• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DR. ELEZ BIBERAJ: SHQIPËRIA DHE SFIDAT E TRANZICIONIT

December 23, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Të hënën ndodhej në Tiranë një delegacion i Bashkimit Europian (BE) i kryesuar nga euro-deputeti Eduard Kukan me misionin për të ndërmjetësuar midis palëve për zgjidhjen e ngërçit politik, zgjidhje e cila shpresohet se do të çonte në rikthimin e opozitës në Kuvend pas një mungese prej disa muajsh.Në Tiranë, përfaqsuesi europian zhvilloi takime “ecejake” midis zyrave të kryeministrit Rama, kryetarit të Kuvendit Ilir Meta dhe udhëheqsit të opozitës, Lulzim Basha. Duket se ndërmjetsimi ndërkombëtar nuk ia doli as kësaj here, ashtu siç nuk ka qenë i suksesshëm as në raste të tjera në përpjekjet e miqëve ndërkombëtarë për të bindur klasën politike shqiptare që të bashkpunojnë me njëri tjetrin për të mirën e vendit. Përfaqsuesi i BE-së, Eduard Kukan u shpreh se ishte në Tiranë, “për të vendosur dialogun politik që është shumë i rëndësishëm, për të zhvilluar një politikë evropiane të suksesshme.”
Është me të vërtetë e pabesueshme se pas 25 vjetësh ç’prej shëmbjes së regjimit komunist, në fillim të shekullit 21, një shtet në zemër të Europës siç është Shqipëria, ka nevojë për një diplomaci “ecejake” ndërkombëtare për të ndërhyrë për zgjidhjen e mosmarrveshjeve politike midis pozitës dhe opozitës. Diplomacia “ecejake” është përdorur zakonisht në nivel ndërkombëtar, midis shtetesh historikisht armiqësore me njëra tjetrën, me qëllim për të ndaluar keqësimin e mëtejshëm të marrëdhënjeve midis tyre dhe për të parandaluar ndonjë luftë të mundshme që do të kërcënonte rendin dhe paqën ndërkombëtare. Andaj rasti i ushtrimit të diplomacisë“ecejake” europiane, në kontekstin e një politike të mbrendshme të një vendi, midis dy palëve politike siç është Shqipëria, mund të jetë i vetmi rast ku një palë e tretë nga jashtë, përpiqet të zgjidhë mosmarrëveshjet dhe ngërçin politik të mbrendshëm të një vendi anëtari aleancës së NATO-s e që madje aspiron të bëhet edhe anëtar i komunitetit europian. Pyetja është se kush e do më shumë dhe kush po punon më fort për antarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, Bashkimi Europian apo klasa politike shqiptare. Është kjo një pyetje që ka ndjekur politikanët shqiptarë të 25-viteve tranzicion, përgjigja e së cilës më në fund do të vendosë antarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, ose do ta le atë përgjithmonë në dorë të një autokrati ose një tjetri, të tipit Vladimir Putin ose Rexhep Taip Erdogan.
Tranzicioni nga komunizmi në demokraci nuk ka qenë i lehtë në asnjë prej shteteve të Europës Lindore dhe Qëndrore, por siç dëshmon edhe vizita e Eduard Kukan në Tiranë të hënën, Shqipëria është gjithnjë vendi që po përballet me probleme serioze politiketë një vendi ku tranzicioni i suksesshëm, nga sistemi komunist në një demokraci të vërtetë, po merr më shumë kohë për tu realizuar se pothuaj kudo tjetër në Europë.
Sfidat dhe problemet me të cilat përballen ende vendet ish-komuniste të Europës Qëndrore dhe Lindore, qofshin ato tanimë anëtare të BE-së ose aspirante për tu antarësuar në klubin europian, janë subjekt i një libri të ri që u botua muajin e kaluar këtu në Shtetet e Bashkuara. “Politika e Vendeve të Europës Qëndrore dhe Lindore: Nga Komunizmi në Demokraci”, është titulli i librit që posa është botuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe i cili ofron për lexuesin analizat më të fundit nga akademikë dhe ekspertë më të njohur të politikës së këtij rajoni dhe të transformimit ost-komunist ose joivendeve ish-komuniste europiane. Libri në terësi përshkruan qartë dhe në hollësi realitetin politik e shoqëror, përfshirë sfidat dhe problemet me të cilat përballet gjysma e Europës, ndërsa ekspertët mbi çështjet e vendeve të ndryshme ish-komuniste, gjurmojnë edhe potencialet dhe përfitimet që vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, si dhe Shtetet Baltike dhe Ukraina, sjellin në nivelin rajonal dhe atë ndërkombtar, në interesin e tyre dhe në interesin e përbashkët europia.
Ekspertë dhe akademikë të ndryshëm trajtojnë secilin vend të këtij rajoni, përfshirë edhe kapituj me tema të ndryshme, siç është zgjërimi i BE-së dhe NATO-s, artikuj në kontekstin e tranzicionit ekonomik, problemet etnike, shfaqjet nacionaliste në rajon dhe reformat ose mungesën e reformës politike, si dhe pasojat e trashëgimisëtë regjimeve komuniste në këto vende.
Për herë të parë, botimi i tretë i këtij libri përfshinë edhe një kapitull mbi Shqipërinë, të autorit Dr. Elez Biberaj. I njohur si ekspert i politikës shqiptare dhe asaj ballkanike dhe europiane,sin ë qarqet diplomatike ashtu edhe në ato akademike ndërkombëtare, Dr. Biberaj është autor i tre librave dhe të jë numri artikujsh që janë botuar në gazeta e revista të njohura të politikës së jashtme në Shtetet e Bashkuara dhe në Europë. Që nga viti 2005 e deri tani, Elez Biberaj shërben si Drejtor i seksionit të Euro-Azisë në Zërin e Amerikës dhe me kontributin e tij vazhdon të jetë njëri prej ekspertëve politikë më të sukseshëm,jo vetëm në radhët e shqiptarëve, por edhe në krahasim me shkencëtarë dhe historianë politikë këtu në Shtetet e Bashkuara dhe në përgjithësi në botë.
Në kapitullin e tij të vëllimit të tretë të librit me titull, “Politika e Vendeve të Europës Qëndrore dhe Lindore:Nga Komunizmi në Demokraci”,eredaktuar nga Sharon L.Wolchik dhe Jane L.Curry,Dr. Biberaj paraqet sfidat me të cilat përballet Shqipëria në kontekstin historik të gjëndjes aktuale. Në studimin e tij me titull: Shqipëria – Sfidat e Tranzicionit, Elez Biberaj pohon se “Ç’prej shëmbjes së komunizmit në fillim të 1990-ave, Shqipëria ka kaluar nepër një transformim thelbësor, politik, ekonomik dhe shoqëror.” Autori thekson se dikurë si njëri prej vendeve më të izoluara komuniste, “Shqipëria ka shënuar vitet e fundit një nivel të rëndësishëm pjekurie politike, me një sistem politik të fortë dhe me insituticione demokratike relativisht të qëndrueshme.” Si e tillë, thotë Dr. Biberaj, Shqipëria “është bërë një faktor i rëndësishëm në promovimin e stabilitetit rajonal dhe i vlerave demokratike në Europën jug-lindore, duke përmendur antarësimin e Shqipërisë në NATO në prill të vitit 2009 dhe dhënjen e statusit të vendit kandidat për antarësim në Bashkimin Europain, qershorin e këtij viti.
Por, Dr. Biberaj shprehet se megjithë përparimet e mëdha që ka shënuar Shqipëria gjatë çerek shekullit të kaluar, “një pjesë e madhe e vlerave të saj demokratike mbeten të përkohëshme dhe delikate”.Ai shkruan se, “Shqipëria e gjenë veten në një udhëkryq kritik dhe se më shumë se çdo vend tjetër i Europës Jug-Lindore, ajo vuan nga një qeverisje e dobët, nga institucione të paafta dhe nga mos aftësia për të zbatuar plotësisht shtetin ligjor.” “Politika shqiptare,” thekson Dr. Biberaj, “vazhdon të jetë tepër përçarëse dhe konfrontale, gjë që prekë negativisht aspiratat e Shqiptarëve për një jetë të begatshme dhe për një konsolidim demokratik kombëtar.” Z. Biberaj I kujton lexuesit se organizata Freedom House e kategorizon Shqipërinë si “gjysëm të lirë”, ndërkohë që Transparency International e renditë atë si një prej vendeve më të korruptuara në Europë. Përveç këtyre, thotë Dr. Biberaj, Shqipëria përballet me sfida të mëdha shoqërore dhe ekonomike.
Pasi për gjëndjen aktuale me të cilën përballet sot Shqipëria, Z. Biberaj jep një kontekst historik të nevojshëm për të vlerësuar sfidat para të cilave gjëndet Shqipëria sot, ai shpjegon gjithashtu zhvillimin e demokracisë,ose më mirë të themi përpjekjet jo gjithmonë të suksesshme për ndërtimin e një sistemi demokratik, gjatë këtyre 25 viteve të kaluara.Ai përmend edhe rolin ose mungesën e luajtjes së një roli që i takon medias në zhvillimet demokratike në Shqipëri, duke thënë se “Shumica e mediave kontrollohen ose janë nën influencën e qeverisë, të një partie politike ose të ndonjë politikani. Ndërkohë që qeveri të ndryshme shqiptare e kanë etikuar veten si kampione të lirisë së shtypit, ato shpesh kanë përdorur instrumente të ndryshme presioni ndaj lirisë së shtypit, duke u mohuar atyre, ndër të tjera, edhe botimin e reklamave dhe duke u bërëlloj lloj presionesh pronarëve dhe bizniseve të tyre.Bisnismenë të njohur, aleatë të ngushtë të qeverisë ose të partive politike të opozitës kanë blerë gazeta dhe stacione televizioni, të cilat shërbejnë si burime me rëndësi lajmesh për mbarë popullësinë”, shkruan Elez Biberaj në artikullin e tij të zgjëruar, botuar në vëllimin e tretë të librit, “Politika e Vendeve të Europës Qëndrore dhe Lindore: Nga Komunizmi në Demokraci”. Për më tepër, shumë gazetarë shqiptarë, thekson Dr. Biberaj, për arsye politike dhe ekonomike, i nënshtrohen vet-censurës dhe shumë prej tyre u mungon profesionalizmi dhe etika gazetareske. Si gazetar i karierës, me një përvojë 35-vjeçare në Zërin e Amerikës, njërën prej mediave më me zë në botë, Zoti Biberaj në artikullin e tij këshillon se nëqoftse Shqipëria duhet të ketë një media të fortë, të lirë dhe të pavarur, atëherë vet, “gazetarët vendas duhet të marrin qëndrime më të forta në mbrojtje të të drejtave të tyre” ndërkohë që Drejtori i seksionit të Euro-Azisë të VOA-s njëkohsisht thekson nevojën që “gazetarët vendas tu përmbahen me vendosmëri standardeve të gazetarisë profesionale.”
Mbi një fushë tjetër, Dr. Biberaj mendon sepolitika e jashtëme e Shqipërisë do të vazhdojë tëzhvillohet bazuar në prioritetet që Tirana i kushton përforcimit të marrëdhënjeve strategjike dhe të partneritetit me Shtetet e Bashkuara, si dhe antarësimit të vendit në Bashkimin Europian dhe zgjërimit të bashkpunimit rajonal. Z. Biberaj thotë se Washingtoni dhe Brukseli kanë ndjekur një strategji të përbashkët ndaj Shqipërisë dhe kanë investuar burime të mëdha për të avancuar demokratizimin e Shqipërisë.
Por siç duket këto burime të mëdha nuk kanë qenë të mjaftueshme për një demokratizim të vërtetë të Shqipërisë, siç ve në dukje edhe vizita e fundit në Tiranë e përfaqsuesit të BE-së, Eduard Kukan, i cili deklaroi se qëllimi i qëndrimit të tij në Tiranë të hënën, “është rivendosja e dialogut politik në Shqipëri”, dhe arritja e një marrveshjeje midis shumicës dhe opozitës, që do të bënte të mundur këthimin në kuvend të opozitës dhe aleatëve të saj.
E kaluara lidhet me të tashmen me aktualitetin politik të sotëm në Tiranë.Në përfundim, Dr. Elez Biberaj shkruan se në kapitullin “Shqipëria – Sfidat e Tranzicionit” pjesë e librit, “Politika e Vendeve të Europës Qëndrore dhe Lindore: Nga Komunizmi në Demokraci” –botuar muajin e kaluar në Shtetet e Bashkuara — se “Periudha post-komuniste në Shqipëri ka provuar se ai vend ka probleme të mëdha që pengojnë demokratizimin vendit e të cilat shkojnë përtej natyrës totalitare të regjimit të Enver Hoxhës dhe mungesës së një tradite demokratike.” Z. Biberaj pohon se këto probleme përfshijnë një numër faktorësh të tjerë historikë, ekonomikë dhe shoqëroro-politikë, etë cilët sipas tij, “së bashku me dështimet e përgjithshme të elitave politike të Shqipërisë post-komuniste që të shikojnë përtej interesave të tyre të ngushta partiake, të grupeve dhe klaneve”, kanë ngadalësuar ndjeshëm zhvillimet demokratike në vend. Kjo është arsyeja, shkruan Biberaj, që tranzicioni demokratik në Shqipëri është aq i vështirë dhe demokratizimi aq i ngadalshëm, megjithë përparimet e shënuara në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror.Prandaj,mesazhi i këtij studimi nga një ekspert i njohur i çështjeve shqiptare është se “Shqipëria ka nevojë urgjente për të bërë reformat e nevojshme politike, ligjore dhe ekonomike”, të cilat sipas Dr. Elez Biberajt janë “të doemosdoshme për të mbyllur më në fund procesin e tranzicionit post-komunist në një demokraci vërtetë të konsoliduar”, në Shqipëri.
Ai e pëfundon kapitullin duke shkruar se ndërkohë që, “Komuniteti Ndërkombëtar mund të japë ndihmesën dhe mbështetjen e tij drejtë konsolidimit të demokracisë së vërtetë, më në fund është në dorë të forcave kryesore politike të Shqipërisë që ato vet të krijojnë një atmosferë besimi e bashskpunimi midis tyre, t’i japin fund polarizimit politik që ka penguar përparimin e vendit dhe të arrijnë një konsensus shoqëror dhe politik për të ndërmarrë reformat e nevojshme thelbësore politike, ligjore dhe gjyqësore, për të cilat ka aq shumë nevojë vendi. Që Shqipëria t’i realizojë këto objektiva, udhëheqsit e vendit duhet patjetër të heqin dorë nga interesat e tyre të ngushta personale dhe të marrin përgjegjësitë (që u kanë dhënë votuesit) për të zgjidhur një mori problemesh dhe sfidash me të cilat ka të ngjarë që vendi të përballet mbrenda një periudhe afat-shkurtëdhe afat-mesme”, shkruan Elez Biberaj.
Këshilla e Dr. Elez Biberajt, njerit prej studiuesve dhe eskpertëve më të njohur të çështjeve shqiptare dhe europiane dhe njërit që vazhdimisht ka punuar për të mirën e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar është tepër aktuale këtë javë, ndërkohë që eurodeputeti Eduard Kukan vizitoi Shqipërinëtë hënën në përpjekje për t’i dhënë fund ngërçit politik duke rivendosur dialogun politik në Shqipëri midis forcave kryesore politike të vendit, objektiv ky që që sipas përfaqsuesit europian, “është shumë i rëndësishëm për vendin nëse dëshirohet të ecet përpara me sukses në procesin e integrimit europian”.

Filed Under: ESSE Tagged With: Dr. Elez Biberaj, E TRANZICIONIT, Frank shkreli, sfidat, SHQIPËRIA DHE

Dr. Elez Bibaraj ka qenë më tepër se sa një vëzhgues dhe analist i ngjarjeve në Shqipëri dhe Kosovë

November 10, 2014 by dgreca

Nga Prof. Nikolla Pano*/
Gjatë tre dekadave të kaluara, Dr. Elez Biberaj ka fituar një reputacion mjaft të merituar si një nga vëzhguesit dhe analistët më të respektuar të botës për zhvillimet e periudhës komuniste dhe paskomuniste në Shqipëri dhe Kosovë. Ai është autor i tre librave që lidhen kryesisht me Shqipërinë, njëri prej të cilëve është botuar edhe në shqip me titullin “Shqipëria tranzicion: Rruga e vështirë drejt demokracisë, 1990-2010” (AIIS, 2011). Ai është autor edhe i shumë kapitujve të veçantë, i artikujve dhe shumë kumtesave, që përqendrohen mbi çështjet shqiptare dhe kosovare. Një model përfaqësues të studimeve të tij përbën edhe përmbajtja e këtij libri.
Përveç një periudhe katërvjeçare (1982-1986), kur ai punonte për ish-Agjencinë e Informacionit të Shteteve të Bashkuara (USIA), Elezi është dalluar në kryerjen e detyrave të ndryshme në Zërin e Amerikës (VOA), ku që nga viti 1980 u fut në Seksionin Shqip të Zërit të Amerikës. Në vitin 1986 ai u bë Shef i Seksionit Shqip dhe që nga viti 2005 ka qenë Drejtor i Departamentit Euroaziatik të Zërit të Amerikës. Duke e vlerësuar kontributin e tij të shquar si Shef i Seksionit Shqip, në vitin 2000, Elezit iu dha Çmimi i Punonjësit të Shquar të Vitit i Zërit të Amerikës.
Ekspertiza e Dr. Biberajt në çështjet shqiptare dhe të Ballkanit është vlerësuar më tej brenda Zërit të Amerikës, nga agjencitë e tjera qeveritare, nga qendrat studimore, prestigjioze, joqeveritare, në Shtetet e Bashkuara dhe bashkësia akademike. Ai është intervistuar dhe konsultuar nga qendra kryesore mediatike në Shtetet e Bashkuara dhe jashtë shtetit gjatë periudhave të krizës në Shqipëri dhe Kosovë. Këto lidhje të ndërsjellët i kanë mundësuar Elezit të ngrejë lart vetëdijen e kolegëve në qeveri, akademi, media dhe publikun amerikan, në lidhje me sfidat me të cilat është përballur dhe përballet Shqipëria, Kosova dhe popullsia shqiptare në Ballkan, si dhe për të ndikuar mbi pikëpamjet e tyre.
Por Elez Bibaraj ka qenë më tepër se sa një vëzhgues dhe analist i ngjarjeve në Shqipëri dhe Kosovë. Ai, në periudha të ndryshme që nga rënia e komunizmit, ka marrë pjesë edhe në disa ngjarje kryesore, që përbëjnë faza të tranzicionit paskomunist të këtyre shteteve. Në përgjithësi dihen nismat e Dr. Biberajt gjatë viteve 1989-1990 për të krijuar kontakte me udhëheqësit e opozitës antikomuniste shqiptare, që po krijohej, duke iu mundësuar atyre të përdornin lehtësirat e Zërit të Amerikës për të komunikuar drejtpërsëdrejti me bashkëpatriotët e tyre në Shqipëri, si edhe në diasporë, për ta bërë publike kauzën e tyre.
Elezi u përfshi në diskutimet që kulmuan me marrëveshjen e 15 marsit 1991 për të rivendosur marrëdhëniet SHBA-Shqipëri, pas një ndërprerjeje prej 52 vjetësh dhe së bashku me të tjerët ndihmoi për të përgatitur Ambasadorin e porsa emëruar të Shteteve të Bashkuara, Uiliam Rajerson (William Ryerson) dhe stafin e tij për të nisur detyrën e tyre në Shqipëri. Elezi shërbeu edhe si vëzhgues i zgjedhjeve parlamentare të 31 marsit 1991. Ai u rikthye në Shqipëri në qershor të atij viti si përkthyes i Sekretarit të Shtetit Xhejms Bejker (James Baker), gjatë vizitës së tij të paharrueshme në Tiranë.
Elezi dhe kolegët e tij në Seksionin Shqip të Zërit të Amerikës krijuan gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë dhe vazhdojnë t’i mbajnë deri më sot ato standarde të larta profesionalizmi që e kanë bërë programin e tyre burimin më të besueshëm të lajmeve në Shqipëri.
Vlerësimi i lartë që gëzojnë Elezi dhe Seksioni Shqip ishte i dukshëm nga titujt e lartë që ata kanë marrë nga zyrtarët e Shteteve të Bashkuara, si dhe nga personalitetet nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe qendra të tjera ta bashkësisë mbarë shqiptare, në maj 2013, në festimet e 70 vjetorit të transmetimeve të para të Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe, të zhvilluar në Uashington. Me këtë rast, Presidenti Bujar Nishani i akordoi Dr. Biberajt Medaljen Nderi i Kombit. Ky shpërblim iu shtua Medaljes së Mirënjohjes që i akordoi atij një vit më parë ish-Presidenti Bamir Topi.
Këto shkrime të zgjedhura nga botimet dhe prezantimet e thelluara të Elez Biberajt në këtë vëllim, reflektojnë edhe vështrimet e thella që burojnë nga përvoja e tij vetjake dhe kontaktet që ai ka me një spektër të gjerë intelektualësh, gazetarësh dhe politikanësh brenda bashkësisë ballkanike-shqiptare dhe gjetkë. Pesëmbëdhjetë shkrimet e kësaj përmbledhjeje janë shkruar fillimisht midis viteve 1982 dhe 2013. Duke pasqyruar interesat profesionale dhe studimore të Dr. Biberajt, ato pothuajse janë njësoj të ndara me përqendrimin e tyre kryesor mbi zhvillimet në Shqipëri dhe Kosovë gjatë kësaj periudhe. Karakteri i mbulimit dhe analiza e çështjeve që trajtohen pasqyrojnë kontekstin e kohës gjatë së cilës janë shkruar.
Por ky faktor mund të shihet edhe si një nga pikat e forta të këtij libri, për faktin se na jep mundësinë të vështrojmë mënyrën se si shpalosja e ngjarjeve në Shqipëri dhe Kosovë gjatë kësaj periudhe të vrullshme ka ndikuar me kalimin e kohës mbi pikëpamjet e autorit lidhur me çështjet që ai trajton.
Një nga karakteristikat dalluese të shkrimeve të Dr. Biberajt është se ato përshkohen me atë që karakterizohet si një qasje panshqiptare, pa i dhënë ndonjë kuptim përçmues këtij termi. Me këtë dua të them se ai nuk i trajton zhvillimet në Shqipëri dhe Kosovë në një vakum. Përkundrazi, ai i sheh ato në kontekstin e evoluimit të situatave brenda bashkësisë ballkanike shqiptare, që është rezultat i faktorëve të tillë si rënia e sistemit komunist, shpërbërja e Federatës Jugosllave dhe vështirësitë e tranzicionit paskomunist.
Një aspekt tjetër i rëndësishëm i qasjes së Dr. Biberajt ndaj çështjeve shqiptare brenda kontekstit rajonal është vëmendja e tij ndaj lidhjeve të politikës së brendshme dhe politikës së jashtme, që kanë qenë, për shembull, në lojë në ndryshimin e qëndrimeve të Tiranës ndaj Kosovës nga periudha komuniste deri tani. Siç tregojnë studimet më të fundit të Dr. Biberajt, pikëpamjet e dikurshme divergjente të dy partive politike kryesore shqiptare mbi çështjen e Kosovës tani duket se konvertojnë, duke neutralizuar në këtë mënyrë, me sa duket, një burim mosmarrëveshjesh të brendshme.
Nisur nga perspektiva e tij panshqiptare, nuk është për t’u çuditur që Dr. Biberaj ka mbështetur prej kohësh krijimin e lidhjeve të ngushta në një varg fushash midis Shqipërisë dhe Kosovës, ndërkohë që ka nxitur njëkohësisht marrjen e nismave nga shqiptarët e Maqedonisë dhe të Malit të Zi. Në të njëjtën kohë ai arrin në përfundimin se duke pasur parasysh problemet e brendshme me të cilat përballet Shqipëria dhe Kosova, krahas me kundërshtimet nga bashkësia ndërkombëtare dhe mungesa e ndjenjave masive në të dy vendet, çështja e “Shqipërisë së Madhe” për momentin ka gjasa të mbetet në gjumë. Biberaj mendon se brenda një kohe të afërt, e ardhmja e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Kosovës dhe fqinjëve të tyre ballkanikë do të zhvillohen kryesisht nëpërmjet nismave të përbashkëta dypalëshe dhe rajonale, si dhe brenda kuadrit të procesit të integrimit europian. Brenda këtij konteksti ai e vë theksin te roli i rëndësishëm i Shqipërisë, Kosovës dhe bashkësisë shqiptare në Ballkan për ruajtjen e stabilitetit rajonal.
Shkrimet e zgjedhura, që merren kryesisht me Shqipërinë, për të zbuluar tendencat kryesore të brendshme dhe ndërkombëtare, që nga vdekja e Enver Hoxhës, më 1985 e deri në prag të zgjedhjeve të 23 qershorit 2013. Ato përshkruajnë faktorët që e kishin çuar Ramiz Alinë të kërkonte një hapje të kufizuar dhe të kontrolluar drejt Perëndimit, si pasojë e vështirësive tëmëdha ekonomike, që e kishin kapluar Shqipërinë aty nga fundi i periudhës së Hoxhës, si edhe procesi i gjatë me të cilin Shqipëria i dha fund izolimit të vetimponuar për t’u bërë pjesëtare aktive e bashkësisë ndërkombëtare. Trajtimi i çështjeve të politikës së jashtme rritet duke përfshirë edhe një studim, që pasqyron vlerësimin e Dr. Biberajt për rolin e Shteteve të Bashkuara në demokratizimin e Shqipërisë.
Përveç kësaj, ka edhe artikuj që merren me vlerësimin e fazave të ndryshme të tranzicionit paskomunist të Shqipërisë. Këto studime janë me interes të veçantë, duke pasur parasysh njohuritë e dorës së parë të Elezit mbi zhvillimet gjatë fazës fillestare të procesit të tranzicionit. Megjithëse duket qartë se ai e sheh me simpati platformën e Partisë Demokratike, që erdhi në pushtet në mars 1992, nga materiali i botuar në këtë përmbledhje bëhet e qartë se Elezi nuk është ndikuar negativisht nga ky faktor, në vlerësimet e tij për programet dhe udhëheqësit e dy partive kryesore, politike, shqiptare, gjatë 20 vjetëve. Dëshmia e Dr. Biberajt para Komisionit të Helsinkit të Shteteve të Bashkuara, më 6 maj 2014, shërben si një përmbledhje e shkëlqyer e pikëpamjeve të tij në lidhje me skenën politike bashkëkohore në Shqipëri. Megjithëse Shqipëria e kaloi me sukses “provën” e zgjedhjeve të vitit 2013, ka marrë statusin e vendit kandidat për në BE dhe është në rrugën e gjatë të anëtarësimit në BE, ashtu siç këshillon Biberaj, ajo duhet të zgjidhë një varg problemesh: korrupsionin publik dhe privat, të metat e sistemit ligjor dhe të drejtësisë, polarizimin politik, për të përmendur vetëm disa prej tyre, që kanë penguar arritjen e një demokracie të konsoliduar.
Me pak fjalë, ky libër na jep perspektiva të dobishme për të vështruar zhvillimet kryesore në Kosovë dhe në Shqipëri, në intervale të ndryshme gjatë tridhjetë viteve të kaluara. Ai na jep po ashtu mprehtësinë e pikëpamjeve të një analisti veteran dhe mjaft të respektuar të çështjeve shqiptare dhe kosovare gjatë së njëjtës periudhë. Materialet që përbëjnë këtë libër janë studime të thelluara, janë të shkruara bukur dhe mjaft të arsyetuara me analizën e tyre. Ato së bashku na japin një shembull të admirueshëm mbi praktikën e historisë bashkëkohore.
Instituti Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare ka bërë një shërbim të madh duke i vënë artikujt që përbëjnë këtë libër në dispozicion të publikut shqiptar. Unë shpresoj se libri do të ketë një interes të veçantë për shqiptarët e brezit më të ri dhe studentët lidhur me perspektivat që ai jep për të tashmen.
(* Parathenia e librit te Dr. Elez Biberaj ” Shqipëria dhe Shqiptarët në Udhën e Rimëkëmbjes”

Filed Under: ESSE Tagged With: :SHQIPËRIA DHE SHQIPTARËT NË, Dr. Elez Biberaj, Nikolla Pano:, UDHËN E RIMËKËMBJES

DR. ELEZ BIBERAJ:SHQIPËRIA DHE SHQIPTARËT NË UDHËN E RIMËKËMBJES

November 10, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Ditët e fundit më ra në dorë libri më i ri i Dr. Elez Biberajt, botuar kohët e fundit nga Instituti i Studimeve Ndërkombëtare në Tiranë.Libri i titulluar, “Shqipëria dhe Shqiptarët në Udhën e Rimëkëmbjes”,është një përmbledhje e 15 shkrimeve, kumtesaveose fjalimeve më me rëndësi që Elezi ka botuar ose që ka paraqitur në seanca të ndryshme,në qarqet qeveritare ose akdemike mbi Shqipërinë dhe Shqiptarët, gjatë tri dekadave të fundit.Dr. Elez Biberaj është i njohur mirë si në botën perëndimore ashtu edhe në trojet shqiptare në Ballkan për veprimtarinë e tij të palodhshme në qarqet akademike amerikane dhe falë punës së tij të gazetarit prej më shumë se tri dekadash, filimisht si Shef i seksionit shqip të Zërit të Amerikës dhe tani si Drejtor i VOA-s për Euroazinë. Elezi, siç ve në dukje edhe Profesor Nikolla Pano në parathënjen e librit të ri, ka gëzuar dhe gëzon, “një reputacion të merituar nga vëzhguesit dhe analistët më të respektuar të botës për zhvillimet e periudhës komuniste dhe paskomuniste në Shqipëri dhe në Kosovë.” Këtë reputacion Dr. Biberaj e ka fituar si përfundim i botimeve të tre librave dhe një numri të madh artikujsh dhe prezantimesh mbi zhvillimet në trojet shqiptare, përfshirë edhe 16 artikujt dhe kumtesat përfaqsuese më të rëndësishme të Dr. Biberajt,që pëmblidhen në librin që u botua kohët e fundit në Tiranë.
Artikujt dhe prezantimet e përmbledhura në këtë libër trajtojnë tema, çështje dhe lëvizje të zhvillimeve të tranzicionit paskomunist në trojet shqiptare, një tranzicion ky që deri tani siç dihet është treguar tepër të vështirë, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë – por edhe në trojet e tjera shqiptare — probleme këto dhe sfida, kryesisht të shkaktuara nga konfliktet ndërpartiake të klasës politike. Dr. Biberaj i cilëson këto vështirsi si probleme të rritjes, siç e thotë shpesh autori. Elezi, megjithëse është realist mbi problemet e pa mohueshme dhe sfidat e mëdha të tranzicionit postkomunistm të cilat përballen shqiptarët, në shkrimet e tija, në kumtesat si dhe në bisedat private me të huajt, sidomos në qarqet e qeverisë amerikanedhe me akademikëdhe ekspertë të tjerë, ai mbetetpërgjithmonë optimist për zhvillimet shqiptare në përgjithësi, ndaj siç duket edhe titulli i librit të tij të ri, “Shqipëria dhe Shqiptarët në Udhën e Rimëkëmbjes”.
Meriton të vihet në dukje se kur Dr. Biberaj shkruante disa prej këtyre artikujve të botuar në këtë libër dhe kur ai ftohej të mbante referate mbi gjëndjen e shqiptarëve në Ballkan,duhet patur parasyshë se ai ishte ndër të pakët ekspertë tëpunëve shqiptare në përgjithësi, por në veçanti ishte ndër të rrallët, nodhat i vemti,që e paraqiste çështjen shqiptare nga njëkëndvështrim i trekëndshit Tiranë-Prishtinë-Shkup, shpesh duke shkaktuar edhe shqetsime tek dëgjuesit, të cilët ndodhte që disa prej tyre të cilësonin deklaratat e Elez Biberajt si nxitëse të nacionalizmit shqiptar. Por këto qëndrime nuk e shqetësuan kurrë shumë Elezin. Këtë vlerësim bën edhe profesori i nderuar dhe gjithashtu një kontribues me merita të mëdha ndaj çështjeve shqiptare në botën akademike këtu në Shtetet e Bashkuara, Profesori shqiptaro-amerikan, Nikolla Pano, në parathënjen që i bën librit të posa botuar tëDr. Biberaj, kur thotë se, “Një nga karakteristikat dalluese të shkrimeve të Elez Biberajt është se ato përshkohen me atë që karakterizohet si një qasje panshqiptare, pa i dhënë ndonjë kuptim përçmues këtij termi.”Me këtë dua të them”, vazhdon Profesor Pano, “se ai nuk i trajton zhvillimet në Shqipëri dhe Kosovë në një vakum. Përkundrazi,” pohon Nik Pano, “Ai i sheh ato në kontekstin e evoluimit të situatave brenda bashkësisë ballkanike shqiptare, që është rezultat i faktorëve të tillë si rënia e sistemit komunist, shpërbërja e Federatës Jugosllave dhe vështirësitë e tranzicionit paskomunist”, shkruan Profesor Pano.
Ky pohim vërtetohet nga shkrimet dhe kumtesat e pëmbledhura në librin më të ri të Dr. Elez Biberaj, ndër të cilët dallohen titujt, siç janë: “Kosova: beteja për njohje”, “Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave dhe çështja e Kosovës”,“Shqipëria pas Hoxhës: dilemat e ndryshimit”, “Shqipëria dhe shqiptarët në periudhën paskomuniste”,“Çështja kombëtare shqiptare: rruga e vështirë drejt autonomisë, shkëputjes dhe pavarësisë”, “Kosova: rasti për një zgjidhje jetë gjatë e të qëndrueshme”,“Kosova: lindja e një shteti të ri” e ashtu me radhë, duke e përmbyllur librin me kumtesën të cilën Dr. Biberaj e paraqiti para Kongresit amerikan në lidhje me sfidat demokratike dhe perspektivat politike të Shqipërisë para se të mbaheshin zgjedhjet parlamentare në Shqipëri qershorin e vitit të kaluar,duke thënë se “Shqipëria është një vend në një udhëkryq të rëndësishëm, që vërtitet midis përplasjeve politike destabilizuese dhe aspiratave për mirëqenien kombëtare, konsolidimin e demokracisë dhe integrimin europian.” Dr. Biberaj në këtë kumtesë para disa ligjvensve amerikanë tha në lidhje me zgjedhjet e vitit të kaluar se,“Zgjedhjet iu ofrojnë aktorëve të politikës shqiptare një mundësi për të tejkaluar qasjen e zakonshme që i sheh ato si një lojë ku ka vetëm fitues dhe të humbur, për të dëshmuar se ato synojnë konsolidimin e demokracisë dhe për të riinstitucionalizuar politikën demokratike. Nëse i jepet fund paralizës politike dhe lojërave të rrezikshme, që kanë karakterizuar katër vitet e fundit”, shkruan ai, ”kjo do të çlironte potencialin e madh që kanë shqiptarët dhe do të hapte rrugën për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.”

Ky është jo vetëm optimizmi që e dallon Elezin për të ardhmen, por edhe shpresa e tij për Shqipërinë dhe për Shqiptarët, por nga ana tjetër ai shkruan zgjedhjet në vetevet nuk janë një zgjidhje. Në lidhje me këtë, ai shkruan se, “Vetëm zgjedhjet, edhe sikur të zhvillohen në përputhje të plotë me standardet më të larta ndërkombëtare, nuk janë shpëtim për demokratizmin e Shqipërisë. Qeveria e re që do të dalë nga këto zgjedhje do të ballafaqohet me sfida të vështira dhe nuk mund të zhytet në debate të zgjatura paszgjedhore.”, ka shkruar ai duke iu referuar zgjedhjeve të vitit që kaloi në Shqipëri.
Kjo deklaratë e Elezit, ose më mirë të themi ky paralajmërimprofetik mbi situatën politike në Shqipëri atëherë dhe sot, duket tanifatkeqsisht si një profeci e realitetit për situatën e stërgjatur dhe të rrezikshme politike në Republikën e Kosovës, ku si rezultat i grindjeve dhe i mos bashkpunimit politik midis palëve, ende nuk janë krijuar inistitucionet e reja qeveritare madje edhe pesë muajë pasi u mbajtën zgjedhjet, ndonëse edhe në përgjithësi ato u mbajtën në përputhje me standardet ndërkombëtare.
“Edhe pse kushtet nuk kanë qenë të favorshme për lindjen e një brezi të ri udhëheqësish, Shqipëria ka një brez të ri, të arsimuar dhe dinamik, që priret të mendojë në një kontekst perëndimor e demokratik dhe është i gatshëm të ngrihet në pozita me ndikim. Shqiptarët e zakonshëm kanë treguar një angazhim të thellë për integrimin në BEdhe e shohin demokracinë si formën e tyre të preferuar të qeverisjes”,ka kumtuarDr. Elez Biberaj në Kongresin amerikan pak më shumë se një vit më parë,fjalim ky që përfshihet në librin “Shqipëria dhe Shqiptarët në Udhën e Rimkëmbjes” të autorit Biberaj.
Mesazhi i kësaj kumtese të Elezit para Kongresit amerikan një vit më parë, si dhe mesazhi i shkrimeve të tjera të përmbledhura në këtë libër mbi Shqipërinë dhe Shqiptarët, madje mund të them i të gjitha shkrimeve, kumtesave dhe intervistave të Elez Biberaj, për të cilat unë kam njohuri, — është se ai beson me gjithë qenjen e tij se Shqipëria, Kosova dhe të gjithë shqiptarët, kanë, “aftësinë për të thelluar reformat demokratike dhe për të rivendosur besimin e publikut te procesi politik. Por në mënyrë që të rigjallërojnë demokracinë dhe të shtyjnë përpara aspiratat demokratike të vendit, elitat politike shqiptare duhet të bëjnë shumë më tepër për të vendosur sundimin e ligjit, për të fuqizuar institucionet jopartiake, për të luftuar korrupsionin dhe për të larguar perceptimin e përhapur se politikanët janë pasuruar në kurriz të qytetarit të thjeshtë”, shkruan Dr. Elez Biberaj.
Jam i detyruar të rrëfej se me Elezin jemi njohur si studentë nga bankat e një kolegji të vogël në Bronks të Nju Jorkutqë në vitin 1972 dhe kemi mbetur kolegë dhe miq të ngushtë pasi na ka lidhur puna dhe interesimiipërbashkët për fatin e Shqipërisë dhe të Shqiptarëve. Fati e bëri që eventualisht të punonim së bashku pranë Zërit të Amerikës për vite me rradhë dhe si i tillë mund të them se kam nderin të pohoj se kam lexuar pothuaj çdo gjë ka shkruar Elezi. Për më tepër, kam qenë i pranishëm në pothuaj të gjitha prezantimet e tija në qarqet e qeverisë amerikane, në Kongresin e SHBA-ave, në mjedise akademike dhe tëatyre që në Amerikë i karakterizojnë si “think tanks”, jo vetëm në Washington por edhe në mbledhjet akdemike që mbaheshin anë e mbanë Shteteve të Bashkuara, në kuadër të konferencave vjetore mbi çështjet e ish-vendeve komunsite të Europës Lindore dhe të Bashkimit Sovjetik. Andaj mund të pohoj se në këtë libër dhe gjatë gjithë karierës së tij 30-vjeçare, Elez Biberaj i ka kushtuar jetën e vet profesionale dhe mund të them edhe jetën private, një misioni të trefishët, për realizimin e të cilit nuk pushojë kurrë:Shëmbjes së komunizmit, lirisë dhe pavarësisë së Kosovës dhe më në fund integrimit të kombit shqiptar në organizmat euro-atlantike, aty ku e ka vendin e vet, në rresht me kombet e përparuara perëndimore.Ndoshta, si kolegë dhe miq që jemi, dikush mund të më kritikojë për komentet e mia në lidhje me këtë vepër dhe për veprimtarinë e Elez Biberaj në përgjithësi, por megjithëkëtë, unë i bashkohem vlerësimit të Profesorit Nik Pano, i cili shkruan se, “Ekspertiza e Dr. Biberajt në çështjet shqiptare dhe të Ballkanit është vlerësuar më tej brenda Zërit të Amerikës, nga agjencitë e tjera qeveritare,nga qendrat studimore, prestigjioze, joqeveritare në Shtetet e Bashkuara dhe bashkësia akademike. Ai është intervistuar dhe konsultuar nga qendra kryesore mediatike në Shtetet e Bashkuara dhe jashtë shtetit gjatë periudhave të krizës në Shqipëri dhe Kosovë”, shkruan Pano.“Këto lidhje të ndërsjellëta i kanë mundësuar Elezit të ngrejë lart vetëdijen e kolegëve në qeveri, akademi, media dhe publikun amerikan, në lidhje me sfidat me të cilat është përballur dhe përballet Shqipëria, Kosova dhe popullsia shqiptare në Ballkan, si dhe për të ndikuar mbi pikëpamjet e tyre”, thekson profesori shqiptaro-amerikan Nik Pano.Pasi kam qenë dëshmitar i afërt i kësaj veprimtarie të Dr. Elez Biberaj për të cilën pohon profesori, unë jo vetëm që jam plotësisht dakort me vlersimin e punës së Elezit nga Profesori i nderuar dhe mik i përbashkët, Nik Pano, por dua të shtoj se në të gjithë këtë veprimtari Elezi ka treguar dashurinë e tij prej atdhetari për Shqipërinë dhe për Shqiptarët kudo, por edhe për vendin e adaptuar ku ne të gjithë gjetëm strehimin, lirinë dhe mbështetjen për të jetuar të lirë po se po, poredhe për të realizuar ëndërrat tona dhe në këtë proces për të ndihmuar sado pak drejtë të mires së përbashkët për shqiptarët kudo. Elez Biberaj, si ndoshta si ansjë tjetër, e ka realizuar këtë ëndërrë. Për më tepër, Elez Biberaj e ka zhvilluar dhe e vazhdon veprimtarinë e tij për të mirën e përbashkët dukeiu shmangur shfaqjeve të bujshme dhe duke e treguar veten me vepra të mbara dhe të frutshme, siç është libri i fundit i tij, “Shqipëria dhe Shqiptarët në Udhën e Rimëkëmbjes”.Për këto dhe merita të tjera, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z.Bujar Nishani i ka akorduar Dr. Biberajt Medaljen, Nderi i Kombit, duke iu shtuar Medaljes së Mirënjohjes që i akordoi atij një vit më parë edhe ish-Presidenti Bamir Topi.

Filed Under: ESSE Tagged With: :SHQIPËRIA DHE SHQIPTARËT NË, Dr. Elez Biberaj, Frank shkreli, UDHËN E RIMËKËMBJES

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4

Artikujt e fundit

  • Me lot, dhimbje e respekt, familja, farefisi e shqiptarët e Amerikës i dhanë lamtumirën e fundit Lisa Milicaj Bajraktarit
  • Shqiptarët, një histori midis Lindjes dhe Perëndimit
  • 100 vjet nga fillimi i gërmimeve arkeologjike të Luigi Maria Ugolinit në akropolin e Finiqit
  • NDRE MJEDA (20 Nëntor 1866 – 1 GUSHT 1937)
  • Homazh për fëmijët e vrarë në Kosovë nga regjimi gjenocidal serb
  • PROF. DR. REXHEP KRASNIQI NJË JETË NË SHËRBIM TË ARSIMIT, KOMBIT DHE LIRISË
  • Pse Serbia kërkon të rihapë konsullatën e saj në Shkodër
  • “Vështrim psikologjik mbi çështjen çame”
  • Prof. Gjovalin Gjadri – Personalitet i shquar i inxhinierisë shqiptare dhe themelues i shkencës moderne të konstruksioneve në Shqipëri
  • Konsullata serbe, apo kur historia troket përsëri në portën e Shkodrës
  • Vatra homazhe nderimi pranë shtatores së Shenjtores Nënë Tereza dhe Dr.Ibrahim Rugovës në Klinë të Kosovës
  • Lugina e Preshevës meriton vëmendje maksimale. Mediat Publike shqiptare të akreditojnë reporterët zyrtarë në zonat ku jetojnë shqiptarët etnikë
  • Seminari XIX Mbarëkombëtar për Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe në Diasporë
  • Sulmet ndaj UÇK-së, fyerje ndaj historisë dhe cënim i themeleve morale e shtetformuese të Republikës së Kosovës
  • Kujtojmë ditën e themelimit të Klubit “Bashkimi” të Manastirit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT