

Me shumë bindje dhe kënaqësi mund të them se pata fatin, rastin, dhuratën dhe hirin e Zotit që të isha një ndër bashkëpunëtorët e të palodhshmit, të papritueshmit dhe të pavdekshmit prof. Anton ÇETTA në lëvizjen e madhe të pajtimit të gjaqeve. Ai gjatë tërë jetës  dhe veprimtarisë së  tij  të mëhershme ishte “Bleta” që mblodhi “nektarin” më të mirë të popullit shqiptar, me  letërsinë dhe traditën gojore, etnografike dhe folklorike, me grumbullimin dhe sistemimin e thesarit të rëndësishëm dhe të çmuar popullor për ne dhe për brezat e ardhshme. Kështu Prof. Anton Çetta  kishte zbuluar dy damarë të rëndësishëm të komunikimit me popullin shqiptar, atë të mendjes, arsyes, kulturës dhe traditës, si dhe atë të zemrës, ndjenjave, përjetimeve. Mu për këtë mendoj se ishte një ndër njohësit më të mirë të “gjakut tonë të shprishur”, si thonë Arbëreshët, të mendjes dhe zemrës arbërore.

E tërë kjo punë, lëvizje, gjurmim ndër popull dhe me popull, si duket ishte parapërgatitja ose “uvertura” për kryeveprën e tij jetësore, pajtimin e gjaqeve gjatë vitit 1990, aq sa më të drejtë mund ta quajmë,  ishte e mbetet “Babai i Pajtimit”.

Kudo që shkonim dhe  kalonim, Antoni ynë kishte ndonjë shok, mik, dashamirë, gjithnjë me ndonjë ngjarje apo përjetim nga e kaluara, me kujtime  të freskëta dhe thënie popullore, me mençuri dhe butësi shembullore, me tregime tronditëse dhe mahnitëse, të cilat bashkëbiseduesit i detyronin në vëmendje dhe heshtje, në vrojtime dhe mendime, shpesh edhe në “dorëzime”, deri te shtrirja e dorës së pajtimit.

Në shoqëri me Bacën Anton, si e thirrnim gati të gjithë me nderim dhe me dashuri, kishim çka të përjetojmë, dëgjojmë dhe mësojmë, sepse ai e krijonte ambientin e takimit, bisedës, ndejës, kënaqësisë së  shoqërisë dhe shoqërimit ndërnjerëzor, aq sa çdo herë ishim të mahnitur nga arti i tij në komunikim. Ishte vërtet Mjeshtër i Popullit dhe për Popullin!

Anton Çetta, ndoshta më mirë se askush prej nesh, e njihte fare mirë dhe për së afërmi,  në brendi e thellësi shpirtin e lënduar dhe të robëruar të popullit shqiptar nga vuajtja, skamja, kërcënimi dhe robërimi shekullor, shpesh i stërngarkuar edhe nga vetmia, izolimi, kërcënimi i gjak – hakmarrjes dhe shumë baticave dhe zbaticave tjera, veçmas i ndarjeve dhe përçarjeve, që për sundimtarët ishte arma më e lehtë e sundimit dhe robërimit tonë.

Shi për këtë ai ishte tejet i motivuar, gjithnjë i frymëzuar më tepër se kurrë në këtë nisje fatbardhe dhe të bekuar, do të thosha edhe më tepër, providenciale.

Thoshte kështu: “Populli shqiptar është i mirë dhe bujar, por ka ra pre nën ndikimin e së keqes, është robëruar nga shumëkush dhe shumëçka, e ne, bijtë dhe bijat e tij, duhet ta “zgjojmë” nga kjo kllapi, ta lirojmë nga ky robërim dhe kushtëzim i traditës së keqe, e cila nuk është e jona, mbi të gjitha është shumë e dëmshme dhe vdekjeprurëse, sepse vëllaun e shndërron në vrastar, mikun në armik, jetën në vdekje, dashurinë në urrejtje, lirinë në robëri…”.

Së bashku me rininë tonë, me botën e kulturës dhe të artit, me krijuesit e profileve të ndryshme, me hoxhallarë dhe meshtarë, me një fjalë me të gjithë, kishte krijuar një “orkestër” unik të pajtimit të gjaqeve, të cilin ai e “dirigjonte” me shumë mjeshtri dhe me dashuri.

Pranvera e madhe e vitit 1990 me Pajtimin e Gjaqeve, me Shoqatën Humanitare Bamirëse të Kosovës “Nëna Tereze”, Luftën kund Analfabetizmit, që shprehej me krijimin e sistemit paralel shkollor dhe shëndetësor, e kishte vetëm një Protagonist, Popullin Shqiptar, një Prijës dhe Frymëzues dhe Babë, Prof. Anton Çettën, një qëllim dhe përcaktim, takimin, afrimin dhe bashkimin e mbarë popullit rreth një ideje dhe ideali tejet të lartë, gati edhe mitik dhe utopik për atë kohë,  atë LIRISË DHE PAMVARËSISË.

Synimi ishte i qartë, mposhtja dhe sh’ rrënjosja e gjakmarrjes një herë e përgjithmonë, si parakusht qenësor për paqe dhe pajtim, për liri dhe demokraci, për një të tashme dhe ardhmëri më fatbardhe.

Ja si e përshkruante Anton Çetta këtë lëvizje: “Në fillim të shkurtit 1990, disa studentë të Pejës me disa mësimdhënës kishin themeluar “Këshillin e Pajtimit” për ta pajtuar popullin. Tentimi i parë ishte disi i suksesshëm, kemi pajtuar një rast vrasje, ndërsa në pesë raste tjera kemi marrë “besën” për tre muaj. Fillimi ishte në fshatin Lumbardh dhe Raushiq afër Pejës… Rinia ka punuar shumë me javë të tëra për t’i zbuluar këto raste, për t’i përgatitur njerëzit për paqe. Sipas mendimit tim janë katër arsye kryesore të pajtimit. Në rend të parë ishte një propozim human dhe kishte për qëllim kryesor “paqen mes njerëzve”. Në rend të dytë propozimi ishte në duar të njerëzve të vlefshëm, të rinisë dhe të inteligjencës… Populli fill e përqafoi këtë propozim… S’duhet harruar edhe momentin historik të ngjarjeve si dhe domosdoshmërinë e pajtimit për krijimin e shoqërisë pluraliste dhe demokratike…” (Valentino Salvoldi – Lush Gjergji, Resistenza nonviolenta nella ex-Jugoslavia, EMI, Bologna, 1993, fq. 70-71. Më gjerësisht lexo: Po aty, vep. e cit. fq. 25-80).

Ja përshkrimi i Anton Çettës i vështirësive për pajtimin e gjaqeve: “Ishin dy shkaqe kryesore të pengimit të pajtimit. I pari ishte bindja kokëforte për ruajtjen e traditës sipas Kanunit. Disa njerëz në mënyrë fanatike shkonin sipas kësaj tradite. Arsyeja tjetër ishte justifikimi i familjeve të cilat e zbatonin hakmarrjen, sepse kështu dëshironin të paraqiteshin besnike ndaj traditës…” (Giancarlo-Valentino Salvoldi – Lush Gjergji, Kosovo nonviolenza per la riconciliazione, EMI, Bologna, 1999, fq. 52. Më gjerësisht lexo: Po aty, vep. e cit. fq. 37-77).

