PRESIDENTI I KOSOVËS IBRAHIM RUGOVA NË SHQIPËRI TAKIM ME PAPA GJON PALI II PARA 28 VITEVE/
-Presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova para 28 viteve në Shqipëri në 25 Prill 1993 takoi Papa Gjon Palin II dhe i dhuroi një gur nga muret e qytetit të Ulpianës në shenjë kujtimi për dy martirët e krishterimit, Florin e Laurin/
-“Vizita e Papa Gjon Palit të Dytë në Shqipëri është një ngjarje e madhe për të gjithë shqiptarët, për Shqipërinë, për Kosovën, për paqen në rajon” , theksonte Presideni Rugova në konferencën për shtyp në 23 Prill 1993 para nisjes drejt Tiranës/
-Gazeta e rezistences “Bujku”: Kjo vizitë ka rëndësi të madhe të përkrahjes dhe afirmimit të Shqipërisë demokratike dhe të çështjes shqiptare në përgjithësi, si dhe për paqen dhe stabilitetin në rajon, sepse edhe me këtë mesazh vjen Ati i Shenjtë në tokat shqiptare e në Ballkan/
-Po në vitin 1993, në 11 Mars, në Vatikan Shenjtëria e Tij Papa Gjon Pali II priti në audiencë Presidentin e Kosovës Rugova, e më parë, në Shkurt, Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova udhëheqte delegacionin e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës…/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 23 Prill 2021/ Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova para njëzet e tetë viteve udhëtoi për në Tiranë për t’u takuar me Papa Gjon Palin II që do vinte në vizitën e parë historike në Shqipëri në 25 Prill 1993.
Gjatë vizitës së Atit të Shejtë Papa Gjon Palit II në Shqipëri, Presidenti i Kosovës Rugova e takoi në Tiranë dhe i dhuroi një gur nga muret e qytetit të Ulpianës në shenjë kujtimi për dy martirët e krishterimit, Florin e Laurin.
“Vizita e Papa Gjon Palit të Dytë në Shqipëri është një ngjarje e madhe për të gjithë shqiptarët, për Shqipërinë, për Kosovën, për paqen në rajon” , theksonte Presideni Rugova në konferencën për shtyp në 23 Prill 1993 para nisjes drejt Tiranës. “Kosova pret papën” ishte titulli i raportimit nga kjo konferencë shtypi në gazetën kosovare të rezistencës “Bujku”, e cila në 24 Prill kryetituj në ballinë kishte edhe “Papa Gjon Pali i Dytë nesër viziton Shqipërinë” dhe “Lutje e Papës për shqiptarët”.
Një nga shkrimet në ballinë kishte mbititullin “Interesim i madh në Kosovë për vizitën e Papës në Shqipëri”, titullin “Manifestime të shumta të shprehjes së mirëseardhjes” dhe nëntitullin “Dëshira e madhe e shumë shqiptarëve për të shkuar në Shqipëri për ta pritur e përshëndetur Papën nuk mund të realizohet për shkak të kufirit të mbyllur midis Kosovës e Shqipërisë e të kontrolluar rreptë nga forcat militare serbe”.
Në këtë shkrim përmbledhje raportimesh që bëja edhe për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë theksohej:
“Vizita e Papës në Shqipëri në oponionin shqiptar kudo në Kosovë po pritet me shumë interesim dhe po përjetohet si ngjarje e madhe historike për të gjithë shqiptarët dhe për të gjitha trojet etnike shqiptare, njoftojnë korrespondentët tanë. Njëherit konsiderohet se kjo vizitë ka rëndësi të madhe të përkrahjes dhe afirmimit të Shqipërisë demokratike dhe të çështjes shqiptare në përgjithësi, si dhe për paqen dhe stabilitetin në rajon, sepse edhe me këtë mesazh vjen Ati i Shenjtë në tokat shqiptare e në Ballkan…”
E në 25 Prill të vitit 1993, atë ditë të lume, raportimin për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë se si pritej e përjetohej në Kosovë vizita e Papa Gjon Palit II në Shqipëri, e ku theksoja se Papa është sot edhe në çdo familje shqiptare në Kosovë, e nisja herët në mëngjes me telex-in, që ishte mundësia e vetme e lidhjes, dhe me shumë vështirësi, në atë kohë nga Prishtina e Kosova me Tiranën e Shqipërinë.
Më pas për të përcjellë e parë vizitën shkova në Gjakovë, qytetin pranë kufirit të hekurt që ndante, ku mund të shihej Televizioni Shqiptar përkundër pengesave e zhurmuesve që i kishin vënë në gjithë Kosovën në rrethanat e okupimit të egër nga regjimi i Beogradit.
Për vizitën e parë historike të një Pape në Shqipëri, nga transmetimet e Radio Televizionit Shqiptar në televizorin e një familje gjakovare u bënë edhe foto për gazetën e vetme të përditshme shqipe në atë kohë në Kosovë “Bujku”, themelues-kryeredaktor i parë i së cilës isha dhe që si gazetë e rezistencës me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik e pjesë e lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci dilte nga 18 Janari i vitit 1991, pasi me dhunë ishte ndaluar gazeta tradicionale kosovare Rilindja…
Gazeta “Bujku”, që nga ballina, raportonte gjërësisht për vizitën e Papa Gjon Palit II në Shqipëri, shqiptarëve…
Në ballinë në botimin e 27 Prillit 1993 gazeta kishte mbititullin “Përfundoi vizita e Papa Gjon Palit të Dytë në Shqipëri”, titullin “Mbështetje e madhe morale e politike për shqiptarët” dhe nëntitujt: “Papa falënderoi shqitarët për pritjen e përzemërt e madhështore. – Vatikani i njeh mirë dhe i kupton problemet e popullit shqiptar si në Shqipëri ashtu edhe në viset tjera autoktone. – Në Sheshin ‘Skënderbej’ në Tiranë, që ishte përplot qytetarë, folën Presidenti i Shqipërisë Sali Berisha dhe Ati i Shenjtë Papa Gjon Palit i Dytë”.
Pjesë e raportimit në ballinë ishte edhe ky lajm:
“Dr. Rugova u takua me Papa Gjon Palin II
Tiranë, 26 prill
Mbrëmë në Tiranë kryetari i Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova, i shoqëruar nga kryeministri i Republikës së Kosovës dr. Bujar Bukoshi dhe prof. Anton Çetta, patën një takim përshëndetës me Papa Gjon Pali II me rastin e vizitës së parë të Shenjtërisë së Tij, Papës në Shqipëri.
Me këtë rast dr. Rugova i dhuroi Papa Gjon Palit II, në shenjë nderimi, një gur nga muret e qytetit antik të Ulpianës, në shenjë kujtimi të Laurit e Florit, dy martirëve të qytetërimit nga shekulli II në këtë qytet të Dardanisë së vjetër. A.S.”
***
Më parë, në 11 Mars 1993, Shenjtëria e Tij Papa Gjon Pali II priti në audiencë Presidentin e Kosovës Rugova nga i cili mori një Promemorie për çështjen shqiptare. Gjatë qëndrimit në Itali Presidenti Rugova takoi Kryeministrin e atëhershëm Italian Xhuliano d’Amato, nga i cili kërkoi angazhimin e Qeverisë Italiane për vendosjen e forcave paqeruajtëse në Kosovë si hap i parë për shtensionimin e situatës dhe fillimin e zgjidhjes së krizës.
Para udhëtimit në Itali-Vatikan, po në vitin 1993 – në 16 Shkurt Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova udhëheqte një delegacion nga Kosova, që kishte shkuar në Amerikë me qëllim që të njoftojë udhëheqësit e Kombeve të Bashkuara dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shtypjen e të drejtave civile, njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve të Kosovës. Presidenti Rugova bëri publik planin dhjetëpikësh të veprimit për ta zgjidhur krizën e Kosovës dhe për t’u dhënë fund padrejtësive. Për herë të parë kërkon një protektorat civil ndërkombëtar në Kosovë.
Gjatë qëndrimit në Uashington Presidenti Rugova u prit nga Tomas Najllz, Ndihmëssekretar i Shtetit për Evropë dhe Kanada si dhe në Komitetin e Kongresit Amerikan për Marrëdhënie me Jashtë nga kongresmenët Li Hamilton, Tom Lantos dhe Ben Gilman.
Nga 17 deri më 19 Shkurt 1993 Presidenti Rugova mori pjesë në tubimin kushtuar problemit të ish-Jugosllavisë të organizuar nga “Qendra Karter” në Atlanta të Shteteve të Bashkuara të Amerikës…
E, në 11 Gusht 1993 Presidenti Rugova i shkruajti letër Ambasadores së SHBA-ve në OKB, Medlin Ollbrajt, të cilën e falënderon për angazhimin për miratimin e Rezolutës për vazhdimin e misioneve vëzhguese në Kosovë si dhe kërkon që si preventivë Kombet e Bashkuara të marrin në protektorat Kosovën për të normalizuar jetën dhe evituar konfliktin…
26 GUSHT 2005, RUGOVA: KATEDRALJA NËNË TEREZA NË PRISHTINË, E PËRKRAHUR NGA PAPA GJON PALI I DYTË
Në 26 Gusht 2005 Presidenti historik Ibrahim Rugova vuri gurthemelin e Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë së bashku me atëherë Ipeshkvin e Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Mark Sopi dhe Kardinalin e Uashingtonit Teodor Mekkerik.
“Papa Gjon Pali i Dytë e ka përkrahur personalisht ndërtimin e kësaj Katedraleje”, theksonte Presidenti Rugova…
5 SHTATOR 2017: SHQIPTARËT VATRANË NGA AMERIKA NË SHUGURIMIN E KATEDRALES-SHENJTËRORES SHËN NËNË TEREZA NË PRISHTINËNë 5 Shtator 2017, shumë solemne dhe madhështore ishte festa, mesha e shugurimit të Katedrales-Shenjtërores Shën Nënë Tereza në Prishtinë nga i Dërguari i Posaçëm i Papa Françeskut, Kardinali shqiptar Ernest Simoni – Troshani, e me pjesëmarrje edhe vatranësh të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, të cilët edhe u vlerësuan e falënderuan për kontributet. Shqiptarët nga SHBA – Këshilli i Fondacionit për ndërtimin e Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë, që vepron në Nju Jork dhe rrethinë, kanë kontribuar për mëse 9 vite me 2 milionë dollarë, që janë mbledhur dhe janë dorëzuar…