Ne Foto:Donald Tusk gjatë fjalimit të tij të sotëm në Strasburg/Presidenti i Bashkimit Evropian, Donald Tusk, tha sot se ka përpjekje për “destabilizim të Ballkanit” dhe për këtë arsye liderët e Bashkimit Evropian i japin mbështetje “perspektivës evropiane” të Ballkanit Perëndimor.Duke folur sot në Parlamentin Evropian në Strasburg, zoti Tusk tha se për këtë rajon kanë diskutuar liderët e BE-së.“Ne diskutuam për situatën e tensionuar në Ballkanin Perëndimor. Eshte e qartë te të gjithë, se forcat brenda dhe jashtë po punojnë fuqishëm për destabilizim të rajonit. Për këtë arsye, liderët e kanë riafirmuar mbështetjen e tyre të qartë për Ballkanin Perëndimor dhe perspektivën e tij evropiane”, tha Donald Tusk.Mëtutje ai është shprehur se ka “përkushtim të plotë për mbështetje të reformave të orientuara evropiane dhe për projektet që po vazhdojnë”.Sipas tij, “Bashkimi Evropian i mbetet besnik premtimit të Samitit të Selanikut dhe përkushtimit të plotë për stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit”.Në samitin e Selanikut në vitin 2003 ishte shprehur mbështetje që një ditë të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor të anëtarësohen në BE.
Nju Jork-Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, vlerësoi progresin në Kosovë
-Kryeministri i Turqisë, Ahmet Davutoglu theksoi vullnetin për thellimin e bashkëpunimit me Kosovwn/
Nju Jork, 28 Shtator 2015/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, po qëndron në Nju Jork, ku është ftuar nga presidenti i SHBA-ve, Barack Obama, që të marrë pjesë në Samitin Global të Liderëve Kundër ISIS-it dhe Ekstremizmit të Dhunshëm, që do të mbahet më 29 shtator.Kryeministri Mustafa, me delegacionin qeveritar, po zhvillojë takime me liderë të shteteve të ndryshme të botës si dhe udhëheqës të organizatave ndërkombëtare e rajonale, bëhet e ditur në njoftimet dërguar nga Nju-Jorku, të Kryeministrisë kosovare.Në një nga takimet, Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, vlerësoi progresin në Kosovë si dhe hapat e ndërmarrë për zhvillimin e vendit.
Presidenti Donald Tusk shprehu përkrahje për rrugën integruese evropiane të Kosovës.Në takim ishin edhe zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku. Kryeministri Mustafa theksoi angazhimin e Qeverisë së Kosovës për zhvillim ekonomik, hapjen e vendeve të reja të punës, reforma të gjithmbarshme dhe fuqizim të shtetit ligjor.
Ai veçoi përkushtimin e qeverisë së Kosovës për proceset eurointegruese, duke theksuar se Kosova i ka përmbushur kriteret për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) dhe për liberalizimin e vizave, dhe se tashmë pret finalizimin e këtyre dy proceseve.
Kryeministri Mustafa e njoftoi presidentin Tusk edhe për proceset tjera aktuale në Kosovë, duke kërkuar përkrahje të mëtejshme të Bashkimit Evropian.
Gjatë takimit, është biseduar edhe për proceset e tjera të rëndësishme, duke përfshirë edhe krizën e fundit të refugjatëve.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka zhvilluar një takim, në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, edhe me kryeministrin e Republikës së Turqisë, Ahmet Davutoglu.
Gjatë takimit, ku ishte i pranishëm edhe zëvendëskryeministri Thaçi dhe ministri Çollaku, kryeministri Mustafa e njoftoi homologun turk për të arriturat në Kosovë, në shumë fusha.
Kryeministri Mustafa kërkoi mbështetjen e Turqisë për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, si dhe në organizata të tjera ndërkombëtare.
Duke e falënderuar për përkrahjen e ofruar nga Turqia deri më tash, kryeministri Mustafa shprehu vullnetin për zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.
Kryeministri i Turqisë, Ahmet Davutoglu, vlerësoi të arriturat në Kosovë, si dhe maturinë dhe vizionin e dëshmuar nga Kosova në proceset e fundit që lidhen me bashkëpunimin rajonal.
Kryeministri Davutoglu po ashtu shprehu përkrahje të fuqishme për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, si dhe në hapat e tjerë që lidhen me fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.