Ja edhe shpjegimi sintetik dhe profetik i Prof. Anton Çettës për pajtimin e gjaqeve: “Ne fill e kemi përjashtuar mundësinë e dëmshpërblimit apo të pagesës së gjakut: Pajtimi i gjithmbarshëm i popullit shqiptar duhet të jetë një vepër fisnike, vetëm një gjest i përvujtërisë dhe shpirtmadhësisë së popullit tonë… Të tjerët po na vrasin vazhdimisht, a duhet atëherë edhe ne të vritemi  me njëri-tjetrin?… Jo, duhet të jemi si kurrë më parë afër dhe së bashku me njëri-tjetrin, sepse na presin sprova dhe rreziqe të ndryshme edhe më të mëdhaja…” (Giancarlo-Valentino Salvoldi – Lush Gjergji, Kosovo un popolo che perdona, EMI, Bologna, 1997, fq. 48: Më gjerësisht lexo: Po aty, vep. e cit. fq. 31-105).

Falja dhe pajtimi – parakusht jete, paqeje dhe qytetërimi

Njeriu dhe njerëzimi s’mund të jetojnë pa falje dhe pa dashuri. Falja, pajtimi dhe dashuria nuk është thjesht vepër njerëzore, çështje e arsyes, vullnetit apo përcaktimit tonë, sepse mendoj se pjesa dërmuese e njerëzimit e kupton se e keqja nuk mundet me të keqe, por vetvetiu është tejet e vështirë, mos të them e pamundshme, pasi që i tejkalon fuqitë tona njerëzore. Shi për këtë pa besim dhe pa ndihmën e Zotit dhe të rrethit, përkrahjen, pjesëmarrjen tonë vëllazërore nuk mundet e keqja e urrejtës, mënisë, gjak apo hakmarrjes.
Këtë e ka vërtetuar edhe përvoja jonë sidomos gjatë vitit 1990, ku kemi gjetur dhe përjetuar se motivet fetare dhe kombëtare dukshëm lehtësonin pajtimin, faljen, tejkalimin e çdo lloji vështirësie, si shtylla të fuqishme veprimi.
Pa këto elemente ne bëjmë “vrasje, hakmarrje apo edhe gjakmarrje” psikologjike, shpirtërore, nëpërmjet indiferentizmit, egoizmit, egocentrizmit, karrierizmit, materializmit, konsumizmit, hedonizmit, moskujdesit për të varfër dhe të mjerë si dhe shumë dukurive tjera shëmtuese, sidomos dukurisë së shtimjes, shpifjes, përgojimit, paragjykimeve, përkrahjes dhe solidaritetit për të keqe, që fatkeqësisht janë gjithnjë në rritje dhe në zhvillim të hovshëm ndër ne, edhe pas arritjes së lirisë, demokracisë dhe shtetësisë së Kosovës.
NJERIU ËSHTË NJERI AQ SA KA DASHURI, sa di dhe do të ketë mirëkuptim, dhembje, mëshirë për të tjerët, të falë dhe të kërkojë falje, pra, sa jeton me dashuri dhe për dashuri.
Kjo ndërlidhet ngushtë edhe me aspektin fetar, botëkuptimor, kombëtar, gjithë njerëzor. “Nëse ndokush thotë: “E dua Hyjin” e këndej e urren vëllanë e vet që e sheh, Hyjin që nuk e sheh, s’mund ta dojë” (1 Gjn 4, 20).
Urrejtja është djallëzore, vdekjeprurëse, vrastare, vetëvrasje, vëllavrasje, ndërsa dashuria dhe falja janë hyjnore dhe frytdhënëse. Shën Gjoni urrejtjen e krahason edhe me verbëri, terr: “Kush e urren vëllanë e vet, gjendet në errësirë dhe ecën në errësirë. Nuk di kah shkon sepse terri ia ka verbuar sytë” (1 Gjn 2, 11).
Jezusi thotë: “Por ju them juve që më dëgjoni: Doni armiqtë tuaj, bënu mire atyre që ju urrejnë, bekoni ata që ju mallkojnë, lutuni për ata që dijekeqas ju mundojnë… Si dëshironi t’ju bëjnë juve njerëzit, ashtu bëjuni edhe ju atyre… Bëhuni edhe ju të mëshirshëm sikurse /edhe/ Ati juaj është i mëshirshëm. Mos gjykoni dhe nuk do të gjykoheni. Mos dënoni dhe nuk do të dënoheni! Falni dhe do të gjeni falje!” (Lk 6, 27-28. 31. 36-37).
Pse njeriu i sotshëm, sidomos ne Shqiptarët, falim pak, vështirë, gati edhe keq, pjesërisht, vetëm në disa rrethana të rrezikimit, të luftave, si ndodhi gjatë vitit 1990?

Gabimi i parë,  më duke mua, është në edukimin e rrebtë dhe formal, që mbështetet kryesisht në urdhëra, ndalime, krijon më tepër ndjenjën e frustrimit, hurxhit dhe të paaftësisë, mbylljes, e cila shpesh shpërthen në agresivitet, sulm, urrejtje dhe në shkatërrimi, sepse familja dhe shoqëria jonë më tepër mbështet në ligje, rregullore, tradita, se në marrëdhënie ndërnjerëzore, ndërfamiljare, në përvojën e mirësisë dhe dashurisë së ndërsjellët. Ne duhet t’i zbulojmë dhe t’i përkrahim anët pozitive te vetja dhe te tjerët, sepse nëse rritet e mirja, vetvetiu pakësohet e keqja.

Gabimi i dytë është garimi i egër për punë, fitim, sukses me çdo kusht, ku njeriu nuk është më askush dhe asgjë nëse nuk punon, nuk fiton, nuk ka sukses në krahasim me të tjerët, pra, subjekti-njeriu objetivizohet apo bëhet gjësend. Në këtë “garë” të pamëshirshme dikush lodhet, ndalet, çalon, s’ka fuqi dhe mbetet i frustruar, ndihet keq, nuk e ka më mbështetjen e të tjerëve, dhe si i tillë potencialisht është “kandidat” për urrejtje ndaj vetvetes dhe ndaj të tjerëve. Bota, të tjerët janë fajtorë për fatin e keq, për mossukses, për dështime, prandaj janë psikologjikisht dhe shpirtërisht të cunguar, të anësuar, të dëmtuar dhe si të tillë në hall me vetveten dhe me të tjerët.

Gabimi i tretë është feja vetëm si njohuri, rregullore, ligj, në anën thjesht formale, pa përvojë dhe jetësim me Zotin-Dashuri dhe me vëllaun njeri. Nga përvoja e fesë së Zotit-Dashuri i cili në vazhdimësi është edhe falje, mëshirë, pajtim, ndërrim, përmirësim, mësohemi dhe aftësohemi edhe ne deri diku t’i përngjajmë atij, jemi të lumtur në falje ndaj të tjerëve.
Ne Shqiptarët sot jetojmë ose nën ndikimin e individualizmit të tepruar, bajraktarizmit, vetëm si të them unë, ose të kolektivizmit anonim, mentalitetit turmor dhe grumbullor, si thonë dhe veprojnë të tjerët, pa pasur mundësi të jemi vetvetja, pa ndonjë orientim dhe përcaktim jetësor. Ndikimi i të tjerëve, i rrethit të ngushtë apo të gjerë, ende është shumë i madh, mos të them edhe vendimtar, kryesisht negativ, duke cunguar identitetin dhe personalitetin, orjentimet, bindjet, përcaktimet, veprimet dhe jetën personale dhe familjare. Shqiptari rregulloren kryesore të jetës e ka këtë parim: Si të tjerët! Kur të tjerët falin, si ndodhi gjatë vitit 1990, atëherë edhe unë ose edhe ne…, ndërsa sot, është ndryshe.
Falja tek ne ende fatkeqësisht trajtohet si dobësi, ndërsa hakmarrja dhe gjakmarrja si trimëri, si traditë e shenjtë shqiptare, si virtyt i pamohueshëm nga rrethi familjar dhe shoqëror traditor, sipas parimit të pakuptimtë: gjaku nuk falet as nuk tretet kurrë!
Në tekstet shkollore, në literaturë, në krijimtari të ndryshme, si poezia, proza, piktura, skulptura, muzika, filmi, vlera dhe virtyti i faljes, paqes, dashurisë, strategjia paqësore dhe jodhunore gandiane, tereziane, rugoviane, bashkimi në dallime është shumë pak i pranishme.
Trimëria më e lartë është ta mundim të keqen së pari në vete, e pastaj edhe te të tjerët, sepse JEMI TË LIRË VETËM NËSE JEMI TË MIRË!
Prandaj, para çdo veprimi, pika e parë është kuptimi i gjendjes, si nga aspekti historik, ashtu edhe nga vështrimi aktual. Pika e dytë është ndarja e përvojave tona nëpërmjet bisedimeve, dialogut dhe komunikimit ndërnjerëzor dhe ndërvëllazëror, që të jemi së bashku si në të mira, ashtu edhe në të vështira. Gjendja konflikuale kërkon së pari harmonizimin e njeriut me vetveten, me atë që është dhe dëshiron të jetë, dhe vetëm pastaj mund të shkojmë kah hapi i dytë – marrëdhëniet ndërnjerëzore, që të vijmë edhe deri te ndjenja e përkatësisë së përbashkët apo gjithëshqiptare, te shoqëria.
Sot hak-marrja apo gjak-marrja duhet të ndërrohet edhe në terminologji, sepse thënë kështu duket se njeriu ka të drejtë, bile edhe detyrë, ta marrë hakun apo edhe gjakun!
ÇDO HAK APO GJAK-MARRJE  SOT ËSHTË SË PARI VETËVRASJE, PASTAJ VËLLAVRASJE DHE SË FUNDI EDHE VRASJA E TJETRIT.
Pa vetëdije të tillë s’mund ta luftojmë këtë dukuri shëmtuesi, kancerin e shoqërisë shqiptare në ditët tona.
Duhet gjithnjë ta kultivojmë KULTURËN E JETËS: nderimin, pranimin, përkrahjen dhe mbrojtjen e jetës në çdo faze, sipas parimit të njohur shqiptar: “S’ka shtëpi pa pleq dhe pa fëmijë”, dhe: “Mjerë ajo shtëpi që s’ka  pleq dhe fëmijë!”. Pse atëherë mos ta duam dhe mbrojmë jetën nga çdo rreziku apo kërcënimi, edhe nga gjakmarrja?
Kush jeton për hakmarrje, nuk jeton fare, sepse jeton vetëm për të bërë keq, kjo s’është e denjë për askënd, jeton për së gjalli në varr. Urrejtja është DIKTATORI më i keq që vetvetiu nuk vdes kurrë dhe  robëron të gjithë. Mu për këtë falja është parakusht jete, paqeje dhe qytetërimi, si përvoja më e rëndësishme dhe vendimtare në jetë, e cila mundëson të dalim prej vetvetes dhe të përqendrohemi në të tjerët për të jetuar të vëllazëruar dhe të bashkuar.
S’ka njeri të përsosur që s’ka nevojë për falje, si prej Zotit ashtu edhe prej të afërmit, por edhe për të falur. Nga kjo përvojë lindë paqja e vërtetë e cila mbështet në drejtësi, të vërtetën dhe mbi të gjitha në dashuri. Kjo e begaton kulturën e jetës me QYTETËRIMIN E DASHURISË.

Dhe së fundi disa parime të shëndosha, do të thosha edhe të shenjta, për pajtimin e gjaqeve:

Pajtimin e gjaqeve nuk e kërkonim kurrë në emër të vrastarit dhe kriminelit, por në emër të të pafajshëmve, mbi të gjitha në emër të Zotit dhe të Popullit shqiptar, të fëmijëve dhe të rinisë, për të tashmen dhe për ardhmërinë tonë.

E keqja kurrë nuk e mund të keqen, por vetëm e mirja, falja dhe pajtimi nuk lejojnë që “zinxhiri” i traditës t’na ngulfatë dhe t’na fundosë paskajshmërisht në vëllavrasje dhe vetëvrasje.

Falja e gjakut është trimëri kulmore, kërkesë, nevojë dhe domosdoshmëri e kohës sonë, sepse pa flakjen e kësaj dukurie, kancerit shpirtëror shqiptar, nuk ka liri dhe demokraci të mirëfilltë.

Me falje dhe pajtim ne më së miri i nderojmë viktimat, sepse gjaku i tyre na mundëson krijimin e ndjenjës së përbashkët me mbarë popullin tonë, si një familje e madhe, si  në gëzime, ashtu edhe në pikëllime, para sfidave dhe rreziqeve që doemos na priteshin.

Ata që falin janë “heronjtë e ditëve tona”, paralajmëruesit se jeta është më e fortë se vdekja, falja më e qëndrueshme se urrejtja, dashuria dhe vëllazëria rruga e vetme e shpëtimit

“Sofra e Pajtimit” kishte krijuar parakushtet për ngjarjet madhore të vitit 1999 dhe më vonë, si në aspektin kombëtar, ashtu edhe ndërkombëtar, për krijimin e strategjisë paqësore dhe jodhunore, për luftën e lavdishme të UÇK-së, për ndërhyrjen e NATO-s, në përforcimin e vlerave dhe virtyteve pa të cilat s’do të ishim ata që jemi dhe aty ku jemi sot, në Kosovën e lirë dhe demokratike.
Fatkeqësisht edhe pas kaq viteve ende nuk kemi asnjë studim të mirëfilltë ndërsciplinor rreth faljeve të gjaqeve gjatë vitit 1990 nga aspekti juridik, traditor, etiko-moral dhe fetar. Me pajtimet e gjaqeve është tejkaluar tradita, drejtësia, mungesa e lirisë dhe shtetësisë, është zbatuar vëllazëria, falja dhe dashuria e cila na ka afruar dhe bashkuar para rreziqeve të luftës dhe asgjësimit. Kjo përvojë duhet gjithnjë të kujtohet, studiohet, paraqitet nëpërmjet mjeteve pamoro-dëgjimore, shtypit, krijimtarisë, si vlerë dhe virtyt që duhet kultivuar gjithnjë e më shumë, si parakusht jete, paqeje, demokracie, si zhvillim i gjithanshëm i njeriut, familjes dhe shoqërisë sonë.

 

 

Disa kujtime dhe përjetime

Po iu kthehem pak disa kujtimeve. Në një rast, ishim në rrethin e Gjakovës dhe përgatiteshim për kremtimin publik të pajtimeve të gjaqeve në Smolicë, atje ku dikur ishte “mjellur” molla e sherrit për të shkaktuar konflikte ndërfetare mes shqiptarëve katolikë dhe myslimanë. Ditë e natë ishim nëpër oda, në bisedime, propozime, përgatitje. S’kishim kohë për asgjë, as për ngrënje, as për fjetje apo pushim. Dëshira e vetme ishte: të jemi me popullin tonë dhe t’ua lehtësojmë barrën e rëndë të hak apo gjakmarrjes.

Baca Anton ishte dukshëm i lodhur, por edhe i disponuar. Më tha kështu: “Don Lush, prekma pak shpinën. A kam ende shpinë?”.

Unë iu përgjigja: “Si jo, në shpinën tënde është mbarë Kosova, edhe më tepër, populli shqiptar!”.

Ai si në hoka më tha: “Nuk e di a kam më shpinë, aq jam këputur… A ka ndonjë vend ku mund të mbështetemi pak para se të dalim para popullit në kremtimin e pajtimeve të gjaqeve?”.

Dhe u mbështetem në një odë të madhe, ai me një skaj, unë dhe bashkëpunëtorët tjerë, në një skaj tjetër, diku afro një ore.

Pas këtij pushimi kaq të nevojshëm, baca Anton më tha: “Tash mund të qëndroja në bisedime edhe për ndonjë ditë dhe natë… Ja, kështu është puna me popull dhe për popull. Njeriu i tejkalon edhe nevojat biologjike, çdo pengesë… Këtë e kemi sprovuar shpeshherë gjatë pajtimeve të gjaqeve… Motivimi dhe dashuria bëjnë mrekulli!…”.

Ishte 9 maj 1990, festa e “Shën Kollit” në Sellagrazhd të Velezhës, komuna e Prizrenit. Kishim vendosur që për këtë festë të kremtonim edhe pajtimin e gjaqeve në ato hapësira, së bashku shqiptarët katolikë dhe myslimanë. Kjo e kishte “turbuar” Serbinë, sidomos pas ngjarjes historike të Verrat e Llukës /1 maj 1990/, ku NDODHI POPULLI.

Më 3 maj 1990 Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë me dekret e kishte ndaluar pajtimin e gjaqeve në Kosovë dhe më gjerë me këto arsye:

 

Sepse populli shqiptar nuk ka traditën e faljes së gjaqeve, (gjë kjo që nënkuptonte dëshirën e tyre: le ta vazhdojnë traditën e vrasjeve!  (vr. ime).

Këtë lëvizje e udhëheq Anton Çetta, me “njëfarë” prifti katolik shqiptar, Don Lush Gjergji, edhe pse shumica e shqiptarëve janë myslimanë;

E tërë kjo lëvizje është kryekëput kundër popullit serb në Kosovë dhe kundër Serbisë.

 

Prof. Anton Çettën e kishin ndalur dhe burgosur, mua më kishin kërcënuar deri me vdekje dhe me pushkatim, popullin e kishin keqtrajtuar në format më të vreshta, por kot, sepse tashmë Shqiptarët e shijonin pajtimin, vëllazërinë gjithshqiptare, bashkimin në dallime.

Meshën e kam kremtuar i rrethuar me një mori populli nga viset e ndryshme të Kosovës, ndërsa mbi kokat tona fluturonin helikopterët ushtarak, qarkullonin taksat, dëgjohej kudo fyerja dhe sharja. Populli  ishte një mendje dhe një zemre  në lutje, këndonte, falënderonte Zotin,  përjetonte praninë dhe dashurin e Tij në një qetësi dhe siguri që dukshëm shqetësonte armiqtë tanë.

Porosia e tij nga takimi im i fundit me të para se të kalonte në amshim ishte kjo: “Nëse vdes pa e parë dhe përjetuar lirinë dhe pavarësinë, së paku një gisht i imi do të jetë jashtë vorrit, mbi të. Atë ditë që do të agojë liria, eja, e shtjere edhe gishtin tim në varr, që të pushojë në qetësi në tokën time të shtrenjtë, të shenjtë dhe të lirë!”.

 

Ky gisht nuk ishte drejtuar kah të tjerët për t’i sulmuar, fajësuar, por u bë simboli i shtrirjes së dorës së pajtimit, vepër kjo pa dyshim, e pëlqyeshme para Zotit, e domosdoshme për popullin shqiptar. Me pajtimin e gjaqeve ne e përforcuam vëllazërinë tonë gjithshqiptare, krijuam kulturën e jetës dhe qytetërimin e dashurisë duke ia plotësuar testamentin e fundit Nënës Tereze.

Ajo më dorën e saj kishte shkruar këtë porosi: “Gjithmonë shpirtërisht jam e lidhun më uratë dhe në dashni me popullin tem shqiptar, sidomos në kohë të vështira. Mbas shumë hjekave dhe rreziqeve, me gëzon pamasë lajmi i pajtimeve. Urime rinisë shqiptare kosovare që e nisi kët vepër, si dhe të gjithë astyne që marrin pjesë në këtë punë të madhe dhe shenjte…

Dëshiroj  të festojmë së bashku Pajtimin e mbarë popullit tem shqiptar…” (Bukuresht, 3 maj 1990).

Prof. Anton Çetta, ishte dhe mbeti Njeriu i provanisë së Zotit dhe Popullit Shqiptar, ai i cili diti ta jepte “pjesën më të mirë të vetvetes” me shumë maturi, përkushti dhe dashuri, i cili e gjeti “damarin” e popullit për një komunikim të drejtpërdrejt në odën e madhe që ishte e tërë Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, diaspora shqiptare në Evropë dhe në Amerikë.

“Sofra e Pajtimit” kishte krijuar parakushtet për ngjarjet madhore të vitit 1999 dhe më vonë, si në aspektin kombëtar, ashtu edhe ndërkombëtar, për krijimin e strategjisë paqësore dhe jodhunore në krye me Presidentin historik të Kosovës, Dr. Ibrahim RUGOVËN, për luftën e lavdishme të UÇK-së, për ndërhyrjen e NATO-s, në përforcimin e vlerave dhe virtyteve pa të cilat s’do të ishim ata që jemi dhe aty ku jemi sot, në Kosovën e lirë, të pavarur dhe demokratike, model bashkëjetese dhe integrimin ndër ne dhe më gjerë.

Prof. Anton Çetta vuri gurthemelin e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, edhe pse ai këtë gëzim dhe ndodhi fatkeqësisht nuk e priti dhe përjetoi. Të tillë janë flijimtarët e mëdhenj dhe të mirëfilltë, që kanë jetuar dhe vepruar me përcaktime dhe vizione largpamëse, për Popullin dhe me Popullin, për të mirën e të gjithëve.

Prizren, 15 qershor 2013

Filed Under: Komente Tagged With: Anton Ceta, babai i pajtimit, don Lush Gjergji

Artikujt e fundit

  • Shqipëria në krye të Këshillit të Sigurimit të OKB-së
  • NJË VEPËR ESESH DINAMIKE
  • Në 25 vjetorin e rënies, përkujtojmë heroin Fehmi Lladrovci, ideologun dhe strategun e UÇK-së
  • Atje ku viti i ri  që po vjen nuk do të jetë 2024
  • SHËNIME NGA LUFTA E KOPLIKUT 1920
  • Narcisi i shekullit të 21-të
  • IL PICCOLO DI TRIESTE (1913) / E VËRTETA E KËRKESAVA TË ESAD PASHËS NDAJ ISMAIL QEMALIT — INTERVISTA EKSKLUZIVE ME DERVISH HIMËN, TË BESUARIN E ESADIT
  • Faik Konica, shqiptari i ditur, reagues kurajoz dhe polemisti i ashpër
  • SOT NË ORËN 6 PM KRYETARI I KOMUNËS SË PRISHTINËS Z.PËRPARIM RAMA VIZITON VATRËN
  • Observing The World In Real-Time Data Works for Everyone
  • Presidentja Osmani në drekën tradicionale të përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell me krerët e Ballkanit Perëndimor
  • Nga non-paper i Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë tek oferta për heqjen e asteriksit!
  • DIELLI ME SHQIPTARËT  NË AUSTRALI, GRUPI FOLKLORIK “NANË TEREZA”, TRASHËGIMI KULTURORE SHQIPTARE NË ADELAIDE TË AUSTRALISË
  • MË 21 SHTATOR 2023, ISH-PRESIDENTI I REPUBLIKËS SË KOSOVËS Z.BEHGJET PACOLLI VIZITON VATRËN
  • Fotoreportazh nga promovimi i tre librave (ribotim) të PhD.Dashnim HEBIBI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT