Nga Prof. Nikolla Pano*/
Gjatë tre dekadave të kaluara, Dr. Elez Biberaj ka fituar një reputacion mjaft të merituar si një nga vëzhguesit dhe analistët më të respektuar të botës për zhvillimet e periudhës komuniste dhe paskomuniste në Shqipëri dhe Kosovë. Ai është autor i tre librave që lidhen kryesisht me Shqipërinë, njëri prej të cilëve është botuar edhe në shqip me titullin “Shqipëria tranzicion: Rruga e vështirë drejt demokracisë, 1990-2010” (AIIS, 2011). Ai është autor edhe i shumë kapitujve të veçantë, i artikujve dhe shumë kumtesave, që përqendrohen mbi çështjet shqiptare dhe kosovare. Një model përfaqësues të studimeve të tij përbën edhe përmbajtja e këtij libri.
Përveç një periudhe katërvjeçare (1982-1986), kur ai punonte për ish-Agjencinë e Informacionit të Shteteve të Bashkuara (USIA), Elezi është dalluar në kryerjen e detyrave të ndryshme në Zërin e Amerikës (VOA), ku që nga viti 1980 u fut në Seksionin Shqip të Zërit të Amerikës. Në vitin 1986 ai u bë Shef i Seksionit Shqip dhe që nga viti 2005 ka qenë Drejtor i Departamentit Euroaziatik të Zërit të Amerikës. Duke e vlerësuar kontributin e tij të shquar si Shef i Seksionit Shqip, në vitin 2000, Elezit iu dha Çmimi i Punonjësit të Shquar të Vitit i Zërit të Amerikës.
Ekspertiza e Dr. Biberajt në çështjet shqiptare dhe të Ballkanit është vlerësuar më tej brenda Zërit të Amerikës, nga agjencitë e tjera qeveritare, nga qendrat studimore, prestigjioze, joqeveritare, në Shtetet e Bashkuara dhe bashkësia akademike. Ai është intervistuar dhe konsultuar nga qendra kryesore mediatike në Shtetet e Bashkuara dhe jashtë shtetit gjatë periudhave të krizës në Shqipëri dhe Kosovë. Këto lidhje të ndërsjellët i kanë mundësuar Elezit të ngrejë lart vetëdijen e kolegëve në qeveri, akademi, media dhe publikun amerikan, në lidhje me sfidat me të cilat është përballur dhe përballet Shqipëria, Kosova dhe popullsia shqiptare në Ballkan, si dhe për të ndikuar mbi pikëpamjet e tyre.
Por Elez Bibaraj ka qenë më tepër se sa një vëzhgues dhe analist i ngjarjeve në Shqipëri dhe Kosovë. Ai, në periudha të ndryshme që nga rënia e komunizmit, ka marrë pjesë edhe në disa ngjarje kryesore, që përbëjnë faza të tranzicionit paskomunist të këtyre shteteve. Në përgjithësi dihen nismat e Dr. Biberajt gjatë viteve 1989-1990 për të krijuar kontakte me udhëheqësit e opozitës antikomuniste shqiptare, që po krijohej, duke iu mundësuar atyre të përdornin lehtësirat e Zërit të Amerikës për të komunikuar drejtpërsëdrejti me bashkëpatriotët e tyre në Shqipëri, si edhe në diasporë, për ta bërë publike kauzën e tyre.
Elezi u përfshi në diskutimet që kulmuan me marrëveshjen e 15 marsit 1991 për të rivendosur marrëdhëniet SHBA-Shqipëri, pas një ndërprerjeje prej 52 vjetësh dhe së bashku me të tjerët ndihmoi për të përgatitur Ambasadorin e porsa emëruar të Shteteve të Bashkuara, Uiliam Rajerson (William Ryerson) dhe stafin e tij për të nisur detyrën e tyre në Shqipëri. Elezi shërbeu edhe si vëzhgues i zgjedhjeve parlamentare të 31 marsit 1991. Ai u rikthye në Shqipëri në qershor të atij viti si përkthyes i Sekretarit të Shtetit Xhejms Bejker (James Baker), gjatë vizitës së tij të paharrueshme në Tiranë.
Elezi dhe kolegët e tij në Seksionin Shqip të Zërit të Amerikës krijuan gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë dhe vazhdojnë t’i mbajnë deri më sot ato standarde të larta profesionalizmi që e kanë bërë programin e tyre burimin më të besueshëm të lajmeve në Shqipëri.
Vlerësimi i lartë që gëzojnë Elezi dhe Seksioni Shqip ishte i dukshëm nga titujt e lartë që ata kanë marrë nga zyrtarët e Shteteve të Bashkuara, si dhe nga personalitetet nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe qendra të tjera ta bashkësisë mbarë shqiptare, në maj 2013, në festimet e 70 vjetorit të transmetimeve të para të Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe, të zhvilluar në Uashington. Me këtë rast, Presidenti Bujar Nishani i akordoi Dr. Biberajt Medaljen Nderi i Kombit. Ky shpërblim iu shtua Medaljes së Mirënjohjes që i akordoi atij një vit më parë ish-Presidenti Bamir Topi.
Këto shkrime të zgjedhura nga botimet dhe prezantimet e thelluara të Elez Biberajt në këtë vëllim, reflektojnë edhe vështrimet e thella që burojnë nga përvoja e tij vetjake dhe kontaktet që ai ka me një spektër të gjerë intelektualësh, gazetarësh dhe politikanësh brenda bashkësisë ballkanike-shqiptare dhe gjetkë. Pesëmbëdhjetë shkrimet e kësaj përmbledhjeje janë shkruar fillimisht midis viteve 1982 dhe 2013. Duke pasqyruar interesat profesionale dhe studimore të Dr. Biberajt, ato pothuajse janë njësoj të ndara me përqendrimin e tyre kryesor mbi zhvillimet në Shqipëri dhe Kosovë gjatë kësaj periudhe. Karakteri i mbulimit dhe analiza e çështjeve që trajtohen pasqyrojnë kontekstin e kohës gjatë së cilës janë shkruar.
Por ky faktor mund të shihet edhe si një nga pikat e forta të këtij libri, për faktin se na jep mundësinë të vështrojmë mënyrën se si shpalosja e ngjarjeve në Shqipëri dhe Kosovë gjatë kësaj periudhe të vrullshme ka ndikuar me kalimin e kohës mbi pikëpamjet e autorit lidhur me çështjet që ai trajton.
Një nga karakteristikat dalluese të shkrimeve të Dr. Biberajt është se ato përshkohen me atë që karakterizohet si një qasje panshqiptare, pa i dhënë ndonjë kuptim përçmues këtij termi. Me këtë dua të them se ai nuk i trajton zhvillimet në Shqipëri dhe Kosovë në një vakum. Përkundrazi, ai i sheh ato në kontekstin e evoluimit të situatave brenda bashkësisë ballkanike shqiptare, që është rezultat i faktorëve të tillë si rënia e sistemit komunist, shpërbërja e Federatës Jugosllave dhe vështirësitë e tranzicionit paskomunist.
Një aspekt tjetër i rëndësishëm i qasjes së Dr. Biberajt ndaj çështjeve shqiptare brenda kontekstit rajonal është vëmendja e tij ndaj lidhjeve të politikës së brendshme dhe politikës së jashtme, që kanë qenë, për shembull, në lojë në ndryshimin e qëndrimeve të Tiranës ndaj Kosovës nga periudha komuniste deri tani. Siç tregojnë studimet më të fundit të Dr. Biberajt, pikëpamjet e dikurshme divergjente të dy partive politike kryesore shqiptare mbi çështjen e Kosovës tani duket se konvertojnë, duke neutralizuar në këtë mënyrë, me sa duket, një burim mosmarrëveshjesh të brendshme.
Nisur nga perspektiva e tij panshqiptare, nuk është për t’u çuditur që Dr. Biberaj ka mbështetur prej kohësh krijimin e lidhjeve të ngushta në një varg fushash midis Shqipërisë dhe Kosovës, ndërkohë që ka nxitur njëkohësisht marrjen e nismave nga shqiptarët e Maqedonisë dhe të Malit të Zi. Në të njëjtën kohë ai arrin në përfundimin se duke pasur parasysh problemet e brendshme me të cilat përballet Shqipëria dhe Kosova, krahas me kundërshtimet nga bashkësia ndërkombëtare dhe mungesa e ndjenjave masive në të dy vendet, çështja e “Shqipërisë së Madhe” për momentin ka gjasa të mbetet në gjumë. Biberaj mendon se brenda një kohe të afërt, e ardhmja e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Kosovës dhe fqinjëve të tyre ballkanikë do të zhvillohen kryesisht nëpërmjet nismave të përbashkëta dypalëshe dhe rajonale, si dhe brenda kuadrit të procesit të integrimit europian. Brenda këtij konteksti ai e vë theksin te roli i rëndësishëm i Shqipërisë, Kosovës dhe bashkësisë shqiptare në Ballkan për ruajtjen e stabilitetit rajonal.
Shkrimet e zgjedhura, që merren kryesisht me Shqipërinë, për të zbuluar tendencat kryesore të brendshme dhe ndërkombëtare, që nga vdekja e Enver Hoxhës, më 1985 e deri në prag të zgjedhjeve të 23 qershorit 2013. Ato përshkruajnë faktorët që e kishin çuar Ramiz Alinë të kërkonte një hapje të kufizuar dhe të kontrolluar drejt Perëndimit, si pasojë e vështirësive tëmëdha ekonomike, që e kishin kapluar Shqipërinë aty nga fundi i periudhës së Hoxhës, si edhe procesi i gjatë me të cilin Shqipëria i dha fund izolimit të vetimponuar për t’u bërë pjesëtare aktive e bashkësisë ndërkombëtare. Trajtimi i çështjeve të politikës së jashtme rritet duke përfshirë edhe një studim, që pasqyron vlerësimin e Dr. Biberajt për rolin e Shteteve të Bashkuara në demokratizimin e Shqipërisë.
Përveç kësaj, ka edhe artikuj që merren me vlerësimin e fazave të ndryshme të tranzicionit paskomunist të Shqipërisë. Këto studime janë me interes të veçantë, duke pasur parasysh njohuritë e dorës së parë të Elezit mbi zhvillimet gjatë fazës fillestare të procesit të tranzicionit. Megjithëse duket qartë se ai e sheh me simpati platformën e Partisë Demokratike, që erdhi në pushtet në mars 1992, nga materiali i botuar në këtë përmbledhje bëhet e qartë se Elezi nuk është ndikuar negativisht nga ky faktor, në vlerësimet e tij për programet dhe udhëheqësit e dy partive kryesore, politike, shqiptare, gjatë 20 vjetëve. Dëshmia e Dr. Biberajt para Komisionit të Helsinkit të Shteteve të Bashkuara, më 6 maj 2014, shërben si një përmbledhje e shkëlqyer e pikëpamjeve të tij në lidhje me skenën politike bashkëkohore në Shqipëri. Megjithëse Shqipëria e kaloi me sukses “provën” e zgjedhjeve të vitit 2013, ka marrë statusin e vendit kandidat për në BE dhe është në rrugën e gjatë të anëtarësimit në BE, ashtu siç këshillon Biberaj, ajo duhet të zgjidhë një varg problemesh: korrupsionin publik dhe privat, të metat e sistemit ligjor dhe të drejtësisë, polarizimin politik, për të përmendur vetëm disa prej tyre, që kanë penguar arritjen e një demokracie të konsoliduar.
Me pak fjalë, ky libër na jep perspektiva të dobishme për të vështruar zhvillimet kryesore në Kosovë dhe në Shqipëri, në intervale të ndryshme gjatë tridhjetë viteve të kaluara. Ai na jep po ashtu mprehtësinë e pikëpamjeve të një analisti veteran dhe mjaft të respektuar të çështjeve shqiptare dhe kosovare gjatë së njëjtës periudhë. Materialet që përbëjnë këtë libër janë studime të thelluara, janë të shkruara bukur dhe mjaft të arsyetuara me analizën e tyre. Ato së bashku na japin një shembull të admirueshëm mbi praktikën e historisë bashkëkohore.
Instituti Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare ka bërë një shërbim të madh duke i vënë artikujt që përbëjnë këtë libër në dispozicion të publikut shqiptar. Unë shpresoj se libri do të ketë një interes të veçantë për shqiptarët e brezit më të ri dhe studentët lidhur me perspektivat që ai jep për të tashmen.
(* Parathenia e librit te Dr. Elez Biberaj ” Shqipëria dhe Shqiptarët në Udhën e Rimëkëmbjes”
DR. ELEZ BIBERAJ:SHQIPËRIA DHE SHQIPTARËT NË UDHËN E RIMËKËMBJES
Nga Frank Shkreli/
Ditët e fundit më ra në dorë libri më i ri i Dr. Elez Biberajt, botuar kohët e fundit nga Instituti i Studimeve Ndërkombëtare në Tiranë.Libri i titulluar, “Shqipëria dhe Shqiptarët në Udhën e Rimëkëmbjes”,është një përmbledhje e 15 shkrimeve, kumtesaveose fjalimeve më me rëndësi që Elezi ka botuar ose që ka paraqitur në seanca të ndryshme,në qarqet qeveritare ose akdemike mbi Shqipërinë dhe Shqiptarët, gjatë tri dekadave të fundit.Dr. Elez Biberaj është i njohur mirë si në botën perëndimore ashtu edhe në trojet shqiptare në Ballkan për veprimtarinë e tij të palodhshme në qarqet akademike amerikane dhe falë punës së tij të gazetarit prej më shumë se tri dekadash, filimisht si Shef i seksionit shqip të Zërit të Amerikës dhe tani si Drejtor i VOA-s për Euroazinë. Elezi, siç ve në dukje edhe Profesor Nikolla Pano në parathënjen e librit të ri, ka gëzuar dhe gëzon, “një reputacion të merituar nga vëzhguesit dhe analistët më të respektuar të botës për zhvillimet e periudhës komuniste dhe paskomuniste në Shqipëri dhe në Kosovë.” Këtë reputacion Dr. Biberaj e ka fituar si përfundim i botimeve të tre librave dhe një numri të madh artikujsh dhe prezantimesh mbi zhvillimet në trojet shqiptare, përfshirë edhe 16 artikujt dhe kumtesat përfaqsuese më të rëndësishme të Dr. Biberajt,që pëmblidhen në librin që u botua kohët e fundit në Tiranë.
Artikujt dhe prezantimet e përmbledhura në këtë libër trajtojnë tema, çështje dhe lëvizje të zhvillimeve të tranzicionit paskomunist në trojet shqiptare, një tranzicion ky që deri tani siç dihet është treguar tepër të vështirë, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë – por edhe në trojet e tjera shqiptare — probleme këto dhe sfida, kryesisht të shkaktuara nga konfliktet ndërpartiake të klasës politike. Dr. Biberaj i cilëson këto vështirsi si probleme të rritjes, siç e thotë shpesh autori. Elezi, megjithëse është realist mbi problemet e pa mohueshme dhe sfidat e mëdha të tranzicionit postkomunistm të cilat përballen shqiptarët, në shkrimet e tija, në kumtesat si dhe në bisedat private me të huajt, sidomos në qarqet e qeverisë amerikanedhe me akademikëdhe ekspertë të tjerë, ai mbetetpërgjithmonë optimist për zhvillimet shqiptare në përgjithësi, ndaj siç duket edhe titulli i librit të tij të ri, “Shqipëria dhe Shqiptarët në Udhën e Rimëkëmbjes”.
Meriton të vihet në dukje se kur Dr. Biberaj shkruante disa prej këtyre artikujve të botuar në këtë libër dhe kur ai ftohej të mbante referate mbi gjëndjen e shqiptarëve në Ballkan,duhet patur parasyshë se ai ishte ndër të pakët ekspertë tëpunëve shqiptare në përgjithësi, por në veçanti ishte ndër të rrallët, nodhat i vemti,që e paraqiste çështjen shqiptare nga njëkëndvështrim i trekëndshit Tiranë-Prishtinë-Shkup, shpesh duke shkaktuar edhe shqetsime tek dëgjuesit, të cilët ndodhte që disa prej tyre të cilësonin deklaratat e Elez Biberajt si nxitëse të nacionalizmit shqiptar. Por këto qëndrime nuk e shqetësuan kurrë shumë Elezin. Këtë vlerësim bën edhe profesori i nderuar dhe gjithashtu një kontribues me merita të mëdha ndaj çështjeve shqiptare në botën akademike këtu në Shtetet e Bashkuara, Profesori shqiptaro-amerikan, Nikolla Pano, në parathënjen që i bën librit të posa botuar tëDr. Biberaj, kur thotë se, “Një nga karakteristikat dalluese të shkrimeve të Elez Biberajt është se ato përshkohen me atë që karakterizohet si një qasje panshqiptare, pa i dhënë ndonjë kuptim përçmues këtij termi.”Me këtë dua të them”, vazhdon Profesor Pano, “se ai nuk i trajton zhvillimet në Shqipëri dhe Kosovë në një vakum. Përkundrazi,” pohon Nik Pano, “Ai i sheh ato në kontekstin e evoluimit të situatave brenda bashkësisë ballkanike shqiptare, që është rezultat i faktorëve të tillë si rënia e sistemit komunist, shpërbërja e Federatës Jugosllave dhe vështirësitë e tranzicionit paskomunist”, shkruan Profesor Pano.
Ky pohim vërtetohet nga shkrimet dhe kumtesat e pëmbledhura në librin më të ri të Dr. Elez Biberaj, ndër të cilët dallohen titujt, siç janë: “Kosova: beteja për njohje”, “Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave dhe çështja e Kosovës”,“Shqipëria pas Hoxhës: dilemat e ndryshimit”, “Shqipëria dhe shqiptarët në periudhën paskomuniste”,“Çështja kombëtare shqiptare: rruga e vështirë drejt autonomisë, shkëputjes dhe pavarësisë”, “Kosova: rasti për një zgjidhje jetë gjatë e të qëndrueshme”,“Kosova: lindja e një shteti të ri” e ashtu me radhë, duke e përmbyllur librin me kumtesën të cilën Dr. Biberaj e paraqiti para Kongresit amerikan në lidhje me sfidat demokratike dhe perspektivat politike të Shqipërisë para se të mbaheshin zgjedhjet parlamentare në Shqipëri qershorin e vitit të kaluar,duke thënë se “Shqipëria është një vend në një udhëkryq të rëndësishëm, që vërtitet midis përplasjeve politike destabilizuese dhe aspiratave për mirëqenien kombëtare, konsolidimin e demokracisë dhe integrimin europian.” Dr. Biberaj në këtë kumtesë para disa ligjvensve amerikanë tha në lidhje me zgjedhjet e vitit të kaluar se,“Zgjedhjet iu ofrojnë aktorëve të politikës shqiptare një mundësi për të tejkaluar qasjen e zakonshme që i sheh ato si një lojë ku ka vetëm fitues dhe të humbur, për të dëshmuar se ato synojnë konsolidimin e demokracisë dhe për të riinstitucionalizuar politikën demokratike. Nëse i jepet fund paralizës politike dhe lojërave të rrezikshme, që kanë karakterizuar katër vitet e fundit”, shkruan ai, ”kjo do të çlironte potencialin e madh që kanë shqiptarët dhe do të hapte rrugën për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.”
Ky është jo vetëm optimizmi që e dallon Elezin për të ardhmen, por edhe shpresa e tij për Shqipërinë dhe për Shqiptarët, por nga ana tjetër ai shkruan zgjedhjet në vetevet nuk janë një zgjidhje. Në lidhje me këtë, ai shkruan se, “Vetëm zgjedhjet, edhe sikur të zhvillohen në përputhje të plotë me standardet më të larta ndërkombëtare, nuk janë shpëtim për demokratizmin e Shqipërisë. Qeveria e re që do të dalë nga këto zgjedhje do të ballafaqohet me sfida të vështira dhe nuk mund të zhytet në debate të zgjatura paszgjedhore.”, ka shkruar ai duke iu referuar zgjedhjeve të vitit që kaloi në Shqipëri.
Kjo deklaratë e Elezit, ose më mirë të themi ky paralajmërimprofetik mbi situatën politike në Shqipëri atëherë dhe sot, duket tanifatkeqsisht si një profeci e realitetit për situatën e stërgjatur dhe të rrezikshme politike në Republikën e Kosovës, ku si rezultat i grindjeve dhe i mos bashkpunimit politik midis palëve, ende nuk janë krijuar inistitucionet e reja qeveritare madje edhe pesë muajë pasi u mbajtën zgjedhjet, ndonëse edhe në përgjithësi ato u mbajtën në përputhje me standardet ndërkombëtare.
“Edhe pse kushtet nuk kanë qenë të favorshme për lindjen e një brezi të ri udhëheqësish, Shqipëria ka një brez të ri, të arsimuar dhe dinamik, që priret të mendojë në një kontekst perëndimor e demokratik dhe është i gatshëm të ngrihet në pozita me ndikim. Shqiptarët e zakonshëm kanë treguar një angazhim të thellë për integrimin në BEdhe e shohin demokracinë si formën e tyre të preferuar të qeverisjes”,ka kumtuarDr. Elez Biberaj në Kongresin amerikan pak më shumë se një vit më parë,fjalim ky që përfshihet në librin “Shqipëria dhe Shqiptarët në Udhën e Rimkëmbjes” të autorit Biberaj.
Mesazhi i kësaj kumtese të Elezit para Kongresit amerikan një vit më parë, si dhe mesazhi i shkrimeve të tjera të përmbledhura në këtë libër mbi Shqipërinë dhe Shqiptarët, madje mund të them i të gjitha shkrimeve, kumtesave dhe intervistave të Elez Biberaj, për të cilat unë kam njohuri, — është se ai beson me gjithë qenjen e tij se Shqipëria, Kosova dhe të gjithë shqiptarët, kanë, “aftësinë për të thelluar reformat demokratike dhe për të rivendosur besimin e publikut te procesi politik. Por në mënyrë që të rigjallërojnë demokracinë dhe të shtyjnë përpara aspiratat demokratike të vendit, elitat politike shqiptare duhet të bëjnë shumë më tepër për të vendosur sundimin e ligjit, për të fuqizuar institucionet jopartiake, për të luftuar korrupsionin dhe për të larguar perceptimin e përhapur se politikanët janë pasuruar në kurriz të qytetarit të thjeshtë”, shkruan Dr. Elez Biberaj.
Jam i detyruar të rrëfej se me Elezin jemi njohur si studentë nga bankat e një kolegji të vogël në Bronks të Nju Jorkutqë në vitin 1972 dhe kemi mbetur kolegë dhe miq të ngushtë pasi na ka lidhur puna dhe interesimiipërbashkët për fatin e Shqipërisë dhe të Shqiptarëve. Fati e bëri që eventualisht të punonim së bashku pranë Zërit të Amerikës për vite me rradhë dhe si i tillë mund të them se kam nderin të pohoj se kam lexuar pothuaj çdo gjë ka shkruar Elezi. Për më tepër, kam qenë i pranishëm në pothuaj të gjitha prezantimet e tija në qarqet e qeverisë amerikane, në Kongresin e SHBA-ave, në mjedise akademike dhe tëatyre që në Amerikë i karakterizojnë si “think tanks”, jo vetëm në Washington por edhe në mbledhjet akdemike që mbaheshin anë e mbanë Shteteve të Bashkuara, në kuadër të konferencave vjetore mbi çështjet e ish-vendeve komunsite të Europës Lindore dhe të Bashkimit Sovjetik. Andaj mund të pohoj se në këtë libër dhe gjatë gjithë karierës së tij 30-vjeçare, Elez Biberaj i ka kushtuar jetën e vet profesionale dhe mund të them edhe jetën private, një misioni të trefishët, për realizimin e të cilit nuk pushojë kurrë:Shëmbjes së komunizmit, lirisë dhe pavarësisë së Kosovës dhe më në fund integrimit të kombit shqiptar në organizmat euro-atlantike, aty ku e ka vendin e vet, në rresht me kombet e përparuara perëndimore.Ndoshta, si kolegë dhe miq që jemi, dikush mund të më kritikojë për komentet e mia në lidhje me këtë vepër dhe për veprimtarinë e Elez Biberaj në përgjithësi, por megjithëkëtë, unë i bashkohem vlerësimit të Profesorit Nik Pano, i cili shkruan se, “Ekspertiza e Dr. Biberajt në çështjet shqiptare dhe të Ballkanit është vlerësuar më tej brenda Zërit të Amerikës, nga agjencitë e tjera qeveritare,nga qendrat studimore, prestigjioze, joqeveritare në Shtetet e Bashkuara dhe bashkësia akademike. Ai është intervistuar dhe konsultuar nga qendra kryesore mediatike në Shtetet e Bashkuara dhe jashtë shtetit gjatë periudhave të krizës në Shqipëri dhe Kosovë”, shkruan Pano.“Këto lidhje të ndërsjellëta i kanë mundësuar Elezit të ngrejë lart vetëdijen e kolegëve në qeveri, akademi, media dhe publikun amerikan, në lidhje me sfidat me të cilat është përballur dhe përballet Shqipëria, Kosova dhe popullsia shqiptare në Ballkan, si dhe për të ndikuar mbi pikëpamjet e tyre”, thekson profesori shqiptaro-amerikan Nik Pano.Pasi kam qenë dëshmitar i afërt i kësaj veprimtarie të Dr. Elez Biberaj për të cilën pohon profesori, unë jo vetëm që jam plotësisht dakort me vlersimin e punës së Elezit nga Profesori i nderuar dhe mik i përbashkët, Nik Pano, por dua të shtoj se në të gjithë këtë veprimtari Elezi ka treguar dashurinë e tij prej atdhetari për Shqipërinë dhe për Shqiptarët kudo, por edhe për vendin e adaptuar ku ne të gjithë gjetëm strehimin, lirinë dhe mbështetjen për të jetuar të lirë po se po, poredhe për të realizuar ëndërrat tona dhe në këtë proces për të ndihmuar sado pak drejtë të mires së përbashkët për shqiptarët kudo. Elez Biberaj, si ndoshta si ansjë tjetër, e ka realizuar këtë ëndërrë. Për më tepër, Elez Biberaj e ka zhvilluar dhe e vazhdon veprimtarinë e tij për të mirën e përbashkët dukeiu shmangur shfaqjeve të bujshme dhe duke e treguar veten me vepra të mbara dhe të frutshme, siç është libri i fundit i tij, “Shqipëria dhe Shqiptarët në Udhën e Rimëkëmbjes”.Për këto dhe merita të tjera, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z.Bujar Nishani i ka akorduar Dr. Biberajt Medaljen, Nderi i Kombit, duke iu shtuar Medaljes së Mirënjohjes që i akordoi atij një vit më parë edhe ish-Presidenti Bamir Topi.