Kryeministri turk po ashtu theksoi vullnetin për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve./b.j/
NGA LËVIZJA ANTIKOMUNISTE POLAKE – NË KRYE TË EUROPËS
Nga Frank Shkreli/
Këshilli i Europës vendosi javën e kaluar të zgjedhë si President të Këshillit të Europës (KE), Kryeministrin e Polonisë, Z. Donald Tusk, në mandatin që fillon më 1 Dhjetor, 2014 deri më 31 Maj, 2017. Këshilli Europian emëroi gjithashtu italianen Federica Mogherini në detyrën e Përfaqsuesës së lartë të Bashkimit Europian (BE) për Punë të Jashtëme dhe të Sigurisë, por ajo që tërhoqi vëmendjen, ishte zgjedhja e udhëheqsit polak, Donald Tusk në detyrën e lartë të kontinentit europian, në krye të Këshillit të Europës. Ai rrjedhë nga qyteti polak Gdansk, qytet ky që ka hyrë në histori si djepi i lëvizjes antikomuniste të punëtorëve polakë dhe njihet si qëndra e protestave antikomuniste që gjatë 1980-ave u përhapën anë e mbanë Polonisë, por influenca e të cilave u ndie më vonë në mbarë Europën Lindore e Qëndrore. I lindur në qytetin Gdansk me 1957, Donald Tusk, ishte njëri prej themeluesve të Komitetit Studentor të Solidarnostit – një degë kjo e Lëvizjes Solidarnost të puntorpve polakë, e udhëhequr nga Lech Walesa — dhe ka shërbyer si përfaqsuesi kryesor i Solidarnostit në Shtëpinë botuese Wydawnictwo Morskie,dhe ka punuar si gazetar për të përjavshëmen, “Samorządność”, organ i sindikatës së puntorëve Solidarnost. Për arsye të veprimtarisë së tij, në mbështetje të sindikatës Solidarnost, ai ishte vendosur nga autoritete komun iste, në “listën e zezë, gjë që e përjashtonte atë nga punësimi në firmat e drejtuara nga shteti dhe ngaqeveria komuniste polake e asaj kohe.
Zgjedhja e tij, tërhoqi vëmendjen pra jo vetëm sepse ai është i pari nga Europa Lindore ish komuniste që zgjidhet në atë post të lartë të burokracisë europiane, por edhe për faktin se ai i takon një brezi politikanësh polakë dhe europianë, i cili 25 vjetë më parë, në një moshë të re ishte në frontin e luftës kundër komunizmit. Si student, Donald Tusk ishte shumë aktiv në Lëvizjen anti-komuniste polake, Solidarnost, e cila fillimisht sfidoi komunizmin dhe më vonë mundi regjimin komunist polak, 25 vjetë më parë. Z. Tusk edhe në ditët e sotëme ai nuk e fsheh admirimin e tij për ish-Presidentin amerikan Ronald Reagan dhe ish-Kryeministren britanike Margareth Thacher, të cilët konsiderohen ndër protagonistët kryesorë që kontribuan drejt shëmbjes së komunizmit në Europën Lindore dhe Qëndrore. Si aktivist idikurëshëm i Lëvizjes Solidarnost, ai ka vazhduar gjithashtu t’i qëndrojë besnik edhe ikonës së lirisë polake dhe europiane, Z. Lech Walesa, ish udhëheqsit të kësaj lëvizjeje, i cili qe zgjedhur president Polonisë në vitin 1990, menjëherë pas rënjes së komunizmit.
Pas zgjedhjes së tij në postin e Presidentit të Këshillit të Europës, Donald Tusk u tha gazetarve se konsideron se dy prioritetet kryesore të mandatit të tij janë vendosja e një bilanci midis disiplinës buxhetore dhe rritjes ekonomike në vendet e eurozonës dhe të merret me kërkesat e Londrës,e cila kërkon me ngulm ndërmarrjen e reformave në radhët e Bashkimit Europian, pasi sipas, tij, “asnjë person i arsyeshëm nuk mund të imagjinojë Bashkimin Europian pa Britaninë e Madhe.” Si politikani i parë nga vendet anëtare të Europës ish-komuniste në BE-në, Z. Tusk, për tu zgjedhur detyrën e lartë të KE-së, ai kishte mbështetjen e Kryeministrit britanik David Cameron dhe Kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel, është e njohur tanimë si mbështetse e tij.
Në lidhje me politikën e jashtme, Kryeministri polak ka kritikuar Rusinë ç’prej fillimit të krizës në Ukrainë, duke kërkuar sanksione më të forta kundër Moskës për agresionin e saj në Ukrainë, ndërsa në lidhje me politikën europiane, ai njihet si mbështetës i një integrimi më të madh politik dhe ekonomik mbrenda BE-së, ndërkohë që ka kritikuar ato që ai i ka quajtur si, “monopolizime politike” të vazhdueshme nga vende me influencë si Gjermania dhe Franca. Në vend të këtij përqëndrimi të marrjes së vendimeve nga dy tre kryeqytete me rëndësi, ai ka thënë se nevojiten përpjekje të përbashkëta, ku secili vend anëtar të paraqesë propozimet dhe nismat e veta, sidomos kur është fjala për negociatat mbrenda eurozonës.
Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry, në një deklaratë të lëshuar mbrëmë në emër të Shteteve të Bashkuara, u drejtoi urimet e tija Kryeministrit polak, Donald Tusk dhe Ministres së Punëve të Jashtmë të Italisë, Federica Mogherini. Kryediplomati amerikan tha në mesazhin e tij se “pret që të punojë me të dy udhëheqsit e ri europianë për të përballuar sfidat e mëdha me të cilat përballemi në lidhje me sigurinë, demokracinë dhe lirinë në lindje të Europës, në rajonin e Lindjes së Mesme, si dhe anë e mbanë botës dhe njëkohësisht të bashkveprojmë për të mbrojtur dhe për të realizuar vizionin tonë të përbashkët për një Europë të tërë, të lirë dhe në paqe.”Zoti Kerry nënvijoi në mesazhin e tij se, “Shtetet e Bashkuara dhe Europa ndajnë zotime të forta në mbështetje të lirisë, të sigurisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut, të ligjit dhe të tregjeve të lira.”Ai përfundoi urimin e tij duke thënë se, “Ne jemi të bashkuar me lidhje të qëndrueshme kulturore dhe tregtare, me një histori të përbashkët, si dhe me shpresat tona për një të ardhme më të mirë… për të ndërtuar marrëdhënje edhe më të forta trans-atlantike si dhe një botë më të sigurtë dhe më të begatë për brezat e ardhëshëm.”
Zgjedhja e Z. Donald Tusk si President i Këshillit të Europës është simbolike dhe e rendësishme pasi ve në dukje se sa shumë ka ndryshuar, jo vetëm një vend ish komunist si Polonia në dy dekadat e fundit, por zgjedhja e tij shënon njëkohësisht edhe transformimin e vet Europës pas shëmbjes së komunizmit. Polonia, natyrisht, krenohet me zgjedhjen e tij në këtë detyrë me përgjegjësi, sepse sipas analistit polak, Pawel Swieboda, “asnjë burrë tjetër polak deri tashti, me përjashtim të Papa Gjon palit të II, nuk ka arrritur të sigurojë një post aq të lartë.” Duhet të krenohet edhe Europa me këtë vendim, pasi duket se “Europa e vjetër”është e gatëshme që të pranojë vendet ish-komuniste – të kësaj “zonë energjetike”, siç tha vet Z. Tusk — jo vetëm si anëtare të saj, por edhe si udhëheqse të fatit të përbashkët. Vetë Kryeministri Tusk e cilësoi zgjedhjen e tij në krye të Europës si një hap të madh për vendet anëtare të Europës Lindore, duke u thënë gazetarve se “është i sigurt fakti se diçka ka ndryshuar dramatikisht në Europë gjatë gjashtë muajve të fundit.”Ai u pohoi gazetarve të shtunën që kaloi se, “Prania e njerëzve me përvojë nga Europa Lindore, është tepër e nevojshme në Europë.”
Është e natyrshme që një patriot si Donald Tusk, në një detyrë aq të lartë që i është besuar nga Europa, ai do të punojë për interesat europiane dhe njëkohsisht është e logjikshme që ai të mos harrojë as interesat kombëtare të vendit të tij, por as ato të të rajonit të Europës Lindore ish-komuniste me të cilin ai dhe vendi i tij deri 25 vjetë më parë kanë ndarë të njëjtin fat të keq nën regjimet komuniste. Si përfaqsues i një vendi siç është Polonia, e cila ka vuajtur aq shumë nga komunizmi dhe që i njeh mirë hallet e tranzicionit, shpresojmë që Presidenti i ri i Këshillit Europain, Donald Tusk të luaj një rol të rëndësishëm edhe në politikën e integrimeve europiane, në mbështetje të zgjërimit të BE-së me vendet që ende nuk janë anëtzare, por që aspirojnë t’i bashkohen BE-së, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën.
Ne Foto: Presidenti i ri i Këshillit të Europës, Donald Tusk